34.5 C
Tirana
E premte, 4 Korrik, 2025

BKH dhe FNSH aksion në Shkodër e Fier me urdhër të SPAK, raportohet për disa persona të ndaluar për krime zgjedhore

BKH, forcat operacionale dhe FNSH kanë ndërmarrë një aksion në Shkodër me urdhër të SPAK ku janë shoqëruar disa persona për krime zgjedhore.

 

Sipas burimeve, personat e shoqëruar janë mbështetës të Partisë Socialdemokrate.

Gazetarja Klodiana Lala, raporton se deri tani janë ndaluar 4 persona në Koplik.

Aksioni për kontroll personal dhe të automjeteve me vendim të GJKKO është në vazhdim.

Gjithashtu ky operacion është ndërmarrë edhe në Fier në bashkëpunim me policinë vendore lidhur me një tjetër procedim penal.

“Vota e Lezhjanëve nuk është plaçkë e Bashkisë!” – nga Eduart Ndocaj

Sot, qytetarët e Qarkut te Lezhës janë dëshmitarë të një akti të rëndë që nuk mund të kalojë në heshtje: administrata e Bashkisë dhe e shtetit është përfshirë në mënyrë të hapur në blerjen e votave, dhe tani po merret edhe me numërimin e tyre në mënyrë të paligjshme.

Ky është një krim elektoral i pastër, një dhunim i demokracisë dhe një fyerje për qytetarët e ndershëm të këtij qarku. Ne nuk do të lejojmë që vullneti i popullit të tjetërsohet nga pushteti vendor i kapur nga interesat klienteliste.

SPAK nuk mund të qëndrojë më në heshtje! Ky institucion ka detyrimin të veprojë menjëherë dhe të hetojë këtë ndërhyrje kriminale në procesin zgjedhor.

Lezha meriton drejtësi, ndershmëri dhe votë të lirë!

Krimet zgjedhore, Prokuroria publikon shifrat: U regjistruan gjithsej 87 kallëzime, 15 prej tyre nga SPAK! Ja qarku me numrin më të madh

Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar shifrat lidhur me kallëzimet mbi krimet zgjedhore.

 

Raportohet se kallëzimet janë bërë nga SPAK në 15 raste, policia gjyqësore në 49 raste, subjekte politike në 9 raste, kryesisht në 11 raste dhe shtetas në 3 raste.

Kallëzimet janë regjistruar 8 në Prokurorinë Fier, 5 në Prokurorinë Sarandë, 4 në Prokurorinë Durrës, 21 në Prokurorinë Tiranë, 3 në Prokurorinë Gjirokastër, 4 në Prokurorinë Kukës, 7 në Prokurorinë Lezhë, 15 në Prokurorinë Dibër, 2 në Prokurorinë Vlorë, 4 në Prokurorinë Korçë, 2 në Prokurorinë Shkodër, 11 në Prokurorinë Elbasan dhe 1 në Prokurorinë Berat.

Njoftimi i Prokurorisë:

Informacion për kallëzimet, procedimet penale dhe arrestimet në lidhje me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira

Prokuroritë pranë gjykatë së shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm, kanë regjistruar gjithësej 87 kallëzime penale, 34 procedime penale, ndërsa janë arrestuar 7 persona për veprat penale në fushën e zgjedhjeve.

Deri më 12.05.2025, në lidhje me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, këto prokurori kanë raportuar si më poshtë:

  • Janë regjistruar gjithësej 87 kallëzime penale për veprat penale të parashikuara nga nenet 325, 326/a, 327, 328, 328/a, 328/b, 329, 329/a, 331/a dhe 332/a të Kodit Penal.
  • Burim i njoftimit të veprave penale për kallëzimet e mësipërme kanë qënë, policia gjyqësore në 49 raste, SPAK në 15 raste, subjekte politike në 9 raste, kryesisht në 11 raste dhe shtetas në 3 raste.
  • Kallëzimet e mësipërme janë regjistruar 8 në Prokurorinë Fier, 5 në Prokurorinë Sarandë, 4 në Prokurorinë Durrës, 21 në Prokurorinë Tiranë, 3 në Prokurorinë Gjirokastër, 4 në Prokurorinë Kukës, 7 në Prokurorinë Lezhë, 15 në Prokurorinë Dibër, 2 në Prokurorinë Vlorë, 4 në Prokurorinë Korçë, 2 në Prokurorinë Shkodër, 11 në Prokurorinë Elbasan dhe 1 në Prokurorinë Berat.
  • Nga kallëzimet e mësipërme janë regjistruar gjithësej 34 procedime penale për veprat penale të parashikuara nga nenet 325, 326/a, 327, 328/a, 328/b, 329, 329/a, 331/a dhe 332/a të Kodit Penal.
  • Procedimet penale janë regjistruar, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier gjithesej 5 procedime, 2 procedime për veprën penale të parashikuar nga neni 325 i Kodit Penal, 1 procedim për nenin 328/a të Kodit Penal, 1 procedim për nenin 328/a, paragrafi 4 i Kodit Penal dhe 1 procedim për veprën penale të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër gjithësej 3 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 326/1 dhe 329/1 të Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan gjithësej 8 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 328/a, 248, 332/a, 134/1 dhe 287/b të Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës gjithësej 1 procedim për veprat penale të prashikuara nga nenet 328/a dhe 248 të Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, gjithësej 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 237/5 dhe 328/a, paragrafi 4 të Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër gjithësej 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 328/a dhe 328/b të Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë gjithësej 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 325 dhe 326/a të Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës gjithësej 1 procedim për veprën penale të prashikuara nga neni 328/a i Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë gjithësej 2 procedime për veprat penale të prashikuar nga nenet 328/a, 329/2, 237, 89 dhe 25 të Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë gjithësej 1 procedim për veprën penale të prashikuar nga nenet 328/a i Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë gjithësej 3 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 327 dhe 329 dhe 278 të Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë gjithësej 4 procedime për veprat penale të prashikuar nga nenet 327/1 i Kodit Penal.
  • I janë dërguar për kompetencë SPAK, 6 kallëzime penale nga Prokuroria Durrës, Lezhë, Dibër dhe dy procedime penal nga Prokuroria Fier dhe Shkodër.
  • Nga kallëzimet penale të regjistruara, është vendosur mosfillimi për 12 prej tyre. 5 nga Prokuroria Tiranë, 2 nga Prokuroria Kukës, 2 nga Prokuroria Dibër, 1 nga Prokuroria Sarandë, 1 nga Prokuoria Fier dhe 1 nga Prokuroria Elbasan.
  • Një procedim penal i regjistruar nga Prokuroria Dibër për veprën penale të parashikuar nga neni 237/5, 328/a, paragrafi 4, është kërkuar dërgimi për gjykim me një person të pandehur, pa masë sigurimi personal dhe një procedim penal i regjistruar nga Prokuroria Gjirokastër për veprën penale të parashikuar nga neni 326/1 i Kodit Penal, është dërguar në gjykatë me kërkesë për pushim.
  • Janë arrestuar në flagrancë 7 persona për veprat penale në fushën e zgjedhjeve, 4 në Prokurorinë Tiranë, 1 në Prokurorinë e Elbasanit, 1 në Prokurorinë e Lezhës dhe 1 në Prokurorinë e Fierit.
  • Është dhënë urdhër ndalimi për 4 persona nga Prokuroria e Elbasanit.
  • Kallëzimet e tjera janë në fazë verifikimi.

Analiza e REL: Çfarë pritet nga bisedimet e propozuara në Turqi për luftën e Rusisë kundër Ukrainës

Papritur, Ukraina dhe Rusia po përgatiten për bisedimet e para të drejtpërdrejta të paqes që nga pranvera e vitit 2022, kur negociatat që nisën menjëherë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska u ndërprenë.

 

Rruga drejt bisedimeve që pritet të zhvillohen në Turqi më 15 maj ka qenë e shkurtër.

Më 7 maj, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se negociatat e drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës janë prioritet.

Më 10 maj, liderët evropianë iu bashkuan presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në thirrjen për një armëpushim tridhjetë ditor që do të fillonte më 12 maj, duke paralajmëruar Rusinë për sanksione shtesë nëse nuk pajtohej.

Në një deklaratë, presidenti rus Vlladimir Putin tentoi ta përmbysë situatën, duke kërkuar bisedime të drejtpërdrejta në Turqi më 15 maj dhe duke thënë se një armëpushim mund të arrihet vetëm përmes negociatave.

Kjo ia kaloi topin Ukrainës dhe Zelensky ia ktheu: Ai tha se do të jetë në Turqi më 15 maj dhe e sfidoi Putinin të paraqitet për një takim ballë për ballë, i pari i tyre pas më shumë se pesë vjetësh.

Me afatin që po afron, detajet që dihen janë të pakta. Këtu janë disa nga pyetjet kryesore: Kush do të marrë pjesë, çfarë mund të arrihet, kush do të fajësohet nëse nuk ka rezultat?

Kush do të marrë pjesë?

Zelensky është i vetmi lider që ka konfirmuar se do të jetë në Turqi më 15 maj.

Njoftimi i tij përbën një sfidë për Putinin, i cili shpesh ka pretenduar se Zelensky është jolegjitim sepse mandati i tij pesëvjeçar do të kishte përfunduar rreth një vit më parë, pas zgjedhjeve të reja presidenciale.

Ky pretendim provokues shpërfill faktin se Ukraina është nën ligj ushtarak që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, gjë që e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve.

Takimi me Zelenskyn mund të shihet si një njohje e legjitimitetit të tij, duke minuar një nga narrativat kryesore të rreme të Kremlinit për Ukrainën: se udhëheqja aktuale është trashëgimi e një grushti shteti të mbështetur nga Perëndimi kundër qeverisë pro-Moskës në vitin 2014.

Do të nënvizonte gjithashtu dështimin e Putinit për të arritur një nga objektivat kryesore të pushtimit të vitit 2022, rrëzimin e Zelenskyt dhe vendosjen e një qeverie pro-ruse.

“Nëse Putin paraqitet në Stamboll, kjo do të ishte tashmë një disfatë për të”, tha analisti politik Alexander Friedman për Current Time.

“Vetë fakti që hyn në negociata me Zelenskyn do të sinjalizonte një humbje për të, veçanërisht nëse shkon nën presion, në një samit që dukshëm nuk planifikonte ta ndiqte”, u shpreh Friedman.

Nëse nuk takohet me Zelenskyn, kjo do t’i hapte rrugë akuzave se ai ka frikë ta bëjë këtë.

Presidenti ukrainas, i cili e ka bërë këtë pretendim më parë, e rriti presionin më 13 maj, me Reuters që citoi një këshilltar anonim të Zelenskyt të thoshte se ai do të takohej vetëm me Putinin.

Shtesë në presionin ndaj Putinit është mundësia që edhe Trump të paraqitet në Turqi.

“Po mendoja të fluturoja atje. Nuk e di ku do të jem të enjten,” tha presidenti amerikan më 12 maj, përpara se të nisej për një vizitë katërditore në Lindjen e Mesme.

“Ka një mundësi, ndoshta, nëse mendoj se gjërat mund të ndodhin”, tha Trump.

Çfarë mund të arrihet?

Pavarësisht nëse Putin merr pjesë apo jo, analistët thonë se Rusia ka pak gjasa të bëjë lëshime apo të tërhiqet nga qëndrimet e saj të kahershme.

Putin e sugjeroi këtë kur thirri gazetarët rusë në Kremlin, ku kërkoi bisedime të drejtpërdrejta në Turqi më 15 maj; ndër të tjera, ai i paraqiti këto bisedime si një vazhdim i negociatave që u zhvilluan pjesërisht në Stamboll në vitin 2022, kur Rusia kërkonte, mes të tjerash, një premtim për neutralitet të përhershëm nga Kievi dhe kufizime të rrepta në forcat dhe kapacitetet ushtarake të Ukrainës.

“Rusia nuk do të pranojë një armëpushim 30 ditor” dhe “do të përpiqet të rikthejë formatin e vjetër të Stambollit për të negociuar kufizime të ashpra mbi sovranitetin e Ukrainës dhe bashkëpunimin e saj me Perëndimin. Ukraina do ta refuzojë këtë”, shkroi analisti rus i politikës së jashtme, Vladimir Frolov, në platformën X.

Që nga bisedimet e vitit 2022, Rusia ka shtuar kërkesat e saj për territorin ukrainas, duke përsëritur se për çdo marrëveshje paqeje që të jetësohet, Kievi dhe Perëndimi duhet të pranojnë kontrollin rus mbi katër rajone të Ukrainës që Putini i shpalli njëanshëm si pjesë të Rusisë në shtator 2022: Donjeck, Luhansk, Zaporizhia dhe Herson.

Thirrja e Putinit për negociata të drejtpërdrejta nënkupton se ai “sheh një mundësi për ta futur Ukrainën në një proces ‘Stambolli 2’, që i ngjan shumë bisedimeve të mars-prill 2022, për të ndjekur të njëjtat objektiva, tani përfshirë edhe territoret e aneksuara rishtazi”, shkroi Tatyana Stanovaya, një studiuese e lartë në Qendrën Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë në Berlin.

“Realiteti është se as Moska dhe as Kievi nuk janë gati të pajtohen për një paqe të qëndrueshme, pasi pozicionet e tyre janë thelbësisht të papajtueshme”, shtoi ajo, duke theksuar se “iniciativa amerikane për të ndërmjetësuar një marrëveshje është e destinuar të dështojë, të paktën në këtë fazë”.

Kurt Volker, ish-ambasador amerikan në NATO dhe ish-përfaqësues special i Trumpit për negociatat në Ukrainë gjatë mandatit të tij të parë, gjithashtu sugjeroi se një përparim i shpejtë është i pamundur.

“Kjo do të jetë një proces i gjatë. Putini ende duket se beson se mund të arrijë kërkesat e tij maksimaliste”, tha Volker, tani studiues i lartë në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane në Uashington.

Kush do të fajësohet nëse bisedimet dështojnë?

Që kur Trump e nisi mandatin e dytë me përpjekje për të ndërmjetësuar një fund për luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945, diçka që ai ka thënë se mund ta arrijë për një ose dy ditë, Rusia dhe Ukraina janë përpjekur të paraqiten si pala konstruktive dhe ta fajësojnë tjetrën si pengesë për paqen.

Kjo ishte prapaskena e aktivitetit intensiv në ditët e fundit, dhe me shumë gjasë përpjekjet e tyre do të dyfishohen nëse bisedimet në Turqi nëse mbahen nuk sjellin përparim.

Në fillim të mandatit të tij, Trump dukej se e shihte kryesisht Ukrainën si palën që pengonte paqen, një perceptim që arriti kulmin në një përplasje të dukshme në Zyrën Ovale gjatë vizitës së Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt.

Administrata e Trump ka shfaqur më shumë frustrim me Rusinë në javët e fundit sesa më parë. Më 28 prill, Trump tha se dëshironte që Putini të “ndalonte së shtënit, të ulej dhe të nënshkruante një marrëveshje”, ndërsa Vance tha më 7 maj se Rusia “po kërkon shumë.”

Më 11 maj, kur ai e nxiti Ukrainën të pranonte “menjëherë” propozimin e Putinit për bisedime në Turqi, Trump shtoi: “Të paktën ata do të jenë në gjendje të përcaktojnë nëse një marrëveshje është e mundur, dhe nëse jo, liderët evropianë dhe SHBA do ta dinë se ku qëndron gjithçka, dhe mund të veprojnë në përputhje me rrethanat!”

Kjo sugjeron se nëse bisedimet dështojnë dhe SHBA-ja përcakton një palë si veçanërisht përgjegjëse, kjo mund të ketë pasoja të rënda, për shembull, për ndihmën e ardhshme ndaj Ukrainës, ose për sanksionet ndaj Rusisë, e cila duket se është e interesuar të përmirësojë marrëdhëniet me SHBA-në.

Sidoqoftë, Stanovaya thotë se përveç një tronditjeje të brendshme në Rusi ose një përparimi të madh në fushën e betejës nga Ukraina që për momentin duket e pamundur, presioni i jashtëm ndaj Moskës, si sanksione më të ashpra, nuk do ta ndryshojë qëndrimin e Putinit.

“Objektivi i tij mbetet ta kthejë Ukrainën në një shtet ‘miqësor’, dhe për sa kohë që ai mbetet në pushtet, ai do të vazhdojë ose të luftojë, ose të detyrojë dorëzimin”, shkruan ajo./REL

SPAK merr të pandehur administratorin e KESH, Erald Elezin dhe Gentjan Gjylin e ARRSH! Prokuroria e Posaçme ngre akuza për abuzime me tenderat

Teksa po hetonte ish-drejtorin e ARRSH, Evis Berberi i cili ndodhet në pranga nën dyshimet për korrupsion e pastrim parash, Prokuroria e Posaçme zbuloi të dhëna për implikimin e të tjerë zyrtarëve të lartë të përfshirë në skandalin e abuzimeve me tenderat.

Nën akuzë është vënë Gentjan Gjyli, kreu i ARRSH, një prej njerëzve më të besuar të zv/kryeministres Belinda Balluku. Akuza Gjylit iu komunikua ditën e djeshme nga Prokuroria e Posaçme.

Burime për gazetaren Klodiana Lala konfirmojnë se po ashtu lidhur me të njëjtën çështje, është marrë i pandehur edhe Erald Elezi, administrator i KESH, si dhe 18 persona të tjerë.

Bëhet fjalë për abuzime me tenderat, një prej të cilëve është tenderi 2 milionë euro për supervizimin e tunelit të Llogarasë.

Po ashtu është ngritur akuzë e re edhe për Valter Begajn sepse kompania e tij NET Group, në bashkëpunim me “Hill International”, kanë fituar tenderin në shkelje të ligjit.

Presidenti i Këshillit Evropian viziton sot Kosovën, takime me Osmanin dhe Kurtin

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do ta vizitojë Kosovën të mërkurën.

 

Gjatë pasdites, ai do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Costa e viziton Kosovën në një kohë kur ligjvënësit kosovarë nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt, edhe pas 15 përpjekjeve. Qeveria e Albin Kurtit është ende në detyrë, deri në formimin e një qeverie të re pas konstituimit të Kuvendit.

Po ashtu, kjo vizitë zhvillohet në një kohë kur liderët kosovarë po shtojnë thirrjet drejtuar Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura pas tensioneve në veri të vendit. Këto masa mbeten ende në fuqi, me arsyetimin se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në komunat me shumicë serbe.
Costa një ditë më parë qëndroi në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë.

Gjatë një konference për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Costa theksoi se dialogu me Kosovën është kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe shtoi se është po aq i rëndësishëm edhe qëndrimi i qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Për sa i përket vizitës së Vuçiqit në Moskë për festën e Ditës së Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli që i kërkonin të mos shkonte, Costa tha se Vuçiq ia shpjegoi atij se shkoi për të festuar një ngjarje historike.

“Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht, që Serbia feston çlirimin, por nuk mund ta festojmë këtë pa dënuar invazionin aktual në një shtet tjetër”, tha Costa.

Në Sarajevë, ai shprehu shqetësim për, siç i quajti, “veprimet ndarëse të Republikës Sërpska”, duke i cilësuar ato si kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjë e Hercegovinës.

Pas Kosovës, ai do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, si dhe Shqipërinë, ku do të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Liderët e BE-së zgjodhën portugezin Antonio Costa si president të Këshillit Evropian, detyrë të cilën e mori më 1 dhjetor 2024.

“Rama dhe Berisha e mbajnë pushtetin nëpërmjet manipulimeve”/ Gjergji Nika: Shqipëria, nevojë për politikë të re

Nga Gjergji Nika

Zgjedhjet janë pasqyra më e qartë e dëshirave të qytetarëve dhe një mekanizëm i domosdoshëm për rinovimin e elitave politike. Për fat të keq, në Shqipëri ky proces është shndërruar në një lojë të mbyllur, ku liderët e vjetër mbajnë pushtetin për dekada, duke penguar qarkullimin e ideve dhe përfaqësimin e brezave të rinj.

Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një frymë të re, për liderë politikë, të cilët jo vetëm që kuptojnë sfidat e shekullit të 21-të, por edhe kanë energjinë, kreativitetin dhe vizionin për t’i adresuar ato. Brezat e rinj janë të përgatitur, të arsimuar dhe të lidhur me botën. Ata përfaqësojnë një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim dhe inovacion politik, ekonomik e shoqëror.

Përkundrazi, liderët e vjetër, si Edi Rama dhe Sali Berisha, shpesh mbështeten në struktura të ngurta, nepotizëm dhe interesa të ngushta që i shërbejnë vetëm një pakice, interesave të ngushta familjare e klienteliste. Ata e mbajnë pushtetin përmes manipulimeve elektorale, mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, pazareve të fshehta dhe kontrollit mbi institucionet publike.

Është koha që kjo situatë të ndryshojë. Demokracia e vërtetë kërkon qarkullimin e elitave dhe përfshirjen e brezave të rinj në procesin e vendimmarrjes.

Liderët e vjetër që nuk arrijnë të përshtaten me realitetet e reja dhe që janë pengesë reale për shoqërinë e zhvillimin duhet të tërhiqen, duke i lënë vendin energjisë, aftësisë dhe vizionit të rinisë.

Vetëm kështu, shoqëritë tona do të mund të ecin përpara, duke ndërtuar institucione të forta, ekonomi të qëndrueshme dhe një të ardhme ku çdo qytetar të ndjehet pjesë e vendimmarrjes. Koha për ndryshim ka ardhur. Koha për një gjeneratë të re udhëheqësish është tani.

Koha për politikë të re e rotacion politik nuk duhet të kalojë!

Meritojmë më shumë se kjo klasë e kalbur politike!

Në fshatin Pishkash gjenden fletë votimi më shumë se numri i votuesve, bllokohet kutia

Një tjetër rast ku janë gjetur më shumë fletë votimi se numri i votuesve është shënuar në fshatin Pishkash, Bashkia Prrenjas.

Kjo zonë është vendlindja e kandidatit të PS, Olsi Komici.

Ky nuk është rast i parë i regjistruar pasi edhe më herët është denoncuar i njëjti fenomen në Elbasan ku në KZAZ ishte futur një kuti me vota të paidentifikuar. Raste dhe femonome të tjera të manipulit dhe shpallja e pavlefshme e votës janë identifikuar në KZAZ të ndryshme në vend ku sollën edhe tensione e përplasje.

Mungesa e medias së pavarur cënoi zgjedhjet, thonë vëzhguesit

Nga Gjergj Erebara

Mungesa e një mjedisi të shëndetshëm mediatik për informim të larmishëm mbi ofertat zgjedhore për shqiptarët, mosfunksionimi i mekanizmave ligjorë që duhet të garantojnë ekzistencën e medias së pavarur dhe vendimi kontrovers i qeverisë së kryeministrit Edi Rama për të mbyllur rrjetin social Tiktok pak para nisjes së fushatës zgjedhore ishin disa nga problemet që cënuan standardet demokratike në zgjedhjet e së dielës dhe sollën raportin më kritik në shumë kohë nga faktori ndërkombëtar.

Raporti vëren me shqetësim praninë e financimeve me burime të paidentifikuara në disa media, kontrollin e reklamave për arsye politike, sulmet verbale dhe shpesh fizike të udhëheqësve politikë kundër gazetarëve dhe mungesën e aksesit të partive të vogla në media.

Shqiptarët votuan të dielën e 11 majit në zgjedhjet parlamentare, të cilat partia në pushtet, Partia Socialiste, i fitoi me shumicë të thjeshtë votash ndërsa ndarja e vendit në 12 qarqe elektorale i dha asaj avantazhin e shumicës parlamentare pothuajse të cilësuar, gjë që pritet të shkaktojë telashe shtesë për demokracinë shqiptare për shkak të mundësisë për ndryshim të njëanshëm të rregullave të lojës nga Rama në vitet në vijim.

Raporti i OSBE/ODIHR, i publikuar të hënën, vuri në dukje abuzimet me pushtetin shtetëror dhe me burimet shtetërore nga partia në pushtet si dhe frikësimin e votuesve prej ushtrisë së patronazhistëve si probleme që i bëjnë zgjedhjet “jo në përputhje me standardet ndërkombëtare”, por një kritikë veçanërisht e fortë në raport ka të bëjë me median, lirinë për të përcjellë dhe për të marrë informacion si dhe cilësinë e informacionit të marrë.

“Pavarësia, larmishmëria dhe integriteti i lajmeve të disponueshme për votuesit gërryen nga varësia e shumicës së medias nga financimet jotransparente nga interesa politike apo të biznesit, të cilat shpesh mbështeten në kontrata publike,” thuhet në raport.

“Përqendrimi i pronësisë së medias cënon më tej pluralizmin e burimeve të lajmeve, në kundërshti me standardet ndërkombëtare,” vërejnë ekspertët e OSBE/ODIHR.

Mjedisi mediatik i një vendi duhet të ketë media të shumta me informacion të larmishëm, përfshirë informacion nga aktorët politikë apo shoqërorë që nuk i përkasin rrymave kryesore, gjë që në fakt në Shqipëri nuk gjendet. Mediat janë jo të pakta, nëse shikohet numri i televizioneve, por informacioni i dhënë në to nuk është i larmishëm, sepse është i njëjti informacion i dhënë në shumë media njëherësh.

“Raportimi i lajmeve shpesh zëvendësohet nga materiale të përgatitura nga trupat qeveritarë, gjë që minon integritetin editoria. Agjencia e Medias dhe Informimit, një agjenci nën varësinë e kryeministrit, centralizon dhe filtron informacionin e publikuar nga qeveria dhe institucionet publike,” thotë raporti.

“Për më tepër, gazetarët raportojnë se aksesi i tyre te përfaqësuesit e qeverisë, përfshirë kryeministrin, është në tkurrje, ku numri i konferencave për shtyp është pakësuar dhe gazetarët me raste ndalohen të marrin pjesë në aktivitete publike, në kundërshti kjo me standardet ndërkombëtare.”

Qeveria shqiptare ndalon gazetarët të kryejnë filmime të pavarura në aktivitete publike, të tilla si mitingjet elektorale të Ramës dhe të Partisë Socialiste, ku truprojat dhe stafi i kryeministrit pengojnë fizikisht përdorimin e celularëve apo mjeteve të tjera të regjistrimit video. Kjo e ka bërë “raportimin” mediatik të fushatës një teatër gjigand në të cilin qytetarët mund të shohin vetëm atë që kryeministri do, por në televizione dhe portale të ndryshme.

“Sipas shumicës së bashkëbiseduesve të ODIHR, pamjet nga fushata u ofruan nga partitë politike. Në televizionet e monitoruara nga ODIHR, asnjë nga këto raportime lajmesh nuk u shënua si të tilla, siç kërkohet nga Kodi Zgjedhor dhe për këtë nuk pati masa të ndërmarra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.”

Raporti shënon me shqetësim raportimet se disa nga intervistat me kandidatët për zgjedhje të transmetuara në media të ndryshme kanë qenë në fakt të paguara, gjë që bie ndesh me ligjin.

“Pamjet e prodhuara nga garuesit në zgjedhje në lajme si dhe mbulimi me pagesë de facto është e barabartë me reklamat politike dhe dizavantazhon garuesit me më pak burime financiare,” vëren raporti.

Një nga problemet kyçe që duket se do të rrëzojnë zgjedhjet e së dielës ka të bëjë me vendimin e qeverisë për të mbyllur aksesin në rrjetin social Tik Tok pak javë para zgjedhjeve. Qeveria thotë se e mori vendimin për të luftuar bullizmin në shkolla, si pasojë e ngjarjes tragjike të vrasjes së një adoleshenti dhjetorin e kaluar, por shumë besojnë se ndalimi lidhet me fushatën elektorale, për shkak se Tik Tok, si media sociale e re, vlerëson përmbajtjen dhe i jep vizibilitet materialeve të prodhuara nga përdoruesit përkundrejt të ardhurave ndërsa mediat sociale të vjetra, si Facebook e Tëitter, nuk i japin vizibilitet përmbajtjes së prodhuar nga, fjala vjen, kandidatët për deputetë, pasi janë biznese të maturuara dhe kërkojnë të sheshin reklama. Me pak fjalë, Tik Tok jep vizibilitet të cilin Facebook e të tjera nuk e japin.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave më 6 mars për të ndaluar përkohësisht aksesin në TikTok është i një ndalim i gjerë dhe i papërputhshëm me standardet ndërkombëtare,” thuhet në raport.

“Në finale, mjedisi kufizues mediatik dhe dështimi për të zbatuar kërkesat ligjore në mirëbesim i ndaloi votuesit nga marrja e informacionit të plotë, të pavarur dhe të larmishëm mbi garën zgjedhore,” thekson raporti./BIRN

Ervis Iljazaj: Më dramatike se humbja, është mungesa e reflektimit në PD

Nga Ervis Iljazaj

Ashtu sikurse pritej, Sali Berisha nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Madje, ka paralajmëruar protestë në datë 16 maj. Ky është një zakon i vjetër i politikës shqiptare, por sidomos i Partisë Demokratike në tri garat e fundit. Një retorikë që tashmë ka lodhur dhe vetë demokratët shqiptarë të cilët e shohin veten për të katërtën herë radhazi në opozitë. Kësaj herë humbja ishte dramatike, siç në fakt ishte e paralajmëruar për shumë arsye. Por më dramatike se humbja është mungesa e vullnetit për të reflektuar dhe për të ndryshuar se çfarë mund të bëhet më mirë për të ardhmen.

Sali Berisha dhe Partia Demokratike fajëson gjithë botën për humbjen, me përjashtim të sjelljes së saj. Fajin për humbjen e Partisë Demokratike e kanë mediat, e ka Altin Dumani, e kanë analistët, madje e kanë dhe shqiptarët që nuk e votojnë dhe vazhdojnë të votojnë Edi Ramën, por vetëm Sali Berisha nuk ka faj.

Sjellja e Partisë Demokratike në këto zgjedhje ishte shembulli tipik , për t’u shkruar në manual politik, se si të bësh gjithçka për të humbur një garë. Partia Demokratike kishte si kandidat për kryeministër një person që ka 35 vite në politikë dhe që e drejton atë parti, si asnjë vend tjetër në Europë dhe me shumë gjasa edhe në botë. Por ajo nuk ka faj dhe s’ka përse reflekton për rezultatin. Listat e Partisë Demokratike ngjasonin me listat e viteve 2000, njerëz që u shplurosën dhe u rikthyen si kandidatë për deputetë, apo njerëz që nuk ngjallin asnjë besim dhe asnjë frymë për ndryshim. E megjithatë, përsëri në PD askush nuk i vë gishtin kokës të mendojë apo reflektojë. Kudo që kishte njerëz të rinj, punëtorë dhe dinjitozë si për shembull në Kavajë dhe Qarkun e Lezhës, Partia Demokratike fitoi. Ndërkohë që në shumicën e rasteve kishte njerëz që kritierin e vetëm kanë besnikërinë ndaj Berishës dhe asgjë më shumë.

Se përse Berisha nuk njeh asnjë përgjegjësi dhe nuk fajëson veten për vendimet që ka marrë kjo është e kuptueshme. Është e qartë që ai do të mbyllë çdo lloj diskutimi në këtë drejtim dhe të vazhdojë të jetë kryetar i Partisë Demokratike. Edhe protesta që ka thirrur ka pikërisht këtë synim. Të mbyllë çdo diskutim dhe të largojë çdo përgjegjësi për humbjen. Ajo që nuk kuptohet është fakti se si ka mundësi që askush nga Partia Demokratike, nga deputetët që u zgjodhën apo kandidatët për deputetë, nga drejtuesit politikë apo njerëz në opinion publik pranë Partisë Demokratike, nuk ka guximin të bëjë qoftë edhe një kritikë të vogël ndaj Sali Berishës dhe vendimeve të tij.

Edhe pse PD kanë marrë rezultatin më të dobët në historinë e saj, askush se ka guximin të thotë qoftë edhe një fjalë. Të gjithë po rrinë të heshtur, në pritje të vendimeve të liderit të tyre, duke u sjellje si njerëz që as mendojnë as kanë karakter dhe as kuptojnë.

Ky raport në fakt, raporti që kanë demokratët me Sali Berishën nuk shpjegohet politiksiht por vetëm psikologjikisht. Sepse është e pabesueshme se si falin çdo gabim të Berishës, se si sakrifikuan çdo gjë për rehabilitimin e tij dhe pësuan një humbje dramatike, dhe përsëri nuk kanë asnjë kritikë kundër tij. Është për t’u admiruar se si një person i vetëm i është imponuar për 35 vite jo vetëm politikisht, por edhe psikologjikisht. Dhe këto shenja duket sot, kur të gjithë do të vazhdojnë ta ndjekin deri sa Partia Demokratike të shuhet me shuarjen politike të Sali Berishës. Me sa duket këta njerëz e konsiderojnë Partinë Demokratike jo një parti politike por shtëpinë dhe pronën private të Sali Berishës dhe nuk kanë kurajo t’i thonë që duhet të largohesh. Mbase kanë të drejtë! Si mundet ti thuash pronarit, ik nga prona jote !