Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Lezhë, pas asaj të mesditës të së premtes. Një i ri, i identifikuar si Altin Marku është qëlluar dhe është plagosur në krah. Në afërsi të kryqëzimit të Shënkollit, Altin Marku, 31 vjeç nga Kallmeti është qëlluar me armë zjarri, ndërsa plumbi e ka kapur në krah. Altin Marku ka shpëtuar me një dëmtim të lehtë, pasi ka shkuar vetë në spital, ndërsa policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, identifikuar dhe arrestuar autorin e ngjarjes.
Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Lezhës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu që kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, rrethanat e së cilës janë ende të pasqaruara. Sipas Policisë së Lezhës, gjatë ditës së shtunë “në Spitalin Rajonal të Lezhës është paraqitur i plagosur lehtë në krah me armë zjarri Altin Marku, 31 vjeç, banues në Kallmet. Menjëherë është ngritur grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e rrethanave”.
Ndërkohë, të premten dy persona u plagosën në Shëngjin në mes të ditës nga shkëmbimi i zjarrit me armë. Dy të plagosurit janë dërguar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa banorët e Shëngjinit janë përfshirë nga paniku dhe frika. Ngjarja ka ndodhur ditën e premte rreth orës 14:30 tek Lapidari ku ka patur një përplasje me armë. Bëhet e ditur se shtetasi Gertian Malshi, 38 vjeç banues në Pllanë ka plagosur me armë gjahu shtetasen Mimoza Aliaj, 49 vjeç, banuese në Shëngjin. Në konflikt e sipër, bashkëshorti i shtetases Mimoza Aliaj, shtetasi Gëzim Aliaj, 52 vjeç ka plagosur me armë gjahu shtetasin Gertian Malshi. Policia bëri të ditur se plagosjet kanë ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.
Pritë makinës, plagoset me armë një 31-vjeçar në Lezhë
Plagosja në Kamëz, autori tentoi të vrasë gjithë punonjësit e supermarketit
Autori i armatosur dhe i maskuar që hyri me automatik dy ditë më parë në një supermarket në Kamëz, kërcënoi të gjithë punonjësit. Ai kaloi në ngushticat përmes pallateve dhe në katin e parë ndodhej supermarketi. Personi i maskuar u fut brenda, qëlloi me armë dhe doli sërish jashtë. Në këtë moment, punonjësit mbyllin derën. Autori shkon sërish në ngushticën mes pallateve dhe kthehet përsëri në supermarket, duke hapur derën me shkelm.
Në këtë moment, ai i kërcënoi të gjithë që të mos lëviznin. “Do t’iu vras të gjithëve”. Më pas qëlloi sërish me armë, duke lënë të plagosur një 19-vjeçare, e cila mori një plumb në këmbë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pasi u largua nga supermarketi, i armatosuri u përplas në trotuar me një efektiv policie, i cili kalonte rastësisht në rrugë. Autori hapi zjarr edhe ndaj efektivit, por fatmirësisht nuk e kapi asnjë plumb, ndërsa i dyshuari mundi të largohej.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë, të cilat ende vazhdojnë hetimet për të identifikuar dhe arrestuar autorin. Nga pamjet e kamerave të sigurisë, ai duket të jetë i veshur me rroba të zeza dhe atlete të vjetra.
Në minutën e fundit
Euro 2016 është turneu i golave të minutës së fundit ose në kohën shtesë. Në 21 ndeshje të luajtura deri në mbrëmjen e së premtes, 7 sfida janë përcaktuar nga rrjetat e realizuara rreth minutës së 90-të ose edhe më mbrapa. Gola në sekondat finale janë shënuar edhe në 6 ndeshje të tjera, që gjithsesi nuk kanë ndikuar për të përcaktuar fituesin, por shërbyen më së shumti për golavarazhin e skuadrave. Plot 12 gola të shënuar në fund, nga të cilët 6 kanë qenë vendimtarë.
Skuadra që ka përfituar më tepër nga kjo statistikë e veçantë e Kampionatit Europian ka qenë Franca, skuadra e vendit organizator dhe kundërshtare e Shqipërisë.
“Gjelat” fituan 2-1 në ndeshjen hapëse të turneut me Rumaninë, falë golit të Payet në minutën e 89-të. Fati ishte në krah të skuadrës së Deschamps edhe përballë kuqezinjve në Marsejë, me Shqipërinë që u mposht pas rrjetave të Griezmann në të 90-ën dhe Payet në minutën e 6 shtesë.
Anglia vuajti golin e vonë në barazimin 1-1 përballë Rusisë, me Berezincky-n që në të 92-ën i hoqi fitoren. Por, Tre Luanët u shpërblyen në derbin me Uellsin, të fituar 2-1 pas golit të Sturridge po në minutën e 92-të.
Pique shpëtoi Spanjën në ndeshjen hapëse kundër Republikës Çeke në minutën e 87-të. Pikërisht çekët arritën të barazonin 2-2 kundër Kroacisë, falë golit me 11-metërsh të realizuar nga Necid në kohën shtesë. Eder i dhuroi kualifikimin Italisë me rrjetën e minutës së 88-të, në sfidën ku të kaltërit mposhtën minimalisht Suedinë e Zlatan Ibrahimoviç.
Golat që nuk kanë ndikuar në rezultat janë ai i Pelle, në minutën e 93-të në fitoren e Italisë me Belgjikën, Schweinsteiger në të 92-ën në sfidën Gjermani-Ukrainë, rrjeta e Stieber në të 87-ën në suksesin 2-0 të Hungarisë me Austrinë dhe në fund goli i dytë i Irlandës së Veriut në fitoren me Ukrainën, nga McGinn në minutën e 96-të.
Euro 2016 në Francë është vërtet shumë taktik dhe me pak gola të realizuar, por është gjithashtu një turne që dhuron emocione deri në sekondat e fundit.
Uellsi është padyshim një prej surprizave të bukura të Kampionatit Europian. Gareth Bale, mister 100 milionëshi, vazhdon të udhëheqë skuadrën e drejtuar nga Coleman, duke shënuar dy gola në dy sfidat e para të luajtur. Ylli i Realit të Madridit cilësohet një hero në vendin e tij, aq sa kryebashkiaku i Bala-s, ka vendosur t’ia ndryshojë emrin qytezës së vogël në veri të Uellsit, duke e përshtatur me atë të sulmuesit.
Gareth Bale është paraqitur në nivelin e pritshmërive, duke qenë protagonist absolut në debutimin historik në Kampionatin Europian, ku mbetet një element vendimtar për lojën e Uellsit dhe me golat e tij. Për këtë arsye, kryebashkiaku vendosi ta vlerësojë 26-vjeçarin, duke ndryshuar germën e fundit të emrit të qytezës nga “a” në “e” dhe tashmë ajo do të quhet Bale.
Zvicra e përçarë për Xherdan Shaqirin
Xherdan Shaqiri përçan Zvicrën. Forma që ka shfaqur 24-vjeçari në dy ndeshjet e para të Euro 2016 ndaj Shqipërisë dhe Rumanisë ka hapur një diskutim të gjerë në opinionin zviceran nëse trajneri Vladimir Petkoviç duhet ta ulë në stol, për t’i treguar se ai dhe kushdo tjetër nuk e ka vendin të sigurtë në përfaqësuese. Edhe fakti që trajneri i helvetëve nuk e ka emëruar zëvendëskapiten, sipas mediave zvicerane mund të ndikojë në sjelljen e lojtarit në fushën e blertë.
Një tjetër çështje e ngritur ditët e fundit ka të bëjë me të ardhmen e Shaqirit te Zvicra. I pyetur pak ditë më parë nëse do t’i bashkohet Kosovës, mesfushori i Stoke City-t la gjithçka të hapur.
Opinioni zviceran është i dyzuar për pozicionin e Shaqirit te Zvicra. Nga njëra anë ish-kapiteni i kombëtares zvicerane, Sforca mendon se një pauzë, pra ulja në stol do t’i bënte mirë futbollistit dhe do ta kthente me këmbë në tokë.
Ndryshe nga ai ish-sulmuesi Marc Streller këmbëgul se pozicioni i Shaqirit në 11-she nuk duhet të vihet në diskutim, sepse me cilësitë e tij mund ta zgjidhë në çdo moment ndeshjen, duke cilësuar takimin e botërorit 2014 me Hondurasin, ku shënoi të tri golat e sfidës, për t’i dhuruar kualifikimin Zvicrës. Ndaj Francës në ndeshjen e fundit në Grupin A në Euro 2016, të gjithë presin të shohin Shaqirin e vërtetë, jo atë që qëndroi në hije ndaj Shqipërisë dhe Rumanisë.
Beshiktashi kërkon Berishën dhe Lenjanin
Etrit Berisha dhe Ermir Lenjani kërkohen nga Beshiktashi në Superligën e Turqisë. Portieri dhe mesfushori kuqezi, tashmë të angazhuar me kombëtaren në Francë 2016, shihen si përforcime cilësore për kampionët e saposhpallur të Turqisë, të cilët sezonin e ardhshëm do të luajnë në fazën e grupeve të Championsit.
Për këtë arsye drejtuesit e këtij klubi kanë hedhur sytë nga kombëtarja shqiptare, pasi i besojnë eksperiencës ndërkombëtare të dy lojtarëve në fjalë.
Etrit Berisha, që është pjesë e Lazios prej tre sezonesh, ka eksperiencën e mjaftueshme në Europa League, për të qenë protagonist edhe në Champions. Fakti që te Lazio vazhdon të mbetet zëvendësues i Marcchetit mund shtyjë 27-vjeçarin t’i thotë po ofertës turke.
Stançu: Shqiptarët të mirë, e dimë çfarë duhet të bëjmë
Sulmuesi i Rumanisë, Bogdan Stançu, është i bindur se kjo kombëtare mund të kalojë mes 16 më të mirave të turneut me një fitore kundër Shqipërisë. Por ai është i ndërgjegjshëm se një sukses përballë kuqezinjve nuk do të jetë aspak i lehtë, meqë skuadra e drejtuar nga De Biazi ka shumë cilësi.
“Ne e dimë se sa të mirë janë shqiptarët, sa të përkushtuar janë dhe sa lojë të fortë fizike bëjnë ata. Nga kjo pikëpamje, ne duhet të tregohemi të vëmendshëm dhe të zgjuar përballë tyre, përndryshe çështja e kualifikimit mund të kthehet në problematike”, theksoi Stançu. Rumania ka shënuar dy gola në këtë Europian, të dy falë gjuajtjeve nga pika e bardhë e penalltisë, me autor Stançu.
Rakitiç: Nuk fituam prej tifozëve
Ivan Rakitiç shënjestron ultrasit e Kroacisë pas barazimit 2-2 me Republikën Çeke. Mesfushori i Barcelonës akuzon tifozët për mungesën e fitores, pasi kundërshtarët barazuan vetëm pas ndërprerjes së lojës për shkak të hedhjes së mjeteve ndezëse në fushë, që goditën madje edhe një punonjës zjarrfikës. Për këtë episod UEFA ka nisur një procedim disiplinor. “Pas asaj që ndodhi rrezikojmë të kthehemi në shtëpi. Të shohim nëse do të mund të luajmë ndaj Spanjës. Ndoshta do të jemi të detyruar të largohemi para kohe nga ky turne për shkak të sjelljes së tifozëve tanë. Jo më kot kemi luajtur edhe me dyer të mbyllura”, u shpreh Rakitiç.
Mesfushori i Barcelonës është i bindur se nëse loja nuk do të ndërpritej, fitorja do të administrohej, pasi Kroacia në ato momente po e dominonte kundërshtarin. “Përveç 20 minutave të fundit, kemi luajtur shumë mirë. Pas ndërprerjes së ndeshjes për disa minuta, për shkak të hedhjes së mjeteve ndezëse nga tifozët tanë, e humbëm ritmin. Për sa i përket 11-metërshit, duhet t’i besojmë arbitrit, ai e pa më mirë atë episod”, tha ai.
Në ndeshjen e fundit në grup Kroacia do të përballet me Spanjën, ku duhet të shmangë humbjen për të siguruar vendin e dytë, në të kundërt, mund të rrezikojë edhe eliminiminm në varësi edhe të ndeshjeve në grupet e tjera.
Strasburgu rrëzon qeverinë: Kompensimi i pronave me çmimin e tregut
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg rrëzon qeverinë shqiptare dhe metodologjinë e saj për kompensimin e pronave në ligjin e ri të kthimit dhe kompensimit të pronave, duke kërkuar kompensimin me çmimet e tregut të pronave të Shqipëri.
Rama ka kërkuar nga Strasburgu që të pezullojë gjykimet e ankimeve të pronarëve shqiptarë dhe në të njëjtën kohë të pranojë ligjin e ri për pronat, i cili legjitimon një grabitje të re të pronave të pronarëve. Kjo kërkesë e qeverisë Rama nuk është pranuar nga Strasburgu, i cili e ka hedhur atë plotësisht poshtë, duke dhënë drejtësi mbi ligjet e së drejtës ndërkombëtare për pronat.
Në një vendim të zbardhur tashmë në Fletoren Zyrtare, Gjykata e Strasburgut ka rrëzuar metodologjinë e kompensimit të pronave për pronarët në rastet kur pronat e tyre janë truall dhe që në ligjin e ri që u miratua nga Kuvendi në shkurt të këtij viti, qeveria përcaktoi që kompensimi i tyre të bëhej si tokë bujqësore.
Ligji i ri parashikon kompensimin e tokës për zërin kadastral të vitit 1945, pavarësisht statusit që gëzon aktualisht, shkak për të cilin 30% e sipërfaqeve që sot janë troje, do të kompensohen për toka bujqësore. Por për Gjykatën e Strasburgut një gjë e tillë është e papranueshme, duke theksuar se kompensimi do të bëhet mbi bazën e ligjit të 2008-s që parashikon kompensimin real me çmimin e tregut. Vendimi, versioni final i kësaj gjykate u bë publik më 26 prill të vitit 2016, ndërsa vendimi është marrë më 7 prill të po këtij viti. Ndërsa ligji i ri i pronave është miratuar nga Parlamenti shqiptar në maj të vitit 2015.
Vlerësimi i gjykatës
Bëhet fjalë për një çështje që është shqyrtuar më 15 mars dhe të korrigjuar më pas më 26 prill të këtij viti nga Gjykata e Strasburgut gjatë shqyrtimit me dyer të mbyllura të çështjes “Karagjozi dhe të tjerët kundër Shqipërisë”, në të cilën përfaqësohen 21 pronarë. Ankuesit kërkuan 7,054,285 euro për vlerën e pronës së sipërfaqes së tokës me përmasë 640,000 m2, bazuar në hartat e vlerësimit të vitit 2013. Ata kërkuan të aplikohej çmimi i referencës prej 1,646 lekësh shqiptarë (të gjithë)/m2, siç tregohet në hartat e vlerësimit të vitit 2013. Ata parashtruan se zotëronin pesëmbëdhjetë të gjashtëmbëdhjetat e tokës me përmasë 640,000 m2.
Ata kërkuan 315,000 euro për dëmin jo monetar. Qeveria bëri të njëjtat parashtrime si ato të përmbledhura në vendimin e kësaj gjykate në çështjen Sharra dhe të tjerët. Duke pasur parasysh faktin se, në kohën e konfiskimit, sipërfaqja e tokës kishte qenë bujqësore, qeveria propozoi se bazuar në hartat e vlerësimit të vitit 2014, duhej zbatuar çmimi i referencës për tokën bujqësore. Duke qenë se zona kadestrale ku pozicionohej prona nuk pasqyronte ndonjë çmim reference për tokën bujqësore, duhet të zbatohet çmimi i referencës për tokën bujqësore për një zonë tjetër kadastrale më të afërt, që është 281 të gjithë/m2.
Qeveria konfirmoi se ankuesit kishin të drejtë mbi pesëmbëdhjetë të gjashtëmbëdhjetat e pronës. Gjykata shqyrtoi të njëjtat parashtrime të bëra nga palët në vendimin e saj në çështjen Sharra dhe të tjerët. Gjykata arriti në përfundimin se dëmi monetar duhet të përcaktohet bazuar në hartat e vlerësimit të pronës të vitit 2008 (sipas vendimeve të ngjashme: Sharra dhe të tjerët; Manushaqe Puto dhe të tjerët; dhe Vrioni dhe të tjerët kundër Shqipërisë (kompensim i drejtë), nr. 35720/04 dhe 42832/06, §§33–39, 7 dhjetor 2010). Gjykata nuk gjen asnjë arsye për t’u distancuar nga këto gjetje.
Gjykata vëren se autoritetet njohën të drejtën e ankuesve për kompensim në lidhje me tokën e ndërtimit dhe jo për tokën bujqësore, siç u kundërshtua nga qeveria. Në lidhje me materialin në pronësi të saj, gjykata e shikon të arsyeshme t’u akordojë ankuesve 5,919,000 euro për dëmin monetar dhe jomonetar.
Faktet e çështjes
Lidhur me faktet e çështjes në fjalë, gjykata vëren se më 28 korrik 2006, Komisioni i Vlorës, midis të tjerave, i njohu ankuesve të drejtat për pronë të trashëguar për një sipërfaqe toke me përmasat 640,000 m2. Duke qenë se sipërfaqja e tokës ishte e zënë, ankuesit do të kompensoheshin në një nga mënyrat e parashikuara me ligj. Komisioni pohoi se toka kishte ndryshuar natyrën, nga tokë bujqësore në tokë për ndërtim.
Një shënim me shkrim dore nga kryetari i komisionit deklaron se, vendimi u bë i formës së prerë më 2 tetor 2006. Më 18 shkurt 2013, me kërkesë të ankuesve për të marrë informacion nëse prona e tyre ishte ende e zënë, Ministria e Drejtësisë konfirmoi se toka ishte e zënë nga ushtria. Por deri më sot, thekson gjykata, nuk është paguar asnjë kompensim ndaj pronarëve. Për sa i përket gjetjeve të saj në çështjet e mëparshme kundër Shqipërisë, për të cilat qeveria nuk paraqiti ndonjë argument për të garantuar distancimin e saj nga to, gjykata konstaton se moszbatimi i vendimeve vendase të formës së prerë për kaq shumë vite nga ana e autoriteteve vendase, shkelte të drejtat e ankuesve.
Gjithashtu, gjykata arrin në përfundimin se nuk ka pasur dhe se vazhdon të mos ketë asnjë kompensim efikas vendas që do të mundësonte një korrigjim të përshtatshëm dhe të mjaftueshëm për mozsbatimin e tejzgjatur të vendimeve vendase të formës së prerë, të cilat akordonin kompensim.
Dosja e çështjes Karagjozi dhe të tjerë kundër Shqipërisë
Sipas dosjes së çështjes, rezulton se në shkurt 2013, ankuesit paraqitën një kërkesë për informacion tek autoritetet. Një letër e datës 7 nëntor 2014, nga drejtori i AKKP-së, e cila u dorëzua nga qeveria dhe pohonte se dosja e një çështje të re me nr. 404, e datës 5 maj 2011, lidhur me vendimin e Komisionit të datës 28 korrik 2006, kishte mbetur pezull për t’u shqyrtuar, nuk mund të përbënte provën e duhur se procedimet kishin mbetur pezull në mungesë të dokumenteve mbështetës.
Qeveria nuk mundi të mbështetej në këtë deklaratë dhe të dorëzonte bazë të mjaftueshme të dhënash në vërejtjet e saj të mëtejshme, më 12 janar 2015. Më tej, qeveria përsërit se në vitin 2010 dhe 2011, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një sërë parashikimesh të Aktit të Pronës të vitit 2004, të ndryshuara, duke e autorizuar drejtorin e agjencisë të rishqyrtonte vendimet anuluese dhe shfuqizuese ex-officio të komisionit.
Në të tilla rrethana, gjykata mendon se vendimi i komisionit i datës 28 korrik 2006, për të cilin ankohen ankuesit, mbetet i pandryshuar dhe i pazbatuar nga qeveria shqiptare. Për këtë arsye, gjykata e hedh poshtë këtë kundërshtim dhe gjykon se çështjet e ngritura nga ky ankim janë objekt i praktikës gjyqësore të mirëthemeluar. Po ashtu, gjykata vëren se qeveria nuk i diskutoi cilësitë e pakënaqësive të ankuesve.
Ankuesit
Ankuesit kërkuan 7,054,285 euro për vlerën e pronës së sipërfaqes së tokës me përmasë 640,000 m2, bazuar në hartat e vlerësimit të vitit 2013. Ata kërkuan të aplikohej çmimi i referencës prej 1,646 lekësh shqiptarë (të gjithë)/m2, siç tregohet në hartat e vlerësimit të vitit 2013. Ata parashtruan se zotëronin pesëmbëdhjetë të gjashtëmbëdhjetat e tokës me përmasë 640,000 m2. Ata kërkuan 315,000 euro për dëmin jomonetar.
Lidhjet e Sacra Corona Unita me trafikun e drogës në Shqipëri
Pak kohë para se të dënohej në Itali për lidhje me organizatën mafioze Ndrangheta, Amedeo Matacena, një ish-deputet i partisë së Silvio Berlusconit i hodhi sytë drejt Shqipërisë për të investuar miliona euro në projekte biznesi. Në korrik 2014, Drejtoria e Hetimeve të Antimafias në Itali, DIA zbuloi në paradhomën e Matacenas projekte mbi një linjë hidrocentralesh të vogla në Gomsiqe të Pukës, për të cilat ish-politikani kontrovers kishte shfaqur interes që prej fillimit të vitit 2012. Projektet u zbuluan në kuadër të një hetimi që Antimafia po kryente ndaj ish-ministrit Claudio Skajola dhe bashkëshortes së Matacenës, Chiara Rizzo- kjo e fundit e akuzuar edhe se po shtynte përpara projektet e të shoqit, në përpjekje për të fshehur dhe pastruar pasuritë që rrezikonin të sekuestroheshin. Një prej këtyre investimeve ishte tentativa e parealizuar për të blerë prej koncesionarit shqiptar rreth 79 për qind të aksioneve të një linje hidrocentralesh të vogla që do të prodhonin 20 MW energji, në Gomsiqe të Pukës. “Rizzo dhe Matacena po çonin përpara një projekt për një hidrocentral në Shqipëri”, dëshmoi sekretarja e Matacenas për DIA, sipas hetimit të publikuar nga “Corriere della Calabria”. Plani i Matacenës për investime në projekte energjetike nuk është i vetmi rast ku bashkëpunëtorë apo segmente të mafias italiane e projektojnë Shqipërinë si një “lavatriçe” të parave të tyre të pista. Të paktën në 5 raste, autoritetet shqiptare kanë bërë arrestime apo sekuestrime për llogari të kolegëve italianë, duke goditur anëtarë të Sacra Corona Unitas dhe Ndrangheta-s dhe bllokuar pasuri të tyre, të investuara në Shqipëri. Gjurmët e këtij fenomeni shtrihen thellë në kohë, prej vitit 1998, kur një raport i Departamentit amerikan të Shtetit vinte në dukje se prokurorët shqiptarë ishin asokohe të shqetësuar për aktivitetin e bosëve të mafias italiane, të përfshirë në trafiqe në Shqipëri. Një dekadë më pas, Shërbimi Informativ Shtetëror raportonte se mafia italiane “kishte shënjestruar kumarin, bastet, kazinotë…”. Fabian Zhilla, studiues i çështjeve të sigurisë dhe autor i “Tërheqja fatale, krimi i huaj në Shqipëri” i referohet një raporti të SHISH të vitit 2010 për përqendrimin e krimit të organizuar në Shqipëri. “Sektorët më të rrezikuar nga rritja dhe përqendrimi i krimit të organizuar janë turizmi, pronat, ndërtimi dhe energjia alternative”, citon Zhilla në raportin e SHISH.
Pesha e krimit shqiptar
Interesi i mafias italiane për vendin e vogël përtej detit Adriatik u zgjua një dekadë pas njohjes dhe lidhjes së pakteve me grupet shqiptare që emigruan drejt Italisë në fillim të viteve ‘90. Sot shërbimi italian i Antidrogës vlerëson se shqiptarët kontrollojnë një pjesë të majme të tortës së trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. “BIRN” siguroi dosjet voluminoze të 10 hetimeve të përbashkëta italo-shqiptare, nga viti 2000 deri në vitin 2015, të cilat tregojnë sofistikimin e grupeve kriminale shqiptare dhe lidhjen e tyre të ngushtë me segmente të mafias, fillimisht në tokën italiane. Të dhëna të ngjashme mbi “lidhjet e ngushta” sugjerojnë edhe raportet e vitit 2015 të Antimafias italiane, DIA dhe shërbimit të Antidrogës, DSCA. “Grupet kriminale shqiptare dhe Ndrangheta gjenden bashkë thuajse në çdo operacion të madh të trafikimit të narkotikëve”, thotë raporti i DSCA. Suksesi i grupeve kriminale shqiptare- sipas Antidrogës italiane qëndron tek fleksibiliteti dhe aftësia e tyre për t’u infiltruar mes grupeve të tjera ndërkombëtare me peshë në trafikun e narkotikëve. Sipas tyre, shqiptarët janë sot për sot të vetmit që marrin përsipër operacione të ndërlikuara të shkarkimit të drogës nga konteinerët në portet e Europës së Veriut ku grupet mafioze nuk janë kaq të sofistikuara. Megjithatë, krimi i organizuar shqiptar nuk ka pasur të njëjtin reputacion dy dekada më parë në Itali, kohë që shënon edhe tranzicionin e tyre nga shfrytëzimi i prostitucionit në trafikun e lëndëve narkotike. “BIRN” analizoi dosjen hetimore të operacionit të koduar “Harem”, i cili zbuloi mënyrën sesi grupet kriminale shqiptare arritën t’u imponoheshin organizatave mafioze në Itali, duke vendosur lidhje “kontraktuale” me to. Hetimet për operacionin “Harem” nisën në vitin 2000 nga policia italiane, e cila bashkëpunoi edhe me autoritetet shqiptare të hetimit. Në vitin 2005, 80 persona të përfshirë në trafik armësh, droge, klandestinësh dhe shfrytëzim prostitucioni përfunduan në pranga. Hetimi zbuloi ekzistencën e një pakti mes “ndrinës Abbruzzese”, pjesë e Ndraghetas me bazë në provincës e Cosencas, që kishte bërë me shqiptarët e grupit “Harem”. Sipas dosjes, italianët blinin nga shqiptarët hashash dhe armë me çmime të favorshme dhe në këmbim u jepnin territor për shfrytëzimin e prostitucionit. Antonio Nicaso, ekspert mbi aktivitetin e Ndragheta dhe autor i një serie librash mbi mafian që prej fundit të viteve ‘80 i tha “BIRN” se aftësia e grupeve shqiptare për të siguruar armë pas trazirave të vitit 1997 u dha atyre mundësinë që të krijonin lidhje me grupe të mafias në zona të ndryshme të Italisë. “Grupet e Ndrangheta-s kishin nevojë për armë, shumë armë, për shkak të një gjendje gatishmërie për luftë me autoritet apo mes njëra-tjetrës. Kjo ishte arsyeja pse ata bashkëpunuan me grupet kriminale shqiptare në krye të herës”, tha Nicaso për “BIRN”. “Këta i furnizonin me armë dhe municion në këmbim të zonave të lira për shfrytëzim prostitucioni”, shtoi ai. Përveç depozitave me armë në Shqipëri, grupet kriminale shqiptare shfaqën edhe avantazhe të tjera për t’u bërë të dobishëm për mafian italiane. Adnan Xholi, drejtor i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme i tha “BIRN” se, për shkak të funksionit të tyre horizontal, grupet kriminale shqiptare nuk e patën problem të ndërronin “organizatë apo bos”, si dhe nuk u përfshinë në rivalitete për territore. “Bandat në Shqipëri nuk e kanë problem të jenë dy apo tri në të njëjtin qytet, pasi ecin me parimin se ka vend për të gjithë”, tha Xholi për “BIRN”. Xholi, i përfshirë edhe në hetimet për operacionin “Kanun” në vitin 2004 në Itali argumentoi megjithatë se grupet shqiptare nuk ruajnë të njëjtën tolerancë në negociatat e pazareve mes tyre apo në kontrollin e anëtarëve të organizatës. Hetimet që udhëhoqën realizimin e operacionit “Kanun”- sipas Xholit treguan se dëshmitë për dhunën ndaj vajzave të shfrytëzuara apo rivalëve në trafik ishin ekstreme. “Grupet shqiptare jashtë vendit janë të dhunshme; ata në fillim të qëllojnë dhe pastaj mund të negociojnë paqe, duke e vendosur rivalin në pozita inferiore”, thotë kreu i hetimit. E megjithatë, Xholi mendon se grupet shqiptare nuk janë shumë të zgjuara në komunikim, ndaj edhe bien shpejt në rrjetë. Në dosjen e vitit 2004 të operacionit “Kompas”, përgjimet mes një personazhi të identifikuar si Genti dhe një vajze të njohur si Irma i japin të drejtë gjykimit të prokurorit. “A i more ato? Atë librin në komo… atje.. Ule poshtë… Sill një fletë e gjysmë”, i thotë Genti vajzës.
“Strehë” për mafiozët
Ndryshe nga Italia ku shqiptarët kanë lidhje të ngushta me Ndrangheta-n, në Shqipëri grupi mafioz me prezencë më të madhe është Sacra Corona Unita (SCU), e njohur ndryshe edhe si mafia puljeze. Rasti i parë i regjistruar i këtij aktiviteti është arrestimi në korrik të 1998 i Xhuzepe Muolos (Giuseppe Muolo), i njohur si “Pinuçio” dhe i dënuar si anëtar i Sacra Corona Unitas, mafia puljeze, i cili ishte fshehur në Tiranë. Muolo u ekstradua pak muaj më vonë drejt Italisë, por prania e tij u dha një provë të re dyshimeve të prokurorëve shqiptarë dhe agjentëve të SHISH për shënjestrimin e Shqipërisë nga bosët e mafias italiane. Të vendosura gjeografikisht përballë Shqipërisë, grupet kriminale puljeze, SCU kanë sipas autoriteteve italiane edhe lidhjet më të forta me grupet e krimit nga Shqipëria. Influenca e tyre në Itali ka rënë prej goditjeve të njëpasnjëshme të autoriteteve italiane, megjithatë SCU vazhdon të kontrollojë një pjesë të tregut të marijuanës dhe kokainës në Itali, falë lidhjeve të kolauduara me krimin shqiptar. Krimi i organizuar puljez është plotësisht operativ në trafikun e narkotikëve që vijnë nga Shqipëria, kryesisht marijuanës ose si për rastin e kokainës përfitojnë nga lidhjet tashmë të kolauduara me organizatat kriminale shqiptare, thotë Antidroga italiane në raportin e 2015. Pas arrestimit të Muolos, policia shqiptare arrestoi në vitin 2002 tre anëtarë të tjerë të SCU, Donato di Tano, Francesko Sabatelli e Mimi Vinci. Të tre u arrestuan për trafik të narkotikëve, së bashku me disa bashkëpunëtorë shqiptarë në një lokal pranë plazhit në Durrës. Di Tano e kishte zhvendosur aty aktivitetin e tij të trafikut të drogës. Në lokalin e tij u kapën më shumë se 7 kg heroinë, ndërsa ai më vonë u bë i penduar i drejtësisë italiane. Tetë vjetë më vonë, në shtator të 2010-s Shqipëria arrestoi Albino Prudentinon, sërish shef i Sacra Corona Unitas dhe vuri në sekuestro tri biznese të tij, të lidhura kryesisht me bastet dhe kazinotë. Gjykata për Krimet e Rënda vendosi më pas konfiskimin e pjesëve të Prudentinos në dy kazino, një kompani të basteve sportive dhe rreth 31 milionë lekë kapital të zhvendosur në Shqipëri, që i përkisnin bosit të SCU. Ortaku i tij në biznes ishte një shqiptar i lidhur ngushtë me politikën e qendrës së djathtë, asokohe në pushtet. Prokurori Adnan Xholi shpjegon se kjo ka qenë skema e përdorur nga grupet shqiptare që emigruan në Itali dhe që u përqafua më pas nga segmente të mafias italiane që mbërritën në Shqipëri. “Është njësoj si dikush që shkon mik në shtëpinë e tjetrit”, shpjegon ai, “I duhet dikush ta prezantojë me mjedisin dhe kontaktet”. Të gjitha rastet e hetimeve të autoriteteve italiane për grupet mafioze italiane në Shqipëri kanë përfshirë edhe shqiptarë si ortakë të tyre. Shqipëria vetë nuk ka kryer hetime mbi praninë e bosëve apo ushtarëve të klaneve mafioze italiane në këtë anë të Adriatikut, megjithëse në më shumë se një rast lidhjet e personave të ndaluar në Shqipëri gjendeshin pranë politikës. Luciano Nocera- i penduar i Ndranghetës, dëshminë e të cilit “BIRN” e disponon duket madje i vënë në dijeni për lëvizjet politike në Tiranë. Përballë një prokuroreje italiane, ai rrëfen se, “një politikan shqiptar i kishte dërguar një makinë, e cila do të përdorej me gjasë në trafikun e drogës”. “…sepse më pas do të na jepte rrugët për të bërë që të vinte marijuana këtu, doktoreshë. Sepse në Shqipëri… Pastaj do të digjeshin të gjitha plantacionet”, i thotë ai prokurores që po e merrte në pyetje.
Kthimi i investimit
Domenico Papalia- përfaqësues në arrati i një tresheje ndrinash të lidhura me Ndrangheta-n ndoqi shembullin e ish-deputetit italian, Amedeo Matacena në projektimin e Shqipërisë si vendin e duhur për investimin e parave të tij. Ndryshe nga Matacena, ai e vuri në jetë planin e tij të biznesit duke investuar disa qindra mijë euro në një kompani të tregtisë së arit në Tiranë. Papalia i datëlindjes 1983 përmendet si pjesë e të ashtuquajturës “aleancë mes “ndrinave” “Papalia-Barbaro-Sergi” në raportet e Antimafias italiane. Megjithëse krerët e grupit janë prej vitesh në burg, ata shkaktojnë ende frikë dhe “askush nuk ua përmend emrat”. Një pjesë e tyre janë të dënuar përjetë për krime të rënda në Lombardi dhe zona të tjera të Italisë, por ata ende ndiqen prej policisë dhe dyshohet ushtrojnë aktivitet, përfshi trafikun e drogës në një sërë vendesh dhe kanë bazë në Australi e SHBA. Në Tiranë, Domenico Papalia u ngjit në majën e piramidës së një grupi biznesi, të quajtur Stargold Albania shpk dhe investoi disa qindra mijëra euro në një dyqan floriri. E sinjalizuar nga Interforza më 21 prill 2016, Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Tiranës vendosjen e sekuestros preventive mbi llogaritë bankare dhe asetet e Stargold Albania shpk, e dyshuar për lidhje me Ndrangheta dhe për pastrimin e parave të saj. Sipas raportit për sekuestrim të dorëzuar në gjykatë, problemet për Stargold filluan në tetor të 2015, kur Domenico Papalia, i shpallur në kërkim si pjesë e Ndrangheta-s u bë aksioner i kompanisë. “Sipas kontratës për shitjen e kapitalit dt. 20.10.2015 rezulton se ortak i ri i shoqërisë Stargold Albania shpk është bërë shtetasi italian Domenico Papalia, i cili ka blerë rreth 30% të kapitalit. Sipas informacionit policor rezulton se ky shtetas italian është pjesë e grupit kriminal Ndrangheta Itali”, thuhet në vendimin për caktimin e masës së sigurimit në Gjykatën e Tiranës.
Biznesi kërkon ulje taksash!
-Jeni njohur me draftin e ri të propozuar nga Ministria e Financave për thjeshtimin e procedurave për biznesin? Si ju duket?
Ky draft ka ardhur në kohën e duhur, ne kemi gjashtë muaj që jemi marrë dhe kemi propozuar procedurat për këtë draft. Këtë risi ne e përshëndetim, por nga ana tjetër ne kemi kërkesat tona. Thjeshtimi i procedurave është njëra anë e problemeve që kemi, por mbi të gjitha ne kemi probleme më themelore se ndryshimi dhe thjeshtimi i procedurave, të cilat duhet të pasqyrohen atje. Jemi të bindur që do të merren parasysh kërkesat tona. Këto kërkesa janë bërë sot e tre vite më parë, nuk janë të reja për qeverinë. Ne duam ulje të tatimit mbi fitimin, që është një kërkesë permanente e prodhuesve shqiptarë dhe po ashtu kërkojmë edhe ulje të dividentit. Nuk e kërkojmë këtë se jemi tekanjozë dhe duam të pasurohemi, e kërkojmë, sepse duhet të jemi konkurrues në tregun rajonal, pasi vetëm këto dy vlera, të mos vazhdojmë me energjinë elektrike e taksat vendore, na kanë rritur 45% koston e produktit që nxjerrim dhe kemi dalë tashmë jashtë tregut. Mendoni një treg i cili matet me qindarka për njësi, je konkurrues me 0.1 euro më shumë apo më pak, se sa jashtë tregut je. Kjo nxjerrje jashtë tregut është mënyrë artificiale. Nuk është nxjerrë nga tregu prodhuesi shqiptar, as nga cilësia e produktit, as nga llojshmëria e tij, as nga afatet e lëvrimit, as nga çmimi real i kostos. Ne jemi nxjerrë pikërisht nga kosto indirekte, që janë absurde dhe do të luftojmë deri në fund që këto kosto të venë të paktën në nivelin rajonal.
-Si ju duket niveli i gjobave dhe penaliteteve që është propozuar këtë herë?
Jemi njohur dhe me të vjetrin dhe me të riun. Të vjetrin ne e kemi kundërshtuar. Unë kam qenë ai që kam thënë që nuk ka për t’u zbatuar. Arsyeja ka qenë shumë e thjeshtë, gjobat ishin të pakuptimta. Gjoba në vetvete nuk është masë për të mbledhur para, gjoba është detyrim financiar për të zbatuar ligjin. Në Shqipëri është për të ardhur keq, por gjoba shihet si një masë për të mbledhur para. Akoma nuk kuptohet. Kështu nuk bëjmë gjë tjetër vetëm çedukojmë tatimpaguesin dhe qytetarin. Ka ardhur koha që në Shqipëri gjoba të jetë si në çdo vend të botës: të edukojë me forcë të zbatosh ligjin. Por jo ta rritësh në një vlerë ndëshkuese marramendëse dhe të pushosh kuptimin e saj. Nëse ky raport prishet, do të ndodhë kjo që ndodhi, ka dhe gjykata, ne jemi shtet demokratik, e cila e rrëzon poshtë dhe tashmë t’i duhet të vish në normalitet. Unë habitem pse ndodh kjo në Shqipëri, sepse përvoja e shumë shteteve të tjera, të atyre ku ne duam të integrohemi e ka shumë të saktë dhe ne mjafton që t’i kopjomë dhe t’i shohim si zbatohen aty dhe çdo gjë do të funksiononte normalisht.
-Mendoni se është një kthim pas në kohë, apo një “ndjesë e fshehtë” ndaj sipërmarrjes?
Ne jemi të prirë të besojmë se qeveria është maturuar për sjelljen që duhet të ketë me biznesin. Ne duhet të pranojmë se një nga goditjet më të mëdha që mori biznesi ishte tek atmosfera e të bërit biznes në Shqipëri, e cila ishte goditur rëndë gjatë kësaj periudhe. Nuk do ta quaja kthim mbrapa, por korrigjim.
“Kulaçi dhe kërbaçi” i qeverisë
Ka qenë fillimisht kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Craword, i cili ironizoi aksionin e qeverisë në shtator me shprehjen e famshme “shkopi dhe karota”. Arjan Kadareja, profesor i Financës, thotë se në Shqipëri ne themi që ka “kulaç dhe kërbaç”. Këto të dyja, këshillon ai, duhet të përdoren me kujdes dhe në të njëjtën kohë.
-Cilat mendoni se janë pikat më pozitive të paketës së re për shkurtimin e procedurave të biznesit?
Mua më duket ambicioze kjo paketë fiskale, mirë do të ishte që të fillonte që kur nisi aksioni antiinformalitet, sepse është më kredibël, gjithsesi më mirë vonë se kurrë. Synohet që të lehtësohen procedurat e biznesit, dhe këtu janë dhe ato të falimentimit. Synohet që biznesi të ketë mundësi ankimimi dhe Drejtoria e Avokatit të Tatimpaguesit do të ketë një pavarësi më të lartë, pasi do të jetë në varësi të Ministrisë së Financave. Po synohet që gjobat që vendosen të jenë proporcionale me dëmin e shkaktuar, ndryshe nga ligji që u kthye nga Gjykata Kushtetuese. Synohet që të bëhet rimbursim më i shpejtë i TVSH-së dhe për më shumë biznese. Një gjë shumë të rëndësishme që do të konsideroja janë kontrollet e paralajmëruara. Biznesi paralajmërohet për kontrollin që i bëhet, i lihet mundësi vetëkorrigjimi deri në 5 vite. Krijohen lehtësira, të cilat në thelb synojnë të përmirësojnë klimën.
-A u gabua më parë? E shihni këtë nismë si një “tërheqje” të qeverisë?
Aksioni nisi me theksin në anën shtrënguese dhe u neglizhua ana stimuluese që biznesi, edhe nëse kishte bërë gabime apo shkelje më parë, t’i deklaronte ato e më pas të niste të paguante taksat rregullisht. Në shtator nuk u vu theksi te formalizimi vullnetar. Në këtë paketë, pikërisht kjo shikohet, dhënia e mundësive për vetëkorrigjim dhe jo dënimit, ndëshkimit, shtrëngimit. Masat që merren, masat që synohen, janë në thelb pozitive. Me këtë i arrin të dyja: klimën e biznesit dhe formalizimin e ekonomisë. Sepse të dyja duhet të ishin marrë në të njëjtën kohë edhe masat shtrënguese, por edhe falja, stimulimi. Fakti tregoi që aksioni antiinformalitet pati rezultate në formalizim, por përkeqësoi klimën e biznesit. Me këtë paketë po vihen në vend disa gabime të tepruara gjatë aksionit antiinformalitet.
-Sa do të reflektojë kjo marrëdhënie e re që synohet të krijohet me biznesin te mbledhja e taksave?
Këto masa nuk ndikojnë për keq mbledhjen e taksave nga qeveria, përmirësojnë klimën dhe kështu rritet ekonomia, dhe po pati rritje e zhvillim patjetër që rritin nivelin e të ardhurave në buxhet. Të ardhurat e qeverisë nuk varen nga gjobat që merren, por nga eficenca e Administratës Tatimore.
Lufta dhe paqja antiinformalitet
Qeveria nisi në shtator një fushatë të madhe kundër biznesit që bënte evazion. Kjo është “luftë” – do të deklaronte kryeministri në atë kohë, teksa u vendosën gjoba dhe sanksione shkatërruese për bizneset, që për fat të mirë ishin në fuqi për pak javë. Vetëm disa muaj më vonë, ajo që ka ngritur flamurin e bardhë është pikërisht, ajo që e shpalli luftën: qeveria. Gjobat u ulën, paketa e re fiskale do të përqendrohet në thjeshtimin e procedurave. Por dëmi tashmë është bërë dhe biznesi nuk “gënjehet” me kaq.
Formalizimi i 700 milionë dollarëve që shqiptarët luajnë për vit në pikat e basteve, arkëtimi i parave të energjisë elektrike dhe rimëkëmbja e këtij sektori me një faturë 150 milionë dollarë, mbledhja e 200 milionëve të tjerav në sektorin e naftës e po kaq do të dilnin edhe nga aksioni antiinformalitet ishin pikat e forta, ku u mbështet në fundvitin 2013 programi për të ndryshuar Shqipërinë. Të gjitha këto shifra, nëse do të mblidheshin, bashkë do të bënin një shumë dhe vendi ynë minimalimisht nuk do të duhej të merrte më borxh. Por përtej debateve se cili nga aksionet ka qenë më i suksesshmi, fushatat e qeverisë në vitet e fundit kanë qenë të panumërta dhe në shumë raste kanë shfaqur pakënaqësi te biznesi. Aksioni më i kontestuar është ai i muajit shtator 2015. Kontrolli i vazhdueshëm dhe vënia e gjobave ndaj sipërmarrjes nuk solli asgjë tjetër në buxhet, përveç ca raporteve më shumë nga shoqata të ndryshme se klima po përkeqësohet. Të ardhurat nuk arritën të realizohen deri në fund të vitit, e ndërsa në muajin nëntor qeveria hoqi taksën për biznesin e vogël dhe u orientua në kontrollin me bazë risku të bizneseve të mëdha. Kjo shënoi një “kthesë” në marrëdhënien që shteti nisi të krijojë me biznesin, i cili njëherë dilte si “hajduti” e herë të tjera si “shpëtimtari”.
Por edhe pse jo shumëkush e besoi kur u prezantua, së fundmi ministri i ri i Financave përmendi një fazë të re të aksionit antiinformalitet. Në këtë prezantim, përkrah tij, qëndronte edhe kryeministri Edi Rama. Tonet ishin më të zbutura dhe qeveria parashtroi për të gjithë një plan të ri të luftës kundër evazionit. Faza numër 2, ishte përmendur dhe më parë, por programi dhe mënyra e kontrollit ndryshonin.