Me një mocion mosbesimi në Parlament të zv.kryeministrit Tomislav Karamarko, Kroacia mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, gjë që mund të shtyjë reformat e rëndësishme të nevojshme për të zbutur deficitin e buxhetit, thonë ekspertë të ekonomisë. Pasi revista javore ‘Nacional’ raportoi që në fillim të muajit se bashkëshortja e Karamarko-s, Ana Sariç Karamarko, kishte marrë mbi 60.000 euro nga një lobist për kompaninë hungareze të energjisë MOL – me të cilën Kroacia ka një mosmarrëveshje ndërkombëtare – Partia Opozitare Social Demokrate, SDP, ka parashtruar një mocion mosbesimi para dy javësh kundër Karamarko-s. Mundësia e zgjedhjeve të parakohshme u afrua më tepër javën e kaluar, pasi zv.kryeministri tjetër, kreu i partisë MOST, Bozo Petrov, bëri të ditur se deputetët nga partia e tij do të votojnë kundër Karamarko-s. Në seancën e radhës të qeverisë, të gjashtë ministrat e MOST-it dhe vetë Petrov votuan kundër Karamarko-s, ndërkohë që 14 ministrat dhe Karamarko – nga qeverisja kryesore Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ – së bashku me kryeministrin pa parti, Tihomir Oreskoviç, votuan për t’i dhënë besim Karamarko-s. Me kabinetin të ndarë në mënyrë të rrezikshme, Kroacia ka gjasa të ketë zgjedhje të parakohshme në shtator. Eksperti i ekonomisë Damir Novotny, tha për BIRN-in se zgjedhjet e parakohshme, megjithatë, do “të vonojnë zbatimin e programit të reformës kombëtare për nxitjen e aktivitetit ekonomik”. Ai kujtoi se qeveria kishte paraqitur para Komisionit Europian një grup reformash për konsolidimin e buxhetit, duke vënë në dukje se reformat kyçe duhet të zbatohen brenda vitit 2017. Ai shpjegoi më tej se këto parashikojnë shkurtime të konsiderueshme në shpenzimet publike, pasi borxhi publik i Kroacisë ka arritur në 90% të PBB-së vjetore. Sipas Novotny, çdo qeveri, qoftë aktualja apo një e re, do të duhet të zbatojë masa të tilla për të shmangur sanksionet e BE-së. Me futjen në BE në korrik 2013, Kroacia mbylli vitin me një deficit buxhetor prej 4.9% të PBB-së vjetore, pas së cilës vendi hyri në një deficit të tepruar buxhetor – një mekanizëm korrigjues i BE-së, që përfshin kryerjen e reformave strukturore të shpenzimeve publike.
Qeveria që nuk e meritojmë

Florian PAPADHIMITRI
Largimi nga puna është një nga format me të liga dhe më poshtëruese të hakmarrjes. Motivimi për t’u hakmarrë në këtë mënyrë gjendet gjerësisht tek qeveri të korruptuara, të cilat pushtetin politik e përdorin si mjet për të kënaqur vetëm interesat e tyre dhe të grupit politik që përfaqësojnë. Në mënyrë madhështore, George Orwell e ka përshkruar këtë gjendje të qeverisë në librin e famshëm “1984”, kur shkruan: “Partia e kërkon pushtetin vetëm për hir të tij. Ne nuk jemi të interesuar për të mirën e të tjerëve. Pushteti nuk është mjet, ai është qëllim”.
Unë e kam provuar drejtpëdrejt këtë gjë siç e kanë provuar dhe po e provojnë qindra e mijëra shqiptarë të tjerë. Thoma Papadhimitri, babai im i cili për thuajse katër dekada ka shërbyer si specialist e drejtues në institucione të ndryshme e në administratë, u pushua nga puna nga qeveria e tashme. Kjo ngjarje që na shqetësoi seriozisht ne si familje ndodhi në nëntor të vitit 2013, vetëm fare pak javë, pasi qeveria e majtë kishte ardhur në pushtet. Qeveria duhet thënë që e nisi paraqitjen e saj para shqiptarëve, duke lajmëruar në Kuvend se në lidhje me dhunën e pretenduar nga opozita se po ushtrohej ndaj saj, “ajo nuk kishte parë gjë akoma”.
Në tetor të 2013, menjëherë pas ndërrimit të qeverisë, ndërroi dhe Këshilli Mbikëqyrës dhe drejtuesit e lartë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, ku prej thuajse 6 vitesh im atë punonte si specialist Audit i Brendshëm. Menjëherë pas këtij ndërrimi, me një shpejtësi të rrufeshme nisi dhe largimi me përdhunë i specialistëve dhe punonjësve. Në pak ditë, me një formë të pa precedent u urdhëruan të linin zyrat dhe vendet e punës rreth 60 punonjës të Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Vendimi urdhërues ishte plotësisht në shkelje me ligjet dhe vendimet në fuqi, çka e bëri të qartë motivin hakmarrës të këtij largimi.
Babai im, sot 62 vjeç ka shërbyer si specialist e drejtues për vite të tëra në regjimin (qeverinë) totalitar të komunizmit, padyshim nën presionin e luftës së klasave, por ka mundur të punojë dhe përparojë në profesionin e tij. Pas rënies së komunizmit, ai nuk u përndoq nga asnjë administratë, përkundrazi shërbeu si shumë të tjerë, dhe aq sa e njoh tim atë dhe me aq herë sa e kam parë të përkushtuar dhe shqetësuar për çështjet e punës edhe në shtëpi, kam kuptuar dhe jam i bindur që ai ka dhënë më të mirën e tij, si njeri dhe si profesionist. Jo vetëm qeveria e Partisë Demokratike që erdhi në pushet në vitin 1992 nuk e zboi nga puna, por edhe qeveria Socialiste e ardhur në pushtet në vitin 1997 nuk ndërrmori ndaj tij apo ndaj shumë kolegëve të tij sulme dhe nisma dëbimi nga puna. Që prej nëntorit të vitit 2013, gjithë familja ime u përball me mbijetesën dhe me pamundësinë për të patur një shans pa u diskriminuar politikisht.
Babai si njeri që gjithë jetën ka besuar tek e drejta i kërkoi Gjykatës të vendoste të drejtën në vend, ta cilësonte të paligjshëm shkarkimin dhe ta dëmshpërblente për dëmin që në këtë rast përkthehej betejë për mbijetesë pas dekadash të tëra pune. Këtë shkrim nisa ta shkruaja që në nëntor të 2013, por si gazetar dhe “monitorues” i lajmeve, ngjarjeve e dijenisë se si trajtohen shumë çështje në Shqipëri, si dhe duke njohur mënyrat e format e hakmarrjes vendosa që të mos e botoja menjëherë. Publikimi i këtij shkrimi ka qenë i pamundur deri më tani për shkak se çështja ishte në gjykim dhe kam bindjen se, qoftë dhe një radhë denoncim do të bënte që Gjykata të mos vendoste kurrë në favor të të drejtës së Thoma Papadhimitrit.
Në 19 majin e shkuar, Gjykata e Lartë vendosi të shpallë të paligjshëm vendimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit të energjisë, një kompani në pronësi të qeverisë, për të pushuar nga puna Thoma Papadhimitrin. Një vendim të tillë e kishin marrë më herët edhe Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Shkallës së Dytë. Ishte këmbëngulja e avokatëve të qeverisë për të legjitimuar me çdo kusht vendimin e tyre të shkarkimit që bëri që çështja të shkonte deri në Gjykatën e Lartë. Sot, kur gjithë këto shkallë të gjyqësorit i kanë dhënë të drejtë babait dhe e detyruan qeverinë shqiptare ta dëmshpërblejë atë, unë mund të them hapur se gjithë ky kalvar është tërësisht politik. Babai dhe ne nuk jemi aktivistë partiakë apo anëtarë, por gjithsesi, unë personalisht, për shkak dhe të pozicionit si Këshilltar për Mediat i ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në qeverisjen e fundit të Partisë Demokratike mund të jem etiketuar dhe të kem krijuar imazhin e një përkrahësi të fortë, apo funksionari të së djathtës.
Ndoshta, veç kësaj, shkak ka qenë dhe mos angazhimi i drejtpërdrejtë me një nga dy partitë në pushtet dhe mos ekzistenca e emrave tanë në listat e këtyre partive.
Kjo mendoj ka qenë dhe shkak i urdhrit absurd dhe antiligjor (siç e vlerësoi dhe gjyqësori) që la tim atë rrugëve dhe na krijoi një shqetësim të paprovuar më parë. Qeveria e sotme këtë qasje nuk e ka vetëm me ne, pasi qindra specialistë, punonjës dhe drejtues të administratës janë larguar nga puna dhe janë hedhur në rrugë. Një grevë urie u mbajt nga të larguarit nga puna në vitin 2014. Greva që zgjati dy javë u ndërpre, pasi Komisioneri për Zgjerim i Këshillit të Europës, z. Stefan Fule premtoi trajtim të drejtë sipas ligjit të të gjithë të larguarve.
Në të vërtetë administrata është mbushur me militantë partiak, por edhe me njerëz të cilët opozita i ka akuzuar (bazuar në dokumenta, vërtetime) si të lidhur me krimin. Janë të njohur publikisht rastet e disa oficerëve të Policisë, e disa punonjësve të Hipotekave, e kryetarëve të Këshillave të qarqeve apo bashkive si të lidhur me krimin. Persona të lidhur me krimin kjo qeveri ka arritur t`i bëjë deri edhe kryetarë bashkie dhe deputetë. Lufta politike ka degjeneruar që prej vitit 2013 në një hakmarrje të drejtpërdrejtë për zënie pronash dhe vendesh pune. Të gjithë e njohin rastin kur një lagunë peshkimi iu mor peshkatarëve që kishin dekada që punonin aty dhe iu dha një deputeti, i cili u konfliktua me peshkatarët, u denoncua dhe ndalua dhe në burg për plagosje të rënda.
E njëjta gjë ka ndodhur me shumë prona të tjera siç ka ndodhur thuajse me të gjitha institucionet shtetërore me vendet e punës. Pushteti është kthyer me të vërtetë në qëllim dhe kësisoj lufta politike nuk mund të njohë kufij. Me keqardhje me dhimbje rikujtoj se si pasojë shumë të larguar nga puna kanë shkuar edhe në vendime ekstreme si vetvrasja, kjo si pasojë e përballjes me pamundësinë për të ushqyer fëmijët dhe familjet e tyre. Ka patur të paktën tre raportime për vetvrasje nga njerëz, të cilët si pasojë e largimit nga puna janë pushtuar nga depresioni. Në Korçë, kryetarja e degës lokale të PS-së, e emëruar drejtuese e lartë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore largoi nga puna Bruna Mekën, e cila nuk pa zgjidhje tjetër, por zgjodhi të vetvritej dhe shkroi në një letër që arsye e vendimit të saj ekstrem ishte largimi nga puna.
Po ashtu në Lezhë, një punonjës prej vitesh i Hidrovorit u vetvra, sepse u largua nga puna dhe u zëvendësua nga një militant i LSI-së. Edhe i ndjeri shkroi se, arsye ishte vetvrasja. Një grua në Burrel kërcënoi me vetvrasje, sepse u largua nga puna në OSHEE. Ajo hipi majë një shtylle të tensionit të lartë dhe kërkoi vetëm kthimin në punë. Të gjitha këto janë episode të një panorame të dhimbshme dhe shumë të gjerë që përshkruan gjithë jetën shqiptare sot.
Në listën e këtyre historive të dhimbshme e fundit, renditet ajo e Shukri Xhelilit, kryetarit të Bashkisë Dibër, i cili pas javësh shantazh dhe formave të ndryshme shtrënguese, kërkonte dhe arriti deri në një farë mase të përfitonte seksualisht nga një vartëse e tij.
Kjo është qeveria që të gjithë ne shqiptarët fatkeqë nuk e meritojmë.
Nuk e meritojmë për papërgjegjshmërinë e qeverisë treguar ndaj punonjësve të saj, por dhe arrogancën ndaj taksave të bizneseve dhe qytetarëve. Në një artikull të para disa ditëve të publikuar nga kolegët gazetarë të BIRN thuhej se, gjatë vitit 2015, kostoja e përgjithshme e faturave të shlyera për pushimet e padrejta nga puna arriti në 3.1 miliardë lekë, (rreth 22.3 milionë euro), ku pothuajse të gjitha institucionet kryesore në vend qenë përgjegjës për këtë dëm.
Kjo është qeveria që nuk e meritojmë!
Socialistët e Kavajës, nëna jonë është partia
Reltar DEDA
Personazhi lapidar i Franc Kafkës Gregor Samsa, që pëson metamorfozë e shndërrohet në një insekt gjigand, nuk do të ndihej i huaj në Shqipëri, ku metamorfozat trajtohen si gjë e zakonshme.
Konstandini, që ngrihet nga varri, i vdekuri që ngjallet për të mbajtur amanetin, jo rastësisht ndjehet në shtëpi të vet.
Transformimet e ekzagjeruara, më në fund, e paskan truallin e tyre.
E tillë u duk edhe njëherë tjetër Shqipëria mesditën e djeshme, veçanërisht në Kavajë.
Rreth orës 13:00, një ish drejtor i Zyrës së Punës ka plagosur me armë zjarri tre persona. Ata janë Eqerem Kazazi, djalin e tij, Erkid Kazazin si dhe një kalimtar të rastit Dritan Xhixha, 46 vjeç. Autori i plagosjes quhet Saimir Kurti, mik i ngushtë i kryetarit të Bashkisë, Elvis Rroshit.
Kurti është eksponent i PS në Kavajë, një ish-drejtor i akuzuar për korrupsion, dhe pa i dridhur fare qerpiku, shkrehu armën ndaj tre personave ditën e sotme. Sipas informacioneve të para, të transmetuara nga media, ai është largur nga zona e krimit me ndihmën e kryetarit të PS-së, Kavajë.
Mirëpo, shkaku i ngjarjes nuk është aspak ndryshe nga trilli i një romani. Madje ai ka edhe kohën e tij, një artistike dhe një tjetër reale. Ai tha se është konfliktuar me autorët e krimit për shkakun se bashkëshortja e tij, nuk është lejuar të parkojë përballë lokalit të familjes Kazazi. Dhe për këtë arsye, pas një konflikti verbal, gjithçka ka degjeneruar në përdorimin e armës.
Ata që nuk e njohin se kush është Saimir Kurti, me shumë siguri, do ta besonin një trill të tillë. Shqiptarët aq më shumë, ku nderi dhe morali nuk hidhen “sheshbesh” në një lojë zarash. Për më tepër të guxosh edhe t’u vësh dhe çmim.
Për ata që e njohin, nuk do ta besonin kurrë një ngjarje të tillë. Mjafton t’u skedosh për pak sekonda historikun e tyre. Kurti nuk është ndryshe aspak nga miku i ngushtë Rroshi, ndoshta jo me pesë dënime të ndryshme në Europë, por është një personazh jo i panjohur i botës së të fortëve të qytetit të Kavajës.
Në një kohë të tillë, pyetja do të ishte: A do guxonin Kazazajt për t’i ngacmuar gruan Sajmir Kurtit? Përgjigja, do të ishte: Kurrë! Atëherë, çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur ajo që pritej në Kavajë, tension dhe instalim frike ndaj çdo qytetari opozitar, madje deri aty sa edhe të ketë dhunim fizik ndaj tyre.
Por kjo është njëra anë e medaljes, ana tjetër është kjo. Tipi i ri i socialistit të sotëm, ka partinë mbi gjithçka. Partinë mbi veten, partinë mbi familjen, partinë mbi nderin. Mjafton të jetë partia e ndershme, e paprekur, por gruaja, motra dhe nëna le të bëhen kurvë. Socialistët e Kavajës nuk e kanë aspak ndërmend të sprapsen, pasi për ata, nëna e tyre është partia.
Ja dhe një metamorfozë e re. Ajo thjesht ndodhi sot, e mbi të gjitha nuk trazoi askënd, sepse ajo nuk ndjehet e huaj, ka truallin dhe shtëpinë e saj mes nesh.
Del Bosque, i lumtur për kualifikimin
Vicente Del Bosque i lumtur për kualifikimin. Trajneri i Kombëtares së Spanjës u shpreh i kënaqur për paraqitjen që bëri skuadra e tij përballë Turqisë. Del Bosque u shpreh se, kualifikimi i La Rojas për në fazën tjetër ishte objektivi i tyre i parë për këtë europian, të cilin arritën ta përmbushnin me sukses. “Ia dolëm të kualifikohemi për fazën pasardhëse dhe ky ishte misioni ynë i parë, të cilin arritëm ta realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Futbollistët zhvilluan një ndeshje të bukur, me intensitet të lartë. Mbrojtja gjithashtu ishte në lartësinë e duhur. Paraqitje të tilla na motivojnë që të vazhdojmë të japim më të mirën tonë në fushën e blertë”, u shpreh Del Boske.
Më tej, tekniku i kampionëve në fuqi të Europës foli dhe për takimin e radhës ndaj Kombëtares Kroate. Del Bosque u shpreh se nuk do të ketë ndryshime rrënjësore në formacion. “Ndaj Kroacisë nuk do të ketë ndryshime në modulin e lojës, gjithashtu dhe në formacion. Sigurisht që na pret një ndeshje jo e lehtë pasi, Kroacia ka në përbërje të saj shumë futbollistë cilësorë, të cilët nëse nuk tregohemi të vëmendshëm mund të na ndëshkojnë në çdo moment”, tha ai.
Në fund trajneri i “La Rojas” foli dhe për gjendjen fizike të mesfushorit të Barcelonës, Andres Iniesta, duke qetësuar tifozët e Spanjës, pasi dirigjenti i mesfushës nuk ka asnjë problem dhe se do të jetë i gatshëm për takimin kundër Kroacisë.
Rezultati 3-0 me të cilin kampionët në fuqi ndëshkuan Turqinë, është një demonstrim i çmendur force, pasi vjen me armët që e kanë bërë La Rojan të madhe në dekadën e fundit, tiki-takan e famshme dhe me mbështetjen e talenteve të rinj që e bëjnë Spanjën akoma më efikase, natyrisht në pritje të një konfirmimi edhe në përballjet me kundërshtarë më të fortë.
Alvaro Morata është lojtari i parë që shënon një dygolësh në Francë 2016. Turqia rezistoi 34 minuta, krosim i Nolitos dhe goditje fatale me kokë e Moratës, i lënë krejtësisht i lirë në qendër të zonës. Vetëm tre minuta më vonë dhe bëhet 2-0, asistin e pavullnetshëm Nolitos ia shërben Mehmet Topal, por edhe pse finalizimi eksktetikisht nuk është për të vënë duart në kokë, aksioni që i paraprin prekjes finale është në kufijtë e një himni për futbollin.
Spanja vazhdon spektaklin e saj, duke e filluar pjesën e dytë me një tjetër gol, duke u bërë kështu e vetmja skuadër që ka shënuar 3 herë në një ndeshje në këtë Europian, shënon sërish Morata, edhe pse duhet thënë se goli duhej anuluar për pozicionin jashtë loje të Jordi Alba. Ndoshta anësori nuk ka ngritur flamurin për t’i dhënë një çmim pasimit të mrekullueshëm të Andres Iniesta.
Rumania, 1.5 milionë euro shpërblim për kualifikimin
Federata Rumune e Futbollit ka vendosur t’i motivojë futbollistët e saj me një premio të majme për ndeshjen me Shqipërinë, njoftojnë mediat vendase. Në rast se Rumania arrin t’i mposhtë kuqezinjtë dhe kalon në fazën tjetër të Europianit, shuma që do të përfitojnë lojtarët do të jetë 1.5 milionë euro. Kjo shifër është sa gjysma e shumës totale që UEFA akordon për çdo skuadër që renditet mes 16 më të mirave të Europianit.
Një praktikë të tillë Federata Rumune e Futbollit e ka ndjekur edhe në përfundim të eliminatoreve të Europianit. Futbollistët rumunë, të cilët u kualifikuan si të dytët e Grupit F, madje pa pësuar asnjë humbje, përfituan nga 60 mijë deri 200 mijë euro, në varësi të minutazhit në fushë.
Në fakt, Rumanisë mund të mos i mjaftojë një fitore minimale ndaj kuqezinjve, ndaj premioja e vendosur nga Federata do të jetë një motiv më shumë për të shënuar një sukses me diferencë më shumë se një gol.
Razvan Rat: Shqipëria, skuadër e vështirë
Rumunët nuk e konsiderojnë një ndeshje të lehtë sfidën me Shqipërinë dhe këtë e konfirmoi edhe mbrojtësi i krahut të majtë i tyre, Razvan Rat. “Ndeshja me Shqipërinë do të jetë shumë e vështirë. Ata rezistuan deri në fundin e kohës së rregullt ndaj Francës. Ka shumë presion mbi ne, mbi të gjitha që askush nuk është i kënaqur me atë që na rezervoi shorti. Nuk do të jetë e lehtë, pasi është e vështirë të fitosh, sidomos në finalet e një kompeticioni”, thotë ai.
Rat u zëvendësua në ndeshjen me Zvicrën si pasojë e një dëmtimi shpreson të jetë gati për përballjen e fundit në grup me Shqipërinë. Ish-kapiteni i rumunëve e pranon se përballë helvetëve patën dhe fatin me vete, pasi edhe mund ta kishin humbur ndeshjen. Rat shpjegon se gjatë ndeshjes pësoi një dëmtim në këmbën e majtë, ku pak kohë më parë është operuar ndaj dhe preferoi të dilte jashtë fushës për t’i paraprirë ndonjë përkeqësimi të situatës. Ndeshja me Shqipërinë është vendimtare edhe për rumunët sa u takon mundësive për të kaluar grupin.
Shqipëria do fitore me Rumaninë
Ndaj Rumanisë për të marrë pikët e para në një kampionat europian, por edhe për të thyer një tabu që zgjat për plot 68 vjet. Edhe pse luan kundër historisë dhe çdo parashikimi, të dielën në Lyon, Shqipëria e Gianni De Biasit do të synojë suksesin e parë në grupin A të Euro 2016, me shpresën se një fitore ndaj rivalëve ballkanas mund t’i mjaftojë për t’u kualifikuar në ruandin e 1/8-ve.
Megjithatë, stastikat nuk flasin aspak në favor të Shqipërisë. Me Rumaninë që është edhe një nga përfaqësueset që është ndeshur me shpesh, kombëtarja kuqezi numëron në total 2 fitore në 17 ndeshje dhe që prej vitit të largët 1948 nuk ka arritur të triumfojë në një ndeshje ndaj tyre.
Përballja e parë mes Shqipërisë dhe Rumanisë daton në 13 tetor të 1946. 1-0 për kuqezinjtë përfundoi ajo sfidë që u pasua me suksesin e parë dhe të vetëm në një kompeticion të rëndësishëm, triumfin në Ballkaniadë. 1 vit më pas, Rumania i ktheu reston Shqipërisë, duke e mposhtur me rezultatin e thellë 4-0, ndërsa në ballkianiadën e vitit 1948 kuqezinjtë regjistruan edhe fitoren e dytë dhe të fundit deri më sot në ndeshjet ndaj Rumanisë, pasi arritën një tjetër sukses me shifrat 1-0.
Më pas gjithçka ka folur për Rumaninë që në 14 ndeshje nuk është mundur asnjëherë nga përfaqësuesja jonë duke koleksionuar 11 fitore dhe vetëm 3 barazime në takimet e Ballkaniadave, sfidat kualifikuese dhe ato miqësore. Fitoren më të thellë Rumania e ka shënuar në 8 tetor të 1950 me rezultatin 6-0, ndërkohë që takimi në një fushatë elimintoresh ka qenë ai zhvilluar në Bukuresht në vitin 1972 që u mbyll me fitoren 2-0 të rumunëve. Kjo kombëtare triumfoi ndaj Shqipërisë edhe në sfidën e kthimit të zhvilluar në Tiranë një vit më pas, po për kualifikueset e Botërorit 1974.
Për të parë një rezultat pozitiv të kombëtares kuqezi ndaj Rumanisë duheshin pritur kualifikueset e Euro 2012-të, teksa në 3 shtator të 2010-ës në Piatra Neamt, Shqipëria barazoi 1-1 ndaj Rumanisë me Gjergji Muzakën, që iu kundërpërgjigj golit të Stancut. 13 muaj më pas në Tiranë Hamdi Salihi u duk sikur i dha një tjetër fitore kuqezinjëve ndaj rumunëve, por Luchin barazoi rezultatin në 1-1.
Ndeshja e fundit mes këtyre dy përfaqësueseve është miqësorja e 31 majit të vitit 2014, e luajtur në Zvicër dhe që përfundoi me suksesin 1-0 të rumunëve. Stastikat nuk janë aspak në favorin tonë, por këtë herë situata ndryshon, dhe kuqezinjtë i kanë të gjitha mundësitë për të mposhtur Rumaninë. Sfidat ndaj Zvicrës dhe Francës kanë shërbyer si një sinjal se kjo përfaqësuese ka potencial për t’i bërë keq çdo kundërshtari dhe ndoshta këtë herë ka ardhur koha që kuqezinjtë e Gianni De Biasit të thyejnë tabunë që mban emrin Rumani.
A duhet tani ligji për armatosje të popullsisë?
Bledi KASMI
Atentati i djeshëm në Kavajë, plagosja e Kryetarit të FRPD, babait të tij dhe një qytetari nga një prej eksponentëve të krimit të PS të këtij qyteti është preludi i asaj që pritet të ndodhë gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm ndërsa vendi përgatitet të shkojë drejt zgjedhjeve, të cilat do të kenë një kosto mjaft të lartë në rast se Rama do të vijojë të jetë në krye të qeverisë.
Për fatin e mirë, dje kishte vetëm të plagosur dhe nuk kishte viktima, por në rast se ai atentat do të kishte pasoja tragjike, askush nuk do të mund të parashikonte atë që mund të ndodhte sot me kreun e qeverisë. Rama nuk e dënoi dje këtë atentat dhe as nuk u distancua nga krimineli në krye të PS të Kavajës, një veprim që me heshtjen kërkon që të inkurajojë më tej vëllazërinë në krim të kreut të qeverisë.
PD paralajmëroi dje, se në rast se Rama nuk tërhiqet nga mbrojtja e kriminelëve atëherë ajo do ti bëjë thirrje qytetarëve për vetmbrojtje civile, ndërsa pak ditë më parë ishte ish-Kryeministri Berisha, i cili kërkoi armatosjen e popullsisë për vetmbrojtje.
Pavarësisht përjashtimit të tij nga punimet e Parlamentit me një vendim politik të Byrosë socialiste, thirrja e Berishës mund të provohet sot si një shqetësim i drejtë. Qytetarët janë të pambrojtur nga kjo bandë kriminale, që ka pushtetin, ka policinë, por ka edhe bandat e krimit të organizuar.
Policia që duhet të ishte në mbrojtje të qytetarëve sot është nën thundrrën e këtij pushteti kriminal dhe kjo u provua edhe dje ne Kavajë. Vrasësi pasi kishte plagosur tre vetë në mes të qytetit nuk u arrestua nga policët që ishin prezentë në vendngjarje, por u largua me makinën e Kryetarit të PS të Kavajës.
Vrasësi nuk u ndalua nga policia. Vrasësi u dorëzua në polici vetëm me garancitë që mori nga padronët e tij politikë se ai do të lirohet nga akuzat dhe për këtë mjaftojnë disa kërcënime në telefon të skizofrenit në krye të qeverisë.
Imagjinoni sikur këtij skizofreni ti jepej sot edhe drejtësia. Atëherë i gjithë vendi do të ishte nën pushtetin real të vrasësve, përdhunesve, trafikantëve të drogës dhe prostitutave. Nënkryetari i PS vrau dje në mes të qytetit sepse ai shpresonte si të gjithë kriminelët e tjerë dhe hajdutët se garancia e krimeve të tyre është kapja e drejtësisë nga Rama.
Kazazi: Kryetari i PS mori vrasësin në makinë, policia nuk ndërhyri
“Dolëm jashtë lokalit duke kërkuar që të qetësohej. Në këtë moment ai nxori pistoletën dhe qëlloi në drejtimin tonë. Nga plumbat mbetëm të plagosur unë dhe babai im. Ndërhymë menjëherë dhe ia morëm pistoletën nga dora sepse do të na kishte vrarë. Unë e kuptova që isha plagosur vetëm kur po rridhte gjak nga këmba”
“Ne kërkuam që situata të zgjidhej me qetësi dhe me mirëkuptim, por ai vazhdonte të na kërcënonte dhe të na shante me fjalë të rënda”
Kryetari i Forumit Rinor të PD të Kavajës, Erkid Kazazi flet nga spitali për plagosjen nga aktivisti i PS, Sajmir Kurti. Në një intervistë për gazetën “RD”, Kazazi thotë se agresori kishte ardhur me armë në lokal dhe fillimisht kishte filluar të kërcënonte babain e tij dhe vetë atë duke përdorur një fjalor të rëndë. Më pas ata kanë dalë jashtë lokalit duke kërkuar që situata të zgjidhej me qetësi, por Kurti ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar. Kazazi thotë se pas ngjarjes ka ardhur kryetari i PS të Kavajës dhe e ka marrë me makinë agresorin dhe janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa policia nuk ka ndërhyrë për ta arrestuar.
– Zoti Kazazi, fillimisht ju urojmë shërim të shpejtë! A mund të na thoni si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ndodhi për një konflikt parkimi makine. Sajmir Kurti erdhi në lokalin tonë dhe filloi të kërcënonte babain dhe mua, duke përdorur një fjalor të rëndë. Ne kërkuam që situata të zgjidhej me qetësi dhe me mirëkuptim, por ai vazhdonte të na kërcënonte dhe të na shante me fjalë të rënda.
– Po më pas çfarë ndodhi?
Dolëm jashtë lokalit duke kërkuar që të qetësohej. Në këtë moment ai nxori pistoletën dhe qëlloi në drejtimin tonë. Nga plumbat mbetëm të plagosur unë dhe babai im. Ndërhymë menjëherë dhe ia morëm pistoletën nga dora sepse do të na kishte vrarë. Unë e kuptova që isha plagosur vetëm kur po rridhte gjak nga këmba.
– A kishte punonjës policie në vendngjarje?
Ishin katër policë, por nuk ndërhynë. Policët morën armën që u krye krimi. Armën e kisha unë sepse ia morëm nga dora Kurtit.
– Pse nuk e arrestoi policia autorin e krimit?
Nuk di ç’të them për këtë. Ishin katër policë aty, por nuk e arrestuan. Erdhi kryetari i PS të Kavajës dhe e mori me makinë dhe u larguan me shpejtësi. Nuk e di se ku e çoi.
– Po personi i tretë që mbeti i plagosur kush ishte?
Ishte një shitës ambulant që ndodhej rastësisht aty.
– Si veproi më pas policia?
Nuk mbaj mend gjë sepse isha i plagosur dhe na dërguan në spital.