FMN ka rekomanduar që ka hapësirë për të ulur kufirin deri në të cilin tatimi mbi të ardhurat është zero. Aktualisht, ky kufi është 30 mijë lekë, por nga ana e qeverisë nuk ka ndonjë angazhim konkret për të ulur këtë kufi…
Qeveria shqiptare është angazhuar që të mos lejojë më përjashtime fiskale, ose norma preferenciale taksash, pa u konsultuar më parë me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Angazhimi ka ardhur në letrën e mirëkuptimit me FMN-në, publikuar sot në raportin e vendit për vitin 2016.
Ky angazhim, thotë letra, do të plotësojë përpjekjet që synojnë zgjerimin e bazës së tatimpaguesve, duke mbyllur shtigjet për shmangien e taksave, thjeshtimin e administrimit të taksave dhe duke krijuar një mjedis më të përshtatshëm për biznesin.
FMN është shprehur vazhdimisht kundër përjashtimeve fiskale, referuar dhe përjashimit nga TVSH-ja e makinerive dhe pajisjeve mbi një shumë të caktuar (50 milionë lekë), që ajo e ka identifikuar si një nga shkaqet e rendimentit jo të mirë të të ardhurave nga TVSH.
Teksa biznesi ka kërkuar përshkallëzim të TVSH-së për turizëm, apo dhe produkte të tjera, kjo duket se nuk mund të realizohet përsa kohë që qeveria është në një marrëveshje me FMN-në. Nga ana tjetër edhe përjashtimet fiskale për investimet e mëdha të huaja, me të cilat po konkurron gjithë rajoni, duken të pazbatueshme.
FMN ka rekomanduar që ka hapësirë për të ulur kufirin deri në të cilin tatimi mbi të ardhurat është zero. Aktualisht, ky kufi është 30 mijë lekë (nën 30 mijë lekë tatimi mbi pagën është zero), por nga ana e qeverisë nuk ka ndonjë angazhim konkret për të ulur këtë kufi.
Një tjetër angazhim i qeverisë është transparenca për partneritetet publike private (PPP), apo koncesionet si dhe kufizimin e tyre. “Ne jemi në procesin e amendimit të ligjit të buxhetit për të fuqizuar rolin e Ministrisë së Financave në vlerësimin paraprak të PPP-ve dhe monitorimin e tyre të vazhdueshëm, të integrojmë PPP-të në procesin buxhetor dhe të kufizojmë stokun total të PPP-ve. Ne gjithashtu planifikojmë të rishikojmë ligjin e PPP-ve për të fuqizuar mbikëqyrjen e Ministrisë së Financave, të integrojmë PPP-të në kuadrin më të përgjithshëm të monitorimeve të investimeve publike dhe të sigurojmë përputhshmërinë me ligjin e buxhetit. Në mënyrë që të kufizojmë rreziqet fiskale nga PPP-të, ne do të sigurojmë që ato të ndjekin praktikat më të mira ndërkombëtarë dhe se kostot e tyra fiskale dhe detyrimet e lidhura do të jenë të llogaritshme nga ana fiskale dhe statistikore”, thuhet në angazhimin e qeverisë.
Qeveria betohet para FMN se do të ndalë koncesionet
Investitorët e huaj: Legjislacioni Tatimor kompleks dhe i pakuptueshëm
Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) prezantoi përfundimet e raportit të tremujorit të parë mbi klimën e biznesit në vend. FIAA konstatoi se çështjet më problematike mbeten : zbatimi i ligjit, efikasiteti i sistemit gjyqësorit, ndryshimi i legjislacionit dhe atij tatimor në veçanti, stabiliteti i tij, pasi biznesi mendon se ai është kompleks dhe i ndryshueshëm shpesh i pakuptueshëm dhe me vështirësi në zbatim.
Për të përmirësuar këtë klimë, sipas kreut të FIAA-s Silvio Pedrazzi tha se është e nevojshme që të miratphet dhe të vihet në zbatim sa më shpejt reforma në drejtësi. Konkurenca e pandershme nëpërmjet ekonomisë informale është një faktor tjetër që ka ndikuar në përkeqësimin e besimit të biznesit, thotë shoqata në të cilën janë të antarësuar kompanitë më të mëdha me kapital të huaj në vend. Ky shqetësim është vlerësuar me 65 pikë dhe më pas i treti ndër elementët pengues më madhor është rradhitur korrupsioni, i cili është vlerësuar si problem madhor për klimën e biznesit në vend, duke marrë 60 pikë.
Në raport vlerësohet vendimi i Ministrisë së Financave për draft paketën fiskale 2017, nga e cila nuk parashikohet ndryshim i nivelit të taksave, por vetëm përmirësime proceduriale. “Megjithëse qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit në vend, duhet ende kohë që biznesi të ndryshojë përceptim dhe të krijojë pritshmëritë pozitive mbi klimën e biznesit në një të ardhme të afërt”, tha z.Pedrazzi. Studimi i FIAA është bërë në kuadër të projektit “Përmirësimi i Mjedisit të Biznesit në Shqipëri”, që u financua dhe zbatua nga Aleanca e Biznesit të Sllovakisë.
FMN: Klima e biznesit nuk u përmirësua, reformat kanë ngecur
Përmirësimi i klimës së biznesit dhe marrja e masave domethënëse për të reduktuar nivelin e lartë të NPL-ve janë dy reformat që nuk kanë marrë notë kaluese në raportin e fundit të FMN-së, që vlerëson zbatimin e rekomandimeve nga Konsultimet e Artikullit IV të vitit 2014. FMN ka publikuar dje raportin e vendit për vitin 2016 për konsultimin e artikullit IV.
Në tabelën për zbatimin e rekomandimeve, përmirësimi i klimës së biznesit dhe mosreduktimi i NPL-ve janë dy reformat që janë vlerësuar të pamjaftueshme. Pozitivisht janë vlerësuar reforma e pensioneve, shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe moskrijimi i detyrimeve të reja, përmirësimi i menaxhimit të borxhit, lehtësimi i politikës monetare dhe reforma e energjisë. Në nivel të moderuar kanë qenë zbatimi i reformës së administratës publike, marrja e masave për mbikëqyrjen e jo bankave, përmirësimi i cilësisë së statistikave dhe forcimi i pavarësisë së INSTAT.
Në përgjithësi, FMN vlerëson që zbatimi i programit ka qenë i fortë, me autoritetet që kanë zbatuar disa reforma ambicioze dhe të vështira. Objektivat e programit janë përmbushur në përgjithësi. Konsolidimi fiskal po ndodh dhe borxhi publik vlerësohet se ka arritur kulmin në vitin 2015. Reformat në pensione dhe energji dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura janë piketa të rëndësishme. Megjithatë, reformat e tjera kritike për përmirësimin e mjedisit të biznesit, duke përfshirë ato që lidhen me të drejtat e pronësisë, uljen e NPL, reformat gjyqësore dhe të qeverisjes kanë ngecur.
FMN vlerëson se, reformat strukturore për përmirësimin e mjedisit të biznesit janë kritike për të forcuar konkurrueshmërinë e Shqipërisë. Renditja e Shqipërisë në anketën e të Bërit Biznes ka mbetur prapa kolegëve të rajonit. Si sfidat kryesore për konkurrencën, sondazhet në vend vlerësojnë se janë: (i) boshllëqe kritike të infrastrukturës që kufizojnë tregtinë dhe rrisin koston e biznesit, (ii) informaliteti i gjerë që çon në investime dhe produktivitet të ulët, (iii) procedurat komplekse tatimore që rrisin barrën për bizneset, (iv) zhvillimi i dobët financiar me qasje shumë të kufizuar në financimin e kapitalit, dhe (v) një sistem joefikas gjyqësor që nuk mbron të drejtat pronësore në mënyrë adekuate dhe pengon zbatimin e ligjit. Më gjerësisht, institucionet e dobëta dhe qeverisja e dobët janë kufizime të rëndësishme për përmirësimin e klimës së investimeve.
Sipas FMN-së, reforma të mëtejshme strukturore për përmirësimin e mjedisit të biznesit do të jenë të rëndësishme për forcimin e aftësisë konkurruese të Shqipërisë dhe për të përshpejtuar rritjen. Fokusi duhet të jetë mbi reformat vendimtare për përmirësimin e klimës së biznesit, duke përfshirë të drejtat pronësore dhe gjyqësorit. Duhen përshpejtuar përpjekjet për të vendosur kadastrën ligjore për regjistrimin e pronës, për të forcuar të drejtat e pronës, një pengesë kryesore për investimet. Progresi në reformën gjyqësore duhet të udhëhiqet nga rekomandimet e Komisionit të Venecias. Shqipëria gjithashtu ka nevojë për të mbështetur luftën kundër informalitetit, të thjeshtojë procedurat e mbledhjes së taksave dhe përmirësimin e qeverisjes. Së fundi, diversifikimi i eksporteve përtej mallrave dhe tekstile me vlerë të shtuar të ulët do të jetë e rëndësishme për rritje të qëndrueshme, dhe do të kërkonte investime shtesë në arsim dhe infrastrukturë.
Që prej nënshkrimit të marrëveshjes së zgjeruar me fondin në fillim të 2014-ës, FMN vlerëson se autoritetet kanë zbatuar reforma ambicioze dhe të vështira strukturore, duke përfshirë pensionet dhe sektorin e energjisë elektrike. U paguan detyrimet e prapambetura. Një proces konsolidimi fiskal ambicioz është duke u zhvilluar. Këto arritje kanë lejuar përmirësimin e vlerësimit të renditjes së kredisë. Megjithatë, reformat e tjera kritike për përmirësimin e mjedisit të biznesit, duke përfshirë ato që lidhen me të drejtat e pronësisë, zgjidhjen e NPL-ve, gjyqësorit, dhe qeverisja, kanë ngecur.
Rritja ekonomike është duke u forcuar gradualisht, ndërkohë që presionet inflacioniste janë të ulëta. Rritja e GDP-së u përshpejtua në 2.6 për qind në vitin 2015, nga 2.0 për qind në vitin 2014, i nxitur nga prodhimi më i lartë i energjisë elektrike për shkak të reshjeve të jashtëzakonshme, një përmirësim në turizëm, dhe një gjallërim në ndërtim. Megjithatë, rritja mbetet nën potencial. Inflacioni total është shumë i ulët (0.3 për qind në mars 2016), duke reflektuar çmime të ulëta të ushqimeve dhe karburantit, si dhe venitjen e efekteve bazë nga ndikimi i përmbytjeve të vitit të kaluar, ndërkohë që inflacioni bazë mbetet negativ, duke reflektuar dizinflacionin e importuar dhe frenimin e brendshëm.
Prioriteti kryesor i Politikave është që të vazhdojë uljen e dobësive fiskale, ndërkohë që përparon me reformat strukturore për të arritur rritje të qëndrueshme.
Duke pasur parasysh perspektivën e çmimeve më të ulëta të mallrave për të ardhmen e parashikueshme dhe një shërim të ngadaltë në Evropë, Shqipëria do të duhet të riorientohet drejt një modeli të rritjes më të larmishëm dhe të hapur. Implementimi i shpejtë i reformave strukturore do të jetë kritik për të forcuar konkurrencën, për të përmirësuar klimën e investimeve dhe të nxisë rritjen më të fortë. Negociatat për anëtarësim në BE do të sigurojë një shtytje të fortë për të çuar përpara këto reforma, vlerëson FMN.
Lambert: Siguri maksimale në “Euro 2016”
Në Francë të gjithë janë gati për Euro 2016-të, duke filluar që nga organizatorët e evenimentit, te skuadrat pjesëmarrëse për të vazhduar me tifozët, por edhe forcat e sigurisë. Frika nga ndonjë sulm i mundshëm terrorist ekziston ende, edhe pse organtizatorët e Euro 2016, janë të bindur se kompeticioni që do të zhvillohet në Francë do të rezultojë i gjithi një spektakël futbolli. Në një konferencë për shtyp, vetëm pak orë përpara startit të Euro 2016-të, presidenti i komitetit organizativ të evenimentit, Jacques Lambert, theksoi se siguria në Francë do të jetë maksimale.
“Ne kemi punuar fort gjatë kësaj kohe që në Euro 2016-të, siguria e skuadrave pjesëmarrëse dhe tifozëve të mos vihet për asnjë moment në rrezik. Ky është një turne sportiv dhe duhet të mbetet i tillë. Euro 2016-të duhet të sjellë pozitivitet te njerëzit dhe të mos ndikohet nga frika dhe negativiteti i ndonjë sulmi të mundshëm terrorist. Të gjithë kemi bindjen, se në Francë do të zhvillohet një festë e vërtetë futbolli”, tha presidenti i komitetit organizativ të evenimentit.
Më pas, Lambert i siguroi fansat se nuk duhet të kenë frikë të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin apo të ndjekin skuadrat e tyre në stadiumet ku ato do të luajnë. “Mesazhi ynë është i qartë, tifozët nuk duhet të kenë frikë nga ajo që mund të ndodhë në Euro 2016-të, apo nga ndonjë stadium në veçanti. Nuk kemi marrë asnjë sinjal që nuk e dinë mediat mbi ndonjë sulm terrorist, por jemi të shqetësuar për faktin se, fjalët se diçka e tillë mund të ndodhë, do të ndikonin drejtpërdrejtë në mobilizimin e skuadrave pjesëmarrëse, arbitrave, tifozëve etj. Shpresojmë shumë që vëmendja e të gjithëve të jetë vetëm te Europiani dhe te fusha e blertë”, u shpreh Lambert.
Në këtë konferencë për shtyp të organizuar me rastin e fillimit të Euro 2016-të, ishin të pranishëm edhe DJ i famshëm David Guetta si dhe sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Theodore Theodoridis, i cili në fjalën e tij bëri një koment për ish-presidentin Michel Platini, duke nënvizuar se ky i fundit pavarësisht dënimit që ka marrë nga Komisioni i Etikës në FIFA do të jetë i pranishëm në Francë gjatë ndeshjeve të Europianit.
“Bllok” antiZvicër
Shumë teste, me lojtarë dhe rreshtime të ndryshme në fushë, megjithatë në fund Gianni De Biasi i kthehet skemës që i dhuroi Shqipërisë pjesëmarrjen në Kampionatin Europian. Në debutimin përballë Zvicrës, të shtunën në Lens, trajneri kuqezi pritet ta rreshtojë skuadrën me skemën 4-5-1, me një mesfushë solide, që do t’i lejojë pak hapësira kundërshtarëve. Përpara portierit Etrit Berisha, në qendër të mbrojtjes do të jenë dyshja e përbërë nga Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj, Elseid Hysaj do të jetë në krahun e djathtë, ndërsa Ansi Agolli majtas. Në mesfushë, Burim Kukeli është plotësisht gati për të luajtur përpara mbrojtjes, në rolin e organizatorit të parë, për të shpërndarë topin dhe të diktojë ritmin e lojës.
Përpara tij janë Amir Abrashi dhe Taulant Xhaka, dy motorët e mesfushës, që do të mbajnë edhe peshën më të madhe gjatë sfidës me Zvicrën, jo vetëm në fazën difensive, por edhe në daljet e shpejta. Odise Roshi nga e djathta dhe Ermir Lenjani nga e majta do të kenë detyrën e zakonshme që të nisin kundërsulmet e Shqipërisë, në mbështetje të Armando Sadikut, që duket se e ka fituar balotazhin në sulm me Cikalleshin dhe Balaj-n.
Kjo është taktika e provuar nga De Biasi në stërvitje, me kuqezinjtë që pritet të luajë njësoj si në miqësoren e fundit kundër Ukrainës, me ndryshimin se në qendër të mesfushës kthehet Kukeli, ndërsa Ergys Kaçe kthehet në stol.
Stafi teknik i Kombëtares është përqendruar gjithashtu edhe te goditjet standarde, si në fazën sulmuese, ashtu edhe në fazën mbrojtëse, për të marrë masat që skuadra të mos kapet më në befasi, ashtu si ka ndodhur në miqësoret e fundit. Përveç grintës dhe luftës së fortë sportive në fushë, përqendrimi dhe zbatimi me fanatizëm i detyrave taktike mund të jenë çelësi i suksesit të shtunën përballë Zvicrës.
“Kombëtarja qëndroi pushim gjatë paradites së të enjtes, pasi seanca u anulua nga trajneri Gianni De Biasi. Vendimi i marrë pasditen e së mërkurës lidhet me faktin që skuadra të shplodhet, në prag të debutimit të së shtunës në Kampionatin Europian, në sfidën me Zvicrën. Stafi teknik zgjodhi që lojtarët të pushojnë pas stërvitjes me ritme shumë të larta, nga grumbullimi në Austri, për të vazhduar me përgatitjet në Itali dhe tashmë në Francë. Pushimi është kërkuar edhe nga vetë lojtarët, për të rikuperuar forcat”.
12 orë relaks, cilësohen si një mënyrë e mirë që kuqezinjtë të rikuperojnë energjitë përpara ndeshjes me Zvicrën në Lens. Pas përgatitjeve prej afro dy javësh me intensitet të lartë, forma fizike e futbollistëve duket se e ka bindur stafin teknik, që për të evituar ngarkesa të panevojshme në stërvitje i la lojtarët të pushojnë.
Përfaqësuesja do t’i kthehet përgatitjeve pasditen e sotme, prej orës 17:30. Për faktin se dueli me Zvicrën është fare pranë, trajneri De Biasi dhe stafi i tij do të përqendrohen te ushtrimet taktike. Në ndeshjen e parë në një turne madhor, gjithçka do të jetë e studiuar deri në detaje, për të bërë të mundur që Shqipëria të paraqitet në mënyrën më të mirë të mundshme në takimin me historinë.
“Daily Mail”: Ja si e kalon grupin Shqipëria
Kualifikimi historik i Kombëtares shqiptare në ‘Euro 2016’ ka kthyer vëmendjen e shumë medieve ndërkombëtare, të cilat analizojnë kuqezinjtë dhe mundësinë për të kaluar fazën e grupeve. Tabloidi britanik “Daily Mail” shkruan se, Shqipëria pavarësisht trajnerit shumë të mirë i duhet fat për të kaluar Grupin A.
Ish-mbrojtësi i Kombëtares së Anglisë, Martin Keown, parashikon ecurinë e skuadrave, por ndalet gjatë edhe te filozofia e trajnerëve dhe liderët e 24 skuadrave pjesëmarrëse.
Në grupin A, Keown cilëson si favorite Francën dhe Zvicrën, ndërsa nuk kursen elozhet për trajnerin e Shqipërisë Gianni De Biasi.
“Në vitin e 5 të aventurës së tij te Shqipëria, trajneri i Shqipërisë është nderuar me titullin Nder i Kombit pas kualifikimit historik të Shqipërisë në Euro 2016. Në vitin 2006, ai ka arritur të ngjisë Torinon në Serinë A, por u largua nga skuadra vetëm tre ditë përpara debutimin sezonal në sezonin 2006-2007. Por sa larg parashikohet të shkojë Shqipëria në ‘Euro 2016’? Keown thekson se kuqezinjve u duhet shumë fat për të siguruar kualifikimin në fazën tjetër edhe pse vitin e shkuar ata e kanë mundur Francën 1-0, shkruan “Daily Mail”.
Franca gati të presë evenimentin
Franca është gati, Europiani i Futbollit ngroh motorët për një eveniment që do të mbahet mend gjatë. Shqiptarët e kanë një motiv të fortë për ta shënuar datën 10 qershor në ditarin e tyre, pasi në vitin 2016 të gjithë do të jenë dëshmitarë të debutimit historik në një eveniment kaq prestigjioz. Franca e organizon për herë të tretë europianin dhe pret një event madhor pas 18 viteve. Bashkë me Gjermaninë, Anglinë, Italinë dhe Spanjën, kombëtarja e vendit organizator është pjesë e grupit të pretendentëve, ndërsa kombëtare si Belgjika, Suedia, Çekia, Portugalia, Rusia dhe Zvicra do të synojnë të bëjnë surprizën. Shqipëria, Irlanda e Veriut, Islanda, Uellsi dhe Sllovakia janë debutueset absolute, ndërsa Holanda për herë të parë pas shumë dekadash është e detyruar ta ndjekë europianin nga shtëpia.
53 ishin skuadrat që morën pjesë në eliminatore, por vetëm 24 u kualifikuan në fazën finale. Gjithçka do të fillojë dhe do të mbarojë në “Stade De France” dhe si asnjëherë më parë siguria është shqetësimi kryesor i organizatorëve që kanë angazhuar mijëra forca sigurie për shkak të frikës nga sulme të ngjashme me ato të muajit nëntor. 552 është numri i lojtarëve të grumbulluar, por vetëm 23 prej tyre do të jenë kampionët e rinj të kontinentit që vlen pothuajse sa gjysma e botërorit. Mesi, Higuain, Sanchez, Suarez apo Cavani janë të angazhuar në cepin tjetër të planetit për Kupën e Amerikës, por Cristiano Ronaldo, Zlatan Ibrahimoviç, Thomas Muller, Paul Pogba, Andrés Iniesta, Gareth Bale, Robert Lewandowski apo Eden Hazard do të ndezin 10 stadiumet e angazhuara për të pritur më të mirët e futbollit europian.
“Stade De Frannce” është stadiumi më i madh me rreth 80 mijë vende, ndërsa ai i Toulouse më i vogli me 33 mijë. Nga Lile në Marseille, e gjithë harta gjeografike e Francës përfshihet nga ethet e futbollit, ndërsa risia më e madhe e këtij sezoni është pjesëmarrja e 24 skuadrave si asnjëherë më parë. 6 grupe me nga 4 skuadra ku dy të parat e çdo grupi kualifikohen automatikisht bashkë me 4 të tretat më të mira.
Për herë të parë, UEFA mund të aplikojë edhe lotarinë e 11 metërshave që në fazën e grupeve kur dy skuadra janë me pikë të barabarta, por edhe me të njëjtën sasi golash të shënuar dhe të pësuar. Skuadra me moshën më të madhe është Irlanda me 29.39 vite mbi supe, ndërsa Shay Given dhe Gábor Király janë lojtarët më të vjetër, pasi kanë arritur kufirin e 4 dekadave. Në krahun tjetër qëndron Anglia, ku mesatarja e moshës është 23.39 vite, ndërsa 18-vjeçari Marcus Rashford është lojtari më i ri. Spanjollët mbajnë vendin e parë për kohën e aktivizimit të lojtarëve gjatë këtij sezoni me 82 mijë minuta, ndërsa Hungaria mbyll fundin me rreth 26 mijë. Europiani është cilësuar përherë evenimenti i surprizave të mëdha.
Analizat e detajuara dhe përbërjet e skuadrave shpesh janë hedhur në koshin e plehrave shpesh herë, pasi në Europian logjika e futbollit ku më i forti triumfon, është e gabuar. Gjermania është skuadra më e favorizuar, pasi vjen në Euro 2016 si kampione bote, ndërsa Shqipëria e De Biasit por edhe Islanda, Hungaria dhe Irlanda e Veriut janë skuadrat më pak të kuotuara. Gjithsesi, kurrë mos thuaj kurrë. Danimarka në vitin 1992 dhe Greqia në 2004-ën arritën të impononin ligjin e më të dobëtit, topi është i rrumbullakët dhe të gjithë kanë shanset e tyre për t’i dhënë më shumë ngjyra europianit francez.
Vetëm pak orë na ndajnë nga starti i Europianit 2016. Turneu do të inaugurohet nga ceremonia e hapjes, në stadiumin “Stade de France”, përpara ndeshjes së parë ndërmjet Francës dhe Rumanisë. Një spektakël festiv, që do të shndërrohet në një koreografi në masë. Një vendtakim me identitetin francez. Impianti i Parisit do të mirëpresë 24 përfaqësueset pjesëmarrëve në eveniment.
Rusia, Breksit dhe shtetet baltike
Analistët politikë thonë se një votë në favor të daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian do të ngrinte shqetësime mes shteteve ish-sovjetike në Balltik dhe në Evropën Lindore që tashmë janë anëtare të BE-së dhe kufizohen me Rusinë.
Nëse votuesit britanikë vendosin me anë të referendumi më 23 qershor për të dalë nga BE-ja, ish-shtetet sovjetike Estonia, Letonia dhe Lituania do të kenë arsye të forta për të vënë në pikëpyetje unitetin evropian, thotë drejtori i Institutit të Evropës pranë Akademisë ruse të Shkencave, Alexey Gromyko.
Zoti Gromiko i tha zyrës së “Zërit të Amerikës” në Moskë se në këtë rast për shtetet baltike dhe Poloninë do të ishte shumë më e vështirë për të vazhduar kundërshtimin e tyre ndaj çdo lloj lehtësimi në marrëdhëniet me Rusinë.
Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe agresioni në Ukrainën Lindore, gjoja për të shpëtuar rusët etnikë kundër atyre që Kremlini i përshkruan si fashistë ukrainas, kanë nxitur frikë mes disave në vendet Baltike.
Gjatë epokës sovjetike, një popullsi e madhe ruse u zhvendos në shtetet baltike. Rreth një e treta e banorëve në Letoni janë rusë.
Shumë pak vetë presin që Rusia të përpiqet të ndërmarrë ndonjë sulm kundër shteteve baltike, ndërsa shumica e njerëzve nuk kanë asnjë interes për t’u bashkuar me Rusinë krahasuar me Bashkimin Evropian.
Në Moskë, turisti leton Klaus Ristaposhin i tha “Zërit të Amerikës” se, shpreson që britanikët të votojnë për të qëndruar në Bashkimin Evropian.
“Nuk mendoj se Anglia do të largohet nga Bashkimi Evropian për shkak se është një vend shumë i dashur për të gjithë ne. Evropa mund të pësojë dëme të rënda nëse Anglia del nga Bashkimi Evropian”, thotë ai.
Shtetet baltike janë gjithashtu anëtare të aleancës mbrojtëse ushtarake të NATO-s. Një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet si sulm kundër të 28 vendeve anëtare të NATO-s.
Por, nëse Britania del nga BE-ja, pasojat për vendet e NATO-s do të ishin ekonomike dhe politike, pasi shumë vende do të fillonin të shpenzonin më shumë për ushtrinë dhe mbrojtjen për të frenuar Rusinë.
Analistë të tjerë argumentojnë se, ndërsa NATO nuk do të ndikohej, uniteti SHBA-BE kundër ringjalljes së Rusisë mund të zbehet.
“Britania e Madhe gjithmonë është konsideruar si partnerja më pro-amerikane brenda Bashkimit”, thotë Alexander Baunov i Qendrës Carnegie në Moskë, dhe shton se “shtetet baltike, Polonia, e disa vende të tjera evropiano-lindore janë të interesuara për më shumë ndikim amerikan në politikën evropiane”.
Duke shprehur besim në aleancën e NATO-s, udhëheqësit e Estonisë i thanë shërbimit rus të “Zërit të Amerikës” në muajin maj, se çdo veprim ushtarak nga Moska do të ishte qesharak.
Clinton përqendrohet tek Trump
Me zgjedhjet paraprake që po përfundojnë, zonja Clinton pritet ta përqendrojë vëmendjen ndaj rivalit republikan Donald Trump, biznesmeni i pasur që po kritikohet si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët për deklaratat përçmuese ndaj minoriteteve, veçanërisht ndaj një gjykatësi federal me prejardhje nga Meksika, i cili po shqyrton një çështje ligjore për një nga bizneset e zotit Trump.
Donald Trump mbrojti qëndrimin e tij në një fjalim dje në mbrëmje, por pa iu drejtuar drejtpërdrejt këtij debati:
“Synimi im është gjithmonë t’i bashkojë njerëzit, por në se detyrohem të luftojë për diçka që vërtet e kam të shtrenjtë, kurrë nuk do të epem dhe vendi ynë asnjëherë nuk do të epet”.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se, Presidenti Obama kishte telefonuar të dy kandidatët Clinton dhe Sanders dhe e uroi zonjën Clinton për sigurimin e delegatëve të nevojshëm. Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se, “me kërkesën e senatorit Sanders”, Presidenti dhe senatori do të takohen të enjten në Shtëpinë e Bardhë, një lëvizje nga presidenti për të dëgjuar disa nga shqetësimet politike të kandidatit, por ndoshta edhe për ta bindur atë të tërhiqet. Gara për në Shtëpinë e Bardhë kalon tani në konventat kombëtare të partive në korrik – Clinton do të emërohet zyrtarisht në Kuvendin e Partisë Demokrate në Filadelfia, kurse republikanët do të zgjedhin zyrtarisht Trumpin në Cleveland.
22 të vrarë në Bagdat
Mbi 22 veta janë vrarë dhe mbi 70 janë plagosur nga pasojat e dy sulmeve vetëvrasëse në Bagdad.
Njëri nga sulmet me makinë bombë kishte vënë në shënjestër një rrugë tregtare në lindje të Bagdadit, duke vrarë të paktën katër persona, ndërsa tjetri një nga bazat më të mëdha ushtarake, në veri të qytetit.
Punonjësit shëndetësorë në Bagdad thanë se, numri i viktimave të sulmeve të mëngjesit të sotëm mund të rritet.
Ende askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet e së enjtes.
Sulmet në kryeqytetin irakian nuk kanë rënë sikundër shumëkush kishte pritur, pavarësisht ofensivës irakiane kundër militantëve të Shtetit Islamik në Falluxha, tha të mërkurën një zëdhënës ushtarak irakian.