15.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

Gundoghan tek Manchester City

Manchester City dhe Borussia Dortmund janë shumë pranë finalizimit të marrëveshjes që do ta transferojë mesfushorin turko-gjerman, Ilkay Gundogan në “Etihad Stadium” për 26 milionë euro. Bisedimet mesa palëve kanë nisur që prej shumë muajsh, pasi Pep Guardiola ka kërkuar nga drejtuesit e klubit anglez pikërisht lojtarin e Borussias për të nisur projektin e tij te Manchester City. Fakti që “citizens” kanë nisur të mendojnë për Gundoghan që në muajin mars e ka avantazhuar klubin britanik që arrin të thyejë konkurrencën e Barcelonës dhe Juventusit. 25-vjeçari është një nga mesfushorët më të mirë të Bundesligës, por gjatë viteve të fundit forma e tij është kushtëzuar edhe nga dëmtimet e shumta. Aktualisht, ai vuan nga një dëmtim i rëndë në gju që do ta lejë jashtë Euro 2016. Gundogan nuk ishte pjesë e Gjermanisë as në Botërorin 2014. Rikthimi i tij në stërvitje është parashikuar në fillim të muajit gusht për fazën përgatitore të ekipit anglez. Pas arritjes së marrëveshjes për Gundoghan, drejtuesit e Manchester City do të hidhen në sulm për dy objektivat e radhës, ata janë Toni Kroos dhe Paul Pogba.

A do të ndëshkohet Polonia?

Bernd RIEGERT

Me procesin kundër Polonisë, për shkak të shkeljes së shtetit juridik, Komisioni i BE ecën në tokë të parrahur. Për herë të parë, Komisioni i Junckerit përdor një instrument, të cilin e krijoi jo më larg se në mars 2014 me mbështetjen e Parlamentit Evropian, por kundër rezervave të Këshillit të Ministrave, pra të përfaqësive së qeverive nacionale.
I ashtuquajturi mekanizëm i shtetit juridik është në thelb vetëm një dialog formal, i strukturuar midis Komisionit dhe “shkelësit të ligjit”. Mekanizmi u ngrit si parashkallë për procesin e mirëfilltë të sanksionimit, sipas Nenit 7 të Marrëveshjeve të Lisbonës të BE.

-Për se e akuzon Komisioni i BE Poloninë?
Zëvendëspresidenti i Komisionit, Frans Timmermans dhe juristët e tij e akuzojnë qeverinë polake se shteti juridik në Poloni “është i rrezikuar në mënyrë sistematike”. Ndryshimet në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese dhe reduktimi i mënyrës si punon ajo e kufizojnë pavarësinë e drejtësisë në një mënyrë të tillë, që i shkel parimet evropiane të shtetit juridik. Këto parime janë fiksuar në Marrëveshjet e Lisbonës, të cilat natyrisht i ka nënshkruar edhe Polonia si shtet anëtar. Refuzimi i qeverisë për të publikuar vendimet e Gjykatës dhe për t’i njohur ato, e kanë acaruar gjendjen.
-Si reagon qeveria polake?
Kryeministrja nacionalkonservatore Beata Szydlo preferon tone të larta. Në mënyrën si vepron Komisioni i BE ajo sheh një sulm ndaj sovranitetit të Polonisë. Ajo ngul këmbë që Partia e saj, pas një fitoreje të madhe në zgjedhjet e vitit të kaluar ka të drejtë t’i formësojë drejtësinë, mediat dhe politikën në një mënyrë të tillë, siç e dëshirojnë zgjedhësit për mendimin e saj. Negociatat personale të Timmermanns në Varshavë nuk sollën afrimin e pozicioneve. Szydlo bubulloi në Parlament se Komisioni i BE kërkon të shkatërrojë BE: “Nuk është Polonia që ka një problem me Komisionin – Komisioni ka një problem me veten e tij”.

-A ka një arbitër?
Në parim, i ashtuquajturi Komision i Venecias i Këshillit të Evropës në Strasburg është një institucion i njohur për trajtimin e çështjeve të shtetit juridik. Këtij organi të përbërë nga juristë evropianë dhe amerikanë të së drejtës publike qeveria polake i kërkoi shprehimisht të japë mendimin e tij. Por Komisioni i Venecias votoi në mars kundër Polonisë. Papritur, qeveria e Varshavës nuk u ndje më e lidhur në premtimin e saj se do ta pranonte vendimin e Komisionit të Venecias.

-Si do të ecë tani procesi?
Pas hapjes së dialogut në janar, qeveria polake kishte katër muaj kohë për ta shpjeguar mënyrën si kishte vepruar. Por meqenëse Komisioni i BE deri tani nuk mund të konstatojë se qeveria polake është marrë me rezervat e shprehura nga Komisioni, ai ndez tani shkallën e dytë të mekanizmit: ai publikon një paralajmërim publik ndaj Polonisë, që të kthehet në parimet e shtetit juridik. Tani qeveria polake ka dy javë kohë që të reagojë ndaj paralajmërimit. Po të mos shfrytëzohet ky afat, Komisioni i BE do të japë një rekomandim konkret se, cilat hapa juridike dhe politike do të ndërmarrë Polonia, veçanërisht për të ruajtur pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe lirinë e medieve. Nëse Polonia i injoron këto paralajmërime, atëherë është e hapur mundësia që të niset një procedurë sipas Nenit 7 të Marrëveshjes së Lisbonës.

-A mund ta ndëshkojë me të vërtetë BE Poloninë?
Komisioni Evropian nuk ka mundësi që të japë ndëshkime kundër një vendi anëtar. Këtë mund ta bënte vetëm Këshilli i BE, pra organi ku përfaqësohen të 28 shtetet anëtare. Këshilli mund të konstatojë sipas Nenit 7 të Marrëveshjes së BE me një shumicë prej katër të pestat të votave që në Poloni “ekziston rreziku i qartë për një shkelje të rëndë” të vlerave të përbashkëta. Polonia do të merrte rekomandime për ta eliminuar këtë mangësi. Nëse kjo nuk do të sillte dobi, Këshilli mund të konstatojë se ekziston një “shkelje e rëndë” e vlerave të përbashkëta. Kjo duhet bërë me vota unanime. Si hap të fundit, Këshilli mund të vendoste sanksione kundër Polonisë: ose t’i heqë të drejtën e votës ose të shkurtojë mjetet financiare. Polonia është gjithsesi përfituesja më e madhe e ndihmave të BE. Për vendosjen e këtyre sanksioneve nevojitet vetëm një shumicë e kualifikuar votash.

Përse nuk mund të mbyllen kufijtë

Emigracioni, pabarazia, rënia e klasës së mesme, kriza e euros, mosbesimi tek lidershipi zyrtar: nuk ka mungesë të shpjegimeve për mesazhin që votuesit e zemëruar, janë duke e shpërndarë në kutitë e votimit në vende të ndryshme europiane. Megjithatë, shumicën e kohës, ai mesazh shpërfillet si një hov të përkohshëm të gjaknxehtësisë, që përfundimisht do të vetë-rregullohet.
Për të paktën 20 vitet e fundit, ne e kemi konsideruar acarimin e opinionit publik si një kosto të papërfillshme për demokracinë. Në fakt, mbështetja për partitë radikale vetëm sa është rritur. Partitë tradicionale që favorizojnë integrimin europian – kristian dhe social demokratët janë të kërcënuar në të gjithë kontinentin. Partitë e reja radikale, veçanërisht ato të së djathtës ekstreme, janë shfaqur papritur kudo.
Ato përfaqësojnë një forcë të fuqishme dhe kërcënuese, me kohën në favorin e tyre. Çdo 4 vjet, Unioni Demokristian të Gjermanisë (CDU) humbet 1 milion votues për arsye të pastra demografike. E njëjta gjë vlen edhe për Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Viktimat në zonat me papunësi të lartë, votuesit e rinj në Gjermani, Itali, Austri, Spanjë, dhe gjetkë votojnë shpesh ndryshe dhe në mënyrë të paparashikueshme.
Ata që pohojnë se është gati të lindë një epokë e re, nuk e kanë kuptuar asnjëherë erën në të cilën po jetojnë. Ka ardhur koha për t’i marrë parasysh këto zhvillime për atë që ato janë – një ndryshim i përhershëm në peisazhin politik europian. Zgjedhjet presidenciale austriake dëshmuan edhe një herë se partitë tradicionale, të lëna mënjanë nga një formacion nacionalist ksenofobik si Partia e Lirë e Austrisë, tërheqin një pjesë të papërfillshme zgjedhësish.
Ka arsye të besohet se, kjo nuk është një protestë e rastit, por një hap drejt një forme të re të populizmit autoritar. Kjo prirje është duke e mbërthyer Europën në një mënyrë të njëjtë me atë që ndodhi në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Kjo mund të tingëllojë alarmante për faktin se shoqëritë europiane gjenden aktualisht në një shpat të rrëshqitshëm, që krijon hapësirë për politikat autoritare – një shpat i formuar nga efektet e kombinuara të krizës ekonomike dhe asaj të emigrantëve, e cila e bën perspektivën e mbylljes së kufijtë kombëtarë bindëse për zgjedhësit.
Ne tashme jemi dëshmitarë të ndërtimit të gardheve me tela me gjemba dhe mure që shkojnë deri në Europën Lindore për të mbajtur jashtë refugjatët. Aktualisht, Austria është duke ndërtuar “mure” në kufirin e saj në Slloveninë dhe Italinë.
Kontinenti i është rikthyer ndërtimit të barrierave dhe nuk do të duhet shumë kohë para se shkurtimet ekonomike dhe kufizimet në tregti të fillojnë të dëmtojnë Tregun e Përbashkët – themelin e Bashkimit Europian. Politikat despotike mund të rikthehen të jenë sërish në modë. Ato janë tashmë në proces për të ndodhur. Rishtetëzimi i politikave ka qenë një tipar përcaktues i krizës ekonomike në BE që nga viti 2008.
Retorika e “secilit për vete”, ose ideja e “reduktimit të rrezikut, pa ndarjen e rrezikut”, fsheh një mungesë gatishmërie për t’iu përgjigjur së bashku një kërcënimi të përbashkët. Kjo është një reminishencë e shteteve kombëtare europiane të shekujve të fundit, të cilat qenë themeluar mbi parimin e vetë-mjaftueshmërisë, në vend të ndërvarësisë, në mënyrë që të përgatiteshin për mundësinë e luftërave të shpeshta.
Despotizmi mund të bëhet edhe një herë joshës për politikanët, të cilët janë të etur të valëvisin flamuj kombëtarë dhe t’i bashkohen mbështetësve të tyre, kundër kërcënimit të jashtëm, real apo imagjinar qoftë. Ndërsa, negociatat mbi marrëveshjen e tregtisë transatlantike janë duke u zvarritur, lëvizjet anti-tregtare po pësojnë një rritje të fortë.
Izolimi ekonomik shumë i keq në shekullin e fundit, por për shoqëritë dhe sistemet ekonomike që janë zhvilluar në 6 dekadat fundit në tregje të hapura, rreziku despotik është ekzistencial. Varfëria, papunësia masive apo grevat mund të shkaktojnë kaos në sektorët e industrive eksportuese dhe importuese, te grosistët, prodhuesit e lidhur me zinxhirët e furnizimit global, dhe kështu me radhë. Përtej efekteve standarde të kontrollit të kufijve, lëvizja e njerëzve dhe kapitalit mund të bëhet e kufizuar nga survejimi elektronik. Një reagim edhe më shumë autoritar  – ndoshta edhe një ushtarak-mund të bëhet pasoja e pashmangshme e krizës politike dhe ekonomike.

E ardhmja e Europës
Aktualisht janë urgjente dy lloje përgjigjesh. E para ka të bëjë me trajtimin e rreziqeve të proteksionizmit dhe tundimeve ushtarake, dhe e dyta është më strategjike. Në të parën, negociatat e tanishme mbi një marrëveshje të re të Partneritetit Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve, përfaqësojnë një mundësi të artë që Europianët të angazhohen për të tregtuar në mënyrë të hapur, transparente, dhe diskutuar në mënyrë të vendosur se çfarë nuk pëlqejnë qytetarët Europianë.
Fshehja e pazareve nën banak, mund të “vrasë” dhe atë pak besim të mbetur të qytetarëve europianë tek politika mbikombëtare. Ngjashëm, marrëveshjet parimore për patrullimin e përbashkët europian të kufijve të jashtëm, mund të jenë një udhërrëfyes i mirë për një proces të integrimit të strukturave ushtarake kombëtare.
Pasi proteksionizmi dhe armiqësia ushtarake të jenë parandaluar, është i nevojshëm një mendim më strategjik për të ardhmen e Europës, një i tillë që të vërë në pikëpyetje arsyen ekzistenciale europiane përballë asaj që është jo-europiane – të miliona refugjatëve në kufijtë e kontinenteve.  Emigrantët ofrojnë përvojën e përballjes me “tjetrin” si një busull të etikës njerëzore.
Është koha që Europa të rithërrasë Konventën Europiane, e cila dështoi në vitin 2003 të prodhojë një Kushtetutë të përbashkët, ose historia do t’i japë përgjigje të gabuara pyetjeve që vetë europianët as nuk kanë guxuar t’i ngrenë. Së fundmi, i njëjti akt i ndershmërisë dhe kurajos duhet të ndërmerret edhe mbi krizën ekonomike, e cila është duke gjalluar ende në mesin e shumicës së vendeve të BE-së, dhe ushyer  ndjenjat anti-europiane në mesin e viktimave të saj.

Shtohen masat e sigurisë në aeroporte

Në aeroportet evropiane po rishikohen me urgjencë masat e sigurisë, ndërkohë që vazhdon të rrethohet nga misteri shkaku i rrëzimit të avionit Egyptair.
Edhe pse nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi rrëzimin në Mesdhe të avionit me numër fluturimi 804, historia e gabimeve të sigurisë në aeroportet ku u ndal atë ditë avioni i ka shtuar dyshimet për rrëzimin.
Ekspertët e aviacionit vënë në dukje se nga piloti nuk erdhi asnjë sinjal për ndihmë, ndërkohë që avioni po bënte manovra të shpejta. Këto i kanë shtuar gjithashtu dyshimet për një akt terrorist, vetëm dy muaj pas sulmeve vdekjeprurëse në Aeroportin “Zaventem” të Belgjikës.
Në qoftë se avioni është rrëzuar nga ndonjë bombë, ekspertët dhe zyrtarë të qeverisë thonë se, shpjegimi më i mundshëm është që një pajisje të ketë qenë vendosur në bord nga një punëtor në njërin nga të katër aeroportet ku avioni kishte bërë ndalesa.
Terrorizmi nuk është i vetmi shkak i mundshëm për rrëzimin. Ekspertët e aviacionit paralajmërojnë se shkak mund të ketë qenë një difekt mekanik ose një gabim i pilotit.

NATO e BE, bashkë kundër Rusisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jen Stoltenberg, dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, u zotuan sot për thellimin e bashkëpunimit kundër luftës jokonvecionale, duke bashkuar aftësitë e NATO-s dhe të BE-së. Një takim i përbashkët NATO–BE shqyrton rritjen e bashkëveprimit dhe koordinimit ndaj rreziqeve të reja, përfshirë Rusinë dhe krizën e emigrantëve në Mesdhe.
Përpara një takimi BE – NATO, zoti Stoltenberg foli për luftërat hibride të paparashikueshme që zhvillon Rusia, duke kombinuar njësi luftarake të paidentifikuara, propagandën dhe presionin ekonomik, si në rastin e aneksimit të Krimesë në vitin 2014.
“Ka një nevojë të dukshme për koordinim të shtuar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Bëhet fjalë për kibernetikën, infrastrukturën, furnizimin me energji dhe komunikimet strategjike”.
NATO mendon se fondet e BE-së, rrjeti i saj i ekspertëve dhe ambasadave, si dhe njohuritë e saj ekonomike, do të plotësojnë aftësitë e aleancës ushtarake për t’u përballur me probleme, si Rusia, Libia, trafiku i armëve dhe emigrantëve në Mesdhe.
“Ndërkohë që po ndërmarrim hapa të rinj, si trajnimin e rojes bregdetare pranë Libisë, apo zbatimin e embargos së OKB-së për armët, do të na duhet të forcojmë kapacitetet tona. Mbështetja e NATO-s dhe bashkëpunimi me të mund të jetë thelbësor”.
Megjithëse 22 nga 28 vendet anëtare të NATO-s janë edhe anëtare të BE-së, të dy organizmat janë të kufizuara në punën e tyre për shkak të tensioneve ndërmjet Turqisë dhe Greqisë. Ndërkohë që NATO po krijon planet për përballimin e Rusisë në lindje nëpërmjet batalioneve shumëkombëshe, as NATO dhe as BE-ja nuk kanë hartuar një strategji të qartë për t’u përballur me militantët e Shtetit Islamik dhe dhunën sektare në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

Prokuroria Speciale në Maqedoni dhe operacioni Titaniku i Fatimes

Lumi Bekiri është një fytyrë e njohur në protestat e “revolucionit të shumëngjyrshëm” maqedonas që zhvillohen prej pesë javësh. Studenti 21-vjeçar i përshkon shpesh 30 kilometrat që e ndajnë qytetin e tij, Kumanovën me Shkupin, për të marrë pjesë në protestat e përditshme që fillojnë në orën 6 të mbrëmjes para Prokurorisë Speciale, si shenjë e mbështetjes për këtë institucion të ri të formuar. “Ata përfaqësojnë një rreze të fortë drite në situatën më të errët që po kalin vendi ynë”, thotë Bekiri. “Ato janë shpresa dhe shtylla e shtetit, që ne duam të ndërtojmë në të ardhmen – ku drejtësia respektohet dhe ku ne të gjithë jemi të barabartë para ligjit”.
Protestat ditore filluan, kur presidenti Gjorgje Ivanov vendosi të falë të gjithë politikanët dhe mbështetësit e implikuar në skandalin e jashtëzakonshëm të përgjimit. Ky vendim, i konsideruar antikushtetues nga ekspertë të njohur ligjorë, e thelloi edhe më shumë krizën politike, në të cilën ishte futur Maqedonia. Hapi, që u pa si një hap i koordinuar me partinë qeverisëse, VMRO-DPMNE u konsiderua edhe një sulm kundër Prokurorisë Speciale, e cila ka mandatin të hetojë akuzat se qeveria ka përgjuar më shumë se 20.000 vetë.

Drejtësi për “titanikun”
Për Lumi Bekirin dhe përkrahësit e tjerë të “revolucionit të shumëngjyrshëm” nuk ishte rastësi që Prokuroria Speciale rastin e parë të saj e emërtoi si rasti “titaniku”. Ishte një mesazh për ish-kryeministrin, Nikola Gruevski dhe përkrahësit e tij më të afërm që anija po fundosej. Ka qenë e papërfytyrueshme që në një vend, ku vetëm një vit më parë njerëzit kishin frikë të kritikonin hapur qeverinë në pub-e apo kafenene. Sigurisht është një simbolikë e veçantë që skandali më i madh në historinë e re të Maqedonisë që i ka kaluar Prokurorisë, e cila drejtohet nga tre femra. Në 10 vitet e shkuara, Gruevski dhe rrethi i tij krijuan një sistem të korruptuar të bazuar në frikësimin dhe klientelizmin, morën masa që kufizuan të drejtat e grave dhe promovuan maskilizmin, homofobinë dhe anti-feminizmin.
Imazhet e prokurorëve, Katica Janeva, Fatime Fetai dhe Lence Ristoska shihen kudo në protestë. Prokuroret i gjen në T-shirte, pllakate, stema dhe madje edhe në termuse kafeje. T-shirti me mbishkrimin “Mbështetje për SJO” është bërë më popullori në Maqedoni. Sigurisht nuk duhet të luajë rol gjinia e prokurorëve, por barazia politike, profesionale dhe personale për gratë në Maqedoni është ende një rrugë e vështirë. Shumë maqedonas kanë gjetur edhe një element tjetër, tre femrat prokurore atyre u kujtojnë Justitian, perëndeshë romake të drejtësisë. Fetai është shprehur për “Deutsche Wellen” se reagimi publik nga Prokuroria Speciale, tregon se Maqedonia ka nevojë të rrisë prezencën e femrave si në politikë, biznes ashtu edhe në kulturë. “Mendoj se është e rëndësishme të veçojmë faktin, se një grua mund ta mbajë barrën e një pune kaq të komplikuar në shoqëri dhe se ia del mbanë”.
Ndërsa prokurorja Lence Ristoska thekson se, megjithëse ligji në Maqedoni garanton të drejta të caktuara teorikisht për barazinë, ende mbetet një rrugë e gjatë në praktikë. “Prandaj e konsideroj të nevojshme të spikasim të gjithë ata shembuj pozitivë të grave të suksesshme dhe sfidave që ato përballojnë për arritjen e qëllimeve të karrierës dhe gjetjen e vendit që meritojnë në jetën shoqërore, politike dhe kulturore të vendit”, është shprehur Ristoska për DW.

Ndikim pozitiv në marrëdhëniet ndëretnike
Maqedonia është një shoqëri me marrëdhënie të ndërlikuara mes grupeve etnike. Paragjykimet kundrejt minoriteteve, sidomos kundër shqiptarëve, që përbëjnë rreth 25% të popullsisë – janë shfrytëzuar dhe përdorur për manipulim nga media pro-qeveritare ashtu edhe në diskursin publik. Prokurorja shqiptare në Prokurorinë Speciale, Fatime Fetai thotë se njerëzit mes tyre, megjithë sfondin e ndryshëm të prejardhjes nuk kanë probleme të mëdha, por klasa udhëheqëse ka punuar në drejtim të krijimit dhe shfrytëzimit të konflikteve. “Axhenda politike, interesi dhe suksesi i elitave politike që kanë drejtuar vendin deri më tani ka qenë i orientuar në prishjen e këtyre marrëdhënieve”. Kjo i bën njerëzit të besojnë se nuk është e mundur bashkëjetesa mes etnive të ndryshme.
Fatime Fetai thotë se, reagimi ndaj punës së saj, tregon se shoqëria maqedonase po piqet në këtë drejtim. “Përmes rolit në zyrën e Prokurorisë Speciale Publike, përmes meje si shqiptare dhe prokurorëve të tjerë – maqedonas apo shqiptarë – dhe misionit fillestar të kësaj prokurorie për të vendosur sundimin e ligjit në vend, qytetarët kanë marrë mesazhin e nevojshëm, se ne jemi të gjithë njësoj dhe të barabartë”.
Edhe studenti Bekiri dhe protestuesit e tjerë planifikojnë të vazhdojnë protestat deri sa Ivanov të tërheqë vendimin e tij për faljen e politikanëve të akuzuar për krime. Ata kërkojnë themelimin e një njësie gjyqësore penale që do të jetë përgjegjëse për rastet nën juridiksionin e Prokurorisë Speciale dhe formatimin e një qeverie teknokratike që do të organizojë zgjedhje të lira. “Kam besim se, Prokuroria Speciale do të përfundojë punën për të cilën është krijuar, këtë besim e bazoj në burimet potenciale dhe njerëzore në prokurorinë tonë”, thotë Fetai. “Jam e sigurtë, që ne do të gjendemi në anën e duhur të historisë”.

Revolta e tregtarëve: Rama ka ndërtuar shtet gjobëvënës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar turin e bashkëbisedimit me banorë të Pogradecit. Ndonëse një nga qytetet më të bukura turistike, Pogradeci ashtu si i gjithë vendi vuan pasojat e keqqeverisjes e së fundmi edhe të diskriminimit. Papunësi e madhe, rënie e fuqisë blerëse, varfëri, mashtrimi që mazhoranca u bëri për t’iu marrë votat tri vite më parë dhe shkatërrimi i pronave me leje, pa dhënë asnjë dëmshpërblim ishin disa nga shqetësimet që banorët e Pogradecit i shprehën Bashës.
Tregtar: Unë jam një biznes i shkatërruar. Që më datën 6 janar të vitit 2015 akoma nuk më është dhënë vendimi i prishjes së objektit, vazhdoj me gjyqet. Nga një biznes që kisha 10 punëtorë unë sot jam i mbaruar, dal e lypi bukë.
Basha: Ka një shtet brenda shtetit që merr paratë që duhet t’i merrje ti. Ka një shtet brenda shtetit që merr paratë që duhet të shkojnë për ilaçet nëpër spitale, pajisjet nëpër spitale. Ka një shtet brenda shtetit që merr paratë e pensioneve e të ndihmës ekonomike. Ka një shtet brenda shtetit dhe ky është Koço Kokëdhima, është Klement Balilaj, është Emiljano Shullazi, është Saimir Tahiri, është Edi Rama, është Arben Ahmetaj. Ka një shtet brenda shtetit, po nuk shkatërruam këtë shtet brenda shtetit kjo mynxyrë do të vazhdojë.
Ish-minator: Na ka premtuar se do të na japë statusin e minatorit. Jo status nuk po na jep, por edhe po na mashtron me një pension qesharak.
Basha: Po si mund të rritet ekonomia kur gjithë paratë që mblidhen nga taksat shkojnë për luks qeveritar?! 90 milionë euro i kanë bërë orendi për zyra, për zyrat e Shukriut e të shukrive. Paratë do të kthehen në investime dhe jo investime luksi, investime që do të hapin vende pune.
Tregtarët ankohen për gjobat e mëdha që u vihen nga tatimorët. Vijnë deri në 6 herë në ditë për kontroll, kur s’marrin ryshfet vënë gjoba, tha një tregtar.
Për biznesin e vogël heqja e taksës është zëvendësuar me gjoba sa 3-fishi i taksave që paguanin.
Prodhues buke: Të puthin duart gratë e shkreta se duan bukë të ftohta, të ndenjura pa lekë. Kam pesë punëtorë, vetë jam gjashtë, i siguruar me taksa me tatime. Po erdhi Hetimi Tatimor do qëndroj këtu, ose do të bëhesh gati të paguash, ose ka gjobë 500 mijë. Ky është shteti i gjobave, gjobëvënës.
Në dyqanin e mishit, Basha: Sa kile mish shet në ditë?
Kasap: Po 5, 6 kile.
Basha: Sa ke shitur vjet?
Kasap: Po gati 30, 40 kile.
Basha: 5 herë më pak se vjet.
Kasap: Po s’kanë lekë njerëzit.
Basha: Nxori njerëzit pa punë, riktheu bandat jo vetëm në Shqipëri, por edhe në qeveri. Morën 180 milionë euro oligarkët dhe bandat. 2.2 miliardë në dy vjet janë zhdukur nga financat e shtetit. Këto janë paratë që iu mungojnë kasapëve.
Tregtar: Vetëm në një ditë gjashtë herë vijnë të tatimeve.
Basha: Po çfarë duan që vijnë gjashtë herë këtu?
Tregtar: Thjesht ka hequr taksën e biznesit të vogël dhe atë do ta zëvendësojnë me gjobë.
Tregtar: Pse erdhi nusja e më solli një çikë bukë mua këtu, 500 mijë lekë direkt gjobë, pa një vendim.
Basha: Taksat do t’i ulim, gjobat abuzive do t’i anulojmë.
Tregtar: Taksat i paguajmë, por gjobat na mbytën.
Basha: Absolutisht, taksat i merr banda dhe banda ble 60 mijë euro syze, bën saraje 5 milionë euro.
Tregtare: S’kemi bërë sefte akoma, s’ka leka.
Pronar mobilierie: Nga janari deri tani muaji i parë që ja po themi që ingranohemi si duhet.
Basha: Sa punonjës ke?
Pronar mobilierie: Unë kam shtatë. Kam pasur shumë po mundësia s’është më.
Basha: Sa ke pasur?
Pronar mobilierie: Deri në 15.
Tregtar: S’ka punë, nuk ecën asgjë, as xhiro. Prandaj shikoni tani të hapni punë.
Rritja e çmimit të energjisë, ulja e pagesës së ndihmës ekonomike dhe lënia pa asnjë kujdes social e më të pamundurve ndihet në shumë familje në Pogradec. Dy prej tyre u vizituan nga zoti Basha. Shtatë anëtarë të një familjeje detyroheshin të jetonin në një dhomë, nuk kishin të ardhura dhe s’paguanin dot faturën e energjisë elektrike. Kishin investuar në bimët medicinale, të cilat për shkak të rënies ekonomike nuk gjenin dot treg. Në këto kushte shtatë pjesëtarët e familjes ishin në kufijtë e mbijetesës.
Familjar: Tani unë nuk kam çfarë them. Në këtë dhomë jetojnë shtatë veta zotëri, pesë fëmijë, burrë e grua.
Basha: Të gjithë këtu jetoni?
Familjar: Po, po.
Basha: Fëmijët këtu flenë?
Familjar: Këtu përdhe po, po.
Familjar: Do ta hap frigoriferin të shohësh çfarë hanë fëmijët. E kam menduar të mbytem në gjol po këta ku t’i lë. S’kam asnjë mundësi më…….
Kryetari i Partisë Demokratike premtoi dhe ndërtimin e unazës së qytetit. Projekti është gati dhe kostoja përllogaritet 9 milionë euro e barabartë me paratë që merr me koncesionin korruptiv Vilma Nushi në 9 muaj, tha Basha.

Emërimet nepotike, Gjermeni 6 familjarë drejtora në Lushnjë

Kryetari i degës së PD në Lushnjë, Myslim Murrizi ka denoncuar publikisht emërimet nepotike në Lushnjë. Në një postim në Facebook, Murrizi shkruan se vetëm Elida (Korreshi) Gjermeni, anëtare kryesie e PS, Kryetare e Gruas Socialiste dhe Kryetare e Këshillit Bashkiak Lushnjë ka emëruar 6 familjarë të saj në poste të rëndësishme. “Denoncimet e qytetarëve lushnjarë për nepotizëm në administratën shtetërore janë një shqetësim jo i vogël. Kur qindra të tjerë hiqen nga puna për motive politike e shumë të tjerë nuk kanë mundësi punësimi, pasi edhe pse kanë votuar e mbështetur “Rilindjen” nuk janë pjesë e klaneve që komandojnë në emër të pushtetit. Pas denoncimit të bërë nga ana e degës PD Lushnjë për një listë emërimesh nepotike të lidhura me një ish-deputet dhe ish-kryetare e Këshillit Bashkiak Lushnjë ja se çfarë më shkruan një qytetar për kryetaren e Këshillit Bashkiak të sotëm Lushnjë”, shkruan Murrizi, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje kryetar i PD Lushnjë. Jam një qytetar lushnjar që edhe pse nuk kam votuar për PD, doja të denoncoja tek ju disa emërime lidhur me Elida (Korreshi) Gjermeni anëtare kryesie e PS, Kryetare e Gruas Socialiste dhe Kryetare e Këshillit Bashkiak Lushnjë. 2-Vladimir Gjermeni, burri i Elidës, drejtor i Shkollës së Mesme Mekanike në Lushnjë 3-Islam Korreshi, vëllai i Elidës, në Ndërmarrjen e  Shërbimeve Publike në Bashkinë e Lushnjës 4-Namik Korreshi, vëllai i Elidës, së fundi është emëruar tek kunati i tij në Shkollën Mekanike si instruktor 5-Mbesa e Elida Korreshit, vajza e Islamit, punon në Bashkinë Lushnjë. 6- Zija Kurti, nipi i Elida Korreshit, drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar Çermë Shkumbin”, shkruan ai.
Kreu i PD të Lushnjës ka denoncuar publikisht edhe përgjegjësin e zyrës Arsimore Lushnjë, i cili ka pushuar nga puna mësues me eksperiencë, duke i zëvendësuar me militantë partiakë. “Përgjegjësi i Zyrës Arsimore Lushnjë është kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre i duket vetja si shef kuadri i PPSH dhe së bashku me ish-Sekretarin e Byrosë së Shmilit të Galigatit Hasan Qokun me deputetin bëjnë presione politike mbi mësuesit dhe emërime e shkarkime sipas Partisë së Punës. Që të dy ju mbeturinat e regjimit të Enverit nuk ju ka parë njeri si të zgjebosur politik gjatë 13 viteve të qeverisjes së PD përkundrazi ju kanë trajtuar me mëshirë që vetëm mostra si ju dinë të lypin me një servilizëm të pështirë ndaj kujdo që ka qenë në pushtet. Shumë shpejt do të trajtoheni ashtu siç jeni në fakt. Ja çfarë më shkruajnë dy mësues për Shkollën Shenepremte ku Sekretari i Byrosë është bërë drejtor dhe për Shkollën Çermë Shkumbin: Ornela Metalla. 4 vjet pune ka marrë jashtë ligjit kategorinë e 3. Duhen të kesh 5 vjet punë dhe të keshë dhënë provim (ta marrësh provimin) që të keshë kategorinë e 3. Edukatorja në Çermë Shkumbin, Arta Mynyr Muça ka mbaruar Histori-Gjeografi në Elbasan pa punuar asnjë ditë në arsim”, shkruan Murrizi.
Murrizi shkruan më tej se, Ylli Krakulli i komanduar përgjegjës i Zyrës Arsimore Lushnjë i është djegur makina, ndërsa policia e ka mbajtur të fshehtë ngjarjen. “Të martën më datë 10 maj 2016 rreth orës 21:00 i digjet makina “Ford Focus” e vitit 2008 në parkimin poshtë shtëpisë së tij. A di gjë policia e Komisariatit Lushnjë për këtë ngjarje? Apo ka qenë “defekt” elektrik meqenëse ka qenë parkuar afër një gabine elektrike? Apo ndonjë “hesap” larje? E çuditshme me këta drejtorët e Arsimit Lushnjë! Dhe këta kanë qenë “shumë korrekt”, por çështje fati më duket se kurrë nuk marrin lekë për emërime mësuesish!?, shkruan Murrizi në një postim në rrjetin social.

R.POLISI