16.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

Tom Palmer: Taksa progresive, varfëroi dhe largoi njerëzit nga Shqipëria

Tom Palmer, mbështetësi i politikave liberale, analist në Cato Institute dhe zv/ president për programet ndërkombëtare në rrjetin Atlas në një intervistë për ABC news thotë se taksa e komplikuar progresive, i bën njerëzit më të varfër dhe i largon nga vendi si dhe nuk krijon të ardhura në buxhet. Palmer sjell si shembull tipik të dështimit të politikave socialiste Venezuelën.
Decentralizimi i sistemit fiskal dhe më shumë pavarësi për qytetet dhe rajonet në mbledhjen e taksave dhe shpenzimin e të ardhurave që vijnë prej tyre do të ishin politika që sipas mbështetësit të politikave liberale Tom Palmer, analist në Institutin Kato dhe zv/president për programet ndërkombëtare në Rrjetin Atlas, do të krijonin një konkurencë të shëndetshme brenda Shqipërisë, por dhe t’i jepte mundësi vendit të ndërtonte lidhje të tregut të lirë origjinal me vendet e tjera të Europës.
Shqipëria nën qeverisjen socialiste po aplikon taksën progresive, një sistem që sipas Palmer është i komplikuar largon qytetarët nga vendi, dhe ata që qëndrojnë janë gjithnjë në përpjekje për t’ju fshehur taksave të larta, taksa që për më tepër nuk i kuptojnë. Çfarë duhet bërë që ekonomia e një vendi të rritet dhe në familjet shqiptare të ketë më shumë të ardhura.
“Mendoj se një prej gjërave që duhet zbuluar janë taksat e ulëta, të barabarta për çdokënd në mënyrë që të jenë të kuptueshme. Prej këtij modeli mund të gjenerohen më shumë të ardhura. Duket paradoksale, politikanët nuk mund ta kuptojnë se si kjo është e mundur, por njerëzit janë të prirur të mos i shmangen një takse kur është e ulët, e qartë dhe e lehtë për t’u kuptuar. Kështu që mendoj se taksa e sheshtë është një qasje shumë më e mirë se sa taksa progresive e komplikuar… një sistem taksash që ka tendencë të largojë njerëzit nga vendi. Ju e shihni njerëzit produktivë, të përgatitur kanë tendencë të lënë vendin kur taksat bëhen më të komplikuara dhe niveli i tyre rritet. E ulët, e thjeshtë, e sheshtë dhe e ndershme është një qasje shumë më e mirë për taksat”.
25 vjet demokraci dhe raportet ndërkombëtare më të rëndësishme: ai i progresit vjetor i BE-së dhe i Departamentit Amerikan të Shtetit flasin ende për korrupsionin si problem serioz e të shpërndarë në të gjitha nivelet e qeverisjes në Shqipëri. Si i qasen liberalët zgjidhjes së këtij problemi.
“Gjëja më e rëndësishme për largimin e korrupsionit është të shmangësh sloganet, billobordet, fjalimet e politikanëve dhe të shkosh tek shkaqet. Dhe një prej shkaqeve është arbitrariteti që pushteti, burokratët dhe politikanët kanë. Ata mund të të favorizojnë ty ose këtë tjetrin. Kur eliminoni këtë ju eliminoni mundësinë për bakshish, për korrupsion.
E dyta, është eliminimi i lejeve dhe licencave për biznesin. Kjo e ul mundësinë që punonjësit e shtetit të kërkojnë para në këmbim të një shërbimi më të shpejtë. Disa reforma institucionale që i kanë ndërmarrë disa vende si Gjeorgjia, Estonia etj. është kalimi i shumicës së shërbimeve qeveritare online, sepe kompjuterat nuk kërkojnë ryshfet.
Së treti, një burim i madh korrupsioni janë tenderat publikë përmes të cilëve kontratat qeveritare si për shembull për ndërtim rrugësh shkojnë tek miqtë e kryeministrit, ministrit të Transporteve etj.
Sinqerisht këto janë problemet kryesore dhe ju duhet të keni ligje të qarta që të mundësojnë 100% transparencë në mënyrë që kushdo që të garojë, tenderin ta fitojë ai që paguan më shumë në shtet, thjesht.
Së fundmi, përpiquni që të zhvendosni gjërat nga sektori publik tek sektori privat. Një prej problemeve të mëdha është se kur sektori publik është shumë i madh zgjerohen dhe mundësitë për korrupsion”.
Në optikën e tij, socializmi në çdo rast nuk është zgjidhje, edhe kur njerëzit në drejtim mund të kenë qëllime të mira. Gjatë prezantimit të librit me esse për liberalizmin, ai tha se edhe njerëz të mirë e inteligjentë mund krijojnë ferrin në tokë dhe si shembull mori atë që qeverisja socialiste po i bën një vendi si Venezuela.
“Të mendojmë për një shembull të thjeshtë: Vendosim të ulim çmimin e qumështit me qëllimin që të jetë lehtësisht i përballueshëm për njerëzit. Por, nëse ky çmim bie poshtë nivelit të tregut mund të sjellë korrupsion dhe gjithë llojet e problemeve. Pasoja është se, çmimi real që paguhet nga njerëzit në formën e parave, pritjes në radhë e ryshfetit, e çon koston më lart se çmimi i tregut. Kështu që ju duhet të tregoni vëmendje tek bazat e ekonomisë tek ato që njerëzit përballojnë dhe të lejoni çmimet të thonë të vërtetën.
Ajo që shohim tani në Venezuelë është është një çështje për t’u patur në vëmendje. Njerëzit thonë: uau ne kemi këtë qeveri që mbështet të varfërit… E cila është pasoja? Varfëri e pabesueshme, uri e vërtetë, por që zyrtarisht është një vend i pasur dhe këto politika socialiste e kanë shkatërruar Venezuelën pikërisht në sytë tonë.
Ky vend ka rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë. Çfarë na tregon kjo: që gjëja më e rëndësishme nuk është nafta, ari apo diamantet. Janë ligjet e duhura ato që të çojnë në një ekonomi të lirë tregu.
Merrni shembullin e Holandës. Nuk ka asnjë burim natyror aty, por si ka mundësi që ajo është një ndër vendet më të pasura… ose Luksemburgun…nuk ka asgjë aty, por ata kanë mirëqënie, sepse kanë ligje të mira, qeveri të kufizuar. Dhe në Venezuelë, vendi me rezervat e provuara më të mëdha të naftës shoqëria po shkatërrohet me politika socialiste”.
Dhe që të mos vuash edhe në shekullin e 21 shkurtimet e ushqimit – bukës, vajit, orizit apo kolapsit të shërbimeve sociale, një brutalitet të madh politik dhe kriminaliteti të lartë, Tom Palmer thotë se, liberalizmi ekonomik dhe politik është rruga e vetme drejt mirëqenies dhe prosperitetit.

Ish-studentja e “La Sapienza” sfidon politikën me një fermë dhish në Rubik

Kur vendosi të kthehej në Shqipëri me një diplomë të “La Sapienza-s” në duar, Rigerta Loku nuk e çoi ndërmend se vendlindja do ta sfidonte me një të ardhme si fermere. Vajza nga Rubiku u kthye nga Italia gjashtë vjet më parë, pasi studioi shkenca politike në Universitetin prestigjioz të “La Sapienza-s” në Romë dhe u specializua për marrëdhënie ndërkombëtare: dy diploma që i jepnin sigurinë se mund të ndërtonte një karrierë në qytetin e saj të lindjes në Veri të Shqipërisë.
“Besoja se nuk do e kisha të vështirë të gjeja një punë, veçanërisht në Rubik, kur të gjithë synonin të vinin në Tiranë”, kujton 34-vjeçarja Rigerta Loku.
Megjithatë, realiteti ishte larg përfytyrimit të saj. Rigerta Loku i tha “BIRN” se e dërgoi CV-në në disa institucione të pushtetit vendor në Rubik dhe në Rrëshen, por iu kthye mbrapsht pa asnjë shpjegim. Ëndrrat e saj për të bërë një ndryshim në vendlindje u thyen në mes.
E papunë dhe me familje të sapokrijuar, Rigerta mësoi shpejt arsyen e refuzimit, edhe pse askush nuk ia tha hapur.
“Të zgjedhurit e partisë e dinin fort mirë që unë dhe Nardi (bashkëshorti) nuk ishim militantë dhe nuk votonim për ta”, thotë Loku.
Para ofertës për t’u rreshtuar politikisht, Rigerta Loku dhe bashkëshorti i saj, Leonard Tusha zgjodhën rrugën më të vështirë. Me paratë e kursyera në Itali, ata vendosën të ndërtojnë fermën e tyre larg qytetit dhe politikës dhe gjashtë vite më pas, janë krenarë që ia kanë dalë.

Në fermën e dhive

Ferma e Rigerta Lokut dhe Leonard Tushës gjendet në fshatin Prosek, mes gjelbërimit dhe maleve të Mirditës. Fshati shtrihet 6.5 kilometra larg qytetit të Rrëshenit, por rruga mund të përshkohet vetëm me një automjet të lartë 4×4 në një urdhëtim të vështirë që të merr më shumë se 40 minuta.
Mungesa e rrugës, e energjisë dhe e ujit kanë sjellë largime masive në fshatin që dikur numëronte 1500 banorë. Shumica e shtëpive janë të braktisura, ndërsa të zotët nuk kanë mundur t’i shesin as për 100 mijë lekë.
Në Prosek, Rigerta Loku dhe bashkëshorti i saj ndërtuan fillimisht një kasolle në pronat e babait në vitin 2010 dhe blenë disa dhi race. Vendimi i tyre i habiti jo pak banorët e zonës, të cilët nuk ua kursyen të tallurat dhe paragjykimet.
“Ka dy diploma dhe tani po ruan dhitë- dëgjoja shpesh pas krahëve”, kujton Loku. “Por ne jemi të lumtur këtu. Arrijmë të sigurojmë një jetesë normale dhe mbi të gjitha jemi të pavarur”, shton ajo.
Ideja për zhvillimin e fermës u frymëzua nga tradita e zonës, e cila sot është lënë në harresë. Rigerta Loku thotë se e dinte që ndryshe nga e shkuara, zona kishte sot mungesë të djathit të dhisë.
Për këtë arsye vendosën që paratë e kursyera nga puna në Itali t’i investonin në fermën e dhive, gjashtë vite të shkuara. Sot, burrë e grua e kanë shtuar tufën e tyre në 500 krerë, ndërsa kanë hapur edhe një dyqan të vogël në Rubik, ku tregtojnë mish të freskët keci dhe djathë dhie të përpunuar në fermën e tyre.
Për punët e shumta në fermë, Rigerta dhe Leonardi kanë punësuar disa banorë të zonës, ndërsa prindërit e Leonardit i ndihmojnë për rritjen e dy vajzave.
Zgjerimi i fermës deri në prodhimin e një produkti që do të mbajë emrin e tyre është ëndrra e re e dy bashkëshortëve. Për të realizuar këtë synim, Leonard Tusha ka nisur studimet në Universitetin Bujqësor të Kamzës.
Pas orëve të studimit, ai nxiton pasditeve drejt fermës për t’u kujdesur për bagëtitë. Leonardi tregon se zona është e vështirë dhe problemet nuk mungojnë, ndaj atij u duhet të përballet që nga vjedhjet e deri tek mbrojtja e bagëtive nga kafshët e egra.
“Duhet të jesh vetë këtu e t’u qëndrosh punëve mbi kokë, ndryshe atë që e ke ngritur për një kohë të gjatë, të rrënohet brenda ditës”, thotë ai.
Gjashtë vjet pas rikthimit, Rigerta Loku është përshtatur si me jetën në fermë, ashtu edhe me kulturën e përgjithshme të pafuqisë për të ndryshuar rendin e gjërave në Shqipëri. Megjithatë, ajo dhe bashkëshorti i saj ndjehen krenarë për kurajon që patën për të ndryshuar jetën e tyre.
“Unë nuk do të kem fuqinë të ndryshoj Shqipërinë, as pushtetarët tanë, por kam fuqinë të ndërtoj mikrobotën time këtu, pa i shtrirë dorën kujt dhe me dinjitet”, përfundon Loku.

7 ditë për të gjetur Klement Balilin dhe Ylli Kapon

Nga Telnis Skuqi

Sinqerisht më janë dashur 7 (shtatë) ditë për të gjetur nga arkivi im personal lajmin që në 7 (shtatë) ditët e fundit ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, mundohet të justifikohet se nuk ka prova. Ky lajm që po publikoj sot të pacensuruar është raportuar për llogari të ATSH. Ky fakt provon se “Escobari i Ballkanit”, Klement Balili dhe 3 (tri) policë, njëri prej të cilët sot është në radhët e Policisë së Shtetit, janë ndaluar nga Policia e Delvinës, ditën e diel, më 16 korrik 2006, me 625 kg hashash.
Ky operacion është zhvilluar në drejtimin e ish-shefit të komisariatit, i shkarkuar nga detyra pas
23 qershorit 2013, Latif Kulla.
Natyrshëm çdo gazetar do të bënte pesë pyetje:
1. Kush e ka fshirë nga dosja e policisë këtë operacion?
2. Ku ndodhet automjeti i bllokuar sot?
3. Pse Prokuroria e ka mbyllur çështjen e trafikimit të lëndës narkotike?
4. Ku ndodhet sot lënda narkotike?
5. Kush e ricikloj Klement Balili dhe Ylli Kapon pas 23 qershorit 2013?
Shteti funksion me letra, njerëzit kanë memorie, nuk kanë justifikime të tipit Tahiri apo Rama.
Sipas lajmit të publikuar nga gazetari Telnis Sukqi më datën 16 korrik 2006 forcat e Policisë së Sarandës kanë vënë në pranga Klement Balilin dhe tre efektivë policie dhe pasi janë kapur me 625 kg drogë e tipit kanabis sativa. Në lajmin e publikuar nga Skuqi për ATSH-në thuhet se, “mbrëmjen e sotme kanë përfunduar në pranga katër efektivë policie në Komisariatet e Sarandës dhe Delvinës. Ata janë: Yli Kapo, 37-vjeç banor i qytetit të Sarandës efekltiv i zyrës së SAEF në Vlorë ( i zyrës së krimit ekonomik), Gentjan Baba, banues në Sarandë, specialist i policisë kriminale në Komisariatin e Sarandës, Eduard Kapo, 50 vjeç, banues në Sarandë me detyrë truprojë gatishmëri në Komisariatin e Policisë Delvinë dhe Klement Balili, 34 vjeç banor i Delvinës. Sipas Latif Kullaj, shef i Komisariatit të Delvinës, “operacioni ka nisur pasmesditës së djeshme në fshatin Vanë, 11 kilometra larg nga Delvina”. Burime zyrtare nga Komisariati i Delvinës pohojnë se, “gjatë transportimit të 625 kg drogë është bërë e mundur lëvizja e sasisë së drogës. Po të njëjta burime thonë se, “në momentin e arrestimit të tre punonjësve të policisë është bllokuar edhe një furgon tip “Benz” në ngjyrë të bardhë me targa gjermane MO 41561”, thuhet në lajmin e publikuar nga Skuqi.

Ish-të burgosurit politikë përkujtojnë revoltën antikomuniste në Spaç

Ish-të burgosur politikë, të afërm të tyre dhe pushtetarë vendorë, kanë përkujtuar 43-vjetorin e revoltës antikomuniste në burgun famëkeq të Spaçit, në Mirditë. Ata u rikthyen në ish-burgun e Spaçit, duke vizituar qelitë ku kaluan vitet e tyre të rinisë, ndërsa në përkujtim të tyre u vendos edhe një pllakë përkujtimore.
Pajtim Lami nga Vlora është një nga personazhet që ka patur një histori rrënqethëse gjatë kohës që ka qenë në këtë burg. Ai ka qëndruar për tre ditë nën gërmadha të minierës, duke luftuar me vdekjen, ndërsa sot përlotet kur viziton këtë vend dhe kujton atë çfarë ka përjetuar.
Të tjerë të burgosur politikë thonë se edhe sot pas 25 vitesh nuk ndihen aspak të vlerësuar nga shteti shqiptar, teksa vendi ku kanë kaluar ditët më të vështira të jetës së tyre është kthyer në një gërmadhë.
Drejtori i Institutit të të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola thotë se është e pafalshme që simboli i diktaturës komuniste të jetë një gërmadhë në ditët e sotme. Ai ka shtuar se do të firmoset një peticion që do t’i drejtohet për miratim Kuvendit që 21 maj të miratohet me ligj si një ditë pelegrinazhi në respekt të vepres të martirëve të lirisë.
Ish-burgu famëkeq i Spaçit në Mirditë do të mbahet mend gjatë në historinë e vendit tonë për vuajtjet që kanë përjetuar me qindra të dënuar. Më 21 maj të vitit 1973 të burgosurit politik të Spaçit u ngritën në një revoltë antikomuniste që përfundoi pas disa ditësh me pushkatimin e disa prej të burgosurve politikë.

Identiteti i dyfishtë i Bushit si Kastriot C. dhe atentati në Napoli

9 muaj pasi doli nga burgu në Busto Arsizio, dhe dy pasi ishin mbyllur hetimet, Artur Bushi mori një ftesë të rrallë. Kryetari i PS, Rama e ftonte të kandidonte për Kryetar Komune në Thumanë në zgjedhjet e vitit 2011. Të mbërrish nga qelitë e burgut në karrigen e një Kryetari komune dhe mw pas nw manatin e deputetit dhe karrigen e kryebashkiakut tw Krujws,  natyrisht që kjo do të ishte ëndrra më e madhe për çdo trafikant droge dhe prostitucioni. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me Bushin, i cili menjëherë e pranoi ftesën e Ramës dhe me paratë e fituara nga trafiku i kokainës e prostitucionit nisi fushatën, të cilën e bitisi me fitore në këtë zonë.
Prej këtu, Bushi nisi një karrierë tjetër atë të politikanit. Një shprehje e lashtë thotë se gjithmonë do të gjendet një laps për të shkruar të ardhmen, por kurrë nuk do të gjendet një gomë për të fshirë të shkuarën. Ndoshta Bushi nuk e kishte menduar asnjëherë se letrat e punëve të tij të pista të emigrimit do të mund të hapeshin një ditë. Në formularin e dekriminalizimit Bushi ka pranuar arrestimin e tij për trafik droge në qershorin e vitit 2010. Ai thotë se ka qëndruar në qeli deri më 24 korrik të atij viti dhe më pas është liruar pas vendimit të Gjykatës dhe kërkesës së Prokurorit. Arsyeja e vërtetë e këtij lrimi të Bushit është disi ndryshe. Ashtu sikurse flasin edhe mediat italiane, Bushi është arrestuar në flagrancë për trafikun e kokainës nga Holanda. Ai ka qenë në krye të kësaj organizate që trafikonte lëndën narkotike. Hetimi ka vazhduar për afro 1 vit nga autoritetet italiane. Përgjimet e bëra nga hetuesit italianë, një pjesë e të cilave mund të botohet në ditët e ardhshme, japin të plotë tablonë dhe rolin e Bushit në këtë trafik kokaine. Arsyet e lirimit të tij kanë pasur të bëjnë me një tjetër pakt që është arritur mes tij dhe të arrestuarve të tjerë, një prej të cilëve ka marrë përsipër barrën e trafikimit, duke parë edhe gjendjen e rënduar të Bushit. Kjo ka sjellë më pas edhe vendimin e Gjykatës për ta liruar.

Arrestimi për prostitucion

Në formularin e dekriminalizimit Bushi thotë se është arrestuar dy herë në Itali, një herë për arsye që atij nuk i kujtohen dhe një herë tjetër për trafikim të lëndëve narkotike. E vërteta është disi ndryshe. Në arrestimin e parë, të cilin ai e pranon në formular dhe që ka ndodhur në vitin 1996 në Caserta të Italisë, arsyeja e mbajtjes së tij në qeli ka qenë për trafik prostitucioni. Ai ka mundur që të dalë sërish nga burgu në një mënyrë të dyshimtë dhe pas një pakti të pistë me autorë të kësaj historie. Gjithsesi ky hetim dhe ky arrestim nuk e nxjerr atë të pastër edhe nga kjo vepër penale, pavarësisht se ai nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.

Bushi fsheh emrin e dytë Kastriot C.

Në formularin e dekriminalizimit ka një pyetje, e cila kërkon nëse personi që e plotëson atë ka pasur gjeneralitete të tjera në të shkuarën? Rama e pranoi se ka pasur një të tillë kur tha se e ka pasur emrin Edvin dhe e ka ndryshuar në Edi. Kryebashkiaku i Kurbinit thotë se ka pasur 4 emra, ndërsa dyshohet se ka fshehur edhe dy emra të tjerë. Në këtë pikë Bushi ka bërë një gabim, i cili e penalizon atë dhe e çon direkt për ndjekje penale dhe deri në burg, pasi ai ka fshehur gjeneralitetin me emrin e dytë që ka mbajtur një periudhë të shkurtër kohore në Itali. Ai ka mbajtur atje edhe emrin Kastriot C. (Gazeta nuk mund ta publikojë të plotë mbiemrin për shkak se ai është një person konkret). Ky identitet i është vjedhur një qytetari i cili jeton sot në Shqipëri.

Pse e fshehu?

Arsyeja se përse Bushi e ka fshehur emrin e dytë ka të bëjë me një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në zonën e Napolit. Bushi ka bërë një atentat, duke plagosur dy persona, të cilët ishin duke udhëtuar me automjetin e tyre për shkak të konflikteve të vjetra që kishin mes tyre. Dy personat në gjendje të rëndë nga atentati kanë mundur të mbijetojnë plagëve edhe për shkak të fatit, pasi aty pranë është ndodhur një autoambulancë. Kjo çështje ka nisur të hetohet në Napoli gjatë kohës që Bushi ishte atje me emrin e tij të vërtetë. Kur ai ka shkuar që të rinovojë dokumentat në Kuesturë, policët i kanë thënë se ai duhet të porsite për t’iu përgjigjur disi dyshimeve që policia kishte në lidhje me Bushin. Në mënyrë të shpejtë Bushi është larguar nga Kuestura, duke u nisur menjëherë për në Shqipëri. Veprimi i parë që ka bërë kur ka mbërritur këtu ka qenë ndryshimi i emrit. Ai është pajisur me një pasaportë tjetër me emrin Kastriot C. Me këtë identitet, ai ka shkuar sërish në Itali. Bushi ekziston me identitetin e tij në Caserta, ndërsa në Napoli ai njihet me gjeneralitete Kastriot C. Majde me këtë emër, ai ka bërë në gjendjen civile të zonës edhe veprime të tjera familjare, lehtësisht të evidentueshme nga Prokuroria, e cila do të hetojë të dhënat e të gjithë kontigjentit kriminal të Ramës në Parlament, Bashki dhe administratë.

“Varesse NEWS”:  Bushi, pjesë e kartelit të drogës

Të rinj, të edukuar dhe të mirintegruar në territorin e Galaratës. Pra, “djem të mirë”, të paktën kështu thoshin komshinjtë e shtëpisë në “Monte Leone”, lagjen periferike të Morixhias, se ata nuk kishin vënë re asgjë. Nuk kishin vënë re as që ata djemtë e mirë të derës ngjitur ruanin dhe paketonin drogë të importuar nga Holanda, e destinuar për t’u shitur më pas në gjithë Italinë.
Bledar Debrova, shefi i të ashtuquajturës “Debli”, 34 vjeç, Ndriçim Hindraliu, i quajtur ‘Çimi’, 30 vjeç, Bujar Hasani i quajtur ‘Polpeta’, 26 vjeç, Roland Abesci, i quajtur ‘Landi’, i vitit 1964, Artur Bushi, i quajtur “Turi”, 34 vjeç, Besim Kadiu dhe Erjon Tarja, i quajtur ‘Eri’, 27 vjeç. Një bandë e tërë dhe e vërtetë me role të mirëpërcaktuara, që për komandandin e Policisë së Shtetit në Galaratë, Franco Novati, i cili bashkë me Prokurorinë e Busto Arsizio kanë ndjekur hetimet, kanë përmendur qendrime tipike të “mafies sonë”: hierarki, organizim, kohezion, të lidhur me familjen dhe traditat.
Prej muajsh forcat e Komisariatit të Galaratës i ishin vënë pas këtij grupi, të cilët kanë zbuluar se grupi i trafikantëve me kombësi shqiptare që furnizonin tregun e Galaratës, një herë në katër muaj, pjesëtarë të grupit merrnin avionin dhe fluturonin për Amsterdam.
Një trafik i mirorganizuar dhe shumë fitimprurës, i cili mund të gjeneronte edhe 1 milion euro; Bledar Debrova, shefi, nga Elbasani, qyteti i tij i origjinës ishte pronar i pasurive të patundshme dhe ishte duke hapur një aktivitet të ri, biznes hotelerie. Precedentët ishin të vegjël, dikush për shfrytëzim prostitucioni, dikush për emigrim të paligjshëm, por askush për drogë.

Bushi, pjesë e bandës kriminale të Morrigia-s

Banda e trafikut të kokainës, ku bënte pjesë Artur Bushi, sot Kryetar i Bashkisë së Krujës, importonte kokainë nga Holanda në Itali. Para se të bëhej deputet më 2013, policia italiane e arrestoi Bushin më 11 qershor 2010 në qytezën e Gallaratës. Ai ishte i dyshuar si pjesë e një organizate kriminale, të njohur si banda e Morriggia-s. Franco Novati, një ish-komandant policie në Gallarate, i cili drejtoi hetimin, i tha BIRN se kjo bandë importonte kokainë nga Holanda në Itali.
“Kur ne i vumë nëntë prej tyre nën përgjim, ata folën për ‘pjesë këmbimi’, por ne e dinim se kjo qe fjala në kod për kokainën”, rikujtoi ai. Novati tha se, kokaina vinte nga Amsterdami përmes korrierëve dhe shitej me shumicë te bosët vendorë në Breshia, Modena, Luka dhe Piaçenza. “Ne ndërhymë në transportin e fundit të 10 apo 11 kileve të kokainës nga Holanda dhe arrestuam bandën”, shtoi ai. “Ai (Artur Bushi) qe pranë bosit të bandës Morrigia”, shtoi ish-shefi i policisë, aktualisht në pension.

Kush i verifikon të dhënat e dekriminalizimit

Faza më e rëndësishme e ligjit të dekriminalizimit është ajo e verifikimit të vërtetësisë së të dhënave të shënuara në formularët e vetëdeklarimit.
Sipas ligjit të dekriminalizimit, i miratuar me konsensus javë më parë, janë 16 institucionet që do të kryejnë verifikimet e para të formularëve të plotësuar nga të zgjedhurit dhe të emëruarit në poste publike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të verifikojë deklaratat e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive, Departamenti i Administratës Publike, DAP do të verifikojë formularët e vetëdeklarimit të plotësuar nga punonjësit e administratës, KLD ato të gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit, Kuvendi të drejtuesve të institucioneve kushtetuese që emërohen nga ky institucion.
Ndërkaq, Presidenca do të verifikojë ambasadorët e vendit tonë në botë, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve, shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe komandantët e Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore, plus çdo funksionar tjetër publik të emëruar prej tij, me përjashtim të Kryeministrit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Në listën e institucioneve të verifikimit janë edhe Kryeministri, prefekti, drejtori i Shërbimit Informativ apo ai i Policisë së Shtetit për vartësit përkatës.
Verifikimi nga këto institucione ku dorëzohet formulari do të bëhet në javët dhe muajt në vazhdim sipas parashikimit të ligjit dhe në rast se do të ketë dyshime për deklarata të rreme, atëherë secili prej këtyre institucioneve i drejtohet Prokurorisë së Përgjithshme.
Kjo e fundit, që në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të dekriminalizimit ka ngritur një grup të posaçëm, që përbëhet nga 2 prokurorë, tre oficerë të Policisë Gjyqësore dhe një punonjës IT, të cilët do të hetojnë çdo rast që do t’u paraqitet brenda 3 muajve.
Edhe pse ligji e parashikon Prokurorinë si një institucion të shkallës së dytë për verifikimin e formularëve të vetëdeklarimit, kjo nuk ia heq të drejtën organit qendror të akuzës që në rastet kur ka dyshime të iniciojë vetë verifikimet për të zgjedhurit dhe emëruarit në poste publike.

Arben SHAHINI

Basha: Kriminalizimi i politikës, njolla e zezë e kumbarit Rama

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi dje se shumë zyrtarë, deputetë e kryebashkiakë kanë fshehur të dhënat e tyre në formularët e vetdeklarimit ndërsa paralajmëroi se çdo kush që ka fshehur të dhënat do mbajë përgjegjësi ligjore.
“Qytetarët shqiptarë kanë nisur të njihen me të vërtetat e para që rezultojnë nga fillimi i zbatimit të ligjit për dekriminalizimin.
Këto të dhëna të para konfirmojnë katërcipërisht alarmin tonë të madh për ekzistencën dhe përmasat kritike që ka marrë në qeverisjen e Edi Ramës promovimi në poste drejtuese i personave me rekorde kriminale.
Kandidimi dhe emërimi i narkotrafikantëve, tutorëve të prostitucionit e deri vrasësve si deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë bashkiakë, drejtorë dhe drejtues në poste kyçe të institucioneve publike përfshirë Policinë e Shtetit, tregon arsyen se pse Edi Rama bëri gjithçka për të mos miratuar ligjin e dekriminalizimit për një vit me radhë.
Rezultatet e para të ligjit për dekriminalizimin nisën në fakt kur Edi Rama e pa se nuk do të mund ta bllokonte miratimin dhe zbatimin e këtij ligji. Kështu u largua Arben Ndoka, i dënuari për trafikim të qenieve njerëzore, për futjen e të cilit në Parlament”tha Basha.
Basha kujtoi se Edi Rama largoi dy gra socialiste nga lista e deputetëve sepse i duhej ta përdorte si topuz kundër opozitës. “Kështu u largua Mark Frroku kur Edi Rama i rezistoi sa mundi ligjit, madje duke fshehur urdhër arrestin e Interpolit për të.
Ndërkohë, që në fazën e vetëdeklarimit, pa qenë nevoja e ndonjë verifikimi të posaçëm, ka dalë qartë se kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi alias Ervin Roshi, kryetari i  Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, bashkë me alias të tij, kryetari i Bashkisë së Kurbinit, Artur Bardhi që ka deklaruar vetëm 4 nga 6 emrat e përdorur në “karrierën” e tij të mëparshme, do të dorëzojnë detyrën.
Kryebashkiakë të tjerë mund të largohen e do të largohen gjithashtu pas verifikimit të formularëve” tha ai.
Kreu i PD bëri të ditur se “informacionet e ardhura nga partnerët dhe nga qytetarët, denoncimet e shumta që kanë mbërritur dhe po mbërrijnë tregojnë se shumë funksionarë të tjerë, deputetë, kryetarë bashkish e drejtues të administratës shtetërore kanë fshehur të dhënat e tyre në formularët e vetëdeklarimit.
Por treshja Roshi-Bushi-Bardhi u kujton sot, në këtë ditë të së vërtetës gjithë shqiptarëve, kumbarin, promovuesin dhe mbrojtësin e tyre të vendosur Edi Ramën. Ky nuk u mjaftua të sfidonte opozitën e vendit, nuk u mjaftua të më sfidonte mua kur i kërkova moskandidimin e tyre, por sfidoi edhe ambasadorin e SHBA në Tiranë, i cili paralajmëroi si sot një vit më parë, në prag të zgjedhjeve vendore, se kandidimi i tyre, kandidimi i individëve me rekorde të tmerrshme kriminale është një poshtërim për popullin shqiptar”.
“Sot kushdo ka mundësi ta tregojë me gisht e ta thotë me emër dhe mbiemër poshtëruesin, atë që nuk dëgjoi deri në fund dhe ky quhet Edi Rama. Ky është në fakt autori numër një i promovimit të vetëdijshëm e të programuar të individëve me rekorde kriminale në politikë. Kriminalizimi është njolla e tij, vepra e tij e zezë. Që ka filluar të zhbëhet pa u miratuar ligji, ka vazhduar dje e që do të çmontohet deri në burmën e fundit, siç kam premtuar kur e filluam këtë betejë, përmes zbatimit pa kompromis të ligjit të dekriminalizimit. Në vend që të kërkonte ndjesë, në vend që të bënte mea culpa-n që ia kam kërkuar gjithmonë ose të heshtte duke parë të dilte dje nga sita e ligjit produktin e parë të veprës së tij të zezë, Edi Rama u mundua ta fuste këtë debat të madh e pse jo të dhembshëm në logjikën e një lotarie numrash. A thua se loja e kungulleshkës ka rëndësi dhe jo fenomeni.
Kreu i PD theksoi se nëse ligji për dekriminalizimin nuk do të ishte miratuar, sot në zyrat e shtetit do kishte më shumë kriminelë se në burgje.
“Sigurisht, numrat që kanë dalë e ata që priten të dalin janë më shumë se të mjaftueshëm për të kuptuar ku po e çonte Shqipërinë ky njeri.  Unë, bashkë me gjithë shqiptarët, bëj sot pyetjen: Si do të kishte qenë e si do të ishte Shqipëria po të mos ishim bërë barrikadë kundër vërshimit të ushtrisë së individëve me rekorde kriminale në Kuvend, në pushtetin vendor, në zyrat e shtetit, në polici, me firmën e Edi Ramës dhe ministrave të tij? Ku do të ishim sot?
Me siguri në zyrat e kësaj qeverie dhe këtij pushteti do të kishte më shumë kriminelë se sa në gjithë burgjet e Shqipërisë marrë së bashku” tha ai.
Basha shprehu bindjen se “pa ligjin e dekriminalizimit, Parlamenti i ri i zgjedhjeve të ardhshme do të kishte me siguri më shumë se gjysmën deputetë të ardhur nga bota e krimit. Ne e ndaluam këtë gjëmë kombëtare. Fillimi i zbatimit të ligjit për dekriminalizimin është një interes i madh publik, është një ngjarje e madhe për politikën, për vendin, për shoqërinë.
Mos kujtoni se jam i lumtur e fërkoj duart kur zbulohen kriminelët e Edi Ramës në bashki, Parlament e institucione të tjera. Nuk ka asgjë për të festuar se nuk kemi të bëjmë thjesht me disa emra e disa persona, por me një trend, një model që Edi Rama futi në politikë dhe në jetën publike. Dhe ky është dëmi më i madh që i ka bërë vendit. Sepse Edi Rama ju tha të rinjve e të rejave, burrave e grave, socialistëve e njerëzve pa parti, i tha kujtdo, mos mësoni, mos u aftësoni, mos ruani vlerat dhe integritetin, por nëse doni të ecni para bëhuni si Roshi, si Bushi, si Bardhi, si Balili, si Shullazi, si Ndoka, si Prenga”.
Basha tha se dekriminalizimi nuk bëhet për një palë, nuk bëhet për të përfituar kredite publike e politike, por siç theksoi ai, dekriminalizimi bëhet për vendin, për popullin, për interesin publik dhe të ardhmen e Shqipërisë. “Ndaj, unë e përshëndes këtë ngjarje në emër të opozitës dhe ju premtoj shqiptarëve: jemi të vendosur ta çojmë deri në fund zbatimin e ligjit, ta çojmë deri në fund dekriminalizimin de fakto të shtetit dhe shoqërisë si një parakusht për të hapur epokën e së mirës në vend” tha Kreu i PD.

Kush ka fshehur të dhënat do mbajë përgjegjësi ligjore

– Zoti Basha, a do ta marrë Partia Demokratike të drejtën e vet ligjore për t’i kërkuar Prokurorisë verifikimin e disa emrave që mund t’iu interesojnë juve? Nëse po, cilët emra do të verifikoni nga Parlamenti dhe kryetarët e bashkive?
Pas kërkesës tonë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dorëzuar materialin e kërkuar, për deputetët, kryetarët e bashkive, drejtuesit e institucioneve kryesore, ministrat. Dhe me këtë nivel të lartë politik do të nisë edhe puna e opozitës, e Partisë Demokratike këtu, për të ecur përpara me kërkesën për verifikimin e tyre në bazë të të dhënave që disponojmë tashmë apo të dhënave që vazhdojnë të vijnë në Partinë Demokratike pas thirrjes që kam bërë. Gjej rastin t’i përsëris sot çdo qytetari shqiptar për të denoncuar gjithçka që dinë për personat me rekorde kriminale në Parlament, në bashki dhe institucionet e vendit. Kështu që po, përgjigjja është po. Partia Demokratike do ta materializojë këtë veprim, këtë aktivitet me kërkesa konkrete në Prokurori për emra konkretë.

– A u zhgënjyet kur patë formularët e vetëdeklarimit sepse për shembull, në Parlament dalin vetëm dhjetë njerëz me të shkuar penale sepse nuk mund të quhen kriminale sepse asnjëri nuk dukej i dënuar për krime që mund të të heqin mandatin. Pesë prej tyre ishin nga Partia Demokratike, njëri ishte dhe për shfrytëzim prostitucioni. Do t’i kandidoni më këta njerëz e kam edhe për kryetarët e bashkive?
Së pari, kjo nuk është çështje Partie Socialiste apo Partie Demokratike. Siç e thashë edhe në deklaratën time është një çështje kombëtare. Kështu e kam konceptuar që prej fillimit unë dhe nuk e kam propozuar ligjin për kundërshtarin. Nuk e kam propozuar ligjin për të dëmtuar Edi Ramën, por sepse kam parë një fenomen të madh dhe të zi që dëmtonte vendin, interesin publik dhe politikën.
Kur jam informuar se ka patur raste të tilla apo kur ka patur raste që kanë refuzuar kriteret e mia të transparencës, edhe para se të miratohej ligji, siç ishin rasti i Këlcyrës, kam vepruar edhe pse në mes të fushatës elektorale dhe kam tërhequr kandidatin. Ky është një standard që unë e kam vendosur para miratimit të ligjit dhe që me siguri absolute do ta zbatoj tashmë që është një kriter i detyrueshëm ligjor.
Sa i përket formularëve, vetëdeklarimi është vetëm faza e parë. Verifikimi i vetëdeklarimit sipas indikacioneve që tashmë kemi nga denoncimet e qytetarëve do të nxjerrë dhe ka nxjerrë dhjetëra raste deklarimesh të paplota për të cilat pa dyshim do të mbahet përgjegjësi ligjore dhe natyrisht duhet bërë një dallim mes deklarimeve rutinë, që kanë të bëjnë me gjëra që nuk kanë lidhje me konceptin e rekordeve kriminale, por që bëhen për shkak të transparencës dhe rekordet kriminale të krimit të organizuar sipas përcaktimeve të ligjit.

Arben Shahini

Listë me 130 të inkriminuarit e Ramës me “Eskobarin” brenda

Deputeti i PD, Genc Pollo ka publikuar një listë, zyrtarësh shtetërorë, ku nr.11 rezulton Klement Balili, i njohur tashmë si “Eskobari i Ballkanit. Në një postim në Facebook, Pollo shkruan se, kjo listë me 130 persona, përbëhet nga drejtorë, shefa e më gjerë të emëruar në epokën rilindiste nga Kopliku në Kolonjë e nga Ksamili në Kukës, dhe që opozitës i rezultojnë si burgaxhinj dje dhe problematikë sot.
“Javën e shkuar, si kryetar i Komisionit Hetimor parlamentar për administratën publike, i dërgova letër (“kërkesë  për informacion” quhet zyrtarisht) katër ministrave të qeverisë (të Brendshmit, të Drejtësisë, të Financave e të Sociales) për të na sqaruar mbi një listë prej 130 personash. Këta janë drejtorë, shefa e më gjerë të emëruar në epokën rilindiste nga Kopliku në Kolonjë e nga Ksamili në Kukës. Opozitës i rezultojnë këta si burgaxhinj dje dhe problematikë sot. Ndërkohë, në mesjavë, plasi skandali i Escobarit të Ballkanit, dhe vura re se ai ishte nr.11 në këtë listë. Presim përgjigje e do të marrim vesh mbase kush ndër 129 të mbeturit do të fitojë nofkën Totó Riina, Tommaso Buscetta, Jack the Ripper e Al Capone i Ballkanit”, shkruan Pollo.

Zbulohet firma e Balilit në QKR

Nga një dokument i QKR-së vërtetohet se emri i saktë i “Eskobarit” është Kelmend Balili. Ende pa u shpallur në kërkim nga Interpol, Klemendi u zhduk pa lënë gjurmë. Pavarësisht  kësaj, policia nuk ka asnjë provë kundër tij. Sërish faji mbetet i të huajve, që nuk i kanë sjellë edhe  provat bashkë me urdhrin e arrestimit.
Mediat greke publikuan të dhënat e para se furnizuesi me drogë i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës kishte inicialet K.B. I pagëzuar si “Eskobari i Ballkanit”, emri i ish-drejtorit të Transporteve në Sarandë, pronar i kompleksit “Santa Quaranta” u përcoll në media herë si Klement, herë si Klemend e herë si Kelmend Balili.
Mediat greke bënë të ditur se, marrëveshja për trafikimin e drogës drejt Greqisë mes Balilit dhe trafikantëve grekë është bërë në Fier. Gazeta greke “Kathimerini” ka botuar këtë të premte një tjetër shkrim për rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike të drejtuar nga Klement Balili. Aty jepen pjesë nga dosja hetimore e policisë greke mbi përgjimet dhe mënyrën si funksiononte ky rrjet. Njëri nga shtetasit grekë të arrestuar për trafikun e 700 kg hashash ka pranuar se drogën e ka marrë në Shqipëri. Ai ka deklaruar se marrëveshja për këtë transport droge është bërë në Fier me njerëzit e Klement Balilit.
Klement Balili zyrtarisht është në kërkim, pas mbërritjes së urdhër-arrestit ndërkombëtar nga Interpol Athina. Ende nuk ka asnjë të dhënë nga policia për vendndodhjen e Balilit. Dyshohet se ai është larguar jashtë shtetit larg me dokumenta greke me identitet të rregullt dhe foto të falsifikuara të Balilit e përdorur për të kaluar në mënyrë legale pikën kufitare.
Balili u zhduk një ditë, pasi nga zyra e tij në Drejtorinë e Transportit të Sarandës deklaroi se, ai nuk ishte i përfshirë në trafikun e 700 kilogramëve marijuane të kapur në Zakinthos të Greqisë. Operacioni kundër rrjetit të narkotrafikut çoi në arrestimin e 15 personave në Greqi dhe 2 të tjerëve në Belgjikë.
Krahu i djathtë i Klement Balilit, shtetasi grek Ksenofondos Anagnostopoulo ka hyrë disa herë në Shqipëri dhe e ka takuar ish-drejtorin e Transportit në Sarandë. Ksenofondos Anagnostopoulo ishte përgjegjës për sigurimin e shoferëve të rinj për transportin e lëndës narkotike drejt Gjermanisë dhe që kishte rolin e kujdestarit për të arrestuarit e grupit të Kelment Balilit. Anagnostopoulo rezulton se ka qenë disa herë në Shqipëri. Sipas të dhënave, për herë të fundit, ai ka hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Kakavijës më 5 mars të këtij viti dhe ka dalë dy ditë më pas.
Kryesisht, hyrje-daljet në pikat kufitare, 52-vjeçari i bënte në këmbë dhe përgjithësisht, përdorte pikën kufitare të Qafë Botës, për të arritur më shpejt në Sarandë. Në informacionet e mbledhura, Anagnostopoulo rezulton se herën e fundit, në Shqipëri ka qëndruar në resortin e  Balilit, ku dyshohet se është planifikuar transporti nëpërmjet detit i 700 kg kanabis të papërpunuar. Sasia e drogës u kap gjatë operacionit ndërkombëtar nga policia greke në ishullin Zakinthos.
52-vjeçari ishte autorizuar për këto bisedime nga koordinatori i transportit, greku Gjeorgio Alifandi. Ksendofonda Anagnostopulo, sipas policisë greke, është anëtar kyç i organizatës kriminale, pronar i kompanisë tregtare të makinave të përdorura, i ngarkuar me gjetjen e kamionëve për transportimin e sasisë së narkotikëve, magazinimin e përkohshëm të saj në shtetin grek dhe transportimin e mëtejshëm drejt vendeve të Europës Perëndimore, përmes Greqisë.29

R.POLISI

Të zgjedhurit me shumë emra si transvestitë

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas publikimit të formularëve të vetëdeklarimit të zyrtarëve, ku dolën në pah që disa prej tyre kanë ndërruar emrat. Në një status në Facebook, ish-Kryeministri shkruan se ndjen neveri për persona të tillë. Sipas Berishës, këta zyrtarë kanë turp nga gjërat që kanë bërë në të kaluarën e tyre, dhe këta persona i ka quajtur transvestit. “Neveri, neveri, neveri! Burra që ndërrojnë emrat jo nga dëshira, por se kanë frikë dhe turp nga bëmat e tyre me emrin që kishin. Transvestitë, jo në kuptimin erotik, me në krye Edvinin”, shkruan ish-Kryeministri Sali Berisha në Facebook.

Kërkohet rivlerësimi i dosjes së tritolit në farmacinë e Tahirit

Kryeprokurori Adriatik Llalla tërheq dosjen e shpërthimit me tritol të farmacisë së babait të ministrit të Brendshëm, në Prokurori të Përgjithshme për studim. Bëhet e ditur se, pas vendimit të pushimit të akuzave nga Prokuroria për Krime të Rënda ndaj Vladimir Gjutës dhe të afërmve të tij, kryeprokurori ka kërkuar dosjen e plotë. Mësohet se provat dhe materialet që ndodheshin në dosje, i janë dorëzuar një prokurori të këtij institucioni për analizë. Burimet nga Prokuroria thonë, se kryeprokurori ka kërkuar të studiohet dosja me imtësi dhe të vlerësohet nëse vendimmarrja e Prokurorisë për Krime të Rënda për pushimin e akuzave ka qenë e drejtë. Sipas akuzës, thuhet se të gjitha provat që ndodhen në dosje, do të rishikohen dhe rivlerësohen për të parë nëse pushimi i akuzave dhe lirimi i Vladimir Gjutës ka qenë i ligjshëm dhe i drejtë, pasi mungonin provat.
Ligjërisht, nëse kryeprokurori Llalla vlerëson se ekzistojnë prova dhe dyshime të arsyeshme për autorët e vendosjes së kësaj sasie tritoli, ka të drejtë të prish vendimin e pushimit të Prokurorisë për Krime të Rënda. Dhe të urdhëroi dërgimin e dosjes në gjyq ose i cakton disa detyra të tjera për të kryer veprime të tjera hetimore. Por kjo do të ndodhë, vetëm pasi Prokurori që ka marrë dosjen në studim do t’i vlerësoi provat ndryshe nga interpretimet që kanë dhënë prokurorët e Krimeve të Rënda. Këta të fundit në mesin e muajt prill vendosen të pushojnë akuzat ndaj Vladimir Gjutës dhe të afërmve të tij, duke arkivuar kështu edhe dosjen e shpërthimit të tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm si pa autor.
Sipas akuzës, edhe pas 14 muajve hetim, policia dhe Prokuroria nuk arritën të provojnë se Vladimir Gjuta dhe të afërmit e tij, janë autorët e eksplozivit në farmacinë e babit të ministrit të Brendshëm. Edhe pse në momentin e arrestimit, të dy këta institucione njoftuan median se kanë gjetur prova që implikojnë ata si autorë të këtij shpërthimi. Në vendimin e pushimit,  thuhet se gjatë 14 muajve hetim, janë kryer disa ekspertiza të specializuara, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në përfundim të të cilave nuk u provua shkencërisht dhe nuk u siguruan fakte që të provonin përtej dyshimeve se të arrestuarit ishin organizatorë dhe ekzekutorë të akteve të mësipërme. Gjithashu Prokruoria, sqaroi në vendim se nuk u arrit të gjenden edhe motive, se përse këta shtetas mund të kryenin krimet, për të cilat dyshoheshin ndaj familjes Tahiri.

Pornografia burokratike

“Besnikëria ndaj vetvetes dhe moralit është një zgjedhje fakultative që fisnikëron ose njollos individin, por besnikëria ndaj detyrës është gjest i emancipimit profesional, është shprehje e një kulture të çmuar demokratike”

Pranvera SHEHAJ

Le të besojmë për një çast se virtytet njerëzore nuk kanë nevojë për t’u vendosur në provë. Le të mendojmë se ato janë të rrënjosura në rrjetën e hekurt të karakterit, prej së cilës as nuk mund të hyjnë dhe as nuk mund të dalin. Kur diskursi kalon nga rangu shoqëror drejt atij politik, gjithçka ridimensionohet dhe përshtatet me një tjetër kontekst. Përshtatet me përgjegjësinë ndaj masës,  merr konotacion zyrtar dhe vesh kollaren e një shërbyesi të shtresës sipërore, por gjithsesi shërbyes.
Shoqëritë si e jona, ku meskiniteti mashkullor ka marrë përsipër integrimin drejt një shoqërie të civilizuar, nuk mund të mos jenë mishërim i pastër i skandaleve elitare, ku akademizmi i shtirur kthehet në mburojën e një karakteri të përdhosur e ku aftësia e lartë artikuluese të bën avokat të djallit. Pa dallim ngjyrimi politik, pavarësisht nuancës së mureve të një zyre, blu apo rozë qoftë ajo, kamerat investigative kanë arritur të nxjerrin prej andej filma me metrazh të shkurtër që denigrojnë në mënyrën më neutrale dhe të merituar, figurën e zotëruesit të karriges zyrtare.
Nëse do të tregohesha paksa e rezervuar në vendosjen një “nickname”, që mund të përmbledhë epopenë e skandaleve të skenës politike shqiptare, unë do ta quaja thjesht dhe pa kompleks: “pornografia burokratike”. I vetmi detaj që diferencon protagonistët e këtyre filmave me jehonë të bujshme shoqërore, por të përkohshme, është titulli zyrtar. Në thelb ngelën identik personazhe të skenarëve pronografike, po aq perverse dhe të ndaluar moralisht sa ata, pa as më të voglën diferencë. E çuditshme në fakt, se si një kryebashkiak e kthen veten në një tutor të nëpunësve të tij, por më karizmatik është fakti se si po ky personazh e interpreton filmin që ka zhvilluar si pjesë të një skenari politik. Një skenar politik, sado i niveleve mjeshtërore nuk mundet të depërtojë në moralin njerëzor dhe etik të dikujt, ashtu si nuk mundet që në mënyrë inkoshiente të të bëjë protagonist të pornografisë së zyrave. Skenari politik absolutisht që mund të jetë pjesë e ingranazhit të skandalit, por me të vetmin funksion: demaskimi i një zyrtari që detyrën e kthente në llogari bankare për të plotësuar tekat e pamoralshme e që në mënyrën më perverse e strumentalizon pushtetin si vegël në dispozicion teë shfrenimit të tij mendor dhe fizik.
Megjithatë, do të doja të dilja nga skema interpretuese me të cilën media dhe opionioni publik e portretizoi ngjarjen e qytetarit të parë të një qyteti verior. Nuk ishte skandali i parë dhe as i fundit që do t’i shtohet mozaikut të primitivizmit të shoqërisë sonë. Nuk ishte as i vetmi rast kur profesioni më i vjetër në botë, ushtrohet brenda zyrave administrative. Aspekti që nuk mori vëmendjen e duhur mediatike ishte karvani i punonjësve që vendin e punës e kishin blerë në të njëjtën mënyrë, me ofertën e leverdisshme “bli paketën e kryetarit dhe fito një vend pune”. Mund të duket sarkastike dhe e ulët si shprehje, por nuk është faji i askujt nëse një kryetar bashkie e kthen bashkinë në ndërrmarje të ushtrimit të profesionit.
Dihet se çudia më e madhe zgjat vetëm tre ditë, e pas kësaj tragji-komedie pornografike, gjithçka vazhdoi si më parë. Efektin shok që kjo ngjarje prodhoi në opinionin publik, do ta cilësoja si një nga shumë reagimet hipokrite dhe false që shoqëria jonë përshfaq. Duhej një kamerë investigative, një vajzë pak më e guximshme se të tjerat dhe pak mbështetje mediatike që një ngjarje e rëndomtë e zyrave shqiptare të kthehej në lajm gazetash. Më saktë, paradoksi ynë qëndron në vetëdijen se negativja është midis nesh, se ajo ka uzurpuar çdo aspekt socio-politik të ambjentit tonë të punës apo më gjerë, por mëkati identifikohet vetëm në momentin që publikohet, që përplaset në murin e së vërtetës së pamohueshme.
Fenomeni i krybeashkiakut, është ndoshta maja e akullnajës së hekurt të amoralitetit. Shoqëritë si ajo e jona ku varfëria ekstreme sfidon hapur dhe pa frikë kufijtë e moralit dhe karakterit, janë të parat që infektohen nga të tilla absurditete të kohëve moderne. Nëse funksionari i burokracisë, e kthen pushtetin në mekanizëm personal, kjo nënkupton dy përfundime logjike: në radhë të parë ai është i bindur se instrumenti i tij i pushtetit diku do të funksionojë dhe në radhë të dytë ka vetëkontrollin dhe bindjen se emërimi i tij në postin drejtues është absolut dhe autokratik, ç’ka i legjitimon autoritetin absolut në institucionin që drejton.
Personalisht, nuk e gjykoj si fatale atë që skandali pornografiko-politik na ofroi, përkundrazi vlerësoj imazhin e tij si kod identifikimi për qindra zyrtarë të tjerë që okupojnë zyrat më bazike deri te ato politikisht më prestigjioze. Nënshtrimi moral ndaj një kushti, në këmbim të një vendi pune, vjen si rrjedhojë e një lufte për jetë a vdekje, ku mizëria dhe kalbësira shoqërore reflekton depresionin e thellë dhe të pashpresë ekonomik. Gjykimi im nuk frenon tek skandali në vetvete, aq sa frenon tek motivet që kthejnë një vajzë, grua, motër apo nënë në një figurë një përdorimshe të pushtetit absolut të një borgjezie që s’ka asnjë ngjashmëri me fisnikërinë, vlerat e larta shoqërore apo morale që ajo reflekton. Sepse në fakt, është pangopësia e proletariatit post-demokratik që i duhet të shfrytëzojeë çdo sekondë për të plotësuar sado pak inferioritetin e rrënjosur thellë në gjakun e amoralitetit.
Akademia dhe intelekti nuk do të mundet kurrë të superojë atë që eksperienca e popullit ka gdhendur në memorien kolektive, se “shtëpitë e mëdha kanë edhe puset më të thella”, aty ku më së shumti flitet për moral, për nder, për familje dhe vëllazëri shoqërore, aty do të shënjohen edhe mëkatet më të pashlyeshme. Eshtë koha kur, duhet të ndalim së menduari se pornografia burokratike, nuk ka ftuar akoma si protagoniste, bijën, motrën, nënën apo bashkëshorten time. Eshtë koha për të provuar vërtet se morali dhe nderi janë virtyte të patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare. E kjo nuk është një valë reflektimi që duhet të pritet nga rruga institucionale. Eshtë një kapitull ende në pritje për t’u shkruar nga vetë opinioni publik shoqëror.
Si mund të edukosh një brez produktiv në një klimë shoqërore që beson verbërisht në padrejtësi, në amoralitet, në paaftësi dhe në mediokritet profesional! Si mund të prosperosh drejt së nesërmes nëse intelektin e vendos në sfidë të hapur me lakuriqësinë, duke provuar efektivitetin e së dytës kundrejt të parës! Si mund ta transformosh emancipimin në vulgaritet e ta kthesh epokën e demokracisë politike në një primitivizëm të pështirë ku portreti njerëzor është kthyer në mjet uni-funksional e ku dinjiteti shitet dhe blihet me çmimin që e vendos arroganca e një tutori pushtetar.
Kriza nuk qëndron te skandali aq sa qendron te drama e të jetuarit në një shoqëri ku prapambetja nuk ka ndërmend të shkëputet nga retrospektiva. Krimi nuk qëndron te vetë i pamoralshmi burokrat, aq sa qëndron te fakti se turpi është kthyer në punë dhe vetë puna në produkt të turpit. Sigurisht kjo vlen për sa kohë të mund të flitet për turp, sepse logjikisht, do të mjaftojnë edhe një apo dy filma të tjerë me metrazh të shkurtër të pornografisë burokratike për ta thyer deri në fund tabunë e për t’u perceptuar si diçka krejt e zakonshme, që ka ndodhur e pa as më të voglin dyshim do të ndodhë.
Kaloi një javë, që prej ditës kur masat administrative transkriptuan në mënyrë të drejtë një shfrytëzim posti, dhe pas një jave heshtja pllakosi krejtësisht skenën mediatike dhe shoqërore, a thua se retë e zeza të aferave imorale ia lanë vendin një shoqërie që funksionon mbi bazën e vlerave profesionale… Beteja që duhet të kapërcejmë nuk ka lidhje me spastrimin e mikrobeve të niveleve burokratike. Përkundrazi ky është aksion që realizohet brenda ditës me kushtin që çdo qytetar i këtij vendi, të ndërgjegjësohet dhe të kuptojë se nesër formularin e aplikimit të shitjes së dinjitetit do t’i duhet ta plotësojë edhe vetë ai.
Krimi nuk sinjifikon vetëm marrjen e jetës, por edhe vrasjen e besimit se vlerat njerëzore dhe intelektuale mund të triumfojnë në një shoqëri të emancipuar.

Pranvera Shehaj-Studente në degën  “Shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare”, pranë  “Università degli Studi di Trento”, Itali