Pas Granit Xhakës edhe Xherdan Shaqiri i mbyll derën Kosovës, duke deklaruar publikisht besnikërinë për kombëtaren e Zvicrës. Në një intervistë dhënë për mediat zvicerane gjatë një turi promocional në Zyrih, sulmuesi i Stoke City nuk bën lojëra fjalësh, duke mbajtur një qëndrim të qartë për këtë çështje. “Jam shumë i lumtur që Kosova u anëtarësua në UEFA dhe FIFA, gjithsesi unë luaj me zemër për Zvicrën dhe jap gjithçka për këtë skuadër prandaj në këtë mes nuk ka asgjë për të diskutuar”, thekson Shaqiri.
Në vijim, ai shton se askush nga Federata zvicerane nuk ka diskutuar me të për këtë çështje, duke shprehur habinë për qëndrimin kundër të Zvicrës në debatet për anëtarësimin e Kosovës në FIFA. Gjithsesi, Shaqiri ndihet disi i zhgënjyer nga vendimi i trajnerit Vladimir Petkoviç për të mos i dhënë shiritin e kapitenit. “Të gjithë dëshirojnë të jenë kapitenë dhe jam disi i zhgënjyer. Trajneri më bëri me dije privatisht vendimin e tij. Në të tilla raste nuk ka vendime që bazohen në arsye të sakta sepse hierarkia dhe vjetërsia nuk janë përherë të rëndësishme”. Shaqiri është lojtari në aktivitet me më shumë gola të shënuar me Zvicrën me 51 ndeshje zyrtare dhe 17 rrjeta personale.
Shaqiri: Qëndroj tek Zvicra, nuk e kam menduar largimin
Ansi Agolli festoi titullin kampion me Qarabag
Ky ishte titulli i tretë radhazi për skuadrën dhe Ansi Agollin në kampionatin azer, me mbrojtësin shqiptar që është lojtari i huaj me më tepër ndeshje të luajtura për klubin. Qarabag-u ishte shpallur kampion disa javë më parë, por festa u zhvillua zyrtarisht vetëm pas mbylljes së edicionit. Përpara ndeshjes me AZAL Baku, Agolli dhe lojtarët e tjerë zbritën në fushë me një dedikim për titullin e tretë radhazi të fituar nga skuadra që përfaqëson qytetin e braktisur të Agdam-it.
Pas suksesit 3-0 ndaj AZAL Baku, për Qarabag-un dhe Ansi Agollin nisi festa e kampionatit, me shpërndarjen e medaljeve për fituesit dhe fotografi me titullin. Agolli është kuqeziu i tretë që u shpall kampion në këtë sezon, pas dyshes Taulant Xhaka e Naser Aliji, që fituan titullin në Zvicër me Basel.
Arbitra italianë për finalen Laçi-Kukësi
Një finale me arbitra italianë. Lajmi tashmë është zyrtarizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit që bëri të ditur emrat e arbitrave që do të gjykojnë finalen e Kupës së Shqipërisë mes Kukësit dhe Laçit. Gjyqtari kryesor i takimit do të jetë Marco Guida, i cili do të ketë si asistentë Lorenzo Manganelli dhe Alessandro Costanzo. Në këtë mënyrë do të jetë Marco Guida që do të mbajë drejtësi në takimin e kësaj të diele në “Qemal Stafa”. Arbitri 35-vjeçar i lindur në Pompei ka bërë një ngjitje të shpejtë në shkallët e karrierës, me profesion si konsulent biznesi, Marco Guida ka filluar të arbitrojë që në moshën 15-vjeçare në vitin 1996, për 7 vjet ka arbitruar në kategoritë amatore për të debutuar në Serinë D dhe në vitin 2006 hyri në organikën arbitrale të Serisë C.
Marco Gudia është një ndër arbitrat më të rinj në Itali që kanë marrë çertifikatën për të gjykuar në Serinë B dhe A, kur ishte vetëm 28 vjeç dhe ka humbur rekordin absolut për vetëm 3 muaj. Në karrierën e tij ka drejtuar mjaft sfida të rëndësishme si Milan-Juventus të 2 marsit 2014. Në arkivat e mediave italiane zbulon se në drejtim të tij ka patur dhe akuza nga drejtuesit e Juventusit që e kanë etiketuar si një tifoz të Napolit, ndërsa që nga viti 2013 Guida ka marrë dhe stemën e FIFA-s, si dhe të drejtën për të gjykuar ndeshje ndërkombëtare, duke bërë më pas debutimin në një ndeshje të kombëtareve të mëdha në një miqësore mes Kroacisë dhe Qipros më 4 shtator të 2014.
Xhaka pozon me fanellën e Arsenalit
Arsenali bën goditjen e parë në merkato. Sezoni i mbyllur poshtë pritshmërive e detyron trajnerin Arsene Wenger të bëjë modifikime të mëdha në grupin e tij dhe puna nis nga mesfusha. Është Granit Xhaka emri i parë që i bashkohet skuadrës londineze. Ish-lojtari i Borussia Monchengladbach mbërriti në Londër ku kreu testet mjekësore dhe më pas hodhi firmën në kontratë dhe më pas pozoi me fanellën e klubit anglez. Arsenali do të derdhë 30 milionë paund në arkën e klubit gjerman për transferimin e lojtarit me origjinë shqiptare. Në rast se shifra e blerjes konfirmohet, atëherë Xhaka do të bëhet lojtari i dytë më i shtrenjë për Arsenalin pas blerjes së Ozil nga Reali i Madridit për 42 milionë paund.
Në rastin e 23-vjeçarit të kombëtares së Zvicrës, trajneri Arsene Wenger këmbënguli që blerja të finalizohej përpara Euro 2016 pasi me shumë mundësi, vlera e kartonit të tij do të rritej edhe më shumë. Në garën për t’u bashkuar me “Topçinjtë”, Xhaka ka arritur të fitojë ndaj talentit të Leiçester, Kante, i cili zhvilloi një sezon spektakolar. Xhaka u transferua nga Beseli te G’ladbach në vitin 2012 për rreth 9 milionë euro dhe me fanellën e ekipit të 17-vjeçarëve të Zvicrës ai u shpall kampion bote.
Mediu: Reformë për zgjedhje të lira dhe të ndershme
Në takimin me strukturat drejtuese të Partisë Republikane për qytetin e Tiranës, kryetari Fatmir Mediu e vuri theksin në gjendjen alarmante në Shqipëri. “Jo vetëm varfëria e thellë dhe mungesa e vizionit për zhvillimin ekonomik, por mazhoranca dhe qeveria janë bërë një trup në rrugën e tyre të pandalshme të paligjshmërisë, korrupsionit dhe kriminalizimit të politikës dhe shoqërisë. Skandalet e përditshme nuk janë rastësore, por të qëllimshme, mungesa e vullnetit për të luftuar krimin dhe korrupsionin, deri në ekstremin e kontrollit të politikës, shtetit dhe qytetarëve tregon se qëllimi është vetëm një: Pushteti dhe vetëm pushteti me çdo kusht! Ky pushtet absolut krijon vetëm korrupsion absolut. Opozita po bën një punë këmbëngulëse dhe serioze që Reforma në Drejtësi të garantojë një pushtet gjyqësor të pavarur, jo të kontrolluar politikisht dhe funksional. Tashmë opozita ka pranuar propozimet e faktorit ndërkombëtar për çështjet e pazgjidhura politike dhe i takon mazhorancës të japë mirëkuptimin e saj. Jetike, e theksoi Mediu reformën elektorale, jo thjesht për opozitën, por për çdo votues shqiptar. Manipulimi i zgjedhjeve lokale tregon qartë se pa këtë reformë nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prandaj Partia Republikane ka propozuar që në fillim identifikim, votim dhe numërim elektronik; heqjen e mandateve dhe zëvendësimin e deputetëve që ndërrojnë krahun politik. Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë se votimi me lista të hapura duhet për të patur një Parlament të votuesve dhe jo të drejtuesve të partive. “Financim i fushatës nga buxheti duke shkurtuar shpenzimet e saj, një rregullim i drejtë dhe proporcional në media, ndryshimet ligjore të nevojshme bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR”, tha ndër të tjera Mediu.
“Shthuren” familjet, rriten divorcet, abortet dhe vdekjet, ulen lindjet më 2015
Popullsia e vendit është futur në një proces gati degradues prej divorceve në rritje, numrit të lartë të vdekjeve, rënies së lindjeve, aborteve të shtuara dhe emigracionit të lartë më 2015. Një raport i fundit i INSTAT shumë i detajuar sjell të dhëna për dinamikën e popullsisë së vendit. Sipas të dhënave, shihet se më 2015 numri i vdekjeve është rritur me 8 për qind në krahasim me një vit më parë. Teksa numri i lindjeve është ulur me 8.5%, abortet i janë rikthyer rritjes. Nga ana tjetër, martesat që shkuan në divorc ishin 24% më shumë se në vitin 2014, raporton INSTAT.
Vdekjet rritje me 8%
Kjo rritje, sipas INSTAT vjen kryesisht nga një raportim më i mirë i vdekjeve nga gjendja civile. Vdekjet sipas grupmoshave tregojnë se në të gjitha grupmoshat meshkujt kanë një përqindje më të lartë të vdekjeve, duke përjashtuar grupmoshën e fundit mbi 80 vjeç. Kjo ndodh pasi jetëgjatësia e meshkujve është më e ulët se ajo e femrave. Në vendin tonë për vitin 2015 meshkujt jetojnë mesatarisht 4 vite më pak se femrat. Vdekshmëria foshnjore është 7,8 për djemtë dhe 6,3 për vajzat. Ky tregues për meshkujt ka mbetur në të njëjtat shifra krahasuar me një vit më parë, ndërkohë për vajzat ka një përmirësim duke e krahasuar me vitin 2014, i cili ishte 8,0.
2015, divorcet rriten me 24%
Numri i familjeve të divorcuara në fund të vitit 2015 arriti në 5255 nga 4240 të tilla në vitin 2014 duke shënuar një rritje vjetore me 23.9%, teksa gjatë vitit 2015 në vendin tonë janë regjistruar rreth 25 mijë martesa. Nëse analizojmë martesat sipas grupmoshës dhe gjinisë, shohim se tek femrat më shumë se 50% e martesave realizohen deri në moshën 24 vjeç dhe 86% e martesave realizohen deri në moshën 29 vjeç. Kjo shpjegon dhe moshën relativisht në martesë për femrat, e cila është 24,1 vjeç. Ndërkohë martesat sipas grupmoshës për meshkujt paraqiten 63% e martesave te meshkujt realizohen deri në moshën 24 vjeç dhe 86% e martesave për këtë gjini realizohen deri në moshën 29 vjeç. Mosha mesatare e martesës për meshkujt është 29,6 vjeç. Një tregues interesant është normat e martesave sipas grupmoshave ndër vite. Shohim se kemi një rënie të normës së martesës deri në moshën 24 vjeç. Kjo shpjegon dhe rritjen e lehtë të moshës mesatare në martesë të vajzave. Krahasuar me 10 vite më parë femrat martohen relativisht një vit më të mëdha. Ky ndryshim është relativisht i ngadaltë, por kjo sjellje vihet re me të njëjtin trend.
Numri i lindjeve bie me 8.5%, abortet rriten 0.8%
Teksa numri i lindjeve është ulur me 8.5 për qind në vitin 2015, numri aborteve nga ana tjetër raportohet me rritje. Të paktën nga 2006 treguesi i abortit ka qenë në trajektore rënëse, por më 2015 grafiku ka ndryshuar krah. Abortet sipas INSTAT kanë pësuar rritje vjetore me 0.8% ose 47 aborte më shumë. Aborti është ndërprerja e barrës që ka ndodhur para javës së 28-të dhe kur ky produkt është fetus i vdekur. Ka dy kategori abortesh: aborte spontane dhe aborte të provokuara. Abort i provokuar ka për origjinën një veprim të ndërmarrë me qëllim për të ndërprerë barrën. Të gjitha abortet e tjera konsiderohen spontane.
Raporti i fundit i INSTAT “Femra-meshkuj” sjell të dhëna shumë më të detajuara në krahasim me raportet e mëparshme. Burime nga INSTAT pohuan se stafi ka punuar shumë për të arritur në këto rezultate, ndërsa një shtytje e madhe ka ardhur nga ish-drejtori i INSTAT, z.Gjergji Filipi, i cili u nda në mënyrë të parakohshme nga jeta pak muaj më parë.
Raporti: Femrat lënë fshatrat dhe zbresin në qytete
Dinamikat e popullsisë për vitin 2015 tregojnë për një zhvendosje të popullsisë drejt zonave urbane, por kjo tendencë rezulton të jetë më e theksuar për femrat, sipas një raporti të fundit të INSTAT. Kështu 57,2% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 42,8% jeton në zonat rurale. Zonat urbane janë më shumë të populluara nga femrat, 54,4% e popullsisë urbane janë femra. Ndërkohë në zonat rurale jetojnë më shumë meshkujt, këto zona janë të populluara nga meshkujt me 53,1% e popullsisë së tyre, vë në dukje INSTAT. Kjo shpjegohet dhe nga lëvizjet e brendshme të popullsisë, të cilat kanë qenë më shumë të orientuara nga zonat rurale në ato urbane dhe kryesisht për femrat, shpjegon Instituti i Statistikës në raportin përmbledhës. Nga lëvizjet e brendshme të vitit 2015 rezulton se 57,5% e popullsisë së larguar janë femra. Mosha mesatare e popullsisë për vitin 2015 është 37,2 vite. Për meshkujt mosha mesatare është 36,4, ndërkohë për femrat është 37,9 vite. Mosha mesatare më e lartë tek femrat shpjegohet pasi femrat kanë jetëgjatësi më të lartë. Për vitin 2015 jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 76,1 vite për meshkujt dhe 79,7 vite për femrat. Kjo do të thotë se femrat jetojnë mesatarisht 3,6 vite më shumë se meshkujt. Popullsia e Shqipërisë vazhdon të jetë në rënie. Krahasuar me një vit më parë rënia është 0,24% në total, respektivisht shënohet një rënie 0,05% për meshkujt dhe 0,44% për femrat. Shtesa natyrore për të dy gjinitë është afërsisht e njëjtë. Rënia ka ardhur kryesisht nga migracioni neto, i cili është negativ dhe është më i lartë për femrat. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej është 51% meshkuj dhe 49% femra.
Lindjet
Numri i lindjeve gjatë vitit 2015 është afërsisht 32,7 mijë lindje. Raporti gjinor në lindje është 1,1 që tregon se në 100 lindje vajzash lindin 110 djem. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 1,06 që tregon një preferencë për lindjet e gjinisë mashkullore. Në vlera absolute rënia e numrit të lindjeve krahasuar me vitin 2014 është afërsisht 3 mijë lindje. Për lindjet meshkuj kemi një rënie 8%, ndërkohë për lindjet femra rënia është 9%. Indeksi sintetik i fekonditetit (ISF), i cili është një tregues i standardizuar që tregon numrin mesatar të fëmijëve që një grua në moshë riprodhuese pritet të lindë, për vitin 2015 shënon 1,67 fëmijë. Kjo do të thotë 100 femra pritet të lindin 167 fëmijë nëse normat e lindshmërisë sipas grupmosha janë këto të vitit referues, 2015. Ky indeks është nën normën e zëvendësimit, 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten. Nëse shohim lindshmërinë sipas grupmoshave, lindshmëria ka rënë për të gjitha grupmoshat, por kryesisht kjo rënie ka qenë më e madhe për grupmoshat e mëdha 40-44 vjeç, gjë e cila ka sjellë një rënie të lehtë të moshës mesatare në lindje. Në vitin 2015 femrat lindin mesatarisht 26,7 vjeç, krahasuar me vitin 2014 ku kjo moshë ishte 27,2 vjeç.
Martesat
Gjatë vitit 2015 në vendin tonë janë regjistruar rreth 25 mijë martesa. Tek femrat më shumë se 50% e martesave realizohen deri në moshën 24 vjeç dhe 86% e martesave realizohen deri në moshën 29 vjeç. Kjo shpjegon dhe moshën relativisht në martesë për femrat, e cila është 24,1 vjeç. Ndërkohë martesat sipas grupmoshës për meshkujt paraqiten 63% e martesave te meshkujt realizohen deri në moshën 24 vjeç dhe 86% e martesave për këtë gjini realizohen deri në moshën 29 vjeç. Mosha mesatare e martesës për meshkujt është 29,6 vjeç. Një tregues interesant është nomrat e martesave sipas grupmoshave ndër vite. Shohim se kemi një rënie të normës së martesës deri në moshën 24 vjeç. Kjo shpjegon dhe rritjen e lehtë të moshës mesatare në martesë të vajzave. Krahasuar me 10 vite më parë femrat martohen relativisht një vit më të mëdha. Ky ndryshim është relativisht i ngadaltë, por kjo sjellje vihet re me të njëjtin trend për të dy gjinitë.
1.5 miliard euro jashtë ekonomisë kosovare
Janë afro një miliard e 500 milionë euro mjete financiare të Fondit të Privatizimit dhe Trustit Pensional të Kosovës, të cilat mbahen ose të ngrira ose të investuara në tregjet ndërkombëtare, mjete këto, të cilat asnjëherë nuk u investuan në projektet zhvillimore të vendit. Ndërkaq, premtimet e koalicionit aktual të qeverisë së Kryeministrit Isa Mustafa se me të marrë pushtetin,ata do bëjnë çmos, në mënyrë që sa më parë t’i kthejnë paratë e AKP-së dhe ato të Trustit Pensional, nuk ishin gjë tjetër, pos një premtim mashtrues elektoral i partive në pushtet, shkruan gazeta “Kosova Sot”. Analistët e ekonomisë dhe fushës së financave dhe deputetët opozitarë thonë se me mbajtjen e këtyre parave nëpër bankat jashtë vendit, Kosova ka humbur shumë. Sipas tyre, këto para do të mund të ndihmonin për mëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës dhe nga mbajtja e tyre jashtë vendit Kosova përfiton shumë më pak. Deputeti opozitar, Bali Muharremaj, në një prononcim për “Kosova Sot” thotë se sikur këto mjete të kishin hyrë në funksion përmes sistemit bankar për zhvillimin ekonomik të Kosovës, efektet në ekonomi do të ishin shumë më të mëdha. Sipas situatës së deritanishme, thekson Muharremaj, Kosova eksportin më të madh e ka pasur në eksportimin e parave, pikërisht mjeteve e Trustit. Po të ishin kthyer këto mjete të fondit të Privatizimit në Kosovë, do të kishin nxitur investime dhe do të krijoheshin vende të reja të punës, sepse do të rritej potenciali i kapitalit të bankave komerciale dhe do të jepnin kredi me kushte më të volitshme. Kjo nuk ka ndodhur. E njëjta gjë ndodhi edhe me Trustin Pensional edhe këto mjete për fat të keq janë jashtë sistemit bankar të Kosovës, vlerëson Muharremaj. Sipas deputetit opozitar, mjetet që Kosova ka mbajtur jashtë vendit, përveç që kanë ndikuar negativisht në moszhvillim ekonomik, kanë ndikuar edhe në tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë. Sidoqoftë, qeveria e Kosovës ka të drejtë të themelojë fonde si ai i Kreditimit, mirëpo ato fonde duhet të bazohen në koncepte dhe strategji të zhvillimit ekonomik. “Në rast se këto mjete kthehen, duhet të bëhet një analizë më komplekse dhe të dimë se ku po shkojnë këto mjete dhe çfarë kahu po i japim. Hapi i parë, që duhet të bëhet, është të vendoset që këto mjete të kthehen dhe përmes sistemit bankar të orientohen, por me një projekt zhvillimor dhe jo me deklarata”, thotë deputeti Muharremaj.
Telegrafi
Mziu pret përfaqësues të qeverisjes vendore nga Britania e Madhe
Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, priti dje përfaqësues të qeverisjes vendore nga Britania e Madhe dhe Kosova për çështjet e inovacionit dhe informimit. Konkretisht, mysafirë të kreut të Bashkisë ishte një delegacion nga Instituti për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) me seli në Londër, Angli, i përbërë nga drejtori Ekzekutiv, dr. Jonathan Carr-West dhe zyrtari i lartë Operativ, dr. Andy Johnston; si dhe nga drejtori Ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), z. Besnik Tahiri. Kryebashkiaku Mziu u uroi mirëseardhjen miqve nga Britania dhe Kosova. Ai e shfrytëzoi këtë takim për të bërë të njohura disa nga zhvillimet që kanë ndodhur në qytetin dhe Bashkinë e Kamzës vitet e fundit.
“Bashkia Kamëz ka disa ditë që ka mbushur 20 vjet, që gëzon statusin Bashki, duke u kthyer nga një zonë bujqësore me një popullsi prej 10.000 banorësh në Bashkinë e 5-të në Shqipëri për nga numri i popullsisë, ku popullsia aktuale i kalon numrin e 150.000 banorë, duke u kthyer në një zonë në 90% të saj në zonë urbane. Këto ndryshime kanë ardhur pikërisht në periudhën 2007-2015 dhe kjo periudhë përkon dhe me mandatet që unë kam qeverisur qytetin në këto vite, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës me të gjitha elementet përbërëse të saj”, u shpreh Mziu.
“Krahas investimeve që janë kryer në qytetin e Kamzës, dua të theksoj se një punë shumë e madhe është bërë edhe në drejtim të shërbimeve. Jo pa qëllim dëshiroj të përmend që në fillim të bashkëbisedimit tim zhvillimin e shërbimeve. Një nga këto shërbime është One Stop Shop-i (shërbimet me një ndalesë), ku qytetarët marrin shërbimet në 35 sportele, duke arritur një standard të dukshëm evropian”, – pohoi kreu i Bashkisë, duke shtuar edhe disa prej arritjeve të kësaj njësie vendore, siç janë: sistemi i adresave, plani urbanistik, bashkëpunimet me institucionet prestigjioze që kanë operuar dhe operojnë në Shqipëri si, Banka Botërore, UNDP, USAID si dhe mjaft binjakëzime me qeverisje lokale në mbarë botën, duke u bërë promotorë të parë të qeverisjes vendore në përfitimin e projekteve të mëdha evropiane si ai IPA Adriatik apo dhe përfitime të tjera në nivele evropiane. Gjithashtu, Bashkia Kamëz ka organizuar workshope të ndryshme me përfaqësime të qeverisjeve vendore në Shqipëri dhe rajon, duke demonstruar buxhetimin me pjesëmarrje dhe mjaft eksperienca të vlefshme për qeverisjet e tjera vendore.
“Reforma territoriale, theksoi kryebashkiaku Mziu, është një reformë jo e standardeve strukturore, por reformë me një karakter të theksuar politik. Lë për të dëshiruar, për faktin se nuk u mor në konsideratë asnjë komponent që do të bënte të mundur mirëzbatimin e kësaj reforme, nga e cila Kamza është kthyer në një ishull ku kufizohet në 90% të saj nga njësitë administrative në përbërje të Bashkisë së Tiranës. Kamza mbetet qyteti më i vogël referuar sipërfaqes gjeografike dhe e 5-ta për sa i përket densitetit nga numri i popullsisë. Reforma administrative-territoriale ka krijuar një vakum të thellë ligjor, ku titullari i Bashkisë nuk mund të ushtrojë funksionet e veta për shkak të këtyre vakumeve. Sot në Shqipëri pushteti vendor është përfitues i 2.1% GDP duke u krahasuar me disa vite më parë që ishte 3,1%. Edhe pse jemi të fundit në Evropë dhe Ballkan për sa i përket përfitimit nga GDP-ja, dua të theksoj, tha Mziu, se vetëm 60% e 2.1% ndahet në buxhetet e qeverisjeve lokale, ndërsa 40% shpërndahet në bazë të projekteve konkurruese, ku asnjë nga njësitë e qeverisjeve të djathta nuk është përfituese e asnjë donacioni nga grantet konkurruese duke e bërë dhe diskriminuese reformën administrative-territoriale. Mungon kuadri ligjor i funksionimit.
Në bazë të kësaj reforme është bërë i mundur delegimi i shtatë kompetencave, nga të cilat mund të përmendim: arsimi parashkollor, ku vetëm u rrit barra fiskale dhe asnjë kompetencë për të ushtruar në këtë drejtim; pyjet, që ka për funksion vetëm ruajtjen dhe asnjë paketë financiare shoqëruese; sektori i zjarrfikëseve, e njëjta situatë; konviktet; sistemi i kullimit dhe i vaditjes dhe asnjë bazë funksionale e mbështetje financiare. Ndërkohë që është dërguar edhe inventari i rrugëve të Bashkisë. Kur kërkojmë financime për to, qeveria na thotë që ju jeni zonë rurale dhe nuk ka financime për Ju. Dhe kur kërkojmë financime për sistemin e vaditjes dhe të kullimit qeveria na përgjigjet ju jeni zonë urbane. Kërkojmë për të ushtruar funksionet për përmirësimin e vakumeve ligjore. Të rritet niveli i përfitimit të GDP-së nga 2.1% që është aktualisht në 6% që e ka rajoni. Të kemi vlerësimin e 1% të buxhetit të përgjithshëm të taksës kombëtare nga TVSH si dhe elemente të tjera të përfshirë në këtë taksë. Delegimi i buxhetit të shtetit për pushtetin vendor të bëhet në bazë të numrit të popullsisë. Këto dhe shumë elemente të tjera me bazë ligjore dhe drejtimi administrativ do të përmirësojnë reformën”, ishin disa nga shqetësimet që ngriti Mziu në takimin që pati me përfaqësuesit e qeverisjes vendore nga Britania dhe Kosova.
Ai më pas i ka shoqëruar miqtë në mjediset e Bashkisë, ku ata u njohën nga afër me shërbimet dhe funksionimin e kësaj njësie vendore. Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe Instituti për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) me seli në Londër, Angli, nga data 18 deri më 20 maj 2016, kanë zhvilluar një seri vizitash rajonale (në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni) në institucionet qendrore dhe vendore. Në Shqipëri delegacioni qëndroi këtë të premte, vizitë e cila kishte për synim të shihte mundësitë e bashkëpunimit dhe përfshirjen në proceset e qeverisjes vendore. Delegacioni i Institutit për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) udhëhiqet nga drejtori Ekzekutiv, dr. Jonathan Carr-West dhe zyrtari i lartë Operativ, dr. Andy Johnston. Ky takim shërben për t’u njohur me sukseset, sfidat dhe mundësitë që ka Republika e Shqipërisë në fushën e qeverisjes lokale. Instituti LGiU ka shprehur gatishmërinë e tyre për të eksploruar mundësi të reja të shtrirjes në Ballkan përmes Institutit KLGI për të kontribuar në qeverisjen e mirë dhe fuqizimin e nivelit lokal.
Basha: Reformë në Drejtësi që lufton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje eurodeputetët anëtarë të Komisionit parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri. Zoti Basha ka kërkuar që ky sesion i komitetit të përbashkët të vlejë për të bërë një thirrje për zbatimin e ligjit, për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, për reformën zgjedhore që garanton kushtet për zgjedhjet demokratike, për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta.
– Zoti Fleckenstein tha nga Shkodra dy ditë më parë se kishte marrë garanci nga ju?
Partia Demokratike ka një qëndrim koherent, të parashikueshëm dhe transparent karshi qytetarëve shqiptarë dhe faktorit ndërkombëtar.
Ky qëndrim është për një reformë që nuk mbron, por lufton korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. Dhe për këtë Partia Demokratike që prej fillimit ka bërë propozimet e saj, kritikat e saj që janë pranuar dy herë nga Komisioni i Venecias dhe që tashmë janë materializuar në formën e propozimeve mbi draftin përfundimtar të propozuar nga ekspertët ndërkombëtarë.
Pra, kemi një propozim, i cili po diskutohet në Grupin parlamentar të Partisë Demokratike, njëkohësisht i është dhënë edhe ekspertëve ndërkombëtarë se si do të zgjidhim ato çështje, ato detyra që ka lënë “Venecia”, vendimmarrjen dhe arkitekturën e sistemit.
Partia Demokratike ka bërë propozimet e saj, presim që mazhoranca të cilës i takonte të kishte bërë propozimet për dialogun politik të vendosë për këto. Megjithatë nuk e ka bërë, duket se sa shumë e do reformën, duket se sa e interesuar është për kalendarin e reformës.
Ne i kemi marrë këto përgjegjësi, i kemi bërë këto propozime dhe presim që përmes dialogut politik, të ndihmuar nga faktori ndërkombëtar, t’i japim formë në mënyrë që Reforma në Drejtësi të përparojë dhe paketa kushtetuese t’i hapë rrugën miratimit të ligjeve.
Sigurisht ky është një proces formal, legjislativ. Shqetësimi më i madh që ngrita sot me europarlamentarët është zbatimi i ligjit.
Shqipëria ka një ligj antimafie, i cili kërkon konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar. Këtu kemi një ministër të Brendshëm që jo vetëm nuk i konfiskon pasuritë, nuk bën hapat e duhur për të konfiskuar pasuritë e mafies, por merr mafien në telefon dhe i thotë se nuk e keni nga mua.
Kemi një ligj për dekriminalizimin që kërkon që Roshi me kompani të largohen nga mandati i fituar në kundërshtim me këtë ligj. Roshi kërcënon tashmë jo deputetin e opozitës, por deputetin e mazhorancës dhe Kryeministri qëndron si kukudh pa thënë asnjë fjalë. Që do të thotë se aprovon në heshtje, merr autorësinë me heshtje të përdorimit të Roshit dhe roshëve për të vetmit rol që i ka sjellë në politikë, për të kërcënuar, për të shantazhuar në këtë rast deputetët e vet partisë së tij.
Kemi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e prishura në Shqipëri dhe nuk kemi akoma asnjë sinjal të qartë të vullnetit të kësaj mazhorance për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi ligje kundër kultivimit të kanabisit dhe Shqipëria po lulëzon me kanabis nga jugu në veri. Problem nuk janë ligjet, problem është zbatimi i ligjit dhe zbatimi i ligjit është detyra parësore dhe kryesore e qeverisjes.
Kjo qeveri ka dëshmuar se nuk është e aftë dhe se nuk ka vullnet të zbatojë ligjet e Republikës së Shqipërisë. Kjo qeveri ka dëshmuar e në veçanti ky Kryeministër ka dëshmuar se është në shtrat me krimin e organizuar dhe së bashku i kanë dhënë Shqipërisë rekordet më të zeza të prodhimit të drogës, të trafikimit të drogës, të mbrojtjes së narkotrafikantëve dhe kokave të krimit të organizuar përmes Policisë së Shtetit dhe të korrupsionit në nivelet më të larta 25 vite demokraci.
Zbatimi i ligjit është pra problemi, shteti ligjor i nëpërkëmbur e bashkë me to dhe të drejtat e liritë e qytetarëve për interesat e mafies, narkotrafikantëve dhe oligarkisë. Ndaj bashkë me europarlamentarët duke ndarë këtë shqetësim, kam kërkuar që ky sesion i komitetit të përbashkët të vlejë për të bërë një thirrje për zbatimin e ligjit, shtetit ligjor, për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. Për reformën zgjedhore që garanton kushtet për zgjedhjet demokratike. Dhe për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron Koçon, Shullazin, Balilajn, por një Reformë në Drejtësi që lufton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta.