29.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Shpenzimet për shëndetësinë, Shqipëria e fundit në rajon

Shqipëria është ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për frymë për shëndetin. Sipas të dhënave nga Banka Botërore, për vitin 2014 për shëndetin e çdo shqiptari u shpenzuan mesatarisht 272 dollarë amerikanë. Me këtë shifër, Shqipëria renditet e fundit në rajonin e Ballkanit. Ky tregues përfshin shumën e shpenzimeve publike dhe private për shëndetin, në raport me numrin total të popullsisë. Shpenzimet e shqiptarëve për shëndetin nuk kanë rritje domethënëse në vitet e fundit, duke qëndruar në intervalin mes 240 dhe 270 dollarëve për frymë. Vendi ynë është ndjeshëm më mbrapa, në raport me vendet e tjera të rajonit. Më i afërti, Maqedonia, shpenzon 354 dollarë për frymë çdo vit në shpenzime shëndetësore. Vendet e tjera kanë shpenzimet mesatare për frymë më të larta, ndërkohë që renditjen mes vendeve të Ballkanit Perëndimor e kryeson Serbia, ku shpenzohen 633 dollarë në vit për shëndetin e çdo qytetari. Nëse bëjmë krahasime më larg, diferencat janë të jashtëzakonshme, po të kemi parasysh se vendet më të zhvilluara kanë shpenzime për shëndetësinë që shkojnë në mbi 6 mijë dollarë për frymë. Në vitin 2013, qeveria e koalicionit të majtë erdhi në pushtet me premtimin për shëndetësi falas, në kuptimin e një sistemi me mbulim shëndetësor universal, ku shërbimet do të bliheshin nga shteti për llogari të qytetarëve. Megjithatë, pas tre vjetësh, ky premtim është përmbushur në një masë të papërfillshme. Sot, një pjesë e popullsisë përfiton një kontroll vjetor parandalues, ndërsa është hequr pagesa për mjekun e familjes. Për pjesën tjetër, shërbimi shëndetësor vazhdon të jetë me pagesë për të pasiguruarit, ndërkohë që të siguruarit vazhdojnë të paguajnë kontribute për sigurimin shëndetësor.

Institucionet që shkaktuan dëmin më të madh ekonomik

Open Data Albania po hulumton lidhur me personat e kallëzuar për ndjekje penale si shkaktarë kryesor të dëmit ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit për vitin 2015. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë këtij viti raporton 51 raste kallëzimesh për 159 persona funksionarë shteti me një dëm ekonomik të evidentuar prej 85.8 miliardë lekësh.
Sipas KLSH gjatë këtij viti janë kryer 16 kallëzime penale ndaj Institucioneve Qendrore. Por, numrin më të lartë të kallëzimeve penale e shënojnë Institucionet Vendore me përkatësisht 21 raste të kallëzuara për 87 funksionarë.
Dëmi më i lartë Ekonomik rezulton të jetë shkaktuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Avokatura e Shtetit në vlerën 67 miliardë lekë. Më 12.10.2015 janë kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre pranë këtyre institucioneve Ministri i Energjisë dhe Industrisë dhe Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, në cilësinë e Kryetarit dhe Anëtares së Grupit të Punës të ngritur në bazë të VKM nr. 969 dt. 25.10.2013 “Për ngritjen e grupit të punës për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe CEZ a.s”.
I kallëzuar penalisht sipas KLSH më 27.03.2015 rezulton Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Ky institucion shënon një dëm ekonomik prej 108 milionë lekësh dhe funksionarët janë në hetim për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Në Institucionet Vendore kanë ndodhur kallëzime penale për Kryetarin e Bashkisë Memaliaj (30.06.2015);  Kryetarin e Bashkisë Kavajë (31.08.2015); Kryetarin e Bashkisë Patos (08.09.2015); Kryetarin dhe ish-Kryetarin e Komunës Perondi, Berat (10.07.2015) etj.

Policia përgënjeshtron Ramën: Kemi edhe trafik armësh

Edi Rama u shfaq i irrituar tre ditë më parë gjatë një interviste për “Euronews”, kur gazetarja i tha se nuk mund të mohonte faktin se Shqipëria kishte trafik droge, prostitucioni dhe armësh. Rama iu përgjigj me arrogancë gazetares se këto sulme ndaj Shqipërisë duhet të marrin fund. Por dje falë një aksioni të Policisë së Tiranës dhe konkretisht i Sektorit kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, kryer në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është arritur të dokumentohet përmes teknikave speciale veprimtaria kriminale e dy shtetasve, duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale armë të rënda, lëndë plasëse dhe municione luftarake. Ky lajm i shpërndarë nga vetë policia përgënjeshtron deklaratën e Ramës se në Shqipëri nuk ekziston trafiku i armëve. Këtë situatë, e ka ironizuar dje edhe kryetari i Grupit parlamentar Edi Paloka, i cili në një prononcim të shkurtër për mediat tha: “Kur gazetarja e ‘Euronews’ e pyeti për trafikun e armëve, Edi Rama iu hakërrye keq, sikur ajo po sajonte e po shpifte. Por sot është kapur një grup që trafikonte jo vetëm armë të lehta, por dhe mitralozë e granata. Rama me siguri nuk di më pak se gazetarja e ‘Euronews’, por mundohet t’i fshehë këto trafiqe e trafikantët dhe madje t’i mbrojë ata. Siç bëri me Balilin, siç bën me Habilajt e shumë banda të tjera. Po krimet janë të rënda shumë e nuk mbulohen dot prej tij. Të habiturin e të paditurin bëri dhe për avionët e drogës, po ato mbushën qiellin. Është e qartë se Rama s’ka padije për këto punë, se këto punë bëhen me licencën e tij. Ai thjesht mundohet t’i fshehë”, ironizoi Paloka.

Pse është trendi të kesh dy emra

Lutfi DERVISHI

Pas botimit të formularëve të dekriminalizimit, është hapur një debat i madh për të paktën 10 deputetë se pse kanë përdorur dy emra?! Më duket e pakuptimtë për 10 arsye.
1. Jetojmë në epokën e të drejtave të individit dhe është koha për t’i dhënë fund një padrejtësie shekullore. Emri deri më tani nuk është zgjedhje e individit, por një imponim që vjen nga prindërit. Facebook së fundmi bëri të qartë se fëmijët kanë të drejtë të padisin prindërit nëse nxjerrin fotot e tyre në facebook. Kur fëmija ka të drejtë të padisë prindin pse nuk paska të drejtë të zgjedhë vetë emrin e tij.
2. Jetojmë në një epokë të ngarkuar me informacion. Truri njeriut sidokudo, ka kufizimet e veta. Budallallëku nuk ka fund, por jo sasia e informacionit që mund të mbajë mend njeriu. Për shembull, të del dikush në rrugë dhe të pyet për emrin? Nuk të kujtohet. Mendje i thonë. Shkencëtarët kanë provuar se nëse ke dy emra, propabiliteti që t’i harrosh të dy është shumë afër zeros.
3. Fenomeni i emrit të artit nuk është gjë e re. Njeriu ka një emër në çertifikatë, ka edhe një emër arti që e njeh publiku. Në kushtet kur të gjithë pranojmë se politika është e ndotur, pse duhet të futet njeriu në politikë me emrin e vet? Eshtë më mirë të njollosë emrin e vet dhe të familjes apo të ndotë një emër të sajuar?! Kjo pyetje është retorike. Ndaj respekt për ata deputetë që tjetër emër kanë në çertifikatë dhe tjetër emër në Parlament.
4. Gazetarët janë ata që duhet të flasin më pak për “dy emrat”. A nuk e kanë hapur ata rrugën me pseudonimet në gazetë?
5. Një nga arsyet është frika nga mallkimet, magjitë, kurthet, kamerat e fshehta…. Mallkimi më i rëndë që njihet është: “T’u harroftë emri!”. Siç u tha edhe në pikën 2, mund të ndodhë që të zë mallkimi dhe harron emrin, atëherë përdor emrin tjetër.
6. A nuk përdorim ne të gjithë dy emra për mëmëdheun/atdheun. Kur jemi këtu thërrasim: Shqipëria dhe për të huajt themi: “Albania”. Shumica e deputetëve të nderuar që i ka zënë formulari dekriminalizimit – pikërisht këtë gjë kanë bërë: i janë prezantuar të huajve me një emër tjetër.
7. Nuk është gjë e re, që një njeri të njihet me disa llagape. Një shok -ut tim të fakultetit në fillim kur shkonte të vjerri i thërrisni: Dhëndrri, më pas Skënderi, më pas Neri dhe tani i thonë çuni Ishes.
8. Përfliten shumë dhe me pa të drejtë deputet/zyrtarë të Laçit. Dhe harrojnë që praktikisht themi Laç dhe zyrtarisht kemi Kurbin.
9. Kjo na çon tek anekdota e vjetër që duke e perifrazuar themi: teorikisht kemi 140 deputetë, praktikisht kemi….
10. Edhe vetë institucionit përfaqësues të popullit i kemi vënë 2 llagape. Kuvend dhe Parlament. Bravo atyre që respektojnë institucionin dhe kanë 2 emra.

“Syri.net”

Kinezët hyjnë në lojë për Interin

Klubi i Interit copëzohet sërish. Pas largimit të Massimo Morattit, i cili ia dorëzoi pjesën më të madhe të aksioneve Eric Thohir, zikaltërit po hyjnë në një rrugë të re, pasi një pjesë e aksioneve të presidentit aktual, do t’i shiten kompanisë kineze Suning. Vështirësitë e mëdha të klubit për të pasur në dispozicion likuiditete, e ka detyruar Thohir të hapë dyert ndaj kinezëve, të cilët do të përvetësojnë 20% të aksioneve për 80 milionë euro. Në këtë pikë, presidentit aktual i mbeten 56% që do të thotë se Thohir mbetet njeriu kryesor dhe figura vendimmarrëse, ndërsa Moratti është aksioneri i dytë më i madh me 23.5% të kuotave. Vetëm 0.5% e aksioneve janë në duart e një minorance.
Marrëveshja me Suning do të zyrtarizohet brenda muajit qershor, pasi Thohir dëshiron të mbyllë sa më shpejt disa goditje në merkato. Ndërkohë, në skuadrën tjetër milaneze, Milan, bisedimet për shitjen e klubit janë ngrirë pas vetos së presidentit Silvio Berlusconi. Numri 1 i shoqërisë kuqezi, ka bërë me dije se nuk do të tërhiqet nga pozicioni drejtues edhe pse ky është një kusht i panegociueshëm nga të gjitha shoqëritë e interesuara për të blerë pjesën më të madhe të aksioneve. Në këtë mënyrë, Milani vazhdon të mbetet në udhëkryq për shkak të mungesës së investimeve që gjatë viteve të fundit kanë ndikuar në dështimet e njëpasnjëshme të kuqezinjve.
Presidenti i Interit duket se është bindur nga këshilltarët e tij dhe më në fund ka vendosur që të shpenzojë disa miliona euro për Interin. Sezoni që sapo u mbyll ka bërë që indoneziani të kuptojë se për të fituar një titull, nuk mjafton një strategji e zgjuar në merkato dhe një trajner fitues.
I pyetur për sezonin që sapo u mbyll, Erik Tohir ruajti të njëjtën linjë, duke vlerësuar lojtarët për punën e bërë. “Vendi i katërt ishte pozicioni më i mirë që mund të merrte Interi në këtë sezon. Shpresoj shumë që edicionin e ardhshëm ekipi të tregojë dhëmbët”, tha Tohir gjatë intervistës që dha për gazetën indoneziane “Sundul”. Besimi – Në fjalën e tij, presidenti zikaltër ishte optimist për të ardhmen dhe la të kuptohej se e kishte planifikuar Interin e ri me Mançinin në qendër. “Jam i bindur se ai ka besimin e lojtarëve dhe do të vazhdojë që të jetë trajner i Interit. E pranoj, është një trajner i madh”, u shpreh 45-vjeçari.
Numri një i Interit nuk u tërhoq, kur e pyetën për ekipin që priste të ndërtonte këtë verë. Në këtë temë, ai u zhbalancua dhe zbuloi strategjinë që kishte studiuar me trajnerin. “Unë dhe Roberto Mançini kemi diskutuar gjatë rreth merkatos. Kemi rënë dakort që të përforcojmë të tre repartet, duke afruar të paktën nga një futbollist të talentuar dhe ekspert në sulm, mesfushë dhe mbrojtje”, tha Erik Tohir.

Neymar, 200 milionë!

Shifrat që lakohen në merkatot e transferimeve çdo verë i kalojnë të parashikueshmet, aq më tepër kur flitet për aksin Spanjë-Angli. Çmenduria më e fundit përfshin dy kolosë të futbollit, Barcelonën dhe Manchester United, e në mes të tyre, Neymar. Për këtë të fundit mendohet se klubi anglez, që së shpejti do të komandohet nga Mourinho është gati të shpenzojë 200 milionë euro, për transferimin në “Old Trafford”.
Lajmi është publikuar në të përdtishmen “Daily Express”, sipas së cilës babai i futbollistit, që është njëkohësisht edhe manaxheri i tij ka konfirmuar shumën e ofruar nga ‘Djajte e Kuq’. Pak kohë më parë emri i Neymar është lakuar edhe në Madrid, si një prej investimeve kryesore të merkaros së verës. Dhe në këto kushte natyrshëm lind një pyetje: nëse Neymar shitet për 200 milionë euro, po vlera e argjentinasit Mesi sa mund të shkojë?
Ditët e fundit janë shtuar zërat për rinovimin e kontratës së Neymar me Barcelonën deri në vitin 2022. Marrëveshja e re thuhet se do të lajmërohet javën e ardhshme pas finales së Kupës së Mbretit, ndërsa hedhja e të zezës mbi të bardhë do të bëhet në fund të Lojërave Olimpike, Rio 2016, turne ku sulmuesi brazilian do të marrë pjesë. Mirëpo sipas mediave braziliane, për 24-vjeçarin kanë mbërritur tre oferta, nga Reali i Madridit, Paris Saint Germmain dhe Manchester Unitet, të cilat përfaqësuesit e tij ligjorë po i studiojnë me shumë kujdes, pasi situata mund të marrë tjetër rrjedhë, nëse bisedimet me klubin blaugrana nuk marrin drejtimin e duhur. Neymar ka një klauzolë largimi nga Barcelonë që kap shifrën 190 milionë euro, ndërsa kontrata aktuale i skadon në 2018-ën. Klauzola në marrëveshjen e re me Barcelonën pritet të jetë 220 milionë euro.
Ndërkohë, Jose Mourinho do të jetë trajneri i Manchester United. Dyshimeve i ka ardhur fundi, rreth një lajmi që qarkullon në mediat sportive që nga mesi i muajit shkurt. Një konfirmim ky që hedh poshtë edhe hipotezat se trajneri portugez mund të kishte një rikthim te Interi, mbase një vit pushim apo edhe impenjimin në një prej ekipeve kombëtare. Tanimë zyrtarizimi sipas të përdtishmes “AS” do të bëhet vetëm pak orë pas finales së FA Cup, ku “Djajtë e Kuq” do të jenë përballë Crystal Palace.
Pavarësisht rezultatit të ndeshjes finale, koha Louis Van Gaal do të konsiderohet e mbyllur. Negociatat mes zv/presidentit të klubit anglez, Ed Woodward dhe agjentit të portugezit Jorge Mendes, kanë arritur një fund pozitiv, pas muajsh tratativash.  Ish-trajneri i Chelsea do të firmosë kontratën për 3 sezone, me një përfitim prej 15 milionë eurosh në sezon, ose më saktë 45 milionë euro në total. Më parë, Mourinho ka prishur kontratrën me londinezët e Chelsea më 20 dhjetor 2015.

“Euro 2016”, De Biasi shpall listën, mungon Salihi

Mungesa e madhe është Hamdi Salihi, nuk e humbet vendin Migjen Basha, zbulimi është Milot Rashica, konfirmohen Rrahmani e Veseli, ndërkohë që nuk ia del të jetë me Kombëtaren e Parë Rey Manaj. Janë këto të rejat kryesore të Gianni De Biasit në listën paraprake me 27 futbollistët e përzgjedhur për misionin Francë 2016. Trajneri i Kombëtares do t’i ketë në dispozicion të përzgjedhurit e tij në fazën përgatitore për Euro 2016 që do të nisë në Austri në 23 maj, ku ekipi do të qëndrojë deri në datën 31 maj, në ditën e fundit të muajit, lista prej 27 emrash do të reduktohet në 23, me De Biasin që do t’i duhet të lërë jashtë 4 prej futbollistëve për të përpiluar listën përfundimtare prej 23 emrash që do të shkojnë në Francë.
Padyshim mungesa e madhe e listës paraprake është ajo e Hamdi Salihit. 27 golat e shënuar këtë sezon në Superiore ku u shpall kampion dhe kryegolashënues me Skënderbeun, si dhe kontributi shumëvjeçar në Kombëtare nuk i kanë mjaftuar bomberit shkodran në sytë e De Biasit, ndërkohë që afrimi i madh është Milot Rashica, zbulimi i këtoj edicioni në Eredivisien holandeze. Për sa i përket listës nuk ka asnjë ndryshim për sa i përket portierëve me Etrit Berishën, Alban Hoxhën dhe Orges Shehin që do të jenë alternativat mes shtyllave.
Për sa i përket mbrojtjes që zë dhe një vend të konsiderueshëm në listë me 9 lojtarë të përzgjedhur pjesë e saj janë Arlind Ajeti, Naser Aliji, Berat Gjimshiti, Mërgim Mavraj, Amir Rrahmani, Lorik Cana, Elseid Hysaj, Ansi Agolli dhe Frederik Veseli.
Pjesën e Luanit në listë e zë mesfusha me plot 10 futbollistë, të cilët janë Ledian Memushaj, Ergys Kace, Andi Lila, Migjen Basha, Odise Roshi, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Herolind Shala, Taulant Xhaka dhe Amir Abrashi.
Në sulm De Biasi do të ketë me vete në Austri 5 alternativa, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Armando Sadiku, Shkëlzen Gashi dhe Milot Rashica. Janë këta futbollistët që De Biasi do të ketë me vete në Austri ku do të zhvillojë në 29 maj dhe testin miqësor me Katarin, në 31 maj 4 prej tyre do t’iu duhet të shkëputen nga grupi përfundimtar prej 23 emrash që do të marrë pjesë në Europian, ndërsa në 3 qershor, Shqipëria do të zhvillojë dhe testin e fundit përgatitor para Europianit, në Bergamo të Italisë kundër Ukrainës.

De Biasi: Europiani, rast unik

Zgjedhjet janë gjithmonë të vështira. Ti shpjegosh ato edhe më tepër. “Jo jo jo, mos ia jep listën. A të thashë t’ia japësh listën?! Jo!! Sepse pastaj gazetarët shohin vetëm emrat dhe nuk dëgjojnë atë që kam për të thënë”, u shpreh De Biasi. Kjo duket se ishte arsyeja pse në ditën e publikimit të listës së madhe, me emrat e lojtarëve për kampin stërvitor drejt Euro 2016 dhe finalen e evenimentit në Francë, trajneri Gianni De Biasi kërkoi të shmangte prej fillimit diskutimet për emrat konkretë.
“Prezantojmë grumbullimin në Austri. Të dielën niset një pjesë e skuadrës, për të tjerët dita e parë është data 23 maj. Përpara katër vjetësh e gjysmë kur mora drejtimin e skuadrës premtova se do të punonim me pasion dhe shumë sakrificë për të realizuar atë që nuk ishte bërë ndonjëherë. Mos më pyesni përse është ky lojtar apo përse mungon ai tjetri. Ata që janë këtu kanë kontribuuar në mënyrë të rëndësishme për të arritur në Francë 2016. Duhet të bëja zgjedhje, i kam bërë në autonomi të plotë dhe nuk kam pasur asnjë problem dhe kërkoj gjithmonë që të vë skuadrën përpara gjithçkaje”, tha ai.
Edhe pse kërkoi specifikisht që të flitej vetëm për grupin dhe jo për emra konkretë, tekniku kuqezi duhej të shpjegonte zgjedhjet, nisur nga lënia jashtë e Hamdi Salihit. “Janë zgjedhje që një trajner i bën dhe paguan pasojat ose merr frytet. Unë besoj se në këto momente skuadra jonë ka nevojë për lojtarë me karakteristika të tjera”, tha De Biasi.
Trajneri shpjegoi edhe përfshirjen në listën e madhe të mbrojtësit Amir Rrahmani dhe yllit të Vitesse-s, Milot Rashica. “Rrahmani ka qenë në skuadër gjatë gjithë pjesës së dytë të kualifikueseve. Përsa i takon emrave të rinj kam thënë se mund të ketë vend nëse dikush do të binte në sy në kampionatin ku luan. Mendoj se, Rashica ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm, e jo rastësisht në gjurmët e tij janë gjysma e skuadrave të rëndësishme. Por, nuk është e thënë që do vijë, kemi 27 lojtarë. Mund të mos vijë, por edhe mund të vijë”, u shpreh De Biasi.
Pasi konfirmoi se, Taulant Xhaka nuk rrezikon prej dëmtimit të përpara dy javëve dhe se Ledian Memushaj do të shkëputet për disa ditë nga kampi i kombëtares, për të luajtur me Pascarën në play-off, De Biasi shpjegoi si do të realizohet zgjedhja e 23 lojtarëve në Euro 2016.
“Zgjedhjet do të bazohen vetëm te gjendja fizike dhe te dëshira për të marrë pjesë dhe për të qenë skuadër. Me lojtarë që nuk mërzitën nëse nuk luajnë, por janë vetëm të lumtur kur luajnë. Ky është aspekti më i rëndësishëm. Skuadrat që fitojnë nuk kanë probleme të brendshme. Janë të lumtur kur ata që janë në fushë marrin rezultate, zbaviten dhe nuk varin turinjtë. Këto janë ndryshimet thelbësore”, tha trajneri i Kombëtares.
Në fund, trajneri i Shqipërisë kishte edhe një thirrje për lojtarët, duke thënë se vetëm kualifikimi në evenimentin Francë nuk mjafton. “Së pari, për ne është një vitrinë e rëndësishme dhe kemi mundësinë të tregojmë vlerat në një aktivitet ku askush nga ne nuk ka luajtur më parë. Është e kotë të fshihemi: është hera e parë që do të hyjmë në televizor, pasi zakonisht kemi qenë përpara televizorit, duke parë të tjerët. Sot jemi në televizor dhe jemi ne protagonistët. Fakti që jemi në Francë do të thotë që kemi bërë diçka të rëndësishme, por kjo nuk mjafton. Nuk shkojmë në Francë për turizëm”, përfundoi De Biasi.

Largimi i Hummels, humbje për Dortmund

Siç është bërë zyrtare, duke nisur nga sezoni i ardhshëm, Mats Hummels do të transferohet tek skuadra e Bayern Munchen. Në lidhje me këtë transferim ka folur ish-trajneri i verdhezinjve, Ottomar Hitzfeld, i cili është i bindur se largimi i mbrojtësit në drejtim të kampionëve të Gjermanisë është një humbje e madhe për ekipin e Thomas Tuchel. Më tej ai shton se gjetja e një zëvendësuesi do të jetë një mision jo i lehtë për drejtuesit e Borussia Dortmund.
“Largimi i Hummels do të krijojë një boshllëk të madh tek Borussia Dortmund. Besoj se drejtuesit e klubit do ta kenë të vështirë të gjejnë një zëvendësues. Hummels është një lider në rolin e tij, gjithashtu dhe një lider në dhomat e zhveshjes”, u shpreh Hitzfeld.
Për Hitzffeld, largimi i kapitenit me destinacion Bavarinë, është një lajm i hidhur edhe për të gjithë tifozët e Borussias, të cilët kanë qenë shumë të lidhur me mbrojtësin gjatë viteve të fundit. “Dortmundi ka një tifozeri të jashtëzakonshme dhe e di shumë mirë që largimi i Hummels i ka trishtuar shumë ata, aq më tepër kur mendon që do të transferohet tek Bayern Munchen”, tha ai.
Mats Hummels zyrtarizoi transferimin në “Allianz Arena” pak ditë më parë pasi Bayern Munchen pagoi klauzolën e largimit të tij nga Borussia e Dortmundit, duke u bërë lojtari i tretë brenda pak vitesh që braktis “Signal Iduna Park” për rivalët nga Mynihu pas Gotze dhe Lewandowskit.
Ndërkohë, trajneri i kombëtares së Gjermanisë i ka kërkuar Gotze që të gjejë ekip të ri. Sipas mediave gjermane, trajneri i Gjermanisë, Joachim Loew këshillon Mario Gotze të largohet nga Bayern i Munich-ut në merkaton e verës. 23-vjeçari, i cili nuk ka marrë garanci as nga trajneri ri, Ancelotti se mund të luajë titullar, nuk dëshiron të kalojë një tjetër sezon në stol. Tekniku i “Pancerave”, tha se kalimi në një skuadër të re do ta motivonte më shumë mesfushorin. Loew u shpreh se Gotze ka nevojë për një trajner që ta vlerësojë ashtu siç duhet, pasi lojtari ka nevojë të ndihet i rëndësishëm për një ekip.

Kujdes Atletikon!

Sergio Ramos mendon se Real Madridi duhet të luajë si ekip në finalen e Milanos nëse duan ta fitojnë sërish Ligën e Kampionëve. Saktësisht pas dy viteve, kur Real Madridi fitoi La Deciman, kishte përballë pikërisht kundërshtarin që do ta kenë të shtunën e 28 majit në finalen e Milanos, Atletico Madridin.
Reali fitoi La Deciman me shumë vështirësi, duke shënuar golin e barazimit në minutën e 93-të. Teksa shënuan edhe tre të tjerë vetëm pas vazhdimeve. Për këtë, kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, e di se sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje, sipas të cilit mund të fitohet vetëm nëse luajnë si ekip. “Duhet të luajmë si ekip si asnjëherë më parë dhe të mbrohemi mirë”, deklaroi Ramos për faqen zyrtare të UEFA-s.
“Ne e kemi merituar që të jemi këtu, duke parë kundërshtarët e vështirë që kemi pasur në grup e pastaj edhe atë humbjen 2:0 ndaj Wolfsburgut e që duhej një ‘Remontada’ për të kaluar në fazën tjetër. Po ashtu edhe Atletico e ka merituar që të jenë në finale, eliminuan dy klube tejet të forta”, ka shtuar Ramos.
“E njohim shumë mirë njëri-tjetrin, ata janë shumë të fortë fizikisht dhe kanë krijuar një skuadër të fuqishme. Andaj duhet të jemi të kujdesshëm pasi finalet pothuajse gjithmonë janë vendosur nga detajet e vogla”, ka deklaruar Ramos.
Ndërkohë, Real Madridi ka përgënjeshtruar zërat për shitjen e James Rodriguez. Dukej shumë pranë një lamtumire që jepej si e sigurt, por ngjarjet kanë marrë rrjedhë tjetër nga ajo që parashikohej dhe sipas të gjitha gjasave James Rodriguez do të mbetet në Madrid edhe për sezonin e ardhshëm.
Siç bën të ditur në edicionin e printuar të së shtunës e përditshmja madrilene “Marca”, Reali i Madridit ka vendosur që të konfirmojë James pavarësisht sezonit të vështirë që ka përjetuar kolumbiani. Në shtëpinë e Los Blancos nisën të merrnin në konsideratë të ardhmen e kolumbianit rreth 3 muaj më parë, pas disfatës zhgënjyese në derbin me Atleticon e Madridit në “Santiago Bernabeu”.
Pas një reflektimi të gjatë krerët e klubit merengues i kanë komunikuar agjentit të famshëm portuges Jorge Mendez që veç James Rodriguez menaxhon dhe disa nga lojtarët kryesorë të Realit të Madridit si Cristiano Ronaldo apo Pepe, se nuk do të lejojnë largimin e James, ndërkohë që vetë agjenti ishte duke punuar për t’i gjetur një destinacion të ri dhe ishte në tratativa me Juventusin dhe disa klube të Premier League duke u përpjekur të gjente zgjedhjen më të mirë për kolumbianin.