20.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Edvin pse e ndryshove emrin? U ndalua dy herë në Paris për ikonat e vjedhura

Edi apo Edvin? Rama i ka dhënë përgjigje kësaj pyetjeje në formularin e dekriminalizimit. Pyetjes nëse ai ka pasur gjeneralitete të mëparshme, Rama i përgjigjet se ka pasur emrin Edvin deri më 27 nëntor të vitit 2002. Ndryshimi i emrit të Edvinit është bërë vetëm pak muaj pasi Rama ka hyrë në Bashkinë e Tiranës. Ai asnjëherë nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes se përse ka ndryshuar emrin. Madje, ai as nuk ka pranuar që të ketë pasur një emër tjetër.
Kryeministri i Shqipërisë mund të jetë i vetmi në botë që ka ndryshuar gjeneralitetet dhe nuk ka dhënë asnjëherë shpjegim për këtë.
Ndryshimi i emrit është një e drejtë e kujtdo në bazë të ligjeve dhe ajo mund të bëhet në zyrat e gjendjes civile. Mirëpo në Shqipëri ndryshimi i emrave gjatë këtyre 25 viteve nuk ka ndodhur kryesisht për shkak se nuk i kanë pëlqyer emrat që i kanë vendosur prindërit e tyre, por për të fshehur njollat e të shkuarës së tyre.
Rama është kështu i pari në bandën e gjatë të emrave të kësaj mazhorance që kanë tentuar të fshehin emrat dhe mbiemrat e tyre. Për të gjithë deputetët, kryetarët e bashkive dhe të zgjedhurve të tjerë nga bota e krimit në administratë, ndryshimi i emrave ka ndodhur për shkak të implikimit të tyre në krimin e organizuar, në vrasje, trafiqe droge dhe prostitucioni apo vjedhje vilash.
Në rastin e Ramës duhet një sqarim ligjor dhe i verifikuar se përse ai ka vendosur që të ndryshojë emrin nga Edvin në Edi. Në bazë të ligjit të dekriminalizimit, Prokuroria duhet që në bazë të gjurmëve të gishtërinjve të kërkojë nga autoritetet franceze të dhënat e plota për të shkuarën e Ramës, pasi në dosjen e tij ai figuron si trafikant ikonash në Francë. A është ndaluar ndonjëherë Rama në Francë nga policia e këtij vendi për trafikun e ikonave?

Akuzat e Nanos

Gjatë fushatës për katharisis brenda PS, Nano e akuzoi Ramën si një shitës i ikonave të vjedhura në Paris. “E gjeta duke shëtitur me thonj të paprerë në Paris dhe duke shitur ikona të vjedhura”, u shpreh Nano në atë kohë. Kjo deklaratë e Nanos në atë kohë dhe ndryshimi i emrit nga Edvini vetëm katër vite pas mbërritjes në Shqipëri meriton të zbardhet në mënyrë ligjore dhe për këtë Prokuroria dhe institucionet ligjzbatuese nuk kanë përse të tërhiqen.
Deklarata nuk është bërë në atë kohë nga kryetari i PD, por nga ish-kreu i PS dhe Kryeministri i kësaj partie, i cili pasi e mori me thonj të paprerë dhe si shitës të ikonave të vjedhura, e bëri Ramën ministër Kulture. Burime konfidenciale të njerëzve që kanë njohur Ramën në Paris dëshmojnë se, Rama është ndaluar të paktën dy herë nga policia franceze për shitjen e ikonave të vjedhura, ndërsa nuk saktësohet nëse Edvini është penalizuar nga autoritetet franceze, ndaj kërkohet edhe verifikimi i plotë nga Prokuroria. Nëse kemi të bëjmë me një fshehje të këtyre të dhënave, atëherë Rama rrezikon burgun si shumë nga banditët dhe kriminelët e tjerë që kanë mashtruar me formularët e dekriminalizimit.

Akuzat e Gjergji Thimos

Koleksionisti Gjergji Thimo akuzoi nga salla e gjyqit Kryeministrin Edvin dhe deputetin e PS-së, Koço Kokëdhima se ata ishin hakmarrë ndaj tij për shkak se ai kishte refuzuar që t’i jepte pikturën origjinale të Onufrit, të cilën Kryeministri donte t’ia bënte dhuratë këshilltarit të tij, ish-Kryeministrit britanik, Toni Blair.
“Akuzat ndaj meje ishte trillim. Refuzova të jepja një pikturë origjinale të Onufrit. Piktura që kushtonte 1 milion euro ma kërkoi deputeti Koço Kokëdhima, Artan Lame dhe Kryeministri Edi Rama. Pikturën donin t’ja jepnin dhuratë ish-Kryeministrit të Britanisë, Toni Blair. Pas refuzimit tim për t’u dhënë pikturën që e kisha trashëgimi personale, u ngritën akuzat ndaj meje. Kërkoj drejtësi sepse nuk jam trafikant. 2300 objekte mungojnë nga muzeu personal”, ishte dëshmia e Gjergji Thimos.
Gjergji Thimo, i njohur si koleksionist i veprave të artit, u arrestua në tetorin e vitit 2013, i akuzuar për trafik të veprave të artit.
Thimo tha se Koço Kokëdhima e kishte kërcënuar dhe i kishte thënë se do t’ia merrte koleksionin e çmuar me çdo lloj mënyre.
Pasioni i Ramës për ikonat e vjedhura është e vjetër, të paktën që në vitin 1998.
Kur bëhet fjalë për tregtim të ikonave të vjedhura sikurse dëshmonte Nano për Ramën, atëherë kemi të bëjmë me një trafik të pastër të këtyre veprave të artit. Si një trafikant i vjetër i këtyre ikonave të vjedhura, Rama e ka ditur shumë mirë vlerën e këtij thesari që dispononte koleksionisti Thimo. Vetë ky i fundit ka kërkuar disa herë, që ta takojë gjatë kohës që ishte ministër Kulture për t’i kërkuar hapjen e një muzeu, ku të strehonte këto ikona të lashta dhe Rama sikurse dëshmon edhe bashkëshortja e tij, pavarësisht se na njihte nuk na ndihmoi asnjëherë.

Ekspozita në Gjermani me ikonat që nuk e kthyen më

Ish-Kryeministri Berisha ka dhënë detaje të reja në lidhje me aferën e ikonave të Ramës përgjatë kohës që ai ka qenë ministër Kulture në vitin 1998. “Pasi u bë ministër Kulture, Edi Rama hapi në Gjermani një ekspozitë të madhe me ikonat më të çmuara të fondit shtetëror, disa prej tyre të dekoruara me gurë të çmuar dhe me vlerë të pallogaritshme. Pas mbylljes së ekspozitës asnjë prej ikonave nuk u kthye kurrë më në Shqipëri. Dihet se ato udhëtuan për në Francë dhe u zhdukën pa lënë gjurmë”, ka qenë deklarata e Berishës.
Rama rrëmbeu dhe transportoi në drejtim të paditur mbi 1200 ikona, shumë prej tyre mesjetare me vlerë mbi 1.3 milionë euro të ruajtura në Galerinë e Arteve dhe të konfiskuara nga Rama koleksionistit Gjergji Thimo. Edi Rama është akuzuar si vjedhës ikonash të grumbulluara nga bllokmenët gjatë gjenocidit kulturor të diktatorit Hoxha. I ati i Edi Ramës ka qenë një ndër arkitektët kryesorë të gjenocidit kulturor të diktatorit Enver Hoxha ndaj kombit shqiptar.

Arben SHAHINI

Rekordi i Kryebashkiakut të Kurbinit me 4 emra për krimet

Artur Bardhi, kryetar i Bashkisë së Kurbinit, ka pranuar në Formularin e Dekriminalizimit se, para se të njihej me gjeneralitetet që mban sot, ka mbajtur respektivisht katër emra dhe mbiemra të ndryshëm; Gentian Lila, Altin Tanushi, Gent Bushi, në Bashki e njohin dhe firmos si Artur Bardhi, ndërsa në çertifikatë është Artur Ndoi, i biri i Ndues dhe Gjelës.
Në formularin e vetëdeklarimit në KQZ për efekt të ligjit të dekriminalizimit, kryebashkiaku i Kurbinit, Bardhi e ka pranuar vetë se ka përdorur katër emra të ndryshëm. Këto 4 emra, ai i ka vendosur në seksionin “emra të padokumentuara”, por nuk sqaron përse i janë dashur 4 emra.
Bardhi nuk jep asnjë sqarim se përse e ka ndryshuar katër herë emrin dhe ky fakt lë të dyshosh se ndryshimi katër herë i emrit ka të bëjë me të kaluarën e tij të errët dhe me problemet me ligjin. Kjo pritet të zbardhet nga Prokuroria.
Në Formular, Bardhi shkruan se ka qenë në Itali në Milano nga viti 2000 deri në vitin 2003 në emigracion. Bardhi thotë se nuk ka qenë i dënuar asnjë herë me emrin Artur Bardhi, por nuk thotë asnjë fjalë nëse ka qenë i dënuar me tre emrat e tjerë.
Emri që është i njohur si kryetar i Bashkisë së Kurbinit është ai i Artur Bardhi, ndërsa tre emrat e tjerë siç thuhet dhe në formularin e tij, janë gjeneralitete të përdorura dhe me këto tre emrat ai është akuzuar në media se ka qenë i arrestuar në Itali për trafik droge.
Artur Bardhi është një nga emrat bandës së të inkriminuarve të Ramës, të cilët drejtojnë bashkitë. Mediat kanë shkruajtur se Bardhi ka precedentë penalë të arrestimit në Itali për trafikun e drogës dhe konsiderohet si pjesë e krimit të organizuar në rajon. Ai është mbështetur personalisht nga Rama dhe elementë të tjerë të inkriminuar të zonës, të cilët edhe pse nuk ka pasur garë kanë manipuluar të gjithë procesin farsë të Kurbinit.
Artur Bardhi u zgjodh kryetar i Bashkisë së Kurbinit në zgjedhjet e qershorit të vitit 2015 pa garuar, pasi kandidati i opozitës u tërhoq nga gara, ndërsa KQZ i mohoi të drejtën opozitës që të garonte me një kandidat të sajin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ligjëroi Bardhin kryetar Bashkie në kundërshtim me ligjin. Opozita nuk i njohu zgjedhjet në Bashkinë e Kurbinit. Në këto zgjedhje PD iu mohua të garonte me një kandidat pas dorëheqjes së parevokueshme që bëri kandidati Altin Biba. Që nga shkarkimi i kryetarit të KZAZ-së Nr.15 nis kalvari i gjatë i paligjshmërisë, duke emëruar anëtarë të presupozuar të Shoqërisë Civile, por që në të vërtetë janë militantë të PS e më pas, duke shkarkuar të gjithë anëtarët e PD në mes të natës, duke shkelur hapur ligjin.
Paligjshmëria për këtë bashki nisi që në momentin kur KQZ shkarkoi 8 anëtarë të një KZAZ në Kurbin. Kjo ishte një shkelje e hapur e ligjit, pasi duke cituar nenin 8, pika 29 ku theksohet se anëtari zëvendësohet vetëm në rast se vendi mbetet vakant ose në ditën e zgjedhjeve nuk paraqitet për tre orë. Kaso në fjalën e tij nënvizoi faktin se në Kurbin mund të flasim për çfarëdo gjëje, por jo për zgjedhje të drejta.

R.POLISI

Ministri Klosi, i gjykuar për tërheqje të të miturve nën moshën 14 vjeç

Ministri për Mirëqenien Sociale, Blendi Klosi, i cili nën përgjegjësi ka edhe kategorinë e fëmijëve, në vetëdeklarimin që ka kryer në formularin e dekriminalizimit pranon se në vitin 1994 është ndaluar nga policia, ndërsa çështja ka shkuar në gjykatë. Sipas formularit të plotësuar nga vetë Klosi, rezulton se pasi është ndaluar, ka qenë Gjykata e Tiranës, e cila ka pushuar çështjen. Vendimi i Gjykatës së Tiranës mban numrin 819 dhe është i formës së prerë. Po sipas mediave, vendimi në fjalë ka të bëjë me akuzën e shfrytëzimit të të miturve ose cituar si shtytje ose tërheqje e të miturve nën moshën 14 vjeç. Këto të dhëna bëhen komprometuese në një kohë kur opinioni publik është shokuar nga skandali që po ndodh me të miturit në jetimoren e Shkodrës, Sarandës dhe jo vetëm ku jetimët, përdhunohen e keqtrajtohen e ku të implikuar direkt janë drejtuesit e këtyre institucioneve. Sot, Blendi Klosi, i akuzuar vite më parë për shfrytëzim të të miturve edhe pse i padënuar është ministri përgjegjës që duhet të garantojë mbrojtjen e të drejtat e këtyre fëmijëve. Por krahas kësaj, Bledi Klosi është akuzuar disa herë nga opozita për lidhje të forta me trafikun e drogës.

ipokrizia e Klosit me Jetimoren e Shkodrës

Anjezë Gjeluci, drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, u shkarkua vjet nga ky post me urdhër të Blendi Klosit pas publikimit të videoskandalit me fëmijët e këtij institucioni, ku tri kujdestare ishin filmuar duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve jetimë. Por shkarkimi i Gjelucit nga Klosi është bërë sa për show mediatik, pasi bëhet e ditur se Gjeluci tashmë është emëruar në një post drejtues në Bashkinë Tiranë.  “Pas rastit të abuzimit me fëmijët në atë qendër, doli ministri Klosi dhe deklaroi se drejtoresha dhe dy kujdestare janë pushuar nga puna. Po a e dini ku është sot drejtoresha këngëtare? Pasi e bënë anëtare të Asamblesë së PS, tani është emëruar nëndrejtoreshë e Drejtorisë së Konvikteve në Bashkinë Tiranë. Ajo tani është edhe promovuar e do të punojë përsëri me fëmijë të një moshe shumë delikate, me adoleshentë. E keni kthyer Bashkinë Tiranë si punishte riciklimi abuzuesish. I hiqni gjoja nga pushteti vendor dhe i emëroni në Bashkinë e Tiranës. Pra, cilët janë zanatet që kryesojnë në listën e Rilindjes ku ka vende për t’u punësuar? Fillon me zanatin: Kriminel?, pastaj abuzues me fëmijë, abuzues me gra; abuzues me postin e punës, trafikant droge, trafikant njerëzish e kështu lista vazhdon më tej me disa nga zanatet që merren nga arsimi profesional për të cilin keni dhënë shumë mbështetje e fonde”, ka denoncuar deputetja demokrate Albana Vokshi.

Arben Shahini

Thellohet skandali i përgjimeve, Tahiri dhe Çako drejt largimit

Partia Demokratike ka hedhur akuza të reja ndaj qeverisë në lidhje me pajisjen përgjuese që është në Shqipëri. Në një deklaratë për median, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani u shpreh se, “letra nga Italia rrëzon mashtrimet dhe alibitë e Tahirit”. “Debati për përgjimin e paligjshëm jo vetëm nuk është mbyllur, por përkundrazi skandali është thelluar akoma më shumë. Letra e ish-drejtuesit të policisë italiane konfirmon, pohon drejtpërdrejt, se pajisja ka hyrë në Shqipëri ilegalisht. Sepse një pajisje e tillë, gjurmimi e përgjimi, është ilegale kur futet pa u regjistruar në doganë dhe është ilegale kur përdoret pa u vënë në dijeni dhe pa dhënë miratimin e tij prokurori i Përgjithshëm”, tha Ristani. Ai theksoi se fakti se pajisja është futur në mënyrë të paligjshme tregon se ajo do të përdorej, siç është përdorur nga Saimir Tahiri në mënyrë të paligjshme. “Tahiri ka zgjedhur të tradhtojë të gjithë vartësit e tij që janë përlyer në këtë krim, duke thënë se nuk është përgjegjësi e tij. Pyesni policinë, thotë Tahiri. Pyesni doganat, thotë Tahiri. Kërkon të lajë duart ministri i Brendshëm, kur gjithkush e di se pajisja ka hyrë, është përdorur, me porosinë e tij dhe me dijeninë e Edi Ramës”, theksoi Ristani.  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako mashtroi publikisht në Komisionin e Sigurisë duke mohuar ekzistencën e pajisjes së përgjimit dhe përdorimin e saj nga ana e Policisë së Shtetit. Çako ishte pak ditë më parë në Komisionin e Sigurisë për t’iu përgjigjur deputetëve lidhur me pajisjen e përgjimit. Ai tha që në nisje se nuk ka dijeni për përgjimet dhe se ka vënë në dispozicion të hetimit për këtë pajisje gjithë burimet e nevojshme policore. Por ndryshe nga Çako, ishte vet Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili pranoi ekzistencën e pajisjes së përgjimit dhe përdorimin e kësaj pajisjeje, sipas për qëllime trajnimi. E gjithashtu, deklarata e tij doli bllof edhe më shumë nga letra që dërgoi ish shefi i policisë së italisë, i cili pranonte ekzistencën e pajisjes. Duke iu referuar pikërisht këtij rasti, Ristani tha: “Shihni kushtet e flagrancës ku janë kapur Tahiri e shefi i tij i policisë. Të dy thanë në fillim se një pajisje e tillë nuk ekziston. Më vonë Tahiri e pranoi se pajisja ekziston. Më pas drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako deklaroi në Komisionin e Sigurisë se pajisja nuk ekziston. Ndërkohë, ish-drejtori i policisë italiane e hedh poshtë deklaratën e Çakos dhe thotë se pajisja ekziston, ka hyrë në Shqipëri dhe është përdorur. Këto qëndrime kontradiktore, të mbushura me alibi e mashtrime, janë provë e krimit që kanë kryer Tahiri me vartësit e tij”, vijoi më tej Ristani. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Ristani i bëri thirrje organit të akuzës të zbardhë sa më shpejt çështjen. “Prokuroria duhet të zbardhë sa më shpejt këtë çështje, kemi të bëjmë me sigurinë kombëtare, me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, me interesin më të lartë publik. Por ky hetim që e pret mbarë vendi, pengohet çdo ditë nga qenia në detyrë e Tahirit dhe e Çakos dhe e rrjetit të tyre drejtues. Ata duhet të largohen menjëherë nga detyra, që të kemi shpejt një drejtësi të plotë e objektive”, tha Arben Ristani gjatë deklaratës së tij.

Bumçi: Shqipëria, në udhëkryq

Në takimin e Komitetit parlamentar të Stabilizim-Asociimit së bashku me eurodeputetët u konstatua që Shqipëria është në një udhëkryq të rrezikshëm për shkak të korrupsionit galopant, krimit të organizuar dhe mungesës së shtetit të së drejtës dhe zbatimit të ligjit. Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi deklaroi dje se  dekriminalizimi, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar janë pikat kyçe që pengojnë vendit drejt anëtarësimit europian. “Dalja nga ky udhëkryq dhe përparimi në procesin e integrimit europian ka vetëm një rrugë dhe ajo është: Zbatimin pa asnjë vonesë të Ligjit për Dekriminalizimin dhe nxjerrjen nga politika dhe funksionet publike të personave me të shkuar kriminale. Garantimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Miratimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi që nuk mbron korrupsionin dhe krimin e organizuar, por lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar. Eurodeputetët ringritën shqetësimin për azilkërkuesit nga Shqipëria, duke theksuar dhe kërkuar që qeveria të zgjidhë arsyet e brendshme që shtyjnë shqiptarët të kërkojnë azil në vendet europiane. Shqiptarët e dinë se keqqeverisja, varfëria, papunësia, dhunimi i të drejtave të qytetarëve, vrasja e shpresës janë arsyet e këtij eksodi masiv” është shprehur Bumçi.

Pas kërkesës së PD, KQZ publikon formularët e dekriminalizimit

Sekretari për Zgjedhjet në PD, Ivi Kaso u bëri thirrje dje qytetarëve që kanë të dhëna t’i dërgojnë në portalin e Partisë Demokratike. “KQZ në një nga vendimmarrjet e sotme trajtoi kërkesën e PD për vënien në dispozicion të listës së të gjithë atyre zyrtarëve të lartë që kanë detyrim deklarimin dhe që kishin deklaruar në kohë dhe po ashtu të zyrtarëve të lartë, të cilët brenda afatit të përcaktuar në ligj dhe në aktin nënligjor, nuk kishin deklaruar në kohë formularin e dekriminalizimit. Kërkesa jonë kishte të bënte dhe me vënien në dispozicion, sipas detyrimit ligjor, që ligji dhe vendimi i Kuvendit përcakton të gjitha organet, të informacioneve, publikut, qytetarëve, kujtdo subjekti të interesuar dhe njëkohësisht detyrimin për publikim në faqe zyrtare të të gjithë vetëdeklarimeve, pra jo vetëm listën, por edhe të dhënat, të cilat përmbajnë vetëdeklarimet e të gjithë subjekteve që preken nga ky ligj dhe dokumentacionin që administron KQZ.
Siç jeni në dijeni, PD si iniciatore për ligjin e dekriminalizimit, i ka kërkuar KQZ-së, po ashtu për interesin e qytetarëve, gjithë informacionin, i cili po sipas ligjit, duhet ishte bërë tashmë publik nga KQZ.
Ne përshëndesim vendimmarrjen e sotme të KQZ, e cila në këndvështrimin tonë shënon një fitore tjetër të PD dhe qytetarëve në betejën për dekriminalizimin, por gjithashtu shprehim keqardhjen që kjo në këndvështrimin tonë është një vendimmarrje e vonuar. Dje, duhej të ishin bërë publike në faqen e KQZ gjithë këto të dhëna që ne kërkuam, çka demonstron në këndvështrimin tonë përpjekjet e mazhorancës qeverisëse për ta vonuar sa të jetë e mundur hyrjen në fuqi dhe bërjen efektive në mënyrë të plotë të ligjit për dekriminalizimin.
Ne i bëjmë thirrje qytetarëve që të verifikojnë të zgjedhurit e tyre, ata që i përfaqësojnë. Gjithashtu të përcjellin dhe të denoncojnë çfarëdolloj informacioni që kanë ata për zyrtarë të lartë qofshin këta të zgjedhurit, qofshin zyrtarë të lartë të administratës lidhur me implikimet e tyre në krime dhe të gjitha këto t’i bëjnë publike dhe t’i denoncojnë në portalin e posaçëm që është i disponueshëm në faqen e PD për këtë qëllim”.
Partia Demokratike i kërkoi dy ditë më parë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të zbatojë ligjin, dhe jo paktin me krimin dhe të publikojë të dhënat e të mos fshehë krimet e të inkriminuarit.
“Dekriminalizimi është një arritje e madhe e vendit dhe e qytetarëve, e vlerësuar nga ndërkombëtarët dhe nga Shtetet e Bashkuara si reformë model, dhe nuk mundet dhe nuk ka për t’u ndalur dot nga Edi Rama dhe lefteritë e tij.
Çdo pengesë, çdo ndalim që i bëhet dekriminalizimit, është një vepër e rëndë penale, dhe ne i sigurojmë ata që e kryejnë këtë vepër penale se do të përgjigjen deri në një para ligjit” u desh kjo deklaratë, që KQZ të publikonte dje formularët e vetdeklarimit.

Prokuroria: Letra nga Italia për pajisjen e përgjimit e pavlerë, nuk ka firmë dhe vulë

Prokuroria e Tiranës e cilëson të pavlefshme përgjigjen që ka ardhur nga Italia pas hetimeve të nisur në bazë të indicieve se një pajisje e paligjshme po përdoret për të përgjuar krerë të institucioneve kryesore në kryeqytet. Burime të “Ora News” nga Prokuroria e Tiranës deklarojnë se “letra e ish-drejtorit të policisë italiane, Alesandro Panza, në formën e mbërritur në Prokurorinë Shqiptare, nuk mund të konsiderohet si material proçedurial”. “Shkresa e Panzas nuk ka firmë, vulë dhe datë. Nuk ka të përcaktuar se me çfarë cilësie e ka shkruar letrën e përcjellë nga ambasadori i Italisë në Shqipëri”, bëjnë të ditur burime të “Ora News”, ndërsa shtojnë se Prokuroria Tiranë ka kërkuar informacion nga Interforza.  “Nëse Panza ka dërguar shkresë në cilësinë e eprorit më të lartë të Interforza, atëherë në letrën e tij nuk gjenden përgjigjet mbi informacionin e kërkuar nga Prokuroria Tiranë”. Sakaq bëhet e ditur se ky institucion është në pritje të informacionit të kërkuar nga Interforza. Reagimi vjen dy ditë, pasi Alesandro Panza, në cilësinë e drejtorit të policisë italiane i dërgoi një letër Prokurorit të Përgjithshëm  ku theksohet se pala italiane ka dërguar një pajisje që nuk është përdorur për asnjë lloj përgjimi dhe se ka qenë gjithmonë në zotërim të palës italiane vetëm për qëllime trajnimi.
Pas një letre të mbërritur në Tiranë një ditë më parë me autor Alesandro Panza drejtorin e larguar, disa ditë më parë nga kreu i Policisë Italiane, kanë lindur dyshime të reja. Siç shkruan Corriere della Sera Franco Gabrielli, ish-prefekti i Romës dhe Akuilas, ka marrë zyrtarisht detyrën  mëngjesin e sotëm. E po pikërisht dy ditë më parë në Tiranë mësohet se ka mbërritur edhe letra e nënshkruar nga Panza, i cili sipas të njëjtës gazetë italiane ishte larguar nga detyra që në datën 29 prill, ditë para se të plaste skandali i përgjimeve në Tiranë. “Franco Gabrielli është bërë kreu i Policisë Italiane. Prefekti dhe polici, që më parë ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të Sisde, pastaj prefekt i Akuilas dhe shef i Departamentit të Mbrojtjes Civile dhe që nga prilli i 2015 zbuloi “Mafia Capitale”, që 29 prillit ishte emëruar si kreu i Policisë”, shkruan Corriere Della Sera.
Ish drejtori i Policisë Italiane, Alesandro Panza i çon Adriatik Llallës përmes Ambasadës italiane, konfirmon se pajisja nuk është përdorur për asnjë lloj përgjimi dhe se ka qenë gjithmonë në zotërim të palës italiane vetëm për qëllime trajnimi. Sipas ish numrit një të Policisë italiane, me vënien në zbatim të kësaj marrëveshje, në 11 mars të 2016 janë nisur në Tiranë dy operatorë të specializuar nga forcat e policisë italiane me detyrën për të zhvilluar aktivitete ne për trajnimin e policisë lokale. “Në këtë pikë, personeli italian merr me vete, për aktivitet stërvitore të cituara, një autoveturë me në ekuipazh një aparaturë të quajtur ‘IMSICATCHER’, modeli Vortex i prodhuar nga kompania Ercom, e instaluar në brendësi të makinës”.
Nga ana tjetër, Prokuroria shqiptare vijon hetimet për këtë pajisje përgjimi dhe ka marrë në pyetje disa titullarë të institucioneve ligjzbatuese në vend.

Interforza përgënjeshtroi policinë shqiptare

Interforca pranon se ka një aparaturë përgjimi, por që shërben për identifikimin e numrave serial së kartave SIM dhe kodin IMEI të aparatit celular ose numrin identifikues të tij. Në fakt, ajo që Interforca ka pranuar dje është një shkelje e hapur e ligjit shqiptar,  pasi Parlamenti e rrëzoi projektin e qeverisë për përgjimin përmes IME-it. Kjo bën direkt përgjegjës shkelësit e ligjit. Kur Tahiri u pyet mbrëmë në lidhje me këtë fakt, ministri nuk dha përgjigje. Ai heshti duke pranuar shkeljen e ligjit. Ajo çfarë dihet publikisht, ministri Tahiri dhe  titullarët e ministrisë janë shprehur se ajo ka qëndruar në ambjentet e Shkollës së Policisë. Atëherë pyetja që shtrohet është kush dhe pse po gënjen shqiptarët? Mësohet se të dhënat e Interforca-s janë dërguar pas interesimit të Prokurorisë shqiptare nëpërmjet ambasadës italiane. Në dokumente pranohet ekzistenca e kësaj pajisje. Interforca në letrën e kthimit të përgjigjes, thotë se kjo pajijse ndodhet në zyrat e tyre dhe përdoret vetëm për trajnimin e agjentëve të policisë.  Në shkresën që mban firmën e kreut të Interforcës italiane, Michele Grillo, thuhet se kjo pajisje shërben vetëm për identifikimin e numrave serik të kartës SIM dhe numrin identifikues të aparatit celular që njihet ndryshe si IME-i i telefonit. Kjo pajisje, thotë Grillo në shkresën dërguar prokurorisë, është përdorur në kuadër të bashkëpunimit dhe ndihmës që interforca italiane i jep policisë shqiptare dhe asnjëherë nuk është përdorur për ndonjë operacion policor. Edhe gjatë trajnimeve, thuhet në shkresë, përdorimi i saj asistohet vetëm me ekspert të policisë italiane, pasi pajisja është mjaft delikate. Pohimet e bëra sa më sipër nga autoritetet italiane nxjerrin mashtrimin e palës shqiptare, sipas të cilave nuk ka pasur pajisje përgjimi.

Dogana thotë se nuk ka zhdoganuar pajisje përgjimi

Drejtoria e Doganave duket se nuk ka asnjë dijeni për hyrjen e pajisjes së përgjimeve në Shqipëri. Në përgjigje të kërkesës zyrtare të Prokurorisë, mësohet se Drejtoria e Doganave ka kthyer përgjigje zyrtare, ku shprehet se nuk është identifikuar apo zhdoganuar një pajisje e tillë në pikat e kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë. Përgjigja ka ardhur pas kërkesës që Prokuroria ka bërë në lidhje me praktikën e hyrjes së pajisjes së sjellë nga Italia në Shqipëri, shkruan “Panorama”. Gjatë tri ditëve të fundit, Prokuroria ka marrë në pyetje disa agjentë të Forcave Lëvizëse Operacionale të Policisë së Shtetit. Ata kanë marrë pjesë në seancat e trajnimit me pajisjen nga instruktorët italianë. Mësohet se gjatë deklarimeve në Prokurori, efektivët e Policisë kanë deklaruar se gjatë trajnimit ekspertët italianë nuk lejonin që pajisja të përdoret pa prezencën e tyre. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në datën 13 maj për akuzën “shpërdorim detyre”, në lidhje me përdorimin e dyshuar të pajisjes së përgjimeve dhe futjen e saj në Shqipëri pa njoftuar autoritetet ligjore të vendit tonë. Ligji e kërkon që hyrja e një pajisjeje të tillë të bëhet me njoftim dhe me autorizim të Prokurorit të Përgjithshëm.

Ministria e Mbrojtjes nuk dha leje për përgjimet

Sipas informacioneve që Instituti i Studimeve të Inteligjencës dhe Sigurisë posedon Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë një leje për pajisjen e “përgjimit”. Sipas ligjeve në fuqi, nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes ka një agjenci, e cila është përgjegjëse për çdo lloj dhënie leje apo licence për “Materialet apo pajisjet me përdorim të dyfishtë”. Kjo është Agjencia e Kontrollit shqiptar të Eksporteve, (AKSHE).
E vetmja mënyrë që këto pajisje të hyjë në territorin e Shqipërisë është vetëm atëherë kur këto pajisje janë të vendosura në një marrëveshje midis dy vendeve apo ndonjë organizate ndërkombëtare dhe shtetit shqiptar.
Pra, nëse në marrëveshjen që ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe zoti Nishani ka nënshkruar me palën italiane në lidhje me trajnimin, bashkëlidhur kësaj marrëveshje do të duhet të ishte edhe kjo pajisje dhe të tjera, të cilat nevojiten për trajnim.
Gjithsesi debati politik në Shqipëri është akoma i ndezur dhe pritet të shohim në ditët në vazhdim se si do të rrjedhin ngjarjet.