28.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Dy protesta para Kryeministrisë: Naftëtarët duan pagat, ekspertët kundër HEC mbi Vjosë

Godina e Kryeministrisë ishte epiqendra e dy protestave. Naftëtarët e Ballshit për të dytën ditë radhazi kërkojnë nga qeveria të marrin pagat e 10 muajve. Protesta tjetër ishte ajo e ekspertëve të mjedisit, shoqërisë civile dhe turistëve të huaj kundër ndërtimit të hidrocentralit mbi Vjosë në Poçëm të Mallakastrës. Protestuesit thonë se ky projekt rrezikon të përmbytë shtëpitë e banorëve të zonës dhe shkatërron biodiversitetin. Pjesë e kësaj proteste ishte dhe një shtetase amerikane e cila dha këtë apel për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Qindra punëtorë të rafinerisë së naftës në Ballsh protestuan të enjten përballë godinës së Parlamentit, nga ku marshuan drejt ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe godinës së kryeministrisë, duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për zgjidhjen e problemeve të ARMO-s.
Ata e përshkruan bulevardin kryesor të kryeqytetit me thirrjet “duam punë, duam bukë”, “jo korrupsionit” dhe “duam jetë me dinjitet”. Të papaguar prej 10 muajsh, pasi ish-gjiganti i privatizuar i naftës pezulloi prodhimin prej borxheve të akumuluara ndaj bankave, punëtorët kanë protestuar vazhdimisht në kërkim të një zgjidhjeje.
Naftëtarët kërkuan marrjen e rrogave të papaguara dhe ndërhyrjen e shtetit për rifutjen në punë të rafinerisë.
“Kërkojmë nga kryeministri Rama të mbajë premtimin e dhënë për ndërhyrjen në zgjidhjen e krizës që ka varfëruar naftëtarët e Ballshit,” tha Kastriot Avdiu, punonjës i rafinerisë.
“Ne duam të punojmë ashtu sikurse kemi bërë prej vitesh, duam ta fitojmë jetesën tonë me djersë dhe për këtë duhet të ndërhyjë shteti në mënyrë urgjente” shtoi ai.
Uzina e naftës është burimi kryesor i punësimit në zonën e Ballshit, ndaj mungesa e pagesave të 1200 punëtorëve ka paralizuar ekonominë e qytezës, duke i çuar naftëtarët drejt skajit të varfërisë, mbulimit në borxhe dhe ndërprerjessë financimit të shkollimit të fëmijëve të tyre.
Pjesë e protestës ishin edhe 29 punëtorë të Filialit të Import-Eksport Tregtimit të Karburantit (FIETEK) të kompanisë ARMO në Vlorë. Të gjithë me mbi 25 vite pune në industrinë e përpunimit të naftës, ata i thanë BIRN se jetesa e tyre është bërë e pamundur dhe se qeveria duhet të marrë masat për të rikthyer në punë naftëtarët.
“Kërkojmë të marrim  rrogate papaguara, sepse jemi mbytur sa më s’ka në borxhe. Qeveria duhet të marrë në dorë ARMO-n që të rifuqizojë të gjithë filialet si atë të Ballshit, Vlorës dhe Librazhdit,” tha një punëtor 58-vjeçar për BIRN, i cili kërkoi të mbetej anonim.
“Ne kemi informacion që vetëm 250 punonjës të Fierit vazhdojnë të marrin rrogat dhe të nxjerrin naftë për përfitim të kompanisë, ndërsa ne të tjerëve na kanë hedhur në rrugë,” shtoi ai.
Në Ditën e Punëtorëve më 1 maj, qindra naftëtarë të Ballshit shprehën zemërimin e tyre me gjendjen e kompanisë dhe akuzuan qeverinë se po merr shumë kohë për të ndërhyrë në  zgjidhjen e gjendjes së vështirë ku ndodhen punëtorët.
“Ne duam vetëm ta nxjerrim bukën e gojës me dinjitet dhe të punojmë për të mbajtur familjet tona. Derisa kjo të bëhet realitet, nuk do të largohemi nga sheshi përballë kryeministrisë,” paralajmëruan naftëtarët.

Si po kërkon Gjiknuri të ristrukturojë ARMO-n dhe për llogari të kujt?

Ministri i Industrisë, Damian Gjiknuri, i është përgjigjur interesit të mediave rreth punonjësve të papaguar të ARMO-s.
“Nuk është protesta e parë dhe realisht problemi është më i thellë. Problemi fillon që tek privatizimi, një privatizim i dështuar. E kemi thënë edhe më parë, se u shit një aset strategjik në duar të gabuara, u falimentua dhe u mbyt me qindra milionë euro borxhe. Tashmë është një kompani private, e cila ka falimentuar. Një shitës spekulant ja rishiti disa të tjerëve. Investitorët e rinj nga Azerbaxhani dështuan, pasi patën edhe problemet e tyre në Azerbaxhan.
Publiku duhet ta dijë se, po flasim për një aset që është ndërmarrje private dhe është si çdo ndërmarrje tjetër private, e cila falimenton. Patjetër, interesi është i madh për shtetin, pasi është një aset strategjik, rafinimi është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Prandaj dhe ne kemi ndërmarrë çfarë kemi patur mundësi, qoftë edhe një vit më parë, për të garantuar furnizimin me naftë bruto. Qoftë për të parë mundësinë, bashkë me bankat, pasi jemi duke diskutuar edhe me bankat, për të gjetur një formë ristrukturimi, por që i takon sektorit privat, pasi janë bankat private që kanë hyrë në borxhet e kësaj kompanie. Janë Tatimet dhe Albpetroli që janë borxhlinj më të mëdhenj, por të shikohet çfarë mund të ristrukturohet. Është e kotë t’i kërkosh qeverisë një gjë që e kishte qeveria e mëparshme, e shiti ‘badiava’, e shiti në duar të gabuara dhe faturën ia la kësaj qeverie”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri tha se, rishtetëzimi është i pamundur, sepse aty janë të përfshira shumë banka. I bie të futesh në një cikël krize se të gjithë sistemit bankar. “Ajo çfarë po bëjmë ne si qeveri është se po shikojmë mundësitë që përmes bankave të bëhet një ristrukturim i kësaj ndërmarrjeje. Kuptohet, edhe shteti të shohë çfarë mund të heqë dorë ndonjë gjë, por realisht është një proces jashtëzakonisht i vështirë. Disa bëjnë paralelizëm me rastin e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, por nuk është njësoj. Në rastin e kompanisë së energjisë ishte një aset unik që është energjia e vendit dhe është e pamundur që të shkojë në falimentim. Në rastin që flasim, kemi të bëjmë me një ndërmarrje private, e cila falimentoi dhe kjo është situata”.

Serbia bllokon kodin telefonik të Kosovës

Kosova nuk arriti të startojë me kodin e ri telefonik as në mars të këtij viti, ashtu siç ishte premtuar pas negociatave të gjata rreth kësaj çështjeje në Bruksel. Marrëveshja ishte që një palë e tretë, në këtë rast Austria, të aplikonte tek Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës. Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Serbia ka bllokuar marrëveshjen për kodin telefonik të Kosovës.
“Në përgjithësi në krejt këtë proces të dialogut në Bruksel ku janë arritur shumë marrëveshje, pjesa që nuk është zbatuar apo zbatohet pjesërisht është me fajin e Serbisë e cila nuk i ka përmbushur obligimet zbatuese të dialogut”. “Sa i takon Kosovës si palë në këto bisedime, të gjitha obligimet tona i kemi kryer më kohë dhe cilësi. Sa i përket kodit telefonik, veprimi konkret në praktikë është bllokuar për shkak se Serbia nuk i ka kryer disa obligime”, ka theksuar Tahiri.
Ministrja Tahiri, ka ritheksuar se Austria tashmë ka aplikuar në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për telekomunikacion. Sipas saj, kodi telefonik i Kosovës do të jetë 383 dhe se ai i mundëson Kosovës njohje dhe sovranitet ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit. Përveç kodit telefonik, Tahiri ka fajësuar autoritetet serbe për moszbatimin e marrëveshjeve tjera, përfshirë edhe atë për energjinë.
Ndërkohë, Milovan Dreçun, kryetar i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se për çështjen e kodit të telefonisë autoritetet në Prishtinë nuk po i përmbahen marrëveshjes së Brukselit. “Sa i përket kodit telefonik, marrëveshja nuk është që Prishtina si e pavarur të kërkoj kodin, i cili u ndahet shteteve”, ka thënë ai.  Aktualisht në Kosovë ekzistojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë, e për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.
Drejtori teknik i Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se mungesa e kodit telefonik, Kosovës po vazhdon t’i shkaktojë kosto të lartë. “Çdo muaj që kalon ne kemi një kosto të lartë operative për shkak të mungesës së kodit shtetëror dhe ajo kosto sillet prej 3.5 milionë euro kosto direkte që paguan kodin e Monakos dhe janë kostot variabile që ndryshojnë varësisht nga volumi i trafikut që marrim brenda një viti nga thirrjet ndërkombëtare e që kalojnë përmes Monakos dhe ajo kosto është 6 deri në 8 milionë euro në vit”, sqaron Latifaj. Derisa, sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik kanë arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.
Në anën tjetër, zyrtarët e Telekomit të Kosovës kanë treguar për Radion Evropa e Lirë se kishin filluar përgatitjet për kalimin në kodin telefonik shtetëror qysh nga marsi i këtij viti, kur edhe ishte premtuar se Kosova do ta ketë kodin e vet. Përgatitjet, sipas drejtori teknik të Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj kishin filluar të bëhen pasi që me marrjen e kodit të ri telefonik duhet të bëhen shumë ndryshme teknike dhe konfigurime. Ai tregon që për kalimin në kodin e ri telefonik duhet një fazë transitore më shumë se një vit . “Gjatë fazës së trazicionit praktikisht planifikohet është e domosdoshme të punohet me më shumë kode , duke përdorur këto kodë aktuale dhe duke e shtuar edhe kodin e ri telefonik shtetërorë që është 383 dhe kjo do të zgjasë 1 vit e gjysmë. Është një kohë kur duhet të propagandohet kodi i ri Kosovës dhe të zbatohet nga të gjithë operatorët telekomunikues ndërkombëtarë në mënyrë që të mund të realizohen thirrjet”, sqaron Latifaj.
Një kohë të gjatë, shton Latifaj, do të merr edhe ndërrimi i mbi 1 milionë sim kartelave të konsumatorëve.  Ndryshe, sipas marrëveshjes së Brukselit dhe deklaratave të zyrtarëve të institucioneve, pavarësisht se aplikimin për kodin telefonik do ta bënte Austria, shteti i Kosovës nuk do të ngarkohej me obligime financiare për këtë shërbim. Në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, si kompromis ishte paraparë që një vend i Bashkimit Evropian të aplikonte për Kosovën. Austria kishte dalë si vullnetare për ta ndihmuar Kosovën në këtë fushë.

Europa “ndizet” nga 4 finale futbollistike

Të shtunën, Europa e futbollit mban frymën për një tjetër fundjavë të ngjeshur futbollistike me 4 finale që i vendosin kapakun një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm. 4 kupa në 4 vende të ndryshme, që të gjitha bashkohen në paketën Supersport, që do të transmetojë live dhe ekskluzivisht epilogun e betejave përmbyllëse. Në Itali, Milani dhe Juventusi do të luajnë në stadiumin “Olimpico” të Romës finalen e Kupës që mund të shpëtojë sezonin e kuqezinjve, por në krahun tjetër mund të konfirmojë Juventusin dominues total të futbollit në Gadishullin Apenin. Alegri kërkon të hyjë në histori, duke u bërë i pari trajner që fiton për dy sezone rresht Kampionatin dhe Kupën, ndërsa Milani që zhvilloi një tjetër sezon të dobët, synon të hyjë në Europë nga dera e pasme e futbollit italian. Në kampin torinez, mungesat e vetme janë ato të Leonardo Bonuccit, i pezulluar për shkak kartonësh dhe mesfushorit Sami Khedira, ndërsa në krahun tjetër, Brocchi me shumë mundësi do të luajë pa Antonellin, Abaten dhe Niang. Nga Italia në Gjermani, aty ku luhet një tjetër klasike.
Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund përplasen në 90 minutëshin e fundit të Pep Guardiolës në stolin bavarez. Pas suksesit në kampionat, Bayerni i Mynihut synon edhe trofeun e Kupës për të kurorëzuar me sukses ecurinë fantastike në Gjermani, ndërsa Borussia do të tentojë të fitojë trofeun e parë në erën Tuchel. Ndoshta kjo është finalja më e denjë për futbollin gjerman, pasi vendos përballë dy ekipet më të mira të Bundesligës, ndërsa për Hummels është ndeshja e fundit me fanellën e Dortmundit, pasi vetëm pak orë më vonë, ai do të zyrtarizohet pikërisht në kampin kundërshtar për ta vazhduar karrierën në “Allianz Arena”. Është pikërisht Borussia që ka eliminuar Bayernin në dy sezonet e fundit të Kupës, por në të dyja rastet nuk ka arritur të triumfojë në Berlin, aty ku do të luhet edhe përballja kundër Bayernit.
Në Angli, FA Cup është shansi i fundit për Van Gaal, pasi Manchesteri United sfidon Crystal Palace në garën për trofeun që mund të shpëtojë pankinën e trajnerit holandez pas dështimit në kampionat. Plot 12 vjet ka Manchester që nuk triumfon në këtë kompeticion, ndërsa ekipi londinez nuk favorizohet nga statistikat, pasi ka humbur në 15 nga 20 takimet e fundit ndaj “Red Devils”. Në rast suksesi, Manchester United do të barazonte në krye Arsenalin me 11 FA Cup. Në Francë, Kupa është stacioni i fundit për Zlatan Ibrahimoviç, i cili do të luajë ndeshjen përmbyllëse të aventurës pariziene kundër Marseille. “Stade de France” hap dyert për duelin final, ku skuadra e Blanc është në garë për trofeun e tretë sezonal që ka mundësinë për të barazuar pikërisht marsejezët me 10 Kupa të Francës.

Raporti: Politikat buxhetore dëmtuan rritjen ekonomike

Politikat qeveritare në drejtim të konsolidimit fiskal të ndjekura nga qeveria shqiptare në dy vitet e fundit në disa raste kanë qenë në dëm të rritjes ekonomike të vendit.  Konkluzionin e ka nxjerrë vetë Ministria e Financave këto ditë në publikimin e Raport Progresit të Strategjisë së Menaxhimit Financiar 2014-2020.
Përpjekjet për të vënë në binarë arkën e shtetit janë përballur me sfida të tilla si një borxh publik në rritje, politika joadekuate dhe prioritizimin e shpenzimeve dhe një paragjykim i vazhdueshëm në parashikimet optimiste të rritjes së PBB-së.
Raporti i progresit thotë se, Ministria e Financave nuk mundi të përmbushë detyrimin kohor për ndryshime në ligjin organik të buxhetit brenda vitit 2015.
Reduktimi i borxhit publik gjatë periudhës afatmesme kërkon zotim politik për të mbështetur konsolidimin fiskal, prandaj rivendosja e kufijve për borxhin në ligj, në gjysmën e parë të 2016 paraqet emergjencë.
Strategjitë sektoriale nuk janë të lidhura tërësisht me parashikimet afatmesme  dhe jo gjithmonë japin informacion të plotë në lidhje me kostot e plota dhe burimeve të financimit shtesë.
Raporti i monitorimit vë në dukje se, ende nuk ka veprime konkrete për forcimin e kapaciteteve të administratës publike, të cilat të mund të vlerësojnë kthimin social-ekonomik të projekteve të investimeve kapitale. Procesi ka shumë të meta nga vlerësimi pamjaftueshëm i projekteve dhe vendimeve të fragmentuara financimit.
Gjithashtu për shkak të vonesave në blerjen e programeve, aktivitetet e planifikuara të tilla mbi monitorimin e borxhit dhe investimeve kapitale ende nuk kanë nisur.
Monitorimi vë në dukje se duhet përmirësuar efikasiteti i  Departamenteve Hetimore në Tatime dhe Dogana

Guvernatori: Duhet nxitur rritja ekonomike

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko i ka bërë sërish thirrje politikëbërësve që të fokusohen në kryerjen e reformave. Këtë mesazh Sejko e ka dhënë gjatë fjalës që ka mbajtur në seminarin e nivelit të lartë me temë “Rishqyrtimi i bashkërendimit midis politikës monetare dhe politikës fiskale”, organizuar nga Banka e Sllovenisë në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko diskutoi mbi kontributin dhe rolin e politikës monetare në kushtet e një politike fiskale konsoliduese referuar eksperiencës shqiptare. Në fund të fjalimit, Sejko për të disatën herë kohët e fundit e dha sërish mesazhin për politikëbërësit: “Duhet që gjithmonë t’i kujtojmë vetes se çfarë mundet dhe nuk mundet të arrijë politika monetare: ne mund të ndikojmë mbi variablat nominalë të ekonomisë, domethënë nivelin e çmimeve, por nuk mund të ndikojmë as mbi rritjen afatgjatë dhe as mbi prosperitetin e përgjithshëm në ekonomi. Në këtë drejtim, mendoj se duhet që gjithmonë t’i kujtojmë politikanët për përmbushjen e detyrave të tyre në lidhje me reformat strukturore dhe shfrytëzimin sa më mirë të frymëmarrjes që u jep politika monetare.

Ofertë për Neymar

Ditët e fundit janë shtuar zërat për rinovimin e kontratës së Neymar me Barcelonën deri në vitin 2022. Marrëveshja e re thuhet se do të lajmërohet javën e ardhshme pas finales së Kupës së Mbretit, ndërsa hedhja e të zezës mbi të bardhë do të bëhet në fund të Lojërave Olimpike Rio 2016, turne ku sulmuesi brazilian do të marrë pjesë. Mirëpo sipas mediave braziliane, për 24-vjeçarin kanë mbërritur tre oferta, nga Reali i Madridit, Paris Saint Germmain dhe Manchester Unitet, të cilat përfaqësuesit e tij ligjorë po i studiojnë me shumë kujdes, pasi situata mund të marrë tjetër rrjedhë, nëse bisedimet me klubin blaugrana nuk marrin drejtimin e duhur.
Qëllimi i Neymar është të qëndrojë në Barcelonë, ndaj dhe rinovimi i kontratës me blaugranat mbetet në plan të parë, megjithatë ai pret edhe një sforco nga ana e drejtuesve për të përmbushur të gjitha kërkesat e tij ekonomike.
Që gjithçka të shkojë sipas planeve të tij, Neymar po luan edhe me ofertat e klubeve të tjera të mëdha në Europë, ku më i interesuari duket Paris Saint Germmain, që i ka paratë për të pagën e sulmuesit pas largimit të Zllatan Ibrahimoviç. Edhe Reali me United po monitorojnë atë që po ndodh me lojtarin, për t’u hedhur në sulm në momentin e duhur.
Neymar ka një klauzolë largimi nga Barcelonë që kap shifrën 190 milionë euro, ndërsa kontrata aktuale i skadon në 2018-ën. Klauzola në marrëveshjen e re me Barcelonën pritet të jetë 220 milionë euro.
Neymar arrin të hyjë në territorin britanik edhe pse nuk e kishte me vete pasaportën. Sulmuesi i Barcelonës u pa në Aeroportin e Luton ku rezultoi se ai e kishte harruar pasaportën e tij. E megjithatë punonjësit e Zyrës së Emigracionit e lejuan atë të kalonte më tej pas 15 minutash pyetjesh dhe verifikimesh. Sipas një dëshmitari, autoritetet mbetën të befasuar nga prania e brazilianit, pasi nuk ndodh çdo ditë që në këtë aeroport të shfaqet një prej futbollistëve më të mirë në botë. Ai shtoi se, Neymar u deklaroi atyre se i duhej të shkonte në një takim të rëndësishëm.
Mësohet se Neymar u tregoi autoriteteve një sërë dokumentesh identifikimi, por ajo që i bindi punonjësit e Zyrës së Emigracionit ishte karta e tij rezidenciale në Spanjë. Pasi kaloi këtë aventurë, Neymar shkoi në departamentin e veshjeve “Selfridge” për promovimin e markës së pantallonave jeans “Replay”, pasi është edhe imazhi i saj.

Van Gaal-Mourinho për ringritjen e Manchesterit

Louis Van Gal drejtor sportiv tek Manchester United dhe Jose Mourinho trajner. Është kjo ideja e fundit e drejtuesve të “Djajve të Kuq” për të zgjidhur problemet që po kalon ekipi. Ideja e bashkpunimit mes Van Gal dhe Mourinho ishte e zëvendëspresidentit të Manchester United Ed Woodward. Van Gal ka një kontratë që skadon në qershor të 2017 dhe prishja e saj do t’i kushtonte skuadrës angleze 5 milionë euro. Ndërkohë që nga ana tjetër “Special One” është në pritje për të marrë në drejtim stolin e Manchester United. Nisur nga kjo, drejtuesit e klubit anglez po mendojnë t’i mbajnë të dy. Në të kaluarën të dy trajnerët kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin gjatë kohës kur ishin pjesë e Barcelonës.
Por, duket se realizimi i këtij bashkëpunimi nuk do të jetë dhe aq i lehtë, pasi për një personazh si Mourinho, i cili ka një karakter disi të vështirë dhe që kërkon liri absolute në vendimmarrje, ndoshta do ta ketë të pamundur të punojë me dikë tjetër që i qëndron mbi kokë. Ndërkohë që e ardhmja e Van Gal, luhet në finalen e FA CUP, kundër skuadrës së Crystal Palace, shansi i fundit për holandezin për të realizuar një objektiv minimal. Në rast humbjeje, mundësitë që tekniku 64-vjeçar të qëndrojë në “Old Trafold” si trajner apo si drejtor sportiv janë pothuajse zero.

Pogba: Milani nuk vjen për shëtitje

Pol Pogba dhe Juventusi duket një bashkëjetesë, e cila do të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm. Të paktën është kjo që lë të nënkuptojë mesfushori francez gjatë intervistës së tij për “Sky Sport”, në pritje të finales së Kupës së Italisë kundër Milanit, nesër në mbrëmje. “Duhet që të tregohemi të përulur, të përqendruar dhe të ndërgjegjshëm se në ndeshje të tilla jo gjithmonë fiton skuadra më e fortë. Edhe pse kampionati ka përfunduar, sezoni ynë mbyllet të shtunën, prandaj, nëse nuk tregojmë qëndrueshmëri psikologjike, do të gabonim.
Finalet luhen për t’u fituar, por mbi të gjitha Milani nuk do të vijë kurrsesi në Romë për të na e dorëzuar ne trofeun e Kupës së Italisë, përkundrazi.
Do të jetë një ndeshje e vështirë, pa favoritë. Prandaj, nëse duam që të dërgojmë në Torino edhe këtë trofe, duhet të bëjmë ndeshjen tonë më të mirë”, bëri hyrjen e tij 23-vjeçari. Bufon thotë se jeni rritur, qoftë nga pikëpamja fizike dhe teknike, por edhe nga ajo e vetëbesimit, duke u shndërruar në një nga liderët e këtij Juventusi. Ndihem shumë më i përgjegjshëm, sepse këtë sezon humbëm disa lojtarë të rëndësishëm, jo vetëm teknikisht, por edhe në aspektin e lidershipit.
Për këtë arsye, mua më është dashur që të marr më tepër përgjegjësi mbi shpatulla. Nga pikëpamja teknike, ju jeni lojtari i dytë në Itali për sa u përket driblimeve të bëra, 102, por edhe i pari në pesë kampionatet më të rëndësishme të Europës, për goditje në portë.
Ndërkohë, Sinisa Mihaljoviç është shkëputur zyrtarisht nga Milani. Trajneri serb dhe drejtuesit e klubit kuqezi gjetën konsensusin për zgjidhjen e kontratës mes tyre me 47-vjeçarin që tashmë është i lirë të kërkojë një tjetër skuadër. Marrëveshja për zgjidhjen konsensuale mes Milanit dhe Mihajloviçit u arrit pas një takimi të zhvilluar në Romë mes tij e Galianit, me klubin që pranoi të paguajë për llogari të trajnerit edhe një dëmshpërblim. Sipas medias italiane, destinacioni i ardhshëm për Mihajloviç duket se është Torino. Trajneri aktual i kësaj skuadre, Giampiero Ventura do të marrë drejtimin e përfaqësueses italiane, duke e lënë të lirë vendin e tij.

120 mijë dollarë në vit për mirëmbajtjen e Aeroportit të Kukësit

Aeroporti i Kukësit që kur u ndërtua në vitin 1999 nuk është vënë asnjë ditë në punë, por ndërkohë ka krijuar harxhime të konsiderueshme në financat publike te vendit.
Aviacioni Civil vetëm për këtë vit ka planifikuar të prokurojë rreth 15 milionë lekë për mirëmbajtjen e objektit, pa përfshirë rrogat e punonjësve. Shpenzimet më të mëdha janë për shërbimet e ruajtjes dhe sigurisë së aeroportit, që llogariten në 14 milionë lekë vetëm për këtë vit.
Gjithashtu për mirëmbajtjen dhe riparimet e zyrave janë planifikuar 333 mijë lekë për këtë vit dhe po kaq para janë planifikuar të tenderohen për mirëmbajtjen e objekteve. Me gjithë rrogat e punonjësve shpenzimet publike për Aeroportin e Kukësit llogariten në miliona euro që kur ai u ndërtua në vitin 1999.
Por nëse objekti vihet në punë sipas planit të qeverisë do të duhen miliona euro shtesë investime për ta bërë funksional. Duke qenë se kanë kaluar 15 vite nga ndërtimi i tij kostot e amortizimit janë të larta ndaj duhen investime të reja. Mirëpo qeveria shqiptare shpreson t’i faturojë këto harxhime kompanisë që do të ofrohet për të marrë në administrim këtë aeroport.
Objekti aktualisht është ndërtuar në anë të qytetit në afërsi të Autostradës së Kombit dhe shihet të jetë me leverdi për fluturimet low cost. Ndërtimi i aeroportit verior kushtoi rreth 12 milionë dollarë, por studimet e fizibilitetit të bëra në dekadën e fundit nuk kanë qenë shumë optimiste. Ndërkohë Ministria e Transportit ka sqaruar se, kompanitë e huaja po interesohen për Aeroportin e Kukësit.

Tohir: Bëjmë tre goditje të mëdha

Erik Tohir ka lajme të mira për Roberto Mançinin. Presidenti i Interit duket se është bindur nga këshilltarët e tij dhe më në fund ka vendosur që të shpenzojë disa miliona euro për Interin. Sezoni që sapo u mbyll ka bërë që indoneziani të kuptojë se për të fituar një titull, nuk mjafton një strategji e zgjuar në merkato dhe një trajner fitues.
I pyetur për sezonin që sapo u mbyll, Erik Tohir ruajti të njëjtën linjë, duke vlerësuar lojtarët për punën e bërë. “Vendi i katërt ishte pozicioni më i mirë që mund të merrte Interi në këtë sezon. Shpresoj shumë që edicionin e ardhshëm ekipi të tregojë dhëmbët”, tha Tohir gjatë intervistës që dha për gazetën indoneziane “Sundul”. Besimi – Në fjalën e tij, presidenti zikaltër ishte optimist për të ardhmen dhe la të kuptohej se e kishte planifikuar Interin e ri me Mançinin në qendër. “Jam i bindur se ai ka besimin e lojtarëve dhe do të vazhdojë që të jetë trajner i Interit. E pranoj, është një trajner i madh”, u shpreh 45-vjeçari.
Numri një i Interit nuk u tërhoq, kur e pyetën për ekipin që priste të ndërtonte këtë verë. Në këtë temë, ai u zhbalancua dhe zbuloi strategjinë që kishte studiuar me trajnerin. “Unë dhe Roberto Mançini kemi diskutuar gjatë rreth merkatos. Kemi rënë dakort që të përforcojmë të tre repartet, duke afruar të paktën nga një futbollist të talentuar dhe ekspert në sulm, mesfushë dhe mbrojtje”, tha Erik Tohir.
Një tjetër pyetje që nuk trembi Tohirin ishte edhe ajo rreth stadiumit. “Sigurisht, që nuk kemi hequr dorë nga projekti i stadiumit. Ne duam që të jemi të vetëm në “San Siro”. Shpresoj që sa më shpejt të jetë e mundur të zgjidhet kjo situatë e sikletshme”, pohoi presidenti i Interit.