25.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Ferguson: Ja ku ndryshon CR7 nga Mesi

Në një konventë të mbajtur në Dublin, Sër Aleks Ferguson ka dhënë mendimin e tij rreth një debati që “mundon” sportdashësit në të katër cepat e botës. Ish-menaxheri i famshëm skocez i Mançester Junajtid është zhbalancuar, duke dhënë mendimin e tij mbi konkurrencën e madhe mes Kristiano Ronaldos dhe Leonel Mesit.
“Për mua nuk është aspak interesante kur dëgjoj të flitet vetëm për dy lojtarë. Nëse doni që të dëgjoni atë çfarë kam për të thënë për rivalitetin mes Ronaldos dhe Mesit, atëherë do t’ju kërkoj që të mos më keqkuptoni kur them se Mesi duket sikur vesh papuçe nate kur kontrollon topin. Ai është një lojtar fantastik, por është një lojtar i Barcelonës, pra funksionon në atë realitet. Ndërsa për Ronaldon them se do të ishte i aftë që të shënonte tregolësh edhe nëse do të luante për Stokport Kauntrin. Ai ka gjithçka që i duhet një futbollisti për t’u konsideruar si i kompletuar. Ai godet mirë topin me të dyja këmbët, përdor mirë kokën dhe është kurajoz si një luan”, tha Sër Aleks për “krijesën” që e ndihmoi të përmirësonte teknikën në “Old Trafford”.
Ish-trajneri i famshëm skocez zbuloi se Ronaldo, ndryshe nga lojtarët e tjerë, ka arritur të tilla nivele falë punës së bërë. “Gjatë kohës që kam qëndruar te Junajtid isha me fat që kisha shumë lojtarë, të cilët kalonin orë ekstra në stërvitje me qëllim që të përmirësoheshin. Falë etikës në punë, Geri Nevill u kthye nga një lojtar normal, në një futbollist të bukur. E njëjta gjë vlen edhe për Devid Bekhamin. Por Ronaldo, ndryshe nga ata, e sfiliste veten duke u stërvitur. Ai vazhdon të bëjë të njëjtën gjë edhe tani, ai nuk pushon, pasi do që të jetë më i miri në botë”, tha Fergi.
Në lidhje me kulturën e punës, Ferguson kujtoi edhe një episod që i kishte ndodhur gjatë kohës që për Mançester Junajtidin luante edhe Erik Kantona. “Mbaj mend se, pas stërvitjes së parë që bëri me ne Eriku, m’u afrua dhe më kërkoi që t’i vendosja në dispozicion një portier, dy lojtarë të ekipit të rinjve dhe disa topa futbolli. Unë e pyeta se për çfarë i donte, dhe ai më tha se do të qëndronte në fushë për t’u praktikuar. Kur kjo praktikë e tij u përhap në ekip disa ditë më vonë, Kantona nuk ishte i vetmi që bënte stërvitje shtesë”, tha Fergi.

Mbi 1 milion euro për fizibilitetin e “Trepçës“

Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka bërë hapin e parë për “Trepçën”, duke e iniciuar studimin e fizibilitetit për këtë ndërmarrje. Nëse gjithçka shkon sipas planifikimit të bërë nga AKP-ja, atëherë deri në fillim të muajit nëntor do ta dihen parametrat ligjorë dhe ekonomikë, por edhe kapacitetet e “Trepçës” dhe arsyeshmëria e investimeve në të, shkruan sot Koha Ditore.  Fillimi i muajit nëntor përkon edhe më obligimin që ka AKP-ja për të dorëzuar në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme planin e riorganizimit të “Trepçës” në mënyrë që të shmanget likuidimi. Mirëpo, miratimi i një ligji të veçantë për Trepçën që do ta bënte atë ndërmarrje publike do ta bënte ligjin aktual për riorganizimin e ndërmarrjeve të veçanta të pazbatueshëm për “Trepçën”. Edhe pse koston e studimit të fizibilitetit të “Trepçës” pritet ta përcaktojë tregu, AKP-ja ka planifikuar buxhet mbi 1 milion euro për këtë studim. Gjiganti metalurgjik “Trepça” pritet që shumë shpejt të bëhet me status të ri. Ndërmarrja më e madhe në Kosovë do të ketë karakterin e ndërmarrjes publiko-qendrore me mundësi të partneritetit publiko-privat. Ky është definimi i kësaj ndërmarrjeje që është bërë në projektligjin për “Trepçën”, i cili projektligj pritet të dërgohet gjatë javës së ardhshme në Qeveri të Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” Ahmet Tmava, drejtor i ndërmarrjes “Trepça”, i cili njëkohësisht ka qenë edhe në komision ndërinstitucional. Sipas tij, ky emërtim do të jetë një mundësi e zhvillimit të mëtutjeshëm të kësaj ndërmarrjeje.

Qeveria e Kosovës miraton rritjen e pensioneve

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur dje  ka miratuar propozim-vendimin për rritjen e pensionit kontributpagues të moshës, sipas përgatitjes shkollore. Sipas këtij propozim-vendimi, pensioni bazë më i ulët do të jetë 158 euro. Pensioni për ata që kanë punuar me shkolla të mesme dhe që e kanë vërtetuar këtë do të jetë 172 euro. Ndërs, pensioni për të gjithë ata që kanë pasur shkollimin e lartë do të jetë 186 euro dhe pensioni për ata që kanë pasur arsimimin superior, përkatësisht diplomat e fakultetit, universitetit do të jetë 230 euro. Shprehur në përqindje i bie se kjo është një rritje prej rreth 33 për qind. Kryeministri i vendit, Isa Mustafa tha se ky është kontribut i madh i Qeverisë dhe po e përmbyll këtë kërkesë shumëvjeçare të pensionisteve.
Gjithashtu qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për rritjen e pensionit kontributpagues të moshës sipas përgatitjes shkollore. Ministri Arban Abrashi tha se ministria që ai udhëheq do ta zbatojë këtë vendim me qëllim të një jete më të dinjitetshme për pensionistët. Ndërsa, ministri i Financave, Avdullah Hoti i siguroi pensionistet që pagesa do të jetë retroaktive nga muaji janar. Kryeministri i vendit, Isa Mustafa tha se ky është kontribut i madh i Qeverisë që po e përmbyll këtë kërkesë shumëvjeçare të pensionisteve. “Edhe pse s’kemi mundur të sigurojmë pension në bazë të kontributeve që kanë dhënë pensionistet, megjithatë është një shumë e dinjitetshme për përmirësimin e standardeve. E vlerësoj këtë vendim kaq të rëndësishëm për jetën e pensionistëve”, tha Mustafa. Ndryshe, kryeministri i vendit, Isa Mustafa, dje pas takimit që kishte me përfaqësues të Shoqatës së Pensionistëve, tha se rritja është rreth 33 përqind dhe se kjo do të bëhet në bazë të strukturave kualifikuese të pensionistëve.

Mustafa: Është një kontribut i madh i Qeverisë

“Është një kontribut shumë i madh i Qeverisë dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, që po arrijnë të përmbyllin këtë kërkesë shumë vjeçare të pensionistëve. Unë mendoj se edhe përkundër asaj që s’kemi mundur të sigurojmë nivel të pensionit, çfarë është dashur ta kenë, në bazë të kontributeve që kanë dhënë dhe të cilat tani nuk mund të shfrytëzojnë, megjithatë është një shumë e dinjitetshme, përmes të cilës ne po kontribuojmë që të përmirësohet standardi i tyre dhe të iu mundësohet që ata të kenë një jetë dinjitoze. Prandaj, e vlerësoj shumë të rëndësishëm këtë vendimë”, tha ai. Ndërsa ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi tha se ministria që ai udhëheq do ta zbatojë këtë vendim me qëllim të një jete më të dinjitetshme për pensionistët. Ndërsa, tha se pensionistët do t’i marrin pensionet me rritje që nga ky muaj dhe pagesa do të jetë retroaktive nga muaji janar.

Abrashi: Këtë muaj pensionet me ngritje

“Këtë muaj ata i marrin pensionet me ngritje, plus diferencën nga secila shkallë e marrin nga janari. Ky është një përkushtim i Qeverisë. Siç kanë thënë dhe pensionistët pas 17 viteve po kthehet shpresa dhe në shtetin e Kosovës dhe Qeverinë… Ne me këtë e mbyllim një kapitull dhe i hapim rrugë vetes që të punojmë dhe për kategoritë tjera”, tha ai. Qeveria po ashtu ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për Shërbimin spitalor dhe Klinik universitar të Kosovës, për st imulim të pagave për 43 punëtorë të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë invazive në shumën prej 32 mijë e 200 euro, me qëllim të funksionalizimit të plotë të kësaj klinike, për ofrim të shërbimeve 24 orë me ekip vendor. Ministri Imet Rrahmani tha se gjendja në këtë klinikë është brengosëse.

“Blindojeni” Hysajn

Menaxheri i Elseid Hysajt, Mario Giuffredi, ka paralajmëruar sërish skuadrën e Napolit që të nxitojë me rishikimin e kontratës për klientin e tij, ndryshe gjërat mund të komplikohen, pasi skuadra të tjera i janë vënë pas. “Zërat për Bayern? Unë i këshilloj Napolit ta blindojë Hysajn para fillimit të Europianit, duke i zgjatur dhe përmirësuar kushtet financiare në kontratë. Gjatë Europianit, ai mund të konfirmohet me paraqitje të jashtëzakonshme, siç ka bërë me klubin”, tha ai.
Giuffredi tha se, Napoli ka bërë një lëvizje shumë të zgjuar gjatë vitit të kaluar, kur nënshkroi me mbrojtësin. I blerë për vetëm 5 milionë euro nga radhët e Empolit, vlera aktuale e kartonit të lojtarit përllogaritet sa pesëfishi i kësaj shifre të shpenzuar asokohe. “Aktualisht, kartoni i Hysajt vlen mes 20 dhe 25 milionë eurove. Napoli ka bërë një lëvizje të shkëlqyer teknike dhe ekonomike, kur nënshkroi me të, pasi për Hysajn do të vihen në lëvizje skuadra të rëndësishme që do të mundohen t’ia rrëmbejnë”, theksoi ai.
Duke folur për “Radio CRC”, Giuffredi e cilësoi Hysajn një luftëtar, pasi sipas tij, mbrojtësi flet pak, por bën shumë gjëra në fushë. “Ai është djalosh me shumë cilësi, që di të bëjë shumë gjëra, të cilat janë çertifikuar tashmë nga statistikat sezonale”, deklaroi Giuffredi.
Ndërkohë, Arlind Ajeti mund të mbetet në Serinë A, pavarësisht se skuadra e tij aktuale, Frosinone nuk mundi të mbjetonte në elitën e futbollit italian. Për 22-vjeçarin e kombëtares shqiptare interesohet Torino, që kërkon një qendërmbrojtës të ri dhe cilësor dhe që jep garanci për të ardhmen.
Për të siguruar kartonin e Ajetit, drejtuesit e Torinos do t’i ofrojnë Frosinones mbrojtësin ukrainas Vasyl Pryyma, që këtë sezon është aktivizuar po te Frosinone në formën e huazimit në pjesën e dytë të sezonit.
Të dy kishim kontratë për një vit me të drejtën e rinovimit, shqiptari me Frosinonen dhe ukrainasi me Torinon, që do të thotë se një shkëmbim i mundshëm mes tyre, është mëse i pranueshëm, me klubin lazial që gjithsesi nuk do të hiqte dorë plotësisht nga kartoni i Ajetit.
Arlind Ajeti që kur mbërriti në Serinë A në muajin nëntor, u shndërrua në titullar i padiskutueshëm në radhët e Frosinones, ku ka luajtur në 16 ndeshje, për një total prej 1218 minutash. Në rast se, skuadra e Stellones do të mbijetonte, kontrata e Ajetit do të rinovohej automatikisht për dy sezonet e ardhshme.
Përcaktues për të ardhmen e qendërmbrojtësit shqiptar pritet të jetë dhe aktivizimi i tij në finalet e Europianit. Në rast se Shqipëria do të ketë një ecuri pozitive, sigurisht që edhe kuotat e lojtarëve të kombëtares në tregun e futbollistëve do të rriteshin ndjeshëm.

Milioneri Gashi, i 14-ti më i paguar në MLS

Kur Shkëlzen Gashi u largua gjatë merkatos së janarit për të firmosur në MLS me Colorado Rapids, pati rezerva në opinionin sportiv shqiptar për mundësitë që i jep ky kampionat për të qenë protagonist me Shqipërinë. Sigurisht që largësia dhe ndryshimi i ambientit  nuk e ndihmojnë shumë sulmuesin 27-vjeçar për vendin e titullarit te kuqezinjtë, megjithatë ish-sulmuesi i Baselit kishte një arsye të fortë për të mos e refuzuar ofertën e Colorado Rapids.
Publikimi i listës së futbollistëve më të paguar në MLS, nxjerr në dritë faktin se Shkëlqen Gashi përfiton në Amerikë një shumë që as që nuk do ta kishte imagjinuar në Europë. Ai renditet i 14-ti me një pagë vjetorë 1 665 750 dollarë në vit, një pozicion poshtë Didier Drogba, që arkëton 2 166 667 në vit në radhët e kanadezëve të Montreal Impact.
Sigurisht që diferenca e pagës së Gashit me atë të lojtarit më të paguar në Mls, që është Ricardo Kaka, mbetet shumë e ndjeshme. Ish-ylli i Milanit dhe i Realit të Madridit, aktualisht pjesë e Orlando City përfiton 7 167 500 dollarë në sezon, i ndjekur nga italiani i Giovinco, që merr  rreth 50 mijë dollarë më pak te Toronto.
Më poshtë renditen Bredley, Gerrad, Lampard, Pirlo, Villa etj. Edhe pse është futbollisti i dytë më i paguar te Colorado Rapids, pas portierit Howard, Shkëlzen Gashi ka shënuar vetëm 2 gola në 10 ndeshjet e para të sezonit, madje në 7 raste është larguar para kohe nga fusha. Ndoshta ky ka qenë thjesht një fillim i vështirë për futbollistin e kombëtares kuqezi në MLS.

Rashica shpreson të luaj në Euro 2016

Faqja zyrtare e klubit të Vitesses në Youtube i kushton një hapësirë të madhe sulmuesit të Kombëtares, Milot Rashica, i cili konfirmoi talentin e tij brenda një sezoni të vetëm, duke u bërë simboli i skuadrës holandeze. Gola, asiste dhe shpërthimet e vazhdueshme nga krahu e kanë bërë Rashicën një prej talenteve më të kërkuar ët Europës. Vetë 19-vjeçari rrëfen momentet magjike të këtij sezoni.
“Është një moment fantastik. Erdha në provë këtu te Vitesse, ku u stërvita 2-3 javë me skuadrën e dytë ku luajta disa miqësore dhe më pas u bashkova me skuadrën e parë, ku u stërvita për dy javë dhe më pas nënshkrova kontratën”.
I pyetur nëse e priste ecurinë fantastike gjatë këtij sezoni, Rashica përgjigjet: “Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe nuk e prisja se do të zhvilloja një sezon të tillë. Mendoja se pas 1 apo 2 vitesh në ekipin e dytë më pas do të luaja disa minuta në ekipin e parë, por as unë vetë nuk e prisja që gjithçka të konkretizohej brenda një periudhe kaq të shkurtër”.
Rashica cilësohet një lojtar oportunist që jep shumë për ekipin, por pavarësisht sezonit fantastik, ai veçon një ndeshje dhe golin që do ta mbajë mend gjatë.
“Ndeshja më e mirë për mua ka qenë ajo e debutimit kundër Sauthampton në Europa League. Goli më i bukur besoj se ka qenë ai i shënuar ndaj Heracles në transfertë ku barazuam 1-1”.
Që prej një viti, talenti shqiptar jeton në qytezën e Arnheim ku ai është përshtatur menjëherë me realitetin e ri.
“Arnheim është një qytet shumë i mirë edhe pse jo i madh. Nëse ke nevojë për diçka e gjen shumë shpejt, sepse çdo gjë është shumë pranë. Është pak më i madh se qyteti i Vushtrisë”.
Pas çdo goli, Rashica nuk ngurron të festojë me shqiponjën e flamurit kuqezi. Ai shpjegon për gazetarin holandez arsyen se përse ka zgjedhur të festojë në këtë mënyrë.
“Festoj duke bërë shqiponjën, sepse është simboli i vendit tim. Kur erdha këtu askush nuk më njihte dhe dëshiroja t’u tregoja se nga vija”.
Edhe pse debutimin me Kombëtaren Shqiptare e ka bërë, Rashica nuk është ende i sigurt për një thirrje nga De Biasi në Euro 2016, por sulmuesi i lindur në Kosovë, ashtu si në fushën e lojës, tregohet altruist.
“Shpresoj që të shkoj në Francë, por nuk e di nëse do të ndodhë. Edhe nëse nuk grumbullohem, shpresoj që Shqipëria të luajë një futboll të mirë dhe të japë më të mirën. Në futboll, asnjëherë nuk e di se çfarë do të ndodhë. Jemi në një grup të vështirë me Rumaninë, Zvicrën dhe Francën, por ne kemi një skuadër të mirë dhe mund t’ia dalim mbanë”.
Në fund, Rashica flet edhe për të ardhmen, duke lënë të kuptohet se aventura e tij do të vazhdojë në Holandë.
“Po shikojmë përpara për sezonin e ardhshëm. Jemi një skuadër e mirë. Nëse shkoj në Francë do të rikthehem në korrik për të nisur stërvitjen dhe për të zhvilluar një tjetër sezon pozitiv”.

Çmenduria e Beogradit

Kohë më e mirë nuk mund të gjendej: mbrëmjen e së dielës, më 24 prill, kur e gjithë Serbia qe ulur si e hipnotizuar para televizioneve, duke pritur rezultatet e para të zgjedhjeve parlamentare, mbi 30 burra të maskuar dhe të pajisur me shkopa bejsbolli dhe tre ekskavatorë, shkatërruan disa ndërtesa, objekte ndërmarrjesh dhe një restorant në lagjen “Savamala”. Autorët e bllokuan për këtë arsye rrugën me dy kamionë, arrestuan kalimtarët e rastësishëm, kërcënuan me dhunë dhe konfiskuan telefonat celularë. Gjithë natën eskavatorët dhe makineritë e tyre bubullinë, por as zhurma, as telefonatat e qytetarëve nuk i bënë nëpunësit e rajonit të policisë aty pranë që të ndërhynin. Në agim kishin mbetur vetëm rrënoja – dhe kjo në mes të kryeqytetit serb Beograd.

“Objekte ilegale”
Vladimir Miljeviç, drejtor i një firme ndërtesa, e së cilës u shkatërrua, tregon se kishte marrë në telefon edhe tek Policia Ndërtimore dhe në bashki, por kudo i kishin dhënë të njëjtën përgjigje: ne nuk jemi përgjegjës për këtë dhe nuk e kemi idenë, se kush mund të kenë qenë të maskuarit.
Mediat kryesore heshtën për këtë ngjarje. Informacione mbi “fantazmat e “Savamalas” u shpërnda vetëm përmes rrjeteve sociale, si dhe disa portaleve të pavarura të internetit apo gazetave javore, që i referoheshin edhe Avokatit të Popullit, Sasha Jankoviç, të cilin qeveria konservatore e ka prej kohësh halë në sy, i cili vuri në dukje në raportin e tij se kemi të bëjmë me krim të organizuar që mbulohet nga shteti.
Në Serbi po lind një vakum ligjor, sepse ligjet shfuqizohen sipas dëshirës në mënyrë arbitrare, mendon avokati dhe ish-ministri i Brendshëm, Bozo Preleviç. Ashtu si shumë kritikë të tjerë, ai arrin në përfundimin se bandën e kanë organizuar, ose të paktën toleruar, ata që janë në pushtet. “Askush tjetër nuk do të guxonte që në mes të natës të shembte ndërtesa të tilla pa pasur pas vetes qeverinë dhe policinë”, tha Preleviç në intervistë për DW.
Kryeministri Aleksandër Vuçiç u përpoq t’i minimizonte ngjarjet dhe i bëri thirrje publikut, që të presë me durim hetimet. Faktin që shërbimi komunal i qytetit i pastroi mbeturinat pa pritur që policia të siguronte provat, Vuçiçi nuk e përmendi.
Spastrim për investitorët?
Dyshohet se operacioni i natës duhet të lidhet me projektin e diskutueshëm “Beogradi në ujë”. Pjesa më e mirë e kryeqytetit serb në bregun e lumit të Savës është e rezervuar për një lagje për zyra, apartamente luksoze dhe qendra tregtare. Ky është projekti më i dashur i Partisë së Progresit dhe liderit të saj Vuçiç. Ish-nacionalisti tani shitet si evropian i madh që angazhohet për një klimë të mirë për investime. Madje edhe pse kjo nuk është e qartë se sa para duan të investojnë saktësisht investitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe, se çfarë do të ndërtojnë dhe se kur do të përfundojë ndërtimi, zona tashmë është spastruar, sepse një gjë të tillë qeveria ua ka siguruar me kontratë investitorëve.
Megjithë për protestat kundër këtij projekti, në të cilat morën pjesë rreth 5000 vetë dhe që mbështeten edhe nga partitë e opozitës, avokati Bozo Preleviç mendon se ato nuk do të sjellin shumë. “Në këtë mjedis politik qytetarët kanë vetëm dy mundësi: ose të jenë anëtarë të partive në pushtet – ose të emigrojnë, sepse aty ku disa janë mbi ligjin, nuk ka më shtet”. Duke aluduar për mbështetjen pothuajse plebishitare dhe një shumicë absolute që partia e Vuçiçit fitoi në zgjedhjet në fund të prillit, Preleviç tha: “Shumë njerëz duket se e pëlqejnë stilin e tij të qeverisjes, por unë mendoj se investitorët ndërkombëtarë dhe Bashkimi Evropian janë të një mendimi tjetër. Diçka e tillë nuk ndodh në një shtet të organizuar në një lloj mënyre”.

Gara e re e armatimit, mes SHBA dhe Rusisë

Njëzetepesë vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ekziston frika se Moska dhe Uashingtoni janë në kulmin e një gare të re të armatimit bërthamor dhe konvencional.
Në muajt e fundit, Rusia ka dërguar sinjale për armatimin e saj, duke hedhur raketa të reja nga Deti Kaspik në caqet në Siri, duke vendosur raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi Iskander në enklavën e saj Kaliningrad dhe duke i vënë në operim nëndeteset e reja raketore-balistike.
Shtetet e Bahkuara, ndërkohë, kanë rritur operacionet e tyre ushtarake në Evropën Lindore dhe ujërat përreth. Pentagoni po katërfishon shpenzimet për mbrojtjen në Evropë.
Anijet dhe avionët amerikanë po kryejnë patrullime më të shpeshta të vëzhgimit pranë kufijve rusë. Një brigadë e re luftarake e ushtrisë amerikane pritet të vendoset në Evropë. Dhe, sistemi i mbrojtjes raketore është funksionalizuar në Rumani më 12 maj, duke shkaktuar zemërim te Presidenti rus, Vladimir Putin.
“Gara me armë, në disa forma, nuk ka përfunduar. Intensiteti i saj është ngadalësuar, por të dyja vendet kanë vazhduar të modernizojnë forcat bërthamore. SHBA është mjaft e ngazëllyer me mbrojtjen raketore në Evropë dhe rusët ndjehen të obliguar t’i përgjigjen”, thotë Jeffrey Lewis, ekspert për mospërhapjen bërthamore në Institutin e Monterejt për Studime Ndërkombëtare.
Sa i përket arsenalit bërthamor, kokat strategjike bërthamore kanë qenë në rënie edhe në SHBA, edhe në Rusi, falë marrëveshjes START të vitit 2010. Por, të dyja vendet janë duke modernizuar pjesë të tjera të arsenalit të tyre. SHBA, për shembull, është duke ndërtuar gjeneratën e pestë të avionit luftarak.
Dhe tani, në kohën kur Putin po shfaq fuqinë dhe ndikimin në Ukrainë dhe Siri, ekspertët e kontrollit të armëve thonë se shanset për një marrëveshje të re për reduktim të arsenalit janë të vogla ose fare.
Rrezik më i madh mund të jetë braktisja e marrëveshjeve ekzistuese, të tilla si Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, i vitit 1987. SHBA dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje.
“Derisa nuk arrihet një marrëveshje e re për reduktim të armëve, në të ardhmen e afërt, tkurrja e arsenalit strategjik bërthamor të Rusisë, që ka karakterizuar dy dekadat e kaluara, duket se do të marrë fund”, kanë shkruar studiuesit e armëve Hans Kristensen dhe Robert Norris në një artikull të publikuar këtë muaj në Buletinin e Shkencëtarëve Atomikë.
Vitin e kaluar, televizioni rus ka transmetuar planet për një dron nënujor bërthamor, që do të mund të qëllonte një zonë bregdetare me mbetje radio-aktive, duke bërë të pabanueshme rajone të mëdha për dekada të tëra.
Tash për tash, ekzistojnë disa politika që frenojnë intensitetin e garës me armë, por, më shumë se çdo gjë tjetër, palët mund të kufizohen nga problemet financiare.
Shpenzimet në mbrojtje janë rritur nën Putinin, sidomos që nga viti 2007. Në vitin 2015, ato kanë kapur vlerën e 4.3% të bruto prodhimit të brendshëm. Megjithatë, qysh atëherë, ekonomia e Rusisë është dobësuar për shkak të çmimeve në rënie të naftës dhe sanksioneve të Perëndimit që lidhen me ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë.
Arsenali strategjik i SHBA-së, në anën tjetër, është duke kaluar nëpër një modernizim masiv, që Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, ka thënë se do të kushtojë 350 miliardë dollarë. Analistët kanë thënë se kjo shifër paraqet një sfidë të madhe për ta përballuar.

Një mision i pamundur Kodi i Thaçit për “dekriminalizimin”?

Nadie Ahmeti

Zotimi i përsëritur i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për “dekriminalizimin” e skenës politike përmes hartimit të një Kodi, për përfaqësuesit e Shoqërisë Civile shihet si një mision i pamundur.
Ndërkohë që disa nga hartuesit e Kodit Penal të Kosovës, konsiderojnë se një zotim i tillë mund të përmbushet, por me disa kushte.
Ditë më parë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar inicimin e hartimit të një kodi me të cilin nuk do të lejohej që njerëzit e dënuar të jenë pjesë e skenës politike dhe institucionale, kurse njerëz që janë nën hetime nuk do të mund të përfshiheshin në listat zgjedhore. Kjo nismë, është përkrahur edhe nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, në një prononcim për Radion “Evropa e Lirë” ka thënë se ligjërisht kjo çështje mund të ndryshohet. Sipas tij, njerëzit që kanë probleme me ligjin nuk duhet të jenë të përfshirë në pozita të larta në institucionet e Kosovës.
“Kodi penal duhet të ndryshohet në aspektin e krimit të organizuar, sepse krimi i organizuar përveç elementeve tjera, nënkupton edhe lidhjen e kryersve të veprave penale të personave që janë në pozita politike, partiake dhe shtetërore. Në këtë aspekt, mendoj që duhet të ndryshohet. Dhe, unë pajtohem që njerëzve që dyshohet se janë të ndërlidhur me krimin, duhet t’u pamundësohet përfshirja në listat zgjedhore dhe të jenë udhëheqës në pozita të larta”, ka theksuar Salihu.
Në anën tjetër, përfaqësues të Shoqërisë Civile thonë se është e paqartë që përmes Kodit Penal të Kosovës të rregullohet kjo çështje. Sipas tyre, nevojitet një vullnet i të gjitha subjekteve politike për miratimin e një ligji të veçantë, për dekriminalizimin e bartësve të funksioneve publike dhe shtetërore.
Juristi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, për Radion “Evropa e Lirë”, ka thënë se në këtë kuadër duhet të merren parasysh edhe praktikat e shteteve të rajonit.
“Ne si institut e kemi të paqartë se si përmes Kodit Penal të Kosovës të rregullohet kjo çështje, pasi Kodi Penal përcakton veprat penale, të cilat ndiqen penalisht nga organet e ndjekjes. Prandaj, kjo në njëfarë mënyre e bën të pamundur që kjo fushë të rregullohet dhe t’iu pamundësohet vërtet personave, të cilët bartin funksione publike dhe shtetërore në ushtrimin e funksioneve të tyre”, ka thënë Miftaraj.
Nisma e Presidentit Thaçi, sipas Miftarajt, do të mund të konkretizohej nëse vetë partitë e politike nuk do të lejonin që personat, të cilët janë nën hetime të jenë pjesë e listave zgjedhore.
“Kjo pastaj do të mundësonte që në njëfarë mënyre të ketë njerëz pa dosje penale dhe me një qeverisje potenciale të mirë. Pasi, që personat që nesër mund të zgjidhen qoftë anëtar të Kuvendit, do të kishin dosje të pastër. Sidoqoftë, kjo do të kërkonte në radhë të parë vullnet politik të partive politike, të kryetarëve të këtyre partive, që të sigurohet që personat me dosje penale të mos kenë mundësi që të jenë pjesë e listave zgjedhore”, ka thënë tutje Miftaraj.
Ndryshe, bartës të funksioneve publike nën akuza apo edhe të dënuar për vepra penale në Kosovë aktualisht ka si në nivelin komunal ashtu edhe atë qendror.
Njohësit e çështjeve ligjore kanë potencuar se pavarësisht aktakuzave apo edhe shqiptimit të dënimeve, këta persona kanë vazhduar dhe vazhdojnë të ushtrojnë detyra zyrtare, duke i shfrytëzuar edhe disa zbrazësi ligjore në Kosovë.

Lufta kibernetike ndaj ISIS

Prej disa muajsh, hakerët e qeverisë amerikane e kanë hedhur vështrimin te grupi terrorist Shteti Islamik, për ta zhdukur atë nga hapësira kibernetike, paralelisht me përpjekjet e avionëve amerikanë dhe të koalicionit për ta eliminuar fizikisht. Por, disa prej zyrtarëve që kanë ndihmuar në këtë luftë virtuale, pranojnë se nuk është e qartë se sa të efektshme kanë qenë përpjekjet e tyre kibernetike. Ajo që i shton shqetësimet e zyrtarëve është se Shteti Islamik mund të shfaqë të njëjtat aftësi manovruese dhe përshtatjeje në betejën virtuale të hapësirës kibernetike, siç e ka treguar veten edhe në fushën e betejës.

Shtrirja e suksesit: e pasigurtë
“Lufta në fushën kibernetike po funksionon mirë” – tha këtë javë në Uashington Drejtori i Zbulimit Kombëtar amerikan, James Clapper. “Mendoj se ne jemi duke mësuar nga kjo eksperiencë, përmes një operimi të drejtpërdrejtë” tha ai, “Ndërsa vazhdojmë të përparojmë më tej, do të jemi të aftë të bëjmë një vlerësim më të përcaktuar”.
Deri tani, zyrtarët amerikanë kanë qenë të kujdesshëm kur flasin në publik lidhur me operacionet kibernetike amerikane kundër Shtetit Islamik, megjithëse Sekretari i Mbrojtjes Ash Carter tha në fund të shkurtit, se do të jetë përparësi “ndërhyrja dhe përçarja e komandës, si dhe e kontrollit të ISIL-it”.
Tjetër pikësynim në këtë luftë ka qenë mbingarkimi i rrjeteve kibernetike të Shtetit Islamik, deri në pikën kur ato të mos jenë më në gjendje të funksionojnë.

Ende pa një vlerësim të plotë
Ndërsa zyrtarët e fushës kibernetike refuzojnë të shpallin shumë prej metodave që përdoren, treguesit fillestarë janë se përpjekjet e tyre janë duke patur ndikim, që shihet edhe në praktikë.
“Kjo krijon shumë konfuzion në mesin e tyre”, i tha “Zërit të Amerikës” një zyrtar amerikan, në kushtet e anonomitetit. “Kapacitetet e tyre janë degraduar pikërisht për shkak të këtij konfuzioni”.
Masa e degradimit të këtyre kapaciteteve është pyetja më e vështirë për t’iu përgjigjur.
Sipas një zyrtari të lartë amerikan, që i njeh nga afër operacionet kibernetike kundër ISIS-it, është ende shumë herët që kjo të dihet me siguri. Zyrtari tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë në procesin e vlerësimit të marrëdhënies mes rrjeteve kompjuterike të ISIS-it dhe lëvizjes së grupit, si dhe tek ekzekutimet në fushën e betejës, duke shtuar se ky proces do të kuptohet më mirë me shtimin e operacioneve kibernetike.
“ISIL deri tani është përdoruesi më i mirë i fushës kibernentike”, paralajmëroi drejtori i CIA-s, James Clapper. “Sfida jonë është të shtojmë kodimin, që e bën më të vështirë të kuptuarit nga pikëpamja e përmbajtjes, si dhe për të penetruar tek komplotimet e tyre”.