28.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Alban Meha transferohet tek “Al Nasr”

Ndaj Beshiktashit, Alban Meha luajti ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Konyaspor-it, sepse menjëherë më pas mediat turke zyrtarizuan kalimin e mesfushorit shqiptar te klubi nga Arabia Saudite Al Nasr. Edhe pse i ishte rinovuar automatikisht kontrata edhe për një tjetër sezon me skuadrën e Superligës turke, Meha zgjodhi të largohej nga qyteti i Konyas, pasi u bind nga oferta shumë më e mirë në aspektin financiar që i propozoi klubi nga Riyadi. Në vetëm një sezon, Meha arriti të fitonte zemrat e tifozëve të Konyasporit dhe kjo u dallua qartë në fitoren 2-1 ndaj kampionëve të saposhpallur të Beshiktashit. Në minutën 61 të sfidës së vlefshme për javën e fundit të kampionatit turk, 30-vjeçari shqipëtar la fushën e lojës dhe në këtë moment të gjitha duartrokitjet ishin për Alban Mehën, i cili u përshëndet në mënyrën më të mirë nga tifozët e Konyasporit, shokët e skuadrës dhe stafi teknik, për atë çfarë dha me këtë ekip.
Mediat turke zbuluan gjithashtu se ish-lojtari i Paderbornit në Bundesligën gjermane e ka hedhur tashmë firmën mbi kontratë për klubin nga Arabia Saudite. Kartoni i Mehës mësohet i ka kushtuar drejtuesve të Al Nasr rreth 1 milion euro, ndërkohë që futbollisti shqiptar nga marrëveshja e re që ka firmosur do të përfitojë një shumë tre herë më të lartë se ajo që merrte te Konyaspori, mbi 1 milionë euro në sezon. Me Konyasporin, Alban Meha shënoi 4 gola në kampionat, ndërkohë që numëron edhe 5 asist, duke e ndihmuar ekipi nga Konya të siguronte kualifikimin në fazën e grupeve të Europa League, ndërsa arriti të realizonte në një rast edhe në Kupën e Turqisë.

Rivalë për 90 minuta

Dy vëllezër. Dy rivalë. Taulant dhe Granit Xhaka janë kthyer në fenomen botëror, për përballjen e 11 qershorit ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës. Në Grupin A të Euro 2016, për herë të parë dy vëllezër do të luajnë si rivalë. Një sfidë që të dy dëshironin ta evitonin, por që tani si Taulanti ashtu edhe Graniti kërkojnë ta fitojnë.
“Natyrisht që të luash kundër vëllait nuk është një ndeshje si të gjithë të tjerat, por këto janë zgjedhjet që ne kemi bërë në jetë. Unë dhe Graniti do të luajmë në dy krahë të ndryshëm të fushës. Ai ka zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën, ndërsa unë për shtëpinë tonë. E theksoj se do të jetë një ndeshje e veçantë për të dy. Do të jetë një duel i fort, por gjithmonë brenda rregullave të lojës”, u shpreh Taulant Xhaka.
Ndërsa Graniti thotë se nuk e dëshironte këtë përballje. “Nuk është hera e parë që flasim për diçka të tillë. Prej hedhjes së shortit, biseduam rreth këtij fakti. Të dy dëshironim që të mos përballeshim në grup. Për të dy do të jetë një ndeshje e veçantë. Gjatë gjithë kohës kur ka qenë fëmijë, Taulanti luante për Zvicrën, por më pas zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë. Edhe unë kam luajtur për Zvicrën gjatë gjithë fëmijërisë dhe vazhdoj ta bëj edhe tani. Kjo është një ndeshje e veçantë edhe për të gjithë familjen tonë, që është shqiptare”, u shpreh Granit Xhaka.
“Graniti vendosi të luajë për Zvicrën dhe kjo është zgjedhja e tij. Sa herë që Zvicra ka ndeshje unë interesohem si ka luajtur skuadra, por edhe vëllai im. Por, kjo nuk do të ndodhë kur të përballemi në grup. Aty dua ta mposht”, tha Taulanti.
“Kemi menduar të vendosim një bast mes nesh, por deri më tani nuk e kemi bërë. Kemi edhe pak kohë për t’u menduar. Fillimisht uroj që të paraqitemi me shëndet të plotë në Kampionatin Europian, më pas të shohim”, tha Graniti.
Taulanti shprehet se është shumë i lumtur që luan për Shqipërinë. “Jam i lumtur për Shqipërinë. Kemi realizuar një arritje të jashtëzakonshme dhe do të bëjmë gjithçka që populli ynë të lumturohet”, tha ai.
Ndërsa, Graniti thotë se është i kënaqur që luan për Zvicrën. “Jam krenar që luaj për Zvicrën, por natyrisht që nuk mund t’i harroj rrënjët e mia. Çdo vit shkoj me pushime në Prishtinë, për të takuar të afërmit që jetojnë atje”, përfundoi Graniti.

De Biasi: Në Francë gati për çdo situatë

Gianni De Biasi nuk humbet shansin të flasë për arritjen e Shqipërisë në finalet e Euro 2016. Kjo ka ndodhur edhe në studiot e “Sky Sport”, kur ishte i ftuar në programet për finalen e Europa League. Në pritje të publikojë listën me lojtarët që do të ketë në dispozicion për evenimentin kontinental, trajneri kuqezi zbuloi objektivat. “Objektivi është që të shkojmë në Francë, për të mos qenë turistë. Por, edhe pse jemi në një grup të vështirë, do të kërkojmë të shfaqim në fushë atë që kemi bërë edhe gjatë kualifikueseve. Pra, një skuadër të vëmendshme, që luan e ngjeshur në fushë dhe gati për t’u përballur çdo situate”, u shpreh De Biazi.
Ashtu si Shqipëria, edhe De Biasi është debutues në një turne madhor. Shpërqendrimet nuk ishin të lejueshme. Madje, edhe gjatë javëve kur trajneri u përfol si kandidat për pasardhës të Antonio Contes në stolin e Italisë. “Ndihem tejet i nderuar, së pari, sepse Federata Italiane e ka mbajtur emrin tim në konsideratë. Por, e kam thënë edhe më parë: gjëja më e rëndësishme për mua në këto momente është që të përqendrohem vetëm te Kampionati Europian me Shqipërinë time”, tha trajneri i Kombëtares.
De Biasi komentoi edhe zërat se javën e ardhshme Giampiero Ventura do të zyrtarizohet në stolin e përfaqësueses axurre, për të marrë drejtimin e Italisë deri në përfundim të Botërorit 2018. “Nuk e di, por nëse është zgjedhur do të thotë se është në lartësinë e situatës dhe i uroj Venturas shumë suksese në stolin e Kombëtares italiane”, përfundoi De Biazi.

Flamurtari në vitin zero

Flamurtari sërish në vitin zero… dhe nuk është thjesht një shprehje figurative. Pas disfatës ndaj Skënderbeut, administratori Sinan Idrizi ka deklaruar se do t’i dërgojë në shtëpi të gjithë, stafin teknik e lojtarë, madje dhe ata që janë nën kontratë, një deklaratë padyshim e thënë në të nxehtë pas humbjes, por padyshim nëse merren parasysh rrethanat vështirë të gjesh një sezon më katastrofik se ai i Flamurtarit. Një skuadër ku janë investuar miliona që niset për titullin dhe detyrohet ta mbyllë me drithërima mbijetese një ndeshje me Bylisin në javën e parafundit, për ti vënë vulën pastaj me disfatën ndaj Skënderbeut. Megjithatë, ka gjithmonë dhe një por. Nëse në Vlorë gjatë menaxhimit të Idrizit do të kishin qenë më të duruar ndoshta do të kishte përfunduar ndryshe.
Një klub që gjatë sezonit kishte dy skuadra, atë që mbylli dy fazat e para dhe atë të krijuar në janar është prova më e mirë se revolucionet e menjëhershme në futboll nuk funksionojnë, ndërsa triumfi i Skënderbeut mëson se çelësi i suksesit është vazhdimësia. Natyrisht, që diçka e tillë nuk është e lehtë të realizohet në Vlorë, aty ku kërkojnë suksesin e menjëhershëm dhe nervat janë gjithmonë të nxehta, deri te barcaletat e së kaluarës, kur pas një disfate në vitet ‘80 tifozët kërcënonin se do ta shndërronin tapetin e blertë në një fushë për të mbjellë patate, por sidoqoftë vetëm krenaria në futbollin e sotëm nuk mjafton. Ajo që i duhet Flamurtarit është një projekt afatgjatë dhe vazhdimësi, nuk mund të ketë më një tjetër vit zero.

Skënderbeu sërish në vazon e parë

Nëse një vit më parë Skënderbeu ishte në ankth deri në përfundimin e të gjithë kampionateve nëpër Europë, për të siguruar praninë në vazon e parë të turit të dytë kualifikues të UEFA Champions League, këtë vit korçarët janë të qetë, sepse falë paraqitjeve shumë pozitive që kanë bërë në kompeticionet europiane gjatë sezoneve të fundit, tashmë kanë një koeficient shumë më të lartë në renditjen e UEFA-s për klube, duke u pozicionuar kështu për të dytin vit radhazi në vazon e skuadrave favorite, në ruandin e dytë paraeliminator të Championsit. Aktualisht Skënderbeu pozicionohet në vendin e 198  në klasfikimin e UEFA-s për klube teksa numëron 7825 pikë, koeficient ky që u jep të drejtën kampionëve të evitojnë një përballje të mundshme me shumë klube të mëdha europiane në turin e dytë kualifikues të Champions-it.
Në këtë mënyrë në shortin që do të hidhet në Nyon të Zvicrës në datën 20 qershor, kampionët e Shqipërisë do të bëjnë pjesë në të njëjtën vazo me klube të tilla si Red Bull Salzburg, Celtic Glasgow, Apoel Nicosia, Bate Borisov, Legia e Varshavës,  Dinamo e Zagrebit, Ludogorets, Fc Copenghagen, Qarabag etj. Për nga koeficenti, Skënderbeu pozicionohet në vendin e 12-të teksa lë pas edhe një emër të madh si kampionia e Serbisë, Crvena Zvezda, dhe duke qenë se në vazon e parë të turit të dytë do të bëjnë pjesë 17 skuadra, korçarët e kanë siguruar prezencën e tyre në të ashquajturën vazon e skuadrave favorite.
Në këtë mënyrë, rriten ndjeshëm shanset e skuadrës së Mirel Josës për të kaluar sa më shumë raunde në Europë edhe gjatë këtij viti dhe ndoshta për të rishkruar historinë ashtu si një vit më parë. Kundërshtar i mundshëm për Skënderbeun në ruandin e dytë paraeliminator të UEFA Champions League mund të jetë një prej 4 skuadrave që do të kualifikohen nga ruandi i parë, por edhe ekipe të tilla si Vardari i Shkupit, Zrinjski Mostar, Norrkoping, Fernecvaros, Olimpja Ljubljana, Mladost Podogorica, SJK, Dundalk, Liepaja apo edhe Crusaders, me të cilët Skënderbeu u ndesh edhe vitin e kaluar. 6 titujt kampion radhazi në Shqipëri, por edhe paraqitjet pozitive në Europë gjatë sezoneve të fundit tregojnë për forcën e skuadrës korçare, që edhe sezonin e ardhshëm ka shanse të mëdha për të rishkruar nga e para historinë në kompeticionet europiane.

Trump “i magjepsur” me liderin verikorean

Një ndihmës i lartë i kandidates demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, ka thënë se rivali i saj republikan, Donald Trump, ka një “magjepsje të çuditshme” me liderin verikorean, Kim Jong Un, dhe presidentin rus, Vladimir Putin.
Këshilltari i Clintonit për politikë të jashtme, Jake Sullivan, i ka bërë këto komente në përgjigje të vetë Trumpit, i cili, në një intervistë për agjencinë “Reuters”, ka thënë se do të bisedonte me diktatorin verikorean, Kim Jong Un, në përpjekje për të ndaluar Phenjanin nga zhvillimi i mëtejshëm i armëve bërthamore.
“Do të bisedoja me të (liderin verikorean, Kim Jong Un), nuk do ta kisha problem. Në të njëjtën kohë, do të bëja shumë presion mbi Kinën, sepse, ekonomikisht, kemi fuqi të jashtëzakonshme mbi Kinën; njerëzit nuk e kuptojnë këtë. Ne kemi fuqi të jashtëzakonshme mbi Kinën dhe Kina mund ta zgjidhë këtë problem (programin bërthamor të Koresë së Veriut) me një takim ose një telefonatë, sepse ajo ka fuqi të jashtëzakonshme mbi Korenë e Veriut”, ka thënë Trump.
Sullivan ka krahasuar gatishmërinë e Trumpit për të biseduar me zotin Kim, me kritikat e tij të fundit për kryeministrin britanik, David Cameron.
“Më lejoni të jem i drejtpërdrejtë: Donald Trump ofendon udhëheqësin e aleatit tonë më të afërt dhe thotë se do të bisedonte me Kim Jong Unin”, ka thënë Sullivan.
Këtë javë, Trump ka thënë se duket se nuk do të ketë marrëdhënie të mira me Mbretërinë e Bashkuar. Kryeministri britanik, David Cameron, dhe kryerari i ri i Londrës, Sadiq Khan, kanë kritikuar ashpër propozimin e Trumpit për t’iu ndaluar myslimanëve hyrjen në SHBA.
Trump “duket se ka një magjepsje të çuditshme me udhëheqësit e huaj, si Putin dhe Kim, por qasja e tij ndaj politikës së jashtme nuk ka kuptim për ne të tjerët”, ka thënë këshilltari i Clintonit, Jake Sullivan.
Koreja e Veriut ka testuar armën e parë bërthamore në vitin 2006, duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare, dhe ka bërë kërcënime të vazhdueshme për sulme bërthamore kundër Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.
Aktualisht, çdo kontakt i Phenianit me SHBA-në bëhet midis zyrtarëve dhe jo në nivel presidencial. Dy vendet nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike.
Trump, duke folur për agjencinë “Reuters”, ka thënë se nuk pajtohet me veprimet ushtarake të Putinit në lindje të Ukrainës.
“Nuk më pëlqen, nuk më pëlqen fare çfarë bën ai në Ukrainë”, ka thënë Trump, i cili më herët ka deklaruar se Putin është një figurë të cilën ai e respekton.
Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara mbahen këtë nëntor. Trump është kandidati i vetëm në garë për të marrë nominimin e Partisë Republikane si kandidat për Shtëpinë e Bardhë. Në kampin demokrat, favorite është ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Kushtetuesja pezullon zgjedhjet e 5 qershorit në Maqedoni

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë vendosi të pranojë nismën e BDI-së, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për shpërndarjen e Parlamentit të Maqedonisë, që votoi për vetshpërndarjen e tij më 23 shkurt për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja, të cilat ishin caktuar për datën pesë qershor. Gjykata gjithashtu vendosi që deri në vendimin përfundimtar të pezullojë të gjitha aktivitetet elektorale. Vendimi u arsyetua me – siç thuhet – ndjeshmërinë e situatës në të cilën ndodhet Maqedonia. Ky vendim ka shkaktuar protesta para selisë së kushtetueses në Shkup. Vendimi konsiderohet si i motivuar politikisht dhe se me këtë ndryshim kushtetues i jepet drita e gjelbërt amnistisë së shpallur më 12 prill nga presidenti Ivanov ndaj personave nën hetimin e Prokurorisë Speciale.

Veljanovski thërret seancë urgjente të Parlamentit
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë për pezullimin e vendimit për shpërbërjen e Parlamentit, shpalljen e zgjedhjeve më 5 qershor, si dhe të gjitha vendimet e tjera të miratuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski thirri seancë të jashtëzakonshme, në të cilën pritet të vendoset për anulimin e datës së zgjedhjeve të caktuara për 5 qershor.
“Duke e pasur parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e informoj opinionin e Maqedonisë se në bazë të kompetencave të përcaktuara thërras seancën plenare. Dua të shpreh besimin tim të thellë se, zhvillimi i proceseve demokratike në Maqedoni më së miri mund të bëhet në Parlamentin e Maqedonisë, për këtë arsye u bëj thirrje deputetëve pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partiake që të marrin pjesë në këtë seancë”, shprehet kryeparlamentai Veljanovski. Ndërkohë, BDI-ja ka paraqitur një nismë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor që parashikon anulimin e datës së zgjedhjeve, por pa kërkuar një datë të re për mbajtjen e tyre.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës, që sipas tij mundëson riaktivizimin e Parlamentit si hap i parë dhe i domosdoshëm për zgjidhjen e krizës së rëndë politike. “Ftoj të gjithë liderët, mediat si dhe Shoqërinë Civile që të veprojnë me përgjegjësi të plotë përballë gjendjes në të cilën gjendet vendi dhe të kontribuojnë për rikthimin e sigurisë, stabilitetit si dhe të përkushtohemi fuqishëm për një agjendë serioze reformuese”, thuhet në reagimin e kryetarit të BDI-së.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë e vlerëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese si hap që konfirmon se drejtësia në Maqedoni funksionin nën presion dhe se vendimet nuk sillen nga gjykatësit, por nga politika. “Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është edhe një dëshmi se vendimet i shkruan Nikolla Gruevski, e jo petku zyrtar në gjyq”, shprehet Renata Deskosa nga LSDM.
Për kryetarin e PDSH-së, Menuh Thaçi, vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është marrëveshje mes partnerëve të koalicionit qeveritar. “Pas këtij vendimi qëndron marrëveshja mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Vendimi duhej të ishte marrëveshje mes të gjithë partive politike”, ka thënë Thaçi.

Vendimi i kushtetueses mundësi e re për dalje nga kriza
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese hap rrugën për thirrje të Parlamentit dhe anulim të zgjedhjeve të 5 qershorit. Kjo paraqet edhe një mundësi të re për Parlamentin dhe liderët politik që të demonstrojnë me vepra përkushtim ndaj Marrëveshjes së Përzhinës, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane. “Kjo kornizë mbetet mënyra më e mirë për ta nxjerrë vendin nga kriza aktuale”.
SHBA bënë thirrje që urgjentisht të anulohet edhe amnestia e 12 prillit që solli presidenti Ivanov, ku janë të përfshirë edhe persona që hetohen nga Prokuroria Speciale. Në këtë mënyrë do të ruhet parimi i përgjegjësisë, do të shmanget drejtësia selektive dhe do të neutralizohen shqetësimet rreth mosndëshkimit. “Puna e papenguar e Prokurorisë Speciale është jetike për të siguruar përgjegjësi për keqpërdorimet e mundshme në lidhje me përgjimet, si dhe për të tejkaluar krizën aktuale”, thuhet në kumtesën e ambasadës amerikane.

Ekspertët juridik: Gjykata është e politizuar
Profesori Lubomir Fërçkovski vlerëson, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregon qartë se “baba” i Gjykatës Kushtetuese është ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Sipas tij për këtë vendim ka vendosur Nikolla Gruevski dhe askush tjetër, pasi ai është nikoqir i kësaj gjykate dhe ka vendosur që në moment të fundit të heqë dorë nga zgjedhjet e 5 qershorit.
“Zot i Gjykatës Kushtetuese është Nikolla Gruevski, kjo u dëshmua sot kur të gjithë gjykatësit njëzëri vendosën që të shpallin si kundër kushtetues vendimin për vetshpërbërjen e Parlamentit. Me këtë, Gruevski përfundimisht tregoi qartë se nuk guxon të shkojë në zgjedhjet e 5 qershorit”, ka thënë Lubomir Fërçkovski.
Nëse konfirmohet se VMRO dhe BDI, kanë shkelur Kushtetutën me vendimin për shpërbërjen e Parlamentit, deputetët e këtyre partive duhet të mbajnë përgjegjësi penale. “Ata duhet të kenë përgjegjësi morale dhe juridike lidhur me këtë çështje. Sipas dispozitave ligjore: “Deputeti në miratimin e çdo vendimi shfaq vullnetin e tij dhe nuk përgjigjet penalisht”. Por, në raste konkrete, për vendimet antikushtetuese dhe antiligjore atëherë kërkohet përgjegjësi penale”, deklaron profesor Kadriu.
Ekspertët vlerësojnë se gjykatat megjithatë nuk do t’i dënojnë deputetët e VMRO-DPMNE dhe BDI-së edhe nëse dëshmohet se kanë shkelur Kushtetutën.

Rriten me 8.8% veprat penale të krimit kompjuterik

Me sofistikimin e teknologjisë, “përparojnë” dhe metodat e vjedhjeve e mashtrimeve. Tashmë nuk duhet të ruash vetëm kuletën, apo sende të tjera me vlerë, por edhe të jesh i kujdesshëm me përdorimin e kartave bankave, apo fjalëkalimeve. Mashtrimi, falsifikimi, apo ndërhyrja kompjuterike rezulton se janë shtuar vitin e kaluar.
Nga të dhënat statistikore të deklaruara, rezulton se në vitin 2015 ka një rritje prej 8,8% të numrit të procedimeve të regjistruara për vepra penale të krimit kompjuterik në krahasim me vitin 2014, ndërsa numri i procedimeve të dërguara për gjykim është në të njëjtin nivel.
Pesha specifike që ky grup veprash penale zë për vitin 2015 është 0,4% ndërsa për vitin 2014, ky grup veprash përbënte 0,37% të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi. Pra, vihet re një rritje e këtij treguesi për vitin 2015 në krahasim me vitin 2014.
Treguesit për të pandehurit gjatë vitit 2015 rezultojnë me ulje dhe përkatësisht, kemi ulje prej 71% të numrit së të pandehurve të regjistruar përkundrejt këtij totali në vitin 2014, ulje e numrit të të pandehurve, të cilët i janë dërguar gjyqit prej 76% në krahasim me vitin 2014.
Të dhënat socio-demografike të të pandehurve të regjistruar për këtë grup veprash penale, si gjinia, mosha, arsimi, gjendja shoqërore, vendbanimi e gjendja gjyqësore, paraqiten në mënyrë të detajuar në vijim:
Nga të pandehurit e regjistruar për këtë grupveprash penale, rezultojnë të rritur (mbi 18 vjeç) 11% femra dhe 89% meshkuj. Ndër to, vetëm një i pandehur i mitur mashkull dhe në vitin 2015, është regjistruar 1 i pandehur i huaj. Në lidhje me arsimin e të pandehurve rezulton se 37,5% e të pandehurve janë me arsim deri 9-vjeçar, 37,5% me arsim të mesëm dhe 25% të pandehur me arsim të lartë. Rezulton se të gjithë të pandehurit kanë vendbanimin në qytet. Pra, tendenca është e tillë që ka një prani të këtij fenomeni në qytet. Në lidhje me gjendjen gjyqësore të të pandehurve, theksojmë se pjesa më e madhe e të pandehurve janë të padënuar më parë.

Llojet e veprave penale që janë konstatuar:

a.Mashtrimi kompjuterik
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Kundër krimit kompjuterik” për vitin 2015 është 44%, ndërsa për vitin 2014 ka qenë 40,8%. Nga të dhënat statistikore vërehen tendenca në rritjen e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 143/b i Kodit Penal “Mashtrimi komputerik” në vitin 2015, prej 17,6% në krahasim me vitin 2014.
b.Falsifikimi kompjuterik
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Kundër krimit kompjuterik” është 13% për vitin 2015, ndërkohë që në vitin 2014 ka qenë 21,6%.
c.Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Kundër krimit kompjuterik” është 34% për vitin 2015, ndërkohë që në vitin 2014 ka qenë 23%.

Societe nxjerr në shitje 49 pasuri me vlerë 8.4 mln euro

Javën tjetër, Banka Societe Generale zhvillon ankandin për shitjen 49 pasurive të paluajtshme me vlerë 8.4 milionë euro, të cilat janë marrë në administrim në këmbim të kredive të pashlyera në kohë. Ankandi do të zhvillohet me 26 maj dhe burimet zyrtare te bankës pohojnë se, banka do të ofrojë ulje për çmimet e këtyre pasurive nga 30-80% sipas llojit.
Banka sqaron se, ofertat do të pranohen me zarf deri më 23 maj, ndërsa pjesëmarrja në ankand mund të bëhet edhe me skype.
Ankandi bazohet në modelin e çmimit të rezervuar dhe funksionon në këtë mënyrë. Pronat kanë një çmim shitje që është gjithmonë publik dhe gjendet në webin e Bankës, por ankandi fillon me çmim zero. Gjithkush nga të pranishmit është i lirë të ofertojë një vlerë që e gjykon të arsyeshme tha Ardian Hasa, Drejtori i Divizionit Operacional në Bankën Societe.
Pothuajse të gjitha bankat tregtare në vend kanë krijuar departamente të posaçme për shitjen dhe administrimin e pronave të marra nga debitorët që nuk kanë shlyer kreditë e marra. Këto janë prona, që pas dështimit të ankandeve të organizuara nga përmbaruesit i kanë kaluar në pronësi bankave.
Krahas shërbimeve financiare që ofrojnë për individët dhe bizneset, bankat tashmë kanë të atashuara edhe pasuritë e paluajtshme të ofruara për shitje. Banka Raiffeisen, ka ofruar një paketë prej 210 pronash në të gjithë vendin për shitje. Shpallje të tilla në web-et përkatëse kanë më së shumti Tirana Bank, Alpha Bank, Banka Kombëtare Tregtare, Societe Generale, etj., por secila nga bankat ka zgjedhur një mënyrë të vetën për të shitur pasurinë e lënë peng.
Vlera e pronave që bankat duhet të shesin për të mbuluar kreditë me probleme është afërsisht 68 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro). Mirëpo kjo shumë duket se po rezulton në një flluskë në momentin e ekzekutimit të tyre për shkak të një mori pengesash që po i çojnë zhvlerësojnë kolateralet nga vlerësimi i bankave deri tek ekzekutimi i tyre nga përmbarimi.
Një problem me shumë influencë është çështja e tregut të pasurive të paluajtshme, informaliteti që e ka mbërthyer atë, mungesa e një indeksi zyrtar të pasurive të paluajtshme, ka pohuar Shoqata e Bankave në një qëndrim të posaçëm për “Monitor”.

Rusia dhe Gjermania bojkotojnë turizmin në Turqi

Rusia dhe Gjermania po bojkotojnë Turqinë në turizëm, por nga kjo situatë po përfitojnë shqiptarët. Drejtuesit e agjencive turistike në Tiranë parashikojnë një sezon pozitiv sa i përket kërkesës për të pushuar në plazhet e Turqisë. Prenotimet kanë nisur që në muajin janar, por sinjalet që janë marrë se Turqia këtë vit do të jetë më lirë kanë shtuar ndjeshëm prenotimet. Sipas drejtuesve të këtyre agjencive, tarifat e akomodimit në resortet turke janë ulur mesatarisht me 20-25% në krahasim me të njëjtën kërkesë të një viti më parë. Sipas tyre rritja e kërkesës së shqiptarëve për të pushuar në brigjet turke është favorizuar për disa arsye.
Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin se, Rusia dhe Gjermania dy tregjet që furnizonin më së shumti Turqinë me turistë (9 milionë në total) e kanë bojkotuar. Të dhënat zyrtare të shtetit turk flasin për rënie të numrit të vizitorëve gjermanë në rreth 40%. Gjermanët duket se këtë vit do të pushojnë tjetërkund e me gjasë do të zgjedhin destinacionet e Europës Jugore. Nga ana tjetër është Rusia. Goditja e avionit rus nga ushtria turke në kufirin me Sirinë në nëntorin e të vitit të kaluar duket se po i kushton shtrenjtë Turqisë. Numri i turistëve rusë u ul me rreth 60% krahasuar me marsin e vitit 2015. Të ardhurat nga kjo industri pritet të bien në 20 mld dollarë, rënia më e madhe që nga fillimi i Depresionit të Madh.
Në mars, numri i turistëve ndërkombëtar u ul me rreth 13% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Turizmi është një sektor i rëndësishëm për ekonominë turke, pasi zë 6% të PBB-së dhe 8% të forcës së përgjithshme të punës.
Një tjetër faktor që do të ndikojë në shtimin e kërkesës së shqiptarëve për të pushuar në Turqi është se Greqia parashikon të zbatojë çmime më të larta krahasuar me një vit më parë. Drejtuesit e agjencive turistike në Tiranë thonë se, dyndja kryesisht e rusëve do të bëjë që Greqia të rrisë çmimet për të përfituar sa më shumë.
Pak ditë më parë, qeveria shqiptare miratoi liberalizimin e përkohshëm të regjimit të vizave me vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, por edhe të Arabisë Saudite me qëllim që të ndihmohet turizmi vendas.