Çako nuk i’u përgjigj asnjë pyetjeje të anëtarëve të komisionit ndërsa të vetmet përgjigje që dha ishin se pritet që konkluzionet t’i japë Prokuroria
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako mashtroi publikisht dje në Komisionin e Sigurisë duke mohuar ekzistencën e pajisjes së përgjimit dhe përdorimin e saj nga ana e Policisë së Shtetit. Çako ishte në Komisionin e Sigurisë për t’iu përgjigjur deputetëve lidhur me pajisjen e përgjimit. Ai tha që në nisje se nuk ka dijeni për përgjimet dhe se ka vënë në dispozicion të hetimit për këtë pajisje gjithë burimet e nevojshme policore. Por ndryshe nga Çako, ishte vet Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili pranoi ekzistencën e pajisjes së përgjimit dhe përdorimin e kësaj pajisjeje, sipas për qëllime trajnimi. Gjatë mbledhjes së djeshme, Çako nuk i’u përgjigj praktikisht asnjë pyetjeje të anëtarëve të komisionit ndërsa të vetmet përgjigje që dha ishin se pritet që konkluzionet t’i japë Prokuroria. Kreu i policisë theksoi se i ka vënë në dispozicion Prokurorisë të gjithë dokumentacionin përkatës për të hedhur dritë mbi këtë veprimtari.
Flamur Noka: Kemi thirrur edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit zotin Haki Çako, që të hedhim dritë mbi këtë çështje që të jemi transparentë.
Haki Çako: Unë deklaroj në përgjegjësinë time të plotë që policia në të gjithë veprimtarinë ka kryer detyrat e saj në kuadër të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë. Jam mëse i qartë se gjatë gjithë veprimtarisë së saj nuk ka pasur, nuk ka dhe bazuar në ligj nuk do të ketë pajisje përgjimi, nuk ka kryer dhe nuk kryen përgjime.
Flamur Noka: Kaq mendoni ju se ishte e nevojshme të sqaronit…
Haki Çako: Përgjigjem për çdo gjë që më lejon ligji. Nëse ka filluar procedim penal gjithçka do të hetohet.
Flamur Noka: A ekziston në dijeninë tuaj një pajisje e tillë përgjimi apo lokalizimi e futur në territorin e Shqipërisë dhe në pronësi të kujt është ajo? Nëse ekziston, a keni dijeni kush e ka sjellë, në çfarë rrugësh ka hyrë dhe a është zbatuar ligji dhe procedurat doganore për këtë pajisje?
Haki Çako: Prej disa ditësh në lidhje me këtë fakt ka filluar procedim penal dhe për të cilin jam vënë në dijeni. Çdo hetim duhet ta nxjerrë hetimi dhe Prokuroria. Që në momentet kur u vura në dijeni vura në dispozicion burimet dhe policinë për t’i shërbyer hetimit.
Flamur Noka: Tani unë ju pyeta, a ekziston pajisja e shumëpërfolur, keni dijeni apo jo? Dispononi një pajisje të tillë.
Haki Çako: Policia e Shtetit nuk ka pasur as ka në inventarin e saj pajisje të përgjimit të telekomunikacionit. Policia e Shtetit ka mjetet dhe metodat e veta, gjurmimi është koncept tjetër. Policia e Shtetit nuk ka një pajisje të përgjimit telefonik.
Asllan Dogjani: A ka qenë një pajisje në Vlorë dhe është përdorur për trajnimin e punonjësve të policisë? Ku ndodhet tani aktualisht kjo pajisje dhe në sa vende është vendosur kjo pajisje deri tani? Nëse keni bërë trajnime, kush i ka trajnuar punonjësit e policisë dhe cili është roli i Interforce në këtë trajnim? Përse nuk ja dorëzoni Prokurorisë së Përgjithshme këtë pajisje, pasi është bërë thirrje për ta vënë në dispozicion vetë vonesa më bën të dyshoj që mund të ndërhyhet deri në zhdukjen e gjurmëve të përgjimeve në aparaturën që është përdorur nga ana juaj…
Paulin Sterkaj: Kemi fatin e mirë që kemi një drejtor policie që i ka kapur të gjitha shkallët e karrierës. Nuk mund të shprehet më tepër sepse i bëhet barrë dhe prish hetimin. Nuk është si Ajazi që thotë cenohet siguria kombëtare dhe nuk ka informuar Kryeministrin. Ky është drejtori i Përgjithshëm i Policisë që e njeh mirë ligjin. Mendoj se këtu mbarojnë pyetjet. Ky thotë s’ka pajisje, kaq informacion kemi. Ne thirrën prokurorin e Përgjithshëm nuk erdhi, sepse çështja është në hetim. Ju keni bërë një akuzë publike, por nuk keni asnjë lloj materiali. Drejtori i Përgjithshëm nuk mund të përgjigjet për çështje teknike të kësaj situate.
Flamur Noka: Më vjen mirë zoti Sterkaj për avokatinë që i bën drejtorit. Drejtori nuk është thirrur këtu i akuzuar, që t’i nevojitet një avokat në krah. E kemi thirrur për të na informuar në një seancë dëgjimore.
Haki Çako: E gjithë veprimtaria e Policisë së Shtetit është e sanksionuar në legjislacion. Por mbi të gjitha është ligji për Policinë e Shtetit, ligji për Policinë Gjyqësore. E gjithë kjo veprimtari mbikëqyret dhe drejtohet nga Prokuroria, i cili është institucioni i vetëm i procedimit penal. Unë kam vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet, të gjithë njerëzit në strukturat e Policisë së Shtetit. I janë vënë Prokurorisë në dispozicion i gjithë dokumentacioni përkatës për të hedhur dritë mbi këtë veprimtari. Policia e Shtetit nuk ka patur inventar, nuk ka administruar, as në përdorim, as në administrim dhe as në inventar pajisje të tillë. Më duhet të ritheksoj se kontakti, mbështetja, garancia e tyre është deri në elementët më konkretë. Policia nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk ka se si të ketë pajisje në kundërshtim me ligjin. Ne jemi të hapur për çdo lloj hetimi.
Flamur Noka: Monitorimi është në bazë të ligjit, pastaj e bëjnë partnerët. Përgjigjuni pyetjeve të zotit Dogjani.
Haki Çako: Kam deklaruar në detaje çdo gjë që mund të thuhet.
Flamur Noka: A mund të na thoni për çfarë ka hapur çështje penale Prokuroria?
Haki Çako: Mund të pyesni prokurorin.
Noka-kolegëve: Çfarë e keni gjithë këtë nxehje, sikur ju pickon gjarpri? Kjo është seancë pyetje-përgjigje, s’po ju bëjmë gjyqin.
Asllan Dogjani: E di çfarë duhet të jetë sekret hetimi, kam punuar në polici dhe e di. Ne nuk mund të diktojmë përgjigjen e tij, por jam i paqartë pse drejtori futet në një guackë duke iu shmangur transparencës ndaj publikut. Iu kam bërë pyetje për aparaturën s’ka lidhje me sekretin hetimor. Keni një aparaturë që e keni përdoruar për trajnim dhe kush janë specialistët që janë marrë me trajtimin e policisë. Ministri tha se kemi një aparaturë për gjurmimin e personave në kërkim ndërkombëtar, keni aparatura të tilla apo jo? Ne duhet të jemi transparentë. Në lidhje me Interforcën, a ka ajo një aparaturë të tillë?
Haki Çako: Zoti Dogjani në respekt të të qenurit koleg, këto që ju kërkoni janë pjesë e hetimit. Nuk po mbyllem, por po ju ritheksoj se Policia e Shtetit. Policisë nuk i lejohet përgjimi i telefonave. Të gjitha të tjerat janë të administruara në dosje, cenon hetimin dhe më vë para përgjegjësisë ligjore.
Asllan Dogjani: Ne jemi të pajisur me leje sigurie nëse doni, të ikin mediat dhe ne nuk i nxjerrim sekretet hetimore ashtu si e gjykon ti.
Haki Çako: Unë jam i thirrur nga ju, deklaroj çfarë konsideroj ligjore. Mos kërkoni gjëra që nuk ua deklaroj.
Pjerin Ndreu: Përderisa Prokuroria po heton mbi punën e tij, pozita e tij është pak specifike.
Keltis Kruja: Ju ishit më transparencëdashës kur kishim këtu kreun e SHISH. T’i përgjigjet pyetjeve sipas mënyrës së vet.
Luan Rama: Ripërsëris ftesën për të qenë me etikë. Nuk jemi palë, ca që janë me drejtorin e Përgjithshëm dhe ca me drejtorin e Shërbimit. Zoti Drejtor i Përgjithshëm në një prononcim të Presidentit është bërë thirrje të mos bëhet hetim duke aluduar se nuk kemi dashur ta vini në dispozicion pajisjen e përgjimit. Keni dijeni që ndonjë nga vartësit tuaj kanë hezituar të dorëzojnë gjithçka që Prokuroria kërkon?
Haki Çako: Prej momentit që Prokuroria ka kontaktuar me Drejtorinë e Policisë së Shtetit ne kemi venë në dispozicion të gjitha kapacitetet e nevojshme, gjithçka që lidhet me këtë çështje. Në asnjë rast në përgjegjësinë time askush nuk është bërë pengesë nga strukturat e policisë. Përveç faktit që jemi vënë në dijeni të fillimit të një procedimi penal, kemi komunikuar me oficerë të Policisë Gjyqësore që janë marrë me këtë çështje. Askush nuk është bërë pengesë për hetimin e kësaj çështjeje. Jam mëse i bindur që Prokuroria do të arrijë në një konkluzion, nëse ka ose jo përgjegjësi qoftë edhe për mua personalisht.
Flamur Noka: Ju përmendni që është hapur një çështje hetimore nga Prokuroria. Për çfarë është hapur kjo çështje hetimore zoti Drejtor? Për çfarë çështje jeni thirrur, për çfarë është kjo çështje penale?
Haki Çako: Dosja hetimore është pasuri dhe e drejtë legjitime e Prokurorisë. Unë nuk mund të bëj prokurorin.
Keltis Kruja: Unë nuk jam i qartë për ekzistencën ose jo të pajisjes. Pyetja ime është, një pajisje e tillë është përdorur nga policia shqiptare për trajnime dhe përgjime e gjurmime?
Haki Çako: Policia e Shtetit të gjitha trajnimet, të gjithë veprimtarinë e saj, qoftë dhe atë të përgjimeve e ka bërë në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar. Ne nuk kemi patur dhe nuk kemi pajisje të përgjimit, çdo veprimtari tjetër është në përputhje me ligjin. Në lidhje me gjithçka aludohet, është administruar në dosjen penale.
Flamur Noka: Ministri jot ka folur në një emision televiziv që ka një pajisje që ka ardhur për trajnim nga Interforce. Keni dijeni për ekzistencën e kësaj që ka folur ministri apo jo?
Haki Çako: Unë thashë atë që unë mendoj, nuk kam frikë nga asgjë. Për sa kohë ju deklarova që jam i hapur nuk ngurroj të jem në përputhje të plotë me ligjin. Nuk besoj se jam këtu për të komentuar kërkënd, asnjë subjekt. Unë deklaroj përgjegjësinë time, unë thashë dhe them që policia nuk ka pasur dhe nuk ka një pajisje të tillë.
Flamur Noka: Çështja është shumë e thjeshtë, ne besojmë se në këtë seancë dëgjimore me drejtorin e policisë morëm atë çka mund të na ofronte drejtori i policisë. Drejtori na tha se është hapur një çështje penale, por nuk na tha se për çfarë është hapur kjo çështje. Indirekt drejtori dhe ministri na thanë se kjo pajisje qenka përdorur nga një polici tjetër.
Mashtrimi i kreut të Policisë: Nuk ka pajisje përgjimi
Tmerr, tre vajza minorene përdhunohen në jetimore
Tjetër skandal në jetimoren e Shkodrës. Fëmijët janë abuzuar seksualisht, janë keqtrajtuar dhe detyruar për të punuar. Këto fakte zbulohen nga Prokuroria e Shkodrës, që dje ka urdhëruar ndalimin e punonjësve të Qendrës së Fëmijëve, të dyshuar për “Keqtrajtim të të miturve” dhe “Shpërdorim detyre”.
Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e disa punonjësve të Qendrës Rezidenciale të Fëmijëve Shkodër, nën varësinë e Bashkisë përfshirë ish-drejtoreshën, në vijim të hetimit për disa ngjarje tronditëse që dyshohet se kanë ndodhur me fëmijët në këtë institucion.
Prokuroria e Shkodrës pak ditë më parë ka marrë sinjalizim nga institucioni i Avokatit të Popullit, në bazë të të cilit kishte të dhëna se mbi fëmijët që jetonin në këtë Qendër kishte abuzime nga personeli.
Prokuroria e Shkodrës ndërmori menjëherë veprimet hetimore, në bazë të të cilave janë krijuar dyshimet e arsyeshme se punonjës të personelit të Qendrës kanë abuzuar fizikisht, kanë keqtrajtuar dhe i kanë vënë në punë të detyruar fëmijët e Qendrës Rezidenciale.
Sipas Prokurorisë, nga hetimi i deritanishëm është zbuluar edhe një fakt tejet i rëndë. Në bazë të aktit të ekspertimit përkatës, rezulton se tre fëmijë të mitur, femra janë abuzuar seksualisht dhe defloruar. Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se dhuna seksuale ka ardhur për shkak të neglizhencës së personelit të Qendrës Rezidenciale.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e shtetasve:
A. Llazani, ish-drejtoreshë e Qendrës Rezidenciale për Fëmijë, Shkodër
B. R. Camaj, punonjëse e Qendrës.
Sh. Nishani, punonjëse e Qendrës.
N. Rramolli, punonjëse e Qendrës.
V. Marku, punonjëse e Qendrës.
Sipas Prokurorisë, këto punonjëse dyshohen për konsumimin e elementëve të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Keqtrajtimit të të miturve”. Urdhrat e ndalimit të Prokurorisë së Shkodrës janë ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.
Nuk është rasti i parë që në Jetimoren e Shkodrës fëmijët dhunohen dhe keqtrajtohen. Një vit më parë u publikua një video skandaloze, ku kujdestarja e Jetimores së Fëmijëve, në Shkodër dhunon barbarisht fëmijët e strehuar në këtë institucion. Në video dukej qartë se si një prej kujdestareve dhunon me shkelma një fëmijë të vogël, i moshës rreth 6 vjeç.
Më pas, ajo i ulet në prehër. Ndonëse fëmija qan, vazhdon të qëndrojë në prehrin e tij. Ndërkohë, një tjetër fëmijë rrëzohet dhe kujdestarët nuk dënjojnë që të kujdesen për ta ngritur nga toka. Pamjet janë vërtetë shokuese.
Pasi videoja është publikuar në media, Prokuroria nisi hetimet ndaj tre kujdestareve për dhunë mbi fëmijët dhe shkelja e të drejtave të tyre. Megjithëse ministri Klosi deklaroi se ngjarje të tilla nuk do të përsëriten më, skandali këtë herë ka qenë edhe më i madh në Jetimoren e Shkodrës, pasi fëmijët jetimë jo vetëm që janë dhunuar, por tre vajza të mitura janë përdhunuar. Skandali është zbuluar nga Prokuroria e Shkodrës, e cila ka lëshuar edhe urdhër arrestet për tre punonjës të Jetimores.
R.POLISI
Pse emri i Grillos të Interforcë del tek droga dhe përgjimet?
Në korrikun e vitit 2015, Michele Grillo, shefi i misionit të Interforcës italiane në Tiranë, udhëtoi bashkë me drejtorin e Policisë Haki Çako e të tjerë me një avion mbi jugun e vendit.
Avioni ishte i pajisur me disa radarë specialë që diktonin mbjelljet me kanabis. Ishte një udhëtim sa për shfaqje, për të dhënë mesazhin se situatën e kemi nën kontroll.
Por nuk vonoi shumë dhe në shtator të 2015 në Itali autoritetet italiane kapën një avion të vogël me 400 kg kanabis në një pistë sportive.
Ngjarja bëri bujë dhe të arrestuarit ishin një qytetar italian dhe një shqiptar.
Reagimi ishte i menjëhershëm dhe droga u dyshua si e ardhur nga Shqipëria. Por në kulmin e presionit mbi një trafik droge me avionë dhe vetëm 2 muaj pas aksionit me radarë, Shefi i Interforcës në Tiranë Michele Grillo, doli në “Top-Channel” dhe deklaroi se avioni nuk ishte ngarkuar në Shqipëri, por kishte bërë lëvizje vetëm brenda Italisë.
Por Grillo u përgënjeshtrua nga Guardia di Finanza dhe Policia e Shtetit italian, e cila në komunikatën zyrtare shkruante se sasia e drogës ishte ngarkuar në Shqipëri dhe komunikata qartësonte se avioni kryente transportin nga Shqipëria drejt Italisë.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha publikoi komunikatën zyrtare të policisë italiane dhe përgënjeshtroi publikisht Grillon.
Ky ishte rasti i parë, kur u pa qartësisht se Shefi i Interforcës Michele Grillo, ishte përfshirë në lojë politike në krahë të ministrit Tahiri, duke deformuar faktet dhe duke mashtruar publikisht për të fshehur implikimin e palës shqiptare në trafikun e drogës.
Ishte interesante se si Grillo kurdisi një spektakël në korrik, gjasme për të identifikuar me radarë parcelat e kanabisit, ndërsa në shtator u implikua në një skenar politiko-mediatik për të fshehur trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë me avionë.
Por emri i Grilos ka dalë së fundmi dhe në skandalin e përgjimeve. Ai është italiani që dyshohet si personi kyç që ka mundësuar pazarin e sigurimit të një aparature të sofistikuar përgjimi, madje dyshohet se ai është dhe personi që ka mundësuar futjen e saj në Shqipëri nëpërmjet logjistikës së Interforcës.
Nuk është e qartë, nëse implikimet e Grillos janë vetjake apo nëse kanë prapavijë shtetërore nga Italia.
Por tashmë janë bërë dy raste ku del emri i tij, rasti i parë me drogën dhe rasti i dytë me aparaturën përgjuese dhe Grilo duket se është italiani i punëve të pista të Saimir Tahirit.
Ambasadori Italian: Çështja nën hetim
Ambasadori Italian në Shqipëri ka reaguar për herë të parë në lidhje me pajisjen e përgjimit që ka ardhur në Shqipëri nga skuadra special e policisë italiane e njohur si Interforca. Diplomati Italian Alberto Cutillo tha se nuk mund të japë detaje në lidhje me një çështje që tashmë është në hetim nga autoritetet. “Nuk mund të komentoj në lidhje me këtë çështje në një kohë që është në zhvillim nga hetimet përkatëse. Aktualisht mund të them që ka vetëm një bashkëpunim maksimal mes Shqipërisë dhe Italisë” u shpreh ai. Prokuroria shqiptare tashmë është në pritje të përgjigjes nga Interforce për pajisjen që sipas Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako ka shpërbyer për trajnim në Akademinë e Policisë dhe jo për përgjime. Organet e hetimit kanë nisur marrjen në pyetje të personave në dijeni për pajisjen e përfolur të përgjimit. Për gati dy orë zv/drejtori i Policisë së Shtetit Ardian Çipa është marrë në pyetje në lidhje me pajisjen e përgjimit.
Kokëdhima i mori para Balilit për ta bërë Drejtor
Dega e Partisë Demokratike Delvinë deklaron se, ish-deputeti i PS, Koço Kokëdhima po përdor dëshmitarë të rremë për të fshehur lidhjen e tij me baronin e drogës, Klement Balili. Në një reagim të degës së Partisë Demokratike, Delvinë shpjegohet se personat që kanë folur në emër të strukturave të PD-së në media dhe që janë nga fshati Stjar kanë mashtruar, pasi janë militantë socialistë. Po ashtu theksohen lidhjet që ka ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima me Klement Balilin.
“Oligarku Koço Kokëdhima, i kapur në shkelje të ligjit nga Gjykata Kushtetuese, ka fabrikuar sot në gazetën e tij një mashtrim ordiner, në përpjekje për të mbuluar lidhjet e tij të afërta e të drejtpërdrejta me Klement Balilin, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Eshtë pikërisht Kokëdhima, për të cilin të gjithë në Sarandë e në Delvinë e dinë që i ka marrë para Balilit për ta emëruar në krye të Transportit Rajonal, që nxjerr gënjeshtra të qëllimshme në gazetën e tij”, thuhet në deklaratën e PD të Delvinës.
Dega e Partisë Demokratike Delvinë deklaron se qytetari Hamza Hamza, që përdoret si dëshmitar i rremë nga Kokëdhima, jo vetëm nuk është pjesë e strukturave të PD Delvinë, por ishte në ballë të fushatës së mazhorancës së sotme në vitin 2013 e 2015. “Dega e Delvinës në fshatin Stjar, përfaqësohet me kryetarin Murat Skura”, përfundon deklarata e PD, Delvinë.
Greku Anagnostopoulo është takuar me Balilin në Sarandë
Krahu i djathtë i Klement Balilit, shtetasi grek Ksenofondos Anagnostopoulo ka hyrë disa herë në Shqipëri dhe e ka takuar ish-drejtorin e Transportit në Sarandë. Ksenofondos Anagnostopoulo ishte përgjegjës për sigurimin e shoferëve të rinj për transportin e lëndës narkotike drejt Gjermanisë dhe që kishte rolin e kujdestarit për të arrestuarit e grupit të Kelment Balilit. “Tv Klan” informoi se, Anagnostopoulo rezulton se ka qenë disa herë në Shqipëri. Sipas të dhënave, për herë të fundit, ai ka hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Kakavijës më 5 mars të këtij viti dhe ka dalë dy ditë më pas.
Kryesisht, hyrje-daljet në pikat kufitare, 52-vjeçari i bënte në këmbë dhe përgjithësisht, përdorte pikën kufitare të Qafë Botës, për të arritur më shpejt në Sarandë. Në informacionet e mbledhura, Anagnostopoulo rezulton se herën e fundit, në Shqipëri ka qëndruar në resortin e Balilit, ku dyshohet se është planifikuar transporti nëpërmjet detit i 700 kg kanabis të papërpunuar.
Sasia e drogës u kap gjatë operacionit ndërkombëtar nga policia greke në ishullin Zakinthos. 52-vjeçari ishte autorizuar për këto bisedime nga koordinatori i transportit, greku Gjeorgio Alifandi.
Ksendofonda Anagnostopulo, sipas policisë greke, është anëtar kyç i organizatës kriminale, pronar i kompanisë tregtare të makinave të përdorura, i ngarkuar me gjetjen e kamionëve për transportimin e sasisë së narkotikëve, magazinimin e përkohshëm të saj në shtetin grek dhe transportimin e mëtejshëm drejt vendeve të Europës Perëndimore, përmes Greqisë.29
Ndërkohë, Klement Balili zyrtarisht është në kërkim, pas mbërritjes së urdhër-arrestit ndërkombëtar nga Interpol Athina. Një informacion i mbërritur mbrëmjen e së hënës në polici, bënte me dije se Balili fshihet në periferi të Tiranës në një banesë private të një të njohuri të tij. Pista e dytë është ajo e largimit në drejtim të Maqedonisë nëpërmjet kufirit të gjelbërt për të cilën po shkëmbehet informacion me palën maqedonase.
Ndërsa një tjetër mënyrë largimi ku po hetohet është përdorimi i dokumenteve greke me identitet të rregullt dhe foto të falsifikuara të Balilit e përdorur për të kaluar në mënyrë legale pikën kufitare.
Klement Balili u zhduk një ditë, pasi nga zyra e tij në Drejtorinë e Transportit të Sarandës deklaroi se, ai nuk ishte i përfshirë në trafikun e 700 kilogramëve marijuane të kapur në Zakinthos të Greqisë. Operacioni kundër rrjetit të narkotrafikut çoi në arrestimin e 15 personave në Greqi dhe 2 të tjerëve në Belgjikë.
R.POLISI
Jo reformë për ti gjetur vende pune Dvoranit dhe Ibrahimit
-Pse duhet një draft paralel zoti Basha kur është rënë dakord që baza e Reformës në Drejtësi të jetë drafti i dy ekspertëve të OPDAT dhe EURALIUS?
Basha: Konstatimi i dytë është i gabuar Everest. Vetë ekspertët kanë shkruajtur të kuqe mbi të bardhë që këtu ka një sërë çështjesh politike që kërkojnë rakordim politik. Dhe për ta bërë procesin transparent dhe për të mos e lënë pre të keqinformimit të publikut, sa me dashje nga ata që e kanë vonuar me të vërtetë reformën për dy vite me radhë e sa padashje nga ata që nuk e dinë se çfarë është reforma. Opozita për këtë pjesë të kuqe mbi të bardhë, për zgjidhjet politike, po ofron vizionin e saj në përputhje me rekomandimet e “Venecias”.
Në fakt i takonte mazhorancës ta bënte, nuk e ka bërë. Arsyet përse nuk e ka bërë është më mirë të mos i paragjykojmë meqë kërkojmë dialog me ta. Por opozita edhe kësaj radhe po tregon se ka kredibilitetin dhe vullnetin për të ecur përpara me reformën. I takonte mazhorancës t’i kishte hedhur këto hapa. Po i hedhim ne këto hapa edhe në raport me komponentin antikorrupsion.
Ata sollën një reformë të orientuar nga kapja politike e sistemit me Saimir Tahirin nën një sqetull me pajisje përgjimi dhe nën sqetull tjetër BKH-në. Ne e sollëm në një reformë standard, pra e hoqëm zvarrë nga duart e atyre që donin ta kapnin sistemin e sollëm këtu, por ka nevojë për përmirësime të tjera. Po ku në fund të fundit kemi një sistem që i shërben qytetarëve, jo politikanëve, i shërben qytetarëve dhe jo politikës.
Qytetarët kanë nevojë për një gjyqësor të pastër nga korrupsioni, për një prokurori të pastër nga korrupsioni që heton dhe vë para përgjegjësisë penale apo para përgjegjësisë civile shkelësit e ligjit sipas ligjit. Dhe jo sipas porosive të Edi Ramës, apo të Ilir Metës, jo sipas pasurisë apo influencës të Klement Balilajt, apo të Habilajt, apo të Emiljano Shullazit por sipas ligjit. Ky është thelbi i Reformës në Drejtësi dhe Partia Demokratike, në fakt nuk dua të flas për veten time, por ekspertët tanë meritojnë dhe sot kanë përgëzimin tim maksimal që edhe në këtë hap ne jemi përpara mazhorancës. Po shkojmë me një draft për atë që na kërkohet nga “Venecia”, nga komuniteti ndërkombëtar, zgjidhjet politike për strukturën e sistemit.
-Zoti Basha, sa i takon strukturës, Partia Demokratike kërkon thjeshtëzim të arkitekturës së sistemit të drejtësisë me heqjen e të paktën tre institucioneve. A rrëzohet kështu Reforma në Drejtësi, PS ka thënë që në fillim se arkitektura e drejtësisë nuk preket? E ka thënë edhe “Venecia”
Jeni të keqinformuar kur citoni “Venecian”, duhet të kini pak më shumë informacion. Ju takon të kini më shumë informacion kur citoni një nga organet më superiore të drejtësisë në Europë siç është “Venecia”. “Venecia” e ka thënë e para që sistemi është tepër i komplikuar dhe duke qenë kaq i komplikuar kemi dyshime se mund të qëndrojë në këmbë dhe se Shqipëria ka kapacitetin e mjaftueshme ta mbajë në këmbë.
Pas kësaj thotë që ne takuam Fatmir Xhafën dhe Fatmir Xhafa siguroi që në Shqipëri ka mjaftueshëm njerëz që sistemi të qëndrojë në këmbë dhe ne jemi të përgatitur të pranojmë një sistem të tillë, në qoftë se palët bien dakord. Mos ta harrojmë këtë pjesë të rëndësishme.
Po tani në qoftë se Fatmir Xhafa ka thënë që ne kemi 12 persona që do t’i paguajmë sa Presidenti i Republikës dhe shtatë të tjerë që do t’i paguajmë dy herë sa Kryeministri për të bërë gjyqtarin e gjyqtarëve, kur shqiptarët kanë 25 vite tranzicion që shohin se ne mezi gjejmë anëtarët e përshtatshëm për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë atëherë kjo s’kërkon një analizë të thellë akademike, ligjore e politike. Shqiptarët e dinë që ne vuajmë për kapacitete të tilla. Kush janë këta 12 fatosa dhe 7 pionierë që do marrin përsipër?!
Arkitektura e sistemit mund dhe duhet të thjeshtohet për t’i shërbyer sistemit, për t’i shërbyer qytetarëve.
Ne ecim me propozime, të cilat i shërbejnë qytetarëve. Në qoftë se duam t’i gjejmë vend pune Sokol Sadushit, Genti Ibrahimit, Ardian Dvoranit, Kristaq Trajës, Fatmir Xhafës në qoftë se e ka ndërmend për nesër, Enkelejd Alibeaj në qoftë se ka aspiratë të hyjë, atëherë hajde të bëjmë një reformë që t’i gjejmë punë 17 vetave me rrogë 6 milionë lekë në muaj. Por kjo nuk është Reformë në Drejtësi.
Gjërat janë shumë të thjeshta dhe nuk duhet të fshihemi pas paragjykimeve. Partia Demokratike është futur me vullnet të pastër për t’i dhënë shqiptarëve një sistem drejtësie që funksionon. Jo një sistem drejtësie që punëson me rroga të majme njerëz politikë. Jo një sistem bipartizan, një sistem jopartizan.
Këto propozime sot kanë marrë formë të plotë dhe i ka marrë Grupi Parlamentar. Javën e ardhshme do të mblidhemi përsëri, si një parti e debatit të hapur, jo e misterit, si një parti e mendjes së hapur, jo e syve të mbyllur dhe dorën lart për diçka që nuk e ka lexuar njeri. Do diskutojmë. Një diskutim, i cili po kështu do të jetë publik, do të ndahet me qytetarët. Do të ndahet edhe me ju gazetarët që edhe ju të keni mundësinë të gjykoni se çfarë zgjidhjesh propozon Partia Demokratike dhe pse zgjidhjet tona funksionojnë. Sigurisht janë zgjidhje standard dhe janë zgjidhje, tek kjo këmbëngul, në përputhje me atë çfarë ka thënë Komisioni i Venecias.
Tahiri mashtroi Komisionin parlamentar të Sigurisë
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri mashtroi Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare duke deklaruar se, Policia e Shtetit nuk ka patur dhe nuk ka pajisje përgjuese. Me këtë deklaratë Tahiri ka kundërshtuar vetveten, sepse tre ditë më parë ai deklaroi publikisht në emisionin “Top Story” se ekziston një pajisje përgjuese, por ajo po përdoret për trajnimin e punonjësve të policisë në Akademinë e Rendit.
Gjatë një bisede në “Top Story” lidhur me përgjimet e paligjshme nga policia, Tahiri tha se policia ka një pajisje përgjimi, e cila ka ardhur disa javë më parë në Shqipëri. “Policia ka një pajisje përgjimi, e cila ka ardhur disa javë më parë në Shqipëri. Ajo pajisje i përket partnerëve të huaj të policisë dhe është vetëm për çështje trajnimi të punonjësve të policisë”, deklaroi Tahiri.
Në fillim të seancës, drejtuesi i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka është përplasur me ministrin Tahiri. Ky i fundit është thirrur të dëshmojë në Komision për pajisjen ilegale përgjuese të policisë, por filloi duke treguar reformat e qeverisë për Policinë e Shtetit. Tahiri u shpreh se, trashëguan një polici të degraduar, por ka ndërhyrë menjëherë drejtuesi i Komisionit Flamur Noka, i cili i ka kërkuar të mos tregojë se çfarë reformash kanë bërë, por të flasë vetëm për çështjen për të cilën ishte thirrur në Komision për të dëshmuar, për pajisjen e përgjimeve. Pas insistimit të Nokës për t’iu përmbajtur çështjes së pajisjes së përgjimit, Tahiri u shpreh se, Policia e Shtetit do të përdorë çdo pajisje që është e ligjshme.
Tahiri tha më tej se në policia ka vetëm pajisje përgjimi, sipas ligjeve, që përdoren për trajnim të punonjësve të policisë. Por deputeti i PD, Asllan Dogjani iu drejtua tahiri se si ka mundësi që policia të trajnohet për përgjime nme pajisje përgjimi në një kohë që kjo e drejtë është vetëm e Prokuroprisë dhe jo e policisë?! Ministri Tahiri nuk preferoi t’i përgjigje pyetjes së deputetit Dogjani.
I pyetur nga Noka se përse kjo pajisje përgjimi ishte dërguar fillimisht në Vlorë, Tahiri u përgjigj se, pajisjet e përgjimit të policisë mund të dërgohen në çdo komisariat për trajnim. “Ajo mund të përdoret edhe në ujë edhe nën tokë”, tha Tahiri, duke u shprehur se nuk mund të flasë për specifika të tjera, pasi kjo është e drejtë e policisë.
Para Tahirit dëshmoi në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili mbajti të njëjtin qëndrim si Tahiri, duke deklaruar se nuk ka asnjë pajisje përgjimi në Policinë e Shtetit. Deputetët socialistë kanë ndërhyrë sa herë që deputetët e opozitës i drejtonin pyetje Çakos për të mos e lejuar që të shprehet lirisht për pajisjen e përgjimit.
Pajisja e përgjimit është instaluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku është përgjuar Kreu i Shtetit, kryetari i opozitës, dhe kundërshtarët e Ramës si dhe personalitetet të ambasadave të huaja dhe gazetarë. Ky sknadal me përmasa të mëdha ka tronditur opinionin publik, ndërsa Tahiri dhe vartësit e tij mundohen ta fshehin.
Pajisja e përgjimit ndodhej në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ndërsa të martën është larguar natën prej andej dhe është dërguar në Akademinë e Rendit ku edhe është manipuluar.
Basha: Çështjet e mbetura për zgjidhje, përmes dialogut politik
Grupi parlamentar i PD nisi dje diskutimin e draftit të amendamenteve kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së grupit, Basha kërkoi dialog politik për zgjidhjen e pikave që po diskutohen.
“Dua të falenderoj përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Ad-Hoc për Reformën në Drejtësi dhe ekspertët e opozitës, të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Dua t’i falënderoj nga zemra për cilësinë e kësaj pune. Sot Grupit parlamentar të Partisë Demokratike iu bë një prezantim i plotë i draftit të amendamenteve kushtetuese për Reformën në Drejtësi me të gjitha reflektimet e ekspertëve dhe anëtarëve tanë të komisionit.
Parlamentarët tanë, parlamentarët e opozitës do të marrin gjithë javën e ardhshme, deri të mërkurën e ardhshme do të bëjnë një diskutim të zgjeruar për këtë draft të amendamenteve kushtetuese, i cili në vlerësimin tim i jep zgjidhjet më të plota dhe më racionale për të gjitha çështjet e mbetura peng si rezultat i mungesës së dialogut politik dhe po kështu të shpreh shpresën se ky dialog politik nuk do të vonojë. Bëhet fjalë për komponentin e sistemit, pasi për komponentin antikorrupsion Partia Demokratike tashmë është shprehur qartë dhe prerë pro krijimit të strukturave të posaçme antikorrupsion, SPAK-ut, BKH-së, apo siç quhet tani njësisë hetimore të posaçme dhe natyrisht edhe pro procesit të verifikimit të integritetit të figurës së gjyqtarëve e prokurorëve apo siç njihet në anglisht procesit të “Vetingut”.
Për pjesën e sistemit ku “Venecia” ka thënë qartë që palët politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i ofruar shqiptarëve zgjidhje të standardit europian, Partia Demokratike ka tashmë një draft të konsoliduar, që u është prezantuar parlamentarëve. Dhe javën e ardhshme pas një diskutimi në grupin parlamentar të rakorduar plotësisht, ky draft do të përbëjë edhe bazën e negociatave tona me Partinë Socialiste, me Lëvizjen Socialiste për Integrim në procesin e finalizimit të diskutimit të draftit kushtetues për Reformën në Drejtësi” u shpreh Basha.
Drejtuesit e policisë thirren në Prokurori
Aparatura e përgjimit, që dyshohet se përdoret në mënyrë të paligjshme nga Policia e Shtetit, çon në Prokurori zyrtarë të lartë të uniformave blu.
Pasditen e së martës, prokurorët Anisa Qilimi dhe Gjergj Tako kanë marrë në pyetje për rreth 6 orë 4 drejtues të policisë.
Me cilësinë e personave që kanë dijeni, Prokuroria ka pyetur drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit z.Haki Çako, Zv/drejtorin z.Ardian Çipa, shefin e operacionales së Policisë Artion Duka dhe drejtorin teknik të efektivëve blu Edmond Goga.
Sipas akuzës, i pari është pyetur drejtori Çako, i cili ka shpjeguar se pajisja për të cilën ka nisur hetime Prokuroria, është vetëm për identifikimin e numrave të telefonit. Pajisje kjo që sipas tij, është përdorur vetëm për trajnime.
Sa i përket përgjimit, mësohet se Çako ka thënë se ajo pajisje nuk përgjon numra telefoni, por vetëm identifikonte numrat që kanë personat në përdorim.
Ndërsa për vendndodhjen e saj, kryepolici është shprehur se ajo është në pronësi të Interforcës italiane.
Të njëjtin qëndrim, mësohet se ka mbajtur para hetuesve edhe zv/drejtori Ardian Çipa, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike përgjimin e ndonjë numri. Gjatë seancës së marrjes në pyetje, Çipa ka pretenduar se kjo pajisje është përdorur vetëm në trajnimin e agjentëve të policisë, që janë pjesë e sektorit të operacionales. Për këtë fakt, prokurorët kanë marrë në pyetje edhe drejtuesin e njësisë së operacionales, Artion Duka.
Mësohet se Duka ka pranuar se agjentët e tij kanë përdorur këtë pajisje në trajnim, por që shërben për identifikimin e numrave të individëve që janë në ndjeke nga agjentët e operacionales. Ai ka thënë se, kjo pajisje ka qenë në ambientet e drejtorisë së tij, ku oficerët janë trajnuar. Prokurorët gjithashtu, kanë pyetur edhe drejtorin teknik të policisë, i cili ka sqaruar anën teknike të kësaj pajisje, duke mohuar që ajo aparaturë kryen përgjime telefoni.
Sipas akuzës, të 4 personat e pyetur me cilësinë e dëshmitarëve, edhe pse veçmas nga njëri-tjetri, kanë deklaruar se pajisja ndodhet pranë Interforcës italiane dhe jo Policisë së Shtetit.
Për këtë fakt, burimet zyrtare të Prokurorisë i thanë ABC News se i është nisur një shkresë Ambasadës italiane, ku kërkohet identifikimi dhe vënia në dispozicion e programeve dhe pajisjeve që Interforca ndihmon Policinë e Shtetit. Edhe pse kjo shkresë është dërguar që ditën e premte, ende Prokuroria nuk ka një përgjigje.
Llalla: Cënim i sigurisë kombëtare, kush pengon hetimin do të arrestohet

Kryeprokurori Adriatik Llalla u paraqit rreth orës 14:50 në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, për të raportuar në lidhje me të ashtuquajturën pajisje përgjimi. Prokurori i Përgjithshëm tha se procedimi penal ka nisur për shpërdorim detyre, në bazë të indicieve se në territorin e Shqipërisë ka hyrë një pajisje gjurmuese apo përgjuese. “Çështja vazhdon të jetë nën hetim me qëllim zbardhjen e rrethanave të saj. Ne po të kishim pengime nga qeveria për hetimin e kësaj çështjeje do kishim hapur procedim penal për pengim të hetimeve të mëtejshme”, tha Llalla duke sqaruar se “ka nisur procedim penal për shpërdorim detyre mbi bazën e dyshimit se në Shqipëri ka një pajisje përgjimi”.
LALLA: Të nderuar anëtarë të Komisionit, në përgjigje të ftesës suaj jam përpara këtij Komisioni për t’ju informuar se Prokuroria në bazë të informacionit nga SHISH dhe të dhënave mediatike ka nisur procedim penal për shpërdorim detyre mbi bazën e dyshimit se në Shqipëri ka një pajisje përgjimi. Hetim që ka nisur me indicie se në territorin e Shqipërisë janë futur pajisje gjurmuese apo përgjuese, nën hijen e dyshimit i them të gjitha këto, sepse jemi në fazën e hetimit.
LUTAJ: Meqë keni ardhur dhe jeni paraqitur në Komision do kërkoja mirëkuptimin tuaj të ruaj me këtë çka thatë, hetimin d.m.th. Por do ju bëjmë disa pyetje. Kemi qëndrime shumë të ashpra të Presidentit të Republikës, se institucione qeveritare po pengojnë në zbardhjen e kësaj të vërtete.
Keni ndjerë ju pengesë në punën tuaj? Pyetja e dytë, meqë ju jeni këtu ballë nesh, keni fatin e madh të jeni këtu, ne kemi pasur një situatë të tillë para disa vitesh. Ka qenë një reagim i palës opozitare për përgjime. Për këtë ka një denoncim zyrtar në Prokurori, nuk pati përgjigje zyrtare nga Prokuroria për këtë çështje.
NOKA: Lutaj nëse keni çështje të tjera lërini, përmbaju rendit…
LUTAJ: Drejtuesi i SHISH ju ka lënë përgjegjësinë kryesore që gjithë këtë çka është komentuar kësaj kohe, është konsumuar vetëm me ju. Informacion gojor që ai e ka konsideruar të ligjshëm t’ua thotë, por ju keni zgjeruar përmasat. Keni bërë veprim dinjitoz, por ndryshe nga sa keni vepruar vite më parë?
Ruaj rezervat për këtë
LLALLA: Rasti për të cilin diskutohet, hetimi ka nisur pas informacioneve të SHISH¬-it, si edhe në bazë të dhënave mediatike dhe të dhënave të tjera. Hetimi ka nisur në daten 13 Maj, pra ka vetëm 5 ditë që ka filluar. Ne kemi kryer kërkime të rëndësishme hetimore. Prokuroria është angazhuar dhe ka ngritur një grup të posaçëm pune për të përfunduar në një kohë të shkurtër hetimet. Lidhur me përgjimet e viteve ’90-¬të hetimet nuk janë përfunduar.
LUTAJ: Nuk mora përgjigje për dy gjëra. Keni marrë informacion me shkrim apo formal. Qeveria është akuzuar nga Presidenti se kemi cenuar sigurinë kombëtare
NOKA: Po është prokuror, nuk mund të bëjë komente politike
LUTAJ: Keni pengesa nga qeveria shqiptare mbi këtë çështje.
NOKA: Bëhu serioz
LUTAJ: Kam bërë dy pyetje nuk kam marrë përgjigje
LLALLA: Dua të theksoj se, Kodi Penal parashikon edhe veprën penale të moszbulimit të së vërtetës. Nëse Prokuroria do të ketë pengesa nga qeveria apo zyrtarë mund të hapë procedim penal.
LLALLA: Do nisin hetimet.
RAMA: Më lejoni të shpreh një konsideratë për Prokurorin e Përgjithshëm që ka ardhur në Komisionin e Sigurisë. Edhe pse i qëndroj qëndrimit tim se ligjërisht kjo seancë është nul. Ne praktikisht jemi në tejkalim të kompetencave tona për të thirrur këtu Prokurorinë. Prokuroi pohoi se ka nisur një hetim 4 –5 ditë më parë për këtë çështje. Ndaj do të thotë se, indicia nuk ka qenë informimi i kreut të SHISH, por reagimi i mediave. Për të sqaruar opinionin më shumë, pasi ne jemi ligjbërës, më lejoni të citoj nenin 222 për pajisjet e identifikimit, për të përgjuar, të ligjshme dhe të paligjshme, ‘përgjimi në vendet publike, regjistrimi i nr të telefonit, dhe vendndodhjen, autorizohet vetëm nga prokurori”. Ndaj ky debat nuk ja vlen të vijojë më tej, ndaj t’ja lëmë Prokurorisë për të zbardhur të vërtetën.
STËRKAJ: Nuk ka asnjë pengesë ndaj mbaron dëgjesa dhe jemi dakord që ta mbyllim këtë mbledhje.
NOKA: Është hapur duke u iniciuar nga një informacion me shkrim apo me kryesisht?
LLALLA: Është diskutuar si çështje si informacion gojor i kreut të SHISH dhe mediave. Në rastin konkret bëhet fjalë për një çështje me rëndësi të madhe, pasi cenohen interesat kombëtare.
RAKIPI: Keni dijeni për këtë pajisje që është futur në Shqipëri?
LLALLA: Hetimi do të zbardhë të gjitha këto çështje. Rezultatet besoj do të dalin së shpejti për t’i dhënë përgjigje këtij rasti.
NOKA: Ajo që është e rëndësishme sa i takon transparencës është se në këtë komision rezultoi se ekziston një pajisje që nga ministri pranohet, nga kreu i policisë herë pranoi herë. E falënderojmë kryeprokurorin për përgjigjet ndaj pyetjeve të deputetëve. Çështja pse ky komision ka kërkuar këto seanca ishte, se a ekziston në territorin e Shqipërisë një pajisje e tillë. U pranua nga ministri dhe kryeprokurori se pajisja ekziston. Ministri Brendshëm dhe kreu i policisë duhet të japin dorëheqje që hetimi të jetë i plotë, prezenca e tyre në detyrë do të thotë se ata përpiqen dhe po ndikojnë për të penguar procesin hetimor.