40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Bashkia e Mallakastrës asgjëson parcelat e policisë me kanabis

Kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj ka bërë publik në faqen e tij në “Facebook” një operacion të Policisë Bashkiake kundër kultivimit të bimëve narkotike, në zonën e quajtur “Lumara 2”. Sipas Kapllanajt, dy parcela prej rreth 6000 m2, pronë publike, ishin zaptuar për të kultivuar kanabis. Kryebashkiaku akuzon Policinë e Shtetit se nuk ka ndërhyrë qëllimisht në këtë zonë të Mallakastrës ku është kultivuar drogë. Sipas tij, jugu dhe gjithë vendi është kthyer në kartel droge.
“Të nderuar miq! Pas informacioneve, që sapo kanë filluar të më vijnë për zaptim të pronave publike në territorin e Bashkisë Mallakastër, dje, së bashku me Policinë Bashkiake organizova një operacion kontrolli dhe verifikimi. Nga kontrolli në zonën e quajtur “Lumara 2” konstatuam se ishin zaptuar dy parcela prej rreth 6000 m2. Ishin punuar në të gjithë sipërfaqen dhe ishin hapur gropa gati për t’u mbjellë!! Çfarë do mbillej thoni ju?? Do të mbillej bimë narkotike cannabis sativa! Do të pyesni ju se nga e kuptuat se do të mbillej pikërisht bimë narkotike??!! Sepse në njërën nga këto parcela ishte “kultivuar” fare pa teklif, një fidanishte me rreth 2500 kubikë. E po ashtu, ishte ngritur edhe një “kamping” i pajisur mirë me tre dyshekë për të fjetur, me mjetet e punës, me tubo plastike për ujitje, orendi shtëpiake për të gatuar, madje edhe ushqime.
Në pamje të parë dukej tamam një kamp veror. Kuptohej fare lehtë se këta “kultivues” kishin gjetur garanci, qetësi dhe mbrojtje, sepse fare të patrazuar kishin gjetur guximin për të ngritur haptazi dhe kultivuar plantacionin e tyre të drogës! Më informojnë se, në këtë zonë, parcela të tilla janë shumë, madje një situatë e tillë është pothuajse në të gjithë Mallakastrën. Një gjendje e pandodhur kurrë më parë. Dje, ishte dita ime e parë e kontrollit dhe e verifikimeve në terren dhe ky që sapo ju rrëfeva ishte rezultati i frikshëm. Ju garantoj që nuk do të rresht çdo ditë dhe do t’ju faktoj se Mallakastra, ashtu si gjithë jugu dhe gjithë vendi është kthyer në kartel droge, ku territori çdo ditë po i dorëzohet pa kushte krimit dhe drogës. Unë dhe ju nuk pajtohemi me këtë gjendje! Unë dhe ju besojmë tek puna, rendi dhe ligji. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të ndershëm të denoncojnë rast pas rasti. Jam i bindur se të gjithë ju miq të mi dhe të gjithë qytetarët mallakastriotë nuk e doni Shqipërinë si Kolumbi. E pra, të nderuar miq kjo është “Rilindja”! Ne jemi kundër dhe do luftojmë çdo ditë për kontrollin e territorit”, shkruan Kapllanaj në “Facebook”.

Mziu: Qeveria ka braktisur Kamzën, ja projektet për 2016

“Gjykata hodhi poshtë një akuzë politike duke më dhënë pafajësi”. Kjo ishte deklarata e kryebashkiakut të Kamzës dhe kryetarit të degës vendore të PD, i ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku përballë Avni Nezajt, kryeredaktor i lajmeve në TV “Channel One”, Brahim Shima, redaktor i lajmeve në TV “A1” si dhe Ilir Nikolla, kryeredaktor i gazetës “55. “Kjo është dalja e parë pas vendimit të Gjykatës, por edhe pas një viti, ku kam patur përpara dy sfida; ajo e fitimit të mandatit të tretë në Bashkinë e Kamzës, të cilën unë e kisha premtuar nga kjo studio si dhe po aq e rëndësishme është edhe sfida ndaj padrejtësisë politike që u bë ndaj meje dhe tashmë unë kam një vendim të formës së prerë, ku shpallem i pafajshëm. Sa i përket gjyqit, ajo çfarë mund të komentoj unë është që çështja për të cilën kishte të bënte me mua pati një kalvar të gjatë kohor prej rreth dy vite e gjysmë dhe që e imponoi mazhorancën politike dhe kryeministrin që ta përdorte në fjalorin e tij në çdo rast, edhe në Kuvend, edhe në mbledhje partie, edhe në fushatë elektorale.
Madje, nëse ju kujtohet, Kryeministri në çdo takim që bënte, jo vetëm në Kamëz, por në çdo qytet të Shqipërisë në fushatë elektorale, thoshte që kandidati i Partisë Demokratike e ka vendin në burg ose minimalisht në shtëpi. Dhe në fakt, as në burg nuk shkova dhe as në shtëpi nuk shkova, por vazhdoj të jem në bashki i votëbesuar për herë të tretë nga qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit. Pra, shkova në Bashki dhe besoj që drejtësia kishte të gjitha argumentet e nevojshme ligjore për të më shpallur të pafajshëm”, tha Mziu. Ndër të tjera z.Mziu shtoi se, “Me qëllimin për të më dënuar mua politikisht ka ndodhur një dënim për bashkinë, të cilën unë drejtoj, sepse, me keqardhje mund të them, në tri vite zero investime nga institucionet e pushtetit qendror ndaj Bashkisë së Kamzës”. Marrjen e pafajësisë z.Mziu e ka konsideruar vetëm një nga sfidat e jetës përballë makinerisë së pushtetit, duke i bërë presion drejtësisë, duke shtuar se: “Mund ta konsideroj një betejë, sepse do të thotë që ndërpritej karriera ime politike, por unë pak a shumë në këto beteja kam qenë i sprovuar, sepse kam shkuar në shkollë të lartë me vonesë, pavarësisht se isha me të gjitha notat 10 dhe e kam vuajtur. E mbaj mend që në atë periudhë kam shkuar me detyrim ushtar dhe vuaja nga ai regjim.
Në njëfarë mënyre kisha një imunitet ndaj kësaj përplasjeje politike. Por siç e theksova edhe më parë, duke mos pasur argumente, e konsideroja një betejë shumë të rëndësishme, sepse ishte një përballje e drejtpërdrejtë me Kryeministrin, por kisha besim tek drejtësia dhe u realizua”. Pyetjes nëse do të kërkonte dëmshpërblim z.Mziu iu shpreh se, “mua s’më intereson dëmshpërblimi, mua më intereson marrja e pafajësisë dhe ngritja e kauzës për të mos u vendosur përpara presionit politik as njerëz politikë, por as njerëz të drejtësisë. Unë jam në betejë të vazhdueshme për të realizuar atë se çfarë u kam premtuar qytetarëve të Kamzës. Besoj që dëmshpërblimi më i madh ndaj kësaj akuze politike ishte fitorja më datë 21 qershor të 2015-ës”.

Shqipëria digjet nga krimi dhe skandalet, Rama krihet

Krim, drogë dhe prostitucion janë prurjet e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama. Skandalet e përditshme që prekin këtë mazhorancë, tregojnë se Mark Frroku, Armando Prenga, Arben Ndoka në Parlament nuk ishin aksidente, por pjesë e një organizate kriminale që ka marrë peng pushtetin në Shqipëri. Një kryetar bashkie që prostituon me një vajzë 20-vjeçare në këmbim të bukës së gojës, një drejtor rajonal transporti që trafikon qindra e qindra tonë drogë në Europë janë bërë lajme të zakonshme. Skandalet nuk kanë të sosur dhe pa marrë mirë jehonë njëri, shpërthen tjetri dhe lufta e vetme që dëgjon është mes PS-së dhe LSI-së se i kujt është pushti, i kujt është krimineli, pasi turpin e hanë së bashku.
Parlamenti, qeveria, administrata dhe çdo institucion që kontrollon kjo mazhorancë janë shndërruar në një njollë turpi për çdo shqiptar. Vrasës që arratisen me ndihmën e ministrit të Brendshëm, trafikantë droge që përdorin makinën e ministrit të Brendshëm, përdhunues që mbrohen nga ministri i Brendshëm, janë histori që mund të ndodhin vetëm në Shqipëri dhe në Shqipërinë e qeverisur nga Edi Rama. Fakte skandaloze të zbuluara nga media shqiptare dhe ajo ndërkombëtare tregojnë se ky pushtet është qelbur dhe qytetarët janë të shokuar se si mund të ndodhin këto gjëra në vendin e tyre. Edi Rama, ai që ka detyrimin për të folur, zgjedh të ndjekë ndeshje basketbolli dhe të përdridhet nëpër dasma, duke mos marrë përgjegjësi dhe si për ironi vesh edhe bluzën me mbishkrimin “WTF”.
I kërkuar nga gjithë policitë e Europës, Eskobari i Ballkanit trajtohet dhe shoqërohet si personalitet nga Kryeministri, ministri i Brendshëm dhe policia nuk guxon as ta ndalojë, as ta arrestojë. Kokëdhima thotë se Eskobari është ushtari i bandës së kryeparlamentarit, por policia dhe kufiri janë nën komandën e Ramës dhe Tahirit. Nuk duhej të shfaqej Balili për të mësuar se kriminelët kanë imunitet në këtë vend. Frroku, Prenga, Roshi, Bushi, Shullazi dhe qindra banditë të tjerë në këtë vend na kanë treguar se Edi Rama lë kokën për ta edhe kur vrasin policë, edhe kur vrasin qytetarët në komisariatin e policisë, edhe kur janë të dënuar për krime dhe ambasadori amerikan kërkon publikisht që të mos zgjidhen.
Këta janë një ndërmarrje kriminale që në krye të bizneseve kanë zgjedhur Edi Ramën dhe askush nuk guxon t’u afrohet. Nuk ka fatkeqësi më të madhe kur polici shqiptar i thotë policit grek se nuk mund të arrestojë kapobandën e një organizate kriminale që shpërndan drogë në Greqi, Itali, Belgjikë, Skandinavi, sepse nuk ia mban nga Kryeministri. Nuk ka fatkeqësi më të madhe kur polici detyrohet të lërë vendin e të kërkojë azil, pasi krimineli që kapi rezultoi se ishte ortaku-kushëri i ministrit të Brendshëm dhe Tahiri ia ka bërë benë. Nuk ka fatkeqësi më të madhe kur polici malazez kap vrasësin duke kaluar kufirin dhe drejtori i policisë i thotë lëreni të lirë se kam urdhër nga Kryeministri që të mos ta prekim. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se sa kur polici holandez ndalon vrasësin, ministri i Brendshëm falsifikon dosjen e vrasësit për ta lënë të lirë. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se sa kur kryepolici i Tiranës bëhet shoferi i kryemafiozit të kokainës dhe i ofron skafin e ministrit të Brendshëm për t’u arratisur. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se sa kur shteti vihet nën kontrollin e bandave kriminale.
Janë shumë që kërkojnë të dinë se si mund të marrë fund kjo gjendje, se cila është rrugëdalja, se çfarë duhet të bëjnë shqiptarët, çfarë duhet të bëjnë ndërkombëtarët. Këta të fundit mund të bëjnë diçka, por kurrë nuk mund ta ndryshojnë. Askush nuk mund të thotë se krimi mundet me vota apo mjete demokratike. Po të ishte kështu nuk do të kishte polici. Rruga e vetme për të mundur krimin qeveritar është forca e qytetarëve të lirë deri në largimin e këtyre fundërrinave nga pushteti. Këta banditë forcën e shqiptarëve duhet ta shohin në rrugë, përballë zyrave të tyre që i kanë shndërruar në bordello, atje ku jepen tenderat, atje ku firmosen koncesionet, atje ku mbjellin drogën, atje ku lirohen kriminelët, atje ku bllokohen bizneset e pista të pushtetarëve. Kryebashkiaku i Mallakastrës shkatërroi dje një plantacion me drogë, nesër në Tiranë duhet ndaluar një koncesion, diku tjetër duhet bllokuar një tender. Forca e qytetarëve duhet për të mbrojtur një vajzë 20-vjeçare, për të mbrojtur paratë dhe pasuritë publike, për të mbrojtur të sotmen dhe të ardhmen e atyre që kanë zgjedhur të jetojnë në këtë vend. Bandë bëjnë qelbësirat dhe burracakët. T’ua tregojmë vendin një orë e më parë. Rama le të vazhdojë të krihet, por këtë vend të mos e lëmë të digjet!

Balili drejt Kubës, Rama e ndihmoi të arratisej pa e regjistruar në sistemin TIMS

Ish-¬Kryeministri, Sali Berisha akuzon qeverinë dhe Policinë e Shtetit se kanë lejuar Klement Balilin që të dalë nga Shqipëria pa lënë gjurmë në sistemin TIMS. Sipas Berishës, Balili është nisur drejt Kubës, por fillimisht ka ndaluar në Vietnam. Berisha citon burime të mirëinformuara të cilat bëjnë të ditur se me të njëjtin skenar, ashtu siç u lejuar arratisja e Arben Frrokut, është lejuar edhe arratisja e Klement Balilit.
“Edvin Shullazi përcjell Edeskobar-in me nderime shtetërore drejt Hanoit me destinacion Kubën! Edvin Shullazi, pas zbulimit nga autoritetet greke dhe amerikane të Edeskobarit, mikut të ngushtë të Edi Ramës dhe sivëlla Kokëdhimës, njoftoi shqiptarët nëpërmjet Saje Qorrit se prej kohësh policia shqiptare po bënte hetime rreth grupit në fjalë. Me këtë dezinformim të Saje Qorrit, me të cilin Rama kërkonte të mashtronte opinionin publik brenda dhe jashtë vendit për lidhjet e tij dhe sivëlla Kokëdhimës direkte me Edeskobar-in, pardje, Rama përcolli me “nderime” shtetërore, pa e regjistruar në sistemin TIMS, Edeskobar-in drejt Kubës, drejtim në të cilin nisën edhe Arben Frrokun, por që ky nuk zbatoi porosinë dhe u kthye në Holandë, në vendin e krimit ku dhe e arrestuan.  Edeskobar, thanë burime të informuara mirë, është nisur për në Hanoi nga do të kalojë direkt për në Kubë. Në ishullin e Karaibeve ai do të jetë nën mbrojtjen dhe kujdesin e Genti Xhixhës.
Vetëm 24 orë pas largimit me nderime shtetërore të Edeskobar-it nga Shqipëria dhe 72 orë pas denoncimit nga unë të lidhjeve të tij me Ramën dhe sivëlla Kokëdhimën ky i fundit reagoi ndaj akuzave të mia duke ja faturuar Edeskobar-in Metës, që është në Washington. Madje në reagimin e tyre të trashë, sivëllezërit shkuan aq larg saqë deklaruan se unë gjoja paskërkam bërë fjalë për një hotel që ai paskërka me Ilir Metën. Lidhur me sa më sipër deklaroj sa vijon:
– Edeskobari ka patur lidhje shumë të ngushta me Ramën dhe sivëlla Kokëdhimën dhe për këto ka fakte të pakundërshtueshme!
– Edeskobari mund të jetë edhe vëlla me Ilir Metën, por se ai ishte prej kohësh në hetim nga policia shqiptare nuk e tha Edmond Panariti, por e tha Saje Qorri.
– Edeskobari mund të jetë njeri i afërt me Ilir Metën, por me nderime shtetërore e përcolli për në Kubë Edi Rama nëpërmjet Saje Qorrit dhe jo Ylli Manjanit apo Petrit Vasilit.
Së fundi, reagimi i vonuar ndaj akuzave të mia, vetëm pas largimit të Edeskobarit nga Shqipëria, të sivëlla Kokëdhimës dëshmon se ata nuk guxuan ta shesin atë tek Meta sa kohë ai ishte në Shqipëri” shkruan Berisha në reagimin e tij.

Të enjten familjarët pohuan “zhdukjen” e Balilit

Që prej ditës së enjte, pas shkarkimit nga posti i kreut të Transporteve në Sarandë, Klemend Balili u zhduk pa lënë gjurmë. Sipas gazetës Panorama e cila kishte kontaktuar me familjarët e ish-drejtorit, citoi se kishin thënë se nuk kishin mundur ta kontaktonin që prej ditës së enjte.
Të enjten në mëngjes, mësohet se Balili kishte shkuar në punë ku kishte paraqitur kërkesën për dorëheqje, kërkesë e cila nuk ishte pranuar dhe më pas kishte ardhur shkresa për shkarkimin e tij nga detyra.
Familjarë të Balilit, kanë treguar se ditën e enjte ai ishte  nisur për në Tiranë, por që prej atij momenti, ata nuk kanë mundur të kontaktojnë me të.
Shtypi grek ka shkruar për Balilin duke e cilësuar si ‘Escobari i Ballkanit’, që drejton organizatën kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës në vendet e Europës Qëndrore dhe në shtete nordike.
Sakaq, Greqia ka lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar për të, ndërsa në Shqipëri, Policia nuk nisi asnjë operacion për kapjen e tij.

CNN rikonfirmon: Policia shqiptare tha “nuk e arrestojmë Balilin se ka lidhje politike”

Rrjeti televiziv i përgjigjet letrës së ambasadës shqiptare në Athinë, duke ju referuar një takimi sekret në Shqipëri, mes policisë shqiptare dhe asaj greke. “Përfaqësuesi i palës shqiptare tha se Balili nuk mund të preket se ka lidhje të forta politike”. Në Greqi, portali informativ CNN.Gr dhe Ambasada shqiptare në Athinë janë përfshirë në replika mbi dyshimet se shqiptari Klement Balili që cilësohet “si truri” i trafikimit në Greqi të 700 kg marijuanë mbrohet nga politikanë të lartë në Tiranë. Pas një shkrimi të CNN në gjuhën greke ku thuhej se oficerë të policisë shqiptare u kishin deklaruar partnerëve greke gjatë një takimi sekret në Shqipëri se “baronin shqiptar” nuk mund ta arrestonin për shkak se ai kishte mbrojtje politike ne Tiranë, reagoi zyrtarisht Ambasada shqiptare në Athinë. Përmes një letre të nënshkruar nga drejtuesi i zyrës së ndërlidhjes të policisë shqiptare në Ambasadën shqiptare në Athinë, Andi Likaj, vihej në dukje se asnjë pjesëtar i policisë shqiptare nuk ka deklaruar që baroni i drogës ka mbrojtje politike në Tiranë. Sipas letrës së Ambasadës shqiptare drejtuar CNN GR , Policia shqiptare, ashtu si çdo pjesëtar i saj që ka hetuar çështjen në fjalë, nuk ka bërë një deklaratë të tillë, ndërsa ka bërë çdo përpjekje për hetimin dhe asgjësimin e organizatës”. Portali informativ CNN GR e ka publikuar reagimin e Ambasadës shqiptare shoqëruar me faksimilen e letrës . Por menjëherë ka publikuar edhe një reagim ku ripërsëritet se CNN GR i është referuar sipas burimeve të tij një takimi tejet sekret në Shqipëri, mes policisë greke dhe asaj shqiptare. Në këtë takim sipas CNN GR një pjesëtar i palës shqiptare ka thënë se “në Shqipëri nuk mund të preket ky njeri , veçse po të ketë fakte të pakundërshtueshme, sepse ai ka lidhje politike dhe kontake me parti e politikanë të nivelit të lartë”. Sipas dosjes, ka ripërsëritur CNN GR, personi rezultonte të ishte financier i kartelit dhe organizator per transportimin e 700 kg marijuane në Greqi që anëtarët e organizatës kriminale e fshehën në ishullin Zakynthos. “Hetimi narkotikëve ishte nën fshehtësisë ekstreme dhe vizita nga policia greke në Shqipëri ishte absolutisht sekret i papërshkueshëm, sidomos pas asaj që ata dëgjuan nga të dhënat për organizatorin e kartelit”, nënvizon portali CNN Gr në reagimin e tij pas letrës së ambasadës Shqiptare në Athinë. Për lidhje të Balilit me politikën shqiptare ka folur edhe opozita shqiptare. Pas njoftimeve se Balili është zhdukur pa lënë gjurmë, kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi mbrëmë se “me bekimin e ministrit të Brendshëm dhe nën mbrojtjen e policisë Klement Balilaj prej dy ditësh është arratisur dhe nuk gjendet. Loja me ka kërkesë, s’ka kërkesë, ka dosje, ska dosje, është nën hetim, nuk është nën hetim, është i PS, është i LSI-së, nuk është gjë tjetër veçse dhënie kohe Klement Balilajt për të kryer pikërisht këtë akt, arratisjen. Balili konsiderohet si ndër krerët e një grupi trafiku me një rrjet të shtrirë në disa vende të Bashkimit europian. Sipas Europolit, organizata europiane e zbatimit të ligjit, 17 persona, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike u arrestuan më 9 maj, në një operacion të bashkërenduar të drejtuar nga Greqia dhe me mbështetjen e Belgjikës dhe Europolit. Mes të arrestuarve janë 11 grekë dhe 6 shqiptarë. Sipas Europolit, rrjeti i trafikantëve me bazë në Greqi, mendohet të ketë fituar miliona Euro nga trafkimi i drogës në shtetet evropiane.

Arben Shahini

Gjykata pezullon nga detyra kreun e Tatimeve Tiranë

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Pezullim nga detyra” për drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë, Androkli Kokthi, i dyshuar se ka ulur ndjeshëm detyrimin financiar, që duhej të paguante në favor të shtetit kompania e naftës “Fullpet”.
Ndaj kompanisë “Fullpet”, Prokuroria e Tiranës është duke zhvilluar hetim lidhur me përfshirjen në një skemë mashtruese financiare. Gjatë veprimeve hetimore, Njësia Task-Force e Prokurorisë së Tiranës ka konstatuar, ndër të tjera, se në vitin 2014, Administrata Tatimore, e konkretisht nën drejtimin e të dyshuarit Kokthi, i ka bërë një përllogaritje të gabuar detyrimeve që “Fullpet” kishte ndaj shtetit.
Prokuroria e Tiranës ka kryer verifikimet e saj, në kuadër të procedimit penal, nga të cilat ka krijuar dyshime të arsyeshme se kjo shmangie financiare është realizuar nën ndikimin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tiranë, Kokthi.
Ky i fundit vijon të jetë person nën hetim nga ana e Prokurorisë së Tiranës edhe për një rast tjetër, ku janë krijuar dyshime se ka favorizuar një firmë pjesësh këmbimi për t’iu shmangur detyrimeve tatimore. Për këtë rast, fillimisht ndaj tij u vendos masa e sigurimit “Arrest në burg”, e cila u zbut në Gjykatën e Apelit në “arrest në shtëpi. Më tej, Gjykata e Lartë e ndryshoi masën e sigurimit, duke vendosur ndaj tij “detyrim për paraqitje”.

Çfarë di Saimir Tahiri për Edi Ramën që nuk e shkarkon dot?

Partia Demokratike ka kërkuar dje largimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të cilin e cilëson si turpi i shqiptarëve dhe shfytyrimi më kriminal i ndonjë  ministri të Brendshëm në 25 vite. Sipas kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, kryeministri Rama është peng i lidhjeve kriminale të ministrit dhe prandaj nuk e shkarkon atë.
“Vetëm një kryeministër i kapur do të sfidonte qytetarët e tij, partnerët europianë dhe amerikanë, duke mbajtur në krye të rendit një njeri të implikuar e të inkriminuar deri në fyt si Saimir Tahiri. Një seri ngjarjesh kanë dëshmuar se Shqipëria ka pasur në krye të rendit që prej shtatorit të vitit 2013 një ministër të inkriminuar, ndërlidhësin e trafiqeve të drogës e shumë krimeve të tjera. Banditët më në zë të vendit nuk kanë pasur thjesht një pikë kyçe në polici, një lidhje politike diku, por kanë pasur drejtpërdrejt në dispozicion ministrin e Brendshëm”, tha Alibeaj.
Alibeaj përmendi me radhë disa nga rastet që faktojnë lidhjet e forta të Saimir Tahirit me bandat e inkriminuara. Ai deklaroi se Tahiri e nisi me “një fushatë selektive e klienteliste për lojërat e fatit, ku lulëzuan miqtë e tij e u fundosën të tjerët, një krekosje korruptive e Tahirit që la pas dhe një viktimë, një mikun e tij të afërt për të cilin ai ka përgjegjësi siç ia kanë bërë të ditur dhe familjarët”.
“Projekti i madh i Tahirit ishte krijimi i një hambari të madh droge të pahasur më parë në vend, dhe ai organizoi gjithë infrastrukturën për këtë. Nën drejtimin e tij mbarë territori u mboll me kanabis. Pas çdo kodre me drogë është një pakt 30 përqindësh i bandave me Tahirin. Tahiri ka një grusht njerëzish koordinatorë të mbjelljes, rritjes dhe shitjes së drogës, mes tyre spikasin Habilajt, banda e Shullazit, dhe siç u evidentua Balili i Sarandës”, tha kreu i Departamentit të Sigurisë në PD.
Ai solli në vëmendje se kur Partia Demokratike e denoncoi në vitin 2014 emërimin e trafikantit të njohur në krye të Transporteve në rajonin e Sarandës, qeveria e mbrojti dhe Tahiri u kujdes t’i jepte dhe më shumë pushtet e paprekshmëri.
“Kur doli se makinën private të ministrit të Brendshëm e përdornin Habilajt dhe s’kish polic t’i ndalonte, Tahiri u zgjeroi atyre territorin. Sa më shumë denoncohej lidhja e tij me Shullazin, aq më shumë ky i fundit rëndonte krimet, vrasjet, gjobvëniet, aq më i paprekshëm bëhej. Shullazi u kap me policin e Tahirit në shërbim të tij, u kap duke kaluar makinën e blinduar në doganë pa kontroll, u kap në përplasje me armë, dhe në të gjitha rastet doli i pastër. Praktikisht, kupola e ministrisë dhe e policisë ishte zhvendosur në rrugën e “Kavajës”, në rezidencën e Shullazit”, tha Alibeaj, ndërsa citoi se kur u ndalua pas kërcënimit që i bëri kandidatit për rektor, Tahiri foli vetë me Shullazin përmes nëndrejtorit të Policisë së Tiranës dhe e garantoi se do jetë thjesht një shëtitje, pa e ditur se Prokuroria kishte punuar prej muajsh për gjetjen e provave për dhjetëra krime.
“Tahiri është shërbëtor i zellshëm dhe i qëndron paktit me krimin. Kur goditën linja të trafikut nga shërbimet partnere ai shfajësohet se nuk ka dijeni, nuk e kanë prej tij. Ai i vuri shkrepsen provave të drogës në laborator për të fshirë gjurmët e bashkëpunëtorëve.  Me Tahirin në krye, u ngrit impianti më i madh i kokainës në Ballkan, në Xibrakë të Elbasanit, impiant që dhe sot do të ishte në punë nëse nuk do të zbulohej nga policia gjermane”, tha kreu i Departamentit të Sigurisë në PD.
Alibeaj theksoi ndër të tjera se krerët e Policisë me të cilët ai drejton, janë të gjithë një hartë interesash kriminale, të promovuar në postet kyçe nga Shullazi, prej besnikërisë që kanë treguar ndaj tij. Partia Demokratike i ka denoncuar me emra dhe me fakte dhe do të vazhdojë ta denoncojë në ditët në vijim kupolën e narkotrafikut në Policinë e Shtetit.
“Janë këta më të besuarit e Tahirit, të cilët  prishin provat në vendngjarje, zhdukin armë e telefona që janë dëshmi e lidhjeve me krimin dhe dëshmi e krimeve të mëparshme.
Saimir Tahiri e pranoi vetë se kishte bërë biseda private në zyrë e në plazh me Bamin e akuzuar si vrasës me pagesë. Pra, ministri i Brendshëm ishte ulur me të si përfaqësues i njerës prej bandave. Janë disa vrasje pa autorë sot, sepse autorët i njeh dhe i di Saimir Tahiri, kanë mbrojtjen e tij.
Sa kohë të jetë ministër i Brendshëm i vendit Saimir Tahiri, bandat janë në pushtet, droga lëviz ngado, krimet kanë licensë. Tahiri duhet të largohet menjëherë, ai është turpi i shqiptarëve, dhe shfytyrimi më kriminal i ndonjë ministri të Brendshëm në 25 vite”, tha Alibeaj.

Integrimi, eurodeputetët kërkojnë zbatimin e kritereve të Kopenhagës

Integrimi europian i vendeve të Ballkanit ka qenë tema e konferencës së Parlamentit Europian, ku protagonistë ishin Shqipëria, Serbia dhe Mali i zi. E vërteta mbi integrimin europian të vendeve të Ballkanit del ndonjëherë në diell në konferenca jotipike të Parlamentit Europian. E tillë ka qenë ajo me titull “Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, nxënës të mirë në integrimit europian, e vërtetë apo e rreme? Eurodeputetët nuk iu referuan renditjes klasike të garës së integrimit europian në Ballkan, ku Mali i Zi është më i avancuar, i ndjekur më pas nga Serbia dhe Shqipëria, por problemeve të vërteta që hasin vendet. Madje për raportuesin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein është e vështirë të thuhet, se cili është nxënësi më i mirë, por fare e lehtë të përcaktohet më i keqi.
Knut Fleckenstein, Eurodeputet: «Nuk e di se kush është nxënësi më i mirë në integrimin europian, por di kush është më i keqi. Nxënësi më i keq është Maqedonia dhe këtë nuk e luan topi. Mënyra se si sillet qeveria maqedonase është 360 gradë larg qasjes dhe vlerave të Bashkimit Europian”. Një tjetër shpërthim erdhi nga eurodeputeti Eduard Kukan, i cili iu referua një shqetësimi të hapur të Shoqërisë Civile në Mal të Zi për një korrupsion sistemik në vend, shqetësim me të cilën përballen eurodeputetët sa herë që vizitojnë vendin:
Eduard Kukan, Eurodeputet: «Nëse korrupsioni në Mal të Zi është sistematik, atëherë si ka mundësi që Komisioni Europian dhe të gjithë të tjerët e tolerojnë? Shtroj pyetjen? Nëse është kështu? Serbia dhe Shqipëria kanë gjithashtu sfidat e tyre në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe probleme ekonomike dhe sociale. Lidhur me lirinë e shtypit, Mali i Zi dhe Serbia regjistrojnë probleme të konsiderueshme, ndërkohë që Shqipëria ka regjistruar hapa mbrapa. Besar Likmeta i rrjetit investigativ BIRN ka ekspozuar problematikën e gazetarisë ballkanike me presionin e politikës në media, problemeve ekonomike dhe vetëcensurimin. Për raportuesin Knut Fleckenstein, në Shqipëri duhet forcuar enti rregullues i mediave audiovizuale, strukturat drejtuese të medias publike, si dhe të forcohet profesioni i gazetarisë. Por shqetësimi kryesor për eurodeputetët aktualisht është se zgjerimi është jashtë fokusit të Bashkimit Europian dhe çfokusimin mund ta zhbëjë vetëm progresi në reformat e integrimit në Ballkan.
Knut Fleckenstein, Eurodeputet: «Zgjedhësit europianë pyesin, a nuk do ishte më mirë që të zgjidhim problemet tona njëherë dhe pastaj të pranojmë vende të tjera të Ballkanit? Dhe përgjigja jonë është: Nuk është ose njëra, ose tjetra, por mund të ecin të dyja paralelisht. Ne i themi, që do t’i gjykojmë vendet e Ballkanit mbi bazën e kritereve të Kopenhagës. Dhe votuesit e mi në Hamburg qeshin me mua, duke më thënë: Ah po, do gjykoni siç e bëtë me Rumaninë dhe Bullgarinë? Pra, në një farë mënyre Ballkani është viktimë në këtë kuptim, por zgjedhësit e mi në Hamburg nuk do më falin më, nëse e bëj sërish këtë në të ardhmen”.  Konferenca mbi Malin e Zi, Serbinë dhe Shqipërinë u organizua me inisiativën e 3 eurodeputetëve në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, zv/kryetarin e grupit socialist dhe demokrat, Jozo Rados, të grupimit liberal dhe Igor Soltes të grupimit të gjelbër në Parlamentin Europian.

Qeverisja Rama – “Made in Shukri”

Nga Kastriot ISLAMI

Vendi është në krizë duke shkuar drejt humnerës. Për disa muaj buxheti i shtetit mund të bllokohet duke vënë në rrezik pagat, pensionet, rimbursimi i ilaçeve, sepse për të tjerat ky bllokim është tashmë prezent, pjesërisht apo plotësisht. Bankat e huaja, të mbytura nga kriza e kredive të këqija të kompanive të falimentuara, mund të largohen për të mos u fundosur së bashku me ekonominë vendase, ashtu siç ju ndodhi firmave piramidale në 1997. Konsumi ka rënë për shkak të varfërisë, pra uljes drastike të fuqisë blerëse. Eksportet e importet kanë rënë.
FMN ka dhënë alarmin me një gjuhë “diplomatike”, ndërkohë që “fyçkat” mediokre të qeverisjes rilindase vazhdojnë të mashtrojnë e gënjejnë, duke mos pushuar ndërkohë të vjedhin e rrjepin buxhetin e asetet publike përmes koncesioneve, madje duke i dhënë dërmën edhe kompanive amerikane, gjermane…. Kriminelët e trafikantët kanë zaptuar qeverisjen, mazhorancën kuvendore, pikat kyçe të administratës së lartë publike.
Trafikanët dhe kultivuesit e drogës, kryesisht të lidhur me policinë e drejtpërdrejtë me “liderin suprem”, kanë intensifikuar mbjelljen e hashashit dhe tranzitimin e drogave të forta; Shqipëria është vendi i kultivimit të hashashit, por edhe i eskobarëve të Ballkanit. “Lideri supreme” vazhdon si klloun të sillet si “p…. nëpër brekët e shpuara të Rilindjes”… vetëm duke akuzuar opozitën e kundërshtarët dhe dhënë shfaqje “alla Shvejk apo Donkishot”.
Ndërkohë “parfumi” i kësaj qeverisje vjen nga një zonë periferike… me brandin “Made in Shukriu”. Të shpresojmë që 700 të ftuarit e NATO-s që vijnë këto ditë në Tiranë s’e shikojnë këtë film rilindas se mund të sugjeronin pajisjen me “brekë të blinduara”.

“Made in Shukriu” s’është rastësi…

Ajo që ndodhi në Dibër, ka ndodhur, po ndodh (live) dhe do të vazhdojë të ndodhë me këtë qeverisje, kudo e kurdo. Sepse “Made in Shukriu” është softueri i Rilindjes, pra mënyra sesi funksionon kjo qeverisje mediokre dhe e paaftë, klinteliste e mashtruese, kriminale e kusare. Shikoni se kush e përfaqëson Dibrën në Parlament…Njëri që ngjason më shumë me “mbathjet” e Shukriut kurse tjetri që s’flet asnjëherë s’duket gjë tjetër veçse si “vrima” e tyre. Në këtë përngjasim, e shkreta vajzë 20-vjeçare duket si “socialistja” që, pasi i kanë rrëmbyer tinëzisht votën duan të përdhunojnë pinjollët punistë, kusarët e pasurive publike dhe kriminelët, krenaristët e kanabistët, që vjedhin e s’ngopen, por kërkojnë të shfryhen e argëtohen përmes perversitetit që e shesin si punësim. Kjo është qeverisja, qëndrore e lokale, e bazuar në programin e Rilindjes apo që ndryshe qytetarët këto ditë kanë filluar ta etiketojnë si Programin e “P…. të Mëdha”, që jo vetëm po bezdisin e qelbin të gjithë dynjanë, por kanë shpuar edhe “mbathjet e veta”. Dhe njerëzit e thjeshtë nga gjithë kjo zallamahi shikojnë çdo natë të njëjtën pamje televizive, Shukri-Qeverisjen Rilindase që atyre tashmë këto ditë iu duket gjithnjë e më shumë me “zero-arritje” pra në formën e “Vrimës”…Për qytetarët qeverisja Rama është simbolikisht Vrima në filmin “Made in Shukriu”…

Sherri Rama-Meta projektohet si sherri Eskobar-Shukri…

Ngjarjet në Sarandë dhe Peshkopi kanë risjellë edhe njëherë në vëmendje të publikut dhe të politikës sherrin permanent mes Ramës e Metës, që gjithnjë nis me tentativën e Ramës për të goditur poshtë brezit Metën. Me porosi të “liderit suprem”, deputeti “shukrian” i Dibrës del dhe flet për skenar politik kundër Shukri-Ramës dhe nënkupton se kjo vjen nga fronti i Eskobarit, ndërkohë që Kokëdhima, ish-deputeti “eskobarist” i Sarandës, në tentativë vetëmbrojtje për të maskuar çdo lidhje me Eskobarin e Ballkanit zbulon skenarin e sulmit të Ramës duke ia faturuar Metës lidhjen me Balilin?! Edhe ky sherr mes personazheve të Dibrës e Sarandës, mes Shukriut dhe Eskobarit, duke sjellë në vëmendje videon e Shukriut, nuk është gjë tjetër për qytetarët veçse sherri live mes Metës e Ramës.

Rilindja-“P…. e Madhe”, PSSH-“Mbathjet e shpuara”, qeverisja Rama-“Vrima”…

Përse vendi po lëngon? Përse qytetarët po largohen masivisht pa shpresë? Përse asgjë nuk funksionon? Përse fondet dhe astet publike vidhen e rripen çdo ditë? Përgjigja është e qartë për të gjithë. 1 milion e treqind votues s’e durojnë më këtë qeverisje, madje pjesa e tyre më e madhe, socialistë e demokratë, janë të mërzitur përse opozita s’i shporr një minutë e më parë…Shumica e shqiptarëve të zhytur në mjerim e dëshpërim, pa shpresë e të friksuar, kanë filluar të tallen me të gjithë format e mjetet me Ramën dhe qeverisjen e tij, siç ka ndodhur rëndom sa herë qytetarët janë të uritur nga papunësia e varfëria, por edhe të kërcënuar me burgosje nga qeveria. Dhe për t’u tallur gjithnjë gjejnë metafora për t’ju shmangur persekutimit. Nga shprehja popullore se “P… e Madhe shpon mbathjet e veta” atyre ju duket se i) Rilindja, një mashtrim i madh ngjason me “P…. e Madhe”; ii) PSSH e përdorur vetëm për t’i marrë votat ju duket si “Mbathjet alla puniste; kurse iii) “Vrima” ju duket qeverisja. Ndërkohë që për Ramën thonë se, “sillet si p… nëpër brekë” dhe këtë e konsideron qeverisje.

Miu Shukriu

Nga Edison YPI

Andej nga vitet ’50, kur Dibrën dhe dibranët morri i kuq i mbyti në gjak, një diversant nga fisi “Ndreu” zbriti nga Korabi dhe vajti drejt e tek Dega e Puëve të Brendshme të Peshkopisë. Pa i lëvizur qerpiku, nga roja tek kryetari, i mori me radhw bam bam bam bam. I nisi të gjithë në emigracion n’atë vendin ku nuk ta hanë hakun, prej nga askush s’është kthyer deri më sot. Pasi e mbaroi këtë punë, u ngjit nga zbriti, në Korab.
Diversanti Ndreu bëri gabim që iku. Dizinfektimin që u bëri morrave të kuq në zyrat lokale të brekëgrisurve që kishin rrëmbyer pushtetin me dhunë dhe e mbanin me gjak, duhej tua kishte bërë të gjithë  morrave të të gjitha zyrave të Shqipërisë. Rraca e morrit mbijetoi. Miu ehukriu është prova, dëshmia, ulurima, që Ndreu nuk e bëri mirë punën.
Megjithatë Zoti nuk harron. Tani që morrat e kuq me artileritë e rënda të propagandave të tyre të pandalura kanë bërë që shqiptarët të dëgjojnë dhe besojnë më tepër halabakët se priftërinjtë dhe hoxhallarët, dhe kishat e xhamitë i ka zëvendësuar televizioni, Zoti, në përputhje me kushtet e reja, përderisa në fund të fundit rëndësi ka mesazhi dhe jo mënyra, ka ndërruar strategji, kumtet nuk i dërgon më si dikur, përmes profetëve, por përmes plehrave, si miu shukriu.
Meqënse kumtet, urdhërat, mesazhet, Zoti i zbret të enkryptuara, të kodifikuara, në formë simbolikash, ato simbolika duhen zbërthyer.
Ja disa mesazhe që solli miu shukriu,
Duke na bërë të ditur se mes ofshamash dhe qurravitjesh seksi mund të lypet jo vetëm në Shqipe standarde por edhe në dibrançe, na erdhi haberi i mirë se lypje të asaj natyre mund të bëhen edhe në korçarçe, labçe, myzeqarçe. Se si do t’i drejtohej miu shukriu viktimës përdoruese të ndonjë dialekti të ndryshëm nga i veti, kjo del jashtë aftësive deskriptuese të të nënshkruarit.
Qyshkur petkat ekzistojnë, gjatë një seance seksi, meqënse ka më tepër për të demonstruar, e para xhvishet është gjithmonë femra. Për shkak të narcizizmit mashkullor të miut shukriu apo ndoshta edhe për shkak të gjinisë së diskutueshme të tij, me miun shukriu ndodhi e kundërta, i pari u xhvesh miu. Edhe sikur miut shukriu gjininë që pretendon t’ja marrim të mirqënë, arësyeja e kësaj çudie, kuptimi i simbolikës së xhveshjes së mashkullit para femrës është çka efektivisht po ndodh, asgjë tjetër përpos mbetjes cullak të pushtetit para opozitës.
Lidhur me firmosjen e kontratës së punës, që sipas miut shukriu tjetrës mund t’i duket “si në ëndërra”, duke pasur parasysh se, e Shekspirit në ballkon ai në tokë, e miut shukriu në timon ajo në sedilien e pasme, duhet me qenë idiot mos ta kuptosh se gjithçka që po ndodh është një
“Xhelili & Xhulieta” variant dibran. Sa i përket pyetjes së viktimës së radhës; Sa është orari i punës ? dhe përgjigjes së miut shukriu në Shqipe dialektale “kur të teket taj”, këtu duhet ndalur pak. Dihet se karakteristika themelore e seksit është padurimi, ngutja. Mirëpo miu shukriu e ka marrë javash-javash, çka nuk mundet me pasë asnjë nënkuptim tjetër veçse; Shpejt se na piu e zeza.
Ndërkohë që sa më sipër mbetet gjithsesi aproksimative, një brimë brekësh drejtpërdrejt me një brimë bythe, s’lënë asnjë dyshim se shpatat janë mprehur, llogoret janë hapur, topat janë mbushur, tytat janë drejtuar, zgjedhjet e parakohëshme janë në prag.
Pati edhe momente të tjera me ngarkesë simboloke të rënduar. “Sa është rroga ?, “Pasi të plotësohen procedurat”, “4 kopje”, ta puth cajcën”, “i kam të gjitha xhamat e zinj”, shtoi këtyre tentativën e dështuar për të bërë seks në motel jo me muzikë por me lajme, madje reklama në sfond, të gjitha këto e vështirësojnë aq tepër interpretimin sa vetëm një panel i zgjedhur i Ylli Rakipit mund t’i japi dum.
Por simbolika e simbolikave, ajo që t’i djeg fare ment e kres është dhe në jetë të jetëve do mbetet kryevepra llapaqenike e shekullit, spoti elektoral i miut shukriu që i drejtohet popullit të Dibrës me fjalët;
“Keni dy alternativa, ta lini qytetin dhe fshatin tuaj të rrënohet edhe 4 vjet të tjera, ose alternativa tjetër zgjedhja e duhur, në kohën e duhur, në vendin e duhur, në drejtimin e duhur”.
Po, zoti miu shukriu. Sa kohë nuk ka zbrit nga Korabi ndonjë “Ndreu” tjetër, ke plotësisht të drejtë. Harrove vetëm irjen e duhur. Që do ta pësosh vetë pas pak. Jo në ndonjë zyrë, makinë apo motel, por në burg. Nga një tironc që u dënua tre vjet sepse nuk pagoi në kohë korentin, ose nga një elbasanlli që u dënua 10 vjet për një cigare hashish.

Basha: 1 miliard euro do rifuten në qarkullim në ekonominë e vendit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka diskutuar me banorët e Kukësit dhe  fshatrave të tij platformën qeverisëse të demokratëve. Kukësi është ndër qytetet me papunësinë më të madhe në vend, qytet i diskriminuar nga mbështetja me fonde e qeverisë dhe më i prekuri nga emigrimi gjatë këtyre tri viteve të fundit. Shitësit dhe përfaqësues të ndryshëm të biznesit të vogël theksuan se gjendja është përkeqësuar thellë që nga viti i shkuar dhe se nuk ka asnjë premisë për t’u përmirësuar. Duke krahasuar 2015-ën me fillimin e 2016-ës, banorët thonë se xhiroja ka rënë me 50%. Investimet në infrastrukturë që hapin vende pune dhe subvencionim të industrive që punësojnë të rinj janë rrugët e zgjidhjes së kësaj situate, theksoi lideri i opozitës.
Tregtar: Punë s’kemi fort. Marrim mallin kalbet, prishet. S’keni xhiro.
Basha: S’ka konsum.
Tregtar: S’kanë lekë njerëzit.
Tregtare: Kam marrë 90 mijë lekë mall, kam marrë 30 mijë lekë xhiro. Ku është fitimi?
Tregtar: Ma keq nuk ka ku me shkue, pensionet e ngritme jo, rroga jo. Ti nuk e beson për kryet të fëmijëve, tre mijë lekë në ditë, dy mijë lekë në ditë. Borxh kam hy, nuk di ça të bëj.
Basha: Do t’i ulim taksat, 9 për qind do ta çojmë tatimin për biznesin. Tatimin mbi të ardhurat personale deri në 350 mijë lekë do të jetë zero, mbi 350 mijë lekë për pjesën e shtuar do të jetë 9 për qind e sheshtë dhe jo 13 e 23 siç e kanë këta. E gjitha kjo do të rifusë në qarkullim gjithë ekonominë e vendit, afro 1 miliard euro, 2 milionë lekë të vjetra për familje. Zgjidhje janë investimet që hapin vende pune. Zgjidhje është subvencione për industrinë që hap vende pune për të rinjtë.
Kryetari i Partisë Demokratike vizitoi familjen e Korab Bajraktarit, familje e persekutuar që ka kaluar vite në burgje dhe internime dhe që vazhdon të persekutohet nga qeveria aktuale duke i larguar djalin nga puna, me rrogën e të cilit mbahej e gjithë familja. Basha u ndal edhe në familjen e Mereme Bytyçit, sanitare e pushuar nga puna, e cila gjithashtu ka bashkëshortin invalid dhe një fëmijë të sëmurë paraplegjik dhe në mënyrë të padrejtë pas 7 vitesh i kanë përgjysmuar dhe KEMP-in.
Banor: Fëmijën që shtatë vjet e kam pas paraplegjik, merrte 380 mijë lekë në muajt. Vjet na e kanë heq paraplegjikun.
Basha: Ministria e Shëndetësisë ka bërë një krim të madh me familjen tënde, por ka bërë një krim të madh me mijëra familje shqiptare. Për ty dhe për familjet që janë në hall njësoj si familja jote do të kenë KEMP-in të plotë për t’ju mbështetur në këtë situatë kaq të vështirë që ju duhet ta ballafaqoni, aq më shumë që nusen ua kanë pushuar nga puna dhe ju vetë keni kushtet e invaliditetit.
Kryetari i Partisë Demokratike iu përgjigj pozitivisht kërkesës për një takim me 32 sanitaret të larguara padrejtësisht nga puna në Spitalin e Kukësit. Shumica kishin rreth 20 vite pune e më të paktat 10 vite. Ato thonë se ndonëse u është komunikuar se janë larguar për gjoja shkurtim të organikës, por në fakt janë zëvendësuar me të tjerë. Zoti Basha i ka garantuar se Partia Demokratike do t’i ofrojë asistencë ligjore falas këtyre sanitareve dhe të gjithë punonjësve të sistemit të shëndetësisë të larguar në mënyrë të padrejtë nga puna.
Ish-sanitare: Kjo nuk është reformë, ky është zëvendësim. Ka fut katër veta në Urgjencë, më ka heq mu që unë jam e para në Urgjencë. E kam djalin në shkollë, ja çoj bukën nga Kukësi, ja pjeki me dru dhe ja çoj në shkollë, se dua ta bëj dikushi në jetë.
Ish-sanitare: Kam 10 vjet në Patologji, jam vetë e gjashta me dy djem në shkollë të lartë. Vajza e ka mbaru ka tre vjet që është e papunë. Burrin e kam pa punë, me një pension të plakës vetë e gjashta.
Fermerët e Shishtavecit, zonë e njohur për prodhimin e patates, janë ankuar për konkurrencën e pandershme që u bëhet nga qeveria. Ato thonë se futen nga Kosova në mënyrë kontrabandë patate që i bëjnë konkurrencë prodhimit të tyre. Zoti Basha prezantoi platformën për bujqësinë, 100 milionë euro subvencione direkte për fermerë dhe 50 milionë euro investime në infrastrukturën bujqësore.
Tregtar: Ku me qa hallin a për dritat a për patate?! Papunësi e madhe. Qeveria po vjen merr të Kosovës knej, zhdoganon një ton, pesë ton i kalon pa doganë edhe tregu ik, patatja jonë nuk ecë.
Basha: E vret prodhimin tuaj.
Tregtar: Na vret konkurrenca.
Basha: Do të bëjmë gjithçka që patatja e Shishtavecit të shitet, do ta bëjmë duke subvencionuar pataten në radhë të parë. Do të merrni subvencione për pataten. Kështu që çmimi i patates së Shishtavecit të jetë i pakonkurrueshëm në treg.
Për sa kohë që mund të provosh që ke sipërfaqe toke që e punon apo ke gjedhë, bagëti të imta, të cilat i mbarështon do të marrësh subvencion të drejtpërdrejtë nga shteti. Buxheti për të përballuar këtë do të jetë minimalisht 100 milionë euro përveç skemës së subvencionimit do të ketë edhe një skemë tjetër që është skema e investimeve në infrastrukturë, ujitje, vaditje, kullimi, tregje dhe akses në treg.