Ish kryeministri Berisha ka reaguar dje ndaj mbrojtjes që Rama po i bën ish kryebashkiakut të Peshkopisë pas skandalit të videos, ku ai i kërkonte jnë 20-vjeçareje favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Përmes një reagimi në Facebook, Berisha dënon denigrimin që mediat me urdhër të Ramës po i bëjnë vajzës 20 vjeçare që dneoncoi Shukri Xhelilin. “Xhelili shpallet Heroi i Partisë Siçiliste. Si gjithnjë, fajin e ka Saliu! Këto dy ditë në mediat sociale dhe jo vetëm të majta ka shpërthyer një histeri kolektive kundër një vajze 20-vjeçare, që me guxim të madh nxori cullak para publikut kreun siçilist të Bashkisë së Dibrës, Xhelili, i cili shiste vendet e punës kundrejt seksit. Në këtë fushatë, Rama me Fugën nga njëra anë, ka ndërsyer ultësisht mediat e kontrolluara prej tij për të demonizuar vajzën e guximshme dibrane, nga ana tjetër, njëlloj si në rastin e Riformatos, përpiqen ta paraqesin si një kurth të organizuar nga armiku, madje duke përmendur pashmangshmërisht dhe emrin tim. Të gjitha këtyre po ju përgjigjem me një mesazh që sapo më erdhi nga qytetari dixhital. “Përshëndetje Doktor. Ajo vajza ka rastis fatkeqe se po t’i kishte ndodhur kjo histori me Ramën ai do t’ja bënte burrin ministër, me respekt F.N” shkruan Berisha në reagimin e tij.
Parlamentarët danezë vizitojnë Tropojën, përballen me mjerimin e mungesën e shpresës
Një grup parlamentarësh danezë të cilët vizituan Shqipërinë shkuan në Tropojë për të parë nga afër realitetin e jetës së banorëve dhe shkaqet e emigrimit të tyre. Në këtë vizitë të organizuar nga deputetja e zonës Mimoza Hajdarmataj dhe ambasadori danez në Tiranë, z.Metz merrnin pjesë dhe kryetarë të njësive vendore. Në fshatrat e Tropojës si Margegaj, Bujan, Valbonë , Dragobi dhe të tjerë, deputetët danezë të Komitetit të çështjeve evropiane takuan dhe biseduan me banorët të cilët theksuan mungesën e ndihmës sociale, trajtimit mjekësor papunësinë, dhe varfërinë e tejskajshme që ata vuajnë çdo ditë. Në familjen Muldaka një nga djemtë tha se shkaku i ikjes në azil të dy vëllezërve të tij është gjendja ekonomike tejet e vështirë dhe papunësia në këtë qytet.
Deputetët danezë panë nga afër kushtet e një mjerimi të thellë ekonomik, si dhe u njohën për mungesën e mbështetjes minimale nga shteti për të siguruar ushqimet, si dhe braktisjen e strukturave të bujqësisë për fermerët e zonës . Në vizitat me banorët deputetët danezë pyetën të moshuarit mbi kushtet e trajtimit mjekësor, nivelin e pensionit dhe mënyrën si e përballojnë ata tarifat e pagesave të shërbimeve. Në vizitën në qendrën mjekësore të Dragobisë , delegacioni i parlamentarëve danezë u përball me mungesën e theksuar të ilaçeve, dhe pamundësisë së kushteve për të bërë trajtimin e duhur mjekësor veçanërisht të fëmijëve dhe të moshuarve.
Më pas ndalesa e radhës së deputetëve danezë ishte në shkollën e Dragobisë, ku kushtet e arsimimit të fëmijëve janë aspak të përshtatshme. Mësuesit i bënë me dije deputetëve danezë dhe kryetares së delegacionit , se prindërit i rrisin fëmijët në sakrifica të mëdha dhe me mungesa të shumta. Deputetja daneze i dhuroi shkollës librin e përrallave të shkrimtarit të famshëm Andersen. Në fund të vizitës kryetarja e Komitetit të çështjeve evropiane në Parlament in danez, znj. Mette Gjerskov tha se është e emocionuar nga natyra e mrekullueshme e zonës por vëren me shqetësim pabarazinë sociale.
Vërej se në Shqipëri pak njerëz janë të pasur dhe shumë të tjera në varfëri të madhe tha deputetja daneze Mete. Deputetja e Tropojës Mimoza Hajdarmataj tha se shteti vijon të braktisë banorët e Tropojës duke i lënë ata në mjerim dhe pa shpresë. Këtu nuk ka asnjë investim serioz publik që të lehtësojë sadopak jetën e banorëve të cilët paguajnë edhe me borxhe çdo faturë. Banorët tha deputetja Hajdarmataj i shprehën vetë deputetëve danezë, arsyet pse emigrojnë, pasi në këto zona nuk ka punësim, mbështetje sociale dhe mundësitë për agrobiznesin janë inekzistente. Unë shpresoj shumë që nga bashkëpunimi mes deputetëve shqiptarë dhe ata danezë të mundësohen projekte zhvillimi për zonat veriore dhe verilindore.
Hamilton rikthehet frikshëm në Spanjë

Hamilton rikthehet frikshëm, duke fituar pole position në Çmimin e Madh të Spanjës. Një rikthim prej kampioni i britanikut, që theu të gjitha rekordet e kësaj fundjave dhe i dha një sinjal shokut të tij të skuadrës Nico Rosberg, se ai është kampioni në fuqi.
Ka qenë një pasdite shumë e luftuar ajo në pistën e Barcelonës, ku Rosberg zbriti si triumfator me 4 gara radhazi të fituara, si edhe 2 pole position në garat e fundit. Dhe ishte pikërisht Rosberg, ai që vendosi kohën më të mirë në sesionin e parë kualifikues, ndërsa që në këtë sesion u kuptua se ndjkësit e Mercedes do të ishin makinat Red Bull. Me Verstappen skuadra austriake arriti të vendoste kohën e tretë më të mirë në sesionin e parë.
Në sesionin e dytë në skenë u ngjit Hamilton. Britaniku e zbriti i pari kohën për këtë fundjavë nën rendin 1.22 dhe i dha një sinjal të fortë shokut të tij të skuadrës se pole position do të jetë shumë i luftuar. Gabimi që bëri në fillimin e sesionit të tretë krijoi iluzionin se Hamilton nuk ishte gati për një kundërpërgjigje, por xhiro e fundit e britanikut e pa kronometrin të ndalen në kohën 1.22.00. duke vendosur rekordin e fundjavës, e njëkohësisht duke marrë edhe pole position, që i mungonte që nga Çmimi i Madh i Bahreinit. Ky ishte pole position i 52 në karrierë për britanikun.
Kohën e dytë më të mirë e vendosi Rosberg, pothuaj 3 të dhjetat më ngadalë se Hamilton. Linja e dytë e nisjes për garën e së dielës është e zënë nga të dyja makinat Red Bull, me Ricciardo që në çastet e fundit vendosi një kohë spektakolare 1.22.680. Verstappen do të niset i katërti. Te Ferrari kohën më të mirë e vendosi Raikkonen që do niset i pesti, ndërsa Vettel duhet të kënaqet me vendin e gjashtë. Çmimi i Madh i Spanjës do të zhvillohet të dielën, duke filluar nga ora 14.00 dhe do të transmtohet direkt në Top Channel.
Piloti britanik ende nuk ka fituar asnjë garë në Botërorin e këtij viti, ndërkohë që nuk i kanë munguar as problemet me besueshmërinë e makinës. Pikërisht kjo e fundit ka bërë që të ngrihen teori konspirative, sipas të cilave, Mercedes këtë vit preferojnë që të shohin Rosberg kampion bote të Formula 1.
Një tjetër teori që flet për një tërheqje të përkohshme të Hamilton ka të bëjë me stilin e jetës së pilotit jashtë pistave. Sipas kësaj teorie, 30-vjeçari duket se është dorëzuar përballë argëtimit dhe nuk duket aq i motivuar për garat e Formula 1. Sikur të mos mjaftonin zërat mediatike, po në lidhje humbjen e përqendrimit të Hamilton në Botërorin e Formula 1, ka folur edhe një prej drejtuesve të skuadrave të këtij kampionati, i cili ka preferuar të mos e tregojë identitetin e tij. Sipas tij, Hamilton duket se nuk e dëshiron më aq shumë suksesin në Formula 1 pas 3 titujve të fituar.
Broki: Dua të qëndroj
Portieri i Milanit, Kristian Abiati i jep fund futbollit me Milanin. 38-vjeçari ka vendosur që t’i japë fund karrierës si profesionist pas 15 sezonesh te Milani, teksa pritet që Broki t’i besojë një fanellë titullari në dy sfidat e fundit, atë përballë verdhekuqve dhe në finalen e Kupës së Italisë kundër Juventusit.
“Ndeshja ndaj Romës do të jetë shumë e rëndësishme, pasi do vlerësoj futbollistët me kujdes për të kuptuar se kush më ofron më shumë garanci për të luajtur finalen kundër Juventusit”, tha Broki gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Tekniku i Milanit ishte i drejtpërdrejtë, teksa foli hapur duke thënë se jo të gjithë kanë dhënë maksimumin e tyre në periudhën e fundit:
“Dua një sinjal të qartë nga ata lojtarë që nuk më kanë treguar akoma 100%-shin e tyre. Pres më shumë nga 4-5 lojtarë. Ata e dinë mirë se kush janë. Dy ndeshjet e fundit të sezonit janë një test shumë i rëndësishëm për të gjithë grupin. Dua që të jem në vështirësi kur të bëj formacionin e finales”.
Broki në fjalën e tij ka dashur të veçojë disa koncepte që lidhen me punën e kryer deri më tani në drejtim të Milanit “Nuk jam servili i Berluskonit, nuk më ka zgjedhur sepse jam simpatik, por mbi bazën e rezultateve që kam arritur gjatë sezoneve të fundit në drejtimin e të rinjve të Milanit. Fakti që renditemi në vendin e gjashtë më trishton, mirëpo unë kam ardhur me ide të qarta. Mund të kisha luajtur që në fillim me modulin 3-5-1-1, por kjo nuk është filozofia e Milanit.
Vlerat dhe historia që mbart ky klub nuk më lejojnë që të prodhoj një futboll defensiv. Jam i bindur se, nëse do të më krijohet mundësia që të drejtoj skuadrën edhe në sezonin e ardhshëm, mund të bëj një ecuri të mirë me Milanin. Saki sponsorizon Xhampaolon?
Në rini e kam ndjekur gjithë epokën e Sakit, të cilin e kam admiruar shumë. Tani shpresoj që të më admirojë ai mua. Saki nuk më ka njohur akoma dhe është normale të sponsorizojë dikë tjetër”. Italiani u ndal edhe te Baloteli: “Nuk ka shënuar akoma, por rendimenti i tij në fushë është shumë pozitiv. Ka dëshirë për të bërë mirë dhe flasim shumë shpesh. Në këto çaste i mungon vetëm goli”. Në fund, Broki u ndal edhe te rokada që pritet të bëjë Interi sot kundër Sasuolos:
“Nuk pres asgjë nga Interi. Nëse do të luajë me të rinjtë ka arsyet e veta. Jam i përqendruar vetëm te dy ndeshjet e fundit të ekipit tim në këtë sezon, të cilat mund të ndryshojnë fatin e Milanit dhe timin në krye të ekipit”.
Franca pa Benzemanë dhe pa Valbuenan
Franca do të jetë në Europian jo vetëm pa Benzemanë, por edhe pa Valbuenan. I pari për shkak të skandalit, ndërsa i dyti për çështje të formës fizike. Trajneri i Kombëtares së Francës, Didier Deshamp, publikoi listën prej 23 lojtarësh, të cilët do të jenë pjesë e skuadrës në finalet e Europianit që do të nisë më 10 qershor. Në këtë listë nuk ka vend për yllin e Lionit, Matiw Valbuena, jo për arsye skandali me Benzemanë, por për shkak të dëmtimeve.
Ndërsa, mesfushori i Mançester Junajtid, Morgan Shneiderlin, është në listën rezervë. “Konkurrenca është shumë e fortë. Gjithashtu, Valbuena është i dëmtuar dhe për këtë ai nuk mund të jetë pjesë e kësaj liste”, ka deklaruar Deshamp. Benzema, sulmuesi i Realit të Madridit u shpall i pafajshëm nga gjykata në Francë, por trajneri dhe presidenti i Federatës Franceze të Futbollit kanë vendosur përpara disa javësh që Benzema të mos jetë në Europian. Kjo për hir të atmosferës në grupin e futbollistëve, prania e mundshme e të cilit mund të ndikonte negativisht.
Euroliga, Fenerbahçe për herë të parë në finale
Fenerbahçe dhe CSKA e Moskës janë dy skuadrat finaliste të këtij edicioni të Euroligës. Një sukses historik për turqit që arrijnë për herë të parë kaq pranë trofeut më të rëndësishëm të bashketbollit europian për klube. Euroliga njeh dy skuadrat finaliste. Fenerbahçe dhe CSKA e Moskës do të diskutojnë mes tyre trofeun më të rëndësishëm të basketbollit europian për klube.
Dy skuadrat triumfuan në gjysmëfinalet e luajtura në Berlin, ku padyshim historik është suksesi i Fenerbahçes.
Turqit luajnë për herë të parë në finalen e këtij kompeticioni, pasi mundën me rezultatin 88-77 spanjollët e Laboral në një sfidë me të vërtetë shumë emocionuese. Gjithçka e ekuilibruar në të gjitha periodat, ndërsa koha e rregullt e ndeshjes do të mbyllej në barazim 72-72. Në shtesë basketbollistët e Fenerbahçes u treguan më të saktë në lojën e tyre, falë edhe paraqitjes së shkëlqyer të Datome.
Italiani shënoi 15 pikë, por ishte i pakalueshëm në lojën mbrojtëse të skuadrës së tij. Një arritje historike kjo për Fenerbahçen që në finalen e Euroligës do të përballet me CSKA të Moskës.
Kjo e fundit fitoi derbin rus kundër Lokomotiv Kuban. Gjithçka e lehtë për skuadrën moskovite, që dominoi në të katër periodat e ndeshjes. Edhe një herë protagonist ishte De Kolo, që shënoi 30 pikë në suksesin e CSKA të Moskës. Kjo e fundit shihet dhe si favorite në finale, pasi ndryshe nga rivalët e Fenerbahçes e ka fituar më parë gjashtë herë Euroligën.
Barcelona kampione e Spanjës
Barcelona ka mundur 3-0 Granada, falë një triplete të Luis Suares, duke fituar kështu për të 24-ën herë titullin kampione e Spanjës, këtë herë me Luis Enrique në pankinë. Katalanasit kanë lënë pas vetëm me 1 pikë rivalët historikë të Real Madrid, që kanë arritur një fitore të padobishme në fushën e La Coruna, 2-0 kundër Deportivo. Të dielën në Spanjë luhen të ashtuquajturat “ndeshjet e shpëtimit”, ku janë të përfshira skuadrat Getafe, Rayo dhe Gijon, vetëm njëra prej të cilave do të mund të qëndrojë në La Liga.
Bavarezët festojnë titullin
Bavarezët kanë festuar këtë të shtunë marrjen e titullit, pasi siguruan fitoren në shtëpi në ndeshjen e fundit të sezonit. Fitorja 3-1 ndaj Hannover është pasuar nga festimet për titullin e radhës të Bundesligës, ku Pep Guardiola ka marrë pjesë si triumfant në prag të lamtumirës. Robert Lewandowski u dha kampionëve kryesimin në fillim të ndeshjes, duke u bërë lojtari i parë që arrin kuotën e 30 golave në një sezon në Bundesligë, rekord që mbahej nga Dieter Muller i Koln në sezonin 1976-‘77.
Mario Gotze, për të cilin përflitet gjithmonë e më shumë kalimi tek Liverpool, shënoi dy gola në secilën pjesë të ndeshjes. Guardiola pritet t’i japë fund zyrtarisht aventurës së tij gjermane fundjavën e ardhshme, pas takimit DFB-Pokal kundër Borussia Dotrmund.
Nuk ka shpëtim për Shtutgartin. Skuadra nga Baden Vyrtemberg është mundur nga Volfsburgu në javën e fundit të Bundesligës 1-3 dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Bundesligën 2. Një rënie e hidhur për Shtutgartin që pas shumë sezonesh do të luajë një kategori më poshtë pas një sezoni të dështuar tërësisht.
Një tjetër skuadër e rëndësishme në Bundesligë, Eintrahti i Frankfurtit do të jetë i detyruar të luajë në play-off me vendin e tretë në Bundesligën 2 për të siguruar qëndrimin në Bundesligë. Në ndeshjen direkte për të qëndruar në Bundesligë Verder Bremeni ka mundur Eintrahtin e Frankfurtit 1-0 me gol të shënuar nga Xhiloboxhi një minutë nga fundi i takimit që i ka siguruar mbijetesën në Bundesligë.
Evropa – Bundesliga ka përcaktuar dhe ekipet që sezonin tjetër do të luajë në Ligën e Evropës. Kështu Shalke 04 dhe Mainci do të futen në fazën në grupe në Ligën e Evropës, ndërsa Herta e Berlinit do të luajë në play off në Ligën e Evropës.
Unaza diamanti për Leicesterin
Sezoni i jashtëzakonshëm i Leicester pasurohet edhe me një unazë. Dhe nuk bëhet fjalë për një unazë të zakonshme, por një që përbëhet nga një diamant 5 karat i rrethuar nga një kurorë e artë si për të krijuar një lloj seti me Kupën e fituar të Premier League nga skuadra e Dhelprave. Është një unazë vlera e së cilës kap shifrën e 280 mijë eurove.
Ideja për krijimin e kësaj unaze u hodh nga argjendari Lumbers për të festuar në mënyrën më të mirë të mundshme triumfin e Ranierit dhe skuadrës së tij. Numri i unazave të prodhuara do të jetë i limituar në 80, 81 ose 83 ekzemplarë, në varësi të pikëve që do të ketë kjo skuadër në përfundim të kampionatit.
Efekti duket se ka qenë i menjëhershëm, pasi disa prej lojtarëve të Leicester me Jamie Vardy në krye kanë menduar të bëjnë prenotimet për blerjen e kësaj unaze, të cilën duan t’ia bëjnë dhuratë të fejuarave apo bashkëshorteve të tyre. Vetëm se këtë radhë, për ta paguar atë duhet të hapin portofolët e tyre, pasi padroni i klubit Srivadanapra nuk ka ndërmend të bëjë shpenzime në këtë aspekt.
Chelsi i ofron rinovimin e kapitenit Terry
Chelsea i ka ofruar rinovimin kapitenit të skuadrës, John Terry. Sipas zëdhënësit të klubit, Terry, kontrata e të cilit skadon këtë verë, ka në dorë një kontratë të re 1-vjeçare. “Marina Granovskaia dhe Bruce Buck janë takuar gjatë kësaj jave me John dhe agjentin e tij dhe i kanë ofruar një kontratë të re 1-vjeçare. Kjo ofertë vjen në fund të sezonit, prandaj John duhet të marrë një vendim të rëndësishëm. Ai dhe familja e tij janë duke e shqyrtuar”, u shpreh zëdhënësi.
Terry, 35 vjeç, ka bërë 703 ndeshje me fanellën e Chelseat, pasi debutimit në tetor të vitit 1998 dhe gjatë muajve të fundit e kishte bërë të qartë se dëshiron të qëndrojë në “Stamford Bridge” edhe për disa vite të tjera. Tifozët e Chelseat kishin nisur një fushatë javëve të fundit, duke i kërkuar klubit që t’i ofrojnë kontratë të re idhullit të tyre dhe duket se më në fund skuadra ka reaguar.