30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Të pabrekë milionerë

“Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!….
…Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve! ” (Ali Asllani)

Vrasje, drogë, grabitje, prostitucion janë arritjet madhore të kësaj mazhorance. Çdo ditë pushtetarët nga Kryeministri, kryetari i Parlamentit, ministrat, kryebashkiakët dhe deri tek rilindasi i fundit janë në mos njëri, tjetri, ose të gjithë bashkë duke kryer krime ndaj këtij populli. Skandalet nuk kanë të sosur dhe plasin sa në Tiranë, në Vlorë, Sarandë, Korçë dhe çdo cep të Shqipërisë e deri edhe në Hamburg, kur i bie radha për vizitë ministres së Mbrojtjes. As Kryeministri, as kryeparlamentari nuk i mohojnë këto krime të urdhëruara prej tyre, por ushtarët e tyre shihen të ndërtojnë alibira se i kujt është Balili, e i kujt është Shukriu, i PS-së apo LSI-së. Askush nuk e vë në diskutim se të gjithë këto fundërrina janë pjesë e koalicionit të qelbësirave, duke marrë edhe konfirmimin me zë e figurë të Koço Kokëdhimës.
Një Kryeministër idiot në punët e shtetit, vazhdon të nxjerrë para me beton, drogë dhe banda, duke e kthyer Shqipërinë në një Republikë mafioze. Një kryeparlamentar i akuzuar vazhdimisht për afera kriminale dhe korruptive bën të fortin e lagjes në koalicionin qeverisës, ecën dorë për dore me Kryeministrin duke ndarë llokma dhe bërë plane e skenare për të prishur plane e skenare që ia fut Rama dhe ia fut Ramës. Një kabinet qeveritar, ku ministrat nuk i prishin punë njëri-tjetrit, nuk i ndërhyjnë njëri-tjetrit, pasi vjedhin së bashku dhe paguajnë njësoj shefat e mëdhenj. Ekonomia, financat, rendi, mbrojtja, shëndetësia, arsimi, bujqësia, transporti, kultura janë në krizë të thellë dhe lolo–ministra dalin si magjistarë shifrash dhe na thonë se populli është më i lumtur dhe vendi është më mirë kur bien të ardhurat, kur shpërthejnë tritolet, kur kanabisi mbulon malet dhe fushat, kur të sëmurët vdesin nga ilaçet e skaduara ose mungesa e ilaçeve, kur mësuesit shesin drogë në shkolla, kur ushtarakët vriten duke transportuar mermerin e vilës së ministres, kur jeta e fëmijëve është më e lirë se një litër karburant më shumë që do të shesë Kërri i Partisë, kur tenderat dhe koncesionet janë thjesht grabitje me letra zyrtare, kur ministra, drejtorë dhe kryebashkiakë heqin brekët dhe bëhen milionerë, kur Kryeministri, policia, ambasada vihen në shërbim të Eskobarit, kur e keqja është bërë si një rrezatim radioaktiv që ka mbuluar vendin.
Degradimi i skajshëm i Shqipërisë është një zhvillim alarmues dhe trendi të thotë se këta të babëzitur, kriminelë dhe perversë nuk kanë të ngopur, nuk kanë të ndalur. Edhe kur shohin se një trupë gjyqësore ju bën rezistencë organizohen në akte vandaliste ndaj gjykatësve dhe si në aksionet e dikurshme komuniste kundër kishave dhe xhamive kërcënojnë se do t’i rrafshojnë gjykatat si të ishin ndërtime pa leje. Mjerë ne kur këtë e bën një kryebashkiak – ish-shitës fiqsh, me nivel arsimor të njëjtë me Gencin e Bales, që kujton leksione demokracie disa copëza të përkthyera nga Google, sikur të ishte duke folur para tribuve të izoluara afrikane me surratin e Sadri Abazit.
Veliaj, Sadriu, Koço, Shukriu, Shullazi, Balili dhe rilindasit e integriliristët janë ata që Ali Asllani i quan të pabrekët milionerë që kanë zënë dhe kontrollojnë çdo nivel të qeverisjes, ata që po ua bëjnë jetën ferr shqiptarëve dhe po vrasin çdo shpresë në këtë vend. Nëse Shqipëria vazhdon të lihet në duar të këtyre qelbësirave që na qeverisin, rreziku është të përfundojmë si një shtet i dështuar ose në një diktaturë tjetër. Nuk ka reformë, as shkop magjik që e pastron këtë vend prej këtyre fundërrinave. Poeti thotë grushti duhet të bjerë mbi kokë të zuzarëve! Sa më shpejt aq më mirë!

Aleancë e llumit, aleancë e skandaleve!

Sali BERISHA

Organizata kriminale e Edvin Shullazit apo qeveria e tij, regjistron çdo ditë një skandal, që të gjithë pa përjashtim të lidhur direkt me kokën e meduzës së krimit të organizuar apo gjymtyrët e saj. Në një javë, anëtarët e organizatës kriminale krenarisht regjistrojnë:
– Vrasjen, në praninë dhe me hjeksimin e policisë, të Çiços, në prani të oficerit trafikant Alban Trimi që fshehu revolen e Qebinit.
– Thyerjen e gjilpërës së revolverit të ushtarit të Shullazit nga zëvendësdrejtori i policisë Ermal Shullazi në prani të dy zyrtarëve të tjerë të lartë të policisë.
– Zbulimi nga autoritetet greke dhe DEA e SHBA në Athinë të Balilit, Eskobarit të Ballkanit, drejtor në qeverinë organizatë kriminale, që paguante dhe vakanca fabuloze, kryekanabist i devotshëm, sivëllau i Kryeministrit të Jugut, Keli i Kokëdhimës.
– Xhelili i Edvin Shullazit, që shiste, firmoste vende pune kundrejt seksit dhe që prokurori më i zi se ai, me urdhër të Ramës, pasi e akuzon për tri vepra penale krenarin brekëgrisur të Edvinit, kërkon për të ndjekje në gjendje të lirë. Flitet si shpërblim kjo, pasi Xhelo nuk e përdhunoi dot viktimën e tij.
Kjo është organizata kriminale e aleancës së llumit të Edvin Shullazit!

Byroja, ekspertë të FBI do monitorojnë çdo hetim

Ekspertët e FBI jo vetëm që do të trajnojnë punonjësit shqiptarë në lidhje me funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, por njëkohësisht do të monitorojnë çdo hetim që do të ndërmarrë ky institucion. Kjo është bërë e ditur dje nga përfaqësuesi i OPDAT, John Smibert.
Në Durrës, ekspertët e nivelit të lartë për Reformën në Drejtësi prezantuan ndryshimet në ligjin për organizimin e Prokurorisë, ligjin e ri për Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Përfaqësuesi i OPDAT i pranishëm në këtë tryezë kërkoi bashkëpunim për këtë paketë të rëndësishme ligjore.
Konsultimi publik për paketën ligjore të ndryshimeve kushtetuese që do të shoqërojnë Reformën në Drejtësi u zhvendos në Durrës. Në këtë tryezë grupi i ekspertëve të nivelit të lartë prezantuan ndryshimet në ligjin për organizimin e Prokurorisë, ligjin e ri për Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
“Drejtori i Byrosë Kombëtare, emërohet e shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve. Drejtori i Policisë mund të zgjidhet nga radhët e Policisë, Policia Gjyqësore ose anëtarët e Byrosë. Gjithashtu hetuesit e Byrosë, mund të zhvillojnë hetime, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme” u shprehën ekspertët gjatë takimit.
Eksperti i nivelit të lartë Artan Hoxha, shpjegoi risitë e draftit. “Për të rregulluar funksionimin e Prokurorisë në tërësinë e vet dhe të organizmave që lidhen me veprimtarinë e saj nuk është i mjaftueshëm vetëm për të parë këtë projektligj sepse sipas paketës kushtetuese ka edhe disa projektligje të tjera, të cilat e shoqërojnë zbërthimin e amendimeve kushtetuese, si për shembull në këtë projektligj nuk rregullohet mënyra e organizimit dhe funksionimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.
Përfaqësuesi i OPDAT, John Smibert tha se projektligjet janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë pasi kanë të bëjnë me Njësinë Speciale të Hetimit të Korrupsionit. John Smibert: “Aftësia për të luftuar krimin dhe korrupsionin është me rëndësi si për Shqipërinë edhe për SHBA se SPAK do të funksionojë njësoj si gjykata, por edhe do të fokusohet në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta. Ndërsa Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë ekspertë të FBI, të cilët do të trajnojnë punonjësit shqiptarë dhe do të monitorojnë hetime të pavarura”.
Ekspertët kanë bërë të ditur se Byroja Kombëtare e Hetimit do të funksionojë me një grup nenesh brenda njësisë SPAK, njësia e posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme për hetimin e korrupsionit.

Pas UEFA-s, Kosova anëtarësohet edhe në FIFA

Një tjetër ditë historike. Kosova pranohet në FIFA. Kongresi i 66-të i këtij institucioni rezultoi i bekuar për shtetin më të ri në Ballkan. Nga 205 federata që kishin të drejtë vote, 141 prej tyre votuan pro anëtarësimit të Kosovës në institucionin më të rëndësishëm në botën e futbollit, ndërkohë që 23 federata votuan kundër. Në këtë mënyrë, Kosova është anëtarja numër 210. Ky vendim do t’i japë mundësinë Kosovës të marrë pjesë në eliminatoret e Kampionatit Botëror Rusi 2018 që do të fillojnë në shtator. Mbështetja për Federatën Kosovare të Futbollit në këtë rast ishte shumë e madhe, ku një ndër to ishte presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Tashmë do të hidhet me short se në çfarë grupi do të përfaqësohet anëtarja më e fundit e FIFA-s në kualifikueset e kupës së botës. Më herët, Presidenti i Federatës, Fadil Vokrri i kërkoi anëtarëve të FIFA-s të pranonin anëtarësimin e Kosovës, duke qenë se sporti i këtij vendi njihet nga komunitete olimpike ndërkombëtare dhe futbolli sapo u pranua në UEFA. Thirrja e Vokrrit gjeti përgjigje në një ditë historike. Tashmë, futbollin në Kosovë e pret një rrugë e gjatë duke filluar nga ndërtimi i stadiumeve, me Presidentin Vokkri që në bashkëpunim me shtetin ka premtuar se do kemi dy impiante të reja në Mitrovicë dhe Prishtinë.
Urime Kosovë! Pas anëtarësimit të Kosovës në FIFA, reagoi edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili thekson se ky anëtarësim vjen pas një izolimi 25-vjeçar që ka kaluar vendi. “Europa është shumë e vogël për talentët tanë të mëdhenj.Anëtarësimi dje në FIFA, përfundimisht krijon një terren të ri për promovimin e futbollit kosovar në garat botërore. Gjatë izolimit 25-vjeçar, ne iu kemi dhënë shumë talente kombëtareve dhe ekipeve botërore. Nga sot, ata e kanë vendin në kombëtaren e Kosovës. Jam mirënjohës për të gjithë që punuan për anëtarësimin e Kosovës në FIFA. Ishte një rrugëtim i gjatë i ndërkombëtarizimit të sportit kosovar. E filluam me pingpong dhe e përfunduam sot në FIFA. Të bashkuar duhet të luftojmë për betejën e radhës, për fitoren e radhës, për ditën historike të radhës për Kosovën”, shprehet Thaçi.
Edhe Kryeministri, Isa Mustafa shprehu një mesazh urimi. Kosova sapo u bë anëtare e familjes botërore të futbollit, FIFA. Sukseset për vendin tonë nuk kanë të ndalur. Së shpejti do t’ju sjellim lajme të tjera të mira. 2016-ta pa dyshim është viti ynë. Kosova është gati!”, u shpreh ai. Nga ana e tij, Kadri Veseli, kryetar i Parlamentit tha: “Kosova sapo arriti një fitore të re të madhe në fushën e sportit, duke u anëtarësuar në FIFA. Ky ishte një hap i rëndësishëm përpara në konsolidimin e mëtutjeshëm të imazhit dhe pozitës së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shumë shpejt, mbarë bota, do ta shijojë futbollin e talenteve të panumërta të rinisë sonë”.

Thaçi: Një rrugëtim i gjatë i sportit kosovar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar Kosovën për anëtarësimin e saj në FIFA. Me anë të një statusi në rrjetin social ‘Facebook’, Thaçi theksoi se ky ishte një rrugëtim i gjatë i sportit kosovar. “Anëtarësimi sot në FIFA, përfundimisht krijon një terren të ri për promovimin e futbollit kosovar në garat botërore. Gjatë izolimit 25-vjeçar, ne iu kemi dhënë shumë talente kombëtareve dhe ekipeve botërore. Nga sot, ata e kanë vendin në kombëtaren e Kosovës. Jam mirënjohës për të gjithë që punuan për anëtarësimin e Kosovës në FIFA. Ishte një rrugëtim i gjatë i ndërkombëtarizimit të sportit kosovar. E filluam me pingpong dhe e përfunduam sot në FIFA. Të bashkuar duhet të luftojmë për betejën e radhës, për fitoren e radhës, për ditën historike të radhës për Kosovës. Gëzuar! HTH”, citohet në mesazhin e Thaçit.

Mustafa: Së shpejti do t’ju sjellim lajme të tjera të mira

“2016-ta padyshim është viti ynë”, shkruan Kryeministri Isa Mustafa, ndërsa përshëndet pranimin e Kosovës në FIFA. “Kosova sapo u bë anëtare e familjes botërore të futbollit, FIFA. Sukseset për vendin tonë nuk kanë të ndalur. Së shpejti do t’ju sjellim lajme të tjera të mira. Kosova është gati”, shkruan në Facebook kryeministri Isa Mustafa.

Veseli: Mbarë bota do të shijojë futbollin dhe talentin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli menjëherë pas pranimit të Kosovës në FIFA vlerëson se, kjo është një arritje tjetër e madhe për Kosovën. “Kosova sapo arriti një fitore të re të madhe në fushën e sportit, duke u anëtarësuar në FIFA. Ky ishte një hap i rëndësishëm përpara në konsolidimin e mëtejshëm të imazhit dhe pozitës së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shumë shpejt, mbarë bota, do ta shijojë futbollin e talenteve të panumërt të rinisë sonë”, shprehet ai.

Koalicioni i djathtë, pro votimit dhe numërimit elektronik

Koalicioni i djathtë do t’i propozojë Komisionit për Reformën Zgjedhore aplikimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dje, partitë opozitare zhvilluan një takim në selinë e PD, ku diskutuan rreth reformës zgjedhore dhe qëndrimit të koalicionit të djathtë. “Në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta që po bëjmë për hartimin e një platforme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, tryeza e koalicionit të partive të djathta sot diskutoi rreth sistemit të votimit dhe numërimit dhe arritëm në konkluzionin e përbashkët për të mbështetur praktikën e votimit dhe numërimit elektronik, votimin biometrik dhe numërimin elektronik. Në tryezat e ardhshme të koalicionit do të vazhdojmë me çështje të tjera, të cilat përfshijnë sistemin zgjedhor, financimin e partive politike, marrëdhëniet me mediat, depolitizimin e mëtejshëm të sistemit zgjedhor dhe çështje të tjera, të cilat janë me interes për të gjithë partitë pjesëmarrëse në këtë koalicion”, u shpreh dje për mediat, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho pas tryezës me partitë aleate.  Pak ditë më parë, Basha bëri të ditur se Partia Demokratike ka finalizuar diskutimet për platformën për procesin zgjedhor ku ka vendosur t’i propozojë Komisionit Ad Hoc për Reformën Zgjedhore votimin elektronik me shenjat e gishtërinjve. Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi se zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe gjithçka që ka të bëjë me garantimin e tyre janë dhe do të mbeten kusht absolut i PD.  “Partia Demokratike dhe unë e kemi bërë të qartë prej fillimit, pa një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme asgjë tjetër nuk do të funksionojë normalisht në këtë vend. Natyrisht ne jemi edhe sot kemi qenë pjesë dinjitoze e përpjekjes për një Reformë në Drejtësi, pa propagandë, pa shtirje siç bënë ata që thonë do ta votojmë pa e lexuar, por me seriozitetin që meriton Reforma në Drejtësi jemi angazhuar dhe do të vazhdojmë të angazhohemi. Por zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe gjithçka që ka të bëjë me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë prioritet i prioriteteve. Ua kam thënë dhjetëra herë këtu dhe në të tjera forume dhe si të tilla janë dhe mbeten kusht absolut i Partisë Demokratike dhe i opozitës për gjithçka tjetër në këtë vend”, u shpreh Basha. Ai parashtroi para medias propozimet që PD do të bëjë në Komisionin për Reformën Zgjedhore, ndërsa citoi votimin biometrik, numërimin elektronik, kontrollin e plotë të financave të partive politike dhe kriminalizimin e donacioneve private përmes financimit 100% të partive nga buxheti i shtetit. Ai citoi gjithashtu kufizimin e shpenzimeve në fushatë elektorale dhe të gjithë aspektet e tjera që kanë të bëjnë me shkurtimin e duarve të korrupsionit dhe krimit nga vota e shqiptarit, hapësirë e barabartë të partive politike në media.

Vdekja e fëmijëve krim shtetëror, fondet për sigurinë e rrugës i mori kompania e karburantit

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma ishte dje në vendin e ngjarjes në Kavajë ku humbën jetën dy fëmijë nga një aksident për shkak të interesave të njerëzve të lidhur me pushtetin.
“Këtu humbën jetën dy fëmijë. Në këtë rrugë humbëm dy jetë njerëzish, për shkak të mbrojtëseve të rrugës, të cilat mungonin. Mendoni se kjo ndodhi vetëm për shkak të mungesës së mbrojtëseve?!Absolutisht jo. Ndodhi për shkak të interesave klienteliste të pushtetit. Ndërsa qindra qytetarë përfundojnë burgjeve për një suva, për një çati, për një mur shtëpie në pronë të vetën, ky shtet, kjo qeveri, ajo ministri, ai autoritet rrugor, prej dy vitesh nuk zbatojnë një vendim gjykate për të vendosur mbrojtëset e rrugëve.
Përse nuk e zbatojnë?! Sepse kështu i intereson një pronari të një pike karburanti, një Pilo Kerri, i cili si ish-deputet i PS, si baba i një drejtori të rëndësishëm në Ministrinë e Transporteve dhe sot e dikur ish-shef i kabinetit të Haxhinastos, përdredh ligjin për t’u shërbyer interesave të veta”, tha Duma.
Sekretarja Duma e cilësoi ngjarjen një krim shtetëror pasi skandali është edhe me i rëndë. Sipas saj, firma që marrë fondet publike për sigurinë rrugore është e njëjta që ka në pronësi edhe karburantin.
“Në fakt prokuroria e hapi çështjen në themel duke dërguar përballë drejtësisë dy drejtorë të Autoritetit Rrugor. Por skandali është shumë më i thellë se sa kaq.
Ironia më e madhe është se pikërisht firmës të cilës i intereson që mbrojtëset e rrugës të mos ekzistojnë është e njëjta firmë që përfiton fonde publike për mirëmbajtjen e këtij aksi rruge dhe këtij segmenti rrugor. Vlera e përfitimit: Qindra miliona lekë.
Emri i gjithë kësaj është i thjeshtë – krim shtetëror. Partia Demokratike inkurajon vazhdimin e punës së prokurorisë dhe institucioneve të drejtësisë. Por natyrisht ne kërkojmë që kjo çështje të shkojë në Tiranë, atje ku i ka rrënjët kjo aferë.
Vajzat, fëmijët që humbën jetën, ishin nisur me nënën e tyre për të takuar të atin që ky pushtet e plasi në burg për një çati që po ndërtonte pa leje. Nga ana tjetër krimi shtetëror shkon dhe  ulet këmbëkryq mbi vendimet e gjykatës. Është ky krim që na shkel dinjitetin. Është ky krim që na merr jetë”, tha Duma.

Prokuroria procedon penalisht Erion Veliajn: Kanosi gjyqtarët

Përmes një njoftimi zyrtar bëhet e ditur se, organi i akuzës e ka ndërmarrë nismën e tij për veprat penale “Organizim të manifestimit të paligjshëm” dhe “Kanosje e fyerje ndaj gjyqtarëve”. Sipas njoftimit, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve filmike të protestës së 11 majit, të transmetuara në televizione
Veprimet e kryera ishin një presion i hapur ndaj gjyqtarëve dhe një kërcënim i pavarësisë së gjykatave
Prokuroria e Tiranës ka nisur procedim penal për protestën e dy ditëve më parë të organizuar nga Bashkia e kryeqytetit pranë selisë së Gjykatës Administrative. Përmes një njoftimi zyrtar bëhet e ditur se, organi i akuzës e ka ndërmarrë nismën e tij për veprat penale “Organizim të manifestimit të paligjshëm” dhe “Kanosje e fyerje ndaj gjyqtarëve”. Sipas njoftimit, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve filmike të protestës së 11 majit, të transmetuara në televizione. Përmes protestës, e drejtuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj, kërkohej dorëheqja e trupit gjykues që ishte caktuar për të gjykuar çështjen e lejes së ndërtimit dhënë për kompaninë “Gener 2”, për ndërtimin e një godinë 17-katëshe në vendin përballë digës së Liqenit Artificial në Tiranë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë dënoi çdo formë presioni, që kryetari i Bashkisë Tiranë dhe një grup politikanësh ushtruan, më datë 11 maj 2016, ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ, lidhur me një çështje gjyqësore, e cila është ende në gjykim. Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, këto akte dhe veprime të pamenduara si duhet, sjellin destabilizim të parikuperueshëm, për sistemin gjyqësor, pasi çdo palë ndërgjyqëse në një proces do t’i perceptojë si të drejtë të tij, kundërshtimin me protesta dhe presione politike vendimet që jepen nga gjykatat, në emër të Republikës së Shqipërisë. Veprimet e kryera ishin një presion i hapur ndaj gjyqtarëve dhe një kërcënim i pavarësisë së gjykatave.
Në protestën e tyre, kryetari i Bashkisë Tiranë dhe eksponentë të tjerë politikë, përdorën terma poshtërues për gjykatat dhe gjyqtarët që prej vitesh japin drejtësi, duke pasur si qëllim, ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor, ç’ka mund të sjellë veçse demotivim dhe nënshtrim të sistemit të drejtësisë. Pengimi përmes protestave, i funksionimit normal të veprimtarisë së Gjykatës Administrative të Apelit për disa orë, ndikon negativisht, në mënyrë të padrejtë, në imazhin e gjykatës dhe ul besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, thuhej në reagimin e KLD.
Edhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestën e organizuar nga Bashkia e Tiranës para Gjykatës së Apelit Administrativ kundër ndërtimit të pallatit 17-katësh tek diga e Liqenit Artificial. Përmes një njoftimi për mediat, Bordi i këtij Unioni ngre shqetësimin për ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thotë se ushtrimi në këto përmasa i trysnisë ndaj gjykatës, nga palë ndërgjyqëse, qofshin këto edhe institucione shtetërore është i paprecedentë.
“Në datën 11.05.2016 përpara godinës ku ushtron veprimtarinë e saj Gjykata Administrative e Apelit u mbajt një protestë, e cila filloi në orën 10:30 dhe zgjati deri në orën 13:15. Nga mediat kemi ardhur në dijeni se protestën e ka thirrur dhe organizuar kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj. Duke respektuar të drejtën e protestës së gjithkujt, në format dhe mënyrat që parashikon ligji, ngremë shqetësimin tonë në lidhje me ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim”.

Konferenca Gjyqësore: Intimidimi i gjyqtarëve nga Veliaj, i paprecedent

Vazhdojnë reagimet kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas protestës që ky organizoi para Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me ndërtimet poshtë digës së liqenit. Së fundi ka reaguar Konferenca Gjyqësore Kombëtare, këshilli ekzekutiv i së cilës zhvilloi dje një mbledhje të jashtëzakonshme. Përmes një deklarate ky këshill dënon protestën e Veliajt dhe mbështetësve të tij, duke thënë se qëllimi i tyre ishte intimidimi i trupës gjyqësore. “Më datë 13.05.2016 Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, organizoi një mbledhje të jashtëzakonshme, të diktuar nga ngjarja e ndodhur me datë 11.05.2016 përpara Gjykatës së Apelit Administrativ në Tiranë. Këshilli Ekzekutiv, në emër të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, nëpërmjet kësaj deklarate synon të komunikojë publikisht shqetësimin dhe njëkohësisht ndërgjegjësimin e organeve shtetërore, ndaj sulmit të organizuar ndaj një gjyqtari, gjykate dhe për rrjedhojë edhe ndaj pushtetit gjyqësor.
Kemi ndjekur me shqetësim organizimin tubim të kryetarit të Bashkisë Tiranë, nëpunësve të Bashkisë Tiranë, deputetëve dhe personave të tjerë pjesëmarrës para Gjykatës së Apelit Administrativ gjatë ditës dhe kohës kur në gjykatë po zhvillohej gjykimi i një çështje administrative. Vlerësojmë se tubimi i organizuar, pati si qëllim intimidimin e gjyqtarit, trupit gjykues dhe të gjithë Gjykatës Administrative. Ushtrimi i këtij presioni demonstrativ nuk i shërben aspak misionit kushtetues të pushtetit gjyqësor dhe dhënies së drejtësisë. Demonstrimi me tubime para gjykatës i pakënaqësive të palëve ndërgjyqëse, nuk mundet të jetë kurrsesi forma ligjore e mbrojtjes, aq më shumë kur kjo gjë ndodh nga persona zyrtarë që përdorin administratën për këto qëllime dhe në emër e për llogari të institucioneve kushtetuese. Kjo sjellje është e papranueshme dhe afërmendsh krijon pritshmëri tek çdo ndërgjyqës i pakënaqur nga dhënia e drejtësisë, për forma organizimi demonstrative, të cilat mundet të ushtrojnë presion të paligjshëm në veprimtarinë e gjykatave.
Gjithkush, e aq më tepër personat zyrtarë dhe institucionet kushtetuese, duhet të mbajnë parasysh se, pavarësia e pushtetit gjyqësor është parakusht për respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Gjithkush duhet të mbajë parasysh se, ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarit, trupës gjyqësore apo gjykatave passjell përgjegjësi sipas ligjit. Në funksion të garantimit të procesit të dhënies së drejtësisë do të duhet që palët, personat zyrtarë që përfaqësojnë ato, të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje përpara gjykatës. Kështu, kërkojmë që veprime të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen”.

Kushtetuesja rrëzon nenin “Balla”, synonte krijimin e monopolit të medias

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar nenin e ligjit të ri për mediat audiovizive që lejonte një person të zotëronte më shumë se 40% të pronësisë së një subjekti mediatik. Heqja e këtij kufiri u propozua nga deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke ngjallur debate në ambientin mediatik, por edhe reagime nga komuniteti ndërkombëtar. Por gjykata vendosi se asnjë prej pronarëve të subjekteve mediatike nuk mund t’i lejohet zotërimi i më shumë se 40% të aksioneve.
Kundërshti mbi këtë amendament shprehën edhe Këshilli i Evropës, si prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Këshilli i Evropës iu drejtua Komisionit parlamentar të Medias me shqetësimin për këtë amendament ku, sipas saj, prekte pluralizmin e medias.
Po ashtu, përfaqësuesja për Lirinë e Medias në OSBE, Dunja Mijatoviç, në një letër drejtuar kryetarit të Kuvendit, theksoi se heqja e nenit 62 do të ketë ndikim shumë negativ për lirinë e medias në Shqipëri.
Ankimi si antikushtetues ishte bërë në gjykatë nga Shoqatat e Mediave Elektronike të Shqipërisë, me argumentin se cenon lirinë e pronës dhe barazinë para ligjit. Gjatë seancës së shqyrtimit në Gjykatë Kushtetuese kërkesa e shoqatës, u mbështet dhe nga Autoriteti i Mediave Audivizive.
Delegacioni i Bashkimi Europian në Tiranë hodhi poshtë i skandalizuar kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë, për të shfuqizuar një nen në ligjin në lidhje me pronësinë e medias. Përmes një letre që mban datën 26 maj 2015, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i është drejtuar me anë të një letre ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin, ku i kërkonte mbështetje dhe asistencë teknike për ndërhyrjen në një nen të ligjit për mediat, përkatësisht në nenin që ka të bëjë me pronësinë e mediave. Bëhet fjalë për nenin 62, i cili përcakton kufizime për pronësinë e medias duke rregulluar numrin e licencave që mund të mbajë një operator i vetëm; si pasojë, shfuqizimi i tij duket se do të hapë derën për pronarët e disa mediave për të marrë më shumë licenca kombëtare. Kërkesa e Metës konsistonte pikërisht në shfuqizimin e këtij neni, synimi i të cilit është shkatërrimi i lirisë të mediave. Pra, shfuqizimi i këtij neni mund të përbëjë një problem për pluralizmin e medias duke krijuar terren për monopole radiotelevizive. Por kjo kërkesë e Metës ka sjellë një reagim të ashpër të ambasadores Vlahutin.
Pak javë më vonë, në përgjigje të letrës së Metës, ambasadorja Vlahutin jo vetëm që i refuzon Metën asistencën teknike, por shpreh kritika të forta në emër të Bashkimit Europian lidhur me përpjekjet për të monopolizuar mediat. Në letrën drejtuar Metës, Vlahutin shpreh shqetësimin serioz për cenimin e pluralitetit të mediave në vend, si dhe nxitjen përmes këtij ligji të një instrumenti klientelist në fushën e mediave. “Në përgjigje të kërkesës suaj, të datës 26 maj 2015 ku kërkoni që Delegacioni i Bashkimit Europian t’u mundësojë asistencë teknike në lidhje me një amendament të miratuar në muajin prill në Parlament, me qëllim të shfuqizoni kufizimin e pronësisë për të gjitha mediat audiovizuale, dëshiroj t’iu shpreh shqetësimin serioz në lidhje me efektin që do të sjellin ndryshime të tilla në pluralizmin dhe mediat në Shqipëri”, shprehet Vlahutin. Duke renditur me shqetësim efektet dhe synimet negative të këtij propozimi të Metës, Vlahutin shkruan se Bashkimi Europian nuk mundet që të mbështesë dhe japë ndihmën e tij për një ligj, i cili shkon kundër standardeve dhe parimeve të BE. Ndaj dhe ajo bën thirrje duke kujtuar edhe qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë që të respektohet ligji siç është aktualisht i parashikuar në ligjin e medias. “Bashkimi Europian nuk mund t’iu mundësojë asistencë në amendamentet që janë kundër standardeve të Bashkimit Europian dhe praktikave më të mira. Ashtu siç edhe theksohej në letrën e Michaela Matuella, shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, Komisioni Europian u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të respektojnë kufizimin e pronësisë ashtu siç parashikohet nga Autoriteti i Medias Audiovizive”, shkruan Vlahutin.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datën 13.05.2016 shqyrtoi çështjen me palë:
Kërkues: Shoqata e Mediave Elektronike shqiptare
Subjekte të interesuara: Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Objekt:  Shpallja si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 62, pika 3 të Ligjit nr. 97/2013, datë 04.03.2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjektet e interesuara, në mbështetje të nenit 131/a dhe 134/f të Kushtetutës, si dhe të Ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,
Vendosi:
– Pranimin  e kërkesës.
– Shfuqizimin e nenit 62/3 të Ligjit nr. 97/2013, datë 04.03.2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Ligji u kundërshtua fort nga opozita dhe ndërkombëtarët

Përpjekjet e mazhorancës për të ndryshuar ligjin e medias me qëllim krijimin e monopoleve në fushën mediatike ngritën shqetësime tek ndërkombëtarët. Këshilli i Europës dhe OSBE i kanë kërkuar qeverisë të ketë kujdes me shfuqizimin e nenit 62 të Ligjit të Medias, kërkesë kjo e bërë nga mazhoranca përmes deputetit Taulant Balla. Përfaqësuesja e OSBE për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, deklaroi në një reagim të saj se Shqipërisë nuk i duhet heqja e këtij neni, duke dhënë mesazhe të qarta që politika të mbajë duart larg nga media. KiE dhe OSBE kanë qenë të qartë dhe të prerë në kërkesën e tyre që autoritetet shqiptare të bëjnë kujdes për shfuqizimin e nenit 62 të Ligjit të Mediave Audivizuale. Kreu i zyrës së Këshillit të Europës, Marco Leidekker, tha se heqja e këtij ligji do të përqendrojë median në duart e disa pronarëve dhe autoritetet vendase duhet të kenë parasysh ekspertizën ndërkombëtare. “Duhet të rishikohet me kujdes neni 62 i Ligjit të Medias. Në këtë ligj rregullohet licencat dhe pronësia. Heqja e kufizimeve të pronësisë mund të sjellë përqendrim të mediave në duar të pak personave. KiE dhe OSBE do të ofrojnë mbështetje teknike”. Mesazhe të qarta ka përcjellë edhe Dunja Mijatoviç, përfaqësuesja e OSBE për Lirinë e Medias. Ajo tha se, Shqipërisë nuk i duhet shfuqëzimi i këtij neni, duke i kërkuar politikës të mbajë larg duart nga media. “Zbatimi i ligjit nuk duhet të kufizojë lirinë e medias, këtë duhet ta shmangim. Nxjerrjen e ligjit që kufizon lirinë nuk dua ta shoh në Shqipëri, sepse mediat duhet të bëjnë punën e tyre profesionale. Politika larg duart nga media, sepse nëse një media nuk është e pavarur do të thotë se nuk ka oksigjen”. Kryetari i Komisionit kuvendor të Medias, Genc Pollo, cilësoi nga ana e tij se heqja e këtij neni është dhunim i ligjit të medias për të krijuar monopole. “Nëse pjesa e tregut e marrë nga katër TV më të mëdha është më e madhe se 50% quhet me risk të lartë. Nëse zaptimi i këtyre frekuencave aprovohet zyrtarisht, atëherë ky studim do të duhet të sajojë një kategori të re për Shqipërinë në mënyrë të veçantë”, tha Pollo.

Gruaja shqiptare është viktima e madhe e qeverisjes së Ramës

Albana VOKSHI

Historia e publikuar në “Ora News” është dëshmia e modelit qeverisës në Shqipëri: Imoralitet, korrupsion dhe kriminalitet! Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë në hierarkinë e abuzimeve seksuale për një vend pune, ka “shokë” në qeveri, administratë dhe polici.
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë denoncon me neveri abuzimet në zyrat e shtetit me gratë dhe vajzat.
Sekretari i Partisë në Sarandë që kërkoi favore seksuale me fëmijën 14 vjeç, drejtoresha e Arsimit në Lushnjë që iu dërgonte mësueset shokëve të partisë, shefi i komisariatit në Velipojë që abuzonte seksualisht me viktimat e dhunës në familje dhe kryetari i Bashkisë në Peshkopi, që abuzoi seksualisht me një vajzë 20 vjeçe, janë reforma e Rilindjes në administratën publike.
Po sa raste të tjera mund të ketë në zyrat e Rilindjes? Sa raste të tjera abuzimi për të cilat gra e vajza të pazëshme nuk guxojnë që të flasin?
Duke dënuar ngjarjen e rëndë të kryetarit të Bashkisë Peshkopi, Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë, i bën thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të reagojnë fuqishëm ndaj këtyre fenomeneve të turpshme, të cilat ky pushtet po tenton t’i kthejë në institucion!
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë ka denoncuar pushimet e padrejta nga puna në administratën publike të rreth 3000 grave dhe vajzave, në mes tyre edhe të shumë nënave kryefamiljare. PD ka denoncuar pushimet me motiv politik të rreth 1000 grave nga sistemi spitalor, pothuajse të gjitha me probleme sociale, kryefamiljare, me fëmijë apo burra të sëmurë.
Mbi 1000 vajza e gra, që nuk do të kenë mundësi të çojnë pagën për të mbajtur familjen apo fëmijët e tyre. Secila prej tyre, në dëshpërim të jetesës e mbijetesës mund të rrezikojë të jetë viktima e radhës, të cilës do t’i kërkohen favore seksuale për ta mbajtur apo kthyer në punë.
Gruaja shqiptare është viktima e madhe e qeverisjes së Edi Ramës. Shifrat e INSTAT tregojnë që papunësia rritet çdo tremujor dhe ka arritur nga 35–50% në rajone të ndryshme. Rritja e taksave vendore e qendrore, mbyllja e bizneseve, rritja e çmimeve, mohimi i të drejtave kushtetuese për arsimim dhe shërbim shëndetësor, prishja e mekanizmave të mbrojtjes së të drejtave të grave e kanë përkeqësuar statusin e gruas në shoqërinë shqiptare.
Rama premtoi 300 mijë vende pune, premtoi mirëqenie për 97% të qytetarëve shqiptarë, por solli diskriminim, dhunë psikologjike dhe përndjekje gjinore në këmbim të punësimit.
Rama premtoi 300 mijë vende pune, bërtet e thotë çdo ditë që s’ka profesionistë, po ai dhe përfaqësuesit e tij kanë ngritur një sistem të tërë paralel, korruptiv që ofron zgjidhje apo vende pune vetem në këmbim të favoreve të llojeve të ndryshme.
Ndaj edhe shumë gra e vajza po azilojnë jo vetëm s’kanë më shpresën, por ikin se kërkojnë një shoqëri ku askush mos t’i shohë me sytë tërë epsh të zyrtarëve, por të mund të kërkojnë punë, të trajtohen e të jetojnë me nder e dinjitetin që ato meritojnë.
Në përkrahje edhe të revoltës qytetare që ka shpërthyer në rrjetet sociale, kërkojmë nga Prokuroria hetim të plotë të abuzimeve në zyrat e shtetit!
Ju bëj thirrje familjeve shqiptare, aktivisteve të të drejtave të grave të mos heshtin, por të tregojnë kurajën e nënës që denoncoi rastin në Sarandë, të vajzës që tregoi abuzimet e kryetarit të Bashkisë në Peshkopi, të gruas që denoncoi kryekomisarin në Velipojë.
E gjithë shoqëria duhet të dalë nga indiferentizmi dhe të reagojë në mbrojtje të fëmijëve, grave dhe vajzave që abuzohen verbalisht, psikologjikisht apo seksualisht në zyrat e rilindësve.

Pronat, turpi i qeverisë shqiptare del në Strasburg

Agim TORO

Më datën 9 maj 2016 në disa media u botua lajmi se një delegacion i nivelit të lartë i kryesuar nga ministrat Ahmetaj dhe Manjani shkoi në Strasburg dhe takuan Presidentin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), Guido Raimondi, ku kërkuan as më shumë e as më pak që GJEDNJ të ndërpresë vendim-marrjen për çështjet që pronarët shqiptarë kanë ankimuar në atë gjykatë.
Lindin këto pyetje dhe kemi këto përgjigje:
– Pse pronarët shqiptarë i janë drejtuar Strasburgut?
Sepse politika shqiptare që ka drejtuar Shqipërinë këto 25 vjet vetëm ka gënjyer pronarët, sepse gjykatat shqiptare nuk zbatojnë Kartën Europiane të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, por janë të korruptuara dhe zbatojnë vetëm porositë e politikës. Lidhja e ngushtë politike – sistem i drejtësisë është bazë e kësaj situate dhe politikanët janë të qetë se nuk ka kush t’i dënojë.
– Çfarë ka vendosur GJEDNJ?
Në të gjitha rastet në favor të pronarëve duke e detyruar shtetin të paguajë për pronat që nuk i kthen fizikisht.
– Çfarë i thanë ministrat z. Guido Raimondi?
Se ligji i ri e zgjidh problemin.
– A i zgjidh ligji i ri kërkesat e pronarëve për pronat që për 25 vjet klasa politike shqiptare i trajtoi sipas interesave klanore?
Jo.
– Po qe se me ligjin e ri zgjidhjet janë në përputhje me vendimmarrjet e GJEDNJ atëherë pse kërkohet pezullimi i vendimmarrjeve nga ajo e nderuara Gjykatë?
Sepse GJEDNJ nuk gjykon si qeveria shqipatare, por konform Konventës që qeveria shqiptare megjithëse e ka nënshkruar e shkel brutalisht atë dhe ligji i ri për trajtimin e pronave shkel të drejtat e pronarëve që ata i kanë të garantuara nga neni 181 i Kushtetutës.
– Cili është qëndrimi i Gjykatës së Strasburgut?
GJEDNJ në disa vendime të saj, e thekson se pagesa për pronat që nuk kthehen duhet bërë me çmimin e tregut sot dhe sipas zërit kadastral sot.
– Ku është ndryshimi?
Tek çmimi arbitrar dhe disa qindra herë më i ulët.
– Pse shkuan ministrat në Strasburg?
Të ndalojnë vendimmarrjen
– Mos mendon qeveria se mund të urdhërojë GJEDNJ siç urdhëron Gjykatën Kushtetuese shqiptare, e cila sipas urdhërit të qeverisë nuk pranoi kërkesën e pezullimit të ligjit deri në marrjen e vendimit përfundimtar ?
Unë personalisht nuk mund ta mendoj që një qeveri, e kujdo shteti, të ndikojë në një gjykatë ndërkombëtare siç është GJEDNJ që ajo mos gjykojë çështje të ankuara nga shtetasit europianë.
– A ka kërkuar herë të tjera qeveria pezullimin e vendimmarrjes nga  GJEDNJ dhe cili ka qenë vendimi i saj?
Në mars 2014 Kryeministri i Shqipërisë deklaroi në Kuvend se u arrit një sukses i jashtëzakonshëm, sepse u pranua nga Këshilli i Europës që mos merreshin vendime nga GJEDNJ. Por në korrik 2014 GEDNJ e hodhi poshtë kërkesën e qeverisë shqiptare. Prandaj besoj se edhe kërkesa e re do të ketë të njëjtin fat si një çështje e gjykuar.
– Pse qeveria nuk zbatoi vendimin pilot Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë?
Sepse nuk kishte asnjë vullnet për të zgjidhur problemin e pronave, por nisej vetëm nga interesa politike dhe ekonomike të klaneve drejtuese,  që bien ndesh me të drejtën e pronësisë dhe nenin 181 të Kushtetutës dhe qeveria sajoi një zgjidhje alla shqiptarçe.
– Po Presidenti i GJEDNJ a do jetë dakort me qeverinë?
Nuk është e mundur që Presidenti i GJEDNJ të pranojë që  një  shtet, të shkeli të drejtat e njeriut dhe Gjykata që ai drejton të mos i gjykojë ato.
– A mendon qeveria se Presidenti i Gjykatës mund t’i imponohet trupës gjykuese të GJEDNJ?
Qeveria mendon  se ashtu si ju imponohet gjykatave shqiptare dhe i tremb ato me “reformë”, mund të funksionojë edhe me GJEDNJ,  por kjo është e pamundur të ndodhë.
– Nga kush është marrë vendimi pilot kundër Shqipërisë?
Nga Dhoma e Lartë e GJEDNJ dhe është vendim gjykate që nuk mund të ndryshojë. Por qeveria mendon se një vendim pilot mund të anullohet, sepse këtë koncept ka për drejtësinë.
Ku është Reforma në Drejtësi kur i kërkohet të ndalohet vendimmarrja në GJEDNJ, që është ngritur për të dhënë drejtësi. Ky është një grusht që i jepet Reformës në Drejtësi, pasi shuplakën  e parë ja dhe ministrit të Drejtësisë që ushtroi presion për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe meqenëse Gjykata Kushtetuese zbatoi kërkesën e qeverisë mendoi që të njëjtin presion t’ja bëje edhe Strasburgut!!
Vajmedet çfarë konceptesh kanë për drejtësinë dhe çfarë reforme do miratojnë e jo më të zbatojnë.
– Mos kërkojnë të bëjnë Reformë në Drejtësi edhe në Strasburg?
Për të qeshur e për të qarë.
– Pse ky qendrim i qeverisë, ligji i ri si vlerësohet nga ju?
Ligji i ri luan me konceptin kompensim dhe ndërhyn në vendimmarrjet e deritanishme që i rivlerëson sipas dëshirës dhe vullnetit për të ulur në maksimum pagesat. Kjo është plotësisht në kundërshtim me GJEDNJ.
– Po premtimi se do vendosen para të mjaftueshme për këtë qëllim?
Eshtë gënjeshtra e radhës. Trumbetohet me të madhe se janë vënë në dispozicion 24 milionë dollarë. Nuk është e vërtetë, janë paratë e vëna në vitet 2014 dhe 2015 që nuk u shpërndanë. Gjithashtu të dallojmë sa para janë për pronarët dhe sa para janë për pagesën e pronarëve që shpronësohen për efekt legalizimi. Autoritetet po paraqesin në opinion sikur po paguajnë, por asgjë nuk ka për të ndodhur. E gjithë kjo bëhet se pas një viti, do vijnë zgjedhjet dhe ky vit do jetë plot me gënjeshtra e mashtrime, por asgjë nuk do të bëhet. Asnjë vendim për ato 11000 dosjet që flenë nuk do të meret. Do të jetë e vetmja qeveri që gjatë katër vjetëve në qeverisje nuk do të marrë asnjë vendim për pronarët që kanë hapur dosjet dhe presin vendimin.

Ku kanë shkuar pronat e trashëguara të shtetasve që u konfiskuan nga diktatura?

1. U ndanë dhe vazhdojnë të ndahen me ligjin famekeq 7501 i vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare si ligj për interes publik
2. U përvetësuan nga ndërtimet pa leje, fillimisht u pranuan ndërtimet deri në vitin 2006, pastaj deri në vitin 2009 e tashti deri në vitin 2014,  edhe ky ligji i legalizimeve për çudi u vlerësua si interes publik.
3. U përvetësuan me dokumenta të falsifikuara e me makinacione nga më të ndryshmet korruptive nga oligarkia politike, dhe deputetët e papërgjegjshëm.
4. U privatizuan ku deshën e si deshën, por vetëm në interes të pronarëve jo.
5. U përvetësuan nga korrupsioni politik dhe ekonomik.
– Si do të shkojë e drejta e pronës dhe zbatimi i nenit 181 të Kushtetutës ?
Këtë përgjigje e përgjegjësi e ka sistemi i drejtësisë në Shqipëri e në veçanti Gjykata Kushtetuese që shumë rallë ka gjykuar në favor të pronarëve, por në pjesën dërmuese të gjykimeve ka vendosur kundër tyre e në favor të politikës. Të shohim tashti çfarë vendimi do japin për ligjin e ri të pronave, megjithëse fryma u duk që në mosmiratimin e kërkesës për pezullimin e ligjit.
Qeveria nuk do ta prekë statukuone dhe kërkon që me pronat tona të bëjë tregti, duke i shitur me ankande për njerëzit e vet apo për miqtë e shokët.
Në qoftëse kërkohet Reformë në Drejtësi përse duhet kjo reformë që drejtimi i pushtetit gjyqësor apo i Prokurorisë të kalojë sa në një dorë në një tjetër?
Nuk mund të ketë Reformë në Drejtësi në qoftëse nuk ndryshojnë ligjet për pronat në atë pjesë që ato shkelin të drejtat e njeriut dhe paralelisht të veprohet me gjyqtarët e prokurorët e korruptuar. Për këtë duhet që nga drejtuesit e politikës të hiqet dorë nga porositë e Ramiz Alisë që porosiste: të sekuestruarve dhe të shpronësuarve, do t’u japim nga një letër në dorë, t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do tua japim, në forma të ndryshme do t’i ngatërrojm me njëri-tjetrin, të kalojnë në Gjykatë ku do të zbatohet rrotacioni, nga Gjykata e Shkallës së Parë në të dytën e për defekte teknike kthim për rigjykim në Shkallën e Parë. ………Pasuria e tëra na përket ne se ne e bëmë……………..
–  Çfarë vendimesh do marrin gjykatat shqiptare për çështjen e pronave:  sipas ligjeve antipronë që miraton Kuvendi me porosi të qeverisë apo sipas vendimmarrjes së GJEDNJ?
Të shohim, pas miratimit të reformës çfarë do të ndodhë.
Qevria me qendrimin e vet për pronat pronësoi veten me pronat tona dhe i dha vetes të drejtë t’i shesë, t’i falë, të premtojë me një euro, t’i shpronesojë pronarët  në favor të miqve të vet që do investojnë etj., etj. Pra qeveria tha: nuk ka rëndësi çfarë thotë Kushtetuta rëndësi ka çfarë na intereson ne që të sigurojmë pushtet dhe pasuri .
Reforma në Drejtësi rrezikon të dështojë, sepse ligjet në fuqi, por edhe ato që miratohen nuk janë në respekt të të drejtave të njeriut, por kundër tyre.
Misioni i dy ministrave në Strasburg është mashtrim. Reklama që ju bë këtij takimi është pjesë e arrogancës dhe kokëfortësisë së qeverisë për të mos parë realitetin në sy. Pjesë e këtij aktiviteti është dhe Agjensia e Trajtimit të Pronave. Ky institucion që ka ndyshuar disa emra nuk kanë analizuar vendimet e fundit të Strasburgut të dhëna pas miratimit të Ligjit 133/2015, sepse drejtohen nga mentaliteti se ashtu siç manipulojnë gjykatat shqiptare do ta mashtrojnë edhe GJEDNJ. Të gjithë e dijnë se GJEDNJ nuk është dhe nuk mund të bëhet gjykatë shqiptare.

(Agim Toro është Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”)