19.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Kongresmeni amerikan: Akti i Veliajt, preçedent i rrezikshëm

Kongresmeni amerikan Dadiv W. Jolly, në një letër drejtuar ambasadorit të SHBA në Shqipëri, Donald Lu, i ka shprehur shqetësimin për sulmet politike dhe protestat e organizuara kundër sistemit gjyqësor nga zyrtarë të qeverisë. Në letrën e tij, të siguruar ekskluzivisht nga lapsi.al, kongresmeni amerikan shprehet se protestat e drejtuara nga zyrtarët po kërkojnë t’i frikësojnë gjykatat për përfitime të pastra politike. Shqetësimi i kongresmenit Jolly vjen menjëherë pas protestës së organizuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përpara Gjykatës Administrative të Apelit. Anëtari i Kongresit amerikan i kërkon ambasadorit Lu që të vazhdojë angazhimet për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe për Reformën në Drejtësi.
Letra e plotë:
Ambasador Lu,
Ju falënderoj për përfaqësimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara te aleati dhe miku ynë, Shqipëria. Po ju shkruaj sot me një shqetësim të madh për faktin se sistemi i pavarur dhe i paanshëm gjyqësor në Shqipëri po kërcënohet gjithnjë e më shumë, siç më është raportuar, që disa zyrtarë po refuzojnë autoritetin e vendimeve gjyqësore dhe me gjasë po tentojnë të intimidojnë  Gjykatën për  përfitime politike. Unioni i Gjyqtarëve i ka quajtur këto akte si të paprecedent dhe të rrezikshëm. Unë ju bëj thirrje që të punoni me qeverinë e Shqipërisë për të vazhduar angazhimin e saj për qeverisje dhe reformë gjyqësore të lirë e të ndershme. Si pjesë e demonstrimit të këtij angazhimi, unë shpresoj se ju do të vazhdoni të inkurajoni Parlamentin që të përmbushë implementimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit të hyrë në fuqi së fundi për të siguruar praktikat më të mira për të hetuar të shkuarën e zyrtarëve dhe të udhëheqësve politikë. Pas zbatimit të plotë të këtyre politikave të dekriminalizimit, ne kemi një dëshirë të fortë për të parë qeverinë e Shqipërisë që të vazhdojë me reformën e domosdoshme në sistemin gjyqësor në mënyrë të drejtë dhe një proces gjithëpërfshirës. Marrëdhëniet e vazhdueshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe interesi ynë i përbashkët për siguri dhe liri ka një domethënie të rëndësishme rajonale dhe globale. Faleminderit për lidershipin tuaj të vazhdueshëm dhe bashkohem me ju në inkurajimin e liderëve të Shqipërisë për të përqafuar një angazhim më të madh për një gjyqësor të pavarur e të drejtë.

Tonelatat e drogës shqiptare që “mbytën” Europën

Dokumentet e policisë greke tregojnë se sasi të mëdha marijuane u nisën nga bregdeti shqiptar për në Greqi, Bullgari, Maqedoni, Austri, Belgjikë e vende të tjera nga ajo që konsiderohet si një nga organizatat më të mëdha tënarko-trafikut me bazë në territorin shqiptar.
Organizata kriminale përgjegjëse për trafikimin e sasive të stërmëdha të marijuanës dhe llojeve të tjera të drogës, financues i të cilës akuzohet se është 44-vjeçari shqiptar, Klement Balili përfshin një numër të madh anëtarësh. Sipas dokumenteve të policisë greke, organizata  dispononte një infrastrukturë të gjerë transporti, nga skafet mes të cilave droga kalohej nga Shqipëria për në Greqi te maunet dhe pikat e servisit të mauneve, ku kryhej modifikimi i strukturës së kamionëve për të fshehur drogën gjatë transportit.
Një dokument i policisë greke, i disponuar nga BIRN tregon se, trafikantët përdorën një numër të konsiderueshëm kompanish fantazmë, të cilat shërbyen për të justifikuar qarkullimin e mauneve ku fshihej droga, si dhe për të fshehur lidhjen me organizatën në rast se ndonjë nga ngarkesat kapej nga policia.
Hetimi ndwrkombwtar tregon se organizatës kriminale i janë kapur gjatë dy viteve të fundit 2,338 kilogramë marijuanë dhe 23 kilogramë kokainë, vlera e së cilës përllogaritet në së paku 6 milionë euro.
Dokumenti me numër protokolli 3008/12/15920-a’, i datës 9 maj 2016, i firmosur nga Konstandinos Panagiotopoulos, përgjegjës i Nëndrejtorisë greke të Antidrogës, përshkruan me detaje veprimet hetimore dhe provat e mbledhura nga policia greke dhe policitë e Austrisë, Belgjikës, Bullgarisë dhe Holandës, të cilat, në harkun kohor të dy viteve, kryen arrestime dhe konfiskime të drogës si dhe ofruan provat inkriminuese për policinë greke.
Policia shqiptare, megjithëse ka qenë zyrtarisht partnere në operacion, nuk rezulton të ketë kontribuar në prova. Në dokumentin e referimit policor të veprës penale, ajo nuk përmendet asgjëkund.
Në një deklaratë për gazetarët në Tiranë të enjten, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, e quajti operacionin ndërkombëtar kundër grupit kriminal të udhëhequr nga Balili si të suksesshëm, por refuzoi të japë detaje për rolin që ka luajtur policia shqiptare në hetime.
“Është një operacion i përbashkët në bashkëpunim me Agjencinë Kundër Drogës (DEA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me partnerët tanë të Policisë greke dhe disa partnerë të tjerë të Bashkimit Europian”,  tha Çako.
“Është një nga operacionet më të suksesshme të organizuara në bashkëpunim midis strukturave policore në luftë kundër krimit të organizuar”, shtoi ai.

“Operacioni” i fundit i Klement Balilit

Shqiptari 44-vjeçar, Klement Balili, i shkarkuar të enjten nga posti si drejtor i Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Sarandë, akuzohet nga Policia greke si financuesi i trafikut.
Policia greke thotë se skema organizative e këtij grupi kriminal ishte me “hierarki të qartë nga lart – poshtë”, ku partneri kryesor i Balilit në Greqi ishte Gjeorgjio Alifandia.
Ndërsa i dyshuari tjetër, Ksenofondos Anagnostopoulo funksiononte si kujdestar për të arrestuarit e grupit dhe si përgjegjës për sigurimin e shoferëve të rinj për transport drejt Gjermanisë. Një tjetër shqiptar me rol kyç në organizatë ishte Dhimitër Poti me bazë në Bruksel.
Sipas dokumenteve policore greke, Balili akuzohet si organizatori i transportit të fundit të drogës, të kapur nga autoritetet e fqinjit tonë jugor.
“Në fund të prillit të vitit në fjalë 2016, Klement Balili organizoi transportin nëpërmjet detit nga Shqipëria drejt Greqisë të një sasie të madhe kanabisi të papërpunuar (678,500 gramë) në marrëveshje të plotë me koordinatorin e transportit Gjeorgjio Alifandi, asistuar nga Ksendofonda Anagnostopulo, të ngarkuar edhe në llogari të anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale me gjetjen e kamionëve për transportimin e sasisë së narkotikëve, magazinimin e përkohshëm të saj në shtetin grek dhe transportimin e mëtejshëm të saj drejt vendeve të Evropës perëndimore përmes Greqisë”, thuhet në dokumentin e referimit të veprës penale.
Droga mësohet se është nisur nga bregdeti shqiptar pranë Sarandës për në bregdetin grek, duke kaluar nga ana perëndimore e ishullit të Korfuzit, ku është fshehur në një zonë të pabanuar në brigjet e Greqisë së veriut.
Dy peshkatarët shqiptarë, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, të dy nga Saranda, respektivisht 59 vjeç dhe 22 vjeç, sipas policisë greke nën urdhrat e Balilit, u nisën me një skaf me emrin “Vasiliki” me flamur grek, më 6 maj 2016 dhe e dërguan sasinë prej 678 kilogramësh marijuanë nga brigjet shqiptare për në Greqi.
Të dy peshkatarët transportues mbërritën në ishullin Zakinthos në orët e para të mëngjesit të 8 majit 2016. Atje ata duhej të dorëzonin drogën te tre anëtarë grekë të organizatës kriminale, të cilët udhëhiqeshin nga Gjeorgjio Alifandia. Pasi dorëzuan drogën, ata vijuan rrugën me skaf në drejtim të Patrës, por u arrestuan nga policia greke atë ditë. Brigjet e Sarandës gjenden mbi 150 kilometra larg ishullit Zakinthos.
Pyetur nga BIRN nëse kanë apo jo urdhër arresti të dërguar nga Greqia për Balilin, Policia e Shtetit nuk u përgjigj. Një kërkesë e ngjashme për Prokurorinë e Përgjithshme mbeti gjithashtu pa përgjigje.
Drejtori i Policisë Haki Çako, i pyetur në mënyrë të përsëritur nga gazetarët në një aktivitet të policisë, nëse personi i kërkuar nga drejtësia greke Klement Balili është apo jo në kërkim, në mënyrë të përsëritur refuzoi të përgjigjet.
“Jemi në proces hetimi. E thashë dhe një herë. Nuk jam i predispozuar të bëj interpretim….Nuk është në tagrin tim profesional që  të bëj interpretim të individëve, por është, thashë edhe njëherë, një nga operacionet e përbashkëta më të suksesshme sidomos me (DEA) amerikanë”, tha Çako.

Transportuesi

Gjeorgjio Alifandia, 46 vjeç me profesion shofer, konsiderohet nga policia greke si “truri” i organizatës për procesin e transportit. Ai përshkruhet nga Policia greke si bashkëpunëtor i ngushtë i Balilit dhe si personi përgjegjës për të marrë drogën në Greqi, për të siguruar magazinimin dhe mjetet për transport më tej në Perëndim. Ai u arrestua pasdreken e 8 majit në shtëpinë e tij në Nikai pranë Athinës, ku policia kapi edhe tre qese me rreth 50 gramë kanabis gjithsej.
Pasi të mbërrinte në Zakinthos, droga duhej të vijonte një udhëtim prej mbi 300 kilometrash në drejtim të Athinës.
Në afërsi të Athinës, një kompani me emrin “Anagnostopoulos Ksenofon Monoprosopi A.E”, e cila zyrtarisht merrej me tregtinë me shumicë të pjesëve të këmbimit, siguronte mjetet e transportit-përgjithësisht maune për linja të largëta, të cilat modifikoheshin për të krijuar hapësira për drogën.
Pronari i kësaj kompanie, Ksenofondos Anagnostopoulo është arrestuar sakaq nga policia. Ai konsiderohet edhe përgjegjës për sigurimin e heshtjes nga anëtarë të arrestuar të organizatës, duke paguar familjarë të tyre.
“Ndërtimin e pjesëve të kamionëve me vende të veçanta për fshehjen e narkotikëve gjatë transportit e kishin marrë përsipër Mihail Sofronas dhe Nikolaos Tasopoulos, ku realizonin vendet e veçanta fshehëse (kuti) në servise të kamionëve që zotëronin në zonën e Aspropirgos”, shkruan Policia greke.
Pikërisht kjo hallkë e trafikut duket se qe përgjegjëse për “përkujdesjen” për familjarët e anëtarëve të organizatës, të cilët kishin rënë në prangat e policisë.
“Në shumë raste arrestimesh të anëtarëve të organizatës, Anagnostopoulo dhe Alifandi, që vepronin në llogari të anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale, u dërgonin shuma të ndryshme monetare të arrestuarve apo anëtarëve të familjeve të tyre, me qëllim të qartë moszbulimin e strukturës së organizatës kriminale”, shkruan policia greke.
Prania e një elementi të tillë si “kodi i heshtjes” mes të arrestuarve dhe anëtarëve të tjerë përbën një tregues shtesë për nivelin e organizimit të këtij grupi kriminal.
“Anagnastopoulo, në dijeni edhe të anëtarëve partnerë të organizatës i dërgonte shuma të ndryshme monetare një gruaje të panjohur me emrin “Niki”, përdoruese e nr. 69466xxxxx, e cila lidhet me Kleanthi DHIMOPOULON, të arrestuar më 30.04.2015 në Bullgari me 531 kilogramë kanabis të papërpunuar si dhe me Thimio Neranxin, të arrestuar më 18.01.2014 me 1135 kilogramë kanabis të papërpunuar”, thuhet në dokument.

Lidhja belge

Policia greke si dhe homologët e tyre në Bullgari e Austri identifikuan një numër të konsiderueshëm kompanish, të cilat zyrtarisht merreshin me transport, por që në thelb kishin aktivitet të paktë. Personi kyç në organizimin e trafikut në Europën Perëndimore mësohet se është shqiptari Dhimitër Poti.
Poti, 50 vjeç ka vendbanim të përhershëm në Belgjikë ku disponon një magazinë. Pikërisht ky qe destinacioni i ngarkesave me drogën shqiptare, para se ajo të shpërndahej në vende të tjera.
Policia greke në bashkëpunim me vendet e tjera, dokumentoi një rast të ndodhur mes 2 prillit 2015 dhe 7 prillit 2015, ku një sasi e panjohur lënde narkotike u tentua të nisej nga Belgjika për në Oslo. Për transportin u përdor një kamion nën pronësinë e Marta Dardhës, pronare e një kompanie të njohur si Flowers Trans LT.
“[Kamioni] nisi me ngarkesë të ligjshme nga Greqia me destinacion të tranziti Mynih të Gjermanisë në mënyrë që të shkarkohet dhe të marrte një tjetër ngarkesë të ligjshme me destinacion final Oslon e Norvegjisë, pasi më parë, ashtu siç ishte programuar do të futej në magazinën e Potit në Bruksel të Belgjikës për të marrë sasinë e narkotikëve për transport”, shkruan Policia greke.
“Transporti në fjalë  u anulua, pasi përfundoi afati i tërheqjes së ngarkesë së ligjshme, por edhe për shkak të çështjeve teknike dhe veçanërisht në lidhje me lartësinë e ngarkesës që ishte më shumë se e lejuara për kalimin në Norvegji”, shkruan Policia greke.
Poti është një nga tre të dyshuarit e pa arrestuar të grupit kriminal. /Birn/

Përdhunuesi i Peshkopisë nuk arrestohet, mbrohet nga kryeperversi Rama

Me urdhër të Ramës, Shukri Xhelili, Kryebashkiaku socialist i Peshkopisë, i cili kërkonte favore seksuale në këmbim të vendeve të punës nuk u arrestua dje, ashtu siç duhej të ndodhte. Rama doli menjëherë në mbrojtje të tij, aq sa nxorri deputetin, Ulsi Manja ta cilësonte skandalin në fjalë si një ngjarje të inskenuar politikisht ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë ngjarjen dhe të zbardhë autorët e këtij inskenimi. Mbrojtja e Ramës ndaj Xhelili vjen si vijim i mbrojtjes që ai vijon tu bëjë në mënyrë fanatike të inkriminuarve e të korruptuarve që ka ngjitur në pushtet.
Vrasësit, baronët e drogës, përdhunuesit e pedofilët qeverisin sot vendin. Lidhjet e Ramës janë të shumta e të faktuara tashmë, nga vëllezërit vrasës Mark e Arben Frroku, trafikanti i prostitutave Arben Ndoka, i inkriminuari Armando Prenga, Shullazi e banda e tij, baroni i Ballkanit, Balili, Drejtoresha monstër e Lushnjes, pedofili i PS së Sarandës e deri tek përdhunuesi i Peshkopisë, Xhelili. Ky i fundit, tregoi dje se falë mbrojtjes së Ramës është i paprekshëm.
Pas publikimit të videoskandalit, Policia dhe Prokuroria e Dibrës nisën hetimet. Fillimisht janë sekuestruar pamjet filmike të videoskandalit dhe më pas kanë nisur verifikimet. Grupi hetimor ka marrë në pyetje 20-vjeçaren, e cila mësohet se i ka qëndruar deklarimeve të dhëna në emision. Vajza ka deklaruar se ishte vënë nën presion nga kryebashkiaku për t’i ofruar favore seksuale në këmbim të një vendi pune.
Më pas në Policinë e Dibrës është shoqëruar në prani edhe të avokatit edhe vetë kryebashkiaku. Ai mësohet se u ka thënë hetuesve se njihej me vajzën prej një viti dhe ajo ishte punësuar prej tij prej tre muajsh. Në lidhje me skandalin seksual Xhelili ka pretenduar se ishte inskenim pa pranuar të japë më shumë detaje. Më pas grupi hetimor ka mbërritur në zyrat e Bashkisë së Peshkopisë ku ka sekuestruar gjithë praktikën që është ndjekur në punësimin e 20-vjeçares. Për kryebashkiakun është regjistruar procedimi penal në gjendje të lirë ndërsa do të duhej që në këto momente ai të ndodhej në qelinë e burgut.

Ambasadori Donald Lu: E rëndë dhe skandaloze

Për skandalin e ish-kryetarit të Bashkisë së Peshkopisë reagoi dje edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu që e konsideroi një krim skandaloz. Gjatë një takimi në Bashkinë e Fierit, Lu zgjodhi të përcjellë për të gjithë kryebashkiakët mesazhin që t’u shërbejnë qytetarëve. Ambasadori amerikan, Donald Lu e cilëson krim skandaloz aferën seksuale ku u përfshi ish-kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili, duke ofruar një vend pune. Ndërsa këtë reagim e përcolli në gjuhën shqipe gjatë takimit që zhvilloi në Bashkinë e Fierit, ambasadori amerikan zgjodhi të flasë në anglisht për të qenë më i saktë në mesazhin e tij për të gjithë kryebashkiakët. “Mendoj se në ditën e sotme, në një ditë kur Shukri Xhelili është arrestuar në Dibër për një krim skandaloz, që kryetarët e bashkisë në Shqipëri të tregojnë një menaxhim dhe qeverisje të mirë të bashkive që ata përfaqësojnë. Për këtë arsye, ne jemi të kënaqur që kemi mundësinë të jemi në partneritet me Bashkinë e Fierit përmes programit tonë të qeverisjes vendore për të përmirësuar shërbimet që i ofrohen qytetarëve nga ana e bashkisë”. Deklaratat e ambasadorit amerikan Lu u bënë gjatë një takimi në Bashkinë e Fierit, ku i shoqëruar nga drejtori i USAID-it, u  njoh me resurset turistike e ekonomike të njësisë vendore.

Reagon ashpër shoqëria civile

Përfaqësues në zë të shoqërisë civile dënojnë aktin e paprecendent, ku ish-kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili i kërkoi favore sekuale një vajze 20-vjeçare në këmbim të punësimit. Shoqata e Autonomisë Vendore dhe ajo e Mbrojtjes së të Drejtave të Grave thonë se videoskandali ishte shokues dhe tregon se si shpërdorojnë detyrën të zgjedhurit me votë. Shoqata për Autonominë Vendore dhe ajo në Mbrojtje të Drejtave të Grave dënojnë aktin e paprecedentë ku kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili kërkon favore seksuale në këmbim të firmosjes së kontratës së punësimit të një vajze 20-vjeçare. Adelina Farrici, nënkryetare e Shoqatës për Autonomi Vendore e konsideron videoskandalin e transmetuar në “Ora Neës” shokues dhe ngjarjen në tërësi si cenim të integritetit të pushtetit vendor. Adelina Farrici: “Ishte një fenomen shokues, i cili cenon rëndë integritetin e pushtetit vendor. Kjo bie ndesh me funksionet e pushtetit vendor, me filozofinë e pushtetit vendor ku qytetarë të pushtetit vendor dhe drejtuesit e pushtetit vendor si i zgjedhur me votë shikojnë mbrojtësin e interesave të tyre dhe përballë kësaj ndeshen me një fenomen të tillë dhe kjo e thyen të gjithë këtë imazh”. Sevim Arban nga Shoqata e Punësimit dhe e Mbrojtjes së të Drejtave të Grave e sheh këtë akt të rëndë dhe rrënim të vlerave morale të shoqërisë dhe të atyre që janë zgjedhur për të qeverisur. Sevim Arban: “Videoja e mbrëmshme, demaskimi i këtij kryebashkiaku ishte vërtet ajo që ku po shkon shoqëria shqiptare: Humbja e një shprese për vlerat morale që çdo shoqëri duhet të ketë ose ka. Po shpërbëhen të gjitha, nuk ka më vlera morale. Ka politikanë që vjedhin e abuzojnë, kryetarë bashkish që vërtet nuk kanë asnjë lloj vlere edhe si profesionalë edhe si qytetarë”. Shoqëria civile në tërësi ka reaguar ashpër ndaj skandalit që përfshiu ish-kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë dhe ngre shqetësimin se ky fenomen i shpërdorimit të detyrës në këtë formë i kalon kufijtë e Dibrës dhe shtrihet në gjithë vendin.

Bregu: Shukriu, një fëlliqësirë më shumë i mozaikut Rama

Majlinda Bregu, deputetja demokrate ka qenë e ashpër në reagimin ndaj Shukri Xhelilit, kryebashkiakut të Peshkopisë, të cilit iu publikua një video intime me një femër. Sipas Bregut, Shukri Xhelili është një fëlliqësirë më shumë që i shtohet mozaikut që pasurohet çdo ditë me poshtërsi ndaj grave e vajzave. “Ky Shukriu, zgjedhur si ‘më i miri’ për të drejtuar Bashkinë e Peshkopisë, është një fëlliqësirë më shumë që i shtohet mozaikut që pasurohet çdo ditë me poshtërsi ndaj grave e vajzave. Por si dhe ai i Sarandës para dy vitesh është pusht pushteti. Me këtë pjesë ia vlen të merremi. Se mund të ndodhë që ky t’i shpëtojë edhe veprës penale ‘Ushtrim i ndikimit të paligjshëm’, meqë vajza nuk ishte minorene. Kur Agron Cane që kërkonte seks me një 14-vjeçare u dënua vetëm me 2 vjet burg, largqoftë ky del nga kjo histori vetëm me pushim nga puna”!

Anika Dokle: Shukriu është produkt i politikës

Pas publikimit të videos skandal të kryebashkiakut të shkarkuar të Peshkopisë, Shukri Xhelili, reagimet kanë qenë të shumta. Gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe Anika Dokle, vajza e deputetit socialist Namik Dokle. Dokle siç duket e ka inatin dhe mllefin me politikën që promovon dhe prodhon kaq shumë “Shukri”. “Refleksion pas “Shukriut”. E neveritur e gjithë shoqëria nga një skandal që nuk ishte as i denjë për një skandal seksual. Të pezmatuar fëmijët tanë për modelin e punësimit dhe të konkurrencës në këtë vend. E shokuar familja e Shukriut. Tallëse deri në dhembje hapësira virtuale, që ngriti në kult “brekët” e Shukriut. Të tulatur ata që i dhanë votën. Krenar kryetari që e promovoi Shukriun si “shërbëtor vs pelivan”. I pashpresë çdo njeri që punon dhe jeton me integritet. Në hall të madh gratë dhe vajzat që nuk ja falin shpirtin dreqit, me çimkë ose pa çimkë, me vrimë ose pa vrimë. Rrëqethës qëndrimi i Donald Lu-së. Dhe në fund, mos harroni! Shukriu është produkt i politikës, e keqja më e madhe në këtë vend!”

Shqipëria më mirë pa Edi Ramën

Lulzim Basha

Me bekimin e ministrit të Brendshëm dhe nën mbrojtjen e policisë, Klement Balilaj prej dy ditësh është arratisur dhe nuk gjendet. Kjo nuk është rastësi, por shërbimi i fundit pas lehtësirave për trafikun e drogës që Saimir Tahiri i bëri Klement Balilajt. Për 3 ditë me radhë Tahiri u mundua të bindte qytetarët se Klement Balilaj, ortak në trafikun e drogës i vëllezërve Habilaj, kushërinj të ministrit të Brendshëm është i pafajshëm edhe pse “CNN” e cilësonte si Eskobari i Ballkanit.
Dhe pikërisht arratisja e tij vjen pas pamundësisë së Saimir Tahirit për t’i pastruar dosjen sepse hetimi është kryer nga DEA amerikane dhe policia greke. Loja me ka kërkesë s’ka kërkesë, ka dosje s’ka dosje, është në hetim nuk është në hetim, është i PS është i LSI, nuk është gjë tjetër veçse dhënie kohe Klement Balilaj për të kryer pikërisht këtë akt, arratisjen.
everisja e inkriminuar dhe e korruptuar në çdo ind e Edi Ramës, e mbushur me oligarkë e banditë, nxori në pak ditë të gjithë tiparet: Kokëdhima që rrëmbente para edhe nga azili i pleqve në Fier u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese si zhvatës i paligjshëm, Ervin Elvis Roshi, modeli i Ramës për pushtetin vendor, humbi kujtesën pse e kanë dëbuar nga Mynihu, Shullazi të cilit po i zbulohen çdo ditë krimet dhe skemat e Tahirit për ta shpëtuar, Tahiri i dekoratave i kapur në lidhje të reja kriminale, Balili, drejtori i transportit që është transportuesi më i madh i drogës në Ballkan, Mimi që habiti gjermanët me pazaret e luksit me eskortë dhe për t’i dhënë ngjyrën e fundit mozaikut rilindas, u shfaq Shukri perversi duke dhënë vendet e punës në shtrat.
Me Ramën e rreth tij ka shumë të tjerë të krimbur në krime, tendera dhe degjenerim, sepse peshku ka kohë që është qelbur dhe është qelbur nga koka në Surrel. Shqiptarët e shohin çdo ditë, korrupsionin e oligarkëve, babëzinë e tyre për luks dhe rënien në perversitet, ndërkohë që populli bie çdo ditë e më shumë në mjerim e varfëri dhe i duhet të paguajë në çdo formë që i kërkohet për një vend pune.
Kjo pra ëshë fotoja e orëve të fundit e bandës që sundon vendin me në krye Edi Ramën. ‪‎Shqipëria‬ më mirë pa Edi Ramën.

Baroni i drogës Balili fshihet në sarajet e Surrelit

Baronët e drogës dhe vrasësit si vëllezërit Frroku kanë Edi Ramën padronin e tyre. Sa herë që ata kanë probleme me drejtësinë dhe janë para arrestimit, Rama i merr nën mbrojtje, iu vë eskortat e policisë në shoqërim, i pajis me pasaporta false, iu vë Tahirin në dispozicion si shofer dhe agjent udhëtimi, i merr i strehon edhe tek sarajet e Surrelit, po ta shohë se rrugëtimi i tyre nuk është i sigurtë.
Rama i mbron dhe i fsheh vrasësit dhe trafikantët, pasi ata punojnë dhe janë kontributorët kryesorë të pasurisë dhe pushtetit që ai ka vënë. 200 milionë dollarët e transferuar në parajsat fiskale janë “djersa” e këtyre banditëve që Rama i ka më për zemër se vetë Zahon a Gregun. Pa ta Rama është një fundërrinë dhe zhulc që rrinte poshtë urave të Parisit, me ta është kryeministër dhe më i pasuri i popullit më të mjerë të Europës.
Nëse do t’i kërkosh, ata i gjen në Surrel nën mbrojtjen e Policisë. Kështu veproi Rama me Mark Frrokun kur kishte një trafikant droge në makinë. Ndërhyri menjëherë dhe ai u lejua nga Policia që të ikte. Kështu i iku edhe vëllai i tij, Arben Frroku, dy ditë para se Gjykata e Apelit të jepte vendimin për ta dënuar me burgim të përjetshëm.
Rama e lejoi të arratisej jashtë shtetit, pasi i dha bekimin. Edhe kur vrasësi i komisarit të Policisë u arrestua para dy muajsh në Holandë, Rama e mbajti të fshehtë për të mos e ekstraduar në Shqipëri. Po kështu, mbajti të fshehura në sirtar dokumentat e Interpolit për arrestimin e ish-deputetit të mazhorancës Mark Frroku.
Edhe kapobanda Emiliano Shullazi u muar në mbrojtje nga Rama dhe Tahiri, ndonëse ai ishte akuzuar disa herë në media për vënie gjobash biznesmenëve. Arrestimi i tij u krye vetëm pas presionit të ndërkombëtarëve. Megjithatë, përsëri policia e Tahirit po manipulon provat për ta nxjerrë të lirë Shullazin.
Rama dhe Tahiri bashkëpunojnë me baronët e drogës dhe vrasësit, pasi jo vetëm që ndajnë fitimet kolosale me ta, por edhe i përdorin për të vjedhur votat dhe për të kërcënuar zgjedhësit që të votojnë për Ramën.
Baroni i drogës Klement Balili është zhdukur prej katër ditësh. Policia bëri të ditur se po e kërkon në Sarandë dhe Delvinë, por nuk po e gjen. Edhe sistemi TIMS tregon se ai nuk ka ikur jashtë shtetit. Por më kot kërkon Policia, sepse baroni i drogës ndodhet në Surrel nën mbrojtjen e Ramës.

Zhduket Baroni i drogës me ndihmën e policisë

Baroni i drogës, Klement Balili është zhdukur me ndihmën e policisë. Vetëm pasi Balili arriti të arratiset nga Saranda, policia ushtroi një kontroll në banesën e tij dhe njoftoi se Klement Balili është zhdukur. Jo pa qëllim policia shqiptare e kishte lënë jashtë operacionit antidrogë në Greqi që mos e dekonspironte. Policia shqiptare bëri të ditur se ishte në dijeni të emrave dhe kapove shqiptarë të trafikut, por nuk mori asnjë masë për ndalimin e tyre, sidomos të baronit Klement Balili, edhe pse ai ishte shpallur në kërkim nga policia greke.
Edhe sikur për të mos kishte një urdhër arresti ndërkombëtar, policia së paku mund ta kish mbajtur në vëzhgim njeriun e dyshuar. Me sa duket deklaratat e shtypit grek që ambasada shqiptare në Athinë nxitoi t’i përgënjeshtroi, se Balili ka mbrojtje në sferat e larta të politikës janë reale dhe këtë e tregon më së miri mos arrestim i tij dhe lejimi nga policia që të zhduket.
Vetëm pasi u zhduk Baroni i drogës, Policia e Sarandës njoftoi se kishte zhvilluar disa tentativa për ta ndaluar, por nuk ka mundur ta gjejë. Policia bëri të ditur se janë ushtruar disa kontrolle në banesat e tij në Sarandë dhe në Delvinë, por që rezultuan të pasuksesshme. Ai nuk ndodhej në asnjë prej tyre dhe as në ambientet e bizneseve të tij. Sipas burimeve, Klement Balili prej dy ditësh rezulton i larguar nga banesa. Familjarë të Klement Balilit, i saposhkarkuar nga posti i Drejtorit të Transportit Rrugor në Sarandë thonë se ai është larguar prej 4 ditësh nga shtëpia dhe nuk kanë dijeni për vendndodhjen e tij. Balili, 4 ditë më parë, ai doli në një deklaratë të shkurtër për median, me vetëm 4 fjalë, ku i drejtohej PD-së se do e hidhte në gjyq. Më pas që nga ajo ditë për të nuk ka më asnjë informacion.
Zyrtarisht Policia e Sarandës deklaron se Balili nuk është gjetur në banesë. Ndërkohë që edhe të afërm të Balilit kanë thënë për blutë se nuk e dinë se ku ndodhet 44-vjeçari. Policia e Sarandës ka ushtruar kontrolle në banesën e Klement Balilit në fshatin Stjar të Delvinës, por nga i akuzuari si “Escobari” i Ballkanit nuk ka gjetur asnjë shenjë. Në sistemin TIMS nuk rezulton se Balili ka kaluar kufirin, besohet se ai është larguar nga kufiri në mënyrë ilegale.
Pas një operacioni antidrogë në Greqi ku ranë në pranga disa persona, mediat greke përfolën një person shqiptar me inicialet K.B si kreun e një bande të fuqishme narkotrafiku. Policia greke shprehet se e ka shpallur në kërkim personin K.B, për të cilin shkruhet se ka lidhje të fuqishme me politikën shqiptare dhe një parti greke.
Kurse sipas mediave të vendit fqinj, K.B cilësohet si Pablo Eskobari, Baroni i drogës së Ballkanit. Dy ditë më parë, Policia greke ka dhënë detaje për superoperacionin e drogës në Greqi. Në një njoftim të gjatë për mediat, Policia greke tha se ka kryer operacione të koordinuara në të gjithë zonën e Atikës. Kështu, janë bërë operacione të mëdha në Atika, Salamina, Kalithea, Veria, ku janë arrestuar 15 pjesëtarë të këtij rrjeti, 13 grekë dhe dy shqiptarë.
Policia greke njoftoi se operacionet janë ndërmarrë me ndihmesën e DEA-s së SHBA-¬ve. Sipas saj, organizata është mjaft e gjerë dhe përfshin edhe disa kompani transportesh që veprojnë në Europë, përmes konteinerëve të licencuar, që shpeshherë u shpëtojnë edhe kontrolleve.
Gjithashtu, Policia greke thotë se në krye të kësaj organizate qëndronte shqiptari 44-¬vjeçar, K.B por pa cilësuar të plotë emrin e tij. Sipas grekëve, ai është ndërlidhësi i kalimit të drogës nga Shqipëria në Greqi, kryesisht me kamionë të licencuar dhe me patentë ndërkombëtare.
Hetimet kanë nisur që në vitin 2014, dhe kanë dy vjet që ecin me sekuestrime të sasive të mëdha të drogës. Një tjetër shqiptar i përfshirë në këtë trafik dhe i shpallur në kërkim, sipas policisë greke, është dhe Dhimitër Poti. Sipas dokumenteve të policisë greke, Poti rezulton të jetë njeriu kryesor i drejtimit të aktivitetit kriminal të trafikut të drogës në disa shtete të Bashkimit Europian, grup në të cilin sipas autoriteteve greke bën pjesë dhe Klement Balili.

“Baroni i drogës”, Europol: Të tjera arrestime së shpejti

Për aksionin ndërkombëtar të ndërmarrë së fundi nga policia greke, ka reaguar edhe EUROPOL, i cili bën me dije se deri më tani janë arrestuar 17 persona, 11 grekë dhe 6 shqiptarë. Europol thekson se rrjeti i trafikut të drogës është shtrirë në shkallë të gjerë, ndërsa operacioni është udhëhequr nga Greqia në bashkëpunim me Belgjikën dhe Europolin. Rrjeti kishte si bazë Greqinë dhe furnizohej me drogë nga Shqipëria dhe shpërndante në shumë vende evropiane, duke përfituar qindra milionë euro.
Sasi të mëdha kanabisi dhe kokaine janë transportuar nga kompani transporti rrugor fillimisht në Bullgari dhe Austri dhe më pas në vende të tjera. Operacioni i gjerë policor është kryer në Greqi dhe në Belgjikë. Sipas Europol, në Greqi janë sekuestruar 698 kg kanabis, ndërsa në Belgjikë, 96.5 kg hashash. 15 persona janë arrestuar në Greqi dhe 2 të tjerë në Belgjikë. “Hetimi është në vazhdim e sipër dhe arrestime të tjera priten në të ardhmen e afërt”, thekson agjencia evropiane Europol.
Agjencia bën me dije në deklaratë se ka mbështetur hetimet, duke ofruar mbështetje operative dhe ndihmë ligjore, si dhe duke kryer analizat e drogës. Një sektor i posaçëm brenda kësaj agjencia, i specializuar për trafikun e kokainës që prej vitit 2011, ka dhënë asistencën e vet në këtë drejtim.
Kush është “Walteri” i drogës së Klement Balilit
50-vjeçari Dhimitër Poti është një biznesmen nga Saranda i njohur në media si ish-pronar i kompanisë së ilaçeve “Chim Prod”. Kjo kompani po hetohej për pastrim parash nga Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, për lëvizjen e dyshimtë të mbi 800 mijë eurove. Dhimitër Poti rezulton të jetë njeriu kryesor i drejtimit të grupit kriminal të trafikut të drogës në disa shtete të Bashkimit Europian, grup në të cilin sipas autoriteteve greke bën pjesë dhe drejtori i Transportit në Sarandë, Klemend Balili ose “Keli”.
Në nëntor të vitit të kaluar, 50-vjeçari Poti që aktualisht është shpallur në kërkim u hetua nga Prokuroria lidhur me 5 transaksione të dyshimtë nga Greqia në llogaritë bankare të kompanisë “Chim Prod”. Këto transferta shkonin në vlerën e 826 mijë eurove, ndërkohë që një pjesë e kësaj shume u sekuestrua me urdhër të Prokurorisë.
Dhimitër Poti me banim në Belgjikë njihet me pseudonimin “Walter”, dhe zotëron në këtë shtet një kompani me emrin “RDGL Group BVBA”. Kompania që ndodhet në rrugën “Brixtonlaan 1930 Zaventem (Bruksel)  administrohet nga anëtarët e një familje si Xhevavir Poti dhe Dhimitër Poti, të cilët kanë deklaruar një xhiro vjetore prej 15 mijë euro.
Dhimitër Poti, sipas dokumenteve të policisë greke, ka vendbanim të përhershëm në Belgjikë, ku dhe mbërrijnë ngarkesat me drogë shqiptare para se të shpërndahen në vende të tjera të Europës.
Policia greke, në bashkëpunim me vendet e tjera, dokumentoi një rast të ndodhur mes 2-7 prill të vitit të kaluar, kur një sasi droge u tentua të nisej nga Belgjika për në Oslo. Dhimitër Poti është një biznesmen nga Saranda i njohur në media si ish-pronar i kompanisë së ilaçeve “Chim Prod”. Në nëntor të vitit të kaluar, 50-vjeçari Poti u hetua nga Prokuroria lidhur me 5 transaksione të dyshimtë nga Greqia në llogaritë bankare të kompanisë “Chim Prod”.
Për aksionin e zhvilluar nga policia greke dhe Antidroga amerikane ka reaguar edhe Europol që njofton se operacioni ka vënë në pranga 17 persona, mes të cilëve 6 shqiptarë. Arrestimet u bënë në Greqi dhe Belgjikë, ndërsa u sekuestrua më shumë se 700 kilogramë kanabis.

Prokuroria i kërkon zyrtarisht drejtësisë greke prova për Balilin

Prokuroria e Përgjithshme i kërkon zyrtarisht autoriteteve të drejtësisë greke urdhër-arrestin dhe provat konkrete ndaj biznesmenit Klement Balili dhe bashkëpunëtorëve të tij në Shqipëri. ABC News ka mësuar se Prokuroria, ka dorëzuar që me datën 11 maj në Ministri të Drejtësisë kërkesën zyrtare, në formën e letër-porosisë, drejtuar autoriteteve greke për dosjen e Klement Balilit. Ky fakt pranohet nga burimet pranë institucionit të drejtësisë, ku zyra e marrëdhënieve me jashtë, thonë burimet po përkthen dosjen për ta nis më pas drejt shtetit fqinjë. Nga ana tjetër, sipas Prokurorisë, pala greke ende nuk ka sjellë materiale zyrtare për veprimtarinë kriminale të Klement Balilit. Kjo u konfirmua edhe nga vetë ministri i Drejtësisë.
Sipas akuzës, në letër-porosinë drejtuar palës greke, burimet thonë se janë bashkangjitur edhe disa veprime hetimore të kryera nga Prokuroria për krime të rënda për biznesmenin Balili dhe bashkëpunëtorët e tij. Si identifikimin e numrave të telefonit që Balili e grupi i tij kishte në përdorim në Shqipëri si dhe disa CD-i të përgjimit, të kryera për llogari të hetimeve të nisur në Greqi. Këto veprime, thanë burimet, janë kryer pas muajit mars të këtij viti, kur edhe Policia e Shtetit me kërkesë të palës greke kishte kërkuar nga krimet e rënda hetimin e këtij grupi kriminal. Zyrtarisht burimet thonë se, Interpol-Tirana dhe as Prokuroria për Krime të Rënda nuk janë njoftuar për lëshimin e urdhër-arrestit ndërkombëtar për Klement Balilin. E për arrestimin e tij, burimet thonë se duhet patjetër ardhja e materialeve nga pala greke apo edhe urdhër-arresti i lëshuar prej tyre. Sa i përket hetimeve të kryera në Shqipëri, Prokuroria thotë se nuk janë gjetur prova konkrete për implikimin e Balilit në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Nga ana tjetër, pala greke ka arrestuar 13 shtetas grek dhe dy skafistët shqiptarë, të cilët më 6 maj të këtij viti kanë dërguar në një ishull në Greqi rreth 679 kg hjashash të presuar. Në kuadër të këtij rrjeti, pala greke pretendon se nga janari i vitit 2014 e në vazhdim në kuadër të organizatës kriminale të drejtuar nga Balili, janë trafikuar drejt Greqisë dhe vendeve të BE-së në 6 raste rreth 2338 kg hashash, 100 kg kanabis çokollat, 24 kg kokaine dhe 1 kg heroinë.

R.POLISI

30 tendera me prokurim të drejtpërdrejtë, pranga zogut të Ramës

Kryetari i këshilltarëve të Partisë Demokratike, Leonard Olli denoncoi dje para Bashkisë Tiranë aktet e papreçedenta të Kryetarit të Bashkisë, Erjon Veliaj nga sulmi ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Administrative e deri tek shkeljet e abuzimet me tenderat. Në një prononcim për mediat, Olli bëri të ditur se janë 30 tendra që Veliaj i ka dhënë me prokurim të drejtpërdrejtë ndërsa mafia e betonit vijon e qetë punën në kryeqytet.  Ai reagoi ndaj akuzave të Veliajt ndaj Presidentit Nishani ndërsa tha se opozita nuk do të lejojë intimidimin e Presidentit apo gjykatave nga Veliaj.
“Ne të jemi të sinqertë. E ka ndjerë rrezikun për përballjen e tij me drejtësinë dhe tashmë po përpiqet të intimidojë drejtësinë. Tashmë është i prekur nga aferat e tij korruptive si për çështjen e parkingut nëntokësor tek Parku Rinia, si për vandalizmin e pashëmbullt tek liqeni, si për elementët e tjerë të një njeriu që tenderon dhe abuzon paratë publike sipas dëshirave. 30 tendera janë me prokurim të drejtpërdrejtë. Rekord unikal në këtë periudhë të qeverisjes vendore. Iu përpiqet tu fshihet gjyqeve për pushimet masive nga puna të cilat janë bërë nul nga gjykatat. Përpiqet ti shpëtojë ndërshkimit për betonizimin e paligjshëm të liqenit por edhe për projektet e tjera famëkeqe. Tashmë kullomania ka fituar. Mafia e betonit tashmë mendon se ka marrë revanshin. Është e kot se do të përballet me drejtësinë deri më një. Nuk do të lejojë kush një të çartur dhe një vegël që të intimidojë jo vetëm Presidentin e Republikës dhe sistemin e drejtësisë por asnjë punonjës të pushuar nga puna dhe asnjë biznesmen që kërkon të drejtën e vetë.
“Jemi këtu në emër të këshilltarëve të Partisë Demokratike, por besoj që shprehim shqetësimin e madh të çdo qytetari që respekton ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Maskat sot ranë. Erion Veliaj, kjo vegël e keqpërdorur në duart e Ramës, nuk u kursye sërish për t’u bërë kurban për interesat e Ramës dhe Koço Kokëshimës. Me një rast të paprecedentë, me një sulm të pashembullt në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit dhe ligjeve të tjera në fuqi, vijuan akuzat e paprecedenta, në vend që kryetari i Bashkisë të japë llogari për shkelje e pafund ligjore që tashmë ka kryer.
Sigurisht është e mirëkuptueshme për një pjesë të shoqërisë largimi i Kokëdhimës nga Parlamenti pasi tashmë i ka lënë pa atin e tyre shpirtëror dhe Rama ka humbur gjakftohtësinë. Sulmi është frontal, sulmi është ndaj çdo sistemi ende të pavarur që funksionon në një sistem demokratik. Antisistemi, antiligji dhe antishteti sot morën fytyrën dhe fjalët e Erion Velisë. Drejton pyetje pafund. Rrethon gjykatat njëlloj si në kohën famëkeqe të gjyqeve popullore të komunizmit kundër “tradhëtarëve”të vendit. Shpall edhe tradhëtarët duke filluar nga gjyktarët e deri tek Presidenti I Republikës.
Por është e kuptueshme pse e bën. E para është urdhëri politik që ka marrë nga shefi i tij Rama duke minuar në sytë e gjithë publikut maskën dhe elementët e Reformës së famshme për Drejtësi dhe mendojnë se kjo duhet të jetë mënyra se si do të vendosin drejtësinë. Pjesa tjetër që është edhe më e rënda është që pas këtij sulmi fshihet përpjekja e z Veliaj për të mbuluar gjurmët e abuzimeve dhe krimeve pafund që ka kryer në Bashkinë e Tiranës.
Frika e tij është e dukshme. Gjithë ky sulm që i drejtohet kryetarit të Këshilit të Lartë të Drejtësisë ka për qëllim të intimidojë çdo trup gjykues që do të marrë në shqyrtim aferat e tij korruptive të pafund. Çdo intimidim që ai kërkon të bëjë ndaj institucioneve të pavarura, institucionit më simbol si ai i Presidentit të Republikës, ka të bëjë vetëm e vetëm me tentativën për të intimiduar prokurorët që hetojnë që nga falsifikimi i firmës së tij dhe deri tek koncensionet apo ndërtimet e paligjshme. Pra të jetë i bindur për diçka, nuk do ti shpëtojë drejtësisë. Nuk do të jetë kurrë në gjendje ky bufon i politikës shqiptare të intimidojë këdo dhe për çfarëdo lloj arsye” tha Olli.

Arben Shahini

Aktivistja: Nuk pendohem, Ramën do ta godisja përsëri me vezë

Ndërsa aktivistët e Lëvizjes për Universitetin që qëlluan Ramën me vezë pritet të dalin para gjykatës për akuzat “Goditje për shkak të detyrës” dhe “kundërshtim të forcave të policisë”, Liri Kuçi, një prej aktivisteve ka bërë një reagim duke thënë se nuk ndjehet e penduar dhe se do ta gogiste sërish kryeministrin. “Nuk pendohem: Ramën do ta godisja përsëri. Kështu pra,  unë bashkë me shoqet e mia…, goditëm në drejtim të kryeministrit me vezë. Paskëtaj edhe pse e dhunuar prej kostumzinjve kryeministrorë, edhe pse përqeshur si pulë që kakaris, e  tanimë edhe pse si  e përndjekur penalisht me çështje të hapur në gjykatë, unë nuk pendohem që veza e hedhur në drejtim të tij doja që t’i prekte egon prej lartmadh’nie pikërisht atje ku ai mendonte se mund të vendosë me dorë të lirë.  Në mungesë të arsyes e ndërgjegjjes së tij, unë nuk pendohem as që doja që veza  t’i njolloste kostumin e kushtueshëm me të cilin kapardisej katedrës ku jepte leksion për biznesin e shëndetshëm privat. Nuk mund kurrsesi të pendohem  as përballë gjatësisë e hijes së tij të parfumosur me arrogancë, që burracakërisht iu fsheh thirrjeve tona, duke u tërhequr me bisht ndër shalë drejt strehëzës së vet me katër rrota. Do ta godisja sërish kryeministrin, që të mos jetë pasurimi i një grushti përtacësh qëllimi dhe fundi i shoqërisë sonë, e që arsimi të mos kthehej në një marrëzi të padobishme dhe të shtrenjtë, të konsumueshme veç prej këtyre përtacëve pasanikë.  Nëse pata njëmijë arsye për ta qëlluar me një vezë, tash do të doja njëmijë vezë për ta goditur për secilën arsye!”

Vdekja e dy fëmijëve, arrestohet zyrtari i tretë në ARRSH

Një ditë pas ndalimit të zyrtarëve të lartë të këtij autoriteti, një tjetër drejtor i saj është arrestuar, si përgjegjës për mosvendosjen e parmakëve mbrojtës në autostradën Plepa – Golem, në vendin ku humbën jetën dy fëmijë, në aksidentin tragjik të së shtunës. Pas drejtorit juridik Dritan Fejzo dhe drejtorit rajonal të Autoritetit Rrugor të Tiranes, Bib Gjomarkaj është prangosur me urdhër të Prokurorisë së Kavajës edhe Lek Tushaj, me detyrë drejtor i Sigurisë Rrugore në ARRSH.
Mbi Tushjan është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës. Sipas Prokurorisë, ai ka marrë në dorëzim rrugën kur në fakt ajo nuk plotësonte kushtet e sigurisë dhe nuk kishte sinjalistikën e duhur. Për Prokurorinë ndërprerja e trafikndarëses në vendin e aksidentit ku humbën jetën dy fëmijët ishte një arsye e fortë që Autoriteti Rrugor Shqiptar, të mos e merrte në dorëzim aksin rrugor.
Dy ditë më parë, Prokuroria e Kavajës ka firmosur dy urdhër ndalimi për dy zyrtarë të Autoritetit Rrugor të Shqipërisë (ARRSH), Kavajë. Mësohet se dy zyrtarët për të cilët është kërkuar ndalimi janë Bib Gjomarkaj, drejtori Rajonal i ARRSH, Tiranë, dhe Dritan Fejzo, drejtori Juridik i ARRSH. Dyshohet se këta zyrtarë janë përgjegjës për mos kompletimin e aksit rrugor ku ndodhi aksidenti i humbjes së jetës së dy fëmijëve, me barrierat mbrojtëse. Prokuroria e Kavajës ka konfirmuar këtë informacion, duke bërë të ditur zyrtarisht se oficerët e Policisë Gjyqësore urdhëruan ndalimin e dy zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”. Këto urdhër ndalime janë bërë në vijim të hetimit të nisur me iniciativë pas aksidentit të së dielës, ku mbetën të vdekur dy fëmijë.
Ndërkohë, u desh të vdisnin dy fëmijë, që të vendoseshin barrierat metalike në rrugë. Edhe pse kishte afro dy vite që ishte lëshuar një vendim i formës së prerë nga Gjykatës Administrative e Apelit për të vendosur metalike anësore në vendin ku ndodhi aksidenti, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Transporteve duket se kishin pritur përgjakjen e rrugëve që të vinin ujin në zjarr për të mbyllur këto barriera. Edhe pas aksidentit tragjik, u desh një javë që autoritetet të merrnin mundimin që të vendosnin këto mbrojtëse anësore metalike.
Kjo mbyll vetëm një nga shumë pikat e tilla të rrezikshme, pasi gjatë segmentit Plepa – Golem ka edhe ndërprerje të tjera të barrierave mbrojtëse, që mund të rezultojnë fatale për qytetarët. Ky është vetëm një rast, që nxorri në pah të palarat e zyrtarëve të shtetit që nuk respektojnë vendimet e gjykatave dhe që për interesa të ndryshme, me veprimet e tyre, cënojnë sigurinë e jetës së qytetarëve.

Drejtësia, kjo grua e këtyre…

Frrok ÇUPI

Brenda njëzetekatër orësh u dhunuan të dyja: Një grua në Dibër dhe Drejtësia në Tiranë!
Këta të tjerët që po përpiqen në Kuvend dhe në kanceleritë e Amerikës e të Europës, këta duhet të pushojnë përpjekjet. Me këta nuk mund të kryhet Reforma në Drejtësi, as vetë Drejtësia e thjeshtë. Po të thuash se “mund të kryhet” Reforma në Drejtësi, atëherë këtyre iu ke shtënë ndër këmbë edhe një Grua të tretë. Për këta, edhe Reforma është një grua; dy të tjerat janë Drejtësia dhe Gruaja e dhunuar në Dibër.
Atëherë, edhe pak më tej: Në qoftë se Perëndimi dhe aktivistët e Lirisë në vend, do të përpiqen më tej, të njëjtën gjë do të provojnë. Në qoftë se do të provojnë të bëjnë Politikë?! … Atëherë për ta edhe Politika do të jetë një femër dhe këta e dhunojnë. Sepse fjalën “politikë” këta nuk e përkthejnë si “polis”, por si emër femëror.
Akoma më tej: Në qoftë se aktivistët e vendit dhe të Perëndimit do të provonin të bënin edhe përpjekje të tjera, përsëri të njëjtën gjë do të provonin…
Sikur të provonin të bënin Demokraci?! Atëherë edhe Demokracia do të ishte, për këta, një grua që mund të dhunohej në një makinë, ose në një hotel, ose në një rrugë të Tiranës siç është edhe Rruga e “Durrësit”.
Në Rrugën e  “Durrësit”, Erion Velija, fotokopje e Edi Ramës (njëri kryetar Bashkie dhe tjetri kryetar qeverie), rrëmbyen kadavrat e pushtetit të tyre dhe i sollën si fotokopje njerëzore para selisë së Gjykatës Administrative të Apelit. I sollën për të dominuar një vendim gjyqësor që i jepte të drejtën e ndërtimit njërit nga biznesmenët e shquar të Tiranës, e drejtë e fituar sipas vendimeve të qeverisë. Qeveria, brenda natës, kishte vendosur kundër asaj që kishte firmosur dhe prandaj kishte anuluar gjithçka kishte thënë. Si në një makth, gjatë natës, në jerm, në instinkt. Kështu vendos qeveria…
E dëgjuat si vendosi burri nga Dibra dhe si anulloi çifti nga Dibra, në një rrugë me dredha dhe në një hotel në Tiranë?!
Edhe qeveria, si në një mungesë të madhe seksuale dhe epsh përdhunimi. Njerëzit menduan se “dhunimi” në Dibër ndodhi aq shumë rastësisht ose edhe “rast i veçantë”. Jo, sigurisht. Këtu, sa të jenë këta (më mirë thuaj “ky”) në majë të pushtetit, atëherë nuk mund të thërritet asnjë përpjekje për të bërë punë që shfaqen si grarishte: Drejtësi, Demokraci, Liri, Politikë, Paqe, Punë….
Të gjitha janë veç femra për këta.
Atëherë këtu duhet të vijë Frojdi, psikoanalisti i madh i shekullit të kaluar.
-Psikologjia individuale,- shkruante Frojdi-merret me njeriun e veçantë dhe studion se si ai përpiqet të kënaqë impulset e tij instinktive”.
A nuk e shikoni? Ndodhemi nën pushtetin e instinkteve të këtyre. Instinktet e këtyre, sipas Frodit, ende të pangopur seksualisht, tentojnë të përdhunojnë femrën, në çdo formë qoftë. Në fakt nuk është ajo vajzë e mjerë objekti i tyre kryesor. Objekti i dhunimit të këtyre është “femra” tjetër, ajo që na përket të gjithëve si një Hyjneshë. Femra që po dhunojnë këta është Drejtësia, është Demokracia, është Liria, është Paqja, është Politika… Secila prej këtyre ka një emër Hyjnie, të shënuar o në Demokracinë e Athinës o në Perandorinë e Romës. Por këta janë instinktivë dhe i dhunojnë Hyjnitë tona…
Para dy ditësh, këta mblodhën kadavrat e tyre njerëzore në Rrugën e “Durrësit” dhe rrethuan Gjykatën. Këta kërkuan seks me Gjykatën. Si në mungesat frojdiane, me instinkt.
Amerika dhe Europa, dhe njeriu këtu, kërkojnë Drejtësi e Reformë… E pamundur, në instinkt nuk ka asnjë reformë të njeriut normal. Kemi mbërritur në stadin: Jemi të qeverisur nga njerëz normal, apo nga deformimi natyror?
Njerëzit që pyesin kësaj here, nuk kanë ndonjë arsye për të pyetur. A nuk e dinin të gjithë se po zgjidhnin njerëz instinktivë?! A nuk e dinin se këta, pikërisht këta që dhunojnë Drejtësinë dhe Demokracinë, kishin probleme me instinktin. Kryetari i qeverisë aktuale, më parë kishte deklaruar si një monstër fjalë kundër të birit. Më parë kishte manifestuar neveri për njeriun, që e manifeston përditë. Më parë kishte mohuar të atin, dhe tani mohon çdo vlerë. Më parë tregojnë se kishte dhunuar secilën nga katër gratë e tij. Pastaj një nga gratë e martoi me ministrin e tij.
Të gjitha ishin parë e provuar; vallë çfarë kërkojnë këta që pyesin pse ndodhi kështu?!
Veç të huajt mund të kenë të drejtë të pyesin. Sepse ata ishin përtej deteve kur ndodhi që u formua instinkti i këtyre, këtu mes nesh. Dje shkruan letra që nga kongresmenë amerikanë, ambasadorë, politikanë, njerëz të Lirisë, etj., se si mund të ndodhë që rrethohet Drejtësia për përdhunim… Ata ishin larg atëherë kur u formua instinkti i këtyre. Sigurisht, edhe më larg se vetë Frojdi. Por ne ishim këtu; ja, m’u këtu.
Ne vetë zgjodhëm.
Tani duhet të zgjedhim përsëri: Të presim derisa të vërshojë instinkti mbi të gjithë ne, apo të reagojmë?! Pyetja është tragjike. Por mund të ndodhë që secili prej nesh të konsiderohet një Grua.
Këta “gruan” e dhunojnë. Domethënë edhe Shtëpinë tonë, edhe Lirinë tonë, edhe të Drejtën tonë…. Ou!, të gjitha paskan përsëri emra femërorë. Epo këta nuk ndalen, në qoftë se nuk i ndalim…