30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Hetimet, banda e Shullazit me aktivitet në disa rrethe

Hetimet e kryera nga Prokuroria kanë zbuluar se banda e Emiljano Shullazit rezulton me aktivitete kriminale në disa rrethe të vendit. Në kohën kur mbrojtja e Emiljano Shullazit pritet t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me kërkesën për lirimin e Shullazit, Prokuroria e Krimeve të Rënda po bashkon të gjitha dosjet ku është përmendur emri i të dyshuarit vitet e fundit.
Të gjitha kallëzimet apo informacionet që janë siguruar nga policia për grupin e Emiljano Shullazit, do t’i bashkohen dosjes, të cilët po heton Prokuroria për Krimet e Rënda. Mësohet se aktiviteti i tre të arrestuarve ishte i shtrirë edhe jashtë Tiranës, ku sipas informacioneve janë shantazhuar disa biznesmenë.
Grupi i hetimit shtoi se, kallëzimit të një gruaje në Tiranë për përvetësimin e biznesit të saj pranë ish-kafe “Florës” i është bashkëngjitur edhe një dosje tjetër nën hetim prej pak muajsh te Krimet e Rënda. Në këtë kallëzim të marrë në fillim të vitit, një biznesmen nga Lushnja ka njoftuar se Shullazi e kishte kërkuar në takim gjatë muajit shkurt, ndërsa ai nuk ka pranuar. Nga dëshmia e një punonjësi të tij është kuptuar se, personi i prezantuar si Emiljano kishte qëndruar pranë biznesit të kallëzuesit në afërsi të Lushnjës.
Biznesmeni Adriatik Kërçuku kishte kallëzuar në Policinë e Fierit, Emiljano Shullazin për gjobëvenie. Ngjarja ka ndodhur në janar të këtij viti, ku disa persona i janë paraqitur në biznesin e tij dhe një person i është prezantuar si Emiljano Shullazi. E gjithë kjo histori është treguar nga punëtori i Kërçukut, pasi vetë ai nuk e ka takuar asnjëherë Shullazin. Duke qenë se ai nuk ka pranuar, në oborrin e biznesit të tij ka shpërthyer një sasi tritoli disa ditë më pas. Prokuroria për Krimet e Rënda ka sekuestruar kamerat e sigurisë së biznesit. Por dita kur pretendohet se 4 persona kanë kërcënuar në emër të Emiljano Shullazit është fshirë nga serveri. Një fakt tjetër është se në këtë ditë, në bazë të sistemit TIMS, Emiljano Shullazi rezulton të ketë qenë jashtë vendit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur para pak ditësh se do të vazhdojë hetimet për akuzën e “gjobëvënies” për Emiljano Shullazin dhe po grumbullon prova. Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazi, thanë burimet e Prokurorisë, nuk është vepër penale që personi mund të heqë dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të Prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.
Emiljano Shullazi ndodhet në paraburgim në Tiranë, një javë, pasi u transferua në burgun e Elbasanit. Avokati i tij ka deklaruar se do ta apelojë masën e sigurisë “arrest me burg”, duke kërkuar lirimin e Shullazit dhe shokut të tij Gilmando Dani. Ndërsa ka kërkuar që dosja e Blerim Shullazit të ndahet dhe të ndiqet nga Gjykata dhe Prokuroria e Krujës. Emiljano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij akuzohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, gjobvënie, trafik droge, shkatërrim prone me eksploziv, kanosje për shkak të detyrës dhe armëmbajtje pa leje.

Shullazi në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri

Emri i Emiljano Shullazit figuron në përgjimet e SHISH për një rrjet të trafikut të drogës nga Turqia në Shqipëri. Një raport i shërbimeve të inteligjencës e lidh grupin e tij me një grup të strukturuar kriminal nga Turqia, i cili thuhet se ka marrë përsipër të sigurojë një sasi të madhe droge dhe ta transportojë atë në Shqipëri nëpërmjet Kosovës. Për këtë arsye –thuhet në raportin e SHISH – dy shtetas turq kanë mbërritur në Shqipëri në muajin janar. Ata janë identifikuar si korrierët e mundshëm të drogës.
Kontaktet i kanë vendosur menjëherë me anëtarë të grupit të Emiljano Shullazit, të cilët i kanë akomoduar në hotel dhe më pas kanë vazhduar të mbajnë kontakte për gjithë kohën e qëndrimit të tyre në Shqipëri, raporton Shqiptarja.com. Turqit janë identifikuar si Iliaz Er dhe Ali Sahin. Përgjimet e SHISH kanë zbuluar komunikimet e Iliaz Er me shtetasin E.K, pjesë e grupit të Emiljano Shullazit.
Turku Iliaz Er ka në përdorim numrin e celularit 069xxxx577, ndërsa E.K numrin 069xxxx650. Në këto biseda, shtetasi turk kërkon të dijë nga E.K se me çfarë do të shkojë në Kosovë, vendin nga ku pritet të mbërrinte lënda narkotike.
Më 15 shkurt regjistrohet kjo bisedë mes dy numrave të telefonit. Në atë të turkut përgjigjet një shqiptar që e shoqëron, edhe ai pjesë e grupit:
069xxxx650: a do ikësh ta çosh çik Iliazin në Kosovë.
069xxxx577: me ça të iki, ai nuk ka letra. Me ç’të iki…
069xxxx650: a e ke lejen, a e ke siguracionin?
SHISH ia kalon të dhënat Policisë së Shtetit, e cila nis përpilimin e një raporti në bazë të të dhënave, ndjekjeve dhe përgjimeve. Në rapotin e policisë thuhet se, pjesë e këtij grupi janë disa shtetas me banim në Tiranë, pjesë e grupit të Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit, të identifikuar si O.K, B.K, S,K dhe B.L. Këta persona janë të dyshuar për ngritjen e një grupi të strukturuar kriminal që u vendos gjoba bizneseve dhe personave të ndryshëm.
Në grup – thotë policia – ka edhe persona që dyshohet se merren me trafikun e drogës nga Turqia drejt Shqipërisë. “Ky grup kriminal, lëndën narkotike e siguron në shtetin turk dhe e transporton për në shtetet e BE, duke bashkëpnuar me grupin e Emiljano Shllazit”, sqarohet në raport.
E.K që është përgjuar duke komunikuar me turkun Iliaz Er dhe babai i tij, N.K, thuhet se kanë siguruar një ngarkesë droge dhe janë në tratativa për ta transportuar në Shqipëri. Korrieri i drogës është identifikuar si H.A nga Kosova, i njohur me A.M nga Elbasani, i cili është ndërmjetësi i trafikut. Këta shtetas mbajnë intensivisht kontakte me shtetasin Iliaz Er, i cili është nisur për në Prishtinë për të zhvilluar një takim për ngarkesën e drogës.
Në Kosovë ka udhëtuar edhe turku tjetër Ali Sahin. Ai është shoqëruar nga E.M, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Pjesë e grupit dyshohet të jenë edhe shtetasti N.K, G.G, A.M dhe O.Xh.
SHISH dhe Policia kërkojnë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda një hetim të plotë dhe të gjithanshëm dhe rakordim me zyrat e luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike në Turqi, Greqi, Shqipëri, Kosovë e Itali. Edhe pse Prokuroria e Krimeve të Rënda i nisi hetimet, nuk mundi të zbulojë ndonjë ngarkesë droge.

Berisha: Ekonomia shqiptare drejt falimentimit

Ish kryeministri Berisha shprehu shqetësimin serioz dje për situatën kritike që po kalon ekonomia në vend. përmes një statusi në Facebook, Berisha renditi të dhëna konkrete që dëshmojnë krizën e sotme.
“Ekonomia në ditën e saj më të zezë: Edi Drama, suksesin më të madh të jetës ka shndërrimin e dramës së tij në dramë për ekonominë e shqiptarëve! Të dhëna dramatike për ekonominë e vendit njoftojnë Instituti i Statistikave, Banka e Shtetit dhe Dhomat e Tregtisë! Instituti i Statistikave konfirmon instalimin e deflacionit, dëshmi kjo e rënies katastrofale të kërkesës në ekonomi, rënia më e madhe në 23 vitet e fundit. – Rënien dramatike të eksporteve.  Kështu, vetëm eksportet fason shënojnë në muajin prill një rënie prej 42%, rënie e paregjistruar kjo në 23 vitet e fundit. – Rënien katastrofale të kredisë bankare prej 14.3% dëshmi e një mosbesimi ekstrem të bizneseve për të marrë kredi dhe investuar në Shqipëri. Largim masiv i investitorëve të huaj nga vendi. Aplikim masiv i bizneseve për procesin e falimentimit, vetëm tre muajt e parë të këtij viti aplikuan me falimentim mbi 5000 biznese, disa prej të cilave edhe më të mëdhatë e vendit! Ekonomia shqiptare në galop drejt falimentimit. Edi Rama ka për suksesin më të madh të jetës së tij shndërrimin e dramës së tij personale në një dramë të vërtetë për çdo shqiptar dhe ekonominë e tyre!” shprehet Berisha në reagimin e tij.

Eskobar Tahiri dhe lidhjet me krerët e policisë të Balilajt

Partia Demokratike zbardhi dje lidhjet e forta të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me të ashtuquajturin “Eskobarin” e Ballkanit, Klement Balili. Ashtu siç kishte paralajmëruar, përmes një deklarate për mediat Partia Demokratike denoncoi me emra konkretë lidhjet e forta të kryetrafikantit të drogës me drejtues të lartë të policisë, të gjithë të emëruar nga Tahiri. Përmes një deklarate për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani deklaroi se Klement Balili njihet për lidhjet e tij të forta politike dhe ka qenë sponsorizues i fushatës elektorale të PS në vitin 2013.
“Si lidhje të tij të drejtpërdrejta rezultojnë kushërinjtë e ministrit të Brendshëm, vëllezërit Habilaj, me të cilët ka bashkëpunuar për trafikim të lëndëve narkotike në vitet 2014-2016. Nëpërmjet vëllezërve Habilaj, Klement Balili ka vendosur kontakt të drejtpërdrejt me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.  Nga informacionet e brendshme të oficerëve me integritet në Policinë e Shtetit, partnerëve ndërkombëtarë, dhe strukturave të hetimit të specializuara në Shqipëri, që kanë hetuar shtetasin Klement Balilaj, rezultojnë  lidhje të tij të forta nëpërmjet ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Duke i përmendur konkretisht me emra, Ristani citoi ish-drejtorin e Forcave së Posaçme Operacionale Albert Pata, drejtorin e Policisë së Durrësit Perlat Çullhaj, drejtorin e Policisë Vlorë Jaert Çelaj, drejtorin e Policisë Gjirokastër Aranit Arapi si dhe ish-drejtorin e Kufirit në Vlorë Kastriot Skënderi, i cili në vitin 2015 në zonën e Kakomesë u kap me një kamion me 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.
Ristani paralajmëroi se sot PD do të publikojë të tjerë fakte tronditës të lidhjeve të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe funksionarëve të lartë të Policisë së Shtetit me trafikun ndërkombëtarë të drogës.

“Escobari i Ballkanit”

Drejtori i Transportit në Sarandë, Klement Balili është organizatori i trafikut të 700 kg marijuanë të kapur një ditë më parë në Greqi. Ai është konsideruar nga mediat greke si banori i drogës apo “Escobari i Ballkanit”. Sipas mediave fqinje, 44-vjeçari ishte financuesi kryesor i rrjetit të trafikut të drogës dhe financues i një partie opozitare në Greqi, me lidhje të forta në qeverinë shqiptare dhe në qendër të akuzave të opozitës shqiptare për trafik droge. PD e ka akuzuar më parë Klement Balilin si të lidhur me trafikun e drogës. Që ai është i kërkuar në Greqi e konfirmoi deputeti Genc Pollo. Ai tha për “Report Tv” se i kërkuari i drogës në Greqi është Klement Balili, drejtori i Transportit për qytetin bregdetar të Sarandës. Droga u kap në ishullin e Zakynthos në Greqi. 15 persona u arrestuan, nga të cilët 5 janë shqiptarë dhe 10 grekë. Mediat greke thonë se, ky grup drejtohej nga një shqiptar. Dhe sipas opozitës shqiptare ai është Klement Balili. Opozita e kishte denoncuar atë që në vitin 2014 si të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Mediat greke flasin për një nga operacionet më të mëdha ndërkombëtare të trafikut të drogës, të përfshirë shtetas grekë dhe shqiptarë. Po si bëhet trafiku i drogës nga Shqipëria në Greqi dhe gjetkë? Karteli kishte krijuar një kompani transporti ndërkombëtar të mallrave. Karteli greko-shqiptar e paketonte drogën në Shqipëri ku është prodhuar dhe më pas dërgohej në rrugë detare në Greqi. Për të humbur gjurmët, “kapoja” shqiptar kishte rekrutuar një shtetas grek në Bullgari si “vitrinë” të kompanisë së transportit ndërkombëtar. Ai ishte i përfshirë në trafikun e rreth 450 kg kanabis përmes Portit të Patras në vitin 2015. Një tjetër anëtar i organizatës, furnizonte kompaninë e udhëtimeve me arka të posaçme, të cilat ishin të vështira për t’u kontrolluar në pikat doganore madje edhe nga Rrezet-X. Ai gjithashtu ishte përgjegjës për gjetjen e ngarkesave si dhe për të “mbuluar” transportin.
Rol të rëndësishëm në organizimin ndërkombëtar të drogës kishin tre persona në Bruksel, të cilët ishin përgjegjës për marrjen, magazinimin dhe më pas shpërndarjen e lëndës narkotike për persona të tjerë. Një prej tyre ishte një shtetas grek i arrestuar aktualisht në Greqi. Ai kishte ardhur për pashkët, por me sa duket synimi ishte diçka tjetër. Rol kyç në shpërndarjen e drogës në Bruksel ka pasur edhe një shtetas shqiptar. Pjesa tjetër, ishin anëtarët rajonalë, si shoferët e kamionëve dhe punëtorët e “depove”. Rrjeti kishte shtrirje edhe në vende të tjera. Tre shoferë kamionësh u arrestuan në Maqedoni dhe Serbi, ndërsa më 19 prill 2015, u arrestua në Angli një shofer me 23 kg kokainë. Në prill, një tjetër shofer u arrestua në Kulata të Bullgarisë.
Gazeta greke shkruar se aktiviteti i kompanisë zhvillohej prej 10 vjetësh, ndërsa trafiku i drogës ka shifrat e fitimeve prej qindra milionë eurove. Anëtarët më të ulët të bandës merrnin minimumi 3 mijë deri në 10 mijë euro në muaj.

PD: Prokuroria të veprojë pa humbur kohë

Reagimin e Saimir Tahirit në lidhje me çështjen e Klement Balilajt PD e cilësoi si  dëshmi e lidhjeve të forta të tij me kryetrafikantin e drogës në Europë. Në një reagim për mediat, PD i bëri thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet. “Mbrojtja që Saimir Tahiri dhe drejtues të Policisë së Shtetit i bëjnë Klement Balilaj, i dyshuari si një nga krerët e organizatës kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, u faktua ndërsa Balilaj bën show mediatik nga zyrat publike të Drejtorisë së Transportit në Sarandë, ndërkohë që është shpallur në kërkim nga policia greke. Të njëjtën gjë pohon edhe seksioni grek i CNN  në lajmin me titull: “Mbrojtje politike për baronin e kartelit të Ballkanit”, ku i referohet një takim dypalësh mes policisë greke dhe asaj shqiptare. Përfaqësuesit e policisë shqiptare, siç raporton CNN janë dorëzuar, duke thënë se “në Shqipëri nuk mund ta prekim, sepse ky person ka lidhje me parti politike dhe kontakte me politikanë të nivelit të lartë”. Lidhjet e Sajmir Tahirit me trafikantët dhe mbrojtja që u jep përmes emërimit të të besuarve të tyre në poste të larta të Policisë së Shtetit është prova më e fundit për inkriminimin e qeverisë Rama. Sot, nuk dihet ku fillon qeveria e mbaron krimi, ku fillon krimi e mbaron qeveria. Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të veprojë pa humbur kohë për të çuar para drejtësisë drejtuesit e kësaj organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, por edhe mbështetësit e tyre në poste kyçe në Policinë e Shtetit dhe në qeveri”, thuhet në reagimin e PD.

Agjencia Amerikane e Antidrogës DEA: Baroni e ka selinë në Tiranë

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me operacion ndërkombëtar antidrogë që ka nisur në Greqi dhe është zgjeruar në shumë vende të Europës. Media greke pasditen e sotme ka zbardhur të dhëna të reja në lidhje me rolin e shqiptarëve dhe faktin se droga që trafikohej nëpër vendet e Europës vinte nga Shqipëria. Sipas grekëve, selia e këtij rrjeti trafiku është në Tiranë, ndërsa nuk jep të dhëna për emra, por bëhet e ditur se Agjencia Amerikane e Antidrogës DEA, ka hetuar njëkohësisht në kryeqytetin e Shqipërisë dhe Athinës. Gjithashtu është zbardhur edhe skema se si trafikohej lënda narkotike nëpër kamionë mallrash me fund të dyfishtë që modifikoheshin në një ofiçinë në Greqi dhe më pas me anije dërgoheshin në vende të ndryshme të Europës. Hetimet kishin nisur me kapjen e një shoferi bullgar në janar të vitit 2014, ku në kamionin e tij ishin gjetur më shumë se 650 kilogramë kanabis sativa, që ishte marrë nga Shqipëria dhe si destinacion kishte Europën. Më pas është pasur me arrestimet e tre shoferëve grekë, njëri në Maqedoni në 4 dhjetor 2014, me 678 kilogramë kanabis, një tjetër në Angli me 23 kilogramë kokainë në datën 19 prill 2015 dhe i treti i arrestuar në Bullgari në 30 prill 2015. Pas këtyre arrestimeve, në lojë kishin hyrë agjentët e DEA. Pas kësaj, erdhën edhe rezultatet e tjera. Një sasi prej 60 kg kokainë u sekuestrua teksa synohej të trafikohej nga Belgjika në Itali. Në dy raste të tjera ka pasur dështim të trafikut, njëri në fund të shkurtit dhe tjetri në mars të vitit të kaluar. Rasti i dytë ishte transporti i një kamioni me portokallë nga Shqipëria në drejtim të Bullgarisë me synim Evropën Perëndimore. Në fakt, hetuesit nuk zbuluan drogën, por kamioni u kthye mbrapsht për shkak të cilësisë së portokallit. Gazeta greke shkruar se aktiviteti i kompanisë zhvillohej prej 10 vjetësh, ndërsa trafiku i drogës ka shifrat e fitimeve pre qindra milionë eurove. Anëtarët më të ulët të bandës merrnin minimumi 3 mijë deri në 10 mijë euro në muaj. Sipas grekëve, truri i kësaj organizate të madhe të trafikut të lëndëve narkotike është një 50-vjeçar nga Shqipëria që qëndron në Tiranë dhe një 59-vjeçar grek, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur. Greku mësohet se është vënë në pranga, ndërsa shqiptari ende.

Në 2014, PD denoncoi emërimin e trafikantit Balili drejtor Transporti

Partia Demokratike denoncoi para dy vitesh emërimin e Klement Balilit në postin e drejtorit Rajonal të Transportit të Sarandës. Në denoncimin e 18 majit të vitit 2014 Sekretari i Përgjithshëm i PD, akuzoi gjatë një konference për shtyp kryeministrin Rama se emëroi drejtor të Transportit në Sarandë Klement Balili, i lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.
I dyshuar se drejtonte në grup kriminal në Sarandë, një aksion policor bëri të mundur arrestimin e tij korrikun e 2006-ës me 750 kilogramë kanabis.

Jo, kapjes politike të drejtësisë, pro Reformës që nuk mbron krimin

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi dje se Partia Demokratike do të japë votën e saj pro Reformës në Drejtësi që lufton oligarkët dhe ndëshkon kriminelët. Dje, në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat ishin të pranishëm edhe ambasadorët e SHBA dhe BE, Donald Lu e Romana Vlahutin ku u diskutua në lidhje me Reformën në Drejtësi. Pas takimit, në një prononcim për mediat, Basha theksoi se kushti i vetëm i PD në lidhje me këtë reformë mbetet moskapja e drejtësisë nga politika.
“Nervozizmi kundër Reformës në Drejtësi dje mori formën e tij të plotë me kërcënimin që Edi Rama i bëri Gjykatës Kushtetuese pas heqjes së mandatit të oligarkut Kokëdhima.
Partia Demokratike është partia e demokracisë dhe e shtetit ligjor dhe si e tillë ka qenë prej ditës së parë mbështetësja më e qartë dhe më e vendosur e Reformës në Drejtësi. Kushti i vetëm i Partisë Demokratike gjatë gjithë këtij procesi ka qenë, është dhe do të mbetet deri në realizimin e tij me sukses, siç kemi besim të plotë që do të ndodhë, moskapja politike e drejtësisë.
Jetojmë në një vend që ka një histori të kapjes politike të drejtësisë, të një mazhorance kur këto dy parti ishin një e vetme, ku  korrupsioni dhe krimi e renditën Shqipërinë në fund të listës së Europës dhe në një pozicion të palakmueshëm edhe me vendet e botës së tretë”, tha Basha.
Kreu i PD theksoi se sot vendi më shumë se kurrë ka nevojë për një Reformë në Drejtësi që lufton krimin dhe korrupsionin.
“Për fat të keq tashmë me dy parti kjo mazhorancë përsëri po e rendit Shqipërinë si vendin më problematik në lidhjet me krimin e organizuar, me kultivimin dhe trafikimin e drogës, si vendin ku oligarkia gllabëron me babëzinë e saj miliarda euro të popullit më të varfëruar të Europës nga taksat e taksapaguesve më të ngarkuar në Ballkan. Nevoja për Reformën në Drejtësi nuk ka qenë kurrë më e madhe. Por për një Reformë në Drejtësi që lufton dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin. Kjo natyrisht bën shumë persona nervozë. Ne i dimë, i njohim këta persona me emër dhe mbiemër. Ata janë sot në hierarkinë e pushtetit të Shqipërisë.
Dhe ne kemi mirëkuptimin e plotë, durimin e plotë për tejkalimin e kësaj vështirësie të rezistencës së një pushteti për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin.
Të rezistencës së një Kryeministri, i cili i hidhet në fyt Gjykatës Kushtetuese sepse merr vendimin e drejtë dhe largon oligarkun Koço Kokëdhima nga Parlamenti pasi ka konsumuar krimin kushtetues të marrjes së parave të taksapaguesve shqiptarë për të cilat ishte betuar se do t’i mbronte. Të nervozitetit të ministrit të Brendshëm, të cilit i ka mbetur vetëm të rrethojë Prokurorinë për krimin e rëndë të kësaj Prokurorie; arrestimin e Emiljano Shullazit, kokës së narkotrafikut në Shqipëri”, vijoi Basha.
Ai solli në vëmendje presionet dhe kërcënimet e vazhdueshme të qeverisë ndaj gjyqësorit si dëshminë se mazhoranca nuk është e interesuar për një sistem të pavarur drejtësie.
“Nervoziteti i atyre që i tremben gjyqtarëve dhe prokurorëve të pavarur dhe të aftë ti bëjnë ballë këtij presioni politik: Ka dy vjet e gjysëm që nuk rresht për të marrë vendimet që do Edi Rama në raport me oligarkët, për të marrë vendimet që do Edi Rama në raport me krimin. Këtij presioni politik duhet ti qëndrojë, e do ti qëndrojë me dinjitet gjyqësori i reformuar. Ky është testi. Reforma nuk është një copë letër, por reforma është zbatimi i saj përballë një oligarkie, e cila sot i ka vënë vetes një damkë turpi të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër të realitetit euro-aziatik, kur ditën e djeshme dy kasnecë të kësaj qeverie, dy ministra të kësaj ministrie i bënë presion kryetarit të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Gjykatën e Strasburgut, presion të hapur politik për të mos gjykuar çështjet e pronave me palë shtetin si dhunues dhe shkelës i së drejtave të pronarëve. Presione që vetë ministri i Drejtësisë i kabinetit i bëri Gjykatës Kushtetuese për të njëjtën çështje. Pra, nuk është aq e lehtë sa ç’mund të mendojë dikush. Është e vështirë ndaj ka zgjatur dhe mund të zgjasë sepse në fund të fundit rëndësi ka produkti dhe jo koha”, vijoi kreu i PD.
Basha theksoi se, “rëndësi ka standardi europian nga i cili Partia Demokratike dhe unë personalisht nuk tërhiqemi dhe për të cilin nuk bëjmë asnjë kompromis. Por ne do të punojmë së bashku me partnerët tanë siç kemi punuar dhe do të lëmë të gjitha mundësitë e hapura që të sjellim edhe kundërshtarët tanë politikë në tryezën e një konsensusi jo për hir të Partisë Demokratike, por për hir të shqiptarëve, për hir të Shqipërisë, për hir të brezave që do të vijnë”.
“Tek Partia Demokratike erdhën dhe u larguan ambasadorët duke gjetur një Parti Demokratike aspak nervoze për Reformën në Drejtësi, aspak nervoze për të kaluarën e saj, për të sotmen e saj dhe për të nesërmen e saj. Sigurisht që ka një problem nervoziteti, i cili dje mori formën e tij të plotë me kërcënimin që Edi Rama i bëri Gjykatës Kushtetuese. Kush pretendon se kjo nuk ekziston është naiv. Ne duhet të merremi politikisht me këtë problem. Ta tejkalojmë këtë problem e t’i themi Edi Ramës se tejkalimi i frikës dhe i paranojës së tij do të ndodhë me hir ose me pahir, se Shqipëria do të ketë një drejtësi të reformuar me gjyqtarë dhe prokurorë të aftë të hetojnë nga Kryeministri i vendit tek zyrtari më i fundit, të aftë t’i çojnë përpara drejtësisë, të aftë t’i dënojnë pa favore, pa paragjykime ndaj askujt, por vetëm në bazë të ligjit. Ky është standardi europian, ky është standardi i Partisë Demokratike, ky është standardi im. I vetmi shqetësim i Partisë Demokratike është që qytetarët të kenë një drejtësi të pakapur nga politika, që politika të mos i diktojë gjyqtarët dhe prokurorët. Në këtë kuadër kërkuam shpjegim edhe për të famshmin neni 25 dhe se cila dorë e ka futur në draftin përkatës. Sigurisht që bëmë të qartë pozicionin tonë edhe një herë që një nen i tillë nuk është kërkuar dhe kurrë nuk do të pranohet nga Partia Demokratike”, u shpreh kreu i PD.

Arben Shahini

Kisha Katolike: Popullin s’mund ta përfaqësojnë njerëz të inkriminuar e të korruptuar

Kisha Katolike bën thirrje që Reforma në Drejtësi të garantojë integritetin e personave që përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, duke eliminuar çdo mundësi për përfshirjen e figurave me precedentë penalë apo të përfshirë në afera korruptive. Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, e mbledhur në asamblenë e saj të zakonshme, në datat 10-11 maj 2016, ndër të tjera ka diskutuar edhe për Reformën në Drejtësi. “Ndër shumë aspekte të kësaj reforme do të donim të veçonim dy prej tyre që ne i shohim si të rëndësishme dhe jetësore për vendin dhe demokracinë. Së pari, kjo reformë duhet të garantojë që, ato apo ata, të cilët do të përfaqësojnë popullin si të zgjedhur apo që do të shërbejnë si të emëruar, të jenë figura të pastra nga precedentë kriminalë apo afera korruptive. Nevoja e njerëzve të përkushtuar dhe që shërbejnë pa interesa të dyta apo për të mbuluar të kaluarën e tyre, është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e shoqërisë dhe sidomos në fuqizimin e organeve përfaqësuese në të tria pushtetet që njeh demokracia: legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori. Është jetike për vendin dhe për kuptimin e drejtësisë që kush punon në këto organe të ketë një sens përgjegjësie dhe drejtësie të spikatur e plot me pasion, përveçse të jetë një figurë e papërlyer nga barra e korrupsionit dhe kriminalitetit”, thuhet në komunikatën e shpërndarë për mediat. Së dyti, Kisha Katolike vë theksin tek ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me ligjin e mosdiskriminimit. “Kisha Katolike mbështet nismat për mosdiskriminimin dhe reflektimi i saj nxitet nga kujdesi për çdo lloj situate njerëzore që kërkon delikatesë dhe tutelë. Në këtë prizëm, edhe në Kishën Katolike, ka një reflektim që shkon në drejtim të përkujdesjes dhe mosdiskriminimit në të gjitha dimensionet e jetës njerëzore. Nga ana tjetër ne kërkojmë nga ligjvënësit që këto ndryshime, në një të nesërme, të mos prekin kodin dhe sensin e familjes, që për ne të krishterët është ajo e themeluar mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje. Ashtu e ka theksuar edhe Papa Françesku në dokumentin e tij të fundit Amoris Laetitia duke thënë shprehimisht: ‘…vetëm bashkimi ekskluziv ndërmjet një burri dhe një gruaje kryen një funksion shoqëror të plotë, duke qenë se është një angazhim i qëndrueshëm që bën të mundur vazhdimësinë e jetës. Duhet të pranojmë larminë e madhe të situatave familjare që mund të ofrojnë njëfarë rregulli jete, por çiftet bashkëjetuese apo bashkëjetesat e personave me të njëjtën gjini … nuk mund të barazohen aq lehtësisht me martesën. Asnjë bashkim i paplotë apo i mbyllur ndaj vazhdimësisë së jetës nuk mund të na sigurojë të ardhmen e shoqërisë’”, thuhet në njoftimin për shtyp. Drejtësia është një nevojë e brendshme e njeriut, si indvid dhe si shoqëri citon Kisha Katolike. “Një shoqëri e drejtë është një e drejtë për të gjithë. Kisha Katolike dhe të krishterët katolikë jetojnë në shoqërinë shqiptare dhe janë pjesë e gjallë e saj, prandaj ne si barinj kemi për zemër çdo çështje që ka të bëjë me mirëqenien e grigjës që na është besuar, por edhe të vendit në përgjithësi. Për këtë arsye, ne si barinj të Kishës Katolike, inkurajojmë institucionet përkatëse, përfaqësuesit e popullit në Parlament, partitë politike dhe të gjithë punonjësit e drejtësisë, që të angazhohen fuqishëm në këtë reformë dhe ajo të zbatohet sa më mirë dhe sa më shpejt. Drejtësia e vonuar është gjithmonë drejtësi e mohuar – thotë një rregull i lashtë i së drejtës. Pa vonesa, por me kompetencë dhe vendosmëri, Reforma në Drejtësi duhet të realizohet dhe të jetë sa më e efektshme”, thuhet më tej në reagimin e Kishës Katolike.

Prokuroria do t’i kërkojë palës gjermane verifikimin e dosjes së Roshit

Prokuroria do të dërgojë në Gjermani një letërporosi për të zbuluar të vërtetën kriminale të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshit kur ka qenë në Gjermani. Kërkesa Prokurorisë së Përgjithshme është bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me qëllim verifikimin e formularit të bashkiakut të Kavajës. Në këtë kërkesë do të kërkohen të dhëna të sakta lidhur me arrestimin  ose jo të Elvis Roshit, dënimit ose jo të këtij personi dhe dëbimin ose jo nga Gjermania të Roshit.
Prokuroria nis të martën hetimet për të shkuarën e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Organi i akuzës njoftoi dje se ka kërkuar materialet paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Elvis Roshin. “Të dhënat e kryetarit të Bashkisë së Kavajës kanë qenë të pasqaruara”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. “Bazuar në tagrin e tij ligjor, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të paraqesë materialet paraprake mbi subjektin e ligjit, Elvis Roshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë.
Kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm mbështetet në faktin se, në formularin e vetëdeklarimit të këtij subjekti, ka të dhëna të pasqaruara, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar”. Formulari që plotësoi Elvis Roshi nxori në pah problemet që ai kishte pasur me drejtësinë gjermane. Ai pranoi se ka qenë i skeduar në Gjermani, por në formularin e dekriminalizimit, shënoi se arsyet nuk i kujtoheshin. Po ashtu, Roshi thotë se nuk i kujtohej nëse ishte dënuar apo jo në Gjermani.
Gazeta “RD” publikoi në numrin e datës 7 maj lajmin mbi formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit të plotësuar nga Elvis Roshi, ku sipas të dhënave të siguruara nga gazeta, Roshi pranonte se emrin e ka pasur Ervin, por e ka ndryshuar. Kjo ka ndodhur në vitin 2002 dhe kryebashkiaku i Kavajës pranon gjithashtu se më parë ka qenë në hetim nga autoritetet e huaja për vepër penale.
Elvis Roshi ka plotësuar në formular se është proceduar nga Gjykata e Mynihut në Gjermani. Por, pyetjes për arsyen e hetimit, Roshi çuditërisht i përgjigjet se nuk e mban mend përse është hetuar. Në lidhje me pyetjen nëse ndaj tij është marrë ndonjë masë sigurie, Elvis Roshi pranon se ka patur masë sigurie arrest me burg. Ai shton gjithashtu, se është dëbuar nga qyteti i Mynihut, por edhe në këtë rast nuk i kujtohet përse është dëbuar.

Çfarë rrezikon Roshi

Pyetjes në formular nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga ndonjë autoritet i huaj për kryerjen e ndonjë vepre penale, Roshi i përgjigjet me “Po”. Ai thotë se është proceduar nga Gjykata e Mynihut në Gjermani, por çuditërisht ai thotë se nuk e mban mend se përse është gjykuar. Ky hetim i gjykatës ka ndodhur në vitin 2002. Po në mënyrë të habitshme, Roshit nuk i kujtohet as cili ka qenë vendimi i Gjykatës së Mynihut në Gjermani në lidhje me hetimin penal për të cilin ai është gjykuar.
Pyetjes nëse është caktuar ndonjë masë shtrënguese e sigurisë personale ndaj tij Roshi i përgjigjet me “Po” dhe vendimi është lënë në fuqi ndaj arrestit me burg. Një tjetër pyetje që ka një përgjigje interesante nga “fenomeni Roshi” i Ramës në krye të bashkive të vendit është nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj? Përgjigjja e kësaj pyetje nga Roshi është “Po”. Ai saktëson se qyteti nga ku është dëbuar është Mynihu dhe ai shton se kjo ka ndodhur përpara vitit 2002, kur ai ndryshoi edhe emrin. Çuditërisht edhe në këtë rast, Roshit nuk i kujtohen arsyet se përse ai është dëbuar nga Gjermania.

Arben Shahini

Aksidenti në Kavajë, Autoriteti Rrugor nuk zbatoi vendimin e Apelit

Katër ditë pas aksidentit tragjik ku humbën jetën 2 fëmijë, rruga dytësore e aksit Plepa-Kavajë-Rrogozhinë vijon të jetë e hapur pa barrierat mbrojtëse me autostradën, për të favorizuar një karburant të një zyrtari të lartë të Ministrisë së Transporteve. Sipas dokumentave, Gjykata Administrative Tiranë ka rrëzuar heqjen e mbrojtëseve anësorë të autostradës për të favorizuar pikën e karburantit.
Në mars të 2011 Gjykata e Kavajës urdhëroi kompaninë ndërtuese të pezullonte punimet për vendosjen e barrierave të sigurisë. Ndërsa në qershor të 2013-ës Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë do t’i jepte të drejtë shoqërisë “Pienvis” të mbante të hapur kalimin pa barriera siguruese për lidhjen e autostradës me rrugën dytësore në mënyrë që automjetet të lëviznin për furnizim në një pikë karburanti pronë e kompanisë “Pienvis”. Por ky vendim prishej rreth një vit më vonë nga Gjykata Administative, e cila gjithashtu vendosi edhe pushimin e gjykimit të çështjes. Ndërkohë Prokuroria e Kavajës, e cila ka nisur hetimet kryesisht pritet të marrë në pyetje në ditët në vijim zyrtarë përgjegjës për menaxhimin e rrugës për të zbuluar se përse rruga, nuk është mbyllur me barrierat e sigurisë pas vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ.

Rrëzimi Venecian

Genc POLLO

Zotërinjtë  ambasadorë  janë të mirëpritur në këtë mbledhje, por edhe në të tjera. Kur diskutimet bëhen në mënyrë të hapur, kur palët janë përgatitur të dëgjojnë njëra-tjetrën dhe të flasin me respekt për njëra-tjetrën, shkëmbimet janë të dobishme. Dhe shqetësimi, nëse ka të tillë, për lëndimin e sovranitetit në këtë kontekst më duket pa vend.
E theksoj që palët duhet të flasin me respekt për njëra-tjetrën, sepse lexova në një gazetë që një diplomati i atribuoheshin fjalë si “nëse nuk e votoni reformën do turpëroheni përpara popullit tuaj”. Nuk do të doja të flisja për konfliktin e interesit potencial, kur një diplomat që përfaqëson qeverinë e tij dhe interesat e saj gjithashtu përcakton se cili është interesi i popullit të vendit pritës dhe i përfaqësuesve të tij demokratikisht të zgjedhur. Nuk është ky rasti! BE e SHBA i kanë dhënë Shqipërisë një ndihmë kritike e të pazëvendësueshme çerekshekullin e fundit. Por do të thoja që një gjuhë e  tillë nuk më duket se dëften takt e respekt dhe mund të jetë edhe kontraproduktive. Por ky nuk është rasti në takimin tonë, unë jam shumë i gëzuar për këtë.
Partia Demokratike e ka mbështetur dhe e mbështet Reformën në Drejtësi, një reformë që të përmirësojë efektivisht e afatgjatë sistemin e drejtësisë. Por jo çdo reformë, pra jo çdo ndryshim ligjor-institucional automatikisht e apriori e realizon këtë synim.
Sot kemi një propozim, i cili zyrtarisht vjen  nga EURALIUS dhe OPDAT, dy misione ekspertësh  teknikë. Në fakt, propozimi i dërguar vitin e shkuar  për shqyrtim në Komisionin e  Venecias, ishte vetëm formalisht me firmën e  pjesës socialiste në Komisionin e Posaçëm parlamentar.
Sipas të thënave privatisht nga këta deputetë socialistë, propozimi ishte konceptuar e hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Ky propozim mori përkrahje publike nga këta ekspertë ndërkombëtarë si edhe nga Ambasadorë të rëndësishëm, por u rrëzua në masë 85% nga Komisioni i Venecias përmes opinionit të përkohshëm të mesit të dhjetorit. E njëjta gjë ndodhi edhe me opinionin përfundimtar pak muaj më vonë.
Me shumë të drejtë, pasi në shumë aspekte ishte një propozim monstruoz. Dhe nuk ka shpjegim nga ekspertët autorë për këtë rrëzim venecian. Për ekspertët shqiptarë kam dëgjuar që u ishte premtuar një post në një nga institucionet e reja që do të krijoheshin; pra kishin “arsye” për t’i pëlqyer qeverisë. Ndërsa për të tjerët nuk e di nëse ka qenë shkak naiviteti, inkompetenca apo  neglizhenca.
Pra, kemi situatë që rekomandon për cilindo që ka inteligjencë mesatare e më sipër, jo kredibilitet të shtuar, por skepsis të shtuar. Shqetësimet kryesore të PD lidhen me rrezikun e kapjes politike të sistemit  dhe/ose koorporativizmin e tij.
Propozimi aktual  për mendimin tim, ka shumë gjëra pozitive  që do ishin të votueshme menjëherë, por ka dhe çështje të tjera që kërkojnë shqyrtim të vëmendshëm. Shqyrtimi i vëmendshëm kërkon kohën e duhur. Nuk është faji i PD që mazhoranca dhe bashkëpunëtorët e saj shpërdoruan 8 muaj me monolog, me refuzim konstant të dialogut politik substancial me opozitën për të prodhuar një projekt, i cili siç e thashq më parë u rrëzua nga Komisioni i Venecias.
Deklarata se propozimi aktual duhet votuar pa u lexuar janë vetëposhtëruese për një deputet; por edhe nëse jepet një këshillë e tillë ajo është gjithashtu poshtëruese. Por nëse palët do jenë konstruktive dhe këtu kam ndërmend palët e mazhorancës, mendoj që do ishte e mundshme që të arrihej një paketë amendimesh kushtetuese para pushimeve parlamentare të verës.
Për mua personalisht dhe pushimet mund të anulloheshin e të vijonte puna në qoftë se do kishim nevojë për më shumë kohë. Por do ishte për mua e papranueshme që për shkak të një kalendari të paracaktuar të votonim një reformë kushtetuese jocilësore, ndoshta edhe me ndonjë aspekt të dëmshëm.
Dje, rastësisht takova dy persona që i konsideroj juristë eminentë. Ata  kishin shqetësimin se zgjatja pafund e gjykimeve, që është problem aktual endemik gjyqësorit, do të përkeqësohej nëse do zbatohej skema institucionale që na propozohet. Por, ata druheshin ta thonin këtë publikisht, sepse në Shqipëri muajt e fundit, dhe kjo në sajë të Kryeministrit e propagandës së tij, ku përzihet ndonjëherë edhe ndonjë diplomat, është krijuar një klimë kuazihisterike; ku të kritikosh racionalisht draftin e reformës të thonë në kor se je anti-shqiptar, anti-amerikan, anti-europian, anti-integrimit europian, pastaj tradhëtar, vrasës, hajdut së fundmi edhe i shëmtuar fizikisht dhe i papastër higjenikisht.
Më kujton pak regjimin e mëparshëm. Ka politikanë që e kanë lëkurën e trashë e i qëndrojnë edhe nën trysni bindjeve të tyre. Por ka dhe persona që do të donin t’i kontribuonin konstruktivisht reformës, por i druhen gjuetisë së shtrigave e rrinë mënjanë.
Mendoj që diskutimi më substancial është i nevojshëm për një reformë  cilësore dhe materiali i paraqitur nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike me çështjet që ngrenë alternativat që ofron duhet parë nga ekspertët me seriozitetin e duhur; shpresoj të gjejë një qëndrim kompromisi nga partitë dhe deputetët e mazhorancës.
Një  pyetje konkrete për ekspertët: nëse mund të na sqarojnë çështjen e ministrave, të cilët hetohen/gjykohen me afat të kufizuar trevjeçar nga Prokuroria dhe Gjykata Speciale, ndërsa për ofiqarët e tjerë nuk ka kufizim kohor. Nuk kam arsye të them se është shkruar në mala fide, por duket sikur është aty që të embarasojë ministrat e vitit 2014 e më parë.
Gjithashtu Komisioni i Posaçëm u mandatua nga Parlamenti për të bërë propozime vetëm për Reformën në Drejtësi, përfshi dhe projektligje kushtetuese, nuk e kam kuptuar pse ekspertët përhapen në çështje jashtë fushe e jo urgjente si pajtimi me ligjet e BE-së apo mosdiskriminimi për shkak të orientimeve seksuale. Po ashtu nuk kuptohet pse ndihma e BE në verifikimin e gjyqësorit parashikohet në Kushtetutë (Komisioni i Venecias dukej shumë i çuditur nga kjo ide) gjë që fare mirë mund të zgjidhej përmes një marrëveshje dypalëshe.
Dhe një çështje të fundit, zotërinj Ambasadorë, propaganda e Kryeministrit ka insinuar sikur një votë kundra propozimit për ndryshime kushtetuese mund të shoqërohet me një refuzim vize për deputetin. Unë personalisht nuk do doja ta këmbeja votën pro për një deformim të Kushtetutës së Republikës me një pullë në pasaportën time çfarëdo që të shkruhej mbi të. Por mendoj që dhe ju do t’i kishit përfaqësuar në mënyrë pak më shumë dinjitoze demokracitë pluraliste që ju kanë dërguar në Tiranë sikur ta kishit përgënjeshtruar këtë insinuatë.
Dhe së fundi, fare më vjen mirë edhe për nevojën, e shprehur nga zoti Ambasador, për konsensus në këtë reformë. Fatkeqësisht nuk ka qenë gjithmonë ky rasti i diplomatëve të Tiranës. Por këta janë korrigjuar nga politikanë të rëndësishëm në Bruksel, Berlin e kryeqytete të tjera, të cilët kanë insistuar për konsensus politik në këtë përçapje. Dhe nuk ke nevojë për njohuri e pjekuri politike të madhe për të kuptuar e thënë se Kushtetuta nuk ndryshohet aq kollaj sa interjeri i zyrës. Shpresoj që nëse ndodh, në rastin fatkeq, që të miratohen ligjet kushtetuese me shumicë kushtetuese të blerë siç ishte rasti i shumicës së cilësuar me 3/5, kjo nuk do të duartrokitet nga diplomatët e nderuar.

Erjon Veliaj i heq gjethet Reformës në Drejtësi

Nga Andi BEJTJA

Sot ka ndodhur një ngjarje e paprecedentë, që jo vetëm nuk ka ndodhur gjatë afro tre dekadave tranzicion të historisë së Shqipërisë në rrugën e mundimshme të konsolidimit të shtetit, po druaj dhe në gjithë historinë botërore: një institucion shtetëror siç është Bashkia e Tiranë s’ka protestuar ndaj një institucioni tjetër shtetëror dhe për më tepër kundra një Gjykate.
Sot është prishur një standard demokracie botëror e jo thjesht shqiptar. Sot, Shqipëria kthehet shumë hapa pas dhe shënon emrin në një listë të zezë që ka shumë mundësi të ngelë e vetme.
Nuk kam ndërmend t’i hyj lejes së dhënë për të ashtuquajturin pallat 17 katësh tek diga e liqenit, mund të mos jetë shkelje, mund të jetë, siç mund të jenë dhe qindra pallate jo vetëm në periferi, por edhe në zemër të Tiranës. Nuk është ky thelbi. Kryetari i Bashkisë së Tiranës mund të ketë të drejtë në pretendimin se anëtarët e trupit gjykues mund të kenë konflikt interesi, por nuk është kjo rruga institucionale që duhet ndjekur: ka dhjetëra hapa të tjerë që mund të bëheshin para, gjatë dhe pas, për të shpëtuar nga ky rekord i ri botërori “antishtetit” dhe i prishjes bazë të standardeve të demokracisë.
E gjitha kjo që ka ndodhur, përveç të tjerave, merr dhe ngjyresë tjetër, kur  po të kemi parasysh thirrjet për miting të një Bashkie shqiptare kundra një Gjykate shqiptare, u bënë pak minuta, pasi dy Ambasadorët, që mund të quhen me plot gojën kuajt e Reformës në Drejtësi, Ambasadori amerikan Lu dhe ajo e BE-së Vllahutin, sapo kishin mbyllur dy takime të pazakonta me grupet parlamentare për Reformën në Drejtësi, në përpjekje të mundimshme për të hapur sipas tyre një kapitull të ri, por që fatkeqësisht mendoj se pas kësaj proteste, ku duket qartë mentaliteti që kanë për drejtësinë flamurtarët e saj shqiptarë, nuk është as më shumë e as më pak një revolucion proletar kinez.
Besoj jo vetëm unë, por edhe mijëra të tjerë, do të ishim të interesuar të dinim se çfarë mendojnë dy ambasadorët respektivë për këtë protestë të paprecedentë, dhe për më tepër dhe në këtë kontekst. Si përkthehet ky akt që pavarësisht se nuk jam jurist me aq sa kulturë juridike kam, mund të jetë dhe një akt i ndëshkueshëm penalisht: si përkthehet ky akt jo vetëm në të tashmen, por edhe në projeksionin e ardhshëm të projeksionit të reformës së madhe në drejtësi, çfarë pasojash mund të ketë, sa e komprometon këtë reformë. Të jemi të sinqertë, jam kurioz të dëgjoj dhe Kryeministrin Rama, a mendon edhe ai si kryebashkiaku i tij, apo ka mendim tjetër, pavarësisht se aludoi se reforma në drejtë si duhet edhe që mos t’i ndodhte Koço Kokëdhimës heqja e mandatit.
Me këtë protestë, sot i kemi rënë shtetit dhe atyre standardeve demokratike që me aq mund i krijuam dhe që me aq mund po i mbajmë, i kemi vrarë. Kjo nuk ka ndodhur as kur pothuajse nuk kishte shtet në vitin 1997. Sot nuk kemi masë drejtësie, sot po i hapim dyert kaosit dhe po i vëmë mina të padukshme të ardhmes. Sot po hapim një precedent të keq dhe një plagë të gati-gati të pariparueshme: Mos u habisni kur nesër edhe pas realizimit të reformës në drejtësi, Ministria e Mbrojtjes të protestojë kundra një gjykate, apo Kryeministria të protestojë kundra Zyrës së Avokatit të Popullit.
Fatkeqësisht, sot njohëm dhe mentalitetin e një pjese të atyre që mesa duket e duan reformën në drejtësi për të imponuar vetëm një masë drejtësie: masën e vet. Sot, fatkeqësisht kemi humbur të gjithë. Ambasadori Lu, Ambasadore Vllahutin, ju rroftë Reforma në Drejtësi!

Pushtete që protestojnë kundër njëri-tjetrit!

Artan FUGA

Çfarë???
Presion populist nga rruga një trupe gjykuese, nëpërmjet një mase të udhëhequr nga kreu i pushtetit lokal në Tiranë? Ky është vërtet fundi i edukatës të shtetit ligjor në këtë vend. Po merr avokat ore i uruar! Po hidhe në instancë tjetër kundërshtimin e vendimit! Po ankohu te ministri i Drejtësisë! Te Presidenti i Republikës! Por pushteti nuk mund të organizojë protesta!
Edhe pushtetar edhe protestues! Një shkëmbim vendesh që dëshmon për krizë të identitetit institucional. Kush jam? Pushtetari apo protestuesi? Po sikur të jem të dyja njëkohësisht!!! Duhet vendosur te ligji për pushtetin lokal: Organizon protesta popullore në rrugë dhe mitingje kundër vendimeve të gjykatave, cakton gjykatësit me vullnet popullor, përcakton radhën e seancave të gjykimeve!
Vendimet e gabuara në qofshin të një gjykate kundërshtohen vetëm në rrugë ligjore, në instancat përkatëse. Çdo reagim tjetër është jo vetëm i dëmshëm, por edhe pa asnjë kuptim. Minatori, pensionisti, punëtori??? Po për vendimet e gabuara të gjykatave kundër tyre kush ka protestuar!!! Ky shtet po zhytet në kaos!!! Kjo është Reforma në Drejtësi? Të zëvendësojmë gjykatat me lëvizje populiste në rrugë? Mos erdhi përsëri koha e kontrollit punëtor? Mos erdhi koha që turmat në rrugë të bëjnë vetëgjyqësi? Ky pallat lejohet, ky pallat nuk lejohet!
Vija e masave e zbatuar nga pushtetarët… Turmat në rrugë kundër gjykatave, drejtuar nga një pushtet lokal që kur masa qytetare protestojnë kundër tij, ta zemë për betonizimin e parkut, fut policët t’i rrahin e përzënë me përdhunë. Këto janë tensione pushtetesh që rivalizojnë me njëri-tjetrin duke përdorur qytetarët si mish për top. E para protestë në botë që organizohet nga një bashki.
Nesër prit kur ta zemë Bashkia e Durrësit të ngrejë popullin në revoltë kundër Drejtorisë të Portit, prit kur ministrat të organizojnë revolta qytetare kundër drejtorit të Bankës Kombëtare, prit kur Drejtoria e Monumenteve të Kulturës të organizojë protesta qytetare kundër Këshillit të Rregullimit Të territorit. O Zot në çfarë vendi jetojmë!!! E frikshme kur pushtetet përplasen në rrugë me njëri-tjetrin!!! Mekanizmi rregullator i institucioneve nuk ekziston.