30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Sazan Guri: Projekti për të cilin proteston Veliaj, është firmosur nga Rama

Ambientalisti Sazan Guri ka reaguar dje në lidhje me pallatin tek diga e liqenit artificial për të cilin kryebashkiaku Erion Veliaj ka protestuar kundër gjykatave pasi i ka dhënë të drejtë një firme private. Guri ka kujtuar kohën kur ai ka dalë kundër këtij vendimi, për ndërtimin e këtij pallati, që ishte miratuar me lejen e ish-kryebashkiakut, tani kryeministër i vendit, Edi Rama. “Për të sqaruar të gjithë qytetarët sesi u ndërtuan pallatet nën digë, në mbledhjen e KRRTRSH-ja të Republikës së Shqipërisë nëntor 2006, zona nën digë në shërbim të parkut,u kthye në zonë urbane, ku menjëherë Sazan Guri dhe arkitekti i ndjerë Agron Jano kemi kundërshtuar për këtë ndryshim destinacioni.
Kjo ka dalë me vendim nr.4 nga KRRTR-sh. Vendimi që i dha vulë kësaj zone është vendimi nr. 81 në dhjetor 2007, i Këshillit Bashkiak të Tiranës me nënkryetar Z.Rama, sipas të cilit u stis edhe projekti holandez me 16 pallate nga 20-33 kate, të cilin e kundërshtuam me forcë dhe e fituam atë betejë. Ky projekt holandez me pallate të pjerrëta do të qëndronte mbi digë dhe nën digë. Pas një periudhe qetësie, u rigjallëruan kërkesat për ndërhyrje, ku u punua nga grupet e biznesit nga të cilët u mor firma për digën, ku dhe e arritën qëllimin duke ndryshuar njëpasnjë anëtarët e Komitetit te digave si: Prof.Farudin Hoxha, prof Kristo Goga, Prof. Stavri Ristani (ndjesë paste), etj, dhe siguruan një vendim nga ky Komitet.
Më pas, kryetari i bashkisë Z.Basha me dy vendime (nga KRRTRSH-ja dhe nga ish-kryetari I bashkisë Z.Rama), sëbashku me vendimin e Komitetit te digave, normal që detyrohet të japë lejet për digat përkatëse që përbën vendimin e tretë. Vendimi final është i kryetarit aktual si kryetar i KKT-së që jep dritën e fundit për këtë sipërmarrje, ku prej dy vitesh që në ditën e pare të tabelës, me pak ose shumë persona deri në një të vetëm, e kemi kundërshtuar me mbi 20 protesta civile te shoqëruara me ndjekje televizive”, shkruan Sazan Guri në një reagim të tij.

A ka një plan “B” për Turqinë?

Christoph Hasselbach

Eshtë grumbulluar mjaft lëndë për konflikt. Javën e kaluar, kryeministri turk Ahmet Davutoglu njoftoi dorëheqjen e tij. Ai jo vetëm kishte negociuar marrëveshjen me Brukselin, po në ndryshim nga Rexhep Tajip Erdogan ai është proevropian. Pastaj u arrestuan dy gazetarë turq kritikë ndaj qeverisë, gjoja për shkak se kishin botuar dokumente sekrete. Organizata “Reporterët pa Kufij” shprehet për një “gjykim frikësimi”, Shoqata Gjermane e Gazetarëve për “vendime arbitrare të një regjimi autokratik”.
Për Parlamentin Evropian kupa u mbush pas një deklarate të Erdoganit. Erdogan u shpreh se ai nuk ka ndërmend të ndryshojë ligjet anti-terror të kritikuara ashpër. “Ne ndjekim rrugën tonë, dhe ju tuajën”, tha Erdogani. Ndryshimi i këtyre ligjeve është një prej kushteve të Brukselit për liberalizimin e vizave për turqit në verë. Por, Erdogani ka kërcënuar shpesh, se në qoftë se nuk do të ketë liberalizim të vizave, ai mund të lejojë në çdo kohë refugjatë që të vijnë përsëri në Evropë.
Komisioni përgjegjës për liritë civile dhe drejtësinë në Parlamentin Evropian nuk frikësohet prej deklaratave të tilla. Ai njoftoi se do të presë deri në fillimin e konsultimeve mbi regjimin e vizave deri sa Turqia të ketë përmbushur të gjitha 72 kushtet. “Dhe aty përfshihen edhe ligjet anti-terror”, tha Guy Verhofstadt, kryetar i grupit parlamentar liberal. “Ne jemi të gjithë në një vijë” tha Gianni Pittella, lideri i socialistëve, duke shtuar: “Ne nuk mund t’i pranojmë kërcënimet dhe shantazhet e Turqisë së Erdoganit”. Philippe Lamberts, bashkëkryetar i të Gjelbërve, tha në lidhje me perspektivën e heqjes së vizave për turqit: “Tani kam dyshime”. Nëse të dy palët do të ngulin këmbë në pozicionet e tyre, e gjithë marrëveshja për refugjatët mund të dështojë.
Politikanë të ndryshëm të majtë dhe të djathtë u shprehën që në vend që të bëhen përpjekje për të siguruar marrëveshjen për refugjatët me Turqinë, deri në fund të qershorit të synohet mbrojtja evropiane e kufijve të jashtëm, përpunimi i kërkesave për azil në ishujt grekë në kufij me Turqinë dhe dëbimi i azilkërkuesve që u refuzohet kërkesa.
Janis Emmanouilidis nga European Policy Centre i njeh mendime të tilla dhe i konsideron për thuajse të parealizueshme. Në rast se Turqia do të lejojë sërish një numër të madh refugjatësh të shkojnë në ishujt grekë, “do të kemi sërish të njëjtat shifra si vitin e kaluar ose në fillim të këtij viti, dhe unë nuk mendoj se disa ishuj grekë do të shndërrohen në ishuj evropianë internimi”, tha Emmanouilidis për “Deutschen Welle”-n.
Për përmbajtje në debatin e nxehtë u shpreh ndërkohë Elmar Brok, deputet i CDU-së dhe kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Strasburgut. Në radion gjermane “Deutschlandfunk” ai tha: “Ne nuk duhet të flasim për planin B, nëse plani A nuk ka dështuar definitivisht”. Deri tani, Turqia e ka zbatuar pjesën e saj të marrëveshjes, gjë që mund të shihet në rënien e fortë të numrit të refugjatëve.
Vetë Erdogani ka interes të madh për marrëveshjen për refugjatët. Nëse dështon heqja e regjimit të vizave për shkak të tij, ai do të humbasë popullaritetin në vendin e tij. Erdogani përdor shumë retorikë. “Kjo është arsyeja pse ne duhet të tregohemi të përmbajtur”.

SHBA mbërrin me trupa ushtarake në Moldavi, pro-rusët protestojnë

Vitalie Călugăreanu

Nuk është hera e parë, që ushtria e SHBA-së merr pjesë në stërvitje ushtarake në ish-Republikën sovjetike të Moldavisë. E megjithatë kësaj here po shtohen emocionet prej kalimit të kufirit rumuno-moldav mes përmes fshtarave e qyteteve të rreth 200 ushtarëve amerikanë dhe duzina automjeteve të blinduara. “Mua më bën përshtypje, të shoh këto automjete këtu”, thotë Veaceslav nga Negresti. Ai bashkë me shokë të tjerë kanë dalë në anë të rrugës dhe përshëndesin ushtarët nga SHBA-ja. “Unë ndihem sikur më në fund tek ne po vijnë çliruesit”, thotë ai.
“Ç’punë kanë amerikanët këtu? Ne jemi një shtet neutral”, thotë në të kundërt Gennadij, një punëtor nga qyteti Balti. “Përse e provokojnë ata Rusinë? A nuk e shohin ata, se çfarë po ndodh në Ukrainë?” Pensionistja Evdochia mendon ngjashëm: “NATO është tani këtu dhe sjell luftë”, thotë ajo. Kur në kufirin me Rumaninë ishin ende telat me gjemba, nuk kalonte asnjë tank përmes vendit.

Një vend i përçarë
Mendime të ndryshme në popullsi, pozicione të ndryshme edhe në politikë. Kryesisht që pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe luftës në Lindje të Ukrainës qeveria pro-europiane në Kishinau përpiqet që ta afrojë më shumë vendin me Perëndimin, stërvitjet e përbashkëta ushtarake me SHBA-në janë një hap në këtë drejtim. Opozita pro-ruse përpiqet me të gjitha mjetet, që ta pengojë këtë kurs dhe aktualisht ajo ndihet e mbështetur. Sivjet zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe kandidati i saj Igor Dodon sipas anketimeve kryeson në vend të parë. Manovra aktuale është për shefin e Partisë Socialdemokrate pro-ruse një rast i mirë, që ai ta paraqesë veten si luftarak: ata bëjnë fjalë për një “invazion amerikan” dhe pretendojnë, se prania e ushtrisë së SHBA-së cenon neutralitetin e Moldavisë.

Aksione simbolike
Edhe në fillim të majit socialdemokratët e bënë të qartë qendrimin e tyre, kur në kufi organizuan një aksion proteste “kundër invazionit” të amerikanëve. Kur mbërritën tanket e para të SHBA-së në kalimin kufitar të Moldavisë në Sculeni u pritën nga njëra anë nga të rinj me pankarta në duar, në të cilat shkruhej: “NATO dhe Europa shpëtojnë Moldavinë”. Njëkohësisht autokolonës ushtarake amerikane iu desh të presë. Deputetë socialistë e bllokuan për një orë resht kalimin e automjeteve. Në gjoks, ata mbanin shiritin e Shën Gjergjit – një simbol i vjetër i ushtrisë ruse e më pas edhe asaj sovjetike. Me këtë simbol, ata u kërkonin dokumentat ushtarëve amerikanë. Dodon fotografitë e këtij të ashtuquajturi “kontroll” i postoi për efekt mediatik në faqen e tij në Facebook.
Qeveria pro-europiane në Kishinau ndodhet nën presion. Ministri i Mbrojtjes Anatol Salaru deklaron, se stërvitjet e përbashkëta ushtarake janë pjesë e bashkëpunimit normal bilateral dhe nuk e cënojnë neutralitetin e Moldavisë. Një shtet i vetëm e kërcënon neutralitetin, kundërshton ai, pa e përmendur emrin e këtij vendi. “Ky shtet ka dislokuar trupat e veta pushtuese në Transnistri”, duke nënkuptuar me këtë praninë e rreth 2.000 ushtarëve rusë në rajonin separatist Transinstri, që juridikisht i përket Moldavisë, por që ka shpallur pavarësinë. Moska në vitin 1999 përmes një marrëveshjeje u zotua për tërheqjen nga rajoni, por megjithatë trupat janë të pranishme edhe sot e për shkak të manovrës aktuale ato do të mobilizohen në gjendje gatishmërie.

Histori e harruar
Këmbanat e alarmit, ndërkohë po bien edhe tek policia moldave. Më 9 maj në Kishinau do të kremtohet si Dita e Europës, ashtu edhe dita e fitores së ushtrisë sovjetike ndaj fashizmit. Eshtë planifikuar edhe një ekspozitë ushtarake, në të cilën krahas ushtrisë moldave do të prezantohen edhe armatimet e rënda të sapo sjella në vend prej SHBA-së.
Kreu i socialistëve Dodon, pikërisht për këtë arsye ka bërë thirrje për aksione proteste në Kishinau kundër pranisë së amerikanëve në ditën e fitores. Kjo e ka indinjuar mjaft ambasadorin e SHBA-së në Moldavi, James Pettit, i cili menjëherë tërhoqi vëmendjen për meritat e aleatëve – pra edhe të amerikanëve – si dhe shumë viktimat e luftës, pra, duke kujtuar luftën kundër Hitlerit e kësisoj, duke e treguar drejt historinë.
Por në luftërat elektorale ndonjëherë e vërteta historike nënvleftësohet, sidoqoftë Gennadij, punëtori nga Balti, i jep të drejtë Dodonit. Djali i ri preferon të citojë një politolog nga televizioni rus, që së fundi paralajmëroi nga “një pushtim i Moldavisë prej ushtrisë së SHBA-së”. Ushtarët amerikanë s’kanë punë në Kishinau pikërisht në ditën e fitores së sovjetikëve ndaj Gjermanisë naziste, thotë Gennadij, i cili duket se nuk është vetëm me këtë mendim. Se sa janë ata që mendojnë kështu dhe se sa janë për kursin pro-perëndimor, kjo do të shihet në ditën simbolike më 9 maj në Kishinau.

Ja futbollistët fatkeqë të Europianit

Pjesëmarrja në kampionatin europian me Kombëtaren është një arritje prestigjioze për çdo futbollist. Por, ka edhe prej atyre që ndiqen nga fati i keq, duke u dëmtuar vetëm pak kohë para nisjes së kompeticionit.
Madje, fati i keq mund të lidhet edhe me ekipet përfaqësuese që shpeshherë humbasin elementë shumë të rëndësishëm për formacionin. Edhe pse ka mbetur 1 muaj nga fillimi i kompeticionit, mund të bëhet lehtësisht një 11-she me yje që kanë pësuar probleme të rënda fizike.
Portierë
Xhek Batlendit iu kthye ëndrra në makth. Nuk pritej të ishte titullar me Anglinë, por në kulmin e karrierës së tij pësoi një dëmtim që i hoqi nga duart mundësinë e artë për të qenë në europian. Fat të tillë pati edhe Matia Perin për Italinë apo Rob Eliot për Irlandën.
Mbrojtës
Vinsent Kompani kryeson listën. Është kapiteni i Kombëtares numër 1 në botë, Belgjika. Një dhembje koke për trajnerin e përfaqësueses. Francezët Kurt Zuma dhe Ajmerik Laport apo portugezi Fabio Koentrao gjithashtu janë pjesë e formacionit të mungesave të mëdha.
Mesfushorë
Ky është edhe reparti më fatkeq. Kur mëson emrat e atyre që nuk do të kenë mundësi të jenë në Francë, kupton që kompeticioni ka humbur shumë fantazi dhe “tru”.
Bastian Shvajnshtaiger është në luftë me kohën dhe trajneri Joakim Lwv pati premtuar se do të bëjë të pamundurën që ta ketë në skuadër. Por, duket se është një “bast” i humbur, sepse gjermani ende nuk ka kapur dot formën e duhur për të luajtur me Mançesterin.
Duke ditur edhe alternativat e Gjermanisë në këtë repart, ai do ta ndjekë si spektator. Marko Verrati dhe Klaudio Markizio ishin goditja më e madhe e Italisë. Emra si Gyndogan, Çembërlein dhe Uellbek plotësojnë 11-shen e “fatkeqëve”.

Revolucion te Juventus

Revolucion në radhët e Juventusit. Ndoshta askush nuk e priste, por bardhezinjtë janë duke përgatitur ndryshime në repartin e sulmit. I vetmi që e ka vendin e sigurtë është ylli argjentinas Paolo Dybala. Nga sinjalet e dhëna pritet që në merkato të dalin sulmuesit Simone Zaza, Mario Mandzukiç dhe Alvaro Moratta. Ky i fundit mund të rikthehet në radhët e Real Madrid, gjithmonë nëse klubi “Los Blancos” vendos të paguajë 30 milionë euro për kartonin e lojtarit. Në rast të kundërt, Moratta mund të transferohet në Angli tek skuadra e Arsenalit, që duket se është më e favorizuar në garën për të pasur në dispozicion shërbimet e 23-vjeçarit. Alternativat për të zëvendësuar spanjollin nuk mungojnë.
Duke nisur që nga mesfushori i Chelsea, braziliani Oscar. Isco i Real Madrid dhe emri që ka dalë së fundmi atij i sulmuesit të Arsenalit Alexis Sanchez. Pas Moratës, radhën si kanditat për t’u larguar nga “Zonja e Vjetër” e ka Simone Zaza. Për të interesohen klube si West Ham dhe Chelsea. Zëvendësuesi i Zaza, pritet të jetë Domenico Berardi. Vlera e kartonit të futbollistit kap shifren e 25 milionë eurove.
Kroati Mandzukiç edhe pse vlerësohet nga ana e drejtuesve bardhezi, mund të sakrifikohet përballë një oferte të kënaqshme. Nëse sulmuesi largohet atëherë kampionët e Italisë do të bëjnë të pamundurën për të transferuar në radhët e klubit një sulmues të kalibrit të lartë. Edinson Cavani, është një dëshirë e vjetër e Juventusit, por që për momentin skuadra e PSG nuk e ka vendosur lojtarin në merkato. Emri tjetër është ai i Zlatan Ibrahimoviç, i cili pëlqehet dhe nga zëvendës presidenti Pavel Nedved. Emrat në axhendën e bardhezinjve nuk mungojnë dhe për të parë se cili prej tyre do të transferohet tek Juventus duhet pritur merkato verore.
Ndërkohë edhe tek Interi priten ndryshime të mëdha. Zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti beson se rikthimi i zikaltërve në kompeticionet europiane është një pikënisje e mirë për skuadrën. Gjithsesi, ai e pranon se në fillim të sezonit stafi drejtues dhe lojtarët kishin të tjera objektiva, por duke qenë se është një skuadër dhe në fazë rindërtimi, pjesëmarrja në Europa League është një ogur i mirë për Interin. Më tej, ai flet dhe për investitorët kinezë:
“Ata duan të ndërtojnë një ekip të fortë. Janë duke punuar me shumë seriozitet për këtë gjë. Inter është një skuadër që aspiron gjithmonë më të mirën. Këtë sezon arritëm të siguronim vendin e katërt. Sigurisht, që mund të bënim diçka më shumë, por besoj se rikthimi në kompeticonet europiane është diçka e mirë”, u shpreh ai.
Zanetti foli dhe për ish-presidentin e zikaltërve, Masimo Morrati, për të cilin shprehet se ai do të jetë gjithmonë pjesë e klubit. Ish-kapiteni tha gjithashtu se është i kënaqur në postin e zëvendëspresidentit, pasi është shumë i lidhur me ketë klub. Argjentinasi premtoi se do të japë maksimumin për ta ndihmuar Interin të rikthehet në nivelet më të larta të futbollit europian.

FIFA pranon kërkesën e Kosovës, votohet më 13 maj

Një tjetër hap i madh i futbollit kosovar pas pranimit në UEFA më 3 Maj në kongresin e qeverisë së futbollit europian që u zhvillua në Budapest të Hungarisë. Këshilli i FIFA-s ka pranuar kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës, që ajo të shqyrtohet në kongresin e radhës të institucionit më të rëndësishëm të futbollit botëror që do të mbahet më 13 maj në Meksikë. Lajmi është konfirmuar nga përfaqësuesi gjerman i Këshillit të FIFA-s, Wolfgang Niersbach, pas mbledhjes së grupit të ekspertëve. Kërkesës së Kosovës i bashkangjitet edhe ajo e Gjibraltarit, që vetëm një ditë më parë kishte fituar gjyqin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv për pranimin e kërkesës për anëtarësim në FIFA.
Tashmë u takon 209 anëtarëve të FIFA-s të vendosin nëse Kosova dhe Gjibraltari do të pranohen në familjen e madhe të Futbollit Botëror. Ashtu sikurse në votimin e zhvilluar në Kongresin e UEFA-s, për pranimin e Kosovës në FIFA kërkohet një shumicë e thjeshtë, 50% plus një anëtar, që shteti më i ri europian të aderojë në organizim më të lartë të futbollit. Nëse kjo ndodh, çka është e pritshme në këtë kongres, atëherë Kosova do të marrë pjesën në elimintoret e Botërorit “Rusi 2018”  që do të nisin në muajin shtator.

Mavraj “humbet” Dortmundin

Mërgim Mavraj do të mungojë në radhët e Kolnit për ndeshjen e javës së fundit në Bundesligë me Borussian e Dortmundit në “Signal Iduna Park”. Në fakt nuk bëhet fjalë për ndonjë problem fizik të 29-vjeçarit, por për një vendim të trajnerit Peter Stoger, për t’i lënë të lirë lojtarët që do të marrin pjesën në finalet e Europianit me Kombëtaret e tyre. Vetë Mavraj ka kërkuar të qëndrojë pushim, pasi i duhet të rikuperojë energjitë për eventin historik për kuqezinjtë, pasi është aktivizuar rregullisht gjatë pjesë së dytë të sezonit.
Mavraj mungoi deri në fund të vitit të kaluar pas operacionit në gju. Qëndrimi për 6 muaj në infermieri ndikoi edhe në formën fizike të lojtarit, që tashmë ndihet disi i lodhur nga aktivizimi në vazhdimësi. Për të qenë në gjendjen më të mirë fizike për Europianin, Mavraj do të qëndrojë disa ditë pushim për t’u vënë më pas nën urdhrat e Gianni De Biasit, gjatë grumbullimit të Shqipërisë. Paraqitjet e mbrojtësit gjatë muajit të fundit i kanë bindur drejtuesit e Kolnit për t’i ofruar rinovimin e kontratës, zyrtarizimi i marrëveshjes së ri pritet të ndodhë gjatë ditëve në vazhdim.

Lloris: Shqipëria na ka mundur

Rivalët e Shqipërisë në Grupin A të eliminatoreve në Francë 2016 e dinë se duhet t’u ruhen kuqezinjve që ishin dhe surpriza e madhe e eliminatoreve ku arritën kualifikimin historik në kampionatin Europian. Gjithsesi në kampin e Gjelave, kanë besim te fakti që e njohin tashmë Shqipërinë që kartvizitën e saj ua ka prezantuar me fitoren 1-0 në “Elbasan Arena” dhe barazimin 1-1 në vendin e tyre. E pranon këtë dhe portieri dhe një ndër lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së Deschams, Hugo Lloris.
“Nëse shikon shortin e grupeve të tjera e kupton se për ne mund të kishte qenë edhe më e komplikuar. Tani ky është një kompeticion i nivelit më të lartë dhe të gjitha skuadrat e kanë merituar të jenë këtu dhe kanë diçka për të treguar. Ne i njohim mirë. Ne kemi luajtur me Shqipërinë dhe ata na mundon, kështu që kjo na jep neve një pikë referimi. E dimë se çfarë duhet të presim prej tyre”, u shpreh Lloris.
Hugo Lloris vlerësoi dhe Zvicrën e Rumaninë, ndërsa theksoi se për Francën e rëndësishme do të jetë ta nisë me këmbën e mbarë përballë rumunëve në ndeshjen hapëse të Europianit. Franca afrohet drejt këtij kompeticioni me pritshmëri të mëdha si skuadra e shtëpisë pas dy viteve, në të cilat nuk ka luajtur ndeshje zyrtare. Dy turnetë e fundit madhorë që janë luajtur në Francë, Euro 1984, dhe Kupa e Botës 1998 janë fituar nga vendasit, dhe trajneri Didier Deschamps e bën të qartë se objektivi i skuadrës së tij është fitimi i turneut. “Synimi është ta nisim këtë kompeticion me ambicie, por dhe përulësi. Një europian i suksesshëm për ne do të ishte fitorja e tij”, përfundoi Lloris.

Kishte ardhur momenti të ndryshoja ambient

Mats Hummels flet pas firmës me Bayern Munich. Mbrojtësi, i cili largohet nga Borussia Dortmund, për të veshur fanellën e rivalëve të bavarezëve, përmes një statusi në “Facebook” komenton vendimin më të vështirë të jetës, siç e cilëson edhe vetë lojtari.
“Duke filluar që sot, është zyrtar transferimi te Bayern Munich. Javët e fundit kanë qenë shumë të vështira për mua, pasi mora vendimin më të rëndësishëm në jetën time. Në fund vendosa të ndërmarr një sfidë të re, në qytetin tim, ku jeton e gjithë familja ime dhe të gjithë miqtë e mi. Jam i vetëdijshëm që tani nuk do të më kuptojnë, por pas 8 vjet e gjysmë kishte ardhur momenti të bëja diçka ndryshe”.
Hummels nuk harroi të falenderonte të gjithë te klubi verdhezi, për gjithçka që kaloi gjatë këtyre viteve. “Po largohem me keqardhje nga ekipi, ku jam rritur dhe kam fituar shumë. I falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar. Ata që punojnë pas kuintave dhe ata që kanë në zemër këtë skuadër, pa harruar edhe trajnerët e mi. Shumë persona tentuan të më bindnin për të qëndruar. Falenderoj tifozët e Borussia Dortmund, që gjithmonë kanë qenë fantastikë. Tani do të jap maksimumin deri në fund të sezonit për të nderuar këtë fanellë”, përfundoi Hummels.
Ndërkohë, drejtuesit e Borussia Dortmundin po kërkojnë për një qendërmbrojtës, i cili do të mund të zëvendësonte gjermanin, Mats Hummels. Bayern dje e konfirmoi transferimin e Hummelsit, i cili u transferua për 38 milionë euro. Sipas “Bild”, Toprak i Bayer Leverkusenit, Raphael Varane i Real Madridit dhe Shkodran Mustafi i Valencias janë kandidatët e mundshëm për të zëvendësuar Hummelsin në Dortmund.
Joachim Low është i lumtur nga fakti që Mats Hummels do ta vijojë karrierën në Bundesligë. Transferimi i 27-vjeçarit te Bayerni i Minihut, në një kohë kur kishte oferta edhe nga Premier League, veçanërisht nga United apo Chelsea, për trajnerin e kombëtares gjermane është diçka pozitive. “Nëse lojtarët e kombëtares vendosin të luajnë në Bundesligë, kjo do të thotë se kampionati gjerman i futbollit, në mos më shumë, të paktën është po aq cilësor sa Premier League”, tha Low.
Një deklaratë e kuptueshme e trajnerit, të cilit i intereson një Bundesligë e fortë, pasi pjesa më e madhe e lojtarëve të kombëtares gjermane, luajnë në vendin e tyre. Hummels me këtë vendim tijin ndjek gjurmët e Mario Gotzes dhe Robert Lewandowskit, që braktisën verdhezinjtë për t’iu bashkuar skuadrës që po dominon në futbollin gjerman këto katër vitet e fundit.

Ronaldo ikën nga Reali

Cristiano Ronaldo është shndërruar në prioritetin e PSG, që beson te ëndrra e saj thuajse e pamundur. Klubi parizien gjithsesi vazhdon të punojë për yllin portugez dhe siç informon “Le Parisien” ka bërë një tjetër hap në gjuetinë ndaj tij. E përditshmja franceze siguron se Jorge Mendes, agjenti i Ronaldos dhe Al Khelaifi, presidenti i PSG kanë arritur një akord verbal në bazë të të cilit lojtari do t’i japë prioritet klubit parizien në rast se largohet nga Madridi.
Mediat shkruajnë se, agjenti Jorge Mendes ka arritur marrëveshje me skuadrën franceze, PSG për transferimin e mundshëm të Cristiano Ronaldos. Le Parisien shkruan se, Mendes dhe PSG kanë arritur marrëveshje për Ronaldon, i cili në rast të largimit nga Real Madrid do të transferohet vetëm në PSG. Ronaldo shihet si zëvendësues i Zlatan Ibrahimoviçit, i cili nuk do të nënshkruajë kontratë të re dhe do të largohet gjatë kësaj vere. Kujtojmë se Ronaldo ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2018.
Ibrahimoviç nuk do të rinovojë kontratën e tij dhe te PSG janë në kërkim të një lojtari të madh për ta zëvendësuar. Cristiano do të ishte njeriu ideal në misionin e francezëve për të bërë realitet ëndrrat e tyre në Champions, dhe konsiderohet si guri i themelit mbi të cilin duhet ndërtuar projekti i ri të PSG. Problemi i parizienëve është se largimi i Ronaldos nga Reali ka pak gjasa që të ndodhë. Klubi madrilen dhe futbollisti, madje kanë nisur kontaktet për të rinovuar kontratën që skadon në 2018. Ideja është për të zgjatur bashkëpunimin deri në 2020 ose 2021 këtë verë. Gjithsesi në Francë e konsiderojnë një triumf faktin që kanë lënë pas rivalët e tjerë në rast se portugezi largohet nga Madridi.
Ndërkohë të tjera lëvizje lojtarësh me emër pritet të ndodhin në merkaton e verës. Antonio Conte kërkon Gonzalo Higuain te Chelsea. Nga Spanja, më konkretisht e përditshmja “AS”, raporton se trajneri italian po ngulmon për të transferuar në Londër sulmuesin aktual të Napolit. Një lëvizje e tillë mund të ndodhë vetëm me largimin e Diego Costas drejt Madridit, pikërisht te Atletico, që kërkon rikthimin e sulmuesit të kombëtares spanjolle. Simeone ka shumë besim te 27-vjeçari, që tashmë është bindur për t’u larguar ng Chelsea.
Blutë e Londrës mendojnë se mund ta bëjnë të tyrin argjentinasin për 48 milionë euro, ndërsa mund të përfitojnë 30 milionë nga kartoni i Diego Costas. Mirëpo Chelsea ka harruar një fakt të rëndësishëm, që Higuan ka një klauzolë largimi nga Napoli që kap shifrën 94 milionë euro. Oferta që mendon të bëjë Chelsea është e pamjaftueshme për të bindur presidentin De Laurentiis për El Pipitan, i cili ka kontratë me Napolin deri në vitin 2018.