Faturimi për çdo NIPT sekondar i bizneseve për taksën e arsimit ka angazhuar Shoqatën për Mbrojtjen e Tregtarëve në një proces gjyqësor me Bashkinë e Tiranës, e cila në fillim të këtij viti nisi aplikimin e taksës së përkohshme për arsimin.
Taksa e cila do të vilet për 7 vitet në vijim faturohet 1800 lekë në vit për familjet, 4000 lekë bizneset e vogla, 270 mijë për bizneset e mesme dhe 370 mijë lekë për bizneset VIP, është në kundërshtim me parimin kushtetues, i cili garanton arsim falas në Shqipëri, pohon Nikollaq Neranxi nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve. Ai tha se, Shoqata i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e taksës së arsimit e cila jashtë çdo logjike ngarkon me taksim të shumëfishtë të njëjtin biznesin duke e vjelur taksën për çdo NIPT sekondar. Si një nga tregtarët me shumë NIPT-e sekondare në kryeqytet, Neranzi tha se, fatura e këtij viti vetëm për taksën e arsimit është mbi 35 mijë dollarë. Ai shpjegon se tërësi taksa nuk është e logjikshme përderisa Kushtetuta e sanksionon se e drejta për arsim është falas, por biznesi nuk mund të solidarizohet me pallogjikshmërinë e bashkisë që kërkon që tek një biznes të vjelë taksën me mbi 20 herë. Ai tha se kërkesën në Kushtetuese për shfuqizimin taksës ka e ka bërë Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve bazuar në nenet 57 dhe 59 të kushtetutës. Neni 59 pika 1 germa ç thotë se “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë me punë”. Vetëm nga taksimi minimum dyfish i bizneseve me NIPT-eve sekondare, bashkia pritet të marrë të paktën 1.2 milionë euro, apo një të pestën e shumës totale të planifikuar për t’u mbledhur nga kjo taksë. Janë rreth 7455 NIPT-e sekondare aktive që janë të regjistruara në Tiranë, ku bizneset që i kanë ato do të detyrohen të paguajnë të paktën dy herë taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore. Drejtori i Taksave dhe Tatimeve në Bashkinë e Tiranës, Arli Naska thotë se nga këto 3765 janë biznes i mesëm, 940 janë biznes i vogël, 2665 janë biznes VIP dhe të tjera janë 85. Neranxi tha se, Bashkia nuk është duke ofruar shërbimin që kërkohet edhe për taksat e tjera që vjel. Ai mori si shembull taksën e pastrimit, të cilën e paguan për të gjitha dyqanet veçmas. Neranxi tha se për shërbimin e pastrimit ai ka kontraktuar një kompani private me pagesë vjetore, e cila bën çdo ditë pastrimin e ambalazheve në njësitë e pastrimit me pakicë. Si rregull këtë shërbim duhet të kryente bashkia. “Nëse unë nuk do ta kryeja privatisht shërbimin e pastrimit, në pikat e mia të biznesit do të bëhej katrahura”, pohoi ai.
Shoqata e Tregtarëve çon taksën e arsimit në gjykatë: Është antikushtetuese
Gjithçka mbi Panama Papers dhe Mossack Fonseca
Luke HARDING,
The Guardian
Një publikim i paprecedent prej mbi 11 milionë dokumentesh nga baza e të dhënave të kompanisë ligjore të katërt më të madhe në botë, Mossack Fonseca. Të dhënat u përftuan nga një burim i panjohur i gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung”, e cila i ka shpërndarë ato Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ) dhe më pas i kanë rishpërndarë me një rrjet të madh partnerët ndërkombëtarë, përfshirë këtu “The Guardian” dhe BBC.
-Çfarë kanë publikuar dokumentet?
Dokumentet kanë dhënë prova të një sërë mënyrash se si të pasurit e botës shfrytëzojnë regjimet e fshehta të taksave në parajsat fiskale. Dymbëdhje liderë kombëtarë ndërmjet plot 143 politikanëve sëbashku me familjet e tyre dhe bashkëpunëtorët e ngushtë nga e gjitha bota tashmë njihen me emra për përdorimin e këtyre parajsave fiskale.
Një shteg prej 2 miliardë dollarësh të çon deri në këmbët e Vladimir Putinit. Miku më i mirë i Presidentit rus, Sergei Roldugin, qëndron në qendër të skemës, nëpërmjet të cilës janë fshehur paratë nga bankat ruse në parajasat fiskale. Një pjesë e këtyre parave kanë përfunduar në një resort skish ku në vitin 2013 u martua Katerina, vajza e Presidentit Putin.
Në mes të liderëve kombëtare të që fshehin pasuri në parajsat fiskale janë Nawaz Sharif, Kryeministri Pakistanez; Ayad Allawi, ish- kryeministër i përkohshëm dhe ish-zëvendës/president i Irakut; Petro Poroshenko, President i Ukrainës; Alaa Mubarak, djali i ish-Presidentit të Egjiptit; dhe Kryeministri i Islandës, Sigmundur Gunnlaugsson.
-Çfarë është Mossack Fonseca?
Eshtë një kompani ligjore me qendër në Panama, shërbimet e të cilës përfshijnë inkorporimin e kompanive në juridiksione të huaja, si për shembull Ishujt Virxhin Britanikë. Ajo administron kompani në këto parajsa fiskale kundrejt një pagese të përvitshme. Shërbime të tjera përfshijnë menaxhimin e pasurisë.
-Ku e ka qendrën?
Kompania është panameze, por operon në mbarë botën. Faqja e saj e internetit lëvdohet për një rrjet global prej 600 personash që punojnë në 42 shtete. Ajo ka degë përreth botës, ku nëndegë që operojnë ndaraz janë në kërkim të klientëve të rinj dhe kanë të drejta ekskluzive të përdorin markën e saj. Mossack Fonseca operon në parajsa fiskale, duke përfshirë Zvicrën, Qipron dhe Ishujt Virxhin britanikë, si dhe në vende në varësi të Kurorës britanike, si Guernsej, Xhersi dhe Ishulli i Men.
-Sa e madhe është?
Mossack Fonseca është ofruesi i katërt më i madh në botë i shërbimeve në parajsa fiskale. Ka vepruar për më shumë se 300 mijë kompani. Ka një lidhje të fuqishme me Mbretërinë e Bashkuar. Më shumë se gjysma e kompanive janë regjistruar në parajsa fiskale të administruara prej britanikëve, si dhe në vetë Mbretërinë e Bashkuar.
-Sa të dhëna janë nxjerrë?
Shumë. Rrjedhja është një prej më të mëdhave në histori – më e madhe se kabllogramët diplomatikë të nxjerrë nga Wikileaks në vitin 2010, si dhe dokumentat e fshehtë që iu dhanë gazetarëve nga Edward Snowdeni në vitin 2013. Janë 11.5 milionë dokumenta dhe 2.6 terabajt informacion të nxjerrë nga baza e të dhënave të Mossack Fonseca.
-A janë hajdutë të gjithë ata që përdorin llogaritë në parajsat fiskale?
Jo. Përdorimi i strukturave në këto parajsa fiskale është krejtësisht i ligjshëm. Ka shumë arsye legjitime për ta bërë këtë. Biznesmenë në vende si Rusia dhe Ukraina zakonisht i fusin pasuritë në parajsa fiskale për t’u mbrojtur nga “sulmet” prej kriminelëve, si dhe të shmangin kufizimet e monedhave. Të tjerë i përdorin për arsye trashëgimie dhe planifikim pronash.
Hello Gill
Edison YPI
Ke zbritur nga avioni në Hithrou. Sapo ke marrë trenin për ato pak kilometra deri në Londër, menjëherë e kupton se ajo çka dyshove kur Londrën e pe nga aeroplani, është e vërtetë; Je gënjyer gjithë jetën me ëndrra dhe dokrra. Ke shpenzuar për të ardhur në vendin më të trishtë të planetit.
Shtëpi të vogla dhe rrugë të mjera nën një qiell me re të pista si lëvere të palara.
Nuk duket si udhëtim. Duket si lexim i ndonjë libri të Engelsit mbi gjendjen e mjerë të klasës punëtore në Angli.
Zbret nga treni. Shetit pak. Ulesh në një kafene. Hedh sytë rrotull. Bindesh përfundimisht se gjithçka tjetër që do shohësh gjatë këtij udhëtimi nuk mund të jetë më pak dekurajuese se ky fillim.
Rrëkëllejnë birrë më këmbë si të babëzitur. Gjerbin pa pushim kafe të holla si lëng gështenjash në filxhanë të mëdhenj të thellë si gaveta ushtrie. Pinë të etur kapuçino edhe më të mëdha se kafetë. Currili i kapuçinos derdhet ngadalë nga brimat e ekspresit brenda gavetës shoqëruar me fërshëllima si lokomotiva e Stivensonit.
Pëshpërisin si hijet. Flasin si belbanë. Fjalët i shkurtojnë. Të folurën e ngatërrojnë.
Profesorë universitetesh, filozofë të shquar, shkencëtarë me nam, i shtyjnë ditët në shtëpi të vogla, të vjetra, si shtëpi minatorësh ngritur shpejt e shpejt pas ndonjë përmbytjeje nja dy a treqind vite të shkuara. Të merr të qarët tek i sheh ato furriqe.
Megjithatë, shtëpinë e vogël dhe të vjetër ku ma gjen. Qindra londinezë të pastrehë kalojnë jetën futur nëpër thasë plastmasi nëpër rrugë, sheshe, dyer hotelesh.
Zhgane zhelanësh pisanjosë presin para depove të marrin ndonjë lëmoshë nga shteti.
Në lindje të Londrës jetojnë mijëra anglezë aq fukarenj, sa lindin e vdesin pa i parë kurrë me sy sheshet kryesore të qytetit. Dhjetëra mijëra të tjerë londinezë jo-fukarenj të tmerruar nga piskamat metropolitane prej vitesh u janë larguar përgjithmonë atyre shesheve për ta pritur plakën me kosore nëpër katunde.
Në Hithrou pasaportën ta kontrollon një indian.
Në një minimarket paketën e cigareve ta zgjat një dajua i tij.
Kafenë ta sjell një nepalez.
Rrobat kineze t’i shet një kurd.
Picën italiane ta servir një filipin.
Në bankë të shërben një kongolez.
Shitësi i hamburgerit është një eskimez.
Janë aq të paditur, aq të paarsimuar, aq gdhë, sa të lypset një ditë e tërë për të jetur vetëm një, i cili ta dijë ku bie Shqipëria.
Mund ta kalosh edhe një javë të tërë në kërkim të dikujt, që të thotë përmendësh dy vargje të Shekspirit.
Janë aq pa fantazi, aq të varfër në imagjinatë dhe kreativitet, sa është e pamundur që emrin që e ka njëri të mos e kenë edhe të paktën nja dy a tre milionë të tjerë.
Rinia është edhe e ngordhur edhe zevzeke njëkohësisht.
Mbathin T-shirt-a të pista dhe pantallona të varura. Janë aq të ftohtë dhe indiferente ndaj seksit, sa nuk e kanë për gjë që “ky këtu” të gdhihet e ngryset në të njëjtin apartament të ngushtë me të dashurën e “atij atje” nja njëzet kilometra larg në skajin tjetër të qytetit, ndërkohë që, e dashura e “këtij këtu” gdhihet e ngryset në një garsonierë me 1 banjë me “atë atje” ditë e natë e natë e ditë në një spirale paradoksale vetmie dhe sëkëlldie, që shkatërron kimitë e truve respektivë në mënyrë të pariparueshme.
Londra ka aq shumë zgëqe të fëlliqura, sa nuk kanë të gjitha Brrakat e Shqipërisë së bashku. Ujëra të fëlliqët, rrëkera, pellgje me ta shpif. Natën avuj të frikshëm ngrihen përpjetë ngadalë nga puseta rrugësh si nëpër filmat e horrorit.
Muret e holla të shtëpive ngrihet drejt nga toka. Po t’i pyesësh “Pse nuk kanë themele shtëpitë tuaja ?!” të thonë; “Nuk na lypset themel se këtu nuk ka rënë kurrë tërmet”. Janë pra aq të trashë sa kujtojnë se ngaqë nuk ka rënë tërmet në të kaluarën, tërmet nuk do bjerë kurrë as në të ardhmen. Para një bankomati, një anglez. Ka pritur radhën. Radha i ka ardhur. Ka futur kodin dhe pret. Kurrgjë. Llogaria është bosh. Zë e shan anglezi me rrënjë e me degë gjithë njerëzimin duke lutur Zotin që një bombë atomike të ta shkatërrojë botën nga Grinuiçi në Grinuiç.
Një tjetër anglez të këshillon të mos mbash më tepër se dyqind sterlina në xhep, sepse janë “big money”. Uh ç’më shkrive o perandorak. Për sa pare xhepi duhet të kem frikë mo ? Për dyqind sterlina ? E shoh se s’ditke gjë për fierakë e skraparllinj që qarkullojnë nëpër pesë kontinente me dy milionë dollarë nëpër benevrekë.
“Hyde Park” dhe të tjera parqe të famshme janë plot me mashtruesa pisanjosa, që hiqen për poetë, shenjtorë, filozofë.
Mbrëmje. Soho. Turista gjithandej. Ta zë rrugën një dymetrosh. Përshëndet. Qartëson se nuk është dosido, por “english gentleman”, dhe të kërkon ndonjë kacidhe për të pirë një gotë çaj.
Metroja e Londrës është më e vjetra në botë. Nëpër stacionet me kthesa, që të mos biesh në shina dhe të shndrrohesh padashur në një Anna Karenina në pesqint copa, një altoparlant të paralajmëron me një “Mind the Gap” që e përsërit pafund dhe të mbetet për gjithë jetën në vesh.
Metroja e Londrës do dukej arkivol nëse në shkallët e saj të mos shfaqeshin hera-herës me klithmat e tyre plot jetë shqipet e maleve, divat nga Kalaja e Dodës, Mati, Skrapari, Roskoveci, Divjaka, Puka, Mirdita.
Historia e Anglisë ? Enciklopedi shumëvëllimëshe që përmban intrigat më të sofistikuara individuale, shtetërore, ndërshtetërore, dallaveret lokale dhe ndërkombëtare të të gjitha llojeve dhe nënllojeve.
Anglia është një spital plot me pacientë që vuajnë nga një mpleksje sëmundjesh psiko-neuro-endokrinologjike.
Ky spital ka në krye një Mbretëreshë. Mbretëresha është 9 ujë 1 kos.
Parlamenti i Anglisë është plot me pleq me qurra, që gërhasin dhe flenë me orë të tëra ca më këmbë ca shtrirë. Para kësaj qurrnaje ku ma gjen Parlamentin e Shqipërisë, atë çmendinën ku mafiozët e zgjedhur nga populli ulurasin e rrihen si n’harradoz.
AA Gill u vërtit nja dy orë nëpër Tiranë. Mblodhi ca dromca kafenesh. J’u duk se e njohu Shqipërinë, dhe bëri një reportazh për “Sunday Times”.
Europa përgatitet për recesionin e ri?
Jean Pisani-Ferry
Nëse nuk e kupton se çfarë po ndodh në ekonominë e eurozonës aktualisht, atëherë qetësohu, nuk je i vetmi. Një ditë na thonë se rritja tashmë i përket të shkuarës; ditën tjetër na thonë se rimëkëmbja është në rrugën e duhur; dhe më pas na thonë se Banka Qendrore Europiane po mendon t’i dhurojë çdo qytetari një çek me synimin për të rritur prodhimin dhe rigjallëruar inflacionin. Rrallë herë panorama ekonomike ka qenë kaq konfuze sa është sot.
Të fillojmë me rritjen ekonomike afatmesme. Që kur kriza financiare botërore shpërtheu në vitin 2008, produktiviteti është rritur me hap breshke. Çuditshëm, fuqia vetëllogaritëse magjike e smartfonëve, për çudi nuk duket se po mjafton për të kompensuar ngadalësimet në përmirësimin e eficencës në manifakturë dhe shërbimet standarde. Për gati një dekadë, rritja vjetore e produktivitetit në ekonomitë e përparuara ka qenë pranë 1 përqindëshit në vit në krahasim me 2 për qind që ka qenë në periudhën para krizës.
Kjo mund të jetë një situatë e përkohëshme ose një iluzion statistikor. Por për shkak se nuk ka të dhëna se kjo mund të përfundojë shpejt, politikëbërësit e kanë ulur pritshmërinë për rritje ekonomike. Që nga viti 2010, Zyra e Buxhetit në Kongresin e SHBA-ve e ka ulur parashikimin e vet për rritjen e produktivitetit në dekadën deri në vitin 2020, nga 25 për qind që qe më parë në 16 për qind. Deri tani, Zyra për Buxhet të Përgjegjshëm në Mbretërinë e Bashkuar ka reduktuar parashikimin për përmirësimin e eficencës në një dekadë nga 22 në 14 për qind. Të gjithë po përshtaten me kohë më të këqija.
Mënyra më e mirë për të luftuar këtë ngadalësim është të investosh në arsim, të promovosh novacionin dhe rrjedhimisht, të përmirësosh eficencën. Në Europë në veçanti, një gamë e gjerë reformash mund të kontribuojë në ngushtimin e hendekut në eficencë në krahasim me SHBA-në. Banka Qendrore Europiane mund të këshillojë apo incentivojë, por qeveritë e saj janë ato që duhet të veprojnë.
Të kthehemi tani te rritja aktuale. Më 2015, prodhimi i eurozonës qe fare pak më i lartë se sa ai i vitit 2008, një performancë shumë e keqe për të cilën rritja e ngadaltë e eficencës nuk mund të konsiderohet si fajtori i vetëm. Pavarësisht përtacisë së konsiderueshme në ekonomi, rritja e vitit 2015 qe zhgënjyese në nivelin 1.5 për qind he BQE pret rritje prej vetëm 1.4 për qind për këtë vit. Deri tani, kjo është më mirë se sa kontraktimi që ndodhi nga vitet 2011 deri më 2013, por fakti është që dikush ka të drejtë të presë një rritje shumë më të fuqishme në kushtet, kur kursi i këmbimit valutor është favorizues, interesat janë në minimumin historik dhe çmimet e naftës janë të minimum.
Masat e kursimit nuk janë fajtore. Ndërsa konsolidimi i parakohshëm i buxheteve publike qe përgjegjës për shkaktimin e recesionit të dyfishtë pesë vjet më parë, politika fiskale ka qenë në përgjithësi neutrale që nga viti 2015.
Një pjesë e shpjegimit është ngadalësimi në ekonomitë në zhvillim. Por faktorë të tillë të jashtëm janë me të njëjtin ndikim edhe në vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar apo Suedia, ku ritmi i rritjes ekonomike është 2-3 për qind. E vërteta është se eurozona nuk ka një momentum të brendshëm. Pavarësisht rritjes së të ardhurave, familjet ngurojnë të konsumojnë dhe ndërtojnë; dhe, pavarësisht një rritjeje në fitime, kompanitë nuk janë të prirura të marrin rreziqe dhe të investojnë.
Një arsye për ngurrimin është fakti që e ardhmja duket e zymtë. Kjo është arsyeja se pse reformat që synojnë të fuqizojnë ekonominë në terma afatmesme, ndihmojnë edhe në terma afatshkurtra. Një arsye tjetër është se e shkuara rëndon tepër në të tashmen: për shkak se inflacioni është kaq i ulur, borxhi i akumuluar nuk hiqet qafe lehtë dhe agjentët ekonomikë janë të detyruar të kursejnë për ta paguar atë. Në fund, papunësia në disa pjesë të eurozonës mbetet shumë i lartë dhe familjet nuk rifitojnë dot vetëbesimin, ndërsa pozicioni fiskal nuk shpërndahet mes vendeve të ndryshme në atë mënyrë që të maksimizojë perspektivën për rritje. Kjo sëmundje këmbëngulëse ushqen inflacionin nën objektiv, i cili për rrjedhojë, i mban normat reale të interesit tepër të larta.
Ndërsa ekonomia është më e dobët nga sa duhet të jetë, BQE-ja e ka kapërcyer Rubikonin sërish dhe sërish me shpresë se do të rigjallërojë inflacionin. Pavarësisht përpjekjeve të përforcuara, gjithsesi, beteja mbetet me rezultat të pacaktuar.
Për këtë arsye, një pyetje e tretë duhet të shtrohet: Çfarë mund të bëjë eurozona nëse përballet me një përkeqësim të rëndë të mjedisit ndërkombëtar – për shembull, një rritje e shpejtë e normave të interesit në Shtetet e Bashkuara apo një recesion në Kinë?
Në një situatë të tillë, kërkesa private do të kontraktohet; dhe, ndërsa qeveritë janë të mbingarkuara me borxhe dhe të vëmendshme për të mos u zënë në befasi nga rritja e rrezikut, kërkesa publike nuk mund të vijë në ndihmë. Kujtimet e krizës së borxheve sovrane të vitit 2011 mbeten të freskëta dhe shumë zyrtarë mund të vetëpërmbahen nga përdorimi i politikave fiskale për të fuqizuar ekonominë. Në të njëjtën kohë, BQE-ja mund të ketë mbërritur në limitin e mundshëm të politikës së lehtësimit sasior.
Por që të lihet një recesion të ndodhë pas një rimëkëmbjeje të shkurtër dhe të dobët, kjo do të shihet nga qytetarët si një dështim i madh politik, gjë që mund të dobësojë edhe më tej mbështetjen për euron.
Nën këtë panoramë, BQE-ja po mendohet hapur për përgjigjen më të përshtatshme. Në një intervistë së fundmi, Peter Praet, kryeekonomisti i saj hapur deklaroi se “të gjitha bankat qendrore” mund të prodhojnë para dhe të dërgojnë çeqe për te secili nga qytetarët – një opsion i fundit i njohur si “hedhja e parave me helikopter.” Për shkak se familjet do të shpenzojnë një pjesë të këtyre parave, hedhja e parave nga helikopteri do të sjellë njëkohësisht rritje të kërkesës së brendshme dhe të nivelit të çmimeve.
Ideja e bombardimit me para ngre pikëpyetje si ligjore ashtu edhe teknike. Në themel, ekonomistët orthodoksë pretendojnë se kjo do të bëjë një operacion thuajse fiskal, për të cilin Banka Qendrore nuk ka mandat. Mbështetësit e BQE argumentojnë se banka në fakt ka mandat për ta mbajtur inflacionin pranë 2 përqindëshit dhe se për këtë mandat duhet të përdorë të gjitha opsionet – edhe opsionet tepër jokonvencionale.
Është e vërtetë që hedhja e parave me helikopter mund të funksionojë si ekuivalenti i pagesave të drejtpërdrejta të qeverive për familjet, financuar nga furnizimi i vazhdueshëm me para nga Banka Qendrore. Kështu, hedhja e parave nga helikopteri, megjithëse në përputhje me mandatin e BQE-së për stabilitetin financiar, mundet me të vërtetë që të zhdukë dallimin mes politikës monetare dhe politikës fiskale.
Por a mundet të përdoret thjeshtë opsioni fiskal për këtë qëllim? Duke supozuar se qeveritë e caktuara mund të mos dëshirojnë të shpenzojnë, eurozona si entitet mund të marrë hua për të financuar politika që nxisin rritjen ekonomike.
Një lloj plani i ngjashëm me atë të Juncker (Presidenti i Komisionit Europian ka premtuar krijimin e një skeme për të investuar 315 miliardë euro brenda tre vitesh), por që duhet të jetë më i madh dhe i bazuar në projekte të parapërzgjedhura, të cilat duhet të aktivohen kur të jetë koha e duhur, mund të sigurojë një jastëk të rëndësishëm përballë rrezikut të recesionit.
Projekte të tilla mund të jenë investime që mund të ndihmojnë të kufizojnë ngrohjen globale, ose investimet për të pajisur forcën e punës për ekonominë dixhitale. Huamarrja mund të kryhet bashkarisht dhe mund të mbështetet nga një burim i dedikuar, ose taksë ose një kontribut me bazë PBB-në, i cili do t’i mundësojë Eurozonën të rishlyejë borxhet e veta.
Vështirësitë politike të mishëruara në një skemë të tillë, padyshim do ta bëjnë marrëveshjen të vështirë. Nuk është e qartë, nëse huamarrja e Eurozonës si e tërë do të jetë më e lehtë për t’u realizuar se sa transfertat e inxhinjeruara nga BQE-ja. Ajo që është e qartë është që eurozona duhet të vlerësojë këto opsione, për shkak se njëra prej tyre ka gjasa do të nevojitet së shpejti.
Ulje e taksave dhe ulje e çmimit të energjisë
Këto janë kohë për përballje, bashkim qytetar
Lulzim BASHA
Partia Demokratike nuk është më vetëm në fazën e denoncimit dhe përballjes, por edhe në fazën e hartimit dhe programit të saj qeverisës. Së bashku kemi detyrimin, të drejtën morale dhe sigurinë për t’ju thënë qytetarëve të Fierit se e sotmja është e sotmja, por nuk mund të jetë e nesërmja. Për të nesërmen Partia Demokratike ka për Fierin, për banorët e Fierit, për të rinjtë e Fierit, për të papunët e Fierit, për tregtarët, për biznesin, për punëdhënësin, për fermerët, për të moshuarit, për të sëmurët, për nevojtarët, një vizion, një plan dhe mbi të gjitha vendosmërinë që këtë vizion dhe plan ta vërë në punë, ta vërë në jetë për t’i dhënë fund krizës ekonomike, krizës shpirtërore, depresionit që ka kapur Fierin e gjithë Shqipërinë. Dhe për të hapur një rrugë tjetër për vendin tonë me taksa më të ulëta, me fatura energjie të ulura, me një shtet, i cili qëndron në krah dhe jo mbi kokën e qytetarit. Me një shtet që ndihmon pra, e nuk godet si zuzar, e në veçanti më të pamundurin, atë që mezi e mbajnë këmbët. Ndërkohë që vetë qafa e zvergut, e vetë pushtetit trashet nga korrupsioni e nga luksi me paratë që u merren qyterarëve. Që të mbërrijmë deri aty na duhet patjetër mbështetja dhe besimi i qytetarëve fierakë, i banorëve të Fierit me votë përmes një procesi të lirë dhe të ndershëm, të garantuar në mënyrë të tillë me një reformë zgjedhore dhe me mbështetjen e plotë, ua përsëris mbështetjen e plotë të miqve tanë në Uashington dhe në Bruksel.
Kjo është qeverisja më e dështuar e të gjitha kohërave
Tamtamet e propagandës qeveritare, avazet dhe adetet e trushpëlarjes propagandistike të Edi Ramës, i cili tashmë e ka braktisur edhe në formë qeverisjen sipas normave demokratike dhe i është kthyer mentalitetit të sundimtarit, të pashait, të beut, në kuptimin negativ të fjalës dhe nuk do jo vetëm të dëgjojë e të shohë hallet e njerëzve po as të flasë për to.
E pra, keni dëgjuar e do të dëgjoni që jeni më mirë. Se gjërat po ecin në rrugën e duhur. Se Shqipëria dhe ekonomia e saj po shkojnë drejt ditëve më të mira. Se investimet e qeverisë po shtohen dhe se qytetarët janë gjithnjë e më të lumtur. Aq të lumtur sa pjesa më e madhe e qytetarëve duan të bëhen anëtarë të Partisë Socialiste, thotë ai.
Por në fakt pjesa më e madhe e qytetarëve të pyetur në anketa e sondazhe thonë se duan të ikin nga Shqipëria. Dhe ky që premtoi 300 mijë vende pune sot kryeson një qeveri që është përgjegjëse për largimin e 300 mijë shqiptarëve. 100 mijë prej të cilëve kanë ikur në Europë e 200 mijë kanë mbushur letrat për të ikur në Amerikë.
Qeverisje më të dështuar në të gjitha planet, ekonomike, sociale, që i thonë vetes qeveri e majtë, por siç e patë tani kanë ulur edhe më shumë pagesën e papunësisë, ndihmës sociale, KEMP-in apo luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Dy sëmundje që kanë shoqëruar gjithmonë Shqipërinë, por lufta ndaj të cilave, në kohët tona më të mira ka njohur përparim, ka njohur rezultate. Ndërsa sot rezultatet e vetme të kësaj lufte është që Koço Kokëdhima bëhet i plotfuqishmi i jugut dhe në veri, në Tiranë, por edhe në jug qeverisin e bashkëqeverisin bandat. Bandat, të cilat me leje qeveritare mbjellin drogë. Bandat, të cilat me leje dhe me bekim të Edi Ramës emërojnë doganierët, madje edhe komisarët e policisë.
Megjithatë kurrë nuk ka ndodhur që një qeverisje të dështojë kaq turpshëm para qytetarëve të saj. Kurrë nuk ka ndodhur që një qeveri të jetë përgjegjëse për t’i hequr bukën e gojës mijëra familjeve shqiptare në një kohë kaq të shkurtër, e prapëseprapë në vend që të ulin kokën, në vend që t’i vënë gishtin kokës, vazhdojnë të krenohen, vazhdojnë të rrahin gjoksin e të krekosen si kokoshër majë pasurive që kanë vënë duke futur duart në xhepat e qytetarëve shqiptarë.
Duke futur duart në xhepat e atyre që mjerimin, varfërinë, papunësinë e kanë refrenin e përditshëm, siç pashë edhe në tregun industrial të Fierit.
Këto janë kohë për të qëndruar fuqishëm
Kohët janë shumë të rënda. Këto nuk janë kohë për t’i shkuar mbrapa avazit propagandistik të piktorit të dështuar, as për t’u bërë sfond e as për t’i dhënë atij alibi për keqqeverisjen. Këto janë kohë për përballje. Këto janë kohë për të qëndruar fuqishëm, për t’u bashkuar me njëri-tjetrin, siç na bashkojnë hallet, siç na bashkojnë problemet e mëdha që kanë kapluar të madh e të vogël në jug e veri, demokratë e socialistë.
Por po kështu për të bashkuar shpresat sepse Shqipëria i ka të gjithë mundësitë t’ia dalë të ushqejë e të mirëmbajë, e madje të krijojë prosperitet për qytetarët e saj. Por njësoj si ajo familja ku kryefamiljari vjedh gjysmën e rrogës dhe e çon dëm në kumar apo e pi dhe fëmijët, prindërit, bashkëshortët, vuajnë konsekuencat edhe sot shqiptarët vuajnë konsekuencat e një qeverie, e një regjimi të korruptuar, kleptokrat, i cili vetëm vitin e kaluar mori 1 miliard nga lekët tona, nga lekët tuaja. 1/3-ën e shpenzimeve, 1.3 miliardë është një shifër e pakapshme nga mendja e njeriut. Pra, më lejoni t’ua përkthej me diçka që të gjithë e kuptojmë, është baras me 6 vite faturë kombëtare energjie.
Apo vjet nga kjo qeveri në dogana e në prokurorime është vjedhur një shumë e barabartë që do të mjaftonte që shqiptarët për 6 vite, të gjithë shqiptarëve pa përjashtim të mos paguanin energjinë.
Sigurisht nuk po e bëj këtë argument, nuk po them që nuk duhet paguar energjia, por këta që rrijnë me kërbaç mbi kokën e qytetarëve për të marrë edhe kacidhen e fundit në faturat e kripura dhe me aforfe janë po këta që kanë vjedhur vetëm në një vit, 6 vite të marra së bashku faturë energjie për shqiptarët.
A e imagjinoni se çfarë mund të bëhej me ekonominë kombëtare? Çfarë efekti do të kishte në ekonominë familjare? Çfarë efekti do të kishte për gjithsecilin prej jush këtu e mijëra, mijëra fierakë jashtë këtij bashkëbisedimi në qoftë se këto para nuk do të kishin përfunduar në xhepat e Edi Ramës e të Koço Kokëdhimës e të një grushti oligarkësh, por do të kishin përfunduar në investime, në rrugë, në ura, në shkolla, në spitale. Spitale të vërteta dhe jo nga këto siç keni këtu në Fier, ku siç më thanë sot mungojnë edhe garza dhe jodi. Po sigurisht mungon garza dhe jodi se si mund të pasurohet përndryshe brenda natës Ilir Beqaj. Sigurisht mungojnë garza dhe jodi sepse paratë tuaja shkojnë për check up-in, skemën më të poshtër, më dinake, më të ndyrë të vjedhjes në sektorin e shëndetësisë në 25 vite të marra së bashku. Të gjitha këto dhe probleme shumë më të rënda se këto ju i vuani sepse janë të shkruajtura në lëkurën tuaj. E unë i shoh në vështrimin tuaj, i prek kur iu shtrëngoj duart dhe i dëgjoj sa herë që ulemi e diskutojmë apo bashkëbisedojmë në qendrat tregtare apo në ferma, apo në tregjet e fermerëve kudo, jo vetëm në Fier.
Mjerimi është ulur këmbëkryq. Detyra jonë, detyra ime, detyra e ekipit tim, një pjesë e të cilit më shoqëron sot këtu, është jo vetëm të përballemi, por edhe t’i japim zgjidhje këtyre problemeve. T’i japim një zgjidhje, e cila funksionon për ju.
T’ju kthejmë Shqipërinë shqiptarëve sepse Shqipërinë e ka marrë peng një bandë që nuk ka lidhje as me demokratë, as me socialistë, por ka lidhje vetëm me hajdutërinë, madje jo me hajdutërinë, por me plaçkitjen sepse hajduti shikon kur nuk e ke mendjen të të vjedhë xhepin apo shtëpinë, kurse këta na plaçkisin ditën për diell para syve dhe kur i kapim me plaçkë në dorë, në vend që të ulin kokën, në vend që të turpërohen, që të kërkojnë ndjesë, përqeshin popullin, përqeshin opozitën, përqeshin drejtësinë që e kanë në xhep dhe prandaj nuk duan ta reformojnë. Cili hajdut i kapur me plaçkë në dorë do të reformojë drejtësinë?!
Programi i PD, ulje drastike të taksave
Shpresa jo vetëm vdes e fundit, por shpresa rikthehet edhe më e fuqishme aty kur zemrat bashkohen. Edhe sot ua them me përgjegjësi të madhe se në këtë bashkim zemrash nuk jemi vetëm, se kemi dhe do të kemi mbështetjen e fuqishme të atyre që na ndihmuan para 25 viteve të hapeshim si vend, t’i iknim skëterrës së mjerimit, të vuajtjeve, të persekutimit, të atyre që nuk mund të pranojnë dhe nuk mund të lejojnë që Shqipëria që e futën në NATO si sot 7 vite më parë, Shqipëria e cila ka burime njerëzore dhe pasurore për të mbajtur 2-fish këtë popullsi, të mbetet peng i një grushti hajdutësh dhe plaçkitësish, të cilët komprometojnë jo vetëm të ardhmen e popullit të tyre, por komprometojnë rëndë edhe interesat strategjikë të aleatëve tanë. Sepse aty ku ka korrupsion, aty ku ka krim, aty ka edhe ekstremizëm, aty ka edhe terrorizëm.
Dy javë u bënë që jam kthyer nga SHBA, vizioni ynë për Shqipërinë, vendosmëria jonë për ta kthyer në një plan për të punuar për shqiptarët dhe jo për politikanët, ka mbështetjen dhe aprovimin e plotë të aleatëve tanë strategjikë të SHBA-ve dhe të Bashkimit Europian. Por jemi demokracia apo duam të jemi demokraci dhe padyshim që zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themelet e kësaj dhe për këtë do të punojmë fort. Duam të shkojmë në çdo shtëpi, në çdo zemër e t’u themi që tani është koha jo për të braktisur Fierin, jo për të braktisur Shqipërinë, por për t’ju rikthyer edhe një herë vlerave më të mira që shqiptarët i demonstrojnë në kohërat më të vështira të besimit tek njëri-tjetri.
Dy gjëra ju propozon Partia Demokratike, dy gjëra u propozon sot opozita shqiptarëve: ulje drastike të taksave. Uljen e taksave që i kanë marrë frymën ekonomisë, që i kanë marrë frymën biznesit, që i kanë marrë frymën qytetarëve që do të thotë se që në pikën e fillimit, qytetarët do të kenë më shumë lekë në xhepat e tyre dhe aty lekë që gjoja qeveria i mbledh si taksa, por në fakt i vjedh dhe i shpërdoron deri në 400 milionë dollarë në vitin e kaluar. Ulje taksash për biznesin e vogël, për biznesin në tërësi, ulje e pagesës së sigurimeve shoqërore, ulje e çmimit të energjisë dhe kthimin e energjisë elektrike me çmim të ulët me një faktor të rëndësishëm të rritjes ekonomike të vendit, të rritjes së shanseve për punësim, për më shumë vende pune dhe punë me paga më të mira nga njëra anë dhe nga ana tjetër ulja e faturës sociale për ato mijëra e mijëra familje, ulje e çmimit të energjisë dhe falje totale të kamatëvonesave abuzive nga kjo qeverisje në këto dy vite e gjysmë dhe padyshim rikthimin e amnistisë që këta e kanë shkelur të vitit 2011.
1 miliard euro më shumë do të qarkullojnë në ekonominë shqiptare
Ulja e taksave është një kolonë e propozimit tonë. Nga ana tjetër janë investimet publike në ekonominë shqiptare, në infrastrukturën shqiptare. Pra, derdhja e lekut në projekte që funksionojnë për shqiptarët dhe jo për kokëdhimët. Në infrastrukturë, në ujësjellës, në kanalizim, në vaditje, në mbështetje për bujqësinë, në mbështetje që hap vende pune, në mbështetje të biznesit që prodhon rritje të konkurrueshmërisë së mallit dhe shërbimeve të shqiptarëve, pra të djersës së ballit të shqiptarëve. Dhe kjo vjen duke vendosur çdo lekë të buxhetit të shtetit jo në palma e rrush e kumbulla apo në projekte abuzive, por në projekte që sjellin impakt të menjëhershëm në cilësinë e jetës së qytetarëve, në impakt të menjëhershëm në rritjen ekonomike të shqiptarëve dhe mbi të gjitha të risjellë qarkullimin e lekut në xhepat e shqiptarëve. Leku është zhdukur sepse ka përfunduar në xhepat e oligarkisë dhe pika e vjedhjes janë dy: taksat e larta dhe tenderimet korruptive. Këto dy do t’i godasim ne dhe lekun do ta nxjerrim nga vrimat, nga xhepat e oligarkisë së korruptuar shqiptare. Kjo është e vetmja mënyrë që leku të rishfaqet përsëri në xhepat tuaja, në tregjet e shqiptarëve, në tavolinat e shqiptarëve. Sipas planit tonë, sipas paketës tonë fiskale dhe planit të investimeve, vetëm vitin e parë 1 miliard euro më shumë do të qarkullojnë në ekonominë shqiptare. Pra, një impakt i drejtpërdrejt sepse i bie afërsisht 280 euro për frymë më shumë në xhepat dhe në duart e shqiptarëve, në mallra, shërbime, rritje të fuqisë blerëse, qarkullim të lekut, në xhepat dhe në tavolinat e shqiptarëve. Dhe padyshim shqiptarët kanë treguar këto 25 vite se dinë që në kushtet e lirisë të ndërtojnë ekonomi për veten e tyre, për familjen e tyre, për qytetin e tyre. Nuk kërkojmë një hap më shumë, as kërkojmë që të heqim një kasë hajdutësh që të vijnë një kasë hajdutësh me dorë më të lehtë. Jo! Gjenerata ime, brezi im dhe shoh këtu që kam shumë anëtarë të brezit tim edhe shumë më të rinj, se ne i themi vetes të rinj, por ka shumë më të rinj, nuk mund të pranojë diçka më pak se standardi europian, standardi amerikan. Dhe kjo nuk është një ëndërr më. Kjo është një mundësi dhe këtë mundësi e pengon vetëm oligarkia. Ndaj unë ju kërkoj që të bashkohemi edhe një herë së bashku për ta hedhur, për ta përmbysur edhe një herë oligarkinë. Kur them së bashku, them demokratë dhe socialistë. Se e di që vuajtja nuk ka ngjyrë politike e në veçanti këtu në Fier është shpërndarë si njollë anembanë qytetit, anembanë fshatit. Të bashkohemi për të hedhur poshtë të keqen e t’i hapim rrugën vendit, t’i hapim rrugën edhe forcave të tjera politike. Të ndjekim një shembull europian, një shembull amerikan, të cilin Partia Demokratike, unë Lulzim Basha jam i vendosur ta ndjek me ndihmën dhe bekimin tuaj.
Revolta e banorëve të Fierit: Po harrojmë edhe bukën
Varfëria, papunësia dhe pamundësia për të mbyllur muajin janë shqetësimet kryesore të banorëve të Fierit. Tregu është thuajse i zbrazur. Tregtarët thonë se e nisin ditën me zero dhe e mbyllin me minus, duke llogaritur taksat që duhet të paguajnë. Ata tregojnë për gjobat abuzive që u vihen çdo muaj. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua dje me qytetarë dhe tregtarë të Fierit. Qytetarët thonë se gjendja e tyre është më keq se dy muaj më parë e po përkeqësohet me shpejtësi. “Kam kolauduar 2 herë kasën fiskale dhe më kanë vënë 600 mijë lekë gjobë për mungesë kase. Absurdi është se gjoba më është vënë nga i njëjti inspektor, i cili një ditë para se të më vendoste gjobën lëshoi aktkonstatimin se jam i pajisur me kasë. Më e keqja është se s’ke ku ankohesh”. Në dyqanin e mishit shitësi më thotë se njerëzit blejnë dy herë më pak mish se sa një vit më parë. “Kemi nja dy vjet s’e kemi parë fare mishin me sy, tani po harrojmë bukën”, ja pret një qytetar aty afër. Ndërsa një zonjë tregon se ka ardhur të lypë dhjamë e kocka për vajzën anemike që nuk del dot nga shtëpia. “S’kemi bukë të hamë, pa punë, pa ndihmë dhe në bashki askush s’të hap as derën. Si do të vejë halli ynë?!”. Shëndetësia është kthyer në makth. Falas as që bëhet fjalë, por dhe KEMP-i që u takon mund ta marrin vetëm pasi të japin ryshfetin e majmë. Ndërsa një zotëri që ka çuar nënën 80-vjeçare te urgjenca për një plagë në këmbë thotë se infermierët nuk kishin as jod, as garza për të mjekuar plagën. “Kemi fëmijë me të meta dhe këta u heqin bukën të sëmurëve vetëm për të marrë lekë nën dorë. Nuk u japin ndihmë, na sorollatin poshtë e lart vetëm që të marrin ryshfet”. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se ndryshimi duhet të nisë me largimin e kësaj klike të korruptuar, kësaj kuçedre të parave të shqiptarëve, e cila kërkon gjithçka për vete dhe asgjë për qytetarët. “Kam ardhur t’ju them qytetarëve të Fierit e prej Fierit mbarë Shqipërisë se largimi nga Shqipëria apo rënia në dëshpërim nuk janë rruga e vetme. Ka një shpresë dhe një rrugë tjetër, të cilën mund ta përshkojmë të gjithë së bashku dhe kjo është rruga e uljes së taksave, e uljes së faturave të energjisë me qëllim që qytetarët të kenë më shumë lekë në xhepat e tyre. Kjo është rruga e rritjes së investimeve publike, e një portofoli të madh të investimeve publike anembanë vendit që do të krijojë më shumë vende pune dhe vende pune me paga më të mira. Çelësi i programit tonë, kyçi i ofertës së Partisë Demokratike për të nesërmen është ky: paratë që sot përfundojnë në xhepat e oligarkëve t’ia kthejmë qytetarëve përmes investimeve publike, infrastrukturë, në shëndetësi, në arsim, në kopshte, në çerdhe, në ujësjellës, në vaditje, në subvencionime për bujqësinë. Dhe nga ana tjetër të ulim taksat me qëllim që qytetarët të kenë më shumë lekë për të shpenzuar për veten e tyre dhe familjet e tyre”. “Në raport me dy muaj më parë, katër muaj më parë, një vit më parë, dy vite më parë pa përjashtim qytetarët që kam takuar dhe pyetur kanë thënë me fakte nga jeta e tyre e përditshme se gjendja është përkeqësuar dhe vazhdon të përkeqësohet, se fuqia blerëse e fierakëve vazhdon të bjerë, se taksat janë rritur, fatura e energjisë është rritur. Shëndetësia nuk jep shërbimet minimale, nuk ka garza dhe jod, më tha një qytetare. Dyqani i mishit është kthyer në një dyqan ekzotik, ku xhiroja është 3-4 herë më e ulët se një apo dy vjet më parë. Pra, gjendja ekonomike e fierakëve, sikundër e të gjithë shqiptarëve është në përkeqësim të thellë”, tha Basha. Ai theksoi se, “e sotmja është më e keqe se e djeshmja dhe këto janë fakte, të cilat Lulzim Basha dhe Partia Demokratike nuk mund t’i fabrikojnë. Këto përcillen ditë për ditë nga jeta e qytetarëve pa truke, pa propagandë, pa trushpëlarje”. Këto, tha kreu i PD, janë faktet që Edi Rama duhet t’i njohë, por refuzon t’i njohë sepse ai jeton brenda një flluske ku gjërat ecin gjithnjë e më mirë. “Në fakt gjërat gjithnjë e më mirë ecin për Edi Ramën dhe për Koço Kokëdhimën dhe për një grusht oligarkësh, të cilët duke marrë, shpërdoruar, vjedhur miliarda, miliarda lekë në vit nga paratë e taksapaguesve shqiptarë janë përgjegjës për faktin që sot ka më pak lekë, ka taksa më të larta, rroga më të ulëta dhe papunësi më të madhe. Unë nuk kam ardhur vetëm të pyes se si është gjendja, sepse si është gjendja e shohim ditë për ditë. Por kam ardhur t’ju them qytetarëve të Fierit e prej Fierit mbarë Shqipërisë se largimi nga Shqipëria apo rënia në dëshpërim nuk janë rruga e vetme”, u shpreh Basha, ndërsa tha se alternativa e PD është sot shpresa për shqiptarët.
Digjet pylli në Vermosh për të mbjellë kanabis
Edhe në Veri të vendit po digjen pyjet për të hapur toka të reja për mbjelljen e kanabisit. Bëhet e ditur se pyllit të Vermoshit i është vënë zjarri për të hapur toka të reja për kanabis. Si pasojë, dhjetëra hektarë me pyje janë shkrumbuar nga zjarri i qëllmishëm. Banorët e zonës kanë njoftuar autoritetet, por shuarja e zjarrit ka qenë e vështirë për shkak të terrenit të thyer. Banorët bënë të ditur se zjarri është vënë qëllimisht nga trafikantët e drogës për të mbjellë kanabis.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe drejtori i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizimit në PD, Jamarbër Malltezi. Në një postim në rrejtin social Facebook, Malltezi shkruan se, hapja e tokave të reja për kanabis edhe në Vermosh. “Zjarr në pyll kur temperaturat janë vetëm 16 gradë? Sajmja dhe Taulanti po i japin përvojë edhe Paulinit. Pyjet po i kthejnë në hashash që të kënaqen koçot e pushtetit”, shkruan Malltezi.
Po ashtu, të dielën i është vënë zjarri pyllit në fshatin Koçaj të Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë. Banorët bënë të ditur se zjarri është vënë qëllimisht për të mbjellë tokën me kanabis. Zjarri i ndihmuar nga era u përhap me shpejtësi, duke përfshirë dhjetëra hektarë pyje. Banorët e këtij fshati dhe zjarrfikëst arritën që ta vënë zjarrin nën kontroll. Pas shuarjes së flakëve, banorët thanë se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe i është kërkuar policisë që të zbulojë dhe arrestojë autorët.
Edhe në Përmet ka nisur mbjellja e kanabisit. Bëhet e ditur se, tokat e lëna djerrë dhe livadhet e shumta të fshatrave Drenovë dhe Zerec janë zënë nga trafikantët dhe ka filluar mbjellja masive e tyre me kanabis. Gj. J., fshatar i kësaj zone tha për “RD”-në se, është i tronditur dhe i frikësuar për çfarë po ndodh në fshatin e tij të lindjes. Ekipe me ekskavatorë dhe mjete të tjera të motorizuara kanë filluar hapjen e gropave anembanë fshatrave në afërsi të Benjës, që njihet për llixhat e famshme. Drenova dhe Zereci, pas viteve ’90 janë braktisur masivisht prej banorëve të tyre për shkak të kushteve të vështira ekonomike.
Krahas eskavatorëve dhe punëtorëve të marrë nga zona të tjera, Gj.J., tha se kishte roje të armatosur që ndiqnin nga afër mbjelljet. Siguria dhe qetësia me të cilën ata ndiqnin punimet, të bënin të besoje se ishin pjesëtarë të Policisë së Shtetit dhe jo banditë të rëndomtë. Këdo që lëviz në atë zonë kalon në një intervistë të hollësishme dhe nëse nuk provon se është me origjinë nga ky fshat dhe ka prona dhe shtëpi, aty mund të jetë në rrezik edhe ekzekutimi, pasi tipat që ruanin ishin tepër të egër në komunikim.
Gj.J., tha se punëtorët dhe rojet nuk ishin asnjëri nga zona e Drenovës apo Zerecit. Nga e folura dukeshin qartazi se janë nga zona e Tepelenës dhe e Vlorës. Ai tha se kishte dëgjuar se mbjellja e drogës është bërë një fenomen masiv në tërë vendin, por nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend se këtë gjë do ta bënin edhe në tokat, livadhet dhe kullotat e vendlindjes së tij. Gj. J., shprehu shqetësim se nuk di se çfarë të bëjë në një situatë të tillë, pasi të denoncojë në polici ka frikë se do të ketë probleme me banditët dhe trafikantët, pasi ata punojnë në polici ose janë të dërguarit e shefave të policisë dhe të eprorëve të tyre politikë.
Mbjellje masive të drogës kanë ndodhur në pothuajse të gjithë territorin e vendit dhe ngado ky proces po kontrollohet nga policia. Fshatarët japin tokën e tyre për trafikantët, të cilët paguajnë rregullisht policët dhe shefat e tyre, ndërsa bujkrobërit merren kryesisht nga zonat e varfëra të Veriut të vendit. Në Tepelenë trafikantët janë aq të eksituar për ditët e lumtura që ju ka sjellë Saimir Tahiri, sa kanë filluar ta krahasojnë dhe t’i këndojnë si dikur Ali Pashës.
Ndërsa në Krujë, Tepelenë dhe Vlorë ka nisur mbjellja e kanabisit në zonat e thella. Mbjellja e kanabisit bëhet në bashkëpunim me drejtuesit e policisë, të cilët marrin përqindjen e eurove për çdo rrënjë të mbjellë me kanabis.
R.POLISI
Pastrimi i parave të kartelit të drogës së Bllokut, në Panama
Financuesi e furnizuesi i laboratorit të Xibrakës, Genci Xhixha, po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pasurinë e tij. Drejtoria e Pastrimit të Parave ka përcjellë në Prokurori një material për Genci Xhixhën, që ka të bëjë me aktivitetin e tij financiar, ku përmendet edhe e ëma e tij, 64-vjeçarja M.XH. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, përmes transaksioneve, Genci Xhixha ka bërë transferta parash përmes llogarive bankare, duke dërguar shuma të mëdha parash në Tiranë. Raportimi i Sektorit të Pastrimit të Parave në Prokurori thekson se, paratë që dërgonte Genci Xhixha nga Kuba, Panamaja apo edhe nga Kanadaja, i tërhiqte nëna e tij 64¬-vjeçare dhe në disa raste edhe nipi i Enver Hoxhës, i arrestuari Ermal Hoxha.
Referuar dyshimeve të Prokurorisë, Ermal Hoxha, mik i Genci Xhixhës, dyshohet se ka tërhequr shuma të ndryshme parash të dërguara prej personit në kërkim në lidhje me trafikun e drogës në Xibrakë. Dyshohet se shuma të mëdha transaksionesh bankare janë bërë nga Kuba e Kanadaja në drejtim të Panamasë. Përshkrimi në urdhër-pagesat e bëra nga Genci Xhixha ishte ndërtimi i një spitali dhe të një paneli diellor në Panama.
Aktualisht në Shqipëri në llogaritë bankare të lidhura me të janë të sekuestruara vetëm 15 mijë euro të dërguara nga ana e Genci Xhixhës. Ky i fundit është në arrati jashtë shtetit, pasi mundi t’i shpëtonte policisë gjatë operacionit në Xibrakë.
Burime të Prokurorisë kanë thënë se Genci Xhixha, i dyshuari si organizator dhe financues i laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit, është nën hetim për “pastrim të parave”. Në hetim pasuror janë të gjithë personat e arrestuar në kuadër të procedimit penal për trafik droge në dosjen “Xibraka”. Prokuroria bën të ditur se, personazhet kryesore të këtij hetimi janë Genci Xhixha që ka qenë financues e furnitor dhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha.
Përgjatë 12 ditëve nga dhjetori 2014 deri në janar 2015, Ermal Hoxha është vëzhguar në Tiranë dhe Elbasan, teksa lëviz me makinë dy shtetas kolumbianë, që ishin sjellë në Shqipëri nga Genci Xhixha, me qëllim veçimin e kokainës pas përpunimit të tretësirave me kimikate që vinin në Shqipëri dhe dërgoheshin në Xibrakë. Prokuroria përmend se njërit nga të arrestuarit, Sajmir Batkut i është gjetur edhe një bllok me shënime ku janë shkruar shumat e parave që ka investuar në laborator secili nga të akuzuarit për ngjarjen.
Prokuroria ka zbuluar se, Genci Xhixha, financuesi i kokainës në Laboratorin e Xibrakës është njoftuar gjatë operacionit policor se, po ndiqej dhe është larguar menjëherë nga Shqipëria. Operacioni u organizua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas hetimeve të nisura nga organet e drejtësisë në Gjermani. Sipas organit të akuzës, operacioni është dekonspiruar nga radhët e policisë, duke bërë të mundur arratisjen e Genci Xhixhës. Në dosjen e dorëzuar në Gjykatë ndodhen 12 raporte vëzhgimi të kryera gjatë periudhës dhjetor 2014¬ janar 2015. Në të gjitha këto vëzhgime të kryera në qytetet Tiranë, Elbasan, Xibrakë dhe në rrugën që lidh këto dy qytete, gjithçka ka ecur normalisht deri në datën 14 janar 2015. Atë ditë, Genci Xhixha ka qenë në Shqipëri dhe paradite është nisur në drejtim të Elbasanit. Ai do të shkonte në laboratorin e Xibrakës, ku ndodheshin në atë moment disa nga bashkëpunëtorët e tij. Por ndërsa ishte nisur për në Elbasan, në orën 10:35 Genci Xhixha ka marrë një mesazh që ka ndryshuar rrjedhën e gjërave.
Financuesi e furnizuesi i laboratorit të Xibrakës është kthyer menjëherë, pasi kishte kaluar rrethrrotullimin e TEG-¬ut për në Tiranë, duke anuluar udhëtimin në Elbasan. Skuadra e policisë që po ndiqte automjetin ku ndodhej Genci Xhixha, ka parë se ai ka ndërruar rrugë papritur, duke u kthyer në drejtim të Tiranës. Po atë ditë, disa minuta pas këtij episodi, grupi i vëzhguesve që ishte vendosur në Xibrakë ka parë personat që vepronin në Laborator të nxirrnin në pjesën e pasme të ndërtesës fuçitë me solucion kokaine dhe t’i derdhnin në tokë, pasi me sa duket ishin njoftuar se ishin nën hetim e vëzhgim. Genci Xhixha ka arritur të dalë nga Shqipëria po atë ditë siç dyshohet, por nuk ka asnjë gjurmë të kalimit të tij në pikat kufitare të vendit. Sipas hetuesve, ai ose ka kaluar kufirin në këmbë për në ndonjë vend fqinj ose ka përdorur identitet tjetër.
Standardet e NATO-s janë përdhosur në këto tri vite
Kreu i PD, Lulzim Basha shprehu keqardhjen dje “që standardet e NATO-s janë përdhosur në këto tri vite”. Veçanërisht, u shpreh ai, në fushën e mbrojtjes, ku jo vetëm kemi rënie të buxhetit nga 2 për qind që është kërkesë e Aleancës në 0.87% të GDP, por ku paratë e shqiptarëve shpërdorohen në mënyrë skandaloze për luks zyrash apo vidhen me tendera të korruptuar, siç ka zbuluar Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Politizimi, shkarkimet e padrejta dhe emërimet korruptive e klienteliste kanë sjellë si rezultat rënie të gatishmërisë së Forcave tona të Armatosura, trafikun me avionë të drogës, rikthimin e skafeve dhe cenimin e sigurisë kombëtare” tha Basha. Në një mesazh me rastin e Si kryetar i opozitës, tha ai, dëshiroj t’u shpreh mbarë shqiptarëve angazhimin e PD dhe përkushtimin tim personal që në bashkëpunim me aleatët strategjikë, do të konsiderojmë prioritet në programin e PD-së, përgatitjen e një projekti kombëtar në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. “Ky projekt përtej përmbushjes së detyrimeve në kuadër të NATO-s, do të fokusohet në strategji, projekte dhe kapacitete të afta të përballen me listën e rreziqeve si: “cenimi i stabilitetit të demokracisë, kriminalizimi i institucioneve, terrorizmi, krimi i organizuar, trafiqet, policimi ajror, rastet renegate, kriza financiare, emergjencat civile, siguria e mjedisit”, që kërcënojnë sot më shumë se kurrë më parë që nga Lufta e Ftohtë, sigurinë dhe prosperitetin e qytetarëve, stabilitetin e shoqërisë dhe të interesat mbarëkombëtare shqiptare”. “Në këtë ditë të shënuar për të gjithë vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, dëshiroj të uroj mbarë shqiptarët për përvjetorin e anëtarësimit në NATO. Me këtë rast ju shpreh të gjitha vendeve anëtare dhe veçanërisht aleatit tonë strategjik, SHBA mirënjohjen më të thellë të mbarë shqiptarëve për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë, para, gjatë dhe pas anëtarësimit. Si kryetar i PD shpreh krenarinë legjitime që në 8 vjet qeverisje kemi udhëhequr një proces historik reformash në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, që u finalizuan me anëtarësimin në NATO (prill 2009) dhe me përmbushjen e angazhimeve teknike të antërarësimit (shtator 2013). Dua të nënvizoj pa asnjë mëdyshje se PD i konsideron çështjet strategjike të sigurisë dhe mbrojtjes si tërësisht përtej interesave politike të ditës. Në këtë kontekst, shpreh shqetësimin, por edhe angazhimin tim se do të bëjmë gjithçka të mundur për të ndalur prishjen e balancave kushtetuese; arrogancën e paprecedentë politike; mungesën e konsensusit; shpërdorimin propagandistik të burimeve, pronave dhe kapaciteteve të mbrojtjes; uljen drastike të buxhetit me 50%, politizimin ekstrem të FA dhe rrëshqitjen e Shqipërisë në fundin e listës së vendeve të NATO-s – ku fatkeqësisht e kanë katandisur pseudoreformat e dështuara në këtë fushë” u shpreh Basha.
Konkurrenca: Gabim me Rinasin, ka risk për vendin
Shtyrja me dy vite e marrëveshjes koncsionsionare me Rinasin, do jetë me risk për vendin. Kryetarja Autoritetit të Konkurencës, Lindita Lati ka reaguar për herë të parë pas heqjes së ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare për Aeroportin e Rinasit, me kusht zgjatjen me dy vite të operimit të kompanisë koncesionare në Shqipëri. Në një intervistë për televizionin “Klan”, Lati shpjegon se ishin të gjitha mundësitë ekonomike që heqja e ekskluzivitetit me anë të lejimit të vënies në funksion të Aeroportit të Kukësit, të bëhej pa shtyrë me dy vite marrëveshjen. “Ishin të gjitha kushtet ekonomike, që të mundësohej liberalizimi i tregut për Aeroportin e Kukësit, por pa shtuar afatin e marrëveshjes koncesionare. Lati shpjegon se, Autoriteti i Konkurencës, gjatë kohës së negociatave, ka insistuar më shumë që të ndërhyhet tek tarifat e larta aeroportuale, se sa tek liberalizimi fluturimeve. “Ne pamë klauzolat për rishikimin e tarifave. Pjesa e negociuar e marrëveshjes nuk lidhet me pjesën e tarifave në ditët e sotme. Autoriteti Konkurencës thotë se kjo shtyrje me dy vite mund të këtë risk për vendin, por kjo mbikëqyrje i takon ministrive përkatëse. “Kjo mund të ketë edhe një risk tjetër, por i takon mbikëqyrësit të marrëveshjes koncesionare sikurse edhe Autoritetit të Konkurrencës që të vëzhgojë dhe sjelljen koncesionare në këtë rast, por për të parë sjelljen e tij edhe në vijueshmëri. Duke marrë shkas nga eksperienca koncesionare me kompaninë që menaxhon Aeroportin e Rinasit, Autoriteti i Konkurencës bën thirrje që vënia në funksion e Aaeroportit të Kukësit të bëhet nga qeveria dhe sheh më pak optimiste mundësinë e dhënies me koncesion.
Si u injorua nga qeveria rekomandimi i Konkurencës
Një opinion i dhënë nga Autoriteti i Konkurrencës për Ministrinë e Transportit kundërshton propozimin për zgjatjen e koncesionit, pasi sipas formulimit aktual, koncesionari përfiton zgjatje të kontratës me dy vjet, pavarësisht nëse do të ketë apo jo aeroport tjetër në Shqipëri. Ministria e Transportit dhe e Infrastrukturës ka injoruar një rekomandim eksplicit të Autoritetit të Konkurrencës për moszgjatje të afatit të koncesionit të Aeroportit të Rinasit dhe për heqje të menjëhershme të ekskluzivitetit si një shkelje e parimeve anti-monopol të Bashkimit Europian, por pavarësisht rekomandimit të Konkurrencës, ministria ka vendosur të pranojë propozimin e koncesionarit. Ministri Edmond Haxhinasto deklaroi të premten se ka arritur një marrëveshje me kompaninë koncesionare të aeroportit të vetëm ndërkombëtar, ku koncesionari pranon të heqë dorë nga ekskluziviteti i fluturimeve ndërkombëtare në shkëmbim të zgjatjes së afatit të koncesionit me dy vjet. Haxhinasto e shpalli arritjen e marrëveshjes si një sukses, duke paralajmëruar vënien në punë të Aeroportit të Kukësit, dhe interesimin e kompanive europiane të njohura si “low cost” për të operuar nga ky aeroport. Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës, i publikuar të shtunën, tregon prapaskenat dhe hiletë e marrëveshjes, si dhe rekomandon që qeveria nuk duhet ta pranojë zgjatjen e afatit. Gjithsesi, autoriteti i Konkurrencës vëren se mënyra se si është formuluar modifikimi i kontratës, përcakton një zgjatje automatike të afatit të koncesionit dhe se ky afat zgjatet pavarësisht, nëse Aeroporti i Kukësit vihet në punë apo jo. “Në Nenin 3 të Amendamentit parashikohet zgjatja e afatit të ekskluzivitetit të operimit të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të paktën me dy vite (pavarësisht nëse do të operojë ose jo ndonjë aeroport tjetër në territorin e Shqipërisë) dhe në varësi të datës së operimit zgjatjen e afatit sipas tabelës me minimalisht 0.5 vite, nëse një aeroport tjetër fillon në vitin 2024 dhe maksimalisht 5 vite, nëse ndonjë aeroport tjetër fillon të operojë që këtë vit”, thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurencës. Koncesioni i Aeroportit të vetëm Ndërkombëtar të Tiranës u firmos në vitin 2004 me vendim të shumicës parlamentare socialiste të asaj kohe, mes kritikave të ashpra nga media dhe ekspertët për shkak të klauzolës së ekskluzivitetit në kontratën e koncesionit. Që nga koha kur u firmos, kompania koncesionare ka realizuar fitime të majme në vendin më të varfër të Europës. Aktualisht, kompania që menaxhon Rinasin fiton 8 deri në 10 milionë euro në vit neto, dhe zgjatja e koncesionit me dy vjet nënkupton vijimin e fitimeve të kësaj kompanie në kurriz të shqiptarëve me 16 deri në 20 milionë euro në vit. Ndërkohë, ndërsa afati i koncesionit zgjatet me dy vjet, nuk është e sigurtë se Aeroporti i Kukësit do të funksionojë, dhe nëse do të funksionojë, do të jetë apo jo në gjendje të konkurrojë Rinasin dhe të sjellë ulje të kostove. Shumë ekspertë vërejnë se Aeroporti i Kukësit, është aktualisht jashtë kohe, pasi kur u ndërtua, gjykohej se mund të shërbente për të mbuluar një pjesë të tregut të Kosovës. Kosova në kohën kur filloi ndërtimi i Aeroportit të Kukësit nuk qe ende një vend i pavarur, qe nën kontrollin e UNMIK dhe nuk qe e sigurtë, nëse Aeroporti i Prishtinës do të mund të zhvillohej për të përballuar trafikun në rritje apo jo.