24.5 C
Tirana
E premte, 2 Maj, 2025

Raporti faktmbledhës i CIA-s: Qeveria dështoi me taksat dhe FMN

Një dokument faktmbledhës i Agjëncisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) bën të ditur se programi i Fondit Monetar në Shqipëri është i riskuar për shkak të dështimit të përmbushjes së detyrave nga ana e qeverisë shqiptare.
Programi i Fondit Monetar në Shqipëri mund të jetë në rrezik për shkak se qeveria nuk ka arritur të grumbullojë të ardhurat e duhura nga taksat e tatimet për të ulur defiçitin buxhetor.
Alarmi kësaj here vjen nga CIA, e cila ka analizuar në faqen e vet zyrtare të dhënat për vitin 2015 për ekonominë shqiptare si dhe zhvillimet kryesore në vend në sektorë si energjetika, transportet apo industria.
“Qeveria është fokusuar në lehtësimin e procedurave të licencimit si dhe ato fiskale, ndërkohë që ka nënshkruar një marrëveshje të re me FMN për mbështetje të reja financiare e teknike. Por programi i FMN mund të gjendet në rrezik, gjithsesi, pasi qeveria nuk ka arritur të mbledhë nga taksat sasinë e duhur të parave për të reduktuar defiçitin buxhetor. Vendi vazhdon të përballet me rritjen e borxhit publik, i cili tashmë ka tejkaluar kufirin e dikurshëm ligjor prej 60% në 2013 dhe duke arritur në 73% në 2015”, thekson CIA në analizën e saj.
Në dokument theksohet gjithashtu se pavarësisht rritjes gjatë viteve të fundit, Shqipëria mbetet një prej shteteve më të varfëra në Evropë. Pengesë janë informaliteti masiv në ekonomi si dhe infrastruktura e dobët energjetike dhe në transport.
Ndërsa analizon Produktin e Brendshëm Bruto për frymë për vitin 2015, CIA e rendit Shqipërinë në vendin e 126 në botë, pas shteteve si Peruja, Jordania apo Mongolia, me vetëm 11.900 dollarë në vitin 2015. Po ashtu, me normën e papunësisë prej 17.3% në vitin 2015, Shqipëria renditet e 159-ta në listën me 207 shtete, pas Mozambikut, Gjeorgjisë apo Irakut.
Ndërkaq, CIA vlerëson se Shqipëria ende rrezikohet nga kriza në Itali e Greqi. Sipas analizës, lidhjet e ngushta në sektorin bankar bashkë me remitancat nga Greqia e Italia, e bëjnë Shqipërinë të prekshme nga efektet e krizave të borxhit në këto vende.

Paralajmërimet e FMN

Kohët e fundit, FMN po paralajmëron në mënyrë të shpehtë gjendjen jo të mirë të ekonomisë në Shqipëri. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka publikuar një raport të Vlerësimit të Transparencës Fiskale (FTE) për Shqipërinë, e cila ishte kryer me kërkesë të qeverisë së Shqipërisë nga një ekip nga Departamenti i Çështjeve Fiskale të Fondit në qershor 2015. Në shumë fusha Shqipëria performon sipas standardeve të përcaktuara me Kodin e Transparencës Fiskale të FMN-së. Rreth 10 parime të Kodit nga 36 gjithsej janë renditur si ose “mirë” ose “të avancuar” dhe 14 parime janë vlerësuar si “bazike”. Megjithatë, në tetë fusha kërkesat themelore të Kodit “nuk plotësohen”. Në raport me tri shtyllat e Kodit, FMN konstaton se raportet fiskale mbulojnë pjesën më të madhe të të ardhurave të përgjithshme të qeverisë, shpenzimet, financimin dhe borxhin, por ofrojnë pak informacion në lidhje me elemente të tjerë të bilancit, duke përfshirë një vlerësim rreth 83 për qind të PBB-së në asetet fikse dhe financiare dhe 7 për qind të PBB në detyrimet e partneriteteve publiko-private (PPP). Sektori i korporatave publike të Shqipërisë, me aktivet dhe pasivet që zënë rreth 29 për qind të PBB-së, është gjithashtu jashtë raporteve të konsoliduara fiskale. Raportet fiskale përfshijnë disa, por jo të gjitha kontrollet e integritetit dhe mospërputhjet në fluksin e rrjedhjes së parasë kanë qenë të mëdha (rreth 1 për qind e PBB-së), në vitet e fundit. Parashikimi fiskal dhe buxhetimi rregullohet nga legjislacioni gjithpërfshirës dhe një kornizë fiskale afatmesme. Megjithatë, parashikimet zyrtare kanë mbivlerësuar dukshëm si GDP (me 1.5 për qind) dhe të ardhurat (nga 2 për qind të PBB-së) gjatë dekadës së kaluar. Si rezultat, buxheti i miratuar shpesh është reduktuar ndjeshëm gjatë vitit për shkak të mungesës së të ardhurave, duke minuar besueshmërinë e tij. Raporti rekomandon që të krijohet një këshill i pavarur fiskal për të vlerësuar realizimin e parashikimeve ekonomike dhe fiskale të qeverisë. Shqipëria përballet me një sërë rreziqesh të mëdha fiskale, duke përfshirë pretendimet për kompensim për pronën e shpronësuar deri në 70 për qind të PBB-së dhe një sektor të madh bankar me një përqindje të lartë të kredive me probleme. Zbulimi i këtyre rreziqeve ishte i shpërndarë nëpër një numër dokumentesh dhe misioni rekomandoi që buxheti të përfshijë një diskutim më të plotë të rreziqeve më të rëndësishëm në kuadrin fiskal.

Shqipëria me treg të pazhvilluar financiar

Shqipëria renditet me tregjet me të pazhvilluara financiare në Botë së bashku me 5 vende të tjera Europiane në një renditje të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Të ndara në 6 zona me ngjyra, ku e kuqja përfaqëson nivelin më të ulët të zhvillimit dhe ngjyra blu nivelin më të lartë, Shqipëria renditet tek ngjyra e kuqe. Në indeksin botëror të zhvillimit financiar Shqipëria zë vendin e 107 në mbi 180 vendet e marra në studim. Disi më mirë paraqitet në indeksin e zhvillimit të institucioneve financiare ku renditet në vendin e 90. Në studimin e FMN zhvillimit financiar përfshin përmirësimet në funksione të tilla të ofruara nga sistemet financiare si: (i) bashkimit të kursimeve; (ii) ndarjes së kapitalit në investime produktive; (iii) monitorimi i këtyre investime; (iv) Risku dhe diversifikimi; dhe (v) shkëmbimi i mallrave dhe shërbimeve. Secila nga këto funksione mund të ndikojë në vendimet për kursim dhe investime dhe efikasitetin me të cilën janë ndarë fondet. Për pasojë zhvillimi i tregjeve financave ndikon në akumulimin e kapitalit fizik dhe njerëzor dhe është një faktor i rëndësishëm i produktivitetit dhe nga tre faktorët që përcaktojnë rritjen ekonomike.

Si po trukohet nga qeveria rritja ekonomike

Gjatë ditëve të fundit, qeveria ka publikuar një seri të dhënash “triumfale”, ndër të cilat bie në sy suksesi i të ardhurave fiskale në dy muajt e parë të vitit 2016, të cilat mund të sjellin një shtesë prej 4 milionë eurosh në krahasim me parashikimet e buxhetit për këtë vit.
Por, në periferi të lajmeve triumfuese për të ardhurat fiskale, ishte njoftimi se, shpenzimet për investimet publike nuk i kaluan 50 për qind të planit, i shoqëruar me një koment, i cili shpjegonte se kjo gjë konsiderohet normale në muajt e parë të vitit për shkak të një buxheti të ri.
Po këto ditë, raporti periodik i Fondit Monetar përsëriti vlerësimin se rritja reale e prodhimit për vitin 2016 pritet të jetë rreth 3,4 për qind, shifër e parashikuar më parë dhe e përllogaritur nga qeveria në buxhetin e vitit 2016. Kjo pritshmëri do të bëjë të mundur që totali i shpenzimeve publike, pa përfshirë pagesat e interesit të borxhit publik, do të jetë më i vogël se totali i të ardhurave, pra pritet të kemi (në gjuhën teknike) sufiçit parësor buxhetor.
Ndërkohë nga burime të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) bëhet e ditur se ajo po përgatitet të ofrojë një kredi për KESH-in prej afërsisht 218 milionë euro, për t’i lejuar kësaj të fundit për të zvogëluar kreditë afatshkurtra ndaj sistemit bankar vendas.
Toni i mediave gjatë përcjelljes së këtyre lajmeve nënkuptonte, se bëhej fjalë për informacione pozitive, madje në disa raste pati edhe deklarata se më në fund ekonomia shqiptare po shkonte “në drejtimin e duhur”: rriten të ardhurat fiskale, ngadalësohen shpenzimet, zvogëlohet borxhi dhe, së fundi, forcohen zërat e bilancit të kompanisë publike elektrike, pra e ardhmja ekonomike është më e mirë.
Më saktë në mënyrën e njoftimeve mediatike lexohet përpjekja e vazhdueshme e qeverisë për të manipuluar opinionin publik, ndihmuar nga zgjedhja që FMN ka bërë për të mos e përgënjeshtruar apo kundërshtuar qeverinë, që në fund të fundit është një nga aksionerët e saj, dhe në parim vendimmarrës dhe kontribues në emërimet dhe karrierat e burokratëve të FMN-së.
Si një vëzhgim i parë, borxhet e KESH dhe të gjithë sistemit elektrik publik kanë përmasa katastrofike, duke variuar nga 1,5 deri në 2 miliardë euro, por që falë trukeve kontabël dhe interpretimeve të qëllimshme nuk janë të përfshira në shumicën e tyre në përllogaritjen e borxhit publik. Por, nëse KESH i drejtohet BERZH-it për hua, kjo nuk është thjesht për të bashkuar borxhin afatshkurtër, por me shumë gjasa për ta rinovuar dhe konsoliduar (që do të thotë për ta transformuar në një borxh afatgjatë) dhe, natyrisht, me kosto më të lartë financiare. Kjo gjë mund të jetë bërë e detyrueshme edhe për faktin se bankat vendase kanë vështirësi në rinovimin e overdraftit për klientë, aftësia paguese e të cilëve nuk përmbush kriteret e nevojshme për këtë lloj financimi.
Në çdo rast zëvendësimi i një borxhi me një tjetër akoma më të madh nuk është një nisje e mirë, madje është sjellja tipike e dikujt që është duke u fundosur në një vorbull pa fund. Nuk dimë më shumë për këtë operacion, por ndjesia është se po dalin në sipërfaqe probleme të mëdha që deri më tani i ishin fshehur opinionit publik, të cilit i është thënë se reforma e sistemit elektrik është një nga sukseset më të mëdha të qeverisë.
Si vërejtje të dytë, projekti i zvogëlimit të borxhit publik, (i cili mund të rritet me 220 milionë vetëm me operacionin e sipër përmendur) gjatë tre viteve të ardhshme i prezantuar gjatë aprovimit të buxhetit 2016 vazhdon të duket jo realist, duke qenë se ky plan bazohet mbi rritje reale të sistemit ekonomik shqiptar që duhet të fillojë me 3,4 për qind më 2016, pasuar nga rritje me 3,9 për qind në 2017, dhe pastaj me rritjen trumfale prej 4,2 për qind në 2019.
Parashikimet e mësipërme i referohen rritjes reale të PPB-së. Rritja nominale e PPB përftohet, duke i shtuar shifrave të rrijtes reale inflacionin të parashikuar 2,3 për qind në 2016, 2,7 për qind në 2017 dhe 3 për qind në vitet në vijim.
Me pak fjalë për ulje të borxhit publik sikurse e ka planifikuar qeveria, duhet që PPB nominale në vitet në vazhdim të rritet në mënyrë të vazhdueshme nga 6 deri në 7,5 për qind në vit, e gjitha bazuar mbi normat aktuale të këmbimit.
Ky objektiv duket pothuajse i pamundur pa një injektim kapitali nga jashtë, qofshin nën formën e dërgesave të emigrantëve apo investimeve të huaja direkte, por është akoma më i pamundur nëse politikat e qeverisë do të rezultojnë me efekte ekonomike në rënie, siç tregojnë sinjalet e lajmeve të cituara në fillim të këtij artikulli: mblidhen më shumë taksa, por harxhohet më pak; pra, objektivi bëhet akoma dhe më i pamundur, nëse nuk ka inflacion, ose më keq nëse ka deflacion, çka po e denoncojnë ekonomistët më të kujdesshëm këto javë.
Ajo që i jep goditjen e fundit shpresave është rënia e dukshme e popullatës që do të prodhojë rënie të ndjeshme të kërkesës dhe të inflacionit dhe rënie të PPB-së reale.
Së fundmi, është e vështirë të parashikosh një klimë zgjerimi të ekonomisë, kur falimentojnë apo janë duke falimentuar të gjithë aktorët kryesorë të ekonomisë prodhuese të vendit (Kurum, Armo, të tjerë?); aq më më tepër në një kontekst që favorizon importuesit e mëdhenj, të cilët janë pjesërisht të paprekshëm nga rreziqet dhe kërcënimet e investimeve kapitale dhe nga një sistem publik zhvatës.

Marrëveshja absurde për Aeroportin e Rinasit

????????????????????????????????????

Qeveria ka deklaruar dje, në mënyrë triumfale (për të disatën herë) se ajo ka arritur një marrëveshje për heqjen e monopolit të fluturimeve ndërkombëtare me kompaninë që administron Aeroportin e Rinasit, Tirana International Airport Partners (TIA).

Ndryshe nga hera e fundit kur ish-ministri i Ekonomisë, Ahmetaj deklaroi se, ekskluziviteti ishte hequr për territorin përtej rrezes 100 km nga Rinasi, ministri i Transporteve, Haxhinasto shpjegoi se monopoli është hequr në fakt, në shkëmbim të zgjatjes së afatit të koncesionit mbi Rinasin, fillimisht me dy vjet dhe pastaj me 0,5 vjet për çdo vit operimi të një tjetër aeroporti ndërkombëtar para mbarimit të afatit të koncesionit të TIA-s.

Bashkë me këtë lajm u përhap në media edhe lajmi se së shpejti do të hapet Aeroporti i Kukësit, por lajmi në rastin më të mirë është i ngutur, në mos spekulim i qëllimshëm.

Aeroporti Zayed bin Sultan Al Nahyan i Kukësit, (mban emrin e njërit prej anëtarëve të familjes që sundon Emiratin e Dubait) u ndërtua para 10 vitesh me financim të Emirateve Arabe, por nuk është hapur asnjëherë për shkak të monopolit të Rinasit për fluturimet ndërkombëtare.

Edhe pas marrëveshjes së shpallur, duket se ka pak gjasa që ai të hapet edhe për shumë kohë, në mos asnjëherë.

Së pari, Aeroporti i Kukësit nuk plotëson asnjë kusht minimal për të pritur fluturime, ngritje, ulje dhe përpunim. Ai kërkon miliona euro investime në infrastrukturë dhe teknologji që të vihet në punë, pasi infrastruktura e tij aktuale- përfshi infrastrukturën e sigurisë- është e papërshtatshme edhe për një aeroport lokal.

Së dyti, edhe nëse aeroporti do të plotësojë, teorikisht, kushtet minimale për çfarëdo fluturimi, marrja e çertifikimit për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare nga agjencitë përkatëse botërore, europiane dhe të shteteve të veçanta, për lejimin e fluturimeve ndërkombëtare do të kërkojë dhjetëra milionë euro investime dhe disa vite.

Së treti, edhe sikur Aeroporti i Kukësit të çertifikohet për fluturime ndërkombëtare, kjo nuk do të thotë që linjat e huaja ajrore do të fillojnë, patjetër, fluturimet nga Kukësi. Legjenda se linjat me kosto të ulët mezi po presin për të filluar fluturimet nga Kukësi është thjesht legjendë.

Së katërti, Aeroporti i Kukësit do të ketë konkurrencë të madhe nga Aeroporti i Prishtinës, që ndodhet rreth një orë larg, i cili ofron kushte shumë herë më të mira për të gjitha llojet e fluturimeve ndërkombëtare, përfshi ato me kosto të ulët.

Kjo do të thotë, nëse nuk do të ketë investim për ndonjë aeroport në jug të vendit, marrëveshja që ka bërë qeveria është marrëveshje absurde, ekonomikisht, pasi prej saj me gjasa do të përfitojë vetëm koncesionari, që tashmë ka siguruar një zgjatje disa vjeçare të koncesionit, me fitime dhjetëra milionë euro dhe pa asnjë kosto.

Ndërkohë si për çdo gjë tjetër, mundet që e vetmja gjë që do i mbetet qeverisë është pak publicitet triumfal, që ndihmon për manipulimin e opinionit publik.

“Exit.al”

“Dragoon Ride”, ushtarë e tanke amerikane nga Baltiku në Bavari

Presidenti i SHBA Barack Obama e pakësoi gjatë mandatit të tij në mënyrë të dukshme praninë e ushtarëve amerikanë në Evropë, duke tërhequr nga Evropa dy nga katër brigadat e stacionuara. Këtë hap, Uashingtoni e ka kthyer tani pjesërisht pas. Prej shkurtit 2017, SHBA do të mbajnë të stacionuar në Evropë një brigadë të blinduar luftarake, e cila pritet të ketë gjithsej 4200 ushtarë.
Që trupat e NATO-s demonstrojnë forcë në territorin e ish-Traktatit të Varshavës, në thelb nuk është e re. Aleanca e Atlantikut Verior krijoi dy vjet më parë operacionin “Atlantic Resolve”, sepse shtetet e NATO-s në kufi me Rusinë kishte kohë që ndiheshin të kërcënuara. Në kuadër të këtij operacioni, ushtarët e NATO-s demonstrojnë praninë e tyre në Evropën Lindore dhe Qendrore. Vëmendjen e tërhoqi para së gjithash operacioni “Dragoon Ride”, në të cilin një autokolonë ushtarake e SHBA me tanke me rrota përshkroi një distancë që nga shtetet Baltike një distancë prej 1800 km deri në Bavari.

Prani e përkohshme e SHBA

Kjo prani e përkohshme e njësive të NATO-s në territorin e ish-Traktatit të Varshavës tani zgjerohet me brigadën luftarake të SHBA. “Simbolika është e qartë. SHBA u sinjalizojnë shteteve në Lindje dhe në Evropën Qendrore me mjetet e tyre të rënda ushtarake: ‘Po të ndiheni të kërcënuar, në rast nevoje ne do të jemi pranë jush. Dhe ne po krijojmë struktura, që të mundemi të mbërrijmë më shpejt'”, analizon eksperti i sigurisë, Otfried Nassauer nga Berlin Information Center for Transatlantic Security. Në letër, angazhimi i amerikanëve duket masiv: 4200 ushtarët do të pajisen me 250 automjete të blinduara (midis tyre rreth 90 tanke Abrams, topa obus dhe automjete luftarake) si dhe rreth 1.700 automjete shtesë.
Që brigada e re është një përgjigje për politikën ruse, për këtë kryekomandanti i NATO-s, gjenerali Philip Breedlove nuk lë asnjë dyshim: “Me këtë ne vazhdojmë strategjinë për t’i siguruar aleatët tanë të NATO-s dhe aleatët e tjerë për mënyrën tonë të fortë dhe të përshtatshme të veprimit përballë një Rusie agresive në Evropën Lindore”, tha ai. Për këtë prani, SHBA shpenzojnë para. Në fillim të vitit, Presidenti Obama deklaroi se do t’i katërfishojë shpenzimet për mbrojtjen në Evropë në 3,4 miliardë dollarë.

Hyn parimi i rotacionit

Por megjithatë, kjo brigadë e tretë e ushtrisë amerikane në Evropë dallohet nga dy brigadat ekzistuese në Gjermani dhe në Itali. Për njësinë shtesë vërtet sillen pajisje moderne në Evropën Lindore dhe Qendrore, por nuk pritet të ngrihen kazerma të reja në Poloni, Rumani, Bullgari ose në shtetet Baltike. Edhe një infrastrukturë të gjerë amerikane me familje ushtarësh të stacionuar në mënyrë të përhershme nuk do të ketë. Përkundrazi: trupat dhe pajisjet do të ndërrohen çdo nëntë muaj dhe brigada do të ndahet në njësi të vogla në vende të ndryshme. Duket se e gjitha do të fillojë me Bullgarinë, Lituaninë dhe Rumaninë. Midis këtyre vendeve ushtarët do të ndërrohen rregullisht në rotacion. Një pjesë e madhe e pajisjeve do të stacionohet në Gjermani, në Holandë dhe në Belgjikë.
Me këtë mënyrë veprimi, SHBA duan që nga njëra anë të demonstrojnë aftësinë e tyre për të zhvendosur trupa në një kohë të shkurtër, por nga ana tjetër edhe të respektojnë Marrëveshjen NATO-Rusi të vitit 1997. Në të NATO shpreh detyrimin që të mos stacionojë “në mënyrë të vazhdueshme” “trupa substanciale ushtarake” në Evropën Lindore.
Ambasadori i Rusisë në NATO, Alexander Grushko i kritikoi të enjten planet e SHBA. Në një pozicionim për DW ai foli “për një hap tjetër, i cili fikson kalimin e NATO-s në modele konfrontimi”. Nga ana tjetër, nga Moska erdhën edhe sinjale më pajtuese. Shpresohet që në dy muajt e ardhshëm të zhvillohet një takim i Këshillit NATO-Rusi, i tha një diplomat agjencisë së lajmeve Interfax. Ky do të ishte takimi i parë i forumit që prej shpërthimit të krizës së Ukrainës dy vjet më parë.

Falimentimi i një gjykate të mbingarkuar

Dragoslav Dedovic

Në prag të shpalljes së vendimit për Sheshelin, spekulohej vetëm për masën e dënimit. Një prej spekulimeve ishte: nëse Shesheli dënohet me më pak se 19 vjet burg, ai do të ishte njeri i lirë, sepse të dënuarit janë liruar pas vuajtjes së 2/3 së dënimit, e Shesheli ka qenë në burgun e Hagës 11 vjet. Por gjykatësi në Hagë konstatoi se, Shesheli është njeri i lirë, që “nuk ka bërë krime”.
Shesheli ka qenë dhe mbetet njeri i urrejtjes. Veprimi i tij publik ka qenë gjithmonë i bazuar tek fyerjet ndaj grupeve të tjera etnike dhe i mbushur me urrejtje të artikuluar ndaj të gjithë të tjerëve e atyre që mendojnë ndryshe. Nuk ka aspak dilemë që ai në kuptimin moral, por edhe politik, i ka përgatitur “spastrimet enike” dhe që ende është një prej më aktivëve në kërkesat për krijimin e një “Serbie të Madhe”. Përkundër të gjithave, ai u lirua nga Tribunali i Hagës nga të gjitha akuzat. Po pse?
Ai thjesht nuk ka qenë i akuzuar për përhapjen e urrejtjes ndëretnike dhe fetare, sepse e drejta ndërkombëtare nuk e trajton këtë nivel. Në vend të këtyre akuzave, Prokuroria e papërgatitur dhe jo profesionale sa duhet, e ka akuzuar Sheshelin për përgjegësi direkte për krime lufte, dhe krime kundër njerëzimit në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Vojvodinë. Tani po shihet që në 13 vitet e fundit, që prej paraqitjes së tij vullnetarisht në Hagë në vitin 2003, e drejta ndërkombëtare ka përjetuar një dështim total.
Të gjithë ata që e kanë ndjekur procesin kanë mundur të supozojnë se, Sheshelin thjesht e kanë larguar nga Haga në vitin 2014, duke shpresuar mbase se kurrë nuk do ta shohin më, për shkak të sëmundjes së tij nga kanceri. Lirimi është bërë pa asnjë lloj detyrimi ndaj Beogradit për ta rikthyer Sheshelin në Hagë, nëse kërkohet. Dhe kjo dëshmon për një lloj kënaqësie të Tribunalit për largimin e Sheshelit nga Haga.
Shesheli, ndërkohë është shëndosh e mirë e ndodhet në kulmin e fushatës elektorale. Haga është një prej temave qendrore në strategjinë e tij parazgjedhore. Në pankartat e tij nëpër Serbi, ai shkruan vetëm një fjalë: “Fituesi!”. Gjykatësi në Hagë e ka shpallur tani si të tillë edhe zyrtarisht. Shesheli ende flet me fjalë fyese dhe ironizuese për vendin, ku ka kaluar 11 vjet, gjë që ndikon në rritjen e popullaritetit të tij në Serbi.

Fituesit…

Përveç Partisë Radikale Serbe dhe Sheshelit, lirimit të tij do t’i gëzohen edhe miqtë e tij nga bota, siç janë Jean-Marie le Pen dhe Vlladimir Zhirinovski. Retorikë pakënaqësie publike, por njëkohësisht edhe kënaqësi të fshehtë personale, do të ketë edhe tek qarqet nacionaliste në Kroaci dhe në Bosnje-Hercegovinë. Ky vendim është për ta edhe një dëshmi tjetër, se Serbia nuk ka ndryshuar dhe vetëm po i fsheh këmbët si gjarpëri edhe kaq shumë vite pas luftës. Nga ky vendim nacionalistët do të përpiqen të përfitojnë politikisht.
Fshehurazi do të gëzohen edhe Aleksandar Vuçiçi dhe Tomisllav Nikoliqi në Serbi, ndonëse në reagimet e tyre do të mbahet distanca e duhur shtetërore. Kjo, sepse prej konvertimit të tyre në “evropianë”, Sheshelin e kanë pasur si dëshmi se në krahun e djathtë nuk ekziston ndonjë alternativë e civilizuar politike.

…dhe humbësit

Ata të cilët e kanë përjetuar vet politikën e spastrimeve etnike të Sheshelit dhe urrejtjen e tij, natyrisht që nuk do t’i gëzohen fare këtij vendimi të Hagës. Ata nuk do të kenë aspak mirëkuptim për këtë vendim të Gjykatës së Hagës. Si mund t’ua shpjegosh familjarëve të viktimave të njësisë vullnetare “Beli orlov” (Shqiponjat e Bardha) mangësitë dhe boshllëqet e së drejtës ndërkombëtare?
Ndërkohë bota ka brenga shumë më të mëdha se Sheshelin. Agresiviteti i Vojisllav Sheshelit, i cili manifestohet mes aftësisë për argëtimin e masave dhe brutalitetit të pafund, nuk do të shihet më në skenën e Tribunalit të Hagës. Serbia duhet ta mbajë tani këtë njeri të rrezikshëm. Ndërsa vendimi për lirimin e Sheshelit, ndonëse mund të ndryshohet në shkallën e dytë, radhitet në listën e falimentimeve të një gjykate të mbingarkuar. Ky ka një simbolikë të thellë, kur kemi parasysh që qysh nga Mesjeta: Perëndia e Drejtësisë, Justicia, paraqitet me sytë e mbyllur.

Trump në mes dy zjarreve, atij republikan dhe amerikan

Kandidati republikan për president Donald Trump po e gjen veten nën presion për disa komente në lidhje me abortin dhe për faktin se mori në mbrojtje ndihmësin e tij kryesor të fushatës, i akuzuar për përdorim force ndaj një personi. Siç njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Jim Malone, vështirësitë me të cilat po ndeshet zoti Trump vijnë në një kohë vendimtare në garën paraprake republikane.

Donald Trump është në pozita mbrojtëse lidhur me komentet që bëri në televizionin MSNBC, kur tha se gratë që bëjnë abort duhet të ndëshkohen, nëse aborti është i paligjshëm.

Më pas, zoti Trump nxori një deklaratë ku thoshte se, në qoftë se aborti bëhet në mënyrë të paligjshme, ata që e kanë ofruar këtë abort duhet të ndëshkohen e jo gratë.

Zoti Trump është gjithashtu nën presion se ka mbrojtur menaxherin e fushatës, Corey Lewandowski, i akuzuar se i ka kapur me forcë krahun një gazetareje, e cila po përpiqej t’i bënte pyetje. “Unë e di se do të ishte shumë e lehtë për mua t’i hiqja qafe njerëzit. Por unë nuk e bëj këtë, përkundrazi, u dal zot atyre”, tha zoti Trump.

Rivali republikan Ted Cruz nuk vonoi ta sulmonte rivalin për çështjen e abortit. “Ju e dini, se ai koment ishte i gabuar, është një provë e re se sa pak ka menduar Donaldi për çështjet serioze me të cilat përballet vendi”, tha senatori Kruz.

Zoti Trump u kritikua ashpër edhe nga demokratja Hillary Clinton, që po bën fushatë në Nju Jork.

“Nëse e trajton abortin si krim, atëherë edhe gratë apo mjekët do t’i shohësh si kriminelë. Më bën përshtypje fakti se, republikanët duan një qeveri të kufizuar, përveçse kur bëhet fjalë për të drejtat e grave”.

Problemet për zotin Trump vijnë në prag të zgjedhjeve paraprake të së martës në Wisconsin, ku sondazhet tregojnë se zoti Cruz kryeson. Analisti John Fortier thotë se veç kësaj, zoti Trump figuron dobët në anketa, nëse zgjedhjet e përgjithshme bëhen tani.

“Ai ka një elektorat të ndryshëm, ku bëjnë pjesë njerëz nga më të ndryshmit. Fushata e tij është tepër e ashpër dhe e paqytetëruar”.

Derbi Lazio-Roma, sfidë e hapur

Lazio-Roma, derbi i qytetit të përjetshëm rikthehet në skenë këtë të dielë me bukurinë dhe madhështinë që e karakterizon. Në “Olimpico” sot do të vendosen sërish përballë njëra-tjetrës, dy skuadrat e kryeqytetit italian në një sfidë që nuk e humbet asnjëherë rëndësinë e saj. Nga njëra anë është Lazio e Piolit, ndërsa në krahun tjetër Roma e Spalettit. Ky do të jetë derbi numër 144 mes bardhekaltërve dhe verdhekuqve me Romën që kryeson në përballjet direkte me 50 fitore kundrejt 36 të lacialëve, ndërsa 57 takimet e tjera kanë përfunduar në barazim.
Në këtë edicion Lazio ka zhgënjyer totalisht pritshmëritë e tifozëve të saj, ndërsa Roma pas një nisjeje jo të mirë që i bëri sezonit që solli edhe shkarkimin e trajnerit Rudi Garcia është rikthyer fuqishëm në garë, duke regjistruar 8 fitore në 9 ndeshjet e fundit të kampionatit. Jo vetëm renditja, me verdhekuqtë që numërojnë 18 pikë më shumë se bardhekaltërit, por edhe fakti që Lazio ka që nga 2012-ta që nuk fiton një derbi, bëjnë që Roma e Spalettit të hyjë si favorite në këtë ndeshje. Të vjen keq që një stadium fantastik si “Olimpico” nuk do të mbushet në kapacitetin e tij të plotë për këtë superderbi, pasi tifozët ultras të të dyja skuadrave ashtu si në fazën e parë do ta bojkotojnë sërish këtë sfidë, kjo për faktin se tifozët e Lazios e Romës nuk pranojnë që policia të vendosë barriera ndarëse mes dy tifozerive.
Në mbrëmje luan edhe Interi që shpreson te ndonjë hap fals i Romës në derbi për të ngushtuar disi distancën në klasifikim ndaj verdhekuqve që kanë 5 pikë avantazh. Zikaltërit presin në “San Siro” Torinon, në një sfidë që për Interin duhet fituar me çdo kusht. Roberto Mançini mund të mbështetet te i gjithë grupi i futbollistëve që ka në dispozicion për këtë duel pasi janë rikthyer nga dëmtimet respektive kapiteni Icardi dhe mesfushori francez Kondogbia. Nga ana tjetër Torino e Venturës do të ketë dy mungesa të rëndësishme, pasi sulmuesi Ciro Immobbile është i dëmtuar, ndërsa kapiteni Kamil Glik i skualifikuar. Në orën 15.00 luan edhe Milani që sfidon në transfertë Atalantën me shpresën për t’u rikthyer te fitorja në kampionat.
Fiorentina e Paulo Souzës nga ana tjetër pret në shtëpi Sampdorian, sfidë në të cilën nuk i bën punë asnjë rezultat tjetër veç fitores. Në këtë ndeshje do të kemi një rikthim të Vincenzo Montellës në “Artemio Franchi”. Në Gjermani vëmendja do të jetë e gjitha te sfida e “Borussia Park” mes Gladbahut vendas dhe Herthës së Berlinit, ndërkohë që një takim mjaft interesant do të jetë edhe Hoffenheim dhe Koln, me Mërgim Mavrajn që pritet të aktivizohet si titullar në radhët e skuadrës së drejtuar nga Peter Stoger.
Në Spanjë, Sevilla do të kërkojë të mbajë gjallë shpresat për të pozicionuar në vendin e 4-t kur të presë në shtëpi Real Sociedadin që nuk po kalon një moment të mirë në La Liga. Në Holandë është dita e Ajaxit të Amsterdamit që synon një fitore të thellë ndaj Zwolles për të nderuar ashtu siç duhet, legjendën Johan Cruyff. Në Ligue 1 në Francë, Lyoni me misionin për ta mbyllur kampionatin në vendin e 3-të do të kërkojë të mposhtë me çdo kusht një kundërshtar të vështirë si Lorient në transfertë.

Totti-Roma, divorc i pashmangshëm

Qëndrimit të Françesko Tottit te Roma po i vjen fundi. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “Corriere dello Sport”, raporti mes kapitenit legjendar të verdhekuqve dhe klubit italian është prishur përfundimisht pasi drejtuesit e Romës këmbëngulin në qëndrimin e tyre për të mos rinovuar kontratën e tij edhe për një vit. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, dëshira e Tottit është që të vazhdojë të luajë dhe duke parë këtë situatë të krijuar duket se e ka marrë vendimin për t’u larguar në një kampionat tjetër jashtë Italisë. Ajo që pret tashmë 39-vjeçari është vetëm komunikimi zyrtar i drejtuesve të klubit roman për të bërë më pas edhe zgjedhjen e tij përfundimtare dhe në këtë pikë alternativat nuk i mungojnë.

Ibrahimoviç te Milani?

Në fund të sezonit do të largohet nga PSG-ja. Mirëpo, që prej disa javësh është kthyer në dëshirën e klubeve më prestigjioze të Europës. Por pyetja është se kush do të jetë trajneri i Zlatan Ibrahimoviçit në sezonin e ardhshëm? Te Milani ka luajtur, mirëpo në atë periudhë skuadrën kuqezi s’e drejtonte Sinisha Mihajloviç, i cili nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të stërvitur bomberin suedez. “Do të më pëlqente shumë ta kisha në skuadër, pasi çdo trajner pëlqen që të stërvisë futbollistët e mëdhenj. Kudo ku shkon, Ibra fiton kampionatin, por nuk e di nëse i mjafton vetëm ai Milanit për të fituar titullin kampion. Sigurisht nga ana teknike është një futbollist i jashtëzakonshëm, me një personalitet të shkëlqyer”, tha trajneri serb i Milanit gjatë një interviste për rrjetin e kanaleve “Sky Sport”.
Ish-trajnerit të Sampdorias përpara se t’i etiketojë lojtarët që dëshiron të ketë në skuadër, i duhet që më parë të përcaktojë të ardhmen e tij. Nuk është e thënë se 46-vjeçari të jetë i ulur në stolin e kuqezinjve edhe në sezonin e ardhshëm, siç e ka thënë shpeshherë gjatë këtij sezoni dhe presidenti i kuqezinjve, Silvio Berluskoni.
Gjithsesi, Mihajloviç nuk bie në pesimizëm: “Për mua janë dy Berluskonë. Një është presidenti, ai që ka fituar më shumë se të gjithë në botën e futbollit dhe më pas, është Berluskoni si njeri, politikan dhe lider. Për mua është një fitore e madhe që kam mundësinë të flas çdo ditë me një njeri të jashtëzakonshëm si Silvio. Shpresoj që ky bashkëpunim të zgjasë akoma”.
Sinisha gjatë fjalës së tij i ka dedikuar edhe një paragraf mikut të vjetër, Roberto Mançini: “Para se të jetë një kundërshtar, Roberto është një shok. Kur luanin së bashku te Lacio, në sfidën kur shënova tri gola me goditje dënimi, unë dhe Roberto kishim vënë bast. Ai duhej të më paguante 1 milion lireta për çdo gol që do të shënoja, rrëfen Mihajloviç. Në fund të ndeshjes shkova te Roberto duke i vënë në dukje se duhej që të më paguante 3 milionë lireta për golat e mi. Ai më vështroi dhe më tha se do të më paguante vetëm 1 milion, pasi unë isha një mbrojtës dhe kishim pësuar dy gola gjatë asaj ndeshjeje. Në fund më dha vetëm 1 milion lireta”.
Ndërkohë, Milani kërkon Xherdan Shaqirin. Mediat italiane shkruajnë për tentativa nga klubi i Milanit që futbollisti me origjinë shqiptare që luan për Stoke Sitin (dhe kombëtaren zvicerane), të rikthehet në Milano. Sipas portalit të njohur “calciomercakoweb”, njohja e Galianit me futbollistin apo eksperienca e tij e mëparshme në Itali me Interin (në vitin 2015), mund të kthejë futbollistin te kuqezinjtë. Milani është gati të vërë bast për “ringjalljen” e lojtarit: Shaqiri ka talent, shpejtësi, driblon me një thjeshtësi dhe është interpretues ideal i 4-3-3 i Eusebio di Francesco.

Conte shënjestron Naingolan-Manolas

Antonio Conte shënjestron dyshen Rada Naingolan-Kostas Manolas. Klubi i Chelsea-t është i gatshëm të ofrojë 65 milionë euro për dyshen e skuadrës së Romës, konkretisht për mesfushorin belg dhe mbrojtësin grek. Sipas asaj që raportojnë mediat, presidenti i Bluve të Londrës, Roman Abramovich po mendon t’i bëjë dhuratë trajnerit të ardhshëm këta dy lojtarë. Një transferim i mundshëm i tyre do t’i shërbente shumë ekipit pasi mesfusha dhe mbrojtja janë dy reparte që kanë nevojë për rinovim.
Të dy futbollistët janë vënë në qendër të vëmendjes, veçanërisht mesfushori belg Nainggolan, i cili preferohet dhe nga Liverpooli, por Conte duket se është i gatshëm të bëjë gjithçka që ta ketë lojtarin në dispozicion, pasi shihet si njeriu kyç i skemave të trajnerit italian. Nga ana tjetër për mbrojtësin grek Manolas është e interesuar dhe skuadra e Evertonit. Vlera e kartonit të Naingolan vlerësohet rreth 35 milionë euro, ndërsa e Manolas 30 milionë. Tek Chelsea pritet të jetë një verë e nxehtë, pasi në planet e klubit është projekti për largimin e plot 9 lojtarëve në fund të sezonit, për shkak të paraqitjeve të tyre të dobëta në këtë sezon.

Balotelli drejt Kinës, rrogë 15 milionë euro

E ardhmja e Mario Ballotelit duket larg Europës. Forma jo e mirë që sulmuesi i Milanit po kalon, ka bërë që për 25-vjeçarin të projektohet vazhdimi i karrierës në një tjetër kontinent, sipas gjasave në Azi. Për sulmuesin interesohet ekipi nga Kina, Jiangsu Suning. Edhe pse në ligat e mëdha europiane askush nuk e dëshiron Balotellin, drejtuesit e klubit kinez janë të gatshëm t’i ofrojnë lojtarit një pagë stratosferike prej 15 milionë eurosh në sezon. SuperMario u transferua te Milani gjatë merkatos së verës, pas këmbënguljes së trajnerit Sinisa Mihajloviç. Por, forma e dobët e shfaqur te kuqezinjtë ka bërë që drejtuesit e “Djallit” të mos ia rinovojnë huazimin edhe për një sezon tjetër.
Balotelli u largua nga Liverpooli drejt Milanit deri në fund të sezonit, por duket se lojtari nuk bën pjesë në projektin e trajnerit të “The Reds”, Jurgen Kloop për sezonin e ardhshëm. Paraqitjet larg pritshmërive, si në Premier League ashtu edhe në Serinë A, kanë bërë që sulmuesi të humbasë dhe vendin e titullarit te kombëtarja italiane, duke rrezikuar të mbetet jashtë Kampionatit Europian, “Francë 2016”.
Shtohen raportimet në shtypin britanik rreth të ardhmes së portierit gjerman të Barcelonës, Andre Ter Stegen. “Daily Telegraf” ka njoftuar se 23-vjeçari do të firmosë për Manchester City-n, që do të paguajë në arkat e klubit katalan 25 milionë euro. Në javët e fundit Ter Stegen ka insistuar se dëshiron të jetë zgjedhje e parë në portë në të gjitha kompeticionet, pra synon që të luajë titullar edhe në takimet e La Ligas, ku i preferuari i Enriques është Bravo. Aktivizimi në ndeshjet e Kupës së Mbretit dhe në Champions League nuk i përmbush ambiciet e tij te Barcelona, ndaj ka kërkuar që të diskutojë me drejtuesit në fund të sezonit për situatën e tij.
Pakënaqësia, që ka ardhur si rrjedhojë e ndarjes së minutazhit në portë me Claudio Bravon, e ka shtyrë Ter Stegenin t’i thotë “po” insistimit të Citizens, që nga vera e ardhshme do të drejtohen nga Pep Guardiola. Trajneri aktual i Bayernit, gjithmonë ka rezervuar fjalë të mira për 23-vjeçarin, i cili ka një klauzolë largimi nga Barcelona që kap shifrën e 80 milionë eurove. Drejtuesit “Blaugrana” nuk dëshirojnë të privohen nga një portier i ri dhe me shumë perspektivë, por nga ana tjetër janë të kënaqur edhe me paraqitjet e Bravos, i cili ka shfaqur siguri në portë. Në fund të sezonit menaxheri i Ter Stegenit do të ulet në tryezë me kupolën drejtuese të Barçës për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të dyja palët. Një gjë është e sigurtë: Blaugranat do të bëjnë gjithçka për ta bindur që të qëndrojë në “Camp Nou”.