11.5 C
Tirana
E premte, 2 Maj, 2025

Afera Rama, 9 milionë e gjysmë dollarë për 950 metra rrugë

Një aferë skandaloze zbulon mekanizmin se si Edi Rama dhe qeveria e tij ndajnë paratë e shqiptarëve me miqtë e tyre. Mbi 9 milionë e gjysmë dollarë ose 9 miliardë e 720 milionë lekë i ka dhënë Edi Rama një firme ndërtuese për të bërë më pak se një kilometër, saktësisht 950 metra rrugë në Lin të Pogradecit. Kontrata në fjalë është lidhur në datën 2 shkurt të këtij viti dhe kompania që do të ndërtojë rrugën ka fituar tenderin pa asnjë garë, ndërkohë që nuk ka asnjë mbikëqyrës punimesh.
Kjo megaferë u denoncua dje nga Partia Demokratike, përmes sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma. Në një deklaratë për mediat, Duma publikoi dje kontratën e shpallur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, sipas të cilës kompanisë “PE-VLA-KU” i është dhënë shuma prej 9.5 milionë dollarësh për segmentin rrugor Qafë Thanë-Lin-Progradec. Shërbimi prej 9.5 milionë eurosh është për asfaltimin e segmentit në fjalë, për një gjatësi qesharake prej vetëm 950 metrash.
“Nuk është një shaka e 1 prillit, por kjo është në praktikë marrëveshja e 1 prillit. Një shifër rekord abuzimi dhe korrupsioni. Përveç kësaj, ky tender ka dhe paligjshmëri të tjera, si fakti që mungon mbikëqyrësi i këtyre punimeve. Një kërkesë kjo e ligjit dhe ende nuk ka një mbikëqyrës të shpallur zyrtarisht nga autoriteti rrugor, të dhëna këto që mungojnë edhe në tabelën e objektit, siç mund ta dalloni edhe në foton në ekran. Qeveria me kontratën e lidhur më 2 shkurt ka favorizuar firmën ‘PE-VLA-KU’, pasi siç shihet qartë nga dokumentacioni, ky ndërtues ka marrë 99 për qind të fondit limit. Është e dukshme se nuk ka pasur garë. 9 milionë e gjysmë dollarë për 950 metra rrugë kanë shkuar drejt e tek miku i qeverisë”, u shpreh Duma në fjalën e saj.
“Cila është pjesa e Edi Ramës në këtë aferë, i cili jo më kot cilësohet edhe nga mediat ndërkombëtare si politikani më i pasur në Europë? Kjo është pra, oligarkia në veprim, ku 9 milionë e gjysmë dollarë jepen pa garë, me fitues të përcaktuar, për vetëm 950 metra rrugë. Ky është korrupsioni galopant dhe alarmant i Edi Ramës me paratë e shqiptarëve. Kjo është hajdutëria e al-kaponeve në pushtet”.

Vjedhjet me tendera

Vjedhjet përmes tenderave e koncesioneve janë shndërruar në rrugën më të shpejtë të pushtetit për të zhvatur fondfet publike. vjedhjet janë të shtrira në të gjithë sektorë, ku kryeson shëndetësia, arsimi, rrugët e gjithçka tjetër.  Janë me qindra miliona euro abuzime e vjedhje të pushtetit gjatë këtyre viteve vetëm përmes tenderave e koncensioneve. Në vetëm një vit, nga shkeljet e zbardhura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë vjedhur plot 777 milionë euro ndërkohë që po në një vit institucionet qeveritare kanë abuzuar me 399 tendera. Rreth 31.2% e tenderëve të fondeve publike zhvillohen pa njoftim paraprak. Ndërkohë abuzimi vijon.

Arben Shahini

Skandali, si shpërndahen për miqtë e klientelën licencat e noterit

Pas një të dënuari për korrupsion, të cilit i është dhënë licenca e noterit, këtë herë është shefi i kabinetit të ministrit Ylli Manjani, Enton Lita, i cili ia ka dhënë edhe bashkëshortes së tij licencën e noteres. Në listën e publikuar është emri i Violeta Litajt, e cila është bashkëshortja e shefit të kabinetit të Ylli Manjanit. Lista e personave që kishin konkurruar për provimin e noterisë është bërë publike nga vetë ministria, ku mes tyre është edhe emri i Muli Mallkuçit, shkruan “Citynews”. Ai ka marrë 86 pikë dhe është renditur në vendin e 23. Mallkuçi është arrestuar nga policia në datën 14 shtator 2007, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personit që ushtron funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Licencën e noterit e merr edhe një person i dënuar për korrupsion

“Citynews” ka mundur të zbardhë listën e personave, të cilët kanë konkurruar në provimin e noterisë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Sipas listës së bërë publike nga ky institucion kanë marrë pjesë në këtë provim rreth 82 kandidatë dhe janë shpallur 32 persona, të cilët rezultojnë se kanë grumbulluar nga 95 deri në 80 pikë. Lista e shpallur me rezultatet e provimit të noterisë rezulton të ketë me 86 pikë, në vendin e 23-të Muli (Flamur) Mallkuçi. Ky person rezulton të jetë i arrestuar nga policia në datën 14 shtator 2007, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personit që ushtron funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Dënimi përfundimtar është me vendimin e datës 9 janar 2013 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë i përbërë nga Gani Dizdari kryesues, Besnik Imeraj anëtar, Fatos Lulo anëtar, Artan Zeneli anëtar, Shkëlzen Selimi anëtar. Vendimi i Gjykatës të Lartë ka lënë në fuqi vendimin nr. 147 të datës 3.3 2009 të Gjykatës të Apelit Tiranë. Muli (Flamur) Mallkuçi me vendimin e Apelit, i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim dhe 1 milion e 500 mijë lekë gjobë.

Vendimi i gjykatës

“Deklarimin fajtor të të pandehurit Muli Mallkuçi për veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të personit që ushtron funksione publike’ kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 e 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet, me 6 (gjashtë) muaj burgim dhe 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekë gjobë.
Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Muli Mallkuçi i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit e 8 (tetë) muaj burgim dhe 1.000.000 (një milion) lekë gjobë.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Muli Mallkuçi fillon nga dita e arrestimit të tij datë 14.09.2007.
Shlyerja e gjobës nga i pandehuri Muli Mallkuçi të kryhet brenda një viti duke filluar nga dita e marrjes së vendimit formë të prerë.
Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal urdhërohet për të pandehurin Muli Mallkuçi ‘Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike’ për një kohë prej 5 (pesë) vjetësh”.
Ministria e Drejtësisë i ka dhënë licencë noteri në një konkurs të përfolur në qarqet mediatike dhe politike, ku pazari i një licence përflitet se e ka vlerën mbi 100 mijë euro.
Është ky institucion që ndoshta përflitet edhe “padrejtësisht”, por i jep licencë një personi të dënuar për korrupsion me vendim të Gjykatës së Lartë.
Vetëm pak javë më parë, Parlamenti ka miratuar ligjin për dekriminalizimin, i cili ndalon personat e dënuar të ushtrojnë funksione publike deri në 20 vite.
Një specialist i thjeshtë i administratës, në rast se dënohet qoftë me një ditë të vetme burg, me ligjin për dekriminalizimin ai ndalohet 20 vjet të ushtrojë detyrën. Ky është një nëpunës i thjeshtë civil, ndërkohë një ish-drejtor i arrestuar për korrupsion, i cili ka përfituar 1/3 ulje dënimi dhe nga 2.6 vite burg është dënuar me 1 vit e 8 muaj shkon në konkursin e Ministrisë së Drejtësisë dhe bëhet noter.
Skandali i Ministrisë së Drejtësisë me licencat e noterëve nuk duket të jenë thjesht fjalë dhe thashetheme.
Licencimi i Muli Mallkuçit nga Ministria e Drejtësisë është një akuzë e fortë për korrupsion dhe lincencim i personave me precedentë të rëndë penalë, siç është korrupsioni.

Citynews

Strazimiri: Kurrë s’kam pranuar dhuarata, arma e armaturës së shtetit

Deputeti i PD, Gent Strazimiri, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar mes maxhorances dhe opozites ne lidhje me projktligjin e armeve.

Deputeti demokrat, Gent Strazimiri hodhi poshtë dje shpifjet e fabrikuara nga zyra e Ramës në lidhje me çështjen e një arme që atij i është dhuruar nga një shtetas shqiptar. Përmes një reagimi për mediat, Strazimiri ka bërë të ditur pavërtetësinë e këtij lajmi, ndërsa ka sqaruar se asnjëherë nuk ka pranuar asnjë dhuratë nga askush. “Veç këtyre më poshtë, me rastin e 1 prillit unë personalisht kam marrë një “urim” të dedikuar nga çeta në pushtet! Pas dështimit të variantit “bomba e ambasadës sovjetike”, shokët e Sigurimit kanë montuar variantin “armë në altarin e kishës”… Gjithsesi më duhet të falënderoj shokët e Sigurimit dhe çetën sipas mënyrës time: KURRË në jetën time politike nuk kam pranuar dhuratë as të lirë e as të shtrenjtë, të çfarëdo lloji qoftë, nga askush! Në rastin konkret e vërteta del fare thjesht: njerëz pa pasaportë edhe gjen. Armë pa “pasaportë” jo. Madje arma pajiset me “pasaportë” ende pa dalë nga fabrika dhe quhet “enduser certificate”. Cilido që ka mbajtur, transportuar apo dhuruar një armë, duhet të paraqesë “enduser certificate” përndryshe teknikisht ka kryer veprën penale të “trafikimit të armëve”.  Nëse arma pa “enduser certificate” ka ardhur nga jashtë Shqipërisë, klasifikohet në “trafik ndërkombëtar të armëve”. Pra cilido që kërkon të vërtetën, veçanërisht media, e nxis që të kërkojë nga cilido burim zyrtar ose jo, këtë dokument që nuk lejon askënd të gënjejë apo të fshihet! Personalisht kam pranuar armë vetëm nga armaturat zyrtare të shtetit shqiptar, në bazë të të gjithë legjislacionit në fuqi. “Griseldi” i çetës këtë e di mirë, madje ka edhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për ta provuar. Në lidhje me sa më sipër, do të ndërmarr të gjitha hapat ligjore, për të çuar para drejtësisë cilindo që deri në këto momente ka prodhuar, montuar mbajtur e shpërndarë skenare të çfarëdo lloji me qëllim dezinformimin e opinionit publik dhe denigrimin e personit tim” tha Strazimiri.

Hyn në fuqi MSA ndërmjet BE-së dhe Kosovës

Të premten filloi zyrtarisht zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit Ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. E nënshkruar më 27 tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u miratua në fillim të vitit edhe Parlamenti Evropian dhe nga një prilli është në fuqi. Në një ceremoni të organizuar në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se për vendin po fillon një kapitull i ri dhe kjo ditë do të jetë e shënuar në historinë e zhvillimit të shtetit të ri, meqë “Kosova po e vë gurthemelin e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, që kushtëzon të drejta dhe detyrime të ndërsjella një spektër të gjerë sektorësh, duke përfshirë respektimin e parimeve demokratike, aplikimin e standardeve evropiane të tregut, konkurrencës, shtetin ligjor dhe pronën e përgjithshme dhe atë intelektuale”.  Ai tha se “Marrëdhëniet kontraktuale me BE-në do të ndihmojnë në adoptimin e standardeve evropiane, në avancimin e dialogut politik, në përmirësimin e standardeve të edukimit, punësimit, energjisë dhe ambientit;  forcimin e shtetit ligjor dhe rritjen e efiçiencës së qeverisjes së brendshme.” Sipas tij nga dita e djeshme, prodhuesit e Kosovës do të kenë mundësinë të eksportojnë në një treg prej mbi 500 milionë konsumatorësh. Edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian e kanë cilësuar si fillim të ri për Kosovën, Ballkanin dhe tërë Evropën, hyrjen në fuqi të Marrëveshjes s Stabilizim Asocimit. Por, ata njëkohësisht u kanë bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të punojnë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, pavarësinë e gjyqësorit dhe transparencën e administratës publike. Po ashtu ata kanë bërë thirrje kundër dhunës dhe që udhëheqësit e qeverisë dhe opozitës të vënë në rend të parë interesat dhe pritjet e qytetarëve të Kosovës. Nënshkrimi i MSA-së u bë i mundur pas marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë, të cilat ndërkaq Serbisë, i siguruan  negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat u hapën në dhjetor të vitit të kaluar. Por, marrëveshjet me Serbinë çuan në një krizë politike në Kosovë. Që nga 22 shtatori i vitit 2015, parlamenti i Kosovës kaloi një periudhë tensionesh në seancat e të cilit u përshkuan me gaz lotsjellës e skena dhune edhe në rrugët e Prishtinës, gjatë protestave të opozitës kundër marrëveshjes  për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Opozita i ka bërë thirrje qeverisë që të jap dorëheqje dhe të hapet rruga për zgjedhje të jashtëzakonshme, zgjidhje kjo sipas tyre e vetme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila vlerësoi se pjesë të marrëveshjes për asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Qeveria është zotuar se do të respektojë vendimin e gjykatës ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të heq dorë nga veprimet e dhunshme.

Rënie e lirë e investimeve të huaja direkte

Investimet e huaja direkte dhe remitancat pësuan përsëri rënie gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015, duke përvijuar një ecuri negative në gjysmën e dytë të vitit. Pas një ecurie pozitive në 6­mujorin e parë, këta dy tregues dhanë sinjale të qarta dobësimi, duke ulur burimet hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare. Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte për tremujorin e katërt të vitit kishin vlerën e 169 milionë eurove, me një rënie prej 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sidoqoftë, për të gjithë vitin 2015, investimet e huaja arritën në 871 milionë euro, në rritje me 7.2% krahasuar me vitin 2014. Megjithëse investimet ngelen në rritje pozitive, rritja është dobësuar gradualisht gjatë vitit, po të kemi parasysh që për gjysmën e parë të vitit 2015 kishte qenë në nivelin 35%. Sipas Instat, në tre tremujorët e parë të vitit rritja ekonomike u mbështet kryesisht nga investimet dhe ato të huaja në veçanti kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm. Rënie në tremujorin e katërt të vitit shfaqën edhe dërgesat e emigrantëve, që prekën vlerën e 154 milionë eurove, në rënie me 10% ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2014. Për vitin 2015, remitancat prekën vlerën e 598 milionë eurove, në rritje vjetore modeste prej rreth 1%. Edhe në rastin e remitancave ritmi i rritjes është ndjeshëm më i ulët nga niveli prej 19% që u regjistrua në fund të 6­mujorit të parë. Pas një rënieje të vazhdueshme deri në vitin 2013, remitancat i janë kthyer rritjes në dy vitet e fundit, çka mund të shpjegohet me një përmirësim të lehtë në ekonomitë e vendeve ku emigrantët shqiptarë janë më të përqendruar, por, ndoshta në një masë më të madhe me kthimin përfundimtar të shumë prej tyre në Shqipëri. Kjo lloj rritje me shumë të ngjarë ka për të qenë e shkurtër në kohë dhe zbehja gjatë gjysmës së 4/1/2016 RTV SCAN : Investimet në zbehje gjatë gjysmës së dytë të 2015 http://scan­tv.com/v/index.php/kryesore/18623.html 2/2 dytë të vitit 2015 mund të jetë një sinjal. Bilanci i llogarisë korrente, që mat diferencën mes flukseve hyrëse dhe dalëse të valutës, ngelet negativ, në vlerën e 1.15 miliardë eurove. Megjithatë, deficiti këtë vit paraqitet më i ulët me 10%, sidomos falë përmirësimit të ndjeshme të bilancit të të ardhurave nga shërbimet, kryesisht nga turizmi.

Në tre muaj, 2067 familje të tjera u hoqën nga ndihma ekonomike

Për çdo muaj qeveria shkurton listën e personave që përfitojnë ndihmë ekonomike. Sipas të dhënave zyrtare të vet INSTAT, numri i familjeve të varfra që përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike shtetërore sa vjen dhe rritet. Sipas të dhënave, në tre mujorin e fundit të 2015.

Numri i familjeve që përfituan ndihmë ekonomike ra në tremujorin e fundit të vitit 2015 me 2.6 %. Sipas të dhënave në buletinin statistikor të INSTAT shihet se gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015 numri mesatar i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike është 79.530 familje, nga të cilat 40.339 familje u trajtuan me ndihmë ekonomike të pjesshme dhe 39.191 familje me ndihmë ekonomike të plotë. Numri mesatar i familjeve që përfituan ndihmë ekonomike gjatë tremujorit të katërt 2015 është ulur me 2067 familje krahasuar me tremujorin e tretë 2015.  Qarku i Elbasanit ka numrin më të madh të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike (18,6 % të të gjitha familjeve në skemë në rang vendi) të cilat përfitojnë ndihmën ekonomike. Familjet me katër anëtarë zënë peshën më të madhe (30 %) në numrin e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, 51 % e të cilave përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë. Ndihma ekonomike janë fonde publike dhe para për familjet e varfra dhe shpërndahet çdo muaj. Ajo mund të jetë e pjesshme ose e plotë, në varësi të të ardhurave të familjes. Ndihma përfitohet nga familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, jetimët e papunë,mbi 25 vjeç, jetimët e moshës 18- 25 vjeç,të cilët nuk janë vendosur në institucionet e shërbimeve shoqërore ose nën kujdestari, prindërit e fëmijëve të lindur trinjak e më shumë, që u përkasin familjeve në nevojë. Gjatë vitit 2015 qeveri uli shpenzimet buxhetore për ndihmën ekonomike me 19 për qind. Nga 22.3 miliardë lekë të shpenzuara në këtë zë për vitin 2014 gjashtë vitit që shkoi u shpenzuan 18.3 miliardë lekë.

Kriteret e reja skandaloze për ndihmën ekonomike

Qeveria miratoi më datën 9 të këtij muaji (mars 2016) disa ndryshime për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike. Bashkë me ndryshimet u miratua edhe formulari i verifikimit të situatës social-ekonomike të familjeve në nevojë. Formulari, prej 3 faqesh, do të duhet të plotësohet 2 herë në vit. Nëse deklaratat do të jenë të rreme, atëherë deklaruesit i hiqet ndihma ekonomike. Ky penalitet iu shtua VKM–së së vitit 2012, në pikën 8. Paragrafi i shtuar thotë: “Pas shkronjës ‘b’, të pikës 8, shtohet shkronja ‘c’, me këtë përmbajtje: ‘c) Deklarimin e rremë apo mosdeklarimin e ndryshimeve të situatës social-ekonomike në deklaratën e paraqitjes çdo tre muaj të familjes’”. Familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike do t’u bëhet llogaria dhe për gomerët, mushkat, demat apo dhe peshqit që kanë në shtëpi. Sipas ndryshimeve të vendimit nr. 904, 12.12.2012 Këshilli i Ministrave ka vendosur rishikimin e procedurave të përfitimit. Tashmë do të jenë tre formularë që do të plotësohen nga administratorët në prezencë të kryefamiljarit. Në rast se kryefamiljari ka gënjyer për pasurinë që ka, atëherë përjashtohet menjëherë nga skema. Për këtë në VKM saktësohet plotësimi për “Formularin e verifikimit të situatës social-ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë dhe dy herë në vit atë të të gjitha familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi”. Ndërsa në nenin 5 ku saktësohen rastet e përjashtimit nga skema është përfshirë rasti për “c) Deklarimin e rremë apo mosdeklarimin e ndryshimeve të situatës social-ekonomike në deklaratën e paraqitjes çdo tre muaj të familjes”. Në formularët e deklarimit do të plotësohen tabelat nëse familja ka gomar, mushkë, lepuj, dem, dele, dhi, peshk etj. Për sa i përket banesës do të verifikohet nëse në familje ka biçikletë, frigorifer televizor etj. Apo dhe nëse ka kuzhinë të ndarë, dush, vaskë, ashensor, si dhe do të shihet cili është burimi i ngrohjes gaz, energji dru apo tjetër. Por çfarë do të duhet të deklarojnë familjet në nevojë, me qëllim që deklarimi i tyre të mos quhet i rremë. Janë një sërë asetesh jetësore. Përveç të dhënave personale, çdo aplikant për ndihmë ekonomike duhet të deklarojë nëse ka: televizor, frigorifer, makinë larëse (lavatriçe), pjatalarëse, sobë me gaz apo energji elektrike, sobë me vajguri apo me dru zjarri, kalorifer, mikrovalë, makinë qepëse ose thurëse, bolier dushi, antenë satelitore, biçikletë, motoçikletë apo makinë.  Lista nuk mbaron këtu. Aplikanti duhet të deklarojë edhe nëse në familjen e tij ndokush ka gjë të gjallë si: lopë, derra, dele, dhi, shpezë, kuaj, gomar apo mushkë, dem, bletë, lepuj, peshk apo ndonjë kafshë tjetër. Për të gjitha këto duhet bërë kujdes. Nëse nuk deklaroi qoftë edhe një të vetme, për shembull të harroni ndonjë nga derrat apo pulat që keni në shtëpi, përjashtoheni nga skema e ndihmës ekonomike. Edhe nëse nuk deklaroni kaloriferin apo bolierin, jeni të përjashtuar. Kini parasysh se do të duhet të mbushni një fletë edhe për të pranuar nëse informacioni rreth anëtarëve të familjes është i saktë, a është deklaruar saktë paaftësia, statusi i të punësuarit apo arsimimi. Çdo gabim ju nxjerr jashtë skemës, sado që mund të jeni të varfër.

Strasburgu, Rama ligj të ri për të mos kompensuar pronarët

BIRN

Qeveria shqiptare po përpiqet të ndalojë valën e kompensimeve të shtrenjta nga Strasburgu në favor të pronarëve të tokave, asetet e të cilëve u sekuestruan nga regjimi komunist. Qeveria shqiptare shpreson se legjislacioni i ri do të ndalojë vendimet e mëtejshme nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në favor të ish-pronarëve, që e kanë detyruar atë t’i paguajë atyre sasi të mëdha kompensimi financiar. Në vitin 2006, gjykata e Strasburgut lëshoi vendimin e parë në favor të pronarëve që kërkonin kompensim për pronat e marra nga regjimi komunist – dhe të cilëve u njohën të drejtat nga një komision shtetëror. Zyra e Avokaturës së Shtetit që funksionon brenda ministrisë së drejtësisë dhe përfaqëson shtetin shqiptar në gjykatë të Strasburgut i tha BIRN se shuma totale e kompensimit që u desh të paguhej në 2014 ishte 2,462,015 euro dhe 10,751,416 euro në 2015. Fatura për 2016 pritet të jetë gjithashtu e lartë. Më 17 mars, gjykata e Strasburgut e urdhëroi Shqipërinë të paguajë 11 milionë euro të tjera në një vendim në lidhje me gjashtë ish-familje pronare. Qeveria ka tre muaj kohë të gjejë fondet për këtë rast të ri kompensimi. Burime nga Zyra e Avokaturës së Shtetit dhe shoqata e pronarëve i thanë BIRN se një vendim tjetër multi-milionë euro nga Strasburgu mbi të njëjtën çështje do të jepet së shpejti. “Norma e çmimit të tokës që gjykata përdor për të kompensuar ish-pronarët është më e lartë sesa ajo e qeverisë. Kjo krijon një barrë financiare për shtetin, që është arsyeja përse po përpiqemi të ndalojmë praktikën e vendimmarrjes së Strasburgut për pronarët shqiptarë të tokave,” tha për BIRN Alma Hiçka, kreu i Zyrës së Avokaturës së Shtetit. Me shpresën për t’i dhënë fund vendimeve të kripura për nga çmimi i kompensimit, qeveria miratoi një ligj të ri për kompensimin e pronarëve për pronat dhe asetet në dhjetor 2015. Ky synon të mbledhë rreth 438 milionë euro dhe 23,000 hektarë tokë bujqësore për 10 vite në mënyrë që të kompensohen rreth 26,000 raste. “Do ta prezantojmë këtë ligj të ri në fillim të prillit në gjykatën e Strasburgut ngaqë e kemi hartuar sipas sugjerimeve të tyre,” tha Hiçka. “Ne shpresojmë që gjykata do ta vlerësojë si një zgjidhje të qëndrueshme për ish-pronarët dhe do t’i japë fund vendimmarrjes së tyre për pronat,” shtoi Hiçka. Megjithatë, në një shenjë se ligji i ri nuk do t’i japë fund mosmarrëveshjes së kompensimit mbi asetet e sekuestruara, shtatë padi të ndara janë drejtuar në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit të ri, përfshirë mocione nga Presidenti i Shqipërisë, Avokati i Popullit dhe shoqatat e ish-pronarëve. Gjykata Kushtetuese pritet të lëshojë një vendim për ligjin në javën e parë të prillit. Ish-pronarët thonë se ata kanë pritur vite për të rimarrë pronat – ose të marrin kompensim financiar për to – që është arsyeja përse shumë prej tyre i janë drejtuar Strasburgut.

Shkelja e të drejtave të pronësisë

Shqipëria renditet e fundit për vitin 2015, në indeksin e të Drejtave të Pronësisë, krahasuar me vende të tjera të rajonit të Ballkanit, sipas indeksit të Forumit Ekonomik Botëror. Duke analizuar zhvillimet në të drejtat e pronësisë qeveria shqiptare referon se, reforma ka kontribuar pak në forcimin e të drejtave të pronësisë dhe në eliminimin e pasigurive ligjore. Legalizimi i ndërtimeve ende nuk është finalizuar, ndërsa rikthimi e kompensimi i ish-pronarëve është një proces në viijimësi, përfundimi dhe kostoja totale e të cilit nuk është e përcaktuar, thuhet në një analizë të posaçme të qeverisë për këtë çështje publikuar së fundmi. Ndër sfidat kryesore që duhen adresuar është finalizimi i regjistrimit të fillestar të pronave, me qëllim garantimin për sigurinë e pronësisë dhe zgjidhur mosmarrëveshjet e lidhura me pronësinë. “Këto dhe çështje të tjera për sigurimin e të drejtave të pronësisë dhe vendosjen e një sistemi të shëndoshë të menaxhimit të tokës janë të shumta, komplekse dhe duan një kohë të gjatë për t’u zgjidhur”, thuhet në raport. Për këto arsye, qeveria e ka identifikuar çështjen e tokës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të saj si një nga gjashtë përparësitë e saj për pesë vitet në vijim. Reforma në fushën e të drejtave të pronësisë synon mbrojtjen e të drejtës së qartë të pronësisë dhe eliminimin e pasigurisë ligjore. Megjithatë, problemet vazhdojnë të ekzistojnë, duke qenë se mekanizmat për sigurimin e të drejtave të pronësisë i bëjnë bisht zgjidhjes përfundimtare të saj.

Kriza greke dhe ngadalësimi i Italisë godasin dërgesat

Dërgesat e emigrantëve ranë me 10.5 për qind në tremujorin e katër të vitit të kaluar  duke konfirmuar tendencën negative të nisur një tremujor më parë. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se në periudhën tetor-dhjetor 2015, shqiptarët që punojnë jashtë dërguan pranë familjeve të tyre 154.2 milionë euro, nga 172.3 milionë që ishte shifra në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të ardhurat e emigrantëve u rritën me 21 për qind në gjysmën e parë të vitit 2015. Por tendenca pozitive u përmbys menjëherë pas shpërthimit të krizës greke në qershor, kur vendi fqinj rrezikoi daljen nga euro. Si rezultat, dërgesat ranë me 15 për qind në tremujorin e tretë dhe 10.5 për qind në atë të fundit. Veç rikthimit të Greqisë në recesion, gjashtëmujori i dytë i vitit të kaluar shënoi përkeqësim thuajse në mbarë ekonominë e eurozonës. Ekonomia italiane, e cila përbën burimin tjetër kryesor të dërgesave për Shqipërinë gati u rikthye në stanjacion në tremujorin e katërt, me rritje ekonomike të papërfillshme vetëm 0.1 për qind.

Dërgesat

Në total për të gjithë vitin 2015 emigrantët shqiptarë kanë dërguar pranë familjeve të tyre rreth 599 milionë euro me një rritje prej 1 për qind krahasuar me një vit më parë. Rritja e fortë e dërgesave në gjashtëmujorin e parë ka shmangur rënien e tyre në terma vjetorë. Dërgesat nga jashtë janë një burim i rëndësishëm për dhjetëra mijë familje në Shqipëri. Ato arritën rekordin në vitin 2007, kur Shqipëria përfitoi rreth 1 miliardë euro remitancat. Por menjëherë sapo ekonomia europiane u përfshi nga kriza dërgesat filluan të binin me shpejtësi dhe aktualisht luhaten nga 500 deri në 600 milionë euro në vit.

Kosovë, mbi 30 milionë euro vetëm nga akciza e duhanit

Për dy muaj e gjysmë në arkën e shtetit janë grumbulluar mbi 30 milionë euro vetëm nga akciza e duhanit. Krahasuar me periudhën e njëjtë janar – 15 mars të vitit të kaluar kjo shumë ka shënuar ngritje për më shumë se 12 milionë euro, pasi nga janari i këtij viti akciza në duhan është ngritur nga 28 euro për 1 000 copë që ishte në vitin 2015, në 41 euro. Sipas njohësve të ekonomisë, ngritja e akcizës së duhanit ka efekt pozitiv, sepse e mbush arkën e shtetit, ndërsa efekt negativ sepse e stimulon rritjen e kontrabandës. Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se gjatë periudhës janar 2016 – 15 mars 2016 sasia e importit të duhanit ka qenë 555.917.95 kg, që në total kap vlerën e 30.934.473,58 eurove. Sipas tij, krahasuar me vitin e kaluar, kjo shumë është rritur për më shumë se 12 milionë euro si shkak i rritjes së akcizës në duhan. “Në Kosovë gjatë periudhës janar – 15 mars të këtij viti janë importuar sasi neto kg 555.917,95 duhan. Akciza për këtë sasi të duhanit kap vlerën e 23.606.657,30, ndërkaq TVSH-ja për këtë shumë ka qenë 6.294.722,89 euro. Në total të hyrat nga akciza e duhanit janë 30.934.473,58 euro”, ka thënë Stavileci, duke shtuar se sasia e duhanit e importuar për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka qenë 18.792.335,65 euro. “Gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2015 sasia neto në kg e importuar ka qenë 407.877,67 euro, akciza 14.218.440,00 euro, TVSH-ja 3.741.038,94 euro. Në total të hyrat kapin vlerën e 18.792.335,65 eurove”, ka thënë Stvileci. Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se vendimin e Qeverisë së Kosovës për ngritje të akcizës së duhanit duhet konsideruar pozitiv sa i përket aspektit të mbushjes së arkës buxhetore dhe destimulimit të duhanpirësve.

Në Kosovë ulet çmimi i energjisë për bizneset por jo për konsumatorët

Në Kosovë, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka vendosur që për vitin 2016 të ruajë të njëjtat tarifa për energji për konsumatorët shtëpiak (familjarë) dhe të njëjtën strukturë tarifore, ndërsa ka vendosur ulje nga 7.17% deri në 8%, të tarifave për konsumatorët industrial dhe komercial, bazuar në kostot e shërbimit për këto kategori të konsumatorëve. Ulja e tarifave për konsumatorët industrial dhe komercial ka ardhur si nevojë e fillimit të eliminimit të ndërsubvensionimit ndërmjet kategorive të konsumatorëve shtëpiak dhe jo shtëpiak. Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE),i cili në mbledhjen e mbajtur sot, ka vendosur se tarifat e reja të energjisë elektrike do të hyjnë në fuqi me datë 1 prill 2016, dhe do të mbesin në fuqi deri me 31 mars 2017. Bordi po ashtu ka miratuar të hyrat e lejuara maksimale për KEK, KOSTT, KEDS, KESCO, si dhe tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët tariforë me pakicë për vitin 2016. Bordi i ZRRE-së me vendimet e tij, ka vlerësuar se tarifat e aprovuara të energjisë elektrike sigurojnë të hyra të nevojshme për KEK, KOSTT, KEDS dhe KESCO për kryerjen e veprimtarive sipas legjislacionit në fuqi. ZRRE po ashtu është në proces të studimit të kostove të sistemit dhe mundësisë së ndryshimit të strukturës tarifore, që pritet të përfundojë gjatë muajve në vazhdim.