12.5 C
Tirana
E enjte, 1 Maj, 2025

Bale beson te fitorja

Gareth Bale shpreson që të konfirmojë pritshmërinë e madhe të krijuar rreth tij pas rikthimit në fushë në El Clasicon e kësaj të shtune. Uellsiani është një armë më shumë për Realin, tashmë më i adaptuar me jetën në Spanjë dhe me ambientin në dhomat e zhveshjes. Për sa i përket Barcelonës, Bale nuk ka dyshim, Reali sipas tij ka një plan dhe mund të fitojë, por ndërkohë refuzon të ngrejë flamurin e bardhë edhe për sa i përket luftës për titullin në La Liga. “Gjithçka është e mundur në futboll, jemi dhjetë pikë pas, por do të luftojmë deri në fund. Fitimi i La Ligas është diçka e mundur. Nëse fitojmë do të reduktojmë distancën në 7 pikë, dhe ne shkojmë për të fituar”, u shpreh Bale.
Pasi u shpreh se në krahasim me sezonin e kaluar ku nuk shfaqi gjithë potencialin e tij për shkak të ambientimit tani ndihet më mirë dhe merr pjesë më shumë në lojë, Gareth Bale foli dhe për preferencën e tij për sa i përket pozicionimit në fushë. “Të gjithë e dinë që më pëlqen të luaj në qendër dhe të lëviz, por po ashtu edhe në të djathtë ku mund të godas portën në diagonale. Gjtihsesi nuk e kam bezdi të luaj dhe në të majtë nëse është e nevojshme. Besoj se po rritem, po përmirësohem dhe jam në formë të mirë, por kam ende shumë për të bërë”, tha ai.
Pasi vlerësoi Johan Cruyff si një legjendë që e respekton gjithë bota, Bale shprehu optimizmin e tij për ndeshjen e së shtunës. “Ne ecim ndeshje pas ndeshje dhe fitorja në El Claisco do të na japë besim. Ecim ndeshje pas ndeshje, kemi gjëra për të përmirësuar dhe duhet të luajmë gjithmonë e më mirë. Duhet të shënojmë atje, do të jetë një ndeshje e komplikuar pasi ata po luajnë shumë mirë, por kemi një plan loje dhe nnjë taktikë që do të ndjekim, dhe besoj se do të fitojmë nëse i bëjmë gjërat mirë”, tha Bale.
Në fund edhe çelesi i suksesit për të fituar në El Clasico. “Të mbrojmë dhe të sulmojmë si skuadër, ndoshta në të kaluarën nuk kemi që shumë të bashkuar, por tani ecim të gjithë në të njëjtin drejtim”, tha Bale.
Ndërkohë, Kaka kërkon Kasiajsin në skuadrën e tij ën Amerikë. Pas marrjes së Julio Baptista, “Orlando City” duket se ka hedhur sytë nga portieri i Portos, Iker Casillas. Kaka tha se do t’i pëlqente ta kishte sërish shok skuadre spanjollin, edhe pse vet lojtari i ka komunikuar se dëshiron të qëndrojë edhe një vit tjetë te klubi portugez. Megjithatë 33-vjeçari theksoi faktin se Casillas tundohet nga ideja për të luajtur në Major League Soccer. Në përfundim Kaka deklaroi se brenda 5 ose 10 viteve të ardhshme, MLS do të jetë një nga kampionatet më të fortë në Botë.

Valencia, 19 milionë euro në sezon për Mourinhon

Valencia ka nisur të mendojë për zëvendësuain e Gary Neville, që do të marrë drejtimin e skuadrës sezonin e ardhshëm. Aktalisht drejtuesit e klubit spanjoll ia kanë besuar panikën Pako Ayestaran, që do ta mbajë këtë detyrë deri më 30 qershor, para se të nisë një projekt i ri. Në këtë situatë kanë nisur të qarkullojnë emra të ndryshëm për këtë rol të rëndësishëm, por më sugjestionuesi mbetet Jose Mourinho. Sipas “The Sun”, përfaqësues të Valencias kanë nisur kontaktet me portugezin, madje raportohet se oferta që i është bërë 53-vjeçarit mbetet në kufijtë e të pabesueshmes, plor 19 milionë euro në sezon, ndërsa 120  milionë euro do t’i ketë në dispozicion për t’i shpenzuar në merkato.
Bisedimet mund të përparojnë falë marrëdhënieve të shkëlqyera që ka pronari i Valencias, Peter Lim me vetë Jose Mourinhon dhe menaxherin e tij Jorge Mendez. Muajt e fundit është folur shumë për një marrëveshje mes Mourinhos dhe Manchester United, për të marrë vendin e holandezit Van Gaal, por më të vërtetë nuk ka asgjë zyrtare. Madje në “Old Trafford” po fiton gjithnjë e më shumë terren kandidatura e Rayan Gigs. Në fakt Mourinho nuk është emri i vetëm që ka dalë në skenë për postin e trajnerit të Valencias. Manuel Pellegrini, i cili do ta mbyllë në maj aventurën e tij te Manchester City shihet si alternativë e besueshme, por deri tani palët nuk kanë dakord për shumë që duhet të përfitojë kiliani gjatë një sezoni.

Berisha: Kërkesa e Leskajt? Njësoj sikur vrasësi t’i thotë shtetit më dëno se vrava

Ish-Kryeministri Berisha e ka quajtur kusari veprimin e mazhorancës për të mos dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatet e deputetëve të PS, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli. Duke folur për gazetarët pas përfundimit të Parlamentit, Berisha komentoi kërkesën e Leskajt drejtuar Metës që mandati i saj të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë rast, ish-Kryeministri u shpreh se është njësoj sikur vrasësi t’i thotë shtetit ta dënojë se ka kryer vepër penale.
“Parlamenti ka hipur në lokomotivën Leskaj. Kjo është njëlloj si jë vrasës të vejë t’i thotë shtetit më dëno se vrava. Këtu s’kemi të bëjmë me vrasje, por me kusari shtetërore. Nëse shteti ligjor funskionon mbi bazën e vullnetit të shkelësve të ligjit, nuk është më shtet ligjor por është zëvendësimi i shtetit ligjor me vullnetin dhe dëshirat e krimit dhe kusarëve”, tha ndër të tjera ish-Kryeministri Berisha.

Berisha: Rama i sëmurë psiqik, tentoi të turpërojë një gazetare

Ish-Kryeministri Berisha u shpreh se Rama është i sëmurë psiqik dhe i pashpresë, pasi ka tentuar të turpërojë një gazetare për faktin se është nënë. “Ky zotëri i sëmurë, pa shpresë me atë që ka bërë me gazetaren Ilva Tare ka folur jo si shtetar por si një halabak i vërtetë. Të mendosh se mund të turpërosh një zonjë, një gazetare me faktin se është nënë dhe rrit një vajzë duhet të kesh psikologjinë e një halabaku. Duhet të jesh i sëmurë, i pashpresë, të ofendosh një nënë se rriska një vajzë të vogël…”, u shpreh Berisha.

Skandali/ Rama pranon: 128 milionë lekë shpenzime për mobilim zyrash

Qeveria ka reaguar për një lajm të publikuar në disa media për mobilimin e zyrës së Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas këtij lajmi, Ministria ka çelur një tender me vlerë 128 milionë lekë të reja (1.28 miliardë të vjetra) për të mobiluar zyrën e Tahirit. Por qeveria, me anë të portalit transparenca.al thotë se ky fond nuk do të përdoret vetëm për zyrën e Ministrit. Sipas saj, paratë do të shkojnë për mobilje për 11 institucione, përfshirë edhe Ministrinë e Brendshme.
Reagimi i qeverisë me anë të transparenca.al:
“Pretendimi i disa portaleve se Ministria e Brendshme ka çelur një tender prej 128 milionë lekë, vetëm për mobilimin e zyrës së ministrit, është një lajm spekulativ. Tenderi i mobilimit me pajisje, i cili është shpallur para pak ditësh dhe hapet në datën 19 prill 2016, përfshin në këtë procedurë 11 institucione që do të prokurojnë sipas nevojave të tyre, mobilie dhe pajisje. Fondi total i kësaj procedure është 128.113.807 lekë (pa TVSH) dhe përfshin jo vetëm mobilimin e godinës në rikonstruksion të MPB-së, por edhe blerjen e pajisjeve dhe mobilieve për 10 autoritete të tjera”.

Tahiri, 1.2 miliardë lekë për zyra luksoze

Një tender prej 1.2 miliardë lekësh është shpallur këto ditë nga Ministria e Brendshme me qëllim blerjen e orendive dhe mobilimin luksoz të zyrave. Tenderi është publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike, ndërsa specifikimi është ai i blerjeve të pajisjeve të zyrave. Në llojet e mallrave që do të blihen bien në sy: banakë, kasaforta, krevate tek, rafte druri e metalike, tavolina të ndryshme, 36 frigoriferë, 29 televizorë plazma 50 inç, 8 televizorë të përmasave të tjera, etj., etj. Ajo çka bie në sy është shuma marramendëse e këtij tenderi prej 1.2 miliardë lekësh.
Ndërkohë që Tahiri shpenzoi nga paratë e buxhetit të shtetit rreth 2 milionë dollarë për rikonstruksionin e godinës së Ministrisë së Brendshme, tashmë kësaj fature të kripur i shtohet edhe një tjetër shifër marramendëse që do të “përdoret” për mobilimin e zyrave dhe orendive.
Në lidhje me këtë tender abuziv ka reaguar ashpër dje ish-Kryeministri Berisha, i cili përmes një komenti në Facebook dënon vjedhjet e parave publike nga pushteti.
“Hajdutët e shtetit lajnë menderen me paratë që u vjedhin shqiptarëve! Për orendi dhe mobilim të zyrës së Saje qorrit shpallet tenderi me 1 miliard e 228 milionë lekë!!! Dje u botua dokumenti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara, me të cilin shpallet tenderi për ‘blerje orendish dhe pajisje për mobilim zyrash’, me një fond limit 128 113 807 lekë shifër kjo stratosferike e padëgjuar deri më sot në shpenzimet e kolltukofagëve. Me këtë shumë mund të ndërtohen së paku 3 shkolla 9-vjeçare apo 4 qendra moderne shëndetësore.
Një shumë e tillë nuk është shpenzuar për pajisje dhe mobilim zyrash në 8 vite të qeverisë së PD të marra së bashku. Kësaj i thonë se, hajdutët e shtetit lajnë menderen me paratë që u vjedhin taksapaguesve shqiptarë, përfshi atyre që nuk kanë tri vakte ushqim, por që për çdo kafshatë paguajnë TVSH njëlloj sa Kryeministri, ministrat dhe Koçot e tij. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të ngrihemi dhe t’i shkulim sa më parë nga kolltuqet e krimit Edi Ramën dhe hajdutët e tij të shtetit!”, shprehet Berisha në reagimin e tij.
Tenderi në fjalë i shtohet listës së abuzimeve të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me fondet publike. Pas skandalit me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit, rezulton se Tahiri ka abuzuar edhe me një tjetër, atë të blerjes së motorave po për Policinë e Shtetit. Sipas tenderit të shpallur nga Ministria e Brendshme, në garë ftoheshin kompanitë që ofronin motorat e tipit “Aprila” me një fond limit prej 1 miliard e 39 milionë lekësh, i cili është fituar nga një kompani e paracaktuar dhe pa asnjë garë, pra duke eliminuar mundësinë e ofertuesve të tjerë. Krahas kësaj, skandali thellohet edhe më tej, kur ministria ka përcaktuar blerjen e një motori disa miliona lekë më shumë, e verifikuar kjo lehtësisht edhe në faqen e kompanisë së motorave “Aprila”.

Hahn-Ramës: Të zbatohet sa më shpejt dekriminalizimi

Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn i kërkoi dje Ramës zbatimin e menjëhershëm të ligjit për dekriminalizimin. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Ramën, komisioneri Hahn e cilësoi procesin e dekriminalizimit si një element thelbësor në lidhje me konsolidimin e legjitimitetit dhe integritetit  të të gjitha institucioneve.
“Më lejoni t’ju them që përtej këtyre objektivave të 5 prioriteteve kyçe, ka edhe sfida të tjera, reforma të tjera, të cilat duhen trajtuar dhe dëshiroj që të përmend dy procese ne veçanti; nga njëra anë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe ana tjetër reformën zgjedhore. Për sa i përket dekriminalizmit, duhet të jemi shumë të qartë, legjislacioni do të zbatohet shpejt dhe në të gjitha nivelet e nevojshme dhe në rast se bëhet në mënyrën e duhur, ky proces mund të fuqizojë, të përforcojë besimin e qytetarëve tek shteti. Dekriminalizimi është kyç për sa i përket konsolidimit të legjitimitetit, integritetit, efikasitetit të të gjithë institucioneve publike” u shpreh komisioneri Hahn gjatë konferencës për shtyp me Ramën.
Hahn i kërkoi qeverisë shqiptare forcimin e masave në luftën antikorrupsion, realizimin me urgjencë të Reformës në Drejtësi dhe të kritereve të tjera kyçe të vendosura si kushte nga Bashkimi Europian. “Të vazhdohet përpara me rekomandimet që kemi dhënë që të arrihet gjithçka kemi kërkuar. Institucionet evropiane po bashkëpunojnë ngushtë me ato shqiptare sidomos në disa fusha kyçe. Ne jemi mjaft të interesuar edhe për Komisionin e Venecias, të vazhdojë puna, të ecë përpara. E rëndësishme të luftohet korrupsioni, të arrihet transparenca. Duhet një sistem gjyqësor transparent. E rëndësishme edhe ekonomia. Të përmirësohen investimet. Zbatimi i këtyre reformave është mjaft i rëndësishëm. Theksohet zbatimi i 5 prioriteteve që janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Shoh një vendosmëri nga ana e Shqipërisë për të ecur para. Çelja e negociatave, pjesë e procesit, por e rëndësishme se çfarë do të bëhet pas hapjes së negociatave”, deklaroi Hahn, i cili kërkoi bashkëpunim për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Komisioneri Hahn në fund të fjalës së tij deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE mund të zgjasë, por në fund sipas tij të gjithë do të jenë të kënaqur.
“Në fund të këtij procesi që mund të zgjasë, në fund fitoni më shumë ndryshe nga disa vende të unionit që edhe sot përballen me raporte… me kontrolle, ne kemi mësuar leksionin tonë, duam t’ju përgatisim që të gjithë të jenë të lumtur. Mund të jetë më sfiduese, më e gjatë, por në fund do të jetë në interesin tuaj, të qytetarëve shqiptarë”. Në lidhje me çështjen e pronave, Hahn tha se: “Nuk jam shumë familjar me çështjen e pronës, por mund të them se është një situatë e njëjtë në shumë vende evropiane. Duhet gjetur një zgjidhje e drejtë që adreson të drejtat e së kaluarës, por edhe situatës aktuale. Ju rekomandoj që të gjeni zgjidhje, kam kuptuar që kjo çështje është në gjykatë dhe ajo duhet ta trajtojë në kohën e duhur pa humbur afatet”.
Për sa i përket Kodit Zgjedhor, Hahn rekomandoi që Shqipëria të ndjekë rekomandimet e ODIHR.
“Ata kanë shumë eksperiencë për vëzhgimin e zgjedhjeve, përdorini ato”. “Ka qenë e rëndësishme që ne pamë se cilat ishin çështjet më urgjente, pra 5 prioritetet kyçe dhe më lejoni të them që elementi kyç i kësaj pjese është Reforma e Drejtësisë. Këtu shumë shpejt na duhen vendime dhe në fakt është e vërtetë që kjo reformë po të krahasohet me atë se çfarë ndodh me vendet e tjera fqinje është e një shkalle të paprecedent dhe me një ndikim afatgjatë dhe shpresojmë të ketë një ndikim pozitiv afatgjatë në situatën e vendit dhe në mënyrë që të ketë një udhërrëfim përsa i përket edhe çeljes së negociatave. Është shumë e rëndësishme të ketë një vendim përpara se të fillojë zbatimi i kësaj Reforme në Drejtësi, në mënyrë që ne të bëjmë të mundur vlerësimin e parë dhe që të shihen edhe zbatimi nëse po ecet në drejtimin e duhur. Pra, na duhen tani shumë shpejt vendime për të vazhduar punën me udhërrëfyesin që kemi në mendje, por kjo gjë është vendimtare. Një gjyqësor funksional është tejet i rëndësishëm. Ky është prioriteti i parë. Prioritetet e tjera kyçe janë reforma në administratën publike. Ligji i dekriminalizimit dhe reforma zgjedhore. Legjislacioni të zbatohet shpejt dhe në të gjitha nivelet e nevojshme. Nëse bëhet në nivelin e duhur forcon besimin tek shqiptarët. Është kyç për legjitimitetin e integritetin e institucioneve publike. Për reformën zgjedhore mirëpritëm punën teknike”, tha Hahn.

Si Rama gënjeu Hahn për deputetët kusarë

Edi Rama gënjeu dje Europën dhe përfaqësuesin e saj të lartë sy për sy, kur tha se do të kërkojë interpretim në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me mandatet e deputetëve të tij, të kapur në shkelje të ligjit themelor.
Deputeti demokrat, Eduard Halimi në një reagim për mediat e cilësoi të turpshëm mashtrimin publik të Ramës në një kohë kur ai ka bllokuar mandatet e deputetëve që kanë përfituar para publike në kundërshtim me ligjin e nuk lejon dërgimin e tyre në gjaktën Kushtetuese.
“Ky është një mashtrim i turpshëm sepse vetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ai refuzon ta zbatojë është interpretimi i qartë dhe detyrues i Kushtetutës. Të kërkosh interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është përqeshje, tallje dhe dhunim i hapur i detyrimit kushtetues për ta zbatuar atë”, tha Halimi.
Më pas, Halimi citoi konkretisht se si është shprehur Gjykata Kushtetuese në rastin e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. Ja çfarë thotë Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj që Rama refuzon ta zbatojë: “30. Gjykata vlerëson se në të tilla raste Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk mund t`ia nënshtrojë atë debatit parlamentar… Kuvendi në këto raste nuk mund t`i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij, sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutëbërësi ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese… Vlerësimi i meritës së çështjes, pra nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur ndalimin kushtetues të pikës 3, të nenit 70 të Kushtetutës, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.
31. …Nëse do të pranohej një pushtet i tillë i Kuvendit, (pra KM të refuzonte dorëzimin e deputetëve të vet para drejtësisë), atëherë parashikimi i Kushtetutës do të zhvishej nga qëllimi i tij, çka do të përbënte abuzim me pushtetin e shumicës dhe do të ishte në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
32. Për sa më sipër, gjykata arrin në përfundimin se për çdo shkelje të pikës 3, të nenit 70 të Kushtetutës, kur kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen”.
“Dispozitivi: Në rast se Kuvendi i Shqipërisë vihet në lëvizje me mocion të kryetarit të Kuvendit ose një të dhjetës së anëtarëve të tij, në kuptim të pikës 3, të nenit 70 të Kushtetutës, ai duhet të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën të shqyrtojë në themel çështjen dhe të vendosë mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetit”.
“Gjykata Kushtetuese ka vendosur qartë. Me vendimin e saj, ajo thotë se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë dhe jo Parlamenti.
Ky vendim detyron Parlamentin që t’i dërgojë rastet e oligarkëve-deputetë të Ramës, të kapur në shkelje të Kushtetutës, duke përfituar fonde publike e koncesione, në Gjykatën Kushtetuese dhe vetëm ajo vendos më pas për mandatet e tyre.
Por Edi Rama zgjodhi edhe sot të mbrojë oligarkët e tij, të mbrojë abuzimin, vjedhjen e parave të shqiptarëve dhe të dhunojë Kushtetutën, gjykatën, shtetin ligjor.
Me mashtrimin para Europës e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Europian, Edi Rama thelloi paligjshmërinë e tij, duke pohuar publikisht se ai qëndron mbi ligjin, mbi Kushtetutën, mbi gjykatat. Ai thelloi edhe më tej hendekun mes një populli të tërë në varfëri, papunësi, arrati dhe një grushti plaçkitësish të babëzitur që po pasurohen duke dhunuar Kushtetutën dhe ligjin.
Partia Demokratike është e vendosur në betejën e saj për zbatimin e Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese si themele të stabilitetit dhe shtetit ligjor në Shqipëri”.

Reforma në drejtësi, të garantohen zgjedhje të lira e të ndershme

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Majlinda Bregu u shpreh se, “duhet të jemi sa të mirëkuptueshëm me njëri-tjetrin mes nesh po e po, por edhe me qeverinë pasi ky proces transparencën e gjithpërfshirjen i ka elementët garantues të suksesit”.
Bregu tha se, “Evropa siç e dimë të gjithë është e përfshirë sot nga kriza më të mëdha se sa mungesa e mirëkuptimit tonë të vazhdueshëm politik dhe sigurisht që zgjerimi nuk është halli më i madh i evropianëve”, por ajo shprehu bindjen se, “anëtarësimi në Bashkimin Evropian edhe pse nuk është një garanci për një botë perfekte, do të nënkuptonte garanci më të mëdha për nivelin tonë të demokracisë, duke filluar nga zgjedhjet e lira e të ndershme, sundimi i ligjit dhe deri tek standardet e përgjithshme, të cilat sot janë të kërcënuara fatkeqësisht edhe nga terrorizmi në Evropë”. “Nuk është çështja se sa të suksesshëm kemi qenë ne gjatë këtij viti për mbikëqyrjen e procesit të integrimit, shtoi Bregu, por besoj se për të gjithë ne, me rëndësi është që ky Këshill të konsolidojë të kuptuarit njësoj të detyrimeve të procesit”. “Dhe që puna jonë të jetë më rezultative duhet sigurisht që të gjithë dokumentet e rëndësishme që qeveria harton edhe për procesin e integrimit të konsultohen bashkë me ne në fazën e tyre fillestare”, tha ajo. Bregu kërkoi nisjen në mënyrë urgjente të përgatitjes së kuadrit strategjik për çeljen e negociatave, pavarësisht se kur do të ndodhë ajo. Kjo është mbledhja e 5 e Këshillit Kombëtar të Integrimit, i cili është ngritur vetëm një vit më parë me 44 anëtarë, të cilët janë përfaqësues jo vetëm nga Parlamenti, por edhe nga shoqëria civile, institucione të pavarura, bota akademike dhe media.

Basha-Hahn: Stabiliteti i vendit i rrezikuar

Kryetari i PD, Lulzim Basha njohur dje komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn me situatën daramatike që po kalon vendi
si dhe me kërkesat e opozitës dhe qendrimin e saj për nxjerrjen e vendin nga kriza e thellë.
“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse ky ligj do të zbatohet në germë, ndërkohë që për zbatimin e “shpirtit” të ligjit nuk ka asnjë shans sepse Edi Rama i ka marrë këta kriminelë dhe i ka transferuar si koordinatorë në Partinë Socialiste. Po i përdor aktualisht për të fituar referendumin e tij brenda partisë dhe ka ndërmend t’i përdorë sigurisht edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Po kështu kërkojmë që ligji për dekriminalizimin të veprojë edhe në ato raste të paparashikuara më parë ku deputetët si Armando Prenga përgjakin me armë të paligjshme qytetarët në dyert e komisariateve dhe pastaj vijnë në Parlament serbes-serbes sikur nuk ka ndodhur asgjë” tha Basha në një prononcim për mediat pas takimit me komisionerin Hahn.
“Për çështjen e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e shikoni që është një recidivist sepse ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e detyron Parlamentin që të zbatojë Kushtetutën dhe të dërgojë për gjykim të gjitha rastet kur deputetë të mazhorancës supozohen se kanë shkelur Kushtetutën duke marrë e përfituar fonde apo pasuri publike, siç është rasti Kokëdhima që u desh një vit për ta çuar, apo siç janë rastet e Sulit dhe Valentina Leskajt ku mazhoranca refuzon zbatimin e vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pra përsëri e ka sjellë shtetin ligjor në “vdekje klinike”. Ky nuk është rast i vetëm, pasi kemi rastin e parkut të Tiranës njësoj si rasti i bunkerit apo rasti i strehës që ka vënë tek Kryeministria, secili me efekte të ndryshme sigurisht. Ky i parkut është më i dhunshmi sepse në mënyrë arbitrare privon qytetarët nga mijëra metra katrorë gjelbërim” u shpreh kreu i PD.
Ai tha se të tria këto raste nxjerrin në pah natyrën tiranike të një regjimi banditesk, i cili nga njëra anë merr dhe rras në burg njerëzit sepse lyejnë shtëpinë pa leje apo vendosin tjegulla në çatinë që po u bie dhe nga ana tjetër pa leje dhe kundër ligjit ndërton mes parkut pa leje mjedisore, me leje të falsifikuar të Këshillit Kombëtar të Territorit. Pa leje dhe kundër ligjit ndërton bunker në mes të Tiranës.
“Së treti, vijoi Basha, çështja e komisioneve hetimore ku ndonëse u detyruan pas marrëveshjes të pranojnë dy komisionet tona hetimore, kanë bërë gjithçka për t’i sabotuar ato, për të shkurajuar hetimin parlamentar si një instrument të transparencës para qytetarëve shqiptarë: se si vjedh kjo qeveri, se si dhunon kjo qeveri ligjet dhe Kushtetutën, se kush merr paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe pse nuk vë para përgjegjësisë hajdutët në pushtet – duke e tërhequr mazhorancën nga kuorumi nga çdo komisioni hetimor sa herë që ka dëshmi që inkriminojnë Kryeministrin apo ministrat e kësaj qeverie. Dhe duke dhunuar edhe një kusht tjetër të marrëveshjes së 24 dhjetorit 2014, që është aprovimi i rregullave për funksionimin eficient të komisioneve hetimore dhe këtë po kërkojmë ne”.
Basha tha se PD po kërkon që komisionet hetimore të mos mund të bllokohen në mënyrë arbitrare nga mazhoranca.
“Kjo pra, është Shqipëria dy vite më vonë, nuk është asnjë hap përpara në raport me integrimin europian të vendit, është shumë hapa prapa, është në drejtim të një autokracie, një regjimi që shtyp dhe dhunon Kushtetutën, ligjin, të drejtat e qytetarëve.
Që shtyp dhe ushtron dhunë ndaj opozitës parlamentare në Parlament dhe jashtë Parlamentit dhe që përgatitet të prishë zgjedhjet e ardhshme parlamentare si e vetmja rrugë për të mbajtur pushtetin, me anë të të cilit po pasurohen pushtetarët e po varfërohen qytetarët.
Këto janë shqetësimet, të cilat kam patur rastin t’i diskutoj si në takimin kokë më kokë me komisionerin Hahn, por po kështu edhe në takimet me delegacionin dhe që do të ngrihen edhe në dy takimet nga përfaqësuesit tanë në Këshillin Kombëtar të Integrimit dhe në të ashtuquajturin dialog politik për pesë prioritetet.
Kam kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më parë dhe sot të Bashkimit Europian për të qëndruar fuqimisht për shtetin ligjor, për zbatimin e Kushtetutës, për implementimin pa asnjë ekuivok, pa asnjë negociatë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si parakusht i rikthimit të çdo premise për dialog politik” tha kreu i PD.
Sa i përket Reformës në Drejtësi, Basha tha se ka garantuar se pala më e interesuar për Reformën në Drejtësi është dhe mbetet opozita dhe që ata që i tremben Reformës në Drejtësi janë ata që duhet të japin llogari për miliona, miliarda euro zhvatje të qytetarëve shqiptarë dhe për lidhjet e tyre me krimin që janë bërë sot për fat të keq skandale famëkeqe jo vetëm në Shqipëri, por anembanë Europës. “Dihet që pushtetarët e Tiranës e kanë të pamundur ta kalojnë ditën pa u shtruar në dreka, darka dhe përfitime me Shullazët, me bandat, me Xibrakët dhe me figura të tjera të krimit, të cilat i konsiderojnë dhe i trajtojnë dhe në fakt janë bashkëqeverisësit e Shqipërisë sot” vijoi Basha.
“Dy vite më parë Parlamenti Europian u investua për të përfunduar një krizë parlamentare që nisi si rezultat i
1. Inkriminimit të Parlamentit, i dhunës në Parlament kundër deputetëve të opozitës nga persona me rekorde kriminale që Edi Rama kishte sjellë aty;
2. Për shkak të moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që është shenja kulmore e degradimit dhe e “vdekjes klinike” të shtetit ligjor;
3. Për shkak të mohimit të së drejtës kushtetuese, e vetmja e drejtë e opozitës për të mbikëqyrur qeverisjen që është ajo e komisioneve hetimore parlamentare, dhe;
4. Për shkak të shkeljes së konsensusit mbi çështje politike siç ishte ligji për nëpunësin civil dhe mosofrimit të mundësisë për konsensus për asnjë çështje të interesit kombëtar nga mazhoranca Rama-Meta.
Sot, dy vite më vonë Shqipëria gjendet në të njëjtën situatë sepse nga njëra anë ligji për dekriminalizimin, i cili u miratua vetëm pas një presioni në minutat e fundit dhe nuk arriti të shmangë kandidimin dhe instalimin e kryetarëve të bashkive me rekorde kriminale si në rastet e Krujës, Kavajës, Kurbinit, Tepelenës apo Këlcyrës përsëri ka mbetur peng i vullnetit politik të Edi Ramës” tha Basha për mediat.

Mazhoranca ka shpallur një gjendje rënie të Republikës

– Z. Basha, cili është qëndrimi i Bashkimit Europian?
Qëndrimin e Bashkimit Europian flet Bashkimi Europian. Qëndrimi i opozitës shqiptare që është po kaq europian, është se pa dekriminalizimin e politikës shqiptare, pa zbatimin jo vetëm në germë, por në shpirt të ligjit të dekriminalizimit, demokracia shqiptare është seriozisht e rrezikuar e bashkë me të edhe stabiliteti i Shqipërisë.

– Z. Basha, a ka bisedime mes palëve lidhur me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për rrjedhojë hyrjen tuaj në komisionet parlamentare?
Po, ne kemi qenë të hapur që në qoftë se ka ndonjë keqkuptim, se përse duhet zbatuar Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që t’i sqarojmë, ndonëse normalisht keqkuptime të tilla nuk ka dhe nuk mund të ketë. Kushtetuta nuk negociohet, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk negociohen, por zbatohen.
Lojërat e Edi Ramës me Kushtetutën nuk janë të reja. Dy vite më parë ata u detyruan nën presionin e Parlamentit Europian t’i jepnin fund lojës së moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore parlamentare. Tani një orë e më parë duhet t’i japin fund edhe kësaj loje. Por jo vetëm kaq, duhet që sistematikisht të parandalojmë çdo aspiranti për tiran që të luajë me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese në të ardhmen. Qoftë ky Kryeministri aktual, sado t’i ketë ditët në atë karrige dhe çdokush që do të jetë në të ardhmen.
Pra, në mënyrë absolute duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të dy deputetëve, të cilët kanë përfituar njëri 150 milionë lekë të KESH-it, tjetra 1/3 e hekurudhës shqiptare nga Ballshi deri në Vlorë. Po kështu, t’i pritet rruga njëherë e përgjithmonë çdo tentative të mazhorancës për t’i shkuar në mendje moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

– Në gjykimin tuaj 45 minutat që i kaluat kokë me kokë me komisionerin Hahn besoni që do t’u shërbejnë për rifillimin e dialogut për Reformën në Drejtësi?
Dialogun për Reformën në Drejtësi e ka ndaluar mazhoranca. Mazhoranca ka shpallur një gjendje rënie të Republikës, asgjësimit të shtetit ligjor. Pra, nuk është çështje dialogu, nuk është as çështje negociate as me Ëashingtonin, as me Brukselin. Kjo është një çështje “vdekje klinike” e shtetit ligjor në Shqipëri, është një dramë, e cila shpaloset ditë për ditë në çdo fshat e çdo qytet të Shqipërisë, ku nga njëra anë polici, inspektori, krimineli i bërë deputet apo drejtor, vetë Kryeministri i vendit apo ministrat shkelin dhe dhunojnë ligjin duke dhunuar qytetarët. Dhe nga ana tjetër po këta njerëz përfitojnë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën pasuri marramendëse, koncesione, tendera, emërime të paligjshme në dogana, në polici. Pra, kjo është një çështje e një aparteidi ku nga njëra anë qëndrojnë jo thjesht vetëm demokratët, por të gjithë qytetarët shqiptarë dhe nga ana tjetër një grusht njerëzish. Pra, është një oligarki “de facto” dhe kjo nuk mundet me asnjë negociatë, as me 45 minuta kokë më kokë as me komisionerin Hahn dhe as me këdo autoritet tjetër.
Por sot mendoj se komisioneri Hahn ka marrë një pasqyrë të plotë dhe të qartë të gjendjes. Sigurisht ai ka përgjegjësitë e tij para Unionit, para Bashkimit Europian, ka vizionin e tij për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët, për të cilën unë i jam jashtëzakonisht mirënjohës si kryetar i opozitës, si kryetar i alternativës që e do Shqipërinë në Europë.
Ndërsa roli im është që të përcaktoj qartë piketat ku PD kërkon të ecë në mënyrë që Shqipëria t’i afrohet dhe jo t’i largohet anëtarësimit në Europë. Dhe këto piketa janë zbatimi i ligjit, zbatimi i Kushtetutës, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe padyshim një Reformë në Drejtësi që krijon mekanizmat për të vënë para përgjegjësisë korrupsionin dhe të korruptuarit në nivele të larta.

– Pra, nuk bëhet fjalë për një dialog të ri, rikthim të dialogut për Reformën në Drejtësi. Pra, nuk keni asnjë lloj sinjali që mund të negociohet?
Kjo nuk është çështje sinjali dhe sinjalistike. Nuk ka gjë më elementare për një vend se Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nga ato fillon ligji, nga këto buron gjithçka tjetër. Ndaj zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i panegociueshëm dhe pa këto e vetmja gjë që zbulohet, del haptazi para çdokujt dhe para atyre që janë shumë të zënë me krizën në Ukrainë, në Siri apo për problemet e brendshme të Bashkimit Europian është fakti se në Tiranë është instaluar një regjim, i cili është gati të përdorë gjithçka për t’i ikur një llogaridhënie para një drejtësie të pavarur, është gati t’i vërë edhe shkelmin e fundit shtetit ligjor duke moszbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

– Z. Basha, kjo do të thotë që ditën e nesërme opozitën do ta shikojmë përsëri të protestojë sërish në Kuvend?
Vendimet e grupit parlamentar janë akoma në fuqi sepse asgjë nuk ka ndryshuar në raport me dhunimet flagrante të demokracisë dhe shtetit ligjor që janë burimi i çdo të keqe në Shqipëri, janë burimi i krizës ekonomike, janë burimi i eksodit të shqiptarëve, janë burimi i papunësisë dhe varfërisë.
E gjitha kjo vjen sepse Edi Rama i ka vënë tritolin shtetit ligjor, demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, drejtësisë së pavarur. Ne qëndrojmë pikërisht për këto vlera, Kushtetutën, zgjedhje të lira dhe të ndershme, drejtësi e pavarur dhe e pakapur për t’i vënë para përgjegjësisë politikanët dhe pushtetarët e korruptuar në Shqipëri.