24.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Një njësi speciale amerikane po vret krerët e terrorit të ISIS

Në Uashington do të mblidhen sot presidentët dhe kryeministrat e 51 vendeve të ndryshme, në “Nuclear Security Summit”. Zyrtarisht thuhet se, tema kryesore është parandalimi i përhapjes së armëve bërthamore në botë. Por tema dominuese me siguri që do të jetë luftimi i të ashtuquajturit “Shteti Islamik”.
Në SHBA po vazhdon fushata parazgjedhore për kandidatët e republikanëve dhe demokratëve për president të ardhshëm amerikan. Zgjedhjet do të mbahen nga fundi i vitit, por Presidenti Barack Obama do të dëshironte që deri në fund të mandatit të tij, të shkatërrojë pjesën më të madhe të “Shteti Islamik”. Ndaj është e sigurt, që pas sulmeve të fundit në Bruskel, kjo konferencë do të shfrytëzohet për dërgimin e një sinjali të fuqishëm për unitet në luftën kundër terrorizmit dhe terroristëve.

Sulmet po vazhdojnë prej javësh
Prej javësh po vazhdojnë sulmet amerikane kundër IS në Siri dhe Irak, bën të ditur revista “Spiegel”, duke shtuar se “krahas sulmeve ajrore dhe ndihmës së trupave irakiane dhe kurde në tokë, një rol të madh po luan edhe angazhimi i Njësive Speciale”. Ushtarët elitë të Ushtrisë amerikane angazhohen në të ashtuquajturat misione “Kill-or-Capture”, që do të thotë se obligimi i tyre është që të kapin apo të vrasin kuadrot e IS, me qëllim asgjësimin apo të paktën dobësimin e rrjetit terrorist. Në fillim të marsit, gazeta “New York Times” ka njoftuar për arrestimin e personave të rëndësishëm të IS në Erbil të Irakut. Gazeta shkruan se qëllimi i dërgimit të ushtarëve të Njësisë Speciale “Delta Force” është të dobësojë udhëheqësinë e IS. Ndërsa këto ditë është konfirmuar edhe vrasja e një prej krerëve të IS.

200 ushtarakë elitë kundër udhëheqësve të IS
Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni i kanë hedhur poshtë informacionet për angazhimin e Njësive Speciale. Por njëkohësisht janë theksuar sukseset e tyre, për shkak të kritikave të shtuara ndaj Presidentit Obama dhe strategjisë së qeverisë së tij në luftën kundër IS. Ministri i Mbrojtjes, Ashton Carter ka bërë të ditur së fundi se Njësitë Speciale do të “eliminojnë krerët e Kabinetit të IS” një nga një. Ndërsa më i kërkuari në këtë listë është Abu Bakr al-Baghdadi. Së fundi është vrarë i ashtuquajturi “ministër i Financave” i IS, Abdul al-Kaduli. Qëllimi fillestar ka qenë që Kaduli të arrestohet. Rrjeti CNN njofton se, pas  identifikimit të Kadulit dhe njëjsisë së tij në territoret e IS, kanë filluar aksionet për arrestimin. Por gjatë aksionit ai dhe luftëtarët e tij janë vrarë. Ndërkohë njoftohet se njësitë amerikane kanë kapur shumë pjesëtarë të tjerë të IS.
Mediat njoftojnë se Njësia Speciale numëron rreth 200 ushtarakë elitë dhe ata vijnë kryesisht nga Delta Force, një njësi komando, e cila prej 30 vjetësh me radhë angazhohet në aksionet kundër terrorizmit. Presidenti Obama dhe këshilltarët e tij janë të bindur në sukseset e njësisë, por mendojnë se aksionet duhet të jenë të kujdesshme. “Ne nuk mund të sulmojmë objektiva pa qenë të sigurt se kush është në shënjestër”, tha ai.

Kritikat ndaj strategjisë së Obamës
Kritikët e Obamës mendojnë se kombinimi i Njësive Speciale dhe sulmeve ajrore nuk mjafton për eliminimin e “Shtetit Islamik” Gati të gjithë kandidatët e republikanëve në fushatën parazgjedhore kanë paralajmëruar aksione shumë më të ashpra kundër IS. Disa prej tyre flasin madje për dërgimin e dhjetëra mijëra ushtarëve në luftë kundër IS. Republikanët John McCain dhe Lindsey Graham kanë kërkuar dërgimin e trupave tokësore amerikane, të cilët duhet të luftojnë së bashku me peshmergët dhe irakianët. SHBA ka aktualisht rreth 3000 ushtarë në Irak, por ata kryesisht kryejnë punën e këshilltarëve dhe koordinatorëve. Obama deri tani i mbetet besnik strategjisë së tij. Mendohet se këtë strategji do ta mbrojë edhe në samitin e ardhshëm.

Ban Ki Moon kërkon rishpërndarjen e 480 mijë emigrantëve nga Turqia

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon ka kërkuar që të gjithë shtetet e globit të luajnë rolin e tyre, për t’u bërë pjesë e një plani që ka si synim rishpërndarjen e 480.000 refugjatëve brenda tre viteve të ardhshme.

Ai tha se pret një përgjigje solidare nga krerët e shteteve për t’i dhënë përgjigjen e duhur qindra mijëra azil-kërkuesve që po largohen nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar luftës.

Sipas planit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, emigrantët duhet të zhvendosen nga Libani, Turqia dhe Jordania, pasi numri i refugjatëve që janë strehuar në këto tre vende i ka kaluar disa milionë.

Moon: Agjencia e OKB-së për refugjatët ka përllogaritur se të paktën 10% e emigrantëve sirianë kanë nevojë që të rishpërndahen në vende të sigurta. Për të qenë më konkretë, bëhet fjalë për 480.000 persona, shifër kjo relativisht e ulët po të shohim miliona azil-kërkues që po qëndrojnë aktualisht vetëm në Turqi, Liban dhe Jordani.

Ndërkohë, në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi, i cili theksoi se emigrantët nuk duhet thjesht që të rishpërndahen.

Ai bëri thirrje që atyre t’u rezervohet një pritje humane, duke iu dhënë mundësi për t’u ribashkuar me familjet e tyre, si dhe duke iu ofruar punësim ose shkollim. Sipas tij, në rast se ky plan do të zbatohet me sukses të gjithë do të dalin të fituar.

Icardi nuk i zë besë Torinos

Pas dy ditëve të lëna pushim nga ana e trajnerit të Interit, Roberto Mancini me rastin e festës së pashkëve, futbollistët zikaltër i janë rikthyer stërvitjes në qëndrën stërvitore Appiano Gentile, ku skuadra po përgatitet për takimin e fundjavës kundër Torinos. Është rikthyer nga dëmtimi dhe sulmuesi Mauro Icardi. Në një intervistë dhënë për mediat Italiane, sulmuesi shprehet se gara për një vend në Champions League është ende e hapur dhe se duhet bërë kujdes ndaj një kundërshtari sic është Torino.

“Gara është e hapur për një biletë në Champions League, ka ende shumë pikë në dispozicion. Në Itali duhet të kesh kujdes ndaj cdo skuadre, nuk duhet nënvlerësuar kudërshtari. Më kujtohet takimi i vitit të kaluar kundër Torinos, ku pësuam gol në minutat e fundit të ndeshjes nga një goditje këndi”.

Më tej sulmuesi argjentinas, i cili pritet ta nise ndeshjen e së Dielës si titullar vuri theksin tek forma e mirë që po kalojnë dyshja kroate Brozovic-Perisic, ku sipas sulmuesit, të dy lojtarët janë një plus i madh për ekipin.

Valencia, shkarkohet Neville

Gary Neville shkarkohet nga stoli i Valencias. Trajneri anglez është larguar nga drejtimi i skuadrës spanjolle 8 javë përpara fundit të sezonit për shkak të rezultateve të dobëta dhe në vendin e tij është emëruar Pako Ayestaran. Presidenti Peter Lim e kishte paralajmëruar largimin e 41-vjeçarit në fund të sezonit, por presioni i madh bëri që numri 1 i klubit të marrë një vendim që shkakton kaos në radhët e skuadrës që ndodhet vetëm 6 pikë larg zonës së ftohtë të klasifikimit. Me 16 ndeshje në stolin e skuadrës së Valencias, Neville grumbulloi vetëm 14 pikë dhe kontrata e tij skadonte në fund të sezonit pasi ai mori drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Nuno Espirito Santo në datën 29 Nëntor.

53-vjeçari Ayesteran nuk është një emër i panjohur për Valencian pasi gjatë periudhës 2001-2004 ai ka mbajtur detyrën e zv/trajnerit  me dy tituj të fituar në Spanjë dhe një Kupë UEFA. Të njëjtën detyrë ai e ka mbajtur edhe në klubin e Liverpoolit ku u shpall kampion Europe. Dy ndalesat e tij të fundit në pozicionin e trajnerit kanë qenë në Izrael me Maccabi Tel Aviv dhe në Meksikë me klubin e Santos Laguna. Ai do të jetë trajneri i 16 në 16 vitet e fundit te Valencia.

Trump: ISIS duhet fshirë nga faqja e dheut

Në debatin elektoral të organizuar nga CNN-i në shtetin e Uiskonsinit, ku javën e ardhshme zhvillohen zgjedhjet praparake, tre kandidatët e mbetur në garën e republikanëve për president, ishin të një mendimi për nevojën e mposhtjes së grupit Shteti Islamik, por ata nuk shprehën mbështetje për njëri-tjetrin lidhur me këtë çëshje.
“Ne duhet ta fshijmë ISIS-in nga faqja e globit me dhunë dhe me shpejtësi, se nuk kemi zgjedhje tjetër”, tha Donald Trump, që kryeson garën e republikanëve.
Senatori i Teksasit Ted Cruz, i cili deri tani është i dyti në radhë për nga numri i delegatëve të siguruar, tha se Shtetet e Bashkuara duhet që fillimisht të përdorin “forcë ajrore dërrmuese” pastaj të armatosin luftëtarët kurdë “që ata të luftojnë ISIS-in”. “Vendimi nëse duhen përdorur forcat speciale, apo ato tokësore amerikane, duhet marrë pas kësaj”, tha zoti Cruz. Senatori Cruz, kritikoi edhe Presidentin Obama, duke thënë se ai vetë nuk do t’i çonte trupat amerikane jashtë vendit sipas rregullave strikte luftarake që nuk garantojnë fitoren.
Administrata Obama ka patur përplasje si me qeverinë e Irakut, edhe atë të Afganistanit lidhur me kushtet e veprimit të trupave amerikane në këto vende.
Guvernatori i Ohajos, John Kasich, mbështeti idenë e një koalicioni për shkatërrimin e Shtetit Islamik, ku të kenë kontribut më të madh shtetet e Gjirit Persik. Ai tha se, fushata duhet të jetë ajrore dhe tokësore dhe pastaj trupat të kthehen në vend.
Kasich po ashtu kritikoi propozimin e zotit Cruz, që policia të patrullojë lagjet myslimane, në mënyrë që të çrrënjoset terrorizmi.
“Ne nuk mund t’i lejojmë vetes polarizimin e njerëzve në botën e civilizuar”, tha Kasich.  “Në të gjithë botën ka njerëz që e dinë se ky kërcënim duhet ndalur, duhet shkatërruar dhe ne duhet të bashkëpunojmë me vendet e tjera, sepse kur vdesin njerëz të pafajshëm, gra dhe fëmijë në shpërthime me bombë si në Pakistan gjatë shërbesës fetare të Pashkëve, vdes edhe një pjesë e jona”.
Zoti Trump tha se, Shtetet e Bashkuara po paguajnë shtrenjë për mbështetjen ndaj NATO-s, që ai e cilësoi “të vjetëruar” dhe se vende të tjera të Aleancës janë duke përfituar me të padrejtë prej saj.

Mesi synon golin e 500 në “El Clasico”

MSN apo BBC, kur na ndajnë vetëm pak ditë nga El Clasico i radhës mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, shifrat thonë MSN, me tredhëmbëshin sulmues të skuadrës blaugrana që është më i besueseshëm se ai i Los Blancos. Falë edhe tre yjeve të saj, Barca ka grumbulluar 10 pikë më shumë se Reali pas 30 javëve të para dhe kjo është një e dhënë që tregon për efikasitetin përpara portës të treshes, Mesi-Suarez-Neymar. 69 gola numëron tredhëmbëshi i Barcelonës në këtë sezon të La Ligas kundrejt 63 finalizimeve të treshes së përbërë nga Bale-Benzema dhe Ronaldo.
Gjithsesi për të fituar duelin e golave treshja sulmuese e Barcës ka zhvilluar 7 ndeshje më shumë se ajo e Los Blancos, pasi Mesi-Suarez dhe Neymar kanë luajtur në total 23 takime së bashku, ndërsa Bale-Benzema e Ronaldo vetëm 16 kjo natyrisht vjen si pasojë e dëmtimeve që kanë pësuar këta futbollistë në periudha të ndryshme. Tredhëmbëshi i Barcelonës fiton ndaj ai të Realit edhe përsa i përket golave të shënuar në El Clasico. Mesi-Suarez dhe Neymar, kur kanë qenë të tre së bashku në lojë e kanë dërguar në 12 raste topin në rrjetën e portës së Realit, ndërsa Bale-Benzema dhe Ronaldo vetëm 11 herë në atë të Barcelonës. Për të kuptuar që treshja e skuadrës katalanase është më e besueshme se ajo e asaj merengues mjafton të shikosh golat e realizuar krahasuar me goditjet në portë në këtë sezon të La Ligas.
Edhe pse numëron në total vetëm 322 goditje në kuadrat tredhëmbëshi i Barcës ka shënuar 69 gola, ndërkohë që ai i Realit pavarësisht se i ka goditur portat kundërshtare më shumë më ekzaktësisht në 333 raste ka realizuar vetëm 63 gola. Gjithsesi përqindjen më të lartë të shënimit e ka një madrilen dhe ai është Karim Benzema me 24,7, pas tij vinë Bale dhe Suarez me Cristiano Ronaldon që pozicionohet në vendin e fundit nga këta 6 lojtarë përsa i përket saktësisë përpara portës. MSN apo BBC të shohim se cili do të triumfojë këtë herë.
Lionel Mesi apo Diego Armando Maradona? Kjo pyetje do të mbizotërojë gjithmonë në kokën e të gjithëve, pasi 5-herë fituesi i Topit Artë me klasin, stilin dhe personalitetin që shfaq në fushën e lojës ngjason gjithnjë e më shumë me “El Pibe De Oro”. Në ndeshjen mes Argjentinës dhe Bolivisë, takim në të cilin shënoi golin numër 499 në karrierë, Lionel Mesi i mahniti të gjithë me lojën dhe driblimet e tij, si rast i minutës së 60-të, kur Leo dhuron spektakël me futbollistët kundërshtarë që edhe pse të shumtë në numër që nuk arrijnë ta frenojnë dot. Të shtunën luhet në “Camp Nou” El Clasico, dhe në një sfidë të tillë kaq të rëndësishme gjëja më kryesore për tifozët e Barcës dhe trajnerin Luis Enrique është që Mesi vjen në një formë fantastike dhe mbi të gjitha i motivuar për duelin ndaj Realit.
I intervistuar nga mediat në përfundim të sfidës mes Argjentinës dhe Bolivisë, 28-vjeçari la të kuptohej se vëmendja e tij tashmë e gjitha te El Clasico, takim në të cilin synon të realizojë edhe golin e tij të 500 në karrierë. Deri tani Mesi ka shënuar 449 gola me fanellën e Barcelonës dhe 50 me atë të Argjentinës. “Do të ishte diçka me të vërtetë shumë e bukur për mua ta arrija këtë shifër në një sfidë ndaj Realit sidomos nëse goli im do t’i jepte avantazhin skuadrës”, u shpreh 5-herë fituesi i Topit të Artë.

Revoltë ndaj Veliajt: Hiq nga Facebook-u foton e fëmijës tim! (Foto)

Një grua është revoltuar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për një foto që ka postuar në Facebook-un e tij disa ditë më parë të një fëmije.
Ina Kastrati, është nëna e fëmijës së mitur, fotografia  e të cilit është publikuar nga Veliaj në Facebook pa lejen e saj. Ajo ka kërkuar nga kryebashkiaku që të heqë fotografinë e fëmijës së saj të publikuar pa leje, por edhe pse kanë kaluar disa ditë, Veliaj ende nuk e ka fshirë fotografinë.

“Z. Erion. Ky është fëmija im. Nuk më keni marrë leje për ta publikuar foton e tij në mbrëmjen e ORA e Tokës, pa lejen time si prind. Ju lutem hiqeni sa më parë”, shkruan në Facebook-un e Veliajt nëna e vogëlushit.

Komisioneri Hahn-Ramës: Dekriminalizimi të bëhet sa më shpejt

Komisioneri europian për Zgjerimin, Johaness Hahn, deklaroi sot nga Tirana se Shqipëria e ka urgjente për dekriminalizimin.

“Duhet të jemi të qartë që legjislacioni duhet të zbatohet shpejt dhe në mënyrën e duhur”, tha Hahn. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Hahn e vuri theksin tek reforma nw drejtwsi si njw nevojw urgjente. Po ashtu, ai vuri në dukje, se nuk ka datë të përcaktuar për hapjen e negociatave për anëtarësim.

“Mund t’ju them vërtet që ishte një takim produktiv, shkëmbim idesh, jo vetëm me Kryeministrin por edhe me përfaqësuesit e opozitës dhe u bë një debat i gjallë dhe kështu duhet të jetë nw fakt,  të ketë diskutime duke përfshirë edhe shoqërinë civile, por në fund të jetë e qartë që wshtw e ardhmja evropiane e Shqipërisë, interesi kombëtar i këtij vendi, pasi bëhet fjalë për perspektivën europiane të vendit. Vend do të thotë qytetarët, brezi i ri dhe duhet t’u japim atyre një shans për të ardhmen.

Ka qënë e rëndësishme se cilat janë çështjet më urgjente dhe më lejoni të them që për momentin, kyç është reforma në drejtësi. Këtu na duhen shumë shpejt zbatime dhe kjo reformë krahasuar me ç’po ndodh në vende të tjera fqinje, është në një shkallë të paprecedentë. Pra, është e rëndësishme të ketë një vendim para se të fillojë zbatimi i saj.

Tahiri, “Griselda” e radhës

Nga Gent Strazimiri

Një tjetër “Griseld” i Partisë paska njoftuar masat punonjëse për suksesin e radhës: Gent Strazimiri paskësh dorëzuar armën me leje…duke mos qenë më “në paligjshmëri”…

Gent Strazimiri as ka qenë dhe as do jetë kurrë në paligjshmëri, sepse që në gen është e kundërta e “Mekes”…

Ende në këtë moment, Griseldi i radhës nuk ka sjellë njoftim tek Gent Strazimiri për dorëzim arme.

E ka çuar kudo, madje në çdo “mjero tv”, “mjero gazetë” online dhe offline por tek Gent Strazimiri ende jo.

Kjo është e vetmja PALIGJSHMËRI, ashtu sikurse është paligjshmëri, MEGASKANDAL, fakti që Ministri i Brendshëm vendos në shërbim të trafikantëve të drogës makinën e tij, kapet në flagrancë dhe përpiqet të justifikohet me “shitjen” e saj, duke pranuar që ka falsifikuar transaksionet në deklaratën e pasurisë…dhe për këto heshtin edhe Prokuroria edhe ILDKPKI…

Që Ministri i Brendshëm ka fshehur mandatin e arrestit ndërkombëtar për deputetin e tij vrasës, ka prishur provat për deputetin tjetër vrasës, duke detyruar edhe policët të luajnë “siçilianin” para gjykatës…

Që Ministri i Brendshëm pret në zyrë vrasësin e penduar e të paguar për të eleminuar deputetë, dhe arreston deputetin bashkë me vrasësin e penduar por jo paguesit…

Që Ministri i Brendshëm, është në atë detyrë me kontributin dhe votën e jo më pak se 19 deputetëve me rekorde kriminale, për trafiqe prostitutash, droge, vjedhje vilash e deri në vrasje…

Që çeta e “mekeve” dhe “nafijeve” që dot sundojnë Shqipërinë sërish, as nuk skuqet e as nuk zverdhet të ulet në krah të llumit të vendit!

Që komandanti i çetës së “mekeve” dhe “nafijeve”, sapo përcjell John Kerryn, niset menjëherë t’u bëjë qokën secilit prej kriminelëve që ambasadori i John Kerryt i ka përmendur me emra si “poshtërim për shqiptarët”…

Kjo është paligjshmëria, dhe përballë kësaj, Gent Strazimirin do ta kenë përballë sa të ketë frymë! Do ta kenë përballë këta dhe të gjithë mjerot, “çufot” dhe “bubat kaçurrel” që montojnë skenare, japin pretenca madje dhe vendime përfundimtare “në emër të popullit”…

Lirohen të gjithë protestuesit e parkut, Tahiri të japë dorëheqjen

Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë të gjithë protestuesit e arrestuar nga policia pas protestës tek parku i liqenit.  Gjykata ka hedhur poshtë vendimin e policisë së Tahirit duke dhënë masën e detyrim paraqitjes për protestuesit që u mbajtën për 48 orë në qelitë e Drejtorisë së Policisë. Ky vendim i Gjykatës provon se kemi të bëjmë me një vendim politik të policisë për arrestimin e protetsuesve. Rrëzimi I veprës penale duhet të imponojë edhe dorëheqjen e Tahirit si ministër i Brendshëm.