24.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Protestuesit u rrëmbyen nga njerëz me maska dhe u shoqëruan në polici

Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka akuzoi dje mënyrën shtazarake se si u arrestuan dhe u shoqëruan në polici protestuesit, ku mes tyre ndodhej edhe ish-deputeti demokrat, Ndriçim Babasi. “Ne kemi edhe pamjet filmike, se si janë rrëmbyer nga njerëz me maska, se nuk mund të jetë policia ajo që rrëmben qytetarët nëpër klube. Janë rrëmbyer dhe janë sjellë në polici mes tyre edhe ish-deputeti Babasi. Momentalisht janë në Drejtorinë e Policisë. Janë marrë në mënyrë shtazarake. Kreu i PD-së është këtu, jemi të paktën 10 deputetë, duam të dimë gjendjen e tyre shëndetësore. Me ç’të drejtë janë ndaluar, kur protesta është e drejtë e qytetarëve. Këtu duhet të ishte Edi Rama, Erion Veliaj. Na thonë prisni drejtorin, i cili është fshehur s’e di se ku. Nuk ka pse të presim drejtorin, duam të shohim të shoqëruarit, sipas ligjit. Jemi bllokuar, aty kanë nxjerrë forca speciale për të penguar deputetët. Duam t’i shohim sepse sipas informacioneve tona janë keqtrajtuar dhe ne kemi detyrën të interesohemi për ta. Ne do të hyjmë, përndryshe këtu do të mblidhet gjithë PD-ja dhe pastaj të hidhen përpjetë”, deklaroi Paloka. Më herët po në një deklaratë për mediat, Paloka tha se sot Shqipëria është para dëshmisë së një shteti inekzistent, të një shteti të padrejtësisë, i cili dënon, burgos, të pafajshëm që s’kanë të paguajnë energjinë elektrike, që duan të rregullojnë pullazin e shtëpisë, por ndërkohë vë me qindra forca policie në mbrojtje të atyre që po e shkelin ligjin hapur dhe përditë. “Duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët shqiptarë dhe këta policë që janë këtu, detyrimin e kanë përballë Kushtetutës dhe Kushtetuta u thotë qartazi se edhe policia, edhe polici më i thjeshtë dhe jo vetëm shefat e tyre duhet të zbatojnë ligjin dhe jo urdhrat e paligjshëm, përndryshe do të përgjigjen një më një, kokë më kokë për shkeljet e ligjit, atëherë kur ligji të vendoset”, tha ai. Paloka tha se ky është akti më skandaloz që tregon se si shteti shkel ligjin me vetëdije të plotë dhe dhunon qytetarët e tij. “Sot e them edhe një herë, jemi para faktit që tregon se këtu nuk ka shtet, ka një shtet të padrejtësisë, i cili dhunon qytetarët e tij në të gjitha format. Me një Kryeministër, i cili urdhëron dhunimin e qytetarëve të thjeshtë dhe mbron me shtet dhe me polici oligarkinë kriminale që po drejton sot këtë vend. Ky është vetëm një shembull, e dëgjuat të gjithë kryetarin e Bashkisë kur tha se, këtu nuk do të hidhet asnjë metër beton, nuk do të pritet asnjë pemë, shihni sot se ç’po ndodh. Është rrethuar dhe po mbrohet betoni i Edi Ramës. Ndërkohë, që Kryeministri i pari, kryetari i Bashkisë i dyti, duhej të ishin sot përpara Prokurorisë për këtë shkelje të rëndë. Askush nuk përgjigjet për shkeljen e ligjit, kur këtë e bën Edi Rama dhe Erion Veliaj, përkundrazi vihet represioni shtetëror kundër qytetarëve, të cilët kërkojnë të mbrojnë të drejtat e tyre”, tha Paloka. Ai rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të PD ndaj të drejtës së qytetarëve për të protestuar dhe për të kërkuar të drejtat e tyre. “Edhe një herë i them këtyre policëve, të cilët janë aty në mbrojtje të krimit dhe nuk janë në mbrojtje të ligjit, sot janë në mbrojtje të atyre që po shkelin ligjin dhe do të përgjigjen një më një ata që japin urdhër edhe këta vetë. Qytetarët kërkojnë të drejtën e tyre dhe nuk mund t’i ndalojë askush. Ne jemi këtu në mbështetje të shoqërisë civile, qytetarëve, që kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe absolutisht do të jemi në çdo rast, jo vetëm si deputetë të Partisë Demokratike, si opozitë, në mbështetje të çdo akti që mbron interesat e qytetarëve. Ata që dalin kundër interesave, të jeni të bindur që në mos sot nesër do të mbajnë përgjegjësi, një më një”, u shpreh kreu i Grupit parlamentar demokrat Paloka. Ai theksoi se protesta vazhdon të jetë e shoqërisë civile dhe PD do ta mbështesë. “Ne nuk kemi skenar. Ne nuk shesim çdo akt që ata e quajnë të arsyeshme dhe logjike, por e rëndësishme është që jemi në krahun e ligjit, ata që keni përballë janë në mbrojtje të shkeljes së ligjit”, tha ndër të tjera Paloka.

Tirana është e qytetarëve, jo e arrogancës së pushtetarëve

Gerti Bogdani

Projekti i Veliajt për parkun është tradhti ndaj qytetarëve dhe një shkelje e gjithanshme e ligjit sepse;
Nuk ka bërë asnjë konsultim publik ashtu si e parashikon ligji.
Nuk ka një projekt përfundimtar, por një projekt që ndryshon sipas rastit, kundër çdo parimi ligjor.
Nuk ka leje mjedisore e as studim mjedisor.
Gënjeu kur tha që s’do pritet asnjë pemë, sepse pemët u prenë.
Gënjeu kur tha s’do ketë beton, sepse 31 betoniera janë derdhur deri tani m’u në zemër të parkut.
Gënjeu për lokalin, sepse lokali ishte tenderuar dhe ishte i publikuar në faqen publike të tenderave.
Mashtron njerëzit dhe veten nëse mendon se shkarpat dhe fidanet 500 lekësh që mbjell poshtë e lart me 100 media nga mbrapa, do munden ta mbulojnë shkatërrimin me beton të mushkërisë së vetme të Tiranës.
Shkarpat dhe fidanet 500 lekësh as nuk i mbulojnë dot dhe as nuk i zëvendësojnë dot pemët 60-vjeçare dhe natyrën që po masakron!
Shkarpat dhe fidanet 500 lekësh nuk do mbulojnë dot as pallatet që do ndërtohen tek Garda e në anë të Universitetit. Sepse është pikërisht për t’i hapur rrugë pallateve brenda parkut, që ky i ashtuquajtur “kënd lojërash” kalë troje, po hedh beton në zemër të Parkut të Liqenit.
I bëjmë thirrje të përsëritur Prokurorisë, të veprojë për denoncimet e njëpasnjëshme që janë bërë për këtë çështje nga PD dhe nga qytetarët.
I bëjmë thirrje çdo institucioni përgjegjës që të mos bëhet palë në këtë mashtrim antiligjor dhe shkeje flagrante ligji nga të gjitha anët!
Rezistenca dhe beteja e qytetarëve të Tiranës për Parkun e tyre do të jetë edhe më e fortë dhe më e vendosur.
I bëjmë thirrje çdo qytetari të Tiranës të bashkohet në luftën ndaj kësaj padrejtësie, për fëmijët tanë, për veten tonë, për të ardhmen tonë!
Sa më shumë thellon paligjshmërinë e tij në Parkun e Liqenit, aq më shumë Erion Veliaj shton dhe dhunën ndaj qytetarëve të Tiranës që kanë dalë në mbrojtje të pasurisë së tyre.
Partia Demokratike e dënon ashpër dhunën brutale ndaj protestuesve dhe aktivistëve të Shoqërisë Civile, dy netë më parë, nga drejtuesit e policisë së Veliajt, dhe i siguron ata se do të mbajnë përgjegjësi për paligjshmërinë ku janë zhytur, për zbatimin e urdhrave politike të shefit të tyre, për mbrojtjen e betonit dhe jo të qytetarit!
Tirana është e qytetarëve, jo e arrogancës së pushtetarëve!

Basha: Nuk ndalemi, betejë për lirinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi dje se opozita nuk do të ndalet në betejën e saj për lirinë. Menjëherë pas arrestimeve të dhunshme të protestuesve nga policia dhe shoqërimi barbar i tyre në komisariat, Basha është nisur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Basha i kërkoi autoriteteve të Prokurorisë lirimin e menjëhershëm të protestuesve të pafajshëm, si dhe ish-deputetin demokrat, aktualisht kreun e Degës së PD nr. 5, Ndriçim Babasin.
“Ju informoj se sapo kam takuar dhe biseduar me miqtë dhe vëllezërit tanë duke filluar dhe përfshirë kryetarin e Degës nr. 5, Çim Babasin. Kam kërkuar nga autoritetet e Prokurorisë shqiptare të rivendosin ligjin, të vendosin para përgjegjësisë ligjore xhelatët, njerëzit që përlyen uniformën e shtetit, të cilët përlyen uniformën e ligjit, duke vepruar si banditë në mes të ditës në Tiranë dhe po kështu të japin drejtësinë e merituar për të gjithë ata që dhunuan protestuesit e pafajshëm në ditën e sotme dhe ju garantoj se do të vazhdojmë të luftojmë deri në përmbushjen e këtij kushti të drejtë. Kush mendon se me dhunë, frikë, me terror do ta ndalë një popull që të luftojë për vlerat e vërteta, për vlerat e lirisë dhe demokracisë, e ka gabim. Shqiptarët e kanë provuar një herë e do ta provojnë përsëri. Dita e madhe e pranverës së demokracisë po afron. Nuk e ndalon dot Edi Rama. Nuk e ndalon dot krimi. Nuk e ndalon dot oligarkia”, u shpreh Basha.
Basha falënderoi të gjithë protestuesit për mbështetjen dhe faktin që nuk shkurajohen nga dhuna shtazarake, por siç tha ai, “provojmë se jemi ne alternativë, jemi ne Europa, jemi ne e drejta, jemi ne ligji, jemi ne Kushtetuta, jemi ne ata që shqiptarët iu besojnë e do t’u besojnë së shpejti me votë të lirë për ta shporrur këtë regjim”.

Ai theksoi se ngjarja e djeshme provoi se regjimi i Edi Ramës është një regjim antikushtetues dhe antiligjor. “Është një regjim i krimit dhe i dhunës. Sot u provua se Partia Demokratike dhe opozita shqiptare, qytetarët shqiptarë janë në anën e ligjit, janë në anën e së drejtës, janë në anën e Kushtetutës dhe sot shteti ligjor, shteti i së drejtës jemi ne, krimi dhe regjimi oligarkik është përballë nesh. Me një përpjekje për t’iu kundërvënë një të drejte elementare, të drejtës së protestës, një përpjekje për t’i shërbyer antiligjit, duke përdorur dhunën e zhveshur dhe shtazarake, kundër grave dhe vajzave, të rinjve, të rejave dhe të moshuarave, sot regjimi i Edi Ramës mobilizoi efektivë të policisë në kundërshtim me ligjin, të armatosur deri në dhëmbë, pa shenjat e tyre të identifikimit, për të ushtruar dhunë mbi protestuesit, një pjesë e të cilëve ka përfunduar në spitalet e Tiranës”, tha Basha.
Kreu i PD paralajmëroi se ky regjim i ka orët e numëruara dhe se opozita bashkë me qytetarët do të rezistojnë derisa të fitojnë në betejën e tyre kundër krimit në pushtet. “Këta mendojnë se me anë të dhunës, me anë të frikës do të mund të instalojnë regjimin oligarkik në Shqipëri dhe të zhbëjnë ëndrrën demokratike 25-vjeçare të shqiptarëve. Këta mendojnë se me anë të dhunës dhe përndjekjes policore mund të vazhdojnë të mbushin xhepat e tyre me milionat që iu marrin shqiptarëve që rraskapiten nga mëngjesi deri në darkë, me vende pune që paguhen keq apo që kërkojnë prej muajsh e vitesh vende pune e nuk gjejnë, për të ushqyer fëmijët e tyre. Këta kujtojnë se do të detyrojnë shqiptarët të marrin rrugën e emigracionit, rrugën e eksodit nga dëshpërimi e në këtë mënyrë ta kthejnë Shqipërinë në kopshtin e sundimit të oligarkëve. Ne jemi sot këtu për t’i thënë që kjo nuk ka për të ndodhur, që oligarkia nuk ka për të triumfuar, se ne do të qëndrojmë, luftojmë dhe rezistojmë për shtetin ligjor, për demokracinë dhe ne së bashku me të gjithë qytetarët shqiptarë do të fitojmë”, u shpreh ai.
Basha tha se askush nuk do mund të pengojë dot të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe për të kërkuar të drejtat e tyre. “Ky regjim bandit i ka orët e numëruara. Ky regjim që tregoi sot fytyrën e tij të vërtetë, para Europës, para Amerikës dhe para qytetarëve shqiptarë, duhet ta dijë se po sot ka filluar numërimi mbrapsht për të.
Ne nuk ndalemi, ne nuk sprapsemi, ne do të qëndrojmë fort gjithmonë e më shumë të bashkuar në qëllimin tonë në mbrojtje të lirisë, në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve shqiptarë, në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të ligjit. Edhe sot këtu në këtë Drejtori të Policisë të Tiranës ne ishim ligji, ne ishim Kushtetuta dhe përballë kishim fytyrën antiligjore të regjimit të Edi Ramës, të njeriut që drekon e darkon me shullazët, të cilët bëjnë ligjit në komisariatet dhe drejtoritë e policisë, ndërkohë që qytetarët që ushtrojnë të drejtën e tyre legjitime për protestë grabiten në mes të ditës nga maskat dhe burgosen në mënyrë të paligjshme”, u shpreh kreu i PD.

Tiranitë kanë vetëm një fat, përmbysjen

Lulzim BASHA
Edi Rama konfirmoi se është personi mbrapa betonizimit të Tiranës, se ai i është rikthyer programit të betonizimit të Tiranës që nisi dhe e vazhdoi për 11 vite me radhë. Për këtë arsye ka emëruar një kukull në krye të Bashkisë, për të realizuar projektet e tij të betonizimit me anë të të cilit ka përfituar sipas mediave ndërkombëtare të paktën 200 milionë euro. Ai ka vendosur të kriminalizojë shtetin, të kriminalizojë Policinë e Shtetit, të ushtrojë dhunë ndaj qytetarëve, ndaj të rinjve, ndaj pleqve, ndaj grave, ndaj burrave, ndaj përfaqësuesve të opozitës, siç bëri sot me një përshkallëzim të qartë të situatës që nuk lë vend për mëdyshje. Kemi të bëjmë me një tirani, me një tirani që e shikon veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin. Kemi të bëjmë me një Kryeministër, i cili nuk kufizohet nga ligji dhe Kushtetuta siç e dikton Republika parlamentare, por e shikon veten mbi ligjin dhe Kushtetutën për të plotësuar interesat e tij, babëzinë që i ka errur sytë përmes betonizimit të Parkut të Liqenit, përmes shkeljes së Kushtetutës sa e sa herë me radhë dhe mbrojtjes së deputetëve së tij të korruptuar përmes goditjes dhe kërbaçit. Qytetarët burgosen se guxojnë të venë një tjegull pa leje në çatitë e tyre apo po të lyejnë fasadat pa leje, ndërkohë që ky guxon të futet në Parkun e Liqenit, ta rrëthojë, ta betonizojë, pa leje mjedisore, pa leje ndërtimi dhe me një leje të Këshillit Kombëtar të Territorit qartësisht në kushte falsifikimi, siç është denoncuar dhe botërisht në media. Faktet e dala në dritë janë tronditëse. Nuk bëhet fjalë për mijëra katrorë gjelbërim, e vetmja mushkëri e kryeqytetit, bëhet fjalë për rënien e shtetit ligjor, garancisë së vetme që qëndron mes dajakut arbitrar dhe arrestimit arbitrar të torturës, dhunimit të të drejtave të njeriut, vrasjes shtetërore dhe një shoqërie civile, europiane dhe demokratike. Qytetarët kanë pyetur prej dy muajsh pse po ndërtohet pa leje mjedisore, pse po ndërtohet pa leje ndërtimi, pse po dhunohet parku i tyre me një leje të falsifikuar të Këshillit Kombëtar të Territorit. Kanë dy muaj që qytetarët i bëjnë këto pyetje dhe nuk ka përgjigje. Nuk ka përgjigje, por ka dhunë. Dhuna nuk e ndalon një popull që ngrihet për këto vlera. Dhuna e përdorur sot ndaj opozitës është dëshmi se ky regjim është në grahmat e tij të fundit. Kriminalizimi i policisë, prania e njerëzve të policisë me armë në brez në kundërshtim me ligjin, prania e policëve pa shenjën identifikuese të tyre, urdhri për dhunë, urdhri për të penguar përmes dhunës shtazarake vendosjen e tendës së shoqërisë civile nga ky njeri që gjithë qytetarët e Tiranës e mbajnë mend sesi bllokoi bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tre muaj me tendat e tij me pseudokauzën e tij, dëshmon se shteti ka rënë. Kushtetuta dhunohet, ligji shkelet. Ndërtohet pa leje në mes të parkut dhe askush nuk jep llogari. Qytetari dhunohet, qytetari merret dhe plaset në burg për 30 mijë lekë të vjetra, ky nga babëzia do të vjedhë vetëm në park 700 milionë, miliona të tjera ka zhvatur sipas vetë statistikave të shtetit të tij vetëm vitin e kaluar. Unë i bëj thirrje Prokurorisë të mos heshtë, ka një muaj që janë bërë kallëzimet. Heshtja komprometon rëndë, heshtja tregon që nuk ka më asnjë shpresë për shtetin ligjor se është koha që qytetarët të marrin në dorë të drejtën e tyre. Unë i bëj thirrje mediave dhe gazetarëve të mos heshtin! I bëj thirrje pronarëve të mediave të mos ulin kokën nga presioni, as nga llokumi i pushtetit. Përgëzoj punën e gazetarëve sepse punojnë në kushte shumë të vështira, kushte të presionit të jashtëzakonshëm financiar e të drejtpërdrejtë mbi ta e ju them të kenë kurajo. Kjo është linja ku ndahet historia e Shqipërisë. Do të vazhdojë të jetë një demokraci parlamentare që aspiron për një shoqëri të lirë e stilit perëndimor apo do të bjerë demokracia, do të bien edhe një herë të drejtat e njeriut, liritë themelore të individit për të cilat kemi luftuar e sakrifikuar, për të cilat kemi ndenjur 45 vite nën terrorin komunist e të cilat do t’i sakrifikojë sot Edi Rama për veten e tij dhe për hesap të oligarkisë që ushqen me milionat që ka fshehur në bankat “off shore” dhe pasuritë e tij. Pak momente më parë me një stil banditesk të panjohur, policë me maska kanë rrëmbyer kryetarin e Partisë Demokratike të Degës 5 Tiranë, Ndriçim Babasi në mes të një lokali në kryeqytet. I bëj thirrje çdo qytetari të na bashkohet sot në një protestë jo për një njeri, as për një parti, por për ndryshimin e madh midis një regjimi që shkel dhe dhunon qytetarët, që iu merr bukën e gojës, që iu prish vendin e punës, ndërkohë që vetë pasurohet dhe një Shqipërie siç e duam ku ligji është mbi këdo, edhe mbi Kryeministrin, edhe mbi policinë, ku të gjithë jemi të barabartë para ligjit. Kjo qeveri është mbi ligjin e jashtë ligjit. Kjo qeverisje e sheh veten mbi Kushtetutën e mbi ligjin. Qeverisja mbi Kushtutën e mbi ligjin është tirani. Tiranitë kanë vetëm një fat, ato përmbysen.

Pogba 100 milionë

Paul Pogba për Juventusin vlen më shumë se 100 milionë euro, dhe të gjitha skuadrat e interesuara për të nëse dëshirojnë të firmosin me mesfushorin francez, duhet të përgatisin një ofertë më të lartë, pasi vetëm kështu mund të bindin klubin bardhezi të lejojë largimin e lojtarit. Mediat italiane kanë zbuluar një prapaskenë me të vërtetë interesante përsa i përket të ardhmes së futbollistit 23-vjeçar. Verën e kaluar, Chelsea u vendosi në pjatë kampionëve të Italisë mbi 90 milionë euro për kartonin e Pogba, por drejtuesit e Juventusit e refuzuan ofertën që kapte shifrën e 95 milionë eurove, duke vendosur ta mbajnë në skuadër mesfushorin francez.
Jose Mourinho, në atë periudhë nën drejtimin e Bluve të Londrës, e dëshironte me çdo kusht lojtarin në “Stamford  Bridge”, por drejtuesit e Chelsea-it nuk arritën dot ta vendosnin në dispozicion të portugezit 23-vjeçarin. Një sinjal mëse i qartë ky nga Zonja e Vjetër me Juventusin që kërkon mbi 100 milionë euro për Paul Pogba. Mbetet për t’u parë nëse drejtuesit bardhezi do ta mbajnë në skuadër lojtarin e përfaqësues së Gjelave edhe gjatë sezonit të ardhshëm apo do të dorëzohen ndaj ndonjë oferte më të lartë se 95 milionë euro që mund të vijë në drejtim të tyre për shërbimet e lojtarit. Paul Pogba pëlqehet nga disa prej klubeve më të mëdha të Europës, ku spikasin Reali i Madridit, Barcelona, Manchester City dhe Chelsea.
Në fund do të bëhet. Massimiliano Alegri do të rinovojë shpejt kontratën e tij me Juventusin edhe për dy sezone të tjera, (deri në 2018 me opsion për 2019, me një pagë prej 5 milionë eurosh në vit, më e larta kjo për Serinë A), dhe po mendon që tani për skuadrën e sezonit tjetër. Bashkë me firmën në kontratë do të përcaktohet dhe e ardhmja e afërt e Juventusit, pasi trajneri dhe klubi janë dakord se skuadra duhet përforcuar, mbi të gjitha për të synuar më shumë në Europë.
Në ditët e para të javës së ardhshme, Marotta dhe Alegri do të takohen për të diskutuar mbi të gjitha për merkaton. Tekniku ka një kërkesë mbi gjithë për të tjerat, një trekuartist, atë lojtar cilësor që i shërben Zonjës së Vjetër për të bërë hapin cilësor në Champions. Për momentin mungon, pasi Hernanes nuk ka bindur në atë rol. Emri më i kuotuar është ai i Henrikh Mkhitarian, fantazistit armen 27-vjeçar të Borusias së Dortmundit. Kontrata e tij skadon në 2017 dhe agjenti i tij është Mino Raiola, madje së fundmi ka shfaqur edhe pëlqimin e tij për Juventusin. Çmimi fillon nga 28 milionë euro e sipër.
Dy emrat e tjerë janë dy lojtarë që po hasin vështirësi në La Liga dhe Premier Legue. Isco, 23- vjeçari spanjoll që ka prishur raportin me Zidane dhe Realin e Madridit, kontrata i skadon në 2018, kushton mbi 30 milionë euro, ndërsa klauzola e tij është plot 150 milionë, si dhe Oscar, braziliani 24-vjeçar i Chelseat që është pranë divorcit me blutë për shkak të raportit të keq me Hiddink, edhe pse kontrata i skadon në 2019 dhe ashtu si dhe Isco nuk mund të blihet për më pak se 30 milionë euro.

Shqipëria kryeson listën e azilkërkuesve në Holandë, lë pas sirianët

Shqiptarët që pretendojnë azilin në Holandë, tashmë kryesojnë listën e azilkërkuesve në këtë shtet, duke zhvendosur të dytët edhe të ardhurit nga zona të konflitkit si sirianët. Mediat holandeze e kanë komentuar me habi fluksin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë në këtë vend. Edhe pse shifrat zyrtare nuk qarkullojnë ende, vetë Ministria për Drejtësi dhe siguri, ka konfirmuar se shqiptarët janë të parët për kërkesa azili. Numri i kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë, ka mbetur në rritje që nga vera. Në 2014, figuronin një numër i pakonsiderueshëm i shqiptarëve azilkërkues, në 2015 numri arriti në 1010 kërkesa, ndërkohë që në muajt e parë të këtij, e sidomos në mars, kërkesat për azil, kaluan çdo pritshmëri. Ajo që vihet re, është se të ardhurit me shtetësi shqiptare kërkojnë azil, kryesisht për arsye ekonomike. Muajt e fundit, rritje e ndjeshme e numrit të azilkërkuesve shqiptarë është evidentuar edhe në Gjermani. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian ka shënuar një rritje të frikshme në vitin 2015. Sipas Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë. Këtu janë të përfshirë vetëm individët që janë regjistruar si azil kërkues në vendet e BE-së, ndërsa numri total i të larguarve (jo vetëm në BE, por dhe në SHBA) është vështirë të matet, por gjithsesi ai është më i lartë se 66 mijë. Në pjesën më të madhe janë të rinjtë ata që po ikin. Sipas të dhënave të detajuara të Eurostat, po për vitin 2014 (për 2015 nuk janë publikuar akoma), për Shqipërinë, grupmosha nga 18 deri në 34 vjeç përbënte gati 45% të totalit të azilkërkuesve për Shqipërinë. Shqipëria e ka shumë të lartë dhe përqindjen e fëmijëve që ikin me prindërit e tyre, teksa grupmosha 0-13 vjeç zinte 26% të totalit të azilkërkuesve. Rritja e numrit të të ikurve në 2015-ën pritet të japë ndikim të ndjeshëm në ekonomi, duke u bërë jo vetëm një element për uljen e potencialit të rritjes ekonomike të vendit dhe konsumit, por dhe një mungese direkte në ofertën e krahut të punës në Shqipëri. Bizneset, në fakt kanë filluar të ndjejnë pasojat e largimit të fuqisë punëtore, që në një pjesë të konsiderueshme ka qenë e kualifikuar.

Si u shtrembërua skema e kompensimit të TVSH-së prej 20% në bujqësi

Skemat e subvencionit në bujqësi të orientuara në mbulimin e kostos dhe jo në rritjen e zinxhirit të vlerës, i kanë nxjerrë nga shinat fondet publike që shkojnë në mbështetje të Bujqësisë. Të papërfshira në monitorim dhe pa marrë në konsideratë elementë të eficiencës subvencionet për bujqësinë, në vend që të rrisin produktivitetin në sektor, po shkojnë si fonde të falura për mbulimin e kostos. Kjo praktikë tashmë e dështuar edhe në Bashkimin Europian nuk i shkon më për shtat nevojave të zhvillimit të bujqësisë shqiptare. Ish-zv/ministri i Bujqësisë, Alban Zusi, thotë se subvencioni duhet të orientohet nga rritja e vlerës. Fondet nuk duhet të falen, sipas skemës aktuale, por të kthehen në investime dhe përfituesit pas një periudhe 5-vjeçare të japin “llogari” se sa këto fonde i janë kthyer mbrapsht shtetit përmes pagimit të taksave, apo sa ato kanë ndikuar në punësimin dhe shtimin e të ardhurave. Për të realizuar këtë, Ministria e Bujqësisë duhet të ngrejë një sistem monitorimi për subvencionet dhe të vërë disa kushte. Psh, duhet të financohet një aktivitet që ka mundësi të shlyejë subvencionin në pesë vitet e para nëpërmjet taksave. Përfshirja në proces monitorimi i elementëve të eficencës mund të bëjë më të dobishme skemën sugjeron Zusi. Ismail Beka, nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), i cili ka koordinuar edhe fondet e IPA për subvencionet në bujqësi, mendon se skema aktuale e trajton bujqësinë si biznes dhe jo si nxitje e prodhimit. Skema e kompensimit në pikat e grumbullimit po rezulton spekulative thotë Beka, ku përfituesit më të mëdhenj janë bizneset që merren me bujqësinë dhe jo prodhimin në ferma. Po krijohet ideja e bujqësisë së industrializuar, ndërkohë që bujqësia shqiptare është e bazuar te fermat shumë të vogla, thotë Beka, një ekspert i njohur i bujqësisë. Shpeshherë përdoret argumenti: ne do të mbështesim bujqësinë e tregut dhe jo bujqësinë sociale. Por nuk ka një instrument tjetër se kush do ta mbështesë bujqësinë e vogël, tha Beka. Ilir Mile, zv/presidenti i Shoqatës së Fermerëve “Rrupaj”, pohoi se skema e subvencionit nuk po funksionon. Përgjithësisht, tarifat e korrupsionit për të përfituar nga skemat mbështetëse kanë qenë të larta dhe zënë deri në 30% të vlerës së grantit – pohojnë fermerët në zonat e Lushnjës.

Si u deformua skema e kompensimit të TVSH-së
Në kuadër të Paketës së Bujqësisë është parashikuar si një ndër masat më të rëndësishme njohja e TVSH-së të produkteve bujqësore 20% (në rritje nga 6% që ishte më parë) për grumbulluesit, përpunuesit dhe tregtuesit. Kjo masë, përveçse e bazuar, ishte e imponuar për shkak se produktet bujqësore vendase efektivisht ishin të përjashtuara nga tregtimi formal në vend, krahasimisht me ato të importit, pasi në tregun formal dilnin me një kosto shtesë prej 14% krahasimisht me ato të importit, sepse TVSH e rimbursueshme iu njihej vetëm 6%. Por në një korrespodencë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Financave gjatë vitit që shkoi del në pah se, zbatimi i kësaj mase në terren duhej shoqëruar me një proçes monitorimi të vazhdueshëm për të mbrojtur skemën nga abuzivizmi me fatura të fryra apo transferimi i kostove të formalizimit tek fermeri fundor. Ministria e Bujqësisë në një letër dërguar Ministrisë së Financave lajmëron se, eksportuesit po abuzojnë në masë, pasi do iu kreditohet TVSH e autofaturuar, tashmë në masën prej 20%, pra iu lind e drejta dhe kanë kërkuar që t’iu rimbursohet nga organi tatimor. Vlera totale e këtij pretendimi është disa miliona euro. Ministria e Bujqësisë vë në dukje se në paketën e Bujqësisë për 2016 nuk kishin parashikuar rimbursim të TVSH-së për produktet e eksportuara, pasi këto produkte janë të përjashtuara nga TVSH-ja në shitje dhe rrjedhimisht nuk paraqesin problematikën që kanë produktet shqiptare për t’u tregtuar brenda vendit në tregje formale. Por, Ministria e Financave nuk e ka pranuar këtë propozim me argumentin se “e drejta e rimbursimit të TVSH në eksport është parim i pandryshueshëm i funksionimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, për këtë arsye nuk shprehemi dakort me propozimin”. Në propozimin e Ministrisë së Bujqësisë thuhej se, masa e njohjes së TVSH së autofaturuar në 20% kishte të vetmin qëllim që të hiqte barrierat për shitjet e produkteve bujqësore brenda vendit. Eksporti i produkteve bujqësore, në rastin konkret fruta perime, po ndodh suksesshëm jashtë dhe pavarësisht këtij rimbursimi, që në fakt është subvencion, dhe është tashmë një trend i konsoliduar e në rritje i filluar 5–6 vite më parë. Ministria e Bujqësisë ka sqaruar se rimbursimi i TVSH së autofaturuar nuk është kryer as më parë dhe as nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e kërkesave të eksportuesve (pra, plan biznesi i tyre nuk bazohej në asnjë pritshmëri për këtë rimbursim). Dikasteri i i Bujqësisë nuk ka vënë në diskutim nëse duhet apo jo të rimbursohet TVSH për eksportet, por çështja në diskutim është pikërisht për TVSH virtuale të ashtuquajtur të “autofaturuar”, që në fakt është e dhuruar nga qeveria për të hapur tregun vendas për fermerët shqiptarë!

Shembulli, subvencioni si nxitje për tregun vendas
1 kg domate, shitet nga fermeri 50 lekë. Kostoja e prodhimit për fermerin është 25 lekë, nga e cila vlera e inputeve është 15 lekë, kurse pjesa tjetër shërbime dhe punëtori pra TVSH e mbledhur del 20% e 15 lekë = 3 lekë, ndërsa tregtari blen me vlerën 50 lekë dhe e kontabilizon me vlerën 60 lekë, nga të cilat 10 lekë llogaritet TVSH 20% e vlerës së plotë prej 50 lekë kg i domates. Në rastet kur produkti shitet brenda vendit diferenca prej 7 lekësh e TVSH reale me atë të autofaturuar do të duhej të paguhej nga fermeri. Pikërisht këtu qëndron mbështetja e masës së ndërmarrë që në kushtet e informalitetit të plotë, qeveria heq dorë nga mbledhja e kësaj TVSH për të realizuar tre objektiva të rëndësishëm: hapjen e tregut vendas (supermarkete, tendera publik, industri përpunuese etj.) për prodhimin e fermerëve, heqjen e barrierave për formalizim (tashmë tregtari paguan vetëm tatim mbi vlerën e shtuar prej tij e jo edhe mbi vlerën e krijuar nga fermeri), mbledhjen e TVSH dhe detyrimeve të tjera në segmentin “qendër grumbullimi–konsumator vendas”.

Shembulli, subvencioni si spekulim me eksportin
Krejt ndryshe sillet kjo skemë në rastin e eksporteve, ku kemi të bëjmë me një treg 100% formal. Mbi bazën e interpretimit të Ministrisë së Financave, sipas shembullit të mësipërm eksportuesit duhet t’i rimbursohet 10 lekë TVSH, kur në fakt nga proçesi i prodhimit realisht janë paguar vetëm 3 lekë TVSH! Kjo qasje (e rimbursimit të 10 lekëve kur për prodhimin janë kredituar/paguar vetëm 3 lekë TVSH) është e panevojshme, e paarsyeshme, deformuese për tregun, në kundërshtim me marrëveshjet e tregtisë së lirë, tepër rënduese për buxhetin e shtetit, sqaron Ministria e Bujqësisë në shkresën dërguar Ministrisë së Financave.
Interpretimi se duhet rimbursuar TVSH e autofaturuar për eksportet, përveçse një deformim i pastër i parimeve është një gur i madh pengues dhe frenues për formalizimin e prodhimit bujqësor, argumenton Ministria e Bujqësisë. Pas analizës, Ministria e Bujqësisë vlerësoi se është e domosdoshme që ekspertët e Ministrisë së Financave të realizojnë ndërhyrjet e nevojshme për të eliminuar pagesat e padrejta që buxheti i shtetit jep në këtë formë.

Qeveria e dyzuar
Abuzimet në pikat e grumbullimit, duke faturuar vlera më të larta te fermerët për të përfituar nga kompensimi i fondeve qeveritare e kanë dyzuar Ministrinë e Financave për të mbajtur apo jo të njëjtën skemë edhe për vitet në vijim. Në momentet e fundit, pasi është hartuar Paketa Fiskale 2016, qeveria ka hequr dorë nga një nismë për reduktimin e kompensimit të TVSH nga 20 në 6%. Vendimi për të mbajtur ende skemën ka qenë i minutës së fundit, saqë qeveria nuk ka arritur të korrigjojë relacionin që ka shoqëruar buxhetin 2016 në Kuvend, ku propozohej që kompensimi i TVSH të ulej në nivelin 6%. Zv/ministrja e Financave, Irena Beqiraj, ka pranuar se skema aktuale ka pasur elementë spekulimi, por sipas saj nuk ka një zgjidhje më të mirë se kjo për të gjeneruar tregje të reja për prodhimet bujqësore. Financimi i drejtpërdrejtë i fermerit, pa i garantuar atij një treg, nuk krijon zhvillimin e qëndrueshëm të zinxhirit bujqësor, shpjegoi Beqiraj. Zv/ministrja pohoi se, qeveria ka qenë në dilemë që të mbajë skemën e kompensimit të TVSH-së në mënyrën se si është, por pas shumë debatesh është lënë në fuqi varianti aktual, pasi me gjithë spekulimet që mund të ketë, është e vetmja që krijon një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.
Skema
Qysh me ardhjen në pushtet, të majtët rikonceptuan politikat për bujqësinë, në themel të të cilave është përfshirja e sektorit në sistemin fiskal, duke kushtëzuar edhe subvencionet vetëm kundrejt pagesave me faturë. Kështu politika e subvencionit ndryshoi kryekëput, duke kaluar nga mbështetja me fonde e prodhimit në subvencionimin e çmimit në momentin e shitjes së prodhimeve në pikat e grumbullimit. Por duke qenë se kjo lloj skeme u manipulua për një vit, Ministria e Financave vendosi të kreditojë TVSH për tregtarët që kryejnë blerje te fermerët, nëse këto i kishin kryer blerjet nëpërmjet bankave. Me këtë skemë, tregtarët autofaturojnë çmimin e blerjes plus 20% TVSH, e cila u është paguar fermerëve shtesë mbi çmimin. Këtë vlerë, tregtarët më pas e marrin nga buxheti i shtetit kundrejt paraqitjes së faturave. Por duket se kjo skemë e komplikuar për fermerët dhe e pakonsultuar paraprakisht nuk ka ngjitur. Pasi sektori punon gjerësisht në cash, bankat nuk kanë degë në zonat rurale dhe për më tepër kultura financiare e fermerëve shqiptarë nuk është në atë pikë sa të aplikojë pagesën me bankë, bie fjala për 5 arka domate. Ilir Mile, zv/presidenti i Shoqatës së Fermerëve “Rrupaj”, pohoi se skema e subvencionit nuk po funksionon. Realiteti tregon se, fondet me pikatore të hallakatura në më shumë se 20 skema duket se e vështirësojnë zbritjen e fondeve nga donatorët në terren, atje poshtë te bujqit.

Barra e taksave më e larta në Tiranë, punojnë gati 4 muaj për shtetin

Dje ishte dita e lirisë fiskale, raporton “Al-Tax”. Nga raporti midis detyrimeve tatimore të paguara në vitin 2015 me prodhimin e brendshëm të qarkut të vitit 2015, barra tatimore më e ulët është në Qarkun e Beratit me një tregues të barrës në nivelin 12,4%. Në vend të dytë është Qarku i Fierit me treguesin e barrës në nivelin 15,9%. Në vend të tretë është Qarku i Shkodrës me treguesin e barrës në nivelin 19,2%. Në këto qarqe edhe pse nuk ka patur politika tatimore specifike, shihet se administrimi i tatimeve nevojitet të mbajë një vëmendje të veçantë, duke marrë në analizë si elemntët e bazës për secilin nga tatimet, por edhe cilësinë e vlerësimeve tatimore dhe nivelin e kontrollit ndaj evazionit tatimor. Barra tatimore më e lartë është në Qarkun e Tiranës me 27,4%. Pas këtij qarku barrën më të lartë e mban Qarku i Elbasanit me 27,3% dhe më pas Qarku i Durrësit me nivelin e barrës tatimore në 27,2%. Ndërsa, qarqet e Gjirokastrës, Dibrës dhe Korçës mbajnë një barrë tatimore që lëviz me 0,1 pikë për qind midis njëri-tjetrit. Nga llogaritja e ditëve që konsumohen për të paguar barrën tatimore, rezulton se në varësi të nivelit të saj ndaj PBB-së, Dita e Lirisë Fiskale në 2016 në Ballkan vjen më shpejt në Kosovë dhe më vonë në Greqi. Dita e Lirisë Fiskale, ashtu si edhe në Ballkan edhe në Shqipëri është indeksi i lehtësimit të individit dhe biznesit nga barra e tatimeve dhe taksave. Dita e Lirisë Fiskale për vitin 2016 ishte dje në ditën e 28-të të muajit mars. Kjo datë na tregon ne shqiptarëve se na duhet të punojnë për buxhetin e shtetit të tyre deri afër fundit të dhjetëditëshit të tretë të muajit të tretë të vitit. Pas kësaj periudhe, puna dhe fitimet i përkasin individëve dhe pronarëve të biznesit, pasi konsiderohet se llogaritë e detyrimeve me buxhetin janë mbyllur pas afër tre muaj pune që janë konsumuar për t’i derdhur për shtetin si kontribut i produktit prej punës apo kapitalit. Liria Fiskale vjen fillimisht në Qarkun e Beratit. Banorët e kësaj zone e festojnë këtë ditë në mes të shkurtit 2016. Pas tyre janë banorët e Qarkut të Fierit, të cilët e festojnë Ditën e Lirisë Fiskale në fundin e muajit shkurt 2016. Banorët e Qarkut të Tiranës janë të fundit që mbyllin periudhën 4-mujore të festimit të lirisë fiskale. Data që u përket për ta festuar është 9 prill 2016, sipas “Al-Tax”.

Trump: Europa nuk është më një vend i sigurtë

Kandidati republikan në garën presidenciale, Donald Trump, është shprehur se Europa nuk është më një vend i sigurt.

Miliarderi i cili është karakterizuar nga deklaratat e tij kontroverse, theksoi se fajtorët kryesore për gjendjen në të cilën janë autoritetet ligjzbatuese të cilat sipas tij, nuk e kanë bërë sic duhet punën e tyre.
Ky prononcim i tij vjen vetëm pak ditë pas sulmeve që tronditën Brukselin dhe mbarë Europën për të dytën herë brenda pesë muajve.

Më tej, Trump ka hedhur sërisht akuza ndaj besimtarëve myslimanë që jetojnë në Europë.

Ai tha se qytetarët të cilët i përkasin këtij besimi po ndihmojnë terroristët dhe se nuk po bashkëpunojnë me autoritetet europiane për të bërë të mundur kapjen e ekstremistëve që janë pjesë e organizatave terroriste.

Një deklaratë e tillë nuk është pritur mirë nga opinioni vendas por edhe ai botëror. Donlad Trump është zotuar se në rast se do të jetë ai Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, do të bllokojë hyrjen e besimtarëve myslimanë në vend si dhe do të deportojë një pjesë prej tyre.

Një deklaratë e ngjashme me atë të Trump, ndonëse me një ton më të zbutur ka ardhur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry. Zyrtari i Washingtonit ka kërkuar që qytetarët amerikanë që jetojnë ose ndodhen përkohësisht në Europë, të shmangin vendet ku grumbullohen një numër i madh njerëzit, pasi sipas tij, nuk mund t’a dish asnjëherë se kush mund të ndodhet në brendësi të turmës. Në këtë mënyrë, edhe sekretari amerikan i Shtetit konfirmon se Shtëpia e Bardhë ka dyshime mbi ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në kontinentin e vjetër.

Belgjikë, terroristi me kapele ende në kërkim, lirohet Faycal Cheffou

Lirohet i arrestuari nga autoritetet belge, Faycal Cheffou, i akuzuar për përfshirje në sulmet terroriste të Brukselit.

Cheffou, të cilin mediat belge e lidhën identiktin e tij me njeriun me kapele dhe pardesy të bardhë, që shfaqej në aeroport përkrah dy terroristëve të tjerë që hodhën veten në erë në aeroport, u la i lirë për mungesë provash në ngarkim të tij.

Ndërkohë policia ka publikuar pamje të reja të filmuara nga rrjeti televiziv CCTV në përpjekje për të identifikuar të dyshuarin e  tretë në sulmet me bomba së martës së kaluar në aeroportin e Brukselit.

Sulmet në aeroportin “Zaventem” në Bruksel dhe stacionin e metrosë  vranë  35 persona dhe plagosën më shumë se 300 të tjerë.

Përgjegjësinë për sulmet terroriste e morën menjëherë pas ngjarjes militantët e të ashtëquajturit Shteti Islamik.