Nuk është çdo gjë e përfunduar për transferimin e Mats Hummels te Bayerni i Mynihut verën e ardhshme. Gjatë ditëve të fundit në media është folur shumë për arritjen e marrëveshjes mes Borussias dhe bavarezëve për kalimin e mbrojtësit të kombëtares gjermane në “Allianz Arena”, por ka qenë vetëm futbollisti 27-vjeçar ai që ka hedhur poshtë këto zëra.
Në një intervistë për mediat Hummels është shprehur: “Nuk është e thënë që unë të largohem, çdo gjë është akoma e mundur, pasi nuk kam vendosur ende për asgjë. Ajo komunikatë e dalë në media ka dhënë një ndjesi të gabuar dhe nuk e di përse është bërë”. Ishin këto fjalët e mbrojtësit 27-vjeçar, i cili la gjithçka të hapur përsa i përket të ardhmes së tij. Për të lënë të lirë Mats Hummels-in, shefi ekzekutiv i Borussias së Dortmundit, Hans Joachim Watzke theksoi se drejtuesit e Bayernit duhet të paguajnë klauzolën e largimit të lojtarit që kap shifrën e 38 milionë Eurove nëse dëshirojnë të bëjnë të tyrin shtatlartin e prapavijës.
Nuk kam vendosur asgjë për të ardhmen
Copa Libertadores, eliminohen River Plate dhe Corinthians

Skuadra e River Plate eliminohet nga Copa Libertadores. Kampionët në fuqi të kompeticionit edhe pse fituan 1-0 në stadiumin Monumental me gol të Lucas Alario në minutën e 79-të mund të vijojnë më tej, sepse në Indipiendente Del Valle kishte fituar 2-0 në sfidën e vajtjes dhe kualifikohet në çerekfinale. Për ekipin ekuadorian kjo ishte një arritje historike në një turne ku garojnë ekipet me të mira të Amerikës Latine.
Fatin e River Plate e kishte edhe skuadra braziliane Corinthians, që barazoi 2-2 në Sao Paulo me Club Nacional, ndërkohë që takimi i parë kishte përfunduar me rrjeta të paprekura. Falë golave të shënuar në fushën kundërshtare skuadra uruguajane vijon më tej.
Ndërkohë një tjetër ekip brazilian, pikërisht Sao Paolo kualifikohet në çerekfinale të Copa Libertadores, pasi eliminoi me rezultat të përgjithshëm 5-3 mëksikanët e Tolucas. Në ndeshjen e parë brazilianët kishin trifmuar 4-0, ndërsa humbja 3-1 në sfidën e kthimit nuk u mjaftoi Tolucas për të avancuar në çerekfinale. Në këtë fazë të kompeticionit spikat derbi brazilian Sao Paulo – Atletico Mineiro, që eliminoi Racing Club me fitoren 2-1, teksa sfida e parë kishte përfunduar në barazim pa gola.
Guardiola përplaset me fizioterapistin
Eliminimi nga Champions League ka krijuar një situatë të tensionuar në kampin e Bayernit të Mynihut ku nervat mes drejtuesve mbeten të tendosura. Trajneri Pep Guardiola nuk arrin ta përtypë faktin që për të tretën sezon rresht dështon në objektivin për të arritur finalen, duke prishur përfundimisht marrëdhëniet edhe me një pjesë të stafit. Sipas asaj që zbulon “Bild”, trajneri katalanas ka sulmuar ashpër departamentin mjekësor pas ndeshjes kundër Atleticos së Madridit, madje ai ka qenë shumë pranë konfrontimit fizik me fizioterapistin e skuadrës. Sipas të dhënave, Guardiola nuk ka arritur ta përtypë faktin se lojtarët e skuadrës së tij kërkojnë shumë kohë për t’u rikuperuar.
“Te Atletico, Godin u rikuperua në kohë rekord, ju pse nuk arrini ta bëni një gjë të tillë”, mësohet t’u ketë thënë Guardiola pjestarëve të stafit mjekësor. Gjithmonë sipas “Bild”, njëri prej fizioterapistëve, emri i të cilit nuk është bërë publik, i ka kërkuar trajnerit që të tërhiqet nga qëndrimi i tij, duke i bërë me dije se përveç Robben e Badstuber, pjesën tjetër të skuadrës e ka në dispozicion. Ishte Ribery, ai që ndërhyu për të ulur tensionin. Kjo nuk është hera e parë që Guardiola përplaset me stafin mjekësor të skuadrës, pasi një vit më parë, ai detyroi mjekun historik të skuadrës, Wilhelm Müller-Wohlfahrt të jepte dorëheqjen.
Skandal, drejtuesi i kompanisë së Sadriut në Komisionin e Tenderave
Një nga deputetët e Ramës, i cili fiton rregullisht tendera nga qeveria ka thyer çdo rekord duke arritur deri aty sa drejtuesit e kompanisë së tij të jenë edhe në komisionet që përcaktojnë fituesit e tenderave. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun e PD, Duma ka denoncuar dje këtë skandal të qeverisë.
“Një prej oligarkëve të Edi Ramës, që kap tendera në çdo institucion është deputeti i tij Sadri Abazi, me kompaninë ‘Alko-IMPEX’. Dy ditë më parë, ne denoncuam një rast flagrant se si ai mori 780 milionë lekë nga Bashkia Librazhd me ndërmjetësin e tij Taulant Balla, që është komisari i kësaj zone, ndërkohë që të njëjtën punë ofertuesi i dytë do ta bënte me 250 milionë lekë më pak.
Korrupsioni i oligarkëve të Ramës ka prishur garën dhe konkurrencën dhe është i pranishëm në çdo zyrë e në çdo formë.
Dhe sikur të mos mjaftonte lidhja e ngushtë me Kryeministrin, me shefin e përgjithshëm të tenderave dhe lidhja me komisarët si Taulanti, këta oligarkë janë kujdesur të kapin dhe institucionet e prokurimit.
Faktet janë tronditëse dhe tregojnë tentakulat e kësaj hajdutërie, të vjedhjes së parave të shqiptarëve, që janë shtrirë kudo.
Kemi sot disa pyetje që kërkojnë përgjigje.
– A është sot një prej drejtuesve të kompanisë së Sadriut, funksionar i lartë i KPP, komisionit të prokurimeve publike?
– A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i kompanisë së Sadriut, me një funksionare të lartë të KPP?
Komisioni i Prokurimeve Publike është zyra kryesore ku shqyrtohen ankesat që kanë subjektet kur shohin shkelje apo padrejtësi.
Nga njëra anë, Sadriu kap çdo tender kudo ku futet, nga ana tjetër i mbyll gojën kujtdo që mund të ankohet pasi ka kapur edhe KPP-në.
Ky pra, është korrupsioni i Edi Ramës.
Korrupsion që po shton luksin e oligarkëve dhe klientelës së tij e që po varfëron çdo ditë qytetarët e vendit.
Kjo është arsyeja pse qeveritarët dhe oligarkët majmen çdo ditë, shtojnë pasurinë e tyre, ndërsa çdo ditë e më shumë populli zhytet në papunësi, mjerim e varfëri”, thuhet në deklaratën e PD.
Afera 479 milionë euro, nis hetimi në Parlament
Komisioni hetimor për CEZ-in ka nisur dje hetimin për atë që konsiderohet si skandali i shekullit. Kryetari i këtij komisioni, nënkryetari i PD, Spaho tha se indicia për ngritjen e këtij komisioni ishte raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit që gjeti shumë shkelje në zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes së qeverisë shqiptare me kompaninë çeke.
Deputetët debatuan që në krye për detyrat që duhet të kishte ky komision. Sipas deputetit socialist, Eduard Shalsi ishte problem fakti se çështja ishte në hetim. Por, sipas deputetes demokrate, Jorida Tabaku, objekti i hetimit të këtij komisioni, nuk do t’i mbivendosej atij të institucioneve të tjera.
Socialistja Vasilika Hysi specifikoi se komisioni mund të fillonte punën, duke zbatuar me kujdes parimet kushtetuese dhe duke kërkuar bazën ligjore paraprakisht të marrëveshjeve që ishin nënshkruar për CEZ-in derisa çështja shkoi në arbitrazh. Po ashtu, të dhëna të tjera të dobishme për planin e hetimeve.
“Ne kemi humbur një muaj a mos më shumë qëkurse komisioni duhej të ishte mbledhur, tha Hysi dhe jemi para pushimeve, ndaj do të kërkoja që informacionet të mblidheshin menjëherë që në mbledhjen e ardhshme dhe ne të kalonim menjëherë në miratimin e planit të hetimit”.
Spaho e vlerësoi ndërhyrjen e Hysit “për të na sjellë në binarë” dhe sugjeroi që të përfshiheshin në substancë tri çështje: Çështjet që do të përfshihen, informacionet nga institucionet e përfshira në të, si dhe dëshmitarët. Këto dokumente nuk janë përfundimtarë, tha ai, kështu që në vijim ne mund të kërkojmë apo paraqesim materialet e tjera apo dëshmitarët”.
Parashtrimi i fakteve
Me Ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014 është miratuar marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim të marrëdhënies ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ a.s.”. Opozita parlamentare e kundërshtoi arritjen e kësaj marrëveshjeje, bazuar në faktet e disponuara prej saj se, shtetit shqiptar po i shkaktohej një dëm i rëndë financiar dhe se po cenohej interesi publik. Qeveria shqiptare, në kushtet e mungesës totale të transparencës, nëpërmjet deformimit të fakteve dhe rrethanave të çështjes, arriti t’i imponohej deputetëve të mazhorancës, të cilët miratuan marrëveshjen në seancën plenare të datës 31.07.2014.
Nga rezultatet e një auditimi të kryer nga KLSH, institucion i pavarur kushtetues, rezulton se shtetit shqiptar, nga realizimi i kësaj marrëveshjeje, i është shkaktuar një dëm ekonomik që arrin në vlerën 479 milionë euro dhe më konkretisht: (i) vlera 95 milionë euro – pagesa e dakordësuar në marrëveshje; (ii) vlera 352 milionë euro – detyrime financiare të prapambetura, rrjedhojë e keqmenaxhimit 2009-2012; dhe (iii) vlera 32 milionë euro – zhvlerësimi në zero i vlerës së 24% të aksioneve të shtetit.
Ne kemi të gjitha dyshimet e arsyeshme të bazuara në prova dhe fakte, se vlera e dëmit ekonomik që i është shkaktuar shtetit shqiptar është më e lartë se dëmi i konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ne vlerësojmë se është detyrë e Kuvendit të Shqipërisë, që të kryejë një kontroll të plotë parlamentar, për të evidentuar nëse gjatë procedurave të arritjes së kësaj marrëveshjeje, është cenuar interesi i shtetit shqiptar dhe nëse grupi negociator ka respektuar legjislacionin në fuqi dhe është udhëhequr nga interesi publik.
Me Ligjin nr. 10116, datë 23.04.2009 “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të OSSH sh.a., ndërmjet METE dhe ‘CEZ a.s.’” kjo shoqëri ka blerë 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), duke u bërë kështu operatori më i rëndësishëm i shpërndarjes dhe furnizimit publik, me pakicë të energjisë elektrike.
Mirëpo “CEZ a.s.” nuk zbatoi kushtet e kontratës së nënshkruar me shtetin shqiptar, duke i shkaktuar dëme të pariparueshme sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Në tetor të vitit 2012, Banka Botërore këshilloi shtetin shqiptar të ndërmerrte masa për heqjen e licencës së “CEZ a.s.” dhe orientoi qeverinë të kontaktonte dhe të thërriste në garë disa kompani ligjore të specializuara në fushën e arbitrazhit të investimeve. Për këtë arsye, më 5 nëntor 2012 nga Ministria e Drejtësisë u shpallën fitues të një gare ndërkombëtare dy firmat ligjore “Derains” dhe “Gharavi & Lazareff”.
Çfarë ndodhi në nëntor 2012?
Në nëntor 2012, pas dështimit të negociatave me “CEZ a.s.”, studio ligjore ndërkombëtare këshilluan qeverinë shqiptare t’i hiqte licencën “CEZ Shpërndarje sh.a.” dhe në vijim të angazhohej fuqishëm për ngritjen e padive në arbitrazh ndërkombëtar referuar marrëveshjes së privatizimit. Konkretisht, “CEZ a.s.” duhet të mbante përgjegjësi për:
a) Dëme të rrjedhura nga mosrealizimi i masës së investimeve të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve të “CEZ a.s.” sipas kontratës për shitblerjen e kuotave dhe abuzimi me pasuritë e “CEZ Shpërndarje” të vlerësuara përafërsisht në masën 700 milionë euro;
b) Dëme të rrjedhura nga shkëputja e pajustifikuar e energjisë elektrike më 16 nëntor 2012 dhe në raste të tjera;
c) Likuidimi i faturave ndaj KESH dhe OST në masën e rreth 300 milionë euro.
Në përfundim të procesit të auditimit dhe vlerësimit ligjor e financiar, pas konstatimit të gjendjes kritike, “CEZ Shpërndarje” vetëdeklaron se ka dështuar në realizimin e objektivave të përcaktuara në deklaratën rregullatore. Enti Rregullator i Energjisë (ERE) me vendimin nr. 4 dhe nr. 5, datë 21.1.2013, ka mbajtur qëndrimin se shoqëria “CEZ Shpërndarje sh.a.” është në shkelje të kushteve të licencave RPS dhe DSO, për këtë shkak, ka vendosur heqjen e licencave të mësipërme dhe kalimin e shoqërisë “CEZ Shpërndarje sh.a.” në administrim të përkohshëm.
Më 5 mars 2013, CEZ kërkoi zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim. Më 15.05.2013 shoqëria “CEZ a.s.”, Pragë, pas heqjes së licencave dhe vendosjes së shoqërisë nën administrim të përkohshëm, paditi e para Republikën e Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit UNCITRAL, duke ngritur një sërë pretendimesh ligjore dhe financiare.
Më 19 prill 2013 studioja ligjore ndërkombëtare i ka paraqitur me shkrim autoriteteve shqiptare, avantazhet dhe disavantazhet e zgjidhjes me ndërmjetësim, duke vlerësuar se në kushtet kur ende nuk janë mbledhur provat, nuk mund të vijohet me vlerësimin e plotë ekonomik dhe juridik të situatës, për të evidentuar mundësitë e zgjidhjes me ndërmjetësim.
Më 28 gusht 2013 është nënshkruar kontrata me firmat “BDO” dhe më pas me “Becker Buttner Held” që do të përfundonte në 8 javë vlerësimin teknik të “CEZ sh.a”. Më 30 shtator 2013 av. Hamid Gharavi shpreh shqetësimin e madh për cenimin e interesave ekonomike të Republikës së Shqipërisë dhe kërkon ndërmarrjen e disa masave.
Mirëpo, procesi ndryshoi në mënyrë të papritur, për shkak se me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 969, datë 25.10.2013 është vendosur të ngrihet Grupi i Punës dhe fillimi i procedurave të negociatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ a.s”. Grupi negociator kryesohej nga z. Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë.
Çfarë u fsheh nga qeveria në shkurt 2014?
Në shkurt 2014 janë përgatitur raportet e ekspertëve (vlerësimet teknike, financiare dhe vlerësimi i Claims kundër “CEZ a.s.” dhe nga “CEZ a.s.”), por rezultatet janë mbajtur të fshehura nga qeveria dhe raportet nuk janë zhvilluar më tej sipas porosive të lëna nga ekspertë në mënyrë që të finalizoheshin referuar termave të kontratës me ta. Dy raportet e vlerësimit teknik dhe financiar, të cilat ishin vënë në dispozicion të qeverisë që më 10 shkurt 2014, parashikonin shprehimisht se:
(I) “CEZ a.s.” nuk investoi në kompaninë e shpërndarjes referuar marrëveshjes (fq. 67-74 vlerësimi i padive “BDO”);
(II) kompania u shkatërrua me qëllim nga “CEZ a.s.”, e cila kishte një vit që përgatitej të largohej (67-74, 80-85 raporti “BDO”);
(III) paratë e marra me kredi nuk ishin përdorur për të bërë investimet e kërkuara (po aty);
(IV) CEZ kishte dështuar për të reduktuar borxhin e keq referuar SPA (fq. 75-79 “BDO”);
(V) pjesa takuese e shtetit shqiptar 24% kishte shkuar në zero (80-100 “BDO”);
(VI) e gjithë vlera e kompanisë kishte shkuar në zero (80-100 “BDO”);
(VII) paratë e mbledhura nuk ishin investuar, por në kundërshtim me ligjin ishin transferuar në parajsat fiskale nga kompanitë fantazmë të kontraktuara nga CEZ (fq. 92-97 i raportit “BDO”);
(VIII) “CEZ a.s.” kishte dështuar të investonte, të ulte humbjen në rrjet dhe të ulte borxhin e keq, i cili rezultonte i rritur nga 8 milionë në vitin 2007 në 53 milionë në janar të vitit 2013;
(IX) “CEZ Shpërndarje” në kundërshtim me ligjin kishte transferuar para tek “CEZ a.s.” në mënyrë preferenciale karshi kreditorëve të tjerë (fq. 100 “BDO”);
(X) heqja e licencës nga ERE ishte mëse e drejtë;
(XI) faturat e papaguara nga CEZ ndaj KESH dhe OST 3,6 miliardë lekë (fq. 102-106 i “BDO”);
(XII) paditë e paraqitura nga “CEZ a.s.” janë të mbivendosura dhe nuk janë të llogaritura drejt (fq. 132 “BDO”);
(XIII) paditë në lidhje me taksat, të cilat janë humbur në gjykatat e brendshme në 3,9 miliardë lekë (fq. 125 i “BDO”).
Detyrimi i kompanisë CEZ ndaj Shqipërisë, 1.4 miliardë euro
Pas zhvillimit të një sërë takimeve negociuese për rreth 6 muaj, në zyrat e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Grupi i Punës, me vendimin nr. 2, datë 19.06.2014, ka miratuar marrëveshjen e arritur me “CEZ a.s”. Procedura e negocimit ka përfunduar me nënshkrimin e marrëveshjes me mirëkuptim nga Grupi i Punës më datë 23.06.2014, përcjelljen në Këshillin e Ministrave dhe miratimin e saj me Ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014.
Pra, pavarësisht se detyrimi që kompania “CEZ a.s.” i kishte shtetit shqiptar vlerësohet mbi 1 bilion euro (500 milionë USD “CEZ a.s.” i detyrohet vetëm KESH dhe OST), qeveria “zgjidhi” me mirëkuptim mosmarrëveshjen, duke i falur të gjitha detyrimet dhe duke i paguar “CEZ a.s.” 95 milionë euro.
Detyrimet e marra përsipër nga shteti shqiptar nuk përputhen me realitetin dhe janë të pambështetura në ligj dhe prova. Shteti shqiptar ka marrë përsipër pagesën prej 36.9 milionë eurosh që përfaqëson vlerën e kredisë së disbursuar nga Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim dhe IFC-ja mbi bazën e kontratave të lidhura nga “CEZ Shpërndarje sh.a”. Në vlerësimin e ekspertit të “BDO” “LLP” qartësisht provohet që huaja nuk është përdorur për investime. Kjo nënkupton që shteti shqiptar ka njohur një kredi, e cila nuk është përdorur për të realizuar investimet për të cilën ishte kërkuar.
Nga ana tjetër, merret përsipër të paguhet shuma prej 17.4 milionë eurosh që përfaqëson vlerën e kredisë së disbursuar nga disa marrëveshje overdraft me banka të nivelit të dytë në Shqipëri.
Gjithashtu, shuma prej 25.1 milionë eurosh që përfaqëson detyrimet e “CEZ Shpërndarje sh.a.” ndaj shoqërisë “CEZ a.s.”, Pragë dhe CEZ Trade Albania, për energjinë elektrike të lëvruar nga këto të fundit për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, nuk rezulton që të jenë vlerësuar dhe verifikuar nga Grupi i Punës. Konstatohet lehtësisht se detyrimi për energjinë elektrike të blerë nga “CEZ a.s.” dhe CEZ Trade sipas pasqyrave financiare të vetë shoqërisë është shumë më e ulët se detyrimi i marrë përsipër. Ndërkohë që rezulton e provuar se shteti shqiptar ka njohur detyrime për mallra dhe shërbime, të cilat nuk kaluan tek “CEZ Shpërndarja sh.a.”, në shumën 6.1 milionë euro, shumë që përfaqëson detyrimet që “CEZ Shpërndarje” i ka pasur shoqërisë CEZ Albania.
Asnjë avokat apo ekspert ndërkombëtar nuk rezulton ta ketë konsultuar qeverinë shqiptare për të zgjidhur në këtë formë mosmarrëveshjen me “CEZ a.s.”, përveç konsulentëve privatë të Kryeministrit dhe avokatëve të shtetit dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët kanë patur klientë “CEZ a.s.” apo kanë qenë të punësuar nga “CEZ a.s.”!
Për të gjitha faktet më sipër, rezulton që nga nënshkrimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ a.s.”, të miratuara me Ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014 është e nevojshme të realizohet një kontroll parlamentar, me qëllim evidentimin e pëgjegjësive administrative dhe gjetjen e zgjidhjeve më të mira në mbrojtjen e interesit publik dhe shmangien e këtyre pasojave negative për të ardhmen.
Presidenti kthen ligjin për marrëveshjet e pista ndërkombëtare të Ramës
Në seancën plenare të datës 21 prill 2016, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 27 prill 2016.
Këshilli i Ministrave në relacionin e projektligjit në fjalë ka vlerësuar se përmes këtij ligji përcaktohen qartë se cilët janë autoritetet që mund të lidhin marrëveshje ndërkombëtare, në emër të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave apo ministrive dhe institucioneve të tjera shtetërore, duke reflektuar edhe vendimin nr. 15/2010 të Gjykatës Kushtetuese përmes të cilit bëhet e qartë se marrëveshjet ndërkombëtare me natyrë politike duhet medoemos të lidhen në emër të Republikës së Shqipërisë dhe të nënshkruhen nga ana e Presidentit të Republikës apo të Kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë veç në rast të pajisjes me autorizim nga Presidenti i Republikës.
Gjithashtu, përmes këtij ligji trajtohen procedurat e aderimit/pranimit/miratimit, të një marrëveshjeje ndërkombëtare, duke qartësuar dallimin me procedurën e ratifikimit; thjeshtohen procedurat e marrjes së plotfuqive dhe kredencialeve; trajtohet më e plotë kompetenca e ministrive dhe institucioneve për të lidhur marrëveshje të këtij lloji, si dhe faza e konsultimit ndërinstitucional para lidhjes së tyre. Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se neni 19/2 i ligjit bie ndesh me Kushtetutën dhe si rrjedhojë duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme:
Në nenin 19, pika 2 e Ligjit nr. 43/2016 përcaktohet se: “Marrëveshjet ndërkombëtare financiare të grantit, që nuk sjellin detyrime shtesë për buxhetin e shtetit dhe që nuk përcaktojnë përjashtime nga ligje të tjera, pas nënshkrimit, i nënshtrohen miratimit nga Këshilli i Ministrave”.
Referuar relacionit të projektligjit, neni 19 rregullon rastet e miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat nuk kanë nevojë për ratifikim. Duke marrë në konsideratë titullin e dispozitës dhe relacionin e ligjit, duket qartë se bëhet fjalë për procedurat e miratimit të një marrëveshjeje nga Këshilli i Ministrave pas nënshkrimit të saj, por që nuk ka nevojë për ratifikim. Legjislatori në këtë dispozitë dhe në asnjë tjetër nuk ka listuar se cilat janë këto marrëveshje, të cilat nuk kanë nevojë për ratifikim, por në mënyrë përjashtimore në pikën 2, të nenit 19 e ka bërë diçka të tillë, duke iu referuar marrëveshjeve ndërkombëtare financiare të grantit.
Legjislatori në nenin 2 të ligjit ka përcaktuar se ka si objekt “të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe, të lidhura në formë të shkruar, sipas të drejtës ndërkombëtare publike ndërmjet institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve të shteteve të tjera ose organizatave ndërkombëtare”.
Kushtetuta në nenin 121 ka përcaktuar qartë se: “Ratifikimi dhe denoncimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Republika e Shqipërisë bëhet me ligj në rastet kur ato kanë të bëjnë me: ë) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika e Shqipërisë; d) miratimin, ndryshimin, plotësimin ose shfuqizimin e ligjeve”.
Referuar raportit të Komisionit të Ligjeve, përcaktimi i bërë në pikën 2, të nenit 19 është bërë me qëllim që të gjejnë pasqyrim marrëveshjet e grantit dhe të huasë, të cilat merren brenda limiteve të përcaktuara nga ligji për buxhetin e shtetit.
Rregullimi i bërë shkon tej asaj që përcakton Kushtetuta të cituar më sipër, që marrëveshjet ndërkombëtare që sjellin detyrime financiare për Republikën e Shqipërisë kërkojnë ratifikimin me ligj medoemos nga Kuvendi.
Gjykata Kushtetuese në jurispridencën e saj: “…… rithekson se për çdo rast, kur rregullimi kushtetues parashikohet shprehimisht prej saj, ai detyrimisht do të zbatohet drejtpërdrejt. Përmbajtja e dispozitës kushtetuese nuk mund të mënjanohet ose të tejkalohet duke i dhënë përparësi akteve juridike që dalin në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës. Ky detyrim rrjedh nga përmbajtja e nenit 4/3 të Kushtetutës. Në rastet kur Kushtetuta le hapësira me qëllim delegimin e kompetencës ligjvënësit të zakonshëm, atëherë, nuk është e nevojshme referimi tek kjo dispozitë, pra e zbatimit të drejtpërdrejt të saj. Nëse ndodhemi para kësaj situate, është e pritshme që aktet normative që do të dalin për këtë qëllim të respektojnë hierarkinë e akteve normative”.
Në rastin konkret rregullimi kushtetues është i qartë që çdo marrëveshje ndërkombëtare financiare duhet të ratifikohet me ligj. Kushtetuta nuk ka përcaktuar që të diferencohen rastet nëse sjell detyrim shtesë për buxhetin e shtetit apo jo. Rregullimi i bërë sipas ligjit shkon tej përcaktimit kushtetues i detyruar për t’u zbatuar. Pavarësisht, nëse borxhi i jashtëm apo i brendshëm është përcaktuar në ligjin për buxhetin e shtetit, të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që sjellin detyrim financiar për RSH, pavarësisht nëse është detyrim shtesë apo jo për buxhetin e shtetit duhet të ratifikohen me ligj dhe si rezultat diçka e tillë, nuk mund të lihet në vlerësimin e ministrit të Financave.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për marrëveshjet ndërkombëtare financiare të granteve që përmban një klauzolë të përjashtimit nga ligji. Në një rast të tillë bëhet fjalë për ndryshim ligji, duke përjashtuar subjekte të caktuara nga zbatimi i tij dhe si rezultat në këtë rast zbatohet drejtpërdrejt neni 121/1/d i Kushtetutës.
Në përfundim, referuar sa më sipër kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e Ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, pasi neni 19/2 i tij bie ndesh me Kushtetutën dhe jurisprudencën me fuqi detyruese të Gjykatës Kushtetuese.
FMN: Me këto ritme ekonomike, Shqipëria arrin Europën pas 25 vitesh
Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin periodik për zhvillimet rajonale të publikuar sot referoi se, Shqipëria dhe Serbia patën rritjen ekonomike më të ulët më 2015 në mesin e gjashtë vendeve të marra në krahasim.
Rritjen më të lartë e kanë parë Mali i Zi dhe Maqedonia me respektivisht 4.1 dhe 3.7%. Ekonomia e Kosovës u rrit me 3.3 për qind dhe ajo e Bosnjës me 3%. Shqipëria vjen në vendin e gjashtë me 2.6% dhe pas saj vetëm Serbia me 0.7%
Edhe pse një vend me burime natyrore konkurruese me Rajonin dhe pa konflikte etnike në sfond Shqipëria nuk po arrin ritmet rajonale të rritjes.
FMN vë në dukje se me këto ritme vendet ende kanë pak shanse të arrijnë konvergjencën me standardet e jetesës me zonën euro. Me këto rritje ekonomike Shqipërisë do t’i duhen më shumë se 25 vite të arrijë nivelin e jetesës që Europa ka sot.
FMN sugjeron që norma e rritjes në rajonin e Ballkanit duhet të jetë të paktën 1 për qind më e lartë se e BE se, që konvergjenca të përshpejtohet.
Në vitin 2016, vendet e Rajonit pritet të rriten me rreth 3 deri në 4 për qind, thuhet në parashikimet e Fondit.
Fondi vë në dukje se, pasiguria dhe paqëndrueshmëria nga rreziqet politike kanë qenë në rritje në të gjithë rajonin.
Kështu një kombinim i politikës monetare dhe konsolidimi fiskal mbështetës në të ardhmen mbetën politika të vlefshme për të gjitha vendet.
Në rastin e një goditjeje negative të rritjes, politika monetare duhet të jetë vija e parë e mbrojtjes, këshillon Fondi.
Për periudhën afatmesme, konsolidimi fiskal duhet të mbështetet, sa më shumë të jetë e mundur në kahun e të ardhurave, të tilla si përmirësimi i rritjes se taksës së karbonit dhe taksës së pronës. Nga krahu i shpenzimeve Fondi këshillon mbrojtjen e shpenzimeve produktive në investimet publike.
Këshilli i Investimeve: Skanimi 22 euro për deklaratë po largon biznesin e tranzitit
Këshilli i Investimeve ka përgatitur një raport teknik për incentivat për nxitjen e investimeve, “Shqipëria përballë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ku krahason përparësitë konkurruese të Shqipërisë. Sipas raportit, ndër argumentet më të fortë të Shqipërisë sot në tërheqjen e investime të huaja, përmenden pa diskutim pozita e favorshme gjeografike, e cila paraqet potencial të lartë për zhvillim të investimeve në vend, kryesisht atyre me natyrë rajonale. Portet detare konsiderohen si një avantazh i rëndësishëm në lidhje me vendet e tjera të rajonit, sa i përket mundësisë së lidhjes me tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, raporti thekson se edhe avantazhi që sjell pozita gjeografike e vendit në raport me vendet e tjera të rajonit nuk po shfrytëzohet si duhet, ku problematike vlerësohet barra e shquar nga skanimi në dogana.
“Pavarësisht kostove më të ulëta të shërbimit, kapacitetet e përpunimit në infrastrukturën portuale në vend mbeten sërish të kufizuara si rezultat i thellësisë së ulët dhe i pamundësisë kësisoj për të ofruar shërbime përpunimi për anije të tonazhit të lartë. Nga ana tjetër, bizneset operuese në fushën e transportit nënvizojnë nevojën për investime të qëndrueshme në infrastrukturën portuale dhe respektim të kontratave konçesionare. Gjithashtu, evidentohen problematika sa i përket kohës së përpunimit, aspekteve proceduriale dhe burokratike, të cilat vonojnë në qarkullimin e lirë të mallrave. Sistemet e inteligjencës për kontroll risku në autoritetet doganore, duhet të funksionojnë për të mos krijuar pengesa dhe vonesa të paarsyeshme në transportin e mallrave. Sikurse është evidentuar edhe më herët nga Sekretariati, komisionet për skanimin e mallrave prej 22 euro/deklaratë doganore kanë sjellë një rritje të kostove për bizneset, duke konsideruar rrugë të tjera transporti për bizneset e rajonit, të cilat kalojnë tranzit mallrat e tyre nëpërmjet Shqipërisë”, thuhet në raport.
Objekti i analizës në këtë Dokument ishte edhe evidentimi i politikave të incentivave për investime në Shqipëri, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, sjellja e këndvështrimit të investitorëve mbi këto politika, por edhe shqetësimet konkrete të tyre mbi klimën e të bërit biznes në vend.
Në lidhje me ngarkesën totale të taksave për biznesin, Shqipëria duket më pak atraktive në krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke qenë se renditet vetëm pas Serbisë për shkallën më të lartë të tatimit mbi fitimin, tatimit në burim dhe kontributit social të punëdhënësit. Të dhënat konfirmohen edhe nga Banka Botërore, nëpërmjet treguesit të normës totale të taksës (% e fitimeve komerciale) si në tabelën më poshtë:
Nga ana tjetër, Shqipëria është e krahasueshme me Kosovën dhe B&H për pagën minimale, por paraqet diferencë të dukshme në pagën mesatare, duke e bërë vendin tërheqës për koston e ulët të punonjësve relatitivisht të kualifikuar. Nga takimet me bizneset, por edhe nga disa anketime rezulton, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe çertifikuar për procese teknologjike specifike si psh, në projekte në fushën e industrisë (naftë, gaz, TAP etj.), projekte të cilave nuk ju është paraprirë me investime nga ana e Shtetit, në shkollimin dhe përgatitjen profesionale të specialistëve të mirëfilltë.
Në anketimet, bizneset ngrenë çështje dhe shqetësime që lidhen me klimën e përgjithshme të biznesit me fokus në elementët e korrupsionit, mungesën e kapaciteteve administrative dhe dyshimi për ndryshimet e shpeshta në paketën fiskale. Nga intervistat e kryera me disa biznese, mungesa e parashikueshmërisë fiskale theksohet si një disavantazh, me vendet e rajonit për investime në vend.
Bizneset protestojnë për taksat e Zogut të Ramës
Bizneset kërkojnë që të niset dialogu me Bashkinë për çështjen e taksave vendore. Artan Bozo, kreu i Komitetit të Taksave dhe Ligjeve në AmCham ka kërkuar që biznesi të asistojë në hartimin e ligjeve.
“Kërkojmë që të nisim dialogun me Bashkinë për këto çështje:
1. Dokumentet që kërkohen për regjistrimin e një biznesi të ri
2. Dokumentet që kërkohen për të paraqitur një kërkese/ankesë
3. Tarifa e pastrimit të përcaktohet sipas llojit të aktivitetit. Për këtë teë përdoret kategorizimi i bizneseve sipas aktivitetit ekonomik që ato kryejnë sipas kategorizimit që përdorin edhe organet tatimore
4. Interpretimi në lidhje me tabelat që tregojnë llojin e shërbimit të ofruar, tabelat që shërbejnë për të treguar vendndodhjen e një subjekti
5. Çështja e NIPT sekondar. Përfaqësuesit tatimor, subjektet në likuidim e sipër, subjektet në status pasiv ose të pezulluar
6. Tarifa për infrastrukturën arsimore paguhet për çdo njësi (NIPT sekondar)
7. Konsultimi paraprak me grupet e interesit për nivelin e taksave, procedurat, problematikat.
Biznesi duhet të asistojë në hartimin e ligjeve”, tha z. Bozo.
Këtë deklaratë ai e dha në Forumin e Biznesit, të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, me Bashkinë e Tiranës me temën “Ndryshimet në tarifat dhe taksat vendore, impakti i tyre në biznes”.
I pranishëm në panel, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku deklaroi se, biznesi e ka derën e hapur, qoftë kjo edhe në hartimin e buxhetit. “Kemi ngritur Komitetin Ekonomik ku ka përfaqësi biznesi. Që qyteti të marrë shërbime duhen paguar taksa. Në 2015 buxheti ishte vetëm 55 mln usd”, tha z. Mazniku.
Ai shtoi se start up do t’u mundësohet pagesa e detyrimeve në 3 muaj, nga 30 ditë që është afati sot.
“Në mbledhjen e ardhshme marrim vendim që të gjitha bizneset e reja t’u mundësojmë pagesat e detyrimeve në 3 muaj nga 30 ditë që është sot”, tha Mazniku.
Në forum, u bë e ditur se sa i përket tabelave, Bashkia ka përcaktuar që deri në 2 m2 të jetë me tarifë zero. Përfaqësuesit e Bashkisë deklaruan se 4 m2 është e mjaftueshme për informim, mbi këtë masë është jashtë logjike.
Bie me 76% fitimi i bankave në tremujorin e parë
Fitimi i sistemit bankar ka shënuar një rënie të ndjeshme me 75% në tremujorin e parë të vitit, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, që raporton me standardet lokale, sistemi rezultoi me një fitim prej 1.4 miliardë lekësh për janar-mars 2016, nga 5.86 miliardë lekë në tre muajt e parë të 2015-ës.
Rënia e të ardhurave nga interesat dhe veprimtaritë e tjera dhe rritja e ndjeshme e shpenzimeve për provigjione ishin arsyet kryesore që ndikuan në këtë tendencë. Të ardhurat nga interesat u ulën lehtë, ndërsa të ardhurat nga veprimtaritë e tjera ishin -61 milionë lekë, nga 1.1 miliardë lekë në tremujorin e parë 2015.
Ndërsa shpenzimet për provigjione u rritën në 2.86 miliardë lekë, ndërkohë që në janar-mars 2015 kishin qenë negative. Tremujori i parë shënoi dhe një rritje të kredive me probleme, pas uljes së tyre në fund të 2015-ës (Lexo: BSH: Kreditë me probleme rriten me 1.2 pikë përqindje në tremujorin e parë, arrijnë sërish 19%), çka i detyroi bankat të kalojnë një pjesë të fondeve si shpenzime për të mbuluar kreditë e këqija në formën e provigjioneve.
Vitin e kaluar, fitimi i sistemit bankar sipas standardeve lokale shënoi një rritje të ndjeshme, kryesisht si rrjedhojë e diferencave në maturitetin e interesave të depozitave e kredive (interesat e depozitave u ulën më shpejt, pasi ishin më afatshkurtër, në raport me të kredive). Por, tremujori i parë po e vë seriozisht sistemin përballë sfidës së normave të ulëta të interesit, çka pritet t’i bëjë bankat më të kujdesshme në sjelljen e tyre. (Lexo: Interesat e kredive më të lira se kurrë; fitimi nga depozitat afër zeros).
Pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë uli normën bazë në një nivel rekord të ri, duke i çuar në 1.25%, në një sinjal se bankat duhet të reduktojnë më tej koston e parasë, në mënyrë që të nxitet kreditimi.