Është në formë të shkëlqyer, i kthjellët dhe entuziast, pavarësisht 91 pranverave që ka mbi shpatulla, historiani Marc Ferro, specialist me autoritet i historisë së Francës, pse jo dhe i historisë së ekranit të madh. Na pret në banesën e tij në afërsi të Parisit, në një pallat elegant në Saint-Germain.en Laye. Ka në aktivin e tij 40 vëllime, “të gjitha të shkruara me dorë, nuk përton të saktësojë, dhe ka pasur 1000 jetë: qytetar i impenjuar, pse jo edhe dëshmitar i shekullit të XX-të që ka luftuar me Rezistencën, ka përjetuar personalisht luftën e Algjerisë dhe shkolonizimin. I rreshtuar me Partinë Komuniste, ka përjetuar kthimin e de Gaulle, evenimentet e Majit 1968, pse jo edhe lëvizjet intelektuale që kanë shënuar Francën. Ka rrëfyer vetveten dhe shekullin e tij tek Histoires parallèles (2011), me humorizëm dhe nonchalance. Raporteve midis historisë dhe kinemasë u ka kushtuar disa vëllime, midis të cilave atë të 2003 me titull Le cinéma, une vision de l’histoire.
Rrëfen sesi u zbuluan kontradiktat e shpirtit njerëzor, duke milituar për pavarësinë e Algjerisë atëherë kur, gjatë një diskutimi me një shok komunist të martuar me një myslimane, e dëgjoi të thërrasë: “Edhe zeshkania ime [arabe] do ta kuptonte”. Kështu, konkludoi atëherë Ferro, «mund të jesh progresist dhe, në të njëjtën kohë, në mënyrë të pavullnetshme, reaksionar apo racist», si në këtë rast, ku «ideologjisë së majtë i kundërvihej një mentalitet i djathtë»; dhe shpesh, konstaton, «kjo e fundit rezulton më e fortë se ideologjia: verbëria mund të fitojë avantazh mbi racionalitetin».
Ferro e tregon këtë episod përkrah shumë të tjerëve në një libër të dalë kohët e fundit me titull L’aveuglement. Une autre histoire de notre monde [Verbëria. Një histori tjetër e botës tonë, shtëpia botuese Tallandier], ku në shumë episode synohet të tregohet sesi gjatë 100 viteve të fundit nuk është arritur të kihet një kuptim i duhur i proceseve që po kryheshin. Në këtë, sipas tij, do të konsistonte verbëria si element karakteristik i historisë bashkëkohore, çelës leximi i privilegjuar edhe për të interpretuar evenimentet e historisë së vonshme.
«Sigurisht, ekzistojnë elementë të ndryshëm verbërie», shpjegon ai. «Kam zgjedhur ta nis librin tim me 3 shembuj të shekullit tonë, vetëm në dukje shumë të ndryshëm midis tyre: revolta rinore e majit 1968, atentatet e kryer nga al Qaeda më 11 shtator 2001 dhe ngjitja e Kinës – ndërsa parashikohej ajo e Japonisë – që këto evenimente të konfigurohen si të paparashikueshëm ose, më mirë, si procese “nëntokësore”, të ngadaltë në kohë, edhe profesionistët e analizës, të tillë si politikanët e gazetarët, specialistët e politikës».
Për shembull, profesionistët e politikës nuk qenë në gjendje të parashikojnë sesi të rinjtë, studentë, mund të shkaktonin një lëvizje sociale gjiganteske në Gjermani, në Francë, në Shtetet e Bashkuara: «De Gaulle, në 1968 Presidenti unë, pyeste “Por çfarë duan këta?”, duke ju referuar këtyre të rinjve si subjekte krejtësisht të huaj për të: në fakt, ai i njihte përsosshmërisht rivendikimet e partive, e sindikatave, e katolikëve, e komunistëve, e fashistëve, por jo të të rinjve që nuk përbënin ndonjë forcë politike». E njëjta gjë, sipas tij, do të ndodhte për al Qaeda, që «nuk zotëronte asnjë territor, asnjë shtet, asnjë strukturë institucionale të njohur, ndërsa konfigurohej vetëm si strehë e mjegullt për terroristë të shpërndarë në të gjithë botën. Megjithatë, pikërisht al Qaeda i ka vënë në gjunjë Shtetet e Bashkuara dhe kujtoj në librin tim sesi në 1996, në “New York Times” u shfaq një lajmërim me 3 rreshta, në të cilin lajmërohej se organizata do t’i shpallte luftë Shteteve të Bashkuara dhe që, pashmangshmërisht, kaloi pa u vënë re». Për sa i përket Kinës: «Sot, Dragoi na shfaqet si një shtet fuqimisht i industrializuar, por nuk duhet të mendojmë për kompanitë e mëdha alla gjermane, alla franceze apo alla amerikane, pasi aty – kujton Ferro – kemi dyqane të vogla, njëri pas tjetrit, si një rruzar. Potencialitetet e tregut kinez janë injoruar gjithmonë nga studiuesit perëndimorë dhe, edhe njëherë akoma, gjendemi kështu që të duhet të “përballojmë një “mjegull” pak të dukshme».
Dhe qysh në 2011, me rastin e përvjetorit të 10-të të atentateve ndaj Kullave Binjake, Ferro e kish paralajmëruar vizionin e vet të verbërisë, duke theksuar që «amerikanët qenë ta pavetëdijshëm për sa po ndodhte dhe nuk e kuptonin se për çfarë motivi Shtetet e Bashkuara mund të jenë objekt mërie dhe urrejtjeje. Jetonin në iluzionin se vendi i tyre ishte perfekt (…). Preferonin të injoronin se shumë në Amerikën e Jugut, në Lindje, në Europë, i urrenin». Me pak fjalë, për historianin, amerikanët «nuk e kanë marrë veten akoma, pasi duan të jenë një model për botën, por refuzojnë që të pranojnë faktin se një pjesë e mirë e botës e konteston këtë model».
Jo pak shembuj të tjerë do t’i dukeshin thelbësorë: për shembull, në faqet e para të librit shfaqet imazhi i vajzës berlinase që më 11 nëntor 1918 feston e bindur se Gjermania do të dilte fitimtare nga Lufta e Madhe: «Komunikata e Komandës së Lartë Gjermane, shpjegon ai, lajmëronte se “ushtarët kthehen jo të mundur nga fushat e betejës”. Dhe kështu, si mund të mendohej që Gjermania e mundur kishte përfunduar armëpushimin kur territori i atdheut kishte mbetur i pashkelur? Gjermanët e festojnë mbarimin e luftës me të njëjtin entuziazëm të francezëve, të anglezëve, të amerikanëve, që në fakt e kishin fituar. Nuk njihnin as klauzolat e armëpushimit, as ato të Traktatit të Versajës që e shpallnin Gjermaninë përgjegjëse për luftimet: ja pra një tjetër rast verbërie, që i detyrohet komunikatës mashtruese, pse jo edhe “goditjes me thikë pas shpine” të ideuar nga Komanda e Lartë për të fshehur disfatën. Dhe kjo bindje pati jetë të gjatë, përderisa çoi në ngjitjen e Hitlerit me të gjitha pasojat trishtueshmërisht të njohura për ne».
«Kjo fotografi, rrëfen krenar, e kam gjetur unë, rastësisht, në arkivat e Koblenz në 1963, kur po përgatisja një film lidhur me Luftën e Madhe: Më dorëzuan një bobinë 35 milimetërshe, që arrita ta hapja me një biçak dhe kishte të shënuar sipër “11 nëntor 1918″…». Ja ku Ferro i shfaqet imazhi. «Ishte shembulli kryesor i verbërisë më totale! Një verbëri masive, e përfaqësuar mirë nga përdorimi i një termi specifik – thotë pasi ka kërkuar midis faqeve të librit – domethënë atë të méprise (gabimit, gabimit trashanik), për të thënë se gabohet në mënyrë trashanike, nuk shikohet mirë, jetohet në një situatë që në realitet është krejtësisht tjetër».
Pyet akoma historiani në librin e tij: pse nuk janë parashikuar situata të jashtëzakonshme? Dhe ndër shembujt e shumtë të cituar, ai i Luftës së Parë Botërore, që do të duhej të zgjaste 6 javë, dhe marrëveshja e Mynihut që na garantonin paqen. Përfiton nga rasti për të kujtuar një méprise tjetër, atë të kthimit të Kryeministrit francez, Edouard Daladier nga Konferenca e Mynihut, i pritur me hare: «Francezët besonin se kishin shpëtuar paqen, pa parë kapitullimin. Përpara turmës entuziaste, vetë Kryeministri i etiketoi francezët si “trapa”. I konsideronte të tillë bashkëqytetarët e tij, sepse kishin besim tek marrëveshja e Mynihut, kur në realitet vetë ai dhe Kryeministri britanik Arthur Chamberlain, kishin ceduar ndaj të gjitha kërkesave të Führer».
«Kam kërkuar që të kujtoj sjelljet që krijojnë verbëri, t’u ofroj shembuj, edhe pse shembuj të pastër shfaqen rrallë, pasi mohimi dhe naiviteti mund të gjenerojnë edhe ato verbëri». Kështu do të ndodhte në rastin e interpretimit të regjimit sovjetik: «Përvoja sovjetike ngjall naivitetin e të gjithë militantëve të partive komuniste perëndimore, që shkojnë në Bashkimin Sovjetik dhe binden se disidentët burgoseshin me qëllim që të edukoheshin. Studiuesi Pierre Pascal (1890-1983), sllavist dhe ekspert i historisë së Bashkimit Sovjetik, tregonte për kushtet e jetesës idiliake të të burgosurve dhe, pas më pak se 10 viteve, në vitet ’30, pranoi se kishte qenë i verbër. Por në këtë rast bëhej fjalë për një verbëri të zakonshme, që deri-diku edhe mund të kuptohet». Për Ferro, praktikisht nuk ka qenë kurrë “as komunist, as antikomunist, por gjithmonë i majtë”, besohej ajo që dëshirohej të besohej: shkohej në Bashkimin Sovjetik ku ishte realizuar “një revolucion i jashtëzakonshëm”. Por në vijim u bë gjithnjë e më e vështirë të mohohej ekzistenca e gulagëve, pasi dihet, nga fundi i viteve ’30, se vdisnin opozitarë të shumtë.
Edhe një herë akoma, në kërkimin e tij, Ferro merr në shqyrtim edhe “mohimin” dhe ai i hebrenjve i duket befasues: «Raymond–Raoul Lambert, President i izraelianëve të Francës, megjithëse duke asistuar në arrestim pas arrestimi dhe vetë i deportuar në 1942, u shkruante familjarëve duke u premtuar: “Do t’u dërgoj adresën time”; injoronte kështu që të deportuarit shfaroseshin. Kishte quajtur vajzën e tij të lindur pak përpara arrestimit Marie-France dhe nuk shikonte gjë tjetër përveçse “këmbënguljes gjermanike” prapa shumicës së dekreteve të zbatimit të statutit të dytë të hebrenjve».
Por le të kthehemi tek 11 shtatori 2001 dhe më pas akoma edhe më afër, domethënë në aksionet e ISIS-it dhe në rekrutimin e shumë të rinjve që nisen nga Europa për të bërë luftën e shenjtë në Siri. Lidhur me këtë, Ferro thekson: «Verbëria më duket e vullnetshme nga ana jonë: është thënë menjëherë se ISIS-i nuk ishte shtet, domethënë nuk ekzistonte, idhtarët e tij konsideroheshin të çmendur dhe etiketoheshin si “ujqër vetmitarë” janë katandisur në terroristë dhe delinkuentë, në mënyrë shumë reduktuese». Më pas diagnozat kanë rezultuar në pjesën më të madhe të tyre të gabuara, «prej vullnetit për të mos ditur».
Historiani vazhdon të tregojë një episod tjetër: «Në 1997, i ftuar në një universitet maroken për të diskutuar për një libër timin mbi kolonizimin (Histoire des colonisations, 1996), i gjeta të ftuarit e mi të befasuar nga fakti që e njihja mirë vendin dhe në drekë diskutohej në liri të madhe për Islamin, për arabët, siç nuk kisha parë të ndodhte në fakt në Algjeri. Vërejta se gra nuk kishte të pranishme dhe e evidentova si fakt. Në fund të drekës, organizatorët më dhuruan fshehurazi një pako të vogël që kishte brenda një libër, duke më rekomanduar që ta lexoja vetëm sapo të kisha shkuar në Francë. Gjë që e bëra: bëhej fjalë për një tekst me titullin Të islamizosh modernizmin. Kjo, konstaton ai, ndodh ndërkohë që në botën perëndimore vazhdonin të kishin iluzionin se në fakt po modernizohej Islami. Në kopertinën e librit, të shkruar nga një farë Yassine – shfaqej një qiellgërvishtëse me flamurin e Islamit sipër dhe kjo 4 vite përpara 2001. Domethënë, askush nuk dëshiron të shikojë se projekti islamik konsiston në islamizimin e botës».
Dhe vazhdon më tej, duke konstatuar: «Vendi nga ku niset pjesa më e madhe e vullnetarëve për Siri, në përpjestim me popullsinë, është Republika Maldive: 400 familje nga një vend që ka më pak se 1 milion banorë. Me pak fjalë, ISIS-i zotëron një arqipelak që përdor Xhihadin larg, domethënë sharia, në emër të së drejtës së diferencës dhe përdor konvertimet, si në Mesjetë».
Me këtë pohim, Ferro synon të tregojë sesi «ISIS-i nuk ka influencë vetëm në Siri, por, në ndryshim nga al Assad, është një organizatë që në të ardhmen mund të mbështetet mbi 500 apo 600 milionë trashëgimtarë, domethënë një rezervë eksplozive, pasi në gjendje të shkatërrojë kudo dhe në çdo moment, duke rezultuar shumë më e rrezikshme nga sa duket para syve tanë gjatë luftës civile siriane».
Shumë herë Ferro ka pohuar se, “e kaluara e shoqërisë përbën një serbator të pashtershëm mërishë” dhe na ofron 4 tipologji që përbëjnë «Po aq elementë verbërie që ndërthuren njëri me tjetrin dhe për të cilat Europa duhet të bëhet patjetër e vetëdijshme, sepse përfaqësojnë një rrezik për epokën tonë».
Kujt i referoheni? «I pari, që e njohim të gjithë, vjen nga vendet ish-koloni; pastaj është mëria e vendeve të Lindjes ndaj Rusisë, fillimisht asaj cariste që i ka dominuar për një shekull, pastaj Bashkimit Sovjetik, që i ka mbajtur në darë për 50 vite. Atyre nuk u intereson çështja e refugjatëve, sepse terrorin e tyre e kanë përjetuar në kohën e Carit dhe të Stalinit. Kjo mëri shfaqet ende e gjallë dhe në këtë moment nuk jemi në gjendje ta përballojmë. Pastaj është edhe urrejtja e pothuajse të gjithëve ndaj Shteteve të Bashkuara, për shkak të ndërhyrjes së tyre në Afganistan, në Irak dhe më parë akoma në Kili dhe në Venezuelë. Për të përfunduar, sfida vërtet më e vështirë, një element verbërie që vjen nga vendet e ish-Europës Lindore që kanë mëri ndaj Bashkimit Europian, megjithëse tashmë i janë pjesë: në fakt, ato i akuzojnë shteteve themeluese se nuk kanë lëvizur as gishtin për t’i ndihmuar në vitet e vështira, nga 1945 në 1989…».
Jo rastësisht, thotë historiani, timoni tashmë nuk mbahet më nga Britania e Madhe, nga Franca apo nga Italia, por rritet pesha e vendeve ish-satelite të Bashkimit Sovjetik si Letonia, Estonia dhe Polonia.
Nga Lufta e Madhe tek ISIS. Eshtë verbëria ajo që qeveris historinë
Kavaja në këmbë, kundër oligarkisë së krimit dhe korrupsionit
Mijëra qytetarë të Kavajës u ngritën në sheshin kryesor të qytetit për të protestuar kundër oligarkisë së krimit dhe korrupsionit, kundër varfërisë dhe mungesës së shpresës. Protesta u bë në ditën e shënuar të 26-vjetorit të demonstratës së parë antikomuniste që ndodhi në Kavajë. Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka u shpreh se 26 Marsi nuk i përket vetëm Kavajës, por mbarë Shqipërisë, duke vlerësuar lart qytetarët e Kavajës që u ngritën të parët kundër diktaturës. Paloka u shpreh se sot, 26 vjet më pas demokratët dhe shqiptarët përballen sërish me një regjim oligarkik e kriminal që duhet rrëzuar një orë e më parë.
“Sot jemi mbledhur këtu jo thjeshtë për të përkujtuar 26 Marsin, por për të përkujtuar atë që më 26 mars për herë të parë ndodhi në Shqipëri. Filloi këtu në Kavajë. E hodhën frikën, u përplasën me diktaturën më të egër në Europë. Njerëzit më trima që dolën nga ky qytet u përplasën me diktaturën më të ndyrë që kishte njohur ndonjëherë Europa. Kur erdha pashë një slogan: 26 Marsi dita e Kavajës. Kjo datë nuk është thjeshtë dita e Kavajës, por është dita e gjithë shqiptarëve, sepse këtu filloi përmbysja e diktaturës që kishte nënshtruar për 50 vjet një popull që kishte vuajtur varfërinë, vrasjet, burgjet, vrastare e një diktature. Për fat të keq pas kaq kohësh kur ju dhe ne arritëm të fitonim lirinë dhe demokracinë, sot na duhet fatkeqësisht edhe njëherë të përballemi me të njëjtën situatë”, tha Paloka.
Sekretari i Aksionit Qytetar, Ervin Salianji u shpreh se, sot Kavaja dhe mbarë vendi vuajnë ndërsa qytetarët i kanë sërish sytë nga deti për të ikur nga Shqipëria. Salianji kërkoi nga qytetaria e Kavajës të ngrihet sërish kundër këtij regjimi që po varfëron shqiptarët dhe po shuan shpresat e tyre për një vend më të mirë. “Sot Kavaja, si gjithë Shqipëria, nuk zgjedh më me votë të lirë. Kavaja, si gjithë Shqipëria, sheh, edhe njëherë si atëherë, me sytë nga deti. Për të ikur nga sytë këmbët nga ky qytet dhe ky vend. Kavaja, si gjithë Shqipëria, e mat me xhep mirëqenien dhe jo me propagandë qeveritare ku, edhe njëherë si atëherë, jemi kthyer në zili për armiqtë dhe shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut. Shihni anash jush, apo kujtoni një familjar a të afërm që është i papunë; merr ushqimet apo bukën me listë; nuk e paguan dot shkollën e fëmijëve; nuk ka lekë për ilaçet, por edhe kur i ka i merr të skaduara. Pse, a kjo është Rilindja? Etërit, me sa duket, kanë rilindur për të na marrë peng edhe njëherë”, tha Salianji.
Kryetari i PD në Kavajë, Engjëll Cara shprehu mirënjohen e thëllë për bashkëqytetarët e tij për protestën e parë antikomuniste në Shqipëri, por bëri thirrje që kjo datë është sot një ditë proteste. Ai ftoi qytetarët e Kavajës për të protestuar sërish kundër kësaj diktature të re.
“Të gjithë e dimë se nga një ndeshje futbolli mori rrugën kapitullimi i regjimit. Paradoksale, që fundi të vijë nga futbolli. Por në fakt është krejt e kundërta: Nga futbolli nisi një fillim i ri, edhe pse futbollistët, ishin thjesht protagonistë. Mbahet mend si i vetmi rast ku spektatorët ishin bërë “lojtar” e lojtarët spektatorë. Në Stadiumin “Besa” tanimë kishte nisur. Pas minutës së 80′ siç ishte planifikuar, të rinjtë kavajas brohorasin “Liri” “Demokraci”, parulla të padëgjuara më parë hapur, në publik. Parulla që sfiduan sistemin dhe u dhanë kurajë shqiptarëve. Në Kavajë, fatkeqësisht, sot nuk është ditë feste, por ditë proteste. Do të protestojmë edhe për 26 Marsin, për harresën që po i bëjnë. Por thonë: “Kush harron historinë e tij do të duhet ta ripërsërisë atë”, tha Cara.
Basha për protestën: Qytetarët çajnë rrethimin, terr mediatik nga mediat e kapura nga Rama
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka denoncuar dhunën e ushtruar nga Policia Bashkiake e Tiranës ndaj protestuesve të shoqërisë civile.
Në një status në Facebook, Basha ka dënuar edhe mospasqyrimin nga televizionet të protestës së aktivistëve që kundërshtojnë punimet brenda parkut të liqenit.
“Protestë në Parkun e Liqenit. Protestuesit kanë çarë gardhin. Dhunë shtazarake mbi protestuesit. Terr mediatik, asnjë fjalë për protestën. Asnjë foto nga protesta. Oligarkia i ka zënë për fyti apo jua ka zënë fytin…”, shkruan Lulzim Basha në Facebook.
Pak më parë, protestuesit hoqen rrethimin ku po kryhen punimet për ndërtimin e këndit të lojrave brenda parkut të liqenit të Tiranës dhe u përleshën me policinë.
Ambientalistët: Të ndalohet kategorikisht ndërtimi
Katër ligje të Kushtetutës janë shkelur për ndërtimin e këndit të lojërave në Parkun e Liqenit sipas ambientalistëve. Në një deklaratë për mediat ambientalistët janë shprehur se ky është një rast i qartë kur Bashkia shkel mbi vetveten dhe bëri thirrje që qytetarët të bashkohen për të ndalur sa më parë punimet për ndërtimin e këndit të lojërave.
“Vepër që ka nisur me kokëfortësi, ka nisur me inat, ka nisur me kundërshti me zërin jo të paktë, por të shumtë të qytetarëve dhe është hera e parë që Bashkia shkel mbi vetveten. Kemi një zonë që thuhet që ndalohet kategorikisht ndërtimi. Shkel ligjin e planifikimit të territorit. Shkel ligjin për moratoriumin e pyjeve dhe ligjin për miratimin e rregullores së planifikimit. I bëj thirrje gjytetarëve të binden për shkeljet ligjore”, është shprehur Guri. Përfaqësuesi i PD, Jamarbër Malltezi në një reagim në profilin e tij Facebook denoncoi ashpër dhunën policore të ushtruar ndaj protestuesve.
“Babëzia dhe vjedhja e 700 milionë lekëve ju ka mbyllur arsyen dhe ngushtuar mendjen. Të mjerët përdorin policinë për të mbrojtur paligjshmërinë. Policia nuk lejon qytetarët as në rrugë? Të keqpërdorur. Arroganca me pushtetin po kërcënon mushkëritë e Tiranës. Ngritëm tendën bri themeleve 1 metër të trasha të betonëve të hedhura në park. Pemë të prera përkundër gënjeshtrave të Erion Veliajt që nuk janë prerë pemë. Trishtim dhe turp me këtë arrogancë të pushtetit që shkel 5 ligje dhe përdor policinë që të mbrojë paligjshmërinë. A është park apo beton? A nuk ka nevojë për leje mjedisi kur bëhen punime në tokë, hidhet beton dhe hyjnë 25 betoniere në ditë me baltë dhe çlirim tymrash? Këtu nuk ka as shtet ligjor dhe as Prokurori. Angazhohet policia për të shkel ligjin?! Angazhohet pushteti përmes pushtëve në KQZ mos lejojë që qytetarët të shprehen nëse e duan apo jo. U përballëm sot me paligjshmërinë. Për parkun. Për mushkëritë e fëmijëve tanë”, shprehej Malltezi në reagimin e tij.
Pushtohet parku, policia dhunë shtazarake ndaj protestuesve, tërhiqet zvarrë aktivistja
Qytetarët e Tiranës, shoqëria civile, të mbështetur edhe nga përfaqësues të Partisë Demokratike kanë pushtuar dje kantierin e ndërtimit ku Veliaj po betonizon Parkun e Liqenit, ndërsa i kanë bërë rezistencë dhunës shtazarake të policisë. Rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme, ashtu siç ishte paralajmëruar, protestuesit fillimisht rrëzuan kangjellat rrethuese ku Bashkia prej disa ditësh ka shtruar betonin, duke çarë rrethimin e kantierit të ndërtimit e më pas e kanë pushtuar atë. Protestuesit u përleshën gjatë me policinë, ndërsa sfiduan dhunën dhe terrorin e ushtruar ndaj tyre duke arritur që të thyenin gardhin rrethues.
Në këtë moment protestuesit kanë ngritur çadrat e tyre në park me qëllim moslejimin e vijimit të betonizimit të parkut. Një grup i protestuesve i ka tërhequr policët në një pjesë të rrethimit, ndërkohë që një grup tjetër, pa u vënë re, ka rrëzuar rrethimin e kantierit në një pjesë tjetër të perimetrit. Pasi kanë hyrë brenda, protestuesit kanë tentuar të ngrejnë çadrat. Gjatë gjithë kësaj kohe, protestuesit u përleshën me forcat e Policisë Bashkiake, e cila ushtroi ndaj tyre dhunë për t’i larguar. Në këtë situatë të tensionuar, në vendin e ngjarjes në ndihmë të Policisë Bashkiake kanë ardhur edhe forcat Shqiponja dhe forcat speciale, ku policia nisi të forconte dhunën ndaj protestuesve, duke i nxjerrë ata forcërisht nga kantieri.
Sapo ka rënë nata, policia ka ndërhyrë me forcë tek vendqëndrimi i aktivistëve të shoqërisë civile brenda Parkut të Liqenit, të cilët kundërshtojnë punimet e Bashkisë së Tiranë. Disa prej protestuesve u tërhoqën zvarrë nga Policia Bashkiake. Njëra prej aktivisteve u dërgua në spital për të marrë mjekim. Në rrjetet sociale nisën të qarkullonin dy video ku dukeshin momentet gjatë konfrontimit fizik mes protestuesve dhe policisë mbrëmjen e djeshme. Shumica e portaleve dhe televizioneve nuk i kanë transmetuar pamjet e dhunës së policisë ndaj protestuesve.
Policia Bashkiake e Tiranës ka dhunuar dhe ka tërhequr zvarrë aktivistët e shoqërisë civile, të cilët prej disa orësh kanë hyrë brenda rrethimit ku po kryhen punimet në Parkun e Liqenit. Janë vetë aktivistët e shoqërisë civile që kanë denoncuar këtë rast, të cilët thonë se policët e Bashkisë së Tiranës kanë marrë zvarrë shoqen e tyre Rezarta Çaushaj. Kjo e fundit është dërguar në spital në gjendje të rëndë. Policia sumoi pa paralajmërim vendqëndrimin e protestuesve. Edhe më herët pati përleshje me policinë, pasi protestuesit shkulën rrethimin ku po kryhen punimet brenda Parkut të Liqenit të Tiranës.
E megjithatë, protestuesit kanë paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen dhe se do të jenë edhe masive deri në ndaljen e masakrës që Rama-Veliaj po bëjnë ndaj Parkut të Liqenit. “Nuk do të largohemi që këtej. Nuk na tremb dhuna dhe as forcat e terrorit që po sjellin ndaj nesh. Protestat do të vijojnë derisa betonizimi Rama-Veliaj të marrë fund. Ne nuk ndalemi”, u shprehën protestuesit. E ndërsa kjo situatë e tensionuar kishte pushtuar parkun, asnjë nga mediat informative nuk transmetoi asgjë.
Bashkim sindikalist në aksionin për të ndalur oligarkinë në pushtet
Lulzim BASHA
Muajt e fundit kemi përkujtuar e festuar me krenari përvjetorët e disa prej ngjarjeve më të mëdha që ndryshuan historinë tonë në vitin 1990 dhe në fillim të vitit 1991: 8-dhjetorin e shpërthimit të Lëvizjes Studentore për Liri e Demokraci, 11-dhjetorin e fitores së pluralizmit politik dhe themelimit të Partisë Demokratike, që theu monopolin gjysëmshekullor të shtetpartisë komuniste të punës, 20 shkurtin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, si simboli i diktaturës me të egër në Europë.Themelimi i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura qëndron denjësisht në piedestalin e këtyre ngjarjeve madhore si për nga guximi dhe largpamësia e themeluesve të saj, ashtu edhe për nga rëndësia dhe kontributi i jashtëzakonshëm në përmbysjen e diktaturës. Veç e veç në fillim dhe të bashkuara pak më vonë, sindikatat e pavarura të Shqipërisë zbritën në arenën e kohës si një fuqi e re e pazëvendësueshme e përshpejtimit të ndryshimeve demokratike në vend. BSPSH ishte protagoniste në sa e sa ngjarje, nisma dhe kauza vendimtare, që përmes forcës së bashkimit, organizimit, grevave dhe protestave që nuk i kishte njohur historia jonë, zhvlerësuan përpjekjet e diktaturës komuniste për të mbijetuar, duke i marrë anën demokracisë. BSPSH u bë zëri i ri përfaqësues i një mase shumë të madhe punëtorësh anembanë vendit që donin ndryshimin. Ajo hyri dhe është në histori. BSPSH është Solidarnosti ynë. Lëvizja Studentore e Dhjetorit, Partia Demokratike dhe BSPSH, janë tre forcat simotra që hapën rrugën e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri 25 vite më parë. Ne jemi të “një gjaku” në kuptimin që edhe PD, edhe sindikatat e pavarura i ka lindur Liria. Ne jemi lidhur që prej fillimit e në vazhdimësi nga respekti për vlerat e përbashkëta që janë të shenjta për ne dhe për ju: puna, dinjiteti i individit të lirë, i punëtorit, i qenies njerëzore, i shqiptarit.Ju jeni demokratë kur predikoni dhe luftoni për këto vlera. Ne jemi sindikalistë gjithashtu, duke luftuar këto vlera.
Oligarkia i kërkon sindikatat të vdekura
Partia Demokratike vlerëson faktin se BSPSH ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të madh për të mbajtur qeveritë nën presionin e fortë të kërkesave për zbatimin e ligjeve që mbrojnë punëmarrësit, për ndryshimin dhe përmirësimin e këtyre ligjeve sa herë paraqitet nevoja. BSPSH vazhdon të jetë e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë në qeverisje, që janë shkaku kryesor i shpunësimit, i rënies së konsumit, i uljes de fakto të rrogave, i varfërisë në rritje. BSPSH është gjallë dhe e fortë edhe pse oligarkia në pushtet e do të vdekur. Kush nuk e kujton batutën e kryeministrit shqiptar për të ashtuquajturat avantazhe joshëse të Shqipërisë për investitorët italianë. Nuk janë taksat që i kemi më të lartat në rajon. Nuk është klima e biznesit që e kemi të fundit në rajon dhe në fund të listës botërore. Ne kemi një avantazh tjetër, sipas Ramës. Apo më saktë nuk kemi diçka tjetër që, sipas tij duhet të na bëjë punë. Nuk kemi sindikata! Kjo ishte batuta dhe oferta e Ramës për investitorët italianë. Kryeministri italian ka qenë në siklet edhe ta dëgjonte e jo më ta mendonte. Si është e mundur që kryeministri i një qeverie që vetëquhet e majtë, ambalazhon me një shaka të pakripë gëzimin dhe dëshirën e tij që vendi të mos ketë sindikata? Ka mundësi, sepse ai dhe kupola që qeveris sot vendin nuk kanë lidhje as me të majtën, as me të djathtën, por vetëm me interesat e tyre të ngushta. Urrejnë opozitën, urrejnë shtypin e lirë, urrejnë organizatat e pavarura të Shoqërisë Civile, urrejnë institucionet e pavarura, urrejnë sindikatat e pavarura, urrejnë gjithçka që nuk e kapin e nuk e kanë nën kontrollin e tyre.Kjo kupolë pasurohet për vete me tendera e konçesione korruptive, me kontrabandë dhe trafiqe, por nuk ka asnjë qëllim, nuk e ka as në mendje, t’i shërbejë punës dhe punësimit, mirëqenies dhe sigurisë së qytetarëve, familjarëve, kryefamiljarëve, të papunëve. Bilanci i saj në këto fusha jetike nxin ngado që ta shikosh.
Në një muaj u pushuan 75 mijë punonjës, vendi në kthetrat e varfërisë
Papunësia reale, edhe sipas INSTAT-it nën kontroll qeveritar është në rritje të pandalshme. Në fund të vitit 2015 ky tregues u ngjit zyrtarisht në nivelin 17.7%, por faktikisht siç e dimë të gjithë ne, siç e dini mirë ju, qëndron shumë më lart. Aksionet e ndërmarra nga qeveria në luftën kundër informalitetit kanë qenë e janë kryekëput klienteliste dhe kanë pasur si pasojë pushimin nga puna të mbi 75 mijë punonjësve vetëm gjatë periudhës shtator–tetor të vitit 2015. Biznesi i vogël, por edhe ai i mesëm, po përjeton ditë shumë të vështira për shkak të taksave dhe gjobave dhe arbitraritetit të hordhive inspektuese që shkojnë e vijnë si miza kali, çfarë i detyron shumë prej tyre të reduktojnë aktivitetin ose të mbyllen. E gjitha kjo bie në kurriz të vetëpunësuesve, të punëmarrësve dhe punëdhënësve. Problemin më të madh që ka sot vendi, atë të papunësisë dhe shpunësimit, qeveria i qaset me shpotinë e propagandës dhe aksione mediatike. 30 mijë vende vakante pune deklaroi Kryeministri. 200 mijë ia priti ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Me këtë ritëm, vendet imagjinare të punës pas pak javësh do të tre-katërfishohen. Por eksodi masiv i shqiptarëve nuk lë hapësirë për humorin e zi të shifrave të qeverisë. Për shkak të papunësisë, korrupsionit, për shkak të krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim, për shkak të errësimit të perspektivës në të gjitha drejtimet, shqiptarët e larguar gjatë vitit të fundit janë sa popullsia e Gjirokastrës apo Beratit. Ky eksod në këto përmasa përkeqëson direkt gjendjen në tregun e punës, sepse rriskun e emigracionit e merr pjesa vitale e shoqërise, e cila ka edhe potencialin më të madh për t’u bërë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit. Mosrritja për tre vite me radhë e pagës minimale është pjesë e një politike që e ka sjellë ekonominë në deflacion, pasi fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm. Në uljen e nivelit të jetesës ka ndikuar direkt edhe rritja e pashpirt e cinike e çmimit të energjisë elektrike, e cila ndikon më së shumti në shtresat e varfëra. Po ashtu, rritja e çmimit të transportit publik me 33% ka një ndikim të madh në xhepat e popullsisë me të ardhura të ulëta, të cilët janë edhe konsumatorët e parë të këtij lloj shërbimi. Ju, sigurisht, i keni në qendër të vemendjes dhe aksionit tuaj sindikalist këto probleme e shumë të tjera që rëndojnë gjendjen e punëmarrësve. Ne si opozitë i kemi në qendër të aksionit dhe programit tonë politik. Ne jemi në të njëjtën anije në përpjekjen tonë për nxjerrjen e vendit nga kthetrat e korrupsionit, krimit dhe krizës. Politika jonë fiskale që ka në boshtin e saj uljen dhe thjeshtimin maksimal të taksave do të sjellë më shumë investime dhe vende pune dhe vende pune me paga më të mira, do të reduktojë informalitetin dhe do të krijojë hapësira për një zhvillim ekonomik të qëndruesheëm, si rruga e vetme e reduktimit të varfërisë.
Programi i PD, mundësi reale për rritjen e pagave
Dua t’ju njoftoj se departamentet e PD-së kanë përfunduar sipas fushave projektprogramet e zhvillimit, që ne do t’i konsultojmë me grupet e interesit, me partnerët socialë, me BSPSH-në, me organizatat e punëmarrësve dhe punëdhënësve. Po kalkulojmë mundësitë reale të rritjes së pagave, sidomos të pagës mininale, e cila është praktikisht një referencë edhe për pagat e tjera.
Zoti Kalaja, unë e marr si shenjë besimi dhe vlerësimi apelin tuaj në emrin të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe ju përgjigjem sot nga kjo sallë, se PD do të jetë në nivelin e pritshmërive të sindikatave sot si opozitë dhe alternativë krah për krah jush për zgjidhjen e problemit të madh të papunësisë dhe varfërisë përveç politikave që do të nxisin zhvillimin ekonomik, investimin, rritjen e konsumit , rritjen e pagës minimale. Ne presim që së bashku të luftojmë e të punojmë për t’i arritur këto objektiva përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sigurisht presim që pas kësaj, siç kemi qenë dhe jemi aleatë në vlera, ne si qeverisje të jemi ballë përballë me njëri-tjetrin për të garantuar zbatimin e tyre.
BSPSH kanë shënuar tranzicionin shqiptar deri në ditët tona dhe unë besoj fort se, pavarësisht vështirësive, ky bashkim sindikalist me emër dhe kontribute të mëdha do të forcohet, do të tregojë se është gjallë dhe jo i vdekur siç uron oligarkia në pushtet, do të ridalë fuqishëm në skenën e kohës, duke shtuar radhët, duke intensifikuar aksionin në shembullin e fillimeve heroike të 25 viteve më parë dhe të sindikalizimit bashkohor perëndimor gjithashtu. Shqipëria ka nevojë për ju. Hallet, dhimbjet dhe nevojat e njerëzve të thjeshtë kanë nevojë për sindikatat dhe sindikalizmin. Liria ka nevojë për ju. Jam i bindur se BSPSH nuk do t’u mungojë këtyre pritshmërive.
Shqipëria humb 2-1 me Austrinë
Shqipëria humbi 2-1 miqësoren me Austrinë, me Lenjanin që shënoi të parin gol në ndeshjet e kuqezinjve të luajtura në Vjenë. Shqipëria zhvilloi një 90 minutësh me dy fytyra përballë një prej kombëtareve më të mira në Europë për momentin, duke shfaqur probleme në mbrojtje në 45 minutat e para, që mund të kthehen në problem në një kompeticion të rëndësishëm, por duke treguar karakter në pjesën e dytë e mbi të gjitha forcë reagimi në një situatë përballë së cilës mund të gjendemi dhe në Europian. Në Vjenë kuqezinjtë veshën për herë të parë dhe fanellat e reja, në një ndeshje ku nuk ishin aspak të vetmuar dhe kjo u kuptua dhe në momentin e këndimit të Himnit, kur pas tyre qëndronte një mur i madh shqiptarësh, zëri i të cilëve kumboi madje në “Ernst Happel”.
Sa i përket formacionit, De Biasi luajti me rreshtimin 4-5-1, ku spikasnin, Kaçe e Lila titullar, por dhe Mavraj, që rikthehej pas plot një viti me Kombëtaren pas një mungese të gjatë, gjë që u ndje sidomos në minutat e para, ku austriakët hapën disa herë në qendër mbrojtjen tonë përpara se të shënonin në të 6-ën pikërisht me Jankon, që shfrytëzoi një gabim në vendosje në mbrojtje të tanëve. Goli nuk uli ritmin e austriakëve që në të 9-ën rrezikuan sërish me Jankon, ndërsa 3 minuta më pas provoi Mavraj në krahun tjetër me kokë, por jo saktë. Në të 13-ën, një top i gjatë i portierit Almer, shërbeu si asist për Harnik pas një gabimi të Mavrajt, që nuk vuri re lojtarin vendas, duke e lënë këtë të fundit të vraponte i vetëm drejt portës për golin e 2-0. Në disavantazhin 0-2 Shqipëria u gjet përpara një situate që duhet të tregonte se si do të sillej nëse do t’i ndodhte diçka e ngjashme dhe në Europian dhe kuqezinjtë u përpoqën të ndryshonin ritmin me Austrinë që u tërhoq paksa. Në të 22-ën Balaj provoi me kokë, por Almer priti, ndërsa 2 minuta më pas Lenjani lëshoi një goditje të fortë, por jashtë kuadratit.
Gjithsesi loja ishte paksa e ngadaltë nga ana e kuqezinjve dhe qëndrimi i De Biasit, që ishte zhytur në stol dukej sikur e konfirmonte. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0 për vendasit pasojë dhe e gabimeve në mbrojtjte të Shqipërisë. Pjesa e dytë nisi me ndryshime te Shqipëria, me De Biasin që hodhi në fushë Roshin e Cikalleshin për Lilën e Balajn. Lëvizje që dha efekte, pasi pas vetëm 2 minutash, Cikalleshi shërbeu për Lenjain, që shkurtoi diferencën me një silur në portë, duke i dhënë një arsye kuqezinjve në tribuna për të festuar. Gjithsesi problemet në mbrotjen tonë u bënë të dukshme në të 57-ën kur Arnautoviç shfrytëzoi një tjetër hapje, duke lënë në qendër për Jonuzoviçin që nuk devijoi dot për në rrjetë. Me fat ishte dhe Austria pak sekonda më pas kur Cana i vetëm përballë Almer nuk zgjodhi kohën e duhur për të goditur nga dy hapa. Në të 69-ën, Roshi mori sërish mirë krahun, por askush nuk mundi të devijojë në qendër.
Shqipëria vazhdoi të hapej mirë nga krahët, por pa arritur dot te goditja. Në të 78-ën, kuqezinjtë mbetën me 10 vetë pas daljes me të kuq të Kaces. De Biasi megjithatë nuk hoqi dorë nga sulmi, duke nxjerrë Lenjanin për Sadikun, me Shqipërinë që kaloi në rreshtimin 4-3-2. Në të 85-ën, Shqipëria rrezikoi të pësonte në kundërsulm, por këtë herë kuqeznjtë treguan se i kishin mësuar gabimet e pjesës së parë dhe mbyllën mirë zonën. Ndërsa në të 93-ën ishte Berisha që shpëtoi golin e 3-të. U mbyll 2-1 për Austrinë, një test miqësor mëse i vlefshëm për kuqezinjtë, që ditën të mësojnë brenda një ndeshje të vetme nga gabimet e saj, duke i dhënë dhe De Biasit disa tregues mbi të cilët duhet të punojë.
Studimi i Altax: Shqipëria rritje taksash mbi mesataren e rajonit
Gjatë vitit 2015, pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit i rritën taksat, por Shqipëria dhe Serbia zbatuan norma më të larta rritje se mesatarja e Rajonit. Ky është një ndër përfundimet e studimit të Altax, të publikuar në Ditën e Lirisë fiskale në Shqipëri. Studimi evidenton se vendi ynë ka një nivel më të ulët të barrës tatimore krahasuar me një pjesë të fqinjëve, megjithëse vitet e fundit barra fiskale është rritur. Taksat po rriten në të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Bosnje – Hercegovinës dhe Malit të Zi, por Shqipëria dhe Serbia janë dy vendet që po zbatojnë norma rritje më të larta se mesatarja e rajonit. Ky është konkluzioni i studimit për barrën fiskale, i realizuar nga Altax në ditën e lirisë fiskale në Shqipëri, 2016. Studimi evidenton se barra tatimore në rajonin e Ballkanit në vitin 2015 është mesatarisht sa 31,5 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërsa një vit më parë kjo ngarkesë fiskale ishte 31.2%. Barra tatimore rezulton më e ulët në Kosovë me 23,8%, Shqipëri me 24,1% dhe Maqedoni me 26,2%. Ndërsa barra tatimore më e lartë gjendet në Mali i Zi, Kroaci dhe në Greqi. Studimi vë në dukje se Shqipëria dhe Serbia janë në vendet që kanë një miratuar politikë fiskale, e cila i ka dhënë ngarkesë fiskale sistemeve të tyre tatimore mbi mesataren e rajonit ballkanik. Gjatë viteve të fundit, niveli i taksave ka pësuar rënie në Kosovë, Malin e Zi, Rumani dhe Greqi. Ndërsa në Shqipëri, Serbi, Kroaci dhe Maqedoni shikohet rritje e ngarkesës fiskale. Ndërkohë, pas raportit “Doing Business 2016”, edhe Banka Botërore kritikoi qeverisë shqiptare, jo vetëm për taksimin më të lartë në rajon, por edhe e akuzon atë hapur për evazion në lidhje me arkëtimin e taksave. Sipas raportit më të fundit të BB për pagesën e taksave, vendi ynë është thuajse i fundit në rajon (lëmë pas vetëm Serbinë). Raporti i BB vlerëson se, Shqipëria ka zbritur 11 vende në Indeksin për pagesën e taksave. Ne renditemi në vendin e 142, ndërsa një vit më parë mbanim pozicionin e 131. Ndërkaq, sipas raportit të BB-së, Shqipëria është vendi që ka njohur rritjen më të madhe në normën totale të taksave në harkun e një viti. Për taksat që paguajmë, ne lëmë pas vetëm Serbinë. Ndërsa të gjitha vendet e tjera të rajonit vihet re se kanë bërë përmirësime. Shqipëria është jo vetëm vendi me taksat më të larta në rajon, por edhe rivalizon Serbinë në këtë drejtim. Raporti i BB-së citon qartë se, shqiptarët paguajnë më shtrenjtë TVSH–në, tatim fitimin dhe kontributet e sigurimeve shoqërore, siç rezulton nga një tabelë krahasuese e raportit “Doing Business” të Bankës Botërore. Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të taksës në rajon për kontributet shoqërore që paguhen nga punëdhënësit. Megjithatë rezulton me rendimentin më të ulët fiskal, çka ngre dyshime se me këtë taksë kryhet evazion i lartë. Tabela krahasuese, tregon se Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të taksave në përqindje ndaj fitimit, përkatësisht 36.5% Shqipëria dhe 39.7% Serbia. Sidomos në kontributet që paguhen nga punëdhënësit, Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të taksës në rajon, por rendimentin më të ulët fiskal. Shqipëria, së bashku me Serbinë kanë nivelin më të lartë të taksave në rajon, në TVSH, kontributet e sigurimeve, që paguhen nga punëdhënësi dhe tatimin mbi korporatat. Jo më kot, të dy këto shtete kanë nivelin më të lartë të taksave në përqindje ndaj fitimit, përkatësisht 36.5% Shqipëria dhe 39.7% Serbia. Sipas një tabele të nxjerrë nga të dhënat e Bankës Botërore, Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të TVSH-së, në 20%. Në Maqedoni, niveli më i lartë i TVSH-së është 18%, ndërkohë që vendi ka dhe një TVSH të reduktuar prej 5% për produkte ushqimore, produkte mjekësore, makineri bujqësore, publikime, shitja e parë e ndërtesave dhe apartamenteve si dhe transporti dhe akomodimi. Mali i Zi e ka TVSH-në 19%, Bosnja 17% dhe Kosova në nivelin më të ulët prej 16%. E gjitha kjo vjen në një kohë, kur i gjithë rajoni u fut në një garë të ethshme se kush i ulte sa më shumë taksat dhe zbatonte taksë të sheshtë në nivelin e afër 10%, me përshkallëzimin e krizës ekonomike, rezulton se, vetëm Serbia dhe Shqipëria e rritën taksën mbi korporatat në 15%. Shtetet e tjera vazhduan të ruajnë norma të ulëta të tatimit që paguajnë sipërmarrjet. Mali i Zi ka aktualisht nivelin më të ulët të kësaj takse në rajon, në 9%, ndërsa Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë atë në 10%.
Çfarë është poezia
Octavio Paz
Zëri i saj është tjetër sepse është zëri i dëshirave dhe vizioneve. Është zë i një tjetër bote dhe zë i asaj bote, është i lashtë dhe është i sotëm, lashtësi pa kronologjira. Poezi heretike dhe skizmatike, poezi e pafajshme dhe perverse, e qartë dhe e baltosur, e ajërt dhe e nëndheshme, poezi e shkretimit dhe e barit tek këndi, poezi e prekshme dhe përherë poezi e së përtejmes që është pikërisht këtu. Të gjithë poetët, në këto çaste të mëdha ose të vogla, të përsëritura ose unike, në të cilat janë në të vërtetë poetë, dëgjojnë zërin tjetër. Është i tyre dhe është i huaj, nuk i takon askujt dhe u takon të gjithëve. Asgjë nuk e veçon poetin nga burrat dhe gratë e tjera, përveçse atyre – të rralla megjithëqë janë të shpeshta – ku vërtet ai vetë është dikush tjetër. Pushtim i çuditshëm forcash dhe pushtetesh, gufmim i një thellësie shpirti varrosur në të brendshmen e vet, apo dhunti e rrallë të kombinojë fjalë, imazhe, tinguj, trajta? Nuk është e lehtë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve. Ndërkaq, nuk besoj se bëhet fjalë vetëm për një dhunti. Por edhe nëse është kështu, prej nga vjen? Ose njëra, ose tjetra. E sigurta është që, e veçanta themelore e fenomenit poetik, na bën të mendojmë se bëhet fjalë për një sëmundje që pret akoma diagnostikimin e mjekut. Mjekësia e lashtë – siç edhe filozofia, me Platonin të parin – e pa dhuntinë poetike në këndvështrimin e një turbullimi psikik. Ishte një mani, domethënë një zemëratë e shenjtë, një entuziazëm, një ekstazë. Ndërkaq, mania nuk është veçse njëri nga polet e turbullimit. Tjetri është absentia, boshi i brendshëm, ajo “gogësima melankolike” për të cilën flet poeti. Plotëri dhe boshësi, fluturim dhe rënie, entuziazëm dhe melankoli: poezi. Veçantia psikike dhe shoqërore e poetit, theksohet menjëherë sapo të trajtohet për nga prejardhja e tij shoqërore. Të gjithë poetët modernë, përveç një gjysmë duzine aristokratësh, bënin pjesë në klasën e mesme. Të gjithë kishin formim universitar. Disa ishin avokatë dhe gazetarë, të tjerë ishin mjekë, mësues, diplomatë, reklamues, bankierë, tregtarë, burokratë të vegjël ose të mëdhenj. Pak, si Verleni dhe Rembo, ishin parazitë dhe rebelë. Por Verleni kishte një të ardhur të vogël dhe Rembo ishte një drop-out i klasës borgjeze të provincës. Përgjithësisht, të gjithë ishin produkt i krijimit të madh historik të modernizmit: të klasës borgjeze. Prandaj dhe të gjithë pa përjashtim ishin pozicionuar armiq të modernizmit. Armiq dhe viktima. Kështu – një tjetër paradoks – ishin krejtësisht modernë. Heterodoks si Elioti kur himnizojnë klasën ose kur bëjnë shpeshherë kryqin (për t’u falur) si Klodeli, ose kur himnizojnë litani leniniste, si Brehti dhe Neruda. Liberalë si Paundi kur mbajnë temjanin për të lajkatuar një demagog të kamufluar si Çezar… Të gjithë, poetë me uniformë ose leckamanë, gra poete ose burra poetë, poetë të të gjitha racave dhe i asnjë race, i të gjithë profesioneve, bindjeve, partive dhe dogmave, poetë të endur nëpër katër pikat e horizontit dhe poetë që kurrë nuk kanë braktisur qytetin e tyre, lagjen e tyre ose dhomën e tyre, të gjithë kanë dëgjuar, jo nga jashtë, por brenda nga vetë qenia e tyre (gjëmim, gërgërimë, përrua uji) zërin tjetër. Kurrë zërin e “këtu dhe tani”, të sotmin, por zërin përtej, larg, tjetrin, zërin e fillimit. Veçantia e poezisë moderne nuk konsiston tek idetë ose veprimet e poetit: konsiston në zërin e tij. Ose më mirë: në tonin e zërit të tij. Është një theksim i papërcaktuar, i dallueshëm dhe i cili fatalisht e bën tjetër. Është vula jo e mëkatit fillestar, por e ndryshimit fillestar. Antimodernizmi i modernizmit të poezisë sonë, shpërthyer ndërmjet revolucionit dhe fesë, luhatur ndërmjet të qarit si Herakliti apo të qeshi si Demokriti, është një transhendencë e njëmendët. Por një transhendencë pothuajse përherë e pavullnetshme që paraqitet pa e dashur poeti. Transhendenca rimbin, siç edhe tashmë kam thënë, nga një ndryshim zanafillor. Nuk është një vijim konsekuent, as dhe një element shtesë, por vetë mënyra e qenies së poezisë në epokën moderne. Shkaku i kësaj veçantie është historik. Një poezi mund të jetë moderne nga temat e saj, gjuha e saj, forma e saj, por nga thellësia e natyrës së saj është një zë antimodern. Poezia shpreh të vërteta të huaja kah modernizmit, botë shpirtrash dhe sfera që jo vetëm janë tepër të lashta, por dhe të papërshkueshme prej ndryshimeve të historisë. Që prej epokës paleolitike, poezia ka qenë në simbiozë me të gjitha shoqëritë njerëzore. Nuk ka ekzistuar shoqëri që të mos ketë njohur njërën ose tjetrën formë të poezisë. Edhe nëse është e lidhur me një terren dhe një histori, është përherë e hapur në çdo shfaqje të tyre, në një dia-historik të përtejmë. Nuk aludoj një të përtejmë fetar: flas për konceptin e anës tjetër të realitetit. Është një përvojë e përbashkët për të gjithë njerëzit, në të gjitha epokat dhe e cila më duket paraardhëse e të gjitha feve dhe filozofive.
Në një botë që rregullohet nga logjika e tregut, në vendet komuniste nga logjika e efikasitetit, poezia është një veprimtari me rendiment ekonomik zero. Prodhimet e saj shiten pak dhe kanë vlefshmëri të vogël (përveç rasteve që vlejnë si propagandë në diktatura dhe totalitaritetet ideokratike). Për mentalitetin modern, megjithëqë në të njëjtën mënyrë nuk e pranon, poezia është energji, kohë dhe talent që shndërrohen në tepri objektesh. Vjershë: trajtë lektike me vlefshmëri të vogël dhe çmim të ulët. Poezi: shpenzim, harxhim, shkapërderdhje. Megjithatë, kundër erës dhe baticës, poezia qarkullon dhe lexohet. Duke protestuar kundër sistemit të tregut, pothuajse nuk ka çmim. Nuk ka rëndësi: shkon nga goja në gojë, si ajri dhe uji. Çmimi dhe vlera e saj nuk mund të maten: një lypës mund të jetë i pasur në poezi. As nuk është e mundur që dikush të depozitojë poezi, duhet t’i shpenzojë. Domethënë që t’i thotë. Mister i madh: vjersha përmban poezi me kushtin që të mos e mbajë për veten e vet. Është e bërë për ta shpërhapur dhe ta shpërndajë si kana që derdh verën dhe ujin. Të gjitha artet, veçanërisht piktura dhe skulptura, duke u formësuar, bëhen gjëra, prandaj mund të ruhen, të shiten dhe të metamorfozohen në objekte spekulimi financiar. Poezia është gjithashtu gjësend, por është një gjë shumë e vogël: është e bërë nga fjalë, një frymëmarrje ajri që nuk zë vend në hapësirë. Në rrjedhë të anasjelltë nga tabloja e pikturës, poezia nuk tregon figura, as trajta: është një komplot fjalësh që bën të shpërthejë tek lexuesi ose tek dëgjuesi një tablo me imazhe shpirtërore. Poezia dëgjohet me veshë, por shikohet me të kuptuarit e mirë dhe të thellë. Imazhet e saj janë disa plazma amfibe: janë ide dhe janë forma, janë tinguj dhe janë heshtje. Përpara se të përfundoj, më duhet të përsëris atë që thashë. Konflikti ndërmjet poezisë dhe modernizmit nuk është i rastësishëm, por rrënjësor. Kundërshtia midis tyre paraqitet që prej fillimeve të epokës sonë me romantikët e parë. Paradoksi është se kjo mungesë kompromisi është një nga karakteristikat e njohura, ndoshta themelorja, e poezisë moderne, për më tepër, kjo mungesë kompromisi e bën të pranueshme nga ana e lexuesit që shikon tek kjo një imazh të gjendjes së tij. Vetëm poetët modernë mund të jenë kaq totalisht dhe kaq skizmatikisht antinovatorë, siç qenë poetët tanë të mëdhenj. Modernizmi i bazuar tek kritika, lind në një mënyrë të natyrshme kritikën e vetvetes. Poezia është një nga shfaqjet më aktive dhe të gjalla të kësaj kritike. Por kritika e saj nuk ishte as racionale dhe as filozofike, por u bë me pasion dhe në emër të realiteteve që injoron ose mohon epoka moderne. Poezia i ka bërë rezistencë modernizmit dhe duke mos e pranuar e ka rigjallëruar. Ka qenë kundërthënia dhe antidoti i tij. Duke mbërritur në këtë pikë, kthehem në fillim të mendimit tim. Sot jemi dëshmitarë, konform gjithë shenjave, të një ndryshimi tjetër të madh. Nuk dimë nëse jetojmë fundin apo ripërtëritjen e modernizmit. Në këtë kthim të kohëve, kush do të mund të ishte roli i poezisë? Nëse, siç besoj dhe shpresoj, lind një politikë e re mendimi, krijuesit e saj do të duhet të dëgjojnë zërin tjetër. Nuk e dëgjonin ideologët revolucionarë të shekullit tonë dhe kjo shpjegon, pjesërisht të paktën, dështimin e madh të planeve të tyre. Do të ishte shkatërrimtare që filozofia e re politike të injoronte këto të vërteta, të fshehura dhe të varrosura nga njeriu i sotëm. Përgjatë kohës së dy shekujve të fundit, roli i poezisë ishte të na kujtonte ekzistencën e këtyre realiteteve. Poezia e nesërme dhe roli i saj nuk do të mund të jetë i ndryshëm. Misioni i saj nuk do të konsistonte në atë që, të furnizonte me ide mendimin, por t’i rikujtonte, siç edhe tani, atë që me idhnim ka harruar që prej tre shekuj. Poezia është kujtesa që bëhet imazh dhe imazhi që shndërrohet në zë. Zëri tjetër nuk është zëri që del nga varri: është zëri i njeriut që fle në thellësi të çdo njeriu. Është mijëravjeçar dhe ka moshën tonë dhe ende nuk ka lindur. Është gjyshi ynë, vëllai ynë, stërnipi ynë.
Nuk mund të arratisesh nga jeta
Le CLEZIO
Nuk mund të arratisesh nga jeta. Unë nuk jam i qetë, jo, nuk jam i qetë. Unë jetoj, jam në jetë, lëviz, hedh fuzhnjat dhe shigjetat e mia, gjuaj, përgjoj nga lukthi i territ. Shkrimi im është një labirint pa rrugëdalje e aty vdes edhe vetë. Shkrimi im është gjithandej, nuk mund të reshtë. Ai është më i gjerë së fleta që e mbart, më i gjatë se gjurma e bojës së lapsit që e shkruan. Unë shkruaj me të dyja këmbët e mia kur eci, me dhëmbët e mi kur ha. Unë shkruaj me të gjithë trupin tim, me shtatin e grave, me dhembjen, kënaqësinë, me frymën time. Dhe shkruhem gjatë gjithë kohës nga bota, pa mundur të them jo… Ajri ka kaluar mbi këtë truall dhe shiu ka rrjedhur shpesh nëpër këto lugje. Ç’gjë të shkruar ka atje? Çfarë është shënuar në këtë rrasë? Emrat e të vdekurve, afërmendsh dhe gjurmët spirale të gishtërinjve të të gjallëve. Edhe nënshkrimet. Datat e ditëve e shifrat e orëve, numrat e viteve, fazat e hënës, erërat, baticat, shpërthimet diellore. Numri i gjetheve të drurëve. Luspat e gjarpërinjve, gjymtyrët e shumëkëmbëshave. Hala peshqish, mbetje të moçme, mbeturina gostie, thërrime, sa shumë thërrime! Pikërisht kjo është prona ime, burgu im. Nuk do të dal prej këtej; por dua të numëroj kokrrizat e rërës e t’i vë secilës një emër, meqë kjo është e vetmja arsye e jetës sime. Asgjë nuk më shkatërron dot më përnjimend. Gjithçka që ndodh, ndodh shumë larg, si në një botë tjetër. Unë jam i ulur, ndoshta përballë përjetësisë. Aksidente, pasione, dëshira, drojë, të gjitha këto janë brenda meje, lëvizin, gjallërohen, vazhdojnë të luftojnë. Brenda vetes vështroj; mbruj. Shfaqje aq e zakonshme, saqë bëhet joshpërfillëse, por krijon. Si t’i shpëtosh romanit? Si t’i shpëtosh gjuhës? Si t’i shpëtosh, qoftë edhe një herë të vetme, qoftë edhe fjalës thikë?
Nuk mund të arratisesh nga jeta. Sa herë që dikush dëshiron të shkruajë, ja se çfarë duhet të bëjë: duhet të blejë një pako me letër të bardhë 21 x 27 dhe një stilolaps të zi. Del nga shtëpia ndonjë ditë, aty rreth orës tre e dhjetë të pasdrekes dhe çapitet nëpër rrugë midis turmës së zhurmshme. Zbret dy shkallë, u bie mes për mes disa kopshtijeve, ecën me kilometra përgjatë trotuaresh të përhime, ku bie pluhuri. Kapërcen më këmbë lumenjtë e makinave, duke shmangur gomat me vizatime gllabëronjëse. U hedh një vështrim semaforëve me dritë të kuqe a të gjelbër, që shkëlqejnë majë shtyllash çeliku, si dhe dritave portokalli që pulsojnë nëpër kryqëzime.
Ai ecën me këmbët e veta nëpër gjurmë të padukshme, bën përpara me trupin paksa të hepuar, me duart që i tunden në përfund krahëve. Vështron fytyrat dhe këmbët e grave, qëndron, niset sërish, çik paksa veshje, rrëshqet përgjatë pasqyrash, shumë i zbehtë, ose më mirë kridhet në pasqyrimet e metalit të zi, yll i errët që tretet në pafundësi. Ecën përmbi hijen e vet të lehtë. Përpara një dyqani me farfuri të rëndomta e ëmbëlake, ai ndez një cigare me dy-tri fije shkrepësesh prej druri. Dielli i ka qëndruar në qafë, e djeg qetësisht dhe i nxjerr ca bulëza vocërrake djerse.
Herë-herë, nga moria njerëzore në lëvizje, ia beh një fytyrë e brengosur, me sy përpirës, me flegrat dihatëse të hundës. Mandej ajo largohet, ngritur majë supeve porsi emblemë. Ajri është i tejdukshëm, ajri është i rëndë, të hyn në mushkëri porsi një rrënjë me brirthë të lëngët. Zhurmërimat vërshojnë, shpërthime të pakuptueshme që çajnë udhët e tyre me kratere. Rrugët zhyten thellë nëpër murana pallatesh të bardheme; në të vërtetë, ato nuk të çojnë kurrkund. Sheshet janë të pamata, më të gjera se aeroportet, më të shkreta se rrafshinat akullnajore. Aty sipër duhet ecur, kalamendur, rendur.
Pikërisht këto emra duhen gërmëzuar, këto fytyra duhen njohur, këto fjalë duhen thënë. Nuk ka vend për trill, nuk ka mundësi për të vërtetë, as për gënjeshtër. Është vetëm ky vis, gjatë gjithë kohës, nga njëri horizont në tjetrin.
* * *
Loja nuk ndërpritet.
Tashmë shkrimtaria po ecën, është në veprim. Ajo e ka marrë rrugën e saj përmes rrënojave të qytetërimit, po numëron të plagosurit e të vdekurit. Nëse po i largohem diçkaje, këtë e bëj për ta njohur më mirë. Hepuar kah toka, pllakë balte me plasaritje të thara, kur dielli është pikërisht pingul. Aty-këtu, valëzime luginash e kodrinash, hone, gryka, vidhima të thepisura shkëmbore, aty më tej një pemë, një cullufe fieri, një xhufkë bari me fije të pluhurosura, një guralec i thyer me majën e ngritur përpjetë kah qielli.
Ca shenja, pa dyshim, shkrime, ca kaligrame të moçme skalitur në koren e ashpër. Rrudha, kryqëzime udhësh të shënuara me shumë tëholli, edhe krisje që kanë përshkuar sipërfaqen e brishtë të qelqit. Disa vrima të thella që i ka mbushur era, me kanale që duhet të futen thellë në rropullitë e tokës, ndoshta gjer te lukthi përvëlonjës. Miniatura, fytyra vogëlane të pikturuara brenda medalionesh, trëndafil zbukurues i skalitur, pah, nyje, eshtra të thyera gishtërinjsh që mbulojnë tokën pas një shtrëngate duarsh e këmbësh, lajle-lule, vrraja vocërrake shkaktuar nga miliona vorbullime. Ajri ka kaluar mbi këtë truall dhe shiu ka rrjedhur shpesh nëpër këto lugje. Ç’gjë të shkruar ka atje? Çfarë është shënuar në këtë rrasë? Emrat e të vdekurve, afërmendsh dhe gjurmët spirale të gishtërinjve të të gjallëve. Edhe nënshkrimet. Datat e ditëve e shifrat e orëve, numrat e viteve, fazat e hënës, erërat, baticat, shpërthimet diellore. Numri i gjetheve të drurëve. Luspat e gjarpërinjve, gjymtyrët e shumëkëmbëshave. Hala peshqish, mbetje të moçme, mbeturina gostie, thërrime, sa shumë thërrime!
* * *
Pikërisht kjo është prona ime, burgu im. Nuk do të dal prej këtej; por dua të numëroj kokrrizat e rërës e t’i vë secilës një emër, meqë kjo është e vetmja arsye e jetës sime. Asgjë nuk më shkatërron dot më përnjimend. Gjithçka që ndodh, ndodh shumë larg, si në një botë tjetër. Unë jam i ulur, ndoshta përballë përjetësisë. Aksidente, pasione, dëshira, drojë, të gjitha këto janë brenda meje, lëvizin, gjallërohen, vazhdojnë të luftojnë. Brenda vetes vështroj; mbruj. Shfaqje aq e zakonshme, saqë bëhet joshpërfillëse, por krijon.
Si t’i shpëtosh romanit? Si t’i shpëtosh gjuhës? Si t’i shpëtosh, qoftë edhe një herë të vetme, qoftë edhe fjalës thikë?
* * *
Në gjithë shtrirjen e rrafshët të botës është vendosur dialogu. Është një çorbë gjuhe dhe çdo fjalë është në vendin e vet, ndërsa ai zëzëllin porsi mizë e palëvizur përmbi llokmën e mishit. Mijëra gojët vocërrake të sendeve e të njerëzve kumbojnë së bashku. Unë jam secila nga këto ngjarje, unë mbart brenda vetes vilen e vezëve të fjalëve që do të mposhtin. Ajo çka them, ajo çka mendoj, ajo çka jam është e shenjuar në ushtrinë e shenjave që përparojnë. Jam fluturim mizash, lakadredha e mushkonjave të acaruara. Jam barbarozë e burgosur te vazoja e kuqe, që nuk do të pëlcasë kurrë. Jam lëvizja budallaqe, dridhja e mbytur, duarlëvizje e dëshirës, çast i etjes, i urisë, i pllenimit, i jashtëqitjes, i gjumit, i fjalës. Jam shpalimi, mandej tkurrja. Muskuli dhe në krye të krahut me vena të shtendosura, është grushti që shtrëngon thikën e mprehtë. Jam ngrohtësia e diellit, 100.000 vite dritë nga njëri breg në tjetrin i Udhës së Qumështit. Shpina e gruas rioshe hepohet, ndërsa dora e saj mban penelin e hollë që shkruan në ngjyrë trëndafili te thonjtë e gishtave të këmbës. Vetëtima çan qiellin që nxihet befas, ndërsa sinjali i saj lëbyrës do të thotë diçka të tmerrshme, që nuk mund të përkthehet.
Aty janë, shkruar kuturu nëpër mure, copat e letrave të shqyera, shpina e zarfave, mbulesat e tavolinave, paketat e cigareve, numëratorët e telefonave, gazetat, librat, biletat e avionit, etiketa birre.
* * *
Nuk arratisem nga jeta që di të shkruaj.
Muret janë ngritur, dyert e dritaret janë mbyllur. Tavani, dyshemeja, qilimat, mbulesat janë gatitur. Letrat janë ngjitur, xhamat përtypur, tablotë të varura. Gjithçka është aty, gati dhe asgjë nuk mungon. Qelia. Dhoma hermetike, e kotë, hapësirë e mbrame torturash, vend që nuk braktiset kurrë. Nga kupa e tavanit varet llamba e zhveshur elektrike me rreze vdekjeprurëse. Shtrati është rregulluar. Çdo gjë në vendin e vet, çdo hi në taketuken e vet. Enë, vazo të përjetshme, kuti që hapen mekanikisht, për të parë dhe ekziston gjithmonë një kuti e re, ende, sërish. Gazeta që hapim, vazhdimisht në faqe të reja. Ka kaq shumë për të lexuar, kaq shumë fjalë të reja, histori të botës së paprerë. Askush nuk rri në paqe. Gjithçka që jeton është duke shkruar, me dorën, zërin, kthetrat, dhëmbët, me thumbat e tij plot helm të fshehur.
Universi është një fletë e bardhë gjigante që të gjithë bëjnë çmos më kot për ta ndotur. Nuk ka asgjë, asnjë situatë a veprim, që të mos ketë shenjën e vet, shkronjën, kllapën katrore a pikën e zezë. Gishtërinj, janë gishtërinj mbërthyes, që kërkojnë të mbyllen përmbi prenë e panjohur. Bota arratiset dhe rifillon porsi uji, por çdo pikë e këtij uji është një kurth i ngrehur.
* * *
Unë nuk jam i qetë, jo, nuk jam i qetë. Dhe unë ia shtoj liqenet e mia ngatërrimit të përgjithshëm, jo për të çliruar, jo për të kuptuar, por për të përpirë, edhe unë, me të gjitha thimthat e mia me thitha të hapura. Unë jetoj, jam në jetë, lëviz, hedh fuzhnjat dhe shigjetat e mia, gjuaj, përgjoj nga lukthi i territ.
Shkrimi im është një labirint pa rrugëdalje dhe aty vdes edhe vetë. Shkrimi im është gjithandej, nuk mund të reshtë. Ai është më i gjerë së fleta që e mbart, më i gjatë se gjurma e bojës së lapsit që e shkruan. Unë shkruaj me të dyja këmbët e mia kur eci, me dhëmbët e mi kur ha. Unë shkruaj me të gjithë trupin tim, me shtatin e grave, me dhembjen, kënaqësinë, me frymën time. Dhe shkruhem gjatë gjithë kohës nga bota, pa mundur të them jo.
Gjithsesi, sa herë që dikush do të shkruajë, ja se ç’duhet të bëjë: lipset të çapitet përmes rrugëve të qytetit, midis turmës lëvizëse, deri te shitorja e madhe plot najlon e dritë. Me të holla duhet të blejë një pako 100 fletëshe letre të bardhë shtypi 21 x 27. Po i mbeti ndonjë qindarkë, duhet të shkojë pak më tej dhe i përkulur mbi banak, të zgjedhë një stilolaps të zi, me mbishkrimin REYNOLDS, a diçka e këtillë. Atëherë gjithçka është gati, i mbetet vetëm të rikopjojë…