15.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Ekonomia rrëshqet në deflacion, nuk ka konsum sepse s’ka para

Ekonomia rrëshqet në deflacion, nuk ka konsum sepse s’ ka para

Krahasuar me shkurtin e 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4,8 %
Inflacioni në muajin shkurt arriti në nivelin më të ulët historik që nga janari i vitit 2003, duke lajmëruar një situatë gati deflacioniste. Megjithë politikën agresive të lehtësimit monetar nga Banka e Shqipërisë dhe shtrëngimin fiskal të qeverisë inflacioni në muajin shkurt shënoi vetëm 0,2 për qind, duke dhëne sinjalet e thellimit të krizës në konsum. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,3 %.
Nga analiza e të dhënave të INSTAT mësohet se, rënia e çmimeve i dedikohet si krahut të ofertës dhe kërkesës. Ulja e e çmimeve të shërbimeve të transportit me 4,1 % me bazë vjetore i dedikohet rënies së çmimeve të naftës, por rënia e çmimeve në disa ushqimeve që nuk kanë lidhje me efektet sezonale tregon se, konsumi po gjendet në krizë.
INSTAT raportoi se, çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë e vezë” u ulën me 6,1 %, pasuar nga nëngrupet “bukë e drithëra” me 2,4 %, dhe mishi me 1,3 %, etj. Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet edhe në grupet “Veshje dhe këpucë” me 3,4 %, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 2,2 %, etj. Krahasuar me muajin janar 2016, rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije alkoolike” me 3,3 %. Ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me 1,3 %.
Krahasuar me muajin shkurt 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4,8 % pasuar nga grupi, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,6 %, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,2 %, etj. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 27,8 %, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet“ me 9,6 %, nëngrupi “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” me 1,5 %, nëngrupi “vajra dhe yndyrna” me 0,2 % etj.
Rritja vjetore në muajin shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,78 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,13 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene e restorante” kanë kontribuar me + 0,03 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me + 0,02 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me -0,27 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,26 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,14 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Komunikimi” kanë kontribuar respektivisht me -0,09 dhe -0,03 pikë përqindje.
Nga ana tjetër, INSTAT bën të ditur se në tremujorin e katërt të 2015 ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Prodhimit është -2,3 %. Uljen më të lartë, sipas raportit, e kanë pasur çmimet e prodhimit në seksionin “ Industri nxjerrëse” me 9,5 %.  Brenda kësaj industrie vihet re ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 15,3 %. Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në aktivitetet e Industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 0,3 %. Ato që kanë pësuar rritje në këtë periudhë kanë qenë çmimet e prodhimit të produkteve kimike me 5,6 %, konfeksionet e veshjeve me 2,7 %, produktet e makinerive dhe pajisjeve me 5,1 %. Ndërsa çmimet e prodhimit të rafinerisë dhe nënprodukteve të naftës kanë shënuar ulje me 3,1 %.

Protestë para zyrës së Veliajt, taksistët bllokojnë rrugën me makinat e tyre

Sindikata e taksistëve ka dalë në protestë para Bashkisë si dhe kanë bllokuar rrugën me automjetet e tyre duke kërkuar ndalimin e informalitetit. Dhjetëra taksistë i kanë parkuar mjetet pranë pedonales. Ata kanë kërkuar të largohen taksitë e qyteteve të tjera pasi në këtë mënyrë po falimentojnë. Taksistët kanë kërkuar takim me kreun e bashkisë, Erion Veliaj për të diskutuar çështjen. “Të largohen taksitë e qyteteve të tjera. Stop informalitetit. Duam të takojmë Erion Veliaj”, kanë deklaruar ata.

Taksistët janë shprehur kundër ligjit për lejimin e taksive 6+1, pasi sipas tyre favorizon kompaninë. “Ky ligj ishte një dështim. Duke liberalizuar u futën shumë taksi, përveç 4+1 edhe 6+1. Në gjithë botën nuk ndodh kjo. Ne kemi ankesa ndaj këtij ligji që favorizon kompanitë dhe shkel kushtetutën. 1000 banorë një taksi. Kemi pjesën tjetër për biletën për prenotim-rezervim. Ne mund të shkojmë në Durrës me klientë por nëse kthehemi sërish me klientë na heqin licencën se nuk lejohet. Sot është fillimi por ne kemi probleme në të gjitha rrethet. I njëjti problem”, thanë taksistët.

Ata kërcënuan se nëse nuk marrin një zgjidhje do të bllokojnë të gjitha rrugët. “Protesta jonë do shtrihet edhe në rrugë të tjera dhe do bllokojmë qarkullimin. Informaliteti është në pikë të parë. Në Bulevardin Zogu i Parë ke 100 taksi pa licencë”, tha një taksist. Më pas ata janë lajmëruar se një përfaqësi e tyre do të pritet nga bashkia për të diskutuar çështjen.

Basha: Shqipëria, i vetmi vend në Europë ku populli po varfërohet e qeveria po pasurohet

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua me tregtarë në Poshnje si dhe me banorë të Lapardhasë, Velabishtit dhe Urës Vajgurore të rrethit të Beratit. Basha u takua me tregtarët të zonës së Poshnjes të cilët I shprehën kreut të opozitës problemet e tyre për mungesën e xhiros për shkak të papunësisë dhe varfërisë që sa vjen dhe rritet. Tregtarët deklaruan se askush nuk vjen ti pyes për çmimin dhe jo që dikush të blejë.  Tregtarët deklarojnë se nuk arrin të mbulojnë dot as taksën dhe naftën që u nevoitet për ta ardhur deri në treg. “Ky na ka futur në dhe. Shiko xhiron ditore që ne kemi bërë sot. Është turpi i botës, nuk kemi kokërr leku në xhep. Kokërr leku të paguajmë taksat, i kemi paguar kemi 20 vjet. Ky na ka futur në gropë. Kemi kalamajtë në shkollë. Që në mëngjes këtu të hapësh mallin janë 25 mijë lekë minus. Do  të çojmë kalamajtë në shkollë, do të vejmë ne në punë, do blejmë naftë” u shpreh njarë prej tregtareve. Më e ashpër ishte reagimi I një zonje tjetër. Ajo deklaroi se nëse nuk do kishte fëmijët në megrim dhe do kishte fëmijë për të rritur me këtë gjendje ekonomike që është zhyrur vendi do kishte gjetur si zgjidhje vetëflijimin. “Unë jam një tregtare 60 -vjeçe. Po vij në punë e sëmurë edhe as lekë, as gjë kam bërë sot. Shiko sa kam bërë sot, xhiroja ime që pastaj ai kërkon lekë nga ne. Shiko xhiron time. Gjithë atë mall kam unë atje, as s’po ha dot as bukë. Dëgjo këtu motrën, unë kam tre fëmijë, dy i kam jashtë, një e kam këtu. Shyqyr Zotit  që s’kam fëmijë për të ushqyer se po të kisha fëmijë për të ushqyer unë do të mbytesha” tha ajo. Pasi dëgjojë shqetësimet e tregtarëve Basha se këto janë pasojat e një qeverie e cila ka si qëllim pasurimin e vet ndërsa qytetarët duhet të përballen me çmimet e larta papunësinë dhe taksat e rritura të qeverisë.  Pas takimit me tregtarët e Poshnjes Basha ka vijuar  me banorët e Lapardhasë, ku ka theksuar se Shqipëria është i vetmi vend në Europë sot ku populli po varfërohet e qeveria po pasurohet. “Shqiptarët po jetojnë ditë të vështira. Leku është zhdukur nga qarkullimi. Puna ka rënë. Papunësia është rritur, varfëria është thelluar. Çmimet janë rritur, taksat janë rritur, fuqia blerëse ka rënë. Shumë shqiptarë e shqiptare i janë drejtuar emigracionit në dëshpërim. Mijëra familje kanë preokupim kryesor si ta mbyllin ditën sepse lekët e janë në duart e një grushti njerëzish të cilët i kanë bërë pallate, saraje, vila, pishina, konto bankare. Ky është i vetmi vend në Europë sot ku populli po varfërohet e qeveria po pasurohet”u shpreh Basha. Në takimin me banorë të Velabishtit dhe të Urës Vajgurore, zoti Basha u njoh me shqetësimin e banorëve për papunësinë, mungesën e investimeve, rritjen e taksave etj. Vetëm vitin e kaluar tha zoti Basha, shqiptarëve iu kanë vjedhur 400 euro për frymë. 1.2 miliardë të tjera i kanë marrë borxh këto dy vite e gjysëm dhe s’kanë bërë asnjë investim. “Vendin në këtë situatë e ka katandisur keqqeverisja, mos qeverisja, qeverisja me krimin dhe korrupsioni në qeverisje. Vetëm vitin e kaluar shqiptarëve iu kanë vjedhur 1.2 miliardë euro. Vetëm vitin e kaluar shqiptarëve iu kanë vjedhur 400 euro për frymë.1.2 miliardë të tjera i kanë marrë borxh këto dy vite e gjysëm. Por a keni parë gjë ju nga këto para të marra borxh? Keni parë ndonjë urë, a ndonjë rrugë, ndonjë shkollë të re këtu në Urën Vajgurore? A keni parë ndonjë vend pune të hapet? A keni parë ndonjë të mirë të kthehet tek ju?  Policit dhe burgut si ilaç për gjithçka ky i thotë reforma, këto janë reformat. Po ana tjetër? Po shëndetësia falas? Po 300 mijë vendet e punës? Po çmimet e ulura ku janë?  Pra, është një qeverisje që ka ardhur vetëm për të plaçkitur. Plaçkitja nuk është reformë. Plaçkitjes dem baba dem ne i themi vjedhje” deklaroi Basha.

Si deputeti Kokëdhima shiste internet edhe për azilin e pleqve

Kompania “ABISSNET” në të cilën Kokëdhima zotëronte 100% aksionet e saj i ka shitur internet edhe azilit të pleqve në Fier. Data e realizimit të kontratës sipas dokumentacionit zyrtar është  ajo e 22 janarit 2014, pikërisht koha kur Kokëdhima kishte në pronësi të vet 100% aksionet e “ABISSNET”. Janë një sërë institucionesh shtetërore, të cilat kanë lidhur apo rinovuar kontrata e tyre me kompaninë e Kokëdhimës gjatë kohës që ai ka mbajtur edhe mandatin e deputetit edhe zotëronte 100% të aksioneve. Këtë e pohojnë dokumentet zyrtare. Kështu Teatri Kombëtar i Komedisë po ashtu ka lidhur kontratë me “ABISSNET” gjatë kohës që Kokëdhima ka zotëruar 100% të aksioneve të kompanisë dhe data përkon më 20 janar 2014. Avokati i Popullit po ashtu ka lidhur kontratë dhe ka bërë pagesën me “ABISSNET” më 6 janar 2014. Dogana Pogradec e ka lidhur kontratën më 23 janar 2014. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut e ka lidhur kontratën me “ABISSNET” më 9 janar 2014. Bashkia e Durrësit më 6 shkurt të këtij viti. Ndërmarrja e Shërbimeve Publike më 4 shkurt 2014. Të gjitha këto kontrata janë nënshkruar gjatë kohës që Kokëdhima sikurse e pohoi edhe vetë në një deklaratë ka zotëruar 100% të aksioneve të “ABISSNET”. Ai ka bërë shkëputjen fiktive nga kjo kompani më datën 6 shkurt të vitit 2014, ndërkohë që gjatë gjithë këtyre muajve ka vazhduar fushatën e vjedhjes së parave nga fondet publike. Lidhja e kontratave dhe ripërtëritja e tyre është një proces, i cili ka pak ndryshim. Çdo kontratë e ripërsëritur është një kontratë e re. Klienti e rifreskon kontratën kur ajo i mbaron me një kompani të caktuar, duke riparë të gjithë tregun. Klienti përzgjedh kompaninë që i intereson dhe ripërtërin kontratat. Kjo kontratë për këdo konsiderohet si një kontratë e re, sepse në të njëjtën kohë ofrohet shërbim i ri dhe kryhet pagesë e re. Nëse do t’i përmbaheshin kontratave të vjetra, ato bëhen nul në kohën që u skadon afati dhe institucioni nuk merr asnjë shërbim, sepse nuk paguan para. Të gjitha këto institucione, pra të gjitha ato 176 kontrata me institucionet shtetërore janë lidhur dhe kanë bërë pagesat e tyre gjatë kohës ka zotëruar 100% të aksioneve të kompanisë “ABISSNET”. Kokëdhima thotë se një pjesë e këtyre kompanive kanë bërë ripërtëritje të kontratave që janë lidhur më parë. Edhe nëse është e tillë, kjo nuk e shpëton Kokëdhimën nga shkelja e ligjit dhe Kushtetutës. Pagesat janë kryer po nga institucione publike. Fondet e tyre kanë qenë para të taksapaguesve. Nuk ka asnjë sens që sipas Kokëdhimës taksapaguesit shqiptarë duhet të paguajnë Kokëdhimën, këtë mendje të ndritur të kombit, edhe si deputet edhe si pronar i kompanisë “ABISSNET”.
Disa nga kontratat kur Kokëdhima, deputet zotëronte 100% të aksioneve

Dogana Pogradec (1529) –  “ABISSNET” Pogradec 8,250    2014.01.22    2014.01.23
Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut (3535) – “ABISSNET” Tiranë 9,000       2013.12.31    2014.01.09
Teatri Kombëtar i Komedisë (3535) – “ABISSNET”    Tiranë    9,151    2014.1.0    2014.1.0
Avokati i Popullit (3535) –    “ABISSNET”    Tiranë              32,000    2014.1.6    2014.1.6
Bashkia Durrës (0707) – “ABISSNET”    Durrës                39,000    2014-02-05    2014.02.06
Bashkia Durrës (0707) –    “ABISSNET”    Durrës                41,536    2014.2.5    2014.2.6
Bashkia Elbasan (0808) –  “ABISSNET”    Elbasan                25,182    2014.1.7    2014.1.8
Ndërmarrja e Shërbimeve Publike Fier (0909)- “ABISSNET”    Fier 2,840 2014.2.4    2014.2.4
Ndërmarrja e Shërbimeve Publike Fier (0909) –    “ABISSNET” Fier      3,080 2014.2.4  2014.2.4
Shtëpia e të Moshuarve Fier (0909)- “ABISSNET”    Fier          2,840    2014.01.22    2014.01.22
Shtëpia e të Moshuarve Fier (0909)- “ABISSNET” Fier      2,840    2014.01.22    2014.01.22
Shtëpia e të Moshuarve Fier (0909)  “ABISSNET” Fier         5,950    2014.01.22    2014.01.22
Shtëpia e të Moshuarve Fier (0909)  “ABISSNET” Fier            6,958    2014.01.22    2014.01.22
Komuna Petrelë (3535) – “ABISSNET”    Tiranë                     8,000    2013.12.03    2014.01.16
Komuna Rashbull (0707) – “ABISSNET”    Durrës                   20,000    2014.01.28    2014.01.28
Komuna Petrelë (3535) – “ABISSNET”    Tirane                    8,000    2014.01.17    2014.01.17
Komuna Prezë (3535)  – “ABISSNET”    Tiranë                  11,000    2014.01.24    2014.01.27

Miliona nga fondet publike

Përmes një investigimi në sistemin e të dhënave Open Data numri i institucioneve shtetërore që paguajnë në favor të kompanisë së Kokëdhimës nuk ka fund, ndërsa shuma totale e transaksioneve të kryera midis institucioneve dhe kompanisë së Koço Kokëdhimës shkon jo pak, por plot 2,951,169.00 lekë (të reja). Nën presionin e fortë të Ramës dhe Kokëdhimës institucionet publike të drejtuara nga të majtët janë detyruar të gjithë të lidhin kontratata disa vjeçare me kompaninë e Kokëdhimës. Përfitimi i milionave nga kompania e tij e shërbimeve të internetit është vetëm një nga shumë tentakulat që Kokëdhima dhe bizneset e tij kanë kapur shtetin. Një tjetër burim miliona lekësh fitimprurës është edhe agjencia e tij e reklamave, agjenci e posaçme që merret me ekspozimin e reklamave citylight që me bekimin e Ramës përmes buxhetit të shtetit apo fondeve publike i garanton Kokëdhimës qindra milionë para. Ky rast përbën një nga rastet flagrante të korrupsionit të Ramës. Dihen lidhjet e Ramës me Kokëdhimën sikurse tani po faktohet edhe mënyra se si vjedhin paratë e taksapaguesve kjo dyshe ortake në miqësi dhe në qeveri.  Urdhri i Ramës për të gjitha agjencitë shtetërore është që të lidhin kontrata me kompaninë e Kokëdhimës. Të ashtuquajturat tender janë zhdukur dhe nuk ekzistojnë më. Ato janë zëvendësuar me urdhrin e Kryeministrit.  Në këtë mënyrë bëhet shumë e thjeshtë edhe ndarja e parave mes këtyre dy ortakëve. Kemi të bëjmë me një sistem mafioz të ndërtimit dhe funksionimit të qeverisë dhe pushtetit, ku gjithçka ndahet mes atyre që e konsiderojnë qeverinë jo si një angazhim qytetar, por si një ortakëri biznesi. Shqiptarët po vidhen haptazi. Miliardat e taksave të tyre po shkojnë për xhepat e Ramës dhe Koçove në qeveri. Kjo është një aferë e rëndë, e cila kërkon një hetim të plotë, pasi këto transaksione parash është e sigurtë që shkojnë mes këtyre dy ortakëve në qeveri. Kjo nuk është afera e vetme mes tyre. E gjithë qeveria është vënë në funksion të skemës Rama të biznesit personal dhe miqve të tij.

Shkelja e nenit 70 të Kushtetutës

Deputeti Koço Kokëdhima nëpërmjet shoqërisë së tij “ABISSNET sh.a.” ka përfituar fonde publike nga realizimi i veprimtarisë fitimprurëse të kompanisë së tij me organet publike, në kundërshtim me nenin 70/3 të Kushtetutës. Disa nga fondet publike të përfituara nga shoqëria tregtare në pronësi të deputetit Koço Kokëdhima paraqitet në linkun e mëposhtëm:
http://www.spending.data.al/sq/treasury/list/faqe/1/year/2014/perf_id/ABISSNET.
Duke nxituar të fshihnin këtë fakt të rëndë dhe shkelje flagrante të Kushtetutës, shoqëria “ABISSNET sh.a.” në një deklarim për mediat u shpreh se: “Zoti Koço Kokëdhima ka qenë aksioner në shoqërinë ‘ABISSNET sh.a’ deri më datë 06.02.2014, datë në të cilën ka shitur aksionet e tij tek një person tjetër juridik”. Në fakt një deklarim i tillë “përputhet” edhe me ekstraktin e QKR (një kopje të të cilit e gjeni bashkëlidhur), ku pasqyrohet se më datë 07.02.2014 është regjistruar çështja CN-352180-02-14, e cila ka të bëjë me: “Depozitimi i vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të ortakëve të shoqërisë ‘2K GROUP’ ku është vendosur – Blerja e 100% të aksioneve të shoqërisë ‘ABISSNET sha’. Depozitimi i kontratës jo noteriale datë 06.02.2014 për kalimin e aksioneve dhe si rrjedhojë shoqëria ‘2K GROUP’ mbetet me ortak të vetëm shoqërinë ‘2K GROUP’”.

Venecia foli! Pse Rama po e bllokon Byronë e Hetimit?

Reforma në Drejtësi dhe në veçanti ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit është një moment delikat i politikës shqiptare, ku dallohen edhe më qartë diferencat mes mazhorancës dhe opozitës. Komisioni i Venecias, në mënyrë të përsëritur dhe të qartë, në të dy rekomandimet e dhëna, ato paraprake dhe përfundimtare e kërkon Byronë Kombëtare të Hetimit një institucion të pavarur krejtësisht nga qeveria, duke respektuar Kushtetutën e Shqipërisë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimin e palëkundur të Partisë Demokratike.

“Modelet për përzgjedhjen e këtyre zyrave variojnë. Në disa raste zyra e prokurorit të kësaj njësie mbetet zyrtarisht pjesë e strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme, por si një njësi e pavarur, që nuk mund të instruktohet nga të tjerë, shefa të tjerë, qoftë prokurorë apo nga qeveria”. Ky është vendimi përfundimtar rreth Byrosë Kombëtare të Hetimit që ka dhënë Komisioni Venecias më 26 shkurt të këtij viti, duke rrëzuar në kosh të plehrave projektligjin e qeverisë që kërkonte ta vinte këtë institucion nën varësinë e ministrit të Brendshëm, kupto kryeministrin. Ekspertët e Venecias kanë thënë se ky institucion mund të jetë tërësisht i pavarur, por kurrë nën varësinë e qeverisë.

Ka mbi dhjetë ditë që opinioni është bërë publik dhe kryeministri Rama nuk ka bërë asnjë hap, qoftë edhe procedurial për tërheqjen mbrapsht të projektligjit të tij dhe rikthimit tek varianti kushtetues i ngritjes së njësisë antikorrupsion. Mungesa e gatishmërisë së tij për t’u rikthyer në hullitë e ligjit dhe Kushtetutës nuk është ndonjë surprizë, pasi e ka treguar se informaliteti, krminaliteti dhe korrupsioni janë politikat e zgjedhura nga Rama dhe banda e tij për të grabitur këtë vend dhe dhunuar këtë popull.

Byroja, e ëndërruar prej tij si një njësi gjuetie në dorën e kryeministrit për të ndëshkuar kundërshtarët e tij politikë, tani që Venecia thotë se duhet ngritur dhe të funksionojë e pavarur, është shndërruar në një tmerr për këtë pushtet, që është mbuluar me skandale të përditshme aferash kriminale dhe korruptive, që po mbajnë erë dhe kanë ngritur qytetarët në protesta të përditshme. Rama e bllokon ngritjen e njësisë antikorrupsion, pasi e di se ai dhe banda që qeveris janë të ekspozuar ndaj veprimit të ligjit dhe nuk ka vrimë ku të futet pa dhënë llogari për vilat që ka në mbarë vendin, për 200 milionë dollarët që ka dërguar në parajsat fiskale, për tenderat dhe koncesionet, për Parkun e Spitallës që i dha vëlla Olsit, për procedurat korruptive që ndjek në vijimësi, për grabitjen banditeske që i bën pasurive kombëtare dhe financave publike.

Bllokimi që i bën Byrosë e lë zbuluar në propagandën që bën për reformën në drejtësi, pasi ka dëshmuar se nëse nuk e merr nën kontroll këtë sistem, ai është gati ta lërë siç është dhe të injorojë çdo kërkesë të opozitës, Venecias, SHBA dhe Bashkimit Europian. Për të institucionet dhe pushtetet nuk janë instrumenta në shërbim të qytetarëve, por hallka që duhet t’i shërbejnë qëndrimit të tij sa më të gjatë në pushtet. Të njëjtin model uzurpimi dhe kapjeje që bën me statutin dhe institucionet e Partisë Socialiste kërkon ta bëjë edhe me Kushtetutën dhe institucionet e shtetit shqiptar. Në të dyja rastet përdor banditët e tij për të mbytur zërat kritikë dhe për të “votuar” ndryshimet që kërkon të realizojë.

Byroja Kombëtare e Hetimit, apo Njësia Speciale Antikorrupsion, sikurse edhe Reforma në Drejtësi sa janë imediate dhe të pashmangshme për t’u miratuar, kanë shërbyer jo thjesht si një ekspoze e dy filozofive qeverisëse që përfaqëson pushteti dhe opozita, por edhe si një grackë publike për kusarë dhe banditët si Rama dhe grupi i tij në pushtet. Qytetarëve të thjeshtë nuk ju është dashur të presin Byronë dhe Reformën në Drejtësi për të kuptuar se përse janë varfëruar më shumë, përse krimi ka mbuluar qytetet e tyre, përse nuk ofrohen më shërbime publike shëndetësore, arsimore dhe jetike për ta. Por, Byroja dhe Reforma në Drejtësi garantojnë largimin e kësaj klike kriminale që na qeveris, ndëshkimin e tyre të sigurtë, dhe nuk do lejojnë më që pushtetarë të tjerë të vijnë dhe të shkatërrojnë jetën e qytetarëve, duke përdorur forcën e bandave për të vjedhur votat dhe për të vjedhur pasuritë dhe çdo gjë të vlerëshme në këtë vend.

 

Pallat 12 katësh pa leje, në pranga kreu i INUV dhe 5 zyrtarë të Bashkisë Vlorë

Një kompleks ndërtesash 6, 11 dhe 12 kate në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, pas hetimeve të Prokurorisë ka rezultuar se është bërë pa asnjë leje nga kompania “Endriu 008” dhe kjo ka çuar në pranga shefin e INUV-it në këtë qytet, disa inspektorë si dhe një ndërtues. Si pasojë David Tushe, kreu i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) të Vlorës, është arrestuar nga policia për shpërdorim detyre dhe ndërtim të paligjshëm.

Prokuroria e Vlorës njofton se nisi hetimin në bazë të kallëzimit të dy qytetarëve, sipas të cilëve firma e ndërtimit “Endriu 008” po ndërtonte një pallat të lartë, duke u zënë pronën. Prokuroria e Vlorës zhvilloi hetimet paraprake, nga ku rezultoi se kompania private kishte nisur punimet që prej vitit 2014, pa u pajisur me lejen e ndërtimit.

Sipas Prokurorisë, INUV-i ishte në dijeni të këtij pallati dhe në maj të vitit 2014 kishte pezulluar punimet me arsyetimin se firma nuk kishte asnjë dokument, por sërish punimet vijuan pa asnjë pengesë, sepse vendimi i pezullimit nuk është zbatuar. Deri në nëntor të vitit 2014 në krye të INUV-it ishte shtetasi i dyshuar Besnik Karabolli, më pas në këtë detyrë është emëruar David Tushaj, i cili gjithashtu nuk ka marrë asnjë masë pezullimi për ndërtimin.

Gjatë kohës së hetimit, më 22 janar, kryeinspektori mori vendim për pezullimin e ndërtimit. Prokuroria e Vlorës krijoi dyshime se nga ana e zyrtarëve janë konsumuar elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. Ndërsa për administratorin e kompanisë së ndërtimit janë krijuar dyshimet e arsyeshme se ka konsumuar elementët e veprës penale të “ndërtimit të paligjshëm”.

Në fund të hetimit, në pranga kanë rënë shtetasit Edmond Aliaj (ndërtues), David Tushaj, (kryeinspektor i INUV-it), ish-paraardhësi i tij Besnik Karabolli, si dhe inspektorët Iriald Dervishaj, Marjol Mustafaraj dhe Endri Zeneli, të gjithë punonjës të Bashkisë Vlorë.

Mbifaturimet, Prokuroria nis hetimet ndaj UKT-së

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me skandalin e mbifaturimeve në Ujësjellësin e Tiranës. “Ndërhyrje e paligjshme në rrjetet kompjuterike” dhe “shpërdorim detyre” janë veprat penale për të cilat Prokuroria, pas verifikimit vetëm disaditor, ka vendosur të regjistrojë procedim penal. Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se hetimi ka nisur mbi bazën e materialit referues të për disa raste mbifaturimesh muajt e fundit.

Burimet e Prokurorisë thanë se, “pas konstatimit se objekti i kallëzimit dhe ai i materialeve të tjera referuese ishte i njëjtë, është vendosur bashkimi i të gjitha shkresave në një procedim penal”. Pas kësaj faze të ezauruar tashmë nga Prokuroria, grupi i hetimit ka nisur veprimet me qëllim zbardhjen e mekanizmit të anomalisë së ndodhur me sistemin informatik të Ujësjellësit të Tiranës.

Vetëm në muajin janar të gjitha familjeve dhe bizneseve u kanë ardhur faturat 10 herë më të larta se sa kanë harxhuar ujë. Qytetarët kërkojnë që të shikohen sahatet e ujit dhe të korrigjohen faturat, por askush nuk u jep zgjidhje.

Bashkia Kamëz: Ja projektet për vitin 2016 për Paskuqanin

Përmirësimi i infrastrukturës urbane të Paskuqanit është një ndër përparësitë e Bashkisë Kamëz për vitin 2016. Duke qenë buxheti i parë që përfshin këtë zonë, Bashkia ka përqendruar vëmendjen në urbanizimin e mëtejshëm të saj. Kështu, dhjetëra investime do të financohen nga buxheti i këtij viti, projekte me cilësi bashkëkohore dhe me ndikim të gjerë social. Realizimi i tyre do të rrisë dukshëm cilësinë e jetesës së qytetarëve të Paskuqanit, për vetë faktin se, projektet e hartuara kanë të bëjnë me fusha jetike, si: infrastruktura rrugore, e kanalizimeve, arsimore etj.

Në Paskuqan projektet të cilat janë parashikuar të financohen nga buxheti i Bashkisë Kamëz për vitin 2016 janë ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura në rrugën “Ibrahim Xhelo” në lagjen Paskuqan 2, ndërtimi i rrjetit të KUN në rrugën “Ibrahim Rugova” në Paskuqan 1, rikualifikim urban i bllokut Babrru-Qendër, rehabilitimi i rrugës “Demokracia”, ndërtimi i rrugës Paskuqan 2 – Vresht (vazhdim loti III) si dhe kanalizimet e ujërave të bardha në lagjen Paskuqan 2, rikonstruksioni dhe riparime te shkolla fillore dhe kopshti “Vëllazërimi” në Babrru, riparime, KUB dhe KUN te shkolla 9-vjeçare “Jashar Hoxha” në lagjen Paskuqan 2, riparime, kanalizime të ujërave të bardha, si dhe rrugicë betoni te shkolla 9-vjeçare “Dom Nikollë Kaçorri” në Babrru, riparime dhe KUB te shkolla 9-vjeçare “Tahir Sinani” në Kodër të Kuqe, rrethimi i varrezave të vjetra publike në Babrru-Kodër, riparim shtresash te ura në Fushë-Kërçik, si dhe rruga para shkollës “Vëllazërimi”, rehabilitimi i lumit të Tiranës, lirimi i hapësirave publike etj.

Këto investime janë pjesë e rëndësishme e vlerësimit që Bashkia ka marrë në tërësinë e saj për të vazhduar me përpjekje zbatimin e politikave përmirësuese të jetës së qytetarëve. Kjo nuk lë pa përfshirë edhe mbështetjen për projekte të tjera zhvillimi si në fushën e gjelbërimit, në krijimin e ambienteve çlodhëse për fëmijët dhe moshat e ndryshme, kënde lojërash, ambiente argëtimi për të rinjtë e të rejat etj. Kjo është puna e sapofilluar që Bashkia Kamëz ka në vizionin e saj për ndryshimin e vazhdueshëm që po merr qyteti në kuadrin e zbatimit të reformës administrative-territoriale.