28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Rreziku nga deflacioni, tjetër ulje historike e normës së interesit

“Niveli i inflacionit në fund të vitit 2016 pritet të luhatet rreth vlerës 1.9%, një ulje kjo kundrejt parashikimit prej 2.3% të Raportit tonë Tremujor paraardhës”
Norma e interesit është ulur sërish dje me 0.25 pikë përqindje, duke prekur nivelin historik prej 1.25%. Kjo ishte hera e 16-të që radhazi që Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ul normën e interesit, që nga shtatori 2011, kur filloi një politikë agresive të lehtësimit monetar. Sejko tha se ky vendim synon të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit. Pavarësisht inflacionit që rezultoi 0.3% në muajin mars, Sejko u shpreh optimist për një përmirësim të situatës.
“Niveli i inflacionit në fund të vitit 2016 pritet të luhatet rreth vlerës 1.9%, një ulje kjo kundrejt parashikimit prej 2.3% të Raportit tonë Tremujor paraardhës”, deklaroi Sejko, i cili foli edhe për një situatë të ‘zymtë’ të ekonomisë. Banka e Shqipërisë u detyrua të ulë sërish normën bazë të interesit për shkak të ecurisë negative të ekonomisë dhe përkeqësimit të ndjesisë së biznesit dhe individëve. Në mbledhjen e radhës, Këshilli Mbikëqyrës vendosi që norma të ulet dhe me 0.25 pikë përqindje të tjera duke zbritur në minimumin e ri historik 1.25 për qind.
“Informacioni i ri ekonomik dhe monetar i muajve të fundit ka qenë përgjithësisht në kahun e poshtëm të pritjeve tona,” deklaroi Guvernatori Gent Sejko duke shpjeguar arsyet e vendimi për uljen e normës. Ekonomia shqiptare u ngadalësua në tremujorin e katërt teksa rritja e prodhimit zbriti në 2.15 për qind me bazë vjetore, ndërsa inflacioni i tremujorit të parë të vitit 2016 shënoi një rënie të fortë dhe të papritur për Bankën.
Kjo është hera e dytë brenda muajit që Banka e Shqipërisë vendos të ulë normën bazë të interesit, një tregues i cili dëshmon se ekonomia nuk po ecën sipas pritshmërive që kishte Banka. Sejko tha se pavarësisht këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi. Por paralajmëroi se rreziqet për ekonominë janë shtuar.
“Në një horizont afatmesëm, ne presim një rritje ekonomike në përmirësim dhe një kthim gradual të inflacionit në objektiv. Megjithatë, informacioni i ri ilustron rrezikun dhe pasiguritë që ka materializimi i këtij skenari,” u shpreh ai.
Banka ka ulur vlerësimin zyrtar për rritjen ekonomike të këtij viti, por nuk dha detaje mbi masën e rishikimit. “Rritja ekonomike e këtij viti pritet të jetë disi më e lartë se norma prej 2.6% e regjistruar në vitin 2015, por disi më e ulët në krahasim me vlerësimet tona paraardhëse,” tha Sejko. Sipas tij, shkaku kryesor i dobësimit të ekonomisë është përkeqësimi i ambientit të jashtëm. “Në veçanti, ambienti i jashtëm shfaqet i përkeqësuar – si në drejtim të rritjes së eksporteve tona, ashtu edhe në drejtim të presioneve dezinflacioniste që burojnë prej tij – ndërsa besimi dhe klima e biznesit në ekonominë shqiptare vazhdojnë të mbeten të luhatshme,” u shpreh guvernatori.
Banka shpreson se nëpërmjet uljes në seri të normës bazë të mbështesë rritjen ekonomike të vendit. Por i kujtoi qeverisë se e vetme, norma bazë nuk mund të garantojë rritjen ekonomike.
“Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se politika monetare lehtësuese është një parakusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm për gjenerimin e një rritjeje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme ekonomike. Kjo politikë duhet të shoqërohet me forcimin e ritmit të reformave strukturore në ekonomi, si dhe me përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reduktimin e primeve – aktuale apo të perceptuara – të rrezikut në ekonomi,” përfundoi Sejko.

Vendi i rrezikuar nga niveli i lartë i borxhit

Raporti global mbi borxhet që u publikua së fundmi nga dy organizatat gjermane Misereor dhe Erlassjahr.de ka shkaktuar diskutime në radhët e ekspertëve dhe analistëve shqiptarë të ekonomisë. Panaroma e raportit ishte e zymtë, duke vlerësuar edhe se borxhet shtetërore kundrejt donatorëve të jashtëm në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion janë në rritje prej vitesh dhe kanë arritur, ndërkohë një shumë të përgjithshme prej rreth 5,4 bilionë dollarë, rritje e cila përshkruhet si pesë herë më e madhe se para 25 vjetësh.
Referuar raportit, 108 shtete konsiderohen si “me borxhe kritike”. Raste dramatike paraqiten në periferinë europiane si në Kroaci, Serbi, Ukrainë e Shqipëri. Këtyre u shtohen edhe vende si Gambia, Gana dhe Mauritania në Afrikë, India e Pakistani si dhe Libani e Jordania në Lindjen e Mesme.
Dr. Selami Xhepa, dekan i Fakultetit të Biznesit, në Institutin Kanadez të Teknologjisë thotë se, shqetësimi i ngritur në raportin e Misereor dhe Erlassjahr.de është i njohur dhe diskutuar prej kohësh në ambientet e brendshme akademike dhe kërkimore, duke e konsideruar atë si një nga rreziqet serioze me të cilat vendi mund të përballet në të ardhmen. Sipas tij, një arsye është se edhe në nivelet më modeste te borxhit publik, nën 60% të PBB-së, kostoja e shërbimit të borxhit ka qendruar në nivele 3.4-3.8% të PBB-së, një shumë kjo e konsiderueshme, pothuaj sa 60% e totalit të investimeve publike të vendit.

BE parashikon se Franca, Italia dhe Spanja nuk do të përmbushin objektivët e buxheteve

Franca, Italia dhe Spanja ka të ngjarë të mos unden të përmbushin objektivat e buxhetit të Bashkimit Evropian këtë vit dhe vitin e ardhshëm nëse nuk ndërmarrin ndonjë veprim urgjent të qeverisë, treguan parashikimet e Komisionit Evropian.
Borxhet e tepërta dhe deficitet në tre ekonomitë më të mëdha të jugut të Mesdheut të Eurozonës, në një kohë kur parashikimet e liderit të bllokut, Gjermanisë tregojnë shëndetin e vrazhdë fiskale, mund të nxisin debat të mëtejshëm në se ekzekutivi i BE-së duhet të aplikojë apo jo penalitte.
Portugalia ka gjithashtu të ngjarë të të jetë në shkelje të rregullave të buxhetit të BE-së.
Rritja e eurozonës do të jetë më e ngadalshme se sa pritej, me prodhimin e brendshëm bruto që është zgjeruar 1.6 për qind këtë vit dhe pritet të zgjerohet në1.8 për qind vitin e  ardhshëm, krahasuar me 1.7 për qind në vitin 2015, tha  Komisioni – një performancë e çalë në një kohë kur politikat e BQE-së për shtypjen e parave janë nën presion nga Berlini.
Parashikimet e PBB-së për vitet 2016-2017 shënonin 0.1 pikë më poshtë nga ato në shkurt. Komisioni përjetoi një rritje më të ngadaltë në Kinë dhe partnerë të tjerë të tregtisë, rritje të tensioneve globale dhe çmime të paqëndrueshme të naftës, si dhe pasigurinë nëse Britania, ekonomia e dytë në BE, do të votojë për tu larguar apo jo nga blloku në referendumin e muajit të ardhshëm.
Parashikimet e Komisionit, së bashku me planet afatmesme rreth konsolidimit fiskal paraqitur nga qeveritë muajin e kaluar do të shërbejë si bazë për vendimin e  Komisionit, në gjysmën e dytë të majit, rreth faktit në se do të avancojë me  procedurën disiplinore kundër atyre shteteve të cilat janë në kundërshtim me rregullat.
Sipas rregullave, ‘mprehur’ në kulmin e krizës së borxhit Sovran të eurozonës, qeveri që vazhdimisht dështojnë për të përmbushur obligimet rreth deficitin ose reduktimit të borxhit të tyre ka të ngjarë të përballen me penalitete.

Demarkacioni me Malin e Zi, vendimtar për liberalizimin e vizave

‘Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jenë dy prej kushteve krysore për të përmbyllur me sukses liberalizimin përfundimtar të vizave’, ka qënë kjo deklarata e bërë nga eurokomisioneri Dimitris Avramopulos, pas një takimi të mbajtur me Minsitrin e Brendshëm të Kosovës, Skënder Hyseni. Avramopulos deklaroi se Bashkimi Europian pret një progress pozitiv në këto dy aspekte përpara se Parlamenti dhe Këshilli Europian të shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit.
Vetëm pak orë pasi komunikoi zyrtarisht dhënien e rekomandimit nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën, eurokomisioneri Avramopulos deklaroi se përfundimi me sukses i këtij procesi do të varet nga ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi që u firmos në Bruksel gjatë vitit të shkuar si dhe nga shtimi i përpjekjeve për të luftuar krimin e organizuar si dhe korrupsionin. Deklarata e eurokomisionerit erdhi gjatë një konference të përbashkët me Ministrin e Brendshëm të Kosovës, Skënder Hyseni, pas një takimi të mbajtur me këtë të fundit.
“Në progress-raportin e ditës së sotme, Komisioni konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e vendosura për rekomandimin e liberalizimit të vizave, duke marrë mirëkuptimin se përpara ditës që ky propozim do të miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli europian, Kosova do të ketë ratifikuar marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi si dhe do të ketë përforcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”
Marrëveshja e Demarkacionit është një prej arsyeve të protestave të opozitës ndaj ratifikimi i saj do të jetë një tjetër sfidë për parlamentin i Kosovës. Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje kërkohet një votim pro me shumicë të cilësuar, ose thënë ndryshe, dy të tretat e parlamentit.
Ndërkohë, në fjalën e tij, Ministri i Brendshëm Skënder Hyseni, kërkoi nga Parlamenti dhe Këshilli Europian që të procedojnë sa më shpejt drejt liberalizimit përfundimtar të vizave.

Juventusi, “ultimatum” për Pogba

Fitimi i titullit kampion në Itali për Juventusin është kthyer në diçka normale. Këtë fakt e vërteton dhe dominimi i bardhezinjve për 5 vite radhazi. Vëmendja e drejtuesve të “Zonjës së Vjetër” tashmë është kthyer nga trofeu i Champions League dhe për ta arritur këtë objektiv skuadra ka nevojë për përforcime cilësore. Trajneri i Juventusit, Masililiano Alegri dhe drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve Beppe Marrota do të takohen për të firmosur kontratën e re të teknikut livornez, por dhe për të diskutuar mbi merkaton. Paul Pogba është kryefjala në kampin torinez.
Largimi i tij nuk është një opsion dhe për ta mbajtur atë, kampionët e Italisë janë të gatshëm t’i ofrojnë francezit një rritje page, por nëse mesfushori dëshiron largimin atij do t’i duhet të njoftojë klubin brenda këtyre 15-20 ditëve. Më pas, në listën e lojtarëve, që kërkohen të mbeten në Torino është sulmuesi Alvaro Morata, i cili është dhënë në formë huazimi tek Juventusi. Kontrata e spanjollit është me të drejtë riblerje nga ana e klubit të Real Madrid. Beppe Marotta duket se ka ndërmend t’i ofrojë Florentino Perezit 25 milionë euro, për ta mbajtur Moratën, por me shumë gjasa oferta pritet të refuzohet. E njëtja situatë është edhe për kolumbianin Juan Cuadrado, i huazuar nga skuadra e Chelsea.
Trajneri i ri “Bluve të Londrës”, Antonio Conte do të bëjë të pamundurën për ta rikthyer atë në “Stanford Bridge”. Në frontin e afrimeve Andre Gomez i Valencias është vënë në qendër të vëmendjes. Vlera e kartonit të mesfushorit kap shifrën e 30 milionë eurove. Shkodran Mustafi shihet si një alternativë e mirë në repartin e prapavijës. 24-vjeçari mund të aktivizohet në qendër të mbrojtjes, por edhe në krahë. Vlera e kartonit të shqiptarit është 15 milionë euro. Një pafundësi emrash në listën e dëshirave të Juventusit, por përpara se të nisë puna për afrimin e ndonjërit prejt tyre, si fillim duhet blinduar Alegri dhe më pas të nisin tratativat.

Revolucion te Interi

Humbjet i përkasin lojës edhe pse dhjetë brenda një sezoni të vetëm janë shumë. Gjithashtu, pjesë e lojës janë edhe golat e pësuar, por të marrësh një si ai që shënoi Miro Klose nuk është aspak i kuptueshëm. Mund të gabosh shumë përpara porte, por kjo nuk do të thotë që të shënosh 1.3 gola për ndeshje, pasi me një mesatare të tillë nuk shkon gjëkundi. Në lojë nuk pranohet vetëm diçka… të luash ashtu siç nuk luajti Interi përballë Lacios. Sjellja e lojtarëve në fushë ka tërbuar së tepërmi Roberto Mançinin, i cili në pushimin mes pjesëve ka shigjetuar lojtarët me fjalë të forta.
“Corriere dello Sport” shkroi dje disa fraza që kishte thënë 51-vjeçari në pushimin mes pjesëve.
“Po luani një ndeshje m…, nëse do të kisha mundësi do t’ju zëvendësoja të gjithëve. Ku mendoni se jeni? Me pushime! Keni gabuar plotësisht duke zgjedhur këtë ritëm për të luajtur një ndeshje si kjo. Tregoni atributet dhe luani, jemi Interi nuk duhet të bëjmë këto figura m…”, mësohet të ketë thënë trajneri.
Për mënyrën se si Interi po mbyll këtë kampionat është e kuptueshme lëvizja e radhës e Roberto Mançinit. Mësohet se trajneri u ka kërkuar eprorëve të vet që ta ndihmojnë në atë që mund të konsiderohet “revolucioni” i dytë brenda pak muajsh në ekip. 52-vjeçari ka bërë gati listën e lojtarëve që nuk hyjnë më në planet e tij dhe gjithashtu ka përpiluar një listë tjetër ku ndodhen emrat e lojtarëve që dëshiron gjatë verës së ardhshme. Të ardhmen larg Milanos e kanë lojtarë si Tejes, Ljajiç, Santon dhe Melo.
Trajneri është në dyshim vetëm sa i përket së ardhmes së Jovetiçit (malazezi nuk e ka bindur plotësisht). Ndërkohë, Manço ka menduar edhe për ata që do t’i shërbenin kauzës zikaltër. Në sfidën kundër Lacios, 52-vjeçari ka mbetur i mahnitur nga paraqitja e Biljas dhe Kanderevës. Një tjetër lojtar që mund të afrohet në verë mund të jetë edhe Zabaleta i Sitit.
Skuadra zikaltër që ka në gjirin e saj disa lojtarë mjaft të vlerësuar, rrezikon të humbasë të paktën dy prej tyre, bëhet fjalë për argjentinasin Mauro Icardi dhe kroatin Ivan Perisiç. Dështimi i arritjes së objektivave gjatë këtij sezoni mund ta shtyjë trajnerin dhe presidentin të mendojnë për një revolucion të ri dhe stuhisë nuk mund t’i shpëtojnë as emrat më të lakuar në “Pinettina”. Mediat angleze këmbëngulin se e ardhmja e Icardit është në premier League, ku pretendentët janë të shumtë. Arsenal, Chelsea, Liverpool e Manchester United janë vënë në një garë me kohën për të marrë premtimin e argjentinasit, por fillimisht duhet të kënaqin dëshirën e Interit për të arkëtuar sa më shumë, pasi paratë do të investohen sërish në merkato për forcimin e grupit.
Arsene Wenger ka zbritur në terren, duke ofruar 30 milionë euro, por presidenti Thohir e ka refuzuar menjëherë, duke e konsideruar një shumë të ulët. Gjithsesi, dështimi i objektivit për t’u renditur në vendin e tretë mund ta komplikojë situatën e argjentinasit, i cili dëshiron të nisë një eksperiencë të re. Po nga Anglia ka ardhur një tjetër ofertë për një tjetër lojtar zikaltër. Ivan Perisiç ka tërhequr vëmendjen e Jurgen Klopp, i cili ka punuar me kroatin në vitet e para te Borussia Dortmund edhe pse e la të lirë të bashkohej me Wolfsburgun. “The Reds” ka gati 30 milionë euro dhe ditët e ardhshme janë vendimtare për të ardhmen e lojtarit, pasi Interi ka kërkuar kohë për të vlerësuar ofertën në fjalë.

Shqipëria në ankth, Taulant Xhaka rrezikon Europianin

Dhimbje kokë për Shqipërinë përpara startit të Kampionatit Europian. Dëmtimi muskulor që Taulant Xhaka pësoi në minutat e para të ndeshjes me Sionin, rezultoi më shqetësues nga sa u mendua fillimisht. Pasi festoi titullin e 7-të radhazi kampion të Zvicrës, klubi i Bazelit njoftoi zyrtarisht se, mesfushori shqiptar do të qëndrojë disa javë larg fushave, por pa specifikuar ekzaktësisht afatin kohor.
Pas vizitave mjekësore, vetë 25-vjeçari bëri të ditur se do të qëndrojë 4 javë jashtë fushave të lojës, por frika është se Taulantit mund t’i nevojitet edhe më tepër kohë për të qenë gati për ndeshjet në Grupin A të Euro 2016.
Nga dëmtimi në pjesën e pasme të kofshës së djathtë, mesfushori do të humbasë fundin e sezonit me Baselin, por pritet të mungojë edhe në miqësoret që Shqipëria do të zhvillojë përpara evenimentit në Francë. E sigurt duket që Xhaka nuk do të luajë ndaj Katarit më 29 maj, por edhe në ndeshjen e fundit testuese me Ukrainën, më 3 qershor në Bergamo të Italisë.
Mungesa njëmujore nga fushat, do të thotë se lojtari që cilësohet edhe si shpirti i mesfushës kuqezi, duhet të jetë i rikuperuar një javë përpara ndeshjes së 11 qershorit, ku Shqipëria debuton në Euro 2016 përballë Zvicrës. Taulant Xhaka beson se do të luajë në duelin përballë vëllait të tij, Granitit. Por, deri në atë kohë, Kombëtarja shqiptare mban frymën dhe pret me ankth lajme pozitive.

Manchester Uited me sytë te Griezmann

Antuan Griezmann është një tjetër futbollist që vihet në shënjestrën e Manchester United. Kjo është ajo që publikohet te “El Confidencial”, sipas të cilit, drejtuesit e “Djajve të Kuq” janë gati të paguajnë çdo shifër që do t’i kërkohet nga Atletico Madrid për të siguruar shërbimin e sulmuesit të përfaqësueses franceze.
Griezmann që në këtë sezon ka shënuar 31 gola në të gjitha aktivitetet, ka një kontratë me Atletico Madrid që përfshin klauzolën e zgjidhjes së saj për një shifër prej 80 milionë eurosh. Por, kjo mesa duket nuk e tremb aspak Manchester United që e sheh futbollistin 25-vjeçar si përforcimin e duhur për sezonin e ardhshëm.

PSG, 300 milionë për Neymar-Cristiano

“Neymar nuk do të largohet nga Barcelona”. Është fenomeni Ronaldo, ai që siguron tifozët e skuadrës katalanase se ylli brazilian do ta vazhdojë aventurën në stadiumin “Camp Nou”. Pavarësisht zërave që e lidhin Neymar me Paris Saint Germain për shkak të deklaratave kontradiktore të agjentit të tij, Wagner Ribeiro, ish-sulmuesi i Selecaos beson se ylli aktual i Brazilit nuk dëshiron t’i japë lamtumirën skuadrës spanjolle. “Nuk besoj se, Neymar do të largohet nga Barcelona ku ai është ambjentuar shumë mirë me qytetin dhe skuadrën. Nuk besoj aspak se, zhvendosja e tij drejt Parisit do të konkretizohet”, thekson Ronaldo që shton se Neymar është pjesë e një prej skuadrave më të mira të planetit ku ka arritur të fitojë gjithçka. Por pavarësisht deklaratës së fenomenit, Paris Saint Germain duket se po lëviz prapa kuintave për të siguruar shërbimet e 24-vjeçarit.
Presidenti Nasser Al-Hhelaifi kërkon të paguajë klauzolën e largimit të Neymar. Lajmin e bën të ditur “Gazzetta Dello Sport” që thekson se manjati nga Lindja e Mesme ka gati 300 milionë euro për brazilianin dhe portugezin e Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo. Zlatan Ibrahimoviç nuk ka pranuar të rinovojë me kampionët e Francës dhe në këtë mënyrë, Al Khelaifi mendon për të bërë një revolucion të vërtetë, pasi Champions League mbetet objektivi i vërtetë i tij. Në llogarinë e Barcelonës, ai ka premtuar të derdhë 193 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër planifikohet të shkojë në arkën “Los Blancos”, madje sipas gazetës italiane, sulmuesi i skuadrës madrilene ka dhënë ok për finalizimin e operacionit menjëherë në fund të sezonit aktual, pasi parizienët i kanë ofruar plot 26 milionë euro në sezon.

Tirana dhe Durrësi pa ujë, qeveria 3 miliard lekë për ujësjellës të ri për vilat e zyrtarëve në Lalëz

Me të drejtë, qeveria ka nisur të ashtuquajturën “reforma e ujit”, e cila do të mundësojë furnizimin me ujë të popullatës. Deri më tani, problematikat më të mëdha i ka Tirana dhe Durrësi, ku banorët kanë ankesa të vazhdueshme. Në këto qytete uji i pijshëm shkon vetëm dhjetëra minuta, duke mos përmbushur kushtet bazike të një familje. Në pallatet e këtyre qyteteve janë vendosur në tarraca mijëra depozita, ndërsa Bashkia e Tiranës tha para pak ditësh se do të ndërmarrë një nismë për të hequr këto depozita, pasi janë burim infeksioni. Në një vend që furnizohet të paktën me 12 orë në ditë me ujë të pijshëm, vendosja e depozitave mund të cilësohej si “e keqe” që mund të përhapte epidemi, por banorët janë detyruar të vendosin këto depozita, pasi në ato pak minuta që iu vjen ujë, të paktën të mbushet depozita.
Reforma e nisur është pritur mirë nga qytetarët, të cilët filluan të kenë një fije shprese. Kur kanë kaluar vetëm pak javë nga kjo nismë, kanë filluar të dalin edhe projektet e para “në shesh”. Për habinë e të gjithëve, qeveria ka akorduar plot 3 miliard lekë të vjetra për ndërtimin e ujësjellësit të ri në Gjirin e Lalzit, atje ku vetë qeveritarët kanë vilat e tyre të pushimit. Zona në fjalë njihet për popullimin e ulët dhe vitet e fundit, kompani të fuqishme kanë ndërtuar disa fshatra turistikë, ku banorët e parë janë pikërisht zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të shtetit. Duket se nisma e qeverisë është furnizimi me ujë të pijshëm të këtyre vilave, duke lënë në harresë qytete të mëdha.  Bold News ka siguruar dosjen e këtij tenderi të majmë, i cili duket se do ti shërbejë vetëm një grushti njerëzish, dhe jo popullatës në masë,  e cila vazhdon të jetë e përndjekur nga qeveritë që votojnë. Disa ditë më parë, në Agjencinë e Prokurimit Publik, Drejtoria e Përgjithshme Ujësjellës Kanalizime, hapi procedurën me prokurim elektronik.
“Objekti i prokurimit është ndërtim i rrjetit të ujësjellësit të Gjirit Lalzit Durrës. Fondi limit është 310 078 482 lekë lek pa TVSh. Burimi i financimit është buxheti i shtetit dhe afati për mbarimin e punimeve ose për dorëzimin e mallit/kryerjen e shërbimit është 12 mujor” thuhet në dokumentet e tenderit.
Bold News ka siguruar edhe specifikimet teknike të këtij tenderi.  Sipas dokumentit, njësia administrative Ishëm është pjesë e Bashkisë Durrës dhe ndodhet në veri të territorit të tij ku ndahet qartë (si territor) nga lumi Ishëm në veri dhe nga Përroi i Tarinit në jug. Ka një sipërfaqe totale prej 8,000 ha duke u kufizuar në juglindje me komunën e Prezës, në perëndim me detin Adriatik dhe në lindje me komunën Thumanë të rrethit të Krujës. Njësia administrative Ishëm përbëhet nga 10 fshatra: Kuraten (Shkafanë), Lalës, Likmetaj,  Kërtushaj, Kapedanaj, Gjiricaj, Rrotull, Draç e Fushë-Draç, Shetaj dhe Bizë. Punimet e ndërtimit konsistojnë në zgjerimit e kapacitetit ujëmbajtës të rezervuarëve, ndërtim i një depo të re beton/arme me kapacitet 1,500 m3 dhe ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë në zonën e Gjirit të Lalëzit. Në dokument thuhet se do të ndërtohet linja kryesore e furnizimit me ujë si dhe i linjës kryesore shpërndarëse që del nga depo e re dhe shtrihet në drejtim të zonës turistike.

/Boldnews/