Të ardhurat buxhetore shënuan një rënie vjetore me 4 për qind në muajin mars, ndonëse në nivel tremujor arkëtimet janë 10 për qind më të larta se të vitit të kaluar, për shkak të ecurisë pozitive në janar e shkurt.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave totali i të ardhurave në muajin mars ishte 1.2 miliardë lekë më i ulët se i marsit 2015, apo 4% më pak.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë pasur një ecuri të mirë, duke shënuar një rritje me 11 për qind në krahasim me 2015, porse rënia duket të ketë ardhur nga zërat jo tatimorë.
Në marsin e vitit që shkoi arkëtimet nga të ardhurat jo tatimore shënuan 4.9 miliardë lekë. Ky zë në atë periudhë i dedikohej shitjes ë lejeve 3G ndaj operatorëve celularë. Nga të ardhurat jo tatimore në tremujorin e parë janë arkëtuar vetëm, 1.5 miliardë lekë me një rënie 68 për qind në krahasim me 2015.
Më përkeqësim janë edhe të ardhurat nga pushteti vendor. Megjithëse janë bërë përpjekje për rritjen e arkëtimeve të taksës së pasurisë, duke e përfshirë atë te fatura e ujit, sërish të ardhurat nga taksa e banesave janë në rënie. Në mars 2016 të ardhurat nga pushteti vendor janë ulur me 10 për qind, ku rënien më të madhe e ka pësuar taksa mbi pasurinë, ndërtesat me 45 për qind më pak se marsin e vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat nga taksat e biznesit të vogël në mars janë rritur me 200% në krahasim me marsin e vitit 2015. Më poshtë, shihet tabela me ndryshimet përkatëse në të gjitha zërat e të ardhurave.
Ngadalësimi i rritjes së të ardhurave ishte i pritshëm, për shkak se rritja dy shifrore e dy mujorit i dedikohej dhe nivelit të ulët të të ardhurave në janar-shkurt 2015, për shkak të problemeve që u hasën me sistemin e ri online dhe uljes së importeve të mallrave të akcizës, teksa ato u importuan ndjeshëm më shumë në dhjetor 2014, në pritje të rritjes së taksave.
Financat duket se do ta kenë të vështirë të ruajnë ritmin e lartë të rritjes së të ardhurave të konstatuara në dy muajt e parë të vitit. Niveli i ulët i të ardhurave në dy muajt e parë të vitit të kaluar dhe rritja e fortë e mallrave të akcizës, dy faktorët që ndikuan në rendimentin e mirë të janar-shkurtit, nuk pritet të “ndihmojnë” më në muajt në vijim.
Në janar dhe shkurt 2015 u mblodhën më pak se 30 mld lekë në muaj (25.7 mld në janar dhe 26 mld lekë në shkurt), më pas, ritmi u përmirësua ndjeshëm dhe mesatarja mujore ishte gati 33 miliardë lekë në muaj (as shkurti as janari 2016 nuk e kapën këtë mesatare të mars-dhjetorit 2015).
Të ardhurat buxhetore shënuan rënie me 4% në mars, ja arsyet
Kosovë, 360 milionë euro kredi për zhvillimin e bizneseve

Kryetari i Bordit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), Hajdar Korbi, ka thënë se si rezultat i garancive kreditore të ofruara nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, pritet që volumi i kredive të rritet përreth 360 milionë euro në një periudhë gjashtëvjeçare. “Me rastin e përgatitjes së koncept dokumentit për draftimin e Ligjit për themelimin e FKGK-së janë bërë edhe vlerësimet e ndikimit potencial të aktivitetit të këtij fondi, respektivisht të garancive kreditore në rritjen e aktivitetit kreditor dhe në punësim. Sipas këtyre vlerësimeve, pritet që si rezultat i garancive kreditore të ofruara nga FKGK-ja, volumi i kredive të rritet përreth 360 milionë euro në një periudhë gjashtëvjeçare dhe kjo pritet të ketë ndikim edhe në punësim, duke rritur numrin e të punësuarve përreth 20 mijë veta”, ka thënë Korbi. Sipas tij, tani këto statistika duhet të merren si të përafërta, ndërsa menaxhmenti dhe bordi i FKGK-së do të përgatisin plane të punës për t’i deshifruar këto projeksione në baza vjetore. “Jemi optimistë se FKGK-ja do të ketë ndikim pozitiv në rritjen e mëtutjeshme të aktivitetit kreditor dhe rrjedhimisht edhe në rritje ekonomike dhe punësim”, ka thënë ai. Korbi në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që Fondi Kosovar për Garanci Kreditore ta fillojë aktivitetin e vet. Sipas tij, në javët në vijim pritet të fillohet lëshimi i garancive të para.
Tregu i BE-së me standarde të larta, e vështirë për bizneset kosovare
Pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, me të cilën marrëveshje bizneseve kosovare u garantohet qasja në tregun evropian, për bizneset kosovare nuk do të jetë e lehtë, për shkak të normave, konkurrencës dhe standardeve të larta të tregut evropian. Zëvendësministri i MTI-së, Avni Kastrati tha se MSA është një favor i madh dhe një obligim i madh për Kosovën, meqë do të ketë qasje në një treg të BE prej 500 milionë konsumatorëve, dhe sipas tij, qasja e bizneseve kosovare me produktet e tyre duhet të jetë me cilësi të lartë.
“Konkurrimi në atë treg, gjegjësisht realizimi i ofertave tona në atë treg nuk do të jetë i lehtë, për arsye se në tregun evropian janë norma të cilat duhet të plotësohen. Në rend të parë është cilësia. Andaj, ne me punëtori të tilla sot kemi planifikuar që me përpunuesit e drurit… të bashkëbisedojmë, t’i orientojmë dhe t’i informojmë me qëllim që sa më shpejt ata të rrugëtojnë”, tha Kastrati. Ndërsa, eksperti i UNDP-së Marjan Kavran prezantoi kërkesat e tregut të BE-së dhe theksoi se Kosova do të ballafaqohet me sfida të ndryshme për të plasuar produktet në tregjet e BE, sikurse që në Kroaci që ka probleme me qasjen në tregun BE-së, për shkak të madhësisë së këtij tregu.
E, drejtori i Departamentit të Integrimeve Evropiane dhe Koordinimit të Politikave në Ministri të Tregtisë, Irfan Lipovica tha se kjo Ministri është e fokusuar t’i ndihmojë bizneset dhe prodhuesit kosovarë që të kenë lehtësi në depërtimin e tregut evropian. Ai tha se për të qenë në gjendje që bizneset të shfrytëzojnë këtë mundësi, duhet të ketë produkte dhe shërbime cilësore përkitazi me standardet evropiane. Sipas tij, ky organizim ka për qëllim të mësohet më shumë për benefitet e MSA dhe orientimin e bizneseve në këtë treg më mundësi të mëdha për vendin. Mirëpo, në këtë punëtori nuk pati interesim të madh nga ana e bizneseve, meqë numri i të pranishmëve të tyre ishte i vogël.
Një fe islame “gjermane”?
Kersten KNIPP
Më pak se dy ditë zgjati diskutimi, pastaj Presidenti i shtetit turk Erdogan ndërhyri. Turqia, deklaroi ai, ruan të njëjtën distancë ndaj të gjitha feve. “Ky është laicizmi”, tha Erdogani. Me këtë, ai u pozicionua në debatin, që pati shkaktuar në fundjavë Presidenti i Parlamentit, Ismail Kahraman. Turqia është një shtet islamik, i cili ka nevojë për një “kushtetutë fetare”, konkludoi ai. Këtë tani Erdogani e kundërshtoi.
Ky diskutim përkoi me diskutimin në Gjermani për rolin e imamëve turq në komunitetet e xhamive në Gjermani. Janë rreth 970 imamë të tillë që e kryejnë shërbimin në Gjermani, të ndërmjetësuar nga Ditib-Bashkimi Turk-Islamik i Institutit për Fenë sh.r.
Në një artikull të gazetës së përditshme “Welt am Sonntag” shtrohet pyetja, se në ç’masë përpiqen të ushtrojnë ndikim politik në Gjermani shteti turk dhe AKP në pushtet përmes Ditib-it.
Ditibi nuk është “gjë tjetër, veç krahut të zgjatur të shtetit turk. Në vend që ta lërë të kthehet në një komunitet të vërtetë fetar, qeveria turke e bën Ditib-in gjithnjë e më shumë një organizatë pararojë të AKP-së në Gjermani” citon Welt am Sonntag politikanin e të Gjelbërve, Cem Özdemir. “Turqia”, kërkon Özdemir, “duhet t’i lërë të lirë më në fund myslimanët”,
Teologia dhe ekspertja e fesë Hamideh Mohagheghi, e cila jep mësim në Universitetin e Paderbornit, thotë se komunitetet e xhamive nuk kanë alternativë tjetër veç marrjes së imamëve nga bota e jashtme. “Deri tani në Gjermani nuk ka qenë e mundur shkollimi i imamëve. Qendrat që shkollojnë tani imamët janë shumë të reja. Prandaj nuk ka akoma njerëz që t’i kenë përfunduar këto shkolla”.
Edhe kuadri juridik e bën thuajse të pamundur që situata aktuale të ndryshohet. Kushtetuta gjermane u garanton feve pavarësi të lartë organizative. Veç kësaj: Mouhanad Khorchide, drejtues i Qendrës për Përvojat Islame në Universitetin e Münsterit thotë se, deri tani ai nuk ka pasur përvoja alarmuese me këta imamë. “Unë nuk shoh te imamët e Ditibit të dhëna, që sugjerojnë se deklaratat e tyre nuk janë në përputhje me Kushtetutën gjermane”.
Ai ka një shqetësim tjetër: “Shumica e këtyre imamëve nuk flasin as gjermanisht, as e njohin atë realitetin jetësor të të rinjve në Gjermani. Ata nuk e njohin kontekstin në Gjermani, në të cilin rriten shumë prej këtyre të rinjve. Prandaj ata nuk janë partnerë bisedimi për këta të rinj”.
Ai dëgjon shpesh nga myslimanët e rinj se. nuk e ndiejnë veten në shtëpinë e tyre në xhami, meqenëse imamët predikojnë nga një kontekst krejt tjetër, thotë Khordide. Hamideh Mohaghegi thotë se çdo fe zhvillohet në një kontekst kulturor dhe të realitetit jetësor. “Kjo bën që myslimanët që jetojnë në Gjermani t’i interpretojnë këtu parimet e fesë së tyre. Kjo është e pashmangshme dhe është mirë që ndodh. Sepse kjo tregon se, një fe është dinamike. Ajo edhe duhet të jetë dinamike, përndryshe nuk mbijeton”.
Por ky zhvillim ecën ngadalë, thotë Mohagheghi. Një numër i madh myslimanësh kanë frikë se mund të humbasin në këtë proces traditën dhe besimin. Prandaj, ata nuk janë të hapur për teologjinë dinamike, që mban parasysh edhe realitetin jetësor të njerëzve.
Vringëllim i armëve bërthamore nga Rusia
Në Shtutgard të Gjermanisë, dje u zhvillua ceremonia e përurimit të komandantit të ri suprem të NATO-s. Gjenerali i ushtrisë amerikane Curtis Scaparrotti mori komandën e forcave amerikane dhe atyre europiane të NATO-s, duke zëvendësuar gjeneralin Philip Breedlove, i cili po del në pension. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Carter, i pranishëm në ceremoni, tha se Aleanca do ta vazhdojë fuqizimin gradual të krahut të saj lindor, si një masë sigurie ndaj rrezikut që paraqet Rusia për disa vende të Europës Lindore. Në komentet që bëri në ceremoninë e ndërrimit të komandantit të NATO-s në Shtutgard, Sekretari i Mbrojtjes, Ash Carter, premtoi fuqizimin e krahut lindor të aleancës për të përballuar rrezikun që paraqet Rusia.
Zoti Carter e kritikoi Rusinë për agresion në Europë, duke thënë se veçanërisht shqetësuese janë veprimet që ai i cilësoi si “vringëllim armësh bërthamore”.
“Rusia vazhdon të shkelë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë dhe përpiqet në mënyrë aktive t’i frikësojë fqinjët balltikë. Qoftë përmes detit, ajrit, apo kibernetikës, Rusia po sfidon normat ndërkombëtare; më shqetësuese është vringëllimi i armëve bërthamore të Moskës, që ngre pyetje shqetësuese lidhur me përkushtimin e udhëheqësve rusë ndaj stabilitetit strategjik, për respektimin prej tyre të normave kundër përdorimit të armëve bërthamore”, tha zoti Carter.
Zyrtarët amerikanë thonë se synimi i NATO-s në Europë është që të kalohet nga përpjekjet për t’i siguruar aleatët, në zgjerimin e aktiviteteve për të frenuar veprimet agresive të Rusisë.
NATO po shqyrton qarkullimin e katër batalioneve në vendet anëtare të Aleancës nga Europa Lindore, tha Seketari amerikan i Mbrotjes, Ash Carter. Këto masa po merren pas një propozimi nga vendet aleate, për t’u mbrojtur nga sjellja agresive e Rusisë. Që pas aneksimit nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014, shtetet balltike: Estonia, Letonia dhe Lituania, që u pranuan në radhët e Aleancës në vitin 2004, kanë kërkuar një prani më të madhe të NATO-s, nga frika e rrezikut rus.
Komandanti i ri suprem i NATO-s, gjenerali Scaparrotti, tha gjatë një dëshmie në Senat muajin e kaluar se, Rusia po manifeston “një qëndrim gjithnjë e më agresiv, që sfidon normat ndërkombëtare, shpesh në shkelje të ligjit ndërkombëtar”.
Kush është gjenerali amerikan në krye të NATO-s?
Në Korenë e Jugut, ai ka marrë përgatitjen ndoshta më të mirë të mundshme për rolin e tij të ri si kryekomandant i NATO-s. Në fund të fundit, Curtis Scaparrotti ishte në dy vitet e fundit të kaluara shef i ushtrisë së SHBA në Gadishullin Korean. Detyra e tij ishte balancimi i interesave të Uashingtonit me ato të vendit të tij mikpritës, Koresë së Jugut, por edhe me interesat shpesh të kundërta të fuqive rajonale si Kina dhe Japonia.
Këtu bënte pjesë edhe trajtimi i një diktatori, i cili kërcënon në mënyrë të përsëritur se do të shtypë butonin e kuq dhe do t’i sulmojë me armë atomike fqinjët e tij. Scaparrotti një sy e mbante gjithmonë të drejtuar nga regjimi i paparashikueshëm në veprime i Koresë së Veriut.
“Të merresh vesh me koreanët, me kinezët, me japonezët dhe të tjerë në rajon është tepër komplekse”, thotë Guy Swan, një gjeneral-lejtnant në pension, i cili ka studiuar me Scaparrottin në Akademinë Ushtarake elitare amerikane West Point. “Dhe prandaj, ai do ta kuptojë shumë shpejt kompleksitetin e situatës evropiane, veçanërisht edhe përsa u përket rusëve”.
Po kaq e rëndësishme për rolin e tij të ri është përvoja e Scaparrottit në Afghanistan. Atje ai drejtoi në vitet 2011 deri 2012 Joint Command të trupës së drejtuar nga NATO, ISAF. “Prandaj ai nuk është i ri në lidhje me NATO-n”, thotë Swan.
Përkufizim i ri i frikësimit
Përvoja e Scaparrottit në Kore dhe Afganistan është një parakusht i mirë për menaxhimin e dy detyrave të reja më të rëndësishme të NATO-s, thekson Carlo Masala, Profesor i Politikës Ndërkombëtare në Universitetin e Bundeswehrit në Mynih: “Si ta organizoj frikësimin, duke pasur parasysh sjelljen ruse? Dhe si i organizoj unë forcat e armatosura të NATO-s, që ato të jenë edhe më tej në gjendje që të kryejnë operacione jashtë hapësirës së Aleancës?” Ndjekia e njëkohshme e të dyja këtyre synimeve, në një aleancë të përbërë tani me 28 anëtarë bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Më e vështirë detyra do të bëhet megjithatë për shkak të së “çarës”, që sipas Masalas po përvijohet në NATO në lidhje me Rusinë. Në një kohë që shtetet që ndodhen gjeografikisht më pranë Rusisë kërkojnë vetëm frikësim ushtarak, shtete të tjera kërkojnë një miks frikësimi dhe ofertash për negociata ndaj Rusisë. “Për Scaparrottin do të jetë një detyrë tepër delikate politike ushtarake, që të ruajë këtu balancën e Aleancës”.
Njeri i konsensusit, por jo frikacak
Po nëse ekziston dikush, i cili është i përshtatshëm për të menaxhuar perspektivat e kundërta në lidhje me Rusinë, atëherë ky është Scaparrotti, thotë ish-shoku i tij Swan. “Ai është një person tepër i matur”, thekson ai. “Njerëzit në komunitetin e NATO-s do të dinë ta çmojnë atë si një personalitet integrues drejtues, i cili dëgjon të gjitha palët dhe të cilit i intereson mendimi i të gjitha palëve, përpara se të marrë një vendim”.
Por stili i Scaparrottit i drejtuar nga konsensusi nuk duhet të ngatërrohet në asnjë mënyrë me frikën, veçanërisht kur vjen fjala për përpjekjet e përhershme të Kremlinit për të futur pyka në NATO, thotë Swan. “Ata do ta vënë re shpejt se Scaparrottit nuk i pëlqen kjo. Ata do të konstatojnë se ai është një kryekomandant, i cili angazhohet për aleancën e tij të bashkuar dhe prandaj nuk duhet ta nënvleftësojnë”.
Komisioni Europian: Kosova pa viza
Komisioni Evropian i ka propozuar të mërkurën Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë.
Komisioneri për Migrim dhe çështje të brendshme, Dimitris Avramopoulos i tha Radios “Evropa e Lirë”, se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga udhëzuesi për liberalizim të vizave dhe se shpreson se tani edhe Parlamenti Evropian dhe Këshilli, do ta miratojnë propozimin.
Komisioneri Avramopoulos tha se, megjithatë Kosova ka edhe dy kushte për të përmbushur përpara miratimit përfundimtar të propozimit.
“Ne po e vazhdojmë përkushtimin tonë për të propozuar udhëtimin e lirë pa viza në Bashkimin Evropian, për qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike. Kjo do të lehtësojë kontaktet ndërmjet njerëzve, do të forcojë lidhjet afariste, kulturore e sociale ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Ky është edhe qëllimi. Ky është rezultat i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës në arritjen e reformave të rënda dhe gjithëpërfshirëse në fushën e drejtësisë dhe të çështjeve të brendshme dhe madje edhe përtej kësaj, siç janë fushat me ndikim ajo e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe reforma në drejtësi”.
“Duhet të përgëzojmë Kosovën për këto arritje. Në raportin e sotëm të progresit, Komisioni konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat nga udhëzuesi për liberalizim të vizave, duke marrë parasysh se me miratimin e këtij propozimi nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, siç e dini janë edhe dy hapa përpara, Kosova do të ketë ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe do të forcojë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
“E di se sa i rëndësishëm është udhëtimi pa viza për qytetarët e Kosovës dhe siç e thashë edhe në fillim jam i kënaqur me përparimin e arritur dhe shpresoj se Parlamenti Evropian dhe Këshilli do ta miratojnë së shpejti propozimin tonë, tha komisionari Dimitris Avramopoulos për Radion “Evropa e Lirë”.
Pas UEFA-s, Kosova do të jetë edhe pjesë e FIFA-s
Republika e Kosovës është anëtarja e 55-të e Bashkimit të Futbollit Evropian, UEFA. Kongresi i UEFA-s votoi me një shumicë të vogël votash pro një lutjeje përkatëse të shoqatës kosovare të futbollit. 28 anëtarë të UEFA-s ishin pro, 24 kundër. Dy vota qenë të pavlefshme. “Jam shumë i prekur. Ju falenderoj para së gjithash në emër të lojtarëve të rinj të vendit tim për këtë vendim. Kjo është një ditë historike për ne”, tha Fadil Vokrri, President i Federatës së Futbollit të Kosovës, FFK.
Niersbach:”Një vendim tepër politik”
Kosova e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe ndërkohë, shtetin me 1,8 milionë banorë e kanë njohur 111 shtete. “Vendimi do të jetë i ngushtë”, tha ish-Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit Wolfgang Niersbach para votimit, veç kësaj do të jetë “një vendim tepër politik”. Tomislav Karaxhiç, shef i Federatës Serbe të Futbollit u pozicionua para votimit, siç pritej, kundër pranimit të Kosovës: “Kufijtë e vendit nuk lejohet të ndryshojnë. Një republikë e vetëshpallur nuk duhet të marrë leje që të bëhet anëtare e UEFA-s”.
Pas suksesit në UEFA, Federata Kosovare mund të bëhet anëtare e FIFA-s që javën e ardhshme, në 12 dhe 13 maj në Meksikë. Kosovarët shpresojnë të lejohen të zhvillojnë me vonesë ndeshjet për kualifikim në Kampionatin Botëror të Futbollit në vitin 2018 në Rusi.
Në mesazhin e tij përshëndetës drejtuar delegatëve të UEFA-s, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino u bëri thirrje të 54 federatave evropiane të futbollit që të bëjnë pagesa solidariteti për vendet më të varfëra. Para zgjedhjes së tij si funksionari më i lartë i futbollit në botë, Infantino i premtoi secilit prej të 209-të anëtarëve të FIFA-s një lloj pagese shpërblim prej pesë milionë dollarësh. “Ju keni mundësinë të merrni shumë më tepër para”, u tha zvicerani delegatëve të UEFA-s. “Kur nuk keni nevojë për të gjitha paratë, që ju jep FIFA, jepjuani shoqatave të tjera në botë. Atëherë ne mund të ndërtojmë një FIFA tjetër, një FIFA të solidaritetit”.
Vakumi në drejtimin e UEFA-s për shkak të bllokimit të Presidentit të deritashëm Michel Platini mbizotëroi në diskutimet në kongresin në Budapest. “Shpresoj dhe dëshiroj që Misheli pas pak ditësh të jetë sërish pranë nesh”, tha zëvendësi i UEFA-s, Anger Maria Villar Llona nga Spanja. Gjykata Ndërkombëtare e Sportit (CAS) do ta shpallë vendimin më e vonta në nëntë maj. Platini u bllokua për gjashtë vjet së bashku me ish-shefin e FIFA-s, Joseph Blatter, për shkak të një pagese të dyshimtë prej 1,8 milionë eurosh. Nëse ai nuk do të shpallet i pafajshëm, siç presin shumë ekspertë, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mblidhet në 18 maj në Basel në një mbledhje krizë – më pak se tri javë prej fillimit të Kampionatit Evropian të Futbollit në Paris.
Trump nuk ka më pengesa, drejt garës me Hillary Klinton
Miliarderi amerikan, Donald Trump, duket se është shumë afër marrjes së nominimit presidencial nga ana e republikanëve, për zgjedhjet presidenciale në SHBA, pasi mposhti të martën rivalin e tij kryesor në një fitore kritike në shtetin amerikan të Indianas.
Kundërshtari i tij serioz, senatori Ted Cruz, hoqi dorë nga gara pas humbjes në Indiana, një shtet ku ai dikur shpresonte se do ta fitonte.
Me Cruzin jashtë garës, kryesuesi i Partisë Republikane, Reince Preibus, deklaroi se Trump është i “nominuari i paragjykuar” i partisë dhe u bëri thirrje të gjithë republikanëve, përmes një postimi në Twitter, që “të bashkohen dhe fokusohen në mposhtjen e Hillary Clinton”.
Demokratja Clinton, nga ana tjetër tregohet pothuajse e bindur se do ta arrijë nominimin e partisë së saj, pavarësisht humbjes nga rivali i saj Bernie Sanders në shtetin e Indianas. Ajo veçse ka 92 për qind të delegatëve që i nevojiten për ta siguruar nominimin e Partisë Demokratike në Konventën që mbahet në muajin korrik.
Trump, pikëpamjet e të cilit për politikën e jashtme kanë ngritur alarm në disa kryeqytete botërore, sidomos në Islamabad, e bëri të qartë se ai e sheh Hillary Clinton si pengesën e vetme drejt arritjes në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne i jemi vënë pas Hillary Clintonit”, tha ai para një turme njerëzish që festonin në Nju Jork, duke shtuar se ish-senatorja amerikane, ish-zonja e parë e shtetit, dhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, do të ishte “një presidente e dobët”.
Ai tha se do të fitojë në nëntor, madje se do ta shënojë një fitore të madhe dhe se Amerika do të jetë në rend të parë.
Ndërkohë, këshilltari i lartë i Clintonit, John Podesta, tha se Trump paraqet “rrezik të madh” për t’u bërë president.
“Ne do të kemi një fushatë të ashpër kundër një kandidati që thotë dhe bën çdo gjë”, tha Clinton për Trumpin më herët gjatë ditës, duke shtuar se do ta eliminojë atë nga gara.
Lidhur me qëndrimet e fundit për çështjet ndërkombëtare, Trump tha se ai ka për qëllim që të punojë më ngushtë me Rusinë, përderisa ka kërcënuar se do t’i ndalojë ndihmat për Pakistanin, në mënyrë që ta detyrojë Islamabadin që ta lirojë mjekun, i cili ndihmoi SHBA-të për ta gjetur dhe vrarë liderin e Al-Qaedës, Osama Bin Laden.
Pasi mori shumicën nga 57 delegatët e Indianas, Trump tani ka 1.047 nga 1,237 kandidatët e nevojshëm për ta siguruar fitoren në Konventën e Republikanëve, që mbahet në muajin korrik.
Atij i duhet t’i fitojë edhe 200 delegatë, apo 42 për qind të atyre që alokohen në zgjedhjet paraprake në SHBA, nisur prej tani e deri më 7 qershor, gjë që mund të konsiderohet se ai do ta bëjë lehtësisht, marrë parasysh performancën e tij në zgjedhjet në shtete deri më tani.
Kjo është arsyeja pse shumë liderë të Partisë Republikane, sikurse Priebus, pasi luftuan për muaj të tërë kundër kandidimit të Trumpit, tani po e pranojnë se ai është i nominuari i pashmangshëm.
Disa republikanë të tjerë, megjithatë, mund të refuzojnë të bashkohen e qëndrojnë prapa Trumpit. Agjencia e lajmeve AP raporton se disa konservatorë planifikojnë të takohen më 4 maj për të vlerësuar mundësinë e një kandidati të palës së tretë, që do të sfidonte Trumpin në vjeshtë.
Ted Cruz tërhiqet nga gara
Rivali i Trump, senatori nga Teksasi Ted Cruz, në një fjalim të martën në mbrëmje njoftoi se do të largohet nga gara. Gara në Indiana ishte shpresa e vetme e tij për të ndalur hovin e kandidatit Trump.
Në kampin demokrat, sipas shtypit amerikan pritet të ketë fituar Bernie Sanders në një garë të ngushtë me rivalen Hillary Clinton.
Fiotorja e Donald Trumpit pritet të jetë e thellë. Pas garës në Indiana, miliarderi i pasurive të patundshme, që nuk ka mbajtur kurrë më parë një post publik, pritet të marrë edhe 57 delegatë të tjerë, jo të mjaftueshëm për të arritur shifrën 1237, por në rrugën e sigurtë për t’u quajtur kandidati i pritshëm republikan që do të emërohet gjatë kuvendit të partisë në korrik.
“Në se fitojmë në Indiana, gara ka përfunduar”, u shpreh Donald Trump para votimeve në shtetin konservator të Indianës, ku fermat bujqësore ndërthurren me qendrat industriale.
Për demokratët, Sanders pritet të ketë fituar sipas parashikimeve, por Clinton ka shumë më tepër delegatë dhe për Sanders është matematikisht e pamundur të fitojë numrin e mjaftueshëm për të siguruar emërimin e partisë.
Trump filloi ta zhvendosë gjuhën e tij të ashpër të kritikave nga rivalët republikanë tek kandidatja e pritshme demokrate Hillary Clinton. Gjithnjë e më shumë duket se gara në nëntor do të zhvillohet mes dyshes Trump-Clinton.
Ai e kritikoi ashpër Clinton-in si sekretare shteti, duke thënë se ajo ishte në gjumë gjatë sulmit terrorist të vitit 2012 në Benghazi të Libisë ku gjetën vdekjen katër amerikanë, mes të cilëve edhe ambasadori amerikan në Libi.
Trump u tha përkrahësve të tij se, ai mund të fitojë ndaj Hillary Clintonit në shtetet ku republikanët zakonisht nuk fitojnë, ndonëse anketat e tanishme nuk tregojnë për një gjë të tillë.
“Vardy vinte i dehur në stërvitje”
Suksesi i Leicester City është një ëndërr e bërë realitet. Por, si për ta bërë edhe më të veçantë sukesin e tyre, është historia që mbart mbi supe secili prej futbollistëve të këtij ekipi. E sigurisht që në krye qëndron sulmuesi Jamie Vardy. Deri përpara një viti askush nuk e njihte atë. Disa sezone më parë aktivizohej në radhët e Fleetwood Town, ekip që militon në kategorinë e dytë në Angli, e më pas për t’u transferuar tek “Dhelprat”. Në harkun kohor të një viti është shndërruar në një sulmues të jashtëzakonshëm, duke ndihmuar skuadrën në arritjen e titullit kampion.
Por, aventura e tij tek kampionët e Anglisë nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe këtë fakt e konfirmon Zëvendës/presidenti i Leicester. “E transferuam nga klubi i Fleetwood Town. Fakti që ai vinte nga një kategori më inferiore e lejontë atë të konsumonte alkool pothuajse çdo ditë. Unë nuk isha në dijeni të këtij fakti, derisa një ditë më njoftuan se ai vinte i dehur në stërvitje. Vendosja të flisja më të dhe më tha se nuk dinte se çfarë të bëntë me aq shumë para. Por, më premtoi se nuk do të pinte më dhe kështu ndodhi. Unë besoja shumë tek aftësitë e tij, por se do të arrinte një shpërthim të tillë brenda një viti, këtë nuk e prisja”, u shpreh ai.
Merkato e verës pritet të jetë shumë e nxehtë për sulmuesin Jamie Vardy. Shumë klube të mëdha janë vënë në ndjekje të tij dhe duket se ofertat për ta bindur 29-vjeçarin do të kapin shifra stratosferike. Sidoqoftë deri atëherë Vardy do t’i kënaqet suksesit të arritur me fanellën e Leicester.
Ndërkohë, trajneri i Chelseat, Guus Hiddink ka qenë i pari që i ka dhënë lajmin Ranierit për fitimin e Kampionatit. Hiddink në konferencën pas ndeshjes deklaroi se menjëherë pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit kryesor ka marrë një telefonatë nga trajneri i Leicester, Claudio Ranieri. Holandezi që do t’i lirojë vendin një tjetër italiani pas dy javësh, tha se Ranieri e kishte falënderuar që skuadra e tij nuk u dorëzua edhe pas dy golash disavantazh.
“Menjëherë pas ndeshjes, disa minuta pas xhudos, mora një telefonatë nga Ranieri. Ai më falënderoi që luftuam deri në fund, për lojën që bëmë, sidomos në pjesën e dytë. E urova atë për titullin. Ata e merituan”, deklaroi Hiddink.
Tekniku holandez mendon se, Ranieri ishte duke qarë në momentin, kur e kishte telefonuar. “Nuk pashë asnjë lot, sepse nuk ishim përballë njëri-tjetrit, por e dallova nga zëri që ai ishte shumë i emocionuar. Më tha 5 herë faleminderit”, shtoi Hiddinik.