28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

PD: Valë e paprecendentë e krimit, do ti shpartallojmë

Partia Demokratike denoncoi dje situatën dramatike në të cilën ndodhet vendi sot, ku krimi po ushtron pushtetin e tij duke e bërë jetën e qytetarëve të pasigurtë ashtu si edhe pronën e tyre. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj deklaroi dje se një valë e paprecedent krimi ka mbërthyer vendin, duke goditur qytetarët në gjënë më të shtrenjtë, sigurinë për jetën dhe për pronën. “Ekzekutim në mes të Tiranës, grabitje me armë në Shkodër, grabitje dhe plagosje të pronarit të shtëpisë në Kuçovë, të gjitha në harkun e disa orëve, janë dëshmitë tronditëse të fuqizimit të krimit dhe rënies së shtetit. Më shqetësuese është lehtësia me të cilën kryhen këto akte të rënda çka tregon se krimi nuk parandalohet më dhe më keq akoma, reagimi i policisë pas ngjarjes nuk është eficent, kështu që kemi çdo ditë një vrasje më shumë pa autor, çdo ditë një grabitje më shumë pa autorë. Kjo situatë po i nxjerr qytetarët gjithnjë e më të pambrojtur, gjithnjë e me më pak besim tek policia. Por sigurisht nuk është faji i trupës së oficerëve, i burrave dhe grave në uniformë”, u shpreh Alibeaj.
“Kur Saimir Tahiri prej tre vitesh sillet si ortak i Habilajve dhe Shullazëve dhe këtë e di gjithë Shqipëria, atëherë krimit dhe kriminelëve në gjithë vendin ju ke thënë ngrihuni, merrni armët dhe bëni ç’të doni se keni imunitet. Kur me Edi Ramën Kryeministër, Shullazët dhe Hakmarrja me kompani bëhen pronarë trojesh e pasurish, vendosin gjoba e plaçkisin, atëherë i ke thënë krimit marshalla dhe krimi sjell krim, sjell vrasje, grabitje, rrënim. Kur paligjshmëria ka mbuluar vendin dhe gjithë territori është mbjellë me drogë si kurrë më parë në 25 vjet, i ke dhënë krimit dritë jeshile, i ke dhënë krimit legjitimitet”, tha Alibeaj.
Ai theksoi se situata e rendit dhe e krimit është dramatike dhe se PD është çdo ditë në kontakt me qytetarët që vuajnë pasigurinë për jetën e pronën. “Por ka një zgjidhje për krimin. Ai duhet shkulur me rrënjë dhe rrënjët e tij janë në qeveri. Qytetarët vetë e kanë në dorë, koha po vjen, zgjedhjet nuk janë larg. Partia Demokratike do ta shtypë krimin me fuqinë e ligjit. Ne do t’i shpartallojmë bandat dhe do t’i japim shqiptarëve siguri në qytete dhe fshatra, rrugë dhe sheshe, siguri të pronës, të jetës dhe të shtëpive të tyre”, tha Alibeaj.

Arkitekti italian: Ju duhet t’u thoni stop kullave. Mjaft më me kulla në këtë qytet

Qytetarë të Tiranës zhvilluan dje një takim të hapur me arkitektin italian Paolo di Nardo, rreth zhvillimit urban të Tiranës dhe stadiumit të ri kombëtar, në veçanti.
Arkitekti Di Nardo u bë, befas, i njohur në Shqipëri për reagimin, tashmë të famshëm, të tij për projektin e stadiumit të ri: “Do të lidhem me zinxhirë që stadiumi të mos ndërtohet e të mos shkatërrohet monumenti i kulturës së Bozios”.
“Përpara çdo zgjedhjeje arkitektonike dhe urbanistike duhen bërë pyetje me veten dhe të tjerët. Është e domosdoshme të bëjmë pyetje, në Shqipëri dhe Europë. Nuk ekziston një arkitekt që i di të gjitha, nuk ekziston një politikan që i di të gjitha. Ndaj çdo arkitekt duhet të pyesë e të dëgjojë.
Gjithmonë i them studentëve të mi se, nëse bëni një projekt që ju pëlqen vetëm juve, ka diçka që nuk shkon.
Projekti i stadiumit të ri duhet të ishte bërë në tjetër mënyrë: duhet të kishte filluar me një rrugëtim takimesh me qytetarët. Duhen projekte që përfaqësojnë ata që jetojnë në këtë qytet. Në qytet duhen bërë ndërhyrje konstruktive, jo shkatërruese për jetën e qytetarëve.
Para se të mendohej për arkitekturën e stadiumit duhej menduar për infrastrukturën e nevojshme për të arritur në stadium” është shprehur arkitekti italian.
Di Nardo thekson se gabimi i vërtetë për projektin e stadiumit është propozimi i tij në fshehtësi ndërsa citon se i gjithë projekti i stadiumit të ri kombëtar është një gabim urbanistik, do të ketë probleme me trafikun, vizionin e qytetit.
“Nuk mendoj se është faji i arkitektit. Janë drejtuesit politikë që i kanë dhënë atij copën, arkitekti vetëm ka qepur fustanin. Arkitekti interpreton atë që i kërkohet, por është politika që duhet të ketë një vizion për qytetin.
Zgjedhja e arkitektëve të huaj për të bërë projekte në Shqipëri ka të mirat e të këqijat e veta. Distanca që ka një arkitekt i huaj është pozitive, pasi nuk ndikohet nga dinamikat politike të vendit, por është negative pasi nuk njeh as problematikat e territorit apo mendimin e atyre që jetojnë aty.
Unë jam kundër prishjes si koncept. Monumentet, qoftë të ndërtuara në komunizëm, janë pjesë e historisë” vijon më tej arkitekti italian.
Ai thekson se nonumentet nuk prishen vetëm duke i shembur, por edhe duke ju shtuar atyre objekte të papërshtatshme. Nuk është vetëm shembja e monumenteve gjë e keqe, ndonjëherë të këqija janë shtesat ndaj tyre. Gjithë këto vite kam parë se si në Tiranë janë shtuar ndërtesa dhe më ka ardhur keq, sepse kam kuptuar që ky shtim nuk bazohej në një mendim apo vizion për qytetin.
“Shpeshherë kam parë të prishen objekte me ndryshimin e qeverive. Duhet ndaluar prishja e objekteve sa herë ndryshohen qeveritë. Mjaft më me këtë mendësi.
Kur pashë veprën e Parrenos në hyrje të Kryeministrisë, mendova se ishte thjesht për festën e Krishtlindjeve. Arti duhet konsumuar shpejt. Qyteti ka më shumë nevojë për zgjidhje të problemeve.
Urbanizimi nuk duhet të bëhet pre e qasjeve egocentrike, për të lënë patjetër shenjë në histori.
Kur dëgjova planin francez për qendrën e Tiranës që propozonte 8 kulla të larta u rrëqetha dhe thashë me vete “Dashtë Zoti ky plan nuk zbatohet kurrë!”.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk duhet të ketë ndërtesa as 4-katëshe. Asnjë ndërtesë nuk duhet të kalojë lartësinë e rektoratit apo Universitetit të Arteve.
Ju duhet t’u thoni stop kullave. Mjaft më me kulla në këtë qytet.
Për të mbrojtur monumentet e tjera [kryesisht në bulevard] ju, qytetarët duhet të krijoni debate, forume, diskutime, të përdorni rrjetet sociale, mediat. Nuk duhet të humbisni forcën dhe kurajon!” bën thirrje arkitekti italian.

Stadiumi i ri kombëtar, si po përvetësohet prona publike

Kryeministri dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit deklaruan dje me shumë bujë (dhe vetëkënaqësi ekstreme) se përfunduan një marrëveshje për realizimin e stadiumit të ri “Arena Kombëtare”, i cili do të financohet e ndërtohet nga kompania fierake “Alb Star shpk”. Historia e stadiumit të ri është historia e një krimi kulturor, urbanistik, administrativ, tregtar dhe financiar i projektuar dhe zbatuar me vetëdije nga Kryeministri Rama dhe Presidenti i FSHF-së Duka, duke u fshehur pas mirëbesimit dhe entuziazmit patriotik të tifozëve të kombëtares, pra gati të gjithë shqiptarëve. Stadiumi aktual “Qemal Stafa” ka statusin e monumentit kulturor kombëtar të kategorisë së dytë, sikurse Muzeu Arkeologjik, Universiteti i Arteve, Korpusi i Universitetit Politeknik, Pallati i Kongresve, Presidenca, Kryeministria, etj. Ai është pjesë e zonës së mbrojtur historike që përfshin gjithë sheshin “Nënë Tereza”. Si i tillë ai nuk mund të prishet, por Kryeministri ka vendosur ta prishë pa keqardhje dhe me siguri, me procedura arbitrare dhe politike.
Ndërtimi i stadiumit të ri do të shkatërrojë përfundimisht kompleksin monumental të sheshit “Nënë Tereza”. Projekti i paraqitur duket se ka lidhje vetëm me shijet e Kryeministrit Rama dhe obsesionin e tij me betonin edhe pse ai po përpiqet ta shesë si të barabartë me Koloseumin e Romës, teksa rreket të shpjegojë në faqen e Kryeministrisë se ajo masë betoni ngjyra-ngjyra është “një monument i ri prestigjioz, që shpreh traditë dhe modernizëm njëkohësisht, duke pasqyruar modelin e teatrit antik romak në imazhin bashkëkohor të një kryeqyteti në ripërtëritje të vazhdueshme”. Nga ana tjetër, historia e stadiumit është historia e një privatizimi masiv, të bërë vjedhurazi ligjit, konkurrencës, kontrollit parlamentar e syrit të publikut, në favor të interesave të dyshimta private, e filluar nga qeveria Berisha dhe e përfunduar në mënyrë spektakolare nga qeveria Rama.
Stadiumi aktual “Qemal Stafa” dhe toka e tij i kaluan nga qeveria Berisha shoqërisë tregtare “Qendra Sportive Kuq e Zi sh.a” (QSKZ), kompani e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit (75 për qind) dhe qeverisë (25 për qind), me qëllim që kjo kompani të ndërtonte stadiumin e ri me financim të FSHF-së dhe qeverisë. Gjatë qeverisjes Berisha u diskutuan dhe tentuan pa sukses disa modele për të mundësuar investimin, përfshi edhe variantin korruptiv të përdorimit të tokës aktuale për ndërtime tregtare dhe ndërtimin e stadiumit të ri jashtë qytetit. Qeveria Rama si për çdo gjë tjetër, gjeti zgjidhjen “magjike” të partneritetit publik-privat. Një kompani private ka projektuar, do të financojë dhe do të ndërtojë stadiumin. Pas ndërtimit, fusha, stendat dhe disa mjedise zyrash do t’i kalojnë në pronësi FSHF-së. Të gjitha mjediset e tjera të stadiumit – përfshi të gjitha mjediset në trupin e ndërtesës, poshtë stendave – do t’i kalojnë kompanisë private. Kompanisë private do t’i jepet gjithashtu e drejta e ndërtimit dhe e pronësisë të një kulle 25-30 kate të lartë (nuk është bërë e qartë ende lartësia e saktë) në një pjese të terrenit publik të stadiumit aktual.
Kalimi i pjesës më të madhe të stadiumit në pronësi private, për qëllime tregtare është shkelje ligjore, pasi toka dhe stadiumi i kaluan në pronësi FSHF-së me kushtin e mostjetërsimit të saj për qëllime jo sportive. Edhe pse Kryeministri e paraqiti projektin si një arritje “e zgjuar” e qeverisë për të mbështetur sportin “pa paguar asnjë cent”, nëpërmjet një partneriteti me privatin, historia e vërtetë është ekzaktësisht e kundërta: një privat ka gjetur mënyrën për të privatizuar një tokë publike në një vend të papërsëritshëm, me kushte deri më sot të padëgjuara dhe pa asnjë konkurrencë. Është e qartë se tokën publike që do i kalojë privatit Kryeministri Rama e ka vlerësuar “zero cent” (është shumë domethënëse që Kryeministri njeh vetëm vlerën e parasë së thatë në dorë, por jo vlerën e pasurisë publike).

Rama kullë 25 katëshe tek këndi i lojërave “7-xhuxhat”

Këndi i lojërave “7-xhuxhat”, i cili ndodhet ngjitur me ETC-në në rrugën e “Elbasanit” do të prishet për t’i lënë vend ndërtimit të një kulle 25 katëshe. Portali exit.al shkruan se, leja për ndërtimin e kësaj kulle është dhënë nga Kryeministri Edi Rama edhe pse mbahet ende sekret, mënyra e zakonshme e qeverisjes së Kryeministrit.
Paradoksi i këtij zhvillimi është se propaganda zyrtare ka disa muaj që flet për përkushtimin e qeverisë dhe Bashkisë Tiranë për kënde lojërash për fëmijë, ndërkohë këndi më i madh i lojërave i qytetit tashmë është viktima e radhës e babëzisë së kryeministrit Rama dhe njerëzve të tij të afërt.
Kryeministri Rama e kishte inauguruar me shumë bujë në vitin 2001 rindërtimin e këndit të lojërave 7-xhuxhat, kur ishte kryebashkiak i Tiranës. Mania e kryeministrit Rama për të ndërtuar kulla duket se nuk ndalet. Kjo kullë është vetëm njëra nga të paktën shtatë të tilla që kanë parashikuar të ndërtojnë në Tiranë kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
Një kullë po ndërtohet përballë Fakultetit Ekonomik. Me firmën e Ramës, në 9 shtator të vitit të kaluar është miratuar një leje ndërtimi pallati 13 katësh. Leja është dhënë në zonën përballë Fakultetit Ekonomik, në rrugën e “Elbasanit”, pikërisht në hyrjen e Parkut të Liqenit. Në një sipërfaqe të konsiderueshme, aktualisht parkim makinash, do të ndërtohet “Godinë banimi dhe shërbimesh, 2, 7 dhe 13 kate mbi tokë dhe 2 kate parkim nën tokë”. Në fund firma. “Kryetari i KKT, Edi Rama”.
Por kjo nuk është godina e vetme. Bashkë me këtë vendim, KKT ka miratuar edhe pesë leje të tjera ndërtimi në Tiranë, të cilat variojnë nga 4 kate, deri në 10 kate lartësi. Të gjitha godina banimi dhe shërbimesh. Të gjitha lejet e reja kanë firmën e vetë kryeministrit Rama.
Betonizimi i Parkut të Liqenit ka nisur me parkun e lojërave për të vazhduar me ndërtimin e 4 kullave 25 katëshe. Në lojë janë interesa të biznesmenëve afër pushtetit. Oligarkët që do të ndërtojnë këto kulla do t’i ndajnë ato në pronësi edhe me Ramën, i cili është edhe ideatori dhe zbatuesi i këtij projekti.
Këndi i lojërave është vetëm fillimi. Në këtë mënyrë, duke betonizuar një pjesë të këtij parku gjoja për lojëra synohet që t’i hiqet statusi i “paprekshëm” këtij parku. Pas degradimit të këtij parku, në vend të tij do të ndërtohen kullat. Në planimetrinë e paraqitur ishte propozimi për hyrjen e Parkut të Liqenit, i cili ishte përgatitur të fitonte, por pasi pati protesta u detyruan përkohësisht t’ja japin një projekti tjetër dhe këtë e kaluan në vend të dytë. Megjithëse Veliaj si mashtrues ordiner që është, premtoi se nuk do të kishte beton në Park, por po të shkosh në Park sheh se muret e betonit janë lartësuar në mes të Parkut të Liqenit.
Një kullë tjetër do të ndërtohet në trupin e stadiumit të ri kombëtar, një tjetër është planifikuar të ndërtohet në aneksin e stadiumit “Qemal Stafa”, një kullë në territorin e Gardës dhe dy të tjera në territorin ngjitur me Parkun të Liqenit.

R.POLISI

Hetimet e Pokurorisë për gjyqtarin: Porosia u krye, ke një ”gjashtëshe”

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha, u arrestua mbrëmjen e të hënës për korrupsion. 57-vjeçari i kërkoi lekë një biznesmeni për ta favorizuar, në një gjyq civil për çështje pronësie. Bashkë me të, në operacionin e koduar me emrin “Berati 2”, u arrestua djali i tij, Ledion Hoxha, 25 vjeç, me detyrë Jurist në një kompani, Novruz Gajde, 48 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, ish-polic në Policinë e Beratit dhe Dritan Jazexhiu, 48 vjeç, biznesmen, banues në Tiranë.
Prokuroria bëri të ditur se nga hetimi i Krimeve të Rënda, i nisur 6 muaj më parë, në koordinim në terren me Policinë e Tiranës, u zbulua se biznesmeni Jazexhiu ka nisur kontaktet me gjyqtarin nëpërmjet Novruz Gajdës, i cili ishte i njohur i të dyve.
Mesditën e të hënës, Gajde komunikon me gjyqtarin, me të cilin flet për një “gjashtëshe”, duke e lidhur këtë me procesin civil në të cilin ishte palë shtetasi Jazexhiu, i cili do të shpallej mëngjesin e djeshëm në orën 9:30 në Gjykatën e Tiranës. Pas këtij komunikimi, ai takohet me biznesmenin Dritan Jazexhiu, në lokalin e këtij të fundit dhe shkëmbejnë një sasi parash.
Pasdite, pas një komunikimi me gjyqtarin, Gajde takon në një automjet djalin e gjyqtarit, Ledion Hoxhën. Pasi janë ndarë, Hoxha ndalohet nga policia që po e mbante nën vëzhgim dhe i gjen në makinë 600 mijë lekë të reja.
Më pas u arrestua gjyqtari Ibrahim Hoxha, i kapur në një lokal pranë Prokurorisë së Tiranës, Novruz Gajde që po largohej, pasi i dha paratë djalit të gjyqtarit dhe Dritan Jazexhiu. Të arrestuarit i kanë mohuar akuzat gjatë marrjes në pyetje, gjyqtari Hoxha ka thënë që shuma prej 600 mijë lekësh ishte për shitjen e automjetit të tij tek biznesmeni.
Vetë gjyqtari nuk ka shkuar për të marrë paratë, por në vendin e tij ka shkuar i biri, 25- vjeçari Ledion Hoxha. Sipas komunikimeve që dalin nga përgjimi, mësohet se palët kanë rënë dakord që 6 milionë lekë t’i merrte një natë para shpalljes së vendimit dhe 2 milionë të tjera, pasi të shpallej vendimi për një pronë trashëgimie, që përfshinte një dyqan dhe një banesë në Tiranë.
Por megjithë marrëveshjen, sipas burimeve të policisë, palët duket se kanë patur mosbesim tek njëra-tjetra.
Gjatë dorëzimit të parave, edhe djali i gjyqtarit, edhe sekseri ishin të shoqëruar nga 2 shokë. Gjyqtari u ndalua pranë zyrës së tij, ku do të shkruante vendimin që do të shpallte ditën e djeshme. Ai është sinjalizuar me telefon se, “porosia” u krye dhe gjithçka ishte në rregull, por në ato momente ai është ndaluar nga policia.
Gjyqtari Ibrahim Hoxha mësohet se kishte edhe një lidhje tjetër me biznesmenin Dritan Jazexhiun, personi që do të përfitonte nga vendimi gjyqësor, që do të shpallej dje në orën 09:30.
Sipas policisë, Jezenxhiu ishte arrestuar pak muaj më parë, për vjedhje të energjisë elektrike.
Prokuroria mësohet se ka kërkuar dënimin e tij me 2 vjet burg, por gjyqtari i këtij procesi ende në vijim, i ka lënë biznesmenit masën detyrim paraqitje. I arrestuari tjetër, që bënte rolin e sekserit, Novruz Gajde, ka një njohje të vjetër me gjyqtarin nga Berati, pasi ka punuar më herët, oficer në këtë rreth.
Biznesmeni 48-vjeçar Dritan Jazexhiu, personi që do t’i jepte gjykatësit Ibrahim Hoxha 6 milionë lekë për ta favorizuar në një proces gjyqësor për një çështje pronësie, është i njohur për policinë. Më 11 shtator të vitit 2014, ai mbeti i plagosur në një atentat në rrugën “5 Maji”, në Tiranë. Në drejtim të biznesmenit u qëllua me breshëri automatike nga një automjet në lëvizje. Ai gjendej pranë dyqanit të tij.
Policia gjeti 16 gëzhoja në vendin e ngjarjes. Sipas policisë, plagosja ndodhi për shkak të një konflikti për pronësinë me disa familjarë të tij. Ndaj tij tashmë rendon edhe akuza e korrupsionit aktiv.

Zbardhet përgjimi: Ti e di, ky (gjyqtari) i ka qejf xhixhat

Në hetimet e Prokurorisë ndaj gjyqtarit Ibrahim Hoxha, janë regjistruar disa biseda ambientale dhe telefonike, por edhe vëzhgime të tjera. Nëpërmjet tyre është konfirmuar edhe fakti se gjyqtari do të merrte shumën e 600 mijë lekëve të reja, përpara dhënies së vendimit. Ndërkaq pas dhënies së vendimit që pritej të jepej të marten e djeshme, Hoxha do të merrte edhe 200 mijë lekë të tjera.
Në një bisedë telefonike të regjistruar, Dritan Jazexhiu dhe Novrus Gajda flisnin për faktin se paratë duheshin përpara vendimit dhe një pjesë pas tij.
Novrus Gajda: Ky i do lekët përpara vendimit. Do një gjashtëshe. Pas vendimit do një dyshe. Ti e di ky i ka qejf xhixhat.
Në një bisedë tjetër:
Jazexhiu: A ia dhe paratë gjyqtarit?
Gajda: Ja do t’ia jap djalit.
Por kjo situatë është ndërprerë, pasi vetë Dritan Jazexhiu, ka mbërritur në vendin ku po jepeshin paratë, dhe ka qenë i pranishëm. Burimet e policisë thonë se vetë Jazexhiu, nuk ka pasur besim tek Gajda që do t’i jepeshin djalit të gjyqtarit paratë. Nga ana tjetër, vetë djali i gjyqtarit po ashtu nuk ka pasur besim se sekseri Gajda do t’ia jepte paratë aq sa ishin kërkuar. Në këtë kohë kanë ndërhyrë edhe efektivët e policisë, duke bërë arrestimin e të tre personave të dyshuar dhe më pas edhe të gjyqtarit Hoxha.

Pollo denoncoi gjykatësin Hoxha që në vitin 2010

Deputeti i PD, Genc Pollo ka denoncuar gjykatësin Ibrahim Hoxha që në vitin 2010. Në atë periudhë pati edhe një debat publik mes tij dhe Presidentit Topi për të njëjtën arsye, kur Presidenti Bamir Topi i kërkoi të dorëhiqej si ministër ose ta padiste në Prokurori.
“Nga përvoja ime direkte si kryetar i Komisionit Qeveritar për Tokat (KQT mbikëqyr procesin e verifikimit të titujve të pronësisë në tokën bujqësore), po sjell një rast tejet modest, por gjithsesi domethënës, për çështjen në fjalë. Nga kontrolli periodik rezultoi se në një rreth të vendit, gjyqtari I. H. (Ibrahim Hoxha) në dy raste identike të konfliktit midis palëve pronar shtet e pronar privat, herë vendosi në favor të njërit e herë në favor të tjetrit.
Në vijim, në maj 2010 i drejtova një letër Presidentit të Republikës (dhe për dijeni edhe ministrit të Drejtësisë) me shqetësimin për këtë abuzim të dukshëm dhe me kërkesën që KLD-ja t’i hetonte këto raste. Në mbledhjen vijuese të KQT-së, disa muaj më vonë, ndërsa flisja për problemet me Gjyqësorin dhe në veçanti për këtë rast, ministri i Drejtësisë më thotë: “Qenke lodhur kot, se këtë gjykatës e kanë promovuar, e kanë emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë”, duke treguar me kokë nga fotografia e varur në murin ballor të sallës së mbledhjes”, shkruante Pollo në një koment publikuar te “Panorama” në vitin 2012.

KLD pezullon nga detyra gjyqtarin Ibrahim Hoxha

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pezulluar nga detyra, gjyqtarin Ibrahim Hoxha si dhe ka autorizuar caktimin e masës së sigurisë për të. Vendimi u mor sot në mbledhjen e KLD, duke miratuar edhe kërkesën e  Prokurorit të Përgjithshëm.
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në respekt të plotë të Kushtetutës së Republikës dhe të Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, zhvilloi sot, datë 03.05.2016, një mbledhje të jashtëzakonshme, ku vendosi të miratojë kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm Nr.1458/2 Prot., datë 03.05.2016 për dhënie autorizimi për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë I.H. si dhe pezullimin nga detyra, derisa çështja penale ndaj tij të përfundojë me vendim gjyqësor i formës së prerë”, thuhet në njoftimin e KLD.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i kërkoi dje Këshillit të Lartë të Drejtësisë të shkarkojë gjyqtarin Ibrahim Hoxha i arrestuar mbrëmjen e 2 majit 2016 së bashku me djalin e tij për akuzën e korrupsionit. Duke përshëndetur arrestimin e mbrëmshëm, Manjani paralajmëroi arrestime të tjera në fjalën e mbajtur dje në analizën vjetore të Gjykatës Administrative të Apelit.

E kujt ishte makina e blinduar me të cilën qarkullonte viktima Elton Çiço?

Elton Çiço, viktima i atentatit në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet qarkullonte me makinë të blinduar. Ky fakt u pohua nga zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Ermal Muça në emisionin “Opinion”. Muça tha më tej se, makina e blinduar është sekuestruar nga policia dhe pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se ajo nuk ishte në pronësi të viktimës, por në pronësi të një personi tjetër. Muça nuk e dha emrin e tij, megjithatë theksoi se makina e blinduar ishte konform një leje të rregullt.
Për të qarkulluar me një makinë të blinduar duhet leje e posaçme dhe arsyetim që po të rrezikohet jeta. Hollësitë se e kujt ishte makina e blinduar dhe prej sa kohësh Elton Çiço qarkullonte me të janë pjesë e dosjes hetimore.
Dy ditë pas vrasjes së Elton Çiços, Policia e Tiranës dha detaje mbi arrestimin e një personi që ishte nën shoqërinë e viktimës, kur ai u qëllua me tre plumba pistolete në bar “De Niro”, pranë stadiumit “Dinamo”. Është ndaluar shtetasi Redjan Rraja, 31 vjeç, me profesion mjek, banues në Krujë. Ai është vënë nën akuzë për veprën penale, “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Burime të lapsi.al thonë se ai ka fshehur disa sende personale të viktimës.
Grupi hetimor dyshon se, mes këtyre sendeve ka qenë edhe një pistoletë e viktimës. Ky fakt është konstatuar nga kamerat e sigurisë së lokalit që kanë filmuar vrasjen dhe veprimet e mëpasshme të Rrajës dhe të dy personave të tjerë që ishin në tavolinë me viktimën, policit A.T dhe gazetarit S.K. Policia sqaroi për herë të parë pas dy ditësh se Elton Çiça është qëlluar me tre plumba.
Ndërkohë, bëhet e ditur se, Elton Çiço, viktima e së dielës në zonën e ish-bllokut në Tiranë, jepte para me fajde. Kjo dyshohet se ka qenë arsyeja kryesore që familja e tij ishte “viktimë” e vjedhjes së dhunshme, ndodhur në mars 2015 në Tepelenë. Kjo është ngjarja, e cila duket se është origjina e një serie vrasjesh dhe atentatesh me eksploziv, të ndodhura në harkun kohor të një viti. Disa persona, një pjesë ende e paidentifikuar, hynë në shtëpinë e Naim dhe Andoneta Çiço, në Tepelenë, pasi kishin të dhëna që në dhomat e tyre mund të gjenin shumë para. Hajdutët nuk kanë mundur të gjejnë para, por gjithsesi kanë dhunuar dy të moshuarit, të cilët nuk kanë mundur t’i njohin autorët.
Djali i vogël i familjes, Eltoni, i cili mbeti i vdekur të dielën me dy plumba në kokë, ishte një person i njohur për dhënie parash me fajde. Burimi i këtyre parave nuk është arritur të zbulohej, por dyshimet kryesore për krijimin e pasurisë mendohet se është vëllai i tij, i cili jeton prej vitesh në Angli. Gjithashtu, Eltoni ka qenë i skeduar nga ana e policisë, si një person që mund të merrej me trafikun e lëndëve narkotike. Megjithatë, këto dyshime nuk u arritën të provoheshin asnjëherë nga ana e Policisë.

Denoncimi i të moshuarës: Si ma grabiti pronën Shullazi me Danin

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar në faqen e tij në Facebook një tjetër denoncim kundër Emiljano Shullazit. Bëhet fjalë për një mesazh që Berishës ia ka dërguar një grua e moshuar nga Tirana. Ajo tregon për përvetësimin e pronës përmes kërcënimeve nga Shullazi dhe Gilmando Dani. Më poshtë postimi i plotë i Berishës:
“Dëshmi tjetër rrënqethëse për Milin e Partisë. Qytetari dixhital konfirmon: – Vërtetësinë e denoncimit që i bëri dje një zonjë Milit të partisë për grabitjen e pronës. Denoncon:- Saje qorrin dhe shullazët me uniformë që denoncimin që ai i bëri Milit të Partisë e hodhën në kosh të plehrave. – Kompaninë, që sipas tij, lanë paratë e Milit të Partisë etj., etj. Për më gjatë lexojeni të plotë mesazhin!
“I nderuar Berisha. Jam një pronar i një trualli prapa bar kafe Grandit tek ish-kafe Flora. Aty është dhënë një leje ndërtimi për 2 kulla që në vitin 2003, por ende nuk është ndërtuar, sepse ndërtuesi (firma Albtoronto Konstruksion shpk me pronar Dhimitër Llakmanin, i cili ka në pronësi edhe Hotelin Doro City tek Zogu Zi) ka konflikte dhe mosmarrëveshje me disa prej banorëve gjithashtu edhe mua. Shumë prej banorëve i kemi hapur padi për prishje të kontratës që kemi bërë në vitin 2003, sepse po na mashtron dhe na mban peng. Me ndërhyrje gjatë periudhës kur z. Basha ishte Kryetar Bashkie tentoi ta rinovonte lejen (sepse i ka skaduar afati), por z. Basha nuk e qasi fare dhe i tha të zgjidhte konfliktin me banorët. Tani që ka ardhur Erjoni i Sorosit ka paditur Bashkinë në Gjykatën Administrative dhe ka futur në lojë edhe Emiliano Shullazin për presione. Gjyqi për zgjatjen e afateve të lejes së ndërtimit i ra gjykatesed S Gj, e cila nën presion të bandës së Shullazit ka marrë një vendim skandaloz dhe të kundërligjshëm dhe ka vendosur qëe Bashkia tia zgjasi lejen e ndërtimit firmës ndonëse edhe pronarët edhe Bashkia ishte kundër zgjatjes së lejes.
Në seancat e zhvilluara, pasi Bashkia e kundërshtoi zgjatjen e afateve si shkelje flagrante të ligjit, juristja e Bashkisë pas gjyqit përpara godinës së Gjykatës Administrative është kërcënuar dhe goditur dhe që atë ditë nuk ka marrë më pjesë në gjyq. Pas disa seancash edhe unë u kërcënova dhe shkova në polici për të bërë kallëzim, por nuk e di se çfarë është bërë me atë kallëzim. Në seancë bashkë me përfaqësuesit e firmës futeshin edhe 8-9 djem të rinj që i bënin presion gjykatesës. Në sallë kishte kamera kështu që është lehtësisht e verifikueshme. Një familje e shiti pronën e saj nga frika, por nuk e di në se i kanë marrë paratë apo jo. Eshtë nënshkruar një kontratë për pronën e familjes Xhumari me vlerë 1 milion euro dhe personi që e ka blerë quhet Gilmano Dani. Nga i gjeti 1 milion euro ky person që blen pronë në mes të Tiranës? Nuk e di se te cili noter është kryer kontrata që tja u vendosja në dispozicion.
Personi që është vënë si biznesmeni negociator që do e zgjidhi konfliktet quhet Asllan Sula nga Fushë Kruja administrator i firmës San Tara, i cili menaxhon dhe pastron paratë e Shullazit. Ju lutem se jam grua e moshuar dhe kam edhe familje të mos ma publikoni emrin që ju kam dhënë, sepse nuk dua të rrezikoj jetën e familjarëve të mi. E kam 100% të sigurtë që Gilmano Dani ka blerë pronën e familjes Xhumari për 1 milion euro, sepse vetë dy trashëgimtarët janë tërhequr plotësisht nga gjyqet që kishin hapur dhe më thanë shite dhe ti se sja dalim dot me këta. Me respekt”.

Rrathët e krimit

Frrok ÇUPI

Me rrathët e krimit, herën e fundit, ka ndodhur jo si me rrathët e ujit. Hera e fundit, do të thotë këto vitet post-diktaturë. Herën para kësaj, dmth., në vitet e qeverisjes komuniste, në më të shumtën, rrathët e krimit kishin bërë të njëjtën kahje si rrathët e ujit: Ishin nisur nga qendra dhe përfunduar në periferi. Qendra u bë si pika e gurit, aty nisin të gjithë rrathët e krimit. Regjimi komunist, një regjim centrist me simbolin e grushtit, gjeneroi gjithë krimin, duke u nisur nga qendra, dmth., nga vetja. Këtu, dmth., në zyrat qëndrore të Partisë, në “Gestapon” e Sigurimit dhe në bllokun e Polit-byrosë, u projektua dhe gjeneroi krimi kundër njeriut kudo në Shqipëri. U vranë, u burgosën, u internuan dhe u persekutuan me mijëra. Të gjithë u ekzekutuan me një urdhër që nisej nga qendra.
Kësaj here duket sikur fenomeni ka marrë kahjen ndryshe: Krimi vjen nga periferia dhe po i merr frymën qendrës. Krimi më i fundit ndodhi në zonën e ish-Bllokut. Pak ditë më parë, në hotelin kryesor të kryeqytetit dikujt iu grabitën me forcë miliona lekë. Në mes të bllokut ka ndërruar jetë, i vrarë barbarisht, bankieri më i famshëm i vendit. Në qendër të kryeqytetit u kërcënuan rektorët e Universitetit. Në qendër të qytetit po kryhen krimet më makabre. Kronikanët e ngjarjeve kriminale, sado pa eksperiencë, kanë mësuar të paktën se “ish-Blloku” është zona ku më së shumti kryhen krimet dhe lahen hesapet.
Vite të shkuara ishte ndryshe… Kronikat njoftonin për zënie pusie rrotull gëmushave të Myzeqesë, për kacafytje dhe grabitje emigrantësh në kufirin jugor, për vrasje për gjakmarrje të vjetra në zonat e Veriut, për çmenduri me copën e tokës ose vadën e ujit nëpër skerkat e vendit…. Tani krimi kryhet në qendër, në kryeqytet.
…. Sipas ligjësive normale qytetëse, krimi duhej të ishte larguar nga qyteti, duhej të kishte ikur duke “iu zënë fryma” nga aroma qytetëse.
Çfarë ka ndodhur kështu, krimi po rrethon qendrën?, apo qendra po thith krimin? Kjo është çështja.
Më duket se në vend që krimi, si atavizëm i jetës më primitive, të mos guxonte të afrohej me qytetin dhe qytetërimin, po ndodh e kundërta.
Rrathët e krimit që kanë marrë kahjen nga periferia drejt zemrës së qytetërimit. Po na jipen sinjale të kobshme; sinjale që njerëzimit, qysh nga epkat antike e deri në epokën e re, i kanë lënë  gjurmë.
1.
Ka ndodhur me Ferrin e Dantes, por në vitin 1300. Dante, së bashku me Virgjilin (poeti romak), i bënë më këmbë të nëntë rrathët e Ferrit. Edhe Ferri i Dantes niste nga periferia e shkonte në qendër të tokës. Të dy, poeti Virgjil dhe poeti Dante, e bënë rrugën e Ferrit nga periferia për në qendrën e tokës. Çfarë e përafron Danten me ngjarjen e tanishme të rrathëve, është inversi i fajit të ndëshkuar. Në Ferrin e Dantes u ndëshkuan tre krime: Mospërmbajtja, Dhuna dhe Mashtrimi.
Qendra e Qytetit tonë (njësoj si qendra e botës te Dante) nuk i ndëshkon tre krimet e komedisë hyjnore. Këtu ndodh e kundërta, këtu nuk ka ferr për krimin dhe fajin. Këtu krimi ka rrethuar qytetin; qyteti ka strehuar tri krimet e mëdha të ndëshuara nga Ferri. Këtu është instaluar Mospërmbajtja para pasurimit të një pakice me pushtet. Këtu është instaluar Dhuna që tashmë është bërë prezente mbi njeriun e vobektë, mbi të drejtën e individit, mbi familjen dhe parkun e tij. Këtu është instaluar Mashtrimi, duke u nisur nga kupola e Qytetit që është qeveria. Tanimë kemi ballëpërballë një qytet me qytetarë të mashtruar dhe me qeveri që mashtron.
Këto e kanë kthyer kahjen e krimit nga periferia drejt Qytetit.
2.
Krimi po bjerr vlerat e Qytetit. Njësoj si në epokën e Brehtit.
Krimi e ka kuptuar se vlerat e Qytetit janë në ditën më të keqe dhe prandaj është sulur. Vlerat e Qytetit klasikisht janë libri, teatri, muzika, arti, kultura dhe njerëzit që krijojnë e përfaqësojnë vlerë. Këto po shtypen e po dhunohen në mënyrën më të egër, në radhë të parë nga politika. Krimi vjen pas saj.
Tashmë jemi në fundin e epokës së vlerës në Qytetin tonë. Vendi ku takohemi në mëngjes e në mbrëmje nuk është më as Teatri, as Kinemaja, as Opera, as Libraria, as Mjedisi me “mjekëroshë” të artit, as Universiteti. Jo. Takimi tanimë bëhet aty ku ndahen paratë e drogës, të trafikut njerëzor dhe të vrasjeve. Skuadrat e vrasjes me pagesë janë kthyer në qendra biznesi. Veç atje ka vende pune pa hesap, Panairi i Punës hapet kot së koti. Aq më i kotë bëhet Panairi i Artit. Le që askush nuk mban mend Panair Arti…
Takimi në qendër të Qytetit tani është aty ku janë zhdukur vlerat e kulturës dhe të shpirtit të njeriut. Kriminelët takohen për të sulmuar Universitetin dhe Akademinë. Risia më e madhe: Qeveria i ka kthyer në qendra takimi pikat ku është vrarë, ku është varur dhe përgjuar njeriu. Bunkerët, “Shtëpia me gjethe”, sarkofagu i diktatorit-ja këto janë pikat e takimit në qytet.
Në Parlament takohen njerëzit e krimit. Në gjykata, në prokurori, sidomos në Polici. Këtu takohen ata të krimit si në shtëpinë e tyre.
… Qyteti një komoditet jo për qytetërimin, por për krimin. Vlera ka ikur. E dini si ndodhi me Brehtin. Bertold Breht, një poet i njohur i epokës së Nazizmit, shkroi dramën “Artuto Ui”, (farsa politike e shekullit 20), ku vihej në lojë Hitleri. Pas kësaj, Breht u zhduk nga Gjermania drejt periferive të largëta të saj, në Suedi, në Danimarkë, në Finlandë….
Në qendër do të rrinte o krimi hitlerian, o poeti…
3.
Krimin po e ushqejmë vetë, ne të mjerët e krimit po ushqejmë krimin. Ju duket çudi?..
Ja fakti më i fundit dhe njëkohësisht i vogël në hierarkinë e krimit. Vrasja e fundit që ndodhi në qendër të Qytetit, sipas dëshmive u krye nga një vrasës i ftohtë dhe njohës i armës. Ekspertët thonë se vrasësi ishte i stërvitur në Polici. Edhe logjika e thjeshtë e thotë. Po ky vrasës i ftohtë është ushqyer prej nesh, për t’u kthyer në Qytet si vrasës për ne…
Fakti tjetër, shumë më i rëndë. Dje ministri i Drejtësisë iu drejtua qytetarëve dhe iu tha që të dendoncojnë krimin ” jo dokudo”, por në Prokurori. Ministri i Drejtësisë la të nën kuptohej se “po denoncove në polici” u ktheve në viktimë të krimit…. Kemi kaq kohë që policia denoncohet si vendi i krimit. (Policia ka edhe fjalë të afërt me qytet, “polis”, sipas greqishtes së lashtë. Kjo të jetë arsyeja e fundit pse “polisi” përqendron krim?)
Në njëmijë mënyra vërtetohet se vetë ne, ditur a pa ditur, po ushqejmë krimin dhe po e joshim nga periferia për në qendër.
Çfarë po na ndodh kështu? Krimi po rrethon Qytetin!? Ky do të ishte fundi.

Bukuria e tmerrshme e tiransit Mentor

Edison YPI

Bukuria e tmerrshme e kirurgjisë pa narkozë të trurit dhe të trupit, nuk është e re, ka histori.
Të bukur për asnjë dhe të tmerrshme për të gjithë, e nisën në fillim të shekullit të kaluar fuqitë e mëdha kur pas rënies së perandorisë osmane, duke pikturuar shtete përmbi harta, coptuan Shqipërinë dhe ndanë shqiptarët.
Dhimbjet e llahtarshme të asaj bukurie të tmerrshme që vazhdojnë ende sot, u ndjenë që në fillim, por më së shumti pasi Shqipëria nisi të formohej, të mpiksej, pra pasi Tirana u bë kryeqytet.
Tirana dhe tiransit nuk ishin të vetmit që përcaktuan zhvillimet e mëpasme. Por meqenëse u përket merita e të qenit kontenitori brenda të cilit u bënë të mundshme fermentimet, dy fjalë për ta nuk janë të tepërta.
Rrëzë një mali, pranë një lumi, nën një diell të ngrohtë, mbi një truall të butë e të begatë, gdhihu e ngrysu, puno, lodhu e shplodhu, ha e pi frutat e Zotit, Tirana jo fort e urtë ka qenë me shekuj një komunitet i vogël i vetmjaftueshëm, i kavërdis me ynyrën e vet.
Pak vite pas shpalljes së Pavarësisë, bërthamë e butë e mesit të tmerrshëm, Tirana kryeqytet qe një zgjedhje sa e mrekullueshme për Shqipërinë, aq dramatike për Tiranën dhe tiransit, të cilëve iu prish ekuilibri shekullor. Që peshën e kësaj bukurie të tmerrshme do ta mbanin kryesisht tiransit, u duk që në fillim kur edhe lindori Haxhi Qamili edhe perëndimori që lindorin e vari në litar, Esat Pashë Toptani, ishin të ty tiransa. Lindorë e perëndimorë u vranë e u prenë, por kthesa ishte bërë.
Prishja e ekuilibrit tiranas ishte një kaos nga ata që lindin yje.
Ai kaos e ai shpërthim vazhdojnë. Fytyrat e tiransve ende sot sikur thonë; Pse na e prishët qetsinë ? Pse s’na latë të jetonim si ishim mësuar me shekuj, duke ngrënë hurma, fiq, bistaqe me rrush?!
Historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve, brenda saj dhe historia e Tiranës dhe tiransve, nuk është histori luftrash, pushtimesh, nënshtrimesh. Shumë më e egër dhe lavdishme se e tillë, është histori mbijetese e Shqipërisë së vogël dhe e shqiptarëve të pakët në numër rrethuar nga të pangjajshëm të egër ardhur nga larg. Dembel, hileqar, i ngathët për punë, por njerëzor, i ngrohtë, i gjinshëm në halle e fatkeqësi, tiransi është një qenie shumë më komplekse se kjo klishe’.
Nervozë nga brenda, të javashëm nga jashtë, njëri i urtë, tjetri i sertë, njëri i ëmbël tjetri i hidhët, secili ndryshe nga të tjerët, të gjithë tironcit janë të prekur nga bukuria e tmerrshme e operacionit në tru pa narkozë. Krutanët, ishmakët, shijaksit, janë edhe ata bukur të tmerrshëm, por jo aq bukur dhe aq tmerrshëm sa tiransit që janë më të bukurit e më të tmerrshmëve. Mes dy luftërave kirurgjia në fjalë u bë për disa e bukur dhe për disa e tmerrshme.
Të ardhurit në Tiranë u rehatuan vetë, shqetësuan vendalinjtë. Të ardhurit e shndrruan Tiranën në arenë lufte mes tyre, por kurrë nuk arritën të implikojnë në këtë luftë tiransit.
Diktatura i shihte tiransit me dyshim, me mosbesim. Diktatura ishte dhe mbeti një kostum i ngushtë për tiransit. Edhe kur rrallë herë kanë qenë pjesë të mekanizmit të dhunës, tiransit kanë përfunduar rregullisht në viktima. Për këto e të tjera, aq kryelartë janë tiransit sa sot e kësaj dite në çdo qoshe të Tiranës mund të dëgjosh syresh që thonë; Trualli i Tiranës është i imi. Ti korçari, ti gjirokastriti që keni parkuar makinën këtu, më keni zënë vendin.
Nga bukuria e tmerrshme e kirurgjisë së coptimit dhe largimit, ka rrjedhur shumë, jo ujë, por gjak.
Pas një shekulli, Shqipëria zë rregullisht vetëm vendet e fundit të klasifikimeve botërore.
Fisnik, aristokrat, disident, i persekutuar, shkencëtar, mjek, kujdestar i kurrizeve, qetsues i nervave, ndreqës i rruazave, ruajtës i drejtpeshimit, paksues i dhimbjeve, vrasësi i bacileve burokratike, pesticidi i insekteve të zyrave, varrosësi i mediokriteteve, zjarrvënësi i parazitizmit, armiku numër 1 i analfabetizmit funksionues dhe i akademizmit shterp, njeriu i duhur në kohën e duhur për të bërë punën e duhur në mënyrën e duhur, superstari i sotëm shqiptar që zë një nga 100 vendet e para në shkallë planetare, është një tirans.
Që bukuria e tmerrshme e kirurgjisë së ndarjes pa narkozë më së fundi të jetë e bukur për të gjithë dhe e tmerrshme për askend, duke sjellë në Shqipëri perëndimorë përfaqësues simbolikë jo për të pikturuar shtete përmbi harta, por për të bërë këtë herë operacion në tru pa narkozë, dhe jo në trupin dhe trurin e një kombi, por në trurin e një njeriu, më mahnitëse se llaftaria tmerrisht e bukur e Poetit Lasgush, operacionin e bukur aspak të tmerrshëm e menazhoi tiransi Mentor.

Liberalizimi i vizave për Kosovën, lehtësi edhe për bizneset

Liberalizimi i vizave për Kosovën, përveç realizimit të mundësisë për lëvizje të lirë të qytetarëve, do të ketë rëndësi të madhe edhe për komunitetin e biznesit, thonë përfaqësues të këtij komuniteti. Ata theksojnë se procesi i liberalizmit të vizave do të rrisë më tepër edhe rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim (MSA) me Bashkimin Evropian, marrëveshje kjo që ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti. Komisioni Evropian, pritet që të mërkurën të jap rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se ky proces do të ndikojë që prodhuesit nga Kosova të zgjerojnë veprimtarinë e tyre afariste në tregun evropian dhe njëherësh mundësia është më e madhe për promovimin e produkteve “Made in Kosova“ në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. “Pas vendimit përfundimtar për liberalizim, bizneseve do t’u mundësohet të lëvizin lirshëm, të takohen me kompani jashtë Kosovës, të takohen me kompani tregtare të Bashkimit Evropian. Nëse flasim për një prodhues vendor një lëvizje e tillë, do t’i mundësonte atij që lehtë të zgjeronte rrjetin e bashkëpunimit të tij afarist dhe të plasonte më lehtë produktet e tij në vendet e BE-së”. “Pjesëmarrja në simpoziume dhe panaire të tjera brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, do t’i mundësonte bizneseve kosovare që të zgjerojnë veprimtarinë edhe në aspektin e inovacionit dhe zhvillimeve teknologjike në mënyrë që të reflektonte në punën e bizneseve tona”, ka thënë Zeka. Ndikimi i liberalizimit të vizave do të lehtësonte qarkullimin njëherësh edhe rritjen e tregut evropian, thonë edhe përfaqësues të kompanive private. Fabrika për Prodhimin e Këpucëve, “Solid” nga Suhareka, me gjithë barrierat, produktet e saj i eksporton në disa vende të Bashkimit Evropian. Shpëtim Kuqi, administrator në këtë kompani, tregon për Radion Evropa e Lirë se ka pasur raste kur i është refuzuar viza, pavarësisht faktit se arsyeja e udhëtimit ka qenë për punë biznesi. Ndërkaq, në rastet kur është pajisur me vizë, pritja ka qenë deri në 60 ditë. Me viza thotë ai, janë pajisur vetëm udhëheqësit e kompanisë, por jo edhe punëtorët tjerë, për të cilët shkuarja për trajnime në vendet e BE-së, në raste ka qenë e nevojshme. “Përveç procedurave të gjata kohore për aplikacionet për viza, ka pasur edhe kosto financiare. Kurse zakonisht për punëtorë kemi pasur probleme për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian. Kurse kjo është lehtësi, sepse ne mund t’i dërgojmë lirshëm në trajnime edhe punëtorët”, thekson Kuqi për Radion Evropa e Lirë. Në anën tjetër, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka thënë se produktet e prodhuara në Kosovë janë cilësore për eksport, por që u mbetet autoriteteve kompetente që të përkrahin më tepër sektorin privat në mënyrë që të rrisin kapacitet e tyre prodhuese. “Kapaciteti është çështje problematike që duhet të punohet më tepër. Institucionet e vendit duhet të vazhdojnë të mbështesin prodhuesit në Kosovë, në mënyrë që ata të mund të zgjerojnë kapacitetet e tyre, meqenëse kjo është një çështje tjetër që unë do të ndaja nga çështja e cilësisë”, ka thënë Zeka. Liberalizimi i vizave për Kosovën dhe zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, bizneseve të vendit i hap dyer për pjesëmarrje në tregun prej 500 milionë banorësh, njëherësh do t’i rrisë marrëdhëniet tregtare në mes të Kosovës dhe vendeve të BE-së.

Kompozitori Dizdari: Jam kërcënuar nga segmentë të mafias së pronave, i njoh

Pas lajmit të publikuar në media mbi kërcënimin e tij, kompozitori i mirënjohur Limos Dizdari ka konfirmuar ngjarjen për mediat.
Në një konferencë për shtyp në ambientet e Qëndrës Kulturore të Artit “Dea” në Ksamil, Dizdari  tha se është kërcënuar nga individë që ai i quan “segmente të mafias së pronave”.
Me tej Dizdari tha se i njeh personat që e kanë kërcënuar, por se lidhur me këtë çështje do të flasë në një moment të dytë.
Ai konfirmoi gjithashtu se i kishte dërguar mesazh kryeministrit Rama për kërcënimin dhe se ky i fundit kishte shfaqur gjithë ndjeshmërinë brenda pak minutash.
Dizdari: Dikush tjetër është i interesuar dhe në një rast tjetër ndoshta dhe shumë shpejt që edhe unë t’i bëj prezent edhe emrat, por jam i shtrënguar që t’i mbaj dhëmbët mbyllur dhe gjuha mos më rrëshqasi pa fre për të thënë gjërat kur duhet dhe në vendin e duhur.
Dizdari në fjalën e tij bëri një historik të gjithë kalvarit të gjyqeve që ka kalur që nga viti 1990 e deri më sot. Sipas Dizdarit, “janë gjykatat ato që manipulojnë çështjet e pronësisë”.
Dizdari: Ka dy mënyra që të hash mjaltin e një blete. Është të hash si ariu dhe të të sulmojnë bletët dhe shumë bletë vdesin atje për atë, ka edhe një mënyrë tjetër që i vënë tymuese dhe dikush e ka gjetur këtë tymosjen ja ka dhënë asaj gjyqtares, atij gjyqtarit që nxirrë atë, t’i fusim aty që të iki ky.
Në vijim të fjalës së tij, Dizdari tha se, “jam ndjerë mirë, pasi kam marrë mbështetje nga artistët dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve”.
Në fund të konferencës, Dizdari dha një mesazh duke thënë se, “kjo që po ndodh është një fikje e dritave, unë kam ardhur këtu që të ndez drita”.
Gjithashtu nuk la pa përmendur edhe mosreagimin e forcave të rendit ku deklaroi se “jam i pakënaqur nga mos reagimi i forcave të rendit në Sarandë”.