28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Lame braktisi mbledhjen. Rama: Projekti i stadiumit mund ta çojë prapë në spital

Drejtori i Aluiznit, Artan Lame, duke folur gjate nje konference shtypi, ku ka deklaruar se qeveria ka gjetur zgjidhje per ngercin e legalizimeve.

Arroganca e Kryeministrit dhe ministrit Tahiri nuk kursen as miqtë e bashkëpunëtorët: “Është njëri në sallë që mund të përfundojë prapë në spital me këtë lajm”. Artan Lame braktisi Ramën në takimin, ku u ndalua të hynte Fatos Lubonja, Gjergj Bojaxhiu, Andi Bushati, Ylli Rakipi dhe disa aktivistë të shoqërisë civile. Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame është solidarizuar me aktivistët duke braktisur mbledhjen e Kryeministrit, i cili me ironi është shprehur: “E di që është njëri në sallë që mund të përfundojë prapë në spital me këtë lajm, por ne kemi vendosur ta miratojmë projektin dhe të shkojmë përpara”. Menjëherë pas Ramës ka reaguar ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri duke “qetësuar” Kryeministrin: “Ka ikur Lame nuk është në sallë…”. Pak ditë më parë, drejtori i ALUIZNI-t, pati një ndërhyrje në zemër, e cila i rrezikoi seriozisht jetën. Megjithatë Rama e Tahiri, nuk hezitojnë të tallen edhe me jetën e mikut e bashkëpunëtorit të tyre kur është nevoja të bëjnë ironi therrëse kundër atyre që i kundërshtojnë. Sipas mediave të pranishme në sallë, Artan Lame është larguar nga salla, pak çaste pas përplasjes së Gardës me gazetarët që kërkonin të ishin pjesë e dëgjesës. Bashkë me ta ishin edhe disa pjesëtarë të Shoqërisë Civile. Artan Lame është larguar duke thënë se “nuk ndjehem mirë”, por ka ikur pa dëgjuar fjalimin e Ramës apo të tjerëve që folën në këtë dëgjesë për projektin e shumëpërfolur të stadiumit të ri.

Berisha-Ramës: ‘98-ta do duket lule nëse ndërsen bandat a armatosura

Opozita nuk mund të asgjësohet

Ish-kryeministri Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën, se nëse do të vazhdojë të mbajë afër bandat dhe Shullazët, “98-a do t’i duket lule”. Ai i është referuar në këtë mënyrë revoltës së opozitës në 14 shtator 1998, kur u sulmua Kryeministria. Deklaratat e forta Berisha i bëri gjatë një interviste për Abc News, me gazetaren Mimoza Koçiu. Disa herë ai u kujdes të thotë, që këtë paralajmërim, Edi Rama duhet ta marrë edhe si një mesazh personal. “Ndaj dhe i them Edi Ramës se armët nuk duhet t’i ketë kurrë frikë një qeveri e një vendi të lire, por ta ketë të qartë se do ti duket lule 98-ta ccfarë do mund ti ndodhë nëse ndërsen bandat a armatosura të tij. Pse e them këtë…Sulmet ndaj institucioneve janë gjithmonë të papranueshme. Prandaj po dal atyy. E them këtë se në 98-tën bëra gjithcka për ta kontrolluar, por nuk e kontrollova dot, por të jesh e sigurtë që nga 98-ta e mbrapa, kush më nuk mund t’i kontrollojë. Po them nëse përsëritet, nëse përdor bandat e veta kundër opozitës e kam fjalën. SE duhet ta ndajmë, qytetarët nuk i konsideroj opozitë, qytetarët kanë një interes, nuk kanë interesin e opozitës por kanë interesin e sigurisë së tyre ndërsa opozita ka interesat e veta”, tha Berisha. Ndërkohë Berisha mbështeti idenë për armatosje të qytetarëve sipas modelit amerikan, duke thënë se kryeministri Rama s’ka përse të ketë frikë nga armët e popullit.
– Z. Berisha, që pas thirrjes që keni bërë në një transmetim të drejtpërdrejtë TV për armatosje. Po ju citoj: “Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që për sigurinë e tyre të armatosen, të sigurojnë armë, për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre, sepse nuk kanë asnjë siguri… Të armatosen, sepse armatosen amerikanët, armatosen të gjithë qytetarët që duan të mbrojnë veten e tyre dhe me urgjencë të sjellim ligjin. T’u japim të drejtë qytetarëve të mbajnë armë”. Kjo thirrje që u interpretua si në kufijtë e shkeljes kushtetuese, ju e kishit paramenduar apo ishte spontane meqë po flisnit për Shullazin dhe efektet e denoncimit tuaj publik në media?
Gjëja e fundit që unë bëj kur flas është të flas spontanisht. Para se të shkoj në Parlament, unë parapërgatitem, kurse si ide, kjo është e para disa muajve, që e përpunoj me veten time sepse unë gjykoj se sot asnjeri, përveç atyre që kanë roje, shumë roje, nuk ndihet më i sigurtë në një kohë kur bandat dhe qeveria janë bërë një. Vijmë tek thirrja ime. Thirrja ime vjen në një vend që u njeh të drejtën e armëve, të drejtën për të bërë kërkesë për armatosje qytetarëve edhe mbi bazën e kërcënimit personal… Pse kjo oshëtimë? U ndeshën me këtë rast dhe unë ç’është e vërteta nuk parashikoja të kishte këtë efekt të mrekullueshëm që pati kjo deklaratë e imja. Them të mrekullueshëm sepse nxori, u hoqi maskën kundërshtarëve… Regjimet diktatoriale i mbledhin ato “manu militarum”. I mbledhin ato kundrejt dhunës, terrorit, torturave dhe të gjitha mjeteve të tjera. Pra, Edi Rama me këtë rast nxori fytyrën e tij të vërtetë prej neobllokmeni, tregoi tmerrin që ka ai nga armët në duart e qytetarëve. Kjo thirrje, ky qëndrim ndan sistemet, sistemin demokratik me sistemin diktatorial, përndryshe është i njohur amendamenti i dytë i Kushtetutës amerikane që sanksionon të drejtën kushtetuese të qytetarëve amerikanë për të patur dhe mbajtur armë….
– Besoj e keni parasysh se Shqipëria nuk është një demokraci e konsoliduar si ajo e SHBA-ve apo jo dhe atje ky debat për armët bëhet ndryshe…
Sot është më e konsoliduar si demokraci Shqipëria se ç’ishin në vitin 1792 SHBA-të, kur etërit themelues të Kushtetutës dhe të pavarësisë e vendosën të dytin këtë amendament… Ka një ligj. E kanë amenduar dhe e kanë përmirësuar në një shkallë. Për mua e kanë përmirësuar, pse? Sepse kanë futur blerjen e armës, domethënë qytetarët ta blejnë. Por çfarë ndodh me ta? Armë këta u japin vetëm banditëve. Armë këta u japin vetëm akrabasë së tyre, armë u japin vetëm kundrejt 1000 eurove, kundrejt 1 mijë eurove. Atëherë, po sot cila është situata Mimoza? Situata është më dramatike se kurrë. Unë ju garantoj se siç u vodh tjetri para Hotel “Sheratonit”, hotelit kryesor të vendit, siç u nda tjetri mu në zemër të Tiranës etj., etj., me radhë, kjo situatë mungese totale rendi, ekziston në çdo skaj të Shqipërisë. Fshatra të tëra devastohen nga hajdutë që u vjedhin lopë, kuaj, dele, gjënë e gjallë. Imagjino ti një fshatar që varet aq shumë, ushqimi i familjes së tij nga një apo dy lopë…
– Nuk është më e thjeshtë që këta individë si Shullazi thjesht të arrestohen e të mos propozohet armatosja e shoqërisë z. Berisha, sepse si ish-President, ish-Kryeministër ju jeni Kryeministri që mbaheni mend se e keni futur Shqipërinë në NATO, keni liberalizuar vizat, e afruat vendin me BE dhe po propozoni një gjendje natyrore hobsiane, e keni parasysh? Qeveria është Leviathani dhe njerëzit duhet të kthehen kundër njëri-tjetrit?
Absolutisht jo hobsiane. Kur unë drejtoja Partinë Demokratike, platforma ime ka qenë zero tolerancë ndaj krimit dhe unë jua faktova shqiptarëve. Nga viti 2005 në shtator gjer në janar-shkurt të 2007, njëra pas tjetrës u eliminuan 204 grupe kriminale, u arrestuan të gjithë bosët e tyre. Banda e Dritan Dajtit, ky ishte leitnant, Lul Berisha, Aldo Bare, Nehat Kulla e dhjetëra e dhjetëra të tjerë bosë kudo që ishin. Dondollaku në Itali etj., kudo që ishin. Në Shqipëri, Itali, Turqi, Suedi, Gjermani në çdo vend që ishin. U arrestuan mbi një mijë bosë të këtyre bandave.
– Pikërisht, këtë gjë e bëri shteti…
Po, po, sigurisht shteti po Edi Rama po bën të kundërtën. Edi Rama ka adhurim për bandat, sepse me bandat ai do të realizojë gjithçka që ai nuk do realizojë dot me ligje. Ai nuk mund të kërcënojë, t’i thotë se do të marr kokën kryetarit të opozitës, se e di që kjo ka një çmim të madh. Por për këtë i çon vrasësin e partisë Shullazin dhe i thotë nxirre kokën në dritare po deshe, po më përmende më emrin. Ai nuk mund të përjashtojë, nuk mund të grabisë tokën e stadiumit dhe të ndërtojë kullën e Olsit, sepse askush në këtë garë nuk do të pranojë, prandaj gjen një njeri ku me Shullazin i përjashton gjithë të tjerët nga gara dhe shkon e merr bukur-bukur dhuratë tokën publike dhjetëra mijëra metra katrorë, e cila iu dorëzua nga qeveria ime Federatës Shqiptare të Futbollit, si një ent shtetëror iu dorëzua dhe kurrë për t’iu bërë dhuratë një privati, për t’iu bërë dhuratë Olsi Ramës apo dikujt tjetër.
– Qëndrojmë edhe pak tek armët, sepse ende nuk m’u përgjigjët. Në qoftë se ju thoni se njerëzit duhet të armatosen për këtë situatë që ju paraqisni, do të thotë që opozita nuk ka alternativë tjetër, por ka nevojë që qytetarët të marrin armët dhe të vetëmbrohen? Sepse ju jeni zgjedhur për të dhënë zgjidhje…
Opozita nuk ka këtë alternativë. E thashë edhe një herë, kjo është alternativa ime. Sepse ka një dallim thelbësor mes meje dhe Lul Bashës. Lul Basha është përfaqësuesi i opozitës kandidat për Kryeministër, kurse Sali Berisha e ka mbyllur kapitullin… PD-ja nuk mund ta ketë këtë alternativë sepse PD-ja kur drejtohej nga unë kishte zero tolerancë ndaj krimit. Unë besoj se edhe z. Basha do i përmbahet këtij parimi që presin qytetarët… Dhe pse s’merr një gjë Mimoza, çfarë impakti pozitiv pati në shtypin ndërkombëtar kjo thirrje? Impakt të shkëlqyer…
– Ju e lexoni si pozitiv faktin se thuhet që në Shqipëri bëhet thirrje që qytetarët të marrin armët?
Thirrje për qytetarët, sepse qeveria nuk po i mbron qytetarët…
– Jemi vend i NATO-s z. Berisha…
Vend i NATO-s? Vendi i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që ka qenë edhe Kryeministër, ka përqindjen më të lartë të armëve në Europë pas Zvicrës, Norvegjia, vend themelues i NATO-s…
– Por nuk kanë një histori të ‘97-ës siç e kemi ne…
Jo. ‘97-a nuk është një histori që, çfarëdo që t’i japësh, është një histori malavite dhe bandash…
– Dakord, por ajo tregon se çfarë ndodh kur qytetarët marrin armët…
Absolutisht jo! Ka dy gjëra. Armët me të cilat u vranë shqiptarët u sollën nga deti. Shqiptarët nuk duhet të gabojnë. Armët, të cilat mbrojtën shqiptarët ishin armë të depove. Armët e depove ishin armë që mbrojtën shqiptarët në Shqipëri, mbrojtën shqiptarët në Kosovë…
– Por u desh një forcë ndërkombëtare paqeruajtëse që të stabilizohej situata apo jo?
Ajo ishte qëllim tjetër. Ajo kishte qëllim tërësisht të politikës së jashtme, kërcënime të jashtme. Ishte një gjë tjetër, se duhet t’i analizojmë gjërat. Pra, armë, të cilat u morën nga depot. Depot u hapën. E kuptoni vetë domethënë…
– Gjithçka u fshi me marrëveshjen e 9 marsit, që bëtë ju si President…
U hapën jo pa qëllim depot. Shqiptarët nuk mund t’i merrnin bandat. Shteti kishte një alternativë: o t’u binte me armë këtyre dhe mund të krijonte një konflikt civil, ose të armatoste qytetarët dhe nuk kishte më konflikt civil dhe një pjesë e madhe e këtyre armëve do t’u shkonin shqiptarëve në Kosovë për t’u mbrojtur nga serbët.
– Po thoni që shteti zgjodhi alternativën e dytë?
Absolutisht po! Pa asnjë diskutim, pa asnjë diskutim!
– Kjo është deklaratë e fortë z. Berisha…
Jo, e kam thënë unë këtë. Kjo në mënyrë të padiskutueshme. Po qe se ti nuk siguron dot qytetarët, ti do t’u japësh mundësi atyre të sigurojnë veten e tyre, se përndryshe… Dhe kjo, kjo e qetësoi situatën. Kjo ndihmoi shumë shqiptarët si në Shqipëri edhe në Kosovë për t’u mbrojtur tek pragu i derës. Nuk luftuan shqiptarët kundër njëri-tjetrit. U mbrojtën tek pragu i derës.
– …Kur thuhet nga armët ka frikë shteti, duket se bëhet thirrje për reagim të armatosur, diçka që ju vetë e keni provuar…
Atëherë në qoftë se unë iu referova ligjit, në qoftë se unë iu referova Kushtetutës amerikane, besoj se këtu pastaj mund të ndërtojë kush ç’të dojë. Po në atë paragraf që ke ti, them të ndryshojmë ligjin në mënyrë që ta nxjerrim nga korrupsioni etj., etj…
– Pra ta rishikoni ligjin…
Po rishikim i ligjit dhe unë i referohem Kushtetutës amerikane. Unë nuk them opozita e armatosur. Unë them qytetarë shqiptarë armatosuni dhe këtë e them me bindjen më të thellë, në këto kushte kur nuk më thotë dot një njeri i vetëm se është i sigurtë. Çfarë po ndodh me Shullazin, me gjyqin e Shullazit? Edi Rama njëri pas tjetrit po terrorizon me pushtetin të gjithë dëshmitarët. Po i detyron ata të tërhiqen. Cili shqiptar ndihet i sigurtë sot, përveç qeveritarëve që rrinë në makina të blinduara dhe veshin antiplumb? Kjo është situata. Situata është katastrofale përsa i përket rendit.
– Po a do ta përktheni në aksion, sepse do ju duhet edhe mbështetje…
Unë nuk e marr me nxitim. Unë e marr gradualisht. Unë kam kohë që bëj thirrje për revolucion demokratik. Dhe unë do të vazhdoj të bëj thirrje… Ka frikë Edi Rama sepse e di që për shumicën e shqiptarëve sot, më e urryer se çdo diktaturë tjetër është ajo e krimit. Ka frikë Edi Rama se ai përdor këtu Shullazin, aty Hakmarrjen për Drejtësi, aty bandën tjetër për të zgjidhur të gjitha problemet e klanit të tij, të vetes së tij.
– Juve ju duhet njohur krediti në fakt që keni folur vazhdimisht për Shullazin, jo vetëm para dy javësh, kur denoncuat se ishte kërcënuar kandidati për rektor dhe rektori i UT, por e keni bërë këtë gjë prej tre vjetësh  në Parlament. Keni denoncuar çka ju i quani lidhje të Shullazit me Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm.
Dhe do të vazhdoj të denoncoj. Kam denoncuar edhe Hakmarrjen për Drejtësi…
– Por duhet parë edhe ana tjetër sepse z. Rama ju kujtoi në Parlament se në kohën kur ai ishte në opozitë Shullazi i prishte takimet e Partisë Socialiste. Për llogari të kujt i prishte takimet dhe nëse ishte një keqbërës i rëndomtë, përse i shpëtonte rregullisht burgut?
U arrestua 7 herë. Gjatë periudhës që unë kam qenë Kryeministër Emiljano Shullazi është arrestuar 7 herë. Bosi i tij Dritan Dajti është këputur në mes, në mes… Çfarë është incidenti që përmendi Edi Rama? Vasilika Hysi dhe Besnik Bare ndërtuan zyrën elektorale karshi shtëpisë së tij. Por bosi i krimit nuk mund të duronte altoparlantin e zyrës elektorale të PS.
– Pra, ju thoni që nuk ishte reagim politik…
Jo, ai ishte shef aty. Ai ishte kryetar i PS dhe shkoi ua hoqi, ua mori. Nuk u ka prishur miting ai. U hoqi altoparlantin që i çonte zhurmën tek shtëpia. Çfarë ndodhi me të? U arrestua brenda 12 orëve. Çfarë ndodhi më tej me të? U dënua nga gjykata me 20 ditë për këtë vepër. Çfarë bëri Edi Rama? Edi Rama i dha qindarkë për qindarkë të gjitha ditët e burgut, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin… Emiljano Shullazi është i vetmi shqiptar, që me vendim të Edi Ramës, të qeverisë së Edi Ramës mori dëmshpërblimin, vetëm me vendim të Shkallës së Parë, sepse me të dytën Shullazi s’fitonte kurrë pafajësinë. Edi Rama prishi të gjitha provat e përleshjes së Qafë Kasharit, pasi tha Drejtoria e Tiranës se ai u plagos në shpinë, se u gjet me 7200 euro, se u gjet me kaq fishekë etj., etj. Pas dy orësh Saje Qorri, Didi me urdhër të Ramës, ndryshuan çdo gjë, se Shullazi nuk është i plagosur, se ngjarja e Qafë Kasharit nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen në Rrugën e Kavajës etj., etj. Çfarë bën Edi Rama? Ka një drejtor policie që s’ka lëvizur që nga dita e parë që është emëruar e deri sot? Pleurat kanabisi, Pleurat droga që e kemi të filmuar në arat e kanabisit si triumfator në arat personale të tij. Çfarë bën ai? Gjithë ato vrasje në Durrës. Ai garanton vrasjet e Shullazit. Çfarë bën ky Pleurati? Ky nis kamionat me drogë e kapen në Itali. Shumica nga Shullazi. As ferrë në këmbë nuk i hyn sepse bosi i vërtetë i tij është Shullazi. E arrestuan një herë këtë Gilmandon, e arrestuan një ditë. Një polic qe guximtar e kapi në mes të autostradës. E merr nga ministria, nga policia Ardian Çipa. I thotë oficerit “liroje menjëherë”. Jo, i thotë nuk e liroj, më fal. Mua duhet të më thotë Drejtori i Policisë së Durrësit. Pas dy minutash e merr Pleurat kanabisi e i thotë “mos guxo ta sjellësh në komistariat”. U detyrua oficeri e liroi në autostradë. Çfarë ndodhi me vrasjet që bëri? A nuk e morën tjetrin nga qendra e Durrësit dhe e çuan në Fushë-Krujë dhe e ekzekutuan duke mos i nxjerrë Pleurati as edhe një patrullë gjëkundi? Që nga Durrësi deri në Fushë-Krujë mund të nxirrje tre pa asnjë vështirësi.
– Ideja është që njerëzit të vihen para përgjegjësisë për këto veprime…
Qeveria siç ka shndërruar në korporatë krimi veten dhe policinë, ka hedhur tentakulat e veta edhe në Prokurori, në gjykata dhe kudo. Kjo është e vërtetë. Çfarë mund të thoni ju për gjykatësit që lirojnë Armando Prengën? Dhe që e sjellin në Parlament. Këto mund të çojnë në luftëra civile sot.
– Ju vlerësuat së fundmi rolin e Prokurorisë për arrestimin e Shullazit, në një linjë me z. Basha… Gjithmonë shumë të kujdesshëm në artikulimet për Prokurorinë, edhe pse në këto tre vjet ne nuk kemi parë ndonjë aksion për t’u shënuar. Ju keni bërë shumë denoncime z. Berisha. Prokuroria është organi që ngre akuzën, por nuk kemi parë raste për t’u shënuar.
Nuk mund të akuzoj unë Prokurorinë që u përball dhëmbë për dhëmbë me bandat më të rrezikshme të Shqipërisë dhe të Europës. Ata aty janë dhe i kanë bërë shërbime të mëdha vendit të tyre. Por nuk mund të pajtohem kurrë me prokurorin që shet dosjen. Ai prokuror që shet dosjen është më kriminel se çdo kriminel se nuk shitet kurrë sekreti i shtetit. Ai bën një tradhti të lartë ndaj shtetit, ndaj ligjit, ndaj parimeve, ndaj gjithçkaje.
– Atëherë dalim tek çështja që duhet Reforma në Drejtësi apo jo?
Pa diskutim që duhet!
– Çfarë po e vonon reformën, se zëra të ndryshëm, në korridore të medias, politikës, ndërkombëtarë, thonë se nuk është thjesht PD, por është Sali Berisha që nuk e do Reformën në Drejtësi.
Unë ç’është e vërteta nuk besoj ta thotë dikush nga komuniteti ndërkombëtar, por në qoftë se e thotë ndokush prej tyre janë thjesht mercenarë të një regjimi kriminal. Sali Berisha është më i interesuar se kushdo tjetër dhe unë publikisht dhe privatisht në çdo diskutim timin i kam kërkuar Partisë Demokratike të jetë aktive në Reformën e Drejtësisë dhe fakti është, a ka ndikuar apo jo ky qëndrim i imi, s’mund ta them.
– Megjithatë ka disa javë që varianti final ka ardhur nga Venecia…
Venecia e rrëzoi draftin e dytë në 11 shtylla. E këputi në mes. Venecia asgjësoi Byronë e Hetimit në variantin e Edi Ramës, ku Edi Rama bëhej kryehetuesi i Shqipërisë. Venecia denoncoi shkeljen e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të Kushtetutës shqiptare nga drafti. Venecia denoncoi përpjekjen e qeverisë për të kapur drejtësinë. Të gjitha këto. Dhe siç e di ti në mars erdhi opinioni i dytë i Venecias, pra u shtynë edhe 3 muaj. Nga 5 u bë 8 muaj vonesa nga Edi Rama dhe përpjekja e tij monstruoze për të kapur drejtësinë.
– Sot ai ju thotë po ju pres në tavolinë…
Prit një minutë, prit një minutë. Çfarë bëri ndërkohë? Edi Rama përgatiti, kaloi në qeveri draftin famoz të BKH-së, ku vinte Saje Qorrin në krye të saj. Pse e bëri këtë? Ai e dinte që ajo s’pranohej kurrë. Po e bëri vetëm për të bllokuar. Pse e bëri për të bllokuar? Sepse tani hyn faktori Ponta dhe Surreli. Një vizitë të shpejtë në Rumani bashkë me tellallin e tij Balla, drejt e tek Viktor Ponta. Viktori u tha, “në qoftë se e bën, shihe këtë, do ta kesh më të ngushtë qelinë, se ç’e kam unë sot”…
Po çfarë u tha tjetër? Unë tha në ligj e kisha që e emëroja vetë. E emërova, por ma morën e m’i bënë “brain washing” (shpëlarje truri). A e kishte fjalën për ndonjë vend europian apo për Amerikën, këtë nuk e di. M’i bënë brain washing dhe të parit që iu kthyen, m’u kthyen mua. A do të t’i jap unë emra deputetësh e të them për bisedën që ka bërë Edi Rama në sallën e Parlamentit për reformën? Edi Rama, haptas kundër reformës.
– Atëherë pse nuk e nxisni ju si opozitë?
Opozita nuk mund të asgjësohet. Sepse nëse opozita bënte të paqenë rastin e Prengës dhe në rastin e dy shkeljeve të rënda të Kushtetutës, opozita asgjëson veten e vet, vërtet merr pjesë në një proces, por bëhet absolutisht inekzistente. Çfarë bëri tani? Unë bëra një deklaratë dhe po të them një gjë, që kjo është e mjaftueshme për të bojkotuar Parlamentin dhe unë nuk e këshilloj këtë dhe nuk do bojkotohet.
– Cili është roli i opozitës në këtë periudhë, sepse kam parasysh që juve jeni njeri i aksionit, ju propozoni deri armatosjen e qytetarëve, ndërsa opozitën e shoh me denoncime nga foltorja e PD, denoncime të tipit që sot i bëjnë edhe mediat dhe njerëzit në rrjetet sociale. Keni një strategji që konvergon në drejtime të ndryshme?
Edhe një herë: armatosja e qytetarëve ka një konotacion për sigurinë e qytetarëve. Pse e merr Edi Rama se është armë kundër tij, Zoti e shpëtoftë atë, ajo është punë tjetër.
– Pse nuk ka aksion në PD ose më mirë pse ka më shumë denoncime se sa le të themi frymëzim. Opozita duhet të frymëzojë sot dhe ju e dini këtë gjë nga eksperienca juaj 8-vjeçare në opozitë…
Unë mendoj se opozita nuk ka vetëm denoncime. Opozita paraqet në mënyrë të përditshme alternativat.
– Nuk ka aksion të përditshëm…
Ka dhe aksion dhe mund të ketë edhe më shumë aksion, jam dakord, por alternativë opozita po paraqet, të them të vërtetën më shumë se çdo opozitë në historinë e vendit. Paraqet vazhdimisht alternativa për ekonominë e për të gjitha problemet, por problemi është se sot ekziston një terror. Ju e dëgjuat në një nga emisionet e “Opinion” kur moderatori i emisionit, Blendi Fevziu tha se 36 gazetarë dhe zyrtarë refuzuan të vijnë në këtë studio të flasin për Shullazin. Kjo është gjendja më katastrofale…
– Dhe këtu po e mbyll me pyetjen e fundit, ju përmendët që jeni ish, por ju keni një ndikim të jashtëzakonshëm në publik. I hodha një sy përpara kësaj interviste Facebook-ut tuaj, keni mesatarisht 3 statuse në ditë, të cilat marrin nga 2-3 deri në 5-6 mijë pëlqime çfarë është një rekord, pra keni shumë ndikim. Më kujtohet, ju kam bërë një pyetje në një studio televizive dhe ju kam thënë, a do të jepni dorëheqjen nëse do të humbni zgjedhjet dhe përgjigjja juaj ishte “burri njihet nga pasionet dhe pasioni juaj ishte politika”, çka u vërtetua në fakt pasi ju e dhatë dorëheqjen, por vërtet qëndruat në politikë. Tani, cili është pasioni i Sali Berishës i radhës, sfida e radhës, sepse nuk ju shoh si njeri që mund të jeni pasiv, ju duhet të keni një sfidë, një pikësynim dhe a keni një afat për këtë?
Unë ju siguroj se unë kam vetëm një qëllim, imediat, afatmesëm dhe afatgjatë; mbrojtja e interesit publik, ashtu siç e quaj unë. Unë nuk pretendoj kurrë që të jem barometri i tij, as dhe të kem monopolin e të vërtetës, por në mënyrën siç e konceptoj unë. Ka një shprehje Eduard Burke “asgjë s’i duhet të keqes më shumë të triumfojë sesa heshtja e njerëzve të ndershëm, heshtja e atyre që nuk duhet të heshtin”, dhe unë nuk do të hesht kurrë para asaj që e konsideroj të keqe për publikun.
– Edhe me rrezikun që do të përjashtoheni sepse u bë hera e dytë… Megjithëse grupi duket sikur nuk rri dot pa ju në Parlament…
Përkundrazi jam nderuar shumë nga ky vendim. Unë them një gjë, në qoftë se marrëdhëniet e mia nga Parlamenti deri diku m’i kushtëzon edhe grupi, sepse unë nuk dua të ndikoj në vendime që nuk besoj se i interesojnë PD-së dhe grupit ndaj Parlamentit. U tmerrua nga kërkesa ime që qytetarët të kenë armë sipas ligjit, tregoi se ka mendësinë e Spiro Kolekës dhe të atit të tij biologjik, mendësinë e atyre që kanë frikë dhe tmerr nga armët në duart e qytetarëve. Edi Rama për hir të së vërtetës, më 14 shtator të vitit ‘98, pasi kriminelë me uniforma, majorë, kolonelë etj., ekzekutuan para selisë së PD Azem Hajdarin dhe të nesërmen, me gjithë përpjekjet e mëdha të mia që ai të mos shndërrohej në një konflikt më të gjerë, ajo ndodhi. Dhe Edi Rama e di mirë kur ka ardhur në televizionin shtetëror u zhduk, hyri në bunker, ka qenë i verdhë e i zbehtë sikur kish dalë nga arkivoli. Ndaj dhe i them Edi Ramës se armët nuk duhet t’i ketë kurrë frikë një qeveri e një vendi të lirë, por ta ketë të qartë se do t’i duket lule ‘98-ta çfarë do mund t’i ndodhë nëse ndërsen bandat e armatosura të tij. Pse e them këtë?
– Sulmet ndaj institucioneve janë gjithmonë të papranueshme…
Prandaj po dal aty. E them këtë se më ‘98-tën bëra gjithçka për ta kontrolluar, por nuk e kontrollova dot, por të jesh e sigurtë që nga ‘98-ta e mbrapa, kush më nuk mund t’i kontrollojë. Po them nëse përsëritet, nëse përdor bandat e veta kundër opozitës e kam fjalën. Se duhet ta ndajmë, qytetarët nuk i konsideroj opozitë, qytetarët kanë një interes, nuk kanë interesin e opozitës, por kanë interesin e sigurisë së tyre, ndërsa opozita ka interesat e veta… Po qe se vepron me praktika të tilla, në mënyrë absolute vrimë miu të gjejë dhe ta marrë personale këtë, ja kam bërë një herë. E mori personale dhe e dëgjoi mirë.
– Zoti Berisha, unë vërtet shpresoj që opozita të gjejë një alternativë tjetër më të mirë sesa armët…
Më vjen keq dhe unë ju garantoj dhe një herë se kjo nuk është e opozitës, armët nuk janë alternativë e opozitës.
Alternativa ime është kjo, opozita ka alternativën e vet. Opozita nuk e arreston dot Shullazin, nuk arreston dot bandat. Opozita duhet të përgatisë alternativën e vet kur të vijë në pushtet. Për kohën kur opozita nuk është në pushtet, rendin dhe sigurinë e ka qeveria, por rendin dhe sigurinë e ka marrë Shullazi dhe Edvin Shullazi.
– Nuk tërhiqeni nga qëndrimi?
Absolutisht kurrë. Në asnjë mënyrë, pse do të tërhiqem?

Marrë nga ABC News

Basha: Rama, bunkeri i fundit që shqiptarëve u ka dalë për detyrë ta shembin

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka dënuar dje me ashpërsi sulmin e dhunshëm të urdhëruar nga Rama kundër gazetarëve e analistëve të njohur që kërkonin të merrnin pjesë në dëgjesën publike të qeverisë për projektin e stadiumit të ri. Përmes një reagimi të menjëhershëm, Basha ka cilësuar Ramën si bunkerin e fundit që shqiptarët kanë për detyrë të rrëzojnë. “Ky është bunkeri ku qeveriset vendi, ku vendoset për pasuritë publike, ku shkelet ligji, ku ndahen copat e mëdha të tortës mes miqve. Bunkeri ku, hapësira për qytetarët në stadium zvogëlohet dhe rritet e zmadhohet pjesa e biznesit, e kullës, e dyqaneve për klientin e Ramës. Nga ky bunker rritet zullumi i qeveritarëve, fryhen llogaritë bankare, vidhen miliardat, ndërsa qytetarët varfërohen me përdhunë çdo ditë. Ky është bunkeri i fundit që shqiptarëve u ka dalë për detyrë ta shembin, 26 vite pasi rrëzuan bunkerin e madh të regjimit komunist”, është shprehur kreu i PD. Basha e ka cilësuar dhunën ndaj gazetarëve si sjellje tipike e një qeverie-bandë me një bandit-Kryeministër. “Akt i rëndë, i paprecedentë dhe i papranueshëm, ndalimi me forcë i gazetarëve të njohur dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për të marrë pjesë në një aktivitet, që sipas emërtesës duhej të ishte dëgjesë publike për projektin e stadiumit. Rojet e Edi Ramës, janë urdhëruar të mos lejojnë futjen në këtë ‘dëgjesë’, të Fatos Lubonjës, Andi Bushatit, Ylli Rakipit dhe aktivistëve të shoqërisë civile, të cilët kanë kundërshtuar projektin për stadiumin. Sjellje tipike e një qeverie-bandë me një bandit-Kryeministër. Një qeverie, që merr vendime për interesat e saj, të cilës i bie maska e dëgjesës publike në rastin më të parë. Nuk ishte pra, një aktivitet i hapur siç e propaganduan, por një teatër-bunker me regji ku flet Rama, jep mendime Rama, vendos Rama, firmos Rama dhe të tjerët që janë administratë, oligarkë, e klientë dëgjojnë e duartrokasin”, shprehet Basha.

Skema e Tahirit për lirimin më 17 maj të Frrokut në Holandë

Në rast se ish-Kryeministri Berisha nuk do të denonconte arrestimin në Holandë të Arben Frrokut dhe makinacionin e Ministrisë së Brendshme, atëherë vrasësi i komisar Lamajt do të lirohej më 17 maj. Autoritetet holandeze kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare dosjen e të dhënave të Arben Frrokut të arrestuar që më 6 mars. Nga ajo datë dhe deri ditën e denoncimit që bëri ish-Kryeministri Berisha, policia shqiptare kishte heshtur. Arsyeja e kësaj zvarritjeje nga ana e Tahirit ishte e thjeshtë. Ai kërkonte që të lirohej vrasësi Frroku dhe për këtë i duhej që ta vononte përgjigjen për autoritetet holandeze deri më 17 maj, kohë kur përfundonte edhe koha e paraburgimit në Holandë të Frrokut.
Gjithçka ka shkuar sipas planit të Tahirit, deri në momentin kur ish-Kryeministri Berisha e ka denoncuar këtë skandal kriminal të Ramës dhe Tahirit.

Pse u vonua arrestimi

Arrestimi i Arben Frrokut nga autoritetet holandeze është vonuar për shkak të një problemi me shenjat e gishtërinjve të hedhura në faqen e Interpolit nga policia shqiptare. Autoritetet në Amsterdam kanë gjetur përputhshmëri në foton, gjeneralitetet e gjithçka tjetër, por jo tek shenjat e gishtërinjve. Policia tha dje, se ditët e fundit ka patur disa komunikime me autoritetet holandeze, por vetëm dje u konfirmua arrestimi.
Problemet me shenjat e gishtërinjve të të shumëkërkuarit, Arben Frroku të hedhura në faqen e Interpolit nga Ministria jonë e Brendshme ka qenë shkaku i vonesës së arrestimit të tij nga policia holandeze.
Mësohet se policia holandeze nuk ka mundur të verifikojë menjëherë shkencërisht se personi i arrestuar ishte Arben Frroku, pasi nuk hapej sistemi ku ruheshin të dhënat e këtij personi të shpallur në kërkim, mes te cilave gjurmët e gishtave për të bërë krahasimin.
Burimet bëjnë me dije se të dhënat për Frrokun jepnin problem dhe nuk hapeshin dhe kjo ka bërë që policia holandeze t’i kërkonte të dhëna të reja policisë shqiptare, por edhe asaj greke, për shkak se personi që kishin ndaluar mbante pasaportë greke, por i lindur në Korçë.

Reagimi i Prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën për ekstradimin e Arben Frrokut, i arrestuar në Holandë.
Zyra e shtypit pranë kryeprokurorit Adriatik Llalla konfirmoi faktin se prokurorët e Krimeve të Rënda e kanë dorëzuar tashmë dosjen e plotë të Arben Frrokut në ministri, së bashku me shkresën përcjellëse ku kërkohet ekstradimi i tij në Shqipëri. Sipas këtyre burimeve, në dosjen e kërkesës për ekstradim, Prokuroria ka renditur krahas gjurmëve të gishtave, fotove të reja edhe vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, të cilët e dënuan me burgim të përjetshëm. Një kopje e këtyre materialeve, thonë burimet i është dërguar edhe zyrës qendrore të Interpolit.
Nga ana tjetër, burimet pranë Ministrisë së Drejtësisë i thanë “ABC News” se kjo dosje, pasi është administruar nga zyra e marrëdhënieve me jashtë dhe ekstradimeve, brenda javës që vjen do të përkthehet i gjithi dhe më pas do t’i niset autoriteteve të drejtësisë holandeze, duke kërkuar ekstradimin e Frrokut. Këto burime sqaruan se shteti shqiptar nuk ka marrëveshje reciproke me shtetin holandez për ekastradimin. Për këtë fakt, kërkesa për ekstradim bazohet në Konventën Ndërkombëtare të Ekstradimeve që si shteti shqiptar ashtu edhe holandez e ka të ratifikuar.
Burimet thonë se brenda një afati të përcaktuar nga legjislacioni holandez, shtetasi Arben Frroku do të dalë para një gjykate në Amsterdam ku do t’i komunikohet kërkesa e palës shqiptare për ekstradimin e tij. Pritet që të zhvillohet një proces gjyqësor, ku Prokuroria holandeze që përfaqëson shtetin shqiptar të kërkojë ekstradimin e tij dhe i arrestuari Arben Frroku të shprehë qëndrimin e tij, pro ose kundër ekstradimit.
Arben Frroku është arrestuar pak ditë më parë në Holandë me pasaportë të falsifikuar greke me emrin Renato Tsepa. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për ngjarjen e shkurtit të 2012, ku u ekzekutua me kallashnikov komisar Dritan Lamaj. Për të provuar vrasjen e kryer nga Frroku, Prokuroria kishte siguruar një dëshmitar të mbrojtur fjalët e të cilit nuk u morën parasysh nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, që e shpalli të pafajshëm Frrokun. Pas këtij vendimi, ai arriti të largohet nga Shqipëria pa u regjistruar në sistemin TIMS. Vetëm pak ditë pas largimit të tij, Gjykata e Apelit për krime të rënda prishi vendimin e Shkallës së Parë dhe e deklaroi fajtor Frrokun për vrasjen e komisarit, duke dënuar me burg të përjetshëm.

Lubonja: Dhunës do t’i përgjigjemi me dhunë

Analisti i njohur, Fatos Lubonja ka reaguar ashpër dje ndaj dhunës së ushtruar me urdhër të Ramës nga gardistët ndaj tij dhe analistëve të tjerë të njohur, të cilin tentuan të merrnin pjesë në dëgjesën publike të qeverisë në lidhje me projektin e ri për stadiumin.
Në një pronocim për mediat, Lubonja ka deklaruar se dhunës së urdhëruar nga Rama do t’i përgjigjen me dhunë. “Këtu bashkohet arroganca, dhunë e pastër kjo e sotmja. Shoqëria Civile është prononcuar për këtë projekt, shumë individë janë prononcuar dhe pse na u shfaq në këtë mënyrë, si rezultat i këtij presioni na thanë hajdeni dëgjoni dhe nuk na lanë. Ne do të përdorim çdo mjet të mundshëm, siç tha arkitekti italian, do të lidhem me litar që të mos shembet kjo vepër. Po këto akte duhet që të ndalohen, këto akte të turpshme. Por nëse do të përdoret dhuna, fatkeqësisht dhunës i përgjigjet me dhunë. Bashkohet injoranca, arroganca, mungesa e çdo lloj diplomacie për një politikan, është dhunë e pastër, mos të dalin e të thonë aty pse thotë Berisha rrëmbeni armët, kështu vjen puna kur ti nuk ke asnjë lloj diplomacie për popullin, pse organizon takim me publikun në një objekt privat”, u shpreh Lubonja”.
Ndërkohë që gjoja dje hap qendër dialog, por dialog është kur merr një vendim dhe merr mendimin e të tjerëve, dëgjon ekspertët dhe këtu ke gjithë shoqërinë civile që duan të mësojnë. Tani del bodigardi të ndalon, kjo është skandaloze, nuk qëndron”, tha Lubonja. Ai denoncoi mënyrën e paskrupullt që zgjodhi Rama për të prezantuar projektin klientelist dhe skandaloz të stadiumit. “Me sjelljen e tij Kryeministri tregoi se partneriteti publik privat është për të penguar transparencën ndaj shoqërisë civile dhe të ashtuquajturat prezantime janë vetëm propaganda mediatike për të mos lejuar një debat të shëndetshëm dhe të plotë mbi efektet negative që shkakton ky projekt për qytetarët e Tiranës. Me pretekstin për të ndërtuar një stadium me standarde europiane qeveria është duke përkeqësuar standardin urban të qytetit. U ftuam si publik për prezantimin e një projekti si stadiumi kombëtar. Çuditërisht ky takim u organizua në ambientet e një privati (klient i tenderave të Kryeministrit) dhe jo në një ambient publik. Çudia s’mbaron këtu. Rojet e këtij privati ndalojnë me dhunë hyrjen në sallë të atyre që Kryeministri i ka në listë si kritikë të projektit. Në sallë hyjnë vetëm yesmen-ët e tij. Dhe e gjithë shfaqja transmetohet live si paraqitje para publikut e projektit. Kjo është për mua zhveshja krejtësisht e maskës”, u shpreh ndër të tjera Lubonja.
“Treguesi se në çfarë shkalle shteti është kapur nga privatët, të cilët në bashkëpunim me maskat e tyre si Kryeministri e shërbëtorët e tij grabisin publikun dhe rrahin apo ndalojnë sa herë tentojnë të mbrojnë pronën publike që po u grabitet. Përdorimi i policëve privatë për të bërë akte të tilla, ndërkohë që projekti është kryer në kundërshtim edhe me ligjet në fuqi tregon se shteti ynë funksionon si organizatë kriminale. E gjitha kjo që ndodhi e tejkalon shumë çështjen e një projekt stadiumi. Dhe meqë është folur shumë për ‘Wemblin’ si shembull i një stadiumi historik që prishet duke na krahasuar me britanikët, po ju them se po të ishte vepruar kështu siç veproi sot ky Kryeministër në Londër sot do të ishte djegur nga londinezët selia nr. 10 në Downing Street, jo thjesht për të mbrojtur një stadium, por për të mbrojtur demokracinë, lirinë dhe dinjitetin qytetar. Kjo paturpësi nuk mund të arrijë deri këtu. Ky është privatizim i shtetit, kuptoni apo jo”, tha Lubonja.
Pas ngjarjes, një replikë Rama-Shoqëria Civile është kryer në distancë. Kryeministri Edi Rama është pritur me protestë jashtë “Hotel Tiranës” ku ka prezantuar projektin për stadiumin e ri “Qemal Stafa” për anëtarët e kabinetit të tij dhe deputetët e PS-së. Disa dhjetëra aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë e kanë pritur atë në fund të mbledhjes pasi ka dalë për të hipur në makinë, me një pankartë të madhe “Stop Arrogancës”.
Por Rama është mjaftuar vetëm me një replikë me shoqërinë civile: “Merrni votat një herë pastaj hajdeni…”.
Makina e Kryeministrit Rama u mbulua nga truprojat e Gardës, ndërkohë që pasi ai u largua me eskortën e tij, pas tij kanë dalë të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar dhe deputetë të PS-së, që ishin në takim.

Arben Shahini

Ngujohet Edvin Shullazi!

Sali BERISHA

Rama kapet në flagrancë nga shoqëria civile në megavjedhjen me Arenën Kombëtare të Korrupsionit! Rama, në paranojë të thellë dhe i tmerruar nga megaafera personale e Arenës Kombëtare të Korrupsionit, bllokoi me gardë, në një rast të pashembullt, hyrjen e publicistëve dhe shoqërisë civile në seancën e Këshillit Kombëtar të Territorit ku do të miratohej projekti i njërës prej vjedhjeve më të mëdha në historinë e këtij vendi, projekti i stadiumit të qytetit të Tiranës.
Sot Edi Rama mbylli me gardë derën, por jo të vjedhjes, por të shpellës së tij, sepse me këtë projekt ai, pronën shtetërore toke prej më shumë se 100 mijë metrash katrorë në zemër të Tiranës, që me çmimin aktual të tregut kap vlerën së paku 20 milionë euro, e kalon, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, në pronë private realisht të vetes dhe vëlla Olsit.
Me një vendim të qeverisë së mëparshme toka truall e stadiumit “Q. Stafa” dhe anekseve të tij iu kaluan në pronësi të FSHF për ndërtimin e stadiumit të ri, me kushtin e vetëm që nuk mund t’i jepej në asnjë rast privatit. Rama mbylli derën me roje publicistëve dhe shoqërise civile dhe u ndry i tmerruar në strofullën e tij të krimit sepse ai, stadiumin dhe kullën e Olsit e ndërton qindarkë për qindarkë me paratë e shtetit shqiptar, ndërkohë që ka mashtruar shqiptarët se shteti nuk shpenzon asnjë lekë për ndërtimin e tij.
Në të vërtetë FIFA i jep Shqipërisë, si vend anëtar, 10 milionë euro për ndërtimin e stadiumit, kurse qeveria shqiptare dhe FSHF, përveç këtyre, shpenzojnë edhe 15 milionë euro të tjera për këtë projekt.
Edi Rama u ndry sot në vendin e krimit të tij sepse ai me vëllain e tij Olsi, po ndërtojnë në pronën shtetërore, sikur ta kishin tokën e Kristaqit, kullën e tyre të korrupsionit prej 25 katesh.
Rama nuk lejoi publicistët dhe shoqërinë civile të futeshin në halen e tij të korrupsionit sepse ai dy muaj para se të miratojë projektin, ka shpallur në kundërshtim me ligjet e vendit fituesin e tenderit të ndërtimit të veprës së megakorrupsionit. Edi Rama mbylli dyert dhe u ngujua sot në strofullën e turpit sepse burime që janë si këmisha e tij, bëjnë me dije se projekti është një shkarravinë personale e tij, kurse arkitekti famoz për ryshfet dhe korrupsion i Bolinos, vetëm sa ka firmosur projektin në të cilin Rama dhe vëlla Olsi sigurojnë me kullën dhe anekset, 30 mijë metër katror sipërfaqe ndërtimi!

Kur Berisha flet përpara shtetit

Blendi FEVZIU

Për herë të dytë brenda javës, Sali Berisha ka qenë një hap përpara institucioneve të shtetit në informimin e publikut. Disa ditë më parë ai deklaroi në “News24” se Arben Frroku, personi i dënuar nga Apeli i Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, është ndaluar në Holandë. Lajmi që transmetohej për herë të parë, kaloi pa asnjë koment zyrtar nga institucionet që kanë detyrim të merren me këtë gjë. Në fakt, një ditë më pas, “Opinion.al” iu drejtua dy institucioneve më të rëndësishme ligjore në vend dhe përgjigjja që mori, edhe zyrtarisht, ishte se lajmi nuk është i vërtetë dhe se këtë, në të dyja institucionet nuk e konfirmonte askush. Domethënë, që asnjë njoftim zyrtar nuk kishte ardhur nga Holanda ose ndonjë vend tjetër europian.
Mjaftoi të kalonin edhe 24 orë të tjera dhe lajmi rezultoi i vërtetë. Arben Frroku është ndaluar në Holandë, ashtu siç deklaroi realisht Berisha në TV, të martën në darkë.
Një javë më parë ishte po Berisha që deklaroi kërcënimin e Mynyr Konit dhe të Dhori Kules përballë mediave, një kërcënim për të cilin të dyja institucionet kryesore në vend sërish “nuk dinin gjë”. Ose së paku kështu deklaronin deri momentin që ndërmorën hapat e para konkretë dhe shoqëruan Shullazin në polici, pas denoncimit mediatik të Berishës.
Duke u shtyrë më tutje në kohë, thuajse 2 vjet më parë, ishte sërish Berisha që njoftoi për avionët me drogë që lëviznin nga Divjaka dhe Gjadri dhe përgjigjja që mori ishte jo vetëm mohuese, por edhe tallëse. Në atë rast, u vërtetua se shteti kishte informacion, dërguar më shumë se sa një herë nga shërbimi sekret, por kishte zgjedhur ta mohonte atë.
Po në rastin Frroku çfarë ka ndodhur konkretisht?! Padyshim që rasti i tij nuk është aq i thjeshtë. Veç një problemi ligjor, çështja Frroku ishte shndërruar edhe në një problem politik. Shteti dhe mazhoranca janë akuzuar disa herë se e lanë atë të ikte, se e kanë përdorur në fushatën lokale dhe madje se ndikuan në lirimin e tij. Nisur nga kjo logjikë ishte qeveria e para që ishte e interesuar të njoftonte ndalimin. Ndalim i bërë pas një vendimi gjykate që e njohu atë fajtor. Por shteti heshti 48 orë e madje mohoi nën zë.
Ishte realisht shteti i painformuar? Nuk e dinte që Frroku ishte ndaluar apo nuk donte ta thoshte këtë?
Që të mendosh se Berisha e dinte përpara shtetit ndalimin e Frrokut, kjo ngjan pak e vërtetë. Sado të paafta të jenë disa institucione, informacioni i parë kalon nga ato. Të mendosh që Holanda informoi fillimisht Berishën dhe pastaj shtetin shqiptar po ashtu ngjan e pavërtetë. Më e mundshmja është që ndalimi i Frrokut ka dashur të mbahet i fshehtë dhe arsyet për këtë i dinë vetëm ata që heshtën në këtë rast. Siç tentoi të mbahej i fshehtë dhe të zgjidhej pa denoncim kërcënimi ndaj Dhori Kules. Tentativa të tilla, të qëllimshme apo naive, produkt i qëllimshëm apo i paaftësisë, vetëm sa e shtojnë koston e institucioneve dhe rrisin mosbesimin tek ato!

Frroku u arrestua në Holandë që më 6 mars

Enkelejd ALIBEAJ

Lajmi i ndalimit të Arben Frrokut, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Lamaj, nxjerr zbuluar bashkëpunimin e dyfishtë të pikave kyçe të policisë, me bekimin e Tahirit dhe Edi Ramës, në arratisjen e të dënuarit dhe më tej në favorizimin e tij për të shmangur drejtësinë.
Ndalimi i Frrokut në Holandë është bërë që më 6 mars. Por autoritetet shqiptare, kanë vonuar dërgimin e të dhënave në shtetin e BE. Të njëjtët persona, i njëjti mekanizëm, që la në sirtar për muaj me radhë kërkesën e Interpol Bruksel për deputetin e Edi Ramës, vëllain e të dënuarit me burgim përjetë, Mark Frroku.
Të njëjtët persona që shërbyen krimin dhe shkelën ligjin duke fshehur kërkesën e Policisë së Brukselit, sigurisht me urdhrin e Tahirit e me lejen e Edi Ramës, edhe këtë radhë, shërbyen krimin duke vonuar dërgimin e të dhënave.
Ishte denoncimi publik i bërë nga zoti Berisha që e detyroi Tahirin e Ramën të dërgojnë të dhënat, ku u konfirmua se ishte pikërisht Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm, shtetasi i ndaluar në Holandë me identitet tjetër të falsifikuar.
Edi Rama fillimisht e mbështeti aleatin e tij politik, duke i mundësuar arratisjen. Pak para se të dënohej me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit, Frroku iku nga Shqipëria pa lënë asnjë gjurmë në sistemin TIMS. Pra, me urdhër, policia ka hapur kufijtë për të dhe i dënuari për vrasjen e komisarit të policisë, avulloi pa lënë asnjë shenjë.
Ky bashkëpunim me krimin, me të dënuarin me burgim të përjetshëm për vrasjen e një oficeri të lartë, është në të vërtetë fytyra e Tahirit, e Ramës dhe e kësaj oligarkie që sundon me krimin e për krimin.

Pse jam kundër projektit për stadiumin e ri të Tiranës

Arben BIÇOKU

– Prish një objekt Monument Kulture, dhe një Ansambël Monument Kulture. Ansambli i Sheshit “Nënë Tereza” është ansambli më i goditur i një sheshi që ne kemi në Shqipëri. Nuk kemi mundur të bëjmë një të dytë që të ketë aq vlera. Kemi dekada që nuk po arrijmë të rregullojmë dot Sheshin “Skënderbej”. Si i tillë, si një ansambël me vlera ai duhet ruajtur me fanatizëm. Argumenti që sjell kryeministri për ruajtjen e fasadës monumentale, duke postuar një foto të një renderi (fotoja në fjalë) ku dallohet që fasada është ruajtur si një paret muri brenda një fasade xhami, në fakt është kundër argument, pasi tregon mbi fasadën e tribunës që ka hipur një volum tre herë më i madh se ai ekzistues. Kjo shkatërron jo vetëm proporcionet e Sheshit “Italia”, por shkatërron edhe porporcionet e vetë Sheshit “Nënë Tereza”. Miratimi do të përbënte një precedent të keq që çdo monument kulture ta mbyllnim brenda një hapësire xhami dhe t’i kërcenim me një pallat tjetër përsipër. Po ashtu ngjyrat e kuqe të ndezura e shkatërrojnë harmoninë koloristike të atij sheshi dhe e bëjnë të mos jetë më ai që është.
– Nga pikëpamja urbanistike mendoj se sot është vendi i gabuar që stadiumi të jetë aty në atë pozicion. Mendoj që duhet të jetë në periferi. Argumenti që po e bëjmë aty ku është nuk qëndron. Në momentin që ndërtohet i ri do duhet të ndërtohet atje ku rregullat e Urbanistikës e identifikojnë si vendin më të përshtatshëm. Dhe nëse bëhet sot kjo analizë nuk është ai vendi më i përshtatshëm. Kur ai është ndërtuar aty ka qenë periferi e Tiranës. Sot nuk është më e tillë. Këto lloj objektesh për shqetësimet që i sjellin qyteteve në transport kur ka ndeshje zakonisht pozicionohen në periferitë e largëta. Kjo do të bënte që të kompletohej më mirë me aksesorët që kërkon dhe sidomos parkimet, por dhe stacionet multimodale të transporteve publike shumëvalente.
– Zgjidhja arkitektonike e paraqitur nuk mund të quhet aspak e arritur artistikisht. Në këto objekte që kanë impakt të madh mbi qytetin zakonisht tentohet të ketë një arkitekturë avangarde dhe sa më goditëse estetikisht. Kjo zgjidhje nuk të krijon këtë impresion.
– Fasada e paraqitur nuk është aspak inovative, por është një kopje identike e fasadës që i njëjti arkitekt ka projektuar për një objekt tjetër, në Bibliotekën Bashkiake të qytezës Nembro të Italisë (një foto tëe kësaj fasade unë e kam publikuar këtu në Facebook).
– Ka pasur një reagim të madh qytetar dhe intelektual kundra këtij projekti. E urbanistika është një gjë që bëhet për njerëzit dhe jo kundra tyre. Qyteti është i njerëzve.
– Mendoj se edhe politikisht do bënte mirë për qeverisjen një tërheqje dhe mosmiratim i këtij propozimi. Mostërheqja do perceptohej si një arrogancë ekstreme. Karvani i qeverisjes, megjithëse termi karvan është shprehur me krenari, këtë herë është duke ecur në drejtim të paditur dhe të gabuar, e nuk është duke ecur aspak përpara.

OSHEE, 6 miliardë lekë vjedhje në tenderin për vendosjen e matësave

“Nga 7 miliardë lekë ka dhënë kreu i kësaj bande, që foli dhe sot për suksese imagjinare, për vendosjen e 50 mijë matësave. Sipas tregut, vendosja e një matësi një fazor kushton 10 mijë lekë. Ndërsa vendosja e një matësi trefazor kushton 20 mijë lekë”
Për një shërbim, kosto e të cilit është 1 miliard lekë, OSHEE ka akorduar shumën prej 7 miliardë lekësh, duke vjedhur 6 miliardë lekë
Zbulohet një prej tenderave më skandalozë të OSHEE-së së Edi Ramës, të bandës që po rrjep shqiptarët çdo muaj, me dhunë me arbitraritet, me mbifaturim. Denoncimi është bërë dje nga Partia Dmeokratike, ku zëdhënësja Ina Zhupa bëri të ditur se për një shërbim që ka të bëjë me vendosjen e matësave, kosoto e të cilit është 1 miliard lekë, OSHEE ka akorduar shumën prej 7 miliardë lekësh, duke vjedhur haptazi plot 6 miliardë lekë.
“Nga 7 miliardë lekë ka dhënë kreu i kësaj bande, që foli dhe sot për suksese imagjinare, për vendosjen e 50 mijë matësave. Sipas tregut, vendosja e një matësi një fazor kushton 10 mijë lekë. Ndërsa vendosja e një matësi trefazor kushton 20 mijë lekë. Pra, në rastin e shpenzimit maksimal, instalimi i matësave do të shkonte 1 miliard lekë, për 50 mijë matësa, sipas kostos së tregut. Por Çela i Ramës, ka dhënë 7 miliardë lekë. Ku shkojnë 6 miliardë lekë?” u shpreh Zhupa gjatë deklaratës për mediat.
Ajo theksoi se, tenderi është edhe më skandaloz, pasi këtë shërbim janë duke e kryer vetë punonjësit e OSHEE, ndërsa paratë e tenderit i merr klienti i Ramës pa kryer asnjë shërbim.
“Ku shkojnë 6 miliardë që u merren shqiptarëve, të pamundurve çdo muaj, ku askush nuk dëgjon për ankesat dhe askush nuk i pret abonentët për sqarime. Sigurisht, këto miliarda shkojnë në xhepat e Ramës e oligarkëve të tij. Ky skandal thellohet edhe më shumë, kur vendosjen e këtyre matësave po e bëjnë punonjësit e OSHEE. Punonjës që paguhen me taksat tona, ndërkohë që paratë i merr klienti i Edi Ramës që ka fituar tenderin. Pra, fitimi i tij rritet edhe më shumë. Hisja që ndajnë oligarkët zmadhohet edhe më tepër”, tha zëdhënësja e PD.
“Kjo është OSHEE e Ramës, kjo është banda që i është vërsulur popullit, duke i marrë dhe kacidhen e fundit, për t’i ndarë paratë me miqtë dhe klientët. Shpejt, populli i dhunuar e plaçkitur deri në qindarkën e fundit do ta thotë fjalën, dhe koha që këta hajdutë të japin llogari dhe para ligjit nuk është e largët”, tha Zhupa.
Ndërkohë Ardian Çela, drejtori i ri i Përgjithshëm i OSHEE ka qenë nën hetim për korrupsion nga Prokuroria e Durrësit për 8 tendera që ka zhvilluar, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 1.3 milionë dollarësh. Çela është paditur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në qershorin e vitit të kaluar, pas shkeljeve që ky institucion gjeti në tenderat që ky i fundit kishte zhvilluar në Bashkinë e Durrësit, si kryetar komisioni. Por të gjitha këto nuk e kanë ndaluar Ramën që drejtim e energjisë në vend t’ia besojë një personi, i cili është në hetim për favorizim në tendera.

Skema korruptive e OSHEE dhe tenderat për klientët

Megakorrupsioni që paguan OSHEE për sipërmarrjet e lidhura me qeverinë apo ministrat e saj, duket se është zyrtarizuar nga Kryeministri Edi Rama, si një pus parash publike të pafundme për të shpërblyer zyrtarët. Skema korruptive e OSHEE dita-ditës nxjerr në dritë emra dhe firma që janë të lidhura me individë të fortë brenda mazhorancës së rilindjes. Sipas portalit “Boom.al” vetëm dy tendera të kësaj strukture u janë dhënë dy firmave të lidhura me ministrin Arben Ahmetaj.
Tenderi linja e tensionit të lartë lagjia Dunavat-Gjirokastër me vlerë rreth 200 milionë lekë ka pasur fitues subjektin Vaso Jovani. Kjo firmë është kualifikuar në kundërshtim me kërkesat e ligjit, për arsyen e vetme se Nard Mene, drejtori i investimeve në OSHEE, që është kunati i Arben Ahmetajt, ka ndikuar pranë KVO-së së kësaj procedure prokurimi për të shpallur fitues këtë subjekt. Madje, përflitet se, zarfi për Menen ka qenë 30% e fondit limit. Njëkohësisht edhe një tender tjetër i dhënë nga OSHEE për një klient të Nard Menes është edhe tenderi me objekt “Pajisja me kabllo elektrike të linjës Gjirokastër”, me vlerë 1,4 milionë dollarë, me fitues subjektin “Arifaj shpk” edhe në këtë tender, Mene ka ndikuar pranë zyrtarëve të prokurimit për të shpallur fitues subjektin “Arifaj”, i cili nuk plotësonte kërkesat e tenderit.
Në të gjitha rastet, tenderat janë anuluar dhe ribërë vetëm e vetëm që Mene të garantonte shumën e kërkuar të shpërblimit. Duket se me rilindjen e tenderave publike, bakshishi i kërkuar nga zyrtarët është rritur nga 20% në 30% të vlerës së fondit. Kjo ka bërë që fondet të fryhen dhe vlerat e ofertave fituese të jenë shumë pranë vlerës maksimale dhe të skualifikohen ofertues që paraqesin oferta më të ulëta. Madje, presioni i zyrtarëve të përfolur për korrupsion shkon deri aty saqë anulojnë procedurat e prokurimit vetëm e vetëm për të vulosur pazarin më të lartë. Kësaj nisme të fundit rilindase nuk i ka shpëtuar as Nard Mene, lidhjet e të cilit, çuditërisht të çojnë tek ministri Arben Ahmetaj me të cilin është kunat. Në vijim të tenderave korruptivë, përfitues kanë qenë edhe djemtë e nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj, ku për kompaninë e djalit të saj, OSHEE shpiku një tender për të trajtuar stresin e punonjësve.

Arben Shahini