30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Numri i të rinjve të papunë vijon rritjen

Gjatë vitit 2015 numri i të papunëve në Shqipëri është 223.864 persona. Shifrat u bënë të ditura në publikimin e fundit të INSTAT, ku thuhet se shkalla e papunësisë për grup-moshën 15-64 vjeç është 17,5%. Për meshkujt e kësaj grup-moshe shkalla e papunësisë është 17,5% dhe për femrat është 17,4%. Shkalla e papunësisë për meshkujt është 0,1 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.
Krahasuar me vitin e mëparshëm, pati një ulje të shkallës së papunësisë me 0,4 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 33,2 %, (32,3% për meshkujt dhe 34,7% për femrat). Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve pësoi një rritje prej 0,7 pikë përqindje. Sipas INSTAT, pesha që zënë të papunët afatgjatë në papunësinë gjithsej u rrit me 1,7 pikë përqindje. Gjashtë në dhjetë persona të papunë po kërkonin punë për herë të parë.
Krahasuar me vitin 2014, numri i të papunëve që po kërkonin punë për herë të parë u rrit me 1,3%. Duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor në vitin 2015, në tregun e punës në Shqipëri vihet re që shkalla e papunësisë është më e lartë për personat me arsim të mesëm (20,4%) ndjekur nga ata me arsim të lartë (19,1%).
Gjatë vitit 2015 pati një rritje të shkallës së papunësisë për personat me arsim fillor me 0,4 pikë përqindje dhe për personat me arsim të lartë me 1,9 pikë përqindje. Krahasuar me vitin 2014, shkalla e papunësisë për personat me arsim 8/9-vjeçar dhe të mesëm është ulur me rreth 1%.

Thellohet rënia e Sigurimeve për Jetën

Një tremujor aspak i mbarë për tregun e Sigurimeve të Jetës, e cila llogariti prime të shkuara bruto në rreth 204 milionë lekë ose rreth 9.4% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo rënie i dedikohet kryesisht klasës “Jetë debitori” i cili është një produkt që lidhet kryesisht me kreditimin në banka. Sipas të dhënave të AMF-së primet e shkruara bruto të këtij sigurimi ranë me rreth 21.2%, duke e çuar në peshën ndaj totalit në rreth 55% nga rreth 64% që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa gjatë kësaj periudhe, ka shënuar rritje “Jeta dhe shëndeti në udhëtim” me rreth 21%, duke konfirmuar edhe rritjen e udhëtimeve jashtë. Nga të tria shoqëritë që operojnë në këtë segment vetëm Sicred ka arritur të ketë një performancë pozitive, duke shënuar rritje të primeve të shkruara bruto në rreth 21.3%. Kjo shifër, e cila i ka siguruar kësaj shoqërie rritje të ndjeshme të përqindjes në treg, duke e çuar në rreth 34% nga rreth 25% që zotëronte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Moxhi: “Galiani kishte frikë nga unë”

Në ditën që iu desh t’u përgjigjej sulmeve që i erdhën prej aksionerëve të vegjël të Milanit, Adriano Galiani ka marrë edhe një goditje të dytë, e cila ishte shumë herë më e rëndë se ajo e para. Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Luçiano Moxhi, gjatë një prononcimi për emisionin “La Zanzara”, në “Radio 24”, si kurrë më parë akuzoi rëndë administratorin e deleguar të Milanit, duke e konsideruar si fajtorin kryesor të publikimit të përgjimeve që çuan te “Calciopoli”. “Një ditë u shkëmbeva në rrugët e Milanos me Silvio Berluskonin. Ai m’u afrua dhe më tha që ta takoja në pallatin ‘Grazioli’ në Romë. Unë si fshatar i mirë që jam nuk e di nëse adresa në fjalë ishte e shtëpisë së tij apo qendra e partisë që drejton.
Shkova e takova dhe më tha se ekzistonin disa përgjime të telefonatave të mia dhe se përmbajtja e tyre nuk do të kishte pasoja penale në dëmin tim. Ai më tha se në dijeni të atyre dokumenteve ishin presidenti i Ligës, Galiani, presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Karraro dhe një gjeneral.
Berluskoni më telefonoi për të më afruar te Milani. Në atë pikë, Adriano Galiani, i cili nuk donte që diçka e tillë të ndodhte, bëri që të shpërthente skandali që sot njihet si ‘Calciopoli’. Që prej atij momenti u publikuan të gjithë përgjimet për të cilat më foli Berluskoni. Galiani e bëri këtë, pasi i druhej vendit të punës”, ishte “dëshmia” e Luçiano Moxhit.
Ish-drejtuesi i Juventusit, Luçiano Moxhi, ka analizuar edhe ndryshimet e shpeshta të Milanit në stol. Gjatë prononcimit të shkurtër për “Radio Sportiva”-n, ai komentoi me nota kritike politikat e ndjekura nga “Djalli” së fundmi:
“Unë e kam thënë prej kohësh se, Berluskoni më mirë se të ndryshojë çdo sezon trajnerin e skuadrës, duhet të ndryshojë organikën e ekipit. Milani nuk ka cilësi dhe problemet vijnë nga strategjia e gabuar që kanë ndjekur drejtuesit gjatë merkatos”.
Më tej ai shtoi: “Në vitet e fundit kanë sakrifikuar Alegrin, Sedorfin, Inzagin, Mihajloviçin dhe tani është radha e Brokit, mirëpo, siç e thashë, problemi i kuqezinjve nuk vjen nga stoli, por skuadra çalon diku tjetër”.
Në fund, ai u pyet për kandidaturën e Marçelo Lipit. “Nuk do të ishte një zgjedhje e gabuar. Marçelo është një trajner fitues dhe ka shumë disiplinë, e shikoj mirë në stolin e Milanit. Kinezët? Mendoj se ka ardhur koha për të ndryshuar, skuadra ka nevojë për investime”, tha kreu i triadës famëkeqe që drejtoi “Zonjën” për shumë vite.

Betis, i rrezikshëm!

Barcelona tashmë e eliminuar nga Championsi, do të luajë një transfertë të vështirë me Betis Sevillan, ku do të synojë ruajtjen e vendit të parë, që i kërcënohet nga të dyja skuadrat madrilene, Atletico dhe Real. Konferencën e rastit për shtyp, trajneri i blaugranave, Luis Enrique e nisi me një koment rreth zërave se futbollistët e Betisit do të bëjnë gjithçka që titullin të mos e fitojë Barcelona. “Është normale që lojtarë të një ekipi të kenë preferencat e tyre. Edhe futbollistët profesionistë mund të jenë tifozë, por kjo nuk më shqetëson aspak. Betisi nuk ka objektiva? Ndoshta ky fakt e bën një skuadër më të rrezikshme”, u shpreh Enrike.
Pyetjes rreth blerjes së mundshme të Saul Niguez nga Barcelona, Enrique iu përgjigj prerë: “Nuk e kam zakon të flas për lojtarë që nuk kanë të bëjnë fare me aktualitetin e Barcelonës. Në galaksinë e futbollistëve ka shumë lojtarë që mund të na interesojnë”.
Neymar javët e fundit nuk po shfaqet me nivelin e tij të zakonshëm, por Enrique si gjithmonë u del në mbrojtje lojtarëve të tij. “Jam i kënaqur me rendimentin e të gjithë futbollistëve të mi, pa përjashtim. Do të ishte e padrejtë, nëse do të veçoja Neymar. Jemi në këtë pozicion për meritë të të gjithëve. Të jesh futbollist i Barcelonës përbën lajm në çdo moment”, tha ai.
Luiz Suarez mbetet favorit për t’u shpallur golashënuesi më i mirë i La Ligas, por Enrique kujton se synimi kryesor i uruguajanit është titulli kampion, më pas vijnë trofetë individualë.
Përplasjet e fundit mes Totit dhe Spaletit kanë ngritur dyshime, nëse kapiteni do të rinovojë me Romën, apo do të firmosë për një skuadër tjetër. Ditët e fundit shtypi i huaj ka ngritur pikëpyetje për një kalim të mundshëm të tij në Spanjë me skuadrën e Barcelonës.
I fundit që ka folur për këto hipoteza ka qenë trajneri Luis Enrike. “Toti te Barcelona? Nëse mund ta marrim me një çmim të mirë, përse jo?”, ka deklaruar ai sipas shtypit italian para ndeshjes me Betisin në kampionat.
“Si një tifoz i vogël i Romës dhe për atë që ka prezantuar dhe përfaqëson ende sot Françesko, do të më pëlqente që ta mbyllte karrierën te Roma. Ta shoh që të veshë një tjetër fanellë në këtë fazë nuk do të ishte ideale, por fjala e fundit i mbetet atij. Për mua duhet ta mbyllë karrierën te Roma”, ka thënë trajneri i Barcelonës.

Pogba: Dua të bëhem më i mirë se Pele e Maradona

Falë magjive të tij Paul Pogba udhëhoqi, Juventusin drejt fitimit të një tjetër titulli kampion në Itali, i 5-ti radhazi për skuadrën bardhezi. Vlera e tij në merkato aktualisht kap shifrën e 100 milionë eurove, por nëse vazhdon me këto ritme me siguri që 23-vjeçari mund të thyejë çdo rekord në tregun e shitblerjes së futbollistëve, nëse vendos të largohet një ditë nga Juventusi. Dëshira ose më saktë objektivi i tij është të shndërrohet në një prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë së futbollit, diçka të tillë francezi e la të kuptohet në një intervistë për mediat italiane.
“Dua të bëhem një legjendë e futbollit si Pele e Maradona. Madje më shumë se kaq. 4 tituj kampion radhazi me Juventusin në këto 4 vite që jam pjesë e bardhezinjve nuk më mjaftojmë, dua të jem mesfushori më i mirë i të gjithë historisë së futbollit”, u shpreh Pogba.
Premisat për t’u bërë i tillë i ka, pasi klasi nuk i mungon dhe për momentin ngjason me një mesfushor të kompletuar, por për të arritur atje ku dëshiron Pogba ka ende punë për të bërë. Ai kërkohet nga klubet më të mëdha e Europës si Barcelona, Reali i Madridit, Manchester United, Manchester City e Chelsea, por 23-vjeçari ndihet mirë te Zonja e Vjetër dhe nuk e mendon largimin.
“Kam një kontratë me Juven, dhe nuk mund të zgjohem mëngjesin e ditës tjetër dhe të iki në Angli. Kam një problem me të vërtetë të madh i urrej humbjet. Dua të jem një mesfushor që di t’i bëjë të gjitha në fushë, të gjuaj nga çdo pozicion, të dribloj, të shënoj, dhe të mbroj. Më ka pëlqyer gjithmonë Frank Lampard, por dua të bëhem më i mirë se ai, përfundoi Pogba.

Dëmtimet te Reali, akuza mjekëve

Reali i Madridit po kalon një moment të shkëlqyer këtë sezon, duke qenë një pikë larg kryesuesve në kampionat dhe pjesëmarrës në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Por duket se, pikërisht në momentet më kulminante të edicionit do të vuajë mungesa të rëndësishme në formacion. Në takimin e parë ndaj Mançester Sitit, trajneri Zidan nuk pati në dispozicion Kristiano Ronaldon, ndërsa Karim Benzema luajti vetëm 45 minuta.
Të dy kishin probleme muskulore. Duke ditur kalendarin e ngjeshur, mungesat e lojtarëve nuk janë aq të papritura. Por në Madrid i kanë të paralajmëruara dhe mbi të gjitha, kanë qenë shkak për të krijuar tension. Futbollistët kanë dalë hapur në kundërshtim me stafin mjekësor dhe me drejtuesin e tyre, Hesus Olmo.
Në sezonin e shkuar, Hesus Olmo pati një debat të ashpër me Karlo Ançelotin. Tekniku italian ishte i pakënaqur nga puna e stafit mjekësor dhe mbi të gjitha, që kishin ndërhyrë në përgatitjet atletike të lojtarëve, duke ndikuar negativisht.
Për këtë arsye, ndërhyri edhe presidenti Florentino Perez, që mbajti anën e stafit mjekësor. Pas largimit të teknikut italian, Olmo pati më tepër ndikim në përgatitjet e futbollistëve dhe në fakt, lista e të dëmtuarve për probleme muskulore është shtuar ndjeshëm, duke e çuar numrin në plot 26.
Duke iu referuar probleme të shpeshta që kanë pasur, lojtarët kanë refuzuar që të ndiqen nga mjekët e Realit. Diçka e paprecedentë, por që futbollistët e kanë sfiduar klubin, pikërisht, sepse drejtuesit nuk kanë reaguar ndaj bilanceve negative me dëmtimet apo pakënaqësive në trajtim.
Në një letër që ata mendohet se i kanë dërguar presidentit Perez janë përmendur edhe rasti i Hames Rodrigezit, që mungoi 53 ditë për një dëmtim që u premtua se do të riaftësohej për 4 javë. Rasti i Pepes që u premtua se do të riaftësohej maksimalisht për 21 ditë, por që mungoi për 36-të.
Rasti i Benzemasë, që u parashikua se do të ishte i gatshëm brenda 2 apo 3 javësh, ndërkohë që nuk ia dolën për plot 43 ditë. Tregues të qartë që nuk janë në nivelin e një klubi të madh si Reali i Madridit, duke bërë edhe që futbollistët të kërkojnë mjekë privatë, për të zgjidhur problemet e tyre.
Portugezi nuk ka pranuar që të ndiqet për problemet fizike në klinikën “Santias-La Moraleja”, e cila është kontraktuar nga Reali i Madridit dhe bashkëpunon me Hesus Olmon. Ai është parë gjatë këtyre ditëve, duke kryer vizita në klinikën “Rubier”, duke treguar qartë se është i gatshëm të paguajë individualisht diku tjetër, vetëm për të shpresuar një riaftësim më të shpejtë dhe një trajtim më profesional.
Media spanjolle ka bërë edhe lidhjen që e bën të paprekshëm shefin e stafit mjekësor të Realit, Hesus Olmo. Ai është i besuari i Pako Morates, i cili është anëtar i kryesisë së klubit madrilen dhe njëkohësisht kardiologu personal i Florentino Perezit. Për këtë shkak, kreu i merenguesve nuk ka marrë asnjë masë, pavarësisht se lojtarët janë rebeluar në mënyrë të hapur.

Dorëzohet deputeti i PDK, Azem Syla

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Azem Syla, u kthye të premten në Kosovë, dy ditë pasi që autoritetet thanë se kanë lëshuar një urdhër për shoqërimin e tij në polici, nën dyshimet për drejtimin e një grupi të përfshirë në veprat penale, krim i organizuar, pastrim parash dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.
Gjashtë persona u arrestuan të mërkurën në një operacion të Policisë se Kosovës dhe asaj të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
Operacioni i së mërkurës që ishte ndër më të mëdhenjtë në Kosovën e pasluftës ishte drejtuar kundër 40 personave, që sipas Prokurorisë janë pjesë e një grupi kriminal që drejtohet nga Azem Syla.
Ai u dorëzua të premten tek autoritetet, ndërsa më parë kishte njoftuar se heq dorë nga mandati i deputetit për t’u lënë hapësirë autoriteteve që të kryejnë hetimet.
Prokuroria e shtetit tha se, anëtarët e grupit të drejtuar nga Azem Syla, kanë bashkëpunuar, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh. Sipas autoriteteve, pronat me të cilat besohet se grupi ka vepruar, para luftës në Kosovë ishin prona të Kombinatit Bujqësor Industrial, Kosova Export, të cilat ishin bartur tek kompania shtetërore pas Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet shpronësimit. Pronat shtriheshin kryesisht në fshatra përreth Prishtinës kryesisht të banuar me pjesëtarë të komunitetit serb.
Grupi, thuhet në dokumentet e Prokurorisë, me vendime gjyqësore të paligjshme dhe me dokumente të falsifikuara, ka kaluar tokat në emër të të shpronësuarve, të cilët nuk kanë pasur njohuri për këtë zhvillim. Më pas, tokat u janë shitur pronarëve të rinj.
Të dhënat e mbledhura gjatë hetimeve tregojnë se në këto keqpërdorime ishin përfshirë edhe persona që tashmë ndodhen në burg, qelitë e të cilëve janë bastisur po ashtu gjatë operacionit të së mërkurës.
Pjesë e këtij grupi janë edhe ish-gjyqtarë, avokatë, zyrtarë komunal dhe afaristë.

Eurovizion nuk lejon përdorimin e flamurit të Kosovës

Organizatorët e Eurovizionit kanë konfirmuar për Radion “Evropa e Lirë” se, ndalesa për përdorimin e flamurit të Kosovës gjatë netëve finale të Eurosong-ut, nuk është kundër shtetit të Kosovës apo një territori të caktuar, por ka të bëjë me rregullat e përgjithshme.
Për Radion “Evropa e Lirë”, menaxheri për komunikim me media nga Eurovizioni, Paul Jordan, ka thënë se një rregull i tillë vlen edhe për flamurin e Skocisë.
Flamuri i Kosovës nuk do të mund të jetë në duart e të pranishmëve, audiencës gjatë dy netëve finale që do të mbahen në Stokholm të Suedisë.
“Për fat të keq, Kosova nuk është as pjesëmarrëse dhe as vend anëtar i Kombeve të Bashkuara. Është për keqardhje, që ky dokument është publikuar ngase ai ishte vetëm për nevoja të përdorimit të brendshëm dhe në listën e tij ishin vetëm si shembuj flamujt e Kosovës dhe Baskisë. Ne nuk duam që në asnjë mënyrë këtë ta ndërlidhim me ISIS-in dhe na vjen keq nëse radhitja e flamujve në dokument dikë e ka lënduar”, ka thënë Paul Jordan.
Sipas rregullores së re, flamujt që do të mund të përdoren në garën e Eurovizionit janë vetëm ato të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, pastaj flamujt e shteteve pjesëmarrëse në Eurovizion apo atyre që kanë marrë pjesë më herët, si Turqia, Portugalia e Rumania.
“Politika rreth flamujve nuk është e orientuar kundër çfarëdo organizate apo territori. Nëse flamujt e publikuar në dokumente e kanë lënduar dikë, ne ndjejmë keqardhje”, ka thënë Jordan.
Po ashtu, nuk do të lejohet përdorimi as i flamujve lokal, rajonal apo provincial, si edhe i atyre që propagandojnë përmbajtje komerciale apo edhe të urrejtjes dhe diskriminimit.
Sidoqoftë, në Prishtinë vendimi për ndalimin e flamurit të Kosovës në Eurovizion është pritur me zhgënjim dhe keqardhje të thellë.
Televizioni Publik i Kosovës si pjesë e Unionit të Transmetuesve Evropian, EBU është shprehur thellësisht i shqetësuar me fyerjen e rëndë që i është bërë Kosovës nga Grupi i Referencës për Këngën e Eurovizionit, të cilët e ndalojnë flamurin e Kosovës të valëvitet në këtë festival.
“Dëshirojmë t’ua bëjmë me dije edhe Grupit të Referencës së Këngës së Eurovizionit, por edhe EBU se Republika e Kosovës është e njohur nga rreth 120 shtete të botës. Populli i Kosovës është i dëshmuar si popull paqësor dhe Republika e Kosova asnjëherë nuk ka paraqitur rrezik për askënd, madje ka qenë e hapur ndaj të gjithëve”, thuhet në reagimin e menaxhmentit të RTK-së.
Edhe deputetja në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike, Alma Lama, ka thënë se rregullorja e Eurovizionit e ka vënë Kosovën me disa rajone apo shtete që nuk lejohet përdorimi i flamujve të tyre.
Mes tjerash, ajo ka shprehur pakënaqësi me faktin që në kuadër të flamujve të ndaluar hyn në një rang edhe ai i të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS).
“Klasifikimi i shtetit të Kosovës në një rang me atë të një shteti terrorist është fyerje e ndjenjave të miliona shqiptarëve kudo në botë dhe do të duhej të ishte fyerje e ndjenjave të të gjithë evropianëve. Kjo i kalon të gjitha nivelet e gafave politike”, ka thënë Lama.

SHBA, 610 miliardë dollarë buxhet për mbrojtjen e ushtrinë

Një komision i Kongresit të Shteteve të Bashkuara ka mbështetur rritjen e konsiderueshme të shpenzimeve të mbrojtjes, për të siguruar aleatët evropianë, të cilët janë të shqetësuar me manovrat e ushtrisë ruse.
Ligjvënësit në Komisionin e Shërbimeve të Armatosura po ashtu kanë votuar për ndarjen e 150 milionë dollarëve, për të ndihmuar në trajnimin dhe pajisjen e forcave të qeverisë së Ukrainës në luftën e tyre kundër separatistëve pro-rusë në lindje të vendit.
Ligji, megjithatë, nuk i plotëson kërkesat e vazhdueshme të Kievit për armë të tjera pos atyre që i ka ofruar Uashingtoni deri më sot. Në vlerë prej 610 miliardë dollarësh, legjislacioni është një nga buxhetet më të mëdha për mbulimin e politikave të mbrojtjes të SHBA-së.
Paketa autorizon më shumë para për avionë të avancuar luftarakë, për anije të reja detare, për betejën kundër sulmeve kibernetike, si dhe për gjëra më të zakonshme, si pagat e shërbyesve dhe shpenzimet e kujdesit shëndetësor për ta.
Ligji po ashtu reflekton prioritetet e politikës së jashtme amerikane dha alarmin që shumë ligjvënës dhe zyrtarë kanë shprehur në lidhje me veprimet e përshkallëzuara ushtarake të Rusisë në Ukrainë, në Siri dhe gjetkë.
Ligjvënësit kanë mbështetur edhe një propozim të adiminstratës, të quajtur iniciativa për Sigurimin e Evropës, e që kërkon 3.4 miliardë dollarë për të rritur praninë e ushtrisë amerikane në Evropën Lindore. Pentagoni planifikon të rrisë numrin e brigadave luftarake në Evropë, ashtu si dhe armatimin e stacionuar atje.
Anëtarët e komisionit janë pajtuar edhe për një traktat, që autorizon vendet të kryejnë fluturime mbikëqyrëse mbi territorin e një vendi tjetër, për të monitoruar forcat ushtarake. Traktati për Qiej të Hapur është përdorur edhe nga Shtetet e Bashkuara, edhe nga Rusia për të mbledhur informacione.
Ligjvënësit e komisionit kanë debatuar edhe për kufizimin e përdorimit të motorëve rusë për lëshimin e satelitëve ushtarakë të SHBA-së. Prejse SHBA ka vendosur sanksione kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Moska në vitin 2014, zyrtarët amerikanë kanë propozuar kufizimin e përdorimit të motorëve RD-180, të cilët prodhohen nga një korporatë shtetërore ruse.
“Nuk ka arsye të mbushim xhepat e (Presidentit rus) Putinit tani. Kini parasysh kur të votojmë me po se jo. Nëse votojmë me po, ne i kontribuojmë drejtpërdrejt modernizimit të ushtrisë ruse”, ka thënë anëtari i komisionit, Duncan Hunter, republikan nga Kalofornia.
Por, zyrtarë të Forcës Ajrore të SHBA-së kanë thënë se nuk do të ketë alternativë të mirë amerikane për motorët rusë edhe për disa vite.
Një tjetër ndryshim thelbësor i politikës ka përfshirë kërkesën që gratë amerikane të rekrutohen me detyrim në ushtri. Sipas ligjit ekzistues në SHBA, të gjithë burrat midis 18 dhe 25 vjeç janë të detyruar me ligj të regjistrohen në qeverinë federale dhe potencialisht të rekrutohen në rast lufte.
Edhe pse mund të shërbejnë në të gjitha degët e forcave të armatosura të SHBA-së, gratë, për kohë të gjatë, janë ndaluar nga pozicionet luftarake.
Projektligji për mbrojtjen do të kalojë për miratim në Dhomën e Përfaqësuesve muajin e ardhshëm.

Lufta ndaj bandave, 120 të arrestuar në New Jork

Autoritetet amerikane kanë kapur 120 vetë në Nju Jork nën dyshimet për përfshirje në banda kriminale. Operacioni është cilësuar si goditja më e madhe kundër aktivitetit kriminal në historinë e qytetit. Arrestimet u bënë gjatë të mërkurës në një seri bastisjesh.
Në njoftimin e saj, policia bën të ditur se janë arrestuar 120 pjesëtarë bandash që operonin në lagjen Bronx të Nju Jorkut dhe ndaj tyre rëndojnë akuza për vrasje me paramendim, plaçkitje dhe trafik droge.
“Sot njoftojmë një operacion që besojmë se është goditja më e madhe kundër aktivitetit kriminal në Nju Jork. Kemi akuzuar 120 të dyshuar në dy banda rivale në Bronx për vepra penale si kanosje për zhvatje parash, armëmbajtje të paligjshme dhe trafik droge. Disa akuzohen edhe për vrasje me paramendim, tentativë për vrasje, lëndim me armë të ftohtë dhe dhunë fizike në kuadër të aktivitetit të paligjshëm”, tha Prokurori i Distriktit të Nju Jorkut, Preet Bharara.
Sipas prokurorit të distriktit të Nju Jorkut, të akuzuarit dyshohen se kanë mbajtur stoqe me armë pa leje për t’i  përdorur në aktivitetin e tyre kriminal. Dy bandat, sipas prokurorit, kanë përdorur rëndom median sociale për të reklamuar aktivitetin e tyre, si dhe për të mbrojtur territorin ku operonin dhe për të tërhequr rekrutë të rinj.
“E kam thënë shpesh se nuk zgjidhen problemet vetëm me arreste. Por në këtë rast prangat janë zgjidhja e duhur. Ka pjesëtarë të shoqërisë sonë që nuk duan ta kuptojnë. Ata veprojnë me vullnet të lirë pa dashur t’ia dinë se shkatërrojnë jetë të pafajshme. Këta individë nuk kanë vend në lagjet tona”, tha Komisioneri i Policisë së Nju Jorkut, William Bratton.
Ndër viktimat që mendohet se ka shkaktuar dhuna e këtyre dy bandave është për shembull një 92-vjeçare që u vra nga një plumb qorr që goditi shtëpinë e saj në Bronx në tetor 2009.
Sipas policisë, bandat operonin në komplekse banimi të lagjes Bronx, të ndërtuara nga shteti për të strehuar persona dhe familje me të ardhura të ulëta.
Mbi 700 policë të Nju Jorkut dhe agjentë federalë ishin dje në zonë për të kryer bastisjet dhe arrestimet gjatë orëve të para të ditës. Pjesëtarët e të dyja bandave, me një moshë mesatare rreth 24 vjeç, operonin në kënde lojërash, magazina dhe apartamente të braktisura ku kishin depozituar armë dhe drogë. Ata gjithashtu akuzohen se kishin hedhur në qarkullim kartmonedha të falsifikuara për të shtuar të ardhurat e tyre. Pritet që në ditët e ardhshme, me zgjerimin e procesit hetimor, të ngrihen edhe akuza të tjera.