Pritet që e njëjta gjykatë të vendosë sërish edhe fatin e Mishel Platinisë, i cili u përjashtua tetë vjet nga FIFA për skandalin e 2 milionë frangave zvicerane që Blater i kishte dhënë atij. KAS-i do të ketë sërish përballë UEFA-n, ashtu si në gjyqin që u bë për Kombëtaren shqiptare. Ndryshe nga hera e parë është përballë vetë Platini, ndërsa atëherë ishte institucioni që ai drejtonte. Betejën e parë me Gjykatën e Arbitrazhit e humbi, tani mbetet rezultati i së dytës.
Megjithatë, për të shkuar te përballja e dytë, KAS-Platini duhet pritur ende, pasi FIFA nuk e lejon anashkalimin e Komisionit të Apelit të saj. Platini kërkon që të përshpejtojë çështjen për të qenë një nga kandidatët e mundshëm për fronin e FIFA-s, por këta të fundit duket se po bëjnë gjithçka për ta shmangur. Francezi kërkon që të marrë një përgjigje përfundimtare mbi pezullimin e tij përpara datës 26 shkurt, në të cilën do të zgjidhet edhe presidenti i ri i FIFA-s.
Platini fillimisht duhet që të presë vendimin e Komisionit të Apelit të FIFA-s, lidhur me dënimin e tij, pastaj duhet ta dërgojë këtë çështje në KAS. Ditën e djeshme Komisioni i Apelit i ka dërguar një letër avokatit të Platinisë, në të cilën i shpjegon procedurën që duhet ndjekur. Me këto vonesa që po krijohen, ish-presidenti i UEFA-s duket se do ta ketë të vështirë për të marrë pjesë në zgjedhjet që FIFA do të bëjë për të zgjedhur presidentin e ri.
Fati i Platini në KAS
Rënia e numrave 10

Nga James Rodriguez te Mario Gotze e Eden Hazard, të mbash mbi shpinë fanellën me numrin 10 të një skuadre të madhe nuk është një mision i lehtë dhe këtë gjë e dinë shumë mirë këta tre futbollistë. Kartoni i tij i kushtoi Realit, plot 80 milionë euro, por në këtë sezon, pyetja që i kanë bërë vetes tifozët e Los Blancos, ka qenë çfarë po ndodh me James Rodriguez. Më shumë në pankinë sesa në fushë në këto dy muajt e fundit me Zidane në drejtim ylli i Los Cafeteros është zhdukur nga harta e Realit.
Klasi që ai zotëron është shumë i madh, por nganjëherë edhe cilësitë nuk mjaftojnë, pasi për të qenë titullar fiks i një klubi të madh duhet të derdhësh djersë në fushë dhe të sakrifikosh për skuadrën, këtë gjë te Reali për momentin po e bën shumë mirë një futbollist si Casemiro. Të martën në mbrëmje për të gjetur një buzëqeshje të zbulimit të Botërorit Brazil 2014, duhet të shikoje nga stoli i rezervave të Realit të Madridit, pasi edhe pse nuk kishte në dispozicion Ronaldon dhe në fund të pjesës së parë u dëmtua Benzema, Zidane edhe njëherë tjetër nuk besoi te James, duke e mbajtur kolumbianin gjatë gjithë kohës në stol. Ndryshimi në stol nga Benitez te Zidane duket se i ka përkeqësuar akoma edhe më shumë gjërat për 24-vjeçarin që si shpëtim tani ka vetëm largimin nga kryeqyteti spanjoll në fund të sezonit.
Një situatë disi të ndryshme po kalojnë Eden Hazard dhe Mario Gotze edhe pse rezultati final po i njëjti. Belgu u shpall lojtari më i mirë i sezonit të kaluar në Premier League, por në edicionin 2015-2016 gjërat nuk kanë shkuar aspak mirë për të. Ashtu si e gjithë skuadra e Chelsea-it edhe Hazard ka hasur vështirësitë e tij, dhe për të dalë nga kjo errësirë po mendon seriozisht largimin nga Blutë. Mario Gotze nga ana tjetër për disa muaj qëndroi jashtë fushave për shkak të një dëmtimi, por edhe pas rikthimit heroi i Gjermanisë në finalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës i ka patur të pakta hapësirat në formacion, kjo si edhe pasojë e shpërthimit të Coman. Për talentin gjerman shikohet gjithashtu një e ardhme, larg Bayernit dhe ndoshta te Liverpooli, ku Klopp do ta priste krahëhapur. Të mbash numrin 10 mbi shpinë nuk është edhe aq e lehtë.
Ndërkohë, legjenda e Romës, Francesco Totti, 39-vjeçar, ende nuk e konsideron veten të plakur, pasi duket se i ka thënë drejtorit sportiv të klubit Walter Sabatini, se nuk dëshiron të largohet nga kryeqyteti italian pas përfundimit të sezonit. Sabatini ka treguar se e kishte pyetur italianin nëse dëshiron të pensionohet në fund të sezonit apo dëshiron të vazhdojë të luajë dhe Totti ishte përgjigjur se ndjehet si adoleshent dhe ëndërron të vazhdojë akoma.
Lewandowski: E ardhmja, në Spanjë ose në Angli
Sulmuesi i Bayern Munich, Robert Lewandowski ka pranuar se në një të ardhme mund të luaj në Premier League ose në La Liga. Që pas transferimit të tij tek bavarezët, polaku numëron 95 paraqitje dhe 65 gola të shënuar, statistika që e kanë kthyer atë në një nga sulmuesit më të kërkuar. Bomberi deklaroi se nëse një ditë do të largohet nga Bayern, do të transferohet tek një klub i cili është po aq kompetitiv saç janë bavarezët:
“Ndoshta një ditë do të luaj në Angli ose në Spanjë. Por, për momentin jam i impenjuar me Bayern, pasi e konsideroj si klubin ideal për t’u rritur si futbollist në aspektin teknik dhe për të fituar sa më shumë trofe. Nuk mund të flas me garanci për të ardhmen, pasi për momentin jam i lumtur këtu”, u shpreh ai.
Sipas mediave, e ardhmja e Robert Lewandowski mund të jetë tek Man.City, ku do të ketë mundësinë të vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin e ardhshëm të Citizens, Pep Guardiola. Sulmuesi kërkohet gjithashtu edhe nga Reali i Madridit.
Kosova, Bunjaki: Alban Meha është i mirëpritur
3 maji është një ditë e veçantë për futbollin kosovar. Në Kongresin e UEFA-s, që do të zhvillohet në Budapest, Kosova pritet të pranohet si anëtare e qeverisë europiane të futbollit, duke i hapur kështu rrugën dhe anëtarësimit në FIFA dhe pjesëmarrjes në eliminatoret e Botërorit Rusi 2018. Përtej aspektit institucional, në atë sportiv, trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki shprehet se, skuadra e tij është gati për një sfidë të tillë.
“Pas një kohe të gjatë të izolimit të sportit kosovar, në këtë rast futbollit, shpresojmë që data 3 maj të jetë një datë pozitive për futbollin kosovar dhe atë shqiptar në përgjithësi. Normalisht ne si staf teknik jemi përgatitur edhe pse situata nuk është fort optimale, pasi në 3 maj presim pranimin dhe në shtator fillojnë eliminatoret, mirëpo jemi të gatshëm të nisim këtë rrugë për të cilën faktikisht punojmë prej disa vitesh”, u shpreh Bunjaki.
Njohja ndërkombëtare e futbollit kosovar do t’u hapë rrugën futbollistëve të lindur në Kosovë që të përfaqësojnë shtetin më të ri të Europës në eventet ndërkombëtare. Por a do të thërriten lojtarët që aktualisht janë pjesë e Kombëtares Shqiptare? Bunjaki e bën të qartë, gjithsekush ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e tij personale.
“Së pari, mendoj se pranimi i FFK në UEFA dhe FIFA dhe Përfaqësueses Kosovare në kualifikime duhet të jetë një lajm pozitiv për gjithë shqiptarët. Në këtë moment, prioritet është pranimi i plotë pastaj do të shohim të gjitha proceset, të drejtat dhe mundësitë e lojtarëve. Personalisht mendoj se është e drejtë individuale e lojtarëve të vendosin për fatin e tyre dhe këtë nuk ka të drejtë t’ua heqë asnjë Federatë. Në aspektin sportiv, jam i përqendruar të ndërtoj një skuadër sa më të mirë dhe objektivi është që pas 4 vitesh të jemi në kualifikueset e Europianit. Është një proces, i cili mund të jetë i dhimbshëm për disa, mirëpo mendoj se është e drejtë njerëzore që lojtarët të vendosin për fatin e tyre”.
Një ndër futbollistët që duket më pranë kalimit te Kosova është Alban Meha. Mesfushori që po shkëlqen në Turqi nuk është grumbulluar prej disa ndeshjesh nga De Biasi. Njerëz pranë tij flasin për dëshirën e futbollistit për të luajtur me Kosovën në qytetin e tij të lindjes Mitrovicën, dhe Bunjaki nuk ngurron t’i hapë derën.
“Nuk ka dyshim, që Albani ka qenë në planet e mia edhe më herët para se të vinte në Kombëtaren e Shqipërisë, mirëpo në kohën kur ka qenë pjesë e Kombëtares Shqiptare ku akoma është Shqipëria ka qenë prioritet, pasi ka pasur kualifikimet dhe ka pasur përparësi. Në këtë moment që Kosova i afrohet kualifikimeve, ne pretendojmë të krijojmë një skuadër të fortë, dhe lojtarët që do të dëshirojnë të vijnë do të jenë të mirëseradhur. Albani është një lojtar që e njoh mjaft mirë dhe jo rastësisht është duke pasur sukses në Turqi dhe normalisht do të ishte i mirsëeardhur nëse shpreh dëshirë dhe ka të drejtë të vijë, pse jo”, përfundoi ai.
Mavraj në dyshim për Augsburgun
Mërgim Mavraj pritet të mungojë në ndeshjen e fundjavës me Augsburgun, në kuadër të javës së 32-të të Bundesligës. Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare shfaqi probleme muskulare gjatë stërvitjes, duke u detyruar që t’i ndërpresë përgatitjet. Trajneri i Kolnit, Peter Stoger, i pyetur për mundësinë e aktivizimit të 29-vjeçarit në transfertën e radhës, u shpreh me rezerva, duke theksuar se do të vendosë për grumbullimin ose jo të mbrojtësit vetëm në momentin e fundit. Gjatë pjesës së dytë të sezonit Mavraj, edhe pse u kthye nga një dëmtim i rëndë, u shndërrua në pikë kyçe e mbrojtjes, ku fitoi menjëherë një vend titullari.
Cilësitë e Mavrajt i kanë dhënë mundësi trajnerit Stoger që të provojë edhe një mbrojtje me tre, me shqiptarin në qendër. Mavraj konsiderohet gjithashtu një nga pikat më të forta të Shqipërisë në fazën mbrojtëse në finalet e Europianit që do të zhvillohet këtë verë në Francë. Gjatë këtij sezoni 29-vjeçari është aktivizuar në 10 ndeshje të Bundesligës, 9 herë titullar dhe vetëm një rast si zëvendësues. Me kuqezinjtë, Mavraj ka luajtur në 24 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola.
Beteja e së martës, Trump 5 shtete, Klinton 4
Kandidati republikan Donald Trump, ka fituar në të 5 shtete, ku u zhvilluan zgjedhjet paraprake të së martës. Fitorja e çon atë një hap më pranë emërimit nga partia si kandidat i saj për president.
Trump fitoi në Kënektikat, Delauare, Mariland, Pensilvani dhe Rode Ajlënd, me më shumë se 55 për qind të votave në secilin prej këtyre shteteve.
Donald Trump shkoi në zgjedhjet e së martës me 845 delegatë, i ndjekur nga Cruz me 559 dhe Kasich me 148.
Duke folur para mbështetësve të tij ai tha se, “gara ka përfunduar” dhe cilësoi veten tashmë si kandidat. Pas votimeve të së martës ai ka siguruar 950 nga 1 mijë e 237 delegatët e nevojshëm për të siguruar kandidimin, një numër që nuk duket ta sigurojë para kuvendit të republikanëve që mbahet në mujain korrik.
Rivalet e tij republikanë, Ted Cruz dhe John Kasich, nuk mund të sigurojnë numrin e nevojshëm për kandidim dhe kanë rënë dakord që në shtetet që kanë mbetur në javët e ardhshme, të bashkëpunojnë për të mos lejuar Trumpin të sigurojë numrin e duhur të delegatëve, duke detyruar partinë ta zgjedhë kandidatin gjatë ditëve të kuvendit në korrik.
Gjatë një takimi elektoral në shtetin e Indianës, ku zgjedhjet paraprake zhvillohen javën tjetër, Ted Cruz e pranoi se ai nuk do të fitonte në ndonjë prej shteteve të martën, por u tha mbështetësve të tij të mos mendojnë se ai nuk ka shanse, pasi ai pret të dalë mirë në Indiana javën tjetër dhe në Nebraska, më 10 maj.
Trump e quajti fushatën kundër tij “Të ndalim Trumpin” një përpjekje “të mjerë” dhe e akuzoi Partinë Republikane se po e trajton atë padrejtësisht, duke e cilësuar sistemin e emërimit si të “manipuluar”.
Sipas një ankete të fundit, ai gëzon 50 për qind mbështetje mes votuesve republikanë në mbarë vendin. Kjo është hera e parë që ai siguron mbi 50 për qind, sipas anketës së “NBC News/Survey Monkey”, (departamentit të lajmeve të rrjetit televiziv NBC dhe platformës të specializuar për anketa përmes internetit Survey Monkey).
Në kampin demokrat, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, fitoi në shtetet Delauare, Meriland, Pensilvani dhe Kënektikat. Senatori i Vermontit, Bernie Sanders fitoi në Rode Ajlënd.
Clinton, e cila shkoi në garat e së martës me 1944 delegatë, tashmë ka 2 mijë e 141 delegatë, ndërsa për të siguruar emërimin e kandidatit demokrat i duhen 2383 delegatë.
Ajo u tha mbështetësve të ngazëllyer në Filadelfia se do të bashkojë Partinë Demokratike për të fituar zgjedhjet presidenciale në nëntor dhe të çojë përpara traditën përparimtare të saj.
Gjermania ngre ushtrinë kibernetike
Ushtria gjermane Bundeswehri po armatoset kundër sulmeve që vijnë nga interneti. Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen shpalli për këtë ngritjen e një drejtorie të përgjithshme me 13.500 punonjës. Si datë për nisjen e punës, ministrja përmendi fundin e këtij viti. Në bazë të planit, drejtoria e re e përgjithshme me emrin “hapësira kibernetike dhe informative” do të zgjerohet deri në vitin 2021 dhe do të “sillet në gjendje të plotë operacionale”.
Me këtë ministrja reagon ndaj rritjes së numrit të sulmeve kibernetike. Aktualisht çdo ditë numërohen rreth 6500 sulme ndaj rrjeteve të federatës. Sektori i ri organizativ i Bundeswehr-it do të ketë një inspektor të vetin. 13.500 vendet e reja të punës nuk do të hapen nga e para por, në 90 për qind të tyre – do të krijohen nga forcat e IT-së të shpërndara në pjesët ushtarake dhe civile të të gjithë Bundeswehr-it.
“Ne duhet të pozicionohemi më mirë në temën e kibernetikës” dhe ta “grupojmë më mirë ekspertizën”, tha von der Leyen. Specialistë nga jashtë, në bazë të kësaj, Bundeswehri do t’i tërheqë përballë konkurencës së madhe në treg, para së gjithash me “shanse të qarta për karrierë”. Veç kësaj, në universitetin e Bundeswehrit në Mynih do të ngrihet një kurs kibernetik me disa vende profesorësh, kurs të cilin do ta mbarojnë rreth 70 vetë në vit. Pranë Shkollës së Lartë do të ngrihet edhe një qendër kërkimore.
Von der Leyen pranoi njëkohësisht prapambetje të Bundeswehrit në mbrojtjen kibernetike. Në kuadër të përpunimit të Librit të Bardhë aktual të ushtrisë, vitin e kaluar ministria “i avancoi në mënyrë të konsiderueshme njohuritë e saj” dhe “nëpërmjet një workshopi për kibernetikën, të cilin e ngritëm relativisht vonë” u bë e qartë “sa e rëndësishme është që të fitojmë kohën e humbur në këtë fushë”. Ndihmë ka dhënë në këtë fushë këmbimi i përvojave me “aleatë, që janë më përpara”.
E rezervuar u tregua ministrja për aftësitë e mundshme ofensive të sektorit të ri kibenetik. Bundeswehri do të veprojë “me aftësinë e re kibernetike” njësoj si punon në të gjithë sektorët e tjerë, tha ajo. Ushtria gjermane duhet të jetë në gjendje “të mbrojë veten”, “të ndërtojë aftësi mbrojtëse” dhe që të ketë mundësi “të ushtrohet” për qëllime mbrojtëse. Përgjegjësinë drejtuese në strategjinë e Bundeswehrit në përgjithësi do ta ketë “shumë qartë” Ministria Federale e Punëve të Brendshme.
Megjithatë, Bundeswehri ka disa vjet që ushtrohet për sulme kibernetike. Një njësi e vogël, e fshehtë, që vepron në Rheinbach pranë Bonnit, me aktualisht 60 ushtarakë është përgjegjëse për këto sulme. Por një angazhim ofensiv i kësaj njësie – si për shembull depërtimi në rrjetin e kundërshtarit – duhet të miratohet nga Bundestagu, njësoj si misionet luftarake në Afganistan dhe Mali.
Trump arrin 50% mbështetje mes republikanëve, drejt kandidimit
Zllatica HOKE
Ditën që ai pritet të fitojë në të pesë shtetet ku zhvillohen të martën zgjedhje paraprake, kryesuesi i garës republikane Donalt Trump, kapi 50 për qind të mbështetjes mes votuesve republikanë ose atyre që anojnë nga republikanët, sipas një ankete të “NBC News/Survey Monkey”, (departamentit të lajmeve të rrjetit televiziv NBC dhe platformës të specializuar për anketa përmes internetit Survey Monkey).
Kjo është hera e parë që Donald Trump arrin këtë shifër që kur NBC News/Survey Monkey filluan të organizojnë anketa të përjavshme në dhjetor të vitit të kaluar.
Rivalët e zotit Trump, senatori nga Teksasi Ted Cruz dhe guvernatori i Ohios, John Kasich, kanë humbur mbështetje sipas anketës dhe ndodhen mbi 10 për qind më poshtë se zoti Trump.
Mbështetja për zotin Trump ka qenë mesatarisht në nivelin 40 për qind që nga mesi i marsit. Por ajo që është e rëndësishme në anketën e fundit është fakti se mes republikanëve mbështetja për të është shtuar me 6 për qind. Anketa u realizua përmes internetit në periudhën 18-24 prill dhe në të morën pjesë 10 mijë e 707 të rritur mbi 18 vjeç, mes tyre 9405 votues të regjistruar.
Të martën votimet zhvillohen në pesë shtete – Connecticut, Delaware, Maryland, Pennsylvania dhe Rhode Island. Dy ditë para votimit, rivalët e tij Cruz dhe Kasich njoftuan se do të bashkërendonin strategjitë e tyre elektorale për të mos lejuar Trumpin të sigurornte numrin e duhur të delegatëve.
Trump, me gjuhën tipike që e karakterizon, i quajti përpjekjet e tyre “mjerane”, dhe kritikoi përsëri procesin e emërimit të partisë.
Ai e akuzon Partinë Republikane se po e trajton atë padrejtësisht dhe sistemin e emërimit si të “manipuluar”.
Të dielën kandidatët Cruz dhe Kasich njoftuan për një marrëveshje: zoti Kasich nuk do të bëjë fushatë në zgjedhjet paraprake të Indianës më 3 maj dhe zoti Cruz ra dakord të mos bëjë fushatë në Oregon dhe New Mexico.
Duket se disa votuesve nuk u ka pëlqyer ky plan. Në shtetin e Indianës, Kathy Hiel, tha se ajo nuk kishte vendosur se për kë do të votonte më 3 maj, por tani pas marrëveshjes Cruz-Kasich, ajo tha se do të votojë për Trumpin.
Trumpi shkon në zgjedhjet e së martës me 845 delegatë, i ndjekur nga Cruz me 559 dhe Kasich me 148.
Siç ka qenë rasti edhe në garat e tjera, diferenca e fitores të martën ka rëndësi, pasi sa më e thellë, aq më shumë delegatë siguron kandidati. Në se Trump nuk e kap shifrën magjike 1237 deri në fund të votimeve paraprake, rivalët Cruz dhe Kasich do të kishin një mundësi emërimi në kuvendin e partisë që zhvillohet në korrik.
Në kampin demokrat, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton kryeson nëpër anketa në 4 nga 5 shtetet ku zhvillohen votimet. Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders kryeson vetëm në shtetin Rhode Island.
Një dalje e mirë të martën në votime nga Hillary Clinton do ta çonte atë shumë pranë sigurimit të emërimit nga Partia Demokratike. Deri të martën ajo kishte siguruar 1944 delegatë, përfshirë qindra super-delegatë që janë zotuar ta mbështesin.
Pesë shtetet e së martës do të nxjerrin 463 delegatë dhe rreth 285 të tjerë do të përcaktohen javën e ardhshme, ç’ka do të thotë që Clinton mjafton të marrë vetëm gjysmën e tyre për të siguruar numrin e duhur prej 2383 delegatësh për emërimin.
Megjithëse matematikisht po bëhet përherë e më e vështirë për kandidatin Sanders, i cili ka vetëm 1192 delegatë deri tani, ai ka theksuar se do të qëndrojë në garë deri në fund, deri në kuvendin e partisë në korrik.
Kandidati demokrat, i vetëquajtur socialist, ka bërë fushatë mbi një platformë me premtime për paga më të larta, për të eliminuar nga politika paratë e grupeve të interesit, kundër bankave të mëdha dhe për të zgjeruar kujdesin shëndetësor. Ai ka një ndjekje të madhe mes të rinjve.
Ditë të vështira për BE
Seda SERDAR
Kryeministri turk Ahmet Davutoglu dhe mysafirët e tij evropianë, midis tyre Kancelarja Angela Merkel, inskenuan një shou të madh në Gaziantep. Që prej mbërritjes së tyre në kampin e refugjatëve Nizip, ku nëpër çati qenë pozicionuar snajperë; në postera që tregonin Kancelaren dhe nën të sloganin “solidaritet me refugjatët”, gjithçka dukej e planifikuar në mënyrë perfekte.
Në një konferencë shtypi, Davotoglu theksoi se Turqia është pjesë e familjes evropiane. Po, Turqia është krenare që i tregon botës sa mirë vepron ajo me problematikën e refugjatëve. Lëvdimi që i bëri Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk Turqisë gjatë vizitës atje është i merituar – kur bëhet fjalë për kampe refugjatësh. Është fakt, që Turqia i ka hapur kufijtë e saj, për të lejuar të hyjnë në to sirianët, që kanë marrë arratinë nga regjimi i Assadit. Ky ishte një akt humanitar që nuk e ka kryer askush tjetër në këtë formë.
Sot, pesë vjet më vonë, një pjesë e madhe e refugjatëve jashtë kampeve lufton megjithatë për të mbijetuar – dhe një perspektivë të trëndafiltë këta njerëz nuk kanë. Dëshira e tyre për t’u kthyer në Siri duket se është bërë e largët, po të shohësh atë që ndodh në Siri. Pyetja që shtrohet është: si do t’i integrojë Turqia 3,1 milionë njerëz? Sa është e gatshme Evropa që të ndihmojë për këtë?
Vizita e Angela Merkelit, Donald Tuskut dhe Frans Timmermannit në Turqi tregon para së gjithash një gjë: Evropa është e gatshme thuajse për gjithçka, për t’i mbajtur refugjatët në Turqi. Dhe për këtë flasin para së gjithash dy aspekte. Së pari: të gjithë, duke përfshirë Angela Merkelin bënë përpjekje që të mos i thellojnë më tej tema delikate, si liria e mendimit dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Turqi.
Sinjalin e dytë e dha Frans Timmermann, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian. Nëse për BE në të kaluarën qe shumë e rëndësishme që ndihmat për refugjatët t’ua përcillte në radhë të parë organizatave ndërkombëtare të ndihmës, Timmermann tha në këtë vizitë se mund të përfytyrohet që të lidhen marrëveshje direkte me qeverinë. Kjo mund të shihet si një fitore tjetër e qeverisë së Ankarasë. Nëse puna do të vijë deri këtu, a do t’i verifikojë BE shpenzimet? Apo do të sundojë besimi reciprok?
Raporti i besimit midis BE dhe Turqisë është shumë i brishtë. Të dyja palët kalojnë nga një krizë në tjetrën, megjithëse flasin shumë me njëra-tjetrën dhe të dyja e kanë bërë të qartë se duan t’i përmbahen planit, që turqit të udhëtojnë në të ardhmen pa viza në BE. Davutoglu theksoi edhe njëherë se kjo është pjesë e marrëveshjes së kthimit. Por kjo do të thotë se BE e presin kohë të vështira.
Evropa me sa duket do t’i përmbahet një politike me sa më pak kundërshti. Tema si ruajtja e të drejtave të njeriut dhe liria e mendimit, tema që përfaqësojnë Evropën, do të përmenden me raste. Kështu veproi këtë herë Tusk, kur Davutoglu u shpreh qartë për çështjen e satirës së komedianit gjerman Böhmermann. Tusk tërhoqi vëmendjen në një kufi shumë të hollë midis kritikës, fyerjes dhe shpifjes. Kur politikanët duan të vendosin për këtë kufi “ky mund të ishte fundi i lirisë së mendimit”, paralajmëroi ai. “Unë shpresoj se tema e të drejtave të njeriut nuk do të jetë në të ardhmen tema jonë qendrore”, tha Tusk.
Çfarë ndodh me Hillarin, Trump mund ta mundë në New York?
Marc AMBINER
Në pamje të parë, gjithçka dukej se shkonte vaj për Hilari Klinton në Nju Jork javën e shkuar, dhe paraqiste një fitore të madhe në zgjedhjet e përgjithshme. Gjatë paraprakeve, ajo fitoi më shumë se 1 milion vota – pothuajse dyfishi i 525.000 votave të Donald Trampit. Plus, ajo është një demokrate. Dhe një banore e Nju Jorkut.
Ajo do të shtrydhë atë në vjeshtë, apo jo? Dhe pastaj do ta fshijë përmes një fitoreje me një lumë votash zgjedhore, ndryshe nga çdo gjë tjetër që kemi parë që nga viti 1984? E pra, ndoshta. Mbase edhe është e mundur. Por mos e merrni të mirëqenë. Shumë ekspertë parashikojnë në fakt se, Tramp mund të mundë Klintonin në Nju Jork. Shumica e tyre përdorin dy argumente në arsyetimin e tyre:
Së pari, apeli i tij ndaj votuesve të klasës punëtore të bardhë është i fortë; dhe së dyti, ai është më shumë i përafërt me ta, i lindur dhe rritur në Nju Jork sesa Klintoni, dhe premton një shtet të fortë. Të dyja këto argumente janë të vërteta. Për më tepër, parapraket e Nju Jorkut u mbyllën – nuk u lejua asnjë i pavarur – dhe për shkak se demokratët tejkaluan republikanët në shtetin e Nju Jorkut me një diferencë dy me një, votave totale e madhe e Hilari ishte pikërisht ajo që dikush do të priste, nëse Klinton do të kishte të njëjtin nivel përkrahjeje organike në mesin e demokratëve, sikurse ndodhi me Tramp në mesin e republikanëve.
Ndërkohë, ka një tjetër paralajmërim: Tramp garon kundër dy kandidatëve të tjerë; Klinton vetëm kundër njërit. Kjo e zvogëlon më tej forcën e fitores së saj. Dhe një tjetër: Sondazhet tregojnë se votuesit e pavarur, që nuk mundën të votonin për shkak të rregullave në parapraket e Nju Jorkut, do të kishin mbështetur ose Trampin ose Bërni Sandersin; pak prej tyre do të kishin preferuar Klintonin.
Një copëz e fundit nga sondazhet: 20 për qind e mbështetësve të Sanders, shprehen se do të mbështesin Trampin në vjeshtë kundër Klintonit. Megjithatë, unë vendosmërisht besoj se Hilari do të fitojë në Nju Jork në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor. Më poshtë po rendis 4 arsyet:
1. Grupi i njerëzve që votojnë në zgjedhjet paraprake përputhet me të, por është më i vogël se grupi i atyre që votojnë në zgjedhjet e përgjithshme. Është shumë e vështirë të ndërtohet një argument në lidhje me zgjedhjet e përgjithshme në bazë të ndonjë grumbullimi të caktuar të fakteve rreth zgjedhjeve paraprake. Në parim, unë prirem të paralajmëroj njerëzit të mos shkojnë shumë larg me parashikimet.
2. Po, Tramp ia ka dalë të tërheqë në zgjedhjet paraprake një tufë republikanësh dhe të pavarurish me prirje republikane, të cilët zakonisht votojnë vetëm në zgjedhjet e përgjithshme. Por në përgjithësi, këta njerëz votojnë vetëm republikanët. Ata e quajnë veten të pavarur, por ata janë funksionalisht republikanë. E gjitha kjo nuk do të thotë shumë mbi aftësinë e Trampit, për të zgjeruar koalicionin e partisë deri në vjeshtë.
3. Tramp ka probleme të mëdha me gratë republikane. Dhe ato nuk janë duke u zhdukur.
4. Çdo sondazh i përgjithshëm mbi zgjedhjet që unë kam parë në Nju Jork, ka konfirmuar kryesimin e Klintonit me me një numër 2-shifror. Trampit do t’i duhet të fitojë mbështetjen e shumicës dërrmuese të klasës punëtore të bardhë, dhe në një farë mënyre t’ia dalë të tkurrë diferencën e pritshme të fitores së Klintonit në mesin e votuesve zezakë dhe ameriano-latinë në qytetin e Nju Jorkut. Atij do t’i duhet të fitojë mbështetjen e grave në Nasau dhe kontenë e Uestcesterit; është e vështirë të shihet se si dhe çfarë mund të bëjë Klintoni që të mund të armiqësohet me këtë trupë zgjedhore në mënyrë përfundimtare.
Kjo mund të ndodhë nëse ajo akuzohet nga Departamenti i Drejtësisë, për rolin e vet në keqpërdorimin e informacionit të klasifikuar. Po, ekziston një mundësi – jashtëzakonisht e vogël, bazuar mbi faktet që njohim, por një nga ato që nuk ekziston – është ajo që nxit këtë lloj të menduari katastrofik. Shumë demokratë duket se supozojnë se Klintoni do të jetë shumë më e rrezikuar në vjeshtë nga sa është tani, kur renditja e saj favorizuese është më e ulëta se e çdo kandidati tjetër përveç Trampit.
Shumëkush mendon se ky i fundit do të drejtojë një fushatë të tipit të ‘tokës së djegur’ kundër Klintonit, dhe se do të përpiqet ta diskretitojë imazhin e saj në mesin e grave, duke vënë në dukje se si Klinton shmangej dhe u përpoq të diskreditonte gratë, të cilat e akuzonin presidentin Klinton për lidhjet e tij jashtëmartesore. Deri në muajin nëntor, Klinton në mënyrë të pashmangshme do të jetë shumë më e dobët nga sa është tani, dhe se për rrjedhojë ajo mund të humbasë shtetet blu si Nju Jorku. Është e vërtetë, kjo mund të ndodhë, por unë nuk do të vija bast për të.