Bajerni dhe Atletiko Madrid ritakohen pas një kohe shumë të gjatë, 42-vjeçare. Por, kujtimet dhe nostalgjia e sjell shumë afër vitin 1974 kur në finalen e Brukselit më 15 dhe 17 maj Bajerni triumfoi 5-1 kundër Atletikos, duke fituar kupën e parë të kampioneve.
Atletiko arrin për herë të dytë në gjysmëfinale në tri vitet e fundit dhe qëndron për herë të 5-të në këtë fazë gjatë historisë së saj. Bilanci është: dy fitore, dy humbje. Spanjollët nuk kanë humbur kurrë në gjysmëfinale në ndeshjet brenda fushe. Në katër takime, ata kanë fituar 3 dhe barazuar 1.
– Ekipi i Simeones ka humbur vetëm një nga shtatë duelet e fundit kundër ekipeve gjermane. Bilanci në “Kalderon” është: 11 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje. Miqtë e fundit nga Gjermania kanë qenë “Aspirinat” sezonin e kaluar. Atletiko fitoi 1-0.
– Këtë sezon spanjollët kanë humbur vetëm një herë në shtëpi (1-2 ndaj Benfikës), si dhe ka fituar 24 nga 29 ndeshjet e Kupave të Europës në “Kalderon”.
– Bajerni kualifikohet për herë të pestë radhazi në gjysmëfinale, nga të cilat tri herë ka shkuar në finale (2010, 2012, 2013).
– Në dy vitet e fundit bavarezët i kanë humbur dy transfertat në Spanjë në gjysmëfinale (0-1 në Madrid; 0-3 në Barcelonë). Në 12 transfertat e fundit në Spanjë ka arritur të fitojë 2 dhe humbur 8. Bilanci në tokë spanjolle është: 6 fitore, 5 barazime dhe 12 humbje. Dy transfertat e fundit në Champions Bajerni i mbylli në barazim 2-2 në Torino dhe Lisbonë.
– Bajerni i Guardiolës ka mundur të fitojë vetëm dy nga nëntë transfertat e fundit në Champions, si dhe ka humbur 4. Ndërsa në fazën me eliminim direkt (nga 1/8-at), Bajerni ka mundur të fitojë vetëm 1 nga 7 transfertat e fundit (4 barazime, 3 humbje).
– Është hera e 10-të që Bajerni përballet në gjysmëfinale kundër një ekipi spanjoll. Bilanci është: 7 fitore, 3 humbje.
Portieri më i mirë në botë, Manuel Nojer, ndihet krenar që zgjodhi të braktisë Shalken për të arritur suksese të mëdha. Gjatë një interviste për “Kicker”, gardiani i Bajernit kritikon fansat e Shalkes, vlerëson rekordmenët, si dhe kërcënon Atletiko Madridin. “Në pesë vite me Bajernin kam arritur gjithçka. Këtë sukses nuk do ta kisha parë në ëndërr po të isha te Shalke. Vërshëllimat e tifozëve në atë kohë e kanë marrë përgjigjen. Qëllimi im i ardhshëm është të përmbush kontratën dhe, më pas, do vendos në varësi të gjendjes shëndetësore”, u shpreh Nojer për të ardhmen, duke shtuar për ndeshjen ndaj Atletikos ditën e mërkurë. “Ne e kemi mësuar nga trajneri si të luajmë përballë një ekipi të fortifikuar në mbrojtje apo në një stadium si ‘Kalderon’. Do të jemi të përgatitur për çdo detaj. Është gjysmëfinalja ime e gjashtë radhazi në Champions dhe kjo tregon se kam eksperiencën e duhur për të shkuar të paktën në finale”, deklaroi Nojer.
Atletiko e pathyeshme
PSG, Salvatore Sirigu i bind të gjithë
Kanë mjaftuar vetëm disa paraqitje mbresëlënëse që portieri i skuadrës së Paris Saint Germain, Salvatore Sirigu, të rifitojë vendin e titullarit tek kampionët e Francës. Gardiani i parizienëve falë formës së tij të mirë duket se i ka bindur të gjithë. Madje, mediat franceze nuk kanë nguruar të thurin elozhe për të. Sezonin e kaluar, Sirigu u cilësua si fajtor për eliminimin e PSG nga Champions League dhe vendin e tij e mori Trapp, por duket se nuk ishte ai problemi i skuadrës. Mund të konsiderohet një fitore e Sirigut rikthimi sërish si titullar në formacionin e Laurent Blanc.
Mbështetja e tifozëve nuk i ka munguar në asnjë moment 29-vjeçarit. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur me portierin tjetër Trapp, ku në disa raste ka pasur dhe vërshëllima për shkak të gabimeve të rënda. 25-vjeçari gjerman erdhi me shumë bujë nga Eintrachti i Frankfurtit, duke u cilësuar si Manuel Neuer i ri, por në fakt nuk rezultoi kështu. Drejtuesit e klubit francez po mendojnë largimin e Trapp dhe në vend të tij të rikthejnë në shtëpi, portierin Areola, i cili është dhënë në formën e huazimit tek skuadra e Villarreal.
Milani rrezikon Europën
Ndaj Veronës ishte humbja e parë për Kristian Brokin në drejtimin e Milanit. Tekniku kuqezi ka marrë të gjitha përgjegjësitë për rezultatin dhe thotë se, kjo humbje tregon që skuadra duhet të punojë shumë. Ai pranon se të gjithë janë të zhgënjyer, por siguron se vendi i gjashtë nuk është në rrezik, sepse ka edhe 3 ndeshje në të cilat Milani duhet të fitojë. “Si trajner i skuadrës, më duhet të marr të gjitha përgjegjësitë për këtë humbje. Nuk luajtëm keq, por kjo humbje nuk na duhej. Është njëlloj sikur fik dritën. Kam folur me Galianin pas ndeshjes dhe ai ishte i zhgënjyer, por duhet të punojmë shumë për të ardhmen.
Europa? Nuk besoj se do ta rrezikojmë vendin e gjashtë. Kemi edhe 3 javë kampionat, ku na duhet të reagojmë dhe të fitojmë”, tha Broki. Ai vlerësoi Hondën si një nga lojtarët më të mirë të ndeshjes. “Bëri një ndeshje shumë të mirë, duke treguar kualitet dhe dëshirë. Nuk u shoqërua nga të gjithë lojtarët e tjerë, por jam i bindur se do të rikthehemi shumë shpejt në rrugën e duhur”, përfundoi trajneri i Milanit.
Kuqezinjtë e Milanit janë thyer në transfertë, duke iu larguar zonës në Ligën e Europës. Ekipi i Kristian Brokit humbi me rezultatin 1-2 ndaj Verona në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të të Serisë A.
Aktualisht, Milani ndodhet në kuotën e 53 pikëve, ndërsa Verona edhe me tri pikët e marra nuk mundet të dalë nga vendi i fundit, duke rrezikuar rënien nga kategoria. Fillimisht, fitorja e Milanit u duk e lehtë pas golit të avantazhit të realizuar nga Manez në minutën e 21′, por vendasit barazuan në pjesën e dytë me anë të 11-metërshit. Pacini barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 72′ dhe Luka Siligardi përmbysi rezultatin në minutat shtesë.
Leicester, drejt titullit pa Vardy
Trajnerit të skuadrës së Leicesterit, Claudio Ranieri do t’i duhet të luaj pa sulmuesin e tij Jamie Vardy në transfertën përballë Man.United, takim ky i cili në rast se “Dheplrat” arrin të marrin një fitore mund të nisin zyrtarisht festën e titullit kampion për herë të parë në historinë e këtij klubi. Vardy këtë sezon ka arritur të shënojë 22 gola por, tani atij do t’i duhet të qëndrojë larg fushës së blertë për shkak të pezullimit. Ndaj 29-vjeçarit është marrë masë disiplinore për shkak të kundërshtimit të vendimit të arbirtrit në takimin kundër skuadrës së West Ham.
Gjithashtu si masë ndëshkuese u vendos dhe një gjobë prej 13 mijë eurosh. Vardy kërkoi që të jepte shpjegime përpara trupës disiplonore për reagimin e tij, por një gjë e tillë nuk u pranua, pasi vendimi ishte dhënë. Gjithashtu, disiplina i vendosi një gjobë prej 20 mijë paundësh klubit të Leicester. Numri 9 do të mund të jetë në dispozicion të trajnerit Ranieri, në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Everton. Tekniku italian po mendon që ndeshjen me Manchester United në sulm të vendosi argjentinasin Ulloa, i cili në takim kundër Swansea arriti të shënojë një dygolësh. Pas barazimit që mori Tottenham ndaj West Bromwich, “Dhelprat” janë shumë afër titullit kampion në Premier League me distancen ndaj Spurs që është 7 pikë, kur mbeten edhe 3 ndeshje për t’u luajtur.
KLSH: Dëmi i shkaktuar nga tatimet e doganat, rritje me 14 herë më shumë
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka raportuar në Kuvend për një trend në rritje të dëmit ekonomik në sektorin e fiskut, sidomos tatime dhe dogana.
“Për vitin 2015, një dëm të konsiderueshëm kemi konstatuar në sektorin e tatimeve dhe doganave në rreth 13% të dëmit total të konstatuar, kundrejt 10% të dëmit të konstatuar në këtë sektor për vitin 2014 dhe 3% të konstatuar në vitin 2013”, referon KLSH në materialin për Kuvendin.
Po të analizojmë në vlerë trendin në rritje të dëmit në sektorin e tatimeve dhe doganave do të vërejmë një rritje me 14 herë krahasuar me shifrën e dëmit të konstatuar në vitin 2014, raporton KLSH. Kështu nga 1,220,319 mijë lekë të vitit 2014 konstatimet në këtë sektor kanë arritur në 16,854,733 mijë lekë në vitin 2015. Për vitin 2015, kemi rritje të konsiderueshme të vlerës së dëmit të konstatuar në fushën e prokurimeve publike krahasuar me vitin 2014.
Gjithashtu rritje ka pësuar edhe dëmi në prokurime arriti në 2,621,594 mijë lekë, krahasuar me 678,118 mijë lekë të konstatuar për vitin 2014 me një rritje 3.8 herë.
Por KLSH referon se, për vitin 2015 pjesa më e madhe e dëmit vjen kryesisht nga fusha e menaxhimit të pasurisë shtetërore, ku rezulton se është konstatuar rreth 84% e dëmit total në sektorin energjisë e sektorin e hidrokarbureve. Verifikimi i të njëjtit trend lidhur me dëmin në sektorin energjetik, tregon se ky sektor mbetet si sektor me risk dhe adreson domosdoshmërinë e një vëmendje të madhe mbi këto sektorë nevralgjik të ekonomisë. Për vitin 2014, dëmi në këtë sektor ishte në nivelin 79% të totalit të dëmit total të konstatuar, ndërsa në vitin 2013 po në këtë sektor dëmi ishte në rreth 92% të totalit të dëmit të konstatuar.
Pak ditë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka dërguar Kuvendit një shkresë, ku i sqaron se buxheti i shtetit për vitin 2015 ka pësuar një dëm ekonomik rreth 920 milionë euro ose 125.763.051 mijë lekë. Sipas raportit, dëmi ka si shkak parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera. Madje treguesi i mesatares së dëmit ekonomik në raport me buxhetin e shtetit është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2014, thuajse është dyfishuar. Buletini i katërt statistikor i vitit 2015 përmbledh rezultatet e të gjitha auditimeve të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë këtij viti.
Në këtë buletin përfshihen dëmi ekonomik i konstatuar, të ardhurat e munguara, masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, si edhe kallëzimet penale të përcjella në Prokurori, për auditimet e përfunduara. Nga auditimet e ushtruara gjatë kësaj periudhe janë konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 125,763,051 mijë lekësh (ose 919.91 milionë euro), si dhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 35,312,076 mijë lekësh (ose 257.7 milionë euro). Për parregullsitë dhe shkeljet financiare me dëm ekonomik në të ardhura dhe në shpenzimet e kryera, të pasqyruara në raportet e auditimit të evaduar gjatë kësaj periudhe, në shumën totale prej 125,763,051 mijë lekësh (ose 917.9 2 milionë euro), KLSH ka rekomanduar shpërblimin e dëmit të shkaktuar në shumën 58,703,079 mijë lekë (ose 428.4 milionë euro).
Nga verifikimi i zbatimit të këtij rekomandimi nga subjektet e audituara janë pranuar dhe kanë nisur procedurat ligjore për kërkimin e shpërblimit të dëmit në vlerën 37,743,113 mijë lekë (ose 275.4 milionë euro) dhe është duke u konsideruar sipas afateve ligjore për t’u zbatuar shpërblimi i dëmit në vlerën 19,780,820 mijë lekë (ose 144.3 milionë euro). Përsa i përket diferencës së dëmit ekonomik në vlerën 67,060,000 mijë lekë, shkaktuar nga Marrëveshja e Zgjidhjes me Mirëkuptim (“Settlement Agreement ose “Marrëveshja e Mirëkuptimit”) midis shtetit shqiptar dhe shoqërisë “CEZ” a.s. Çeki, KLSH i ka rekomanduar Kuvendit të Shqipërisë “ngritjen e një komisioni ad hoc të pavarur, me ekspertë teknikë dhe ekonomikë, të cilët do të vlerësonin realisht dhe me saktësi dëmin nga aktiviteti nën administrimin e CEZ a.s., si dhe do të përcaktonin mundësinë më të mirë për një rimëkëmbje të Operatorit të Shpërndarjes mbi baza të monitorimit të kujdesshëm të të gjithë treguesve për periudhën e tanishme, duke përcaktuar në çdo rast përgjegjësitë individuale dhe institucionale për të gjithë aktorët që lejuan këtë situatë, me të cilën financave publike u shtohet një dëm me efekte në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë.
123 milionë euro vjedhje nga tatimet e doganat
(Shkeljet me dëm ekonomik tek tatim taksat 92 milionë euro sipas raportit të KLSH për 2015)
– Ministria e Energjisë dhe Industrisë (koncesionet hidrokarburet), AKBN, në vlerën totale 11,503,500 mijë lekë, nga të cilat 316,000 mijë lekë, shmangie nga skema e TVSH, duke konsideruar në mënyrë të parregullt e të paargumentuar punime dhe shërbime të nënkontraktorëve si operacione hidrokarbure dhe 11,187,500 mijë lekë evazion fiskal nga mosdeklarimi i prodhimit të shtuar të naftës bruto pas përdorimit të holluesit (diesel 1 000 ppm) në shtresë.
– Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Barnave, Tiranë, në vlerën totale 72,103 mijë lekë, është vlera e përfituar në mënyrë të padrejtë si rimbursim nga dy kompani farmaceutike, si pasojë e diferencës midis çmimit/njësi të referencës nga lista e çmimeve për barnat e rimbursueshme dhe çmimit/njësi që duhej të tregtohej në fakt një medikament i caktuar.
(Në sektorin e doganave vlera e dëmit 31 milionë euro)
– Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe degët doganore, Durrës, Fier, Vlorë, Kakavijë, Qafë-Thanë e Bllatë (renta minerare), në vlerën totale prej 3,337,003 mijë lekësh, si detyrime doganore të papaguara, nga mosllogaritja dhe mosarkëtimi i rentës minerare për mineralet e eksportuara.
– Degët e doganave Lezhë dhe Shkodër, në vlerat respektive 13,130 mijë lekë dhe 24,165 mijë lekë, si detyrime doganore të papaguara në zhdoganimet e disa artikujve të ndryshëm dhe si detyrime e penalitete të pavendosura ndaj subjekteve që nuk kanë paguar TVSH.
– Dega e Doganës Tiranë, në vlerën 130,438 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes dhe mosarkëtim të detyrimeve doganore.
– Dega e Doganës Durrës, në vlerën 143 075 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes dhe mosarkëtim të detyrimeve doganore.
– Drejtoria e Përgjithshme e Doganave Tiranë, në vlerën 152,405 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjs së detyrimeve doganore dhe nga shkeljet e parregullta.
– Dega e Doganës Korçë, në vlerën 274,321 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes së vendosjes së penaliteteve dhe detyrimeve tatimore.
– Dega e Doganës Kapshticë, në vlerën 125,349 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes së vendosjes e penaliteteve dhe detyrimeve tatimore.
Watzke pranon shitjen e Hummels
Borussia e Dortmundit duket se e merr në konsideratë mundësinë për shitjen e Mats Hummels, por vetëm nëse oferta që mbërrin për të plotëson vlerën e duhur monetare të vendosur nga ekipi i Signal Iduna Park. Lajmin e konfirmon vetë shefi ekzekutiv i klubit Hans Joakim Watzke. 27 vjeçari Hummels është përfolur shumë gjatë këtyre kohëve të fundit për një largim të mundshëm nga verdhezinjtë, pasi për të duket se interesohen një sërë klubesh elitare, duke filluar që nga rivalët gjermanë të Bayern Munyh deri tek klubet e angleze të Premier të Ligës si Manchester City etj.
Watzke pohoi faktin se do të ishte e gabuar nga ana e Dortmundit të mos i lejonte Hummels mundësinë e largimit, nëse ai e dëshiron diçka të tillë, por njëherazi shtoi se klubi është i vendosur që të mos hedhë asnjë hap nëse ofertat e klubeve nuk do të përkojnë me çmimin e vendosur për kartonin e 27-vjeçarit.
“Duhet ta pranojmë se një lojtar, i cili luan për ekipin tonë prej tetë vitesh dhe që për pak do të mbushë 28 vjeç ka të drejtë që të bëjë zgjedhjen që dëshiron për të ardhmen e tij. Por nëse klubet që dëshirojnë të kenë shërbimet e tij nuk janë të gatshëm të paguajnë mjaftueshëm për të, atëherë mund të themi se, Hummels ka një kontratë me Dortmundin dhe nuk besoj se në një pozitë të tillë do ta kishte problem të vazhdonte të luante për ne”, u shpreh Watzke. Performanca e Hummels gjatë këtij sezoni ka qenë impresionuese, ndërkohë që kontrata e tij me Dortmund përfundon në 2017.
Ndërkohë, Arturo Vidal ka shprehur dëshirën për ta përfunduar karrierën tek Bayern Munich. Mesfushori kilian Arturo Vidal ka insistuar se është në skuadrën më të mirë në botë dhe se dëshiron të pensionohet në Bayern Munich.
Vida verën e kaluar u transferua nga Juventus, por ai ndjehet shumë i lumtur në Gjermani. “Faleminderit për gjithë mbështetjen, por tani jam në skuadrën më të mirë në botë. Shpresoj të mbetem këtu deri sa të pensionohem”, tha Vidal për ESPN. Për Vidalin, interesim kishte shprehur Chelsea, por ai mohon se do të largohet nga “Allianz Arena”.
Suksesi i rremë i OSHEE, ERE: Faturat e pambledhura u rritën me 14 milionë euro në 2015-ën
Borxhet e pambledhura të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë u rritën sërish vitin e kaluar, pavarësisht se qeveria dhe kompania e kanë trumbetuar reformën energjetike si suksesin e tyre më të madh. Përfundimi vjen nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvend. Viti 2015 shënoi kulmin e aksionit në sektorin energjetik. Qeveria angazhoi forcat e rendit për të ulur vjedhjet e energjisë dhe së bashku me Operatorin e Shpërndarjes miratuan një skemë, e cila u lejonte konsumatorëve të paguanin me këste faturat e prapambetura të viteve 2007-2014. Sipas skemës, çdo konsumatori debitor që do të lidhte marrëveshjen me OSHEE-n i falej deri në 80 për qind e kamatvonesës dhe i mundësohej pagesa e detyrimit të prapambetur me këste, për energjinë që kishte të papaguar nga vitet e kaluara. Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar, OSHEE grumbulloi 12.25 miliardë lekë nga faturat e prapambetura të periudhës 2007-2014. Por borxhi i pambledhur i kompanisë jo vetëm që nuk u ul, por u rrit. Arsyeja? OSHEE krijoi borxh të ri.
Shifrat
Edhe pse mblodhi 12.25 miliardë lekë borxhe të prapambetura, Enti Rregullator thotë se ndaj OSHEE u krijuan 13.29 miliardë lekë borxhe të reja. Kjo është energji që kompania e ka faturuar ndaj konsumatorëve, por nuk e ka arkëtuar. Në fund të vitit 2014, borxhet e konsumatorëve ndaj OSHEE ishin 66.86 miliarde lekë ose rreth 477 milionë euro. Pas zbatimit të skemës lehtësuese dhe aksionit të energjisë, në fund të 2015-ës shuma e borxheve ndaj OSHEE u rrit në 491 milionë euro. Kjo do të thotë se, pavarësisht aksionit të bujshëm dhe skemave lehtësuese, faturat e pambledhura të energjisë jo vetëm që nuk u ulën, por u rritën me 14 milionë euro gjatë vitit të kaluar. Shifrat e vitit 2015 zbehin suksesin e pretenduar të reformës dhe aksionit në sektorin energjetik. Me gjithë arkëtimet masive nga vitet e kaluara OSHEE nuk arriti të ulë malet e borxheve të pambledhura dhe kompania këtë vit nuk do të ketë luksin e skemave të tjera lehtësuese.
Titull i pabesueshëm
Buffon e ka nisur duke ndezur një puro, Pogba që bërtet si i çmendur, shampanja është hapur nën thirrjet; “jemi ne kampionët e Italisë”, për të bërë më pas një dush me pijen klasike të festimeve, i cili nuk ka kursyer as Massimiliano Alegrin, me lojtarët që më pas janë bashkuar me tifozët për të filluar celebrimet. Festa e titullit të pestë radhazi në Vinovo ka nisur menjëherë pas barazimit të Romës me Napolin.
Juventus është kampione e Italisë për të pestin vit radhazi. Feston titullin ndoshta më të veçantë, me bardhezinjtë që treguan se forca për të mos u dorëzuar kurrë është në ADN e kësaj skuadre. Ky është një titull vërtet fantastik e deri në kufitjtë e të pabesueshmes po të kujtosh nisjen e sezonit.
“Të flasësh për titullin tani nuk ka kuptim”, kështu deklaronte Alegri në 29 tetor të 2015, kur Juventus ishte mposhtur 1-0 nga Suassulo, klasifikimi shikonte Romën në krye me 23 pikë ndërsa Juventusi renditej në vendin e 12 me 12 pikë. Për një skuadër tjetër do të flitej për një sezon të çuar dëm, por jo për Juventusin.
Alegri fiksoi objektivin, në Krishtlindje duhej arritur me 4-5 pikë pas kreut, por Juventusi bëri akoma dhe më shumë, duke fituar 24 ndeshje në 25 të luajtura, një seri e jashtëzakonshme. E përkthyer në pikë, bëjnë 73 pikë në 75 të mundshme. Rekordet janë bërë për t’u thyer, por nuk është ilegjitime të mendosh se kjo është një seri e destinuar të mbetet e pashoqe për një kohë të gjatë. Një seri që i lejoi Juventusit të fitonte titullin 3 javë para fundit të kampionatit, pikërisht si në 2012 me Conten, titulli i parë një serie prej 5 titujsh radhazi në shtëpinë e Juventus, nuk ndodhte që nga vitet 30 që Juventusi të fitonte 5 tituj radhazi.
Në 25 javë kampionat, bardhezinjtë rikuperuan plot 25 pikë ndaj Romës dhe 21 ndaj Napolit, thjesht e pabesueshme.
Një arritje e firmosur nga Alegri, Buffon, Dybala, Mandzukiç, e Pogba, një manifestim i pastër Superioriteti, të paktën në Itali, Juventus ka bërë sërish historinë.
Të gjitha rrugët të çojnë në Romë, madje dhe ato të titullit të Serisë A, me Juventusin që u kurorëzua kampione pikërisht në qytetin e përjetshëm, falë golit të Naingolan në minutën e 89-të, që i dha fitoren verdhekuqve ndaj Napolit, duke dorëzuar dhe titullin në duart e bardhezinjve, që fitojnë titullin e 32-të dhe të pestin radhazi, si askush tjetër më parë. Napoli në fakt në “Olimpico” shpërdoroi shumë për të marrë fitoren, që thjesht do të kishte shtyrë festën juventine, pasi titulli gjithsesi ishte një çështje e mbyllur.
Roma, që luajti një ndeshje përgjithësisht të kujdesshme, pati një mundësi që në minutën e parë me Salah, ndërsa pjesa tjetër e fraksionit ishte e tëra për Napolin. Jugorëve madje iu anullua dhe një gol në minutën e 26-të. Në pjesën e dytë Napoli gjithashtu krijoi shumë, dhe iu afrua golit dhe në minutat 65-të dhe 73-të me Mertens dhe Higuain, por pa mundur dot të dërgojë topin në rrjetë, gjë që bëri Naingolan pikërisht 1 minut para fundit, duke i dhënë dhe titullin kampion Juventusit.
Maradona, sulm ndaj Juventusit dhe Contes
Kur flet Diego Armando Maradona, të gjithë duhet ta dëgjojnë. El Pibe De Oro shigjeton pa frena Juventusin e saposhpallur kampion dhe Antonio Conten, por lëshon edhe disa “perla” për Napolin, skuadrën me të cilën ka shkruar historinë në futbollin italian. “Juvja e meriton titullin, sepse ka zhvilluar shumë ndeshje pa lënë pikë rrugës. Më duhet ta pranoj që ka fituar edhe me këllqe. Bardhezinjtë godisnin 2 herë drejt portës dhe shënonin 4 gola. Në momentet më të vështira, Juvja ka ditur t’i zgjidhë problemet. Bleu lojtarë, gjë që nuk e bëri Napoli. Sarri nuk kishte organikën e Alegrit, kjo është e vërteta”, u shpreh Maradona.
Por Maradona, nuk ka vetëm vlerësime pozitive për Juventusin, pasi sipas tij, bardhezinjtë ndihmohen edhe nga Federata Italianë e Futbollit. “Juvja ka lojtarë fenomenalë edhe në federatë dhe në sektorin e arbitrave. Kjo nuk është risi. Çfarëdo problemi që mund të ketë në fushë një lojtar i Juventusit, ai gjithmonë ka të drejtë. De Laurentiisit i këshilloj të vendosë lojtarët e tij në federatë, në mënyrë që ta respektojnë sikurse ka ndodhur me drejtues të tjerë të Napolit në të kaluarën. Vetëm në këtë mënyrë, Napoli do të ketë forcën e Juventusit. Goli që iu anulua Fiorentinës ishte një skandal. Dhe kjo ndodhi vetëm se përballë ishte fanella e Juves. Nëse Napoli nuk do të ishte në garë për titullin, Higuain do të dënohej vetëm një ose gjysmë ndeshjeje”, tha ai.
Maradona ka diçka edhe për Antonio Conten, trajnerin e ardhshëm të Chelseat. “Historia e Contes më duket një turp. Eshtë e shëmtuar që trajneri i kombëtares italiane, që ka një prestigj të pabesueshëm në tërë botën, shkon e firmos me Chelsean”, përfundoi Maradona.
“Çmendet” Ibra: 100 milionë në sezon për të luajtur në Kinë
Kina nuk heq dorë nga Zlatan Ibrahimoviç. Sulmuesi suedez, kontrata e të cilit me Paris Saint-Germain skadon në qershor, ua ka bërë të qartë kushtet e tij skuadrave që interesohen për të. 34-vjeçari kërkon 100 milionë euro në sezon për t’u transferuar në kampionatin kinez. Vetëm gjatë merkatos së janarit klubet e Superligës së Kinës shpenzuan plot 366 milionë euro, duke afruar lojtarë që luanin në Europë. Mirëpo në Kinë nuk kanë ndërmend të ndalen, kërkojnë Ibrën për të bërë goditjen e madhe. Sulmi ndaj Zlatan ka nisur me mbështetjen e Partisë Komunistë, pasi imazhi i gjigantit suedez do të kishte një impakt të menjëhershëm në futbollin kinez, ku luajnë gjithashtu emra të rëndësishëm si Lavezzi, Ramires, Gervinho, Guarin, Jackson Martinez e Alex Teixeira.