20.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

91.6 milionë dollarë shpenzime luksi më 2015

PD pritet të denoncojë të dhëna të tjera sot që implikojnë qeverinë në afera me tendera e koncesione. Në një reagim të shkurtër në Facebook, kreu i PD, Basha thekson se vetëm për luks, qeveria ka shpenzuar rreth 91 milionë dollarë.
“Ekonomia në krizë, papunësia rritet çdo muaj, borxhi në shifra alarmante, asnjë investim publik, asnjë rrugë, asnjë shkollë, s’ka rritje pensionesh e rrogash. Mesatarisht 2 mln lekë për familje u janë vjedhur shqiptarëve nga oligarkia Rama në vitin 2015. 91.6 milionë dollarë të shqiptarëve janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi, bileta avionësh, për luks. Me këto para do të ishin hapur 12 mijë vende pune në vit me paga 500 dollarë në muaj, ose do ju ishte paguar ndihmë e plotë ekonomike 94 mijë familjeve në nevojë, ose do të ishin ndërtuar dhe mobiluar 38 shkolla të reja. Sa i përket investimeve të huaja, tenderave dhe koncesioneve, nesër në ora 12 fakte të reja tronditëse drejtpërdrejt në media”.
Shpenzimet luksoze të qeverisë janë të faktuara edhe në raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili për vitin 2015 ka nxjerrë një numër të pafund shkeljesh të cilat kanë të bëjnë me afera, skandale dhe vjedhje të qeverisë përmes tenderave, koncesioneve e fondeve abuzive.
Vetëm pak kohë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka dërguar Kuvendit një shkresë, ku i sqaron se buxheti i shtetit për vitin 2015 ka pësuar një dëm ekonomik rreth 920 milionë euro ose 125.763.051 mijë lekë. Sipas raportit, dëmi ka si shkak parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera. Madje treguesi i mesatares së dëmit ekonomik në raport me buxhetin e shtetit është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2014, thuajse është dyfishuar. Buletini i katërt statistikor i vitit 2015 përmbledh rezultatet e të gjitha auditimeve të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë këtij viti. Në këtë buletin përfshihen dëmi ekonomik i konstatuar, të ardhurat e munguara, masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, si edhe kallëzimet penale të përcjella në Prokurori, për auditimet e përfunduara.
Nga auditimet e ushtruara gjatë kësaj periudhe janë konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 125,763,051 mijë lekësh (ose 919.91 milionë euro), si dhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 35,312,076 mijë lekësh (ose 257.7 milionë euro). Për parregullsitë dhe shkeljet financiare me dëm ekonomik në të ardhura dhe në shpenzimet e kryera, të pasqyruara në raportet e auditimit të evaduar gjatë kësaj periudhe, në shumën totale prej 125,763,051 mijë lekësh (ose 917.9 2 milionë euro), KLSH ka rekomanduar shpërblimin e dëmit të shkaktuar në shumën 58,703,079 mijë lekë (ose 428.4 milionë euro). Nga verifikimi i zbatimit të këtij rekomandimi nga subjektet e audituara janë pranuar dhe kanë nisur procedurat ligjore për kërkimin e shpërblimit të dëmit në vlerën 37,743,113 mijë lekë (ose 275.4 milionë euro) dhe është duke u konsideruar sipas afateve ligjore për t’u zbatuar shpërblimi i dëmit në vlerën 19,780,820 mijë lekë (ose 144.3 milionë euro).

Denoncim për ortakët e rinj të Shullazit për karburantin

Një tjetër denoncim ka mbërritur për lidhjet e  Shullazit me drejtues dhe fusnkionarë të PS. Sipas një të riu pas një tjetër prone të Shullazit në një pikë karburanti pranë Pallatit me shigejta në Tairanë qëndroin edhe ish deputeti i PS, Duraku si dhe drejtuenjë të riu në përpjekje për ta përzënë nga shtëpia.
Denoncimi është postuar dje nga ish-kryeministri Berisha, i cili thekson se përmes asaj që deklaron qytetarja dëshmohet ortakëria kriminale të ish-deputetit të PS Shyqyri Durakut dhe lehtësirat e drejtorit të OSHEE Ardian Çelës me Emiliano Shullazin dhe bandën e tij.
“Zoti Sali Berisha përshëndetje unë jam një qytetare e Tiranës desha me ju tregu një të vërtetë në lidhje me një pronë tek Shkolla Teknologjike përballë pallatit me Shigjeta, te ajo pronë u ndërtua nje karburany Velija, i cili është marrë me dhumë nga Emiljano Shullazi me gjithë Shyqyri Durakun aty te ajo pronë janë bo disa probleme si dhe i kanë vënë tritol dhe një plagosje aty ka dorë Emiljano dhe Shyqo Duraku. Atë pronë e kanë pas ato romët me letra shumë të rregulla po siç dihet Mili me Shyqon ja kanë marrë me forcë të rishikohet dhe në Gjykatë dhe në Hipotekë, sepse aty kanë bërë shumë falcifikime dokumentash dhe desha me të thënë atë çertifikatë që kanë dërguar para ca ditësh nuk është e saktë”.
Në një tjetër denoncim të postuar po nga ish kryeministri Berisha thuhet:
“Doktor përshëndetje. Jam një punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të OSHEE me detyrë specialist. Dua të të informoj se vila e Emiljano Shullazit furnizohet me dy linja në mënyrë që në rast avarie ose difekti, ai mer energji nga një linjë e dytë. Sigurisht 2000 metra kabëll që duheshin për linjën e re u pagua nga taksat tona”.

Intervista, si e plagosi banda  e Shullazit të riun tek karburanti

Patë ndonjë gjë të dyshimtë atë natë?
Jo. Nuk është se vura re ndonjë gjë të dyshimtë atë natë. Në rrugë lëviznin shumë njerëz pasi ishte herët. Në momentet që autori i ngjarjes më sulmoi, isha me kurriz. Ai e shfrytëzoi këtë shans dhe u afrua në një distancë shumë të afërt duke më qëlluar disa herë. Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe nuk pata kohë që të mendoja se personi i cili u shfaq pranë objektit, kishte ardhur që të më qëllonte mua.

Çfarë menduat në momentet që u sulmuat?
Kur ai më qëlloi për herë të parë, e vetmja gjë që mendova ishte të shpëtoja. Gjatë këtyre sekondave unë lëvizja, për t’u shpëtuar plumbave. Fakti që jam gjallë, është se lëviza. Ai personi ishte shumë afër meje dhe nëse nuk do të kisha bërë një gjë të tillë, plumbat mund të më kishin prekur në kokë.

Jeni në gjendje që ta identifikoni autorin?
Jo. Unë nuk arrita që të fiksoj asgjë prej tij. Nuk pata kohë që ta identifikoj. Isha i tmerruar dhe kërkoja shpëtim. Nuk jam në gjendje që ta ndihmoj policinë dhe nuk kam kujt t’ia vë gishtin. Ishte errësirë dhe çdo gjë ndodhi shumë shpejt. Jam shumë i tronditur dhe nuk jam në gjendje që të kujtoj shumë gjëra nga ajo natë.

Kërkuat ndihmë, por askush nuk ua dha. Keni ndonjë koment?
Unë nuk i fajësoj ata njerëz. Ata kanë qenë të tmerruar për atë që po u shihnin sytë. Askush nuk guxonte të rrezikonte jetën. Njerëzit mund të mendonin se personi që më qëlloi ishte aty dhe mund të rikthehej për të vrarë kalimtarët. Pavarësisht kësaj unë përpiqesha gjatë gjithë kohës, për të kërkuar ndihmë. Prej plumbave që mora, po më dilte shumë gjak. Pas njëfarë kohe, më është afruar fqinja ime për të më dhënë ndihmë. Pas kësaj erdhi policia dhe me makinën e tyre më çuan në spital.

Atë natë i thoshe familjes Rushiti që të mos dilte te dera. Për se e bënit këtë?
Unë kisha frikë për jetën e tyre, ndonëse kisha shumë nevojë për ndihmë. U thosha që të mos dilnin sepse mendoja se autori i krimit mund të ishte i shoqëruar nga persona të tjerë të armatosur dhe mund të ktheheshin për të vrarë njerëzit që jetonin në banesën e Selvies. Ndonëse mbeta i plagosur, të tjerët nuk kishin arsye që të lëndoheshin.

Policia fiku kamerat pas vrasjeve të deputetit të PS

Kamerat e komisariatit të Laçit ishin të fikura në momentin që deputeti i PS, Armando Prenga plagosi me pistoletë dy vëllezërit Cali. “Dikush në komisariat kishte hequr spinën e pajisjeve regjistruese”, deklaroi para trupit gjykues në Gjykatën e Lartë Rasim Breçaj, personi përgjegjës për kamerat e sigurisë në Komisariatin e Laçit.
Breçaj tha se kamerat e komisariatit, në momentin kur ndodhi përplasja me armë, ishin të fikura dhe askush nuk e kishte njoftuar për këtë. Ai tha se, kur kishte pyetur policët pse ishin të fikura kamerat, ata i kishin thënë se nuk punojnë, por vetë ai ka konstatuar se ishte hequr priza dhe jo të prishura. “Unë jam vënë në dijeni 5 ditë pas ngjarjes dhe pas verifikimit vura re që sistemi nuk ishte prishur, por i ishte hequr spina”, tha Breçaj.
Dëshmitari ka treguar më tej se, Komisariati ka tre kamera, dy në pjesën e pasme dhe një në pjesën e portës hyrëse. Ato, sipas tij, janë të teknologjisë bardh e zi janë instaluar në vitin 2000 dhe regjistrojnë me një kasetë, e cila çdo muaj zëvendësohet me 960 orë filmime, dhe më pas ruhet në arkiv. Breçaj tha se askush nuk e kishte njoftuar nga salla operative Kurbin se kamerat nuk punonin.
Në seancën gjyqësore ndaj Armando Prengës ka dëshmuar dje edhe efektivi i sallës operative, Bujar Hadëraj. Ai ka treguar se Gjok Cali kishte telefonuar rreth orës 23:40 ku i kishte thënë se deputeti Aramando Prenga e kishte goditur me qytën e pistoletës. Sipas dëshmitarit, Cali ishte shoqëruar për t’u marrë në pyetje në komisariat dhe në atë moment jashtë ishin dëgjuar të shtëna armësh. “Cali u soll në komisariat, më pas u dëgjuan të shtëna. Cali ishte në zyrën time, kur u dëgjuan të shtënat”, tha efektivi.
Seanca e radhës për çështjen “Prenga” do të zhvillohet në 16 maj ku do të dëshmojnë efektivët e tjerë. Deri tani shefat e komisariatit dhe efektivët e policisë kanë dëshmuar në favor të deputetit socialist Armando Prenga. Ai është i lirë, ndërkohë që personat që mbetën të plagosur mbahen të izoluar në qeli.
Ngjarja për të cilën akuzohet deputeti i PS ndodhi më 4 shtator të vitit të kaluar në ambientet e Komisariatit të Kurbinit, ku dy vëllezërit Cali kishin shkuar për të paditur Prengën për plagosje dhe kërcënim me armë në Lagunën e Patokut. Ndërsa dy vëllezërit Cali ndodheshin në Komisariat për të bërë denoncimin, Prenga ka hyrë aty dhe ka plagosur me pistoletën pa leje, dy peshkatarët e familjes Cali dhe ka kanosur pjesëtarët e tjerë të familjes.
Sipas dëshmitarëve, Nikoll Cali dhe vëllai i tij, Gjon Cali thanë se, policët i kishin prerë në besë, pasi u plagosën në Komisariat nga deputeti Prenga. Kjo sepse plagosja ndodhi në praninë e policisë.
Sipas akuzës, deputeti i pandehur Prenga është konfliktuar me peshkatarët e familjes Cali për licencën e peshkimit, që më pas ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit. Prokurorët thanë se ka qenë deputeti Prenga që ka nisur konfliktin me një nga të rinjtë e familjes Cali në Lagunën e Patokut.

R.POLISI

Milionat e konçesioneve, thirret në Prokurori zëvendësi i Ilir Beqjes

Prokuroria ka thirrur për të dëshmuar në lidhje me konçesionet gjashtë anëtarët e Komisionit të Tenderave në Ministrinë e Shëndetësisë, mes të cilëve edhe zv/ministrin, Klodian Rrjepaj. Pyetja e tyre do të bëhet pas hetimit të nisur kryesisht nga Prokuroria në lidhje me proçedurat dhe dhënies me konçesion të disa shërbimeve. Prokuroria do të nisë javën që vjen marrjen në pyetje të zyrtarëve të Komisionit të Tenderave në Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me konçesionet disa milionëshe të dhëna nga kjo ministri për disa shërbime.
Hetimi për konçesionet në shëndetësi është nisur me iniciativë të Prokurorisë nga Njësia Task-Forcë e Prokurorisë së Tiranës. Në hetim janë marrë konçesioni për hemodializën me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë si dhe konçesioni i check up-it falas. Mësohet se, organi i akuzës u ka dërguar fletë-thirje për t’u paraqitur dhe dhënë sqarime në lidhje me tenderat dhe mënyrën e përzgjedhjes së fituesit gjashtë zyrtarë, anëtarë të Komisionit të Ofertave, mes të cilëve edhe zëvendës/ministri Klodian Rrjepaj në cilësinë e kryetarit të Komisionit si dhe Arben Gjata, Genc Byrazeri, Petro Mersini në cilësinë e anëtarëve.
Hetimi ka nisur tre muaj më parë. Filimisht organi i akuzës ka sekuestruar dhe verifikuar dokumentacionin e nevojshëm në lidhje me proçedurat komplekse të dhënies me konçesion të shërbimeve publike dhe më pas ka vijuar me marrjen në pyetje të personave që kanë dijeni për çështjen.
Konçesionet multimilionëshe të shërbimeve mjekësore e kanë vendosur ministrin Beqaj në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kanë qenë përfituese të tyre.

Bashkia Kamëz: Rama i vetmi kryeministër që i bën presion drejtësisë

Bashkia Kamëz reagoi dje ndaj kryeministrit Rama, i cili në një status në Facebook e quan “farsë” procesin gjyqësor që i dha pafajësinë kreut ët Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu. Në një njoftim për shtyp të Bashkisë Kamëz thuhet se, Edi Rama është i vetmi kryeministër që ka guxuar dhe vazhdon t’i bëjë presion drejtësisë, madje duke telefonuar dhe kërcënuar hapur me prerje këmbësh si në rastin e gjykatëses së Krujës. “Kryeministri i një bande në pushtet e quan farsë procesin, por kujtojmë që ai dhe shpura e tij në PS kanë bërë disa herë deklarata publike si presion ndaj drejtësisë për të ndikuar në dhënien e vendimit të Gjykatës ndaj kreut të Bashkisë Kamëz.
Të premten ranë akuzat politike ndaj Xhelal Mziut në Apel, pavarësisht nga presioni mbi drejtësinë; nga montimi i një procesi farsë deri tek deklarimet e Ramës në takimet elektorale të PS-së se Xhelal Mziu do të ishte ose në shtëpi, ose në burg pas 21 qershorit. Presioni më i fundit ishte i Saimir Tahirit më 21 prill (një ditë para dhënies së vendimit të Apelit) nga Komisariati Nr.5 Kamëz”, thuhet në njoftimin për shtyp të Bashksië Kamëz.
Më tej thuhet se, Drejtësia më në fund konfirmoi qartë se, akuzat kanë qenë të ndikuara hapur politikisht. Pas të gjitha sulmeve ndaj kryebashkiakut të Kamzës ishte Rama. Në zgjedhjet e vitit 2015, Rama dhe shpura i tij morën përgjigjen më të mirë nga qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit, duke votëbesuar bindshëm për herë të tretë Xhelal Mziun si kryebashkiak të Kamzës.
Tre ditë më parë Gjykata e Apelit në Tiranë shpalli të pafajshëm kryetarin e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, duke rrëzuar akuzat politike. Pas shumë peripecish dhe presoni të hapur ndaj organeve të drejtësisë nga ana e mazhorancës, Gjykata e Apelit ka vendosur pushimin e çështjes dhe shpalljen e pafajshëm të kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu dhe dy vartësve të tij, drejtorit Juridik Atli Hoti dhe drejtorit të Tatim-Taksave, Bujar Loshi. Relatori i Kolegjit Penal në Gjykatën e Apelit, Lefter Jahja, ka rrëzuar jo vetëm vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë, që e dënonte Mziun me 2 vite burgim për akuzën e shpërdorimit të detyrës, por në vendimin e pushimit të çështjes nga ana juridike lë të kuptohet se hetimet ndaj Mziut nuk duhej të kishin filluar ose nuk duhej të kishin vazhduar.

Si po vidhen kontributet e emigrantëve shqiptarë

Emigranti dixhital denoncon vjedhjen e madhe që i’u bën qeveria emigrantëve shqiptarë. “Përshëndetje z. Berisha. Vjedhja dhe korrupsioni më i madh që historia ka parë është vjedhja e kontributeve të emigrantëve nga të dyja palët, Itali e Shqipëri, ju vidhen kompensimet, invaliditetet, dritat, uji, u merret taksa për televizionin edhe pse prej vitesh emigranti nuk është në shtëpi, spekulohet në mënyrë të paskrupullt mbi kamatat e dritave për t’i kthyer në debitorë të pamundur të paguajnë kamatat dhe debitë për t’i çuar drejt fatkeqësisë së marrjes së shtëpisë, vjedhjes së shtëpisë. Vjedhjes së të drejtave ekonomike të emigrantëve dhe fashës së pambrojtur, duke u krijuar dopio identitet për t’i marrë në emër të tij gjithçka që i takon, sidomos dëmshpërblimet e ish-të përndjekurve politikë dhe jo vetëm kaq, por paguhen edhe njerëz për të ndjekur, persekutuar dhe denigruar personin që e kanë vjedhur për ta izoluar dhe eliminuar moralisht, fizikisht, mentalisht dhe ekonomikisht, duke patur mbështetjen e politikanëve të korruptuar që e lenë në heshtje dhe pa zë, pa të drejtë dhe pa liri”.

Rama dhe Tahiri nuk reaguan për Shullazin pas kërkesës së Rektorit

Profesori Dhori Kule ka deklaruar në Prokurori se ka takuar ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për kërcënimet që i janë bërë nga Emiljano Shullazi. Burimet bëjnë të ditur se, Profesor Kule ka deklaruar para hetuesve se është kërcënuar nga disa persona, kërcënim për të cilin ai ka pranuar në Prokurori se e ka vënë në dijeni edhe kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit, ka njoftuar ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, i cili së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Haki Çako dhe drejtorin e Policisë Tiranë, Ervin Hodaj kanë takuar 1 orë para se ish-kryeministri Berisha të dalë publikisht e ta denoncojë këtë fakt. Në deklarime, Profesor Kule thotë se gjatë bisedës, ministri Tahiri i ka premtuar se do ta zgjidhë këtë kërcënim. Por pa dhënë shpjegime, se si do të ishte zgjidhja, ligjore apo private me të dyshuarin që u arrestua 11 orë pas këtij takimi me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda.
Në Laboratorin e Policisë Shkencore janë dërguar edhe pamjet e hotelit të njohur në vend, në oborrin e të cilit Profesor Dhori Kule është kërcënuar nga Shullazi. Sipas këtyre pamjeve, Profesor Kule duket që takon disa persona, por nuk mund të identifikohen me sy të lirë se kush janë ata.
Bëhet e ditur se Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore rreth 30 kamera të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga biznese e rrugë të ndryshme në Tiranë. Në mesin e këtyre pamjeve, mësohet se janë pamjet e kamerave të siguruisë së hyrje-daljeve të kryeqytetit, kamera e bashkisë që ndodhen në kryqëzime dhe rrugë kryesore, kamera të policisë si dhe bizneset e ndryshme. Sipas Prokurorisë, nuk janë gjetur kamera sigurie në momentin e kërcënimit dhe dhunimit të Profesor Mynyr Koni.
Prokuoria për Krime të Rënda bëri të ditur se do të vazhdojë hetimet për akuzën e “gjobëvënies” për Emiljano Shullazin, pavarësisht se biznesmenët e kërcënuar nuk pranuan të bëjnë kallëzime penale. ABC News ka mësuar se hetimet ndaj Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtar të “bandës” së tij, do të vazhdojnë edhe pse deri më tani, biznesmenët nuk kanë pranuar se janë gjobitur. Burimet thonë, se për momentin Prokuroria nuk po merret me pyetjen e këtyre biznesmenëve, pasi po punohet në rrugë operative që të provohet kontakti i tyre me bandën e Shullazit dhe personave ndërmjetës.
Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazi, thonë burimet nuk është vepër penale që personi mund të heqë dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të Prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.
Sa i përket informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror, burimet thonë se ata nuk mund të përdoren si prova materiale në fashikullin e hetimit. Por si informacion që përdoren nga agjentët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore për të shkuar te prova materiale. Për këtë fakt, burimet sqarojnë se që nga shkurti Prokuroria ka punuar në mbledhjen e provave për të provuar gjobëvëniet e Shullazit ndaj biznesmenëve. Përveç kësaj, hetuesit thonë se para hetuesve ende asnjë nga dëshmitarët e pyetur nuk ka mohuar atë se çfarë ka deklaruar në fazën e hetimit paraprak, duke ju referuar edhe deklarimeve në media të noterit M. Prifti.

Një tjetër institucion qeveritar vihet në mbrojtje të Shullazit

Emiljano Shullazi u arrestua me urdhër të Prokurorisë për kërcënimin me jetë ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, si dhe për gjobëvënie ndaj bizneseve. Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Shullazin dhe dy anëtarë të bandës së tij. Opozita ka denoncuar disa herë lidhjet e Emiljano Shullazit me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe me kryeministrin Edi Rama. Emiljano Shullazi u  shoqërua në polici pas denoncimit të ish-kryeministrit Sali Berisha për kërcënimin e kandidatit për rektor në UT, Mynyr Koni. Pas shoqërimit, Prokuroria nxori fletë-arrestin për Shullazin.
Një javë pas arrestimit të tij, një institucion tjetër mjaft i rëndësishëm, i cili ka për detyrë të hetojë pastrimin e pasurive ka lënë jashtë vëmendjes Shullazin. Bëhet fjalë për Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Ky institucion, heton edhe personat e dyshuar që janë të përfshirë në organizata kriminale përmes të cilave përvetësojnë pasuri në vlerë monetare apo prona të paluajtshme në kundërshtim me ligjin.
Në fakt, Emiljano Shullazi deklaroi në Gjykatë gjatë dhënies së masës së sigurisë se është një person i papunë dhe pa asnjë të ardhur, por pas arrestimit dolën në shesh pasuritë e tij, të cilat dyshohet se janë vënë në kundërshtim me ligjin. Nga “Pastrimi i Pasurive” nuk ka pasur asnjë hetim për pasurinë e Shullazit edhe pse për rastin në fjalë nuk duhet ndonjë hetim i thelluar për të zbuluar të vërtetën.
Si mundet një person që nuk është i punësuar, nuk ka biznese dhe të ardhura legale, regjistron prona dhe pasuri, nuk është hetuar asnjëherë nga institucioni përgjegjës për hetimin në këtë fushë? “Pastrimi i Parave” nuk e ka hetuar Shullazin në kohën kur në krye të këtij institucioni ishte Genti Gazheli, por as pasardhësi i tij, Alket Hyseni, nuk e ka bërë diçka të tillë. Gazheli, njihet si njeri i kryeministrit Rama, i cili më parë merrej me financat e PS-së, ndërsa tani është ambasador i Shqipërisë në Turqi. Ai mund ta ketë anashkaluar së bashku me pasardhësin, Alket Hyseni hetimin ndaj Shullazit.
Mungesa e hetimit ndaj pasurisë së Emiljano Shullazit ngre hije të forta dyshimi se, institucionet shtetërore kanë heshtur qëllimisht ndaj hetimit të pasurive të kapobandës. Është bërë një vesh shurdh dhe një sy qorr, nga frika apo me urdhër politik këtë duhet ta zbardhë Prokuroria. Kemi një fakt kokëfortë, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave nuk e ka hetuar asnjëherë Shullazin.

Dosja “Shullazi”, kamera pranë rektoratit nuk ka qenë funksionale

Prokuroria për Krimet e Rënda, që po heton dosjen “Shullazi”, ka urdhëruar sekuestrimin e një numri të madh kamerash sigurie në Tiranë. Të gjitha këto filmime janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore, ku do të këqyren nga ekspertët. Kjo do të shërbejë për të identifikuar momentet, kur është kërcënuar rektori aktual i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, në rrugën “Fortuzi”, aty ku banon.
Nga ajo çfarë kanë parë prokurorët në këtë moment duken disa makina dhe Profesor Koni. Por nuk dallohen personat e tjerë. Për këtë është urdhëruar edhe sekuestrimi i kamerave të disa bizneseve private. Gjithashtu në laboratorin e policisë ndodhen dhe filmimet e disa kamerave pranë rektoratit në Sheshin “Nënë Tereza”, aty ku u kërcënua ish-rektori.
Ndërkohë, një kamera në këtë zonë, e cila ka pasur pozicion të mirë me vendin ku është bërë kërcënimi nuk ka qenë funksionale. Ekspertët do të krahasojnë automjetet në të dyja vendngjarjet, për të parë nëse janë të njëjtat automjete. Në të njëjtën kohë, hetuesit vazhdojnë veprimet për të dokumetuar akuzat e ngritura ndaj Emilajno Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi. Do të deponojnë disa dhjetëra persona në lidhje me këtë ngjarje, të gjitha ata që janë përmendur në përgjimet e SHISH.

Manovrat për regjistrimin e hotel “Vollgës” në pronësi të Shullazit

Hetimi i nisur nga prokuroria e Durrësit për pronësinë e ish-hotel “Vollgës” ka zbuluar shkelje të shumta që dyshohet se janë kryer jo vetëm nga trupi gjykues, por edhe nga administrata e gjykatës. Në dosjen e prokurorisë detajohet historia e pronësisë së Vollgës, e cila nis në vitin 1993, kur u njihet e drejta e pronësisë, trashëgimtarëve të familjes Fortuzi.
Që prej asaj kohe, kjo çështje është endur dyerve të gjykatave deri në vitin 2014, kur një pjesë e saj i është dhuruar Emiljano Shullazit, tashmë i arrestuar për gjobëvënie. Por krahas gjykimit të çështjes në shkallët e tjera të gjyqësorit, Gjykata e Durrësit ka vendosur që prona të regjistrohet në emër të kompanisë “Saudit Brothers Commercial”.
Ky vendim është konsideruar si shkelje nga prokuroria, e cila ka nisur një hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj tre gjyqtarëve. Njëri prej tyre tha se gjykata nuk ka bërë asnjë shkelje, por ka korrigjuar një gabim të bërë nga Zyra e Regjistrimit, duke urdhëruar regjistrimin e pronës. Kjo çështje tashmë po hetohet nga prokuroria, e cila gjatë verifikimeve të para për këtë çështje ka konstatuar parregullsi edhe nga administrata gjyqësore.
Sipas prokurorisë, kancelarja dhe kryesekretarja e gjykatës i kanë vendosur vulën e formës së prerë vendimit, edhe pse çështja ishte duke u gjykuar në Apel dhe më pas në Gjykatën e Lartë.
“Konstatohet se vendimi me nr. 449, datë 18.2.2013 është konsideruar se ka marrë formë të prerë sipas vulës së vendosur nga administrata, konkretisht nga kryesekretarja shtetasja A. K. dhe kancelarja A. V. më datë 18.3.2013”, thotë prokuroria.
Pra, vula e formës së prerë i është vënë vendimit për regjistrimin e pronës, një muaj pasi ai është marrë nga gjykata. Por ndërkohë, rezulton se ndaj këtij vendimi është bërë ankim nga shtetasi Zanmir Hasa, më datë 8.3.2013 dhe njoftimi i fundit për palën e paditur, Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive Durrës, është bërë më datë 19.3.2013.
“Ankimi i shtetasit Zanmir Hasa është kundërshtuar nga shoqëria ‘Saudit Brothers Commercial Company’ më datë 25.3.2013 dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr. 09, datë 28.3.2013 ka vendosur mospranimin e ankimit të ankuesit Zanmir Hasa. Ky vendim është ankimuar dhe Gjykata e Apelit me vendimin nr.3, datë 16.1.2015 ka vendosur ndryshimin e vendimit nr. 09, datë 28.3.2013, duke rrëzuar kërkesën e kërkuesit “Saudit Brothers Commercial Company”, thotë prokuroria.
Ndërsa çështja vijonte të ishte në shqyrtim nga gjykatat më të larta, vendimi i shkallës së parë ishte vulosur si i formës së prerë dhe i ishte dërguar Hipotekës për ekzekutim. Prokuroria thotë se pas rrëzimit të kërkesës, shoqëria “Saudit Brothers Commercial” më datë 26.1.2015 ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Në pritje të kësaj vendimmarrjeje, dosja e vendimit nr. 449, datë 18.2.2013 nuk është dërguar në Gjykatën e Apelit, ku do të shqyrtohej ankimi i shtetasit Zanmir Hasa, i cili kundërshtonte vendimin që urdhëronte Hipotekën e Durrësit të regjistronte pronën.

R.POLISI

Ministrja britanike: Shqipëria, probleme me krimin, korrupsionin e terrorizmin

Ministrja e Brendshme britanike, Theresa May mbajti një fjalim këtë të hënë, duke vënë në dyshim nëse vendi i saj duhet të lejojë që Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia t’i bashkohen BE-së. May ka mbështetur idenë se, “këto janë vende me varfëri të madhe dhe probleme serioze me krimin e organizuar, korrupsionin dhe për më shumë edhe me terrorizmin”.
“Duhet të pyesim nëse është vërtet e drejtë që BE duhet thjesht të vazhdojë të zgjerohet duke u dhënë anëtarëve të rinj të njëjtat të drejta me themeluesit e unionit?” Një tjetër konservator i pranishëm dhe mbështetës i largimit nga BE, lider i fushatës që vendi të dalë nga BE, Iain Duncan Smith tha se ishte dakord me sekretaren e Punëve të Brendshme.
“Sekretarja për Punët e Brendshme ka të drejtë që shqetësohet nga vende të rrezikshme si Shqipëria apo Turqia që mund të lejohen të hyjnë në BE. Nëse këto vende lejohen të bëhen pjesë e BE-së, ato do të jenë një rëndesë më shumë për sistemin tonë të mbrojtjes për shkollat dhe shtëpitë tona. Është vetëm një rritje e rrezikut të shtimit të kriminalitetit dhe terrorizmit në rrugët tona”, tha ai.
“Pas kësaj deklarate të sekretares, May a nuk duhet të dalë Kryeministri dhe të shpjegojë nëse është dakord me qëndrimet e ministres së tij të Brendshme”?, shtoi Smith.  Duket se deklarata e ministres së Brendshme ka shkaktuar polemika të shumta ndaj ajo ka bërë një sqarim duke saktësuar se, “Britania duhet të largohet nga Konventa për të Drejtat e Njeriut dhe jo nga Bashkimi Europian”. Ata që bëjnë fushatë që Britania të lërë BE-në i janë drejtuar dje Kryeministrit Cameron me disa pyetje.
A e pranon Kryeministri sot që të vendosë një veto për anëtarësimin në BE të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Turqisë në këto rrethana?
A e pranon Kryeministri komentin e sekretares së Punëve të Brendshme se është një ide e keqe të mirëpresësh këto vende që kanë probleme serioze me krimin e organizuar, korrupsionin dhe ndonjëherë edhe me terrorizmin?

Ministri pas krimit

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri duhet të arrestohet për bashkëpunim, mbështetje dhe mbulim të krimeve të bandës së Emiljano Shullazit. Ka një sërë aktesh kriminale të bandës famëkeqe që lidhin ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri me bandën kriminale, por më flagranti, publiku dhe me më shumë dëshmitarë është përpjekja e tij për të mbuluar dhunën dhe terrorin që banda ushtroi për ditë me radhë ndaj dy akademikëve të njohur, Dhori Kule dhe Mynyr Koni.
Dy akademikët ranë viktimë e dhunës dhe presionit terrorist të bandës së Shullazit, që ishin urdhëruar nga Rama të bënin të mundur zgjedhjen e një militanteje socialiste në krye të Universitetit të Tiranës. Tashmë është tërësisht e dokumentuar dhuna ndaj Konit, të cilit banda e Ramës i kërkonte të tërhiqej nga gara për rektor, ndërsa ish-rektori Dhori Kule është terrorizuar në mes të Tiranës nga e njëjta bandë.
Të dy akademikët i janë drejtuar për ndihmë Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, por kapobanda dhe ushtari i Shullazit i kanë lënë profesorët nën mëshirën e bandave. Rektori Koni u detyrua të japë dorëheqjen dhe të largonte familjen nga Shqipëria, pasi ushtari i Shullazit – ministër i Brendshëm – nuk siguroi mbrojtje jo për të garuar për pozicionin e rektorit, por as për jetën. Po njësoj, akademiku Kule, nuk është vënë nën asnjë masë mbrojtjeje pavarësisht se ishte kërcënuar nga banda e partisë, që njihej për dhjetëra e dhjetëra krime të rënda dhe lidhje direkte me Kryeministrin, ministrin e Brendshëm dhe drejtuesit e lartë të policisë.
Po të mos kishte qenë denoncimi publik i ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe paralajmërimi i qartë që i bëri Ramës dhe banditëve të tij, sot do të kishim Klodin rektore dhe një universitet me buxhet dhe prona të hipotekuara në emër të Shullazit, sikurse është bërë edhe me mbi 100 prona të tjera publike dhe private në tre vitet e fundit. Banda u arrestua mbrëmjen e së shtunës, pasi ditë me radhë akademikët jepnin e merrnin pa sukses me ministrin dhe trafikantët që ai ka vënë në krye të Policisë së Shtetit.
Heshtja dhe mosveprimi i ministrit të Brendshëm për ditë dhe orë të tëra në mbrojtje të jetës së dy akademikëve është një krim i mirëfilltë, për të cilin ai, kapobanda dhe ushtarët e krimit të organizuar duhet të përgjigjen. Tritoli që Shullazi i vuri bizneseve të babait të tij trafikant nuk mund të jetë një justifikim për të mos mbrojtur jetën e dy akademikëve, por edhe të çdo qytetari të thjeshtë në këtë vend. Nëse mafia në pushtet i zgjidh hesapet me favore, privilegje dhe ndarje zonash influence të trafikut, akademikët dhe qytetarët e thjeshtë paguajnë taksat që Kryeministri, ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit të sigurojnë jetën e tyre. Nëse shpërthimet, grushtet dhe shkelmat që i japin njëri-tjetrit “ia vlejnë barra qiranë” për milionat që sigurojnë përmes krimit dhe korrupsionit, qytetarët e thjeshtë nuk mundet të mbeten në mëshirë të fatit. Ndaj kushdo që nuk bën detyrën që i ka dhënë Kushtetuta dhe ligji, pavarësisht arsyeve duhet të përgjigjen para drejtësisë.
Rasti i akademikëve tregon se qytetarët shqiptarë janë një popull i tradhtuar nga një klikë që i qeveris në kontratë me krimin. Kryemafiozi Rama, njësoj si në regjimin e martesës me Lindën, i ka ndarë 50 me 50 pazaret me krimin e organizuar në Shqipëri, ndaj tritolet shpërthejnë çdo ditë në shtëpitë dhe pronat e qytetarëve, zhduken dhe vriten çdo ditë qytetarë, qindra plantacione droge janë krijuar nga Jugu në Veri dhe kushdo ndjehet i kërcënuar me jetën.
Rasti i akademikëve tregon se iniciativa ligjvënëse e ish-Kryeministrit Berisha duhet futur sa më shpejt në axhendën e Parlamentit dhe qytetarët të kenë mundësi të mbrojnë jetën e tyre, familjet, pronat dhe dinjitetin para një pushteti në simbiozë me krimin. Qytetarët duhet të vetëmbrohen sa kohë që Edi Rama, Saimir Tahiri dhe eksponentët e tjerë të krimit janë në pushtet dhe në liri.