30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Rama, 120 milionë lekë borxhe tek Carapuli, i jep 17.8 miliardë lekë tendera

Në deklaratën e re të pasurisë Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama kanë shtuar disa dhjetëra milionë lekë, por Rama është treguar i kujdesshëm që të mashtrojë sërish të ardhurat e tij reale. Nga publikimi i të dhënave të reja të pasurisë për vitin e kaluar bie në sy se Rama ka shtuar të ardhurat nga shitja e pikturave me afro 27 milionë lekë, ndërsa ende nuk ka mundur të shlyejë borxhet për ndërtimin e vilës si dhe kreditë që ka marrë në bankë.
Sipas deklaratës Rama ka një borxh ndaj firmës ndërtuese të vilës ku banon në Surrel në vlerën e 120 milionë lekëve (të vjetra). Ndërtuesi i kësaj vile është biznesmeni i njohur Carapuli. Ndërsa Rama nuk i ka likuiduar ende paratë e ndërtimit të vilës, bie në sy se vetëm gjatë vitit të kaluar Carapuli ka fituar tendera në vlerën e 17.8 miliardë lekëve, shumica e të cilave me ofertën më të lartë. Megjithëse në deklaratën e pasurisë nuk përmendet emri i firmës të cilës Rama i detyrohet 120 milionë lekë, ajo është bërë publike dhe i përket firmës së ndërtimit të mikut të afërt të Ramës. Kjo deklaratë hedh dritë mbi marrëdhëniet e privilegjuara të Ramës me përfituesit e tenderave të qeverisë. Ata i bëjnë dhuratë një shtëpi dhe Rama i bën dhuratë tendera në vlerën e dhjetëra miliarda lekëve.
Rama operon me ndërtues të tillë përfitues privilegjesh në dhjetëra miliardë lekë të parave të shqiptarëve në marrëdhënie të hapur ortakërie. Ata ndajnë së bashku tenderat dhe kjo është një mënyrë akoma më e lehtë për Ramën që të fshehë pasurinë e tij përmes transaksioneve të biznesmenëve që më pas operojnë në parajsat fiskale.
Ekspertët e ndërtimt janë të bindur se vila e Ramës në Surrel nuk kushton kurrsesi 120 milionë lekë. Një kosto e tillë është ajo e një apartamenti të thjeshtë, ndërsa për një vilë me një gjatësi lineare ndërtimi prej 55 metrash dhe një gjërësi prej më shumë se 12 metrash është e kuptueshme se kostoja është të paktën 5 herë më e lartë.
Sipas kësaj deklarate, kreu i qeverisë shqiptare fiton më shumë artist sesa si kryeministër dhe ndoshta është nga të vetmit kryeministra që nuk ka në pronësi një automjet.
Të ardhurat e vitit 2015 nga të drejta të autorit janë diçka më shumë sesa nga paga kryeministrore. Të ardhurat nga shitja e veprave artistike gjatë këtij viti ka shënuar edhe djali i madh i kryeministrit, Greg Rama. Ndërkohë që për herë të parë pas kaq vitesh, Rama fiton nga puna më shumë se bashkëshortja e tij Linda. Më poshtë lexoni të plotë deklaratën e tij pasurore.

Pasuri të paluajtshme

1) pronar me 100% i apartament banimi Tiranë, tip parafabrikat me sip. 59 m2, fituar me privatizim, sipas rivlerësimit të 2012 vlera 5 422 100 lekë.
2) pronar me 100% të studio artisti Tiranë, sip. 65 m2, me trashëgimi nga babai, me vlerë të raportuar 2 500 000 lekë.
3) bashkëpronar me 50% e ku 50% të tjera pjesë e regjimit martesor me bashkëshorten Lindita RAMA, shtëpi banimi me sipërfaqe të padeklaruar, përcaktuar një kat, me vlerë ndërtimi 39 607 741 lekë, vendndodhja e shtëpisë në fshat Surrel, Komuna Dajt, pasuri që justifikohet me dokument leje ndërtimi, momenti i deklarimit pa titull pronësie.
4) bashkëshortja Lindita Rama si e pavarur nga regjimi martesor është pronare me 100% e apartament sip. 146.15 m2 + verandë 68 m2 + garazh 17 m2, vendndodhja Tiranë, blerë me pjesë në 2015 dhe 2009.
5) bashkëshortja Lindita Rama e pavarur nga regjimi martesor është pronare e tokës arë me sip. 4 483.5 m2 Surrel, Dajt, blerë në vitet 2005 dhe 2009, me titull pronësie për tokë arë.
Likuiditete (Depozita, Cash, Llogari rrjedhëse, Debi-Kredi, Karta krediti/debiti)
1) gjendje e datës 10. 09. 2013 në llogari bankare personale në vlerë 2 007 789,3 lekë, burim të ardhurash paga e mëhershme dhe shitja e librit “Kurban”.
2) kesh (cash) në vlerën 988 700 lekë, burim i të ardhurave kursime personale.
3) kredi në bankë të nivelit të dytë me vlerë detyrimi financiar të pashlyer – 336 383 lekë, e marrë në datën 12. 05. 2000 me principal 2.5 milionë lekë, afat shlyerje 15 vjet, interes bazë 3%.
4) detyrim i papaguar subjektit ndërtues të “shtëpisë së banimit në Surrel” me vlerë – 12 056 241 lekë, detyrim si pjesë e regjimit martesor 50 me 50 me bashkëshorten.
5) detyrim i papaguar i qira vjetore apartament banimi sipas kushtit për pagim një herë në vit, vlera e detyrimit -573 280 lekë detyrim si pjesë e regjimit martesor 50 me 50 me bashkëshorten.
6) Zonja Lindita Rama në cilësinë e bashkëshortes dhe me të drejta të pavarura nga regjimi martesor, zotëron vlerën e dhënë si hua të tretëve prej 70 000 euro, hua pa interes, e papërcaktuar data e huadhënies.
7) bashkëshortja Lindita Rama zotëron gjendje llogari bankare më 10. 09. 2013 në vlerën 6 206 644.3 lekë, deklarohet 100% pjesëtare.
Sende me vlerë
1) posedues i një koleksion me krijimtari artistike të babait, koleksion i trashëguar.
Të ardhura nga Paga dhe Shpërblimet
Të ardhura nga Paga për vitin 2015 vlera neto pas pagimit të detyrimeve tatimore 2 037 188 (dy milionë e tridhjetë e shtatëmijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë) lekë.

Të ardhura nga Publikimet dhe e Drejta e Autorit

Të ardhura nga krijimtaria artistike: shitje libri Kurban, shitje punë artistike vlera neto me detyrime tatimore të zbritura 2 694 009 (dy milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e nëntë) lekë.

Të ardhura të personave pjesë e Çertifikatës Familjare

1) Zonja Lindita Rama, Shtuar në llogarinë personale në bankë gjatë vitit 2015 vlera 3 044 470 lekë.
2) Zonja Lindita Rama shtuar Gjendja Cash shtuar me 115 000 lekë.
3) Zonja Linda të ardhura nga paga dhe puna si eksperte në vlerë neto pas pagimit të detyrimeve tatimore 1 929 676 (një milion e nëntëqind e njëzet e nëntë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë.
4) Zonja Linda Rama të ardhura nga qira apartamenti në vlerë neto pas pagesës së detyrimeve tatimore 1 939 237 (një milion e nëntëqind e tridhjetë e nëntë mijë e dyqind e tridhjetë e shtatë) lekë.
5) Zonja Linda Rama të ardhura nga interesa bankare vlera neto pas zbritjes së detyrimit tatimor 4 294 (katërmijë e dyqind e nëntëdhjetë e katër) lekë.
6) Zoti Gregor Rama fituar nga shitja e veprave të artit 3 400 euro.
7) Gregor Rama pakësuar një llogari bankare me minus 197 629 lekë.
8) Llogari bankare pa ndryshime.
9) Llogari bankare në EU shtuar me plus 50.

Grup pune në ILDKP për të fshehur pasuritë e qeveritarëve

Nga burime zyrtare mësohet se pranë ILDKP prej ditësh është ngritur një grup pune me një qëllim të dyshimtë. Burimet saktësojnë se qëllimi i këtij grupi është fshehja e pasurive të zyrtarëve të lartë të qeverisë përmes korrektimit të të dhënave. Punonjësit që janë pjesë e këtij grupi po thirren të punojnë edhe gjatë ditëve të fundjavës që janë pushim.
Zyrtarët e lartë kanë përfunduar dorëzimin e deklaratave të pasurisë dhe tani është ILDKP, e cila po merret me këto deklarata.

Veizi, skandali i juristit të policisë në laboratorin e drogës

Nga Telnis SKUQI

Juristi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Juljan Veizi nuk i ka besuar veshëve kur u informua se dy xhaxhallarët e tij janë shpallur në kërkim, pasi policia vendore zbuloi një laborator të kultivimit të hashashit, në lagjen “Zinxhira” në qytetin e Gjirokastrës
Prej 3 vitesh kultivimi i hashashit nuk është më e drejtë e gjithsecilit, por e drejtë e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës
Juristi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Juljan Veizi, ka kërcënuar dje nëpërmjet një statusi të tij në Facebook “Me plumb në lule të ballit” ish-Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha.
Në statusin e tij me titull “Kriminel, fitove ti!!!”, Juljan Veizi, njeriu i afërt i Ziver Veizit, që humbi jetën nga një plumb gjatë protestës së 21 janarit 2011, shkruan në statusin e tij (ligjëratë e drejtë) se, “Gjykata dhe njëkohësisht edhe Prokuroria e mbaruan lojën e tyre!!!. Si e nisën, e bitisën, por bashkë me ‘21 janarin’ varrosin shpresën që ky vend do të bëhet…”.
Më tej vijon: “Kryekrimineli bën thirrje për armatosje, e bën Presidentin horr, Prokuroren lavire, nuk zbaton urdhrat e Prokurorisë, por në fund në burg futet kush ka rilidhur energjinë që nuk kish paguar…. Kryekrimineli është i plotfuqishëm përballë qeverisë, përballë drejtësisë, edhe përballë lotëve të Anës që ‘vajtuan’ në gjithë Europën… Kryekrimineli për një gjë ka të drejtë, këtu duhet armatosur populli, sepse është e vetmja zgjidhje, sepse ti o Kryekriminel e do fiks aty, në lule të ballit….”.
“Kryekriminel, fitove ti!!!, 1997-ta, Gërdeci, 21 janari janë arritjet e qeverisë tuaj!!!”, shkruan ai.
“Kryekriminel “Na fal!!!”. Të na falësh që na vrave”, përfundon ai.
Disa ditë më parë, ish-Kryeministri Sali Berisha, bëri thirrje nga podiumi i Kuvendit të Shqipërisë “Për armatosje të popullsisë, sipas ligjit amerikan” dhe për këtë arsye, Byroja parlamentare e përjashtoi ish-liderin e PD për 10 ditë.

Juristi Veizi dhe laboratori i drogës

Një muaj më parë, juristi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Juljan Veizi nuk i ka besuar veshëve kur u informua se dy xhaxhallarët e tij janë shpallur në kërkim, pasi policia vendore zbuloi një laborator të kultivimit të hashashit, në lagjen “Zinxhira” në qytetin e Gjirokastrës. Me ndihmën e drejtuesve të lartë të policisë lokale, lajmi në media u tejkalua “butësisht”, sepse emrat e dy administratorëve u fshinë nën iniciale, gjë që solli dy pamje të pavërteta për opinion publik. Policia e Shtetit u shfaq kokëlartë, sepse zbuloi një laborator që njerëzit e policisë e kishin prodhuar, si dhe shmangur skandalin, sepse autorët realë të këtij biznesi ishin vëllezërit e Ziver Veizit, protestuesi që u vra më 21 janar 2011.
Megjithatë historia nuk përfundon këtu. Një javë më parë, policia vendore e ka mbajtur të fshehtë arrestimin e njërit prej dy xhaxhallarëve të shpallur në kërkim, sepse këtë të drejtë ekskluzive për të bllokuar informacionin e ka juristi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Juljan Veizi. Të gjitha këto çudira nuk janë thjesht rastësi, por pjesë e lojës së kartelit të drogës në Jug të Shqipërisë, ku pjesëmarrës janë edhe vëllazëria e Ziver Veizit, përkatësisht Hodo dhe Roland Veizi, plus edhe nipi i tyre. Si ka mundësi që Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës nuk jep asnjë informacion për këtë laborator që ishte ndërtuar vetëm 3 km larg këtij institucioni? Prej sa vitesh ku aktivitet ishte ndërtuar? Pse pikërisht vëllazëria Veizi e kishte këtë ekskluzivitet në qytetin e Gjirokastrës? Të gjitha këto pyetja kanë një përgjigje. Prej 3 vitesh kultivimi i hashashit nuk është më e drejtë e gjithsecilit, por e drejtë e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës.

Rinisin përmbytjet, dhjetra banesa e biznese nën ujë

Përmbytjet janë kthyer sërish në Tiranë. Kanë mjaftuar vetëm disa minuta shi i rrëmbyeshëm për t’i bërë të pakalueshme një pjesë të mirë aksesh në kryeqytet. Videot e mëposhtme janë bërë në vende të ndryshme dhe tregojnë për situatën që është e ngjashme në një pjesë të mirë të Tiranës. Duket se qytetarët e kryeqytetit edhe pse i paguajnë taksat vijojnë të vuajnë sa herë që bie shi. Ndërkohë që kryebashkiaku prezanton projekte e jep tendera e koncensione, qytetarët duhet të përballen me të njëjtat probleme dhe të urojnë që shiu i ardhshëm të jetë më miqësor.
Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës vizituan dje disa lagje të përmbytura të kryeqytetit dhe u takuan me banorët. Lagje të tëra kanë qenë në gjendje të vështirë si në zonën e shkollës “26 Nëntori” në Don Bosko, tek zona e Gardës, etj. Këshilltarët e PD apeluan për t’i ardhur në ndihmë banorëve, pasi banesa dhe biznese janë përmbytur për të disatën herë këtë vit, ndërkohë masat e Bashkisë së Tiranës kanë qenë inekzistente për të parandaluar përmbytjen. Reila Bozdo i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë që të marrë masa, që kjo situatë të mos përsëritet dhe t’u vijë në ndihmë banorëve.
“Kjo është dita e dytë që banorët këtu janë në këtë situatë që ju e shihni vetë. Kemi dy ditë në kontakt me banorët dhe këto dy ditë janë përmbytur shtëpi dhe biznese. Pranë tyre ka pasur disa forca të zjarrfikëses që kanë vendosur disa barriera, por nuk është marrë asnjë masë që përmbytja të mos ndodhë përsëri. Sipas banorëve, kjo është hera e katërt që përmbyten brenda këtij dimri. Banorët përmbyten në mënyrë të vazhdueshme dhe Bashkia nuk kujdeset as për të evidentuar dëmet dhe as për t’i dëmshpërblyer. I bëjmë thirrje kryetarit të Bashkisë Erion Veliajt që të lërë angazhimin e tij me asamblenë e partisë dhe të merret me qytetarët dhe qytetin, sepse gjendja është katastrofike”, tha Bozdo.
Këshilltari Mateo Spaho u shpreh se, kjo situatë mund të ishte shmangur nëse Bashkia e Tiranës do të punonte vërtet me sistemin e kanalizimeve dhe jo me inaugurime të panevojshme.
“Kjo nuk është zonë e vetme në Tiranë e përmbytur, por është edhe zona e Don Boskos, tek zona e Gardës, por edhe zona të tjera që sa herë bie shi ato përmbyten. Kryetari i Bashkisë të mos bëjë inaugurime të kota, bojatisje të tepërta, por i ka mundësitë që të merret me punë konkrete me ujësjellës dhe kanalizimet e Tiranës. Sot në Tiranë ka edhe lagje ku kanë ikur dritat. Ne e vlerësojmë emergjencën civile, por këtu duhej bërë një punë paralajmëruese. Duhen hapur kanalizimet dhe vetëm nga fakti që ne erdhëm këtu po duken punonjësit e Bashkisë. Punohet që të dukemi bukur për spektaklin e radhës”, tha Spaho.

Rama do drejtësinë për të shpëtuar Shullazin

Rama kërkon të kapë sistemin gjyqësor përmes Reformës në Drejtësi për të shpëtuar Shullazin dhe bandën e tij. Deputeti demokrat, Eduard Halimi deklaroi dje në një prononcim për mediat se PD nuk do të lejojë miratimin e një reforme sipas projektit të Ramës, e cila synon t’i bëjë bandat kriminale të lidhura me Ramën të paprekshme.
Halimi tha se nëse drejtësia do të ishte e gjitha nën këmbët e Edi Ramës, sot Emiljano Shullazi do të ishte sërish jashtë duke i vënë pistoletën në kokë biznesmenëve e duke grabitur prona. Ndaj dhe ai theksoi se atë që ka bërë gjatë këtyre tri viteve Edi Rama duke i dhënë prona Emiljano Shullazit dhe bandës së tij, atë gjë vazhdon ta bëjë edhe sot dhe flet për Reformën në Drejtësi. “Kush flet për Reformën në Drejtësi?! Ai që mbolli gjithë Shqipërinë me kanabis, që ka mbjellë çdo kodër nga Jugu në Veri me kanabis. Flet ai që me dorën dhe firmën e vetë futi në Parlament deputetë me rekorde të tmerrshme kriminale, njerëz të dënuar nga drejtësia për trafik droge dhe trafik prostitucioni. Flet ai për sistemin e drejtësisë, ai që kur trafikanti me 400 kg heroinë drogë gjendej në makinën e deputetit të tij, Mark Frroku urdhëroi lirimin. Ai që ngriti traun për vrasësin e komisarit, ai që kaloi makinën e Emiljano Shullazit në doganë, pa asnjë dokument dhe pa kontroll. Ai që hoqi prizën e kamerave të komisariatit kur deputeti i tij qëlloi qytetarët para komisariatit. Ai flet për sistemin e drejtësisë?! Sistemi i drejtësisë duhet të jetë larg Edi Ramës. Dhe kjo është imediate”, tha deputeti demokrat.
“Ju jeni njohur me qëndrimin politik të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, një qëndrim që shpreh papajtueshmërinë e plotë me standardin tërësisht kriminal që ka ndjekur Edi Rama, ku nga njëra anë urdhëron dënimin e denoncuesit të Emiljano Shullazit me përjashtimin 10 ditë të Doktor Berishës nga Parlamenti dhe nga ana tjetër, merr në mbrojtje siç ka bërë gjatë këtyre tri viteve Emiljano Shullazin, siç bëri edhe para disa ditësh në Parlament, ku në vend që të falënderonte Prokurorinë, sulmoi ashpër Prokurorinë duke i dalë sërish në krah bandave dhe lidhjeve me bandat, duke i dalë në krah sërish Emiljano Shullazit duke thënë se me demek policia i kishte kërkuar arrestimin e Emiljano Shullazit, por ishte Prokuroria ajo, e cila e kishte vonuar arrestimin e Emiljano Shullazit. Një deklaratë, që nuk arriti ta artikulonte as avokati de jure i Emiljano Shullazit para kamerave. Kjo është drejtësia që do Edi Rama”, tha Halimi.
Ai theksoi se në vend që si Kryeministër të dilte në mbrojtje të Prokurorisë, të dilte në mbrojtje të dëshmitarëve, të cilët janë kyç në një proces të tillë si ky i Emiljano Shullazit, në vend që të dilte në mbrojtje të biznesmenëve, të cilëve u është vënë gjoba duke u marrë pasurinë e tyre me armë në kokë, doli në mbrojtje dhe bëri avokatin e Emiljano Shullazit. Kjo, tha Halimi, është drejtësia që kërkon Edi Rama dhe nuk mund të jetë kurrë një drejtësi që e duan qytetarët shqiptarë.
Halimi tha se qytetarët duan një sistem drejtësie larg qeverisë, larg Edi Ramës. “Projekti që ka pasur në kokën e vet Edi Rama për sistemin e drejtësisë është rrëzuar, nuk ekziston më. Ai ishte një projekt që u rrëzua nga Venezia. Ky ishte ai që vonoi Reformën në Drejtësi të paktën prej dy vjetësh. Që nga shtatori e deri në dhjetor vonoi Byronë Kombëtare të Hetimit sepse donte patjetër ta kishte nën Emiljano Shullazin, për të mbrojtur Emiljano Shullazin dhe gjithë shullazët që kishte dhe ka. Edhe kur ia rrëzoi Venecia në dhjetor, sërish e shtyu deri në mars dhe kërkon ta mbajë Byronë Kombëtare të Hetimit nën Shullazin. Kjo s’mund të jetë drejtësia që duan shqiptarët”, tha deputeti demokrat.

– Z. Halimi, a po kërkon opozita pretekste për të zvarritur Reformën në Drejtësi?
Jua thashë se ai që e ka penguar Reformën në Drejtësi ka qenë Edi Rama që ka patur një projekt të vetin dhe nuk ka pranuar kurrë të jetë një projekt bashkë me opozitën, një projekt që të jetë sipas parimeve të Komisionit të Venecias dhe sipas parimeve europiane. Por ai ka dashur të jetë një projekt i veti. Ju jeni dëshmitarë që është ai që e ka vonuar nga shtatori ku bëri vetë projektin, ku donte që Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë speciale ta kishte nën Ministrinë e Brendshme dhe rezistoi sërish edhe kur Venecia në dhjetor ia rrëzoi. Kur ne i thamë në dhjetor hajde ta miratojmë siç do Venecia, vazhdoi dhe e mbajti deri në mars Byronë Kombëtare të Hetimit, nën hyqmin e vet dhe kjo është e paimagjinueshme. Sigurisht që ekspertët e Partisë Demokratike kanë punuar gjatë javës së kaluar dhe kanë treguar bashkë me PD-në se janë për një projekt gjithpërfshirës për Reformën në Drejtësi, një projekt që do të nisë me komponentin antikorrupsion, një projekt që do të bëjë të mundur krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë speciale, jo ashtu siç e do Rama nën Shullazin për të mbrojtur Shullazin dhe bandën e tij, por nën Prokurorinë. Një projekt që do të bëjë të mundur largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, do të bëjë të mundur dërgimin para drejtësisë siç bëri sot me Emiljano Shullazin, por edhe me gjithë shullazët dhe bandat që janë nëpër këmbë në Shqipëri dhe gjithë zyrtarëve, ministrave, deputetëve të korruptuar që marrin fonde publike.

– Z. Halimi, ju thatë se z. Rama duhet të mbahet larg nga Reforma në Drejtësi dhe sistemi i drejtësisë. A mbahet jashtë duke mos shkuar opozita në këtë reformë dhe duke ndenjur këtu jashtë me gazetarët?
Thashë që opozita tregoi sot se ka një qëndrim politik për të treguar qartësisht si të papranueshme me një standard tërësisht kriminal që mban Edi Rama. Në vend që të promovojë Prokurorinë dhe denoncuesit, dënon denoncuesit dhe bëhet krah për krah me krimin dhe avokatët e krimit. Kjo nuk mund të jetë drejtësi, të cilën e duan qytetarët. Prandaj Reforma në Drejtësi do të bëhet. Projekti i Reformës në Drejtësi do të miratohet. Jo ai projekt që ka Edi Rama që në kokë, ai që ka pasur para dy vjetësh dhe e mban peng se do të realizojë krijesën e vet, por do të realizohet Reforma në Drejtësi siç e kërkon Komisioni i Venecias, sigurisht që në ditët në vijim mbasi të mbarojë edhe vendimi politik i grupit parlamentar, ndërkohë që edhe gjatë kësaj jave ekspertët e Partisë Demokratike do të vazhdojnë të punojnë me ekspertët ndërkombëtarë për të përpunuar draftin e amendamenteve kushtetuese dhe draftin e ligjeve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me komponentin antikorrupsion. Draftin e ligjeve për Byronë Kombëtare të Hetimit, draftin e ligjeve për SPAK-un, draftin e ligjeve për kontrollin e gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në ditët në vijim do të jetë punë e Komisionit të Reformës në Drejtësi që duhet të miratojë një projekt që ta mbajë drejtësinë larg Edi Ramës.

Konsumi i energjisë ra me 7% më 2015

Energjia elektrike rezulton të jetë konsumuar më pak gjatë vitit 2015 sipas Entit Rregullator të Energjisë dhe kjo për arsye të miradministrimit më të madh të përdorimit të produktit nga konsumatorët dhe për shkak të dimrit të butë. Në një raport të posaçëm për këtë çështje Enti Rregullator i Energjisë referon se më 2015 konsumi total i energjisë ishte 7,265,525 MWh nga 7,793,434 MWh që ishte më 2014. Ulja më e madhe ka ndodhur në konsumin e energjisë nga familjarët. Në vendin tonë konsumi familjar në raport me konsumin e përgjithshëm të faturuar për konsumatorët tariforë për vitin 2015 përbën rreth 49.6% duke shfaqur ulje prej 8.4% në krahasim me vitin 2014. Konsumatorët privatë zënë 37.8% të faturimit total të OSHEE, duke shfaqur rritje me 6.8% krahasuar me vitin 2014. Një peshë të rëndësishme në konsumin e energjisë elektrike zënë edhe konsumatorët buxhetorë dhe jo buxhetorë, të cilët zënë 12.6% të faturimit total të OSHEE me një rritje prej 1.6% nga viti i kaluar. Nga studimi i profilit vjetor të konsumit të energjisë elektrike, tipari karakteristik i këtij profili është simetria thuajse e plotë e konsumit dimër–verë, analizon Enti Rregullator, duke vënë në dukje se edhe këtë vit vërehet i njëjti fenomen, ajo e përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje. Çdo ndryshim i temperaturës së mjedisit reflektohet menjëherë në konsumin ditor të energjisë elektrike, pikërisht të efektit nga përdorimi ose mospërdorimi i ngrohjes elektrike të banesës. Gjatë stinës së verës, në muajt korrik dhe gusht tendenca e pikut është në rritje, i cili nga viti në vit po bëhet më evident dhe lidhet me përdorimin gjithnjë e në shkallë më të gjerë të pajisjeve klimatizuese.

Vijon rritja e nivelit të kredive me probleme

Shoqata e Bankave raporton se niveli i kredive me probleme është rritur në dy muajt e parë të këtij viti, duke prekur kuotën e 18.9%, pas rënies së ndjeshme gjatë vitit 2015. Kjo tregon se bizneset dhe individët kanë probleme në shlyerjen e huave dhe se rënia vitin e kaluar ishte pasojë e fshirjes së kredive pa shpresë arkëtimi nga bilanci i bankave. Pas rënies së ndjeshme në fund të vitit 2015, kreditë me probleme janë rritur sërish, duke treguar vështirësitë që hasin bizneset dhe individët në shlyerjen e huave. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, në dhjetor 2015 niveli i kredive të këqija zbriti në 18.2%, teksa u rrit në janar në 18.4% dhe në shkurt 18.9%. Rritja e këtij treguesi në dy muajt e parë të vitit dëshmon se në vetvete kreditë me probleme nuk janë ulur, por ato kanë reflektuar veprimin e bankave tregtare për t’i fshirë nga bilanci huatë që konsiderohen të pamunduara për t’u arkëtuar. Fakt ky i konstatuar edhe nga Banka e Shqipërisë, në deklaratën e stabilitetit financiar për gjatëmujorin e dytë të vitit 2015, publikuar pak ditë më parë, teksa evidenton rënie të nivelit të kredive në valutë për individët në 15.3% në dhjetor. “Kontributin kryesor në përmirësimin e cilësisë së kredisë në valutë e kanë dhënë ulja e ndjeshme e kredive të klasifikuara si “të humbura”, si rrjedhojë e fshirjes së tyre nga bilanci, si edhe rënia e vlerës në bilanc të kredive të klasifikuara si “nënstandard”. I njëjti argument jepen nga Banka e Shqipërisë edhe për rënien e kredive me probleme për bizneset.

Zgjedhjet nën mbikëqyrjen më të rreptë ndërkombëtare që prej vitit 1991

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me banorë të zonave Fan, Kthellë dhe Rubik. Banorët e kanë njohur zotin Basha me varfërinë e madhe që ka pushtuar këto zona, papunësinë e lartë, pamundësia për të paguar energjinë ka bërë që shumë familje të jetojnë në errësirë. Banorët u ankuan për arrogancën e pushtetit. Sot, thanë ata, s’ke ku të ankohesh për një shqetësim, për mbifaturime apo nevojat për investime e mbështetje në bujqësi.
Basha: Këta që bërtasin shtet-shtet-shtet, shtetin e paskan për Emiljanon, shtetin e paskan për Koço Kokëdhimën, shtetin e paskan për bijtë e tyre që të marrin tenderat e shqiptarëve, të marrin tenderat e OSHEE-së, të marrin hekurudhën e shqiptarëve, të veshin syze 60 mijë euro, aq saç është ndihma ekonomike në muaj për Mirditën. Ku qenka shteti? Shteti ku OSHEE-ja vetëm në një vit ka abuzuar me fondet, me taksat, me tarifat që iu merr shqiptarëve 21 milionë dollarë. Shteti ku vitin e kaluar vetëm për karburant dhe për makinat e shtetit janë abuzuar 34 milionë dollarë. Imagjinoni se çfarë shifrash bëhet fjalë, sa për të ngrit pensionet e gjithë Shqipërisë.
Kryetari i Partisë Demokratike pa nga afër dhe qendrën ditore të ngritur nga motrat në Fan ku u shërbehej fëmijëve të zonës, si dhe vizitoi familjet e Lekë Shtinja (Bajraktari). Familje nga e cila regjimi komunist ka pushkatuar rreth 20 burra dhe në familjen Benardin Bliu një i përndjekur, i larguar padrejtësisht nga puna. Ata i bënë të ditur zotit Basha se jo vetëm qeveria nuk po mban premtimin për të përndjekurit, por po i përndjek e persekuton edhe sot duke i larguar nga puna e lënë në mes të rrugëve.
Në takimin me fermerët e zonës se Kthellës, zoti Basha ka shpalosur platformën për bujqësinë. 150 milionë euro në vit do të jetë buxheti, tha zoti Basha, 100 prej të cilave do të përdoren për subvencione të drejtpërdrejta për fermerët.
Banorë: I mori krejt paret e dritave Edi Rama një kabinë s’mund e bleu, një kabinë elektrike me dy bombina.
Banorë: Jemi duke ble farna të pakontrollume. Absolutisht mbjell misër të dalin boca.
Basha: 50 milionë euro në vit do të shkojnë vetëm për infrastrukturën bujqësore, për vaditje, për kanalizim, për kullim. 100 milionë euro në vit, vitin e parë do të shkojnë drejtpërdrejtë për subvencionim e fermerëve.
Në Rubik zoti Basha u ndesh me shqetësimin e qytetarëve për ilaçet e skaduara dhe burgosjen për një kasolle të ndërtuar për bagëtinë.
Banore: Marr 90 mijë lekë ilaçe në muaj. Na japin ilaçet e shtrenjta, as s’pyet as për të sëmurin, as për të shëndoshin. Ilaçet kam frikë se mos ilaçet janë të skadume. Pi gjithë ato ilaçe edhe tensioni nuk ik.
Banorë: Për një kasolle që më bëri djali të thiut, se largova thiun edhe lopën ma larg, ma futën në burg dy ditë e dy net.
Ndërsa ka shprehur shqetësimin për situatën e rendit ku biznesi kërcënohet me armë nga banditë të lidhur me ministrin e Brendshëm, zoti Basha tha se zgjidhja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Basha: Si mund të hapen vende pune kur biznesi, i cili kërkon kushte të favorshme për të investuar i rritet me 50 për qind taksat apo kërcënohet nga banditët, nga shullazët me gjoba, me tritol?! Si mund të hapen vende pune kur krimi dhe njeriu që është ngarkuar me Kushtetutë të luftojë krimin janë bërë një e nuk dallohet ku mbaron krimi e ku fillon ministri i Brendshëm.
Zgjedhjet e ardhshme do të jenë nën mbikëqyrjen më të rreptë ndërkombëtare që prej vitit 1991 sepse bota e ka kuptuar se çfarë oligarkësh janë këta dhe se shpresën e fundit e kanë për të vjedhë zgjedhjet. Ndaj së bashku me partnerët tanë do të marrim të gjitha masat që të mos i prekin zgjedhjet.

91.6 milionë dollarë shpenzime luksi më 2015

PD pritet të denoncojë të dhëna të tjera sot që implikojnë qeverinë në afera me tendera e koncesione. Në një reagim të shkurtër në Facebook, kreu i PD, Basha thekson se vetëm për luks, qeveria ka shpenzuar rreth 91 milionë dollarë.
“Ekonomia në krizë, papunësia rritet çdo muaj, borxhi në shifra alarmante, asnjë investim publik, asnjë rrugë, asnjë shkollë, s’ka rritje pensionesh e rrogash. Mesatarisht 2 mln lekë për familje u janë vjedhur shqiptarëve nga oligarkia Rama në vitin 2015. 91.6 milionë dollarë të shqiptarëve janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi, bileta avionësh, për luks. Me këto para do të ishin hapur 12 mijë vende pune në vit me paga 500 dollarë në muaj, ose do ju ishte paguar ndihmë e plotë ekonomike 94 mijë familjeve në nevojë, ose do të ishin ndërtuar dhe mobiluar 38 shkolla të reja. Sa i përket investimeve të huaja, tenderave dhe koncesioneve, nesër në ora 12 fakte të reja tronditëse drejtpërdrejt në media”.
Shpenzimet luksoze të qeverisë janë të faktuara edhe në raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili për vitin 2015 ka nxjerrë një numër të pafund shkeljesh të cilat kanë të bëjnë me afera, skandale dhe vjedhje të qeverisë përmes tenderave, koncesioneve e fondeve abuzive.
Vetëm pak kohë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka dërguar Kuvendit një shkresë, ku i sqaron se buxheti i shtetit për vitin 2015 ka pësuar një dëm ekonomik rreth 920 milionë euro ose 125.763.051 mijë lekë. Sipas raportit, dëmi ka si shkak parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera. Madje treguesi i mesatares së dëmit ekonomik në raport me buxhetin e shtetit është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2014, thuajse është dyfishuar. Buletini i katërt statistikor i vitit 2015 përmbledh rezultatet e të gjitha auditimeve të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë këtij viti. Në këtë buletin përfshihen dëmi ekonomik i konstatuar, të ardhurat e munguara, masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, si edhe kallëzimet penale të përcjella në Prokurori, për auditimet e përfunduara.
Nga auditimet e ushtruara gjatë kësaj periudhe janë konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 125,763,051 mijë lekësh (ose 919.91 milionë euro), si dhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 35,312,076 mijë lekësh (ose 257.7 milionë euro). Për parregullsitë dhe shkeljet financiare me dëm ekonomik në të ardhura dhe në shpenzimet e kryera, të pasqyruara në raportet e auditimit të evaduar gjatë kësaj periudhe, në shumën totale prej 125,763,051 mijë lekësh (ose 917.9 2 milionë euro), KLSH ka rekomanduar shpërblimin e dëmit të shkaktuar në shumën 58,703,079 mijë lekë (ose 428.4 milionë euro). Nga verifikimi i zbatimit të këtij rekomandimi nga subjektet e audituara janë pranuar dhe kanë nisur procedurat ligjore për kërkimin e shpërblimit të dëmit në vlerën 37,743,113 mijë lekë (ose 275.4 milionë euro) dhe është duke u konsideruar sipas afateve ligjore për t’u zbatuar shpërblimi i dëmit në vlerën 19,780,820 mijë lekë (ose 144.3 milionë euro).

Ministra, deputetë dhe zyrtarë nuk dorëzojnë formularin e dekriminalizimit

RAMA DHE MINISTRAT NE BULEVARD - Kryeministri, Edi Rama, i shoqeruar nga kabineti i tij qeveritar, duke ecur ne bulevardin, "Deshmoret e Kombit", per te shkuar ne godinen e Kryeministrise, pasi kane bere betimin tek Presidenti, Bujar Nishani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri thirrje publike deputetëve, ministrave, kryebashkiakëve dhe anëtarëve të këshillave bashkiake që të respektojnë afatin ligjor për vetëdeklarimin e të shkuarës së vet në kuadër të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur më së shumti si ligji për dekriminalizimin.
Zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj, deklaroi se afati final për plotësimin e formularit është data 4 maj, por deri tani, vetëm 255 nga 1,836 zyrtarët subjekt i ligjit, e kanë plotësuar deklaratën.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vlerësim të faktit se afati përfundimtar për dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit, është data 4 maj 2016 dhe numri i subjekteve që ende nuk e kanë dorëzuar, është i konsiderueshëm, kërkon mirëkuptimin e tyre për ta dorëzuar sa më parë formularin, duke pasur në vëmendje;
formulari duhet të plotësohet me kompjuter, me përjashtim të emrit e mbiemrit dhe nënshkrimit (në fund të çdo faqeje) që duhet të plotësohen me shkrim dore;
formulari, pasi të jetë plotësuar e printuar, nënshkruar, të depozitohet në KQZ personalisht (dorazi) nga secili funksionar që ka detyrimin për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit.
Formulari i vetëdeklarimit ndodhet në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së, www.cec.org.al dhe është i aksesueshëm për të gjithë”, deklaroi Hoxhaj.
Zyrtarët duhet të deklarojnë nëse kanë qenë ndonjëherë të arrestuar brenda apo jashtë Shqipërisë dhe nëse kanë qenë ndonjëherë të dënuar.
Në rast se gënjejnë në vetëdeklarim, zyrtarët mbajnë përgjegjësi penale. Në rast se rezultojnë të dënuar për disa lloje krimesh të rënda, do të duhet të dorëzojnë mandatin.
Në përfundim të vetëdeklarimit, institucionet do të kryejnë verifikimet e vërtetësisë, një proces tjetër delikat.
Debati mbi pastrimin e politikës nga elementë me të shkuar kriminale lindi gjatë vitit 2014, kur Partia Demokratike në opozitë deklaroi se në radhët e mazhorancës, një numër zyrtarësh kanë qenë më parë të dënuar. Njëri nga deputetët e Partisë Socialiste, Arben Ndoka, dha dorëheqjen pasi u ekspozua për një dënim për trafik qeniesh njerëzore në Itali. Ai deklaron se dënimi i tij ka qenë gabim dhe se ai është i pafajshëm. Deputeti i Partisë Kristian Demokrate Mark Frroku dha dorëheqjen, pasi u arrestua për llogari të drejtësisë belge ku po gjykohet i dyshuar për vrasje. Frroku deklarohet i pafajshëm.

Me Ramën, Shqipëria objekt talljeje në Britani

Marcus TANNER

Shqipëria u përfshi në referendumin për të qëndruar apo për të dalë nga BE-ja të Mbretërisë së Bashkuar pasi një lider i fushatës “Të dalim” tha se Britania mund të bëhej një skuadër me Serbinë, Bosnjen dhe Shqipërinë në një zonë të tregtisë së lirë me të dalë nga BE-ja.
Ideologu kryesor i Konservatorëve dhe ministri britanik i Drejtësisë, Micahel Gove ka tërhequr përçmim për deklaratën e bërë dy ditë më parë, ku ekspertët dhe kundërshtarët e tij, pro Europë nxituan ta quanin referencën e Shqipërisë së varfër një gabim taktik.
Duke shkruar për “Financial Times”, Gideon Rachman tha se sugjerimet se Shqipëria mund të jetë një model i përshtatshëm biznesi për një Britani pas daljes ishin “një gafë e rrezikshme”.
“Opsioni shqiptar është marrë me shaka nga fushata ‘Të qëndrojmë’ dhe për arsye të kuptueshme”, shkroi ai.
“Së pari, tingëllon shumë jotërheqëse – nuk ka shumë njerëz që do të ndryshonin një pasaportë britanike për një dokument shqiptar. Së dyti, është qesharake”, tha ai.
“Gabimi i Gove ishte të jepte emrat e vendeve me të cilat Britania mund të bashkëpunonte. Përveç Shqipërisë, ai përmendi gjithashtu Serbinë, Bosnjen dhe Ukrainën – asnjë nga këto vende nuk është shembulli ideal për paqen dhe begatinë”, shtoi ai.
“Nga ana politike, sugjerimi për të dalë nga BE-ja dhe bashkimi me Ballkanin është qartazi një propozim absurd. Mund të presësh të dëgjosh më shumë rreth Shqipërisë gjatë pjesës tjetër të fushatës së referendumit”, përfundoi ai.
Ndërsa “gafa shqiptare” e Gove ka tërhequr tallje, askush nuk dyshon se ministri i Drejtësisë – me sensin e tij të historisë – është një aktivist perfekt i largimit të Britanisë nga BE-ja, që ai e quan një perandori jodemokratike.
Në fjalimin e tij të hënën, ai e krahasoi bllokun me 27 anëtarë me “Austro-Hungarinë nën sundimin e habsburgëve, perandorinë ruse nën Nikolasin e Dytë, Romën nën perandorët e fundit apo Perandorinë Osmane në vitet e fundit”.
“Është një zonë e lirë tregtare që shtrihet nga Islanda në Turqi ku të gjithë shtetet europiane kanë akses, pavarësisht nëse janë apo jo në euro apo BE. Pasi të votojmë për t’u larguar ne do të mbetemi në këtë zonë… Rënia dakord për të ruajtur këtë zonë të tregtisë së lirë është një kurs i thjeshtë dhe qartazi në interes të të gjithëve”, shtoi ai.
Zyrtarët e qeverisë britanike, megjithatë, theksuan se Shqipëria dhe Serbia, janë në fakt të dëshpëruara për t’iu bashkuar BE-së dhe për t’i lënë marrëveshjet e tyre ekzistuese të tregtisë.
Ata gjithashtu nuk ranë dakord me idenë se liderët europianë do t’u ofronin Mbretërisë së Bashkuar një marrëveshje tregtare sipas dëshirës në rast të një vote “për t’u larguar”.
Sondazhet më të fundit thonë kampi “të qëndrojmë” kryeson me 52 për qind të votuesve, ndërsa skuadra kundër mbështetet nga 43 për qind.