Kryetari i Partisë Demokratike të Lushnjës, Myslym Murrizi bëri publike një numër dokumentash mbi shkeljet e mëdha ligjore në drejtorinë arsimore të këtij rrethi. Sipas Murrizi, praktika e shkarkimeve të paligjshme ka vijuar me të njëjtin ritëm siç ndodhte nga drejtoresha e dënuar Liza Tabaku. Sipas Murrizit, mbi 70 për % e mësuesve janë shkarkuar në Lushnjë në kundërshtim me ligjit, dukem krijuar një shqetësim të madh për banorët pasi cilësia në arsim ka rënë ndjeshëm pas emërimeve të mësuesve partiakë dhe të pakualifikuar. “Jam sot para jush për të bërë publike me fakte dhe dokumenta politikën e kuadrit që Rilindja ka bërë keto 3 vjet me mësuesit e rrethit Lushnjë. Rrethi ynë 103 shkolla, ku ndodhen 64 drejtori dhe 39 shkolla vartëse me 21 shkolla të mesme dhe me 1336 mësues gjithsej, përdoret nga zyra arsimore Lushnjë si pronë e PS dhe i komanduari i kësaj zyre që vet ka si fakultet ciklin e ulët, Ylli Krakulli si shef kuadri i arsimit pranë komitetit të Partisë së Punës. Nga lista e famshme e dosjes gjygjsore të ish drejtoreshës së denuar ju kam vënë më parë në dijeni se ishin emëruar vetëm gjatë kohës së saj 169 mesues të rinj nga të cilët 110 te PS dhe 59 të LSI. Po ashtu në atë material kishte shënim që kanë kaluar në “filtrin” e partisë shtet nëpërmjet sekretarëve të byrove të emëruar drejtora shkollash 790 mesues, nga të cilët rezultonin 620 te PS dhe 170 te LSI. Pra në total 959 mësues janë me Partinë, 377 mësues me biografi të keqe. Dhe i komanduari përgjegjes zyre tashmë e di ku është armiku i klasës. Nga 64 drejtore të gjendur në tetor 2013 sot me 21 prill 2016 janë vetëm. 60 drejtora janë shkarkuar në kundërshtim të plotë dhe të hapur me ligjin 69/2012 datë 21 06 2012, neni 55 i tij, pika 3 dhe janë zëvëndësuar me drejtora rilindas të cilët bëjnë dhe spiunin informative, sekretarin e byros dhe shefin e kuadrit”, deklaroi Murrizi. Kreu i PD-së në Lushnjë foli edhe për rastin e drejtuesit të komanduar të arsimit, i cili është pa arsimin përkatës. “Më i rëndësishëm si rast unik i papërgjegjshmërisë është ai i Ylli Krakullit si përgjegjës i komanduar. i emëruar nga ish drejtoresha Tabaku me urdhër emërimi nr 90 date 24-02-2014 si i përkoheshëm, me diplome Bachelor nr 87 datë 19-07-2013 për drejtesi dhe shkenca sociale marrë tek Kristali me date 11-12-2013 kur ky person ka qene mbi 20 vjet emigrant në Greqi. Kjo është e verifikueshme nga sistemi TIMS. Pas ankesës së një grupi prinderish nga Golemi në Ministri, z Ylli Krakulli me datë 04-05-2015 i kthen përgjigje ministrisë ku pranon që ky drejtor është emëruar në kundërshtim të hapur me ligjin 69/2012, neni 55 pika 2, dhe pranon qe ka filluar proçedurën për zgjidhjen e kontratës”, tha Murrizi. Për të gjitha këto material dhe dokumente, Partia Demokratike e Lushnjës nisi një kallëzim penal në Prokurorinë e rrethit.
Bashkia Kamëz: Rama i vetmi kryeministër që i bën presion drejtësisë
Edi Rama është i vetmi kryeministër që ka guxuar dhe vazhdon t’i bëjë presion drejtësisë, madje duke telefonuar dhe kërcënuar hapur me prerje këmbësh si në rastin e gjykatëses së Krujës. Kryeministri i një bande në pushtet e quan farsë procesin, por kujtojmë që ai dhe shpura e tij në PS kanë bërë disa herë deklarata publike si presion ndaj drejtësisë për të ndikuar në dhënien e vendimit të gjykatës ndaj kreut të Bashkisë Kamëz.
Të premten ranë akuzat politike ndaj Xhelal Mziut në Apel, pavarësisht nga presioni mbi drejtësinë; nga montimi i një procesi farsë deri tek deklarimet e Ramës në takimet elektorale të PS-së se Xhelal Mziu do të ishte ose në shtëpi, ose në burg pas 21 qershorit.
Presioni më i fundit ishte i Saimir Tahirit më 21 prill (një ditë para dhënies së vendimit të Apelit) nga komisariati nr.5 Kamëz. Drejtësia më në fund konfirmoi qartë se akuzat kanë qenë të ndikuara hapur politikisht. Pas të gjitha sulmeve ndaj kryebashkiakut të Kamzës ishte Rama. Në zgjedhjet e vitit 2015, Rama dhe shpura i tij morën përgjigjen më të mirë nga qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit, duke votëbesuar bindshëm për herë të tretë Xhelal Mziun si kryebashkiak të Kamzës.
Edmond DURAKU
Mision i ri në kërkim të jetës jashtë sistemit tonë yjor
Fizikanti britanik Stephen Hawking, miliarderi i lindur në Rusi Yuri Milner dhe themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg njoftuan këtë muaj se janë duke filluar një program ambicioz eksplorimi në hapësirë për të mësuar nëse ka jetë në pjesë të tjera të kozmosit. Milner do të ofrojë 100 milionë dollarë për projektin për ndërtimin e një sonde të madhësisë së një çipi kompjuterik që do të udhëtojë në një sistem tjetër yjor dhe do të dërgojë informacione në Tokë brenda një perudhe kohore prej një brezi.
Projekti, i quajtur Breakthrough Spaceshot, parashikon dërgimin e një flote sondash të vogla robotike në sistemin më të afërt yjor, Alfa Centauri. Milner prezantoi një prototip të këtyre sondave në një konferencë në Nju Jork.
“Ky është një starchip, i pajisur me kamera, motorë me energji fotoni, energji elektrike, sistem navigimi dhe pajisje komunikimi”.
Milner thotë se çipi i madhësisë së një pulle postare, do të kushtojë jo më shumë se sa një iPhone. Së bashku me një velë të lehtë, ajo do të formojë atë që shpikësit e quajnë nanosondë. Një numër i këtyre sondave të vogla do të dërgohet në hapësirë nga pajisje me lazer të fuqishëm dhe do të udhëtojnë shumë më larg se çdo mjet hapësinor i mëparshëm.
Për një kohë të gjatë njerëzit kanë imagjinuar jetën në planete të tjera dhe udhëtimin ndëryjor. Por, pak njerëz besojnë se kjo është e mundur gjatë jetës së këtij brezi. Fizikanti Stephen Hawking është optimist se distanca mes Tokës dhe sistemit yjor Alfa Centauri, rreth 40 trilionë kilometra, mund të kalohet brenda një brezi.
“Unë besoj se ajo që na bën të veçantë është tejkalimi i kufizimeve tona. Graviteti na tërheq në tokë, por unë sapo erdha me avion në Amerikë”.
Shkencëtari amerikan Freeman Dyson thotë se, ne mund të mos jemi në gjendje të shkojmë aq larg.
“Hapësira mes tokës dhe Alfa Centaurt-it nuk është e zbrazët, nuk është vetëm një boshllëk i madh, të cilin ju duhet ta kaloni për të arritur diçka interesante në anën tjetër. Është e kundërta, pra ka mijëra objekte në mes këtyre dy pikave”.
Zoti Dyson beson se ka më shumë gjasa që jeta të gjendet në një asteroid ose në një tjetër objekt të vogël galaktik, se sa në një planet. Edhe nëse do të kishte jetë, duhen 20 vjet për të udhëtuar në këto objekte. Sipërmarrësit besojnë se mund ta realizojnë këtë mision në rreth 20 vjet. Pastaj, do të duhen edhe katër vjet të tjera për transmetimin e informacioneve në Tokë.
“Qëllimi ynë është angazhimi në këtë mision i njerëzve në mbarë botën, sidomos i të rinjve, pasi ata do të jenë ende gjallë në kohën kur ne do ta realizojmë këtë”, thotë Avi Loeb, i Universitetit të Harvardit.
Një person i lindur këtë vit mund të jetë në të 50-at në kohën kur pritet të realizohet ky mision. Përparimet teknologjike mund ta përshpejtojnë këtë proces.
Kjo është mafia e ujit në Indi
Në shtratet ranore të Lumit Yumuna, burrat duhet të punojnë me shpjetësi të madhe. Pak pas orës 12 të natës, në një mbrëmje të lagësht maji, ata tërheqin shtresën e zezë që mbulon tre puse të thellë në tokën përreth rrugës së ujit në lindje të Delhit. Më pas, ata tërheqin tuba të gjatë drejt 20 kamionëve që ecin më ngadalë në rrugë me dritat e fikura. Burrat punojnë në skuadër. Teksa njëri fut tubin brenda një pusi, tjetri ngjitet prapa kamionit dhe vendos daljen tjetër të tubit në grykën e një cisterne të zbrazur.
“On car!” bërtet njëri prej tyre në gjuhën indiane. Pothuajse menjëherë, urdhrat e tij për të “ndezur motorin” zbatohen pa asnjë kundërshtim. Gjeneratorët e naftës të vendosur në disa streha afër tyre fillojnë punën. Pompat e zhytura brenda puseve fillojnë menjëherë të thithin litra e litra të tërë uji nga thellësia e tokës. Uji kalon nga tubat brenda cisternës. Brenda 15 minutash, tre cisternat e para janë mbushur me mbi 10 mijë litra ujë. Rutina përsëritet shumë e shumë herë të tjera përgjatë natës derisa secili kamion të jetë mbushur plot e përplot me ujë.
Kamionët e mbushur plot nuk qëndrojnë aty duke pritur. Ndërsa të tjerët vazhdojnë punën, shoferët kalojnë rrugën e vjetër të mbushur me baltë për të arritur në autostradën më të afërt. Aty ata ndezin dritat, ngrenë shpejtësinë dhe nxitojmë të shesin menjëherë ngarkesën e tyre. Ata shkojnë nëpër fabrika, spitale, qendra tregtare dhe hotele, në apartamente dhe streha nga më të ndryshmet përreth qytetit prej 25 milionë banorësh.
Gjithçka rreth këtij biznesi është e jashtëligjshme: puset janë gërmuar pa leje, kamionët qarkullojnë rrugëve pa dokumenta dhe uji shitet pa asnjë kontroll, testim apo trajtim. “Puna e ujit është punë nate”, thotë një mesoburrë, i cili jeton në një shtëpi me qira afër një prej stacioneve të pompimit dhe që kërkon t’i ruhet anonimati. “Bosët rregullojnë pazarin me blerësit, punëtorët mbushin cisternat, policët kthejnë kokën në anën tjetër dhe ‘të fortët’ sigurohen që askush të mos flasë.” Sot, një prej këtyre të fortëve, një burrë trupmadh, me mjekër dhe i veshur me një bluzë të ngushtë, duket se nuk ka shumë punë për të bërë. I ulur afër një kamioni, ai luan me letra sëbashku me burra të tjerë si ai. Në agim, skuadra fik gjeneratorët, heq tubat, i vendos përsëri në streha dhe vendos përsëri mbulesën plastike mbi puse. Mbeten shumë pak gjurmë të aktivitetit frenetik që ndodh gjatë natës.
Skuadrat e tilla gjenden kudo nëpër Dehli, ku furnizimi zyrtar me ujë nuk arrin të përmbushë kërkesën e qytetarëve me të paktën 790 milionë litra në ditë, sipas një auditi të kryer në vitin 2013 nga zyra indiane e kontrollit dhe auditit të përgjithshëm. Një e katërta e familjeve të Dehlit jetojnë pa lidhje me tubacionet e ujit dhe shumica e pjesës tjetër marrin vetëm pak orë ujë në ditë. Kështu, qytetarët duhet të blejnë ujë nga tregtarët e jashtëligjshëm. Burimet më të dukshme të këtij aktiviteti të jashtëligjshëm janë rrjeti i këshilltarëve, fermerëve, agjentëve imobilarë dhe punëtorëve që trafikojnë miliona litra ujë në ditë nga puset e jashtëligjshme, sëbashku me rrjetin e dobët të furnizimit zyrtar të qytetit, të cilët sheshin ujë me qëllim përfitimi.
Sistemi i elaboruar e këtij aktiviteti lokal e ka një emërtim: mafia e ujit. Edhe pse numri i saktë i puseve të jashtëligjshme të krijuar nga ky rrjet është i panjohur, sipas një raporti qeveritar të vitit 2001, mendohej se ekzistonin rreth 200 mijë të tillë, ndërsa auditi i vitit 2013 zbuloi se qyteti humb mbi 60 për qind të furnizimit me ujë nga trafiku dhe nga paaftësia për të mbledhur të ardhurat. Mafia e mbron punën e saj si një shërbim për komunitetin, por në fakt ekziston një pamje më e errët e industrisë së jashtëligjshme të ujit në Dehli. Ky është një nga tregjet e zeza më fitimprurëse që zhvillohet nga agjentët e lirë, të cilët shfrytëzojnë burimet e dobëta të ujit në vend, duke kërcënuar sigurinë afatgjatë të furnizimit të ujit në Indi.
Ujërat tokësorë përbëjnë 85 për qind të furnizimit të përgjithshëm me ujë të Indisë, sipas raportit të Bankës Botërore të vitit 2010. Vendi vazhdon të urbanizohet dhe mbi gjysma e territorit tashmë po përballen në reduktim të ndjeshëm të burimeve ujore. Më shumë se 100 milionë indianë jetojnë në zona me burime ujore tepër të ndotura dhe mafia e ujit është duke e përkeqësuar ndjeshëm situatën.
Në vitin 2014, qeveria raportoi se pothuajse tre të katërtat e akuifereve nëntokësore të Dehlit janë duke u shfrytëzuar përtej kapacitetit të tyre. Kjo do të thotë se, puset duhet të gërmohen gjithmonë e më thellë për të nxjerrë ujë, gjë që do të thotë se tubacionet e jashtëligjshme shumë shpejt do të fillojnë të thithin ujë të ndotur me kontaminues tepër të rrezikshëm për shëndetin që ndodhen në shtresat më të thella të tokës. Në vitin 2012, Ministria e Burimeve Ujore të vendit zbuloi prezencë në sasi të rrezikshme të klorit, hekurit, madje edhe të arsenikut në ujërat tokësorë.
Megjithatë, mafia vazhdon të ketë një kërkesë të jashtëzakonshme lokale për ujë. Kur puset thahen dhe gërmimet nuk nxjerrin më sasi të kënaqshme, skuadrat e pompimit kërkojnë për fusha të reja, madje në kufijtë më ekstremë të Dehlit. Kjo ka shkaktuar zgjerimin e tepërt të zonave të nxjerrjes së ujit dhe metropoli i etur tashmë është duke tharë edhe rrethinat e tij. Mbi të gjitha, duke qenë një biznes tepër fitimprurës, mafia e ujit ka gjeneruar kopje të saj edhe në qytetet dhe fshatra të tjerë.
Qeveria ka bërë disa përpjekje për të frenuar aktivitetin e jashtëligjshëm të nxjerrjes dhe trafikimit të ujit, por pa rezultat. Mafia e ujit nuk është aspak një sindikatë e unifikuar dhe organizuar siç mund të sugjerojë emri që mban, pra nuk mund të asgjësohet dhe eliminohet vetëm duke kapur disa prej kokave drejtuese. Mafia është e lirë, e shkathët dhe e adaptueshme dhe ka aftësinë të mashtrojë autoritetet aty ku has vështirësi korruptimi.
Përgjigja reale kundrejt mafies së ujit do të ishte përmirësimi i infrastrukturës, korrigjimin e zhvillimit të papërshtatshëm të disa dekatave gjatë së cilave shërbimet publike janë ndërtuar për t’i shërbyer vetëm elitës, duke i lënë miliona qytetarë të varfër t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Sistemi i ujit i neglizhuar dhe tepër i korruptuar i vendit, i menaxhuar nga Bordi Delhi Jal, ndodhet në prag të kolapsit. Projektimet e përmirësimeve të domosdoshme tregojnë nevojën e një procesi të gjatë dhe të kushtueshëm.
Ndoshta është tepër vonë për të ndërprerë aktivitetin e mafies, e jo të afrosh sasinë e nevojshme të ujit për të mbijetuar të miliona qytetarëve. Dehli ofron kështu një paralajmërim të dhimbshëm për shumë qytete të tjerë ku po lulëzon mafia e ujit si Bangladeshi, Hondurasi, Ekuadori e shumë të tjerë. “Qeveria është përgjegjëse më shumë se kushdo tjetër për fuqizimin e mafies së ujit”, thotë Dinesh Mohaniya, anëtar i Asamblesë legjislative të Dehlit. “Nëse do të kishin furnizuar me ujë të gjithë qytetarët, përse do të duhet ta paguanin tek mafia?”
Prova e Phenianit, “dështim i suksesshëm”
Korea e Veriut ka deklaruar se realizoi me sukses të plotë hedhjen e një rakete balistike nga një nëndetëse dje. Tentativa u komentua si “dështim” nga Korea e Jugut. Analistët ushtarakë e kanë cilësuar provën si një “dështim i suksesshëm”.
Deklaratat e Koresë së Veriut përmes agjencisë së lajmeve KCNA se tani zotëron mjete të reja për të kryer “një sulm të fuqishëm bërthamor” duken të ekzagjeruara, duke marrë parasysh kapacitetin aktual të aftësive bërthamore të Koresë së Veriut.
Shefi i Shtabit të Ushtrisë së Koresë së Jugut dha një vlerësim negativ të provës dje. Sipas tij, raketa përshkoi një distancë 30 km para se të binte në det, pra larg realizimit të distancës prej 300 kilometrash për raketat me rreze të mesme veprimi. Po sipas qeverisë jug-koreane, motori i raketës pati defekt pak para lëshimit.
Sipas ekspertëve, Korea e Veriut mund të jetë në fazat e hershme të zhvillimit të aftësive për lëshimin e raketave nga nëndetëse. Deri tani ka bërë tre prova për hedhjen e raketave, të tria herët mendohet se përpjekjet kanë dështuar, megjithëse Pheniani i ka deklaruar të suksesshme dhe, sipas analistëve, ka modifikuar videot për t’i bërë të duken të suksesshme.
Irani dhe Rusia, shitje të “ujërave të rënda”
Agjencia e lajmeve RIA e ka cituar ministrin e Jashtëm iranian të ketë thënë se, Teherani po mban bisedime me Rusinë lidhur me shitjen e “ujërave të rënda”.
“Ujërat e rënda” nuk janë radioaktive, por mund të përdoren për prodhimin e armëve bërthamore, si dhe energjisë bërthamore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 ndërmjet Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe pesë fuqive të tjera të mëdha botërore, Teherani ka përgjegjësi që të reduktojë rezervat e “ujërave të rënda”.
Marrëveshja bërthamore e lejon Iranin që të përdorë “ujërat e rënda” në reaktorin e modifikuar bërthamor, Arak.
Por, ajo duhet të shesë, ta hedhë, ose nën kushte të caktuara, ta bëjë shkatërrimin e çdo furnizimi të tepërt me “ujëra të rënda” dhe me uranium të pasuruar.
Vuçiç pas fitores: Të ruajmë lidhjet me Rusinë
Kryeministri konservator i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Partia e tij e Progresit (SNS) fituan zgjedhjet e treta parlamentare radhazi, në bazë të një rezultati jopërfundimtar të bazuar në numërimin e një pjese të votave.
SNS fitoi 52,6 për qind të votave, Partia Socialiste e Serbisë fitoi 12,9 për qind të votave, Partia Radikale Serbe, SRS mori 7,4 për qind të votave, Partia Demokratike 5,4 për qind të votave. Këto rezultate jepen në bazë të 20 për qind të votave të numëruara.
Këto zgjedhje u panë si test midis synimit të shpallur të kryeministrit Aleksandar Vuçiç për ta anëtarësuar vendin në Bashkimin Evropian dhe emocioneve nacionaliste, të cilat favorizojnë lidhje më të ngushta me Rusinë.
“Jam thuajse i sigurtë se do të vazhdojmë procesin tonë të integrimit evropian dhe do të na duhet ta përshpejtojmë procesin e anëtarësimit (në BE)”, tha kryeministri Vuçiç pas dhënies së votës. “Dhe natyrisht të ruajmë lidhjet tona tradicionale me miqtë tanë në Lindje (Rusinë)”, tha ai.
Vuçiçi i thirri zgjedhjet dy vjet para kohe, me shpresë që të forcojë pushtetin e tij për të zbatuar siç ka deklaruar reforma. Por kritikët thonë se synimi i vërtetë i tij është të forcojë sundimin e tij autokratik edhe për katër vite të tjera, për aq kohë sa ai ka ende mbështetje te zgjedhësit.
46-vjeçari, që është konsideruar për shumë kohë nacionalist i vijës së ashpër, ka premtuar se do të privatizojë sipërmarrjet shtetërore me humbje, nëse rizgjidhet.
Partia e Vojislav Shesheljit, SRS sipas rezultateve paraprake mori rezultatin e pritur. Sheshelji pati deklaruar se, vota është në fakt një referendum, për atë nëse Serbia do të bashkohet me “armikun”, BE, ose do të krijojë një lloj bashkimi me “aleatin tonë tradicional, Rusinë”.
Në Kosovë, në vendbanimet më shumicë serbe ku u zhvilluan zgjedhjet e Serbisë nuk u shënua ndonjë incident.
Obama: Ndërhyrja në Libi duhej, por nuk menduam pasojat
Presidenti i SHBA, Barack Obama e vlerësoi sërish rolin drejtues të Kancelares Angela Merkel në politikën evropiane për refugjatët. “Unë jam krenar për popullin e Gjermanisë”, tha Obama. Për Merkelin personalisht ai tha: “Ajo ndodhet në anën e duhur të historisë”. “Historia do t’i japë asaj të drejtë”.
Pas një bisede të përbashkët, Obama e karakterizoi në Hanover “të guximshëm” qendrimin e Merkelit në çështjen e refugjatëve – ndoshta “sepse ajo ka jetuar dikur vetë pas një muri”, tha Obama.
Me shpejtësi të madhe dy kryetarët e shtetit folën në konferencën e përbashkët të shtypit për shumë pika të nxehta në botë. Një gjë mbeti e përbashkët gjatë gjithë treçerekorëshit: në mënyrë të dukshme të përzemërt u shpreh Obama për Kancelaren gjermane.
Ai lëvdoi humorin e saj. “Ju nuk e njihni atë”, u tha Obama gazetarëve, “sepse ajo nuk e tregon sensin e saj të mirë për humor në konferencat e shtypit – atje ajo është gjithmonë serioze”, tha me shaka Obama. “Kjo është marrëdhënia më e rëndësishme, miqësia më e rëndësishme, që kam pasur gjatë mandatit tim”, tha Obama për marrëdhënien me Merkelin. Dhe ai bëri të ditur se si person privat do të vazhdojë ta admirojë Merkelin pas fundit të mandatit të tij. Mesazhi i qartë i daljes së përbashkët para gazetarëve ishte: SHBA dhe Gjermania ndodhen në kohë të vështira pranë njëra-tjetrës.
Vatrat e nxehta të konflikteve
Merkeli dhe Obama u shprehën shumë të shqetësuar për gjendjen në Siri. Obama u shpreh sërish kundër një zone sigurie për popullatën. “Unë vërtet e dëshiroj këtë, po ka një sërë problemesh praktike”. Merkeli deklaroi se zona të tilla duhet të jenë pjesë e procesit të negociatave të Gjenevës.
Përsa i përket gjendjes në Ukrainë, të dy politikanët thanë se është e rëndësishme që të zbatohen Marrëveshjet e Minskut. Për fat të keq, armëpushimi nuk është i qendrueshëm, thanë ata.
Obama nguli këmbë që dy muaj e gjysëm pas takimit të nivelit të lartë të NATO-s, shtetet anëtare duhet t’i rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 2 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Gjermania është në nivelin 1,1 për qind, kurse SHBA në 3,5 për qind.
Merkeli tha se “Unë besoj se i gjithë pozicionimi i Bundeseehrit e pasqyron plotësisht përgjegjësinë ndërkombëtare”.
Obama e akuzoi për “provokim” regjimin e Koresë së Veriut, për testin e fundit raketor. Ai tha se e merr “shumë seriozisht” këtë akt dhe i bëri thirrje Kinës që të ushtrojë efekt më të fortë te Koreja e Veriut.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis SHBA dhe BE, TTIP i preokupoi veçanërisht Merkelin dhe Obaman. Presidenti i SHBA shprehu shpresën që negociatat do të përfundojnë deri në fund të vitit 2016. Por ratifikimi nuk do të bëhet dot gjatë kësaj kohe. Kjo ka të bëjë edhe me fushatën elektorale të SHBA. Kancelarja Merkel theksoi se TTIP është shumë e rëndësishme nga perspektiva evropiane për rritjen ekonomike në Evropë.
Përsa i përket Libisë, Obama dhe Merkel qenë dakord se detyrë kryesore mbetet ndërtimi i një shteti të bashkuar. Obama tha se, “vazhdon të besojë se qe veprim i duhur ndërhyrja në Libi”. Por ai pranoi edhe gabime. “Do të kishte qenë më mirë po të kishim menduar më parë se çfarë do të pasojë më vonë. Këtë nuk e bëmë sa duhet”.
Është hera e pestë, që Obama qendron për vizitë në Gjermani. Të hënën do të zhvillohet një takim botëror i nivelit të lartë edhe me Presidentin francez François Hollande dhe kryeministrin italian, Matheo Renzi, të cilët kancelarja Merkel i ka ftuar në Hanover, ku po zhvillohet edhe panairi i përvitshëm industrial.
Leiçester Siti prek titullin kampion
Leiçester Siti nuk ndalet në Premier Ligë, duke iu afruar më pranë fitores së titullit kampion. “Dhelprat” fituan me rezultatin 4-0 ndaj Suonsi Sitit pasditen e së dielës, duke kryesuar kampionatin anglez me 76 pikë. Me këtë fitore djemtë e Ranierit shkëputen me 8 pikë larg vendit të dytë, Totenhemit, i cili do të luajë nesër në mbrëmje ndaj Uest Bromuiç. Ëndrra e Leiçesterit për t’u ngjitur në majat e futbollit anglez vazhdon dhe besimi i ekipit duket se është rritur edhe për faktin se duhen edhe tri javë nga mbyllja e kampionatit.
I blerë me një buxhet të papërfillshëm, skuadra që po i drejtohet titullit kampion, Leiçesteri, tashmë duhet të nisë përgatitjen për Champions-in. Në tregun aktual, suksesi sjell një rritje të ndjeshme të vlerës së kartonit të futbollistëve në rast se, ata do të peshohen për t’u larguar. Secili prej lojtarëve të Klaudio Ranierit e ka rritur vlerën e tij në treg këtë sezon. Sot, skuadra e “dhelprave”, fiton apo jo titullin kampion, kushton shumë herë më tepër se 45.7 milionë paundët që vlente në fillim të sezonit.
Natyrisht që vlerën më të madhe në treg e kanë fituar dy simbolet e “Hirushes” së Premier Ligës, Rijad Mahrez dhe Xhemi Vardi. Nëse bosi i Leiçesterit do të detyrohet të shesë disa prej yjeve të tij në merkaton e verës, ai do të kishte mundësi të arkëtonte dhjetëra miliona paund, me të cilat do të kishte mundësi të bënte merkato, për të mos e humbur strukturën e skuadrës në sezonin e ardhshëm.
“Leiçesteri mund të fitojë Premier Ligën”. Më në fund, trajneri i ‘dhelprave’ foli për mundësinë që ekipi i tij ka për fitimin e titullit më të rëndësishëm në Angli.
Në deklaratat e tij të mëparshme, trajneri italian ishte treguar modest duke vlerësuar ecurinë e skuadrës dhe suksesin që arriti duke u kualifikuar për sezonin e ardhshëm të Champions League.
Aktualisht, Leiçesteri ndodhet në krye të tabeles më 73 pikë, i ndjekur nga Totenhemi me pesë pikë më pak. Diferenca e pikëve duket premtuese për Ranierin në kohën, kur kampionati anglez do edhe katër javë të përfundojë.
Neymar te United
Shumë gjëra po lëvizin në prapaskenë te Barcelona dhe padyshim që duke parë edhe rikonstruksionin e stadiumit, i cili do të kërkojë investimin e 600 milionë eurove, në klubin katalanas mund të ketë një të sakrifikuar. Emri që po përmendet është ai i sulmuesit Nejmar, me tabloidin anglez “The Sun”, i cili siguron vërtetësinë e lajmit. Edhe pse media spanjolle këmbëngul se, drejtuesit e Barcelonës dhe ylli brazilian po bisedojnë rinovimin, nuk është çudi që Nejmar të bëjë gati valixhet dhe të transferohet në Angli, te Mançester Junajtid.
Që “Djajtë e kuq” janë të interesuar për të, këtë e konfirmoi edhe babai i Nejmarit, i cili foli edhe për një ofertë 185 milionë eurosh dhe madje Junajtid është gati që ta ripropozojë. Dhe në të tilla shifra edhe Barcelona, e cila duhet që të ruajë bilancin e saj financiar, mund të tundohet, pasi në Katalunjë duket se e kanë në dorë edhe zëvendësuesin.
Emri i tij nuk përbën gjithashtu një surprizë. Ai është Paulo Dibala i Juventusit, sulmuesi 22-vjeçar, i cili është shndërruar në liderin e skuadrës bardhezi, që në vitin e tij të parë në Torino. “The Sun” siguron se, vetë Barcelona i ka nisur kontaktet me Dibalën dhe drejtuesit e kampionëve të Italisë, por fillimisht kërkon që të bëjë të sajin talentin e ri argjentinas dhe më pas t’i hapë rrugë largimit dhe transferimit të Nejmarit te Mançester Junajtid.
Ksavi Hernandez – Në lidhje me këtë temë, pra largimin e Nejmarit dhe zëvendësimin e tij të mundshëm me Dibalën, e bekon edhe ish-kapiteni i Barcelonës, Ksavi Hernandez, nga Katari i largët, ku aktualisht luan për skuadrën e Al-Sad.
“Nuk e di nëse Nejmar do të largohet, por nuk do të ishte një çudi. Në futbollin e sotëm asgjë nuk është më e sigurt, duke parë shifrat që qarkullojnë. Dibala i denjë për Barçën? Kam dëgjuar shumë emra që përfliten se janë në listën e ish-skuadrës sime dhe nëse doni mendimin tim, të vetmit që shoh të denjë për të luajtur me fanellën katalanase janë pikërisht Paulo Dibala dhe Marko Verrati.
Me cilësitë që kanë mund të ambientohen shpejt me ideologjinë e lojës së Barçës. Po Pogba? Pol është një lojtar madhështor, vuajta shumë kundër tij në finalen e Champions-it, por sipas meje ai ka një tjetër stil loje nga ai i Barcelonës. Unë nuk po i bëj antireklamë, përkundrazi është madhështor, por kam frikë se nuk do të ambientohej”.