19.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Drejt përballjes, Shullazi në qeveri do të shporret

Brenda tre ditëve të fundit Rama dhe Tahiri e kanë kthyer zemërimin për arrestimin e ushtarit të tyre të krimit, Shullazi në një hakmarrje të verbër ndaj atyre që e kanë çuar në qeli. Fillimisht u sulmua Prokuroria, e cila së bashku me Shërbimin Informativ dhe shërbimet partnere planifikuan deri në detaje arrestimin e bosit të krimit të organizuar.
Në fjalën e mbajtur në Parlament, Rama u mundua që të hedhë baltë mbi Prokurorinë, duke deklaruar se ishte ky institucion, i cili për shumë kohë kishte refuzuar që të lejonte policinë për të përgjuar Shullazin. Deklaratë e bërë disa herë nga Rama në sallën e Parlamentit u përgënjeshtrua nga vetë ministri i Brendshëm, Tahiri, i cili tha se ai ishte një lapsus i Ramës. Se çfarë ka ndodhur në ato momente që e bënë Tahirin të reagonte, duke përgënjeshtruar Ramën është e kuptueshme. Ai përgënjeshtrim erdhi pas një reagimi të fortë të institucioneve që i bënë një paralajmërim të fortë Ramës.
Ajo deklaratë mashtruese e Ramës ishte shenja e parë e humbjes së ekuilibrit të kreut të qeverisë. Zemërimi i arrestimit të mikut terrorist i ka eurrësuar arsyen. Pas Prokurorisë, Rama u hakmorr një ditë më pas ndaj ish-Kryeministrit Berisha, njeriut i cili me denoncimin e bërë publik të shtunën e kaluar çoi direkt në ndalimin e Shullazit. Deputetët e Ramës në Byronë e Parlamentit vendosën ta përjashtojnë Berishën me 10 ditë nga Parlamenti, një vendim i cili është paralajmëruar se do të ketë një reagim të fortë nga ana e opozitës dhe se nuk do të mund të tolerohet. Se cili do të jetë ky vendim kjo pritet të shihet ditën e hënë kur është dita që ndaj Byrosë skadon koha e lënë në dispozicion nga PD për t’u tërhequr nga vendimi i përjashtimit të Berishës. Po të hënën pritet të vendosen edhe hapat e mëtejshëm që do të ndjekë PD.
Hakmarrja e verbër e një të marri që ka humbur logjikën nga arrestimi i Shullazit erdhi edhe ndaj një biznesmeni dhe ish-deputeti. Neranxi deklaroi pak orë pas deklaratës së Berishës se shqiptarët duhet të kenë të drejtën e vetmbrojtjes përmes një ligji të ri për armët se e mbështeste propozimin e Berishës. Pas kësaj deklarate, Neranxi është arrestuar nga policia me një pretekst qesharak, atë të parkimit të gabuar.
Këto veprime hakmarrëse flasin për dëshpërimin e kupolës së krimit në qeveri. Mili i partisë nuk do t’i kthehet më dhe ata e kanë të vështirë që të bëjnë llogaritë e terrorit politik në zgjedhje si dhe në goditjen me gjoba ndaj biznesmenëve.
Situata është tejet shpërthyese. Dekonspirimi i lidhjeve kriminale të Ramës dhe Tahirit me kreun e krimit të organizuar në Shqipëri ka sjellë një reagim të fortë në opinion. Deri tani kanë reaguar institucionet, të cilat kanë thënë fjalën e tyre, ndërsa revolta zien jo më ndaj një krimineli, por ndaj tutorëve të tij që janë në krye të qeverisë.
Mënyra se si po reagon Rama është ai e një personi që po përpëlitet për t’i shpëtuar zemërimit popullor duke treguar muskujt me disa vendime si ai i përjashtimit të ish-Kryeministrit Berisha nga punimet e Parlamentit për 10 ditë. Kjo provë force e Ramës mund t’i kthehet atij në ditët e ardhshme edhe në gafën fatale që vështirë se do të mund ta shpëtojë nga rrëzimi.
Askush sot nuk mund të pranojë që t’i imponohet qeverisë me rregullat e Shullazit. Parlamenti nuk mund të kthehet në një qeli si ajo ku qëndron Shullazi. Meqenëse Shullazi nuk është më në liri, askush nuk mund të pranojë Ramën që t’i heqë lirinë e fjalës në Kuvend ish-Kryeministrit që denoncoi kreun e krimit të organizuar në vend.
Ora e revoltës popullore është më afër se kurrë. Një shkëndijë e saj mund të shpërthejë nga dita në ditë dhe ajo mund të djegë Shullazin në qeveri ashtu sikurse ai nuk e ka menduar kurrë më parë. Largimi i tij nuk është më një çështje që vihet në diskutim. Kjo është çështje ditësh apo javësh. Fundi i tij është i pashmangshëm.

A.SHAHINI

Energji falas deri në 200 kw për familjet në ndihmë ekonomike

Rama ka ndërtuar dy Shqipëri, atë të mjerimit për qytetarët dhe të luksit për qeveritarët. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me tregtarë dhe banorë të Rrëshenit. Basha u njoh me shqetësimet e tyre që nga largimet abuzive nga puna, taksat e larta, rënia e fuqisë blerëse etj. Një nga shqetësimet masive ishte energjia elektrike, çmimi i së cilës jo vetëm është rritur, por kërkohen detyrime, të cilat janë paguar një herë.
Ish-mësues: Unë jam i larguar i penalizuar vetëm se kam denoncuar zyrën arsimore në Mirditë për aferat që kanë bërë.
Basha: Çfarë denoncove?
Ish-mësues: Sot marrin mësues që japin gjuhë-letërsi pa arsim përkatës, jashtë profilit. Mësuesit që japin sot mësim abuzojnë me fëmijët me aftësi të kufizuara, që nuk ka qoftë edhe një dokument, nuk ekziston kund. Fëmijët e fshatit Peshqesh bëjnë 14 km në këmbë për të shku në Reps. Shkolla është mbyll në Shpal vetëm e vetëm për të mbajt një shkollë tjetër në këmbë edhe atyne fëmijëve iu thuhet rrinë edhe ke shpija ju se dëftesat dua ua japim, ju thonë.
Banorë: Për dritat i kam pague, i kam të vulosme, i kam të firmosme. Thotë hajde paguaj prapë. Unë nuk i paguaj më, veç kur të më venë hekurat.
Tregtarë: Ne na kanë përdor për vota, tani na mbyllin edhe numrin e telefonit.
Tregtarë: Një familje sikur jam unë me pesë vetë, isha debitor 200 mijë lekë të vjetra. Fëmijët e mi as në kohën e komunizmit 50 vjet nuk kanë nejt në terr. Kanë shku me qira 20 ditë deri kur ia kam arrit që t’i marr borxh që të laj 200 mijë lekëshin.
Tregtarë: Kam qenë shitës mishi kam kalu roje mishi.
Banorë: Unë jam socialist një herë, po ta kallëzoj. Jetoj vetë i pesti ke shpija me 65 mijë lekë të vjetra. Më kuptoni drejt, ça do të bëhet me këtë popull. Thash po jetoj unë familjarisht, por janë shumë familje kështu që po jetojnë, se kështu është nëse doni me fol drejt.
Basha: Ja si i kanë ndërtuar dy Shqipëri. Një Shqipëri të vuajtjes, të mjerimit, të padrejtësisë, të arbitraritetit e të gjobave për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, pa dallim demokratë dhe socialistë. Dhe një Shqipëri të oligarkëve si Koço Kokëdhima që del para gjykatës dhe thotë: “Po pse po më dënoni për vetëm 2 milionë lekë”. Po sigurisht se është mësuar Koço 2 milionë këtu, 20 milionë atje, 200 milionë këtu, “Albpetrolin” atje, “ARMO”-n këtu, sarajet atje dhe i duket çudi që ligji mund ta kapë edhe për 2 milionë, ndërkohë që shqiptarët janë dergjur burgjeve edhe për 3 mijë lekë të reja.
Në bashkëbisedim me të rinjtë dhe banorë të Rrëshenit, papunësia ka qenë kryefjalë e shqetësimit të tyre. Basha ka theksuar se punësimi i shqiptarëve do të jetë prioriteti numër një i tij si Kryeministër i ardhshëm. Dhe për këtë Partia Demokratike, tha Basha, ka platformën e saj që nis me uljen e taksave, siguri juridike për investitorët dhe kthimin në ekonomi të 1 miliard eurove, që sot përfundojnë në xhepat e qeveritarëve. Falja e kamatëvonesave dhe energji falas deri në 200 kw në muaj për familjet në ndihmë ekonomike është një tjetër hap i parashikuar në programin e Partisë Demokratike.
Basha: Po si mund të rritet ekonomia kur kapitali, investitorët kanë frikë të investojnë?! Sepse po të hapin një investim i pari do t’u vijë taksidari, i dyti do të vijë zyrtari i korruptuar që do të kërkojë pjesën e vet për një licencë, për një leje, i treti do të vijë krimineli me mbështetje qeveritare që do të kërkojë gjobën me pistoletë në kokën e biznesmenit. Detyra numër një e qeverisjes së ardhshme të demokratëve do të jetë punësimi i rinisë shqiptare dhe për këtë ne do të bëjmë gjithçka. Kemi propozuar dhe do të ekzekutojmë që javën tonë të parë faljen e kamatëvonesave dhe borxheve të energjisë elektrike të pakonfirmuara, por përmes sistemit aforfe. Dhe do të vendosim për të gjithë familjet në nevojë ekonomike sasinë prej 200 kw në muaj falas, të paguar drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit dhe të njëjtën gjë edhe për faturën e ujit.

Dokumenti, si Rama pagoi Shullazin

Një vendim i Gjykatës Administrative i datës 15 dhjetor 2014 është dëshmia më e mirë se si Rama paguan krerët e bandave në vend. Shullazi, i akuzuar më parë nga opozita si njeri i afërt i Ramës dhe Tahirit, tashmë provohet edhe me dokumente se si ai paguhet nga Rama për shërbimet e kryera. Ministria e Financave ka kaluar në favor të Shullazit një fond prej 4 milionë lekësh. Mënyra se si janë kaluar këto fonde hedh dritë në gjunjëzimin e plotë të kësaj qeverie në shërbim të krimit dhe tashmë është tregues se kemi të bëjmë me një Kryeministër të kapur.
Shullazi përmes në padie ka kërkuar nga Ministria e Financave dhe Thesari i Shtetit që t’i paguajnë atij detyrimin për burgim të padrejtë. Padia lidhet me arrestimin e Shullazit në nëntorin e vitit 2011 për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit dhe “Moskallëzim të krimit”. Pas një serie vendimesh, ka ardhur edhe padia e fundit e Shullazit ku kërkon dëmshpërblim për ditët e qëndrimit në burg.
Analizimi i vendimeve të gjykatave nuk do të na shpinte askund, por ajo çfarë mund të konstatojmë është shkelja e ligjit nga Ministria e Financave në padinë ngritur nga Shullazi. Ministria e Financave do të duhej që të ankimonte menjëherë vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Administrative. Ky është një detyrim ligjor që e ka pasur si Ministria e Financave po ashtu edhe Thesari i Shtetit. Është detyrim që ligji ia jep në transparencë dhe në respekt të taksapaguesve që do të duhet të kalojë të gjitha shkallat e apelimit përpara se të marrë formën e prerë, sepse kurrë nuk ka ndodhur që shteti të heqë dorë nga të drejtat e veta që pas gjykimit në shkallën më të ulët.
Ka ndodhur në dhjetorin e vitit 2014 me paditës Shullazin dhe të paditurin Ministrinë e Financave, pasi në këtë mes është Rama dhe Tahiri, të cilët i kanë kërkuar ministrit që të mos apelojë vendimin e gjykatës, por të zgjidhë qesen e parave të taksapaguesve dhe të paguajë, Shullazin.

Berisha e denoncon në Parlament

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar këtë skandal të rëndë që implikon direkt Ramën dhe qeverinë në pagesën ndaj Shullazit. Berisha kujtoi se përbën një shkelje të rëndë se si Ministria e Financave nuk ka apeluar vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Administrative, e cila është një detyrim i përcaktuar në ligj.
“Dokumenti është i datës 15.12.2014. Republika e Shqipërisë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, Emili i partisë i burgosur për armëmbajtje pa leje shpallet i pafajshëm me ndërhyrjen e partisë, por kjo është vetëm gjysma. Gjysma tjetër është në kohën se kur Qemal Zela var veten për mungesë ilaçesh për 35 dollarë borxh kësaj qeverie të pashpirt, Emili i partisë i merr të gjithë kompensimin për burgun e padrejtë që bëri për shkak se u kap me armë. Ministri i Financave i paditur nga Emili i partisë në gjykatë dërgon përfaqësuesin e vet në gjykatë. Gjykata vendos siç thotë Edvini. Po pse e them unë këtë dhe ku e bazoj këtë? Nuk është e lehtë kjo të thuash se Edvini e mori në telefon gjykatësin. E them unë, sepse gjyqin e fitoi Emili në Shkallë të Parë. Ministria e Financave është e detyruar me ligj ta apelojë, për të mbrojtur interesin tënd publiko-qytetar. Nuk e bëri dot kurrë këtë, sepse e urdhëroi Edvin Kristaq Rama. Në fakt unë e kuptoj se Saimiri është dhjetë herë më i lig se Emili. Se të paktën Emili nuk ka marrë mandat, por rri pritave dhe skutave, ku të gjobisë, ku të vrasë, kurse Saimiri rri me kollare dhe Rama rri me kollare. A e shihni ju zotërinj se atij i janë dhënë 5 milionë lekë dhe Partia Siçiliste ka refuzuar ta apelojë vendimin e padrejtë të gjykatës dhe i ka lënë 5 milionë lekë në xhep Emilit të partisë. Për ju që keni minimumin e përgjegjësisë ndaj qytetarëve çfarë do të thotë kjo? Një njeri i ndershëm edhe ai ishte njeri punëtor, serioz, i cili për 35 dollarë u la në qeli, kurse Emili shpërblehet se kapet me armë pa leje me urdhrin e Edi Ramës”, u shpreh Berisha në Parlament.

Ministria e Financave heshti

Ministri i Financave, i cili ka qenë prezent në sallën e Parlamentit për asnjë moment nuk ka përgënjeshtruar apo hedhur poshtë denoncimin e bërë nga ish-Kryeministri Berisha. Ndryshe nga herë të tjera kur ai replikon sa herë i përmendet emri, dje ai ka zgjedhur të heshtë, duke konfirmuar publikisht drejtësinë e akuzës që ka lëshuar Berisha ndaj Ramës dhe qeverisë për lidhje direkte me bandën e Shullazit. Mosankimimi i vendimit të Gjykatës Administrative për të dëmshpërblyer Shullazin tregon një detaj të rëndësishëm se si financohet në aktivitetin e tij nga qeveria Rama, Shullazi.

Vendimi që nuk u ankimua

1. Pranimin e pjesshëm të padisë së paditësit Emiljano Shullazi.
2. Detyrimin e palës së paditur Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit Tiranë t’i paguajnë paditësit Emiljano Shullazi, kompensimin për burgim të padrejtë në vlerën 404.800 (katërqind e katër mijë e tetëqind) lekë për 184 ditë paraburgim në vlerën 2.200 lekë për një ditë.
3. Rrëzimin e padisë për diferencën që i përket kompensimit në vlerën maksimale për periudhën e paraburgimit prej 184 ditësh, prej 800 lekë të tjera për një ditë.
4. Ekzekutimi i këtij vendimi duhet të bëhet nga subjekti i paditur jo më vonë sesa një muaj nga marrja e vendimit formë të prerë dhe paraqitja e kërkesës për ekzekutim nga kreditori, në një këst të vetëm për pagimin e të gjithë shumës, ndërsa ekzekutimi i detyrueshëm do të bëhet nga përmbaruesi gjyqësor.
5. Shpenzimet gjyqësore dhe ato në fazë e ekzekutimit të vendimit u ngarkohen palëve në raport me pjesën e pranuar të padisë.
6. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e shpalljes. Për personin e tretë në mungesë, ky afat fillon nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

U shpall në Tiranë, sot më datë 15.12.2014

Sekretare
Geralda Bakiasi

Gjyqtare
Elda Vrioni

Shqiptarët duan stadium, e jo biznes për mikun e Ramës

Lulzim BASHA

Duhet mbajtur mend e fiksuar mirë se sot budallallëku i një Kryeministri kapërceu çdo vrapim me pengesa për të zënë vendin e parë në galerinë e tuhafëve të motos; ç’më duhet mua se çfarë them unë. Sot Edi Rama shpalli se ai e paska çuar kombëtaren në finalet e Europianit.
Pa droje fare e bëri të vetën dhe këtë meritë, si të qe tender apo koncesion. Po ia plasin gazit i madh e i vogël, paçka se ky qëndrim është i rëndë dhe hedh poshtë mundin, sakrificën, talentin e djemve të kombëtares, të ekipit, stafit drejtues. Edhe ata që presin topat pas porte e dinë çfarë kontributi ka Edi Rama në këtë histori suksesi. Po të dëshpëruarit bëjnë deklarata të dëshpëruara.
Pasi e ngjiti Shqipërinë në krye të listës europiane të drogës, me Tahirin, Shullazin e Habilajt, pasi instaloi korrupsionin në çdo zyrë, pasi e bëri vendin më të inkriminuar në planet, pasi futi skamje e varfëri në popull, e vetë me bandën e hajdutëve kapi majat e luksit, me gjithë këtë bilanc të zi që është drejtpërdrejt puna e vepra e tij, rreket ta verë emrin te e vetmja gjë e mirë që ka ndodhur dhe thotë se ai e paska dërguar Shqipërinë në Francë 2016. Marifet i dalë boje për të larguar vëmendjen nga plagët e mëdha të shoqërisë.
Shqiptarët shohin se si ky kumbar ngriti një perandori krimi me Shullazin, me zhvatje, plaçkitje, me eksploziv e armë te koka, ky bërtet reforma. Shqiptarët duan stadium, e jo biznes për mikun e Ramës që bëhet pronar i mijëra metrave në zemër të Tiranës, ky thotë kombëtarja. Shqiptarët shohin se si vjedhja qeveritare bëhet çdo ditë me thasë, ky thotë rilindje. Sa për shijet estetike, këto tashmë i dallojnë qartë të gjithë.
Ato të Ramës nisin te gjirizet e errëta të Rrugës së Kavajës ku kishte zyrat banda e tij e preferuar e përfundojnë te komisari i Jugut që dikush e ka shpallur armik të ujit dhe sapunit.

Harta me 363 zonat e kthyera në plantacione gjigande droge

Arben RISTANI

Në raportin më të fundit të Departamentit të Shtetit të bërë publik pak javë më parë, nënvizohet fakti se, pavarësisht luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikut të drogës, Shqipëria vijon të jetë një burim shumë i madh në prodhimin e  cannabis-sativa dhe një vend tranzit për trafikimin e kokainës dhe heroinës drejt vendeve të BE-së. Në mënyrë të përsëritur në këto dy vitet e fundit, kemi nënvizuar me forcë këtë regres të thellë në këtë aspekt, pasi lufta e vijueshme e Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, në vitin 2012, mundësoi shmangien, thuajse të plotë, të Shqipërisë nga harta e vendeve tranzit të drogave të forta. Fakt ky i njohur dhe i pranuar si nga organizmat ndërkombëtare ashtu dhe agjencitë partnere euro-atlantike.
Ndërhyrja energjike e partnerëve ndërkombëtarë bëri të mundur asgjësimin e një laboratori të prodhimit të kokainës që ishte ngritur në zemër të Shqipërisë, në Elbasan, vetëm pak metra larg aksit kombëtar. Kjo ndërhyrje bëri të mundur që Shqipëria të mos klasifikohej edhe si një vend i prodhimit të kokainës. Lidhur me Shqipërinë raportet citojnë: “Që prej viti 2013, vitit 2014 e në vijim rrugët e heroinës drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian janë vendosur nëpërmjet Shqipërisë dhe kjo konfirmohet nga sasitë e mëdha të heroinës dhe kokainës të sekuestruara nga agjencitë ligjzbatuese italiane”.
Të gjitha këto fakte provojnë se, ky rigjallërim i frikshëm i grupeve kriminale të strukturave shqiptare brenda dhe jashtë vendit nuk mund të bëhet pa përfshirjen e strukturave të shtetit dhe politikës në këto aktivitete.  Një gazetare investigative në një intervistë lidhur me këtë fenomen do shprehej: “Ju më pyesni se cilat grupe kriminale kontrollojnë trafikun e drogës? Por në fakt grupet mafioze kontrollojnë politikën e më pas trafikun”. Po në këtë linjë vjen edhe një artikull në gazetën e mirënjohur franceze “Le Figaro”, botuar më 15 janar 2015, kur ndër të tjera thuhej: “Në qoftë se Shqipëria njihej si një vend i depozitimit dhe shpërndarjes së drogave, zbulimi i një laboratori i përpunimit të kokainës të detyron të ridimensionosh rolin e saj”.
Këto fakte shqetësuese janë thënë qartazi edhe nga zyrtarë dhe funksionarë të lartë të antimafias italiane, ku veçon deklarata e Prokurorit të Antimafias së Leçes, Mota ku pohon se Shqipëria është shndërruar në një autostradë e trafikut të drogës me destinacion Italinë dhe vende të tjera të BE-së, si edhe faktin se ky përkeqësim i situatës pas shtatorit të vitit 2013, ka të bëjë me mungesën e bashkëpunimit me Policinë shqiptare dhe mungesën e vullnetit të saj për të luftuar këtë fenomen. Të njëjtën shqetësim lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike e ka ngritur edhe Prokurori i Gjenevës Yves Bertossa, që e ka cilësuar Shqipërinë si “Kolumbinë evropiane”.

Trafikantët, monitorim parcelave të drogës me dron

Droni është mjeti më i fundit që po përdoret masivisht nga trafikantët e drogës për të monituar mbarëvajtjen e punës në plantacionet e mbjella me drogë. Trafikantët kanë nisur të përdorin dronin për të filmuar nga ajri parcelat e drogës, me qëllim pasjen në dijeni se kush hyn dhe kush del nga plantacionet. Përmes dronit, trafikantët përpiqen të kenë nën kontroll situatën dhe të sigurohen se çdo gjë në parcelat e tyre po shkon më së miri. Kjo metodë, përdoret krahas rojeve të armatosura që trafikantët kanë vendosur për të mbrojtur dhe mbajtur të sigurta plantacionet e tyre. Ky fenomen është hasur në Bashkinë e Krujës por po përhapet me shpejtësi në të gjithë territorin e vendit.  Aktiviteti kriminal i prodhimit dhe trafikut të drogës ka mbështetje nga segmente të larta të Policisë së Shtetit dhe nga drejtimi i lartë politik i Ministrisë së Brendshme si rezultat i kapjes së këtyre strukturave policore dhe politike, por edhe si një shpërblim për kontributin e grupeve kriminale në fushatën e fundit elektorale. Të dhënat tregojnë pesëfishimin e sipërfaqes së mbjellë me cannabis-sativa, shtrirjen e këtij fenomeni në gjithë territorin, si dhe për faktin që grupet kriminale po përdorin një farë të veçantë, vietnameze, çka mundëson kryerjen e ciklit të plotë në 45 ditë. Në lidhje me këtë çështje, PD ka kërkuar marrjen e masave për nisjen e parakohshme të misionit të monitorimit nga ajri të strukturave të policisë italiane.

Gjendja e mbjelljes se hashashit në Shqipëri sot

Qarku Fier:
Në tre vitet e fundit në Qarkun e Fierit kultivimi i bimës narkotike ka marrë prioritet në të pesë bashkitë që përfshin ky qark: Bashkia Fier, Bashkia Patos, Bashkia Rroskovec, Bashkia Lushnjë dhe Bashkia Mallakastër.
Nëse i referohemi territorit të kultivimit vitin e kaluar pothuajse i gjithë territori ka qenë i kultivuar me këtë lloj bime, tendecë e cila gjatë këtij viti do të jetë në rritje. Konkretisht në Bashkinë e Fierit zonat më të prekura kanë qenë fshatrat: Libofshë, Gryk, Pishporo, Cave, Adë, Darëzezë, Kreshpan, Krapes, Plygë, Vjosë, Gjorgos, Frakull dhe në qytetin e Fierit është kultivuar në sera.
Në Bashkinë Patos, zonat më të prekura janë fshatrat: Dukas, Kuqan dhe Patos-Fshat.
Në Bashkinë Rroskovec, zonat më të prekura janë fshatrat: Kurjan, Vloshtë, Ngjegjan, Mbers, Arapaj, Suk, Strum, Velmisht dhe ka pasur raste të kultivimit në sera.
Në Bashkinë Lushnjë, dy vitet e fundit ka marrë prioritet kultivimi i bimës narkotike canabis–sativa ku bie në sy kultivimi në sera sikurse edhe në fshatrat: Dushk i Madhë, Hysgjokaj, Karbunar, Grabjan, Krutje e Sipërme, Thanasaj, Zhamë, Thanaj, Toshkëz, Mazhaj.
Në Bashkinë Divjakë, është kultivuar në pyllin e Divjakës, anës lumit Shkumbin dhe në fshatin Rremas.
Në Bashkinë Mallakastër, është kultivuar në fshatrat: Kutë, Ninesh, Cerrile dhe Gjerbës.

Qarku Vlorë
Në Bashkinë Vlorë, fshatrave të Lumit të Vlorës, Llakatundit dhe  Poros.
Në Bashkinë Sarandë, fshtatrat me kultivim rezultojnë Borsh – Mali Borshit, Fterrë, Çorraj, Sasaj, Lukovë (pjesa malore), Grazhdan, Leshnicë, Navaricë, Theollogo, Dhivër,
Njësia Administrative Konispol, fshatrat Vorv, Ninat, Markat, Kodrat e Konispolit dhe Shalës.
Në Bashkinë Delvinë, fshati Kakodhiq, lugina e Bistricës, Syri Kaltër, fshati Dhrovjan, Krongji dhe Qafa e Muzinës. Pllaja e Mesovunit, Qafa e Skërvficës-zona e Luvadhit.
Njësia Administrative Vergo–fshatrat Tatzat, Kalas (lugina e lumit Kalas përfshi dhe fshatin Bajkaj), pjesa malore e fshatit Vergo, Kopaçez, Varfaj, mali Sopot.

Qarku Dibër
Në Bashkinë Peshkopi zonat me më tepër tendencë për kultivimin e bimëve narkotike, në bazë të informacioneve janë: Zona e Lurës, Territori i grykëderdhjes së “Drinit të Zi”, që fillon nga fshati Zalldardhë deri në Maqellare, në malin e Popinares (ish-Komuna Maqellarë) dhe fshati Luzni.
Në Bashkinë Bulqizë zonat e kultivuara janë: Grykëderdhja e lumit të Okshtunit, Fshati Smollik, Fshati Ternovë, Krahina e Gollobordës, Fshati Çerenec, Kodra e Danit në Fushë Bulqizë, Krahina e Martaneshit.
Në Bashkinë Burrel-Klos, Fshatrat e zonës mbi Klosin, Krahina e Macukullit, Fshati Gurrë, Mali i Balgjait, Zonat kufitare me Malësinë e Krujës.

Qarku Lezhë
Në Bashkinë Mirditës, pjesa më potenciale për kultivimin e kësaj bime narkotike është ish-Komuna e Kaçinarit, e cila  kufizohet dhe me rethet Lezhë dhe Pukë është një zonë që kryesisht kultivon rrushin dhe si e tillë ka burime ujore të mjaftueshme, por dhe me kryesorja se aty ka ndikim ish-kryetari i komunës së asaj zone që u lirua nga Burgu me pretendimin që Gerrhitet natën  (Petrit Bardhi). Po në këtë rreth ka informacion se po kultivohet hashash dhe në Zonat e Selitës që kufizohet me rrethet e Dibrës (Lurë) dhe Burrelit. Gjithashtu mendohet që ka  kultivim dhe në zonën e Fanit, pjesa që kufizohet me rrethin e Kukësit në të djathtë dhe të Pukës në të majtë në afërsi të ish-burgut të Spaçit.
Në Bashkinë Kurbin, sipas informacioneve, zonat që janë mbjellë dhe po përgatiten për kultivimin e canabis-sativa janë fshtrat Mafsheq, Selit, Skuraj (kufizohet me rrethin e Burrelit) Gallat Lefter (sipër Kishës së Laçit), ndërsa zona më problematike është zona që kufizohet me rrethin e Krujës. Ka informacione se po kultivohet edhe  në zonën e Fushë-Kuqes dhe Adriatikut, në krahun e majtë të autostradës.
Në Bashkinë Lezhës për shkaqe të konfigurimit gjeografik mendohet se është më pak problematike përsa i përket kultivimit të canabis-it, por është mbjellë dhe po përgatitet  për mbjellje në zonën  Ungrejt, fshatra këto që kufizohen me rrethin e Mirditës, duke qenë se kushtet janë të favorshme për shkak të konfigurimit të terrenit dhe të burimeve ujore që ka kjo zonë.

Qarku Durrës
Në Bashkinë Krujë, zonat më të prekura për kultivimin e bimëve narkotike gjatë vitit 2015 kanë qenë: Njësia administrative Nikël (fshatrat–Zezë, Vrion, Greps, Mukje dhe Kurcaj)
Njësia Administrative Bashkia Krujë (Fshati–Brret, Krast dhe Zahari)
Njësia Administrative Bashkia Fushë-Krujë (Fshati–Halil, Kameras, Kullaj dhe Larushkë)
Njësia Administrative Thumanë (Fshati–Gramzë, Kodër Thumanë, Dukagjin dhe Miliskaj)
Njësia Administrative Noj-Çudhi (Fshati–Rrazë, Bruzallë, Bruzmal, Kroji Madh, Noj, Shkret, Mafsheq dhe  Shqezë ).
E njëjta tendencë është dhe për vitin 2016 në të gjithë këto zona.
Ka filluar puna për rekrutimin e punonjësve për të përgatitur tokën dhe infrastrukturën për kultivimin e bimëve narkotike. Personat që e kultivojnë janë me banim në zonën e Malësisë së Krujës. Po kërkojnë toka në thellësi të pyjeve për të mos qenë prona të regjistruara.
Farat e canabis-it i kanë hedhur në gota plastike dhe i kanë vendosur në sera në mënyrë që pas rreth dy-tre javësh t’i mbjellin në gropat tashmë thuajse të hapura.
Kryesisht kultivohen në sera në zonën e Tapizës-Krujë, Valijas, Vrejon, Nikël dhe Thuman, nga persona me precedent penal e kriminal të mëparshëm të lidhur kryesisht me Kryetarin e Bashkisë Krujë dhe vëllain e tij të quajtur Ilir Bushi, të cilët për çdo fidan e shesin vetë nga 8 deri në 15 euro. Në zonat fushore, gropat hapen me skskavator me pajisje të veçantë për hapje gropash në mënyrë që të veprohet shpejt dhe pa rënë shumë në sy të komunitetit.
Për shumicën e rasteve kryhen me dijeni dhe nën mbrojtjen e punonjësve të policisë në terren dhe drejtuesve lokalë të policisë vendore, kundrejt shumave të parave në varësi të numrit të rrënjëve të mbjella.
Në Bashkinë Shijak zonat më të prekura për kultivim të bimëve narkotike gjatë vitit kanë qenë:
Njësia Administrative Ishëm (fshatrat – Gjoric, Darraq, Lalëz dhe Shetaj)
Njësia Administrative  Bashkia Manëz (Fshati–Kodër-Manëz, Kameras dhe Radë)
Njësia Administrative Shijak, Komuna Xhaf Zotaj (kryesisht në Shetel dhe nëpër sera brenda avllive)

Qarku Shkodër
Në Bashkinë Vau Dejës zonat ku është kultivuar bima narkotike canabis–sativa janë: fshati Dush, vendin e quajtur Mashën dhe në afërsi të fshatit Ferth në afërsi të përrenjve. Në fshatin Gomsiqe 100 m sipër rrugës kryesore në një pyll me pisha. Në fshatin Karmë e sipërme në zonë të pyllëzuar jo shumë larg zonës së banuar. Në fshatin Koman sipër hidrocentralit në pyllin sipër tij. Në fshatin Lisen, në pyll në afërsi të Liqenit të Vau Dejës. Në fshatin Vjerdhë në pyll në afërsi të Liqenit të Vau Dejës. Në ishullin e Shurdhahit në Liqenin e Vau Dejës. Në fshatrat Melgushe, Mnelë e vogël dhe pothuajse në të gjitha lagjet Mnelë e Madhe në zona të pyllëzuara dhe në disa lagje të fshatit Vig në zona të pyllëzuara.
Në fshatin Shpor dhe Mazrrek, në pyjet e këtyre fshatrave, zona të nxehta për kultivim te bimëve narkotike. Në zonën Shllak, në vendet e quajtura pylli i Benës, sipër rrugës kryesore dhe poshtë rrugës kryesore në hyrje të fshatit Shllak Qendër, dhe pylli Ukbibaj. Në zonën e Temalit në pyjet e fshatrave Kllogjen, Malagji, Telume, Kishe Arrë, Vilë dhe Toplanë, zona të nxehta për kultivim të bimëve narkotike.
Në Bashkinë Shkodër, zona e Dukagjinit, në pyjet e fshatrave Prekal, Sume, Kir, Pult, Shosh, Ndreaj, pothuajse gjithë fshatrat e bregut të lumit, zona të nxehta për kultivim të bimëve narkotike. Në pyjet e fshatrave Kullaj, Ura e shtrenjtë, Dragoq, Postribë.
Në fshatin Rragam, fshati Sheldi i Gurit tëZ, fshati Dajq i Bregut të Bunës, fshati Shirq, Velipojë, Qas, Bregu i Bunës, Melgushe, Stajkë.
Në Bashkinë Koplik (Malësia e Madhe) zonat ku është kultivuar bimë narkotike. Bjeshkët e Bogës, Qafë Thore, bjeshkët e Ducajve, bjeshkët e Kurrilajve Dedaj, bjeshkët e Repishtit, bjeshkët e Rrjellit, në lagjen Culaj fshati Bajzë, Kozhnjë, pylli i Kosanit, fshati Zagore, bjeshkët e fshatit Broje, bjeshkët e fshatit Vukël, bjeshkët e fshatit Nikq, bjeshkët e fshatit Selcë, bjeshkët e fshatit Vermosh, fshati Hot në afërsi me kufirin me Malin e Zi, bjeshkët e fshatit Kastrat, vendi i quajtur bjeshkët e Fushë – Zezë sipër zonës turistike të Razmës, në disa fshatra në bregun e Liqenit të Shkodrës në zonën e Malësisë së Madhe.
Në Bashkinë Pukë, zonat më të prekura për kultivim të bimëve narkotike gjatë vitit 2015 kanë qenë: Zona Korthpules, Vrrithit e Kaftallës, Zona Kaçinarit, Rras Kushnen, Mesul, Mushtë, Tuq, Kodër e Keqe, Zona Karmes e Komanit, Zona Sapaqit, Brebulla, Mërture, Berishë e Epër, Zona e Qafës Tmugut, Fletit, Kurore Dardhës dhe Stanet e Mziut, Tendencë e njëjtë është dhe për vitin 2016 në të gjithë këto zona.
Ka filluar puna për rekrutimin e punonjësve për të përgatitur tokën dhe infrastrukturën për kultivimin e bimëve narkotike. Personat janë me banim në Shkodër, Durrës e Tiranë dhe po kërkojnë toka në thellësi të pyjeve për të mos qenë me prona të regjistruara.
Ka info se po bashkëpunohet me policinë për të krijuar zona të mbrojtura kundrejt pagesës paraprake 10 euro për rrënjë dhe 30% të prodhimit, në përmbyllje të fushatës korrje–shirje.
Nga Komani deri në Fierze në anën e Drinit Zonë e Pukës ka bashkëpunim me kultivuesit në anën tjetër të Drinit Zonë e Shkodrës. Ky informacion  ka më shumë se dy burime.

Qarku Berat
Në Bashkinë Berat, kemi informacion se zonat që kanë tendencë për kultivimin e bimëve narkotike canabis-sativa, janë zona të thella, kodrinore dhe  jo shumë të banuara. Konkretisht:
Njësia Administrative  Terpan: zona e Ballovit, pjesa kodrinore e tij dhe luginat e përrenjve.
Njësia Administrative Thinjë: Fshati Velçan, zona  Osmenzez.
Njësia Administrative Cukalat: Fshati Sinjë, zona e Allambzezit dhe në serat e fshatit Cukalat.
Njësia Administrative Roshnik: fshatrat Dardh, Qafë-Dardhë, Roshnik  gjithashtu dhe në territorin e fshatit  Kapinovë në pllajat e malit të Tomorrit.
Në Bashkinë Kuçovë, Njësia Administrative Lumas në pjesën kodrinore dhe luginat e përrenjve të fshatrave Luzaj dhe Sarafel.
Në Bashkinë Skrapar, zona të kultivuara rezultojnë fshatrat Turbohovë, Potom, Konak, Kakruk, Vendresh, Dobrush, Therepel, Bogovë, Novaj.

Qarku Gjirokastër
Në Bashkinë Tepelenë vitin e kaluar ka patur një kultivim masiv të bimës narkotike canabis-sativa në të gjithë territorin e këtij rrethi. Por dhe ky vit nuk bën përjashtim madje është dyfishuar tendenca e kultivimit.
Zonat më të theksuar në kultivim janë: Fshatrat Progonat (në malin e Këndervicës, konkretisht vendi i quajtur Hon dhe në fshatin Lekdush), Gusmar, Nivicë (në zonën e quajtur Llufa), Rexhin. E gjithë lugina e lumit Bënç.
Njësia Administrative Lops (Dhemblan): në fshatin Dhemblan dhe në kodrat e fshatit Dorz, në fshatin Turan.
Njësia Administrative Buzë: Në kodrat e Selcës dhe fshatit Buz si dhe në luginën e përroit Selc.
Njësia Administrative Luftinjë: Në fshatin Zhapokik, Arrëz, Curril, Luftinj.
Njësia Administrative Qesarat: Në kodrat e Qesaratit, fshatit Shalës.
Njësia Administrative Krahës: Në fshatin Kalivaç, në kodrat e Krahësit një (1) dhe Krahësit dy (2).
Në fshatin Toc dhe luginën e Vjosës.
Njësia Administrative Qendër: Në zonën e Peshtanit, Mezhgoranit, në fshatin Hormovë, Becisht dhe Dams.

Qarku Korçë
Në Bashkinë Korçë, fshatrat Dardhë, Vithkuq, Lekas, Mesmal, Moglicë, Dushar, Foq.
Në Bashkinë Pogradec zonat kultivuara rezultojnë: Njësitë Administrative Dardhas, Velçan, Trebinjes, Hudënisht, Mokër, Guri i Kamjes.
Në Bashkinë Bilisht, fshatrat Bickë, Hoçisht, Koshnicë, Arëze, Vidohovë.
Në Bashkinë Ersekë, fshatrat Gjonç, Shemtir, zona e Shelegurit.

Qarku Elbasan
Në Bashkinë Elbasan, zonat e kultivuara rezultojnë Gracen, Tregan, Fushë-Mbreti, Shmil.
Në Bashkinë Librazhdë, fshatrat Çarrisht, malet e Stërbles, Mokës, Dëshiran.
Në Bashkinë Prrenjas, fshatrat Rrajc, Hotolisht, Drogostunja, Stërblev.
Në Bashkinë Cërrik, fshatrat Gjylav, Sulov, Grekan, Shalës, Mollas.
Në Bashkinë Peqin, zonat e kultivuara rezultojnë Gjocaj, Pajolla, Përparimi.
Në Bashkinë Belsh, Kosovë, Gradisht, Kajan.

Qarku Kukës

Në Bashkinë Kukës, fshatrat e kultivuar rezultojnë Borje, Ninç, Kalaja e Dodës, Surraj, Shikaj, Shëmëri.
Në Bashkinë Has, zonat e kultivuara janë: Vranish, Zahrisht, Metaliaj, Vlahen, Kosturr, Bergu-Liqenit, Bregu-Krumes, Bjeshka e Krumes, Bjeshka Gjinaj.
Në Bashkinë Tropojë, zonat më të prekura me kultivim të bimëve narkotike janë: zona Lekbibaj, fshati Brotozhnicë, Lugina e lumit të Gashit, fshati Padesh, fshati Tpla/Degë. Tendencë e njëjtë është edhe për vitin 2016 në të gjithë këto zona.
Ka filluar puna për rekrutimin e punonjësve për të përgatitur tokën dhe infrastrukturën për kultivim e bimëve narkotike. Personat që e kultivojnë janë me banim në Tropojë, Tiranë e Durrës dhe po kërkojnë toka në thellësi të pyjeve për të mos qenë prona të regjistruara.
Tani për tani farat e cannabis-it i kanë hedhur në gota plastike dhe i kanë vendosur në sera në mënyrë që pas rreth dy-tre javësh t’i mbjellin në gropat tashmë thuajse të hapura.
Nga Komani deri në Fierzë në anën e Drinit zonë e Tropojës, ka bashkëpunim me kultivuesit në anën tjetër të Drinit zonë e Shkodrës dhe e Pukës.

Qarku Tiranë
Në Bashkinë Tiranë zonat e kultivuara rezultojnë: Petrelë (fshati Hekalit), Krrabë (fshatrat Farkë dhe Lundër), Mnere, Bovillë, Tapizë e Vogël, Shëngjergj, Zallbastar, Qafë Mollë, Herraj, Tujan. Zona Dajt ka filluar mbjellja në sipërfaqe të vogla, në zonën e Pezës me tendencë të madhe kultivimi. Në zonën Zall Dajt në fshatin Fag ku kultivimi rezulton të jetë masiv.
Në Bashkinë Kamëz, Qinam, Çerkez, Zall Herr, si dhe pjesa e malit që kufizohet me rrethin e Krujës.
Në Bashkinë Vorë, zona Kuç.
Në Bashkinë e Kavajës zonat e kultivuara janë Helmës, Golem fshat, Maskuri, Sineballaj, Rrogozhinë, Vilboshtovë dhe Lekaj.
Është kjo arsyeja që zv/kryetari i Komisionit të Sigurisë, në një letër drejtuar kryeministrit, i shpreh shqetësimin për të njëjtën gjendje që po përsëritet këtë vit, madje edhe me një varietet të ri të kësaj bime, e cila e mbaron ciklin për 45 ditë.
Kryeministrit i është kërkuar që të fillojë menjëherë monitorimin e territorit për të evidentuar sipërfaqjet e mbjella me hashash.

Rama t’u kthejë qytetarëve milionat që ka ndarë me miqtë

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Albana Vokshi, bashkë me deputetë të PD-së, dhe drejtues të Departamentit të Shëndetësisë së Partisë Demokratike, Arbiola Halimi, Roland Keta dhe Gazmend Koduzi, vëzhguan nga afër situatën e rënduar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Mungesa e ilaçit bazë, antibiotikut, madje edhe barnave të tjera të urgjencës, ishin denoncimet e bëra nga deputetja Vokshi. Në bazë të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore çdo qytetar shqiptar gëzon të drejtën e kurimit në spitalet publike falas por ata detyrohen të paguajnë vetë për ilaçet bazë të cilat nuk sigurohen nga spitali. Madje pacientët paguajnë vetë protezat të cilat kushtojnë nga 1 mijë e 500 deri në 3 mijë e 500 euro. Miliona euro në muaj ndahen për koncesione dhe check-up, të cilat mund të furnizonin me barna bazë spitalet, ose të shërbenin për ndërtimin e spitaleve dhe qëndrave të reja shëndetësore, tha Vokshi. Nisur nga rëndësia e shërbimit të këtij spitali, deputetet  e Partisë Demokratike kërkuan që Spitali i Traumës të marrë status të veçantë. “Pas shqetësimeve të panumërta që na kanë ardhur ne, deputetëve të Partisë Demokratike, departamentit të Shëndetësisë së PD, nga qytetarë dhe pacientë, dhe nga denoncimet  e shumta që janë bërë në media, jo vetëm dje, por në pjesën më të madhe të këtij viti dhe vitit që shkoi, ne vendosëm të vinim ta shihnim në terren gjendjen, vizituam disa pavione të spitalit të traumës. Vihen re mungesa të shumta. Takuam familjarë dhe pacientë, në njërin prej pavioneve ku ka mungesa të shumta, tek ortopedia. Mungojnë protezat, mungojnë vidat, mungojnë pllakat dhe vetëm njëra prej protezave shkon nga 1 mijë e 500 deri në 3 mijë e 500 euro. Familjarët detyrohen që ti blejnë të gjitha vetë. Ne takuam edhe familjarë të pacientëve të cilët jo më larg se dje, pavarësisht deklaratave të Ministrit të Shëndetësisë, i kanë blerë vetë antibiotikët dhe barnat dhe medikamente të tjera. Jemi këtu ne të gjithë deputetët e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale të Partisë Demokratike dhe Departamentit të Shëndetësisë së PD, për ti bërë thirrje ministrit, për t’i bërë thirrje kryeministrit që të furnizojë në mënyrë urgjente Spitalin e Traumës që të ketë furnizim të vazhdueshëm e jo sa herë që del ai në televizor për të bërë propagandë.  Duke pasur parasysh se janë 340 milionë euro që kanë shkuar në tre koncesione të panevojshme, do të ishte shumë mirë që të gjitha këto euro të shkonin për furnizim spitalesh, të shkonin për ndërtime të reja të spitaleve, apo për qendra shëndetësore të reja. Po të llogarisim se 340 milionë euro, që janë dhënë nga Rama për koncensione të kota, apo miliona euro që shkojnë në vit për check-up të panevojshëm, ne do ti kërkojmë ministrit dhe kryeministrit që këto para ti orientojë për furnizim të spitaleve që njerëzit të mos dergjen me ditë e javë për të marrë shërbimin që u takon me ligjin e sigurimeve shëndetësore. Gjithashtu, unë do ti bëja një kërkesë kolegëve të mi deputetë të PS-së, që të mos vënë statuse melodramatike, hipokrite në Facebook ku solidarizohen me ndërhyrje në spitale private, por gjëja e –parë që duhet të bëjnë është që ti kërkojnë llogari ministrit Beqaj, ti kërkojnë llogari kryeministrit, pse është kjo gjendje e rrënuar e spitaleve. Spitalet janë si në një gjendje lufte. Ndaj në vend që të bëjnë hipokritin, në vend që t’u japin lëmoshë dhe mëshirë, ata jo vetëm thjesht duhet të zbatojnë ligjin e sigurimeve shëndetësore dhe ti japin qytetarit shqiptar atë çka ata meritojnë”, tha Vokshi.

De Biasi: Ja sekreti i suksesit të Shqipërisë

Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi vazhdon turneun mediatik në Itali ku vazhdon të rrëfejë grimca nga sekreti i formulës së suksesit kuqezi që ai ruan me fanatizëm. Pak ditë pas intervistës dhënë për “Il Messagero”, ai ndalet edhe në redaksinë e gazetës torineze “Tuttosport”, ku prek nga pak çdo temë, por përqendrohet gjatë te suksesi i Shqipërisë në eliminatoret e Europianit. Sipas kësaj gazete, De Biasi konsiderohet një hero për kualifikimin e shumëdëshiruar që i dhuroi Kombëtares Shqiptare edhe pse vetë trajneri nuk e cilëson fat rrugëtimin e suksesshëm.
Ai shpjegon bazat e punës së tij, duke theksuar se fillimisht punoi me lojtarët në aspektin psikologjik, duke i bindur të besonin te ëndrra dhe më pas organizoi punën për rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë. De Biasi shton më tej se, një pjesë e madhe e skuadrës arrinte ta kuptonte gjuhën e tij, ndërsa për pjesën tjetër si përkthyes ka shërbyer Lorik Cana, i cili nuk bëri thjesht përkthyesin, por interpretoi konceptet që De Biasi kishte në kokë. Në vijim, 59-vjeçari bën një krahasim mes punës në një klub dhe në një përfaqësuese.
“Në rolin e trajnerit të Kombëtares ka më pak kohë për të punuar gjatë javës, por në aspektin e mentalitetit nuk ndryshon asgjë. Ne shfrytëzojmë në maksimum kohën që kemi në dispozicion. Unë u tregoj djemve shumë video për të vënë re gabimet që nuk i kanë kuptuar në fushën e lojës”, thekson De Biasi që shton se, pas përfundimit të sezonit, lojtarët do të pushojnë një javë dhe më pas do të nisë grumbullimi në Austri, për të vazhduar me programin deri në ditën e sfidës së parë kundër Zvicrës në 11 qershor. Për trajnerin e lindur në Sarmede, mbrojtja e Kombëtares është përmirësuar, pasi tashmë nuk është më një repart që mbron i ndarë, ndërsa sulmi përbëhet nga një lojtar qëndre dhe dy nga krahët, të cilët janë gjithashtu edhe detyra mbrojtëse.
Në fund të intervistës, De Biasi nënvizon se ai kërkon përherë që repartet të jenë të bashkuar dhe skuadra ta mbajë topin sa më shumë. Një rrëfim që zbulon disa aspekte të punës që trajneri ka bërë në aspektin taktik, por jo gjithçka nga filozofia e De Biasit, i cili me siguri e ka ruajtur një pjesë të madhe të sekretit për të bërë surprizën e madhe edhe në Francë.

Ranieri heq maskën

Klaudio Ranieri e thotë hapur: Leiçesteri do të luftojë për titullin kampion. Për herë të parë në këtë sezon, trajneri italian e ka pranuar se skuadra e drejtuar prej tij e ka si objektiv titullin kampion në Angli. Kur kanë mbetur edhe katër javë nga përfundimi i kampionatit, numri një i “dhelprave” thotë se skuadra është e përgatitur dhe do të luftojë për të arritur këtë objektiv madhor. Ditën e nesërme, Leiçesteri do të përballet me Suonsin e Guidolinit, i cili një ditë më parë pranoi se bën tifo për Ranierin.
Ranieri thotë se pas arritjes së mbijetesës dhe kualifikimit për në Ligën e Kampioneve, titulli në Angli është objektivi i vetëm që ka mbetur për t’u arritur. “Tani jemi në Champions. Është diçka fantastike. Duhet t’i uroj të gjithë lojtarët, tifozët, drejtuesit dhe stafin për këtë arritje të madhe. Nuk e mendoja diçka të tillë. Tani objektivi i vetëm që na ka mbetur, është titulli. Unë kam folur me lojtarët e mi dhe u kam thënë se tani duhet të bëjnë sprovën e fundit për të bërë realitet ëndrrën tonë. Unë besoj se mund t’ia dalim. Jam pozitiv si natyrë”, tha Ranieri.
Numri një i “dhelprave” flet edhe për rivalitetin me Totenhemin, duke shpresuar që diferenca me skuadrën e Poketinos të vazhdojë të mbetet e njëjtë. “Nëse Totenhemi do të bëjë përmbysjen e madhe, unë jam i pari që do ta uroj. Dua që të vazhdojmë të mbajmë këtë diferencë me rivalët tanë më të afërt. Mendoj se ata do t’i fitojnë të katërta ndeshjet e mbetura, por ne nuk do të rrimë duke i parë. Edhe ne do të fitojmë dhe do të luftojmë për titullin. Nëse e arrijmë këtë gjë, atëherë do të jetë me të vërtetë e pabesueshme”, vazhdoi më tej trajneri italian. Ai foli edhe për mungesën e Vardisë në ndeshjen e nesërme dhe tha se ka besim tek Ulloa.
“Na duhet të ndryshojmë diçka, sepse Vardi nuk do të jetë. Pa të në fushë duhet të mendojmë një tjetër strategji, por edhe Ulloa është një lojtar që mund ta ndihmojë shumë skuadrën”, përfundoi Ranieri.
Ndërkohë, Manchester City fitoi dje 4-0 përballë Stoke, duke konsoliduar vendin e tretë. Dopieta e Iheanachos dhe nga një gol i Agueros e Fernandos i bëri më të lehta punët për Pellegrinin që tashmë fokusohet në gjysmëfinalen e Champions League. Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Southampton fitoi pa shumë vështirësi në transfertën ndaj Aston Villas. Kjo ndeshje u mbyll në shifrat 4-2 për ekipin e Ronald Koeman.
Eden Hazard ka shënuar golin e parë në kampionat këtë sezon. Numri 10 i Chelseat udhëhoqi të tijtë drejt fitores 4-1 në transfertën ndaj Bournemouth, duke realizuar dopietë. Londinezët kaluan në epërsi që në minutën e 5 me Pedron, ndërsa gjysmë ore më vonë, Hazard, që nuk kishte luajtur që prej një muaji, realizon golin e parë sezonal për 2-0.
Vendasit barazojnë në të 36-ën, por Willian rikthen qetësinë në kampin “blu” në të 71-ën, ndërsa në fund të ndeshjes, belgu realizon edhe golin e dytë e të katërtin për Chelsean. Rafa Benitez merr një pikë ndaj ish-skuadrës së tij, Liverpool, në “Anfield”. Formacioni i Klopp bëri gjithçka mirë në pjesën e parë, duke krijuar një epërsi prej 2 golash me Sturridge e Lallana. Gjërat ndryshuan në pjesën e dytë, kur fillimisht Cisse e më pas Colback shënojnë për të marrë një pikë që i bën tifozët e Newcastle të shpresojnë të shohin edhe sezonin e ardhshëm skuadrën e tyre të luajë në Premier League.

Përmbysje e çmendur e Real

Real Madridi ka bërë një përmbysje spektakolare sot në kampionat ku pas një disavantazhi prej dy golash ka fituar me rezultatin 3-2 në transfertë ndaj Rajo Vallekanos. Skuadra vendase i befasoi djemtë e Zidanit, duke krijuar epërsi të dyfishtë në pjesën e parë. Adrian Embarba shënoi në minutën e shtatë, ndërsa Miku dyfishoi shifrat në minutën e 14-të, duke shokuar totalisht “Galaktikët”.
Megjithatë, “Los Blancos” nuk u dorëzuan dhe ia dolën ta ngushtonin rezultatin para se të shkonin në dhomat e zhveshjes. Pas një harkimi nga këndi të Kros, Gareth Bale shënoi me kokë në minutën e 35’.
Ndërkaq me fillimin e pjesës së dytë, Lucas Vazquez barazoi rezultatin. Për të përmbysur gjithçka mendoi uellsiani Gareth Bale që realizoi edhe golin e dytë personal në këtë sfidë. Kjo ishte fitorja e nëntë radhazi në La Liga për Real Madridin, që ngjitet në krye të tabelës me 81 pikë, dy më shumë se Barcelona dhe Atletiko që nuk i kanë zhvilluar ende ndeshjet e kësaj jave.

Roma, Pjanic e Dzeko pranë largimit

Roma duket se do të përjetojë një verë shumë të nxehtë në merkaton e transferimeve. Verdhekuqtë, përveçse duhet të përballen me situatat e Tottit dhe De Rossit, duhet të gjejnë një zgjidhje edhe për të ardhmen e mesfushorit Miralem Pjanic dhe sulmuesit Edin Dzeko.
Mesfushori boshnjak, edhe pse ka një kontratë me Romën deri në vitin 2018, është pranë largimit nga kryeqyteti roman. Në drejtim të tij kanë ardhur oferta nga Barcelona, Chelsea e Paris Saint Germain, ndërkohë që klauzola e zgjidhjes së kontratës së Pjanic me verdhekuqtë është 38 milionë euro.
Përsa i përket Dzekos, Roma pagoi për kartonin e tij 15 milionë euro dhe tani kërkon ta largojë për të arkëtuar më shumë të ardhura si dhe për të kursyer shifrën prej 10 milionë eurosh që është paga e sulmuesit. Për ta zëvendësuar boshnjakun, te italianët po mendohet për kolumbianin Radamel Falcao, i cili që pas dëmtimit në vitin 2014, kur ishte pjesë e Monacos, nuk mundi të kthehet në nivelet e larta që shfaqi me Porton dhe Atletico Madrid.
Problemi në këtë pikë qëndron në faktin se, Falcao është ekstrakomunitar, ndërkohë që paga e tij është 7 milionë euro në sezon.