32.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Humles shpall divorcin

Borusia Dortmund pritet që këtë verë të humbë katër shtyllat e skuadrës: Mats Humels, Ilkai Gyndogan, Henrik Mikhitarjan dhe Marcel Shmelcer, të cilëve u skadon kontrata në vitin 2017. Klubi verdhezi po bën të pamundurën t’u rinovojë kontratën, por duket se katër lojtarët kanë refuzuar ofertat e drejtuesve. I vetmi që ka rinovuar ishte qendërmbrojtësi Sven Bender, i cili nënshkroi deri në vitin 2021. Humels, pa gjumë. Ndërkohë, e ardhmja e kapitenit të Dortmundit, Mats Humels, do të vendoset në fund të sezonit. Një kampion bote, të cilin do ta donte çdo ekip elitar në Europë.
27-vjeçari gjerman pas fitores 3-0 ndaj Hertës në gjysmëfinale të Kupës ka pohuar se po mendon çdo ditë për të ardhmen. “Mendohem gjithnjë para se të fle gjumë. Vendimi për të ardhmen më kushton çdo ditë 30 minuta para gjumit”, nënvizoi qendërmbrojtësi Mats Humels, duke nënkuptuar një rikthim të mundshëm te Bajerni. “Ka për të qenë një vendim i vështirë. Kur të jap këtë verdikt, atëherë do të më kuptojnë të gjithë pse ka qenë aq e vështirë për mua”. Kjo deklaratë ka sjellë shumë pakënaqësi në radhët e tifozëve, për më tepër që Dortmundi do të përballet në finale ndaj Bajernit.

Dortmundi shtyn festën e Bajernit

Borusia Dortmund ka bërë që të shtyhet festa e titullit për Bajernin. Formacioni i Pep Guardiolas ka bërë gjithçka mirë në Berlin, duke fituar 2-0 në transfertën ndaj Herthas, por për të festuar titullin duhej që Dortmund të gjunjëzohej nga Stutgart.
Pas një pjese të parë të barabartë, Bajern arriti të shënojë golin e parë me të filluar pjesa e dytë, kur Arturo Vidal realizon për 1-0. Ndërkohë, 10 minuta nga fundi shënon edhe Costa, duke hipotekuar fitoren e bavarezëve. Në anën tjetër, verdhezinjtë e Dortmund fituan 3-0. Kagawa, Pulisic dhe Mkhitaryan udhëhoqën skuadrën e Tuchel drejt një fitoreje të re, duke i siguruar edhe Championsin sezonin e ardhshëm.
Në shtëpi bie edhe Wolfsburg që humbet 0-2 nga Augsburg dhe shuan shpresat për Europë sezonin e ardhshëm. Në ndeshjet e tjera, Koln fitoi përballë Darmstadt 4-1, ndërsa Ingolstadt dhe Hanonover ndajnë pikët në barazimin 2-2.

Çmenduri 47 milionë paundëshe me agjentët

Tarifat ndërmjetësuese për transferimet e futbollistëve përbëjnë shpesh një pengesë të pakalueshme në negociatat zyrtare dhe ato që zhvillohen prapa kuintave, e ndonjëherë edhe skuadrat më të njohura i dorëzohen influencës gjithmonë e më të shtuar të palëve të treta. Statistikat e fundit në “Premier League”-n angleze tregojnë se, ekipet elitare kanë shpenzuar 47 milionë paund për pagesat e agjentëve dhe prokuratorëve në harkun e vetëm 4 muajve.
Manchester United kryeson këtë listë aspak të dëshiruar, me mbi 10 milionë paund në gjysmën e parë të sezonit, çfarë përfaqëson pjesën më të madhe të “tortës”, që kanë përfituar të tretët për ndërmjetësimin. Mes negociatave më të sikletshme ishin shitja e Angel Di Maria te Paris St Germain, blerja e Memphis Depay dhe firma e portierit De Gea në kontratën e re. Ka një hendek të dukshëm me vendin e dytë në rangun e shpenzimeve për agjentët, pozicion që mbahet nga Liverpool. Edhe skuadra tjetër “e kuqe” ka pronësi amerikane dhe ka derdhur mbi 6.6 milionë paund te prokuratorët dhe kompanitë menaxhuese të lojtarëve.
Manchester City është i treti, që ka vuajtur nga taksimet ekstra për blerje apo largime, ndërsa jo më pak ka shpenzuar edhe Arsenali në 4 muaj. Shifrat e reja, të ofruara zyrtarisht nga Federata angleze, janë në kontrast të plotë me rregullin e “Fair Play Financiar”, aq shumë të kërkuar nga UEFA dhe FIFA.
Ndërkohë, trajneri i ri i Chelseat, Antonio Conte, po përgatit listën e kërkesave të tij në merkaton e transferimeve. Tekniku italian që do të marrë drejtimin e klubit londinez pas përfundimit të Euro 2016 i ka kërkuar Abramoviç të sjellë në skuadër një mbrojtës e një sulmues. Kaq i ka mjaftuar manjatit rus të Chelseat që të hedhë sërish sytë nga Everton për të tentuar blerjen e John Stones dhe Lukaku.
Mësohet se për të dy këta futbollistë, “Blutë e Londrës” janë gati të ofrojnë 90 milionë euro, ndërkohë që Everton kërkon 50 milionë për Stones dhe 60 milionë për Lukakun. Por jo vetëm kaq, Chelsea duket se ka hedhur sytë edhe nga Roma, duke vënë në shënjestër mesfushorin Nainggolan. Për futbollistin e përfaqësueses belge, kampionët e Anglisë janë gati të ofrojnë 35 milionë euro.

Besnikëri Juventusit

Gianluigi Buffon dhe Juventus një dashuri e pafundme. Gardiani i portës së bardhzinjve në një interivstë dhënë për “Corriere dello sport” ka folur në lidhje me karrierën e tij tek Juventus, nga rënia në Serinë B dhe rikthimi i zonje së vjetër në majën e futbollit italian. Kapiteni i bardhezinjve shprehet se në momentin më të keq të klubit pas skandalit Calciopoli, ofertat ndaj tij ishin të shumta por, futbolli sipas Buffon nuk është biznes. “Vendosa të qëndroj, sepse doja të tregoja vlerat që ka futbolli, jo vetëm në teori, por edhe në praktikë. Futbolli nuk është binzes është çështje ndjenjash sipas meje dhe unë vendosa të qëndroj tek Juventus”, u shpreh Bufon.
Më tej, Buffon flet dhe për startin e dobët në kampionat, ku pas humbjes me Sasuolon e gjithë skuadra u bind se të arrinin 25 fitore nuk ishte një mision i pamundur, pasi një rrugëtim të tillë e kishte bërë edhe më parë. “Zhvilluam një bisedë më të gjithë lojtarët e skuadrës dhe stafin. E dinim që nëse do të vazhdonim kështu, kritikat ndaj nesh do të ishin të mëdha dhe askush nuk do të na kursente. Bëmë disa llogari dhe arritëm në konkluzionin se të arrinim 25 fitore nuk ishte diçka e pamundur dhe kështu që pas atij momenti skuadra u ringrit”, tha portiere i Juves dhe kombëtares italiane.
Për momentin, kapiteni i bardhezinjve as që e mendon të tërhiqet nga futbolli, përkundrazi, ai i ka vënë vetes disa objektiva që dëshiron të arrijë. “Dua që edhe për dy vitet e ardhshme të vazhdoj të luaj. Dëshiroj të jem pjesëmarrës edhe në botërorin e gjashtë. Do të ishte një rekord historik. Më pas do të bëj një vlerësim të situatës dhe të mundësive që do të më ofrohen”, përfundoi Bufon.
Ndërkohë, në shtëpinë e Juventusit kanë nisur të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Titulli i 5 kampion radhazi në Serinë A është vetëm 1 fitore larg për Juventusin. Për të fituar edhe në Europë bardhezinjtë duhet të ruajnë grupin aktual dhe të përforcohen me të tjerë elementë cilësorë, edhe pse më e rëndësishme për “Zonjën e Vjetër”, aktualisht është të mbajë në skuadër xhevahirët e saj. Duke filluar nga Paul Pogba për të vazhduar me Paulo Dybalan dhe Alvaro Moratën. Për këtë të fundit po flitet shumë se Reali i Madridit do të riblejë kartonin e tij për shumën e 30 milionëve euro siç është përcaktuar në kontratë, megjithatë te Juventusi nuk dorëzohen dhe pas 20 milionë eurove fillestare janë gati t’i ofrojnë klubit Blanco, 25 milionë euro të tjera për të bërë përfundimisht të tyrin sulmuesin spanjoll. Pavarësisht ofertave edhe Paulo Dybala do të qëndrojë.

Barcelona mund të shesë Neymarin

E ardhmja e Neymarit prej muajsh është kthyer në objekt diskutimi në ambientet e Barcelonës. Pavarësisht deklaratave të drejtuesve të klubit për rinovimin e shpejtë të kontratës së tij, deri tani nuk është bërë shumë në lidhje me këtë çështje. Kjo ka bërë që të ngrihen disa hipoteza, ku ajo për të cilën po flitet më shumë ka të bëjë me financat, kjo edhe për shkak të vështirësive të Barcelonës për të nënshkruar një kontratë sponsorizimi për sezonin e ardhshëm.
Sipas asaj që publikon tabloidi “The Sun”, dilema e kampionëve të Spanjës është të rinovojnë me Neymarin apo të garantojnë shëndetin financiar të klubit. “The Sun” thotë gjithashtu se, Neymari do të përfitojë me kontratën e re 100 mijë euro në javë, gjë që mund të asfiksojë financat e Barcelonës që në vitet e ardhshme do të përballet edhe me një investim të rëndësishëm: ndërtimin e “Camp Nou”-t të ri.
Nga kjo situatë do të kërkojë që të përfitojë Manchester United, që është një prej pretendentëve për blerjen e brazilianit, së bashku me Paris Saint Germain. Sipas “The Sun”, “Djajtë e Kuq” janë gati t’i ofrojnë Neymarit një pagë 3 herë më të lartë për ta bindur atë të transferohet në “Old Trafford”.

Hamburg fitore mbijetese ndaj Werder Bremenit

Hamburgu mori një fitore mbijetese ndaj Werder Bremenit, pasi mundi 2-1 në shtëpi rivalët direkt për qëndrimin në Bundesliga, duke u shkëputur 6 pikë nga ekipi i Skripnik në renditje, që aktualisht mban vendin e 16-të, atë që të çon në play-off. Formacioni i Labadias që kishte fituar dhe ndeshjen  e fazës së parë, gjeti shpëtimtarin te Lassoga. Hamburg e nisi mjaft mirë takimin, duke kaluar në epërsi që në minutën e 5-të, me sulmuesin që shfrytëzoi një pasim të Muller për të shtyrë topin në rrjetë. Lassoga gjeti momentin e duhur dhe në minutën e 35-të, kur devijoi saktë me kokë një harkim të Ostrzolek për golin e 2-0.
Werder Bremen doli pa pikë nga Hamburgu dhe për shkak të një 11-metërshi të humbur të Pizarros në minutën e 57-të, që goditi shumë keq nga pika e bardhë. Goli i Ujah në minutën e 65-të rihapi takimin për miqtë, por shifrat megjithatë deri në fund nuk ndryshuan me formacionin e Labbadias që fitoi 2-1, duke marrë 3 pikë të rëndësishme për shpëtimin.

Thohir kërkon një klub anglez

MILAN, ITALY - APRIL 03: President FC Internazionale Erick Thohir attends the Serie A match between FC Internazionale and Torino FC Milano at Stadio Giuseppe Meazza on April 3, 2016 in Milan, Italy. (Photo by Claudio Villa - Inter/Inter via Getty Images )

Erick Thohir ka vendosur të lërë Interin. Është ky konkluzioni “Gazzetta Dello Sport”, pasi ka konsultuar një seri të shumëfishtë burimesh. E përditshmja sportive italiane raporton se që në fund të vitit të kaluar, manjati indonezian i kishte dorëzuar Bankës “Goldman Sachs”, një mandat të plotë për të kërkuar një ortak jo vetëm për një pakicë aksionesh, por pa përjashtuar edhe hipotezën e dorëzimit të paketës së plotë të kontrollit të klubit. Tani Thohir është bindur për të dalë nga investimi zikaltër, pak rëndësi ka nëse kjo do të ndodhë menjëherë apo gradualisht. Gazzeta veç të tjerash bën të ditur se Thohir po tundohet nga ideja për të blerë një klub anglez, me indonezianin që ka bërë udhëtime të shpeshta në Londër, ku ka dhe ekipin malajzian, Tony Fernandez, President i QPR, me të cilin po konsultohet, pasi ka vënë në shënjestër skuadra si Fullham, skuadër e Londrës Perëndimore, ashtu si QPR. Në orët e vona të mbrëmjes së të premtes është zhvilluar në Pinetina një takim mes një delegacioni të Sunning, kolos i industrisë kineze dhe Thohir e Morattitt. Thohir vazhdon të thotë se është i gatshëm për të shitur një pakicë aksionesh dhe që do të qëndrojë në komandë te Interi, ndërsa Moratti përgënjeshtroi zërat për një rikthim të tijin në drejtimin e Interit, ndërkohë që dhe Pirelli përgënjeshtroi një përfshirje të gjigantit tjetër kinez ChemChina në operacione që kanë të bëjnë me Interin.
Vendi i tretë tashmë mund të shikohet me dylbi, por ky nuk është i vetmi problem në shtëpinë e Interit. Tani del në skenë edhe një histori spiunazhi. Drejtori Ekzekutiv i klubit, Bolingbroke, siç raporton e përditshmja “La Repubblica”, ju ka rekomanduar vartësve të tij gjatë një mbledhjeje që të bëjnë kujdes maksimal për të mos zbuluar sekretet e klubit. Motivi është, pasi ekzistojnë mundësi konkrete që persona të jashtëm të tentojnë të vjedhin sekretet, madje Boolingbroke ju ka treguar të pranishmëve, një aparat përgjimi, “çimkë” siç përdoret në gjuhën popullore, të cilën e kishte gjetur poshtë tavolinës së zyrës, duke ju kërkuar punonjësve të ruajnë me kujdesin më të madh të dhënat e klubit.
Ndërkohë situata financiare nuk është ndër më të mirat dhe mediat italiane njoftojnë për një takim mes disa emisarëve të një grupi të madh kinez dhe presidentit Erick Thohir, ku do të diskutohet për shitjen e një pakete të aksioneve të klubit. Tratativa është në fazë goxha të avancuar dhe manjati indonezian pritet të shesë 20% të aksioneve.

Dora e mafias Rama-Eftimi-Ahmetaj tek grabitja e stadiumit kombëtar

Nga Lealba PELINKU

Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi projektin e ri për stadiumin “Qemal Stafa”, i cili do të mbajë emrin “Arena Kombëtare”, që do të jetë një ndërtesë multifunksionale. Përveç destinacionit, sportiv, ky projekt parashikon edhe ndërtimin e ambienteve me destinacion të ndryshëm, e konkretisht atë tregtar. Rrugën e devijuar nga ajo fillestare për këtë destinacion dhe kontraktimin aspak transparent të projektuesit, ndërtuesit apo financuesit, e shtroi Këshilli i Ministrave, me VKM nr. 1092, datë 28.12.2015.
Ky vendim shfuqizoi kushtin e parashikuar shprehimisht në VKM Nr. 79, datë 02.02.2011, i cili parashikonte “Dhënien e pëlqimit për krijimin e një shoqërie anonime aksionere, me qëllim rindërtimin, modernizimin dhe administrimin e stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’, me kusht ndalimin e ndryshimit të destinacionit, si objekt sportiv”.
“Projekti dhe ndërtimi i modernizuar i stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’ të ketë një destinacion të dyfishtë”, përcakton vendimi i qeverisë Rama.
Por vendimi shkon akoma më tej: “Në projekt dhe në ndërtim të integrohen pjesë me destinacion josportiv, në pronësi të shoqërisë anonime, pa kufizime në disponimin e të drejtave të pronësisë, me qëllim plotësimin e destinacionit të stadiumit të modernizuar”.
Rama po në të njëjtën VKM merr masat që të ngarkojë Arben Ahmetajn si përfaqësues të aksionerit “shtet”, duke “ia hequr këtë peshë” ministrisë përgjegjëse për sportet. Rama “bujar” i jep shoqërisë aksionere “Qendra sportive kuq e zi” sh.a., të drejtën që të iniciojë procedura përzgjedhjeje, financimi dhe negocimi për realizimin e projektit, sigurisht duke përfshirë edhe pjesën me destinacion josportiv.
Qendra sportive, me aksioner FSHF-në (75%) dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (25%), sot Ministria e Kulturës, nuk vonoi të gjente si projektuesin, ashtu edhe ndërtuesin/zbatuesin.
Rama, nxitoi të sqaronte, tentoi së paku, se kjo nuk do t’i kushtonte asnjë lekë arkës së shtetit, por nuk e çoi ndërmend të thoshte një fjalë të vetme për procedurën me të cilën u përzgjodhën projektuesi dhe ndërtuesi. Kjo mbetet plotësisht e paqartë. Sigurisht, e qartë është lidhja e hershme e Ramës me studion e projektimit.
Trekëndëshi Rama-Efthemi-“Archea Associati s.r.l” rishfaqet sërish.
Kjo studio rezulton të jetë fituese me projektin e kullës “4 EVER GREEN”, pranë Gjykatës së Lartë, ku jurinë e përzgjedhjes e kryesonte Rama- kryebashkiak. Kjo studio rezulton të ketë marrë pjesë edhe në konkursin ndërkombëtar të projektimit të ishullit Osum-Berat, në bashkëpunim me studion e projektimit “Atelier 4”. Vetë Alban Eftimi, në CV e tij liston bashkëpunimin me studion “Archea”. Çdo gjë fillon e bëhet qartësisht e kuptueshme, nga përmbajtja e VKM-së që ndryshoi atë të mëparshmen deri tek finalizimi i grabitjes së plaçkës, për t’ua shpërndarë klientëve-partnerë të tij, për më tepër kur këta janë edhe me CV të pasur në fushën e korrupsionit përtej Adriatikut.

Stadiumi do shndërrohet në qendër biznesi

Në tenderin për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, i cili do të ngrihet në vend të stadiumit ekzistues “Qemal Stafa”, mori pjesë vetëm një kompani. Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo ofertë e vetme është bërë nga kompania shqiptare “Alb Star shpk” me qendër në Fier. Kompania nuk ka asnjë përvojë sadopak të ngjashme në fushën e ndërtimit të objekteve të këtij lloji. Ky fakt konfirmon dyshimet se ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar është një aferë korruptive dhe klienteliste e Federatës Shqiptare të Futbollit me bekimin, në mos bashkëpunimin, e qeverisë Rama.
Qëllimi i farsës së ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar është në fakt të krijojë një qendër tregtare, e cila do t’i kalojë në pronësi private klientëve të qeverisë dhe drejtuesve të federatës. Mënyra e organizimit të tenderit, termat antiligjore të referencës dhe mbi të gjitha formula e financimit të projektimit dhe ndërtimit të stadiumit përjashtonin, praktikisht, çdo lloj mundësie që në tender të merrnin pjesë kompani serioze e aq më pak kompani të huaja. Sipas formulës së tenderit, kompania që do të projektojë dhe ndërtojë stadiumin duhet ta financojë vetë të gjithë ndërtimin dhe për këtë nuk do të paguhet me para, por do t’i jepet në pronësi një pjesë e stadiumit e destinuar për përdorim tregtar. Për këtë qëllim, kompania duhet të projektojë e ndërtojë stadiumin si një vepër sportivo-tregtare, pa asnjë kufizim paraprak në sipërfaqen dhe destinacionin e pjesës tregtare. Me fjalë të tjera, stadium i ri kombëtar do të jetë një godinë e kombinuar, mes një pjese sportive – fusha e futbollit, stendat për tifozët, dhomat e zhveshjes dhe disa dhoma të tjera për qëllime sportive – dhe një pjese tregtare që do të përfshijë dyqane, qendër biznesi, ndoshta hotel, etj., e cila do të jetë në pronësi private.
Kjo lloj formule është, në fakt, e paligjshme pasi vendimi i qeverisë që ia kalon stadiumin Federatës Shqiptare të Futbollit e ndalon tjetërsimin e pronës për qëllime josportive. Stadiumi aktual “Qemal Stafa” dhe toka e tij është në pronësi të kompanisë “Qendra Spotive Kuq e Zi sha” (QSKZ), kompani e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit (75 për qind) dhe qeverisë (25 për qind), e cila ka organizuar edhe procedurat e zhvillimit dhe tenderimit për ndërtimin e ri. Stadiumi i ri, i titulluar “Arena Kombëtare”, do të ndërtohet si bashkëpunim publik-privat: një kompani private do të ndërtojë me financimin e saj stadiumin dhe si shpërblim asaj do t’i jepet në pronësi e gjithë pjesa tregtare (restorante, kafe, etj.) e stadiumit dhe një kullë e lartë në cep të stadiumit për çfarëdolloj përdorimi që ajo dëshiron.

Afera Rama, hapësirat e stadiumit përveç fushës i jepen në pronësi klientelës

Skandali me projektin për ndërtimin e stadiumit të ri thellohet edhe më tej, kur pas zbardhjes së vendimit për ndërtimin e stadiumit të ri mësohet se Federata Shqiptare e Futbollit, do të ketë në pronësi vetëm fushën e futbollit, dhe 4 mijë metra katrorë për zyra. Të gjitha hapësirat e tjera të qëndrës pseudostadium, dhe kulla do të jenë në pronësi të klientelës, kompanisë Alb-Stars shpk. Partia Demokratike denoncoi ashpër dje këtë aferë korruptive ndërsa bëri të ditur të dhëna të reja mbi skandalin qeveritar me stadiumin e ri.  “Thellohet afera korruptive me stadiumin Qemal Stafa. Edi Rama ka perzgjedhur për planin e tij klientielist dhe korruptiv të ndërtimit të qëndrës tregtare dhe kullës, në vend të stadiumit, arkitektin Italian Marco Casamonti, i njohur në Shqipëri për ndërtimin e kullave të betonit me bekimin dhe mbështetjen e Ramës, si pallati 24 katësh, në krah të Gjykatës së Lartë. Po ashtu në 2008 ishte anëtar i jurisë për projektin e Sheshit “Skenderbej” që nxori fitues projektin e Anri Salës dhe firmës belge të vajzës së Linda Ramës, projekt që Veliaj parashikon ta ndërtojë së shpejti në shërbim të shefit të tij. Ky arkitekt ka në Shqiperi për ortak Alban Eftimin e Atelier 4, klientin e Rames që fitonte 70 përqind të projekteve të Bashkise. Ortaku i tij shqiptar Albani Eftimi mesa duket ka kaluar nga 20% në bashkinë e Ramës, tek 20% në qeverinë e Ramës bashkë me ortakun italian me eksperiencë në të njëjtën fushë: korrupsionin. Sepse mbi të gjitha, arkitekti Casamonti njihet në Itali, siç raporton edhe gazeta italiane La Repubblica, si i dënuar për korrupsion për ndërtimet e tij në Firenze” u shpreh në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e PD, Ina Zhupa. Ajo bëri të ditur se për ti hapur rrugën këtij projekti klientelist e korruptiv, Edi Rama ishte i detyruar të ndryshojë destinacionin e truallit, pasi kjo zonë mbrohej si terren sportive. “Ndaj, Edi Rama me vendim qeverie e ktheu në destinacion josportiv. Pas këtij akti, mbolli aty kulla e beton, dyqane e njësi tregtare, pa transparencë, në fshehtësi të plotë. Ja ku është vendimi i qeverisë, që i hapi dyert kësaj afere korrupsioni. Arena e këtij biznesi, zmadhohet edhe më shumë kur del se Federata Shqiptare e Futbollit, do të ketë në pronësi vetëm fushën e futbollit, dhe 4 mijë metra katrorë për zyra. Të gjitha hapësirat e tjera të qëndrës pseudostadium, dhe kulla do të jenë në pronësi të klientelës, kompanisë Alb-Stars shpk. Pra trualli publik, me vlerën më të madhe në qendër të Tiranës, i kalon për qëllime biznesi dhe përfitimi mikut të Edi Ramës” tha Zhupa. PD bëri të ditur edhe njëherë se do të anullojë këtë projekt ndërsa u bëri thirrje investitorëve të mos ndërmarrin hapa që do t’u kushtojnë kosto të çuara dëm në të ardhmen.  “Nyjet gordiane të korrupsionit të Ramës dhe klientëve të tij të përheshëm do të priten shumë shpejt me votën e shqiptarëve. Qytetarët dhe sportdashësit nuk mund të mashtrohen me gjoja interesa sportive.  Partia Demokratike do jetë në mbrojtje të interesit publik, dhe sportit. Ne  jemi për një stadium me fonde publike, dhe Partia Demokratike do të investojë për një impiant ku hapësira ti dedikohet qytetarëve dhe të ketë standarde olimpike moderne. Partia Demokratike i bën dhe një herë thirrje insvestitorëve se do të jetë në rriskun e tyre personal hedhja e parave në këtë skemë korruptive të Edi Ramës, pasi ne do ta anulojmë atë” paralajmëroi Partia Demokratike.

Berisha me Lu e Vlahutin, denoncon lidhjet e bandës së Shullazit me drejtues të policisë

Ish-Kryeministri Berisha priti në një takim ambasadoren e BE, zonjën Romana Vlahutin dhe ambasadorin e SHBA, zotin Donald Lu. Sipas zyrës së shtypit të ish-Kryeministrit, dy ishin çështjet kryesore që u diskutuan në këtë takim: Reforma në Drejtësi dhe ecuria e saj. Në këtë takim Berisha rikonfirmoi mbështetjen e tij për Reformën në Drejtësi, si një proces jetik për shtetin ligjor në Shqipëri.
“Çështja Shullazi, ajo e bandës së tij, arrestimi, lidhjet e tij me zyrtarët e niveleve më të larta në qeveri, Parlament, polici dhe institucione të tjera, terrori i kësaj bande në qytetin bregdetar të Durrësit në pjesën jugore të Tiranës dhe zona të tjera të vendit, arsenali i armëve që disponon kjo bandë, më e madhja në historinë e vendit dhe më e fuqishmja në lidhjet e saj politike. Arrestimin rreth 7 herë gjatë qeverisë së mëparshme dhe dënimin e tij në gjykata, si dhe dëmshpërblimin e tij në kundërshtim flagrant me ligjin, në vitin 2014, nga miqtë e tij qeveritarë e kryeqeveritarë”, tha Berisha në lidhje me takimin në një postim në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Në takim u diskutua gjerësisht mbi lidhjet e politikës me krimin në tërësi dhe lidhjet direkte të bandës së Emiljano Shullazit me drejtues të policisë, qeverisë dhe institucioneve të tjera, si dhe krimet e tij të shëmtuara. Biseda ishte e hapur dhe kaloi në mirëkuptim të plotë.
“Në takim u diskutua gjerësisht mbi lidhjet e politikës me krimin në tërësi”.
Gjithashtu pjesë e diskutimeve ishte edhe Reforma në Drejtësi. “Reforma në Drejtësi dhe ecuria e saj ishte çështja tjetër për të cilën u diskutua gjerësisht. Në këtë takim rikonfirmova mbështetjen time për Reformën në Drejtësi, si një proces jetik për shtetin ligjor në Shqipëri”, shkruan Berisha.

Dosja e Shërbimit Informativ: Zyrtarë të Tahirit në krime

– Zoti President, një ngjarje e rëndë ndodhi para pak ditësh, u kërcënua kandidati për rektor i Universitetit të Tiranës nga një bandë kriminale. Si është e mundur të ndodhë kjo ngjarje?
Ajo tregon që nuk ishte një rast dhe çështje e izoluar, s’ishte reagimi i një konflikti të çastit. Fakti që ishin përfshirë në të anëtarë të një grupi serioz të krimit të organizuar, me një profil drejt organizatës mafioze, nëse një grup kriminal, ka lidhje me institucione të shtetit, përfshihet në aktivitet politike, ka akses dhe përfiton pasuri publike, shkon deri te jeta akademike, mund të tentojë të shkojë drejt medias, kjo e çon në profilin e organizatës mafioze. Kjo është mafia. S’ka ndonjë veçori të shumtë nga kjo. Mua më ka ardhur keq që është përkufizuar si ngjarje e papëlqyeshme. S’është një ngjarje e papëlqyeshme, ajo është një ngjarje e rëndë kriminale dhe paralajmëron një akt terrorist. Të tentosh të rrëmbesh një individ, një person për shkak të detyrës, është një akt terrorist.

– Po thoni që ka rrëmbime njerëzish?
Ka pasur një tentativë për ta kërcënuar. Dhe informacionet janë që ky person është tentuar dhe thirrur për t’u futur në makinën e personave që e kanë kërcënuar. Çfarë do të thotë që nëse një akademik nuk tërhiqet nga gara universitare, do të ketë pasoja jeta e tij dhe e familjes së tij. Unë them se është një akt terrorist.

– Zoti President, a nuk ju duket vendi ku ne jetojmë, një vend i frikshëm? Krimi kërcënon hapur edhe botën akademike. Hipotekat, pronat, pjesë të rëndësishme të politikës, pothuajse komandohen nga ky krim. Çfarë do t’ju thoni shqiptarëve?
Zoti Rakipi, shqetësimi është legjitim, i juaji, i botës që përfaqësoni, i medias, i qytetarëve, i aktorëve të tjerë. Shqetësimi është legjitim në raporte me krimin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Por, aspak për hipokrizi, nuk duhet të ligështohemi apo të tërhiqemi, sepse ne i kemi të gjitha mundësitë institucionale ta fitojnë betejën me krimin.

– Më duket pak idealiste…
Kjo kërkon disa masa. Së pari, do të këshilloja, se nuk rekomandoj, në situatën aktuale, në debatin aktual, të një prej grupeve kriminale, sepse s’është vetëm grupi i Shullazit, janë dhe grupe të tjera, të cilat unë i kam kërkuar Prokurorisë të vijojë punën shumë të mirë të saj që bëri ndaj grupit të Shullazit.

– Ka grupe të tjera kriminale?
Natyrisht, po ka grupe të tjera dhe unë i kam kërkuar institucioneve, veçanërisht Prokurorisë të vijojë punën e saj, pasi shteti shqiptar i ka mundësitë t’i godasë.

– Nëse ju thoni se ka edhe banda të tjera, pasi i arrestuari i fundit jetonte si Vali, ne s’kemi shumë punë në këtë vend…
Ka edhe grupe, që veprimtaria e tyre kriminale unë besoj se është e neutralizueshme. Si mund të jetë? Së pari, do t’i rekomandoja, doja që Kryeministri i vendit, që ka përgjegjësinë të reagojë, Kryeministri i vendit të merrte disa vendime, të kthente besimin e opozitës politike.
Qeveria ka mundësi për të goditur fort përmes këtyre vendimeve institucionale dhe i takon që ta marrë situatën në dorë, për të kthyer besimin te ajo pjesë e popullsisë, që iu është tronditur besimi në raport me luftën ndaj krimit.
Ju sugjeroj të ndërmarrë disa hapa dhe vendime institucionale për të rikthyer këtë besim. Së dyti, duke larguar nga institucionet ligjzbatuese, duke filluar nga Policia e Shtetit, pse jo edhe me Prokurorinë, të gjithë ata të cilët janë të implikuar dhe të lidhur me krimin. Ka në zyrën e ministrit të Brendshëm një informacion të SHISH prej më shumë se një viti, me emra konkretë të oficerëve të Policisë së Shtetit të lidhur me veprimtari kriminale, informacion, i cili rri dhe fle në sirtarët e Ministrisë së Brendshme.

– Pra, zyrat më të rëndësishme të shtetit, të Ministrisë së Brendshme, ka informacione në këtë sektor të vështirë…
Ka informacion që janë të lidhur me veprimtari kriminale, informacion që e disponon edhe Presidenti i Republikës, përveç ministrit të Brendshëm.

– Ju dispononi informacion që persona të inkriminuar…
Po, po, brenda Policisë së Shtetit, oficerë të caktuar policie janë të lidhur në veprimtari kriminale, në trafiqe dhe në çështje të ndryshme të ndryshme të kriminalitetit.

– Ne duhet ta nisim nga koka dhe jo nga bishti këtë situatë. U bë një kohë e gjatë që shqiptarët po merren me një Parlament ku brenda tij ka elementë të inkriminuar, që kanë bërë trafiqe dhe njerëz të dyshuar për vrasje. Si u bëka ky pastrim dhe ky rregullim në këto segmente, kur në Parlament ka njerëz të tillë?
Ju thoni që është e thjeshtë, që autoritetet kanë në duar, lista me njerëz të inkriminuar. Shqipëria nuk dekriminalizohet dot në Parlament. Aty ka njerëz me rekorde kriminale…
S’ka ndodhur më parë. Dua të shpreh keqardhjen e thellë që Parlamenti shqiptar mbërriti në këtë ditë, jo për t’u mburrur, jo për të qenë krenar. Dua të bëj një dallim, shumica e deputetëve, e njerëzve, janë njerëz të respektuar me dinjitet, që i janë kushtuar politikës.

– Parlamenti i vitit 1992… kanë kaluar dy breza. Mos të flasim për Parlamentin e vitit 1925, me njerëzit më të rëndësishëm të Shqipërisë. Tani ka me rekorde krimiale, që kërkojnë të pasurohen dhe një pjesë injorantë.
Kjo reflekton standardin e vendimmarrjes. Sepse, përbërja e Parlamentit është për shkak të vendimmarrjes së lidershipit të forcave politike të caktuara, që janë pjesë e Parlamentit, jo vetëm pse se është sistemi i tillë, por edhe mënyra sesi është ndërtuar konfigurimi i grupeve parlamentare, angazhimi i njerëzve në fushatë, për të fituar vota, ka qenë bazuar në vendimmarjen politike të lidershipit.
Edhe më parë, ka qenë dhe duhet të jetë, një kryetar i partisë, që merr përgjegjësinë, i njihet e drejta për të përzgjedhur ekipin, por mbi bazën e standardeve, e interesit publik, të interesit të vendit. Kështu dua të besoj se është standardi i lidershipit politik.

– Më pas, njerëz me rekorde kriminale, shkojnë në administratën shtetërore. Ata mbërrijnë te kryetarët e bashkive. Kjo vijon edhe më tej. Pse zoti President? Pse ju duhen këta njerëz në Parlament? Përse i nevojiten Shqipërisë këta njerëz?
Ajo që kam unë si përgjigje është fakti se këta janë njerëz që mbledhin dhe gjenerojnë vota në mënyrë ilegale. Kjo është evidente.

– E keni biseduar këtë problem me Ramën apo me opozitën?
Kjo s’është që hyn te e drejta e Presidentit. Në momentet që Presidenti ndërhyn, ndërhyn nga pikëpamja legjislative apo zgjedhore, Presidenti ndërhyn kur ka krizë.

– Në rast të një lufte Presidenti është figurë e rëndësishme, luftë ushtri me ushtri. Nëse vendin e kërcënon edhe një ushtri karkalecësh, Presidenti mund të mbledhë edhe Këshillin e Sigurisë. Po flasim për inkriminim të institucioneve të shtetit shqiptar. Ky është edhe problemi juaj mendoj unë.
Bëhet e domosdoshme ndërhyrja e Presidenti kur aktorët janë në një krizë të thellë komunikimi dhe të gjetjes së zgjidhjes. S’mund ta them që në Parlamentin tonë që kemi mbërritur në atë pikë që ta dekriminalizojmë. Përderisa e kemi sjellë në këtë pikë, e cila është reale, duhet ta kurojmë menjëherë.
Formalisht ka një ligj që parashikon largimin e këtyre personazheve, për mendimin tim s’është vetëm te qenia formale brenda institucioneve, është edhe më e gjerë.
Nëse ka një person, i cili ka pasur një aktivitet kriminal në drogë, grabitje e vjedhje, ky person jo vetëm që s’duhet pjesë e administratës publike, ky njeri s’duhet të ketë akses në të mirave publike apo të financave të vendit. Nëse ky fiton nga tenderat paratë e qytetarëve, këtë fitim do ta përdorë në veprimtari kriminale. Zgjidhja më e mirë do të jetë ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe të ketë reagim qytetar.

– Kemi dëgjuar Ramën që sistemi është i kalbur dhe i korruptuar. Ndani të njëjtin mendim?
Nuk bëj komente të zotit Rama, as të politikanëve të tjerë. Qëndrimet e mia në lidhje me sistemin e drejtësisë kanë qenë shumë të hapura, shumë publike. Drejtësia vuan problematika, vuan ende trashëgiminë e një numri njerëzish që vijojnë të jenë pjesë e sistemit, por që janë arsimuar, edukuar dhe kultivuar, në diktaturë. Kemi individë, të cilët janë të përfshirë në afera korruptive, individë janë të paaftë që të shërbejnë në Prokurori dhe në gjykatë. Ka personazhe, të cilët janë të kapur politikisht dhe janë në shërbim të politikës dhe jo të ligjit, por është edhe ana e tjetër e medaljes. Kam pasur rastin të shoh që ka gjyqtarë e prokurorë me dinjitet. S’është bardhezi situata. Nuk pranoj etiketime që drejtësia është e kalbur dhe e korruptuar.
Marr veprimtarinë në Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda. Askush s’mund të thotë që janë të korruptuar. Është e rëndësishme që të bëjmë dallimin të atyre që e meritojnë të jenë pjesë e sistemit dhe atyre që nuk duhet të jenë. Unë besoj që vetë Kryeministri ka shkuar te institucionet e drejtësisë, edhe për interesin e vet të Kryeministrit.

– Zoti President, ka një perceptim që vazhdon të rritet. Që KLD-ja është kundër reformës. Si kreu i KLD-së, çfarë e pengon që ta nisë ajo këtë reformë? Në një rast KLD-ja, për ta mbështetur këtë interpretim, si rasti Gjin Gjoni…
S’konkurroj dot në agjitacion e propagandë. S’besoj te retorika, populizmi, unë besoj të pragmatizmi, eficenca. Unë e quaj agjitacion e propagandë.
KLD është një institucion që as bën reformë as e pengon. S’merr vendime në lidhje me reformën, ka një përfaqësues të KLD në grupin e punës, të ekspertëve të nivelit të lartë, është paraqitur dhe ka dhënë mendim, ka pasur një propagandë krejt të papranueshme, për të fokusuar që Presidenti e komandon KLD-në, askush s’e kontrollon. Mazhoranca e ka zëvendësuar 80 për qind.

– Pse këtë reformë nuk e ka nisur KLD-ja?
S’ka kompetencë. Presidenti ka bërë tentativën në tetor 2014. Askush nuk fliste për Reformën në Drejtësi. Kam idenë që kjo reformë është një përpjekje për të rrëmbyer një pushtet. Përderisa kemi një mazhorancë, duke e gjetur drejtësinë në këtë nivel, përpiqet ta marrë…

– Është një përpjekje për ta marrë këtë pushtet. Sepse kemi një mazhorancë që përpiqet të marrë dhe duke e gjetur në këtë pikë, pse mos ta marrë. Angazhimi i ambasadorit Lu po e çon ujin tek Kryeministri, për të rrëmbyer këtë pushtet.
Megjithëse Presidenti s’ka fuqi institucionale, as për të bërë reformë, as për ta penguar, nisur nga përgjegjësia institucionale për ta ndihmuar vendin dhe aktorët e tjerë, për t’i krijuar lehtësitë e nevojshme, për t’i mbledhur aktorët e ndryshëm në tavolinë, Presidenti që në tetor 2014, i koordinuar me BE, iniciuam procesin e Reformës në Drejtësi. Kushdo gazetar mund të shohë që Presidenti ka tentuar të bëjë reformë. Jam te pjesa e angazhimit të Presidencës, të gjithë aktorët e rëndësishëm, Kryeministri, Kuvendi, në tryezën e tetorit të vitit 2014, shfaqën mendimet e tyre.
Më pas, Presidentit iu tha që merremi ne me këtë punë. Dhe pas kësaj u krijua një komision parlamentar. Njëra anë, në mënyrë të pandershme, ka spekuluar në institucione shqiptare dhe jo shqiptare, për të depërtuar një stituatë të pavërtetë që Presidenti s’do reformën, kjo s’është dinjitoze.
Mendoj që reforma s’është e një qeverie, as e ambasadorëve, është një çështje e shtetit shqiptar. Dhe shteti ka qytetarët, ka institucionet e aktorët e tjerë që kanë përgjegjësi ta bëjnë shtetin të funksionojë më së miri. Reforma është pjesë e kësaj përgjegjësie. I ftoj palët të vijojnë punën, rekomandimet e Komisionit të Venecias janë pranuar nga të gjitha palët. Askush të mos e mendojë ta përdorë në fushatat elektorale apo zgjedhjet.