22.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Prokuroria zbulon vjedhjen 1 milion dollarë me karburantet, në pranga 7 tatimorë

Një skemë mashtruese në fushën e karburanteve  me një dëm mbi 1 milion dollarë, është zbuluar nga Prokuroria e Tiranës. 8 urdhëra ndalimi të lëshuara nga organi i akuzës për  Iliaz Fishekun administrator i “Martini Petrol” dhe “Petrol Impex”, si edhe për 7 punonjës të administratës së tatimeve dhe që janë ekzekutuar nga policia. Bëhet e ditur se janë arrestuar shtetasit, Platon Solis, 51 vjeç, inspektor i Tatimeve Tiranë, Ajaz Shehu, 51 vjeç ish-inspektor i Tatimeve Tiranë, Dhimiter Veshi, 47 vjeç, inspektor i Tatimeve Tiranë, Arjan Daja, 51 vjeç, inspektor i Tatimeve Tiranë, Saimir Kaziu, 39 vjeç ish-inspektor i Tatimeve Tiranë, Bajram Frangu, 53 vjeç, ish- inspektor i Tatimeve Tiranë, Gentian Subashi, 38 vjeç, ish-inspektor i Tatimeve Tiranë dhe Iliaz Fisheku, 57 vjeç, administrator i “Martini Petrol” dhe “Petrol Impex”. Në bazë të hetimit ka rezultuar se kompania “Martini Petrol” ka ushtruar për rreth 4 vjet aktivitet në Tiranë, në mënyrë të paliçensuar.
Prokuroria e Tiranës dhe Hetimi Tatimor kanë zbuluar një skemë mashtruese në fushën e karburanteve në vlerën mbi 1 milion dollarë, për të cilën janë nxjerrë urdhëra ndalimi për administratorin e kompanisë “M….Petrol”, si edhe për punonjës të administratës së tatimeve. Urdhërat e ndalimit të Prokurorisë së Tiranës janë zbatuar mbrëmjen e së enjtes nga ana e forcave të Policisë së Tiranës.
Në bazë të hetimit të përbashkët të Njësisë Task-Forcë të Prokurorisë dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, ka rezultuar se subjekti tregtar “M…Petrol” ka ushtruar për rreth 4 vjet aktivitet në Tiranë, në mënyrë të paliçensuar.
Nga përllogaritja që ka bërë Drejtoria e Tatimeve, subjekti tregtar, i cili ka pasur një pikë të paliçensuar karburanti në Tiranë, është shmangur nga detyrimet fiskale, si edhe nuk ka paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve për periudhën 2010-2014.
Shmangia nga detyrimet e subjektit tregtar është realizuar edhe me ndihmën e inspektorëve të Tatimeve, të cilët kishin për detyrë të kontrollonin zonën ku ushtronte aktivitetin e paligjshëm kjo pikë karburanti. Nga hetimet ka rezultuar se disa inspektorë, të cilët kanë pasur përgjegjësi për zonën ku ushtronte aktivitetin “M…Petrol”, kanë shkuar shpesh për kontroll te subjektet e tjera private pranë karburantit, por në asnjë rast nuk e kanë evidentuar se ai funksiononte pa liçensë.
Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës nxori urdhër-ndalimi për administratorin e subjektit, si edhe për 7 inspektorë tatimorë, të cilët janë ende në detyrë dhe që kanë pasur si funksion kontrollin e zonës së karburantit të paliçensuar.

Stadiumi i ri kombëtar, një histori e dyshimtë e përvetësimit të pronës publike

Kryeministri dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit deklaruan dje me shumë bujë (dhe vetëkënaqësi ekstreme) se përfunduan një marrëveshje për realizimin e stadiumit të ri “Arena Kombëtare”, i cili do të financohet e ndërtohet nga kompania fierake “Alb Star shpk”.
Historia e stadiumit të ri është historia e një krimi kulturor, urbanistik, administrativ, tregtar dhe financiar i projektuar dhe zbatuar me vetëdije nga Kryeministri Rama dhe Presidenti i FSHF-së Duka, duke u fshehur pas mirëbesimit dhe entuziazmit patriotik të tifozëve të kombëtares, pra gati të gjithë shqiptarëve.
Stadiumi aktual “Qemal Stafa” ka statusin e monumentit kulturor kombëtar të kategorisë së dytë, sikurse Muzeu Arkeologjik, Universiteti i Arteve, Korpusi i Universitetit Politeknik, Pallati i Kongresve, Presidenca, Kryeministria, etj. Ai është pjesë e zonës së mbrojtur historike që përfshin gjithë sheshin “Nënë Tereza”. Si i tillë ai nuk mund të prishet, por Kryeministri ka vendosur ta prishë pa keqardhje dhe me siguri, me procedura arbitrare dhe politike.
Ndërtimi i stadiumit të ri do të shkatërrojë përfundimisht kompleksin monumental të sheshit “Nënë Tereza”. Projekti i paraqitur duket se ka lidhje vetëm me shijet e Kryeministrit Rama dhe obsesionin e tij me betonin edhe pse ai po përpiqet ta shesë si të barabartë me Koloseumin e Romës, teksa rreket të shpjegojë në faqen e Kryeministrisë se ajo masë betoni ngjyra-ngjyra është “një monument i ri prestigjioz, që shpreh traditë dhe modernizëm njëkohësisht, duke pasqyruar modelin e teatrit antik romak në imazhin bashkëkohor të një kryeqyteti në ripërtëritje të vazhdueshme”.
Nga ana tjetër, historia e stadiumit është historia e një privatizimi masiv, të bërë vjedhurazi ligjit, konkurrencës, kontrollit parlamentar e syrit të publikut, në favor të interesave të dyshimta private, e filluar nga qeveria Berisha dhe e përfunduar në mënyrë spektakolare nga qeveria Rama.
Stadiumi aktual “Qemal Stafa” dhe toka e tij i kaluan nga qeveria Berisha shoqërisë tregtare “Qendra Sportive Kuq e Zi sh.a” (QSKZ), kompani e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit (75 për qind) dhe qeverisë (25 për qind), me qëllim që kjo kompani të ndërtonte stadiumin e ri me financim të FSHF-së dhe qeverisë. Gjatë qeverisjes Berisha u diskutuan dhe tentuan pa sukses disa modele për të mundësuar investimin, përfshi edhe variantin korruptiv të përdorimit të tokës aktuale për ndërtime tregtare dhe ndërtimin e stadiumit të ri jashtë qytetit.
Qeveria Rama si për çdo gjë tjetër, gjeti zgjidhjen “magjike” të partneritetit publik-privat. Një kompani private ka projektuar, do të financojë dhe do të ndërtojë stadiumin. Pas ndërtimit, fusha, stendat dhe disa mjedise zyrash do t’i kalojnë në pronësi FSHF-së. Të gjitha mjediset e tjera të stadiumit – përfshi të gjitha mjediset në trupin e ndërtesës, poshtë stendave – do t’i kalojnë kompanisë private. Kompanisë private do t’i jepet gjithashtu e drejta e ndërtimit dhe e pronësisë të një kulle 25-30 kate të lartë (nuk është bërë e qartë ende lartësia e saktë) në një pjese të terrenit publik të stadiumit aktual.
Kalimi i pjesës më të madhe të stadiumit në pronësi private, për qëllime tregtare është shkelje ligjore, pasi toka dhe stadiumi i kaluan në pronësi FSHF-së me kushtin e mostjetërsimit të saj për qëllime jo sportive.
Edhe pse Kryeministri e paraqiti projektin si një arritje “e zgjuar” e qeverisë për të mbështetur sportin “pa paguar asnjë cent”, nëpërmjet një partneriteti me privatin, historia e vërtetë është ekzaktësisht e kundërta: një privat ka gjetur mënyrën për të privatizuar një tokë publike në një vend të papërsëritshëm, me kushte deri më sot të padëgjuara dhe pa asnjë konkurrencë. Është e qartë se tokën publike që do i kalojë privatit Kryeministri Rama e ka vlerësuar “zero cent” (është shumë domethënëse që Kryeministri njeh vetëm vlerën e parasë së thatë në dorë, por jo vlerën e pasurisë publike).
Edhe pse sot nuk është bërë e ditur asnjë e dhënë për projektin, as në faqen e FSHF-së as të qeverisë, me përjashtim të videove promovuese me patriotizëm dhe europianizëm, të denja për propagandën e regjimeve autokratike, Kryeministri do të duhet të sqarojë në ditët e ardhshme një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshi: me çfarë kushtesh toka kaloi në pronësi të Federatës dhe me çfarë kushtesh një pjesë e saj do të kalojë në pronësi të kompanisë “Alb Star”; sa metra katrorë tokë dhe sa metra katrorë qendër biznesi dhe qendër tregtare do të ndërtohen dhe sa do të jenë në pronësi të “Alb Star” dhe të privatëve të tjerë; a është përfshirë në projektin e ndërtimit edhe kostoja e pajisjeve, aparaturave dhe infrastrukturës ndihmëse, të cilat ka raste kur janë më të mëdha se kostoja e ndërtimit të pjesës fizike të stadiumit etj.
Në fund, Kryeministri do të duhet të përballet me një sërë procedurash të detyrueshme ligjore, nga vendimmarrja për të prishur një monumet kulturor kombëtar, tek ndërhyrja transformuese në një zonë të mbrojtur kulturore e deri tek informimi dhe dëgjesat me publikun, si pjesë e marrjes së lejes së ndërtimit.

“Exit.al”

PD paralajmëron klientelën e Ramës për stadiumin: Do ta anulojmë

Partia Demokratike paralajmëroi dje anulimin e projektit të Ramës për ndërtimin e stadiumit të ri “Qemal Stafa”.
Edi Rama zbuloi për publikun një prej planeve me korruptive e klienteliste të këtyre 3 viteve, siç është qendra e madhe e biznesit dhe e tregtisë aty ku gjendet sot stadiumi “Qemal Stafa”. Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, përveçse e kthen stadiumin në qendrën më të madhe tregtare në kryeqytet, plani i Edi Ramës parashikon edhe ngritjen e një kulle të tmerrshme betoni, po aq korruptive dhe klienteliste.
“Mirëfilltazi kemi të bëjmë me një aferë financiare dhe jo me një arenë sportive. Në mungesë të plotë transparence e konsultimi publik, dje Edi Rama ka bërë fakt të kryer projektin e tij për të zaptuar bashkë me miqtë dhe klientelën e vet zonën historike dhe monumentale, ndër më të shtrenjtat e fitimprurëset në Tiranë, me dyqane, beton e hotel.
Partia Demokratike e pati lajmëruar dhe denoncuar këtë skemë korruptive që më 24 janar të këtij viti. Por në fshehtësi të plotë Edi Rama ka vazhduar me këtë plan antisportiv në fakt, që futbollin e ka si mbulesë për pazarin e madh me qendrën tregtare”, deklaroi zëdhënësja e PD, Ina Zhupa.
Partia Demokratike lajmëron edhe një herë të interesuarit, bankat dhe sipërmarrësit që janë thirrur të bëhen pjesë e këtij aksioni korruptiv e financiar të Edi Ramës, se ajo nuk do e njohë dhe do ta anulojë menjëherë këtë projekt hajdutërie, sapo shqiptarët t’i besojnë drejtimin e vendit.
“E ritheksojmë se është në riskun e tyre personal dhe në përgjegjësinë e tyre nëse hedhin para, në këtë projekt të Edi Ramës, që e trajton stadiumin si pronën e tij. Partia Demokratike ju premton tifozëve një stadium sipas të gjitha standardeve olimpike moderne, për publikun, të ndërtuar me fonde publike, pa kullë, ku prioritet do të jetë sporti dhe spektatori dhe jo biznesi, klientela e Kryeministrit që kërkon të grabisë hapësirën më përfaqësuese publike dhe sportive në vend”, përfundoi zëdhënësja e PD.

Afera me tenderin

Në tenderin për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, i cili do të ngrihet në vend të stadiumit ekzistues “Qemal Stafa”, mori pjesë vetëm një kompani. Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo ofertë e vetme është bërë nga kompania shqiptare “Alb Star shpk” me qendër në Fier. Kompania nuk ka asnjë përvojë sadopak të ngjashme në fushën e ndërtimit të objekteve të këtij lloji. Ky fakt konfirmon dyshimet se ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar është një aferë korruptive dhe klienteliste e Federatës Shqiptare të Futbollit me bekimin, në mos bashkëpunimin, e qeverisë Rama. Qëllimi i farsës së ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar është në fakt të krijojë një qendër tregtare, e cila do t’i kalojë në pronësi private klientëve të qeverisë dhe drejtuesve të federatës. Mënyra e organizimit të tenderit, termat antiligjore të referencës dhe mbi të gjitha formula e financimit të projektimit dhe ndërtimit të stadiumit përjashtonin, praktikisht, çdo lloj mundësie që në tender të merrnin pjesë kompani serioze e aq më pak kompani të huaja. Sipas formulës së tenderit, kompania që do të projektojë dhe ndërtojë stadiumin duhet ta financojë vetë të gjithë ndërtimin dhe për këtë nuk do të paguhet me para, por do t’i jepet në pronësi një pjesë e stadiumit e destinuar për përdorim tregtar. Për këtë qëllim, kompania duhet të projektojë e ndërtojë stadiumin si një vepër sportivo-tregtare, pa asnjë kufizim paraprak në sipërfaqen dhe destinacionin e pjesës tregtare. Me fjalë të tjera, stadium i ri kombëtar do të jetë një godinë e kombinuar, mes një pjese sportive – fusha e futbollit, stendat për tifozët, dhomat e zhveshjes dhe disa dhoma të tjera për qëllime sportive – dhe një pjese tregtare që do të përfshijë dyqane, qendër biznesi, ndoshta hotel, etj., e cila do të jetë në pronësi private. Kjo lloj formule është, në fakt, e paligjshme pasi vendimi i qeverisë që ia kalon stadiumin Federatës Shqiptare të Futbollit e ndalon tjetërsimin e pronës për qëllime josportive. Stadiumi aktual “Qemal Stafa” dhe toka e tij është në pronësi të kompanisë “Qendra Spotive Kuq e Zi sha” (QSKZ), kompani e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit (75 për qind) dhe qeverisë (25 për qind), e cila ka organizuar edhe procedurat e zhvillimit dhe tenderimit për ndërtimin e ri. Stadiumi i ri, i titulluar “Arena Kombëtare”, do të ndërtohet si bashkëpunim publik-privat: një kompani private do të ndërtojë me financimin e saj stadiumin dhe si shpërblim asaj do t’i jepet në pronësi e gjithë pjesa tregtare (restorante, kafe, etj.) e stadiumit dhe një kullë e lartë në cep të stadiumit për çfarëdolloj përdorimi që ajo dëshiron. Tenderi ndërkombëtar për “Projektimin, prishjen, financimin dhe ndërtimin” e stadiumit të ri u zhvillua më 29 shkurt 2016. Në të paraqiti ofertë vetëm një kompani, e cila u shpall fituese – kompania fierake “Alb Star shpk”. Projekti i propozuar nga “Alb Star” është hartuar nga arkitekti italian, Marco Casamonti. Sipas Kryeministrit, investimi do të jetë 50 milionë euro. Nuk është e qartë nëse kjo shifër përfshin vetëm pjesën e stadiumit apo edhe kullën private në pronësi të “Alb Star”. Nuk është e qartë nëse ndërtuesi do të bëjë edhe investimin në aparatura, pajisje dhe infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e stadiumit apo vetëm të pjesës së ndërtimit. Mbas përfundimit, Federata Shqiptare e Futbollit, përmes QSKZ-së, do të ketë në pronësi vetëm fushën e futbollit dhe 4 mijë metra katrorë për zyra. Të gjitha hapësirat e tjera të stadiumit, përfshi gjithë mjediset që mbeten në trupin e stadiumit dhe kulla, e cila nga disa burime raportohet 17 kate e lartë, do të jenë në pronësi të kompanisë “Alb Star shpk”. Stadiumi nuk do të ketë pistë atletike apo për ndonjë sport tjetër, por vetëm infrastrukturë për futbollin.

A.Shahini

Kosova përballet me probleme serioze ekonomike

Kosova sot, ballafaqohet me probleme serioze politike dhe ekonomike. Ekonomia është një sferë e gjerë që po i preokupon të gjithë vendin, për të cilat kjo Qeveri nuk ka zgjidhje të qëndrueshme. Kështu u tha në konferencën “Alternativat e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, e organizuar nën patronatin e AAK.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha shkurt në këtë konferencë se mos zhvillimi ekonomik në Kosovë po i preokupon të gjithë qytetarët e vendit. Ai tha se duhet të ketë strategji të mirëfilltë që të ketë rritje ekonomike më të lartë dhe zbutje të varfërisë dhe papunësisë.

Në hapje të konferencës, nënkryetari i AAK-së njëherësh edhe udhëheqës i Departamentit për Zhvillim Ekonomik në këtë parti, Gazmend Abrashi tha se Kosova në ditët e sotme ballafaqohet me sfida të mëdha si në politikë po ashtu edhe me probleme serioze ekonomike.Ai foli edhe për MSA-në, që në bazë të kësaj marrëveshje buxheti do të jetë i mangët dhe se sipas tij Qeveria nuk ka gjetur alternativë për boshllëkun buxhetor.

Analisti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi tha se Kosova është vendi me problemet më të mëdha socio-ekonomike në Evropë,ku sipas tij ka varfëri dhe nuk zgjidhje të këtij fenomeni deri më tani. Ai tha se duke iu referuar raporteve të Bankës Botërore, nuk paraqitet një zhvillim i shpejtë ekomomik në vendin tonë. Ndërsa kryetari komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se për të pasur një zhvillim të komunave, ato duhet të kenë më shumë kompetenca. Sipas tij, për të hapur një konkurs në komunë duhet të pyeten tri Ministri. Kryetari i Prishtinës tha se po hasin në pengesa nga Qeveria posaçërisht nga Ministria e Financave për blerjen e autobusëve të rinj.

Gazmend Abrashi i cili ishte edhe moderator i kësaj konference duke folur për Ligjin për Prishtinën, tha se ky ligj është mbajtur peng vetëm se Prishtina nuk është udhëhequr nga PDK as një herë, dhe këtë sipas tij po e vuajnë qytetarët.

Pjesë e këtij paneli ishte profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku i cili duke folur për rritjen dhe zhvillimin ekonomik tha se vendi ende ka një nivel tepër të ulët të eksportit. Sadiku foli edhe për procesin e privatizimit të Telekomit të Kosovës, që sipas tij nuk ka strategji për këtë proces të privatizimit. Kurse, për energjinë si resurs i domosdoshëm për aktivitetin ekonomik foli Pranvera Dobruna-Kryeziu, eksperte energjetike, e cila tha se Kosovës i nevojiten specialist për zgjidhjen e problemeve energjetike me të cilat përballet vendi. /KosovaPress

River Plate avancon në Copa Libertadores

River Plate dhe Sao Paulo, dy gjigantët e futbollit amerikano-jugor ishin dy skuadrat e fundit që siguruan një biletë për në raundin e 1/8-ve të Copa Libertadores, për ta bërë akoma edhe më të bukur këtë kompeticion. Kampionëve në fuqi të Riverit u mjaftoi fitorja 4-3 në Estadio El Monumental të Buenos Airesit ndaj venezuelasve të Trujillanos për ta mbyllur grupin 1 në vendin e parë. Gjithçka u bë më e lehtë për Los Milionarios pas vetëm 19 minutash lojë, pasi Andres D’Alessandro falë eksperiencës së tij realizoi dy herë, një herë me goditje standarde dhe një herë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë avantazhin e dyfishtë vendasve. Gjithsesi venezuelasit u rikthyen në ndeshje falë golit të Muarice Covës në minutën e 30-të. Megjithatë, gjërat u vështirësuan së tepërmi për miqtë e Trujillanos 6 minuta më pas, kur mesfushori Gerardo Mendoza mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë të tijët me një lojtar më pak në fushë.
River-it për t’u kualifikuar i mjaftonte edhe një barazim, por të besuarit e Marcelo Gallardos shënuan edhe dy gola të tjerë me Mayadën dhe Lucas Alarion për t’i çuar shifrat në 4-1, përpara se Trujillanos të ngushtonte sërish disavantazhin në vetëm një gol falë finalizimeve të Franklin Gonzales dhe James Cabezas. Me shifrat 4-3 u mbyll kjo sfidë, sukses që e ngjiti River-in në kuotën e 11 pikëve. Në ndryshim nga kampionët në fuqi vuajtën jashtëzakonisht shumë brazilianët e Sao Paulos për t’u kualifikuar në fazën me eliminim direkt të Copa Libertadores.
Në La Paz në një lartësi prej 3650 metrash mbi nivelin e detit, klubi paulistë barazoi 1-1 ndaj vendasve të The Strongest, pikë që i mjaftoi Sao Paulos për të avancuar më tej. Ishin vendasit që realizuan të parët me Cristaldon në minutën e 28-të. Gjithsesi reagimi i brazilianëve nuk mungoi, pasi pak çaste përpara fundit të pjesës së parë, i shumëkërkuari në merkato bomberi argjentinas Jonathan Calleri me kokë shënoi golin e tij numër 8 në këtë edicion të Copa Libertadores, finalizim që i dha kualifikimin skuadrës së trajnerit argjentinas Edgardo Bauza.

Nuk ka hapa fals!

Fitorja 0-8 në Riazor riktheu në një farë mënyre qetësinë në shtëpinë e Barcelonës pas asaj krize që përfshiu skuadrën blaugrana për disa javë. Gjithsesi, ai sukses ndaj Deportivos duhet të hidhet menjëherë pas krahëve nga Barcelona, pasi këtë të shtunë të besuarit e Luis Enriques do të sfidojnë në “Camp Nou”, Sportingun e Gijonit, një skuadër që lufton për mbijetesë, së cilës trajneri asturian nuk i zë aspak besë.
“Ndodhemi në një situatë të rrezikshme. Surprizat janë të shumta dhe për këtë nuk ka të bëjë fare klasifikimi. Sportingu i Gijon-it po zhvillon një sezon unik, dhe për mendimin ka shanse të mira të sigurojë qëndrimin në Primera, pavarësisht pozicionit në të cilin ndodhet në renditje. Unë me zemër jam një tifoz i kësaj skuadre më pëlqen ky ekip, sepse reflekton, shpirtin e një qyteti”.
Më pas, Luis Enrique foli edhe për brazilianin Neymar, i cili nuk do të marrë pjesë në Kupën e Amerikës me kombëtaren braziliane, por vetëm në Lojërat Olimpike.
“Kritikat e shtypit ndaj Neymar? Nuk e di nëse janë treguar të padrejtë me të, pasi nuk e kam zakon të lexoj shtypin. Fakti që nuk do të luajë në Kupën e Amerikës më duket vendimi më i drejtë për të dhe për klubin. Unë aktualisht e shoh Neymar-in në një formë shumë të mirë”.
Kanë mbetur edhe pesë javë deri në fund, të cilat do dhurojnë emocione të forta në garën për titullin kampion të Spanjës. Vetëm pak kohë më parë dukej se ishte një “luftë me mullinjtë e erës”, duke parë ecurinë e shkëlqyer të Barcelonës, diferencën e pikëve dhe formën e mirë fizike. Por, në mënyrë të befasishme, katalanasit ranë në një krizë totale, si në rendiment, ashtu edhe në rezultate. Kaq mjaftoi që Atletiko e Madridit ta barazojë me pikë, ndërsa Reali të jetë vetëm një pikë më pak.
Nejmar është vënë në shënjestër të krizës së Barcelonës, veçanërisht pas humbjes së fundit me Valencian, ku shpërtheu edhe lajmi se ai nuk shkon mirë me Mesin. Prandaj, rivalët e katalanasve janë gati të përfitojnë nga situata e krijuar. Sipas tabloidit britanik, “Daily Star”, drejtuesit e Barçës janë të gatshëm të hyjnë në bisedime për shitjen e sulmuesit brazilian.
Në “pole position” vazhdon të mbetet Mançester Junajtid, që në të shkuarën bëri edhe një ofertë prej 150 milionë paundësh (190 milionë euro), e cila korrespondon edhe me klauzolën e prishjes së kontratës së lojtarit. Por, përveç anglezëve, të interesuar për kapitenin e “Seleçaos” janë edhe francezët e PSG-së, kështu që “djajtë e kuq” duhet të mposhtin konkurrencën me skuadrën e Al-Khelaifit. Katalanasit kanë refuzuar çdo ofertë të klubeve të interesuar deri më sot.

Dudek: Doja t’i jepja një grusht Benitezit

Ish-portieri i Liverpulit, Jerzi Dudek, për pak sa nuk është përleshur me grushte me ish-trajnerin e tij, Rafa Benitez, në kohën kur ishin në një skuadër. Edhe pse episodi i referohet disa viteve më parë, pas fitores së finales në Ligën e Kampionëve ndaj Milanit, në atë periudhë skuadra angleze bëri histori, duke mundur kuqezinjtë në finalen e Stambollit dhe Dudek, ishte vendimtar, duke pritur penalltinë e Pirlos dhe Shevçenkos.
Por edhe pse Liverpuli ishte në majën e futbollit evropian, situata duket se nuk ka qenë aspak e qetë brenda grupit. Mediat ndërkombëtare së fundmi kanë publikuar një rrëfim të portierit ku tregon mllefin që ka pasur ndaj ish-trajnerit.
“Kam menduar vërtetë t’i jepja një grusht siç më sugjeronte një zë brenda meje, por më pas mendova për pasojat që mund të vinin nga gjesti im. Do më kishin përzënë me siguri, apo do kish qenë një skandal i madh mediatik? Sigurisht, t’i japësh një grusht trajnerit të Liverpulit pak muaj, pasi kishte fituar Champions League nuk do të kishte qenë një begraund i mirë në karrierën time, edhe pse isha shumë i revoltuar, arrita ta mbledh veten”, ka thënë ai sipas të përditshmes italiane “La Gazzetta dello Sport”.
Portieri polak ka rrëfyer më tej se revolta e tij ishte shfaqur, pasi pak muaj pas fitores së trofeut, në ekip erdhën portierë të tjerë dhe ai e gjeti veten si zëvendësues. Ai e tregon Benitezin të ftohtë dhe interesaxhi, por nuk i mohon vlerat e tij si trajner i zoti.

Investitorët e huaj: Klima e biznesit është përkeqësuar me Ramën

Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) konsideroi, problemet me drejtësinë, konkurrencën e pandershme, ndryshimet e shpeshta të stafit të tatimeve, korrupsionin dhe ligjet e komplikuara fiskale si faktorët themelorë që kanë përkeqësuar klimën e biznesit në vend.
FIAA i nxori këto konkluzioneve pas një anketimi në anëtarët e shoqatës dhe më pas ndërtoi një indeks nga (1 -100) ku faktorët që kishin marrë më shumë se 50 pikë konsiderohen shumë problem dhe ata të renditur me pak se 50 pikë, më pak problem.
Nga 22 elementë për të cilat bizneset janë pyetur, 8 prej tyre janë konsideruar probleme madhore.
Problemet me drejtësinë u renditen nga FIAA për të dytin vit radhazi si shqetësimi më i madh i investitorëve të huaj në Shqipëri. Në anketimin me bizneset ky faktor është vlerësuar më problematiku duke marrë 66 pikë. Konkurenca e pandershme nëpërmjet ekonomisë informale është një faktor tjetër, thotë Shoqata në të cilën janë të anëtarësuar kompanitë më të mëdha me kapital të huaj në vend. Ky shqetësim është vlerësuar me 65 pikë dhe më pas i treti ndër elementët pengues më madhor është radhitur korrupsioni, i cili është vlerësuar si problem madhor për klimën e biznesit në vend, duke marrë 60 pikë.
Ligjet e komplikuara fiskale shihet të jenë një tjetër shqetësim madhor, të cilat janë vlerësuar me 59 pikë dhe më pas shqetësimet madhore vlerësohen të jenë niveli i lartë i taksave, destabiliteti politik dhe politikat jo atraktive për investimet e huaja.
Bizneset shohin si elementë jo problematike, infrastrukturën rrugore, furnizimin me ujë, telekomunikacionin, ligjet e punësimit etj.
Kjo është goditja e radhës e investitorëve të huaj për qeverinë, pas treguesit të përkeqësuar të klimës së biznesit nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHA) dhe deklaratave të forta për largim investitorësh nga Dhoma Amerikane.

Kriza e bizneseve

Bizneset kanë ulur më tej normën e shfrytëzimit të kapaciteteve gjatë tremujorit të parë të vitit. Në një anketim të fundit, Banka e Shqipërisë referon se normat e shfrytëzimit në katër sektorët kryesorë të ekonomisë kanë rënë shumë poshtë mesatares historike, duke lajmëruar kështu një situatë jo të mbarë në rritjen afatmesme ekonomike dhe në eksportet e këtij viti. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi vlerën 69.0% në tremujorin e parë, 2.9 pikë përqindje më e ulët se mesatarja historike. Banka e Shqipërisë tregon se, bizneset e industrisë i kanë shfrytëzuar më pak kapacitetet e tyre, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015 (me 4.6 pikë përqindje).
Kjo ecuri në sektorin e industrisë është shkak i çmimeve të ulta të naftës në tregun ndërkombëtar, çka ka nxitur kompanitë Bankers Petroleum, Albpetrol dhe koncensionarët e tjerë të naftës të mbajnë prodhimin në nivele të ulëta. Por situata duket se nuk është aspak optimiste as për sektorin e ndërtimit . Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor gjatë tremujorit në analizë, vijoi rënien. Aktualisht kjo normë shënon nivelin 54.7% ose 9.5 pikë përqindje më pak se mesatarja historike e saj. Në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë, kjo normë është 2.5 pikë përqindje më e ulët. Ekspertët e tregut, pohojnë se pas një përmirësimi në gjashtëmujorin e dytë të vitit, rritja e taksave në sektorin e ndërtimin (dyfishimi i taksës se ndikimit në infrastrukture nga 4 në 8% për qind, e cila vilet jo më mbi koston po mbi shitjen) ka përkeqësuar klimën e biznesit në sektor. Shumë objekte të nisura vitin që shkoi kanë pezulluar punimet për shkak të taksave të reja.
Gjithashtu norma e shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset e shërbimeve rezultoi 68.0% në tremujorin e parë, duke shënuar një rënie të fortë prej 7.2 pikësh përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe prej 4.9 pikësh përqindjeje krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi rënie me 5.7 pikë përqindje, duke qëndruar në nivelin 73.5% në tremujorin e parë të vitit 2016. Bizneset rezultojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë 5.2 pikë përqindje më të ulët se norma mesatare historike dhe 2.3 pikë përqindje më të ulët se norma e të njëjtës periudhë një vit më parë.

Rënia e konsumit jep alarmin për deflacionin

Në shkurt dhe mars të këtij viti inflacioni arriti pranë zeroz, përkatësisht me 0.2 dhe 0.3% (ndryshimi vjetor), duke ngjallur debatet nëse kjo tendencë reflekton një rënie të konsumit apo është për shkak të faktorëve të tjerë, si ulja e çmimeve të naftës, mbiprodhimi vendas, apo inflacioni i ulët i importuar. Gjithsesi, në një ekonomi, ku prodhimi mungon dhe që është tepër e varur nga konsumi, rënia e këtij të fundit është një sinjal negativ.
Paraja që qarkullon në ekonomi ka shënuar rritjen më të ulët të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë, një tregues direkt ky i ngadalësimit të ekonomisë dhe që është reflektuar dhe në rritjen e dobët të çmimeve, duke ngjallur frikën për deflacion. Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, agregati M3 (paraja në qarkullim përfshirë depozitat) u rrit me 22.7 miliardë lekë në vitin 2015, nga 46 miliardë lekë vitin e mëparshëm dhe më i ulëti historik që kur raportohen të dhënat (shiko grafikun). Një nivel i përafërt zgjerimi i këtij treguesi i përket vitit 2013, kur ekonomia shënoi rritjen më të ulët pas viteve 2000, me 1.1%.

Alcantara: Bayerni do suksesin e trefishtë

Objektivi i madh i Bayern Munich në këtë sezon është suksesi i trefishtë, pra fitimi i Bundesligës, Kupës së Gjermanisë dhe Champions League. Deri tani bavarezët i kanë të gjitha kartat në rregull, pasi kryesojnë me 7 pikë avantazh ndaj Dortmundit, kampionatin, janë kualifikuar në finalen e Kupës ku do të sfidojnë pikërisht verdhezinjtë, dhe ndodhen edhe në fazën gjysmëfinale të Champions League. Gjithsesi në kampin e kampionëve të Gjermanisë e dinë që nuk kanë fituar ende asgjë dhe përqendrimi është shumë i madh për ta mbyllur në mënyrën më të mirë këtë sezon.
Në një intervistë mesfushori Thiago Alcantara përveç se vlerësoi influencën që ka trajneri Pep Guardiola në skuadër theksoi futbollistët dhe stafi teknik i Bayern-it do të bëjnë gjithçka për të arritur suksesin e trefishtë në këtë sezon. Futbollisti me origjinë braziliane, por që përfaqëson Spanjën më tej shtoi, se vëmendja e të gjithëve në skuadër është vetëm te ndeshja e radhës ndaj Herthës së Berlinit në Bundesliga. Në lidhje me gjysmëfinalet Champions-it, ku Bayerni do të ketë përballë Atleticon e Madridit, Thiago deklaroi se përballë Los Colchoneros, kualifikimi në finale do të jetë një mision shumë i vështirë për bavarezët.