32.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

I dënuari me vendim Gjykate drejtor shkolle në Lushnjë

Kryetari i PD të Lushnjës, Myslim Murrizi, ka denoncuar publikisht masakrën që ka bërë “Rilindja” në shkollat e këtij rrethi. Murrizi deklaroi gjatë një konference për shtyp se po denoncon me fakte dhe dokumenta politikën e kuadrit që Rilindja ka bërë këto 3 vjet me mësuesit e rrethit Lushnjë. Ky rreth me 103 shkolla ku 64 janë drejtori dhe 39 shkolla vartëse me 21 shkolla të mesme dhe me 1336 mësues gjithsej përdoret nga Zyra Arsimore Lushnjë si pronë e PS dhe i komanduari i kësaj zyre që vet ka si fakultet ciklin e ulët zoti Ylli Krakulli si shef kuadri i Arsimit pranë Komitetit të Partisë Punës.
“Nga lista e famshme e dosjes gjyqësore të ish-drejtoreshës së dënuar ju kam vënë më parë në dijeni se ishin emëruar vetëm gjatë kohës së saj 169 mësues të rinj nga të cilët 110 të PS dhe 59 të LSI. Po ashtu, në atë material kishte shënim që kanë kaluar në “filtrin” e partisë shtet nëpërmjet sekretarëve të byrove të emëruar drejtora shkollash 790 mësues, nga të cilët rezultonin 620 të PS dhe 170 të LSI. Pra, në total 959 mësues janë me partinë, 377 mësues me biografi të keqe. Dhe i komanduari përgjegjës zyre tashmë e di ku është armiku i klasës. Nga 64 drejtorë të gjendur në tetor 2013 sot më 21 prill 2016 janë vetëm 4. Mimoza Hajdari Shkolla “4 Dëshmorët”, Dashamir Sula, Thanasaj, Mikel Shandro, Kashtëbardhë dhe Pranvera Korreshi, Qerret”, u shpreh Murrizi.
Ai tha më tej se, 60 drejtorë janë shkarkuar në kundërshtim të plotë dhe të hapur me Ligjin 69/2012 datë 21.06.2012 Neni 55 i tij pika 3 dhe janë zëvendësuar me drejtora rilindas, të cilët bëjnë dhe spiunin informativ dhe sekretarin e byrosë dhe shefin e kuadrit. Nga këta drejtora informues politik 3 shkollat e mesme më të mëdha të gjithë rrethit drejtohen nga pensionistë. Gjimnazi “18 tetori” Lushnjë nga shoku Ylli Myftiu dalë në pension më 1 janar 2016, Shkolla e Mesme Mekanike e vetmja profesionale në rreth nga shoku Vladimir Gjermeni, pensionist, burri i Elida Gjermenit kryetare e Këshillit Bashkiak të Bashkisë së PS Lushnjë. Gjimnazi Divjakë nga Mollani Rrudha prej afro dy vitesh në pension, motra e kryetarit të Bashkisë Divjakë, Kokoneshit, që kur e pyetën këtë dhe Ylli Krakullin pse nuk ikën thanë që nuk po gjejmë dot zëvendësues me partishmëri. Të tre këta komisarë politik, pensionist vazhdojnë të jenë në detyrë në kundërshtim me Ligjin Nr. 69/2012 datë 21.06.2012 “për sistemin arsimor para universitar” dhe udhëzimin Nr. 38 datë 06.10.2015 kapitulli 8 pika 3-b e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.
Po ashtu nga Ylli Krakulli i emëruar dhe i paguar si kryeinspektor dhe i komanduar prej dy vitesh përgjegjës i Zyrës Arsimore Lushnjë janë emëruar dhe vazhdojnë të jenë drejtora shkolle në kundërshtim me Ligjin 69/2012 Neni 55 pika 2 që përcakton qartë se drejtori i shkollës duhet të ketë të paktën kategorinë “mësues i kualifikuar” dhe të mos bëjë pjesë pas emërimit në forumet drejtuese të partive politike këta drejtorë; Elona Mezini, shkolla Savër është futur në provim dhe ka ngelur, Dashamir Sula, Thanasaj me CU, Bersan Spaho, shkolla Gëmej Çok me CU, Rrahman Çela Gjuzaj 2 vjet punë pa kualifikim, Alban Meço shkolla “Jani Nushi”, pa punuar asnjë ditë në arsim, por mbi 15 vjet në bankë, Agathi Lipe shkolla “Kongresi Lushnjës” me CU, Dashamir Ndreka, Shkolla Toshkëz me CU, Rozeta Hasanbelliu Shkolla e Mesme Kolonjë me CU, Pranvera Thomai në Spolat me CU, Ana Dhimo (Nako) Fier Seman është kryetare e Këshillit Bashkiak Divjakë dhe anëtare e komitetit qendror dhe senatore e PS, Gëzim Ballabani, Karavasta me CU dhe i dënuar me Vendim Gjykate Nr. 376 datë 11.12 2014 nga Gjykata Lushnjë, Spartak Çela, Shkolla Golem e lashë të fundit, por më i rëndësishëm si rast unik i papërgjegjshmërisë së Ylli Krakullit si përgjegjes i komanduar. I emëruar nga ish-drejtoresha Luiza Tabaku, me urdhër emërimi Nr. 90 datë 24.02.2014 si i përkoheshëm, me diplomë Baçelor Nr. 87 datë 19.07.2013 për Drejtësi dhe Shkenca Sociale marrë tek Kristali i famshëm më datë 11.12.2013 kur ky person ka qenë mbi 20 vjet emigrant në Greqi e verifikueshme nga sistemi TIMS. Pas ankesës se një grupi prindërish nga Golemi në Ministri, Ylli Krakulli më datë 04.05.2015 i kthen përgjigje ministrisë ku pranon që ky drejtor është emëruar në kundërshtim të hapur me Ligjin 69/2012 Neni 55 pika 2, dhe pranon që ka filluar proçedurën për zgjidhjen e kontratës.
Më datë 02.04.2015 me Shkresën Nr. 645 zoti Krakulli e njoftonte paraqitet në ZA Lushnjë z Spartak Çela për të zgjidhur kontratën. Më datë 8 prill 2015 ora 9:30 në ZA Lushnjë mbahet proçesverbal Nr. 662 për zgjidhje kontrate dhe sqarohet që është emëruar në kundërshtim me ligjin i firmosur ky proçesverbal nga: Ylli Krakulli, Gentian Mino, Avdije Bojaxhiu nga ZA dhe nga vetë Spartak Çela. Më datë 10 prill 2015 zoti Ylli Krakulli me urdhërin Nr. 98 me nr. protokolli 671 urdhëron largimin nga puna të z. Spartak Çela dhe t’i ndërpriten marrëdhëniet financiare më datë 30 qershor 2015. Me shkresën me Nr 671/1 po më datë 10 prill 2015 i dërgon urdhërin Nr. 98 të shkarkimit Spartak Çelës. Dhe me shkresën Nr. 673 po më datë 10 prill 2015 njofon Spartak Çelën për zgjidhjen e kontratës ku ka firmën dhe z. Spartak që konfirmon se mori vendimin.
Dhe nga data 10 prill 2015 deri sot më 21 prill 2016 pra një vit e 11 ditë zoti Spartak vazhdon të jetë prap drejtor i Shkollës Golem, vazhdon të paguhet dhe vazhdon në detyrë. Nuk di çfarë mund të belbëzoj Ylli Krakulli si komisar politik. Kjo është ZA e rrethit Lushnjë nën drejtimin e Rilindjes dhe këtij zotërie që e kishte i pari emrin në dosjen gjyqësore të Liza Tabakut ish-drejtoresha e dënuar si i rekomanduar nga PS dhe deputeti Çuko më datë 23.12.2013. “Për këtë dhe për shumë materiale të tjera që disponojmë si PD dega Lushnjë do të bëjmë menjëherë kallëezim penal në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Lushnjë. Me pjesën tjetër të serialit Ylli Krakulli për batërdinëe me mësues dhe ankesat e tyre te kryeministri Rama dhe ministrja e Arsimit për largime nga puna zëvendësime me militant si në Çermë, Proshk, Dushk, Pluk, Lushnjë, Ngurrëz etj., do të ju njoh shumë shpejt javën tjetër”, përfundoi Murrizi.

Bien akuzat politike, Apeli i jep pafajësinë Xhelal Mziut

Gjykata e Apelit në Tiranë ka shpallur të pafajshëm kryetarin e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, duke rrëzuar akuzat politike. Pas shumë peripecish dhe presoni të hapur ndaj organeve të drejtësisë nga ana e mazhorancës, ku më e fundit ishte ajo e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahirit të enjten nga Komisariati Nr.5, dje drejtësia ka vënë të drejtën në vend ndaj Xhelal Mziut, duke konfirmuar qartë se akuzat e Prokurorisë dhe vendimi i Gjykatës në Shkallën e Parë ka qenë të ndikuara hapur politikisht. Gjykata e Apelit ka vendosur pushimin e çështjes dhe shpalljen e pafajshëm të kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu dhe dy vartësve të tij, drejtorit Juridik Atli Hoti dhe drejtorit të Tatim-Taksave, Bujar Loshi. Relatori i Kolegjit Penal në Gjykatën e Apelit, Lefter Jahja, ka rrëzuar jo vetëm vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë, që e dënonte Mziun me 2 vite burgim për akuzën e shpërdorimit të detyrës, por në vendimin e pushimit të çështjes nga ana juridike lë të kuptohet se hetimet ndaj Mziut nuk duhej të kishin filluar ose nuk duhej të kishin vazhduar. “Drejtësia u vu në vend. Uroj që këtë presion politik të mos e përjetojë askush tjetër”, tha Mziu pas dhënies së vendimit. Pas kësaj deklarate të z.Mziu duhet të kujtojmë faktin se pas gjithë këtyre sulmeve ndaj kryebashkiakut të Kamzës ishte Edi Rama, mazhoranca e cila kërkonte që padrejtësisht të ndikonte në dënimin e kreut të Bashkisë Kamëz dhe me çdo mjet të fitonte Bashkinë Kamëz. Përpos mjaft mënyrave si presioni mbi administratën dhe qytetarët, blerja e votës, ishte vet kryeministri që thuajse në pjesën më të madhe të takimeve elektorale që bënte kërcënonte Xhelal Mziun. Kjo nuk ndodhi, sepse në zgjedhjet e 2015, Rama, Tahiri dhe soji i tij morën përgjigjien më të mirë nga qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit që në rrugë demokratike si gardianë të votës votëbesuan bindshëm për herë të tretë Xhelal Mziun si kryebashkiak të Kamzës.

Pse akuzat nuk qëndronin

Tenderi s’u realizua kurrë, s’u harxhua asnjë qindarkë. Brenda afatit 30 ditor kompania nuk solli sigurimin e kontratës dhe asnjë dokument sipas ligjit. Sa i përket taksës, ajo nuk përcaktohet nga kryetari i Bashkisë, por Këshillit Bashkiak dhe miratohet në Prefekturë. Paradoks është fakti që të njëjtën taksë, për të njëjtin subjekt, për vitin 2014, Prokuroria e Tiranës e ka mbyllur hetimin e ka pushuar çështjen. E montuar, pa prova, e pabazuar në ligj ishte çështja e ngritur ndaj Xhelal Mziut. Konkretisht, zoti Mziu akuzohej për një tender që nuk është bërë kurrë. Kompania që ka bërë kallëzimin, nuk ka paraqitur sipas ligjit, dokumentacionin e nevojshëm për lidhjen e kontratës që janë; sigurimi i kontratës, formularin e kontratës së nënshkruar, setin e dokumenteve të tenderit origjinal, apo një kopje të noterizuar. Këto dokumente nuk i ka paraqitur, edhe pse Bashkia i la kompanisë afatin maksimal që parashikon ligji. Pra, nga 5 deri në 30 ditë, Bashkia i la 30 ditë kohë. Megjithatë, kompania nuk përmbushi asnjë nga detyrimet ligjore. Kemi këtu gjithë provat që vërtetojnë këtë që po them. Për tenderin në fjalë, nuk kishte asnjë dëm ekonomik. Zoti Mziu nuk i ka shkaktuar asnjë dëm arkës së Bashkisë, sepse kemi të bëjmë me një tender të parealizuar. Nuk ka humbur asnjë qindarkë, pra bie si akuzë, sepse nuk ka pasojë. Duhet të kishte pasojë, pra dëm ekonomik, për të pasur një akuzë. Subjekti që ka ngritur gjithë këtë fabul, që ka bërë kallëzimin, nuk ka paraqitur sigurimin e kontratës, kusht primar ligjor. Prokuroria me dashje nuk ka hetuar faktin se, subjekti pretendues nuk ka paguar sigurimin e kontratës, kusht primar ligjor për lidhje kontrate. Pavarësisht kësaj, mbrojtja ka marrë në rrugë ligjore këtë provë, dhe e ka paraqitur para Gjykatës, provë kjo që nuk përmendet fare në vendimin e Shkallës së Parë, por që Apeli e ka konsideruar. Pra, Shkalla e Parë nuk e ka përmend provën kyçe, që zgjidh këtë histori.
Përsa i përket çështjes së taksës. I njëjti subjekt ka bërë kallëzim në Prokurori për taksën e vitit 2013, duke e pretenduar atë si të paligjshme. Sqarojmë se kjo taksë, taksa e zënies së hapësirës për subjektet tregtare, parashikohet dhe buron nga paketa fiskale. Paketa fiskale miratohet nga Këshilli Bashkiak, organ kolegjial, dhe konfirmohet nga prefekti, dhe zbatohet nga zyra e tatim taksave të Bashkisë. Më gjeni ju ku është kompetenca e kryetarit të Bashkisë në këtë zinxhir procedurial. Paradoks është fakti që të njëjtën taksë, për të njëjtin subjekt, për vitin 2014, Prokuroria e Tiranës e ka mbyllur hetimin e ka pushuar çështjen, për të njëjtën pretendim për të njëjtën taksë të këtij subjekti. Vendimi i pushimit të hetimit është depozituar në Gjykatë si provë shkresore, e megjithëkëtë, sërish prokurorja e çështjes dhe Gjykata nuk e kanë konsideruar këtë akt procedurial.
Të gjitha këto fakte lehtësisht të verifikueshme, tregojnë qartë, se ky proces është jo-ligjor dhe si i tillë, nga ana jonë konsiderohet i paqenë. Ne do të ndjekim rrugën e ankimimit, e të gjithë mjetet ligjore për të rivendosur në vend të drejtën e shkelur. Një seancë para dhënies së vendimit avokati Bujar Loshi paraqiti një vendim të Gjykatës Administrative që kishte rrëzuar pretendimet e kompanisë Gjoka Shpk ndaj Bashkisë Kamzës, vendim të dhënë dje për pafajësinë e Mziut.

Hetimi: Njerëz në Qeveri pas gjobave të Shullazit

Hetimet e Prokurorisë bien në gjurmët e zyrtarëve të qeverisë që kryenin rolin e ndërmjetësit me Shullazin në vënien e gjobave biznesmenëve apo uljen e tyre. Burimet bëjnë të ditur se, me ndihmën e hetimeve me metoda speciale, përveç se janë identifikuar biznesmenët e gjobitur, janë zbardhur edhe emrat e personave që kanë ndërmjetësuar mes Shullazit dhe biznesmenëve për të ulur shumën e gjobës. Për këtë fakt, hetuesit thonë se do të marrin në pyetje edhe këta ndërmjetës, që mbajnë detyra të larta në administratën shtetërore apo institucione të pavarura kushtetuese.
Po ashtu, bëhet e ditur se grupi hetimor do të marrë në pyetje zyrtarë të lartë të Hipotekës në Tiranë dhe Durrës si dhe punonjës të tjerë, të cilët kanë kryer veprime konkrete për pronën e ish-hotel “Vollgës” apo pronave të tjera në kryeqytet. Në pyetje do të merren edhe drejtorë të ndryshëm të institucioneve dhe persona që rezultojnë se kanë komunikuar me Shullazin apo bashkëpunëtorët e tyre.
Edhe pse Prokuroria për Krime të Rënda ka ngritur akuzën e “gjobëvënies” për Emiljano Shullazin, asnjë biznesmen i gjobitur nuk paraqitet për të bërë kallëzimin penal. Burimet thonë se edhe biznesmeni i hidrokarbureve, ai i kafes dhe dyqaneve në Durrës si dhe personi me precedent penal që tashmë ushtron aktivitetin e biznesit në fushën e qendrave tregtare nuk kanë pranuar të paraqiten në Prokurori për të bërë kallëzimet.
Prokuroria kërkon verifikimin e pronave dhe pasurisë së Emiljano Shullazit si dhe të të dyshuarve si pjesëtarëve të bandës së tij. Nga ana tjetër, kompanitë e telefonisë lëvizëse kanë konfirmuar se Emiljano Shullazi nuk ka numër të regjistruar në emrin e tij. Emiljano Shullazi nuk përdorte telefon, të regjistruar në emër të tij. ABC News ka mësuar se kompanitë e telefonisë lëvizëse kanë njoftuar Policinë dhe Prokurorinë se në emër të Emiljano Shullazit nuk ka numër të regjistruar pranë tyre. Përgjigja e kompanive, ka bërë që hetuesit të krijojnë bindjen, se Shullazi ishte shumë i kujdesshëm me përdorimin e telefonave.
Ata thonë se, Shullazi përdorte celularët e personave të tjerë që mbante pranë tij, si Gilmando Dani apo i arrestuari tjetër Blerim Shullazi. Të dy këta të dyshuar, thonë burimet, kanë edhe më shumë biseda të përgjuara, por që janë treguar të kujdesshëm në komunikim. Nga ana tjetër, burimet thonë se, grupi hetimor po verifikon numrat e personave të tjerë që rrinin në krah të Shullazit apo familjarëve të tyre. Sipas Prokurorisë, në shumicën e rasteve pjesëtarët e këtij grupi kriminal, përdornin telefonat vetëm për të lënë takime me personat e tjerë. Ku në shumicën e bisedave, personat e përgjuar flisnin në emër të Emiljano Shullazit, i arrestuar për disa akuza, mes tyre gjobëvënien ndaj shumë biznesmenëve në Tiranë. Burimet thonë se grupi hetimor i kryesuar nga dy prokurorët Elizabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, kanë deleguar një sërë detyrash tek oficerët e Policisë Gjyqësore për të kryer disa veprime hetimore për dosjen.
Në mesin e tyre janë edhe evidentimi nga Hipoteka e të gjitha pronave dhe pasurisë së Emiljano Shullazit dhe personave të tjerë të dyshuar, për përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale. Si dhe, është kërkuar nga bankat e nivelit të dytë në vend të identifikojnë llogaritë bankare në emër të Emiljano Shullazit dhe pjesëtarëve të afërt të familjes së tij. Veprim ky, i marrë nga grupi hetimor, pasi dyshohet se Shullazi ka përfituar shuma të mëdha parash nga aktiviteti kriminal i gjobëvënies ndaj biznesmenëve të ndryshëm në vend

Prokuroria: 3 gjyqtarë nën hetim për pronësinë e hotel “Vollgës”

Prokuroria e Durrësit ka filluar hetimin për tre gjyqtarë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në rastin e shqyrtimit gjyqësor civil për pronësinë e ish-hotel “Vollga”. Prokuroria e Durrësit, e cila po zhvillon hetime për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave” mbi mënyrën e tjetërsimit të truallit dhe godinës së ish-“Vollga” në qendër të qytetit, ka konstatuar një vendim të dyshimtë gjykate mbi këtë çështje.
Në një proces civil që ka zgjatur për disa vite, dy palë kanë pretenduar pronësinë mbi truallin dhe objektin. Konkretisht, Mohammmed Abdullah Bavazeri, përfaqësues i “Saudi Brother Commercial Company” dhe shtetasi Zanmir Hasa, janë përballur në Gjykatë me pretendimet e tyre dhe çështja ka arritur deri në Gjykatën e Lartë.
Por, Prokuroria e Durrësit ka konstatuar se, ndërkohë që po zhvillohej shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën e Lartë, Gjykata e Durrësit, për të njëjtin objekt, ka marrë vendimin Nr.449, dt. 18.02.2013, në bazë të të cilit urdhërohet Hipoteka e Durrësit të regjistrojë si pronar në këtë pronë shtetasin Mohammed Abdullah Bavazer, duke fshirë automatikisht nga regjistri hipotekor emrin Zanmir Hasa, i cili rezultonte deri në atë kohë si pronar pranë ZVRRP Durrës.
Prokuroria e Durrësit dyshon se Vendimi Nr. 449, dt. 18.02.2013 i gjyqtarëve Dhurata Bilo, Vladimir Skënderi dhe Ndue Gjura, është marrë në kundërshtim të hapur e flagrant me ligjin, pasi nuk referohet në asnjë bazë ligjore dhe në dijeni të plotë të ekzistencës së një gjykimi paralel, i cili ndodhej në Gjykatën e Lartë.
Prokuroria e Durrësit vlerëson se vendimi gjyqësor i mësipërm nuk ka asnjë bazë ligjore, pasi në asnjë dispozitë të Ligjit Nr.7843, dt.13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” nuk parashikohet koncepti i “fshirjes” së një regjistrimi të kryer apo “anulimi” i fshirjes. Në vlerësimin e Prokurorisë, shkelja është e dukshme, pasi Gjykata, në asnjë moment të vendimit të saj, nuk ka shprehur se në çfarë dispozite e bazon vendimmarrjen e saj konkrete për anulimin e fshirjes së kryer nga ZVRPP Durrës.
Prokuroria e Durrësit, deri në këtë fazë të hetimit, ka krijuar dyshime të arsyeshme se ky vendim i Gjykatës është marrë haptazi në kundërshtim me ligjin, pasi, duke mospasur asnjë bazë ligjore, Gjykata ka vendosur diçka, të cilën nuk mund ta vendoste në asnjë rast.
Ky veprim i Gjykatës është kryer me dijeni të plotë të paligjshmërisë nga ana e saj, pasi vetë Gjykata në vendim është shprehur se zgjidhja përfundimtare e çështjes do të sigurohet, pasi të shqyrtohej nga Gjykata e Lartë Vendimi Nr.433, dt.13.03.2002 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në zbatim të të cilit, Hotel “Iliria” (ish-“Vollga”) ishte regjistruar në emër të Zanmir Hasës.
Pra, nga njëra anë Gjykata ka pranuar se zgjidhja përfundimtare e çështjes do të vinte pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të konfliktit të themelit nga ana e Gjykatës së Lartë dhe nga ana tjetër, po kjo gjykatë, ka vendosur fshirjen e regjistrimit të pronës nga emri i Zanmir Hasës dhe regjistrimi në emër të shoqërisë Saudit Brothers Commercial Company.
Krahas hetimit të nisur tashmë, Prokuroria do të njoftojë Presidentin e Republikës dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë mbi dyshimet e saj për vendimmarrjen e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Zhduken nga Hipoteka e Tiranës dhe Durrësit materialet e hotel “Vollgës”

Prokuroria për Krime të Rënda po heton blerjen dhe përfitimin e ish-hotel “Vollgës” që nga pronarët e vërtetë, te kompania arabe dhe më pas aksionerët shqiptarë, mes tyre Emiljano Shullazi. Por ajo që bie në sy nga hetuesit, është fakti se nga verifikimi i dosjes së sekuestruar në Hipotekën e Durrësit dhe Tiranës rezulton se janë zhdukur materialet që tregojnë origjinën e kësaj prone, që është një nga pistat e tjera të hetimit të kësaj dosje.
Burimet pranë grupit hetimor, konfirmuan se Prokuroria ka sekuestruar të gjithë dosjen e ish-hotel “Vollgës” në Hipotekën e Durrësit dhe atë të Tiranës, për të verifikuar të gjitha veprimet e kryera për këtë pronë që nga viti 1994. Pasi dyshohet se kjo pronë, ka përfunduar në pronësi të familjes Kodra dhe Shullazi me anë të falsifikimit dhe kërcënimeve të vazhdueshme.
Burimet thonë se, autorizimi për shitjen e kësaj prone në marsin e vitit 1994 që i kalon pronarëve dyshohet se është e falsifikuar. Po atë vit, në dhjetor pronarët i kanë shitur këtë pronë shtetasit arab Muhamed Abudulla Baëzeer. Që në atë kohë, dyshohet se veprimet hipotekore janë falsifikuar nga pronarët dhe personat që janë autorizuar për të kryer veprime. Pas kalimit të pronësisë, janë zhvilluar disa procese gjyqësore mes pronarëve të vërtetë dhe kompanisë arabe. Në vitin 2003, trashëgimtarët e familjes Fortuzi arrijnë të regjistrojnë pronën në emër të tyre. Po atë vit, shtetasi Zamir Hasa që tashmë ka kallzuar për vjedhjen e pronës së tij, ka regjistruar pronën në emër të tij me prokurë dhe autorizim të pjesëtarëve të familjes Fortuzi.
Në këtë kohë, kompania arabe hap përsëri një proces gjyqësor që në korrik të 2014, Gjykata e Lartë vendos të pezulloi regjistrimin e kësaj prone në emër të kompanisë arabe. Pavarësisht këtij vendimi, Gjykata e Durrësit me një vendim të çuditshëm hedh poshtë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe urdhëron regjistrimin e pronës në emër të kompanisë arabe. Ky vendim, dyshohet se është zbatuar nga drejtues të Hipotekës së Tiranës dhe Durrësit me anë të presionit dhe kërcënimeve.
Me regjistrimin e pronës, kompania arabe në nëntor të 2014 i shet pjesëtarëve të familjes Kodra 2/3 e sipërfaqes së kësaj prone me 670 mijë euro. Një muaj më pas, në dhjetor të 2014 përfaqësuesi i kompanisë arabe Ylvi Beqja dhe pjesëtarët e familjes Kodra në shenjë mirënjohje i dhurojnë 30% të sipërfaqes së ish-hotel “Vollgës” Emiljano Shullazit. Ky dhurim, dyshohet se është kryer pasi, Shullazi kishte arritur që me anë të presionit dhe kërcënimeve të regjistrojë pronën në emër të shoqërisë arabe dhe në shenjë shpërblimi i kanë dhënë 30% të sipërfaqes totale të ish-hotel “Vollgës”. Por ajo që bie në sy nga hetuesit, është fakti se nga verifikimi i dosjes së sekuestruar në Hipotekën e Durrësit dhe Tiranës rezulton se janë zhdukur materialet që tregojnë origjinën e kësaj prone, që është një nga pistat e tjera të hetimit të kësaj dosje.

Kalimi i “Vollgës” tek Shullazi, gjyqtari ia hedh fajin Hipotekës

Një nga 3 gjyqtarët e akuzuar nga Prokuroria e Durrësit se ka dhënë një vendim të padrejtë, duke i dhuruar hotel  “Vollgën” Emiljano Shullazit, shmang përgjegjësinë, duke thënë se fajin e ka Hipoteka. Në një prononcim për “Ora News”, Vladimir Skënderi thotë se vendimi i dhënë nga trupa gjyqësore në vitin 2013 është i drejtë dhe i bazuar në ligj dhe prova. Vendimi gjyqësor që mban firmën e tij, nuk ka lidhje me dhurimin e pronës tek Emiljano Shullazi. Gjyqtari Skënderi, thotë se procesi gjyqësor, ka zgjatur një vit derisa ka marrë formën e prerë, ndërsa prona rezulton të jetë dhuruar disa muaj më vonë.
“Në rastin konkret, ne si gjyqtarë me këtë vendim kemi ndrequr një parregullësi që ishte bërë nga ana e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Çfarë kishte bërë kjo zyrë? Punonjësit e asaj kohe kishin çregjistruar pronësinë e hotel “Vollgës” që ishte e regjistruar në emër të shoqërisë “Saudi Brother Commercial Company”, e kishin çregjistruar pronësinë nga emri i kësaj shoqërie pa vendim gjyqësor dhe pa u thirrur kjo zyrë. Kushtetuta thotë që askujt nuk mund t’i hiqet prona pa një proces të rregullt ligjor, Neni 42 i Kushtetutës. Këtë shkelje që kishte bërë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që kishte hequr pronën shoqërisë “Saudi Brother Commercial Company” e rregulloi trupi gjykues dhe anuloi fshirjen që kishte bërë Zyra e Regjistrimit dhe e ktheu gjendjen në situatën e mëparshme, që do të thotë e urdhëroi Zyrën e Regjistrimit që prona të qëndrojë e regjistruar në emër të “Saudi Brother Commercial Company”, shprehet Skënderi.
Gjyqtari Valdimir Skënderi, thotë se nuk ka një njoftim zyrtar ndaj tij nga Prokuroria dhe as Gjykata, ndërsa lajmin për hetimin, e ka marrë nga të afërmit nëpërmjet mediave.

R.POLISI

Rama-Shullazi-Tahirit po u vjen fundi

Lulzim BASHA

Në Shqipëri ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndësishme, e cila vlen shumë më tepër se logoretë e dala boje të Edi Ramës.
Prokuroria, pjesa e pakapur nga Edi Rama, pjesa jashtë kontrollit të Edi Ramës, ka vënë në pranga kryetarin e një bande të armatosur që është rritur këto tri vite jo vetëm nën hundën, por me mbështetjen e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, që ka krijuar një shtet brenda shtetit apo më saktë shtetin Rama-Tahiri-Shullazi, jo në shpellë, por në mes të Tiranës e Durrësit, në mes të kryeqytetit të një vendi të NATO-s, që ka grabitur, gjobitur, terrorizuar deri profesorët e universiteteve duke iu kërkuar të tërhiqen nga zgjedhjet, tamam si banda e punëve të pista të Edi Ramës.
Gjithë Tirana e di. Tani po e merr vesh gjithë Shqipëria si bëhesh pronar në shtetin Rama-Tahiri-Shullazi, si bëhesh pasanik në shtetin Rama-Shullazi-Tahiri: duke grabitur me armë në dorë, duke gjobitur me armë në dorë, duke kërcënuar qytetarët, pronarët, biznesmenët, nëpunësit o jetën o pronën, o firmën o pronën o plumbin.
Tirana dhe gjithë Shqipëria është më e lehtësuar nga arrestimi i kapobandës. Biznesi gjithashtu. Zyrat e shtetit ku banda bënte ligjin me bekimin e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit kanë filluar të marrin frymë.
Edi Rama dhe Saimir Tahiri sigurisht janë në zi. Janë në zi dhe në tmerr se çfarë do të flasë ky. Asnjë fjalë nuk kanë thënë në mbështetje të Prokurorisë.
Logoreja e sotme e Kryeministrit është investimi i fundit për t’i dhënë gajret bandës, për të dekurajuar hetimin e Shullazit, për të nxjerrë të palarë bandën, për t’ua lëshuar përsëri qytetarëve, biznesmenëve atë dhe dhjetëra banda të tjera që terrorizojnë sot qytetet në emër dhe me bekimin e Edi Ramës.
Ai po bën çdo përpjekje për të larguar vëmendjen nga vërtetimi publik me prova dhe me fakte i lidhjes së tij me kreun e klanit më të tmerrshëm kriminal në vend me Emiljano Shullazin. Këtë bëri edhe sot në atë palo dalje para medias, i lodhur nga gënjeshtrat e veta. Por kamerdare shpëtimi për të nuk ka. Se sado që shtyn opinionin në drejtimin që do ai, hija e Shullazit është e stampuar në portretin e tij, hije që endet në muret e zyrës që drejton përkohësisht.
Faktet janë këto:
Vetëm mbështetja e Edi Ramës i ka hapur dyert e shtetit, dyert e çdo zyre publike Emiljano Shullazit.
Nuk mund të tjetërsonte një pronë historike në mes të Durrësit që vlen miliona euro, një bandit i papunë, pa pasur mbështetjen e Edi Ramës.
“Vollga” është monumenti kriminal i vendit, ku Edi Rama ka dorën e tij.
“Vollga” është turpi, shëmtia, simboli i rënies së shtetit, i banditit që është mbi ligjin, por kjo vetëm e vetëm me ndihmën dhe përkujdesjen e Edi Ramës. Janë dhjetëra biznesmenë që kanë paguar haraçin tek ky bandit. Nuk do të kishte ndodhur kjo, nëse Shullazi nuk do të kishte mbështetjen e Edi Ramës.
Emiljano Shullazi ka kryer shumë krime e ka pasur shumë lehtësi përmes njeriut të tij në Ministrinë e Brendshme, që është Saimir Tahiri. Shkrirja me krimin u thellua më tej ditë pas dite dhe Shullazi e tejkaloi ortakërinë me Tahirin, vendosi lidhje të drejtpërdrejta me Edi Ramën. Ky pushtet kriminal në rritje, shtoi dhe lakminë dhe babëzinë për të kapur çdo institucion. Dhe kur nuk ia del dot me votë, me garë e me alternativë, fut në lojë Shullazin në zgjedhje, në referendume, në zgjedhje për të detyruar rektorin e sotëm të largohej nga gara.
Edi Rama, i bindur se është i përbuzur dhe i refuzuar si model nga studentët e pedagogët, nga bota akademike dhe intelektuale u paraqit në garën universitare me alternativën Shullazi. Si mund t’i bënte këto Shullazi pa ndihmën e Ramës, pa kërkesën e Ramës? Pa mbështetjen e Edi Ramës nuk mund të kalonte kurrë makinën e blinduar në doganë pa asnjë kontroll, siç u vërtetua pas denoncimit tonë. E pas kësaj heshtën. Pa mbështetjen e Edi Ramës, nuk mund të pastrohej skena e krimit dhe Shullazi të dilte i pastër.
Jo pak biznesmenë të grabitur me tytën e armës nga ky bandit kanë apeluar tek Edi Rama. Por tek Edi Rama nuk kanë gjetur garantin e ligjit, të rendit dhe sigurisë, por partnerin e Emiljano Shullazit. Sot, po të mos ishte për punën e Prokurorisë dhe nëpunësve të tjerë me integritet të shërbimeve shtetërore, po të mos ishte për aleatin tonë të çmuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Emiljano Shullazi do të ishte duke prerë akoma gjoba të reja, duke planifikuar atentate të reja, duke vendosur për tenderin e radhës, emërimin e radhës, duke grabitur qytetarin e radhës dhe pronën e tij. Për Edi Ramën dhe përsa i takon Edi Ramës, ky krim i pashembullt do të vazhdonte sot e gjithë ditën.
Kjo rrugë u pre nga një grup prokurorësh me integritet dhe jashtë kapjes politike të Edi Ramës, nga miqtë tanë, të cilët gjej rastin t’i falënderoj, t’i inkurajoj e t’i nxis të bëjnë një hetim të plotë të çështjes, të zbardhin lidhjet kriminale nga rruga dhe skenat e krimit deri në Kryeministri. I tërë aktiviteti kriminal i Shullazit dhe së fundmi arrestimi i tij, janë dëshmi e shtetit Rama-Shullazi-Tahiri.
Partia Demokratike dhe unë, kemi denoncuar prej tre vitesh në vazhdimësi dhe ata nuk e mohuan, nuk e përgënjeshtruan një ditë të vetme. Kaq e fortë ishte lidhja, kaq i fortë ishte urdhri, pakti, betimi për besnikëri deri në vdekje. Është pikërisht kjo rënie në krim, kjo bashkëjetesë e përditshme e Edi Ramës me krimin, burimi kryesor i të keqes në vend, i varfërisë së skajshme të qytetarëve, i grykësisë pafund të qeveritarëve dhe banditëve të tyre. E për këtë dhe vetëm për këtë, ai ka ndaluar Reformën në Drejtësi. E ka vonuar, e ka tërhequr zvarrë për dy vite. Ka vonuar ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit sepse e donte nën kontroll, e donte ta drejtonte bashkë Shullazin dhe kur kjo i dështoi, vetëm e shtynë dhe e shtynë sepse e ka frikë. E donte Byronë nën kontroll sepse në fakt nuk donte Byro të Hetimit. Donte Byro të Tahirit. Donte Byro të Shullazit.
Pse? Sepse Byroja Kombëtare e Hetimit është jo vetëm fundi i shullazëve, por bashkë me ta edhe fundi i Edi Ramës. I ka lënë Emiljano Shullazit territore të tëra në dispozicion për të mbjellë hashash, i ka ofruar postet kyçe në polici e dogana dhe sot kapet pas një deklarate, një qëndrimi që nuk është as vendim dhe as nismë, por është një propozim për gjendjen e tmerrshme kriminale me shpresën që do të fshijë Shullazin nga memoria e njerëzve. Një mision i dëshpëruar, një mision i pamundur sepse njerëzit e dinë mirë se Shullazi, krimi ishin zgjedhja e tij e parë. Ishin zgjedhja që bëri për të ardhur në pushtet. Krimi është zgjedhja e Ramës për ta ushtruar pushtetin dhe krimi është shpresa e tij e marrë për të qëndruar në pushtet, edhe përkundër votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.
Nuk ka shqetësim që banditët e tij guxojnë të kërcënojnë akademikët si në një shtet të juntave. Nuk ka shqetësim që banditët e tij po terrorizojnë qytetarët anembanë vendit. Ndërtojnë pa leje ku duan. Grabisin prona e laguna ku duan. Vendosin njerëzit e tyre në polici, dogana ku të duan. Nuk ia ndjen që solli krimin në pushtet dhe pushtetin e veshi me krim. E gënjen mendja se mund t’i lerë qytetarët në mbarë vendin peng të kriminelëve dhe bandave të tij. Orët e bandave po mbarojnë. Ora e ligjit ka trokitur. Reforma në Drejtësi ka nisur me shenjën e mirë, shenjën më të mirë të mirëpritur nga gjithë qytetarët të goditjes së bandës më të dashur për Edi Ramën dhe Tahirin. Të tjerave po u vjen radha.
Drejtësia do të bëhet. Zgjedhjet dhe vota do të jenë të sigurta. Shqipëria do të vijë në normalitet dhe klithmat e fundit të tranzicionit me Edi Ramën e banditët e tij, shumë shpejt do t’i përkasin të shkuarës.

Pushteti që Rama i dha Shullazit

-Vetëm mbështetja e Edi Ramës i ka hapur dyert e shtetit, dyert e çdo zyre publike Emiljano Shullazit.
-Nuk mund të tjetërsonte një pronë historike në mes të Durrësit që vlen miliona euro, një bandit i papunë, pa pasur mbështetjen e Edi Ramës.
-“Vollga” është turpi, shëmtia, simboli i rënies së shtetit, i banditit që është mbi ligjin, por kjo vetëm e vetëm me ndihmën dhe përkujdesjen e Edi Ramës.
-Janë dhjetëra biznesmenë që kanë paguar haraçin tek ky bandit. Nuk do të kishte ndodhur kjo, nëse Shullazi nuk do të kishte mbështetjen e Edi Ramës.
-Emiljano Shullazi ka kryer shumë krime e ka pasur shumë lehtësi përmes njeriut të tij në Ministrinë e Brendshme, që është Saimir Tahiri.
-Shkrirja me krimin u thellua më tej ditë pas dite dhe Shullazi e tejkaloi ortakërinë me Tahirin, vendosi lidhje të drejtpërdrejta me Edi Ramën.
-Jo pak biznesmenë të grabitur me tytën e armës nga ky bandit kanë apeluar tek Edi Rama
-Ka vonuar ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit sepse e donte nën kontroll, e donte ta drejtonte bashkë Shullazin
– I ka lënë Emiljano Shullazit territore të tëra në dispozicion për të mbjellë hashash, i ka ofruar postet kyçe në polici e dogana

Shullazi në qeveri po kërkon të djegë Kuvendin, PD paralajmëron

Në një akt hakmarrjeje të pastër të denoncimit që ish-Kryeministri Berisha i bëri Shullazit që çoi edhe në prangosjen e tij, sozia e tij në Kryeministri ndërmori dje në Byronë e Kuvendit vendimin për përjashtimin e Berishës nga Parlamenti për një afat prej 10 ditësh.
Ky është një ndër vendimet më të rënda të kësaj Byroje dhe pasojat e saj mund të jenë mjaft të rënda. Një Parlament që komandohet nga qelitë e burgjeve ku mbahet kreu i organizatës kriminale Shullazi nuk i duhet askujt. Ai nuk është më një Parlament.
Arrestimi i Shullazit e ka çuar Ramën deri aty sa zemërimi ta bëjë të djegë edhe institucionin më të rëndësishëm në vend që është Parlamenti. Përjashtimi i Berishës nuk është thjesht dhe vetëm një vendim ndaj një ish-Kryeministri, por është një dënim ndaj atij që guxoi të denoncojë kreun e krimit të organizuar në Shqipëri. Kjo i kalon të gjitha caqet dhe deputetë, opozita dhe shqiptarët janë sot para alternativës ose të pranojnë një Parlament të nënshtruar nga Shullazi në qeveri, ose të kthejnë dinjitetin në atë sallë.
Rama është i verbuar se i ka rënë në burg ortaku në krime dhe gjobëvënie, por kjo nuk është një alibi që ai të tolerohet të djegë Parlamentin. PD ka paralajmëruar dje Byronë që të tërheqë me urgjencë vendimin për përjashtimin e Berishës, në të kundërt është e qartë se ai Parlament nuk do të mund të funksionojë as edhe një moment të vetëm.
Vendimi i marrë dje nga Parlamenti është një vendim tërësisht antikushtetues. Përpjekja e një grupi burracakësh dhe mjeranësh që votuan dje përjashtimin e liderit të demokracisë nuk gjen kushtetueshmëri, legjitimitet, rregullim dhe standard demokratik ku të mbështetet, përveçse në Kushtetutën e diktatorit Enver Hoxha, ligjet e agjitacion-propagandës, rregulloret e Shqipërisë-burg dhe standardet e mafias.
Tufa kriminale e shërbëtorëve dhe vasalëve që Rama ka në Parlament nuk mundet të imponojnë më asgjë në këtë vend, e për më tepër ta shndërrojë Parlamentin në një teatër kukullash. Edi Rama nuk mundet të dërgojë mesazhe shprese për të burgosurin Shullazi, duke ndëshkuar opozitën.
Parlamenti nuk mund të shndërrohet në një dhomë burgu, ku deputetët të flasin sipas oreksit të kapobandës. Vërtet ata që votuan dje përjashtimin e Berishës dhe një pjesë tjetër që janë zgjedhur sipas kriterit “kush është më i inkriminuar” mund të jenë delet e Ramës, por Parlamenti është i Shqipërisë. Parlamenti nuk mund të vihet nën thundrën e krimit dhe ligji i mafias të bëhet Kushtetuta e vendit.
Parlamenti ka marrë dje goditjen më të rëndë. Realisht, opozita dhe Partia Demokratike kanë përjetuar në atë sallë plumba, grushta, dhunë, fyerje, por kurrë si dje nuk kishte ndodhur që një deputet të përjashtohej pse foli lirisht, pse propozoi një iniciativë ligjvënëse, pse ushtroi detyrën e tij kushtetuese, mandatin që i kanë dhënë qytetarët shqiptarë.
Më herët këta këlyshë të komunizmit ishin justifikuar se aktet e rënda ndaj opozitës kishin ndodhur për shkak të të çmendurve apo kriminelëve që ishin në radhët e tyre. Vendimi i djeshëm për përjashtimin e Berishës nga Parlamenti, nuk na lë as këtë herë të dyshojmë në alibinë e tyre se Rama është edhe i çmenduri edhe krimineli në radhët e tyre, por nuk jemi të sigurtë se sa të çmendur dhe të kriminalizuar janë pjesa tjetër që i shkojnë pas.
Partia Demokratike ka një përgjigje për këtë provokim të rëndë dhe përpjekje për të shkatërruar parlamentarizmin në këtë vend. Vërtet Rama dhe banda e tij në pushtet është nisur për të bitisur në qelinë e Shullazit, por nuk do të mund ta marrë me vete as lirinë, as demokracinë dhe as guximin e shqiptarëve. Lirinë dhe demokracinë i kemi nxjerrë nga burgu më ’90 kur shembëm diktaturën më të egër të Lindjes komuniste dhe Rama nuk ka takat t’i ndryjë më në qeli. Parlamentin, shtëpinë, pronat, liritë, të drejtat dhe atdheun do t’i mbrojmë edhe deri me armë, pasi Kushtetuta dhe ligji nuk janë më në shërbim të diktaturës dhe diktatorit, por të demokracisë dhe qytetarit.
Vendimi i koalicionit të qelbësirave për të përjashtuar ish-Kryeministrin Sali Berisha nga Parlamenti për 10 ditë është më shumë se një skandal, pasi e rikthen Shqipërinë 60 vite më pas në vitet e terrorit komunist.
Në pranverën e vitit 1946, diktatori Enver Hoxha vendosi eliminimin e opozitës, për arsyen e vetme se ata nuk ishin dakord me politikat kriminale të qeverisë komuniste dhe përdorën mjetet demokratike në Parlament për të ndalur revanshin e regjimit. Fatkeqësisht, vendimi i djeshëm i shumicës është një hakmarrje e pastër politike ndaj liderit antikomunist Sali Berisha, i cili ka përdorur fjalën e lirë në Parlament për të denoncuar krimet dhe korrupsionin e pushtetit dhe ka kërkuar që ligji të lejojë shqiptarët të mbrohen nga furia e bandave qeveritare që po terrorizojnë të madh e të vogël në mbarë vendin.
Njësoj si edhe 60 vite më parë, kur udhëronte diktatori Hoxha, Parlamenti iu nënshtrua dje urdhrave të Kryeministrit Rama, për të dënuar një anëtar të Parlamentit pse pati kurajo të tregonte publikisht nga podiumi i Parlamentit lidhjet e krimit me qeverinë, me Kryeministrin dhe me ministrin e Brendshëm.
Ky nuk është rasti i parë që kjo mazhorancë ndëshkon opozitën për fjalën e lirë dhe kërkon ta shantazhojë, dhunojë, frikësojë, deri edhe t’i përjashtojë nga Parlamenti për t’i mbyllur gojën deputetëve.

Arkitekti i Ramës për stadiumin, një burgaxhi në Itali

Arkitekti italian i studios “Archea” që ka realizuar projektin e stadiumit të ri kombëtar në Tiranë, rezulton të jetë arrestuar për korrupsion në itali. Marco Casamonti që u vlerësua prej kryeministrit Rama, është arrestuar në 11 dhjetor të vitit 2008 dhe rifitoi lirinë më 2 janar 2009. Për një muaj ndaj tij ishte dhënë masa e sigurisë “arrest me burg”. Sipas gazetës “La Repubblica”, hetimet e prokurorit Giuseppe Quattrochi zbuluan implikimin e arkitektit Marco Casamonti në një tender prej 98 mijë eurosh për rikonstruksionin e një ndërtese në komunën Terranova Bracciolini. Casamonti është themeluesi i studios “Archea” e cila ushtron aktivitet në nivel ndërkombëtar. Dje kjo studio prezantoi projektin për “Arenën Kombëtare”, ku çuditërisht stadiumi kishte edhe një kullë. Arkitekti italian Casamonti është një emër i njohur në Shqipëri, pasi ka qenë shumë aktiv me projektime, propozime dhe angazhime të tjera gjatë kohës kur Kryebashiak ishte Edi Rama. Ai ka projektuar disa objekte në Tiranë. Kujtojmë këtu kullën 20 katëshe, 4 EverGreen Tower, e cila po ndërtohet në krah të Gjykatës së Lartë. Në vitin 2008 ai ishte një ndër anëtarët e jurisë për projektin e Sheshit “Skenderbej” që nxori fitues projektin e firmës belge 51N4E dhe Anri Salës. Ky projekt, me një modifikim të vogël, do të fillojë të ndërtohet së shpejti.

Arrestimi i Casanotit në mediat italiane

La Republica: Arkitekti Marco Casamonti, një nga shtatë personat nën hetim për korrupsion në çështjen e urbanizimit të zonës së Kështjellës në Firence, pronë e Fondaria-Sai, është arrestuar në sferën e disa hetimeve të tjera, të koordinuara nga Prokuroria e Firences me akuzën mbi një tender të lëshuar nga Komuna e Terranovës. Casamonti, profesor i ri në Fakultetin e Arkitekturës në Genoa, mori pjesë pak ditë më parë në një konferencë në Imperia në projektin e rizhvillimit të ish-zonave industriale dhe nënshkroi një masterplan për rimëkëmbjen e ish-rajoneve të paraqitura nga “Societa  per Cornigliano”. Në qendër të hetimit që çoi në arrestimin e Casamontin ka qenë një tender i lëshuar nga Komuna e Terranovës për rinovimin e një ndërtese, ku çmimi fillestar ishte 98 mijë euro. Përveç Casamontit, edhe disa profesionistë të tjerë do të hetohen. Të dyja pistat e hetimeve po ndiqen nga prokurori Giuseppe Quattrocchi dhe nga prokurorët Giani Tei, Giulio Monferini dhe Josephine Mione, si dhe policia ROS gjithashtu. Në lidhje me hetimin për çështjen e urbanizimit të kështjellës në Firenze, Casamonti akuzohet si i favorizuar në pjesëmarrje në tender. Casamonti është themelues i “Studio ARCHEA”, i cili vepron në nivel ndërkombëtar, profesor universitar, është autor i eseve dhe redaktor i revistave. Casamonti akuzohet për korrupsion, së bashku me gjashtë persona të tjerë, duke përfshirë edhe ish-këshilltarin Biagi.

Casamonti dhe lidhjet me Ramën

•    Projekti i stadiumit “Arena Kombëtare”, i propozuar nga kompania fierake “Alb Star shpk”, është realizuar nga arkitekti italian, Marco Casamonti.
•    Marco Casamonti është arkitekt shumë i njohur në Itali, i cili ka projektuar ndër të tjera stadiumin e Udines.
•    Casamonti është i njohur në Shqipëri, pasi qenë shumë aktiv me projektime, propozime dhe angazhime të tjera gjatë kohës kur kryebashiak ishte zoti Rama. Disa nga përfshirjet kryesore të tij janë:
•    Në vitin 2005, Casamonti projektoi kullën 20-katëshe, 4 EverGreen Tower, e cila po ndërtohet në krah të Gjykatës së Lartë. Projektimi i saj u bë në kuadër të konkursit që zoti Rama organizoi, në atë periudhë, për ndërtimin e 10 kullave të përfshira në masterplanin francez për qendrën e re të Tiranës.
•    Në prill 2008, Marco Casamonti ishte një ndër anëtarët e jurisë për projektin e Sheshit “Skënderbej” që nxori fitues projektin e firmës belge “51N4E” dhe Anri Salës. Ky projekt, me një modifikim të vogël, do të fillojë të ndërtohet së shpejti.
•    Në vitin 2009, Marco Casamonti konkurroi për një projekt për rivitalizimin e zonës së stadiumit “Qemal Stafa”, duke u klasifikuar i dyti. Në atë projekt parashikohej ndërtimi i tri kullave me gjatësi 40-60 metra si pjesë e një qendre tregtare shumëfunksionale. Një variant i këtij projekti është propozuar për stadiumin e ri.

Në Shqipërinë e Edvin Shullazit

Sali BERISHA

– Banditi që vjen dhe të vret mund të mbajë armë, kurse viktimës nuk i lejohet të ketë armë për t’u mbrojtur.
– Banditi që vendos për ty “gjobën ose kokën” është i armatosur nga shullazët e qeverisë, kurse ty arma nuk të lejohet, por duhet t’i dorëzosh atij gjobën ose kokën!
– Banditi që të rrëmben fëmijën, vajzën për trafikim mund të mbajë armë kurse ti nuk mund të kesh armë për të mbrojtur vajzën tënde!
– Banditi që vjen dhe të thyen dyqanin apo banesën mund të mbajë armë, kurse viktima nuk mundet kurrsesi të mbajë armë për të mbrojtur pasurinë, dyqanin apo shtëpinë e tij!
– Madje Policia e Saje Qorrit nuk i regjistron më si krim vjedhjen e banesave.
Pavarësisht nga histeria kolektive e deputetëve të shullazëve të Parlamentit dhe papagajve e bolinove të tyre në media, ligji i Shqipërisë iu njeh të drejtën, në përputhje me plotësimin e kritereve të stipuluara të tij, çdo qytetari shqiptar të rritur, të armëmbajtjes. Megjithëkëtë, me armë, sipas udhëzimit të shullazëve të qeverisë, që kanë krijuar për xhepat e tyre tregun e zi të armëve, mund të pajisen me armë, vetëm:
– Trafikantët, vraësit, hajdutët dhe fanatikët e Partisë Siçiliste.
– Ata që japin ryshfet, të paktën 1-2 mijë euro në vartësi nga lloji i armës, për Saje Qorrin dhe çunat e krimit!
– Ndryshimi i ligjit, ndalimi i armëve për shullazët e qeverisë, shpërndarja e tyre mbi baza partiake duhet të shpallen vepra të rënda penale.
Të pajisen me armë të gjithë personat që plotësojnë kushtet ligjore pa asnjë diskriminim duke u bazuar në modelin amerikan!

Të respektohen të drejtat e opozitës

Norbert Lammert

Për mua është një kënaqësi e madhe të mund të ndodhem sërish në Shqipëri dhe është një nder i veçantë që unë të mund të flas me ju sot. Është vizita ime e katërt në Shqipëri gjatë kohës sime, mandatit tim si kryetar i Parlamentit gjerman dhe qoftë edhe vetëm për shkak të kësaj shpeshtësie të vizitave të mia, mund të transmetoj përshtypjet e mia jo vetëm personale për vendin tuaj dhe dëshirën për të njohur traditat dhe historinë e këtij vendi, por kjo është shprehje edhe e marrëdhënie intensive midis dy vendeve tona, të cilat, për fat të mirë, në vitet e fundit janë shndërruar gjithnjë dhe janë zhvilluar gjithnjë e më intensive edhe marrëdhëniet midis dy parlamenteve tona.
Gëzohem që para disa vitesh ne patëm sukses, pikërisht në iniciativën tonë për të rimarrë marrëdhëniet në mënyrë kaq intensive midis parlamenteve tona dhe komisioneve të ndryshme dhe shpresoj, jam i sigurt që kjo do të jetë edhe në të ardhmen. Këto zhvillime janë bërë të mundura përmes ndryshimeve në Shqipëri, ndryshime, të cilat nisën, pra i patën fillesat e tyre në zgjedhjet e lira para 25 vjetëve. Kujtimi i këtyre zgjedhjeve para 25 vjetësh është një rast i mirë për t’u siguruar edhe një herë për ato parime që rregullojnë dhe duhet të karakterizojnë raportin midis dy vendeve tona, sigurisht që përcaktojnë dhe duhet të përcaktojnë raportin midis parlamenteve tona. 25 vjet. Kjo shifër, krahasuar me historinë e Shqipërisë dhe historinë e Bashkimit Europian, është një kohë e shkurtër, por krahasuar me historinë e demokracisë në Europë, është një periudhë relativisht e gjatë. Ndaj shfrytëzoj rastin të theksoj disa detaje lidhur me marrëdhëniet midis dy vendeve dhe parlamenteve tona, duke sjellë në vëmendje fillimisht historinë e demokracisë gjermane.
Përpjekja e parë në Gjermani për të stabilizuar e vendosur një demokraci, dështoi pas 13 ditësh. Demokracia e Vajmarit pas Luftës së Parë Botërore, e lidhur me Kushtetutën, me rregullat e shkruara, nuk pati mundësi të piqej. Mes historianëve sot është diçka e padiskutueshme që, përmes arsyeve që çuan në dështimin e demokracisë së parë gjermane, më e rëndësishmja, ndoshta e vetmja prej arsyeve, ishte angazhimi i munguar i demokratëve. Demokracia e parë gjermane dështoi për faktin se pati shumë kundërshtarë dhe pak mbrojtës. Pikërisht ata, të cilët ishin përgjegjës për këtë shtet dhe për demokracinë, e konsideruan si më të rëndësishëm vitalitetin mes vetes, sesa sigurimin dhe garantimin e strukturave demokratike për gjithë vendin. Pikërisht në këtë rivalitet, që zgjati nga paaftësia për të arritur konsensusin në refuzimin e kompromisit, nuk dështoi thjesht dhe vetëm demokracia, çka është mjaftueshmërisht tragjike, por dështuan premisat për të penguar vendosjen e një regjimi, i cili solli një katastrofë të madhe jo vetëm për Gjermaninë edhe për Evropën.
Në Gjermani ndërkohë ka përvoja personale biografike të kësaj kohe, por përvoja traumatike e dështimit të demokracisë gjermane dhe pasojat e saj të tmerrshme janë vendosur në kodin gjenetik të vendit dhe të kombit tonë. Prej kësaj nuk u zhvillua thjesht një koncept i ndryshëm për demokracinë dhe për Kushtetutën, por edhe për qasjen dhe raportimin e demokratëve me njëri-tjetrin, një tjetër koncept, për një balancë të nevojshme mes konkurrencës dhe konsensusit, mes konfliktit dhe kompromiseve, mes interesave dhe bindjeve.
Ne kemi pasur përvoja edhe më të rënda, të cilat i kemi përjetuar kur interesat i kemi konsideruar si më të rëndësishme sesa parimet që një vend ka vendosur në thelb të ekzistencës së vet. Për fat të mirë, kemi mësuar prej kësaj që gatishmëria për kompromis është kusht i domosdoshëm për funksionalitetin e një sistemi demokratik. Kjo edhe sot në Gjermani vazhdon të jetë diçka e vetëkuptueshme, shpesh grupet politike, konkurruese me njëra-tjetrën, kanë pritshmëri dhe veprime për t’i vendosur kundërshtarët në një pozicion të vështirë dhe kjo është një lëvizje plotësisht e natyrshme e sistemit politik, që pakicat përkatëse dëshirojnë të bëhen shumica për të pasur mundësi më të mëdha formësimi të jetës politike dhe shoqërore në vend, në mënyrë që të realizojnë bindjet e tyre.
Pikërisht sepse ne në Gjermani eventualisht kemi përvoja ekzemplare, të cilat kanë qenë vërtet mjaft ekstreme, ekziston edhe vëmendja e kuptueshme për vendet që gjenden në procese të ashtuquajtura të transformimit pikërisht në procese ku ato do të duhet të kalojnë.
Unë shfrytëzoj herë pas here çdo rast të sjell në vëmendje që ajo çka e kualifikon një demokraci, nuk është vlefshmëria e parimit të shumicës, por respektimi i të drejtave të pakicës, që shumicat, në fund të fundit, arrijnë të realizojnë vetveten. Sistemi duhet të jetë i kualifikuar për të respektuar të drejtat e domosdoshme të pakicave dhe ky është kusht për zhvillimin: respektimi i të drejtave reciproke dhe të pakicës.
E di që kjo është një sipërmarrje e vështirë dhe është shumë e lehtë të formulohet si postulat sesa të ndërthuret në jetën politike konkrete, por pikërisht ngjarje të tilla, sikurse është kujtimi i demokracisë 25-vjeçare në Shqipëri apo edhe në vende të tjera, të cilat asokohe u nisën në rrugën e tyre drejt Europës, janë një rast i mirë për t’u kujtuar dhe për t’u siguruar për këto bindje të përbashkëta.
Unë dëshiroj të shpreh respektin për disa arritje dhe zhvillime mbresëlënëse vitet e fundit në Shqipëri. Mua më impresionon në mënyrë të veçantë fakti se këtu në Shqipëri, për sa i përket bashkëjetesës mes besimeve fetare, është arritur një masë e lartë tolerance dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, ndryshe nga ç’e kam përjetuar dhe vëzhguar në vende të tjera europiane.
Ju e shikoni që unë dëshiroj pikërisht të shfrytëzoj rastin për të thënë edhe një herë që bashkëjetesa e paqtë dhe në mirëkuptim të ndërsjellë midis besimeve fetare duhet marrë shembull në të gjitha drejtimet.
Ajo çka ka ndodhur vitet e fundit, për sa u përket iniciativave për të marrë pjesë në zhvillimet europiane, çka filloi në vitin 1991 me OSBE-në, pastaj në vitin 1995 me anëtarësimin në Këshillin e Europës, në vitin 2009 me anëtarësimin në NATO, ku u arrit një pikë kulminante e këtyre zhvillimeve, më pas në vitin 2014 me marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, ku jo vetëm përmes këtyre iniciativave vendi juaj ka sjellë në vëmendje që dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian, por edhe Bashkimi Europian nga ana e tij ka treguar gatishmërinë që ta pranojë Shqipërinë si pjesë e kësaj familjeje të madhe.
Në këto synime dhe prioritete të ndërsjella, më lejoni që qoftë nga perspektiva e vendit, qoftë nga perspektiva e Bashkimit Europian, është një rast i mirë të sjell në vëmendje që ky nuk është një proces automatik, por është një synim reciprok, realizimi i të cilit është i lidhur ngushtë me përmbushjen e kushteve, të cilat duhet të krijohen. Duhen ditur se cilat janë pritshmëritë që ju janë drejtuar, ndaj për këtë arsye do t’i prek pak edhe këtu.
Dëshiroj t’u referohem progres raporteve të Komisionit Europian, të cilët u japin sigurisht shteteve, të cilat synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian mundësinë apo një panoramë të përgjithshme për gjendjen e procesit.
Ju e dini, sikurse unë, që ajo çka duhet bërë është një pjesë e mirë dhe e vështirë rruge. Për këtë qëllim Reforma në Drejtësi, në këndvështrimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, e cila duhet të jetë e garantuar, jo thjesht e lajmëruar, e njoftuar, por e garantuar, është një kusht i domosdoshëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Duke qenë se gjatë mandatit tim kam mundur të asistoj dhe të përjetoj disa procese negociatash për Bashkimin Europian, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj, pikërisht të mund të gjej gatishmëri nga të dyja palët, sepse shpeshherë kam pasur rastin të konstatoj që ka një lloj ngutjeje nga vendi që aspiron kandidimin në Bashkimin Europian dhe këto reforma do të mund të realizoheshin mjaft mirë duke qenë thjesht kandidat për Bashkimin Europian deri në momentin që bëhesh pjesë e tij.
Ne e dimë atë çfarë kemi parashikuar atëherë, që reformat për anëtarësimin në Bashkimin Europian nuk realizohen, nuk ka rëndësi për çfarë arsyeje, aq më pak pas mbërritjes në Bashkimin Europian, pra ndoshta edhe më me vështirësi.
Për Shqipërinë, sikurse edhe për disa vende të tjera, vlen të thuhet se Bashkimi Europian, sikurse e dini, nuk është në një situatë plotësisht të thjeshtë.
Zhvillimi i Bashkimit Europian dhe sigurisht ekzistenca e tij varet nga kompromisi dhe aftësia për të arritur kompromisin e 28 vendeve anëtare. Prandaj interesi për zgjerimin me shtete të tjera është i kufizuar.
Kjo i rrit më tepër pretendimet për të pasur anëtarë të tjerë në Bashkimin Europian dhe unë personalisht shoh një numër shumë të kufizuar vendesh që do t’i përfytyroja si vende të ardhshme të Bashkimit Europian. Shqipëria është njëri prej këtyre pak vendeve, të cilin do ta përfytyroja si anëtare të ardhshme dhe për të cilin unë do të uroja që të ketë një proces reformash sa më të shpejta, por edhe konsekuent, proces i cili do të mund të realizohej vetëm përmes kryerjes dhe arritjes së premisave për të vendosur bazat e negociatave, të cilat do të përgatisin më pas anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kjo sigurisht që do të përforconte edhe më tej marrëdhëniet ekonomike dhe të rrafsheve të tjera midis dy vendeve tona, duke u dhënë atyre një perspektivë më të mirë.
Vitin e ardhshëm ka një jubile, i cili na kujton interesat e përbashkëta të dy vendeve tona dhe është pikërisht interesi për futbollin. Në vitin 2017 do të jetë përvjetori i 50-të i njërës prej lojërave të futbollit më të shquara të skuadrës kombëtare shqiptare të futbollit, çka është quajtur ndoshta një ndër lojërat më “të turpshme” për ne. Atë vit për herë të parë dhe të vetme skuadra kombëtare gjermane e futbollit dështoi në rrugën e saj drejt Kampionatit Europian, pikërisht këtu në Shqipëri. Po kaq inkurajues është fakti që pikërisht këtë vit në kuadër të Kampionatit Europian të futbollit është e përfaqësuar jo vetëm skuadra kombëtare e Gjermanisë, por edhe Shqipëria. Pas ngjarjes traumatike, që kujtova, shpresoj që të kemi mirëkuptim dhe unë do ta prisja me kënaqësi një ndeshje finale midis skuadrave tona. Gjithsesi, uroj që gara sportive në Francë, ku do të ndesheni, të jetë tregues mjaft i mirë i bashkëpunimit dhe perspektivës pozitive për vitet e ardhshme.

Dua armë

Nikollaq NERENXI

Pamjet që shihni në videon tek ky link janë të Kompanisë “Neranxi”, e cila u grabit 14 muaj më parë nga njerëz me maska dhe të armatosur deri në dhëmbë.
U desh ajo ngjarje e shëmtuar, që unë të reflektoja mbi ligjin që ne kemi aktualisht për vetmbrojtjen, i cili na bën ne njerëzve që duam të jetojmë me ndershmëri, që të jemi të pafuqishëm për të mbrojtur jetën dhe pronën dhe si rrjedhim, ky ligj i jep super fuqi kriminelëve.
Pikërisht për këtë arsye, unë dola aso kohe në disa media, duke ngritur problemin e ndërhyrjes në nenin 19 të Kodit Penal, i cili flet për vetmbrojtje, që ai të bëhet siç është në vende të zhvilluara, në Gjermani, Amerikë etj.
Sot rihapet ky diskutim, të cilin unë dua ta zhvesh nga çdo lloj përdorimi politik dhe propagandistik që mund t’i bëhet kësaj çështjeje.
Vendet me demokraci të zhvilluar, të japin mundësi që të jesh një qytetar me dinjitet dhe të kesh mundësi të mbrohesh dhe të jetosh i qetë.
Kjo sepse një ligj i mirë, është provuar tashmë, ul automatikisht kriminalitetin, sepse kriminelët nuk janë aq trima sa mendojmë ne. Ndërkohë një ligj i keq si i joni, do më çonte mua në burg po të tentoja të mbroja pronën, jetën time dhe të punonjësve të mi.
Dhe ky diskutim vlen akoma më shumë, duke patur parasysh se në të shumtën e rasteve kriminelët nuk kapen. Pas 14 muajsh grabitje, poshtërim dhe tronditje psikologjike të punonjësve të mi, kriminelët nuk janë kapur akoma.
Ata e drejtuan benzin e tyre me xhama të zinj nga Fushë-Kruja dhe më pas “humbën gjurmët”. Me anë të këtij statusi, shpreh gjithashtu shqetësimin edhe të shumë tregtarëve dhe sipërmarrësve, të cilët janë anëtarë të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë.
Edhe ata ndjehen për ditë të kërcënuar nga krimi. Në fund dua ta mbyll me një thënie të një gazetari shumë të njohur të kronikës, i cili i ftuar në një emision bashkë me mua, ku flitej se sa i pasigurtë ishte biznesi nga krimi, bëri një deklaratë ekzaktësisht kështu:
“Tashmë nuk përbën sekret që bizneset e autostradës, janë të ndara mes dy të fortëve, njëri kontrollon anën e majtë, tjetri anën e djathtë”.
Dhe këtë e tha me një qetësi, sikur po pohonte gjënë më normale të botës. Dhe kur krimi kthehet në normalitet në një vend, çdo gjë ka marrë fund.