22.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Fantazma e Milosheviçit dhe zgjedhjet serbe

Gordana Knezheviq

Për shumëkënd, Sllobodan Millosheviqi edhe më tej është “kasapi i Ballkanit”, njeriu i akuzuar për organizimin dhe kontrollimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera gjatë luftërave të viteve të ‘90-ta në Bosnjë, Kroaci dhe në Kosovë.
Brenda Serbisë, megjithatë, pamja është më e ndërlikuar. Parti dhjetë vjet pas vdekjes së tij në Hagë, ish-lideri serb Millosheviq mbetet emri shënjues në mesin e një segmenti të caktuar të votuesve. Vendi mban zgjedhjet parlamentare më 24 prill dhe ish-Partia Socialiste e Millosheviqit shpreson se, fantazma e tij do të ndihmojë rritjen e numrit të votave mbi 13 për qind, sa kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2014.
Fakti që Millosheviqi e la këtë botë para se Gjykata e Hagës të shpallë vendimin e saj për të, nga mbështetësit e tij shihet si “dëshmi e pafajësisë”. Partia Socialiste asnjëherë nuk është distancuar nga Milosheviqi, ndonëse në të kaluarën kishte minimizuar lidhjet me themeluesin e saj.
Jo shumë kohë më parë, nipi 17-vjeçar i Millosheviqit, Markoja, dhe e reja e tij, Milica, ishin mysafirë nderi në kongresin e Partisë Socialiste në Beograd që u mbajt më 10 prill. Lideri i partisë, Ivica Daçiq, që është edhe ministër i Jashtëm, tha që ndonëse kishte ftuar të afërmit e Millosheviqit, kjo nuk duhet të shihet si shenjë e përkrahjes për politikat e viteve të ‘90-ta.
Por, shumë njerëz nuk janë të bindur.
Shpresa e Daçiqit se trashëgimia e Millosheviqit mund të forcojë fushatën e tij, mund të jetë shenjë e dëshpërimit. Në një intervistë me Radion “Evropa e Lirë”, më 16 prill, Daçiq tha se do të japë dorëheqje, nëse partia e tij fiton më pak se dhjetë për qind të votave. I pyetur nëse ftesa për të afërmit e Millosheviqit është një deshmi e qëndrimit kundrejt ish-liderit të partisë, Daçiq tha se, “ai nuk ka për çfarë të amnistohet, sepse nuk është dënuar.
Së dyti, edhe nëse (akuzat e Hagës) do të ishin të sakta, kjo nuk ka të bëjë asgjë me nipin e tij. Së treti, ai ishte kryetar i Partisë Socialiste dhe është pjesë e historisë së saj. Nuk mund të themi se kjo nuk ekziston. Unë jam në situatë delikate, meqë nëse nuk e përmend Millosheviqin, atëherë më akuzojnë se po e mohoj, po distancohem etj. Ndërsa, nëse e përmend, atëherë thonë se jam duke e keqpërdorur.
Në pajtim me politikën serbe të “rrugës së mesme”, Daçiqi është shfaqur edhe pro evropian edhe pro rus. Partia Përparimtare e kryeministrit Aleksandar Vuçiq pritet të fitojë sërish në këto zgjedhje. Por, do të jetë interesante të shihet se sa do t’i ndihmojë Daçiqit fantazma e Millosheviqit dhe sa larg do të shkojë ai duke thirrur në ndihmë shpirtërat e së kaluarës.

Vuçiç drejt një mandati të ri përmes akuzave për korrupsion

“Sondazhet e fundit para zgjedhjeve tregojnë se, Partia Përparimtare Serbe (SNS)”, thotë Gjorgje Vukoviq nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID). “Kjo parti do të fitojë rreth gjysmën e votave. Pas tyre është Partia Socialiste e Serbisë (SPS), në koalicion me Serbinë Unike (JS), e cila nuk ka nevojë të shqetësohet për futjen në Parlament. Të gjitha partitë dhe koalicionet e tjera janë në zonën e rrezikut: Partia Radikale Serbe (SRS), Lëvizja Dosta (Mjaft), Partia Demokratike (DS), Koalicioni SDS-LDP-LSV, dhe Dveri-DSS. Situata ka ndryshuar disa herë dhe të gjitha këto subjekte ndodhen në kufijtë e kuotës minimale të përfaqësimit në Parlament. Të mundshme janë edhe befasitë, por habia më e madhe do të ishte nëse SNS humbet kryesimin”, pohon ai.

Dominimi i SNS-së
Partia në pushtet e kryeministrit Aleksandar Vuçiq ka qenë kohët e fundit në shënjestër të kritikave, për shkak të aferave të shumta. Kjo parti është kritikuar shumë për qëndrimet e saj ndaj mediave, mungesën e transparencës, aferat me pronësi dhe financa, falsifikimin e dokumentave dhe për shkak të Marrëveshjes së Brukselit me Kosovën dhe afrimin me NATO-n. Por kjo nuk e ka influencuar shumë pozitën e kësaj partie tek zgjedhësit.
“Dimensioni tjetër që shihet në sondazhet tona, tregon se qytetarët flasin hapur për kushtet e këqija të jetës, por deri më sot nuk ka pasur kurrë një numër kaq të madh të qytetarëve që mendojnë se Serbia është në rrugën e mirë. Ata kanë pritshmëri të larta dhe mendojnë se Vuçiqi është ai që mund t’i realizojë ato. Fushata e SNS bazohet tek kryeministri Aleksandar Vuçiq”.

Votimet për liderë
Zgjedhjet e ardhshme do të vendosen varësisht nga besimi ndaj liderëve, thotë Gjorgje Vukoviq. “Kjo është gjendja reale në sistemin zgjedhor në Serbi, sepse njerëzit duan të kenë një udhëheqës përmes së cilit mund të realizojnë interesat e tyre. Besueshmërinë më të madhe tani e gëzon Vuçiqi dhe kjo pozitë do t’i vendosë zgjedhjet. Kjo vlen edhe për partitë e tjera, sepse programet dhe idetë këtu nuk lujnë ndonjë rol të madh. Me rëndësi është të keni një lider, i cili tërheq zgjedhësit. Dallimet pogramore nuk kanë ndonjë peshë në përcaktimin e zgjedhësve”.

Çelësi i suksesit të SNS-së
Analisti politik Millan Nikoliq mendon se çelësi i suksesit të SNS është “kombinimi i së kaluarës patriotike dhe dëshirës aktuale për anëtarësim në BE”. “Ky kombinim ka qenë i pëlqyer qysh në fillim. Zgjedhësit duan pra që patriotët e vërtetë të udhëheqin procesin e anëtarësimit në BE, që të mos ketë mashtrime dhe shantazhime. Nga ana tjetër, ata kanë pranuar një politikë neoliberale të Bankës Botërore dhe FMN-së. Kjo është një doktrinë e vjetëruar, e cila nuk sjell rritje ekonomike dhe do të jetë një problem shumë i madh për qeverinë e ardhshme, sepse qytetarët do të kërkojnë një përparim më të shpejtë ekonomik”.

E djathta
“Imazhi patriotik i Vuçiqit është kontestuar vitet e fundit nga opozita dhe partitë nacionaliste. Vuçiqi më së shumti është kritikuar për shkak të Marrëveshjes së Brukselit dhe afrimit me NATO-n. Millan Nikoliq thotë, se kjo megjithatë nuk e ka dëmtuar imazhin e tij tek zgjedhësit, sepse ata janë të vetëdijshëm se Serbia nuk ka mundur ta mbajë Kosovën brenda Serbisë. Kosova dhe NATO janë tema me të cilat mund të manipulohet shumë emocionalisht. Sa i përket NATO-s, atje nuk po na fton kush dhe ky nuk është parakusht për afrim me BE-në”, thotë Nikoliq.
Ekzistojnë edhe vërejtje se, Serbia po shkon në të djathtë, se këto subjekte po forcohen dhe se në përbërjen e re të Parlamentit do të jetë një e djathtë më e fuqishme. Millan Nikoliq mendon se, këto parashikime janë të ekzagjeruara. Ai mendon se për partitë e djathta nacionaliste do të votojnë 10-15% e elektoratit, që është shumë më pak se në vendet e rajonit.
Edhe Gjorgje Vukoviq mendon se do të forcohet krahu i djathtë. “Numri i zgjedhësve të këtij krahu politik në Serbi ndryshon dhe ndonjëherë shkon deri në një të tretën e votuesve. Por këta zgjedhës varësisht nga momenti, votojnë edhe SNS-në e madje edhe Partinë Liberale Demokratike (LDP) dhe Ligën Socialdemokrate të Vojvodinës (LSV). Në zgjedhet e kaluara të gjitha partitë e djathta së bashku kanë fituar rreth 15% të votave, por asnjëra nuk arriti të përfaqësohet në Parlament, sepse nuk e realizoi kuotën minimale të domosdoshme prej 5%. Besoj se kësaj radhe do të ketë një renditje tjetër të votave dhe se partitë e këtij krahu do të futen në Parlament, këtu mendoj në radhë të parë SRS dhe koalicioni DSS-Dveri”, vlerëson Vukoviq.

Juventus mendon për sezonin e ri

Me titullin e 5 kampion radhazi thuajse të arkivuar, në shtëpinë e Juventusit kanë nisur të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Për të fituar edhe në Europë bardhezinjtë duhet të ruajnë grupin aktual dhe të përforcohen me të tjerë elementë cilësorë, edhe pse më e rëndësishme për “Zonjën e Vjetër”, aktualisht është të mbajë në skuadër xhevahirët e saj. Duke filluar nga Paul Pogba për të vazhduar me Paulo Dybalan dhe Alvaro Moratën. Për këtë të fundit po flitet shumë se Reali i Madridit do të riblejë kartonin e tij për shumën e 30 milionëve euro siç është përcaktuar në kontratë, megjithatë te Juventusi nuk dorëzohen dhe pas 20 milionë eurove fillestare janë gati t’i ofrojnë klubit Blanco, 25 milionë euro të tjera për të bërë përfundimisht të tyrin sulmuesin spanjoll. Pavarësisht ofertave edhe Paulo Dybala do të qëndrojë.
Një objektiv i bardhezinjve për sulmin është edhe Edinson Cavani, por uruguaiani kushton me të vërtetë shumë. Përsa i përket francezit Paul Pogba drejtuesit e Juventusit me kërkesë edhe të trajnerit Massimiliano Allegri mund të refuzojnë edhe shumën e çmendur që kap shifrën e 100 milionë eurove për të mbajtur në skuadër 23-vjeçarin. Për mesfushën Juventusi pëlqen disa lojtarë si Isco, Mkhitarayn e Kante, por kjo nuk do të thotë se kampionët e Italisë do të heqin dorë nga Pogba. Në mbrojtje objektivi i klubit bardhezi është t’i blindojë të gjithë, përfshirë këtu edhe Leonardo Bonuccin, ndërsa drejtuesit kanë hedhur sytë nga Benatia dhe Hummels.
Titulli i 5 kampion radhazi në Serinë A është vetëm 1 fitore larg për Juventusin. Juventus të dielën luan në transfertën delikate të Firenzes kundër Fiorentinës dhe në rast të një rezultati pozitiv, e vetmja gjë që i mbetet të bëjë është të ulet përpara televizorit dhe të ndjekë pa kurrfarë shqetësimi takimin mes Romës dhe Napolit. Festa mund të nisë më 25 prill, por nëse avantazhi vazhdon të mbetet në kuotën e 9 pikëve, atëherë do të ketë shtyrje të zyrtarizimit të titullit. Nëse 25 prilli nuk do të jetë data e shumëpritur, tifozëve të Juventusit do t’u duhet të presin datën 1 maj në takimin kundër Carpit. Sidoqoftë një gjë është e sigurt, titulli i pestë kampion qëndron pas derës dhe “Zonja e Vjetër” mjafton të presë kohën e duhur për të nisur festën bashkë me tifozët e saj në sheshin qendror të Torinos.

Interi po spiunohet

Objektivi i sezonit, që ishte renditja në një nga tre vendet që të çojnë në Ligën e Kampioneve duket i paarritshëm tashmë, por ky duket se nuk është problemi i vetëm për skuadrën e Interit. Së fundi lindi edhe një histori spiunazhi. Sipas asaj që shkruan e përditshmja italiane “La Repubblica”, drejtori i Përgjithshëm i zikaltërve, Michael Bolingbroke u ka kërkuar të gjithë vartësve të tij “të bëjnë sytë katër” dhe të tregojnë kujdes maksimal kur të diskutojnë për sekretet e klubit.
I gjithë ky udhëzim i tij, sipas të njëjtave burime, është bërë pasi ka gjetur nën tavolinën e tij një çimkë përgjuese. Rasti brenda klubit po merret me seriozitetin maksimal dhe po hetohet për gjetjen e “spiunit” edhe pse dikush brenda kampit mund ta ketë marrë me sportivitet këtë. Ndërkohë, në një tjetër zhvillim, presidenti Thohir dhe grupi “Suning” pritet të takohen së shpejti. Në tavolinën e bisedimeve janë 20 për qind të aksioneve të skuadrës dhe siç thonë mediat sportive italiane, negociatat janë në fazë të avancuar.
Ndërkohë, Milan dhe Carpi ndahen në një barazim pa gola mes tyre, ashtu si në fazën e parë vetëm se këtë herë në “San Siro”. Një pikë me vlera për Carpin që kërkon shpëtim në fund tabele përballë një Milani që në fund u vërshëllye dhe nga publiku i tij, duke dhuruar një 90 minutësh pa shumë emocione për të pranishmit në stadiumin e Milanos. Në një sfidë që vlente më shumë për Carpin sesa për Milanin sa i përket objektivave ishin kuqezinjtë që udhëhoqën ritmin, pavarësisht se pjesa e parë nuk rezervoi ndonjë rast të jashtëzakonshëm nga milanezët, që gjithsesi në pjesën e parë nuk u vunë asnjëherë në vështirësi nga miqtë.
Në pjesën e dytë, loja u balancua disi me Carpin që rrezikoi në minutën e 48-të me anë të Mbakogu, ndërsa Milani në krahun tjetër pa t’i anulohej një gol me Jose Maurin në minutën e 65-të. Gjithsesi Carpi në nevojë për pikë për qëndrimin në Serinë A u hap disi duke lënë hapësira pas për vendasit, që iu afruan golit sërish me Jose Maurin që në të 74-trën nuk shfrytëzoi siç duhet një pasim të Abates. Gjithsesi rastin e ndeshjes e pati Carpi në minutën e 90-të me Donnarumën që bëri një pritje të jashtëzakonshme, duke i mohuar golin e 3 pikëve miqve, që do të ishin aq të nevojshme për skuadrën mike për të prekur shpëtimin.

Manaj ëndërron Europianin

Talenti shqiptar i Interit, Rey Manaj ka shprehur haptazi synimet e tij për të qenë një prej kuqezinjve në Euro 2016. Edhe pse është vetëm 19 vjeç, në një intervistë për “Inter Channel”, kanalin zyrtar të klubit zikaltër, Manaj ka thënë se objektivi i tij më i afërt është të shkojë në Francë me Shqipërinë.
“Sigurisht që të shkoj në Europian është një objektiv i madh për mua, shpresoj ta realizoj këtë arritje. Me fanellën e kombëtares time shënova në debutim pas vetëm 12 sekondash dhe është diçka për të cilën jam krenar. Atë ditë sapo zbrita në fushë, De Biasi erdhi drejt meje duke më thënë se do të debutoja dhe unë iu përgjigja se edhe do të shënoja, por tani shpresoj të shënoj dhe në ndeshjet e Europianit. Ky kompeticion më ngacmon pasi kombëtarja jonë nuk kishte arritur kurrë një mision të tillë dhe do të shkojmë aty me një grup të mirë. Mezi po pres ta luaj”.
Nga kombëtarja te eksperienca e tij me Interin, Manaj rrëfehet gjerë e gjatë mbi shumë episode nga jeta e tij me zikaltërit, tregon se ka më tepër miqësi me Medel dhe merr shpesh këshilla nga Palacio e Jovetiç për sa i përket lëvizjeve në fushë, zbulon se futbollisti i tij i preferuar është Zlatan Ibrahimoviç dhe është një kampion në Play Station, ndërsa zbulon edhe disa prapaskena interesante në lidhje me transferimin e tij te zikaltërit, duke u shprehur. “Kishte shumë skuadra që më ndiqnin, por unë kam qenë gjithmonë interist. Kujtoj se gjatë sezonit nuk doja të mendoja për asgjë dhe të përqendrohesha vetëm në fushë. Pastaj më thanë se Inter dhe Juventusi ishin interesuar për mua dhe unë nuk pata asnjë dyshim se ku do të shkoja”.

Trabzonspor projekton të ardhmen me De Biasin në stol

Trabzonspor është bërë skuadra e fundit që dëshiron shërbimet e trajnerit të kombëtares shqiptare, Giani de Biasi. Sipas mediave turke, Trabzonspor ka filluar të mendojë për sezonin e ardhshëm me De Biasin në stol. Trabzonspor po përballet me vështirësi financiare, ndërsa De Biasi është trajneri që mund të bëjë gjëra të mëdha me shpenzime të vogla. Ata kujtojnë se si bëri historinë me Shqipërinë duke kualifikuar kombëtaren kuqezi në Europian. Kjo skuadër po bën një sezon poshtë pritshmërive dhe dëshiron që të ringrihet dhe çelësi i suksesit mund të jetë trajneri italian. Mediat turke shkruajnë se De Biasi është një trajner që bën një futboll të bukur duke aplikuar modulin 4-2-3-1.

De Biasi: “Jemi si Leicesteri”!

epa04969736 Albania's head coach Giovanni De Biasi reacts during the UEFA EURO 2016 qualifying group I soccer match between Albania and Serbia in Elbasan, Albania, 08 October 2015. Serbia won 2-0. EPA/ARMANDO BABANI

Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi këmbëngul se për momentin nuk po mendon për ofertat e mundshme, por vetëm për pjesëmarrjen me Shqipërinë në Europian. Në një intervistë të dhënë për “Il Messagero”, 59-vjeçari ka treguar se cila ishte formula e suksesit të tij me kuqezinjtë, falë së cilës është kthyer në një emër të njohur në arenën ndërkombëtare.
“Në Itali nuk e kuptuan se çfarë trajneri kishin në duar? Sigurisht që e kuptuan, unë jam krenar për atë që kam kaluar në Itali. Ndoshta do të përjetoj eksperienca të tjera italiane. Por të kthehemi te Shqipëria: do të shkojmë në Francë pasi jemi një skuadër. Jemi individualitete, por gjithmonë brenda një skuadre. Kjo është mënyra se si shumëfishohen forcat. Asnjë individualizëm. Jemi si Leicesteri i mikut tim Ranieri. Jo, në fakt ne dolëm në skenë përpara”, ishte batuta e De Biasit.
Suksesi me Shqipërinë e ka kthyer atë në një kandidat potencial për të marrë drejtimin e kombëtares italiane pas Euro 2016. “Çdo trajner italian ndjen kënaqësi kur sheh emrin e tij në orbitën e kombëtares. Jam italian, drejtoj Shqipërinë, do të shkojmë në Europian dhe duam të luajmë shanset tona aty. Pas Francës? Kurrë mos thuaj kurrë!”, vijoi De Biasi, i cili më pas u pyet nëse kishte marrë oferta nga klubet italiane.
“Asnjë. Në fakt jo, më ka mbërritur një dhe iu përgjigja: Faleminderit, por jam trajneri i Shqipërisë, po shkojmë të luajmë në Europian”, ishte përgjigjja e trajnerit që përsëri nuk zbuloi se cili ishte klubi që interesohej për të. De Biasi ka treguar për gazetën italiane disa detaje të jetës së dy futbollistëve shqiptarë që luajnë në Serinë A, Elseid Hysajt dhe Etrit Berishës.
“Babai i Hysajt ka bërë shtatë rrugë, e përsëris shtatë, me gomone për të sjellë familjen e tij në Itali. Ishte murator, ndërsa tani sheh të birin të luajë te Napoli dhe në Europian. Herën e parë që një bashkëpunëtor i imi takoi Berishën, ai po peshkonte. Jetonte dhe luante në Kallmar, në fakt jetonte në një qendër peshkatarësh pranë qytezës suedeze. Para se të stërvitej me ne, nuk kishte pasur asnjëherë një përgatitës portierësh. Më mjaftoi një ndeshje, një miqësore kundër Iranit, për të kuptuar se cili ishte potenciali i tij i jashtëzakonshëm”, tregoi De Biasi.

Heqja e taksës së biznesit të vogël lë pa fonde bashkitë

4 muaj pas konstituimit të 61 bashkive të reja, bashkëpunimi me qeverinë konsiderohet i vështirë, teksa vendorët ende nuk po arrijnë të shfrytëzojnë kapacitetet për uljen e papunësisë dhe zhvillimin ekonomik të zonave që mbulojnë, ndërsa të ardhurat janë të kufizuara për shkak të boshllëkut që është krijuar nga heqja e taksës së biznesit të vogël.
Ky është një ndër konkluzionet e konferencës “Mirëqeverisja lokale për rritje ekonomike e punësim”, organizuar nga Global Opportunities Albania dhe me mbështetjen e Fondacionit Hanns Seidel Stiftung. Një aktivitet që pason disa tryeza diskutimi me bashkitë kryesore në vend, ku u evidentuan problematika të shumta jo vetëm me mungesën e fondeve, por edhe në funksionimin e bashkive të reja në raport me qytetarët.
“Ne jemi të kufizuar në të ardhurat tona. Nuk e kemi më taksën e biznesit të vogël. Ne nuk kemi një listë të pasurive të paluajtshme që t’i kërkojmë qytetarit taksën. Kjo nuk mund të realizohet nëse nuk ka bashkëpunim me qeverinë qendrore dhe është problem për të gjitha bashkitë”, është shprehur Qemal Cejku, sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë së Kamzës. Ai shtoi se në këtë bashki, papunësia vlerësohet në 50%, ndërsa pesha e sektorit bujqësor, që garantonte deri pak vite më parë pjesën dërrmuese të të ardhurave të qytetarëve ka rënë ndjeshëm, edhe për faktin se nuk ka më tokë në dispozicion të bujqësisë, pasi po përdoret për truall.
“Rreth 50% e bizneseve në Bashkinë e Kamzës janë në tregti, pasuar nga shërbimet dhe vetëm 33% është aktivitet bujqësor. Ne nuk kemi marrë financime nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve”, deklaron Cejku.
Mungesën e fondeve që ka vështirësuar funksionimin e bashkive e ka theksuar edhe Kastriot Sulka, drejtor i Institutit të Studimeve Ekonomike dhe Sociale. “Burimet kryesore të të ardhurave të bashkive janë taksa e infrastrukturës dhe taksa e pronës. Të ardhurat nga taksa mbi impaktin e infrastrukturës ka rënë ndjeshëm për shkak të bllokimit të lejeve të ndërtimit dhe në këto kushte, bashkitë kanë vetëm taksën mbi pronën që duhet ta rrisin për të siguruar të ardhura”, shprehet Sulka.
Ai argumenton se mundësia e vetme e bashkive për të ulur papunësinë dhe për të siguruar zhvillim ekonomik të zonave janë bizneset sociale. “Pushteti vendor duhet të tregohet mendjehapur dhe të promovojë bizneset sociale, që në thelb fitimin nuk e ndajnë tek aksionerët, por e riinvestojnë ose e përdorin për fusha të tjera. Vetëm në këtë mënyrë mund të ulet varfëria”, shprehet Sulka.
Një tjetër problem i evidentuar nga kontaktet me të zgjedhurit vendorë është mungesa e të dhënave, që janë bazë për krijimin e politikave zhvillimore. “Niveli i të dhënave është i dobët dhe ato merren vetëm kur kërkohen nga autoritetet. Edhe kur janë të dhënat, ato nuk shihen si të dobishme. Problemet që nxjerrin në pah të dhënat dhe që rëndojnë vendorët nuk zgjidhen nga qeveria qendrore dhe shkaku kryesor, janë mungesa e fondeve”, ka deklaruar Elma Tërshana, drejtoreshë ekzekutive e zyrës Observatori.
Përveç mungesës së fondeve, bashkitë e reja kanë problem edhe në raport me qytetarët e tyre. Edhe pse në nëntor të 2015-ës ndryshoi ligji ‘Për të drejtën e informimit”, ku sanksionohet që vendorët kanë detyrimin të informojnë qytetarët mbi çështje që kanë lidhje direkte me ta, si paketa fiskale, buxheti etj., nëpërmjet site on line apo seancave dëgjimore, kjo nuk zbatohet. Kjo bën që transparenca dhe llogaridhënia nga bashkitë të jetë e ulët, së bashku me angazhimin publik në vendimmarrje.
Në fund të vitit të kaluar, qeveria vendosi heqjen e taksës së biznesit të vogël prej 25 mijë lekësh në vit, një fond ky që shkonte direkt në buxhetin e bashkive dhe zinte gati gjysmën e të ardhurave të tyre. Disa bashki janë përpjekur ta kompensojnë këtë mungesë përmes rritjes së tarifave e taksave të tjera.

Eksportet e fasonit nën presion, bie importi i lëndëve të para

Importet e lëndëve të para për industrinë fasone kanë pësuar ulje për tremujorin e parë të 2016 krahasuar me vitin e kaluar, duke paralajmëruar një ecuri më të moderuar të eksportit për këtë industri gjatë periudhës në vijim. Sipas të dhënave nga doganat në tremujorin e parë të vitit importi në regjim të përpunimit aktiv arriti në 22,9 miliardë lekë nga 23.2 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke pësuar një ulje me 1.2 për qind. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë pohuar se importet e destinuar të regjimit të përpunimit aktiv janë një sinjalizim i parë për ecurinë e eksporteve të mëvonshme në industrinë fason. Lënda e parë për industrinë fason pa një rritje të shpejtë në vitin 2014, me zgjerim mbi 35 për qind krahasuar me vitin 2013. Sakaq pjesëtarë të tregut në parashikimet e tyre për këtë vit nuk janë treguar shumë optimistë. Rritja e taksave, çmimit të energjisë elektrike dhe ikja e krahut të kualifikuar të punës në emigracion ka përkeqësuar klimën e biznesit në industrinë fasone. Flamur Hoxha, administrator i kompanisë Kler dhe Donika Mici nga kompania Doniana, dy kompani që kanë realizuar ciklin e mbyllur e shohin të vështitë këtë vit. Eksportet e sektorit në maksimumin e tyre do të zgjerohen nga 6-10 për qind parashikojnë ata. Eksportet e tekstile e këpucëve u rritën me 5%, në gati 90 miliardë lekë për vitin 2015, duke u bërë grupi më i madh i eksportuar në vend, me 37% të totalit (një vit më parë kryesonin lëndët djegëse dhe energjia me 34% të totalit). Ndonëse ky grup e ka marrë vetëm në gjysmën e dytë të vitit, pas rënies në muajt e parë të vitit dhe ka qenë pozitiv në muajt e parë të 2016-s, sërish ai mbetet larg rritjeve dyshifrore që u panë në 2014-ën.

“Transatlantic” ndërpret prodhimin, rrezikohen vendburimet

Punonjësit e kompanisë koncesionare të naftës, Transatlantic Petroleum kanë ndërprerë dje prodhimin, duke njoftuar për këtë veprim me një shkresë kryeministrin, ambasadorin e SHBA-ve dhe drejtuesit e Albpetrol .  Ndërsa kompania është në një proces shitjeje, nga Transatlantic Petroleum të GBC Oil, punonjësit në shkresën e tyre pohojnë se arsyeja kryesore e këtij veprimi lidhet me pushimin nga puna të një kolegu të tyre dhe me terrorin, sipas tyre të ushtruar nga administrator i ri, z.Neim Kasa. Ata kërkojnë kryerjen e pagesave të prapambetura dhe të pagesave sipas kontratës. Një ndërprerje e aktivitetit të kompanisë, sipas ekspertëve krijon dëme të rënda për vendburimin, pasi dëmtohen puset. Konflikti po zgjat tashmë prej disa muajsh, por tashmë është përkeqësuar ndjeshëm. Transatlantic Petroloeum Ltd (ish Stream Oil), shfrytëzon 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës. Pas Bankers Petroleum, ky koncesion është prodhuesi i dytë më i madh i naftës në vend. Në shkurt të këtij viti Continental Oil & Gas (mëma) dhe GBC Oil Company Ltd. (bija) deklaruan blerjen e Transatlantic Petroloeum Ltd. Të dyja kompanisë, si mëma dhe bija rezultojnë pa eksperiencë në aktivitetet e naftës dhe gazit, ndërkohë që përmes parajsave fiskale (mëma është e regjistruar në Delaëare, SHBA) janë fshehur më së miri gjurmët, aq sa autoritetet po e kanë të pamundur që të verifikojnë se cilët janë aksionerët aktualë të pronarit të ri të katër burimeve të rëndësishme natyrore në vend. Pas GBC Oil (që mësohet se janë inicialet e Gorish-Ballsh-Cakran) është konstatuar nga autoritetet se qëndrojnë të njëjtën aksionerë të shoqërisë Phoenix Petroleum (z.Neim Kasa është aksioner i kompanisë Phoenix Gas që ka në pronësi Phoenis Petroleum), që në vitin 2013 ka marrë 9 burime nafte me koncesion. Tashmë kompania po synon të marrë dhe 4 të tjera, duke zotëruar 13 vendburime, nga 16, që ka gjithsej Albpetrol, (kompania shtetërore, që menaxhon këto burime) dhe duke u bërë monopol i burimeve të gazit. Në njoftimin zyrtar të shitjes së operacioneve nga Transatlantik Petroleum Ltd te GBC Oil Company Ltd. Në 4 mars 2016, bëhet e ditur se shitja tek GBC Oil është bërë në këmbim të pagimit të një huaje prej 2.3 milionë dollarë tek banka Raiffeisen dhe marrjes përsipër të 29.2 milionë dollarë detyrime të kompanisë, që përbëhen nga 23.1 milionë dollarë llogari të pagueshme dhe 6.1 milionë dollarë borxh. Për gazin e Delvinës, Transatlantic njofton se ia ka kaluar asetet dhe detyrimet prej 12.9 millionë dollarë të lidhura me të tek Delvina Gas Company Ltd. (“DelvinaCo”), një kompani e re, në pronësi po të Transatlantic. Në një situatë të tillë, teksa dhe detyrimet e koncesionarit sa vijnë e rriten, Albpetrol, shoqëria shtetërore e nxjerrjes së naftës, që menaxhon kontratën koncesionare në fjalë, ka filluar procedurën e prishjes së kontratës me Transatlantic, për shkak se nuk janë përmbushur detryrimet kontraktuale. Burimet zyrtare nga Albpetrol kanë pohuar për Monitor se “Ne jemi detyruar që të nxjerrim aktin pasi kompania ka dështuar në mënyrë të përsëritur që të shlyeje detyrimet”. Transatlantic i ka mbi 10 milionë euro detyrime Albpetrol.

Monitor