23.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Deputetja e PS, Hafizi me eurodeputetët për degradimin e qeverisë Rama

Dy eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Hannes Swoboda janë takuar dje me deputeten socialiste Mimoza Hafizi, një nga zërat kritikë të qeverisjes, pjesë e lëvizjes “Shqipërinë mbi partinë” bashkë me deputetin Ben Blushi. Pas këtij takimi, Hafizi është shprehur shumë optimist për kauzën e nisur. Ajo tha se i ka kërkuar 2 deputetëve të ushtrojnë presion mbi PS-në për hapjen e kutive të referendumit. Gjithashtu, deputetja socialiste deklaroi se i ka informuar me detaje për çfarë po ndodh brenda PS-së dhe që nga marrja e pushtetit në vitin 2013.
“Një grup përfaqësuesish të forumit evropian kanë ardhur në Shqipëri për të parë si është situata sidomos në partitë e majta. Isha e ftuar si përfaqësuese e përpjekjes mbi atë që po bëjmë që e kemi quajtur “Shqipërinë mbi partinë”. Shpjegova me detaj çfarë ka ndodhur nga marrja e pushtetit në 2013 dhe sidomos çfarë po ndodh brenda Partisë Socialiste. Iu kërkova të ushtrojnë presion që PS të hapë kutitë e referendumit. Iu shpjegova përpjekjen tonë për të bërë transparent të quajturin referendum në PS. Përgjigjja ka qenë më e bukura e mundshme: Mos u dorëzoni, që do të thotë vazhdoni betejën”, ka deklaruar Hafizi.
Për të, biseda me 2 eurodeputetët ka qenë një bisedë shumë e vëmendshme, shumë dashamirëse, nga e cila ka nxjerrë konkluzionet që miqtë europianë e vlerësojnë përpjekjen për demokraci në partitë politike”. E pyetur nëse do të vazhdojë përpjekjet e saj, Hafizi tha se është më e vendosur se kurrë. “Sidomos pas ditës së sotme më shtohen energjitë”, tha ajo.

Avokati i Popullit: Po shkelet e drejta e pronës

E drejta e pronës vijon të mbetet një ndër problemet më të prekshme për shqiptarët. Gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ligjeve, Avokati i Popullit theksoi se pavarësisht rekomandimeve të bëra situata vijon të mbetet e njëjtë. Çështje të tjera të mprehta për shoqërinë shqiptare renditen edhe reforma në administratën publike, strehimi si dhe furnizimi me energji i familjeve të varfëra. Totozani: Për sa i përket të drejtës së pronës, vazhdon të ketë probleme të mëdha. Mosrespektimi nga ana e organeve të administratës publike të parimit të ligjshmërisë, mbrojtjes së interesit publik, të drejtave të personave privatë, eficencës për administratën e pushtetit vendor pas reformës administrative. Sikurse e dini ka një numër problematikash, në procedurat e largimit nga puna në kuadër të procesit të ristrukturimit. Strehimi mbetet gjithashtu një sfidë e madhe në Shqipëri. Shumë bashki nuk zotërojnë fonde. Sipas Avokatit të Popullit mungesa e përgjigjeve dhe e bashkëpunimit me institucionet shtetërore ka vijuar të vështirësojë punën e këtij institucioni. Totozani: Mbeten disa sfida siç janë shpeshherë, mospërgjigja apo mosbashkëpunimi nga institucionet shtetërore sidomos sa i përket moskthimit të përgjigjeve apo kërkesave të adresuara ndaj tyre. Kemi pasur disa raste pengese gjatë punës tonë. Gjatë vitit 2015, Avokati i Popullit ka adresuar 349 rekomandime, ndër të cilat 68 janë pa përgjigje,54 Rekomandime janë refuzuar dhe 160 janë pranuar.

Mustafa: Kosova ka përmbushur kriteret për heqjen e vizave

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se, Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së lidhur me kriteret për liberalizimin e vizave. Në një postim në FB, Mustafa shkruan se, meqenëse Kosova ka përmbushur kërkesat për liberalizim vizash është në dorën e BE-së që ta caktojë datën e rekomandimit.  “E di që liberalizimi i vizave është shumë i rëndësishëm për ju. Kosova përmbushi të gjitha kërkesat e BE-së, lidhur me kriteret për liberalizim dhe presim që institucionet e BE-së të marrin vendim për të rekomanduar liberalizimin e vizave për vendin tonë. Kosova, po ashtu, ka treguar përkushtim të fortë për ndaljen e plotë të migrimit të qytetarëve të saj në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian dhe ka marrë masa për kthimin dhe riatdhesimin e një numri shumë të madh të atyre që u shpërngulën. Qeveria po punon pa ndërprerë në krijimin e një ambienti që gjeneron zhvillim dhe punësim si dhe për adoptimin e politikave ekonomike dhe sociale, të cilat krijojnë perspektivë për jetë për të gjithë qytetarët. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha shtetet e BE-së, me ato që e kanë pranuar shtetin tonë, por edhe me ato që nuk e kanë pranuar, që t’i informojmë për rëndësinë politike dhe ekonomike që ka liberalizimi i vizave për qytetarët tanë dhe për bizneset, sidomos tani kur po e implementojmë MSA-në. Jemi në kontakte dhe në bashkëpunim me institucionet më të larta të BE-së. Në këtë periudhë, institucionet e Kosovës mund të flasin për përmbushjen e kritereve, kurse është në kompetencë të organeve të BE-së që vetëm ato të caktojnë datën e rekomandimit, përkatësisht të liberalizimit. Po punojmë së bashku me institucionet e BE-së, andaj besojmë që liberalizimi do të ndodhë sa më shpejt”, shkruan Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Përplasja e re mes Turqisë dhe BE

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha të martën se, Turqia duhet të përmbushë të gjitha kushtet e mbetura të marrëveshjes para se BE-ja të heqë vizat për qytetarët turq.
Komentet e tij erdhën një ditë, pasi kryeministri turk Ahmet Davutoglu paralajmëroi se, në qoftë se BE-ja nuk e miraton liberalizimin e vizave deri në qershor, atëherë Turqia nuk do t’i përmbahet zotimeve për të ndihmuar në frenimin e valës masive të emigrantëve në Evropë.
Zoti Davutoglu tha se mendon se nuk do të ketë problem, por theksoi se marrëveshja BE-Turqi është e përbashkët dhe se zbatimi i saj do të ishte i paimagjinueshëm për vendin e tij në qoftë se edhe Evropa nuk bën të njëjtën gjë.
Zoti Juncker i tha Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës se që nga 18 marsi kur marrëveshja hyri në fuqi, numri i migrantëve që kalojnë detin nga Turqia në Greqi ka rënë ndjeshëm. Por ai tha se, BE-ja nuk do të nxitojë për lehtësimin e procesit të vizave me Turqinë.
“Liberalizimi i vizave është çështje kriteresh”, tha ai, “dhe nga kriteret nuk do të heqim dorë qoftë edhe në rastin e Turqisë”.
Evropa është përpjekur për t’iu përgjigjur valës së migrantëve që kanë ardhur në brigjet e saj vitet e fundit, shumica e të cilëve nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Organizata Ndërkombëtare për Migrimin thotë se, më shumë se 1 milion njerëz kanë zbarkuar në Greqi që nga fillimi i vitit 2015. Por kjo rrugë migrimi, një nga më të popullarizuarat, është kundërshtuar nga qeveritë që nuk duan njerëz shtesë dhe kanë marrë masa për të bllokuar kufijtë e tyre.
Marrëveshja BE-Turqi  i bën thirrje Turqisë të bllokojë nisjen e migrantëve në rrugët detare dhe t’i marrë përsëri ata që arrijnë në Evropë në mënyrë të paligjshme. Në këmbim, Turqia do të marrë ndihma dhe përfitime të tjera, siç është udhëtimi pa viza në BE për qytetarët e saj.
Komisioni Evropian njoftoi një tjetër shumë prej 68 milionë dollarësh si ndihmë për migrantët e kthyer nga Greqia në Turqi, si dhe 56 milionë dollarë për miliona refugjatë sirianë që kanë ikur në Turqi për t’i shpëtuar luftës civile pesë-vjeçare në vendin e tyre. Një ndihmë e veçantë emergjente prej 94 milionë dollarësh po dërgohet në Greqi për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve të jetesës për refugjatët atje.

Bennet bën betimin si Drejtoreshë e re e VOA

Amanda Bennett, fituese e Çmimit Pulitzer dhe autore librash, bëri sot betimin si drejtoreshë e re e “Zërit të Amerikës”.
Deri në vitin 2013, Bennett ka qenë redaktore ekzekutive e rrjetit Bloomberg News, ku ajo krijoi dhe drejtoi një ekip global gazetarësh hetues dhe redaktorësh.
Para kësaj, ajo ka qenë redaktore e gazetës “The Philadelphia Inquirer”. Bennett ka punuar gjithashtu si redaktore dhe reportere për gazetën “The Wall Street Journal”, ku ajo dhe disa kolegë të saj u nderuan bashkarisht me Çmimin Pulitzer për një raportim të zgjeruar mbi SIDA-n, ku tregohej se si zyrtarët e shëndetit publik keqinterpretonin të dhënat për SIDA-n për të  marrë më shumë fonde publike dhe mbështetje financiare.

Franca me gjendje të jashtëzakonshme në Europian

Qeveria e Francës planifikon të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme deri pas Kampionatit Evropian të Futbollit Euro 2016, ka thënë kryeministri francez, Manuel Valls.
Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur pas sulmeve terroriste në Paris, nëntorin e kaluar.
Kjo gjendje, e cila i jep policisë kompetenca shtesë për të bërë kërkime dhe për të vënë njerëz në arrest shtëpiak, skadon më 26 maj.
Propozimi për zgjatje kërkon miratimin nga Parlamenti.
Euro 2016 në Francë do të përfshijë 24 ekipe kombëtare dhe do të zhvillohet nga data 10 qershor deri më 10 korrik.
“Gjendja e jashtëzakonshme nuk mund të jetë e përhershme, por për ngjarje të mëdha si kjo, duhet të zgjatet”, ka thënë Valls.

Mosmarrëveshje të thella mes NATO-s e Rusisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca dhe Rusia kanë zhvilluar “bisedime të sinqerta dhe serioze”, pavarësisht “mosmarrëveshjeve të thella”.
Ambasadorët e NATO-s dhe të Rusisë janë takuar sot në Bruksel për herë të parë në afro dy vjet.
Duke folur pas takimit, Stoltenberg ka thënë se palët “nuk pajtohen për faktet dhe përgjegjësitë në Ukrainë”.
“Pasi veprimet e Rusisë kundër Ukrainës kanë çuar në gjendjen aktuale të marrëdhënieve tona, aleatët e NATO-s e kanë bërë të qartë se, ata vazhdojnë të mbështesin fuqishëm sovrantitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Aleatët nuk e njohin aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia”, ka thënë Stoltenberg.
Ai ka përsëritur se, Rusia vazhdon të mbështesë separatistët në lindje të Ukrainës me municion dhe financa.
NATO-ja ka pezulluar gjithë bashkëpunimin praktik me Moskën në prill të vitit 2014, një muaj pasi Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina.
Prej atëherë, Këshilli NATO-Rusi është takuar vetëm një herë, në qershor të vitit 2014.
Megjithatë, Stoltenberg është takuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në disa raste gjatë viteve të fundit.

Trump dhe Clinton fitojnë në New York, afron gara e vërtetë

Rrjetet televizive amerikane parashikuan se republikani Donal Trump dhe demokratja Hillary Clinton kanë fituar në zgjedhjet e kandidatëve në New York, duke lëvizur para drejt garës kundër njëri-tjetrit për postin e presidentit të SHBA-ve, në zgjedhjet e nëntorit.
Të dy kandidatët fituan në shtetet e tyre lehtësisht më 19 prill dhe që të dy kishin nevojë për këto fitore, në mënyrë që t’i afroheshin më shumë numrit të votave të delegatëve, që u nevojiten për ta fituar nominimin e partive të tyre respektive në konventat që mbahen në verë.
Fitorja e fuqishme dy-shifrore e Clintonit në shtetin që dikur ajo e përfaqësonte në Senatin Amerikan këputi fillin e fitoreve të rivalit të saj demokrat, Bernie Sanders, dhe e bëri pothuajse të pamundur për Sanders-in që ta mposhtë udhëheqjen e saj në votat e delegatëve, që janë të nevojshme për nominim.
“Gara për nominimin demokrat është shtrirë në shtëpi dhe fitorja është në horizont”, ka thënë Clinton, 68-vjeçare, para një mase të përkrahësve të saj në Manhattan. Clinton ka arritur të fitojë një numër të përkrahësve të Sanders, pas një konkurrence të pavolitshme në New York, ku të dy rivalët i hodhën njëri-tjetrit akuza të ashpra.
“Ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa që na ndajnë”, ka thënë Clinton.
Trump, nga ana tjetër, u shfaq i gatshëm të fitojë shumicën ose të gjithë nga 95 delegatët e republikanëve në New York, duke fituar 60 për qind të votës mbarë shtetërore, me më shumë se 3/4 e rezultateve të numëruara.
“Nuk kemi kushedi se çfarë gare, bazuar në atë që po e shoh nëpër televizione”, ka thënë Trump, 69-vjeçar, para përkrahësve të tij në Manhattan.
Ai tha se, liderët e partisë republikane që janë munduar ta pengojnë fitoren e tij për nominim gjatë rundit të parë të delegatëve “ndodhen në vështirësi”.Votimi është shënuar me parregullsi, përfshirë më shumë se 125 mijë njerëz që mungonin në listat e votuesve të New Yorkut, nga rreth 4 milionë votues potencial në atë shtet.
Konventat partiake kombëtare të demokratëve dhe republikanëve mbahen në fund të verës.
Partia Republikane takohet në Klivlend, më 18 korrik, ndërsa demokratët në Filadelfia, më 25 korrik. Në konventë, përfundimisht, partia e mbështetë kandidatin e saj për president.
Pasi secila parti zyrtarisht e nominon kandidatin e saj, atëherë mbeten afro tre muaj deri në ditën e zgjedhjeve. Gjatë kësaj kohe, kandidatët kalojnë nëpër secilën pjesë të vendit për t’u takuar me votuesit, për të mbajtur fjalime me shpresë për ta konsoliduar mbështetjen brenda partisë dhe, eventualisht, për t’i fituar votuesit e tjerë të jashtëm. Shpalljet politike dhe reklamat i vërshojnë radiot dhe televizionet.
Parashihet edhe mbajtja e disa debateve televizive kombëtare, në të cilat kandidatët, kryesisht nga partia republikane dhe ajo demokrate, ballafaqohen me njëri-tjetrin dhe përgjigjen në pyetjet e moderatorit.
Përfundimisht, ditën e martë, që vjen pas të hënës së parë në nëntor, amerikanët votojnë për president.
Rivalët e tij Cruz dhe Kasich shpresojnë që të zhvillohet një kuvend i hapur, ku asnjë kandidat nuk ka marrë numrin e nevojshëm të delegatëve në hapje të kuvendit dhe zgjedhja hidhet në votë gjatë punimeve të kuvendit, ku pas votës së parë delegatët mund të votojnë për kë të duan.
Në kampin demokrat, pretendenti Bernie Sanders është përballë një realiteti të vështirë. Aktualisht zonja Clinton ka 1887 delegatë, ndërsa zoti Sanders ka 1174 delegatë. Në zgjedhjet demokrate kandidatit i duhen 2383 delegatë për të siguruar emërimin e partisë.
Por, zoti Sanders mbetet pozitiv dhe tha para një turme entuziaste se fushata e tij do të mobilizojë një pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje dhe do të gjallërojë Partinë Demokrate.
Zonja Clinton e shfrytëzoi fjalimin pas fitores mbrëmë për t’iu drejtuar përkrahësve të zotit Sanders, duke thënë se mes saj dhe këtij grupimi ka më shumë gjëra që i bashkojnë se sa i përçajnë.

Si po e shfrytëzon Rusia krizën në Maqedoni

Tensionet në Maqedoni kanë kulmuar. Për të dytën javë me radhë, në Shkup dhe qytete të tjera mbahen protesta kundër pushtetit.
Shkak është bërë vendimi i Presidentit Gjorgje Ivanov për të falur dhjetëra politikanë, të akuzuar për shkelje nga më të ndryshmet.
Shqetësime kanë shprehur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duke thënë se e ardhmja euro-atlantike e Maqedonisë është vënë në rrezik, por me teori më konspirative ka dalë Rusia.
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka paralajmërur se përdorimi i “skenarit të Ukrainës” kërcënon destabilizimin e Maqedonisë dhe të Ballkanit në tërësi.
Sipas Moskës zyrtare, opozita maqedonase është bërë instrument i Perëndimit, me qëllim pengimin e zgjedhjeve më 5 qershor, të cilat janë vlerësuar si mënyra e vetme për të dalë nga kriza e gjatë politike.
Zhaneta Trajkovska, drejtore e Shkollës për Gazetari dhe Marrëdhënie Publike në Shkup, thotë se Rusia do që të sigurojë më shumë hapësirë në Ballkan.
Nëse Maqedonia përafrohet me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, mundësitë për ndërhyrjen ruse janë më të vogla, thotë Trajkovska.
Sipas saj, Rusia e shfrytëzon krizën e tanishme në Maqedoni për vetëpozicionim dhe interesa të saj gjeostrategjikë në Ballkan.
“Me siguri bëhet fjalë për interesa të caktuar ekonomikë, për një bashkëpunim, për të cilin publiku nuk di shumë”, thotë Trajkovska.
Maqedonia është në krizë politike qysh vitin e kaluar. Një aferë e përgjimeve që është zbuluar nga opozita dhe ka treguar për keqpërdorime të mëdha nga ana e pushtetit, ka shkaktuar krizën.
Muaj më vonë, është nënshkruar e ashtuquajtura Marrëveshje e Përzhinos, midis katër partive politike, mbi kushtet e mbajtjes së zgjedhjeve të drejta dhe demokratike.
Dimitar Bechev, nga Qendra Evropiane për Politika, thotë se qeveria e Maqedonisë dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, njëherësh kryetar i partisë në pushtet VMRO-DPMNE, është përgjegjës për tensionet e fundit, sepse nuk i përmbushin obligimet e marra.
Bechev merr si shembull amnistinë për politikanët, e cila sipas tij, nuk ka qenë e paraparë me Marrëveshjen e Përzhinos.
“Maqedonia është një vend i vogël dhe të gjithë e dinë se Presidenti Ivanov varet plotësisht nga Gruevski. Presidenti maqedonas nuk e ka marrë vetëm këtë vendim, por natyrisht është koordinuar me Gruevskin”, thotë Bechev.
Ka zëra se, Gruevski është aleat i Rusisë dhe se përpiqet të balancojë dhe kalkulojë midis Moskës dhe Brukselit.
Dhe Rusia e shfrytëzon këtë situatë në Maqedoni, si dhe të gjitha krizat e tjera në botë, thotë Bechev.
Vëzhguesit paralajmërojnë se, situata në Maqedoni do të përshkallëzohet tutje. Ata presin gjithnjë e më shumë protestues në rrugë, por edhe kundër-protestues që i organizon partia në pushtet.

Pasojat e doktrinës Obama

Jeff Jacoby

Pesë vjet më parë, Presidenti Obama përshëndeti fushatën ushtarake në Libi që përmbysi Muamar Kadafin, si një prej arritjeve të politikës së jashtme të presidencës së tij. Sot ai e quan Libinë si gabimin e tij më të madh. Por edhe pse ai mund të ketë ndryshuar notën nga 10 në 4, angazhimi i tij për të “udhëhequr nga prapa” – një eufemizëm për pasivitetin dhe abdikimin amerikan-nuk ka ndryshuar.
Ditën kur u rrëzua Kadafi në tetor 2011, Obama mbajti një fjalim prej fitimtari. “Pilotët tanë trima kanë fluturuar mbi qiellin e Libisë, marinarët tanë mbështetën rebelët në brigjet e Libisë, dhe lidershipi ynë në NATO ka ndihmuar në drejtimin e koalicionit tonë”, deklaroi ai. “Pa dislokuar në terren asnjë amerikan, ne arritëm objektivat tona”.
Ai e kishte gabim. Shumë shpejt, Libia u zhyt në kaos dhe dhunë. Ajo u shndërrua në një bazë terroriste, ku deri më sot kanë humbur jetën më shumë se 10.000 njerëz–duke përfshirë edhe ambasadorin amerikan Kristofer Stivens dhe 3 kolegët e tij, i vrarë nga islamikët në Bengazi vetëm 11 muaj pas “misionit të realizuar” të shpallur nga Obama në Rose Garden.
Presidenti e pranon tanimë se, politika e tij në Libi përfundoi në katastrofë. Në një intervistë për “Fox News”, ai e pranoi neglizhencën e tij në “dështimin për të planifikuar hapat për ditët pas” rrëzimit të diktatorit. Në intervista të tjera, Obama e mbështet fajin për përmbysjen e gjendjes në Libi më pak tek mungesën e përgatitjes për një tranzicion post-Kadafi, dhe më shumë tek dështimi i Evropës për të qëndruar e angazhuar.
“Kur kthehem pas në kohë dhe pyes veten se çfarë shkoi keq, sigurisht që ka vend për kritika”, u shpreh ai së fundmi për “The Atlantic” e Xhefri Goldbergut, “pasi unë kisha shumë besim tek evropianët, duke pasur parasysh afërsinë e Libisë, se ata do të investoheshin në vazhdimësi”. Por, kur Shtetet e Bashkuara synojnë të dalin nga një situatë, aleatët e saj priren të ndjekin shembullin. Dhe Obama, i cili kishte rënë dakord vetëm me gjysmë zemre për të ndërhyrë në Libi parë, nuk kishte asnjë interes për të qenë vërdallë.
Nuk u desh shumë kohë që Libia të dilte jashtë ekranit të radarit të Shtëpisë së Bardhë. “Mungesa e vëmendjes nuk qe vetëm një lënie pas dore. Ishte një politikë e mirëfilltë”, e përfundonte analizën e saj në fillim të këtij viti “The New York Times”, duke bërë një përmbledhje të gjatë të fiaskos libiane. Administrata imponoi “kufizime të ashpra” mbi çfarëdolloj roli të SHBA-së në metamorfozën e Libisë – kushte aq strikte sa që Amerika efektivisht i lau duart e tij e përgjegjësisë së saj për fatin e vendit. Ndaj nuk është e habitshme, pse ai qe i kobshëm.
Mund të duket e habitshme që Obama, i cili dënoi ashpërsisht gabimet e paraardhësit të tij në Irak, do të mbërrinte deri atje sa t’i përsëriste edhe më rëndë ato gabime në Libi-pra, duke mos qenë gati për paqëndrueshmërinë dhe kryengritjet që do të pasonin ndërhyrjen perëndimore. Sikurse vëren historiani ushtarak Maks Bot, deri në vitin 2011 “nuk ishte saktësisht një sekret që gjëra të këqija ndodhin nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj përmbysin një njeri të fuqishëm, pa pasur një plan për atë që vjen më pas”.
Por Obama është më i aftë në kritikat ndaj rrëmujes së politikës së jashtme të njerëzve të tjerë, se sa të mësojë prej tyre. Mësimi që ai nxorri nga lufta në Irak, ishte se Shtetet e Bashkuara nuk duhej të ndërhynin ushtarakisht në Lindjen e Mesme–dhe se sa më e madhe ndërhyrja, aq më e madhe fiaskoja që prodhohet. Vetë faktet nuk të çojnë në këtë përfundim. Por Obama nuk do të tërhiqej nga e vetja.
Kur Xhorxh W. Bush njoftoi në janar të vitit 2007 se kishte për qëllim të “shtonte” numrin e trupave në Irak, dhe zbatonte një strategji të re kundër kryengritësve, Obama atëherë senator deklaroi: “Unë nuk jam i bindur nëse 20.000 trupat shtesë në Irak do t’i japin fund dhunës sektare atje. Në fakt, unë mendoj se ajo do të shkaktojë të kundërtën”, tha ai.
Natyrisht në atë rast, strategjia e Bushit provoi të ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Në kohën kur Obama mori detyrën, Al-Kaeda në Irak ishte e gjymtuar, sulmet kishin rënë me 90 për qind, dhe Iraku qe duke u qeverisur nga politikanë të zgjedhur në mënyrë demokratike. Komandanti i ri suprem, ishte i lumtur të fitonte kredi politike për fitoren në Irak, të cilën nënpresidenti Bajden e trumbetoi më herët si “një nga arritjet më të mëdha” të administratës Obama.
Por asnjë nga ato nuk e nxitën Obamën të vërë në dyshim mençurinë e tërheqjes së të gjitha forcave amerikane nga Iraku, apo të merrte parasysh paralajmërimet se zhdukja e shpejtë e dhjetëra mijëra paqeruajtësve amerikanë do të linte një vakum katastrofik, të cilin do të nxitonin ta shfrytëzonin forcat vdekjeprurëse të rajonit.
Mosangazhimi i vendosur i Obamës, ‘mbyti’ atë çfarë ishte fituar me aq shumë kujdes në Irak. Pa praninë e kufizimit amerikan, qeveria shiite e dominuar nga Nuri al-Maliki u shndërrua në një regjim të pamëshirshëm autoritar, ndikimi i Iranit u intensifikua, dhe ISIS-i filloi mbretërimin e tij të tmerrshëm të terrorit.
Më shumë “udhëheqje nga prapa” vazhdoi në Siri. Obama bëri kërcënime të ashpra mbi përdorimin e armëve kimike që shkeli “vijën e kuqe”, dhe i kërkoi Bashar Al-Asadit të jepte dorëheqjen, por fjalët e hidhura nuk u mbështetën kurrë nga veprat. Teksa kredibiliteti i Amerikës qe në rënie, pasuan pasoja të parashikueshme: rritje drastike e numrit të të vdekurve, fluks i madh refugjatësh, si dhe trimërim i regjimeve antidemokratike nga Moska në Pekin.
Edhe tani, Obama nuk arrin të shohë se një doktrinë e bazuar tek  shmangia e përfshirjes amerikane tek konfliktet në botë, është e detyruar të dështojë. Një politikë e ndërtuar rreth mosangazhimit të SHBA–së vetëm sa e përshkallëzon kaosin global. Presidenti pranon se duhet të kishte patur një plan më të mirë për “ditët që pasuan” në Libi, por ende pohon se fatkeqësia që shkaktoi qasja e tij dëshmon se tek e fundit ai kishte të drejtë.
Sipas fjalëve të Goldbergut, “Libia i provoi Obamës, se Lindja e Mesme qe më mirë të shmangej”. Ajo e përforcoi vendimin e tij të mëvonshëm, për të mos bërë asgjë mbi luftën në Siri. Obama nuk ka asnjë keqardhje për braktisjen e “vijës së tij të kuqe” – ai thotë tashmë se është “shumë krenar” që vendosi të mos ndalojë shfaqjen horror të Asadit. Deri më sot, Obama nuk e ka ndryshuar mënyrën e të menduarit: se fuqia amerikane nuk mund të ndreqë atë çfarë shqetëson lagjet e këqija të planetit, madje ka të ngjarë t’i përkeqësojë problemet.
Por politika e jashtme e kujdesshme e Obamës, na jep një leksion shumë të ndryshëm. Që nga viti 2009, besueshmëria e Amerikës është dëmtuar rëndë dhe bota është bërë shumë më e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Çmimi i tërheqjes amerikane ka qenë i tmerrshëm, dhe gjithçka bëhet më e rëndë falë një presidenti shumë të ngurtë për të ndryshuar mendjen e tij.