28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

“Milani ka fituar shpirtin luftarak”

Pavarësisht fitores, e cila i mungonte Milanit prej pesë takimesh, kuqezinjtë janë rikthyer nga transferta e Xhenovas të vetëdijshëm se më në fund kanë rigjetur Balotelin e vërtetë, teksa tashmë sulmuesi i Milanit ka filluar të ëndërrojë edhe një vend në përfaqësuesen italiane. Të paktën kjo është shpresa e tifozëve dhe ajo e të gjithë ambientit. Pas paraqitjes së mirë kundër Juventusit, numri 45 ka bindur edhe ndaj Sampdorias.
Rritja e lojtarit nuk ka kaluar pa u vërejtur edhe nga administratori i Milanit, Adriano Galiani, i cili, gjatë një interviste për të përditshmen italiane “Il Corriere della Sera”, ka analizuar ecurinë e sulmuesit: “Mario po luan mirë.
Është e dukshme që lojtari po lufton për të mbrojtur vendin e tij të punës. Ai bëri një paraqitje shumë të mirë kundër Juventusit, teksa ruajti të njëjtin rendiment edhe në sfidën përballë Sampdorias. E gjithë skuadra u sakrifikua shumë”.
Përqasja e Brokit-Për të mbrojtur vendin e gjashtë, që garanton një vend në Europë, Milani nuk duhet të gabojë në sfida e ardhshme. “Zgjimi” i Lacios është një arsye më shumë për ta mbajtur të lartë përqendrimin. Pa harruar edhe ëndrrën për fitimin e Kupës së Italisë: “Ndeshjet e fundit do të jenë shumë të rëndësishme për ne, shpjegoi Galiani.
Rikthimi në kompeticionet europiane është një mision shumë i rëndësishëm, të cilin duhet ta konkretizojmë me sukses. Sigurisht kalimi nëpërmjet Kupës së Italisë do të ishte më i bukur dhe për këtë arsye skuadra duhet të motivohet për të fituar trofeun e vetëm sezonal që na ka mbetur”.
Galiani u ndal edhe te debutimi i Kristian Brokit: “Pas një ecurie negative, skuadra kishte nevojë për një shkundje, e cila erdhi kundër Sampdorias. Broki i ka idetë e qarta, por është shumë herët për të analizuar punën e trajnerit, i cili ka më pak se një javë në krye të ekipit.
Debutoi me një fitore dhe më pëlqeu shpirti luftarak i skuadrës në fushë, e cila pasqyron karakterin e trajnerit. Si futbollist, Broki jepte gjithmonë maksimumin, këtë pretendon edhe nga lojtarët e tij. Me të rinjtë e Milanit ka bërë një punë të shkëlqyer në dy vitet e fundit dhe uroj të qëndrojë sa më gjatë në stol”.
Bashkëpunëtori legjendar i Silvio Berluskonit u ndal edhe te tratativa me kinezët për shitjen e aksioneve të Milanit: “Siç e kam thënë në disa raste, unë merrem vetëm me anën sportive, por di të them se presidenti e dashuron Milanin dhe çdo vendim që do të ndërmarrë në të ardhmen do të jetë vetëm për të mirën e klubit, siç ka bërë gjatë këtyre 30 viteve”.

Kinezët rrisin ofertën

Ditë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Milanit. Tifozët kuqezinj janë duke pritur me interes përfundimin e tratativës mes presidentit të tyre, Silvio Berluskoni dhe investitorëve kinezë. E reja e këtij lajmi që po qarkullon prej ditësh në mediat italiane është fakti që kinezët kanë rritur ofertën në drejtim të drejtuesve të Milanit nga 650 në 720 milionë euro për blerjen e 70% të aksioneve. Lajmin e bën të ditur “Corriere Dello Sport” që raporton takimin mes drejtuesve të Milanit dhe palës që është interesuar për aksionet e kuqezinjve.
Berluskoni dhe Sal Galatiolo, i cili është përfaqësuesi i Robin Li. Ky i fundit është personi që kërkon të blejë Milanin dhe është njeriu i gjashtë më i pasur në Kinë. Pasuria e tij në total mendohet të jetë afro 15 miliardë dollarë. Ai dëshiron të përfshihet në botën e sportit për t’u bërë akoma më i njohur dhe është gati të investojë për ta rikthyer Milanin në majën e futbollit italian.
Dita e djeshme ka qenë shumë e rëndësishme. Grupi i investitorëve kinezë, jo vetëm që ka rritur ofertën për 70% të aksioneve, por është gati të investojë 300 milionë euro.
Një shifër e tillë do ta ndihmonte skuadrën kuqezi për të shlyer borxhet, por edhe për të bërë merkaton për sezonin e ardhshëm. 720 milionë euro ofrohen vetëm për 70% të aksioneve, të cilat do të kalojnë në pronësi të Robin Li në fund të këtij sezoni. Aksionet e tjera të mbetura do bëhen të tijat gjatë sezonit të ardhshëm, ku pritet të ketë një tjetër ofertë. Duket se palët kanë arritur një akord paraprak.
Presidenti aktual i Milanit është duke menduar seriozisht mbylljen pozitive të kësaj marrëveshjeje dhe po kërkon të mësojë detajet e këtij operacioni. Në fakt, ende nuk ka marrë asnjë vendim përfundimtar. Ai kërkon të mësojë me përpikmëri identitetin e presidentit të ardhshëm të Milanit, numrin e investitorëve që do të marrin pjesë në këtë tratativë.
Pasi t’i pëlqejë plani i kinezëve, Berluskoni është gati ta pranojë shitjen e Milanit. Pas 30 viteve në krye të kuqezinjve si president, Berluskoni duket se e ka të vështirë të ndahet, por që Milani të rikthehet pretendent në Itali dhe Europë duhen bërë investime, të cilat Berluskoni nuk mund t’i garantojë për momentin. Vetëm ai mund të vendosë që “djajtë” të shndërrohen në “dragua”…

Napoli rikthehet tek fitorja, 6 gola Bolonjës

Skuadra e Napolit fitoi me rezultatin e thellë 6-0 ndaj Bolonjës, duke mos iu ndarë Juventusit në luftën për titull. Me tri pikët e marra, ekipi i Sarrit shkon në kuotën e 73 pikëve në vendin e dytë, ndërsa bardhezinjtë e Alegrit kryesojnë Serinë A me 79 pikë.
Serinë e golave për blutë e Napolit e hapi Gabiadini në minutën e 10′. Ai dyfishoi shifrat rreth 25′ minuta më pas, duke përcaktuar edhe rezultatin e pjesës së parë. Por seria e golave për Napolin nuk u ndal këtu. Mertens çoi shifrat në 3-0 në minutën e 58′ të pjesës së dytë dhe në minutën e 80′ dhe të 88′, ai realizoi dy gola të tjerë që i dhanë siguri ekipit për të besuar ende te titulli.
Goli i gjashtë për Napolin u realizua nga David Lopes në fund të ndeshjes. Rezultati i thellë rëndon mbi Bolonjën, e cila ndalet në kuotën e 37 pikëve në vendin e 13, 6 pikë larg zonës së rrezikut.
Formacionet zyrtare:
Napoli (4-3-3): Reina; Hysaj, Albiol, Koulibaly, Ghoulam; Allan, Jorginho, Hamsik; Callejon, Gabbiadini, Mertens
Bolonja (4-3-3): Mirante; Mbaye, Oikonomou, Rossettini, Constant; Taider, Diawara, Brighi; Zuniga, Acquafresca, Giaccherini.

Januzaj largohet nga Belgjika

Adnan Januzaj ndryshon sërish mendje. Në pranverën e vitit 2014, futbollisti kosovar ishte ylli më i ri i futbollit botëror, teksa shkëlqente në Premier League me ngjyrat e Mançester Junajtid. Ai spikati aq shumë saqë mori një ftesë edhe nga kombëtarja belge me në krye Mark Vilmots.
Gjithsesi kjo duket se nuk ka qenë zgjedhja e tij më e mirë, pasi jo vetëm që ka mbetur jashtë skuadrës së parë të Junajtid, por me shumë mundësi nuk do të jetë as pjesë e Belgjikës në Europian.
Mesfushori i talentuar që ka kaluar një sezon shumë negativ me Dortmund dhe “Djajte e Kuq” e shikon të ardhmen te Përfaqësuesja e Kosovës. Nëse më 3 maj do të vendoset në Budapest për pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, atëherë ai do të zgjedhë të kalojë te kjo përfaqësuese.
Lajmi u konfirmua nga mediat belge (sportmagazine.be), e cila nënvizon se futbollisti tashmë e ka vendosur.

Shkodran Mustafi çmend Europën

Futbollisti me origjinë shqiptare, Shkodran Mustafi, i cili luan për kombëtaren e Gjermanisë, duket se është ndër lojtarët më të kërkuar aktualisht në Europë. Mediat e huaja shkruajnë se në kërkim të kartonit të tij janë vënë ekipe prestigjioze si Interi dhe Juventusi. Sipas ‘Bild’-it, futbollisti i Valencias është kontaktuar nga bardhezinjë për një rikthim në Serinë A. Por në kërkim të ish-futbollistit të Sampdorias janë vënë edhe zikaltrit e Interit. “Derbi i Italisë nuk është i vetmi që është interesuar për Mustafin. Për kampionin e Botës në fuqi, kanë shfaqur interes edhe Bajerni i Mynihut, Bercelona, Totenhemi dhe Atletiko e Mardidit. Pritet një merkato e nxehtë, me një konkurrencë aspak të mëshirshme”, shkruan “passioneinter.com”.

Gashi idhulli i tifozëve të Colorados

Më pak se dy muaj i mjaftuan Shkëlzen Gashit që të shndërrohet në idhullin e tifozëve të Colorado Rapids. Loja, kualiteti dhe rrezikshmëria që ofron në manovrat ofensive të ekipit, e kanë kthyer sulmuesin e Kombëtares shqiptare në një element mjaft të rëndësishëm për skuadrën e trajnerit Mastroeni.
Në gjashtë ndeshje ku është aktivizuar në Major League Soccer, Gashi ka realizuar një gol, atë në fitoren 2-1 në transfertë me Sporting Kansas City, në mesin e muajit prill. Ndaj pyetjes në faqen zyrtare të klubit në Facebook nëse ndeshja e radhës në “Dick’s Sporting Goods Park” është momenti ideal që 27-vjeçari të shënojë golin e parë në shtëpi, tifozët e Colorados i janë përgjigjur me entuziazëm.
Sipas njërit prej tifozëve të Rapids, “Gashi po paraqitet më mirë se shumë prej të ashtuquajturve yje europianë që luajnë në Amerikë, duke rritur nivelin e kampionatit dhe do të realizojë shumë gola”.
Në komentet e tjera nuk kanë munguar vlerësimet për kualitetin e kuqeziut, që pavarësisht se i nevojitet ende pak kohë të përshtatet me ligën e re do të dijë të shfaqë të gjithë potencialin e tij.
Të tjerë tifozë besojnë se, ndeshja e radhës ndaj Seattle është momenti i mirë që Gashi të shënojë rrjetën e parë përballë mbështetësve të Colorados, e pse jo ndoshta të realizojë tre gola.

Mavraj ndëshkohet me gjysmë kartoni

Generated by IJG JPEG Library

Ndëshkimi me karton të verdhë i Mërgim Mavrajt në ndeshjen e javës së 30-të të Bundesligës ka bërë xhiron e Gjermanisë dhe të Europës. Mbrojtësi shqiptar u penalizua pas një ndërhyrje të ashpër në minutën e 48-të të sfidës, ku Koln-i fitoi 3-2 në fushën e Mainz, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt mbijetesës. Por, episodi më i çuditshëm ishte momenti i shfaqjes së kartonit të verdhë për Mavraj-n nga gjyqtari Piter Sipel. Mediat gjermane evidentuan që kartoni i dhënë për kuqeziun ishte përgjysmë.
Kjo për faktin, se ai ishte thyer në momentin kur arbitri e nxorri nga xhepi, ndërsa një pjesë kishte përfunduar në fushën e lojës. Bilbili Spiel mori menjëherë masa, duke e zëvendësuar kartonin e verdhë, me ndihmën e gjyqtarit të katërt. Në anën tjetër, edhe pse u ndëshkua vetëm me gjysmë kartoni, për Mërgim Mavrajn penalizimi vlen i plotë. Ky ishte ndëshkimi i parë sezonal për mbrojtësin e Kombëtares, i cili më 19 dhjetor 2015 në fitoren 2-1 të Koln-it me Borussia-n e Dortmundit u rikthye të luajë, pas dëmtimit dhe operacionit në gju, që e mbajti jashtë fushave për afro 7 muaj.
Prej rikuperimit të plotë, Mavraj numëron 9 ndeshje në këtë sezon të Bundesligës gjermane, duke u kthyer në një prej shtyllave të mbrojtjes, në objektivin thuajse të përmbushur të Koln-it për të qëndruar në elitë.

Graniti apo Taulanti?

Graniti kundët Taulantit. Sfidë vëllazërore mes Xhakajve në përplasjen e nxehtë Zvicër – Shqipëri, e para për kuqezinjtë në një event madhor siç është kampionati europian. Më pak se dy muaj nga ndeshja, Granit Xhaka, flet për betejën që e pret me vëllain e tij më të madh, që ndryshe nga ai zgjodhi të përfaqësonte ngjyrat e kombit të tij.
“Hipoteza më e mirë për ne të dy do të jetë që në minutën e dytë të ndëshkohemi me karton të kuq dhe të dalim nga fusha. Atëherë do të jetë më e lehtë për ne. Le t’i lëmë shakatë mënjanë. Do të jetë ndeshje e veçantë për familjen tonë. Përballja me njëri-tjetrin është gjëja e fundit që kemi dashur, si ne ashtu edhe prindërit tanë. Mirëpo nuk mund të bëjmë asgjë, duhet të pajtohemi me realitetin. Ne jemi profesionistë dhe do të dimë si të sillemi në fushë. Le të fitojë më i miri”, u shpreh Granit Xhaka.
Cili është raporti që vëllezërit Xhaka kanë me Kosovën, prejardhjen e prindërve të tyre. “Ne kemi lindur dhe jemi rritur në Zvicër. Për herë të parë e kam vizituar Kosovën kur isha 12 vjeç. Kalonin pushimet me gjyshërit në verë dhe në dimër”, tha ai.
Përse Graniti zgjodhi Zvicrën, ndërsa Taulanti Shqipërinë? “Është shumë e thjeshtë. Shqipëria nuk pati asnjë interes për mua kur më kërkoi Zvicra, ndërsa me Taulantin ndodhi e kundërta”, tha Graniti.
Për mesfushorin i Borussias së Moneshengladbahut, tre janë favoritët kryesorë për të triumfuar në Europian. “Gjermania është kampione e botës në fuqi dhe automatikisht mbetet favoritja kryesore. Nuk duhet nënvlerësuar Franca, e cila ka një skuadër super. Ndoshta e tillë është edhe Belgjika”, tha më tej Graniti.
Përsa i përket Zvicrës, Granit Xhaka thekson se nuk ka individë të veçantë që të ndihen më të rëndësishëm se të tjerët, sikurse ndodh në përfaqësuese të tilla si Brazili apo Argjentina ku luajnë Neymar e Mesi, kështu që pika e saj më e fortë është loja në grup.

Euro 2016 në “gjendje të jashtëzakonshme”

Qeveria franceze vazhdon të monitorojë dhe vlerësojë me kujdes situatën në vend pas atentateve terroriste të muajit nëntor që kishin në shënjestër edhe “Stade de France” gjatë miqësores mes “Gjelave” dhe Kombëtares së Gjermanisë. Atentatet e ndodhura mes stadiumit dhe disa lokaleve në qendër të Parisit u kushtuan jetën 130 personave, ndërsa pas kësaj ngjarjeje, u ngritën shumë pikëpyetje rreth sigurisë në Euro 2016. Gjithsesi, qeveria nuk ka qëndruar duarkryq, duke hartuar një plan konkret deri në fund të kompeticionit që synon të bllokojë çdo tentativë të mundshme nga ana e terroristëve për të njollosur me gjak europianin.
Në këtë mënyrë, qeveria ka vendosur që të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme edhe për dy muaj të tjerë, çka do të thotë se kjo masë do të shkojë përtej kompeticionit. Në këtë mënyrë, gjatë periudhës 1-mujore kur do të zhvillohet europiani, Franca do të jetë e blinduar. Kryeministri Manuel Valls theksoi se, kjo masë synon që të përmirësojë nivelin e sigurisë gjatë gjithë europianit. Një sërë masash të tjera të planifikuara për periudhën 10 qershor-10 korrik janë edhe vendimet për mosaktivizimin e zonave të fansave në Paris dhe qytete të tjera të Francës, ndërsa në afërsi dhe hyrjen e stadiumeve masat e sigurisë do të shumëfishohen.

Bayerni në finale të Kupës së Gjermanisë

Bayerni i Mynihut është skuadra e parë finaliste e Kupës së Gjermanisë. Kampionët e Bundesligës fituan 2-0 në gjysmëfinale ndaj Verder Bremenit, në një sfidë që u vendos nga një dygolësh i Thomas Mullerit. Në fakt edhe pse ndeshja u luajt në “Allianz Arena”, bavarezët u treguan të kujdesshëm për të mos rrezikuar në fazën mbrojtëse çka u reflektua edhe me rastet e pakta të pastra për shënim, sidomos në pjesën e parë. Kinsley Coman iu afrua fillimisht golit në minutën e 28-të më një goditje brenda zonës që përfundoi mbi tra, për të ardhur më pas te goli që i dha kualifikimin Bayernit.
Goditje këndi për bavarezët në minutën e 30-të. Muller, pasi iu shmang me zgjuarsi mbulimit të mbrojtjes, i vetëm në qendër të zonës goditi saktë me kokë, duke e bërë të pavlefshme ndërhyrjen e Widewald. Në pjesën e dytë, Verderi ushtroi më shumë presion në gjysmëfushën e Bayernit, por në të 71-ën miqtë shkaktuan një 11-metërsh që u shndërrua në gol po nga Muller. Në finale të Kupës së Gjermanisë, Bayerni do të përballet me fituesin e çiftit Herta e Berlinit – Borussia e Dortmundit.