37.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Basha: Çështja “Shullazi”, rezultati i parë kuptimplotë i Reformës në Drejtësi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. Dekriminalizimi ishte një çështje e rëndësishme e diskutuar në takimin Basha-Fleckenstein. Basha ka shprehur shqetësimin e emërimit si koordinatorë të PS të personave me të shkuar kriminale. Është e domosdoshme, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, largimi i kriminelëve jo thjesht nga institucioni, por edhe nga infrastruktura politike e vendit. “Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit dhe më tej zbatimi i dekriminalizimit në frymë, pra largimi i kriminelëve jo thjesht nga institucioni, por edhe nga infrastruktura politike e vendit, ku për fat të keq sot ata kanë një influencë të jashtëzakonshme.
Siç janë rastet e emërimit të kriminelëve me damkë si koordinatorë të Partisë Socialiste në shumë degë të Partisë Socialiste në Shqipëri. Siç është rasti flagrant i Emiljano Shullazit, këtij banditi me nam, lordit kryesor të drogës në Shqipëri, kërcënuesit të bizneseve, të qytetarëve, gjobëvënësit, i cili e ka ushtruar këtë aktivitet pikërisht për shkak të mbështetjes së drejtpërdrejtë që ka marrë nga qeveria e Edi Ramës dhe në veçanti nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Dhe në këtë kuadër padyshim arrestimi i tij mund të jetë një pikë kthimi. Mes 1001 përpjekjeve të një grupi prokurorësh me integritet për të luftuar krimin dhe lidhjet politike, duket se lidhjet politike ia kanë dalë të sprapsin hetimet. Shpresoj që kjo të jetë një pikë e fuqishme kthese në këtë drejtim pavarësisht prej përpjekjeve të lidhjeve politike të Emiljano Shullazit. Një test i monitoruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Bashkimi Europian, që të shërbejë në të vërtetë si hapi i parë kuptimplotë, rezultati i parë i Reformës në Drejtësi. Unë e shoh si një sfidë që shpirti i Reformës në Drejtësi të fillojë të japë rezultatet edhe pa u miratuar paketa ligjore. Dhe në fakt kjo ka rëndësi sepse paketa ligjore është një copë letër e vdekur në qoftë se nuk ka rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”.
Korrupsioni i shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe që ditë për ditë po rëndon më shumë mbi ekonominë e çdo familjeje shqiptare ishte çështje e diskutuar në takimin mes liderit të opozitës Lulzim Basha dhe eurodeputetit Knut Fleckenstein. Zoti Basha, ndërsa ka theksuar se vitin e shkuar fatura e korrupsionit arriti në 1 miliard euro, theksoi se edhe këtë vit janë miliona euro që po iu merren shqiptarëve. Për këtë, zoti Basha bëri të ditur se do të informojë qytetarët në detaje.
“Krimi dhe korrupsioni kanë faturën e tyre dhe kjo faturë nuk është thjesht politike, por është financiare. 1 miliard euro është fatura e korrupsionit qeveritar vitin e kaluar. Një faturë e tmerrshme financiare po paguhet nga shqiptarët këto tre muajt e parë të këtij viti, për të cilin shpresoj të kem rastin t’ju informoj së shpejti përmes një materiali të detajuar që është përgatitur nga Partia Demokratike dhe që do të pasqyrojë para shqiptarëve me shifra, me emra, me fakte të pakundërshtueshme gjakpirjen që një grup oligarkësh të lidhur me qeverinë e korruptuar shqiptare po ju bëjnë qytetarëve shqiptarë në këtë kohë krize. Duke ju vjedhur edhe në këto tre muaj të parë të këtij viti miliona euro përmes tenderave me negocim dhe pa konkurrencë, përmes tenderave korruptivë dhe koncesione korruptive, duke shkatërruar më tej sistemin shëndetësor, duke eliminuar shanset e ekonomisë për rigjallërim, duke shkatërruar vende pune dhe duke kredhur në një mjerim dhe varfëri të mëtejshme Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme prioritet mbi prioritetet

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, zbatimi në germë dhe frymë i ligjit të dekriminalizimit, lufta kundër korrupsionit dhe ngritja e një sistemi drejtësie të pavarur kanë qenë disa nga temat e diskutuara në takimin mes liderit të opozitës, Lulzim Basha dhe eurodeputetit Fleckenstein. “Tema kryesore e diskutimeve me Fleckenstein ka qenë sfida më urgjente e Shqipërisë dhe shqiptarëve: demokracia, zgjedhjet të cilat po afrojnë dhe nevoja për të punuar së bashku me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndërtuar të gjithë garancitë që oligarkia dhe krimi i lidhur me pushtetin të mos cenojnë votën e shqiptarëve. Në këtë kuadër, Partia Demokratike ka hartuar një platformë së bashku me aleatët mbështetur mbi parime dhe mbi zgjidhje europiane, të cilat do të mundësojnë që vota e shqiptarëve të mos preket, që shqiptarët të votojnë të lirë, të paintimiduar. Kjo platformë do të mundësojë sprapsjen dhe çmontimin e dy problemeve kryesore në zgjedhjet shqiptare nën qeverisjen Rama-Meta që janë shitblerja masive e votës dhe influenca e krimit, përdorimi i kontingjentit kriminal, jo vetëm si kandidat, por edhe si kontingjente intimiduese të qytetarëve dhe administratës zgjedhore. Ashtu sikundër edhe në Uashington me personalitetet më të larta të administratës dhe ligjvënësve amerikanë edhe me zotin Kukan dhe personalitete të tjera të Parlamentit Europian dhe të Komisionit Europian, çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kthyer fuqimisht në fokusin e tyre, si një çështje urgjente me të cilën Brukseli dhe Uashingtoni po merren dhe përmes, të cilës do të mbështesin përpjekjet e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi Basha. Ndonëse Fleckenstein i përket një spektri tjetër politik nga Basha kjo nuk e ka penguar kryetarin e Partisë Demokratike t’i paraqesë platformën e demokratëve për nxjerrjen e vendit nga kriza, për t’u mundësuar qytetarëve shqiptarë zhvillim dhe punësim. “PD nuk ka vetëm një angazhim të qartë, të fortë dhe të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe një angazhim për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Dhe padyshim ndonëse i përket spektrit tjetër politik me zotin Fleckenstein, raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian ndava edhe pikëpamjet tona, platformën tonë për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike si hapi i parë, nga kriza Rama. Dhe së dyti, për të siguruar nxjerrjen e Shqipërisë nga varfëria, rivitalizimin e ekonomisë shqiptare përmes platformës tonë, përmes taksave të ulëta, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit dhe rigjallërimit të portofoleve të investimeve publike që hapin vende pune dhe vende pune me paga më të mira për shqiptarët”.

Kandidatja e Shullazit kërkon të kapë sot edhe Universitetin

Procesi zgjedhor për drejtuesit në universitete zhvillohet sot në një terror dhe presion të paparë. Kandidati për Rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, u kërcënua nga kapobanda Emiljano Shullazi me jetën e djalit të tij dhe familjes që të tërhiqej nga gara në mënyrë që të fitonte kandidatja Klodeta Dibra, përfaqësuese e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Rektorati i Tiranës, përmes një deklarate për shtyp, dënoi ashpër kërcënimet ndaj kandidatit Koni, ndërsa u bëri thirrje pedagogëve dhe studentëve që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje. Megjithatë, pedagogëve dhe studentëve po u bëhet presion që të votohet kandidatja e Shullazit, Klodeta Dibra për të kapur Universitetin.
Rama nuk tha asnjë fjalë dje për kërcënimet e Shullazit ndaj kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Nuk guxoi t’ia përmendë emrin Shullazit por tha se qeveria dhe PS nuk po ndikojnë në zgjedhjet në universiteteve, ndonëse kandidatja që kërkon të emërojë Shullazi rektore është përfaqësuese e PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Ish-Kryeministri Berisha në një postim në Facebook shprehet se, edhe Edvin Shullazi foli sot në Universitet, por harroi emrin e Milit të Partisë! “Të dashur miq, sot Edvin Shullazi, për të larë m…me sh…. me atë që bëri duke futur Shullazin për të emëruar rektorin që do vetë, shkoi në Universitet. Ashtu si në rastin e Saje qorrit, edhe Rama nuk guxoi të shqipërojë emrin e Emil Shullazit as dhe një herë të vetme. Përkundrazi, ai tha se “Ajo që ndodhi para tre ditësh nuk dëshmon UT (sikur ndodhi mbrapa Dajtit dhe jo në Universitet), por dëshmon vullntin e plotë që të mos cenojë askush UT. Kjo është e vërteta e thjeshtë””, shkruan Berisha.
Berisha shkruan më tej se, Rama nuk i referohet me emër askërkund Shullazit në fjalën e tij. “Kjo, sepse burime të besueshme pohojne se Rama ka mbi 2 km biseda telefonike të regjistruara nga shërbimet partnere me Milin e Partisë dhe ka frikë të tmerrshme se mos Mili flet në Prokurori për lidhjet e tij me kreun e meduzës së krimit të organizuar të Shqiprisë, që është njëkohësisht dhe kreu i ekzekutivit i “aleancës së qelbësirave”! sb”, përfundon Berisha.
Po ashtu edhe kreu i Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Luçiano Boçi, reagoi pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës. Rama deklaroi sot, se nuk ka asnjë kandidat që mbështetet nga qeveria, koalicioni apo Partia Socialiste, por Boçi shprehet se, Rama duhet të kërkonte ndjesë për katandisjen e garës në një garë terrori dhe rrëmbimi.
“Kur Rama pritej të thoshte të paktën dy fjalë me ngjyrime ndoshta ndjese për katandisjen e garës për Rektor të UT-së në një garë terrori e rrëmbimi, nga ata që ka kohë që i ka marrë nën sqetull, çuditërisht u mburr. U mburr paturpësisht për modelin dhe standardin politiko-kriminal që ka imponuar në këto zgjedhje. U mburr që vetë nuk kishte futur duart në proces. Ishte “duarjashtë”!!!!! Por harroi një detaj: paradite thirri në zyrën e tij kandidatët për Rektor të Universitetit Mjekësor. Dihet tensioni i kësaj gare, i shoqëruar me përjashtime të padrejta e me shkresa ministrore. I thirri si “çun tirone” “me i dhon ka i kafe” para gare?!!! Apo i thirri si Kryeministër me i tregu “arat”?!!! Apo ndoshta si kryetar i PS-së, për t’i “vënë njërit njollë” e “për t’ja heq tjetrit?”!!! Këtë të na thotë Rama!! Por këtë fakt kryeministri duarbrenda në procesin zgjedhor ka gjithë ditën që e fsheh!!! Dhe sa të tillë ka fshehur?”, shkruan Boçi në Facebook.

Vila e luksit të Dibrës

Paparazzi i Opozita.com ka mundur të sigurojë disa foto nga vila luksoze e kandidates për rektore në Universitetin e Tiranës, Klodeta Dibra. Dibra, mikeshë e Edi Ramës dhe anëtare e Këshillit Bashkiak për PS-në. është aktualisht dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, por nëse sheh fotot e vilës e ke të vështirë të kuptosh se si e justifikon të gjithë këtë pasuri rektorja e Shullazit. Znj.Dibra e ka për detyrë t’i tregojë pedagogëve, studentëve dhe të gjithë shqiptarëve se si e ka vënë të gjithë këtë pasuri.

Koço kërcënon kandidatin e Universitetit të Vlorës të tërhiqet nga gara

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një profesori nga Vlora, i cili denoncon deputetin e PS, Koço Kokëdhima, për presion ndaj kandidatit të Universitetit të Vlorës të tërhiqet nga gara. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, pedagogu dixhital denoncon kryemafiozin e Jugut, Koço Kokëdhima. “Pedagogu dixhital denoncon terrorin, kërcënimet e kryemafiozit të Jugut, sivlla Kokëdhimës ndaj kandidatit për rektor të Universitetit të Vlorës, Prof. Dr. Shkurtit, i cili detyrohet të tërhiqet nga gara. Koçua sjell një fanatik të tij nga Gjirokastra për Universitetin e Vlorës. I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë me seriozitetin më të madh shkaqet e dorëheqjes nga gara të Prof. Dr. Bilal Shkurtit dhe të ndëshkojë me forcën e ligjit çdo presion që mund të jetë bërë ndaj tij. Sb”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e pedagogut.
“I Nderuar Doktor! Ju ndoqa me vëmendje në konferencën Tuaj për shtyp, si pedagog i brendshëm i Universitetit të Vlorës, Ju vlerësojmë maksimalisht që përcollët zërin e qindra pedagogëve që sot ndihen të kërcënuar nga kjo diktaturë e pashembullt krimi. E njëjta situatë është dhe në Vlorë, para disa ditësh. Nga gara u tërhoq dhe Prof. Bilal Shkurti i majtë, por jo pjesë e bandës së horrave, Prof. Bilali u kërcënua nga vetë Koço Kokëdhima, pasi po mbështet mikun e tij dhe të prefektes Roland Zisin, sot i vetmi kandidat në garë. Ju as e imagjinoni presionin që po ushtrohet në universitete këto ditë. Personalisht Kokëdhima, (një lloj si Shulazi) e ka kërcënuar Prof. Bilalin, duke i thënë: “lufta ime me ty nis sot, nëse nuk tërhiqesh nga gara deri nesër do të bëj të ikësh nga Vlora për 24 orë”. Pasi pa mbështetjen që kishte Bilali, jo vetëm nga ish-rektori Qarri, por dhe nga gjithë stafi akademik. Vetëm nëse Koço do e kërcënojë për ta përgënjeshtruar, por vetë Bilali ndihet tepër i friksuar e zhgënjyer, duke thënë paskam mbështetur një bandë e Jo PS. Si mund të vijë një kandidat nga Gjirokastra për të drejtuar Universitetin e Vlorës, sepse kështu do baroni i Jugut Koço Shullazi. Me Konsideratë D.P!”, përfundon mesazhi i pedagogut të Universitetit të Vlorës.

R.POLISI

Sekuestrohet hotel “Vollga”, dosja e gjobave të Shullazit

Prokuroria e Durrësit, me vendim të Gjykatës vendosi dje sekuestro preventive për ish-hotel “Vollgën” në Durrës në të cilin rezulton bashkëpronar Emiljano Shullazi. Prokuroria e qytetit bregdetar bëri të ditur se, kërkoi sekuestron për shkak të nisjes së hetimeve mbi veprimet e dyshimta, që çuan në regjistrimin e kësaj prone në emër të Emiljano Shullazit. Prokuroria ka dyshime se është përfituar me kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Shpërdorimit të detyrës” e “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Hetimet kanë nisur në bazë të kallëzimit të bërë nga shtetasi Zamir Hasa.
Ai e ka trashëguar këtë pronë nga Alie Fortuzi, pinjollja e familjes Fortuzi, kompania e së cilës e ndërtoi hotelin në kohën e pushtimit të Italisë. Alie Fortuzit, kjo pronë i njihet në vitin 2003, me vendim të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Por ajo vendos t’ia dhurojë Zamir Hasës, pasi ai ishte i vetmi njeri që ishte kujdesur prej vitesh për të. Kur Zamir Hasa kërkoi të regjistronte pronën, ai zbuloi se ajo ishte regjistruar në emër të shtetasit arab, Mohamed Abdullah Bavazer.
Hasa iu drejtua Gjykatës në korrik të vitit 2013, pas 10 vjetësh, Gjykata e Lartë urdhëron pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab, në kartelën e pasurisë. Por Gjykata e Durrësit i njeh të drejtën e pronësisë arabit, i cili e regjistron në emër të kompanisë së tij “Saudi Brother’s Commercial Company”, që e administronte vetë.
Një vit më vonë, në nëntor të 2014-ës, ai ia shet një pjesë të pasurisë, për shumën prej 670 mijë eurosh, Fejzi dhe Marjeta Kodrës. Një muaj pas blerjes, ata ia dhurojnë pronën e tyre Emiljano Shullazit. Edhe shtetasi saudit ia dhuron në shenjë mirënjohje pjesën e tij Shullazit.
Prokuroria dyshon se, Fejzi dhe Marjeta Kodra nuk kanë patur mundësi financiare të paguanin 670 mijë euro. Sipas saj, të gjitha këto veprime kanë qenë të dyshimta. Këto veprime të dyshuara antiligjore, thotë Prokuroria, shtrihen në zyrën Hipotekore, zyrat noteriale, por edhe në Gjykatën e Durrësit.
Për Gjykatën, Prokuroria përmend faktin se ajo ka marrë vendim për t’ia njohur pronën arabit Bavazer, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me këtë objekt. Organi i akuzës sqaron se grupi kriminal i Shullazit, e ka kaluar ish-hotelin e famshëm në pronësi të këtij të fundit, nëpërmjet kanosjes dhe dhunës.
Pjesë e kërcënimeve për këtë pronë janë bërë dhe drejtuesit dhe punonjësit e hipotekave, në Durrës dhe Tiranë, të cilët e kanë regjistruar pronën në kundërshtim me ligjin dhe procedurat.
Derisa hetimet të përfundojnë, kjo pronë nuk mund të shitet, të prishet apo të ndërtohet mbi të.
Në datën 24. 03. 2016, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Durrës ka regjistruar procedimin penal Nr. 715, për veprat penale të parashikuara nga nenet 186, 248 dhe 287 i Kodit Penal. Neni 186 i Kodi Penal, “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikon një dënim nga 6 muaj deri në 7 vjet. Neni 248 i Kodi Penal, “shpërdorimi i detyrës”, parashikon një dënim deri në 7 vjet. Neni 287 i Kodit Penal “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikon një dënim 5 deri në 15 vjet.

R.POLISI

Sot zhvillohet gjyqi kundër betonizimit te Parku i Liqenit

Gjyqi kundër betonizimit të Parkut të Liqenit zhvillohet sot në orën 09:15 në Gjykatën Administrative. Përfaqësuesi i Shoqërisë Civile avokati Altin Goxhaj shkruan në Facebook se, mediat nëse duan ta ndjekin në sallën e gjyqit janë të lutura të dërgojnë sot një kërkesë drejtuar Kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë (kështu e kërkon procedura).
Paditëse është shoqata “Menvgroup”, person juridik sipas vendimit të Gjykatës me Nr. 1170 dt. 04.11.2004 përfaqësuar nga Studio Ligjore Aga & Goxhaj Laë Firm me Avokat Altin Goxhaj dhe Avokat Erald Aga. Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve (QZHDI), person juridik sipas vendimit Nr. 62/1 dt. 14.12.2002… të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, përfaqësuar nga Studio Ligjore Aga & Goxhaj Laë Firm me Avokati Altin Goxhaj dhe Avokat Erald Aga.

Të paditur
Këshilli Kombëtar i Territorit. Agjencia Zhvillimit Territorit (AZHT). Ministria Zhvillimit Urban (MZHU), Bashkia Tiranë.
Persona të tretë: Avokatura e Shtetit. Ministria e Mjedisit. Agjencia Kombëtare e Planifikimit Territorit Sekretariati i KKT-së.
Objekti: Marrjen e masës së sigurimit të padisë për “Pezullimin e të gjithë punimeve ndërtimore apo zhvillimore objekt të Vendimit KKT-së, Nr. 1 dt. 12.02.2016 “Për Miratimin e Lejes së Ndërtimit për Objektin: Këndi i Lojërave për Fëmijë, Projekti Pilot 4, në kuadër të rehabilitimit të Liqenit, Bashkia Tiranë.
Konstatimin e Pavlefshmërisë Absolute të Vendimit KKT-së, Nr. 1 dt. 12.02.2016 “Për Miratimin e Lejes së Ndërtimit për Objektin: Këndi i Lojërave për Fëmijë, Projekti Pilot 4, në kuadër të rehabilitimit të Liqenit, Bashkia Tiranë”.
Detyrimin e Bashkia Tiranë, KKT, AZHT dhe MZHU të depozitojnë kopje të njehsuar me origjinalin për palën paditëse, të të gjithë praktikës dhe dokumentacionit tekniko-ligjor disponuese të depozituar në KKT/AZHT /MZHU apo AKPT deri në miratimin e Vendimit KKT-së, Nr. 1 dt 12.02.2016 “Për Miratimin e Lejes së Ndërtimit për Objektin: Këndi i Lojërave për Fëmijë, Projekti Pilot 4, në kuadër të rehabilitimit të Liqenit, Bashkia Tiranë”.

Baza ligjore
Neni 11/1, 15/d, 16/b/c, 17/c, 18/8, 21/2, 23, 24, 28, 29, 30 të Ligjit 49/2012 “Për Gjykatat Administrative”; Neni 39/4 i Ligjit Nr. 107/2014 “Për Agjencinë e Planifikimit Territorit” dhe akteve nën ligjore në zbatim; Ligji 146/2014 “Për Njoftim dhe Konsultim Publik”; Neni 3 dhe 15/1 i Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”; Ligj Nr. 8653 i ndryshuar me Ligjin Nr 30/2015 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”; Ligj Nr. 10 448, datë 14.7.2011 “Për Lejet e Mjedisit”; Ligji Nr. 10431 dt 09.06.2011 “Për Mbrojtjen e Mjedisit”.
Drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës Parë, Tiranë.
Në padinë e Shoqërisë Civile thuhej se, kemi të bëjmë me një projekt që prish dhe zhbalancon ekosistemin e zonës nëpërmjet prerjes së pemëve dhe punimeve në tokë, pasi do të këtë masa të mëdha betoni. Ky projekt nuk mund të bëhet pa u bërë masterplani i Parkut të Liqenit Artificial dhe Plani i Përgjithshëm i Tiranës, pasi është i vetmi Park në një qytet prej 1 milion banorësh dhe i një rëndësie të veçantë. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për ligjshmërinë e ndërtimit të parkut të fëmijëve te Liqeni Artificial, për akuzën e “ndërtimit të paligjshëm” dhe “shpërdorim të detyrës”.

R.POLISI

A kanë rënë zgjedhjet në universitetet publike?

Myqerem Tafaj

Nëse institucionet përgjegjëse do të vërtetojnë kërcënimin që i është bërë Prof. Dh. Kules dhe Prof. M. Konit, për garën zgjedhore në UT, kjo do të thotë se zgjedhjet në universitetet publike kanë rënë.
Kjo do të ishte një ngjarje e paprecedentë për komunitetin akademik të një vendi demokratik. Nëse vërtetohet kërcënimi i bërë publik sot, sjellja normale në çdo vend të lirë, do të ishte që komuniteti akademik nuk duhet të pranojë kurrsesi zhvillimin e zgjedhjeve dhe duhet t’i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë një zgjidhje urgjente kushtetuese, e cila garanton autonominë dhe lirinë akademike të universitetit, si dhe eviton ndërhyrjen brutale të qeverisë në zgjedhjen ose përzgjedhjen e drejtuesve dhe organeve kolegjiale të universitetit publik.
Eshtë shumë e rëndësishme të zbardhet e vërteta e kësaj ngjarjeje. Roli kryesor për këtë i takon vetëm dhe vetem komunitetit akademik. Një rol të madh mund të luajnë edhe partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë Delegacioni i BE, OSBE dhe Konferenca e Rektorëve e Europës. Nëse një vend nuk garanton dot zgjedhje të lira dhe të ndershme në universitete, që janë qendra të gjenerimit të demokracisë, a mund të pritet të përmbushë standardet europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme për Kuvendin e Shqipërisë?
Komuniteti akademik nuk duhet të pranojë quasi-zgjedhje, por vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme në universitetet publike, që mundësojnë përzgjedhjen e personaliteteve me cilësitë më të spikatura akademike, me integritet dhe që gëzojnë besimin e pedagogëve dhe studentëve se vërtet mund të udhëheqin universitetet, fakultetet dhe departamentet në garën e dijes, kombëtare, rajonale dhe më gjèrë.
Dhënia pushtet kandidatëve mediokër, pa kontribute të njohura akademike, dhe për më keq, arrogantë e pa integritet, do të kishte rrjedhoja tejet negative për vetë universitetin, fakultetin apo departamentin, për studentët dhe për vetë pedagogët.
Pedagogët nuk duhet të harrojnë se fati i vendit të tyre të punës dhe pagës së tyre, me këtë ligjin e ri të çuditshëm, përcaktohet vetëm e vetëm nga “humori” i përgjegjësit të departamentit, dekanit, rektorit dhe komisarit politik që do të dërgohet direkt nga qeveria dhe quhet Administrator! Prandaj duhet bërë kujdes me votën!
Përveç këtij kërcënimi nga bota e errët mbi kandidatët, ekzistojnë edhe kërcënime të llojeve të tjera në këto zgjedhje. U bëhet presion pedagogëve dhe studentëve nga kandidatët për votën dhe, për më keq, kërcënime të tilla vijnë nga zgjatimet e qeverisë. Ose për votat bëhen premtime për emërime, grada dhe tituj!
Në këto kushte, është e vështirë të besohet se zgjedhjet në universitete do të jenë të lira dhe të ndershme. Shanset janë që ato të jenë vetëm quasi-zgjedhje, që nuk premtojnë asgjë për zhvillimin e universiteteve!

Si e përvetësoi Shullazi ish-hotel Vollgën

Pronësia e ish-hotel “Vollga” në qendër të qytetit të Durrësit është mbështjellë për momentin me mister se si një nga asetet kryesore të qytetit bregdetar është në dorë të Emiljano Shullazit.
Në kartelën e pasurisë, e bërë publike tashmë, konstatohet lëvizja e pronësisë gjatë viteve të fundit.
Nga informacionet e siguruar nga Boldneës.al, rezulton se në vitin 2003, me Vendim të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pronësia e ish-hotel “Vollga” i njihet trashëgimtares së ligjshme, Alie Fortuzi. Kjo e fundit, në të njëjtën ditë që ka bërë regjistrimin e pronës në Hipotekë, ka dorëzuar edhe një “trashëgimi testamentare” në emër të shtetasit Zamir Hasa.
Pronarja e ligjshme, Alije Fortuzi, e shkuar në moshë dhe e vetme, prej vitesh ishte ndihmuar nga Hasa për kryerjen e nevojave të përditshme. Në shenjë respekti për angazhimin e Hasës për shëndetin e saj, ajo ka vendosur që pronën, “ish-Vollgën”, t’ia japë me testament atij, i cili do të bëhej pronar i ligjshëm pas vdekjes së Alie Fortuzit.
Gjithnjë duke parë dokumentin e publikuar, rezulton se po në të njëjtën ditë me regjistrimin në Hipotekë të pronës në emër të Alie Fortuzi, rezulton se ajo i është shitur shtetasit arab Mohamad Abdullah Bavazer.
Boldneës.al ka mësuar se, për këtë kontratë shitjeje, trashëgimtari testamentar Zamir Hasa, ka ndjekur rrugën gjyqësore, pasi ka paraqitur pretendimin se është regjistruar në Hipotekë në mënyrë fiktive.
Procesi gjyqësor ka vijuar në tre shkallët e gjyqësorit. Në kohën që Gjykata e Lartë, me vendim të ndërmjetëm kishte urdhëruar pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab në kartelën e pasurisë, gjykata e Durrësit, në një tjetër proces, i njeh të drejtën e pronësisë shtetasit arab Mohamad Bavazer.
Me këtë vendim njohjeje pronësie, ky i fundit e regjistron pasurinë e paluajtshme të ish-“Vollga” në emër të kompanisë “Suadi Brother’s Commercial Company”, në të cilën ishte vetë ai administrator.
Pasi është bërë pronar i ligjshëm, “Suadi Brother’s Commercial Company”, në nëntor 2014, ia shet një pjesë të pasurisë për shumën 670 mijë eurove shtetasve Fejzi dhe Marjeta Kodra. Këta dy shtetas, për të cilët ka dyshime mbi mundësitë e tyre financiare për shpenzimin e një shume të tillë, vendosin që një muaj pas blerjes ta dhurojnë pronën e tyre.
Familjarët Kodra, ashtu si edhe “Suadi Brother’s Commercial Company”, në dhjetor 2014, nënshkruajnë kontratën e dhurimit, në bazë të të cilës të gjithë të drejtat pronësore të tyre, ia japin pa asnjë shpërblim Emiljano Shullazit.
Nuk ka asnjë shpjegim se përse është bërë ky dhurim.

Rama bën gati ligjin për kultivimin e marijuanës si kërp

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ngritjen e një grupi pune për të mundësuar lejimin e prodhimit të kërpit industrial. Vendimi i Kryeministrit vjen pas kërkesës së deputetit socialist Paulin Stërkaj për të ndryshuar ligjin për prodhimin e kërpit. Kërpi industrial është një varietet i kanabis sativa, i cili përdoret për qëllime industriale si prodhim veshjesh, produktesh kozmetike, ushqim, letër etj, por nuk ka përbërës stimulus si marjuana apo hashashi.
Diferenca mes kërpit industrial dhe marijuanës qëndron, pikërisht, në nivelin e lëndës halucilogjene, THC, së gjendur në bimë. Kërpi ka THC nën 0.3 për qind, ndërsa tek marjuana niveli i këtij përbërësi varion 2 deri në 20 për qind. Sipas ligjit aktual lejohet prodhimi dhe kultivimi i farës së kësaj bime për varietete me nivelin e THC nën 0.1 për qind. Para miratimit të këtij ligji në vitin 2001 filloi kultivimi i kërpin në zonë e Malësisë së Madhe.
Në vitin 2001, Fondacioni bamirës britanik “Partnership for Growth” në bashkëpunim me shoqatën e fermerëve të bashkuar të Shkrelit sollën rreth 40 kilogramë farë kërpi, si pjesë e një projekti në ndihmë të fermerëve të zonave të thella. Rezultati i para i këtij projekti ishte një kontratë me importues të vendeve të Europës Perëndimore, të cilët  do të blinin gjethen e kërpit për të prodhuar çaj. Madje, disa gra të fshatit arritët të prodhonin edhe qilima me fibrat e kërpit të prodhuar në fshat.
Por, në vitin 2001, policia arrestoi tetë fermerë me akuzën e kultivimit të lëndës narkotike kanabis sativa, duke gjykuar nga pamja e saj. Bima e konfiskuar u analizua dhe u vërtetua që ishte kërp industrial. Për këtë arsye, gjykata liroi të akuzuarit dhe detyroi shtetin shqiptar t’i paguante 1,500 dollarë dëmshpërblim secilit fermer. Në dhjetor të viti 2012, policia arrestoi 22 fermër të fshatit Shkrel. Të cilët sipas policisë kultivonin kërpin industrial me një përqindje të përafërt të lëndës halucinogjene me atë në kanabis sativa. Në nëntor të viti 2013, Gjykata e Apelit Shkodër pushoi akuzat ndaj këtyre fermerëve, pasi analizat vërtetuan se bima e ishte e kualifikuar si kërp industrial.
Vendimi për të lejuar kultivimin e kërpit industrial me nivel më të lartë të THC është vendim i vështirë. Nga njëra anë lejimi i kultivimit të kërpit është një mundësi e mirë për zhvillimin e ekonomik të kësaj zone të varfër, e cila burim të vetëm të të ardhurave ka emigracionin. Por, nga ana tjetër lejimi i kultivimit të saj krijon mundësinë e kultivimit bashkë me të edhe të marjuanës, duke përfituar nga mungesa e dallimeve në pamje të jashtme.

Spitalet pa ilaçe, qytetarët nuk i blejnë dot, Rama-Beqaj ndajnë milionat e shëndetësisë

Epidemia më e rrezikshme sot në vend, është mungesa e ilaçeve, sidomos për sëmundjet e rënda, çfarë po vë në rrezik jetën e qytetarëve, ndërkohë që 340 milionë euro Edi Rama dhe Ilir Beqaj kanë ndarë me miqtë e tyre, ndërkohë që qindra milionë lekë jepen çdo muaj për Vilmën, e megjithatë, medikamente nuk ka.
Deputetja demokrate, Albana Vokshi përmes një deklarate për shtyp solli në vëmendje dje situatën skandaloze ku ndodhen spitalet sot.
Ajo tha se fondi për shëndetin po vidhet çdo ditë, dhe Ilir Beqaj injoron thirrjet për ndihmë të pacientëve dhe familjarëve të tyre.
Vokshi bëri të ditur se vetëm në Spitalin Onkologjik, edhe pas denoncimeve të pacientëve, vizitës së deputetëve të PD të Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, gjendja është katastrofike. “Akseleratori linear nuk është vënë në funksionim ende. Njëra prej aparaturave të kobaltit nuk e ka burimin e energjisë të përshtatshëm e nuk funksionon ashtu siç duhet. Ilaçet mungojnë. Në pjesën më të madhe të rasteve, qytetarët nuk e përballojnë dot faturën e kripur të këtyre medikamenteve të shtrenjta që duhet t’i marrin nëpër farmaci. E në këto raste, jo vetëm shëndeti, por edhe jeta e tyre është në rrezik çdo ditë. Për ta përditësuar kampionin e korrupsionit, po ju sjellim disa dëshmi, të publikuara ditët e fundit në gazetën “Shëndet Plus”” tha Vokshi.
Vokshi solli raste të qytetarëve konkret që vuajnë pasojat e situatës skandaloze në spitale. “ Qerimi nga Kukësi, i papunë ka dy fëmijë hemofilik, një djalë 10 vjeç dhe një vajzë 12 vjeç. Ai thotë se në QSUT nuk ka ilaçe, mungon prej kohësh faktori VIII. Mungesa e mjekimit të pështatshëm shkakton hemoragji dhe jeta e fëmijëve është në rrezik. Xhuljana 18 vjeç nga Pogradeci. Trajtohet tek Onkologjiku. Ajo dëshmon se nuk po e bën dot kurimin sepse në spital nuk ka medikamente. Në Farmaci janë shumë shtrenjtë dhe familja e saj nuk i përballon dot. Dituria, një grua e shtruar tek Hematologjia thotë se i blen vetë ilaçet. Por ai i duhuri, Velkadi, kushton miliona dhe ajo nuk e përballon dot” bëri të ditur Vokshi.
“Ndërkohë, tek Infektivi në QSUT, mungon prej javësh çdo preparat për trajtimin e të sëmurëve me HIV-AIDS.
Tek Trauma mungon çdo gjë. Barnat i blejnë vetë pacientët, analizat duhet të bëhen tek privati, protezat duhet t’i sigurojnë vetë ku më e lira kushton 800 euro.
Akoma më e rëndë është gjendja në spitalet bashkiake dhe rajonale në gjithë Shqipërinë.
Mungesa e ilaçeve është kriza më e madhe që po vuajnë qytetarët, të sëmurët dhe familjarët e tyre.
Por një tjetër shqetësim i madh, është futja e ilaçeve kontrabandë, të pakontrolluar. Tregu farmaceutik është kapur nga, “koordinatori i korrupsionit  Beqaj” .
Për shkak të politikave klienteliste, Glaxo dhe Actavis janë larguar nga Shqipëria. Jo vetëm në çdo spital, por dhe në farmaci mungojnë çdo ditë barna, edhe ato jetike.
Ndryshimet klienteliste të ligjit të barnave në Shqipëri, i hapën rrugë barnave të falsifikuara dhe atyre kontrabandë dhe të skaduara. Cilësia e barnave nuk është e garantuar. Në datën 7 mars në një seancë dëgjimi në Komisionin e Jashtëm, Beqaj u detyrua të pranojë se në treg ka barna të falsifikuara, në përpjekje për të shpëtuar nga ndjekja penale.
Me Konventën Medicrime dhe në ndryshimet në Kodin Penal, lejimi i ilaçeve kontrabandë konsiderohet krim, neni 284-d që parashikon deri në 5 vjet burg.
Partia Demokratike bën përgjegjës për këtë krim Edi ‎Ramën dhe Ilir Beqjen.
Ndaj i bëjmë përsëri thirrje Prokurorisë të përparojë me hetimet për të ndalur këtë krim të tmerrshëm në shëndetësi” tha Vokshi.

Koncesioni i ndriçimit të rrugëve në Tiranë e Durrës përplas LSI me PS

Ministria e Drejtësisë i kërkoi Ministrisë së Energjitikës të kthejë mbrapsht projektin për dhënie me koncesion të ndriçimit të rrugëve të bashkive Durrës dhe Tiranë një firme daneze, pasi projekti i saj nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe se në mënyrën se si është hartuar del mbi ligjin.
Në datën 1 prill të këtij viti, Ministria e Energjetikës i kishte kërkuar asaj të Drejtësisë të shprehej në lidhje me një projektvendim për të zhvilluar një tender ku do t’i jepej me koncesion një firme daneze ndriçimi publik i Tiranës dhe Durrësit. Por ministri i Drejtësisë, duke i kthyer përgjigje e konsideron të paligjshëm zhvillimin e tij.
Sipas ministrit, është një cënim i autonomisë vendore në një kohë kur qeveria hyn në çështjet e administrimit të një shërbimi që i takon bashkive. Përveç tejkalimit të kompetencave, ai vë në dyshim projektin, duke u shprehur se është e paqartë zanafilla e propozimeve të kompanisë daneze “HeSaLajt”A/S, që ka kryer një studim për sistemin e ndriçimit në Bashkinë Tiranë dhe Durrës.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë nuk duhet të jetë autoritet kontraktor për të ndërmarrë procedurat për dhënie koncesioni ndriçimin publik në territoret e bashkive, pasi ajo është autoritet politikëbërës dhe standardizues, nuk është një autoritet zbatues.
Ministria e Energjisë nuk është pronar i çdo çelësi dritash, thuhet në letër. Ndriçimi publik në rrugët kombëtare është përgjegjësi e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa rrugët vendore i përkasin bashkive. Duke e sqaruar teknikisht, ministri i Drejtësisë shprehet se projekti propozon hapësirë për përplasje të kompetencave ndërinstitucionale dhe përplasje të kompetencave me pushtetin vendor.

A do t’i hapë Rama kutitë e manipulimit?

Deputetët socialistë Ben Blushi e Mimoza Hafizi kanë kërkuar hapjen e kutive të votimit të referendumit për kryetarin e PS-së, i cili u zhvillua më 9 prill. Deputetët, që para referendumit u bënë thirrje socialistëve të bojkotonin votimin, kërkojnë rinumërimin e votave dhe rishikimin e procesverbaleve e listave të votuesve, duke pretenduar se ka patur  manipulime, parregullsi e shkelje gjatë votimit e numërimit.
Pas referendumit, në media u publikuan disa video e foto që tregonin parregullsi gjatë procesit të votimit. Ndër të tjera, filmimet dhe imazhet e publikuara shfaqën persona që votonin dy herë, qendra që nuk garantonin fshehtësinë e votës, kuti votimi pa vula sigurie, votim në grup dhe deklarim publik i votës.
Në lidhje me këto parregullsi, deputeti Pandeli Majko deklararoi se:
“Ne kemi lejuar të votojnë edhe njerëz që nuk ishin në listat e organizatave apo dhe kur ishin me teserat me lulëkuqe [teserat e vjetra], e kemi bërë me një ndjenjë vetëdije, dashamirësie, që referendumi është i hapur. Si frymë, rezultati i referendumit është i padiskutueshëm. Proçes pa probleme vështirë se gjen në Shqipëri. Por për mua ishte një proçes demokratik. Ne mbetemi ndër partitë që e ushtrojnë këtë ushtrim demokratik”.
Kauza e hapjes së kutive të votimit ishte një nga kauzat kryesore të Partisë Socialiste në opozitë në periudhën 2009-2010. Pas zgjedhjeve të 2009-ës, kryetari Edi Rama zhvilloi një fushatë protestash e grevash, në gjithë Shqipërinë, nën moton “Hap kutitë ose largohu!” Zoti Rama kundërshtonte rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme që nxorën PS-në humbëse dhe i kërkonte kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha të bënte transparencën e zgjedhjeve si një e drejtë dhe kusht themelor i demokracisë.
Në mënyrë ironike, tashmë është Kryeministri Rama që po akuzohet për manipulim të votimit dhe gjendet nën presionin për të bërë transparencë.
Motoja është e njëjtë: Hap kutitë ose turpërohu! Edhe qasja është e njëjtë: Ben Blushi do të udhëtojë në gjithë Shqipërinë për t’i treguar socialistëve se Rilindja e Edi Ramës duhet rrëzuar dhe se Rilindja nuk është Partia Socialiste.
Më tepër se sa një fushatë për hapje kutish, kërkesa e deputetit Blushi ngjan si një provë për demokracinë dhe transparencën e brendshme të PS-së: PS ngriti Shqipërinë në këmbë për hapjen e kutive dhe vuri në provë qeverinë, tani duhet të vërë veten nën të njëjtën provë.