30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Marseja pezullon trajnerin Michel

Klubi i Marsejës pezullon trajnerin Michel, duke i besuar drejtimin e skuadrës asistentit Franc Passi për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Në të vërtetë ish-tekniku Michel ka qenë nën presion të vazhdueshëm për pjesën më të madhe të kohës, kur kishte drejtimin e skuadrës dhe duket se kupa u mbush pikërisht pas humbjes 2-1 ndaj Monakos ditën e dielë. Kjo disfatë bëri që Marseja të numërojë vetëm një fitore në 12 ndeshjet e fundit të të gjitha kompeticioneve, balanc që e klasifikon këtë skuadër me vetëm 6 pikë, shumë pranë zonës së rrezikshme së rënies nga kategoria. Kjo bën që e ardhmja e teknikut Michel të duket konfuze.
Në një komunikatë për shtyp klubi deklaroi:
“Duke  iu referuar mbarëvajtjes së ekipit nën drejtmin e Michel sidomos gjatë tre javëve të fundit, bordi drejtues vendosi pezullimin e menjëhershëm të trajnerit, pasi e thërriti në një seancë paraprake dëgjimi. Drejtuesit e ekipit morën vendimin që deri në fund të këtij sezoni, asistenti Franck Passi të drejtojë skuadrën, duke pasur si ndihmës Basile Boli”.
Tifozët  e Marsejës protestuan në stadiumin “Velodromë” pas barazimit 0-0 ndaj Bordeaux në 10 prill, ndërkohë që Margarita Louis Dreyfus që ka në zotërim këtë klub e ka nxjerrë atë në shitje. Ndeshja e parë e Passit në rolin e trajnerit do të jetë për gjysmë finalen e Kupës së Francës ndaj Sochaux që do të zhvillohet këtë të mërkurë.

Lorik Cana var këpucët pas Europianit

Që Lorik Cana do të tërhiqet nga kombëtarja në përfundim të Euro 2016, ky nuk është një lajm i ri për tifozët kuqezi, por nga Franca janë të bindur se kapiteni i Shqipërisë, do të varë këpucët në gozhdë për t’i dhënë fund një karriere të gjatë dhe të suksesshme, edhe pse ka kontratë me Nantën deri në verë të 2017-ës.
Zbehet gjithnjë e më shumë hipoteza që 32-vjeçari të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në një kampionat aziatik, sikurse është folur edhe gjatë verës së kaluar, para se të firmoste me Nanten. Cana, sikurse raportojnë mediat franceze, është i bindur se po vjen momenti për t’u tërhequr përfundimisht nga futbolli i luajtur dhe mënyra më e mirë për ta bërë është duke veshur për herë të fundit fanellën kuqezi, me të cilën ka luajtur më shumë ndeshje se çdo futbollist tjetër i kombëtares shqiptare. Gjatë këtij sezoni, Cana është aktivizuar në 21 ndeshje me Nanten dhe vetëm në një rast si zëvendësues.

Barça del nga kriza

Barcelona po përjeton një prej momenteve më të vështira të mundshme. Vetëm pak javë më parë, askush nuk mund ta imagjinonte që katalanët do të ishin në krizë totale. Rezultatet negative të ndeshjeve të fundit kanë bërë që blaugranat të eliminohen nga Champions ku cilësoheshin favoritë dhe të vënë në diskutim titullin në Spanjë, që pak javë më parë dukej thuajse i sigurt. Barça ka shansin të rikthehet te suksesi, prej ndeshjes me Deportivo La Coruna-n dhe trajneri Luis Enrique paralajmëron të tijtë. “Nuk kemi kujtime të mira nga dy përballjet e fundit me Deportivon. Flasim për një skuadër që ka arritur të barazojë dy herë në “Camp Nou”. Ata kanë kualitetin që të na vendosin në vështirësi”, u shpreh Enrike.
Drejtuesi i stolit katalan shpreson te reagimi i skuadrës së tij. “Të gjithë i kemi përjetuar situata të ngjashme me këtë, duhet të jemi në gjendje që t’i kalojmë vështirësitë nëpërmjet ideve tona të futbollit. Jemi mësuar të luajmë nën presion, ajo që duhet të bëjmë është të përqendrohemi më pak te kundërshtarët dhe të shënojmë më tepër. Sjellja e lojtarëve të mi më bën optimist”, tha ai.
Kriza e Barcelonës duket e lidhur me gjendjen fizike të futbollistëve, ndërsa Luis Enrique i tregon lojtarëve të tij rrugën për të hedhur pas shpine momentin negativ.
“Duhet të gjejmë zgjidhje për atë që po na ndodh, edhe pse nuk ekziston vetëm një shkak. Jemi në vështirësi dhe për të dalë nga kjo situatë, duhet të bëjmë atë që kemi bërë më parë, pra të jemi superiorë përballë kundërshtarëve. Objektivat tanë nuk kanë ndryshuar. Nëse do t’i fitojmë të gjithë ndeshjet, në fund do të jemi ne ata që festojnë”, përfundoi trajneri i Barcelonës.
Ndërkohë, mbrojtësi i skuadrës së Borussia Dortmund, Mats Hummels vazhdon të mbetet në axhendën e Barcelonës. Lajmi konfirmohet nga gazeta gjermane “Bild” ku sipas saj drejtori i përgjithshëm i blaugranave për merkaton jashtë Spanjës, Ariedo Braida, ka nisur punën që të vendosë në dispozicion të trajnerit Luis Enrique për sezonin e ardhshëm 27-vjeçarin. Hummels ka një kontratë me verdhezinjtë që përfundon në qershor të 2017 dhe nga ana tjetër duket se dhe dëshira e vet lojtarit është të ndryshojë skuadër. 32 milionë euro është shuma që duhet të paguajë Barcelona nëse dëshiron të bëjë të mundur transferimin në “Camp Nou”  të shtatlartit të kombëtares gjermane.
Për Mats Hummels janë në garë dhe dy skuadra nga Premier League,  Man.United  dhe Arsenal. Drejtuesit e Barcelonës duket se për sezonin e ardhshëm kanë ndërmend një ristrukturim të skuadrës, ku sigurisht mbrojtja mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm ku rinovimi me elementë cilësorë është mëse i nevojshëm. Gjatë verës nga blaugranat pritet të largohen Bartra dhe belgu Vermalen, të cilët nuk kanë arritur të bindin trajnerin Luis Enrique me paraqitjet e tyre. Ndërkohë që Pique dhe Mascherano me shumë gjasa do  të qëndrojnë.

Ronaldo dhe Mourinho drejt PSG

Eliminimi në fazën çerekfinale të Champions League për të 4-in sezon radhazi, por edhe lamtumira e sigurtë e suedezit Zlatan Ibrahimoviç në fund të sezonit, ka bërë që Paris Saint Germain të hidhet në sulm në kërkim të tjerë yjeve, por edhe të një trajneri fitues. Mediat franceze raportojnë lajmin e bujshëm se në ditët e fundit ka patur një takim sekret mes presidentit të klubit parizien, Naser Al Khelaiffi me dyshen portugeze Ronaldo-Mourinho. Numri 1 i kampionëve të Francës kërkon dy emra të mëdhenj një për sulmin dhe një tjetër për stolin, pasi vetëm kështu mund të tentojë të fitojë edhe në Europë. Në këtë kontekst, Cristiano dhe Jose janë personazhet e duhur për të përforcuar akoma edhe më shumë Parisin. Vinë nga France Football detajet e takimit sekret mes Ronaldos dhe presidentit Al-Khelaiffi.
Sipas revistës franceze CR7-ta ka udhëtuar drejt kryeqytetit francez me avionin e tij privat menjëherë pas tregolëshit që shënoi ndaj Wolfsburgut në Champions, duke u takuar kështu për herë të 5-të me Al Khelaifin. Bisedimet janë në një fazë të avancuar dhe nëse 31-vjeçari vendos të largohet nga Reali me siguri do të transferohet në Paris. Por te kampionët e Francës, ylli portugez mund të rigjejë në stol një njohje të vjetër si Jose Mourinho, i cili nuk ka firmosur ende me Manchester United dhe ashtu si Ronaldo mund të zgjedhë Parisin si destinacionin e tij të ardhshëm.
Drejtuesit e klubit nga Parc des Princes nuk janë të lumtur me trajnerin francez, Laurent Blanc, i cili ka dështuar në Ligën e Kampionëve. Për këtë, drejtuesit e klubit nga Parisi kanë nisur bisedime me Mourinhon, të cilin e shohin si trajneri ideal për të triumfuar edhe në Champions, pas trofeve të fituar në Francës.

Vidal apel Bayernit të firmosë me Sanchez

Mesfushori i Bayern Munich, Arturo Vidal kërkon që drejtuesit e klubit bavarez të transferojnë në “Allianz Arena” sulmuesin e Arsenalit, Alexis Sanchez. Lojtarët njihen prej kohësh me njëri-tjetrin, pasi janë dy nga futbollistët më të rëndësishëm të Kilit dhe, nisur nga kjo Vidal kërkon që të ketë sërish mundësinë të luaj përkah Sanchez.
“Unë dhe Alexis kemi luajtuar futboll me njëri-tjetrin që nga koha kur ishim pjesë e Kombëtares Kiliane për 20-vjeçarët. Do të ishte një kënaqësi e madhe për mua nëse do të luanin sërish në të njëjtën skuadër edhe në nivel klubesh”, u shpreh Vidal.
Bayern Munich është drejt rrugës së titullit kampion në Gjermani dhe për mesfushorin Vidal, bavarezët janë kandidat potencial për të arritur këtë sezon triumfin e trefishtë. “Skuadra është duke fituar dhe duket se gjithçka po shkon mirë për në. Titulli kampion në Gjermani është prioriteti ynë dhe jam i sigurt që do tja dalim. Unë së bashku me pjesën tjetër të skuadrës kemi si objektiv sezonal fitoren e të tre kompeticioneve që janë në lojë”, tha ai.

Sondazhi, Atletico fiton La Ligan

Për lexuesit e gazetës spanjolle “AS”, La Ligan e fiton Atletico e Madridit. Barazimi ndaj Villarealit dhe tre humbjet rresht që pësoi Barcelona, ndaj Realit të Madridit, Real Sociedadit dhe Valencias kanë rihapur papritur luftën për titull në Primera Division dhe madje tashmë janë të shumtë ata që besojnë se skuadra e Luis Enriques do ta humbasë kampionatin. Barcelona edhe pse numëron të njëjtën sasi pikësh me Los Colchoneros, 76 për momentin kryeson La Ligan, pasi ka avantazhin e ndeshjeve direkte ndaj skuadrës së Simeones. Gjithsesi në një sondazh të zhvilluar nga e përditshmja madrilene “AS”, nga tre skuadrat që luftojnë për titull, Barca ka më pak shanse për ta fituar atë, të paktën kështu mendojnë shumica e personave që kanë marrë pjesë në votim.
38,5% e lexuesve të “AS” shikojnë Atleticon e El Cholos kampione të Spanjës për të dytën herë në 3 sezonet e fundit. Vetëm 1% më pak të votave ka grumbulluar Reali i Madridit në këtë sondazh, dhe si për rastësi 1 pikë është edhe diferenca që Los Blancos kanë në klasfikim ndaj Barcelonës dhe Los Colchoneros. Blaugranat nga ana tjetër pozicionohen në vendin e tretë, pasi vetëm 24% e atyre që kanë marrë pjesë në sondazh e shohin Barcelonën, si skuadrën kampione të La Ligas për të dytin sezon radhazi. Por pavarësisht mendimit të tifozëve e sigurtë është që deri në fund Primera Division pritet të dhurojë emocione të mëdha dhe shumë spektakël për të përcaktuar kampionen e saj për sezonin futbollistik 2015-2016.

Shqipëria, që ka ngecur!

Valbona MEZINI

Në fakt, unë nuk kam ndonjë meritë për këtë titull të gjetur përshtat situatës që vendi po kalon, por merita është e gjitha e (Bertelsmann Stiftung), indeksit gjerman te Transformimit.  Shqipëria, në Indeksin gjerman të Transformimit (Bertelsmann Stiftung) ka marrë një pikësim prej 6.7, duke shënuar kështu performancën më të ulët në rajon. Indeksi gjerman i Transformimit 2016, analizon dhe vlerëson cilësinë e demokracisë, ekonominë, menaxhimin politik në 129 ekonomi botërore. Ai priret të japi një panoramë të përgjithshme të situatës së një shteti të caktuar, si dhe raportin e konkurrueshmërisë më të tjerët.
Pse vendi ynë gjithmonë e më shumë po ngec në të gjitha indekset globale? Përgjigjen më mirë mund ta japë Zoti Kryeministër, i cili mund të ketë informacion të bollshëm se pse nuk po rritet ekonomia, pse nuk rriten pagat dhe pensionet dhe pse klima e tërheqjes së investitorëve është një ajër asfiksues që po vdes edhe ekonomitë e vogla.  Shqipëria sot, në të gjitha indekset globale i ngjan një lokomotive treni të vjetëruar, amortizuar dhe ndryshkur, pa vagona, e braktisur nga trendi lëvizjeve të ekonomive globale, larg zhurmës së mirëqenies sociale, diku larg syve të inovacionit dhe sipërmarrësve, në periferi të “qytetit të madh global”, në stacionin e mbyllur hekurudhor, ku askujt nuk i bie mendja se ku bie.
Shqipëria është e fundit në rajonin e Ballkanit për nga transformimi ekonomik dhe Rajonin e kryeson Mali i Zi me pikësim 7.48, ndjekur nga Serbia 7.43 dhe Maqedonia 6.86.
Vendi ynë ka pak avancime për zhvillimin, uljen e pabarazisë dhe papunësisë.  Sipas këtij indeksi, shkalla e papunësisë është rritur në vitet e fundit, duke arritur mbi 17%, ndërsa 14% e popullsisë jetojnë në prag të varfërisë.  Gjithashtu, ekziston një hendek i madh në dallimet gjinore kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në punë, përfaqësimi publik, edukimi dhe prona.
Indeksi gjerman thotë se, pjesa e papunësisë së të rinjve është mbi 30%, dy herë më shumë se mesatarja europiane.
Pse vendi ynë sot ka ngecur në të gjitha indekset globale? Menaxhimi i kalimit paqësor të pushteteve nga autoritare të demokracisë drejt një sistemi tregu-ekonomik konkurues, paraqet një sfidë të madhe.  Nëse është fjala për rikrijimin e koherencës së shtetit, qoftë pas një konflikti të armatosur, zgjerimin e të drejtave të pjesëmarrjes dhe sundimin e ligjit në demokracitë e reja, tejkalimin e strukturave të korruptuara, luftimin e varfërisë dhe pabarazisë, ose vendosjen e rregullave të qarta për konkurrencë të qëndrueshme në treg-ekonomikë, kërkesat janë të mëdha, dhe presioni ndaj udhëheqësve përgjegjës është intensiv.
Pas të gjithave, cilësia e menaxhimit politik, jep një kontribut thelbësor në suksesin apo dështimin e proceseve të transformimit.
Në vendin tonë procesi i transformimit ka ngecur sipas indeksit gjerman. Shqipëria ka ngecur, dhe si e tillë nuk përbën interes më as nga forca aktuale qeverisëse, që të synojë drejt menaxhimit cilësor politik.
Transformimi Bertelsmann Stiftung Indeksi (BTI) shprehet se vendos aftësitë drejtuese politike të vendimmarrësit në qendër të analizës së saj dhe si rrjedhojë, është i vetmi indeks në botë që krahason kualitetin e qeverisjes.
Ndaj renditja e Shqipërisë në fund të vendeve të rajonit është sërisht një kambanë për elektoratin shqiptar se proceset transformuese të vendit kanë ngecur, të cilat domosdoshmërisht do të ishin guri i themelit për hartimin e suksesshëm të reformave për një vend si Shqipëria, ku burimet e energjisë, ato ujore dhe nëntokësore do të bënin që vendi të pësonte transformim unik.
Shqipëria ka ngecur jo vetëm në indeksin gjerman të Transformimit, ajo ka ngecur në indeksin global të Doing Bisnes që zbriti nga vendi i 62 në vitin 2014, në vendin e 97 në 2016, ka ngecur edhe në atë të tërheqjes së investimeve të huaja direkte.
• Rënia e konkurueshmërisë Competitiveness Index: 3.93 p. -> 3.83 p.
• Prodhimit Industrial Bruto (real change %) 28.3; 1.6; -5.0%
• Densiteti i Sipërmarrjes: 4.6 biznese për 1000 banorë (2.5 herë më pak se rajoni).
Shqipëria ka ngecur në fakt dhe këtë nuk e them unë, por indeksi global i rritjes ekonomike ku vendi njeh rënie të GDP-së reale në normën 2.15%. Gjithashtu, norma e papunësisë sipas Eurostatit, është më e larta në rajonin e Ballkanit 17.7%, veçanërisht të rinjtë, të cilët janë azilkërkuesit më të mëdhenj në numër në Gjermani. Nga anën tjetër, Pikiata e Normës së Inflacionit është 0.3% si asnjëherë më parë. Ndërsa vendi përjeton buzëgreminën e recensionit ekonomik, nuk mjafton as dekadenca e Kostos së Parasë në 1.55%.  Edhe pse Banka e Shqipërisë uli normën e parasë në minimum historik që të kreditohet biznesi, jo vetëm që nuk po jep efekt në rritjen e kreditimit, por sërisht numri i çregjistrimeve mbetet i lartë, mbi 2000 aplikime për t’u çregjistruar në muaj.  Këto të dhëna nga indekset globale ofrojnë mundësinë për të kuptuar prirjet afatgjata për vendin.  Në qendër të vëmendjes duhet të jenë procese të ndryshme transformuese dhe të vihet në perspektivë, progresi dhe rishikohet ngecja e kohëve të fundit në rrugën drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Kontrata sekrete, si po trukohet tenderi 8.8 milionë euro i dixhitalizimit

Radio Televizioni Shqiptar po përpiqet që të gjejë artificat ligjore për të lidhur një shtesë kontrate për mirëmbajtje në vlerën e 8.8 milionë eurove me kompaninë “Rohde-Shvarz”. Kjo e fundit ka fituar në vitin 2015 kontratën prej 21.5 milionë eurosh për ndërtimin e dy rrjeteve dixhitale të RTSH-së; kontratën e firmosi ministrja Milena Harito si autoritet kontraktor. Por RTSH-ja pretendon se kjo kontratë nuk mbulon dhe nuk garanton mirëmbajtjen e disa dhjetëra pikave të përforcimit dhe transmetimit.

Kontrata e lidhur ndërmjet RTSH-së dhe firmës “Rohde-Shwarz”

“HashtagAL” ka siguruar kontratën konfidenciale të lidhur me “Rohde-Shwarz”, ndërsa në këtë kontratë shprehet qartësisht se kjo kompani ka për detyrë të përfundojë të plotë ndërtimin e sistemit të rrjetit dixhital; ta dorëzojë “me çelësa në dorë” dhe dy vite pasi e ka dorëzuar të bëjë dhe mirëmbajtjen. Pra, për të paktën 2 vite pas ndërtimit të këtij rrjeti përgjegjësia e mirëmbajtjes është e vetë kompanisë “Rohde-Shwarz”. Atëherë pse RTSH-ja kërkon një kontratë shtesë prej 8.8 milionë eurosh për 4 vite për mirëmbajtje? Janë 2.2 milionë euro në vit që do të shpenzohen për mirëmbajtje; ndërsa RTSH-ja parashikon të marrë kredi në banka për ta siguruar shumën. RTSH-ja e argumenton këtë nevojë me faktin se “kontrata e lidhur me ‘Rohde-Shwarz’ nuk ka limite dhe afate për ekzekutimin e saj”. Kjo është e vërtetë; Shqipëria nuk e kapi dot në kohë afatin e vendosur nga BE-ja për ngritjen e rrjetit dixhital ndaj dhe aktualisht nuk ka ndonjë afat të dytë të përcaktuar. Efekti ka ardhur nga një mangësi e kontratës së lidhur nga Harito; por nga ana tjetër, palët po i hapin rrugë një procesi për sigurimin e 8.8 milionë eurove për mirëmbajtjen 4-vjeçare duke shtuar barrën financiare; për më tepër në kushtet kur mirëmbajtja ishte detyrim i “Rohde-Shwarz”. Drejtori i RTSH-së, Martin Leka po përdor artifica ligjore për t’i hapur rrugë tenderit të mirëmbajtjes; ndërsa ministrja Milena Harito në dukje i ka kundërshtuar këto përpjekje gjatë letërkëmbimeve zyrtare; por nuk e ka bllokuar procesin dhe “de facto” tenderi shtesë prej 8.8 milionë eurosh është shumë pranë finalizimit. Opozita ka akuzuar ministren Harito se po favorizon kompaninë “IDEA-Tel”, e cila dyshohet se do të nënkontraktohet për të relizuar mirëmbajtjen; ndërsa e gjithë nisma për tenderin e mirëmbajtjes është e mbështetur nga Kryeministri Rama.

Kontrata

Më 15 nëntor 2015, e përditshmja “Shqiptarja.com” ka zbardhur kontratën e plotë, gati për t’u firmosur midis drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Martin Leka dhe administratorit të “IDEA-Tel”, Idlir Karkini. Kjo vjen në një çast kur nga ana e kompanisë gjermane “Rohde & Schwarz”, fituese e tenderit shumë të përfolur prej 21.5 milionë eurosh (pa TVSH) për kalimin në sistemin dixhital të transmetimit, nuk ka nisur ende asnjë punë. Në këtë mënyrë, kontrata e mirëmbajtjes prej 8.8 milionë eurosh në favor të “IDEA-Tel” (që rezulton si përfaqësuesi në Shqipëri i firmës gjermane “Rohde & Schwarz”), është përgatitur përpara se të nisë puna për dixhitalizimin e sistemit të transmetimit. Duket se administrata aktuale e RTSH, po nxitonte të nënshkruajë kontratën 8.8 milionëshe për të bërë të mundur zyrtarizimin e saj përpara zgjedhjes së drejtorit të ri të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar. Nënshkrimi i kësaj kontrate do ta vinte kreun e ri të TVSH, përpara faktit të kryer, ashtu siç ka ndodhur dhe me kontrata të tjera problematike, siç është ajo e “Rapiscan”, ajo për markimin e karburanteve e “Eurocontrol”, e kolaudimit të mjeteve nga “SGS” apo koncesioni monopol i Aereoportit “Nënë Tereza”.
Vetë RTSH, në kontratën mes Ministrisë së Inovacionit dhe “Rohde & Schwarz” për dixhitalizimin e RTSH është përfitues i kontratës dhe jo autoritet kontraktues. Sipas të përditshmes “Shqiptarja.com”, nëse do të merrte përsipër këtë rol, RTSH do të ishte e detyruar të përzgjidhte me tender të hapur ofruesin e këtij shërbimi dhe jo me përzgjedhje të drejtpërdrejtë. Ndërkohë që në kontratën mes Ministrisë së Inovacionit dhe “Rohde & Schwarz”, vihet re se kjo e fundit e ka detyrim kontraktual (pra të përcaktuar si detyrim brenda vlera 21.5 milionë euro) trajnimin e stafit inxhiniero-teknik të RTSH-së për mirëmbajtjen e sistemit të transmetimit dixhital.
Një element tjetër që e bën më të çuditshme këtë kontratë, ka të bëjë me faktin që RTSH ka një strukturë të posaçme të specializuar për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit, e njohur si Drejtoria e Stacioneve. Pa përmendur, që “Rohde & Schwarz” ofron garanci dyvjeçare për pajisjet nga momenti i instalimit. Të gjithë këto elemente e bëjnë krejt të pamotivuar, kontraktimin e një kompanie të tretë për mirëmbajtjen e sistemit të transmetimit, që mund të garantohet pa kosto shtesë nga personeli teknik i RTSH (i trajnuar nga firma gjermane) dhe me pjesë këmbimi të furnizuar prapë nga firma gjermane pa asnjë kosto ekstra brenda kushteve të garancisë. Ndërkohë që në kontratën me “IDEA-Tel”, RTSH jo vetëm merr përsipër t’i paguajë “IDEA-Tel” 8.8 milionë euro në katër vitet pas dixhitalizimit, por zotohet t’i sigurojë kompanisë edhe ambientet ku do të realizohet shërbimi.

Rriten me 70 për qind çmimet e biletave të avionëve drejt Italisë

Çmimet e biletave të avionëve nga AlItalia drejt Italisë kanë shënuar një rritje të ndjeshme prej 60-70% ditët e fundit. Një biletë vajtje ardhje për Romë, në gusht, që vitin e kaluar e gjeje me 160 euro, nëse e prenoton sot për gushtin 2016 nuk e gjen dot më lirë se 230 euro. Agjencitë shpjegojnë çfarë ka ndodhur. Reagimi i AlItalia…
Nëse do të presësh një biletë tani për të udhëtuar në verë në Romë, apo Milano është vështirë që të gjesh një biletë nën 200 euro (vajtje ardhje), ndërsa drejt Barit e gjen me 180 euro.
Çmimet e biletave të avionëve nga AlItalia drejt Italisë kanë shënuar një rritje të ndjeshme prej 60-70% ditët e fundit. Një biletë vajtje ardhje për Romë, në gusht, që vitin e kaluar e gjeje me 160 euro, nëse e prenoton sot për gushtin 2016 nuk e gjen dot më lirë se 230 euro.
Mesatarisht, sipas të dhënave nga agjencitë e udhëtimit, nga 120-160 euro që ishin çmimet e biletave më parë, për destinacionet e Italisë, tani ato janë mesatarisht 200-240 euro. Këto çmime i gjeni nëse prenoton tani për pas tre apo katër muajsh. Nëse në korrik do të blesh një biletë për në gusht, çmimi do i kalojnë 300 euro.
Monitor bëri një test: prenotoi në internet në faqen e Alitalia një biletë vajtje- ardhje në datat 6-13 gusht. Çmimi minimal që mund të gjesh është 227.3 euro (për këtë vendet janë të limituara) dhe çmimi maksimal (në varësi të orareve të nisjes e kthimit) arrin deri në 366.7 euro (shiko fotot).
Një vit më parë, për të njëjtin prenotim në të njëjtën kohë, çmimi maksimal ishte 160 euro.
Edhe pa këtë rritje të fundit, çmimet e biletave të avionëve në vend ishin më të shtrenjtat në rajon.

Çfarë ka ndodhur

Drejtues të agjencive të udhëtimit në Tiranë kanë shpjeguar se që prej dy javësh, AlItalia la rivendosur kontrollin mbi sistemin e rezervimit. Teknikisht kjo nënkupton që agjencitë nuk kanë më mundësi të ndërhyjnë me klasin e udhëtimeve (më parë agjencitë ndërhynin në sistem duke shitur një pjesë të madhe të biletave me klasin më të lirë). Me lëvizjen e fundit, tashmë në klasin më të lirë mund të gjesh vetëm një numër të kufizuar biletash dhe pas shitjes së tyre, çmimet I rikthehen tarifave standarde.
Burime nga AlItalia, të kontaktuara nga Monitor thanë se AlItalia nuk i ka ndryshuar çmimet, por kanë qenë agjencitë ato që kanë tentuar deri tani të ndërveprojnë me çmimet e AlItalia.
AlItalia rezulton, sipas agjencive, të ketë shkurtuar dhe disa destinacione, si ka hequr rrugën e Pizza, ndërsa ka një fluturim më pak drejt Milanos.

Çmimet i rrit dhe Blue Panorama

Edhe operatori tjetër që ofron fluturime me kosto të ulët drejt Italisë, Blue Panorama ka rritur çmimet me rreth 20-30%, duke iu afruar 200 eurove, apo dhe ka hequr bagazhet, duke i tarifuar veçmas ato, sipas informacioneve nga agjencitë.

Rezervoni sa më shpejt

Agjencitë e udhëtimit rekomandojnë që për të kapur çmime sa më të lira, indivdët apo bizneset duhet të nxitojnë të bëjnë rezervimet sa më shpejt.

Italia, 60% e fluturimeve

Italia është destinacioni më i frekuentuar nga shqiptarët. Sipas të dhënave nga Tirana Intrnational Airport (TIA), fluturimet drejt Italisë zënë 60% të totalit. AlItalia dhe low cots i saj Air One kanë rreth 38% të tregut, ndërsa Blue Panorama ka rreth 20%.

Shqiptarët, të parët në listat e azilkërkuesve në Hollandë

Shtetasit shqiptarë vazhdojnë të jenë të parët në listën e kërkesave për azil në Holandë, pavarësisht apelit të vazhdueshëm të partive politike, për të mos zbarkuar në këtë vend. Sipas shifrave të fundit zyrtare, të publikuara nga ministria për drejtësi dhe siguri, në shtatë ditët e fundit, nga 300 azilkërkues që mbërritën në Golandë, 50 janë shtetas shqiptare. Edhe muajin e kaluar, shtetasit shqiptarë, përbënin grupin më të madh të azilkërkuesve të ardhur në Holandë. 225 shqiptarë që parashtruan kërkesën për azil vetëm gjatë muajit mars, shifra këto, që befasuan edhe qeverinë holandeze, pas inicimit të masave shtrënguese, që tentonin të ulnin fluksin. Në janar një delegacion holandez vizitoi Tiranën për të arritur një marreveshje me qeverinë Shqiptare për deportime të pershpejtuara nga Holanda. Por deri sot, asnjë deportim nuk është realizuar.
E shqetësuar nga ky trend, qeveria holandeze ka ndërmarrë masa për ta kufizuar valën. Që nga vera 2015, numri i aplikimeve për azil nga Shqipëria është rritur dhe arriti 1010 në fund të vitit. Deri më 2014 vetëm disa dhjetëra shqiptarë kërkonin azil në Holandë çdo vit.
Ky trend i rritjes vazhdoi në dy muajt e parë të 2016, kur 480 shqiptarë kërkuan azil. Sipas zyrtarëve holandezë, numri u shtua në mars, megjithëse shifrat ekzakte të shqiptarëve, sirianëve dhe aplikantëve të tyre mbeten ende për t’u zbuluar. Ministria tha se shqiptarët tani renditen të parët për nga kërkesat për azil. Numrat e atyre që kanë marrë përgjigje pozitive për kërkesat mbeten të ulëta. Më 2015, vetëm katër shqiptarë fituan leje të përkohshme banimi, ndërsa 795 aplikantë u refuzuan.
Megjithëse numrat e aplikantëve shqiptarë për azil në Holandë mbeten më të ulët se në Gjermaninë fqinje, ku rreth 55,000 shqiptarë kërkuan azil vitin e shkuar, qeveria holandeze është shqetësuar nga fluksi.
Ajo ka miratuar mjete të reja në përpjekje për të kontrolluar dhe ulur numrin e azilkërkuesve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pjesë e kësaj përpjekjeje, zyrtarë të qeverisë holandeze vizituan Tiranën në janar për të rënë dakord me qeverinë shqiptare për mënyra të reja të rikthimit të azilkërkuesve të refuzuar. Pas vendimit të BE-së për heqjen e vizave me Shqipërinë më 2010, shqiptarët mund të udhëtojnë në vendet Shengen pa viza. Megjithatë, kur një shtetas shqiptar aplikon për azil, ai ose ajo automatikisht shkel rregullat e regjimit pa viza. Kjo është arsyeja përse vendet e BE-së mund të ndalojnë hyrjen e shtetasve shqiptarë për shtatë vite në BE nëse nuk duan të kthehen në shtëpi.
Gjatë bisedimeve në Tiranë, dy qeveritë ranë dakord se qeveria holandeze mund të përdorë fluturime çarter për të sjellë në shtëpi azilkërkuesit e refuzuar. Kështu, Holanda nuk varet më nga fluturimet e programuara dhe mund t’i kthejë më shpejt shqiptarët. Megjithatë, pavarësisht hapave për të kthyer në shtëpi me shpejtësi aplikantët e refuzuar, numri i shqiptarëve që aplikojnë për azil në Holandë po rritet. Sipas Ministrisë holandeze të Sigurisë dhe Drejtësisë, deri më 14 mars 2016, 1074 shqiptarë u akomoduan në qendra të azilit në Holandë.
Kur “BIRN” i pyeti ata përse u larguan nga Shqipëria për në Holandë, shumica thanë prej mungesës së punës dhe situatës së vështirë ekonomike. Emiljano, 37-vjeçar, që jetonte në Oss, tha se u largua prej situatës ekonomike dhe problemeve personale në Shqipëri. Ai i tha “BIRN” se ishte hedhur nga njëri vend europian në tjetrin duke kërkuar azil, nga frika e sigurisë personale në shtëpi. Kastrioti, 58-vjeçar, i tha “BIRN” se u largua nga Shqipëria prej mungesës së kujdesit shëndetësor dhe trajtimeve mjekësore. Me diabet, ai ka mundur të marrë ndihmë mjekësore falas në Holandë, ndërsa pret një përgjigje për kërkesën për azil. Ai u largua fillimisht për në Gjermani për të kërkuar azil atje, por vazhdoi në Holandë ndërsa familja e tij qëndroi në Gjermani. Siç shkroi edhe “BIRN” në nëntor, nën të ashtuquajturat rregulla të Dublinit, vendi ku bëhet kërkesa fillestare për azil është përgjegjës për t’u marrë me atë kërkesë.
Në teori, vetëm vendi i parë ku aplikohet për azil mund të shqyrtojë një çështje. Një kërkesë në një vend të dytë do të mohohet dhe do të kthehet në vendin e parë të aplikimit. Pavarësisht kësaj, shqiptarët përdorin procedurat e ngadalta dhe burokratike të azilit për të qëndruar për një periudhë më të gjatë në Holandë. Megjithëse shqiptarëve u mungojnë arsyet për të marrë azil në Holandë, disa ankohen rreth kushteve në kampet e azilit në Holandë. Emiljano tha se ai kishte zgjedhur Holandën sepse vendi “përqafon të drejtat e njeriut dhe i ka promovuar këto vlera”. Por ai tha ishte zhgënjyer nga kushtet ku jetojnë azilkërkuesit në Holandë. Duke theksuar gjendjen e keqe të ushqimit që ai tha se ia jepnin në kamp, Emiljano shtoi se ndonjëherë ka vjedhur për të ngrënë atë që preferonte.