Milani i rikthehet rezultateve pozitive në Serinë A, ndërsa Kristian Broki debuton me fitore te kuqezinjtë. Ekipi i Milanit fitoi me rezultatin minimal 0-1 ndaj Sampdorias në transfertë, por tri pikët e marra duket se rikthejnë besimin e ekipit për të qenë prezent në kupat e Europës. Goli i vetëm i këtij takimi u shënua nga Baka në minutën e 71′ të pjesës së dytë. Aktualisht, Milani ndodhet në vendin e 6 me 52 pikë, 7 pikë më larg Fiorentinës së vendit të pestë.
Benatia: Po vuaj shumë nga dëmtimet
Mbrojtësi i skuadrës së Bayern Munich, Mehdi Benatia ka folur në lidhje me gjendjen e tij fizike dhe dëmtimet e shpeshta që po kalon. 29-vjeçari shprehet se ndihet i trishtuar për atë që i ka ndodhur dhe nuk e shpjegon dot shkakun e dëmtimeve të shpeshta:
“Kam kaluar 2 vite shumë të vështira këtu në Gjermani. Uroj që situatën time të mos e përjetoj asnjë futbollist. Është e trishtë kur mendon se, trajneri ka besim tek ti por, për shkak të dëmtimeve nuk je i gatshëm. Kjo nuk është diçka e lehtë për mua. Nuk e shpjegoj dot shkakun e dëmtimeve të shpeshta”, u shpreh Benatia.
Më tej, Benatia hodhi poshtë zërat e largimit nga Bayern Muncih sezonin e ardhshëm. “Çdo javë gazetat sajojnë një histori të re mbi të ardhmen time. Më bezdis ky fakt. Unë kam një kontratë trevjeçare me Bayern. Nëse klubi vendos të më largojë, unë do ta pranoj vendimin e tyre, nëse duan që unë të qëndroj për mua do të ishte një kënaqësi”, tha ai.
Bajerni fiton titullin javën tjetër
Bajerni i Mynihut kryeson me 78 pikë Bundesligën në javën e 30-të. Diferenca me vendin e dytë është 7 pikë. Por, a ka mundësi që bavarezët të fitojnë titullin e 4-t radhazi dhe të 26-in në histori që javën e ardhshme në Berlin ndaj Hertës? Kjo është e mundur vetëm në këtë mënyrë: Nëse Bajerni fiton ndaj Hertës dhe Dortmundi humb në Shtutgart, atëherë diferenca mes kryesuesve dhe vendin e dytë shkon në 10 pikë. Çka i jep matematikisht titullin Bajernit, pasi mbeten vetëm tri javë, pra 9 pikë për t’u dhënë.
Pas suksesit në Lisbonë, rekordmenët gjermanë janë rikthyer në shtëpi, ku kanë shkatërruar 3-0 Shalken dhe prekin titullin e katërt radhazi. Dopieta e Levandovskit dhe goli i Vidalit në pjesën e dytë mjaftuan për të marrë trepikëshin e radhës. Diferenca me Dortmundin shkon në 10 pikë, kur kanë mbetur edhe 4 javë. Pep Guardiola ndryshon me 6 pozicione formacionin në krahasim me ndeshjen ndaj Benfikës: Lewandowski, Koman, Gëce, Rafinja, Bernat dhe Benatia ishin në formacion. Sistemi i ndjekur ishte 4-2-3-1 me Lahmin dhe Vidalin në mesfushën defensive. Kurse trajneri i Shalkes, Braitenraiter, integron sistem mbrojtës 5-4-1.
Konsumi negativ, për të parën herë në 6 vitet e fundit
Ankesat e shumta të biznesit se ka një rënie të dukshme të shitjeve, teksa konsumatorët sa vijnë e po e shtrëngojnë dorën, tashmë janë të konfirmuara dhe zyrtarisht. Sipas të dhënave të INSTAT, konsumi i popullatës ka shënuar një rënie me gati 0.2% në vitin 2015, duke kaluar në territor negativ për herë të parë që nga viti 2010, kur dhe raportohet kjo e dhënë.
Një vit më parë, në 2014-ën, konsumi ishte rritur me rreth 2.7%, ndërsa më dobët ishte në 2012-ën, me një rritje minimale prej 0.13% (shiko grafikun Konsumi Final i Popullatës).
Në një ekonomi, 50% e prodhimit të brendshëm bruto të së cilës vjen nga tregtia e shërbimet, konsumi është një element mjaft i rëndësishëm, që ndikon në rritjen e vendit.
Rritja e papunësisë për dy tremujorë radhazi (nga 17.3% në tremujorin e dytë 2015, në 17.5% dhe 17.7% përkatësisht në të tretin dhe të katërtin, sipas INSTAT), ngadalësimi i rritjes së pagave apo dhe rënia reale e tyre si dhe largimi masiv i njërëzve nga vendi (kërkesat për azil në shtetet e BE-së u rritën 439% në 2015-ën), të kombinuara këto me pasigurinë për të ardhmen, vlerësohen si faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë tendencë negative.
Sipas të dhënave tremujore, konsumi ishte në territor negativ në dy tremujorët e parë të vitit, përkatësisht -1.1% dhe -3%, për t’iu kthyer rritjes pozitive në gjysmën e dytë të vitit, përkatësisht me 1.74% dhe 2.42%. Teksa kjo periudhë përkon me fillimin e luftës ndaj informalitetit dhe rritjen e deklarimit të xhiros nga bizneset (kryesisht ato tregtuese të vogla) është e vështirë të bëhet ndarja nëse ky zgjerim konsumi ka qenë real apo fiktiv.
Ndërsa konsumi gjithsej (përfshirë dhe administratën publike) shënoi një rënie prej 0.5% në 2015-ën, teksa dhe administrata publike e kishte këtë tregues negativ, për herë të parë që nga viti 2010 (shiko grafikun Ecuria e konsumit gjithsej).
Rënia e konsumit jep alarmin për deflacionin
Në shkurt dhe mars të këtij viti inflacioni arriti pranë zeroz, përkatësisht me 0.2 dhe 0.3% (ndryshimi vjetor), duke ngjallur debatet nëse kjo tendencë reflekton një rënie të konsumit apo është për shkak të faktorëve të tjerë, si ulja e çmimeve të naftës, mbiprodhimi vendas, apo inflacioni i ulët i importuar. Gjithsesi, në një ekonomi, ku prodhimi mungon dhe që është tepër e varur nga konsumi, rënia e këtij të fundit është një sinjal negativ.
Paraja që qarkullon në ekonomi ka shënuar rritjen më të ulët të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë, një tregues direkt ky i ngadalësimit të ekonomisë dhe që është reflektuar dhe në rritjen e dobët të çmimeve, duke ngjallur frikën për deflacion. Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, agregati M3 (paraja në qarkullim përfshirë depozitat) u rrit me 22.7 miliardë lekë në vitin 2015, nga 46 miliardë lekë vitin e mëparshëm dhe më i ulëti historik që kur raportohen të dhënat (shiko grafikun). Një nivel i përafërt zgjerimi i këtij treguesi i përket vitit 2013, kur ekonomia shënoi rritjen më të ulët pas viteve 2000, me 1.1%.
Teoritë ekonomike sugjerojnë se, një rritje e fortë në paranë gjithsej në mënyrë tipike ul normat e interesit, që nga ana e vet gjeneron më shumë investime dhe vë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur shpenzimet. Bizneset reagojnë, duke porositur më shumë lëndë të para dhe duke rritur prodhimin. Rritja e aktivitetit të biznesit shton kërkesën për punë. E kundërta mund të ndodhë në rast se, oferta e parasë bie ose rritja e saj ngadalësohet. Fatkeqësisht kjo e fundit duket se po ndodh dhe në Shqipëri, siç e tregojnë qartë shifrat e Bankës së Shqipërisë.
Tregues të tjerë kishin sinjalizuar se, ekonomia është ngadalësuar dhe investimet kanë ngecur. Me bazë vjetore huaja për ekonominë ka rënë me 2.4% në 2015-ën. Kjo është rënia më e lartë historike e stokut të kredisë, që nga viti 1998, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat. Edhe rritja e kredisë neto (përjashtuar huatë e fshira) ishte negative prej -1.4% në 2015-ën, sipas të dhënave nga aktivet e sistemit bankar. Rënia e kreditimit të ekonomisë është një tregues direkt i mungesës së investimeve në vend. Edhe eksportet, një burim i rëndësishëm i hyrjes së valutës në vend, në 2015-ën ranë me gati 5%.
Indeksi i Transformimit, Shqipëria e fundit në rajon
Shqipëria është një ndër pesë vendet europiane që po përparon më pak drejt vlerave të demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Korrupsioni, klientelizmi, presioni politik dhe pandëshkueshmëria janë pengesat kryesore të zhvillimit të vendit. Këto janë përfundimet Fondacionit Bertelsmann.
Fondacioni gjerman publikoi dje raportin e Indeksit të Transformimit 2016, i cili ka marrë në shqyrtim të dhënat ekonomike, politike e sociale të 129 vendeve, për periudhën janar 2013-janar 2015.
Shqipëria është vlerësuar më 6,71 pikë-në një sistem vlerësimi nga 1 në 10, ku 1 tregon nivelin më të ulët të transformimit dhe 10 nivelin më të lartë. Në Europë, ajo ka lënë pas vetëm Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën.
Konkluzionet kryesore të raportit për Shqipërinë janë:
• Korrupsioni, nepotizmi dhe emërimet politike janë problemet kryesore të vendit. Ato kanë krijuar institucione të dobëta shtetërore dhe një shoqëri të varur nga punësimi në shtet.
• Vendimmarrja politike kontrollohet nga bizneset private, shumë herë biznese të paligjshme. Ky kontroll çon në shpërndarjen klienteliste të fondeve publike.
• Deri më tani, të gjitha partitë në pushtet e kanë parë shtetin si një pronë të tyren për përfitime ekonomike dhe për ta ndarë me ndjekësit e tyre.
• Klasa politike e sheh politikën si një lojë, ku “njëri fiton gjithçka, e tjetri humbet gjithçka”, ndaj qeverisja bëhet me moton “kush ka pushtetin, merr të gjithë përfitimet”.
• Presioni dhe ndërhyrja politike janë në thelb të sistemit të dobët e të korruptuar gjyqësor.
• Sistemi i drejtësisë ka dështuar në dënimin e politikanëve të nivelit të lartë, veçanërisht në aferat korruptive. Një prej rasteve është çështja ende e pazgjidhur e 21 Janarit.
• Zyrtarët e lartë që thyejnë ligjin rrallë hetohen dhe pothuajse asnjëherë nuk ndiqen penalisht. Investigimi i politikanëve mbetet ende një tabu.
• Reformimi i plotë i një sistemi që është i mbushur me emërime politike dhe me njerëz me imunitet është proçes shumë i vështirë, në mos i pamundur.
• Media është përgjithësisht e financuar nga biznesmenët ose nga partitë politike.
• Shumë raste të aferave korruptive kanë nisur nga denoncimet në media, por ndëryhyrja politike nuk ka lejuar vazhdimet e çështjeve.
• Papunësia është rritur vitet e fundit, duke arritur në rreth 17 për qind, ndërsa 75 për qind e të papunëve janë të papunë afatgjatë (persona që kanë më shumë se një vit të papunë). Papunësia tek të rinjtë është 30 për qind, dy herë më e lartë se mesatarja europiane.
• 14 për qind të shqiptarëve jeton në kufi të varfërisë.
• Problemi i kthimit dhe kompensimit të pronave mbetet një pengesë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
• Korrupsioni, interesat politike, institucionet e dobëta dhe burimet e kufizuara ndikojnë negativisht në respektimin e të drejtës së pronës.
• Arsimi, që prej dy dekadash, po degradon si pasojë e financimeve të munguara, emërimeve politike e mungesës së meritokracisë.
A ia vlen të investosh në Ballkan?
Investimi në tregjet e maturuara, të tilla si vendet europiane, është bërë më i vështirë për shkak të shumë ndryshimeve strukturore. Rastësisht, vende të tilla si Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria dhe Sllovenia, kanë hapur dyert e tyre për bizneset e ndryshme të huaja.
Ballkani është shumë tërheqës për investitorët për shumë arsye. Njëra është situata politike dhe ekonomike që vlerësohet nga komuniteti botëror si mjaft e qëndrueshme. Gjithashtu, le të mos harrojmë për nivelin e përgjithshëm të çmimeve, i cili është ndër më të ulëtit në Europë. Përveç kësaj, Ballkani ka zhvilluar mirë infrastrukturën bankare, duke rezultuar që fitimet pas-tatimit të transferohen lehtë jashtë.
Për shembull, Bullgaria garanton një zbatim të qetë dhe mbrojtjen e investimeve, pa asnjë ndërhyrje nga shteti; Autoritetet malazeze, nga ana e tyre, janë duke përgatitur një draft të ashtuquajtur shtetësia ekonomike për investitorët potencialë, të gatshëm për të investuar në ekonominë e vendit.
Por, pavarësisht historisë së përbashkët politike dhe disa ngjashmërive kulturore dhe gjuhësore, secili prej shteteve të Ballkanit ka një karakter të veçantë, njohuri të cilat mund të jenë të dobishme për një investitor të huaj. Ku duhet të investojnë saktësisht?
Serbia
Mjedisi i biznesit: Pozicioni i Serbisë në rajon, kur është fjala për përfitime për tërheqjen e kapitalit të huaj, është përcaktuar nga disa faktorë, kryesisht pozicioni i saj qendror gjeografik. Shteti ka theksuar vazhdimisht nevojën për nxitjen e vazhdueshme të investimeve në sektorët me avantazhe krahasuese, dmth energjia, bujqësia dhe teknologjia e informacionit.
Në këtë drejtim, stimujt ekzistues financiarë dhe ulja e taksave për investime të reja, në mënyrë të veçantë për kompanitë e mëdha dhe projektet, janë me vlerë të rëndësishme. Vlen të përmendet, megjithatë, se sistemet ekonomike dhe ato bankare janë ende mjaft larg nga të qenët të përsosura dhe shanset e metodave joekonomike të ndikimit mbi investitorët (veçanërisht të zbatueshme për bizneset e vogla dhe të mesme) janë ende të larta.
Shembull: Toennies Holding ka qenë një nga investitorët më të mëdhenj në Serbi deri tani. Grupi i ushqimeve ndërkombëtare operon në të gjitha tregjet e rëndësishme të botës. Një prej markave të kompanisë, Tillman’s, është lider i tregut gjerman në shitjet e gatshme, mish i freskët i parapaketuar dhe gjithashtu ofron një gamë të plotë të produkteve me leverdi, të tilla si proshutë e zier, produktet e mishit të derrit dhe një përzgjedhje të salçiçeve. Investitori do të zhvillojë një total prej 20 biznesesh në mbarështimin dhe rritjen e derrave në Serbi. I tërë projekti është me vlerë 400 milionë euro.
Tennis Clemens, pronar dhe drejtor i Toennies Holding, thekson se, me anë të këtij investimi, fermerët serbë do të jenë në gjendje të paraqesin produktet e tyre në tregjet ndërkombëtare, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e bujqësisë në Serbi. “Këto investime do të ndihmojnë për të rritur burimet për bagëti, prodhimin e mishit, eksportet e produkteve të mishit, si dhe rritjen e punësimit në anën tjetër”, ka thënë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Bullgaria
Mjedisi i biznesit: Vendi e ka më të zhvilluar infrastrukturën turistike në krahasim me shtetet e tjera sllave në Ballkan. Formimi i klimës pozitive të biznesit në Bullgari filloi në vitin 2000, si pasojë e futjes së vendit në NATO, gjë që inkurajoi flukset e investimeve. Hyrja në Bashkimin Europian pastroi situatën dhe nxiti investitorët e huaj edhe më shumë (edhe pse në atë moment, çmimet u ngritën dhe inflacioni tejkaloi pragun e projektuar). Këtu duhet pasur parasysh se norma e kreditit të Bullgarisë është rritur, gjë që ka kuptim. Përveç kësaj, pas anëtarësimit në BE, Bullgaria hapi futjen në tregjet europiane të vendeve të tjera të Ballkanit. Monedha e tanishme bullgare, leva, ka qenë në fakt e lidhur me euron që në 1999. Megjithatë, vendi është i vendosur në favor të adoptimit të euros, edhe nëse ajo do të shtyhet deri pasi kriza e Eurozonës të jetë stabilizuar, thotë Simeon Djankov, ekonomist dhe ish-ministër i Financave të Bullgarisë.
Shembulli: Grupi francez François-Charles Oberthur (FCO Group), një nga prodhuesit kryesorë të printerave privatë të sigurisë në botë, është një nga investitorët më të dukshëm në ekonominë bullgare. Filiali i tij, Oberthur Fiduciaire, është i specializuar në projektimin dhe prodhimin e kartëmonedhave. Kompania, e cila ka kohë që është njohur nga bankat qendrore dhe qeveritë e 70 vendeve, kohët e fundit nënshkroi një marrëveshje me Bankën Kombëtare Bullgare për prodhimin e kartëmonedhave, nëpërmjet krijimit të një sipërmarrjeje të përbashkët.
Në këtë drejtim, investimet e përbashkëta në pajisje janë të nevojshme – 10 milionë USD investime në pajisje nga ana bullgare dhe pjesa e mbetur, 22 milionë USD nga francezët. Transaksioni është pjesë e strategjisë së rritjes të Oberthur Fiduciaire në tregjet në zhvillim, siç shpjegon shefi ekzekutiv i saj, Thomas Savare: “Ne jemi tani duke u adresuar në treg nga dy fabrikat tona në Francë dhe Bullgari. Ne kemi standarde të sakta, të njëjta në aspektin e cilësisë, sigurisë, ekspertizës dhe aftësive nga këto dy fabrika. Klientët, të cilët zgjedhin Oberthur Fiduciaire si një nga furnizuesit, e dinë se do të kenë ekzaktësisht cilësi të njëjtë, nëse kartëmonedhat do të shtypeshin në Francë apo në Bullgari”.
Sllovenia
Mjedisi i biznesit: Shumë investitorë janë tërhequr nga pozita strategjike e Sllovenisë në zemër të Europës, infrastruktura e saj e shkëlqyer e transportit, si dhe nga teknologjia e informacionit dhe komunikimit në mjedis dhe grupimeve të saj industriale. Punëtorët e kualifikuar janë të disponueshëm në shumë lloje industrish, duke e bërë Slloveninë tërheqëse për investime. Avantazh tjetër është një legjislacion i zhvilluar biznesi, masa për të nxitur investimet, norma e tatimit 17% mbi të ardhurat dhe kredititë e taksave të investimeve. Është e rëndësishme të theksohet se partnerët më të mëdhenj të Sllovenisë janë ekonomitë më të pasura europiane si Gjermania, Austria dhe Italia. Mungesa e kërkesës së brendshme dhe borxhi i përgjithshëm i jashtëm mund të vërehen si të meta të tij.
Shembulli: Një punëdhënës i madh dhe investitor në rajon është Hofer (zinxhiri i supermarketeve Aldi në Austri dhe Slloveni, në pronësi të korporatës gjermane Hofer), themeluar në vitin 2004. Kompania ka ndërtuar një zinxhir të supermarketeve në Slloveni dhe u bë një punëdhënës i madh në rajon dhe investitor në Slloveni, duke zgjeruar vazhdimisht rrjetin e shitjeve, përmirësimin e konkurrencës dhe rritjen e numrit të furnizuesve sllovenë në gamën e produkteve. Hofer tani ka 74 outlet-e në Slloveni me pothuajse 1,200 punëtorë dhe ka regjistruar një fitim neto prej 16 milionë eurosh vitin e kaluar.
Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia: Bizneset në rrezik?
Në korrik të vitit 2013, Kroacia u bashkua me BE-në, gjë e cila ka lejuar që vendi të ecë përpara në integrimin e përbashkët me tregjet kryesore europiane. Vendi ka zhvilluar një sektor industrial; pesha e tij në PBB është 33%, edhe më e lartë se mesatarja e BE. Eksporti është i efektshëm, kryesisht në vendet e zhvilluara perëndimore. Mali i Zi dhe Maqedonia janë në fazën e planifikimit të anëtarësimit në BE. Megjithatë, pavarësisht afërsisë (dhe, në rastin e Kroacisë, anëtarësimit) në Bashkimin Europian, investitorët e ardhshëm duhet të mendojnë dy herë para se të investojnë paratë këtu. Rritja e PBB-së në ekonomi nuk premton, dhe kthimi nga investimi është ende shumë i vogël për të vënë kapitalin në rrezik.
Deri më tani, pasuritë të patundshme dhe ndërtimi kanë qenë sektori kryesor i investimeve. Pronat në zonat turistike janë duke shijuar kërkesa të larta, shumica e tyre vjen nga Rusia. Kjo i atribuohet një pranie të rëndësishme të kompanive ruse dhe bashkëpunimi të ngushtë ekonomik mes Rusisë dhe tre vendeve të lartpërmendura. Investitorët europianë janë bërë më të kujdesshëm. Me siguri, kjo është e lidhur me rrezikun më të madh për kthim të ulët të investimeve, jo të krahasueshme me ROI në vendet e zhvilluara.
Rritja e nivelit të varfërisë, shqiptarëve nuk u dalin rrogat, prekin overdraftet

Kredia e re për individët në formën “overdraft” u zgjerua me 2.3 miliardë lekë gjatë 2015, duke kontribuar me 74% në zgjerimin e kredisë së re për individët, referoi Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015. Kryesisht overdraft-e, përgjithësisht me dy paga, kanë të punësuarit në administratën shtetërore, ose në privat dhe ata mund ta aksesojnë automatikisht këtë formë kredie nga banka, në momentin që u kanë mbaruar paratë e rrogës.
Banka ka pohuar se për individët, kredia e re u zgjerua me 14.9% ose 3.1 miliardë lekë, e mbështetur kryesisht nga zgjerimi i kredisë “Overdraft”, pesha e së cilës u ngjit në 20% të fluksit të kredisë së re, nga 12% që shënonte në gjashtëmujorin e parë të vitit.
Megjithatë peshën kryesore në kredinë e re dhënë individëve vijon ta zërë ajo “për pasuri të paluajtshme”, ndonëse ajo është tkurrur në krahasim me dy periudhat paraardhëse. Kredia në këtë formë zë 36% të kredisë së re dhënë individëve dhe ka rënë rreth 1.8% gjatë periudhës.
Rritja e barrës së taksave dhe rënia e fondit të pagave në ekonomi duket se, ka vështirësuar përballimin e shpenzimeve mujore vetëm nga pagat. Të dhënat tregojnë se ka një tendencë në rritje të përdorimit të overdraft të individëve.
Ndërsa në anketimin që banka ka bërë në më shumë se 1200 familje për gjendjen e borxhit të tyre ka gjetur se 39% e familjeve e kanë siguruar huanë përmes “burimeve formale” (banka dhe institucione jobanka) dhe në 61% të rasteve nga “burime joformale” (persona fizikë brenda/jashtë vendit dhe hua nga dyqanet), kryesisht në cash.
Gjithsesi, struktura e shpërndarjes së tepricës së huasë orientohet nga “burimet formale” me 71% të tepricës, dhe më pak nga “burimet joformale” me 25% të tepricës. Tre qëllimet kryesore të huamarrjes rezultojnë për “blerje/ riparim prone” (24% e rasteve), “konsum” (39% e rasteve) dhe “zhvillim biznesi” (15% e rasteve).
Kjo shpërndarje vijon të zhvendoset në favor të huamarrjes për konsum. Nga ana tjetër, shpërndarja e tepricës së huasë sipas qëllimit të përdorimit paraqitet ndryshe, ku rreth 40% e kësaj teprice deklarohet për “blerjen/riparimin e një prone”, 38% për “zhvillimin e një biznesi” dhe vetëm 8% për qëllime konsumi.
Bilancet jo pozitive të sektorit bankar
Fitimi i sistemit bankar ka shënuar një rënie të ndjeshme në dy muajt e parë të këtij viti. Sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, për periudhën janar-shkurt 2016, ai ka zbritur në 2.2 miliardë lekë , nga 5.4 miliardë lekë që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie prej rreth 60%. Gjatë vitit 2015, statistikat e Shoqatës së Bankave dhe ato të Bankës së Shqipërisë treguan një panoramë të kundër të fitimeve të sistemit bankar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan një rritje të ndjeshme të fitimeve të sistemit bankar në vitin 2015, me 40% në 15.7 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë i raporton të dhënat sipas standardeve lokale GAAP. Ndërsa të dhënat e Shoqatës së Bankave, të raportuara sipas standardeve ndërkombëtare IFRS, tregojnë një rënie të ndjeshme të fitimeve, nga 12.2 miliardë lekë në 2014-n, në 4.9 miliardë lekë në 2015-n (ky i fundit është dhe standardi sipas të cilit bankat raportojnë dhe te tatimet, e paguajnë taksat). Diferencat shpjegohen me mënyrën si bëhen provigjionimet e kredive me probleme sipas secilit standard. Për bankierët, sfida më e madhe mbetet se si do të veprojnë ata në mjedisin me interesa të ulëta. Në 9 muajt e parë të vitit të kaluar, pjesa më e madhe e fondeve të lira të bankave u investuan në institucione të tjera financiare jashtë vendit, ndërsa kredia për ekonominië (ku bankat mund të fitojnë më shumë), mbeti e vakët për shkak të riskut të lartë. Por, me vendosjen e parave jashtë që filloi të jepte interesa negative, në tremujorin e fundit 2015, bankat i depozituan paratë në Bankën Qendrore. Pas vërshimit të parave të lira në tremujorin e katërt tek Banka Qendrore, kjo e fundit vendosi të mbyllë edhe këtë rubinet të të ardhurave, duke e bërë normën negative të euros në -0.55%, si një mjet “presioni” që bankat të përqendrohen në kreditimin e ekonomisë. Në kahun tjetër, edhe kërkesa e qeverisë për bono (një tjetër mjet investimi i parave të lira të bankave) është e ulët, pas emetimit të eurobondit të ri në nëntor 2015. Të gjendur përballë kësaj situate dhe sinjaleve për një vazhdim të politikës lehtësuese monetare, bankierët kanë pohuar për “Monitor” se kjo nuk do t’i nxisë të japin kredi, për sa kohë që mjedisi mbështetës nuk do jetë pozitiv.
Autokratët e rinj të Ballkanit
Në një vështrim të parë, sidomos krahasuar me pjesë të tjera të botës, Ballkani duket se është në gjendje të mirë.
Vitet e fundit, në mënyrë të veçantë, duket se kanë qenë të mira për ambiciet e rajonit për t’u integruar me Perëndimin. Në vitin 2013, Kroacia ju bashkua Bashkimit Europian, pas nëntë vjet si vend kandidat. Një vit më parë, Serbia u bë vend kandidat për anëtarësim në union. Në vitin 2014, Shqipëria ju bashkua radhëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë, të cilat janë vende kandidate prej disa vjetësh. Edhe Kosova, pavarësia e së cilës ende nuk njihet nga pesë anëtarë të BE-së, nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, duke hapur rrugën për anëtarësim të mundshëm në të ardhmen.
Ndërkohë, dhjetorin e kaluar, NATO i ofroi një ftesë zyrtare për anëtarësim Malit të Zi; një muaj më vonë, pa shumë bujë, qeveria serbe nënshkroi një plan të Partneritetit Individual të Veprimit me NATO-n, i cili thellon bashkëpunimin mes ushtrisë serbe dhe aleancës ushtarake perëndimore dhe i granton trupave të NATO-s imunitetin dhe lirinë e lëvizjes në tërë territorin e Serbisë. Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s që nga viti 2009, ndërkohë që kandidatura e Maqedonisë për anëtarësim është penguar nga mosmarrëveshja e saj me Greqinë.
Qëllimi i lëvizjeve të fundit diplomatike nga ana e Perëndimit ka qenë kundërvënia ndaj ndikimit rus në rajon dhe mbështetja e konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në këto vende. Përpjekjet e Perëndimit duket se po japin frytet e tyre.
Por një vështrim nga afër i këtyre sukseseve të supozura tregon se frutat mund të jenë të kalbura. Një brez i ri autokratësh ka filluar të kontrollojë rajonin, ndonjëherë me bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të politikëbërësve tejet të zellshëm amerikanë dhe të zyrtarëve të shpërqendruar të BE-së. Tashmë është e qartë se “perëndimizimi” në dukje i rajonit është bërë me një kosto të madhe.
Politikëbërësit e SHBA-ve dhe BE-së kanë qenë të gatshëm të bëjnë një sy qorr ndaj korrupsionit, i cili ka pllakosur qeveritë e rajonit, dhe të nënvlerësojnë apo injorojnë ngjitjen e ngadaltë të sunduesve autokratë. Këta autokratë veprojnë me strategji të ndryshme dhe më të sofistikuara se autokratët e viteve 1990-të: në politikën e tyre të jashtme, ata përqafojnë me entuziazëm BE-në. Me përjashtim të Serbisë, ata shprehin të njëjtin entuziazëm për NATO-n. Ata janë të stërvitur mirë për t’u thënë diplomatëve perëndimorë atë që këta të fundit duan të dëgjojnë, ndërkohë që në vendet e tyre gërryejnë haptazi parimet demokratike dhe sundimin e ligjit.
Në politikën e brendëshme, këta sundimtarë mbështeten në një formulë të provuar suksesi që i bën qytetarët e tyre të shtypur ekonomikisht-të cilët vuajnë nga papunësia e niveleve më të larta në Evropë-plotësisht të varur për punë dhe burime jetese nga rrjetet e patronazhit të kontrolluara nga shteti. Gjithashtu, këta sundimtarë i godasin kundërshtarët e tyre të brendshëm. duke krijuar aleanca me oligarkët lokale, shpesh të varur nga shteti për pasurinë e tyre dhe duke vënë nën kontroll mediat dhe gjyqësorin.
Le të shohim shembullin e Malit të Zi. Një vend i vogël me rreth 650 mijë banorë, Mali i Zi ka qenë për 25 vjet, në një mënyrë ose tjetër, nën sundimin e kryeministrit aktual Milo Gjukanoviç dhe Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të kontrolluar prej tij. Në fund të viteve 1990-të, Gjukanoviç u prish me krahun pro-serb të partisë së tij dhe e çoi Malin e Zi drejt pavarësisë nga Serbia në vitin 2006. Qysh atëherë, Gjukanoviç e ka kthyer Malin e Zi de fakto në protektoratin privat të familjes së tij. Në vitin 2007, prokurorët italianë e akuzuan zyrtarisht Gjukanoviçin për drejtimin, gjatë viteve 1990-të, të një skemë kontrabande cigaresh dhe pastrimi parash-akuza, të cilat Gjukanoviç i ka mohuar me forcë, në mënyrë të përsëritur. Ndërkohë, duke u mbështetur në imunitetin e tij diplomatik, ai ka shmangur bashkëpunimin me Prokurorinë. Në vitin 2009, një raport nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë zbuloi se, Gjukanoviç kishe në pronësi asete me vlerë gati 15 milionë dollarë, një pasuri jo e vogël për dikë që në të ardhurat e tij raporton një pagë mujore prej 1 500 euro. Vëllai i Gjukanoviçit, Alekandër “Ako” Gjukanoviç, është një nga njerëzit më të pasur të Malit të Zi. Pasi filloi aktivitetin si organizator koncertesh në vitet 1990-të, ai është tani ndërmjet shumë bizneseve ku është përfshirë aksioneri kryesor i Bankës së Parë, e cila u privatizua në vitin 2006, përmes një proçesi që shumë besuan se ishte i manipuluar. Privatizimi u krye përmes një tenderi të hapur, ku u paraqit vetëm një ofertë, nga një kompani në pronësi të vëllait të Kryeministrit. Më pas, Banka arriti të bëhej më e madhja në Malin të Zi, ndërsa qeveria u bë klienti i saj më i madh.
Në Maqedoni, qeverisja prej një dekade nga partia e qendrës së djathtë VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit është shoqëruar jo vetëm nga korrupsioni i shfrenuar, por edhe nga një minim tërësor dhe i hapur i demokracisë. Vitin e kaluar në vend shpërtheu një skandal përgjimi, i cili përfshinte Gruevskin, duke zbuluar përdorimin e gjerë nga ana e qeverisë të shërbimit të fshehtë për të spiunuar opozitën dhe bashkëpunëtorët politikë të Gruevskit. Deri në vitin 2014, BE-ja kishte identifikuar pak probleme serioze me korrupsionin në nivelet e larta në Maqedoni, por pas skandalit, një hetim i Komisionit Evropian konstatoi se, qeveria është angazhuar sistematikisht në “ndërhyrje në çështjet gjyqësore, kufizim të lirisë së medias, parregullsi zgjedhore, unifikimin e shtetit dhe partisë, si dhe mungesën e mbikëqyrjes mbi aktivitetet e institucioneve të sigurisë”. Kriza që pasoi skandalin, përfshi bojkotimin e Parlamentit nga opozita, përfundoi me ndihmën e një ndërmjetësi të BE-së, i cili negocioi dorëheqjen e Gruevskit dhe caktimin e një afati kohor për zgjedhjet e parakohshme të këtij viti. Megjithatë, tërheqja e Gruevskit nga qeveria duket e përkohshme. Ai është aktiv në fushatë dhe shfaqet pothuajse përditë në media, ndërsa sondazhet tregojnë se VMRO-DPMNE mbetet partia më popullore e Maqedonisë dhe është pranë kthimit në pushtet. Këtë javë, aleati i Gruevskit, presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, befas urdhëroi ndalimin e hetimit penal mbi skandalin e përgjimeve. Ky veprim, praktikisht e çliroi Gruevskin nga përballja e mundshme me akuzat penale për veprimet e tij.
Nga Kroacia në Shqipëri, rajoni ka shumë histori të zymta të autokratëve që fshihen nën petkun e demokratëve. Megjithatë, vlerësimi më i madh për transformimin më dramatik politik-nga aleati i një krimineli lufte në të preferuarin e Perëndimit-padyshim i takon kryeministrit aktual serb Aleksandër Vuçiç.
Vuçiç është kthyer shpejt në të preferuarin e Perëndimit për gatishmërinë e tij për të mbajtur larg vendit ndikimit rus. Vuçiç ka arritur të realizojë këtë qëllim të vështirë, pavarësisht rezistencës së partnerit të tij qeverisës dhe ish-kujdestarit të tij politik, Presidentit Tomisllav Nikoliç. Të dy, Vuçiç dhe Nikoliç, e kaluan fundin e viteve 1990-të si aleatë të ish-diktatorit Sllobodan Millosheviç, por që atëherë kanë bërë një rrugë të gjatë për të rimodeluar imazhin e tyre nga nacionalistë radikalë në reformatorë. Vitin e kaluar, Vuçiç ishte një ndër udhëheqësit e pakët ballkanik që u prit në Shtëpinë e Bardhë, ku u takua nga Zv. Presidenti Joe Biden dhe këshilltarja e Sigurisë Kombëtare Susan Rice. Në një lëvizje që duhet të ketë kënaqur mjaft zyrtarët amerikanë, Vuçiç kreu një manovër të madhe gjeopolitike, duke nënshkruar marrëveshjen e shumë-debatuar me NATO-n, duke goditur, praktikisht, atë që shumë e shihnin si përpjekje ruse për të fituar një pikëmbështetje ushtarake në Serbi. Jo çuditërisht, Moska reagoi me zemërim ndaj marrëveshjes së Beogradit me NATO-n, por deri më tani ka shmangur ndonjë hap hakmarrës.
Megjithatë, Vuçiç nuk e ka hedhur në koshin e plehrave numrin e telefonit e Kremlinit. Tetorin e kaluar, ai vizitoi Moskën, ku u takua me Presidentin Vladimir Putin për të nënshkruar një marrëveshje për blerjen e pajisjeve ushtarake ruse. Ndryshe nga Shqipëria dhe Mali i Zi, Vuçiç u ka rezistuar kërkesave që t’i përmbahet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, të vendosura pas krizës në Ukrainë. Ai dhe Nikoliç kanë bërë përpjekje personale për të qetësuar frikën ruse mbi marrëveshjen e Serbisë me NATO-n dhe kanë rikonfirmuar pozicionin zyrtar për neutralitet ushtarak.
Dhjetorin e kaluar, Vuçiç u lavdërua nga zyrtarët e BE-së për arrestimin e 80 ish-zyrtarëve, përfshirë ish-ministra, me akuza për korrupsion. Në mënyrë shumë të përshtatshme për Vuçiç, shumica e të arrestuarve ishin anëtarë të partive opozitare. Mediat e pavarura të Serbisë kanë vuajtur nën sundimin e tij: Human Rights Watch ka raportuar se numri i sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në Serbi ka qenë ndër më të lartët në rajon. Para pak kohe, një gazetar i televizionit shtetëror të Serbisë u shkarkua, pasi bëri disa “pyetje të papërshtatshme” ndaj Vuçiçity për rolin e tij në spastrimin etnik të viteve 1990-të. Ky nuk ishte momenti i duhur: këto ditë është shumë e rëndësishme për Vuçiç të valëvisë kredencialet e tij reformiste dhe pro-BE-së, pasi Serbia do të ketë zgjedhje këtë muaj, të cilat ai pritet të fitojë lehtësisht.
Vuçiç ka arritur, pjesërisht, të afrohet me Perëndimin nëpërmjet gatishmërisë së tij për të vazhduar negociatat me udhëheqësit e Kosovës, në përpjekje për të “normalizuar” marrëdhëniet me shtetin e sapolindur. Por ky “normalizim” nuk sjell njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, të cilën Vuçiç e refuzon kategorikisht dhe as shpërbërjen e institucioneve paralele të Beogradit në veri të Kosovës. Në fakt, nën presionin e BE-së dhe SHBA-ve, vitin e kaluar qeveria e Kosovës pranoi të njohë dhe të përfshijë disa prej këtyre institucioneve në strukturat shtetërore, një veprim që ngjalli reagim të ashpër politik.
Kosova, me moshë më pak se një dekadë, është vetë e ekspozuar ndaj tipareve të një autokracie që ka nisur të lulëzojë: Partia Demokratike e Kosovës, udhëhequr nga Hashim Thaçi, ish-kryeministër dhe i sapo zgjedhur President, nuk arriti të fitojë shumicën në zgjedhjet e vitit 2014 dhe e ka mbajtur pushtetin kryesisht, duke u mbështetur mbi kontrollin që ajo ka mbi Gjykatën Kushtetuese. Në përgjigje të protestave të opozitës kundër marrëveshjes me Beogradin, qeveria ka arrestuar dhjetëra deputetë të opozitës dhe liderin e partisë kryesore të opozitës, duke përdorur dhe njësitë antiterroriste të policisë për të bastisur selinë e partisë kryesore opozitare.
Për një sërë arsyesh, SHBA-të dhe BE-ja kanë treguar tolerancë të madhe ndaj abuzimeve të autokratëve të Ballkanit. Në kontekstin e krizës në Ukrainë, prioritetet e SHBA-ve janë zhvendosur drejt zgjerimit të NATO-s dhe parandalimit dhe zvogëlimit të ndikimit rus në rajon, veçanërisht në Serbi dhe Mal të Zi. Kjo i bën liderët si Gjukanoviç dhe Vuçiç interlokutorë shumë të vlefshëm. Disa vëzhgues besojnë se, mbështetja e SHBA-ve në njohjen e pretendimeve serbe në veri të Kosovës është pjesërisht rezultat i këtij peizazhi gjeopolitik dinamik, në të cilën SHBA-të janë të gatshme të paguajnë një çmim për të qetësuar Beogradin. Presioni diplomatik për njohjen ndërkombëtare të Kosovës ka rënë. Megjithëse njihet nga më shumë se 100 vende, Kosova mbetet përgjithësisht e përjashtuar nga organizatat ndërkombëtare. Vitin e kaluar, Kosova nisi një përpjekje të dështuar për t’u anëtarësuar në UNESCO.
Gjeopolitika ka rritur rëndësinë e sundimtarëve të Ballkanit në mënyra të tjera. Sot, aftësia e tyre për të pranuar menjëherë kërkesat e fuqive perëndimore është më e çmuar se suksesi në proçesin e gjatë dhe të ngadaltë të reformave demokratike dhe sistemit të drejtësisë. Kriza e refugjatëve e ka bërë Maqedoninë një shtet të rëndësishëm kufitar dhe BE-ja ka bërë një sy qorr për përdorimin e taktikave të dhunshme të saj për të parandaluar sirianët dhe refugjatët e tjerë nga Lindja e Mesme ta përdorin vendin si pikë tranziti për destinacione si Austria, Gjermania dhe Franca. Përpjekjet e Serbisë për të kontrolluar lëvizjen e refugjatëve janë duatrokitur po ashtu, sidomos duke pasur parasysh tensionet që çështja ka krijuar në Hungarinë fqinje. Për më tepër, kriza e brendshme përfshi edhe dilemën e eurozonës, mundësinë e daljes së Britanisë nga BE dhe kundërshtimet politike për pranimin e refugjatëve i kanë mbajtur zyrtarët e BE-së të shqetësuar për çështje të brendshme, duke e bërë zgjerimin e BE-së shqetësim dytësor.
Shqetësimet thelbësore për çështje të sigurisë dhe stabilitetit politik janë pjesërisht arsyeja për lirinë që u është dhënë autokratëve të rinj të Ballkanit. Të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e tyre për qëllimet strategjike dhe interesat gjeopolitike, përtej demokratizimit dhe shtetit të së drejtës, liderët lokalë kanë shfrytëzuar me mjeshtëri mbulesën politike dhe diplomatike të ofruar nga lidhjet e përforcuara me BE-në dhe SHBA-të për të sulmuar dhe minuar kundërshtarët e brendshëm. Këto lidhje, në veçanti kanë lejuar liderët si Gruevski, Thaçi, dhe Gjukanoviçi të pretendojnë se, ndryshe nga kundërshtarët e tyre, ata gëzojnë mbështetjen e fuqive të mëdha perëndimore. Dhe me një opozitë të brendshme të dobësuar, nuk ka pothuajse asnjë pengesë për ambiciet e tyre për pushtet të pakufizuar.
Ballkani mund të sigurojë një mburojë ndaj ndikimit rus në Evropë dhe të ndalojë lëvizjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme. Tolerimi i sjelljes autokratike dhe keqqeverisjes mund të duket një çmim që ja vlen të paguhet për hir të stabilitetit. Por kjo është një lojë e rrezikshme dhe e kushtueshme. Vitin e kaluar, në një vizitë në Kroaci, Ndihmës Sekretarja e Shtetit e SHBA-ve, Victoria Nuland, mbajti një fjalim për të paralajmëruar liderët e rajonit nga kërcënimet e “ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit, kriminalitetit, autokratëve të rëndomtë dhe oligarkëve, të cilët vijnë me dhurata, por që promovojnë interesat e tyre”. Deklarata u interpretua si një goditje ndaj Rusisë. Por politikëbërësit e SHBA-ve dhe BE-së duhet të pyesin veten nëse oligarkët, autokratët, dhe kleptokratët, që shfaqen si pro-perëndimorë, janë më mirë se Putini, apo të dobishëm për interesat afatgjata të Perëndimit në rajon. BE-ja duhet të vendosë, nëse do të kërkojë reforma dhe ndryshime kuptimplote politike apo do të lejojë autokratët e rinj të Ballkanit të hyjnë me hile në BE.
Foreign Policy
Titulli mes Barçës, Atleticos dhe Realit
Rivaliteti për trofenë e La Ligas ka arritur në pikën më të nxehtë pas humbjes 1-2 të Barcelonës në “Camp Nou” me Valencian. Deri në fund të kampionatit kanë mbetur në lojë edhe 15 pikë, pra secila nga tre skuadrat kryesuese, Barça, Atletico dhe Real, kanë edhe nga 5 ndeshje për të zhvilluar. Blaugranat dhe “Los Colchoneros” kanë nga 76 pikë, ndërsa “Los Blancos” një pikë më pak. Përsa u përket përballjeve direkte me rivalët, avantazhohet ekipi i Luis Enriques. Në fakt janë disa skuadra kundërshtare që mund ta anojnë peshoren në favor të Barcës, Atletico apo Realit në sfidat e mbetura të sezonit. Kalendari i rezervon Barcelonës përplasje me dy skuadra që luftojnë për mbijetesë, Granada dhe Sporting Gijon, ndërsa tre kundërshtarë të tjerë, Deportivo La Coruna, Real Betisi dhe Espanyoli, janë në një zonë të sigurtë në tabelën e klasifikimit dhe nuk luftojnë për asgjë.
Derbi me Espanyolin në javën e parafundit në fakt është përballja që mund të prodhojë tension për vetë rivalitetin që ekziston mes dy skuadrave të Katalunjës. Nga ana tjetër për Atleticon mbetet e një shkalle të lartë vështirësia transferta në “San Mames” me Bilbaon, sikurse përballjet me ekipet që luajnë të ardhmen në Primera Division, si Levante e Rayo Vallecano. Ndërkohë, Reali i Madridit duhet të kalojë fillimisht Villarrealin në “Santiago Bernabeu”, më pas do të luajë derbin me Rayon në Vallecanos. Në sfidat e fundit duhet të kalojë në trasfertë Sociedadin, Valencian në shtëpi për ta mbyllur me Deportivo La Corunan në Riazor.
Në Champions dhe në La Lga! Për Realin e Madridit një sezon që dukej i përfunduar është shndërruar menjëherë në një mundësi të artë për të fituar të dy trofetë. Suksesi 5-1 ndaj Getafes e mban në vallen për titullin skuadrën los blancos, duke qenë njëkohësisht dhe gjysmëfinaliste e UEFA Champions League. Dy tituj që duken plotësisht të mundur, aq sa dhe Zinedine Zidane nuk kërkon të zgjedhë mes të dyve, pasi për trajnerin francez gjithçka është e mundur.
“Për momentin nuk do të firmosja për asnjërin prej tyre. Ne duhet të japim maksimumin deri në përfundim të sezonit, pasi gjithçka është e mundur. Sigurisht që La Liga nuk është plotësisht në dorën tonë, por gjithsesi ne jemi në garë tashmë. Skuadra ka gjetur ritmin e duhur dhe këtë e treguam dhe me Getafen, ndaj së cilës fituam me mjaft lehtësi. Pas një ndeshjeje Championsi përgjithësisht skuadrat e humbin shkëlqimin, por ne treguam se kemi vazhdimësi”, u shpreh Zidane.
Barcelona në krizë
E pabesueshme. Barcelona në krizë të thellë. Valencia i jep shuplakën e tretë në 4 javët e fundit skuadrës katalanase me një fitore që nuk ndryshon asgjë për sezonin e kësaj skuadre, por zyrtarizon krizën e skuadrës katalanase që mbetet në vendin e parë vetëm për meritë të avantazhit të drejtpërdrejtë që ka në sfidat me Atleticon e Madridit. 11 pikët e hedhura në erë brenda 4 javëve për Barcelonën e Luis Enriques kanë rihapur çështjen titull kundër çdo parashikimi. 2-1 triumfoi Valencia në “Camp Nou”, ku tifozët ishin dëshmitarë të një tragjedie të vërtetë. Ndaj Valencias duhej të ishte ndeshja e shërimit të plagëve të marra në javët e fundit, por “blaugranat” u rrëzuan nokdaun, duke u barazuar jo vetëm me Atleticon e Madridit, por duke i dhënë një mundësi të artë edhe Realit të Madridit që tashmë është në ndjekje me vetëm një pikë më pak. Ishte Rakitic, ai që shënoi autogol në portën e tij në minutën e 26.
Ndërkohë, Santi Mina dha goditjen finale në fundin e pjesës së parë. Barcelona u rikthye në fushë me idetë të paqarta, ashtu si sulmet e pakordinuara për të gjetur rrjetën. Mesi krijoi iluzionin se ndeshja mund te merrte një tjetër drejtim, por goli i minutës së 63 ishte edhe i fundit për mbrëmjen e zezë katalanase, ku Suarez e Neymar shpërdoruan shumë, duke mos arritur të barazonin rezultatin. Një humbje që mund të rrëzojë gjithçka u ndërtua brenda një sezoni fantastik deri në El Clasicon e përpara pak javëve, Barcelona u jep një asist dy skuadrave të Madridit.
Në “Vincente Calderon”, Atletico Madrid bëri detyrën me një fitore shumë të rëndësishme 3-0 kundër Granadas. Skuadra e Diego Simeones dukshëm e karikuar pas kualifikimit në gjysmëfinalen e Champions League, nuk e reflektoi aspak lodhjen në fushën e lojës, duke e zgjidhur këtë ndeshje shumë lehtë. Kapiteni Koke zhbllokoi sfidën që në minutën e 15. Uragani bardhekuq nuk u ndal as në pjesën e dytë me golat e shënuar nga Fernando Torres dhe Angel Correa. 3 pikë të arta për Atleticon e Madridit që mund të synojë edhe titullin, pasi gara është rihapur dhe viti magjik 2014 mund të përsëritet për “Los Colchoneros”. Në përballjen tjetër të së dielës, Sevilla nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Deportivo La Corunas, duke iu larguar objektivit europian.