23.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Spalletti-Totti, përplasje e fortë pas sfidës me Atalantën

Bashkëjetesa mes Luciano Spallettit dhe Francesco Tottit te Roma, duket një mision i pamundur. Gjatë sezonit të ardhshëm do të ketë vend vetëm për njërin prej tyre: ose për trajnerin, ose për kapitenin, ikonën e skuadrës verdhekuqe. Në përfundim të transfertës me Atalantën, ku Roma mori një pikë falë golit të realizuar nga Francesco Totti pak para se të mbyllej koha e rregullt, ka patur një përplasje me Spallettit dhe kapitenit, i cili ka reaguar ashpër pas fjalëve të rënda që trajneri i ka drejtuar skuadrës. Mediat italiane zbulojnë se trajneri, i tërbuar nga fakti që skuadra e tij shpërdoroi një avantazh të dyfishtë të arritur që në pjesën e parë, u është drejtuar futbollistëve me fjalët: A nuk jeni lodhur duke bërë këtë figurë të shëmtuar. Keni 10 vjet që nuk fitoni asgjë. E menjëhershme ndërhyrja e Tottit, që ishte i ekzaltuar për golin e shënuar. Gjakrat janë nxehur në maksimin, por të paktën është shmangur përplasja fizike.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Spalletti minimizoi meritat e Tottit, duke u shprehur se humbjen nuk e shmangu ai, por e gjithë skuadra, sikur të mos ishte kapiteni njeriu që realizoi golin e barazimit, madje, duke i dhënë mundësinë Dzekos që të shënonte golin e fitores, por që nuk u shfrytëzua nga boshnjaku. Spalletti, pasi u rikthye në dhomat e zhveshjes, u përplas sërish me Tottin, i cili sapo ishte njoftuar për vlerësimet që trajnerit në konferencën për shtyp. Reagimi i 39-vjeçarit ishte edhe më i ashpër, duke i kërkuar Spallettit që të mos i drejtohet kurrë më me atë ton skuadrës.

Rashica krahasohet me Neymar

Driblime, shpejtësi në krah, asiste dhe gola. Të dhëna teknike të lakmueshme nga çdo skuadër, që u shoqëruan edhe me krahasimin me yllin brazilian Neymar. Vlerësimi për Milot Rashicën erdhi sa më shumë e as më pak, por nga UEFA, me talentin kuqezi që ndihet i vlerësuar, por mundohet të qëndrojë më këmbë në tokë. “Është vlerësim shumë i madh, por besoj se është pak herët, sepse unë sapo kam filluar. Por, është një motivim shtesë për mua. Këto që shkruhen dhe fliten janë gjëra të mira për mua, por ato nuk të ndihmojnë të shkosh me Kombëtaren apo të paraqitesh mirë në ndeshje”, u shpreh Rashica.
Edhe pse vetëm 19-vjeçar, Rashica e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë, për të vazhduar rritjen si futbollist dhe për të pritur deri në fund një ftesë nga trajneri De Biasi, për finalet e Euro 2016. “Gjithçka që duhet të bëj është të vazhdoj në këtë mënyrë si po eci me Vitesse-n, të ndihmoj klubin në objektivat që ka, të shënoj gola dhe të jap asist. Paraqitjet e mira me Vitesse-n mund të më dërgojnë në Kampionatin Europian, asgjë tjetër. Shpresoj që të vazhdoj me formën që po kaloj dhe pse jo të grumbullohem sërish me Kombëtaren”, tha ai.
Talenti i lindur në Vushtri nuk shpërqendrohet as nga zërat e merkatos, që pas ekipeve si Ajax, PSV e Galatasaray, e lidhin me gjigantët nga Serisë A, Napoli dhe Lazio, por edhe me Everton, Tottenham dhe Chelsea në Premier League-n angleze.
“Është mëse normale që ndihem mirë për interesimin nga klubet e tjera. Por, për momentin jam i përqendruar vetëm te Vitesse, nuk mendoj për asgjë tjetër. Synoj ta mbyll sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe shpresojmë të arrijmë play-off që na dërgon në kupat e Europës. Unë do të mundohem ta mbyll një sezon shumë të mirë dhe më pas, kur të përfundojë sezoni do ta diskutojmë edhe pse për momentin jam shumë i lumtur këtu. Me mua nuk ka biseduar askush. Nuk e di ndoshta kanë folur me klubin ose menaxherin, megjithatë për momentin nuk jam i interesuar, pasi jam i përqendruar vetëm te Vitesse”, përfundoi Rashica.

Taulant Xhaka në formacionin e javës në Zvicër

Kur skuadra shënon 7 herë në portën kundërshtare, një lojtar që nuk është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në aksionet e golave, vlerësimi si një prej më të mirëve në fushë duket i vështirë. Por, ky nuk është rasti i Taulant Xhakës. Megjithëse në triumfin e Baselit në fushën e St. Gallen ishte sulmi ai që u ngjit në vitrinë, edhe mesfushori shqiptar shkëlqeu në fushë. Për paraqitjen në “AFG Arena”, ku u aktivizua si mbrojtës qendre nga trajneri Fischer, kuqeziu nuk i zhgënjeu pritshmëritë e një “xholi” të domosdoshëm te kampionët e Zvicrës në fuqi.
I saktë me ndërhyrjet në fazën difensive dhe në ndërtimin e aksioneve, Taulant Xhaka u përfshi në formacionin e javës së 28-të të Superligës zvicerane nga gazeta Blick. Rreth paraqitjes së 25-vjeçarit, e përditshmja shkruante se “është e lehtë ta kuptosh kur Xhaka është në një ditë të mirë: i gjallë dhe i fortë në mbulime. Praktikisht pa të meta”. Në një ditë të mirë në suksesin me goleadë përballë St. Gallen ishte edhe lojtarit tjetër i Kombëtares, Naser Aliji. I aktivizuar si zëvendësues në minutën e 46-të të sfidës, mbrojtësi nga Kumanova ishte protagonist me dy asist në golin e katërt nga Calla dhe në rrjetën e shtatë me autor Renato Steffen.

Dëshmia e biznesmenit: Kërcënimet e Shullazit për të më marrë parkingun 350 mijë euro

Mbrëmjen e 3 shkurtit, rreth orës 20:00, një bizmesmen u paraqit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Jani Zaka, 40 – vjeç, lindur në Lushnje dhe banues në Tiranë, kërkoi të kontaktonte me një nga drejtuesit e policisë.

Ai i tha oficerit roje se kishte marrë një kërcënim me jetë. Oficerit të Policisë Gjyqësore që nisi t’i marrë deklaratën i përmendi emrin e Emiljano Shullazit dhe të Blerim Shullazit.

Ai tha se Shullazi i kishte kërkuar që t’i kalonte në pronësi një parking nëntokësor me sipërfaqe 1 200 metër katrorë, në rrugën “Sali Butka”, në Tiranë, pranë Policisë Bashkiake.

Kërkesa vinte pasi personit që Jani Zaka ia kishte blerë, shtetasi Fatmir Sinani, i kishte thënë se parkingu kushtonte më shumë sesa ishte paguar.

“Para disa vitesh, tek Nesheraku, i kam blerë shtetasit Fatmir Sinani një parking nëntokësorë me sipërfaqe 1200 m katror, për një vlerë prej 300 mijë euro. Parkingun e kam blerë me kontratë porosie, pasi pallati është i pahipotekuar. Fatmiri, pasi më bëri shitjen më ka thënë se parkingu kushtonte më shumë seç ia kisha blerë unë. I jam përgjigjur se, në qoftë se më kthente lekët, në çdo moment do t’i ktheja pronën këtij shtetasi.

Por në vend të përgjigjes nga Sinani, Zaka thotë se është kontaktuar nga Emiljano Shullazi.

“Para dy ose tre muajsh më ka ardhur tek garazhi një person i gjatë, të cilit nuk ia di emrin dhe më thotë që të kërkon Emiljano Shullazi…

Ditën tjetër me telefonon rreth orës 13.00 ky person, si datë nuk më kujtohet dhe më thotë se po të presim tek lokali mbrapa Xhakës.

Unë kam vajtur tek lokali dhe atje ishte dhe Emiljano, i cili më priste në lokal.

Emiljano më thotë, çfarë garazhdi i ke mbajtur peng Fatmirit. Unë i kam thënë që nuk i kam mbajtur peng garazh, por më ka shitur garazh dhe ai më thotë, zgjidheni me Fatmirin këtë problem. Për këtë gjë unë kam vënë në dijeni dhe kushëririn tim Mitri Prifti”.

Në polici ka dhënë deklaratën e tij edhe Mitri Prifti. Ai ka thënë se Jani ka qenë shumë i frikësuar nga kërkesa për të takuar Shullazin.

“Jani mbas këtij takimi ka qenë shumë i frikësuar dhe i dërgon njoftim Fatmir Sinanajt dhe i thotë më jep paratë që të kam dhënë dhe unë tërhiqem nga prona, vetëm problem nuk dua. Por djali i Fatmirit, shtetasi Andi Sinanaj i kishte kthyer përgjigje duke i thënë, tani merru me ata që kanë hyrë në lojë dhe mundohu t’i bindësh se e di çfarë të gjen”.

Mitri Prifti ka dhënë detaje edhe për takimin me Emiljano Shullazin.

“Në datën 02.02.2016, Janin e kanë marrë në telefon dhe e kanë takuar dy persona, rreth orës 11.00, tek Neshraku. Pasi i ka takuar personat, që ai nuk i njeh me emër, ata i kanë thënë, hip në makinë se të kërkon Emiljano Shullazi dhe Jani i ka thënë, që marr taksi dhe vij vetë dhe personat i kanë thënë të vish tani për dy minuta, se ai nuk do të pres ty. Jani shkon tek një lokal i kuq mbrapa qendrës “Globe” dhe atje takon personalisht Emiljano Shullazin, ku ai i thotë nesër nga ora 10:00 ta kesh telefonin e hapur dhe do të vijë ky djali i xhaxhait tim, të kalojë pak atë pronën në emër të tij. Pa i lënë mundësinë që ai të flasë, Emiljano i ka thënë të dilte jashtë, pasi kishte mbaruar punë me të. Jani më tha se do të fikte telefonin që kishte komunikuar me këta persona dhe do të largohej nga Tirana, pasi personat ai i klasifikon me rrezikshmëri tej mase të lartë”.

Pas këtij takimi, Jani Zaka dhe kushëriri i tij marrin një tjetër kërcënim.

“Rreth orës 14 e 30 më ka ardhur një telefonatë nga numri……. dhe më thotë: Mario ti je? – unë i them – po, kush je?” Më thotë jam Blerim Shullazi, i thuaj kushëririt tënd Jani të vijë për dy minuta tek lokali, se përndryshe do vish ti në vend të tij. Unë i kam thënë se, nuk kam si t’i them se nuk kam numër të tij dhe nuk kam përse të vij se nuk kam përgjegjësi për kushërinjt e mi. Personi filloi të më ofendonte dhe të më kërcënonte, duke më thënë se, “o djalë do të më qash me duar, e di çfarë të bëj, por hajde urgjent për 10 minuta të jesh këtu”, por unë i kam thënë se nuk vij, se nuk jam në Tiranë dhe i kam mbyllur telefonin. Personi më ka marrë përsëri në telefon dhe më ka thënë, ku je se do të vij unë dhe unë i kam thënë, as dua të të njoh dhe as dua të më njohësh. Personi më tha në çfarë ore vjen në Tiranë dhe unë i kam thënë se vij në orën 19:00, por ai më tha në orën 17:00 të jesh tek lokali, pasi jam unë që i përcaktoj oraret dhe jo ti dhe duke më sharë, më mbylli telefonin”.

Një muaj më pas, më 13 Mars të këtij viti, në derën e garazhit të Jani Zakës shpërthen një sasi tritoli.

Dëmet ishin të vogla, por për policinë dhe prokurorinë, që kishte nisur hetimet, ky ishte një paralajmërim. Jani Zaka ishte larguar ndërkohë jashtë vendit, bashkë me familjen.

Policia, më datën 09 Shkurt, materialet hetimore – proceduriale ia kishte dërguar Prokurorisë për Krimet e Rënda me materialin referues, deklarim të Jani Zakës dhe Mitri Priftit, për vlerësim dhe cilësim të saktë juridik.

Dëshmia e Dekanit, Koni: Si më rrëmbeu dhe si më kërcënoi Shullazi

Profesor Mynyr Koni është thirrur për të dëshmuar në polici për kërcënimin që është bërë ndaj tij. Ai ka thënë se nuk i mbaj mend fytyrat e personave, por sakaq ka treguar skenën e krimit.

“Isha në rrugë duke shkuar për në shtëpi, një makinë më ndaloi tek këmbët dhe një person më urdhëroi të hyja brenda. Aty jam kërcënuar. Ishin tre veta. Njëri prej tyre më tha “Ti do terhiqesh deri nesër nga gara!”. I thashë të mendohem deri nesër. Personi në fjalë me ton të lartë më tha: Ti do të japësh dorëheqjen!”.

Profesor Mynyr Koni është dekan i fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe në zgjedhjet universitare që zhvillohen të mërkurën (20 Prill), ai garon për Rektor. Teksa garës po i afrohej fundi, Sali Berisha del në një konferencë dhe denoncoi se Mynyr Koni është kërcënuar dhe përmend direkt emrin e Emiljano Shullazit.

Sakaq po atë ditë (të shtunën 16 Prill) ndalohet Shullazi dhe merret në pyetje. Nuk vonoi shumë dhe prokuroria rreth mesnatës së të shtunës lëshoi urdhër-arrest për Shullazin dhe dy të tjerë. Hetimet për ta kishin nisur më parë, që në Shkurt. Shullazi po hetohet edhe për gjobëvënie dhe kërcënime të së paku dy biznesmenëve.

Si e ngriti Shullazi perandorinë e krimit me Ramën e Tahirin

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani i kërkoi Prokurorisë që të mos ndikohet nga Presioni i Ramës dhe Tahirit për hetimin e Shullazit.
“Dëshmi, fakte dhe prova konfirmojnë se si, Emiliano Shullazi ngriti në këto tri vite një perandori të krimit, me gjoba ndaj biznesit, me rrëmbime pronash, me trafik dhe drogë.
Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë pasur dijeni për të gjithë këtë aktivitet kriminal.
Nga provat dhe faktet e bëra publike, duket se Edi Rama dhe Saimir Tahiri e kanë ditur, e kanë lejuar, madje e kanë ndihmuar Emiliano Shullazin në grabitjen e Vollgës në Durrës, në marrjen me dhunë, përmes kërcënimesh, me armë e me eksploziv, të qindra mijëra eurove nga biznesmenët.
Shullazi jo vetëm kishte çdo zyrë të shtetit të Edi Ramës në dispozicion, por mbështetja ndaj tij shkonte deri atje, sa efektivë të forcave speciale shërbenin për sigurinë e tij.
Makinat e tij nuk ndaleshin asnjëherë dhe nuk kontrolloheshin në dogana, siç ishte rasti i denoncuar nga ne, i futjes së makinës së blinduar pa asnjë verifikim nga Porti i Durrësit.
Përfaqësues të rëndësishëm të biznesit në vend janë ankuar tek Edi Rama për gjobat që u ka vënë Shullazi, por kanë gjetur shpërfilljen, madje edhe justifikimin e tij për Shullazin.
Tek Rama, biznesi nuk ka gjetur garantin e rendit dhe sigurisë, por ortakun e Shullazit.
Dinamika e rastit Shullazi flet qartë:
Vështirësia më e madhe e Prokurorisë në hetimin e Shullazit ka qenë dhe është edhe sot qeveria, Edi Rama e Saimir Tahiri.
Ata i kishin dhënë Shullazit statusin e të paprekshmit.
Megjithë denoncimet e qytetarëve, megjithë denoncimet e Partisë Demokratike, madje edhe të partnerit tonë strategjik, Shullazi vazhdonte të kishte mbështetjen pa rezerva të qeverisë.
Sot opinioni publik e ka të qartë se në tri vite, një prej personave më të rrezikshëm në vend, ishte mik, ortak e partner me Edi Ramën e Saimir Tahirin dhe vazhdon të jetë, sepse as dje, as sot, ata nuk guxojnë t’i përmendin as emrin.
Partia Demokratike inkurajon Prokurorinë në hetimin e plotë të aktivitetit kriminal të Shullazit dhe i kërkon organit të akuzës të mos ndikohet nga presionet e Edi Ramës e Saimir Tahirit.
Ky hetim duhet të nxjerrë në dritën e diellit, se nga i vinte pushteti një krimineli që vinte gjoba e grabiste prona.
Partia Demokratike i kërkon partnerëve ndërkombëtarë e në veçanti ambasadës së Shteteve të Bashkuara, ta monitorojnë këtë proces, të japin kontributin e tyre për të ndalur ndërhyrjet e qeverisë e për të siguruar drejtësi.
Ne nxisim qytetarët, biznesmenët që janë kërcënuar, rrëmbyer e gjobitur nga ky bandit dhe banda e tij, të denoncojnë faktet e dëshmitë që ata kanë.
Drejtësia duhet dhe do të triumfojë në këtë rast.
Nuk do ta lëmë vendin peng të Edi Ramës, Saimir Tahirit e Emiliano Shullazit”, thuhet në deklaratën e PD.

Na ishte një herë…!

Fejton

Reshat KRIPA

– Gjysh, a do të më tregosh një përrallë? – më tha në një nga këto ditë mbesa ime.
Kërkesa e saj më hutoi. Nuk më kujtohej asnjë nga përrallat që kisha dëgjuar dikur nga gjyshja ime kur isha fëmijë. Mirëpo mbesa ngulte këmbë. Atëherë m’u kujtua se përrallat e gjyshes fillonin me shprehjen:
– Na ishte njëherë…!
Unë e dëgjoja i habitur deri sa qepallat më mbylleshin. Kur zgjohesha kërkoja më kot të shihja ndonjë nga personazhet e atyre përrallave, por ata ishin zhdukur, ishin bërë hije të padukshme.
Mirëpo vitet rrodhën dhe tani isha unë ai që duhej t’i tregoja mbesës time përralla të tilla. Historia po përsëritej.
Desha, nuk desha, fillova të sajoj nga mendja një të tillë me personazhet e kohës sonë, të cilën e nisa me shprehjen e zakonshme:
-Na ishte njëherë…! – dhe vazhdova duke shpikur lloj-lloj aventurash.
Përralla që nisa t’i tregoj mbesës nuk bënte fjalë as për diva dhe as për katallanë, as për Hirushe dhe as për Borëbardha që të të ngjallnin simpati me veprimet e tyre. Përralla bënte fjalë për disa karagjozë që mburreshin dhe thërrisnin me zë të lartë për të mirat që i paskëshin bërë dhe do t’i bëkan këtij vendi dhe këtij populli dhe i kërkonin atij që t’i përkrahte. Këta karagjozë me pelivanllëqet e tyre kishin mundur të arrinin majat e pushtetit dhe që nga froni i lartë i perandorit bënin be e rrufe dhe betoheshin në qiell e në dhe se do të bënin mrekullira për popullin e përvuajtur që qeveritarët e mëparshëm na e paskëshin lënë në mjerim. Më tepër betoheshin se do të vinin në vend padrejtësinë që i ishte bërë asaj pjese të popullsisë që “ustallarët” e regjimit të përmbysur e kishin degdisur në hapsanat e errëta të vendit dhe i kishte etiketuar si “armiq të popullit”.
Një fushatë e shfrenuar shpërtheu në median e shkruar dhe atë vizive mbi këtë “dëshirë” të sundimtarëve të sotëm. Ekranet e televizorëve gati sa nuk u çanë nga britmat e korbave dhe faqet e gazetave u nxinë me këtë lajm të bujshëm. Pikërisht një vit më parë, nën tamtamin e kësaj medie, u miratua në Kuvendin e Shqipërisë një ligj i mbiquajtur “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, madje i vunë edhe një numër 45 dhe një datë 30.04.2015 që të mos harrohej kurrë. U fol se për këtë ishin bazuar në eksperiencën gjermane. Sa për sqarim, një ligj i tillë për këtë çështje ishte bërë edhe njëzet vjet më parë, kur në pushtet ishte qeveria e vendosur pas përmbysjes së madhe, e cila u hodh poshtë nga qeveria pasardhëse që erdhi në pushtet pas katrahurës së madhe të ndodhur dy vjet më pas. Me rikthimin në pushtet të qeverisë së parë u hartua përsëri një ligj i tillë, por të rrëzuarit nuk dorëzoheshin. Duke shfrytëzuar faktin se në krye të organeve kushtetuese që duhej të vendosnin mbi fatin e ligjeve ishin vetë ata, të cilët ky ligj do t’i fshinte nga faqja e dheut, arritën ta heqin qafe edhe këtë ligj.
Po çfarë përmbante ligji i ri? Do të doja të citoja disa vargje të një poeti satirik të së kaluarës që, në të vërtetë, ka qenë i të njëjtit kalibër me sundimtarët e sotëm):

Me pallavra plot një thes,
Desh t’na mbushte mendt e kres!

Kështu edhe përpiluesit e këtij ligji. Përpiluan një çorbë derri që as  edhe  më  të  diturit  e dheut  nuk mund ta kuptonin se çfarë zgjidhte. Me pak fjalë as mish dhe as peshk. Për këtë ligj nuk u mor mendimi i askujt. Nuk u pyetën shoqatat e të përvuajturve. Nuk u pyetën shoqatat e të drejtave të njeriut. Nuk u pyet asnjë shoqatë tjetër. Madje njëra nga këto shoqata hartoi një projektligj që u diskutua gjërësisht nga shtresat e mësipërme. Ky projektligj u hartua në bashkëpunim me Fondacionin gjerman “Kondrad Adenauer”. Mirëpo Kuvendi, për të cilin nuk e dimë se cilën eksperiencë gjermane kishte zbatuar, sepse Gjermania nuk ka patur dy variante të tilla, nuk kishte se si ta miratonte një ligj të tillë, pasi ai, po të miratohej do të flakte jashtë shumë individë që sot drejtojnë komisionet e Kuvendit, drejtoritë e institucioneve të qeverisë, të gjitha shkallët e drejtësisë. Ndaj u miratua ligji i hokatarëve që lante gojën me shtresën e gjërë të popullsisë.
Megjithatë pati disa që e përkrahën, pasi mendonin më mirë një gjysmagjel se sa hiç fare. Mirëpo nuk vonoi edhe ata u zhgënjyen. Prit e prit që ligji të zbatohej dhe atyre iu bë mjekra një pëllëmbë dhe nuk po e shihnin të zbatuar. Në një nga nenet e Ligjit (Neni 7/1) thuhet:

Për zbatimin e këtij ligji krijohet Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Të interesuarit prisnin zbatimin e këtij neni. Kush do të ishin kandidatët për këtë post? Në Nenin 8/1 të ligjit thuhet:

Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga radhët e shtetasve të shquar, me integritet të lartë profesional e moral.

Çuditërisht, në ligj nuk përcaktohet se kush duhet t’i propozojë këto kandidatura, gjë që nuk ndodh në projektin e Shoqërisë Civile ku përcaktohet se vijnë nga propozimet e Presidentit të Republikës dhe Shoqërisë Civile. Siç duket, Kreu i Shtetit kishte vendosur të ishte ai vetë zot dhe vetë shkop. Megjithatë, pasi kaluan gjashtë muaj më në fund u përcaktuan edhe dhjetë kandidaturat që do të konkuronin për një vend në autoritetin në fjalë. U thirrën edhe në komisionin përkatës të Kuvendit, ku paraqitën curriculumet e tyre. Dorëzuan edhe kartat e sigurisë së figurës së secilit. Megjithatë zgjedhja e tyre vazhdon të mbetet enigmë. Ajo, megjithëse kanë kaluar edhe gjashtë muaj të tjerë, ende nuk ka përfunduar. Deri kur? Asnjë përgjigje. Përse? Përsëri nuk ka përgjigje. A mos vallë janë bërë pishman që e miratuan këtë ligj dhe tani duan ta lenë në harresë? Mos u çudisni! Kjo është Shqipëria jonë, Shqipëria në botën e çudirave.
Pikërisht mbi këtë temë ndërtova përrallën që ia tregova mbesës time. Ajo më dëgjoi me vëmendje dhe kur mbarova më pyeti:
-Po tani ku mund t’i shikojmë këta hokatarë?–duke përdorur  fjalën  me  të  cilën i kisha emërtuar unë.
Mbeta në mëdyshje. Nuk dija si t’i përgjigjesha. U gjenda ngushtë. Për fat më erdhi në ndihmë kanali televiziv publik, i cili transmetonte kronikën e një parade të çuditëshme. E ktheva në një kanal tjetër. E njëjta gjë. Po kështu edhe kanali i tretë, i katërti e në vazhdim. Kisha parë shumë lloje paradash, duke filluar nga ato ushtaraket, të bukurisë ose të modës, por një paradë të tillë nuk e kisha parë kurrë. Kjo për faktin se, në vendin tonë, ndodhin çudira të tilla që nuk mund t’i shohësh në vende të tjera. Ajo ishte një paradë e burrave të shtetit që sot drejtojnë vendin dhe që donin t’i mbushnin mendjen publikut se ata paskëshin qenë ajka e shoqërisë shqiptare. Midis tyre kishte edhe nga ata që dikur, në kohën e firaunit, kishin qenë me detyra shumë të mëdha ose pinjollë të tyre, duke folur para një turme që i duartrokiste me ovacione si dikur.
-Ja ku i ke! – i thashë mbesës.
Nuk e di nëse ajo më kuptoi apo jo, por në mendjen time më vinte rrotull shprehja:
-Na ishte një herë një ligj!

Rusisë po i shterojnë paratë

Russia's President Vladimir Putin (R, back) walks in as he attends a session during the Week of Russian Business, organized by the Russian Union of Industrialists and Entrepreneurs (RSPP), in Moscow, March 19, 2015. Putin said on Thursday that the central bank's key rate remains rather high, but it is warranted by current conditions. REUTERS/Maxim Zmeyev

Andreas BECKER

Rusia vuan nga kriza ekonomike. Në vitin e kaluar kapaciteti ekonomik i vendit ra me 3,8 %, ndërsa për këtë vit, Banka Botërore pret një rënie tjetër me 1,9%. Vendi përballet me një listë të gjatë problemesh: Fillimisht çmimi i naftës, i cili në dy vitet e fundit gati është përgjysmuar. Shteti dhe firmat kanë tani shumë më pak të ardhura.
Stefan Meister, ekspert gjerman i Shoqërisë Gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP) thotë se „është e vështirë të financosh buxhetin me këto çmime të gazit dhe naftës.” Qeveria mund t’i mbushë vrimat buxhetore duke vënë në përdorim rezervat e fondeve shtetërore, të cilët para disa vitesh sillnin shumë fitime, për shkak të bumit të biznesit energjitik.
Sanksionet e Perëndimit, një reagim pas aneksimit të Krimesë dhe konfliktit me Ukrainën e kanë rritur presionin. Tregtia ka pësuar goditje të fortë, madje nga kjo vuan edhe tregtia gjermane e automjeteve dhe prodhimit të makinerive. Për Rusinë është më e vështirë, sepse sanksionet vështirësojnë financimin e investimeve.

Problemet me financimin

„Sanksionet perëndimore i kanë hequr mundësinë firmave dhe bankave tona të huazojnë para jashtë vendit, dhe jo vetëm në Europë, por në të gjithë botën“, thotë Vladimir Milov, drejtor i Institutit të Moskës për Politikën Energjitike në bisedë me Deutsche Ëellen, „Askush nuk na huazon para, madje as Kina.“ Milov është themelues e kryetar i partisë opozitare, „Zgjedhja Demokratike“.
Kreditë kanë qenë baza e rritjes ekonomike ruse në vitet e fundit. Sipas Mirov, sanksionet e kanë ulur vëllimin e kredive nga 700 miliardë dollarë në vitet e kaluara në 470 miliardë dollarë aktualisht. Rrjedhja e ndjeshme e kapitalit jashtë vendit ka luajtur rol negativ duke bërë që rubla të humbasë gjysmën e vlerës përballë dollarit.
Kësaj i shtohen problemet strukutore. Ekonomia ruse sundohet në të vërtetë nga disa pak koncerne shumë të fuqishme të sektorit energjitik, të cilët veprojnë me këshilla nga politika. “Mungojnë kushtet për konkurrencën e lirë dhe shtetin ligjor”, thotë eksperti Meister për Deutsche Ëelle-n.

Probleme strukturore

Problemet strukturore janë bërë të ndjeshme që para sanksioneve dhe rënies së çmimit të naftës, thotë eksperti rus, Milov. “Që në vitin 2013 ekonomia ruse nuk kishte më rritje ekonomike. Ajo është e varur nga disa monopole shtetërore që nuk janë efiçiente, tani shtohen sanksionet dhe rënia e çmimit të naftës. Janë këta faktorë që nuk të bëjnë optimist, se në vitet e ardhshme do të kemi rritje ekonomike.”
Qeveria ruse po kundërvepron me privatizimin e firmave shtetërore dhe planifikon aktualisht valën më të madhe të privatizimit të viteve të fundit. Por ajo nuk parashikon të shesë shumicën e aksioneve që zotëron. “Qeveria luan me kohën”, thotë eksperti gjerman, Stefan Meister. “Nuk merren vendime me efekt të gjatë veprimi për të përmirësuar gjendjen ekonomike, por ka vetëm përpjekje për të shitur aksione të firmave, deri sa të rritet çmimi i naftës.”
Pasojat i vuan popullsia. Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore numri i të varfërve në Rusi do të rritet në më shumë se 20 milionë vetë, në një popullsi prej 140 milionësh. Kjo është rritja më e madhe e varfërisë prej 9 vjetësh. Edhe shtresa e mesme, shtylla e konsumit rus, është bërë e përmbajtur. Përqindja e inflacionit zyrtarisht kap shifrën e 12,9%.

Represionet

Papunësia në vend nuk ka shënuar ndonjë rritje, por rritja e pakënaqësisë mund të kthehet në të ardhmen në një problem për Putinin, kundër të cilit presidenti rus po përgatitet që tani. “Ne vëmë re zgjerimin e aparatit të represionit. Nuk ka shumë kohë që është krijuar garda kombëtare”, thotë Meister. “Regjimi përgatitet për një konflikt me shoqërinë”, thotë eksperti që beson se në të ardhmen në Rusi mund të ketë rebelime lokale. Megjithatë sipas Stefan Meister “nuk shoh ndonjë opozitë që mund t’i drejtojë ata. Po ashtu nuk shoh gatishmëri tek popullata për demonstrata masive.”
Por pyetja më themelore është se kur do t’i mbarojnë Rusisë paratë. Ministri i Financave, Anton Siluanov ka thënë që në fund të janarit se nga fundi i vitit 2016 mund të mbarojnë mjetet e fondit të rezervave të shtetit. Po qe se çmimi i naftës nuk rritet, Rusia mund të vazhdojë “dy ose tre vjet” kështu, thotë Stefan Meister, por “treni ndjek drejtimin e përplasjes”. Eksperti pret që regjimi të ashpërsojë konfliktin me perëndimin, në mënyrë që të largojë vëmendjen nga kriza ekonomike.

Akademiku Mynyr Koni: Nuk tërhiqem nga gara

Akademiku Mynyr Koni nuk do të tërhiqet nga gara për rektor të Universitetit të Tiranës. Pas denoncimit të ish-Kryeministrit Sali Berisha se ai ka paraqitur dorëheqjen nën kërcënim, Koni në një deklaratë të shkurtër në Facebook shkruan se do të vijojë garën për postin e rektorit. “Unë, kandidati Mynyr Koni, deklaroj që vazhdoj të jem në garë për postin e rektorit të Universitetit të Tiranës. I kërkoj studentëve dhe stafit akademik që së bashku ta çojmë përpara këtë proces zgjedhor me urtësinë dhe zgjuarsinë që karakterizon botën tonë akademike”. Në garën për rektor të UT, Koni ka përballë kandidaten Klodeta Dibra. Zgjedhjet do të mbahen më 20 prill. Ka mjaftuar ky postim i shkurtër i akademikut Koni, që menjëherë studentë e pedagogë t’i shprehin atij në këtë postim urimet për suksese, si dhe vlerësimet për personalitetin e tij në fushën profesionale. “Prof. Koni, një vlerë modernizimi e zhvillimi i Universitetit të Tiranës e treguar me vepra dhe që duhet të merret model. Marr shkas nga ky status sepse besoj se dezinformimi e aq më keq dhe krimi nëse mafiozët kërcënojnë, si model për të mundur kundërshtarin nuk është përqasja e garës dhe e konkurrencës me platformë, mision e vizion për ndryshim cilësor e standard. Prof. Koni është jo vetëm etalon në mësimdhënie e drejtim, por është luftarak dhe fiton gjithnjë”, thuhet në një nga komentet e shkruara pas postimit të Profesor Konit. Komentuesit i shprehin atij mbështetjen, i bëjnë thirrje të vijojë garën, si dhe i urojnë fitoren si rektor i Universitetit të Tiranës. “Dr. Koni, ju duhet të vazhdoni misionin tuaj fisnik dhe historik drejt kurorëzimit si rektor i Universitetit të Tiranës, sigurisht brenda rregullave tuaja demokratike dhe akademike. Mos u tutni para asnjë lloj presioni nga kushdo qoftë ai, frikacakët, dështakët bëjnë presione dhe jo njerëzit dinjitozë. Sidoqoftë ju kini mbështetjen e padiskutueshme të njerëzve të qytetëruar, drejt rrugës së nisur. Respekte nga unë Mit’hat Havari”, thuhet në një tjetër koment. “Suksese! Kur nuk konkurrojnë dot me vlera, shajnë dhe shpifin paturpësisht, kur shikojnë humbje, përdorin presionin! Besojmë në fitoren tuaj Prof. Dr. Mynyr Koni!”. “Suksese u gëzuam shumë që s’u tërhoqe, të urojmë fitore, ti e meriton”. “I dashur koleg, përshëndes qëndrimin tënd dinjitoz dhe të vendosur. Të uroj suksese në rrugën e nisur!”, thuhet në komentet e studentëve, si dhe kolegëve të akademikut, Mynyr Koni.

Kush është Mynyr Koni

Prof. Dr. Mynyr Koni ka lindur më 24.01.1964. Ai është diplomuar në vitin 1988 në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1995-1997, ka punuar si punonjës shkencor në Departamentin e Gjenetikës së Institutit të Kërkimeve Biologjike në Akademinë e Shkencave dhe në vitin 1997 emërohet në pozicionin e drejtorit të këtij instituti. Nga viti 1999 Prof. Dr. Mynyr Koni është pedagog në Departamentin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT ku përgjatë këtyre viteve ka qenë edhe në poste të ndryshme drejtuese në nivel fakulteti dhe në nivel universiteti ndër të cilat mund të përmendim pozicionet si: (2003-2008) drejtor i Drejtorisë së Kurrikulave në Universitetin e Tiranës; (2008-2012) përgjegjës i Departamentit të Biologjisë, FSHN; (2012-2016) dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Prof. Dr. Mynyr Koni ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtar i disa këshillave si: anëtar i Senatit Akademik të UT-së, anëtar i Këshillit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës; anëtar i Këshillit Drejtues të Akademisë së Shkencave; anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Kërkimeve Biologjike. Në bibliografinë e punimeve të tij radhiten artikuj të shumtë shkencorë dhe pjesëmarrje në konferenca të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Prof. Dr. Mynyr Koni është njohës i mirë i gjuhës angleze, franceze dhe italiane. Ai mban titullin “Honoris Causa” nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Dy ditë më parë u mësua se Mynyr Koni ishte tërhequr nga gara për rektoratin për shkak të presioneve, por pas denoncimit të djeshëm të bërë nga ish-Kryeministri Sali Berisha, Koni me anë të një deklarate është shprehur se vazhdon të jetë në garë.

Përballë Konit, kandidatja e Ramës, Klodeta Dibra

Klodeta Dibra është rivalja e akademikut Koni për postin e rektoratit të Tiranës, i cili është kërcënuar me jetë. Klodeta Dibra jep mësim tek Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, ka 18 vite punë në këtë institucion. Ajo është anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës si përfaqësuese e Partisë Socialiste, dhe duket se ka qenë e preferuara e Ramës pasi ka qenë e para në listën e Partisë Socialiste për anëtarët e Këshillit Bashkiak. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shekulli” më 7 maj 2015 Klodeta Dibra është shprehur se “Edi Rama ma plotësoi dëshirën për të qenë në Këshillin Bashkiak”. Klodeta Dibra ka denoncuar drejtuesit e Fakultetit të Shkencave se kanë penguar fushatën e saj për rektore të Universitetit të Tiranës. Ajo tha se janë hequr posterat nga fakulteti, ndërsa nuk janë lejuar studentë dhe pedagogë të ishin prezentë në sallën ku ajo do të prezantonte platformën e saj. Dje, pas denoncimit publik të ish-Kryeministrit Berisha për kërcënimin me jetën e familjes së akademikut Koni, kandidatja e Ramës për rektore, Klodeta Dibra, ka denoncuar publikisht pengimin e fushatës së saj në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Dibra tha se janë hequr posterat, ndërsa nuk janë lejuar studentë dhe pedagogë të ishin prezentë në sallën ku ajo do të prezantonte platformën e saj. “Të tundësh kontratën e punës sepse kështu ka ndodhur në këtë fakultet, duke dhunuar autonominë që ka pedagogu dhe ta trajtosh atë si leckë, për mua është një kërcënim i rëndë dhe dhunim i demokracisë në Republikën e Shqipërisë. Janë hequr të gjithë posterat e tjerë dhe sot gjej shumë pak kolegë, pjesa më e madhe është trysnuar sepse janë boshatisur auditoret. Ky fakultet ka 7 mijë studentë dhe mësimi zhvillohet deri në orët e vona të pasdites. Nëse do të hynit sot nëpër auditore nuk ka studentë, janë përcjellë thjesht dhe vetëm për të dështuar takimi i kandidates për rektore, ndërkohë që është e drejta ime për të takuar studentët dhe për t’u përcjellë atyre alternativën time”, shkruan Dibra. Fakulteti i Shkencave të Natyrës ishte zgjedhja e radhës për fushatën e Dibrës, kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga zgjedhjet për rektor në datën 20 prill.

Fakulteti i Shkencave të Natyrës: Nuk kemi për detyrë t’i mbushim sallat znj. Dibra

Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka reaguar ndaj akuzave të kandidates për rektore në Universitetin e Tiranës, Klodeta Dibra, se po pengohet për të bërë fushatë. Në një deklaratë për mediat, kancelari i këtij fakulteti, Besnik Goxhaj, thotë se në përputhje me rregulloren znj. Dibra i janë miratuar oraret dhe sallat për takim sipas kërkesës së saj. “Administrata e fakultetit nuk ka për detyrë t’i mbushë sallat znj. Dibra, por është detyrë e stafit të saj elektoral, që mesa duket edhe atë e paska të paaftë”, thekson kancelari në deklaratë. Goxhaj shton më tej se në dispozicion të znj. Dibra nga ana e FSHN kanë qenë 2 specialistë të Degës së Administrimit dhe Shërbimeve, 2 specialistë nga Dega e IT, 2 punonjëse sanitare dhe një roje. Por sipas tij, Dibra refuzoi të përdorë foninë e vendosur enkas për atë në sallën 410B, ndoshta sepse ata rreth e rrotull saj nuk ishin më larg se qëndrimi në një tavolinë kafeje. Sa për posterat që kandidatja Dibra thotë se i janë hequr, Goxhaj deklaron se ato u vendosën që ditën e djeshme në të gjitha stendat e departamenteve, në po ato vende ku janë vendosur edhe për kandidatin tjetër.

Arben Shahini