40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Erdogani me mentalitet sulltani

Kritikët shpesh thonë se Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka mentalitet të sulltanit, për shkak se nuk toleron kritika dhe burgos gazetarë.
Së voni, ai ka kërkuar nga Berlini të përdorë një ligj të vjetëruar, për të ndjekur penalisht një komik gjerman, i cili e ka tallur atë. Ky ligj ndalon qytetarët të fyejnë udhëheqësit e huaj.
Në programin e tij, më 31 mars, komiku televiziv, Jan Boehmermann, ka lexuar një poezi, duke e quajtur Erdoganin “idiot profesionist” dhe duke thënë se “ai ka pasur marrëdhënie seksuale me kafshë”.
Lideri turk ka kërkuar që Zyra e Jashtme gjermane ta dërgojë Boehmermannin në gjykatë, në bazë të pikës 103 të Kodit Penal të Gjermanisë, e cila rrallë aplikohet.
Klauzola pak e njohur, e cila parasheh dënim me burg deri në pesë vjet, daton nga koha kur monarkët e Evropës ndëshkonin njerëzit që sulmonin dinjitetin e tyre personal. Kërkesa e Erdoganit për ta aplikuar atë, e ka nxjerrë ligjin nga errësira. Ligji tani është bërë një tjetër sfidë për kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila veçmë është e shqetësuar me krizën e borxhit grek, krizën me migrantë dhe daljen e mundshme të Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Ligji i ka rrënjët në kodin ligjor të Prusisë, të vitit 1794, i cili ka ndaluar sulmet në personalitetin ose nderin e sundimtarëve të huaj, thotë Holger Heinen, avokat që e ka studiuar këtë ligj për tezën e tij të doktoraturës.
Ai shpjegon se një nen në kodin ligjor prusian thotë se, secili që ofendon një udhëheqës të huaj ose një ambasador duhet të trajtohet si kriminel, sepse ofendimet e tilla mund të bëhen pretekst i një fuqie të huaj për të nisur hakmarrje kundër Prusisë.
Ky lloj krimi ka humbur kuptimin me kohë, pasi Evropa ka zhvilluar demokraci parlamentare. Por, neni prapëseprapë është përfshirë në kodin ligjor gjerman, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 1871.
Prej atëherë, në këtë ligj janë thirrur herë pas here, por ai rrallë është aplikuar.
Në një rast, shahu i Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, i ka kërkuar Gjermanisë Perëndimore të përdorë klauzolën 103 për të ndëshkuar protestuesit, që janë mbledhur gjatë vizitës së tij në Berlinin Perëndimor më 1967 – protesta në të cilat një student është vrarë nga policia. Por, Shahu ka hedhur poshtë kërkesën e tij pas një vizite pajtuese nga ministri i Brendshëm gjerman në Teheran.
Në vitin 2003, Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë kërkuar nga qeveria e Gjermaisë të ndjekë penalisht një pronar dyqani në qendër të qytetit Marburg, i cili e ka quajtur “terrorist shtetëror” presidentin e atëhershëm amerikan,George Bush. Por, Zyra e Prokurorit në Frankfurt ka vendosur se deklaratat e pronarit të dyqanit nuk përbëjnë vepër penale.
“Klauzola kurrë nuk ka pasur rëndësi të madhe praktike”, thotë avokati Heinen.
Tani shtrohet pyetja nëse ankesa e Erdoganit mund të bëhet përjashtim.
Partneriteti i kancelares gjermane, Merkel me Erdoganin në çështjen e migrantëve është kritikuar për shkak të mosrespektimit të të drejtave të njeriut nga autoritetet turke. Tani, Merkel duhet të vendosë nëse do të çojë përpara kërkesën e Erdoganit në Ministrinë e Drejtësisë të Gjermanisë.

Në burgun ku lindi ISIS, embrionet e terrorit

Një rrugë me pluhur të çon në Bucca. Nga qyteti i dytë më i madh irakian, Basra deri në Bucca janë vetëm 94 kilometra, por askund nuk sheh ndonjë tabelë që të sinjalizon vendin e burgut të dikurshëm më të madh të Irakut. Duhet të pyesësh banorët: Papritur në mesin e shkretëtirës shfaqen fusha të gjelbërta në anë të rrugës: Ullinj dhe portokalle: Një kullë vëzhgimi, mure betoni e një postbllok: “Po”, thotë roja, “kjo është Bucca”.
Ndërkohë që në ndërtesën e dikurshme të administratës amerikane ka zënë vend një firmë logjistike nga Basra, qelitë e burgut po përdoren nga një njësi e ushtrisë irakiane. Nuk ka ndryshuar gati asgjë, qëkur amerikanët u larguan nga ky kamp në fundin e vitit 2009. Asgjë nuk është shkatërruar, siç është raportuar në media. Aty gjen edhe sheshin kryesor me prozhektorë të mëdhenj, ku bënin shëtitjen e ditës të burgosurit. Më pas barakat që mbanin secila rreth 200 të burgosur brenda.
Në kohën kur Marvan shërbeu për katër vjet tek Kryqi i Kuq Ndërkombëtar në Bucca, në burg qëndronin 30.000 vetë. Disa qëndruan për vite, disa pak muaj, e të tjerë vetëm disa javë. Sa kohë qëndroi këtu koka e të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, Abu-Bakr al-Bagdadi nuk mund të thuhet me saktësi. Ka burime që thonë se, ai qëndroi vetëm katër muaj, të tjerë thonë disa vjet. Ka gjasë që kreu i IS-it të jetë burgosur disa herë. “Arrestimet kryesore janë bërë nga viti 2007 dhe 2008”, thotë Marvan që nuk do të përmendë emrin e plotë. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka premtuar heshtje, punonjësit e tij punojnë në ilegalitet. Marvani vetë ishte përgjegjës për vizitat që iu bëheshin të burgosurve nga familjet që bënin rrugë të gjatë. Dy vjet me radhë ka negociuar ai me pushtuesit amerikanë e britanikë derisa iu mundësua të hynte e jetonte në ndërtesën e administratës.

Në fillim ka pasur vetëm sunitë
“Shumica e të burgosurve vinin nga rajonet sunite, që sot kontrollohen nga IS-i: Ramadi, Falluxha, Salahudin, Dijala dhe Nineva. Edhe rezistenca kundër amerikanëve e pati origjinën e saj tek popullsia sunite. Gati përditë shpërthenin bomba të atentatorëve vetëvraës apo lëndë eksplozive për të vrarë amerikanë e ata që punonin bashkë me ta. Bucca ishte burgu i rebelëve, që konkurronin mes tyre se kush kishte vrarë më shumë njerëz: “Kam vrarë 300 prej tyre”, citon Marvan një nga fjalitë e të burgosurve. Deri në vitin 2007 në këtë burg gjeje vetëm sunitë. Kur filloi lufta qytetare erdhën të burgosur shiitë. Para barakave ata qëndronin të gjithë të veshur me kostumet e verdha: kasta drejtuese e “Shtetit Islamik” përreth strategut dhe ideologut të vrarë në vitin 2014 në Siri, Haji Bakr, simpatizantë e anëtarë të terrorit sunit të Al-Kaidës, ish-oficerë sekretë të Sadam Huseinit, dhëndri i tij, ish-ministri i Brendshëm, dhe në fund edhe krerë të rezistencës shiite dhe milicisë së tyre. Në Bucca skicoheshin plane, diskutoheshin ideologji, krijoheshin aleanca, ujdi për kalifatin. “Sunitët duhej të ndaheshin nga shiitët”, kujton anëtari i Kryqit të Kuq, Marvan. “Ndryshe do të kishim edhe në burg luftë civile”.

“Varrezë e të mbijetuarve”
Në një nga rrugët anësore në breg të Shat-Al-Arab në Basra rri ulur në zyrën e tij, Saad Abdulla-Al Fatlavi dhe rrotullon në gishta tespihet. Abu-Khaled, siç e thërrasin miqtë, ka qenë dy vjet në burgun e Buccas. Tani ai shet udhëtime në Iran, si punë dytësore ai lufton krah milicisë Hizbollah kundër IS-it dhe Abu-Bakr-Al Bagdadit në frontin e Samarës, aty ku filloi konflikti mes sunitëve dhe shiitëve para dhjetë vjetësh. Tani ai është përhapur në të gjithë rajonin “Bucca ishte për mua një varrezë e të mbijetuarve”, e komenton ai kohën në burgun amerikan. “Ata erdhën natën me helikopter, thyen derën e shtëpisë më futën pistoletën në gojë, më lidhën duart në banjo dhe më goditën në gjunjë”, rrëfen 47-vjeçari arrestimin e tij nga ushtarë britanikë e amerikanë. “Ata erdhën drejt e tek unë e më akuzuan si burim i mbledhjes së parave për Hezbollahun. Duhej të jepja informacione, të tradhtoja shokët”. Hetimi u bë në Bagdag, pastaj Al-Fatlavi u zhvendos në Bucca, në burg ndodhej ndërkohë, al-Bagdadi dhe “trupa” e tij, rrëfen ish-i burgosuri.
Kur amerikanët filluan të tërhiqen nga Iraku, nga shtatori 2009 ata filluan të boshatisnin njëri pas tjetrit burgjet: Në intervale të rregullta 170 të burgosur dërgoheshin në Bagdad. Vetëm 250 iu kaluan qeverisë irakiane. Ndër ta ishin kryesisht përfaqësues të lartë të regjimit të Sadam Huseinit, si ish-ministri i Jashtëm, Tarek Azis. Të tjerëve iu jepej liria me një “happy bus”. Saad Abdulla-Al Fatlavi u kthye fillimisht tek dy gratë dhe pesë djemtë e tij në Basra. Abu Bakr al-Bagdadi krijoi një vit më vonë organizatën ISIS – “Shteti Islamik në Irak dhe Siri”. Ndërkohë IS-i ka vënë nën kontrollin e tij pjesë të mëdha të Irakut dhe ka shpallur kalifatin. Edhe Hezbollahu i Fatlavit është kthyer në një nga milicitë shiite më të fuqishme. “Në Bucca të gjithë u bënë ata që janë sot”, i komenton ish-punonjësi i Kryqit të Kuq, zhvillimet në Irak.

Guardiola do Manajn tek Manchester City

Paraqitjet e Rey Manajt me Interin, ndonëse me “pikatore” kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve në Europë. Sipas “goal.com”, klubi i Manchester Cityt ka dërguar disa vëzhgues në Itali për të parë nga afër sulmuesin shqiptar, i cili është paraqitur pozitivisht sa herë që trajneri Mançini i ka dhënë mundësinë që të zbresë në fushën e lojës.
Klubi zikaltër nuk ka ndër mend ta shesë kartonin e këtij sulmuesi, pasi e sheh si një yll të së ardhmes. Por Interi do të ishte i hapur ndaj huazimit të tij në Serinë A apo B në sezonin e ardhshëm, në mënyrë që Manaj të luajë më rregullisht.
Ndërsa menaxheri i Hysajt, Mario Giufredi ka bërë disa herë deklarata në favor të klientit të tij, duke u kujtuar drejtuesve të Napolit se shqiptari meriton rinovim dhe mbi të gjitha rishikim të pagës. “Hysaj është mirë te Napoli dhe kërkon që të rrijë gjatë këtu. Mirëpo, në fund të sezonit do të ketë një rishikim të parametrave ekonomikë. Ai ka treguar se është një futbollist i niveleve të larta. Deri tani nuk jemi ulur që të diskutojmë, pasi ka ende objektiva që duhen realizuar, por në fund të kampionatit do të ketë vend për përmirësime”, ka deklaruar agjenti i mbrojtësit të Kombëtares dhe Napolit
Ndërkohë, portieri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Etrit Berisha është përfshirë në iniciativën e fundit të Lacios për të folur nga afër me nxënësit e shkollavë në Romë kundër fenomenit të racizmit. Në ndeshjet e fundit të Serisë A, klubi i Lacios ka pasur probleme me koret raciste në stadium, duke marrë edhe penalizime. Mediat italiane shkruajnë se Berisha, Biglia dhe Konko ishin përzgjedhur në takimin e radhës për të biseduar me fëmijët romanë.
“U fol për futboll dhe racizëm dhe më pas selfie kolektive”, shkruan e përditshmja italiane ‘Corriere dello Sport’. Berisha i është përgjigjur pyetjeve të fëmijëve, duke pranuar incidentet raciste që kanë ndodhur në ndeshjet e Lacios. “Po, ndodh ndonjëherë dhe është e gabuar. Njerëzit e zgjuar duhet t’a izolojnë këtë minorancë”, ka thënë Berisha.
Ai ka rrëfyer edhe disa nga emocionet e para që provoi kur u aktivizua me klubin kryeqytetas: “Sapo erdha te Lacio isha nervoz, sepse nuk isha mësuar me shumë tifozë. Shokët më kanë ndihmuar dhe tani ndihem i qetë”, ka theksuar portieri i Kombëtares shqiptare të futbollit.

11 vjet më parë!

Një mbrëmje fantastike, një ndeshje në kufijtë e legjendës, një himn për futbollin dhe magjinë që vetëm ai mund ta dhurojë. “Kishim një plan, por pastaj pësuam dy gola dhe planin na u desh ta hidhnim në koshin e plehrave”. Jurgen Klopp shpjegon kështu atë mbrëmje epike, atë që gjithë bota do ta kujtojë për përmbysjen e çmendur 4-2 të Liverpulit të tij, kundër Dortmundit të tij të vjetër.
Origi që i dha jetë përmbysjes me të parin e katër golave e shpjegon në një tjetër mënyrë. “Në pushimin e ndeshjes Klop na tha të luanim një ndeshje që do të mund t’ua tregonim fëmijëve dhe nipërve tanë”.
Dhe lojtarët e dëgjuan. “The Sun” dilte në shitje me këtë titull “Stambolli II”. Referimi për finalen e Championsit të 2005 kundër Milanit, kur “The Reds” triumfuan nga pika e bardhë e penalltive, pasi ishin në disavantazh 3-0 në fundin e pjesës së parë është i qartë.
Klopp është heroi i momentit, në rrjetet sociale simpatia për të është plebishitare, një njeri që i dhuroi futbollit një përrallë për t’u treguar. Ai e shijon në mënyrën e tij, si gjithmonë duke i lënë me gojë hapur gazetarët. “Më pranë triumfit dhe Championsit? Ju lutem mos më bëni këto pyetje koti”.
Klopp kishte dëshirë që thjesht të fliste për mrekullinë e djemve të tij. “Ishte diçka speciale. Sjellja e skuadrës time ishte fantastike. Ka ditë të vështira dhe të lehta. Në ato të lehtat të gjithë mund të fitojnë, në ato të komplikuarat është e vështira. Duhej të bënim 3 gola, ishte diçka që dukej jashtë logjikës, diçka e pamundur. Por unë ja kisha thënë skuadrës time, tifozët na mbështetën, e bënë dhe në Stamboll kur ndryshuan rrjedhën e ndeshjes”.
Edhe Klopp kujton mbrëmjen magjike të ‘’The Reds”, 11 vjet më parë. Të gjithë të çmendur, për Klopp dhe natyrisht, për Liverpulin. Pepe Reina këtë herë nuk irriton askënd, nëse përdor një fjalë jo dhe aq etike për të përshkruar golin e 4-3 të Lovren. Xabi Alonso, mes protagonistëve të mëdhenj të përmbysjes në finalen e Championsit me Milanin, zgjedh një foto me mbishkrimin. “Ky është Anfield”. Nuk ka nevojë për të shtuar diçka tjetër. Kjo ishte vërtet një festë e futbollit.
Emocione të pabesueshme, 7 gola, një fund përrallash për Liverpoolin dhe një mankth për Borussian e Dortmundit që i jep lamtumirën Europa League në një ndeshje të çmendur të luajtur në “Anffield Road”. “The Reds” nuk e braktisën asnjëherë shpresën ashtu siç tifozët e pranishëm në stadium nuk e braktisën asnjëherë skuadrën për të regjistruar një nga fitoret më të pabesueshme që futbolli dhuron. 4-3 e mbylli 90 minutëshin e dytë skuadra e Jurgen Klopp që besoi deri në fund te kualifikimi edhe pse në pjesën më të madhe të kohës u detyrua të luante në ndjekje të kundërshtarëve me 2 gola disavantazh.

Isco, Pastore apo Oscar? Një fantazist për Juven

Juventusi në kërkim të një trekuartisti. Do të jetë ky një nga objektivat kryesorë për sesionin e ardhshëm të merkatos. Pasi dështuan të transferonin në “Juventusit Stadium” njeriun e duhur për këtë rol, drejtuesit bardhezi në momentet e fundit siguruan shërbimet e Hernanes, i cili në asnjë moment nuk e bindi Alegrin, ndërsa tani kanë ndërmend t’i bëjnë një dhuratë të çmuar trajnerit për ta reshtuar pas dy sulmuesve në skemën 4-3-1-2. Ky reshtim është i preferuar nga Alegri, që në këtë sezon për shkak të problemeve me dëmtimet, u detyrua t’i kthehej 3-5-2-shit.
Sezoni i ardhshëm mund të jetë ndryshe, sepse në shënjestrën e bardhezinjve janë emra të rëndësishëm, si Isco i Realit të Madridit, Oscar i Chelseat dhe Pastore i Paris Saint Germmain. Të tre janë lojtarë me shumë cilësi, por që po mbyllin një sezon të vështirë me skuadrat respektive. Në të tre rastet lojtarët dëshirojnë të ndryshojnë ambient. Pengesa është gjithmonë e njëjta: çmimi i lartë i kartonit të futbollstëve që pak a shumë vlerëson me të njëjtën shifër nga 35-40 milionë euro.
Mundësia më e madhe është për të arritur te argjentinasi i Paris Saint Germmain, si për çmimin e kartonit, por edhe për përshtatjen e tij në futbollin italian. Pastore e njeh mirë Serinë A, pasi para se të transferohej në kryeqytetin francez ka luajtur në radhët e Palermos, ku luajti për tre sezone duke shënuar 14 gola në 69 ndeshje.

Agjenti i Hysaj: E ardhmja vendoset në fund të sezonit

Menaxheri i Elseid Hysajt, Mario Giuffredi, u ka bërë ftesë publikisht drejtuesve të Napolit që të ulen në tavolinën e bisedimeve për të rinovuar kontratën e klientit të tij. Giuffredi iu ka kujtuar drejtuesve se mbrojtësi shqiptar është i lumtur në skuadrën napoletane, por duhen rishikuar termat financiar. “Hysaj ndihet shumë mirë te Napoli dhe do të dëshironte të qëndronte, por duhet rishikuar aspekti financiar. Në fund të kampionatit do të gjejmë një zgjidhje”, tha ai.
Në intervistën dhënë për “Radio CRC”, Mario Giuffredi theksoi se Hysaj ndihet shumë mirë te Napoli dhe dëshiron të qëndrojë, por çështja ekonomike do të rishikohet. Ai shtoi gjithashtu se pas një viti, mbrojtësi shqiptar tregoi se di të luajë edhe në nivele të larta, por deri në këto momente nuk është takuar me drejtuesit e klubit të kaltër. “Momentalisht skuadra është e përqendruar te objektivat sezonalë, por në fund të kampionatit do të gjejmë një zgjidhje”, thekson agjenti i mbrojtësit kuqezi që lë të hapur çdo alternativë. Gjatë javëve të fundit, emri i Hysajt është përmendur nga media të ndryshme, pasi sezoni pozitiv që po zhvillon ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha, ku në radhë të parë qëndrojnë Atletico Madrid e Chelsea.
Ndërkohë, ditë më parë, ai paralajmëroi se Hysaj edhe mund të largohet, me skuadra si Atletico Madrid e Chelsea, të cilat po e vëzhgojnë prej vitesh. “Unë e them gjithmonë se, kur një futbollist dëshiron të provojë aftësitë e tij, duhet të kalojë te Napoli. Nëse paraqitesh mirë në këtë skuadër, do të thotë se je gati të luash në çdo vend të botës”, deklaroi para pak kohësh menaxheri i Hysajt.

Icardi: Qëndroj dhe fitoj te Interi

Mauro Icardi nuk largohet nga Interi. Kapiteni i zikaltërve duket se as që e mendon një lamtumirë të mundshme nga Milano. Pavarësisht se ofertat nga klubet e tjera nuk mungojnë, argjentinasi duket i vendosur se e ardhmja e tij është tek Inter:
“Çdo vit për mua thuhet se do të largohem nga Inter. Unë nuk e besoj diçka të tillë, pasi ndihem mirë këtu. Drejtuesit e klubit kanë bërë një punë të mirë, duke afruar në radhët ekipit lojtarë cilësorë. Është e vërtetë se në fillim të kampionatit patëm një ecuri të mirë dhe tani nuk mund të them të njëjtën gjë, por jam  i sigurt se sezonin e ardhshëm do të jemi më kompetitiv. Titulli kampion në Seria A dhe rikthimi në Champions League, këto janë dy misionet e mia dhe të pjesës tjetër të lojtarëve. Personalisht unë dua t’i arrij sa më shpejt këto dy objektiva me fanellën e Interit”, u shpreh Icardi.
Më tej Icardi bëri një krahasim mes dy trajnerve atij aktual të Interit, Roberto Mançini dhe ish- teknikut zikaltër Valter Mazzari: “Mançini nuk e ka harruar se dhe ai dikur ka qenë një futbollist. Është një trajner që të kupton dhe nuk të bërtet kurrë. Diferenca mes tij dhe Mazzarrit? Valter ishte një trajner më klasik, gjatë gjithë kohës vetëm bërtiste”, tha ai.

Gati projektet, bashkia Kamëz kërkesë qeverisë për ndërtimin e 3 kopshteve të reja

Bashkia Kamëz ka gati projektet për ndërtimin e 3 kopshteve të reja në territorin e saj, si dhe për ndërhyrjen me rikonstruksion të disa të tjerave. Për financimin e tyre është kërkuar mbështetja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe ministrive të tjera. Kjo, pasi fondet për të realizuar këto investime janë të papërballueshme nga Bashkia. Në një shkresë drejtuar ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, Bashkia Kamëz kërkon financimin e investimeve të parashikuara për objektet e arsimit parashkollor, në mënyrë që t’u krijohen kushte optimale dhe cilësore për një proces mësimor-edukativ fëmijëve të qytetit të Kamzës.
Referuar reformës administrative-territoriale dhe vendimit të Këshillit të Ministrave për transfertat specifike dhe financimin e funksioneve të reja për vitin kalendarik 2016, në varësi të pushtetit vendor kalojnë të gjitha kopshtet, çerdhet dhe konviktet. Për të parë gjendjen reale të objekteve arsimore, në Bashkinë Kamëz është ngritur edhe një grup pune i posaçëm për planifikimin e objekteve ekzistuese të kopshteve dhe shkollave për rikonstruksion, si dhe për hartimin e projekteve për ndërtimin e kopshteve dhe shkollave të reja.
Nga grupi i punës është konstatuar se është domosdoshmëri ndërhyrja për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për arsimin parashkollor, si dhe rikonstruksionin e disa objekteve ekzistuese. Konkretisht, në Paskuqan nevojitet të ndërtohen dy kopshte të reja, pasi fëmijët e kopshteve “Tahir Sinani” dhe “Vëllazërimi” momentalisht zhvillojnë procesin mësimor-edukativ në objekte private të papërshtatshme, të marra me qira nga Njësia Administrative Paskuqan. Po ashtu, nevojë emergjente për komunitetin është edhe ndërtimi i një kopshti të ri në Bulçesh, pranë shkollës “Ibrahim Basha”, pasi kushtet e kopshtit aktual në mjediset e shkollës janë të mjerueshme, ku dy grupe nxënësish zhvillojnë procesin mësimor-edukativ në një klasë.
Gjithashtu, e domosdoshme është edhe një shtesë kati dhe rikonstruksion për kopshtin në Kamëz-Qendër, pasi mjediset e tij janë të papërshtatshme për të përballuar numrin e fëmijëve që frekuentojnë këtë kopsht. Edhe në zonën e Valiasit dhe Valiasit të Vjetër është e nevojshme të rikonstruktohen kopshtet “Niko Hoxha” dhe “Nënë Tereza”. Këto ndërhyrje në arsimin parashkollor janë emergjente, për shkak të nevojës së përmirësimit të kushteve të ambienteve para-shkollore në këto zona. Bashkia i ka gati të gjitha projektet, si dhe ofron bashkëpunim edhe për garantimin e trojeve për të ndërtuar kopshtet e reja.
Për t’u theksuar është fakti se Bashkia Kamëz ka një mungesë totale të fondeve të akorduara nga ana e qeverisë për investime në institucione arsimore, por edhe në fusha të tjera po kaq të rëndësishme dhe jetike për qytetarët e Kamzës dhe të Paskuqanit.

Takimi i Lamtumirës, doli nga Shtëpia e Bardhë si votues i Bashës

Rama ka hyrë si Kryeministër në Shtëpinë e Bardhë dhe ka dalë si kryeopozitar. Ka hyrë si lideri i rilindjes dhe ka dalë prej saj si votues i Bashës. Se për çfarë është biseduar është e vështirë të konstatosh, sepse janë bërë publike vetëm njoftimet e pabesueshëm të zyrës së shtypit të Ramës, pasi Shtëpia e Bardhë nuk ka postuar asnjë foto zyrtare dhe asnjë njoftim në lidhje me këtë takim deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Menjëherë pas daljes nga Shtëpia e Bardhë përmes frazave haluçinante, Rama pohonte se do të votonte Bashën nëse do të ishte alternativë përballë Trumpit! Çfarë e ka bërë Ramën të jetë fiksuar aq shumë pas Bashës pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, kjo pritet për t’u parë gjatë ditëve të ardhshme. Ajo çfarë u pa në atë intervistë të shkurtër për “Zërin e Amerikës” nga Rama ishte se ai nuk po fliste më si Kryeministër.
Deklarata e shpërndarë nga zyra e kryeministrit për takimin në Uashington ka një distancë të madhe nga fokusi i problematikës së qytetarëve shqiptarë që u shpreh një ditë më parë në raportin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit për lirinë dhe të drejtat njerëzore, ku Shqipëria përshkruhej me notat më të zeza për degradimin e demokracisë, korrupsionin dhe krimin e organizuar që kontrollon çdo nivel të qeverisjes. Deklarata e qeverisë na turpëron kur mendojmë se si një lolo-kryeministër përfaqëson sot shqiptarët dhe takimin më të rëndësishëm të jetës së tij e pasqyron sikur të jetë takuar me Shullazin.
Vëmendja dhe angazhimi i qeverisë amerikane për Shqipërinë dhe shqiptarët është gjithnjë në pritshmëritë që ka kombi ynë, ndaj ata janë të hapur, të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë kur i qasen problemeve që ka vendi ynë. Një kosh basketbolli, mësimi i historisë së fesë në shkolla, apo të shash kandidadin republikan, nuk është axhenda amerikane në Shqipëri dhe as interesi jetik i shqiptarëve kundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Çdo lider normal shqiptar që do të vizitonte SHBA do të kërkonte investime për të mëkëmbur ekonominë e rrënuar nga korrupsioni dhe taksat, ndihmë ushqimore për të ushqyer mbi 1 milion e gjysëm shqiptarë që janë mbërthyer nga uria, ndihmë për t’u anëtarësuar në BE, mbështetje më të madhe për Kosovën, ndihmë për të modernizuar shërbimet publike, policinë, drejtësinë, ushtrinë dhe gjithçka tjetër që po shkatërrohet mjeshtërisht nga oligarkët në pushtet. Por, Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i shpërndarë një ditë para se Rama të shkelte Shtëpinë e Bardhë, na ka shpjeguar hollësisht se ky kryeministër dhe kjo qeveri është burimi i fatkeqësive që ka pllakosur vendin.
Interesante janë intervistat që Rama dha para dhe pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë. Kur hyri foli si “partneri” që hartonte fjalime të denja për oborrin, por kur doli tha se do të ishte votuesi i liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës. Duket se subkoshienca e Ramës prej lideri suprem, i ka thënë se ky është edhe takimi i lamtumirës, para se të largohet nga pushteti.
Revoltat spontane popullore që kanë shpërthyer në çdo cep të Shqipërisë dëshmojnë një pakënaqësi deri në armiqësi që shqiptarët po krijojnë ndaj kësaj qeverie.
Abuzimet dhe skandalet e qeverisë, largimi masiv i biznesit të huaj, mbyllja e qindra mijëra vendeve të punës, barra e rëndë fiskale ndaj biznesit të vogël dhe braktisja e fermerëve nga qeveria kanë nxjerrë gjithnjë e më shumë njerëz në protesta para zyrave të shtetit, duke bllokuar rrugët e qyteteve dhe akset nacionale. Përshkallëzimi i betejës së opozitës drejt një mosbindjeje civile po tejkalohet nga qytetarët që mllefin dhe pakënaqësinë e tyre po e shprehin në forma të drejtpërdrejta të përplasjes fizike me pushtetin dhe strukturat e ndëshkuese që qeveria ka mobilizuar për të grabitur dhe terrorizuar qytetarët.
Ajo çfarë ka mbetur nga vizita e kryeministrit Rama në SHBA është “beteja” e tij heroike me kandidatin republikan Donald Trump, që ngjante si varianti modern i luftës së Don Kishotit me mullinjtë e erës.

rben Shahini

Basha: Energji falas deri në 200 kilovat për familjet e varfëra

Banorët e Dumresë janë jo vetëm të zhgënjyer nga qeveria Rama, por dhe në situatë ekonomike tepër të vështirë. Jo vetëm nuk kanë përfituar asnjë subvencion nga qeveria, por rritja e çmimeve të imputeve bujqësore, energjisë etj., si dhe rënia e fuqisë blerëse e pamundësia e eksportit i ka zhytur në borxhe duke ua pamundësuar punimin e tokës këtë vit.
Fermer: Paratë e duhanit s’po na i japin.
Basha: Paratë e vitit të kaluar?
Fermer: Po.
Basha: Me sa e shitët vitin e kaluar?
Fermer: Pak më, me 2500. Çmim shumë i ulët. Qeveria na kishte premtuar 6 mijë lekë për kile.
Fermer: Të gjithë këto serra janë në borxhe, në borxhe komplet. Komplet në borxhe, komplet të falimentum. Kur të vish në korrik ti, do të llafosim bashkë. Sa serra do të gjesh të mbjella? Sepse nuk do të kenë më lekë të marrin fidanë. Nuk ia jep ai, bjeri lekët e vjetra të jap të rejat.
Basha: Problemi këtu është korrupsioni sepse në qoftë se taksat merren dhe kthehen në rrugë të reja, në ujësjellës, në kanalizime, në vaditje, në kullim apo subvencione për bujqësinë ju do t’ia shihni hajrin. Ne kemi vendosur të investojmë në fshatin shqiptar 150 milionë euro në vit. Si do të investohen? 50 milionë në vit do të investohen për infrastrukturën. Rrugë janë bërë, por s’kanë përfunduar. Vaditja, kullimi, ka zona ku nuk është vënë dorë në këto 2 vite e gjysmë, ka zona ku nuk është vënë dorë 10 vjet. Ne do të ndërtojmë një skemë subvencionimi që t’i vijë çdo familje fermeri në ndihmë. I vetmi kriter do të jetë, e punon apo s’e punon tokën? Ke apo nuk ke blegtori? Ju do të jeni në gjendje të shisni pa NIPT, por me kartë identiteti dhe pa kartë fermeri. Sepse karta e fermerit dhe NIPT-i janë instrumente të fshehta për të shkatërruar tregun.
Basha ka bashkëbiseduar me banorë të Belshit. Në shtëpinë e z. Aqif Merko, Basha u njoh me problemet që ka zona, ku kryesisht ishte papunësia.
Në takim me banorët e Belshit ata shprehën shqetësimin për korrupsionin e madh në polici, në OSHEE e kudo. Pa dhënë ryshfet s’mbaron dot punë, thanë banorët.
Fermer: Marrin asistencë 3-4 vetë në një familje. Një që është nevojtar nuk merr, ai që s’ka gjë fare.
Banor: E dinë të gjithë këta burra që unë kam 26 vjet që kur ka dalë Partia Socialiste mbrapa, mbrapa, mbrapa. Sot njerëzit nuk kanë bukë të hanë, o zotëri! Ka mbi tre javë ai kamioni që nuk është nis. Hera e para që po niset sot. Kam përzënë mbi 20 veta, vijnë njerëzit duan pllaka për të shtruar, të shkretit. E kemi keq me policinë, duan këtë, duan atë. Tjetri i jep 500 mijë lekë, 200 mijë lekë, 300 mijë lekë. Vendi më i korruptum.
Banor: Më vijnë dy burra me një palë gërshërë, vijnë të prisnin dritat. Ku vini ju? Do të presim dritat. I kam paguar unë ore, i kam paguar 69 mijë lekë dy muaj. E s’kam qenë këtu, kam qenë te çunat në Itali. Po megjithatë meqenëse është shkrujt, se ata nuk e shkrujnë kot, shif sahatin. Kemi urdhër më thanë. Si ore urdhër të më prisni dritat që i kam pagu.
Ndonëse politikat sociale zënë një vend të rëndësishëm në programin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se kjo nuk është zgjidhje për varfërinë. Sipas tij, zgjidhja është nxitja e investimeve, lehtësive për biznesin që të hapen vende pune. “Ta shporrim me votë këtë kastë oligarkike që e provoi, jo vetëm që s’mbante premtimet, por kishte vetëm një qëllim, të pasurohej për vete”, theksoi Basha.
Basha: Ne do të shpenzojmë para për shtresat në nevojë. Sasia e energjisë elektrike deri në 200 kilovat dhe uji i përdorur nga familjet në nevojë do të financohet plotësisht nga buxheti i shtetit. E njëjta gjë për medikamentet, jo vetëm për familjet në nevojë, por edhe ata me status invaliditeti. Por kjo nuk është zgjidhja, të jemi të sinqertë. Shteti nuk mund të vazhdojë të rrisë faturën sociale, shteti duhet të punojë që të krijohen vende pune, që ekonomia të fillojë të xhirojë, që leku të fillojë të xhirojë dhe për këtë duhen masa radikale. Ulje taksash, investime publike të vërteta, jo falso, jo palma. Subvencionim të bujqësisë, ulje të energjisë elektrike dhe ky është propozimi për të cilin iu themi sot të gjithë shqiptarëve hajde të bashkohemi, dita e votimit nuk është larg. Ta shporrim me votë këtë kastë oligarkike që e provoi, jo vetëm që s’mbante premtimet, por kishte vetëm një qëllim, të pasuroheshe për vete e të kthejmë edhe një herë shanset për punësim, për mirëqenie, për prodhim në ekonominë shqiptare. Pra, në xhepat, në tavolinat dhe në familjet e Belshit, Dumresë dhe gjithë Shqipërisë.